Wednesday 30 April 2014

Doçërit

Fjala “doç” ka një tingëllim tepër kumbues në shqip. Eshtë nga fjalët njërrokshe, që dëgjohen më qartë dhe kumbojnë më mirë. Kuptohet që krahasimi bëhet me fjalët njërrokshe, të cilat kanë një kuptim dhe jo me ato që përcaktojnë tinguj si “ding”, “bum”, “tak”, “xum” etj. Eshtë afërmendsh, që ato do kenë tingëllim të mirë. Krahasimin e shpejtë e bëra me “lot”, “rrip”, “det”, “sot”, “gur” e shumë të tjera si këto.
Nuk di nëse është shqip-shqip apo është shqipe e huazuar nga ndonjë gjuhë tjetër. (Përshembull fjala “kuç” që përdoret edhe për qenin apo edhe si emër fshati është sllave. S’di në është pansllave apo vetëm e jugorëve.) Sidoqoftë është një fjalë me rëndësi jo vetëm në të folurën e përditshme por edhe pjesë e fjalorit letrar apo edhe atij politik. Doç, sikundër e dinë të gjithë, quhet një fëmijë i lindur nga bashkimi i një mashkulli e një femre, që nuk kanë “zyrtarizuar” lidhjen e tyre në një martesë civile apo fetare.  Kuptohet, që duhet bërë një dallim me “doçërve” të përkohshëm dhe atyre të përhershëm. Një fëmijë i lindur nga dy prindër që nuk janë të martuar quhet doç, por e humbet menjëherë statusin e doçit nëse ata martohen. Gjithashtu sot nuk quhet doç, një fëmijë i lindur nga dy prindër që bashkëjetojnë, por nuk janë të martuar e ndoshta nuk do martohen kurrë. Populli nuk e ka gjetur ende emrin për ta dhe ne nuk kemi pse ta vrasim shumë mendjen se përqindja e tyre mes fëmijëve të ligjshëm dhe doçërve është e ulët.
Duhet që në krye të them se statusi i doçit, si çdo gjë tjetër në trevat e banuara nga shqiptarët ka karakter historik. Deri vonë, në zona të caktuara, njerëzit nuk e kanë pasur për turp të ishin doçër dhe për këtë dëshmon fakti që ka shumë familje me mbiemër Doçi. Nuk më ka zënë syri në librat e telefonave në vende të huaja të ketë mbiemra Bastard apo Figlio di Putana. Nuk di nëse kjo lidhet me numurin e pakët apo të shumtë fëmijëve të lindur jashtë martese në Shqipëri, por ajo që dihet është se mbiemra të tillë ka dhe njerëzit nuk i kanë ndrruar edhe kur ju është dhënë mundësia. Pra duke jetuar gjatë në këto vise, duke parë shumë pushtues të hyjnë e të dalin(sigurisht që pushtuesit përdhunonin pa kriter dhe nuk përdornin as mjete mbrojtëse) populli e ka kuptuar. që doçërit jo vetëm nuk kanë faj dhe s’ka pse të përbuzen, por mund të jenë edhe një plus për mbijetesën e shqipfolësve, se kur genet kryqëzohen, pasardhësit dalin gjithnjë më të fortë e më të bukur.

Edhe kur përdoret si cilësor, fjala doç ka një ngarkesë negative tejet më të ulët se në gjuhët e huaja. “Eshtë doç” në shqip, kur përdoret në kuptimin “është i zgjuar, dinak” ka një kuptim shumë më pozitiv se “he is a bastard”. Ndryshon kuptimi kur përdoret sinonimi “ai është bir kurve”, ku ngarkesa negative është e njëjtë me “ lei e un figlio di putana” apo më e rëndë se ‘he is a son of a bitch”.
(vijon)

30 Prill

Këtë datë e kujtoj shpesh, disi me të qeshur, se është dita e lindjes e një shoku të fëmijërisë. Nuk kam ndonjë kujtim me të qeshura të mëdha gjatë festimit të ditlindjeve të tij, se në ato kohë jo të gjithë bënin festa në ditët e lindjes. Një pjesë e mirë e familjeve bënin thjesht një drekë të mirë vetëm për familjen.
Për të qeshur na vinte bashkë me shokët e tjerë, se ai këmbëngulte që kishte lindur më 1 maj dhe jo më 30 prill. Nuk e di se kush ja kishte shtënë në kokë, që kishte lindur Ditën e Solidaritetit Ndërkombëtar të punonjësve dhe jo në vigjiljen e saj. Cdo fund prilli e bënim këtë diskutim, se na pëlqente kur nervozohej. Ai në përgjithësi ishte (dhe është) shumë i qeshur dhe i gatshëm për qyfyre në çdo kohë dhe çdo situateë. (Kur u rritëm psh, i shmangesha të shkoja në ngushëllime me të, se më bënte për të qeshur.) Nuk besoj se spostimin e ditës së lindjes e kishte për të mos mbetur pas një shokut tjetër tonë, që mburrej se kishte lindur në një ditë me Leninin. Nuk e kishte aspak ndienjën e zilisë për moshatarët e tij, por edhe për të tjerët.
Ka shumë vite që jam larg qytetit tim dhe nuk di nëse vazhdon me “kokëfortësi” ta festojë ditën e lindjes më 1 maj edhe pse në dokumenta ka 30 prillin. Eshtë më komode të festosh në një ditë pushimi edhe pse kjo është Dita e Puntorëve dhe Gjergj,i si të gjithë ne shokët e tij, nuk shquhej për punëtor të madh.
Gjithsesi(kjo fjalë ka kohë që përdoret në stil të gjerë në atdhe):

Edhe 100 të tjera Gjeku!

Tuesday 29 April 2014

Morali i Is dhe ai i Trebeshinës

Unë nuk njoh personalisht asnjerin prej tyre. Kadarenë e kam takuar njëherë për 10 minuta më 1981 në sheshin Skënderbej, kur isha duke shëtitur me babanë dhe ai me Llazar Siliqin dhe kur nuk foli shumë, veç pyeti babanë pak me shpoti:-“Ty Andon të shoh rrallë në Tiranë apo nuk të pëlqen Tirana?”.
Babai thjesht e njihte dhe as e ka konsideruar ndonjëherë më shumë se të njohur të largët. Për Trebeshinën kam mësuar rreth fundit të viteve ’80, si për një shkrimtar të burgosur gjatë dhe që ishte përkthyer në Kosovë. Edhe sot më duket çudi, që im atë, i cili përmendte shpesh shkrimtarët dhe artistët, qoftë edhe të dënuar nuk e kishte zënë kurrë në gojë Kasëmin.
Rreth Ismailit, prej fillimit të viteve ’70 kisha lexuar çdo gjë dhe ndiqja me interes edhe ato që thuheshin rreth jetës dhe karakterit të tij. Sigurisht nuk isha unë i vetmi. Ismaili ishte gjatë më shumë se dy dhjetvjeçarëve njeriu “më interesant” në Shqipëri. Nuk kishte këngëtarë, aktorë filmash apo sportistë të konkuronin me të për vendin e parë. Shkrimtarë e poetë jo e jo! Nuk dua të hyj në analizën se sa ka ndikuar në të propaganda apo prirja e Is për të tërhequr pas vetes “zhurrmën”. Le të pranoj, që ishte plotësisht e merituar se nuk kishte në asnjë fushë ku krijohen idhujt e njerëzve e sidomos të rinisë, një të barabartë me të. Do merrem pak me krahasimin moral të tij dhe Trebeshinës, nisur nga një intervistë e dhënë nga Kadareja dje në një nga televizionet shqiptare.
Kadareja do sërish të shkatërrojë krejtësisht namin e Trebeshinës duke e paraqitur sin një njeri që jo vetëm ka punuar për Sigurimin por ka vrarë edhe njerëz me dorën e tij. E keqja qëndron në faktin që këtë gjë e besojnë edhe shumë të tjerë. Një shok i imi theshte dy vjet më parë, që është e palejueshme të nderosh Kasëmin se ka lyer duart me gjak!
Po cili është morali i Trebeshinës, i cili jo vetëm ka vuajtur disa herë në burgjet e Diktaturës, por është dënuar me heshtje edhe këto 25 vjet në Shqipëri?
Kasëmi nga sa kuptohet nga ato që ka shkruar vetë, por dhe ato të shkruara nga ata që nuk e duan, ka qënë një adoleshent inteligjent, që u përfshi shumë shpejt në Luftën nacional-çlirimtare në rradhët e partizanëve. Pati një karrirë të rrufeshme në ditët e Luftës dhe në vitet e para të pasluftës. Në shënimet e tij biografike, vetë rrëfen që ka vrarë një pjesëmarrës në luftë, të cilin e shoqëronte për diku ku do gjykohej. Një 17-18 vjeçar, që në zjarrin e Luftës vret dikë, që e gjykon se mund t’i rrezikojë jetën se janë duke ecur të dy në vende të humbura! Se ku është krimineli i Kadaresë dhe të tjerëve unë nuk jam në gjendje ta kuptoj.
Në një nga rubrikat “Dossier” të gazetës “Shqiptarja” të paradokohe, ishin botuar disa raportime që Trebeshina si zv.komisar i një formacioni ushtarak partizan bënte për komunistët që bënin pjesë në organizatën e tij. Paraqitej si dëshmi e një komunisti fanatik që spiunon shokët. Trebeshina nuk bënte gjë tjetër veç ndiqte një procedurë, që ishte normale për një organizatë të fshehtë si Partia Komuniste në kohën e Luftës dhe në kohën kur Lufta e Dytë Botërore nuk ishte mbyllur akoma. Raportimet e tij të bien në sy për inteligjencën dhe pjekurinë e një të riu që nuk kishte mbushur të 20-tat.
Po të përmendësh “kalvarin” e jetës së Trebeshinës pas përplasjeve me Partinë, si kishte dërguar të famshmen Memo për E.Hoxhën, mund të thuash vetëm që ishte “i çmendur”, se për  devijim moral askush nga ata që kanë jetuar nën Diktaturë, përfshi këtu edhe klerikët katolikë më të devotshëm nuk mund ta akuzojë. Në të kundërt, Trebeshina duhet të tregohet në Shqipëri se njeri i rrallë për integritet e moral të jashtëzakonshëm.
Për tu kthyer në morali i Kadaresë, i cili vërtet ka qënë më lart se ai i Dhora Lekës apo edhe shumë shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë, duhet thënë që është morali i njeirut që mbi interesin e tij nuk ka asgjë të shenjtë. E besoj që Ismaili nuk ka qënë bashkëpuntor i Sigurimit dhe mund të mos ketë asnjë rast që ka analizuar vepra të njerëzve që ishin arrestuar. Ka disa arsye që Ismailit nuk i ngarkohej një gjë e tillë. Në rradhë të parë kjo bëhej nga kritikët e letërsisë, që në atë kohë nuk ishin të pakët. Edhe ata shkrimtarë që janë përfshirë në atë kohë(si rasti i Llazar Siliqit për veprat e Fadil Paçramit, apo më vonë Laços apo Diana Culit) bëhej ose se nuk kishin besim në aftësitë e kritikëve ose kur shkrimtarët ishin bashkëpuntorë të sigurimit dhe mund t’ju thuhej hapur se ç’kërkohej. Ky fenomen i përket kryesisht gjysmës së dytë të viteve ’70 dhe viteve ’80, kur Kadarenë nuk kishte kurajë ta caktonte njeri me detyrë të tillë, sepse dihej që kishte mbrojtjen nga dy më të mëdhenjtë, si dhe ishte mjaft i njohur në Europë.
Për sa i përket moralit të veprave të tij për të është shkruar shumë dhe nuk dua të zgjatem.
Ka diçka tjetër që duhet shtuar rreth moralit të Kadaresë. Me shumë kujdes, pa lënë gjurmë të dukshme, Ismaili ka manipuluar opinionin letradashës me njerëzit që ka mbajtur rreth vetes. Po njëlloj ka vepruar me cinizëm ndaj atyre që e kritikonin. Edhe në rastin e Dhora Lekës, ai ka patur mundësinë ta shmangë një demaskim publik të saj, por nuk e ka bërë, për të mos thënë që e ka kërkuar vetë. Aq të pakufi e ka ai ndienjën e hakmarrjes apo të dashkeqësisë, sa në librin e tij “Ftesë në Studio”, për poetin Bujar Xhaferri , i cili e kishte kritikuar rëndë në fundin e viteve ’60, ka shkruar “dhe i nxituar si gjithnjë ai vdiq parakohe në kurbet”. B.Xhaferri ishte më pak se 50 vjet kur mbylli sytë ndërsa predikuesi i moralit kristian, i cili dje përmendte me përbuzje Judën isht më shumë se 50-vjecar kur e shkrojti atë frazë.
Trebeshina vrau dikë, që mund ta vriste vete Kasemin, kur ishte 18 vjeç. Kadareja mund të dërgojë njerëz në gijotinë edhe sot. Sigurisht po ta kenë prekur dhe duke mos firmuar gjëkundi.





Shkolla shqiptare e arkitektures (fund)

(vijim)
Duhet të pranoj, që nuk njoh programin e asnjërës nga degët e arkitekturës pranë Universiteteve private në Tiranë. Po i gjykoj a priori, nisur nga ato çka di për universitetin e Tiranës dhe nga njohja që kam e një pjese prej profesionistëve më të mirë në Tiranë.
Duhet të përmend kalimthi, që ka shumë arkitektë që kanë studiuar në Itali, Rumani, Greqi, Turqi, Qipro etj. Pa dyshim ata kanë sjellë përvojat e ndryshme të shkollave ku kanë studiuar. Pa dashur të përgjithësoj nivelin e shkollave të vendeve të sipërpërmendur, shanset janë të jenë në shkollat më të dobëta europiane. Italia ka numurin më të madh të arkitektëve nga gjithë vendet e mëdhatë Europës Perëndimore, por një ndryshim me diferencë të madhe. Eshtë një dëshmi më shumë, që në Itali jo vetëm prodhohen arkitektë me shumicë, por detyrimisht niveli i një pjese të mirë të arkitektëve të studiuar në Itali do lerë për të dëshëruar.
Shqipëria nuk ka nevojë për mbi 500 arkitektë të diplomuar çdo vit. Eshtë një mashtrim i madh ndaj ëndrrës së studentëve dhe prindërve të tyre, për të pasur një karrierë në një profesion të nderuar. Edhe 1/5 e tyre do ishte shumë e tepërt. E keqja më e madhe është se të rinjtë studiojnë në shkolla të pastruktuara mirë, të paplotësuara me laboratore e kabinete si simotrat e tyre në Perëndim dhe për më tepër kanë pedagogë me njohuri të gjymta, për të most thënë të paaftë.
Bumi i ndërtimeve në Shqipëri pas ndryshimit të sistemit, sigurisht që u bë një “shkollë“ për studio më të mira të arkitektëve apo edhe arkitekëtve të veçantë, që patën mundësinë të projektonin më shumë se të tjerët. Eshtë një nga profesinet, të cilët më shumë se të tjerët kanë nevojë të mësohen në “laboratorin” e studiove dhe sidomos në zbatimin e projekteve. Janë këto studio dhe individë, që duhet të ngrenë zërin për përmirësimet e domosdoshme në Shkollën e Arkitekturës. ata më shumë se të tjerët e dinë se “ku pikon çatia” në Arkitekturën Shqiptare. Ngritja e shkollave "rakitike” private me qëllimin që “ka kërkesa për të studiuar Arkitekturë, ndaj hajde të bëjmë ndonjë frangë“ është nga gjërat më të poshtra që janë bërë në gjithë sistemin e ndërtim-urbanistikës. Pasojat e drejtpërdrejta i kanë të rinjtë , që nuk gjejnë dot punë, por do ndjehen edhe pas 50-60 vjetësh nëse nuk vihet shpejt dorë në rishikimin e licensave të Universiteteve. Jemi rreth 45 vjet prej kohës kur u diploma arkitekti i parë në Shqipëri dhe punët jo vetëm nuk janë mbroth, por për fat të keq kanë shkuar në disa drejtime teposhtë. Rritja e shfrenuar e numurit të arkitektëve ka vetëm një të mirë, që klientët mund të zgjedhin mes tyre më të mirët. Nëse në Shqipëri ekziston një treg me një konkurencë të lirë dhe normale.


Monday 28 April 2014

Shkolla shqiptare e arkitektures (5)

(vijim)
Edhe me përmirësimet e vogla të viteve të fundit të viteve ’80, kur një pjesë e mirë e pedagogëve më të rinj bënë kurse specializimi jashtë shtetit, Katedra tashmë e ndarë në atë të Arkitekturës dhe Urbanistikës nuk bëri përpjekje për të sjellë profilin e Shkollës së arkitekturës më pranë atyre të shkollave të mira Perëndimore. Struktuara e lëndëve ndryshoi shumë pak. Jo vetëm nuk pati përmirësim në lëndët e vështira teorike(të cilat duhet thënë që kanë munguar gjithnjë) rreth raporteve të hapësirës me njeriun dhe shoqërinë, rolin e arkitekturës si pararendëse e ndryshimeve në shoqëri, apo edhe atë të raporteve mes ritmit, vëllimeve, ngjyrave, materialeve etj etj, por nuk pati përmirësime as në krahun më të domosdoshëm, atë të të mësuarit praktik se si të ndërtosh. Gjatë një vizite të shkurtër,që bëra në vitin 1993 në SHBA, shkova në disa shkolla arkitekture nga një e njohur si ajo e universitetit të Harvardit dhe deri në një dyvjeçare në Agasta të Mejn. Gjithashtu vizitova edhe një sërë studiosh arkitektësh dhe më ra në sy se sa larg ishte formimi i im professional(dhe jo vetëm i imi) nga ai i arkitektëve amerikanë. Edhe në një shkollë me një program të shkurtër, mësohej më shumë dhe më konkretisht, se sa kishim mësuar ne në më shumë se 4 vjet. Më bëri përshtypje në disa arkitektë, që kishin studio e tyre në të njëjtin kompleks me banesën e tyre, që ishin më krenarë të të tregonin pjesët e ndërtimit, që kishin bërë vetë, se sa të mburreshin rreth projekteve të tyre. Ishin të gjithë profesionistë, që dinin të ndërtonin dhe eksperimentonin në strukturat e tyre ndërtimore. Njëra prej tyre e quajtur Sarah Hollande dhe që nuk kishte shumë vite eksperience më tepër se unë, kishte projektuar dhe marë pjesë në ndërtimin e banesës-studio të saj, banesë që funksiononte e gjitha me panele diellore. Dhe kjo në një vend me temperatura shumë të ulëta si është Mejn.
Duhet përmendur, që në Katedrat filluan të punonin profesionistë më të kulturuar si Agim Myftiu e ndonjë tjetër, por ndryshimi i sistemit politik dhe mbyllja për disa kohë e universitetit, solli një çoroditje të re dhe të pashmangshme. Tashmë çdo gjë ose ishte e pasigurt ose mendoheshe jo më larg se çasti apo ndryshimet në sistem që do reflektoheshin edhe në programet universitare. Arkitektët dhe urbanistët që përfunduan studimet në fillimin e viteve ’90 reflektuan në formimin çoroditjen në të cilën kishte kaluar shkolla. Pak a shumë i njëjtë ishte formimi i të gjithë të rinjve, që mbaruan gjatë viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2000. Në takime me arkitektë të rinj në vitin 2003 në Tiranë më ra në sy për mirë formimi i tyre në programet projektuese në kompjuter, por për keq kultura shumë e dobët profesionale. Kishte syresh që nuk kishin idenë e BAHAUS-it apo të arkitektëve më të mirë të Arkitekturës Moderne. Edhe pse mund të thuhet që kishin një orientim ndaj post-modernizmit apo ndaj Gehrit, Kalatravës apo Libeskind, asnjë profesionist nuk mund të kuptojë mirë bashkëkohësit nëse nuk njeh mirë pionierët e Arkitekturës moderne.

Në fillimin e viteve 2000, u hapën edhe të parat degë të arkitekturës në universitetet private në Tiranë.
(vijon)

Sunday 27 April 2014

Ismaili dhe vitet ‘60

Kam pritur shumë vjet të dëgjoj nga shkrimtarët dhe artistët, të cilët kanë jetuar në ato vite, të tregojnë të vërtetat e viteve ’60 dhe fillimit të viteve ’70 rreth Ismailit dhe raporteve të tij me kolegët, me udhëheqjen, sigurimin e shtetit, Lidhjen e Shkrimtarëve dhe lexuesit. Për fat të keq Dritëroi dhe jo vetëm ai, heshtin rreth interpretimeve jo të sakta që bën Ismaili dhe sidomos ndaj përfundimeve që arrijnë rreth ngjarjeve të asaj kohe, Elena Kadare dhe Ndriçim Kulla në librat e tyre rreth tij.
Vërtet si shkrimtar, Ismailit i lejohet në një roman  të ‘bëjë një “palosje të kohës dhe vitet nga 1963 e deri më 1973 t’i paraqesë të njëjta me ato 1973 deri 1982, por e vërteta historike nuk është e tillë. Dhjetvjeçari i parë, në të cilin zenë vend edhe ngjarjet që lidhen me Dhora Lekën, për të cilat flet Ismaili në intervistën e djeshme, ka qënë dhjetvjeçari me më pak represion ndaj intelektualëve dhe krijuesve. Vazhdonte fryma e zbutjes që kisht enisur prej periudhës të Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të BS dhe edhe pse më 1964 Hrushovi u zevëndësua nga një udhëheqës më dogmatik si Brezhnjevi, E. Hoxha nuk filloi të “shtrëngonte vidat”  në letërsi dhe arte, apo të ndiqte shembullin e Revolucionit Kulturor Kinez. Ishte periudha kur u lejuan përkthimet e autorëve si Heminguej, Remark, Lorka, Frans, Man e plot të tjerë, libra të cilat u hoqën nga qarkullimi pas vitit 1973.
Vetë Ismaili gëzonte jo vetëm statusin e poetit më të mirë, por edhe të prozatorit me një të ardhme të shkëlqyer. Kudo recitoheshin pjesë nga poemat “Përse mendohen këto male”, “Endërr industriale’ dhe më vonë të “Shqiponja fluturojnë lart”. Edhe orientimet për të krijuar vepra për heronjtë e rinj “tip Lej Fen” u kufizuan me disa vjersha e këngë për shkurte Pal Vatën, një film për Adem Rekën e të tjera krijime modeste. Vetë Ismaili shkruajti vetëm një poezi për Fuat Celën, sepse edhe trysnia për vepra të mëdha për heronjtë e rinj nuk ishte e madhe. Prej vitit 1966 kishte filluar të frynte era e  luftës kundër së vjetrës, që më vonë shpuri në të ashtuquajturin “liberalizëm në letërsi dhe arte”.
Sot, kur një pjesë e mirë e personazheve të asaj kohe kanë vdekur mund të shkruhet dhe abuzohet për ‘komplote” të sigurimit me bashkëpuntoren e tij Dhora Leka, ose përpjekjet e saj për të fshehur ose nxjerrë “emrat e rëndësishëm”, por kjo në rastin më të mirë duhet konsideruar si një ‘lajthitje” e Kadaresë. Eshtë fakt , që jo vetëm numuri i shkrimtarëve dhe të artistëve të dënuar në atë dhjetvjeçar ka qënë minimal, por edhe numuri i të dënuarve politikë në përgjithësi ka qënë minimal. Në Shqipëri jo vetëm nuk pati skena të tilla, si ato të mjekëve që tregon Kadareja për në Kinë, por intelektualët nuk ndjenë asnjë lloj shtrëngimi në atë kohë. Ata që u prekën ishin vetëm avokatët, veprimtaria e të cilëve u quajt e panevojshme, por as ata nuk u internuan apo u çuan në burg. Pati cënime në të ardhurat dhe privilegjet e ushtarakëve, si dhe në honoraret e shkrimtarëve, artistëve dhe gazetarëve, por këtu ndalej kufizimi. Nga ana tjetër, shkrimtarët e artistët u inkurajuan më shumë me leje krijuese, nxjerrje në profesion të lirë, studio etj., doemos për të qënë "ndihmës të Partisë në edukimin e brezit të ri”.
Nëse ju hihet në sy i shpejtë, gazetave “Drita”, “Zëri i rinisë“, por edhe “Zëri i Popullit”, në atë dhjetëvjeçar sundon emri i Ismailit më shumë edhe se i Jakov Xoxës, Petro Markos, Dhimitër Shuteriqit, Llazar Siliqit, Sterio Spasses të marë së bashku. Sa për emrat e Kutelit dhe Poradecit ato nuk dukeshin gjëkundi. Ishte periudha e artë e “letërsisë të pas viteve ‘60”, e cila trumbetohej si letërsia e kohës dhe e vërteta. Kadareja, për vetë talentin e tij ishte në krye të listës.
Unë nuk di hollësi për jetëne Dhora Lekës dhe lidhjet e saj me qarqet krijuese apo edhe ato të errëta të Diktaturës. Di që ka qënë një figurë komplekse e njohur herçt me funksionarët më të lartë të Partisë. E besoj edhe vërtetësinë e letrave të saj anonime apo jo anonime, por më duket se përpjekja për t’i lidhur me një komplot të Sigurimit është jo vetëm e zmadhuar, por në mënyrë të ndërgjegjshme e qëllimtë. Tani që ajo nuk është më e gjallë nuk mund të zbulohen as arsyet e vërteta pse i ka bërë letrat.
Vetë reagimi i organeve të Partisë së Beratit, të udhëzuara prej KQ, dëshmojnë se jo vetëm kohët ishin të tjera, por  se mbrojtja që i bënte talentit të Kadaresë Partia në atë kohë ishte e pakufi. Nuk përjashtohet mundësia, që të ishte hapur një dosje për Ismailin si për të gjithë ata që kishin studiuar jashtë e sidomos në Bashkimin Sovjetik. Për më tepër, Ismaili kishte dhënë shenja të një njeriu që kishte prirje disi pro-Perëndimore. Në librin e saj Elena kujton, që Ismaili kishte sjellë nga Moska një aparat projektimi filmash, gjë jo e zakontë dhe e mjaftueshme për të hyrë në listat e atyre që survejohen.

E megjithatë, po e përsëris, që ato kohë ishin krejt të ndryshme nga ato të pas Pleniumit të IV, kur Kadareja vërtet pati periudha të vështira dhe ndoshta vetëm njohja në Europë e shpëtoi nga dyert e burgut. Ishin kohë kur edhe vetë Dhora Leka shpresonte të rehabilitohej dhe kompozonte një opera për Komandantin. A e shpuri në kurthin ndaj Kadaresë zilia për shkrimtarin, inati se nuk kishte pranuar ta ndihmonte për libretin a ndonjë arsye tjetër, këtë të vërtetë kompozitorja e ka marrë me vete në varr. Eshtë fakt, që ajo ka dëshmuar edhe në gjyqin kundër Kadri Hazbiut dhe Fiqret Shehut, gjë që dëshmon për mbetjen e saj si bashkëpuntore e Sigurimit të Shtetit. Në ç’rrethana është rekrutuar, kjo mund të gjendet në arkivat shqiptare, por letra e zbuluar nga “Shqiptarja” nuk është aspak një dëshmi e një komploti të Sigurimit kundër Kadaresë. Përkundrazi dëshmon për cinizmin e tij, kur i preket qoftë edhe një fije interesi. Eshtë interesante se ai nuk dëshmon aspak rreth rrethanave të takimit me Lekën – Lindita në shtëpinë e saj. Nuk është një gjë e çuditshme, që ka shkuar por është një dëshmi më shumë, që 30 vjeçari nuk i trembej një kurthi dhe nuk ndjehej i survejuar. Në vitet ’70 sigurisht nuk do e bënte atë gabim.

Saturday 26 April 2014

Gratë shqiptare

Sot ka më se 40 ditë që ka kaluar 8 marsi dhe do ja lejoj vetes të shkruaj dy rrjeshta për tre gra shqiptare, për të cilat nuk kam respektin qe kam per shumicen e grave tona.
Thuhet, që pas burrave të suksesshëm është edhe një grua e fortë, e cila meriton gjysmën e suksesit. Në tre rastet tona, gratë që do përflas meritojnë edhe më shumë se gjysmën. Ato që do them nuk janë të reja dhe janë edhe të paprovuara, por unë i kam besuar ndaj po i shkruaj si të vërteta dhe ju paralajmëroj që t’i shihni me një dozë skepticizmi.
Në fundin e viteve ’90 dhe fillimin e shekullit të ri, ishin dy gra që përgjonin shumë lëvizjet e njëra tjetrës. Xhoi Nano dhe Monika Kryemadhi. E para ishte biznesmene me biznese të sukseshme në sajë të të shoqit Fatos Nano, kryetar i PS dhe kryeministër i paqëndrueshëm dhe e dyta, politikane dhe bashkëshorte e nr.2 në PS Ilir Meta, i cili kishte qënë një kohë kryeministër i qëndrueshëm. Përgjimi nuk ishte për lluksin e vilave apo apartamenteve (që është shpesh shkak zilie për gratë tona të dashura shqiptare), por për transaksione të mëdha dhe lëvizje jashtë shtetit të lidhura me to, siç ishin privatizimet e bankave dhe të tjera veprimtari të ngjashme. Fjala ishte se cili bashkëshort do ishte në gjendje të shtinte në dorë milionat e Eurove, që i kishin shpëtuar ose do i shpëtonin bashkëshortit tjetër.
Duke pasur një burrë dembel dhe mbase jo shumë ambicioz, Xhoi doli nga rradha e përfitueseve dhe ka mbetur për gati 10 vjet në anën e përgjueseve. Vendin e saj nuk e zuri një bashkëshorte udhëheqësi, por e bija e udhëheqësit Sali, avokatja me studio, Argita Berisha. Transaksionet e saj të dokumentuara arrijnë shifra marramendëse. Më marramendëse janë shifrat e kërkuara, por që nuk janë përfituar se investitorët janë tërhequr. Populli i thjeshtë edhe i di edhe si di, por Monika dhe Xhoi me siguri nuk kanë humbur asnjë prej tyre se janë në përgjim.
Ka njerëz që çuditen me pangopësinë e Argitas, Monikas dhe Xhoit. Unë JO. Janë pikërisht këto gra me kërkesa dhe ambicie për jetën, që bëjnë, që burrat e baballarët e tyre të ndjehen të fortë, të dobishëm , të sakrificës, familjarë, të pathyeshëm.
Edhe në se një ditë ata do shkojnë pas hekurave(tuberstakfurullah!) janë këto gra që jo vetëm do i ndjekin gjyqeve e burgjeve, por do rrinë edhe tërë ditën para kamerave të dëshmojnë për pafajësinë dhe sakrificën e tyre për Shqipërinë.
Rrofshin gratë tona!

Lavdi marksizëm-hajdutizmit fitimtar!

Friday 25 April 2014

Shkolla Shqiptare e Arkitektures (4)

(vijim)
Shkollimi qoftë i individëve që spikasnin ishte tabu për Arkitekturën, sepse konsiderohej më shumë si një degë Arti se sa Inxhinierike, ndaj dhe ndryshe nga Inxhinieritë e tjera, prej të cilave herë herë dërgoheshin në Perëndim studentë pasi përfundonin vitin e dytë, për degën e Arkitekturë-Urbanistikës nuk bëhej fjalë. Sot e gjykoj, që ishte vërtet fatkeqësi për brezat e arkitektëve të viteve ’90 e më tej, që nuk patën pedagogë të studiuar në Perëndim. Edhe pedagogët e Katedrës e kishin shumë të vështirë të shkonin për ndonjë specializim disa mujor edhe pse gati të gjithë ishin të “pastër” ideologjikisht dhe me lidhje të mira me Nomenklaturën. Më kujtohet, që pas një vizite dy javore në Suedi, shefi i Katedrës ark.Besim Daja, që mbase kishte mbi 10 vjetë, që nuk e kishte kaluar kufirin, erdhi i mrekulluar nga thjeshtësia dhe bukuria e ndërtimeve në Skandinavi. Kuptohet, që prirja e të gjithë pedagogëve ishte për një arkitekturë racionale dhe njëkohësisht moderne, por thjesht ju mungonte arsimimi i duhur, për ta përcjellë tek ne studentët.
Në fundin e viteve ’80, pati specializime të tyre, por asgjë nuk mund të arrihet me kurse disa mujore apo edhe njëvjeçare, të dikujt , që është formuar në një shkollë të prapambetur të Arkitekturës (Europën Lindore) apo në një shkollë shumë të dobët, si shkolla jonë.
Dobësitë rrënjësore të formimit të arkitektëve shqiptarë, ranë në sy që në vitet e para, kur liria e projektimit ishte e garantuar nga ndryshimi i sistemit. Nuk dua të ndalem në problemet shumë të mëdha që u krijuan në Arkitekturën dhe Urbanistikën e qyteteve Shqiptarë, sepse është një temë shumë e gjerë edhe pse e lidhur ngushtë me atë rreth të cilës po shkruaj. Do mundohem të përqëndrohem në ato që quaj “faktorë subjektivë“ e që kanë të bëjnë me “dembelizmin intelektual” të pedagogëve dhe ndoshta deri edhe në “dashakeqësinë“ e tyre të shprehur në mënyrën se si i përcillnin dijet.
Nuk di se sa nga pedagogët e mij janë ende gjallë, por do mundohem të ruaj një lloj etike “për të mos folur keq për të vdekurit”.
Diku kam përmendur, se i vetmi pedagog me shumë njohuri dhe që dinte edhe të na mësonte ishte ing. Ilia Papanikolla. Brezat e arkitektëve, që kanë mësuar prej tij i detyrohen shumë punës së tij këmbëngulëse, njohurive dhe dëshirës së madhe “për të futur në kokën e studentëve ato që kishte në kokën e tij”. Ilia njihte thellësisht atë që është në bazën e formimit të një arkitekti – detajin Arkitekturor. Ato ç’ka mësuam në Lëndën e tij dhe nga Librat e tij shkollore, i përdorëm për kohë të gjatë se nuk ishin pas edhe nga detajet apo materialet, që përdoreshin në vitet ’90.
Pedagogu tjetër prej të cilit mund të mësoje ishte ing.Agron Lufi, i cili, për fatin tonë të keq, jepte vetëm Godina Industriale në ato vite. Gon Lufi mbeti edhe më vonë një profesionist serioz si në mësimdhënie por edhe në projektim. Megjithatë edhe ai ka më vonë përgjegjësitë e tij për nivelin e shkollës shqiptare të arkitekturës, sepse drejtoi për shumë vjet Katedrën apo edhe Fakultetin.
Ndikimin më negativ në Shkollën e Arkitekturës e ka pasur ing. Tamara Gjoka. Në vitet tona, ajo nuk jepte lëndë të një rëndësie të dorës së parë, por dukej që kishte ndikim në Katedër në mënyrën se si n dërtoheshin apo si pengoheshin programet. Ing. Gjoka apo Eftimi ishte prototipi i pedagogut në një Shkollë në Lindje, që pretendon se tregohet “mendjehapur”, Por jo vetëm nuk është i tillë, por ka edhe zilinë e një profesionisti mediokër e meskin, që nuk do të dëgjojë mirë, jo vetëm për kolegët projektues, por nuk do as studentët të kalojnë nivelin e tij. Ishte tipikja, që dëshëronte që studentët mos kërkonin ‘linja të reja’, qoftë në ide por edhe thjesht në mënyrat grafike të paraqitjes së projekteve. Kam ndjerë keqardhje për brezat e ardhshëm të arkitektëve, kur kam mësuar se roli i Tamaras në katedër rritej dhe arriti deri sa të bëhej edhe Rektore e Universitetit Politeknik. Duket që ne kemi qënë më me fat, që mësuam me të vetëm në dy vitet e para, dhe u zhgënjyem që në mbylljen e vitit të parë.
Ndryshimin e madh midis pedagogëve të katedrës dhetë atyre të jashtëm, që punonin në Institutin e Projektimeve e dalluam në vitin e fundit, kur lëndën e kompozicionit, e cila përfshinte dy projekte me rëndësi e bëmë me ark. Valentina Pistoli. Fryma që sillte arkitektja e nderuar ishte fryma e projektimit të vërtetë, të llogjikshëm dhe me liri për të kërkuar gjëra të reja, kuptohet brenda kufizimeve në material apo edhe atyre estetike. Edhe pse vinte nga një shkollë e Lindjes, përvoja mbi 20-vjeçare në projektim dhe vullneti i saj e kishin bërë ndër projektueset më të mira në Shqipëri dhe pedagogen tonë më të mirë të projektimit arkitekturor. Valentina kishte një njohje shumë të mirë të konstruksionit si edhe të elementëve të tjar të infrastrukturës të një godine.

Nuk di nëse arkitektët e tjerë të Institutit 1, të cilët punuan më vonë si pedaogë të jashtëm, kishin të njëjtin nivel apo edhe më të mirë se ark.Pistoli. Ne kishim pasur vetëm për një semestër ark. Klement Kolanecin, i cili na jepte Historinë e arkitekturës Moderne, e cila për vetë natyrën ishte një lëndë delikate për kohën. Nuk mësuam ndonjë gjë të madhe dhe edhe sot kujtoj vetëm faktin që na gënjeu vazhdimisht se do na jepte leksionet e shaptiluara. Ndoshta edhe vetë Kolaneci edhe pse dhëndri i E.hoxhës, kishte frikë të linte material të shkruara për arkitekturën e shek. të XX-të.
(vijon)

Thursday 24 April 2014

Pse nuk mund të ketë për një dhjetvjeçar përmirësime në Drejtësi

Edhe pse një jurist, me një praktikë rreth 25 vjeçare, ka sugjeruar, që ata që janë “jashtë valles” dhe “jashtë Shqipërisë“ bëjnë mirë të mos shprehen për këto probleme, unë po marr kurajën e po shpreh disa ide të cekta, se pse drejtësia jonë do vuajë edhe të paktën një dekadë nga sëmundja e “mosdhënies drejtësi”. Janë thjesht hamendësime të cekta duke krahasuar sistemin anglo-sakson të vendit ku jetoj, me ato ç’kam parë dhe ç’kam dëgjuar për Sistemin Juridik Shqiptar gjatë 25 vjetëve të fundit , por edhe dy dekada më parë.
Në mars të vitit 1994, një miku im avokat nga Mejni vizitoi Korçën dhe ishte shumë kureshtar të mësonte se ç’ndodhte në çdo sektor të jetës shqiptare. Mes shumë vizitash bëmë edhe një në Gjykatën e Rrethit dhe na u dha mundësia edhe të takonim një gjykatës, I cili fliste anglisht dhe mund t’I përgjigjej vetë pyetjeve të avokatit amerikan. Korridoret ishin shumë rrëmujë, por e njëjta gjë ishte edhe në zyrën e gjykatësit, ku hynin e dilnin sekretare, avokatë, të njohur, ish të dënuar e të tjerë njerëz. Miku im u bë kureshtar dhe më pyeti se ç’janë këta që hyjnë e dalin dhe pasi e mësoi qeshi nën buzë. Zyra e gjykatësit ishte pak ta quajmë “han me dy porta”. Më vonë më spjegoi se sa e pamundur ishte të takoje një gjykatës në Amerikë dhe sidomos kur kishe një çështje me të.
Sigurisht që gjendja sot, pas 20 vitesh nuk i ngjet aspak asaj, që pashë atë vit bashkë me avokatin amerikan. Ka vetëm diçka të njëjtë. Gjykaësit që nuk kanë dalë në pension. Ata tani janë në zyra të tjera, me roje dhe makina metaldalluese në hyrje të gjykatës dhe në zyrat e tyre apo në korridore nuk ka më rrëmujë. A dinë më shumë se dinin 20 vjet më parë edhe pse e kam me dyshim po them se- PO. Kushdo pas një periudhë shtesë prej 20 vitesh diçka mëson më shumë rreth profesionit.
Niveli intelektual i gjykatësve edhe pse mund të jetë i përmirësuar, ka një kusur shumë të madh, të cilin e kam përmendur edhe në shkrime të tjera më parë.

Juristët shqiptarë që janë diplomuar prej vitit 1974 e deri më 1989, me përjashtime të rralla kanë qënë ndër nxënësit më të dobët të gjimnazeve, që mund të shkonin në Universitet. Sidomos ata të diplomuar deri në vitin 1985-86, që kanë qënë të brezave që i kam njohur. Arsyeja ka qënë e thjeshtë. Diktatura e goditi deri në rrënjë Sistemin e Drejtësisë sepse nuk i duhej të mbrohej e Drejta. Thjesht i duhej të mbrohej Vija e Partisë, që ishte një vijë dredharake, që e përcaktonte Komandanti. Gjykatësit e Prokurorët duhet të dinin sa më pak e të ishin të aftë të bënin sa më pak pyetje rreth Drejtësisë dhe Moralit. Të ishin të verbër(si e kërkon drejtësia me peshore dhe shpatë) dhe të vinin nga familje që ishin të çimentuara rreth Partisë. Në gjykatë shpesh favorizoheshin karrierat e sekretarëve, të cilët ishin të rinj që nuk kishin fituar dot të drejtat e studimit për shkak të notave shumë të ulëta, por që eksperienca në mbajtjen e proces-verbaleve gjatë gjyqeve i ndihmonte që me korrespondencë të bëshin juristë dhe më tej gjykatësa. Mendoni pak të dashur miq se ç’farë sensi të drejtësisë mund të kishte psh gjyqtari faqekuq Stavri Kallço, që nuk mund të shkonte dot në shkollë se kishte një kokë pak dembele(kërcente shumë mirë valle në grupin e Pallatit të Kulturës), por ishte në gjendje që jo vetëm të gjykonte njerëz më vonë, por edhe të drejtonte Gjykatën e Apelit në Korçë.
(vijon)

Wednesday 23 April 2014

GGM, AP dhe “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”

Disa ditë më parë, u largua nga jeta Gabriel Garsia Markez, apo si njihet në këtë kontinent me shkurtimin GGM. Një në shkrimtarët më të mirë të shekullit që shkoi, për të cilin duhet pranuar, se ndoshta e kalon Shekullin e Artë, për gjenijtë e letërsisë.
AP nuk është “Associated Press”, por janë inicialet e përkthyesit shqiptar Aurel Plasari.
Po i shkruaj këto rrjeshta më shumë për të falenderuar Plasarin, se sa për t’i bërë homazh Markezit. Interneti i këtyre ditëve është i mbushur me shkrime të shkëlqyera për shkrimtarin e madh kolumbian.
Falenderimi për Plasarin ka të bëjë me përkthimin e tij të “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar”("të shpallur" e ka cilësuar përkthyesi në botimin e parë)në verën e vitit 1982. Deri sot, për një “palosje” të keqe të kujtesës, kam menduar se ai përkthim i shkëlqyer ka qënë vepër e Mira Meksit.
E kujtoj si sot, leximin brenda një nate vere të pjesës së parë të veprës të botuar në Nëntori. Ka qënë korrik edhe pse pjesa e parë mund të jetë botuar në muaj të mëparshëm, sepse në korrik kthehesha nga Tirana me pushime dhe numurat e fundit të Nëntorit rrinin për tu lexuar në tavolinën e ngrënies, që ishte edhe tavolina e punës të babajt. Deri atë kohë nuk kisha lexuar ndonjë vepër të gjatë në prozë në original, sepse gjuhët e huaja i njihja cekët dhe kisha edhe një mënyrë të lexuari gati diagonale. (Ti lexon si misroku më qesëndiste im atë vazhdimisht. Nuk i përtyp kurrë.) Markezi i përkthyer nga Plasari ishte një prozë e rrallë. I shkrojta që atë natë një shoqes sime, se “kot na ka gënjyer mendja që Kadareja mund të fitojë çmimin Nobël. Kam lexuar përkthimin e një kolumbiani, para të cilit Ismaili duket zero.” Nuk ishte vetëm ritmi dhe dhe dinamika e ngjarjes, që e bënte veprën aq të veçantë në sytë e mij. Kishte edhe shumë ngjyrë, figura, poezi dhe një shqipe mjaft të lëvruar.
Deri atë kohë kisha lexuar disa vepra të autorëve latinë(Asturias e ndonjë tjetër) të përkthyera në shqip, por Markezi i Plasarit ishte shumë më lart ga ç’ka kisha lexuar në atë kohë. Ishte një periudhë, kur vërtet kishte çensurë, por të paktën kishte cilësi në përkthime. Nuk ndodh si sot, kur para se të blesh një libër të një autori të huaj duhet të kontrollosh emrin e përkthyesit, se ndryshe që në faqet e para të duket sikur ha "pilaf me guriçka”. Përkthimi i “Kronikës” ishte i niveleve më të mira të Kutelit, Shvarcit, Evangjelit dhe shqipëruesve të tjerë të shkëlqyer. Kuptohet, meqë ishte Markez, leximi nuk mund të ndërpritej pa arritur në faqen e fundit.

Më pas vazhdoi përkthimi i mirë I GGM si dhe shumë prozatorëve të mëdhenj të Amerikës Latine, një pjesë të veprave të të cilëve i lexova sa dilnin në shitoret e librave. Midis tyre edhe kryeveprat e Markezit. E megjithatë nuk harroj mbresat e pashlyeshme të “Kronikës”, që hapi një tjetër botë letrare para meje. Botën e letërsisë më të mirë të gjysmës së dytë të shekullit të XX-të.

Tuesday 22 April 2014

Galat fluturojne lart (3)

(vijim)

Më vjen vërtet keq për ta, se gjithë korbat, galat e sorrat e globit nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë jetuar në harmoni me natyrën. Gjithë keqëbërjet e tyre janë sajesa të njerëzve, të cilët kujtojnë se kanë të drejtë, meqë në tokën e të gjithëve, kanë mbjellë farat që ju përkasin të gjithëve, gëzojnë të drejtën eskluzive(bobo sa e goditur kjo fjalë e huaj!) të të korrave dhe mos lenë as edhe një kokërr të vetme në lëmë. Edhe sajesa më dashakeqe ndaj korvorëve, filmi "Zogjtë" i Hiçkokut, është jo vetëm fantazi e pastër dhe krejtësisht e pabazuar, por edhe nxirrje e realitetit të botës së paqtë, drejtpeshuar e të gjithësishme të zogjve tanë të nënvleftësuar.
Kështu mendoja deri dy vjet më parë, kur nuk kisha ende një llogari në fejsbook. FB-ja ndryshoi shumë pikpamje të mijat. Veç shikimit të jo të idealizuar të më të rinjve, sidomos të shkolluarve në perëndim, zhgënjimit nga shpresa për ndryshim e mbi 50-vjeçarëve që jetojnë në Atdhe FB-ja më bëri të mësoja që edhe zëri i shpendëve nuk ndryshon kurrë. Sado të përpiqen ata që këtej i quajnë "vocal coach" dhe ndoshta në Atdhe quhen ende mësues kantoje. Nuk është fjala për videoklipe të mara në Youtube dhe të postuara në faqen e tyre të FB. JO! Bëhet fjala për zërat e shpendëve të cilët jam në gjendje t'i dëgjoj kur lexoj komentet në fejsbuk. (I paska ikur mendja fare, do thonë ata që më njohin pak, ata - aspak dhe dashakeqësit me pak kulturë.) PO! Unë jam në gjendje të dëgjoj zërat e zogjve në Fb. Mbase jo të të gjithëve, por të zogjve që kam parë e dëgjuar çukave dhe korieve të atdheut. Nuk janë të shumtë, se një pjesë u zhdukën nga insekticidet e përdorura me shumicë nga Ministria e Antibujqësisë e Dullë-epokë. Po ato zëra që i kam dëgjuar nuk i harroj.
Për ata që më njohin mirë dhe për dashamirësit, që më njohin pak, po spjegoj pak se si "softi", që kam blerë, bën një transformim të menjëhershëm të postimeve dhe komenteve në zëra zogjsh. Le të marrim shembull një ditë dimri çfarëdo, kur posa hap FB dhe postimi i fundit(ose ai që shfaqet i pari) është bërë nga një "miku" juaj dhe flet të themi rreth raporteve prind-fëmijë. Me të klikuar në "programin" transformues do dëgjohet kënga e trishtë e një pule të egër, e cila ankohet fisnikërisht për zoggjelin e egër, që e la para kohe pemën ku kishin ngritur folenë. Të para zëra që dëgjohen janë krrakaritjet e galave, të cilat pohojnë që shqetësimi i pulegrës është i drejtë dhe i përgjithshëm dhe ato do e njoftojnë sa të shohin zoggjelegrin në korien përtej. Pulegra e shqetësuar i falenderon dhe i pyet nëse e njohin. Natyrisht, do jetë një gjelegër i ri si gjithë të tjerët përgjigjet kompleksi i galave' por nëse ajo do verë një foto të tij në Avllinë e saj, do e kenë më të lehtë.

Një tjetër rast është i një mikeje që komenton se e di mirë se "ku fle lepuri" dhe programi e kthen në zërin e një struceje që këlthet dhe shpupuris krahët para se të futë kokën në rërë. Struceja shpëton dhe nuk arrin të dëgjojë zërat e gjeraqinave, turtujve dhe guakëve, sepse veshët i janë mbushur me rërë, por e njëjta gjë më ndodh edhe mua që më mungon rëra, sepse gjeraqinat, turtujt dhe guakët thjesht kanë heshtur dhe në pyllin pranë plazhit ka qetësi të plotë.
(vijon)

Janullatosi "Uzurpator" (fund)

(vijim)
Më tej Xoxa vazhdon me përjetimin e tij se si ishte zhdukur kurora e Kryepeshkopit dhe me aktin e dyshimtë të kurorëzimit në 15 katëshi. Përsëri nuk e ve në dyshim Intelektualin Ortodoks anti-Janullatos, kur thotë se thirrjet “anaksos” nuk u bënë nga elementë myslymanë, që kishin infiltruar në turmën në Kishë, por nga besimtare ortodokse. Nuk është e vështirë, që njerëz që nuk donin Janullatosin(qoftë për qëllime patriotike) të thërrisnin, që ishin kundër kurorëzimit. Megjithatë më mbetet e errët përse këtë nuk e bënte vetë Xoxa me Bidoshin. Për më tepër nuk kuptoj se ç’kërkonte Uran Butka në Kishë kur nuk ishte i ftuar. Si nip i patriotit Sali Butka, me një emër jo të mirë në rrethet e ortodoksëve korçarë, vetë deputeti duhet ta kishte parë të udhës  të rrinte larg “mafiozllëkut” të Janullatosit dhe të Kishës greke apo Patriarkanës së Stambollit.
Manifestimi patriotik në Kishë atë 2 Gusht ka qënë po aq i verbër(nuk po e quaj të orkestruar), sa ç’ka qënë e verbër propaganda anti-Janullatos e 22 viteve të fundit. Pakkush ka kurajon të shkruajë se ç’ka bërë në të vërtetë Kryepeshkopi për Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Edhe shëndoshja e saj ekonomike quhet nga “patriotë“ si Fatos Klosi një e keqe dhe rrjedhim i kthimit të Kishës Shqiptare në një bisht të Kishës Greke. Askund nuk përmenden funksionimi i mirëiI kishave, përpjekjet për rikthimin e pronave të saj, ruajtja e vlerave të pallogaritshme të ikonave dhe të tjera objekteve të artit të Mesjetës e të mëvonshëm. Askush nuk përmend se brenda KOASH-it nuk ka arritur dora e biznesmenëve mafiozë të Djathtë e të Majtë që bëjnë kërdinë me fondet publike tej përtej Shqipërisë. Vetëm flitet me një pasion të verbër kundër dhe përmenden Papa Kristo Negovani, Petro Nini e dëshmorë të tjerë shqiptarë të vrarë nga Kisha Greke.
Me sa kam dëgjuar e lexuar më parë dhe me sa kam lexuar këto ditë, teoria e “uzurpimit” apo e “vetshpalljes” është në rastin më të mirë foshnjarake. Në ka gjëra që janë të uzurpuara, janë mendjet e shumë prej nesh, të uzurpuara nga idetë patriotike dhe antifetare të Komandantit Legjendar. Ishin ato dekada kur Kishat në përgjithësi u paraqitën me ngjyrat më të zeza dhe Vatikani dhe Kisha Greke në veçanti si më të zezat syresh. Propaganda se grekët duan dhe nuk e kanë të vështirë të kthejnë ortodoksët në grekë funksionon shumë mirë në zonat larg Shqipërisë Juglindore, ku ka pak besimtarë ortodoksë dhe ku shumë njerëz kujtojnë se të krishterët i kanë sytë nga Greqia.
JO të dashur bashkëatdhetarë injorantë në çështjet e Ortodoksisë dhe patriotizmit të besimtarëve ortodoksë.
Kemi qënë ne të parët dhe më shumë se të gjithë që kemi kundërshtuar Helenizimin duke derdhur edhe gjak.
Kemi qënë ne të parët në kolonitë e Stambollit, Bukureshtit e Sofjes që përkundëm ndienjën e Shqipërisë Mëvetëse.
Kemi qënë ne të parët që krijuam Kishën Autoqefale dhe këmbëngulëm tek Presidenti Uillson të njihte Shqipërinë.
Kemi qënë ne që krijuam Republikën Autonome të Korçës për të mos lejuar përparimin e grekëve.

Jemi po NE, që e vlerësojmë punën e Kryepeshkopit dhe nuk e quajmë Uzurpator.

Janullatos "Uzurpator" (2)

(vijim)
Unë nuk jam i sigurt nëse Sinodi i Shenjtë Shqiptar duhet të ketë 12 peshkopë(zakonisht ky është numuri për analogji me numurin e apostujve)apo mjafton edhe të ketë 6 të tillë. Nuk kam bërë përpjekje të kontrolloj web site të KOASH, për të qënë sa më tepër që mundet i imunizuar nga një shikim pro-Janullatos. Qoftë edhe për të përgatitur vetëm 6 peshkopë duhet një numur i madh studentësh si dhe vite të tëra për të patur peshkopë që t’i afrohen disi ‘standarteve” të Kishës Ortodokse. Nëse greku Janullatos do donte që këtë process ta kontrollonte deri sa gjithë peshkopët të zgjidheshin mes pasuesve të tij filogrekë mund të ndiqte shembullin e grekes së famshme Penellopë dhe “të prishte natën atë që bënte ditën” duke qënë vetëm Eksark. Dërgimi në shkollë, shugurimi prift dhe karriera e mëpasme e çdo kandidati ishte plotësisht në dorën e tij.
Po le të kthehem në tregimi i Xoxës, të cilin unë nuk e ve aspak në dyshim. Sipas tij, “punën e nëndheshme” të Janullatosit për një vit të tërë e kundërshtuan ortodoksët patriotë me Bidoshin në krye. Le të pranoj që Bidoshi, Xoxa dhe gjithë të tjerët pas tyre kanë qënë besimtarë idealistë, që donin vetëm mbarëvajtjen e Kishës shqiptare dhe ecjen e saj në gjurmët e Kishës si e donte Fan Noli. Megjithë kundërshtimet e tyre të vazhdueshme, Janullatosi arriti të realizonte “planin e tij mafioz” dhe më 2 gusht të vitit 1992(atëhere kur atdhetarët më idealistë shkojnë në plazh)të kurorëzohet Kryepeshkop. Xoxa tregon se një ditë më parë, Petro Bidoshi, vetë Xoxa si dhe disa besimtarë të tjerë(intelektualë ose jo) i kërkuan deputetit Uran Butka, Kryetar I Komisionit të Kulturës në Kuvend, t’i mbështeste si përfaqësues i shtetit shqiptar të ndalonin kurorëzimin e Janullatosit dhe Butka premtoi se do e bënte. Të nesërmen Butka dhe disa besimtarë me Bidoshin në krye u takuan me Sali Berishën, i cili ju konfirmoi se Janullatos ishte pranuar si eksark sa të krijoheshin kushtet për tu bërë peshkopët shqiptarë!
Ka diçka që nuk “kuadron” në raportet e shtetarëve të atëhershëm me KOASH-in me besimtaret ortodoksë anti-Janullatos. Të bie në sy, që Bidoshi e Xoxa nuk kërkojnë të takohen me Kryeministrin Meksi, por me Uran Butkën, që deri diku, në atë kohë kishte ‘kyçet e kashtës”. Butka si patriot i kulluar ju premton mbështetje dhe takimin me Berishën, që vërtet ishte autoriteti më i madh shtetëror në atë kohë, por duke anashkaluar Qeverinë e cila kishte edhe mundësitë reale për të ndërhyrë në ndalimin e kurorëzimit të Janullatosit. A ka patur një korrespondencë zyrtare ndërmjet KOASH dhe Qeverisë, në lidhje me kurorëzimin, këtë nuk e gjen në shkrimin e Xoxës. Të mendosh se gjithshka u bë në fshehtësi deri në ardhjen e autoriteteve të larta nga Patriarkana e Stambollit e deri në ftesat për ambasadorët e huaj, pa dijeninë e Meksit dhe të Berishës është e pabesueshme. Kisha Ortodokse dhe Janullatosi kanë qënë në survejim të vazhdueshëm nga SHIK-u(sot SHISH), që ditën e parë kur Eksarku vuri këmbë në tokën shqiptare.

Por po i le rehat edhe Berishën edhe Meksin, sepse si kanë gënjyer edhe për shumë gjëra të tjera mund të kenë gënjyer atë kohë Bidoshin, Xoxën dhe Butkën, për ato që kishin lejuar me gojë apo me shkrim. Eshtë interesant pjesa e tregimit të Xoxës, kur tregon se në Kishë, procesi i kurorëzimit u ndërpre nga që disa besimtare ortodokse thërrisnin “Anaksos”(kundër) ndërsa i dërguari i Patriarkanës së Stambollit pyeste “A e pranoni Janullatosin si Kryepeshkop të Shqipërisë?” Skena është tipike ballkanike dhe duhet t’i ketë gajasur ambassadorët e huaj që ishin të pranishëm. Sipas Xoxës, është rregull që edhe një besimtar ta kundërshtojë, Kryepeshkopi nuk duhet të kurorëzohet dhe më 2 gusht 1992 ishin një tufë me besimtarë(kryesisht gra) që thërrisnin “anaksos”. (Të më ndjeni, se tema është vërtet serioze, por nuk rri dot pa qeshur se më kujtohet një mesele të vjetër, që tregonin për Priftin e Roskovecit të Fierit, kur pas një deklarate jo serioze të tij gjatë meshimit, gratë thërrisnin “Nuk na duhet gjë! Nuk na duhet gjë!”)
(vijon)

Monday 21 April 2014

Janullatos "Uzurpatori"

E nisa këtë shkrim për të sqaruar më shumë veten rreth një problemi për të cilin ka vite që diskutohet në Mediat shqiptare dhe jo vetëm në to. A i takon Anastas Janullatosit të jetë në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare?
Nxitje u bënë edhe disa reagime të Benit, që e quante Janullatosin Pinokio(për të mos e rënduar me cilësorin gënjeshtar), cilësim që është ku e ku më i butë se uzurpator,mafioz, shovinist, kolonel i Asfalias, kryezagar e sa e sa të tjera më të rënda, të cilat nuk mund t’i shkruaj këtu.
Po le të supozoj se vërtet në fillimet e rivendosjes së ushtrimit të së drejtës për besim fetar në Shqipëri, qarqe të caktuara të Kishës Greke menduan të përfitojnë nga rasti dhe të shtinin në dorë Kishën Shqiptare me qëllimin final të helenizonin Shqipërinë e Jugut e për t’ja bashkëngjitur përfundimisht Greqisë. Për këtë patën mundësinë, që krijohet një herë në njëmijë vjet, që shteti të ndalojë ushtrimin e fesë dhe si rrjedhojë mos ketë peshkopë shqiptarë të lindur në Shqipëri, që të vendosen në krye të Kishës. Pra ëndrrën për të realizuar Megalidhenë(e cila nuk është më shumë se 120 vjeçare, se vetë shteti grek nuk ka mbushur dot 200 akoma), ja u serviri në pjatë të argjendtë sho Enver me sho Ramiz, kur në vitin 1967 mbyllën kishat ortodokse dhe ca dhespotë e priftërinj i futën në burg.
Po le të mos shkoj aq larg sa 1967-ta se vërtet sho Enver ishte largpamës, por nuk mund të shihte që Ramizi i Vazhdimësisë do e tradhëtonte në vitin 1990. Le t’i referohem një shkrimi të sotëm të një dëshmitari të rifillimit të Kishës Ortodokse, i quajtur Kostaq Xoxa. Shkrimi është pjesë e një debati që ka hapur gazeta “Panorama” rreth çështjes Janullatos.
Kostaq Xoxa ka qënë pjesëtar i një shoqate të Intelektualëve Ortodoksë, të cilët përpiqeshin që në fund të vitit 1990 të ringrinin Kishën Ortodokse Shqiptare dhe që krijuan Këshillin e Kishës. Ai dëshmon se në janar 1991 Patriarkana e Stambollit (jo Kisha Greke, që nuk varet nga ajo Patriarkanë) e caktoi peshkopin Janullatos si Eksark patriarkal(të përkohshëm) deri sa të përgatiteshin kushtet e zgjedhjes së Hierarkisë së Kishës. Në korrik të atij viti Janullatos arriti nëShqipëri me një grup priftërinjsh dhe murgjish për të nisur punën për rimëkëmbjen e Kishës. Ardhja ishte mundësuar  me një vendim të Qeverisë së Stabilitetit. Sipas Xoxës, Janullatosi injoroi Këshillin e kryesuar nga Bidoshi(ku bënte pjesë edhe vetë Xoxa) dhe krijoi një strukturë tjetër me elementë filogrekë, me qëllimin e vetëm të zgjidhej Kryepeshkop!
Për ta kuptuar edhe vetë më mirë këtë skenar bëj pyetjen se ç’synime mund të arrijë greku Janullatos duke u bërë Kryepeshkop, të cilat nuk mund t’i arrijë duke qënë Eksark Patriarkal (po shtoj I përkohshëm.)? Në shkrimin e Intelektualit Ortodoks Xoxa nuk e gjej këtë përgjigje, por le të supozojmë, që në këtë mënyrë, Anastas Janullatos, garantonte qënien e tij në krye të Kishës  deri sa të mos jetë më i aftë fizikisht apo mendërisht.

Për të kuptuar më thellë se sa afatgjatë ishte plani i Janullatosit, duhet të përmendim se Kryepeshkopi i Kishës Ortodkse zgjidhet nga Sinodi i Shenjtë i përbërë nga peshkopë shqiptarë. Në atë kohë nuk kishte asnjë të tillë. Që të jesh peshkop i kishës ortodokse duhet të kesh mbarur një shkollë fetare, të kesh një përvojë si prift i një bashkësie(dhioqeze) dhe të mos jesh i martuar. Për të arritur në një peshkop shqiptar në vitin 1991, duhet të pritej të paktën 7-8 vjet, që të rinj të devotshëm të kryenin studimet fetare dhe t’I përkushtoheshin kishës duke vendosur të mos martoheshin. Në të njëjtën kohë, gjatë praktikës së tyre si priftërinj ata duhet të tregonin pjekuri, urtësi, përkushtim, aftësi udhëheqëse dhe të tjera cilësi të nevojshme për tu bërë peshkop. Edhe pse në nevoja urgjente, Kisha Ortodokse Shqiptare nuk mund të ndiqte praktikën e Qeverisë shqiptare për të bërë juristë në 6 muaj në Shkollën e Plepave.
(vijon)

Lagjistat (2)

(vijim)
Ngarkesa e lagjistave lagjista, si dhe e atyre Lagjista bllokista, u shtua shumë, kur Republika jonë Popullore doli nga Traktati i Varshavës. Në atë kohë , mbi shpatullat e tyre të pastërvitura, rra barra e strehimit të popullsisë në Vend Strehime, për tu mbrojtur nga sulmet e mundshme ajrore të agresorëve sovjetikë, se rreziku i sulmeve anglo-amerikane kishte q[n[ gjithnj[ i pranish[m. Deri atë kohë, Partia nuk e kishte parë të arsyeshme të kishte vendstrehime ajrore, se duket që Traktati i Varshavës do na mbronte, por kur mbetëm jashtë çdo Aleance Ushtarake, sigurisht që ata që na kishin halë në sy do mundoheshin të na gjunjëzonin dhe si kishte treguar përvoja e Luftës së Dytë. Përpjekjet për gjunjëzim fillonin me sulme ajrore. Gjatë luftës së Dytë, në Korçë kishte bombarduar një herë një avion englez, që don’te të hidhte një bombë në kazermat e Italianëve, por bomba kishte përfunduar vetëm 300 metra larg në një shtëpi pranë Lumit. Shtëpia kishte mbetur e shkatërruar, se duket që englezët me preteksin e incidentit të Korfuzit mbanin jo vetëm arin shqiptar, po nuk paguanin as dëmshpërblime për viktimat. Shtëpia e shkatërruar ishte një shembull i qartë se ç’mund të bënin aviatorët revizionistë, nëse do donin të bombardonin të themi fushën e avionave në Lumalas. Bombat me siguri do binin në lagjen 3, ose si e quante një professor i nderuar i rusishtes në “pellgu Tropolia”.
Detyra e Lagjistave nuk ishte të përcaktonte pikat më të nxehta ku mund të bombardonin gabimisht revisionistët dhe imperialist[t e të gjitha ngjyrave, por të organizonin, stërvitnin popullsinë për një evakuim sa më të shpejtë dhe efikas në çastin kur do binte sirena e Alarmit Ajror. Dhe kjo mund të isht e një punë e lehtë për kapterin në lirim, por jo për gratë në Kemp apo për të birin e hoxhës. Sidoqoftë, ata e përballuan me sukses dhe në disa prova reale , që u bënë, e gjithë popullsia, që nuk mund të merrte armët(pleq, fëmijë, gra) lëvizi me shpejtësi, drejt v/strehimit, i cili për ne ishte bodrumi i thellë i Hotel “Krimesë“(sot Pallas). Njëra pjesë e v/strehimit kishte ujra, të cilat nuk e di në ishin nëntokësore apo nga ndonjë plasje tubi, por më kujtohet mirë, që ajo pjesë pa dritë gëlonte edhe nga ca minj topolakë e të zinj, që nuk afroheshin në pjesën ku dëgjoheshin zëra njerëzish dhe dallohej dritë elektrike.

Në të njëjtën kohë, filloi edhe ndërtimi i v/strehimeve të reja, të cilat sipas fjalëve të lagjistave do ishin në gjendje t’i rezistonin edhe një sulmi të mundshëm me bombë atomike! Vendstrehimet hapeshin rreth tre metra nëntokë me punë vullnetare nga banorët e bllokut. Zaten atë gjë duhet ta bënin baballarët tanë se ishte për të shpëtuar kokat e familjeve të tyre. Vendi jonë i ardhshëm i strehimit do ishte jo më shumë se 200 metra larg Pallatit. Ishte llogaritur që edhe më i moshuari të arrinte nga kati i 5-të e deri në qoshen e tij të v/strehimit në më pak se 12 minuta. Kuptohet, po qe se sistemi radar i Ushtris[ Popullore do vepronte me përpikmëri, nga hyrja e një avioni në hapësirën tonë ajrore e deri në hedhjen e bombës(largqoftë atomike)mbi Pallatin  tonë i duheshin  jo më shumë se 3 minuta, por ne mbështeteshim shumë edhe në cilësitë e Sigurimit tonë të kryesuar nga “dhelpra’ Kadri Hazbiu, që do mësonte në kohë jo vetëm kohën kur avionët do niseshin nga aerodromi i Kosturit, por edhe pikat që do bombardoheshin dhe llojin e bombave që do përdoreshin. Ndaj që të gjithë ishim të qetë se edhe e moshuara Thomaidhë, që çalonte nga njëra këmbë, do arrinte si kokrra e mollës në vendstrehimin e ri.
(vijon)

Po Devoll, i tille qenkam une... (fund)

Zelli devolli i Zotos vazhdoi deri rreth vitit 1986, kur u zëvendësua për një kohë të shkurtër si drejtor i teatrit, për tu rikthyer sërish. Para periudhës së  largimit të përkohshëm, në teatër ishte emëruar edhe një libretist, i cili ndoshta kishte meritën se i përshtatej udhëheqjes së Orgockës dhe drejtorit Zoto. Më vonë, libretisti u zëvendësua nga njëri nga poetët dhe shkrimtarët e shumtë që kishte nxjerrë Devolli gjatë viteve ’80. Quhej Skënder Rusi dhe duke patur problem të strehimit dhe të stabilizimit, që në përgjithësi kishin në atë kohë të ardhurit nga fshati, nuk mund të ishte kundërshtar i linjës tradicionale të prapambetur e të partishme të Teatrit. Nuk mund të flas për aftësitë dhe kulturën e tij se nuk më është dhënë rasti t’ja njoh dhe në përgjithësi është shumë i përmbajtur. Di thjesht, që atmosfera e injorancës dhe intrigave në Teatër u kthye në mbytëse për regjisorin e talentuar Emil Bibolli. Ishte një artist inteligjent i konsideruar me shumë të ardhme në rrethet e Institutit të Arteve dhe të tjerave kulturore në Tiranë, por që pas disa viteve u largua nga Korça në Greqi ku punoi si regjisor i një trupe teatri. Me vetvrasjen e tij në vitin 1992, teatri I Korçës humbi edhe njëherë mundësinë për të dalë në një të ardhme nga mediokriteti I zhytur prej gjysmës së dytë të viteve ’70.
Në vitet ’70, një tjetër poet nga Devolli ishte përpjekur të hynte vrullshëm në jetën kulturore të Korçës. Quhej Agim Isaku dhe pas studimeve ju "atashua" Grupit të famshëm të poetëve të Lezhës, nga të cilët pas viteve ’90 patëm shumë politikanë. Edhe karriera letrare e Isakut nuk pati jetë të gjatë, por si shërbëtor politikanësh u shqua dhe u shpërblye deri me poste ambasadori. Ka një proces gjyqësor ndaj devolliut Isaku, për fshehje të pasurive, por zakonisht të aftët sulmohen nga kundërshtarët. Isaku duhet të jetë i tillë përderisa ka pak libra të botuar, por shumë euro në llogaritë e tij bankare. Ndoshta ka qënë devolli punëtor dhe shërbëtor i zellshëm i Udhëheqësit të tij Nano.
Një tjetër poet dhe fabulist i trevave të Devollit, me sa më kujtohet ishte edhe Skënder Demolli, i cili vërtitej në vitet ’80 në qarqet lokale të gazetarisë. Firmën e tij nuk e kam parë më në Mediat shqiptare, që tani gëlojnë nga emra të rinj të ardhur nga gjithë qoshet e Atdheut. Duket që Demolli do ketë emigruar ose ka zgjedhur një tjetër profesion në këtë kohë të Ekonomisë së Tregut.
Traditën e krijuar në drejtimin e arsimit në Korçë nga Nexhdet Merua(rahmet pastë) e vazhduan disa Mero të fisit të tij pas vitit ’90. Më I suksesshmi quhet Gjergji Mero dhe është rektor i Universitetit të Korçës. Nuk jam i sigurt nëse ka mbaruar Agronomi po në Korçë dhe përtoj të gjej në internet Cv-në e tij. Nëse është agronom kjo e lidh më shumë me tokën dhe poezinë e Devollit. Ndaj duke spërdredhur pak vargjet e më të famshmit devolli mund të them për ta mbyllur.
“Po Devoll,
I tillë qënkam unë,
Kam marrë baltën tënde arave,
Në një trastë leshi nënë gunë,

T’ja hedh Korçës së Voskopojarëve!”

Sunday 20 April 2014

Pashka e besnikëve!

Edhe pse nuk e fus veten në “besnikët”, Pashka hierore është dita më e rëndësishme e vitit për familjen time. Eshtë dita , kur pritshmëria për Festimin e Madh, fillon 6-7 javë më parë me Festën e Karnavaleve, vazhdon me përpjekjet për “të vënë rregull në të ngrënë“ (se kemi kreshmët)dhe shoqërohet me padurimin për të dalë dimri se “koha nuk ngrohet po nuk ra veza e kaurit përdhe!” Java e Madhe fillon e mbyllet me përgatitjet për festë, ndalimin e lyrërave dhe proteinave dhe arrin kulmin në lajmin e gëzuar(që të tërë e dinë më gojë) “Krishti u Ngjall!”, që është si një burie që na fton të lëshohemi të uritur në tryezat tona familjare.
(Sigurisht, kjo është mënyra se si e përjeton një 55 vjeçar, jo fetar, se ortodoksët e përkushtuar e përjetojnë ndryshe dhe po ndryshe e përjeojnë të rinjtë besimtarë ose jo, tek të cilët periudha e Pashkëve përkon me rritjen a tyre të bekuarave hormone.)
Unë nuk e kujtoj kremtimin e parë të Pashkëve në shtëpi edhe pse kujtoj Karnavalet dhe dëshirën për tu veshur si “rrogeçë“. Kujtoj mirë të dielën para kinemasë, kur djemtë e rinj thyenin vezët me njëri tjetrin dhe kur flitej se bëheshin edhe hilera me vezë druri, ose të zbrazuranga një vrimëz e vogël e të mbushura me shurup e më pas të ngurtësuar. Vetë edhe pse e kisha vezën time të fortë në xhep, nuk kisha luajtur, se trembesha se mos e humbja. Kjo ishte e djela plot dritë e Pashkës së fundit të fëmijërisë sime. Pastaj pati rreth 23 vjet, që Pashka zihej në gojë fshehtas dhe vezët e kuqe i mernim nga ndonjë e moshuar në farefisin tonë.
Sot, kur po bëhen rreth 25 vjet që kemi rinisur të festojmë Pashkën, ndjej se jo vetëm që ishte ndalur një nga të drejtat themelore të njeriut, por ne na mënjanuan edhe nga shqipja e bukur e Ungjillit dhe Psalmeve. “Pashka hierore Pashka- Pashka e Zotit Pashka”.
Nuk jam I sigurt se sa përqind e atyre që këndohen në kishë, janë të përkthyera nga Imzot Fan Noli, por dua të theksoj se brezit tim ju ndalua proza poetike më e bukur e shqipes, me ndalimin e kishës. Jam mrekulluar, kur kam dëgjuar në ringjalljen e Kishës Ortodokse, shqipen e pastër, të bukur e plot ngjyrë të Nolit. Dhe jo vetëm gjatë ceremonive festive të Pashkës, por edhe në ngjarje të tjera, në të cilat kam marë pjesë, kam ndjerë në gjithë trupin mrekullinë e predikimit në një shqipe të bukur, që të bën të ndjehesh si “në një vend të ndritshëm e të lëndinshëm”. nuk po zgjatem me shembuj, se më mirë i kujtojnë besnikët e vërtetë, ata që ndjekin rregullisht ceremonitë dhe ndjejnë thellë besimin.
Dua vetëm të përsëris fjalët e përkthyera nga Noli:

“Krishti u ngjall!- Vërtet u ngjall!”

Saturday 19 April 2014

E kishte fajin sistemi!

Sistemi, ky emër abstrakt ka një fuqi magjike.
Nuk e kujtoj se nga kush e kam dëgjuar shprehjen “E kishte fajin sistemi!”, por më ka pëlqyer që në çastin e parë dhe e bëra timen. Me të mund të shpëtoja nga gjithë gabimet që kisha bërë prej viti 1959 e deri më 1991. Kuptohet, është pak e ekzagjeruar shifra 1959, se atë vit unë bëra “uauaaa” për herë të parë dhe gabimet e mia foshnjarake kanë qënë “normal” dhe s’ka përse të mundohem t’i justifikoj. Por nga mesi I viteve ’60  e tutje, çdo gabim që bëra me dashje apo pa dashje mund t’ja ngjesh sistemit.
Më kujtohet, pak kohë pasi e kisha dëgjuar shprehjen, për varrimin e një të afërmi erdhi prifti i shoqëruar nga një psallt që kishte një zë të bukur baritoni dhe të cilin e njihja, por nuk e dija se ishte fetar i përkushtuar. Baritonsi kishte qënë i detyruar të ishte për shumë vjet komunist dhe kur e pyeta mënjanë “Sistemi?” më tundi kokën plot miratim e dhimbje. E pata të qartë se si e kishte detyruar Sistemi të ndrydhte thellë ndërgjegjes së tij përkushtimin ndaj fesë ortodokse.
Aq e bukur dhe e thjeshtë është kjo shprehje dhe njëkohësisht universale, sa që filloi të përdorej edhe për ngjarje që nuk ndodhnin në kohën e “Sistemit”, por në kohën post-sistem.  Më qëlloi njëherë të shkoja në një shkollë fshati, e cila ishte dëmtuar në mënyrë vandale dhe Kryeplaku i fshatit ja hodhi fajin sistemit. Kur këmbëngula duke e pyetur, se ç’lidhje kishte sistemi i kaluar me xhamat dhe bangot e thyera, pasi u mendua pak e gjeti zgjidhjen dhe tha “Këto janë nga Eksodi!”. Ishte gjetur një emër tjetër, gjysëm abstrakt e gjysëm konkret, të cilit Kryeplaku nuk ja dinte kuptimin, por që më mbylli gojën mua.
Më vonë, u gjetën të tjerë emra, fjalë, data apo togfjalsha, të cilët shpjegonin si me magji, shkaqet që diçka kishte ndodhur në mënyrë objektive. Për shembull përdorej shpesh “1997-ta”, “vrasja e Azem Hajdarit”, “Gërdeci”, “ statusi i pamiratuar i nëpunësit”, “ligji elektoral” dhe tashti së fundmi me siguri do përdoren “refuzimi i vendit kandidat” ose “ndarja e re territorial”. Gjithmonë kanë qënë e do jenë këto objektivet që nuk na lënë të ngremë kokë, se ne njerëzit me emra dhe mbiemra të caktuar nuk kemi as faj dhe as përgjegjësi. “C’ti bënim ne sistemit?!”
Këtë mendova edhe një ditë, kur i nervozuar, doja të zija për gryke, një ish- funksionar, që firmoste listat e familjeve që internoheshin, sepse kryesonte Komisionin e Dëbim-Internimeve. E dija që do ngrinte supet dhe me një buzëqeshje të pafajshme do më pëshpëriste:

“E kishte fajin Sistemi!”

Friday 18 April 2014

Kufomë je ti, Erion Veliaj!

Detyrohem të shkruaj me këtë ton, në një ditë, kur njerëzit duhetë të mendojnë më shumë rreth jetës dhe vdekjes, rreth dashurisë të pakufi, rreth faljes dhe të tjera gjërave të rëndësishme të moralit njerëzor.
Jam i detyruar sepse nuk mund të hesht pasi pashë një reagim të Ministrit Veliaj rreth vetvrasjes të Bruna Mekës në Kuvendin shqiptar. Ka shumë dhjetëvjeçarë që ai nuk është Kuvend Burrash, por është i vetmi që kemi.
Duke ju përgjigjur me arrogancë opzitës, se po përdorte keq politikisht një vetvrasje, Veliaj e quajti të ndjerën Bruna, kufomë. Eshtë niveli më kafshëror i cilësimit në shqip të një njeriu të vdekur. Prandaj do përdor të njëjtën ‘kafshëri” ndaj tij duke i thënë:
Kufomë je ti Erion Veliaj dhe një kufomë që kutërbon erë prej larg.
Edhe pse i ri, je pjesë e kufomës në dekompozim të Komunizmit të ashpër Shqiptar.
Je i tillë sepse nuk ke asnjë ndryshim në sjellje e mentalitet, nga bashibozukët më të këqij të Diktaturës. Ke të njëjtën arrogancë. Ke të njëjtin zell për të gënjyer. Ke të njëjtin cinizëm ndaj të dobtëve. Ke të njëjtën çizmelëpirje të eprorëve.
Je edhe i verbër e budalla sikundër ishin shumë nga ata me të cilët tallemi sot. Ndryshe nuk kishe se si të tundje, kopjet e printuara të disa shkresave që nuk janë firmuar e zbatuar kurrë. Nuk kishe se si të tundje duke thirrur, kopjet e dokumentave që ndodhen në kompjuterin e drejtorit të personelit, të cilin Driton Meka e ka akuzuar si një nga shkaktarët e vetvrasjes të së shoqes.
C’ministër je ti, që nuk pyet pse këtë 5 shkresa nuk u zbatuan? Po këto 5 shkresa me emrin(jo firmën) të Ilir Frashërit kishin të bënin me paaftësinë e të ndjerës Bruna?
Ti ju klith kundërshtarëve të tu duke jut thënë që ne bëmë më pak sec deshët të bënit ju!
Dhe kjo të lehtëson ndërgjegjen tënde si Ministër, që mbulon sektorin ku punonte viktima?
Unë kot flas për ndërgjegje, se një kufomë si ti nuk mund ta ketë një të tillë. Ti je i vdekur i pakallur Erion Veliaj. Ndërgjegje nuk ka as deputeti i Korçës Gjergji Papa, që si gjysëm i vdekur pretendonte se mbronte kërkesën për drejtësi për Brunan. Eshtë edhe ai po aq pjesë e kufomës në dekompozim të Komunizmit Shqiptar.
Edhe nëse je një lloj ateisti injorant, sikundër janë shumë nga shokët e tu në atë qeveri,  dhe nuk mund të të spjegoj idenë e largimit nga jeta dhe kthimit në dritë, po them për ty Veliaj, që Brunilda Meka është sot  jë dritë, që ndriçon dhe ndih familjen dhe të dashurit e saj. Eshtë një dritë edhe për ne të tjerët, se shkrojti për ju “ekzekutuesit”” Zoti i faltë“, ashtu sikundër tha Jezu Krishti 2 mijë vjet më parë.
Ti nuk mund ta kuptosh këtë dhe aq më pak ta ndjesh!
Je një kafshë, që kujton se paratë e grumbulluara duke abuzuar me djersën e të tjerëve të bëjnë të rëndësishëm!

Qelbesh që larg edhe pse ende merr frymë Erion Veliaj!

Thursday 17 April 2014

Shqipëria Etnike

Në vitin 1991, filozofi shëtitës Gaqua i Mitit, ose si e njihnin shumë Gaqkë inxhinieri, më njoftoi se një nocion me shumë rëndësi do mbizotëronte jetën shqiptare në dekadat e ardhme. Edhe pse kishte aftësi parashikuese, Gaqua nuk mburrej si Ben Blushi, që deklaron se di si do jetë Shqipëria pas 100 vjetësh. Thjesht parashikoi që nocioni i Shqipërisë Etnike do ishte në qarkullim për shumë e shumë vite. Shqipëria Socialiste kishte marrë fund! Gaqua e shtjelloi idenë duke thënë “jo vetëm Kosovën e Camërinë, që do marrim, por edhe Italinë e Jugut, fshatrat rreth Athinës dhe një pjesë të Bostonit!” Unë e besova pjesërisht, se është cazë si e vështirë të marrim vende që banohen nga shqiptarë, disi larg nga trungu mëmë, por ndonjëherë ëndrra duhet të mbahet gjallë, si e mbajnë ende gjallë psh grekët, ëndrrën e Venizellosit për Greqinë e Madhe (Megalidhea).
Duhet të jem i sinqertë, që ndonjë gjë të madhe nuk kam bërë për bashkimin e trojeve shqiptare në një të vetëm dhe këtë e kam më shumë se jam dembel dhe jo se nuk jam patriot apo nuk besoj në tezën e Shqipërisë Etnike. Se në fund të fundit kjo tezë jo vetëm është e mbështetur në fakte historike të pakundërshtueshëm, por edhe nëse nuk janë kaq të pakundërshtueshme, kjo varet thjesht nga dëshira e popujve për vetvendosje. Nëse shqiptarët që jetojnë në Plavë dhe Guci, vendosin me referendum t’I bashkohen Mëmëdheut, nuk duhet të ketë asnjë Ligj ndërkombëtar t’I pengojë. Kështu edhe për Arvanitasit e fshatrave rreth Athinës apo të Hidras dhe Speces. Po qe se duan të rrijnë në atë shtet që janë, le të rrinë dhe aq më keq për ta! (Më e vështirë do jetë të shpalin bashkimin korçarët e Masaçusetsit, ose më mirë ata që i quajmë “qyngj pe Bostoni”, se shteti Totalitar amerikan nuk le shpalljen e mëvetësisë të Kombeve të Para dhe jo më të emigrantëve nga lagjet 1, 2 dhe 3 të Korçës, por ky mund të jetë një problem i brezit që do vijë.)
E drejta për Vetvendosje, që ishte në pikat bazë të idesë së Presidentit Uillson, për formimin e hartës së re të Botës, mbeten edhe sot të vlefshme, edhe pse këmbëngulet në Europë, për mosndryshim të kufijve. Ndaj unë jo vetëm jam për ndarjen e Maqedonisë mes nesh dhe Bullgarisë, por unë dua të shkoj edhe më tej, drejt trojeve të banuara nga shqiptarë në Botën e Re dhe sidomos në hapësirat stërmëdha të Kanadasë. E kam patur shumë bezdi kur mora nënshtetësinë, se më duhej të betohesha për besnikëri ndaj Mbretëreshës Lisavetë dhe duke qënë anti-ruajalist që në kohën e Kontit të Montekristos dhe Nuartjesë, ende sot e kam të vështirë të mbj atë betim. Kur mendoj edhe që duhet të përsëris betimin (largqoftë) edhe ndaj Karlit të XII, Vilit të V dhe Xhoxhit t VIII, atëhere e ardhmja më duket tepër e zymtë. Ndaj shpëtimin e kam vetëm në Etnikja dhe në një Etnike me degë edhe këtu, në vendin e lëkurëkuqve. Kur këta anglo-saksonët ja u morën tokat pse mos marrim edhe ca ne, që jemi më të vjetrit në këtë dynja!
Si hap të parë mendoj ta zhvilloj këtë ide ligjërisht me Benin, që mund të ketë kundërshtimet e tij në çështje teknike, por jo në parim dhe më pas, në fund të Nëntorit, të hidhemi në veprim. Të përfitojmë nga që në Ontario të lejojnë, në Ditën Kombëtare të ngresh Flamurin në zemër të Torontos. Ne e ngremë më 28, e mbajmë ngritur edhe më 29 në mbështetje të Kryeministrit tonë dhe bëjmë brenda dy ditësh  Referendumin për Republikën Autonome Shqiptare të Ontarios. Nga 35 mijë shqiptarë që ka në GTA(Toronto dhe fshatrat përreth) i kemi të sigurt 34. Me të shpallur rezultatet e Referendumit kërkojmë mbështetjen e separatistëve të Kebekut dhe njohjen nga Obama. Mbështetjen e Ramës, Thaçit e kemi të garantuar dhe po u gjet në gjendje dejshëm arvanitasi Pangallos, mund të marrim edhe mbështetjen e Greqisë.
(Nuk besoj të na dalin problem për Kryetarin e Gubernës, se që tani i kam menduar disa kandidatura ish-Majtas dhe ish-Djathtas, si dhe ndonjë të Pavarm.)
Ky është zjarri, që ndezi ajo shkëndijë filozofike e Gaqkë Inxhinierit e vitit 1991.
Rroftë Republika Autonome Shqiptare e Ontarios!
Rroftë Shqipëria Etnike!

Lavdi Marksizëm-Leninizmit fitimtar!

Tartuffi im tolerant

Tartuffka im mbi të gjitha është tolerant. Se nuk ka përse mos jetë. Duke qënë tolerant mund të fshehë edhe simpatinë e tij për Hitlerin dhe nazistët. Se sot është më shumë në modë të paraqitesh anglo-sakson se sa nacionalisto-socialist apo social-darvinist.
Që është tolerant e kam kuptuar para shumë vitesh, kur vinte e shkonte në familjen e një njeriu që kishte firmosur listat e familjeve që internoheshin, por ato ishin kohë, kur mund t’i thoshe edhe ‘derrit daift” dhe ai që firmoste për fatet e familjeve i ngjiste më shumë një “qelbësi” se sa n jë derri, ndaj dhe mund të mos ishte e vështirë ta quaje mik. Toleranca është kulturë e huajtur nga anglo-saksonët. Mesdhetarët nuk kanë qënë shumë tolerantë dhe merrnin zjarr shpejt, por më të zgjuarit syresh, ata që kishin më pak në deje gjak të nxehtë mesdhetarësh apo turqish filluan të vlerësonin tolerancën si virtytin bazë. Se në fund të fundit “qelbësi” kishte firmosur listat që i përgatisnin të tjerët dhe me familjen e Tartuffkës sillej shumë mirë.
Më vonë vura re se Tartuffka toleronte edhe po ta kundërshtoje, bile edhe po ta “fyeje” pak, se mundohej të ruante qetësinë e tij anglo-saksone. Por e kishte të vështirë, se zjente përbrenda, se në rremba i rridhte me shumë gjak i nxehtë mesdhetar se sa anglo-sakson. Por ama kishte një valvul sigurimi se sa të ktheje kurrizin, me marifet, Tartuffka e nxirrte atë që i zjente përbrenda.
Tartuffka nuk është tolerant me të keqen. Bile e godet atë me forcë! Ka pak parimin e sho Enver, “të lëftojmë sëmundjen dhe jo të sëmurin”, por edhe sho Enver mbase nuk e kishte të tijën, por e kishte vjedhur nga anglo-saksonët. Tartuffka godet vesin, por atë që e ka s’ka përse ta godasë dhe jo vetëm se është tolerant, por edhe se ka pakëz frikë. Për më tepër ai ose ajo plot vese edhe mund t’i duhet ndonjë ditë për të mbaruar ndonjë punë. Se zakonisht këta vesveselinjtë kanë cazë pushtet. Dhe pushtetarëve, sipas parimit të vjetër anglo-sakson(kësaj po ja fut si kot) ‘është më mirë t’ja u puthësh dorën sepse nuk ja u kafshon dot”. (Nuk e di dhe se si është Tartuffka im me dhëmbët se i ka lënë të 60-tat.) Po me ata të sëmurë, që nuk janë më në këtë dynja ai është i pamëshirshëm. Dhe ka të drejtë, se ata janë të sëmurë, që nuk mund të shërohen, pikërisht sepse kanë vdekur. Dhe si të vdekur por ende ndoshta të pakalbur, mund të infektojnë me veset e tyre.Bile se janë të tillë nuk ka nevojë t’ju puthësh apo kafshosh dorën. Këtë nuk e bën me të gjallët. Për shembull e di që një “gjirafë“ është më kafshë se ç’duket dhe mund të bëjë shumë poshtërsira, por Tartuffka thotë “ç’më duhet mua, se jo vetëm që e kam të njohur, por është më e mirë se qelbësi që kisha mik dikur”. Dhe kur e takon “gjirafën”, e përgëzon për sukseset në jetë dhe kujton kohët e bukura të rinisë.
Tartuffka e fsheh me zor antipatinë që ka për viktimat. E di që anglosaksonisht duhet të tregohet i drejtë me ta, por formimi i tij gjysëm shkencor dhe gjysëm social e ka shtyrë gjithnnjë drejt social-darvinizmit, ku të dobtit jo vetëm janë të destinuar të zhduken, por DUHET të zhduken. Ndaj dhe është në krahun e Mbijetuesve ky nacional-socialist i fshehur. Fundja edhe i jati i Kenedit i tillë ishte edhe pse anglo-sakson.
Eh Tartuffka im tolerant. Sa ndoht më vjen nga ti!


PS. Gjirafë ( e dialektit të veriut) sepse më tingëllon më bukur se xhirafë, që përdornim ne. Mbase gjirafë është më anglo-saksone dhe xhirafë pak si turqisht? Një djall mund ta dijë, se edhe avokati im parapëlqen ta quajë zhiraf.

Tuesday 15 April 2014

Kronikë e një vetvrasjeje të paralajmëruar

Nuk më hiqet nga mendja gjithë këto ditë, fytyra plot dhimbje dhe dinjitet e Tonit dhe fakti që ka humbur njeriun e dashur të vetëflijuar. E di që është një dhimbje shumë herë më e madhe se ajo e një vdekjeje të natyrshme apo edhe e një aksidenti.
Vrasjet janë rrallë herë të paralajmëruara dhe e njëjta gjë vlen edhe për vetvrasjet. Askush e ka pritur largimin e Brunës deri në çastin kur e kanë gjetur pa jetë.
Po them se është “e paralajmëruar” duke mësuar sadopak rreth jetës së saj dhe ngjarjeve të viteve të fundit në Korçë. Në këto rrjeshta mund të ketë edhe ndonjë pasaktësi, sepse nuk ndodhem atje, ku mund të mësoj saktësisht, nga goja e Tonit, rreth Brunas dhe shpirtit të saj fisnik.
E ardhur nga një familje e persekutuar, Bruna Cenko kishte punuar në fabrikën e Fajancës, ku puna për gratë nuk ishte e lehtë. Prej vitit 1993, kur ishte 31 vjeçare dhe me dy fëmijë të vegjël, punoi në Sigurimet Shoqërore, duke patur një rrogë në fillim modeste, por më vonë një të ardhur stabël për familjen e saj. Ishte ëndrra e të gjithëve, por sidomos e familjeve të persekutuara, të kishin një jetë të qetë dhe një punë të sigurt. Ishte si të thuash, gjetja e lumturisë, pas një kalvari vuajtjesh dhe pasigurie.
Nuk ka qënë e thënë, që për njerëzit që punonin në administratën shtetërore në Shqipëri, të kishte siguri prej vitit 1993 e më tej. Cdo jë varej nga cila Parti vinte në pushtetin qendror dhe atë vendor. Në një ekonomi, ku sektori privat ofron mundësi të pamjaftueshme për punë, një punë “në shtet” ishte dhe është e lakmuar për të gjithë. Dhe pikërisht këtu filloi abuzimi I “krokodilëve”, që kanë në dorë të marrin njerëz në punë apo të pushojnë nga puna. I terrorizojnë të gjithë, por mbi të gjithë e kanë pësuar dhe e pësojnë njerëzit e ndershëm.
Bruna Cenko(Meka) ishte e tillë. Një punonjëse e ndershme dhe e përkushtuar ndaj punës.
Sigurisht që është ndjerë e trembur në vitin 1997, kur PS-ja erdhi në pushtet dhe ndoshta edhe gjatë viteve të tjera deri më 2005. Megjithatë, falë punës së saj vazhdoi të punonte në të njëjtin institucion dh e të përballonte jetën e familjes me hallet që I shtoheshin.
Vitin e kaluar, gjatë fushatës më të ashpër të dhjetë vjetëve të fundit, në FB dhe në mediat shqiptare, paska qënë botuar një letër që Ana Zhurri(Verushi) i drejtonte Edi Ramës, ku i kërkonte pastrime në administratë pas fitores në zgjedhje. Sigurisht, që punonjësit e administratës “dridhen” kur dëgjojnë që fjalë të tilla nuk thuhen vetëm në rrethe të ngushta, por shprehen hapur dhe me shkrim. “Dridhen” ashtu si “dridheshin” edhe kur pala tjetër në fuqi, i detyronte të shkonin në Mitingje elektorale apo të deklaronin se për kë do votonin. Dhe si gjithnjë, ata që tremben më shumë janë njerëzit e ndershëm. Bruna ishte e tillë.
Rastësisht, autorja e letërs, u bë drejtuese në Sigurimet. Punonjës të atij institucioni, tregojnë se Bruna theshte “të vdekur mund të më nxjerrin nga kjo punë“. Ishte gjithshka për të.
Tani Verushi mbrohet duke thënë se nuk e ka pushuar, por vetëm e ka transferuar. Ka transferuar 40 km larg një grua që mban familjen me punën e saj dhe që ka të shoqin me kancer.
Bruna Meka u largua e vdekur nga puna! Ashtu siç kishte paralajmëruar.
Viktimë e terrorit të Partive!
Viktimë e militantëve të verbër!
Do doja shumë të besoja në këtë Javë të Madhe, që Bruna është ngjitur në qiell në ditën e tretë, por nuk mundem.

Dua vetëm t’i përulem shpirtmadhësi të saj, që edhe në çastet e fundit të jetës shkrojti “Zoti i faltë!”

A thua vertet e di se c'dua?

KETE DUA

Dënomëni me shurdhërinë tuaj,
Do klith sa lëvizjet e buzëve t’ju zgjojnë.
Dënomëni me verbërinë tuaj,
Duart do tund ajrive,
Sa erërat mornica t’ju çojnë.
Nuk dua të dini kush thërret,
Nuk dua me gisht të më tregoni.
Dua që trupin t’ju ngjeth,
Kur rininë e humbur të kujtoni.
Dua mos ik nga kjo botë,
Pa thënë se ç’dhimbje ndjeja
Kur dhëmbët i mbanim shtrënguar,
Kur s’shkonim në vise të reja,
Kur syve të të mjerëve ju vidheshim,
Se druheshim mos i lëndonim,
Kur ecnim me hap ushtarak,
Kur “Tungjatjeta” këndonim.
Nuk dua të më thoni “ju pëlqen”,
As që të endeni me mua.
Falni por kurrë mos harroni!
Këtë gjë të thjeshtë-
Dua.




Monday 14 April 2014

“Parisi i vogël”…i kërnackave.

Më ka bezdisur që kur isha adoleshent, shprehja që stërpërdorej kur flitej për Korçën e paraluftës- “Parisi i vogël”. Jo se ja kisha idenë Parisit dhe e krahasoja me të, apo se nuk e doja qytetin tim, por se thuhej me mburrje në vitet kur kultura e Korçës në pçrgjithësi, por edhe ajo qytetare, po shkonte teposhtë. Korça e rinisë sime mbante  një në vendet e fundit në shitjen e librave mes qyteteve të Shqipërisë dhe gjurmët e Liceut francez apo dhe kulturës frënge, që kishte nisur në kohën e Republikës Autonome të vitit 1916 ishin drejt shuarjes. Ish studentët e Liceut ose ishin moshuar, ose në një mënyrë a tjetrën ishin mënjanuar nga jeta e qytetit.
Edhe nëse Korça e viteve ’20, viteve më të arta të saj, nuk ishte vërtet një “Paris i vogël” ishte sipas të shquarit Montanelli, qyteti më perëndimor i Shqipërisë edhe pse gjeografikisht më në lindje të saj. Ishte i tillë sepse njerëzit bënin një jetë qytetare, e cila edhe nëse nuk ishte e njëjte me atë të qyteteve europiane avanguardiste, ishte e ngjashme me më të mirën e qyteteve të Ballkanit. Në ato vite kishte dy kinema të mira, bibliotekë, disa shkolla dansi dhe instrumentash muzikore, disa dyqane librash dhe shumë shoqata. Kishte filluar edhe jeta artistike e një niveli të mirë edhe pse në hapat e para  të saj. Qytetarët dinin të organizoheshin si dhe të mbronin interest e tyre. Liceu Francez kishte ndikim të madh në rritjen e nivelit kulturor dhe qytetar edhe pse duhet thënë, që shumica e popullsisë ishte me origjinë fshatare.
Për fat të keq, e tatëpjeta kulturore e dhjetëvjeçarëve të fundit të diktaturës, nuk u frenua as pas ndryshimit të sistemit dhe hapjes së kufijve. Në këtë shënim të shkurtër, nuk kam qëllim të analizoj shkaqet apo faktorët, por veç të përsërit me keqardhje, që qyteti po i largohet çdo ditë e më shumë atij të paraluftës. Nuk e kam fjalën për ndërtimet dhe rrugët (edhe pse ka problem të mëdha edhe në to), por për kulturën dhe frymën e qytetarisë. E kam konstatuar dhe përmendur disa herë, për reagimet më se vulgare në stadiumin “Skënderbeu”, të turpshme edhe për nivelin e Vlorës apo Kavajës të kohës së Diktaturës. E kam përmendur për shitjen e pakët të librave dhe frekuentimin minimal të Bibliotekës. E kam përmendur edhe për mungesën e shtypit lokal si dhe për gjendjen jo të mirë të teatrit dhe trupave të tjera artistike.
Por mbi të gjitha sot dua ta përmend për nivelin shumë të ulët të solidaritetit qytetar. Eshtë në gjendjen më të mjerë se kurrë.
Qytetarë të Korçës ngriheni kokën dhe përqafoni njëri tjetrin. Eshtë shenja e parë e qytetarisë.
Artistë të Korçës, mundohuni të jini në pararojë të lëvizjeve qytetare dhe mos u bëni "lepitka” të pushtetarëve të çdo ngjyre. Eshtë shenja e qytetarisë të kulturuar.
Mësues të Korçës, ringjallni frymën e viteve më të mira të gjyshërve tuaj. Nuk është e vështirë. Eshtë shenjë e vazhdimit të qytetarisë korçare.
Mos harroni se nëse bjerret përfundimisht qytetaria e Korçës nuk ka më shpresë të rikthehet qytetaria në Shqipëri.

Mos e lini qytetin, që nesër të quhet “Korça e kërnackave”.

Na fal Toni!

Sapo pashë inervistën e burrit të Bruna Mekës dhe sërish u ndjeva fajtor. Jo vetëm se e njoh që në gjimnaz, por se mësova që ka qënë edhe i persekutuar. Familja e tij dhe familje e të nderuarës Bruna.
Toni(Driton Meka) ishte një djalë i mençur dhe fjalëpak, të cilin e njihja se luanim gjithnjë futboll me vitin e tij. Nuk e kujtoj nëse ishte në klasë me Binan apo paralel me të. Ishte vërtet shembullor. Sot mësova që nuk ka mundur edhe të studiojë se rridhte nga një familje që ka qënë edhe në internim.
Përulem jo vetëm para dhimbjes së tij, por edhe para stoicizmit të një njeriu zemërmadh, që posa ka pësuar goditjen më të rëndë në jetë e megjithatë nuk kërkon hakmarrje.
Nuk kërkon hakamarrje ndaj nesh, që studiuam dhe patëm punëra më të mira se ai.
Nuk kërkon hakmarrje ndaj atyre që I kanë nxirë rininë.
Nuk kërkon hakmarrje as ndaj atyre, që po e persekutojnë edhe sot.
Kam njohur shumë njerëz të tillë, fisnikë, të cilët edhe pse kanë hequr njëqind e një të zeza burgjeve dhe internimeve, kanë ndenjur të tërhequr në pritje të Drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit, që në të shumtën e rasteve ju ka munguar.
Ju ka munguar mbështetja e jonë.
Ju ka munguar ndienja e jonë e drejtësisë.
Ju ka munguar solidariteti jonë.
Në një nga këto ditë e gjithë Korça duhet të ngrihet e të ecë përmortshëm qirinj të ndezur për Bruna Cenkon. Korça e qytetarisë dhe jo e Partive. Korça, që ju ka ende borxh bijve të saj të persekutuar jetët e shkuara dëm.
Një korte i tillë ju duhet qytetarëve të mij të tregojnë Bashkimin kundër së Keqes. Të tregojnë, që do mbetemi qyteti më i qytetëruar shqiptar. Të tregojnë që e duam njëri tjetrin dhe të Drejtën.
Do jemi atje edhe ne të mërguarit se e duam qytetin tonë dhe njerëzit tanë. Mjaft i kanë mëpërkëmbur edhe këto 23 vjet.
Do jemi atje me mendje e shpirt për të ringjallur Shpresën. Për të besuar në e mira.
Për t’ju kërkuar ndjesë gjithë të persekutuarve të çdo kohe.
Për sot po them thjesht:
Më fal Toni!



Sunday 13 April 2014

Një grua e brezit tonë vrau veten

Nuk e njoh Bruna Mekon, që ka vrarë veten pasi e kanë pushuar nga puna ose pasi e kanë paralajmëruar Ndoshta është ndonjë vajzë e gjimnazit tonë, ose nuk është as korçare, por e martuar në qytetin tonë, por pak rëndësi ka. Një gjendje e rënduar familjare(shtypi  shkruan, që i shoqi ishte i sëmurë dhe vetëm rroga e saj e mbante familjen) e rëndoi psikologjikisht dhe nuk pati forca të përballonte jetën. Ndoshta nuk kishte edhe rrezik ta pushonin, por atmosfera e njerëzve që hiqen nga puna për përkatësi politike e ka trembur. Ndjehem dyfish i brengosur dhe fajtor për dëshpërimin e të shkretës Bruna Meko. Fajtor si qytetar i një qyteti ku kanë ekzistuar më parë një jetë më normale edhe pse vetëvrasje ka patur, që kur ekziston si qytet.
Fajtor edhe si pjesëtar i një brezi, që po e dëmton qytetin si kurrë ndonjëherë. Bruna ishte 52 vje] dhe eprorja e saj 54. Rastësisht eprorja është një bashkënxënsja ime e gjimnazit.
Nuk dua të bëj fajtor njerëz të veçantë, sepse për dëshpërimin e njerëzve tanë nuk mund të fajësosh një dy, pesë apo dhjetë emra. Po i fajësoj të gjithë, duke përfshirë edhe veten time, se kemi bërë aq pak për të parandaluar dëshpërimin e njerëzve, dëshpërim që shkatërron jo vetëm një jetë, por edhe të tjerat që le pas.
Bruna Meko punonte në Sigurimet Shoqërore, institucion, që prej pak kohësh drejtohet nga moshatarja jonë Ana Zhurri. Sipas thënieve të vetë Anas para dy vitesh, ka mbaruar Bio-Kimi me mesataren 9.9. Se ]’duhet në krye të Sigurimeve Shoqërore një mësuese Bio-Kimie, këtë e di PS-ja, PD-ja dhe LSI-ja, të cilat kanë vite që venë në vendet drejtuese militantë. Ana është militante, sepse jo vetëm drejton PS-në për rrethin e Korçës, por edhe në një diskutim politik të dy viteve më parë në FB, dëshmoi një histeri të habitshme prej partiakeje.
Këto ditë, ndoshta vuan faktin, që një punonjëse e saj ka vrarë veten e dëshpëruar. Nuk dua ta n gushëlloj, sepse edhe nëse nuk ka as më të voglin faj, ka përgjegjësi më shumë se unë, Vjollca, Klea, Beni, Emili, Frida e të tjerë bashkënxënës, në gjendjen e krijuar në emërimet dhe pushimet nga puna në Korçë.
Askush nuk mund t’i sjellë familjes Bruna Mekon.
Asgjë e mirë nuk vjen as nga ky shënim i shkurtër.
Edhe unë si shumë qytetarë korçarë jam i dëshpëruar. Nuk shoh asnjë rreze drite për bashkëqytetarët e mij.
Veç dua të klith:
Njerëz bashkohuni me njëri tjetrin për të dalë nga dëshpërimi!

Që të tjera nëna të mos vetëflijohen!

Nesho, Rama dhe e Majta shqiptare.

Një artikull i sotëm i Agim Neshos, më bën të mendoj se për Kryeministrin Rama, po fryjnë erëra jo të mira brenda Partisë së tij. Për ata që nuk e njohin Neshon, po përmend, se është një njeri i afërt i Nanos, që vjen nga Klani Kapo. I jati i tij, Gaqo Nesho, ishte baxhanak i sho Hysni dhe njëkohësisht kunat i Pirro Kondit. Nesho ka qënë aktiv në “gatimet e çorbërave socialiste’, prej 1997 e më tej dhe ka mbajtur edhe postin ambasadorit në Uashington për disa vjet. Tani duket që Nesho është i afërt me Ilir metën dhe po "bën duva", që LSI të bashkohet me PS dhe Meta të marrë në kontroll të Majtën shqiptare.
Deri këtu, në pamje të parë nuk ka asgjë të keqe. Unë vetë kam dëshëruar, që Rama të mos vinte kurrë në pushtet, sepse kam qënë kundër politikave të tij të korrupsionit dhe të drejtimit me “dorë të fortë“. Edhe pse alternative tjetër ishte Berisha, që ka të njëjtat politika dhe që ja u solli “në majë të hundës” bashkë me familjen e tij gjithë shqiptarëve, mendoja që një fitore e Berishës më 2013 do sillte ristrukturimin e PS-së dhe zgjedhje të shpejta të parakohshme. Sigurisht, që asnjeri nuk “pjerdh” se ç’dua apo ç’mendoj unë dhe tani kemi Ramën kryeministër, të mbështetur nga Meta Kryetar Kuvendi, që mundohet ta minojë çdo ditë e më tepër.
Po përse ideja e Neshos për ristrukturimin e së Majtës(gjë që edhe unë e kam dashur) tani na qënka jo e mirë si për elektoratin e Majtë ashtu edhe për Shqipërinë?
Ideja e Neshos ka për qëllim rikthimin e Partisë së 1997, por këtë rradhë me Metën kryetar dhe ndoshta Nanon president nderi. Ndaj ai i rëndon historisë të PS-së të injoruar nga Rama. Ndaj kërkon më shumë rol për Blushin, Klosin, Leskajn e të tjerë njerëz, të gatshëm për një kompromis me LSI-në, sepse kanë mbetur jashtë posteve ministrore dhe mundësive për të ndihmuar bizneset e tyre të ligjshme e të paligjshme. E Majta me Metën në krye do sundojë të paktën edhe dy legjislatura, gjatë së cilës mund të kemi Nanon President dhe rikthimin e Ramës në Bashkinë e Tiranës ose në Ministrinë e Kulturës. Nesho e negociatorë të tjerë kafenesh, janë gati të marrin përsipër gjithshka, që është e nevojshme për të bërë këtë.
Ky është plani më ogurzi për të ardhmen e Shqipërisë!
Në rast se kjo ndodh, shpresat për ndryshime para dy dekadash janë Zero.
Krijimi i një strukture solide, që përfaqëson gjoja të Majtën, do kufizojë shumë mundësitë për tu krijuar forca të reja politike jashtë 3 partive të Bandave. Edhe tani, me Ramën kryeministër kjo mundësi nuk është e madhe, por drejtimi i tij autoritar, klientelizmi dhe politikat e verbëra ekonomike, do sjellin shpejt një rënie të besimit edhe të elektoratit që voton gjithnjë Majtas. Gjendja ekonomike në Shqipëri do vazhdojë të jetë shumë e vështirë edhe për tre vjet të tjerë. Edhe nëse nuk ndodh të shkohet në Zgjedhje të parakohshme, më 2017, jo vetëm që PS-ja nuk do fitojë shumicën, por një sasi e madhe votash do shkojnë në Lëvizjet e reja politike.
Këtë duan të ndalin Meta, Nano dhe kompania bela. Ndaj venë të shkruajë një “çorbavitës’ të vjetër si Agim Nesho.

Të shohim në muajt që vijnë, se si do kundërsulmojë Rama.

Po Devoll, i tille qenkam une...(2)

(vijim)
Petraq Zotoja ju bashkua dy shkrimtarëve të njohur me origjinë nga Devolli, Sotir Andonit nga Ziçishti dhe kunatit të tij Teodor Laço nga Dardha. Duhet thënë, që të dy ishin shkrimtarë pa ndihmën e M.Ziçishtit, vetëm që në atë periudhë patën një mbështetje më të mirë për krijimtarinë e tyre. Në fund të fundit edhe të talentuarit duan pakëz mbështetje nga autoritetet. Laçoja u bë i njohur në rrafshin kombëtar si prozator dhe filloi botimin e romaneve si dhe të shkruajë drama dhe komedi, të cilat viheshin në skenë në teatrin Cajupi, tashmë të drejtuar nga ish-mësuesi pedagogjiks Petraq Zoto. Periudha më e mirë e Teatrit Cajupi kishte marrë fund me largimin e Mihal Luarasit dhe më pas edhe të drejtorit Nidha Shkodrani. Teatri filloi të tatëpjetën, të cilën nuk mundi ta ndalë më kurrë.
Rastësisht, ato vite filluam me Benin, në Teatrin e Kukullave të Korçës, i cili varej nga Teatri Cajupi. Them rastësisht, se kishte qëlluar që në një periudhë të pranverës 1975, ishin larguar thuajse të gjithë aktorët meshkuj dhe regjisorja Drita Kallamata, i kishte thënë Benit, në se mund të shkonim e luanim ca kohë. Gjatë atyre viteve, deri më 1980, kur përfundimisht nuk luajtëm më në atë trupë, mësova disa gjëra më shumë rreth teatrit, skenave dhe prapaskenave të tij. Drita ishte një artiste e vërtetë, që punonte me shumë pasion dhe dëshëronte të bënte gjëra të reja. Më çudiste pasioni I saj për jetën dhe të bukurën. disa herë kishte qëlluar, që kur shkonim turne nëpër Shqipëri, të ndalonte makinën në pika me pamje piktoreske dhe të na “shkundte” edhe ne për t’i parë e për t’i shijuar. Ne qeshnim me vete, se ishim adoleshentë dhe i përkisnim edhe një brezi pakëz më “cinik”. Prej saj mësuam jo vetëm të interpretonim me logjikë, por edhe të mundoheshim të ishim krijues jo vetëm me “vokal”, por sidomos me zhdërvjelltësinë e lëvizjes së kukullave, për t’ju dhënë jetë.

Edhe pse regjisorja nuk fliste me hollësi rreth marëdhënieve me drejtorin apo mbledhjeve të Organizatës Bazë të Partisë të teatrit, kuptohej që ishte e pakënaqur nga niveli kulturor i Zotos, si dhe nga mënyra se si e drejtonte Teatrin. Në të “bënte ligjin” regjisori Orgocka, i cili kishte krijuar edhe një frymë të theksuar përçarjeje, ndaj të cilës nuk bënin asgjë njerëz si Zoto apo Karanxha(një tjetër devolli, që ishte Sekretari i Partisë). Aktorët më të talentuar po iknin një nga një drejt Tiranës, ose po kërkonin të bënin punë të tjera. Kështu bënë Minella Borova e Llazi Sërbo që shkuan në Tiranë, Jani Riza, që thuajse nuk luante më në teatër, por në Kinostudio, Petraq Marjani, që filloi një karrierë si regjisor jashtë tetarit, Sotiraq Cili e të tjerë. Rolet kryesore merreshin vetëm nga aktorët mediokër, që i vinin pas ujrave regjisorit. Mes tyre kishte nga ata, që kishin mbaruar ose jo Institutin e arteve. Mund të shihje në çdo shfaqje vetëm Marko Bitrakun, Guri Koçon, Fotaq Xhekën, Piro Andonin, Dhimitra Plasarin, Syrja Meçen dhe ndonjë ‘peqelepist” tjetër. Atmosfera krijuese dhe e punës së teatrit ishte krejtësisht “e helmuar”. Kam qëlluar disa herë, prapa kuintave në shfaqjet e Teatrit dhe shihja se si regjisori Orgocka nxiste një interpretim patetik dhe për efekte të jashtme dhe thërriste vazhdimisht ‘ritëm, ritëm, ritëm!”. Të gjitha shfaqjet që kam parë në atë kohë vuanin nga një lloj pllakatizmi dhe interpretimi të sipërfaqshëm, ku rëndësi nuk i kushtohej llogjikës apo zbërthimit psikologjik të personazheve, por teatralitetit të dukshëm, thirrjeve dhe klithmave. Teatri i drejtuar nga devolliu Zoto dhe regjisori i pashkollë Orgocka vuante thellësisht nga mungesa e Kulturës. Në atë kohë edhe Komiteti i partisë, pas një kontrolli kishte konstatuar, që asnjë nga aktorët e Teatrit nuk ishte anëtar i bibliotekës së qytetit! Megjithatë edhe Komitetit të Partisë pak i interesonte anëtarësia në Bibliotekë, se dhe ata vetë, me përjashtim të një instruktori studioz, Dhiogjen Nakes, me siguri që nuk mernin asnjë libër në bibliotekën e qytetit. Për ta kishte rëndësi që shfaqjet të ishin të partishme dhe të realizohej numuri i planifikuar i tyre si në qytet dhe në fshat. Për këtë përpiqej me gjithë zellin e tij, Shkrimtari për fëmijë Petraq Zoto, i cili mbante marëdhënie të shkëlqyera me gjithë sekretarët që mbulonin ideologjinë duke filluar me Vangjush Cerravën, Enver Halilin, Jani Balltën e të tjerë.
(vijon)

Saturday 12 April 2014

Guximi elegant femëror

Ndoshta Is ka të drejtë, kur thotë, që gjuha jonë krijon mundësi të papara(bobo kjo “e papame” përsëri) për të krijuar fjalë të reja nga bashkimi I dy ose më shumë fjalëve. Unë ndjek pak median shqiptare dhe sidomos fjalët e politikanëve, të cilët që në periudhën e artë Nano, shquhen për sajim fjalësh të reja, sajime nga lidhje më të çuditshmet prej bashkimit të fjalëve nga gjuhë të ndryshme, ë cilat pastaj “çimentohen” nga papagajtë e tyre, që mundohen të flasin si shefat. Për të shkruar, i shkruajnë “qatipët’, të cilët herë i sëritin pa hapësirë në mes e herë i ndajnë.
Dyfjalëshi më i bukur i javëve të fundit, që mund të shkruhet edhe i ndarë, por edhe me vijë në mes është “nacionalizmi elokuent” i Spartak Ngjelës. Ju ktheva e ju vërtita nga të katër anët, por s’munda të gjeja se ç’donte të thoshte avokati me këtë dyfjalësh. Që Ngjela e di veten elokuent, kjo nuk do shumë mend për ta kuptuar. Të ketë dashur me të të thotë, që tani e tutje duhet të kemi një nacionalizëm tip Ngjela? Apo thjesht, që nacionalizmi shqiptar I këtij shekulli duhet të mjaftohet vetëm me fjalë të bukura e të rrjedhëshme pa qënë violent? Mos ka lidhje me vargjet, që përmenda nç një shkrim “atë ditë që hyri prilli/e pushoi këngën bilbili”, se më elokuent se bilbili nuk ke ku gjen mes shpendëve dhe ne kemi Mbretëreshën e Shpendëve si simbol të Kombit?
Nuk i gjendet dot fundi. Ka për të mbetur “enigmë“ deri sa ta shtjellojë avokati vetë, ose ta braktisë për ndonjë term të ri, si psh “nacionalizmi enigmatik” ose “nacionalizmi monoton”. (Për termin e fundit duhet të pranoj, që e kam të kopjuar nga një miku im i cili tani bën në Detroit, atë që nuk e ka bërë tërë jetën- Punon).
Dje, në një faqe në FB, u shfaq një perlë e re, ose më mirë një nga ato unazat treshe me diamantë, që japin këtej për fejesë. Guximi elegant femëror. Autorja besoj se jeton në atdhe dhe ndoshta mbulon ndonjë detyrë me rëndësi në ndonjë institucion shtetëror, e caktuar atje nga Qendra, e Djathta ose e Majta europiane.
Guximi elegant femëror. Guxmielegantfemëror. Guximi-elegant-femëror. Sa bukur tingëllon sido që të shkruhet. Ka një asimetri të habitshme, që tejshkon gjithë rregullat e llogjikës tradicionale apo të harmonizimit të leksikut bashkëkohor. Një perlë, që nuk ka nevojë për spjegim. Vetëm ta shijosh.
Ishte përdorur për të cilësuar një përgjigje plot kripë që Nensi Astor, parlamentarja e parë dhe e vetme britanike,i kishte dhënë Cërçillit, i cili ishte munduar t’ja dh… duke përmendur se në praninë e saj në parlament ndjehej sikur të ishte bilbiljashtë.
Autorja, e entusiazmuar, kishte shkruar: Sa e dua guximin elegant femëror! Nuk e entusiazmon thjesht guximi, bile as ai femërori(paska dy lloje guximesh), por femërori elegant!
Duhet të pranoj që në këtë çështjen e guximit femëror jam tapë topi. S’kam qënë kurrë në praninë e tij, nëse i kujtoj shpejt e shpejt 5 dhjetëvjeçarët e kaluar, që nga çasti kur mësova se ç’ishte Guximi. Më të madhin quaja atë të afrimit të një të njohure në Makërz të Vithkuqit drejt një të njohurit tim,ku i kërkonte të ishte e dashura e tij, por atë nuk mund ta quaj elegant, por partizan, se bëhej nën frymën e formimit të Brigadës së Parë. Ishte më pas dhe ai I Biondos, që çuditej kur dëgjonte që ankohej ndonjëra në Degë se e kishin zënë me zor, dhe theshte “Si nuk më ze ndonjë me zor mua moj aman!”, por edhe këtë mund ta fut në kategorinë guxim sadomazohist dhe jo elegant. Ky elegant jo vetëm që nuk shfaqet dendur, por besoj se s’duhet të ekzistojë në qarqet ku vërtitem unë. Dhe ju betohem që nuk janë qarqe homoseksualësh.
Por mbase shpresa nuk duhet humbur. Po të arrij të jetoj sa mesatarja e meshkujve pa guxim të Kanadasë, kam edhe dy dekada e gjysëm. Tani për tani veç mund të them:
Vdes për një çiçkë guxim elegant femëror!