Thursday 31 May 2018

Ku t’i kërkoj rrënjët e tua Forum?


Një miku im më sugjeron, që përpjekjet për të shpëtuar Korçën dhe qytetet e tjera nga “arbitrariteti” i administratorëve lokalë dhe projektuesve të huaj dhe vendas “të papërgjegjshëm” nuk duhet të jenë individuale, por “gjithëpërfshirëse”, me pjesëmarjen jo vetëm të një forumi, por të disave të tillë.
Në forumet, që mund të ndihnin për të “ngritur zërin” ishin forumet e shkollave të arkitekturës(private dhe shtetërore), forumet e mbrojtjes së trashëgimisë, ato të ruajtjes së peisazhit dhe të mbojtjes së mjedisit.
Pra Forumet ekzistojnë, bile janë jo të pakta, por thjesht duhen ngacmuar, “që të futen në lojën kritikuese për të shpëtuar qytetet”.
Forumi romak ishte një shesh i hapur, ku zhvilloheshin shumë veprimtari publike, duke nisur me tregëtinë dhe deri në diskutimet shoqërore.
Në kohën tonë, “Forumi” është një hapësirë gjigande në internet, por ndoshta nga përmasat stërmëdha nuk arrin të dëgjosh zërat, që flasin për të njëjtin “hall” që ke edhe ti.
Ndaj duhet të trokasësh në dyert e “forumeve” përkatës për të folur me forumistët. Eshtë e mira, që të jenë arkitektë, urbanistë dh e ndërtues, për të patur një diskutim me të njëjtën gjuhë, edhe pse parimet e prokjektimit, restaurimit, rivitalizmit mund të mos jenë të ngjashme me ato, të cilat ndjek ti. Por pikërisht nga përplasja e ideve mund të dalin edhe mënyra më të sakta të konceptimit të qendrave të banuara, hapësirave të gjelbërta, raporteve të ndërtimeve me këmbësorët, e sa e sa të tjera si këto, që ka mijëra vite që rrihen në “mjediset” e profesionistëve, por më tepër akoma në mes të komuniteteve.
Disa nga Forumet, ku u rreka të trokas, janë të lidhur me qeverinë dhe ndjekin parimin e “shurrdhësisë“ ndaj asaj, që përpiqesh t’ju thuash. Përgjithësisht të përgjigjen me terma shterpë si “funksionalizmi i hapësirave publike në mijëvjeçarin e ri, konsiston në një gjithpërfshirje të raportit të individit me të tërën dhe , që konsakrohen në një agora të shumëfishtë, ku mund të spikasë Sheshi “Skënderbej”, i cili konkuron edhe në Bienalen e Barcelonës, si hapësira më e përvijueshme e vitit 2018”.
Nuk më ngjan sin jë përplasje e derës së Forumit në fytyrë, se fundja nuk është faji i tyre se unë nuk i kuptoj se ç’thonë.
Në një Forum të një universiteti privat, takoj një moshatarin tim urbanist, me të cilin kemi ndarë në rini të njëjtat ëndrra për arkitekturën. Më sqaron, se e bija është punësuar nën Shkrelin, që gjithashtu ka një Forum nga këta proqeveritarët dhe edhe pse miku im, ndan të njëjtin shqetësim me timin për Tiranën, Durrësin dhe Korçën, është e mira të ndjekë karrierën e së bijës, karrierë që varet shumë edhe nga ajo ç’ka thua kundër Shkrelit, Edi Ramës dhe Alban Eftimit.
Më në fund, një rreze shprese më lind kur takoj një urbanist të vjetër, që shoqërohet nga një arkitekt i ri dhe i përkasin Forumit të Trashëgimisë. Urbanisti më thotë mënjanë “Ky është nga tanët!” dhe unë e kuptoj, që ka të njëjtin qëndrim kritik për ndërtimet në Qendër të Korçës. Filloj e “zbrazem” për ndërtimet, që mbajnë firmën e Peter Wilson dhe ndërsa arkitekti i ri miraton me kokë, urbanisti i vjetër më thotë mënjanë “Le të mos zemë emra në gojë. Më mirë të flasim për parimet”. Më vonë mësoj, se urbanisti, që nuk do të zerë në gojë emra të përveçëm, ka një lloj eskluziviteti për të projektuar në Pazarin e Korçës, Qafën e Pazarit në Gjirokastër dhe në Bezistenin e Shkodrës.
Megjithatë nuk shkurajohem se janë edhe dhjetra forume të tjera, por në të gjitha qëllon dikush, që ka motrën që punon në Bashki, nipin që porsa prêt të diplomohet si arkitekt dhe i kanë premtuar një punë në ministrinë e Kumbaros, apo është duke pritur rezultat e një tenderi ndaj nuk mund të prononcohet publikisht.
Në Forumin e fundit, atë të Mbrojtjes së Mjedisit, takoj një nga studentët më rebelë të kohës sime. E di që mjafton t’i shpjegoj se ç’ndodh me ndërtimet në vendet skandinave dhe do e kem në krah për të luftuar për kufizimin e ndërtimeve prej betoni.
Më thotë: “Më ka zënë belaja me djalin se përdor hashash dhe shkruan vjersha për Edi Ramën, Niko Peleshin dhe Mirela Kumbaron. Të paktën nuk është gay. Për momentin nuk dua ta zhgënjej!”
Atëhere nuk më mbetet gjë tjetër veç të dal në mes të sheshit dhe të thërres:
“Ku t’i kërkoj rrënjët e tua Forum?”

Tuesday 29 May 2018

Miqësia Erdo-Rama


Në një shkrim të djeshëm të analistit të njohur Mero Baze, të titulluar “Erdogani si dublant i drogës, kundër negociatave” theksohet se afrimi i Ramës me Erdoganin po përdoret nga opozita si mjet për të penguar hapjen e negociatave me Bashkimin Europian, pasi dështoi propaganda e kanabizimit të vendit, ose ajo e lidhjes së Tahirit me trafikantëtë e drogës.
Le të pranojmë për një çast se konkluzioni i Bazes është i drejtë dhe nuk ndikohet nga qëndrimi i tij i theksuar anti-opozitar dhe pro-Ramë.
Sipas kësaj logjike, meqënëse gjendja ekonomike e vendit është e shkëlqyer dhe meqënëse asgjë nuk u provua në lidhjet e Tahirit dhe funkionarëve të tjerë të policisë me trafikun e drogës, opozita nuk ka asnjë kartë tjetër për të luajtur, por veç të “trembë“ zyrtarët naivë të Brukselit, se Rama ka lidhje shumë të forta dhe të dyshimta me Erdoganin. Pra një opozitë shqiptare miope dhe një Gjermani dhe Francë pjesërisht miope.
Në Parlamentin Europian apo edhe në parlamentet e vendeve europiane mund të ketë edhe deputetë me kulturë të pamjaftueshme, që nuk dinë se ç’është Shqipëria dhe cilat janë problemet kryesore të saj, apo edhe se ç’përfaqëson me të vërtetë Erdogani. Por shërbimet inteligjente të këtyre vendeve janë të mirëinformuar në shekuj se cila është Turqia dhe si ka ndryshuar ajo në 100 vjetët e fundit. Sidomos ndryshimi i saj në “erën-Erdogan” është ai , që i shqetëson më së shumti. Gjithashtu ata janë të informuar edhe se ç’ndodh në Shqipëri. Të mendosh se negociata mund të pengohen nga propaganda e opozitës, është një parapërpjekje për të justifikuar më pas një dështim të mundshëm.
Miqësia e Ramës me presidentin turk është demonstruar hapur nga të dy palët. Ajo ka qënë jashtë kornizave të përdorura nga kryeministrat shqiptarë në 27 vitet e fundit. Ka qënë vetë Rama, që e ka përdorur si një lloj “karshillëku” ndaj Europës, “që në rast se nuk na pranoni në Europë ne do kërkojmë shtigje të tjera zhvillimi dhe orientimi”. Kryeministrit kjo lloj loje mund t’i jetë dukur edhe si zgjuarsi gjeopolitike , që sjell “para turke” në Shqipëri dhe njëkohësisht ngut Europën “të na futë në shtrat, që të mos shkojmë me jaranin turk”.
Por kjo miqësi e tepruar, Shqipërisë i ka sjellë më shumë dëme se përfitime. Nëse duhet të themi me plot gojë se jemi europianë është shumë më mirë, që aeroporti i Vlorës të jetë një investim gjerman apo francez se sa turk. Edhe nëse vonohet edhe për pesë apo më shumë vite të tjera. E kështu me rradhë për investime të tjera strategjike turke. Investimet nga vendet me demokraci të konsoliduar janë përherë më të sakta dhe më pak të dyshimta.
Më tepër se miqësi me Erdoganin, Rama është në dashuri me modelin e qeveritarit Erdogan.
Pikërisht këtu është edhe shqetësimi më i madh i opozitës dhe Europës.
Në një demokraci hibride si e jona, promovimi i miqësisë me Erdiganin është njëkohësisht promovim i një shtetari autokratik dhe antidemokratik.
Ashtu si “sulltani” turk, Rama po qeveris këtë vend pa përfillur shtyllat e pushtetit të një vendi demokratik. Egërsia ndaj mediave, shpërfillja e opozitës, mosrespektimi i presidentëve, presionet mbi pushtetin juridik janë disa nga karakteristikat e përsëritura të stilit së qeverisës Rama.
Ndaj dhe afrimi i tij me Erdoganin “dorëfortë“, më shumë se për  arsye gjeopolitike, nga Berlini në mënyrë të veçantë shihet si një përqasje e Ramës ndaj një modeli antidemokratik qeverisës. Erdogani e mbylli vetë derën e Europës për Turqinë, me lojën e tij arrogante, megallomane dhe antirepublikane. Turqia e sotme mund të jetë më mirë ekonomikisht se 20 jet më parë, por në demokraci ka shkuar 50 vjet pas.
Ashtu si për Europën edhe për ne, problemi nuk është Turqia, por Erdogani.
Ndaj “lagavitjet” e Ramës me Taipin duhen sulmuar me të gjitha forcat nga të gjitha shtresat prodemokratike shqiptare.
Vetëm kështu mund t’i afrohemi çdo ditë e më tepër Europës.

Monday 28 May 2018

Një vit është pak apo shumë?


Sigurisht, që varet nga fusha e jetës rreth të cilës diskutohet.
Një vit në bujqësi është përgjithësisht një cikël prodhimi ndaj duket pak; në letërsi shpesh nuk mjafton për të shkruar një roman dhe sigurisht, që romancierëve ju duket pak; në ndërtim nuk është pak, se mund të përfundosh edhe një objekt të rëndësishëm ndërsa në politikë dhe në gazetari(që është kryesisht reflektimi i të parës) një vit është shumë.
Isha kureshtar të shihja, se ç’pata shkruar në blog në fund të majit të kaluar, sepse e kujtoj si një periudhë parazgjedhjesh në Shqipëri dhe “të bollshme” edhe në opinionet e mija rreth jetës shqiptare dhe veçanërisht asaj të Korçës.
Duket që shumë pak ka ndryshuar në 365 ditë të mbushura me të shara, akuza, përgënjeshtrime, përpjekje për arrestime, përbetime ndershmërie, kacafytje parlamentare, stërkala pështymash të paqëllimta, hedhje balte me dashje, nxirrje realiteti aksidentare dhe stërzmadhime “fitoriesh”.
Edi Rama mbetet Lideri i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Shqipërisë, me një vizion europian, orientim pro-Erdogan dhe xhepat plot. Largimi i tij nga pushteti duket po aq i largët edhe sa anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ilir Meta, hajduti më i suksesshëmi tranzicionit është President i Shqipërisë të shqiptarëve të vojtur, të ndershëm dhe të virtytshëm.
Lulëzim Basha është i njëjti shef anemik i opozitës, që edhe pse nuk mund të bëjë aq para sa bën kur është në qeveri, kënaqet me ato që i japin socialistët në formë tenderash dhe dëmshpërblimesh.
Ben Blushi është i vetmi, që ka ndryshimin më të madh, nga deputet në fundmaji 2017 dhe lider i LIBRA-s, armik i betuar i Ramës dhe përkrahës i të vobektëve, tashmë është Shef i Madh në  media dhe mik i fshehtë i Ramës  Nuk ka asnjë të dhënë nëse të mirat materiale kanë luajtur rol në këtë ndryshim.
Niko Peleshi nga “zëvendës çuni më i mirë i Shqipërisë“ është kthyer në “lider rural”, por nuk ka asnjë shenjë rritje ose rënieje në raportet me Liderin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë, prej ku rrjedhin edhe të mirat materiale. Tashmë i atribuoet edhe shprehja “ më mirë i pari në fshat se sa i shtati në qytet!”
Peter Wilson vazhdon me projektet publike dhe private të Korçës, si dhe me disa mjaft të rëndësishme në kryeqytet. Me stilin e tij të quajtur “brutalizmi provincial Tasmanian”, vazhdon të çudisë të gjallët, që mezi presin të shkojnë në botën tjetër për të kuptuar këto “mrekulli arkitekturore të së ardhmes”.
Këta kanë qënë “personazhet kryesore” të blog-ut dhe si duket më qartë se në një kristal të ardhur hapësirave, as nuk “kanë pjerdhur” fare brenda një viti.
Më i trondituri duket një personazh i vetëkrijuar, që hyri para një viti me pseudonim si komentues në blog, dhe që pa të drejtë unë e quajta “mi gjirizi”. Ose i zhgënjyer nga perspektivat rilindase ose i prekur në interesat personale, ai e humbi vrullin e një përkrahësi pa kushte të Ramës dhe Peleshit dhe të demaskuesit të zjarrtë të autorit të këtyre rrjeshtave. Ndoshta kuptoi, që këta të flakin jo me shumë ceremoni.
Sa pak ka ndodhur brenda një viti dhe sa pak ndryshim.
Sidomos kur mendoj, që jemi 50 vjet pas vitit të jashtëzakonshëm 1968.

“The establishment” reziston


Nga inercia e sistemit?
Nga interesat e korporatave dhe pjesëve të shoqërisë të lidhura me to?
Nga burokracia e fuqishme?
Ndoshta nga të gjitha sëbashku.
Presidenti Matarella, megjithëse në një post gati honorifik, arriti të bllokojë “qeverinë e ndryshimit” të projektuar nga “5 stelle” dhe “Lega”. Në krah të tij janë padyshim Mateo Renzi, një politikan i preferuar i Brukselit, që drejtoi Italinë për 4 vjet pa fituar kurrë në zgjedhje dhe Berluskoni, njeriu tipik i “establishment”, i përzjerjes së korporatave me krimin dhe tipiku i të pasurit , që do të gëzojë jetën hedonistike në kurriz të milionave “të vegjël”.
Dy vjet më parë, Brukseli dhe Berlini arritën të nënshtronin qeverinë Cipras, e cila kishte ardhur në pushtet vetëm në sajë të pakënaqësisë të grekëve ndaj politikave shtrënguese të Bashkimit Europian dhe institucioneve të mëdha financiare. “Rebeli majtist” Aleksis Cipras, duke ndjerë forcën e madhe të “establishment” dhe duke dashur të qëndrojë në pushtet u bind. “Rebeli” tjetër Varufakis, që nuk ndryshonte kurs u flak jashtë politikës.
Tashmë, Cipras është në politikanët më të urryer në Greqi.
Vjet, në Spanjë u shtyp një tjetër revoltë popullore, ajo e Katalonjës, me ndihmën e Brukselit. U gjetën argumenta kushtetuese për të hedhur poshtë vullnetin e popullit.
Dhe të gjitha këto kryhen nga politikanë, që nuk e heqin “popullin” nga goja, që prej mëngjesit deri në darkë. “Interesat e popullit”, “vullneti i popullit”, “thirrja e sovranit”, “mirëqënia e masave”, “vox populi” e të tjera dëngla të sëtrdëgjuara në 70 vjetët e fundit, të së ashtuquajturës “demokraci të zhvilluar”.
Tashmë, kur populli Italian, pasi ka pasur për 7-8 vjet në krye politikanë të pavotuar, duke nisur me profesor Montin, e më pas me Renzin dhe Xhentilonin, kërkoi të qeveriej nga njerëz të caktuar, që kanë plane disi të ndryshme nga të Brukselit, “establishmenti” punon në hije dhe pas shumë e shumë pengesave, arrin të bllokojë vullnetin e popullit dhe të shpjerë vendin në zgjedhje të reja, deri sa të fitojnë politikanë pro-korporatave ose të nënshtrohen të rinjtë e “5 Stelleve”.
Demokracia e sotme, që predikohet nga partitë tradicionale është një demokraci e dështuar, ose më mirë mund ta quajmë “korporatokraci”.
Në mënyrë joviolente, Italianët u organizuan për të patur një “demokraci të drejtpërdejtë“, jo tërësisht të varur nga Brukseli dhe Berlini, por nuk mundën ta realizonin.
A do kryesojnë sërish në zgjedhjet e ardhme “5 stellet” dhe “Lega”?
Kjo është vështirë të parashikohet.
Vetëm një gjë është e qartë.
Ngjarjet e kësaj së djele në Itali ishin një hap prapa i Demokracisë

Thursday 24 May 2018

Qyteti do festa, por dhe festat me “karar”(në kohën e tyre).


Strategjia e nxitjes së turizmit nëpërmjet festave lokale e ka dhënë frytin e saj në Korçë. Thuajse gjatë gjithë vitit. Korça vizitohet nga vendas dhe të huaj, që kalojnë të paktën një fundjavë në qytet dhe në rrethinat e tij.
Tradita e panaireve dhe piknikeve të para Luftës së Dytë është shpënë tashmë në një nivel më të lartë, sidomos me Festën e Birrës, atë të Lakrorit, Ditët e Europës, Ditët e Amerikës dhe të tjera të përafërta. Megjithatë, ditët me më shumë turizëm mbeten tradicionalet fetare të Pashkës dhe të Krishtlindjes. Në ato ditë Korça thuajse dyfishohet.
Duhet kjo të jetë një mësim, që festimet mijëvjeçare mbeten më të ndjekurat ndaj dhe me datat e tyre është më mirë të mos ndryshohen.
Karnavalet janë festimet më të shumëngjyrshme dhe të gëzuara për shumë qytete në Botë, duke nisur me Rion dhe Venecian dhe duke përfunduar me Nju Orlenas dhe Patran.
Karnavalet e Korçës kanë qënë më të famshmet në Shqipëri, si dhe në gjithë zonën e Maqedonisë. I gjithë qyteti (dhe jo vetëm fëmijët) festonte i veshur “rrogeç”.
Por nuk ka asnjë kuptim, që një festë me lidhje fetare, që kthehet në një dëfrim të madh, ditën e nisjejs së kreshmëve (periudhë meditimi dhe sakrificash të trupit për një ngritje shpirtërore), të çvendoset në qershor, sikundër po bëhet një traditë tashmë e gabuar në qytet.
Nëse ka dëshmi historike për festa të llojit të Bakut, ose të tjera festa pagane shqiptare, le t’i ndrohet emri dhe le të festohet me maska apo me veshje të tjera të larmishme.
“Karnavalet e Korçës” janë “Karnavalet e Korçës” dhe janë festuar gjithnjë në shkurt ose në mars, në varësi të datës së fillimit të kreshmës.
Në rast se bëhen përpjekje për të kënaqur të gjitha komunitetet, le të festohen më me madhështi edhe Bajrami, Sulltan Novruzi ose ditë të tjera fetare, sipas karakteristikave të tyre.
Diçka më shumë duhet shfletuar edhe nga fotot e traditës korçare për të patur origjinalitetin e tyre. Në font , që paraqet Bashkia për të reklamuar këtë festim paraqet maska dhe veshje tipike të Karnavaleve të Venecias, që mbeten origjinale për atë festë ku janë përdorur dhe nuk duhet të imitohen.
Një festim i Karnavaleve në kohën e duhur mund të shoqërohet edhe në periudhën e mëpasme me promovime të prodhimeve bio dhe atyre vegjetariane, të cilat janë aq të sukseshme në botën e sotme dhe ndihmojnë për një edukim më të mirë në ushqimin e shëndetshëm të të rinjve.
Tradita e jonë në përdorimin e radhiqeve, fasuleve, trahanit, petkave, turshive, thierzave, hithkave, kuvareve, cironkave të thara dhe sa e sa lloje të tjera pjatash pa mish mund të tërheqë edhe më shumë turistë, por për më tepër do ndryshojë për mirë kulturën tonë të të ngrënit, që sot për sot sundohet nga mishi.
Ndaj le të festojmë, por në kohët e duhura, të provuara nga shekujt.

Tuesday 22 May 2018

Kur te penduar s’ke 2K dhe 2B, do pranosh “dëshmitarin – X”. Matematikë e thjeshtë.


Ka një sulm të përmasave titanike ndaj Babales. A thua se fati i Shqipërisë varet në karakteri i tij dhe ajo ç’ka bërë ndaj Geron Xhafajt. Të gjitha mediat që përkrahin qeverinë së bashku me deputetët socialistë, që nuk rrinë dot pa folur, si dhe “kontigjentet e përhershme intelektuale” të PS-së, si Zabiti e ndonjë tjetër, po denigrojnë sa të jetë e mundur të gjorin Veliu.
E them të gjorin, sepse “Babaleja” edhe nëse pat zgjedhur një rrugë jo të paqme në jetë, e ka paguar me burg në Itali dhe Shqipëri. Mund ta quash edhe viktimë të një kriminaliteti të përhershëm të zonës së Vlorës dhe Fierit, ku ka ekzistuar dhe ekziston një rrjet i gjërë i trafikantëve të refugjatëve dhe atyre të drogës. Të gjithë e dinë se një pjesë e mirë e pallateve të ndërtuara në këto dy qytete, janë nga pastrimi i parave të skafistëve. Babaleja dhe të tjerë si ai, janë ushtarët e thjeshtë të “brigadave” mafioze të asaj zone, krerët e të cilave ose janë të lidhur ngushtë me politikën ose kanë arritur t’ju shpëtojnë burgjeve.
Por pikërisht ndaj këtij “ushtari” ose “ish-ushtari”  janë ngritur shënjestrat e të gjithë arsenalit të lidhur me PS-në. Pritet vetëm Fatos Klosi, që të hedhë dyshimin e tij prej ish-kryespiuni, se Babaleja ka qënë agjent i “Lega Nord” dhe i Putin.
Po pse opozita dhe forcat e tjera të shoqërisë shqiptare, që nuk mbështesin qeverinë shqiptare kapen pas dëshmisë dhe “përgjimit” të një njeriu dikur të inkriminuar si Veliu?
Nuk di se sa lloj dëshmish të tjera me dokumenta apo “rrëfime” zotërojnë PD-ja, që mund të rrëzojë qeverinë Rama, por nëse nuk kanë në dorë të tjera më të rëndësishme, sigurisht që do përdorin rregjistrimin e Babales.
Ka disa njerëz, që dinë shumë për zullumet e Ramës dhe PS-së dhe, që janë flakur nga Rama, por ende nuk pendohen dhe të dëshmojnë kundër tij për hir të fëmijëve të tyre dhe Shqipërisë.
Mes tyre shquajnë 2K (Koço Kokëdhima) dhe Ben Blushi (të cilin po e quaj 2B).
Dy politikanë dhe njerëz të medias shumë të afërt dikur me Ramën dhe, që e kanë sulmuar për karakterin e tij me epitete nga më eksteremet. E kanë përcaktuar si “njeriun që po shkatërron Shqipërinë“, por megjithatë nuk paraqesin asnjë dëshmi nga ato, që mund ta shpien Ramën pas hekurave.
Mund të quhet si absurde kjo ide, se Kokëdhima dhe Blushi duhet të implikojnë edhe veten në aferat e “fëlliqura”, që kanë bërë bashkë me Ramën, por nëse duan , që Rama, “nemesis” i tyre të thyejë qafën, këtë “sakrificë“ duhet ta bëjnë.
Tek rasti i Babales përzjehen pakënaqësitë e “mishit për top”, që nuk ka arritur të mbarojë dot shtëpinë, ndërsa kapot e tij jo vetëm nuk kanë bërë burg, por gëzojnë pallatet e ndërtuara dhe lokalet e tyre, pas të cilave fshihen “thelat e mëdha” të drogës, ndërsa Babalet kanë marrë vetëm thërrimet dhe burgun.
Moralisht, Babaleja është ku e ku më lart se Geron Xhafaj dhe shefat e tij. Ndoshta burgu ja ka dhënë mësimin e hidhur të jetës.
Ai është më lart edhe se 2K dhe 2B, edhe pse dy të fundit mund të bëjnë moral në televizionet dhe gazetat, që drejtojnë.
Perëndimi nuk i denigron “të penduarit” kështu si bëjmë ne. I inkurajon edhe media, se vetëm në këtë mënyrë, mafiozët mund të shkojnë pas hekurave.
Dhe sa për opozitën, kur nuk ka dëshmi nga 2K-të dhe 2B-të, do përdorë formula me X-in, Babale.
Matematikë e thjeshtë, që mund të miratohet edhe nga Gjinushi.

Monday 21 May 2018

Leksion nr. 2 për studentët e vitit I të arkitekturës


Ndoshta pasi ju jepet leksioni i parë, studentëtëve të arkitekturës, duke filluar me thënien e njohur të Luis Kahn “Edhe një tullë do të kthehet në diçka të rëndësishme” dhe duke e shtjelluar më tej se si një mori tullash, qelqesh, pllakash, të mirëorganizuara të frymëzojnë për të jetuar më mirë dhe më bukur.
Eshtë diçka e domosdoshme, për të nxitur fantazinë jo hapësinore por shpirtërore të atyre, që aspirojnë të bëjnë të tyren një nga profesionet më fisnike të njerëzimit.
Leksioni i Dytë, për mua duhet të nisë me këtë foto dhe të titullohet:
Si nuk duhet të jetë arkitektura e qendrës së një qyteti!
Le të themi, se leksioni nuk mbahet në Shqipëri dhe se asnjë nga të pranishmit nuk e njeh Korçën. Nëse i pyet se : “C’shikoni këtu?” si do përgjigjen vallë?
Hamendja ime është që një përgjigje mesatare do jetë:
-          Shohim një shesh ose trotuar të madh të shtruar me gurë, por me një perspektivë të mbyllur për kalimtarët nga një vëllim i rëndë ngjyrë kafe e errët, që nuk të shpie kund.
-          Ndërtime të paharmonizuara, që i bashkon vetëm një lloj qethje e barabartë e lartësive.
-          Një kullë metalike telekomunikacioni, që duket pa shumë lidhje me ç’ka e rrethon.
Kjo do ishte përgjigja e atyre, që nuk kanë kaluar kurrë në këtë shesh dhe , që nuk mund të arrijnë të përcaktojnë se ku ndodhet.
Formulimi i keq i kësaj pjese të Korçës, që ka qënë dikur e ndërtuar bukur, ka filluar shumë kohë më parë se të vinin bashkiakët e sotëm dhe arkitekti Wilson. U gabua me ndërtesën administrative (Komitetin e Partisë) dhe më shumë akoma me antenën e Postës, për të cilën specialistët e kohës këmbëngulën të ishte jashtë qytetit, por pseudo-argumentat teknike të inxhinierëve të PTT-së e bënë të detyrueshme në atë vend.
Dy ndërtimet e fundit me autor Peter Wilson dhe sidomos Biblioteka i japin dërmën e fundit këtij fragmenti hapësinor të rëndësishëm, ku duken të pafajshme tre gështenjat e egra të mbjella dekada më parë.
Përse nuk duhet ndërhyrë kështu, të rinj , që aspironi të bëheni arkitektë?
-          Sepse ndërtimet e reja janë të proporcionuara keq dhe “arrogante”
-          Sepse nuk marrin në konsideratë dritën dhe ç’kanë tjetër përreth
-          Sepse nuk sjellin asgjë të re dhe novative në një mjedis ekzistues
-          Sepse zenë një vend, që nuk duhet ta zenë dhe cënojnë peisazhin me vëllimin e tyre
-          Sepse edhe nëse i jepeshin si kuba dhe paralelpipedë një fëmije për t’i vendosur, ai do kishte pak më shumë “bon sens”.
Shikojeni dhe rishikojeni; hiqni vëllime dhe luani me to; mundohuni të shikoni diçka të bukur dhe nëse nuk e gjeni mos u dëshpëroni.
Kini mësuar se si nuk duhet të ndërtohet!

Sunday 20 May 2018

Shqipërisë i duhet një Ministër i brendshëm nga Korça


“Nga Korça”, “pe Korçe” apo “korçar” nuk ka rëndësi shumë të madhe. Gjatë një shekulli Shqipëri, vetëm një ministëri brendshëm ka qënë korçar dhe quhej Koçi Xoxe. Bile teknikisht, as Koçi nuk ishte korçar, se kishte lindur në Negovan të Greqisë në një familje maqedonase. Më parë dhe sidomos pas tij, të gjithë ministrat e policisë dhe sigurimit ishin ose matjanë, ose kosovarë, mallakastriotë, tepelenas, lebër, skraparllinj, kuksianë, tiranas, shkodranë, gramshiotë dhe dibranë. Asnjë korçar për be.
Pasojat tashmë dihen.
Polici dhe Sigurim i egër gjakatarësh deri në fillimin e viteve ’90 dhe më pas korrupsion, “një çiçkë drogë“, viza fallco dhe të tjera skandale si këto kanë pushtuar Ministrinë, që duhej të ishte në Frontin e luftës ndaj krimit.
Nëse të duheshin pashaporta fallco, patenta për njerëz që nuk ngisnin dot makinë, lidhje për të transportuar kanabis, i gjeje pranë drejtorive të policisë. Në çdo qeveri dhe nën çdo ministër. Bile sa më gjatë rrinte në karrige një ministër, aq më shumë i zhytyr në krim ka qënë. Më jetëgjati, ishte tepelenasi Saimir Tahiri, që pasi i veshi policëve “poture të reja” i lëshoi të ruanin parcelat me kanabis.
Ja edhe ministri reformator, labi Fatmir i Xhafajve, vëritet është një jurist i përkushtuar, por nuk shpëton dot nga trimëria dhe prirja për zullume e sojit të tij lab, që po mos vjedhë do merret me refugjatë dhe po mos ketë refugjatë do nakatoset me pakëz drogë.
Fundi i llafit duhet korçar!
Eshtë e mira të jetë jurist ose ushtarak, por edhe një karrierë e shquar në qeverisje dhe administratë, për mendimin tim është e mjaftueshme, për të ngritur një “polici të painkriminuar”.
Që duhet të jetë i Partisë Socialiste, kjo nuk vihet në dyshim, se nuk ka kuptim të rrëzohet qeveria, që të vemë një korçar.
Kandidati më i përshtatshëm duket Niko Peleshi, por tani në maj, në kulmin e punëve bujqësore kur janë mbjelljet, vaditjet, prashitjet, terharrjet, spërkatjet, lesimet dhe qilizmat, lëvizja e Ministrit të Bujqësisë do sjellë një dëm të paparë në sektorin e Bujqësisë, që përfaqëson 20% të GDP-së të vendit.
Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, mund të jetë një kandidate e spikatur, por me lëvizjet shumë agresive të Putin në Ballkan dhe lidhjet e saj familjare me sho Servet Pëllumbi (një filorus i thekur) nuk është aq e udhës që të dijë gjithë sekretet e shtetit. Vërtet tani drejton ushtrinë, po ne ushtri s’kemi, radarët i mbajmë të shojtur dhe aeropllanë nuk blemë dot, kështu që posti i Ministrit të Mbrojtjes lidhet vetëm me paradat.
Raqi Filoja është një administrator i mirë, por Edi Rama i ka nxjerrë namin , që “ka frikë nga pulat” dhe nuk është e udhës, që të vihet Ministër i brendshëm një pulëfriguar.
Kush mbetet?
Petrika Tollkuçi.
I vendosur, militant, me lidhje të hershme familjare me Partinë, vigjilent, i dalluar për të mbajtur në shënim emrat e kundërshtarëve, tradhëtarëve dhe revizionistëve, edhe pse pa arsimin përkatës, Tollkuçi mund të jetë një ministër i përsosur. Tingëllon edhe bukur!
“Si e theksoi edhe ministri Tollkuçi, terrorit të bardhë do i përgjigjemi me terror të kuq!”
Tamam sikur të godasin me shkop kauçuku.
Xhafaj ik!
Shqipërisë i duhet një si Tollkuçi!

Saturday 19 May 2018

A do kthehet Kapiteni Lu për Moby Dick-un e korrupsionit?


Metafora e “peshqve të mëdhenj” e përdorur nga ambasadori amerikan Donald Lu dhe obsesioni i tij me “të mëdhenjtë“, të sjell në mendje të famshmin Kapiten Ahab dhe përpjekjet e tij stërmëdha për të zënë balenën vrastare.
“Lundrimit” të parë të ambasadorit Lu në Shqipëri po i vjen fundi dhe balenën e bardhë të korrupsionit shqiptar ka arritur ta shquajë në horizont, por nuk i është afruar dot. Mbase edhe pse i mungonin edhe baleniera, edhe marinarët, edhe fushnjat.
Donald Lu u mundua të krijonte nga hiçi balenierën e quajtur “Reforma në Drejtësi” dhe me vështirësi, me hartime dhe prishje projektesh arriti të bëjë diçka. Ndoshta baleniera nuk është e shpuar dhe do jetë në gjendje të dalë në det të hapur, por proçesi i ndërtimit është tejet i ngadalshëm. Nuk është çudi, që e ngadalshme do jetë edhe vetë anija e gjuetisë.
Deri tani është arritur vetëm skartimi i disa pjesëve të prishura dhe asgjë më tepër. Inercia e sistemit të vjetër dhe ngadalësia e procesit të Vettingut, i kanë bërë shqiptarët të jenë pesimistë për kapjen e “peshqve dhe gjitarëve të detit”.
Në këtë proces të vështirë, vërtet që Donald Lu nuk humbi një këmbë si Kapiteni Ahab, por u përfol nga qarqe të caktuara të vendit dhe të huaja, si diplomat i njëanshëm, si diplomat që tejkalon me impenjimet dhe ndërhyrjet statusin e tij. Javën e fundit është folur me keqdashësi edhe se ky ishte fundi i karrierës së tij diplomatike, që është më shumë se humbja e një këmbe apo një syri.
Po pse është kaq e vështirë të kapet Moby Dick-u shqiptar i korrupsionit?
Eshtë më se stërmadh?
Ndoshta Donald Lu gaboi kur u mbështet më shumë në fuqia politike, që është në pozitë dhe ka të ngjarë të jetë koka e Moby Dick-ut?
Mbase e gënjejnë gjithë marinarët që ka rrotull dhe ju beson?
Nuk janë pyetje që kanë një përjigje të thjeshtë. Edhe me vendosmërinë dhe durimin e tij, Donald Lu nuk mund të bëjë mrekullira.
Në romanin e Herman Melville “Moby-Dick”, kapiteni Ahab përgatit një ekspeditë tjetër për tu hakmarrë përfundimisht ndaj balenës vrasëse, që i mori këmbën. Me pasion, përkushtim, kujdes për hollësitë kryen një udhëtim të guximshëm.
A do kthehet Kapiteni Lu për balenën e korrupsionit shqiptar pas disa vitesh?
Ka të ngjarë, që kjo të jetë thuajse e pamundur.
Ndoshta më mirë se edhe fundi i Ahab-it ishte tragjik.

Friday 18 May 2018

Pikej, Dio dhe Pixhi


Pikej, Dio dhe Pixhi janë tre personazhe të qytetit tim, që jetojnë në pika të ndryshme të globit. Nuk di se sa njihen me njëri tjetrin dhe nëse kanë ndonjë lidhje gjenetike, por karakteristikat i kanë shumë të përafërta. Bile edhe ato fizike. Shtatlartë, me trupa thuajse atletësh dhe me vështrime zhbiruese, të folur me zë të impostuar dhe fraza të zgjedhura mirë.
Të tre patën qëlluar të pafat. Me ambiciet, vullnetin dhe aftësitë për të krijuar situata të favorshme për veten, nëse do ishin lindur në Gjermani, Francë apo Amerikë, apo edhe nëse do kishin patur mundësi të emigronin në perëndim do kishin arritur në majat e politkës, artit apo sportit. Nuk ishin të interesuar për shkencën. Por mbetën në Korçë dhe u shquan për sukseset, po aq edhe për shkatërrim jetësh të të tjerëve. Se ndjeheshin ose ishin diçka si “supernjerëz”. Dhe “superat” detyrimisht nuk kanë pse të mendojnë shumë për jetën e të zakonshmëve. Bile në “seleksionin natyror”, “superat” ngrihen dhe shquhen mbi jetët dhe karrierat e të tjerëve.
Të paarritshëm në gjenialitetin e tyre malinj, kujtohen mirë edhe për thëniet e tyre ekzemplare mbi të cilat shquan:
“Kur më njohën kushërinjtë perëndimorë të gruas, i thanë asaj,-Ti nuk je martuar me një njeri, por me një Perëndi!”
Edhe pse mund të duket se është shprehje e Dios, ajo i atribuoet Pikejt. Dhe me të vërtetë, duke qënë edhe shumë i afërt me Degën e Punëve të Brendëshme, ai kishte luajtur rolin e Zotit, në shumë çështje delikate financiare dhe kishte rënduar pozitat e të akuzuarve edhe pse e dinte se ishin të pafajshëm.
Pixhi nga ana tjetër, pas rënies së sistemit, akuzonte Sigurimin se i kishte punuar shumë intriga, ndërkohë, që duke qënë funksionar partie i devotshëm, kishte “fundosur” shumë të rinj, që nuk ishin në “përputhje të plotë me vijën e Partisë“. Sukseset në jetë ja dedikonte: “Kulturës familjare, besimit të fortë në Zoti, përkushtimit  dhe tolerancës.” Diku duhet të kishte patur punë me Djallin, por imitimi i tij, duket se pak kishte ndikuar në sukseset e arritura.
Të tre kishin qënë dhe mbeteshin thellësisht të tërhequr pas femrave pa dallim feje, moshe apo ideje. I bënte të ndjehshin të pushtetshëm. I motivonte për të arritur majat e sukseseve dhe për të shkelur mbi rivalët. Dio përdorte shpesh një shprehje shumë të sukseshme kur refuzohej : “ Ti nuk ke zemër! Ti ken jë gur në vend të saj!” E theshte me një ton deklamues, imponues dhe zemërdredhës, që i bënte të mendoheshin dy herë, ato, të cilat donte të shpinte në shtrat.
A ishin dhe janë monstra?
Nëse do dëgjosh ata, që janë prekur drejtpërdrejt nga intrigat e tyre, vërtet kanë qënë të tillë.
Unë do i cilësoja si qënie bashkëkohore të suksesshme.
Sot, ky lloj është shtuar shumë e më shumë.
Dikur numuroheshin me gishtat e dorës.
Mes tyre shquheshin Pikej, Dio dhe Pixhi.

Thursday 17 May 2018

Në do të bësh karrierë, kujto Bahri Omarin!


Këto janë fjalët, që i pëshpëriti shoku Enver në vesh atë paradite 1 maji në tribunën perballë Komitetit Qëndror, Fatmir Xhafajt. I emocionuar, i rrojtur dhe i krrojtur, edhe pse e dinte se cili kishte qënë Bahri Omari, Fatmiri nuk arriti të kuptonte thellësinë filozofike të asaj porosie. Kur e kishin thirrur në Komitetin Qëndror, shokët e rëndësishëm e kishin porositur, të mos e pyeste gjërë e gjatë shokun Enver, se për shkak të moshës dhe halleve të popullit mbi shpatulla, Udhëheqësi edhe mund të harronte ndonjë hollësi. Ndaj dhe studenti I Juridikut pat menduar se ishte thjesht një lajthitje emri dhe në vend të Bahriut mund të kishte qënë fjala për Fojerbahun, Omar Khajamin ose Frensis Bejkën, ndaj dhe gjatë studimeve në fakultet dhe viteve të stazhit të komunistit, ai u përqëndrua në studimin e tre filozofëve të rrymave të ndryshme, kohëve të ndryshme dhe vendeve të ndryshme.
Shumë vite më vonë, kur sistemi kishte ndryshuar dhe dijet filozofike mund të të linin pa bukë, shoku Fatmir, sërish i rrojtur dhe i krrojtur, por me flokë thuajse të bardha, e kuptoi se sho Enver e kishte fjalën për kunatin e tij Bahri.
Jo se nuk e donte Enveri Bahriun. Nuk ishte as mosmirënjohës për ndihmën që ju kishte dhënë Omari të gjithë njerëzve të gruas, por duhet të zgjidhte mes faljes së pushkatimit të Bahriut dhe Enverit. Pa pushkatimin e Bahriut nuk do kishte Udhëheqës Enver, ndaj dhe ai zgjodhi pushkatimin. Këtë ja pat shpjeguar edhe nënës së tij Gjylistan dhe ajo e pat kuptuar. I jati, xha Hyseni, ishte më pak i zgjuar dhe nuk arriti asnjëherë të kuptonte se si i biri, i madhi i vendit, mund të vriste dhëndërin e shtëpisë, që i pat mbajtur me bukë.
Këtë porosi e kujtoi Fatmiri në vitin 2002, por zgjodhi të bënte një punë edukative shëmbëllore me të vëllanë e tij Agron, në mënyrë, që ta kthente në rrugë të mbarë. Se në fund të fundit, edhe Bahri Omari nuk kishte më shumë se 7-8 vite jetë kur e pushkatuan. Kurse Agron Xhafaj, një I ri revolucionar nga Vlora, ishte shoqëruar me njerëz të gabuar dhe vetëm për këtë duhet të shpinte dëm 7 vite të rinisë së tij në burg në Itali. Aq shumë kishte ndryshuar Agroni, sa në vitin 2009, dëshëronte edhe të hynte në grevën e urisë të socialistëve për qëllimin e lartë të “hapjes së kutive”. Fatmiri nuk e lejoi.
Por vitet rrodhën, Agroni u bë një Gerond familjar i shkëlqyer dhe Fatmiri u bë Ministër i Brendshëm, i detyruar nga Ndërkombëtarët për hir të Shqipërisë.
Hieja e dënimit të Agronit nuk i ndahej.
Ndaj e kujtoi përsëri shokun Enver dhe Bahriun dhe I tha vëllaçkos: “Bëj si të bësh dy-tre vjet në burg në Itali, se po mos jem unë në krye edhe ty më keq të merr lumi! Ma ka thënë shoku Enver 37 vjet më parë!”
Kështu u bë!
Dhe kjo është të jesh revolucionar, të jesh parimor, të vesh interesin e përgjithshëm mbi atë vetiak, të vesh Shqipërinë mbi Gerondin!
Rroftë Partia jonë e lavdishme!
Lavdi Marksizëm-Leninizmit!

Saturday 12 May 2018

A do e “hanë“ perëndimorët lojën me Tahirin?


Saimir Tahiri, çuditërisht, tani ndodhet në gjendjen më të mirë, qysh prej një viti, kur nuk pranoi të dorëhiqej nga qeveria Rama 1.
Këtë gjendje nuk e fshehu dot as në ditën, kur vetëhoqi “mburojën” e deputetit. Ai i sulmoi të gjithë (veç Ramës), duke mos pranuar asgjë veç disa “gabimeve të vogla”. Nuk ishte Tahiri me “pendë të rëna” i fillimit të Legjislaturës, as “i kreshpëruari” kur u botuan përgjimet e Habilajve dhe as “sqepmbylluri”, kur u gjetën patentat e tij të lundrimit pranë një shumë 800 mijë eurosh, brenda makinës së mikut të tij Sota.
Sot, dhjetë ditë më vonë dhe 7 muaj pas plasjes së skandalit, gjykata vendos që ndaj ish-ministrti të brendshëm të vendoset masa “arrest në shtëpi”.
Nuk merret parasysh as rëndësia e krimit për të cilin akuzohet dhe as fakti, që duke qënë ish-ministër i brendshëm ai ka ende mundësi të manipulojë provat dhe dëshmitarët. Veët e fakti, që në ditët e diskutimit të heqjes së imunitetit, dhjetra mbështetës të tij manifestuan pranë shtëpisë së tij dhe Kuvendit Popullor, duhet të ishte një rrethanë rënduese për të vendosur masën “e arrestit në burg”. Edhe si qytetar i thjeshtë, Saimir Tahiri ka një rrjet të ngritur, të lidhur ose jo me drogën, i cili mund të ketë ndikim , që procesi mos jetë tërësisht i pastër dhe objektiv.
Por, sikundër e kanë theksuar këto dy javë shumë vrojtues të paanshëm, dorëzimi i mandatit të Tahirit dhe arrestimi i tij është i gjithi në sajë të presionit të Gjermanisë, ndaj një mbështetje të hapur, që Tahirit ju dha nga Kryeministri dhe Partia në pushtet. Nuk ka pikë dyshimi, se “ndërmjetësit” kanë bindur Tahirin, që rruga më e mirë për të është të presë në shtëpi një proces të tejzgjatur gjyqësor, të kushtëzuar edhe nga gjendja jo e mirë e prokurorisë dhe gjykatave për shkak të Vettingut.
Po a do e “hanë“ perëndimorët këtë lojë Rama – Tahiri?
Nuk është e papritur, që dashamirës të Ramës në Internacionalen Socialiste, ta quajnë sin jë hap pozitiv dhe të dobishëm për hapjen e miratimit të negociatave. Më optimistët, naivët dhe të përlyerit mes tyre, mund të justifikojnë me Reformën në Drejtësi, që procesi në ngarkim të Tahirit do jetë i drejtë dhe i pandikuar nga politika.
Po si do sillen skeptikët dhe ata, që e njohin nga afër demagogjinë e Ramës?
Kjo vlen të shikohet në javët në vazhdim, por nëse të gjithë “skandalin Tahiri”, duke filluar me emërimin e pamerituar si ministër, duke vazhduar me kanabizimin e vendit dhe përfshirjen e drejtuesve të policisë në trafik droge dhe duke e mbyllur me përgjimet e Habilajve dhe reagimet e Ramës në këto shtatë muaj, nuk e lidh ngushtë me kryeministrin atëhere do të thotë, që ke mbyllur të dy sytë dh eke zënë njërin vesh ndërsa tjetrin e ke plotësisht të dylllosur.
Hapja e negociatave duhet të ketë kusht arrestimin me burg të Tahirit dhe mbylljen e procesit penal ndaj tij. Me një kryeministër të implikuar dhe që me agresivitet ushtron presion ndaj deputetëve të tij dhe organeve të pushtetit juridik nuk mund të ketë as dënim të Tahirit dhe as luftë ndaj krimit të organizuar.
Le të shpresojmë, që të huajt dashamirës ndaj Shqipërisë të ushtrojnë më shumë presion ndaj kryeministrit të përlyer të këtij vendi dhe t’ju besojnë më pak lojrave të tij.

Mitingu i Voskopojës i majit 1943

Në maj të vitit 1943, një numur i madh liceistësh të Korçës, “dolën partizanë“(shprehje e përdorur në ato vite dhe sidomos pas luftës), sipas porosisë të udhëheqjes të Qarkorit të Korçës. Dalja e tyre në masë u bë e organizuar dhe demonstrative. Prandaj u organizua edhe një miting, ku u shpreh vendosmëria e të rinjve për të luftuar fashizmin italian dhe aleatët e tij të Boshtit Romë-Berlin -Tokio. Mes tyre ishte edhe babai im, Andon Mara, që  në këtë foto, si ish-pjesëmarës, mban një fjalë përkujtimore në atë vend, në vitin 1973.
Bashkimi me forcat luftëtare në mënyrë demonstrative ka qënë e menduar mirë nga komunistët. Liceistët ishin njerëz me një emër shumë të mirë në qytet. Pjesa më e madhe vinin nga familje të mesme dhe të pasura, që kishin ndikim në Korçë. A ishte kryesisht me vlerë propagandistike, apo vërtet çetat dhe batalionet e Frontit Nacional-çlirimtar kishin nevojë për luftë të armatosur, kjo gjë nuk del e qartë në dokumentat e kohës.
Ka një fakt, që në pranverën e vitit 1943, fashistët Italianë arrestuan një numur të madh korçarësh të lidhur me lëvizjen antifashiste. 140 prej tyre u internuan në Porto Romano dhe në Itali. Nuk ishin vetëm të rinj dhe jo të gjithë të Frontit. Kishte edhe patriotë të lidhur me Ballin, ose dhe kundërshtarë të Italianëve, por që nuk i përkisnin ndonjë organizimi politik. Ndoshta si përgjigje ndaj kësaj raprezalje u mendua edhe dalja në mal e një numuri të madh liceistësh. Në skenën europiane, edhe pse gjermanët kishin pësuar disfatë në Stalingrad, dukeshin ende shumë të fortë dhe të pathyeshëm. Fronti I Perëndimit do hapej pas më shumë se një viti.
Liceistët ishin të gjithë anëtarë të Rinisë Antifashiste ose të Rinisë Komuniste. Këta të dytët konsideroheshin kandidatë për tu anëtarësuar në Partinë Komuniste.
Edhe pse të përfshirë prej kohësh në lëvizjen ilegale, liceistët, mosha e të cilëve sillej nga 18 deri në 23 vjeç, nuk kishin asnjë lloj përgatitje për të luftuar. Një pjesë e madhe prej tyre kishin marrë pjesë në shpërndarje traktesh dhe në ndonjë aksion tjetër ilegal, por edhe revolverët nuk i kishin përdorur ndonjëherë. Entusiazmi i moshës, njëfarë aventurizmi, urrejtja ndaj Italianëve që ishin bërë zotërit e vendit, ëndrra e përhershme e të rinjve për të ndryshuar botën i shtynë, që me dëshirë të linin librat dhe të hynin në një “valle” të paprovuar dhe shumë të rrezikshme. Në Voskopojë i prisnin disa nga shokë t e tyre, që kishin dalë më parë partizanë dhe mësuesi i matematikës Raqi Qirinxhi, shprehja e të cilit në atë miting “Si mësuesi juaj kam qënë dorështrënguar në nota, por tani ju ve të gjithëve notën 10!” u bë e famshme pas luftës. Shumë prej tyre, përfshi edhe mësuesin Raqi Qirinxhi nuk u kthyen më në shtëpitë e tyre. Të tjerët, të shpërndarë në çeta dhe batalione të ndryshme, u kthyen pas lufte fitimtarë dhe të nderuar, duke patur mundësi të vazhdonin studime jashtë shtetit dhe të kishin karriera të rëndësishme në fushat e jetës. Eshtë për të shënuar se nga gjithë liceistët, që lanë shkollimin për të vazhduar luftën në mal ose edhe në qytet, asnjë nuk mundi të ngjitej në majën e kupolës komuniste të pasluftës.
Postet më të rëndësishme i arritën Nesti Nasse si Ministër i Jashtëm, Llambi Ziçishti si Ministër i Shëndetsisë, Gafur Cuçi si anëtar i Komitetit Qëndror, Jani Mio si zv.kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe të tjerë në poste më të ulëta. Edhe pse të arsimuar dhe me pjesëmarje aktive në luftë, asnjë prej tyre nuk arriti të bëhej anëtar ose kandidat I Byrosë Politike as në kohët “ e egra” dhe as në ato “liberale”. Nga katër të sipërpërmendurit, Ziçishti u pushkatua, Nasse dhe Cuçi u dënuan me burgime të gjata, ndërsa Mio e mbylli karrierën si llogaritar i thjeshtë në Maliq.
Mitingu i Voskopojës nuk përmendet në shtypin e periudhës së tranzicionit, kur diskutohen gjërë e gjatë gjithfarë ngjarjesh të asaj kohe. Ka mbetur ende një lloj prirje për të mbuluar ato, që lidhen me luftën dhe qytetin e Korçës, ndoshta nga ndikimi i fortë i pinjollëve të “Zonës së Parë Operative” a ndoshta se korçarët e “reklamojnë“ më pak ato ç’kanë bërë.
Katër muaj më pas se ky Miting, në shtator 1943, e gjithë Korça doli në një demonstrateë festive për rënien e Fashizmit në Itali dhe në këmbët e Luftëtarit Kombëtar u vranë nga një autoblindë italiane 59 korçarë dhe u plagosën 104 të tjerë. Eshtë masakra më e madhe në Ballkan ndaj një turme paqësore gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në Pedonalen e qytetit me vështirësi mund të gjesh diçka që i kujton këta njerëz të rënë

Friday 11 May 2018

Edhe ky është Art!


Një foto vitit 1992 e një fotografi austriak në apartamentin e Edi Ramës edhe pse nuk është “çuditërisht e çuditshme”, plotëson mozaikun e madh psikologjiko-artistik të kryeministrit tonë. Ata, të cilët e mbështesin, mund të thonë se “Ky është Art!” dhe unë nuk e ve në dyshim se mund të klasifikohet si instalacion modern. Problemi i vetëm me të dhe me artistin, që fshihet pas veprës, është se ambiciet artistike, kur shoqërohen me shumë pushtet, si të qënit Kryetar Bashkie apo Kryeministër, atëhere paraqesin rrezikun, që “instalacion” të kthehen mjediset publike dhe qytetet.
Unë nuk rrekem të gjykoj artin e Ramës edhe pse ndër veprat, që i kam parë herët në Galerinë e Arteve dhe më vonë në fotot e shtypit, më kanë lënë mbresën se është një artist mediokër.
Por “des gustibus et coloribus disputandum non est”. Ai i quan veprat e tij (ku hyn edhe dhoma e ditës në foto dhe bunkeri me plaçka të përdorura) art dhe kjo nuk ka pse të diskutohet.  Përderisa artisti Rama mund të ekspozojë pa përdorur ndikimin e tij si kryeministër, nuk ka pse të paragjykohet arti i tij. Artistë edhe më ekscentrisë ka pasur e do ketë gjithnjë në botë. Ramën e ndihmojnë idetë, kultura, filozofia (edhe paraqitja e tij) për të lënë mbresa në rrethe artistësh dhe kritikësh. (Sipas Ornela Vorpsit ai kështu mrekulloi gjithë Parisin.) Kritiku i njohur italian i artit Vittorio Sgarbi është mik i Ramës dhe si ai ndoshta edhe shumë të tjerë.
Por (dhe këtu duhet një por me gërma kapitale) Rama bëhet i rrezikshëm, kur imponon shijet e tij në lyerjet e fasadave te apartamenteve të banimit në Tiranë, sikundër bëri në vitet kur ishte Kryetar Bashkie.
Qyteti nuk është dhoma e ndënies e Kryetarit –Artist!
Gjithashtu i rrezikshëm është kur afron arkitektë dhe urbanistë, të cilët kanë shije të njëjta me të dhe i favorizon dukshëm ndaj të tjerëve.
Paraqitja e një qyteti në një kohë të caktuar (flas për kohët moderne dhe vendet demokratike) duhet të jetë një rezultante e shijeve të shoqërisë dhe jo të një individi të vetëm.
Ngjyra e përdorur nga Rama në vitin 1992 dhe shkrimet mbi të, më kujtojnë ngjyrat, që përdor arkitekti Australian Wilson, mik i Ramës, në disa nga projektet e tij në Korçë. Sigurisht është më “i zbutur” se nëse Edi shkruan WC në murin e tij, ai shkruan RED në majën e Kullës Vrojtuese të Korçës.
Mbase të dy janë aq avanguardistë, sa ne, vdekëtarët e zakonshëm nuk i kuptojmë por pas 100 vjetësh, njerëzit do mrekullohen me veprat e tyre.
Por unë dhe ti, i dashur lexues, jetojmë këtë kohën tonë dhe nuk duam ta jetojmë të diktuar nga shijet e Ramës, Wilson-it apo të tjerëve artistë si ata.

Thursday 10 May 2018

“Gazezarbat” agresivë


Nuk di se se si është raporti i gazetarëve agresivë dhe gjobaxhinj me gazetarët e përvuajtur dhe të përgjegjshëm në Shqipëri. Eshtë e vështirë ta përcaktosh, se jo vetëm , që nuk ka studime të tilla, por edhe ata, që kanë një status gazetari, me diplomë apo jo, janë të panumurt në atdhe dhe nuk është e mundur t’i ndjekësh në veprimtarinë e tyre.
Ishin disa shkrime rreth një gazetari të shqiptarja.com, që më risollën në mendje disa “tregime anekdotike” që kanë të bëjnë  me të ashtuquajturit gazetarë të Tiranës.
Rasti i gazetarit Adriatik Doçi ndoshta nuk është më tipiku, por është interesant sepse lutjet, sulmet dhe hakmarrjet zhvillohen brenda formacionit të majtë, që është në pushtet.rsimit
Një një e-mail drejtuar deputetit socialist Sadri Abazi, për të ndërhyrë pranë drejtores së Arsimit të Kamzës, Ermioni Cekani, për të futur në punë si mësuese gruan e tij, ai shkruan:
“…Babai ka qënë 25 vjet sekretar partie. Xhaxhai im, Ali Doçi, prej 26 vitesh ka qënë dhe është komisioner i PS në komunën Rukaj dhe tashmë në Burrel. Ne si familje ka 26 vjet që mbështesim PS…”
Gazetari vtëm për këtë e-mail duhet të ishte pushuar nga puna. Eshtë thuajse njëlloj, sikur në vitet ’70, një gazetar gjerman të kërkonte favore nga administratë, se i jati kishte patur pozitë me rëndësi në Partinë Naziste.
Por i ashtuquajturi gazetar, që mburret me babanë e tij sekretar partie me stazh prej çerek shekulli, nuk ndalet me kaq, por pasi Drejtorja nuk ja fut gruan në punë, nxjerr gjoksin si njeri i pushtetit të 4-tërt dhe kërcënon Cekanin:
“Nejse, tani nuk më intereson më emërimi i bashkëshortes time. Dua t’ju tregoj shqipëtarëve për dallavert , që janë bërë brenda dhe jashtë zyrës tënde. Po e  kam personale me ty. Dhe jami vendosur të vijoj deri në fund me rrugët e ligjshme.”
Një kërcënim i tillë, në një vend normal do ishte shkelje penale, që do proçedohej nga prokuroria dhe do shkonte në gjykatë, por gjithnjë flasim për një vend normal.
Po cilat quan “rrugë të ligjshme” Doçi, që në fillim kërkonte një ndërhyrje partiako-biografike (jo të ligjshme) për një vend pune?
Të shkruajë në gazetën ku punon apo të denoncojë në prokurori për “dallaveret” e Cekanit?
Një tjetë i ashtuquajtur gazetar, i stërvitur me sulme për të vjelë ndonjë gjobë, i shkruante dikujt, për të paralajmëruar një të tretë: “I thuaj , që do ta shkatërroj me fakte dhe jo në një portal dosido, po në një, që ka 100 mijë lexime në ditë!”
Përdorimi i penës si kobure, jo vetëm nuk është etik, por është edhe ligjërisht i dënueshëm.
Në të tilla raste bindesh, se edhe nëse “gazezarbat” nuk janë në “organikën” e një klani mafioz, ata veprojnë plotësisht si të tillë.

Ju

Ju,
Të gjithë ju hipokritë të dashur,
Që më buzëqeshni
Dhe lehtas kokën tundni,
Që më qortoni duke më mikluar,
Që më kujtoni lavdinë e shkuar,
Që më përkëdhelni sedrën
Nga fjalët e mira të keqe s’ka, duke menduar
Edhe pse më vrisni ëndrrën;
Ju,
Që fijet marroke dhe të dridhura të shpirtit,
Aq mirë të prekni dini,
Në rrokopujën time të tmerrshme,
Ju ftoj të vini,
E ndërsa përpëlitem duke rënë,
Gërvishtur gërxhesh
E gjëmbash gjakosur,
Përcillmëni me buzëqeshjen e pasosur,
Atje ku nuk ka më dritë,
Dhe supet mblidhni ndërsa largoheni,
Ju,
Të dashurit e mij hipokritë.

Wednesday 9 May 2018

“Kështu bëjnë të gjithë“


Eshtë një shprehje justifikuese e stërpërdorur gjatë këtyre thuajse tre dekadave të fundit në Shqipëri. Të kujton operan e Moxartit “Cosi fan tutte”, me ndryshimin, se kjo e fundit kishte vetëm temën e dashurisë dhe sillej kryesisht rreth sjelljeve të lëshuara të grave, ndërsa tek ne është universale.
Justifikohet polici me gjithë sojin dhe sorollopin e tij, se mbjell kanabis.
Justifikohet mjeku me ndihmës mjekët,  inermieret dhe deri në sanitaret për moskryerje të shërbimit ndaj pacientëve në rast se të afërmit e “viktimës” nuk paguajnë.
Justifikohen gjykatësit dhe prokurorët për ndryshim të akuzave, lehtësim apo rëndim të dënimeve, për dhënie vendimesh andej nga “fryn era e eurove më të shumta”.
Justifikohen gazetarët, që ju venë gjoba “politikanëve” apo “biznesmenëve”, për të mos ju botuar “të palara” rreth jetës së tyre apo “vjedhjeve”.
Justifikohen guardianët e burgjeve, që futin drogë, celularë, thika dhe të tjera gjëra të ndaluara në qelitë e të burgosurve kundrejt parave nën dorë.
Justifikohen nëpunësit e lartë që për të të emëruar si mësues apo në të tjera punë shtetërore marrin me mijëra euro.
Justifikohen ndërtuesit për përqindjet, që japin për tenderat e prokurimeve publike dhe nëpuësit e lartë, që kanë në dorë prokurimet publike.
Justifikohen gratë e martuara, që flenë me bosat për të ruajtur vendin e punës, studentet që veç të dashurit, shkojnë edhe me një biznesmen të moshuar t’i mbajë me para.
Po ku është fundi i kësaj “Kështu bëjnë të gjithë!”?
A mund të arrijë në një shtim masiv të xhepistëve, se “kështu bëjnë të gjithë!”?
Do nisim të gjithë të shpërndajmë drogë?
Do rrihemi me komshiun për disa centimetra të vijës së pronësisë?
Do falsifikojmë çdo gjë, gjithkund dhe gjithkaherë?
Do vrasim ata, që na pengojnë të arrijmë atje ku duam?
Duken si pyetje absurde, por nuk jemi shumë shumë larg nga kjo gjendje e çmendur dhe kriminale e shoqërisë.
Sidomos në psikologjinë e adoleshentëve dhe të rinjve, që ju duken “normal” gjithë kjo veprimtari kriminale që i rrethon.

Tuesday 8 May 2018

Ne, të gjallët dhe gjaku i të rënëve


Tema e dëshmorëve, si të gjitha temat, që lidhen me vdekjen është tejet delikate.
Si popull i prapambetur ne kemi raporte tepër të çudishme me vdekjen, që variojnë nga rite ekstreme të të vajtuarit me shkulje flokësh, rrahje gjoksi, klithma kafshërore e deri në dhunime të varreve, sherre gjatë varrimeve dhe manifestime politike me arkivol në supe.
Rrahjet e pardjeshme në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, janë një shembull i qartë i këtij primitiviteti shoqëror dhe emocional.
Po pse ne, shqiptarët nuk kemi respektin e duhur për vdekjen, të vdekurit dhe të rënët për atdhe?
Duket si një pyetje, për të cilën do “kërcejnë“ shumë komunistë, militantë socialistë dhe familje dëshmorësh duke thënë frazat e stërpërsëritura “Kujtimi i tyre është paharrueshëm; derdhën gjakun, që ne të gëzojmë sot etj.etj.”. E vërteta është se “kujtimi i dëshmorëve” u materializua, u përdor ideologjikisht, me një fjalë u përçudnua gjatë viteve të Diktaturës.
Ai humbi kuptimin njerëzor, por u kthye në një element abstrakt politik.
E tillë ishte thënia e shumëpërdorur, që i atribuohej një nëne labe “kur më merr malli për ty dal e shikoj Shqipërinë!”
Me kalimin e viteve, në sajë kryesisht të propagandaës, humbja e njerëzve shumë të dashur në rininë e tyre në luftë, u zëvendësua me një dëshirë për të përfituar vende në administratë, të drejta studimi, dalje jashtë shtetit. U zhduk në shumicën e rasteve pyetja normale, që ndodh tek njerëzit në çdo qoshe të globit, për humbjen e të rinjve; “Përse?” “A mund të evitohej”, “Kush ishte shkaku?”, “A kishin përgjegjësi ata , që i udhëhiqnin? E të tjera si këto. Dëshmorët u kthyen në eterikë në ndërgjegjen e shumë familjeve. Edhe krijimi i Varrezave të veçanta për ta kontribuoi në këtë lloj ndryshimi të dimensionit njerëzor tek ta.
U krijua legjenda e madhe se të rinjtë pjesëmarës në luftë ishin ngritur jo vetëm për Atdheun, por edhe për drejtësi shoqërore, gjë që edhe nëse kishte pak të vërtetë, lidhej me manipulimin , që ju bëhej në moshë shumë të re adoleshentëve, nga “ustallarët”, që luftonin për të marrë pushtetin vakant të lënë nga mbreti Zog.
Askush nuk dha llogari, që në luftë ishin pranuar edhe të mitur dhe një pjesë syresh kishte humbur jetën.
Askush nuk dha llogari, se të rinj 17-18 vjeçarë u shtynë të hynin në formacionet partizane, pa asnjë lloj trainimi dhe të drejtuar nga njerëz jokompetentë dhe pa arsimim ushtarak.
Askush nuk dha llogari, që një pjesë e mirë e dëshmorëve nuk dhanë jetën në luftën ndaj të huajve, por duke luftuar me shqiptarë të tjerë.
Këtu pat humbur edhe koncepti i Drejtësisë dhe i llogaridhënies për jetën e mijra të rinjve. 5 Maji u kthye në një ditë vizitash në shtëpitë e familjeve të dëshmorëve dhe një pjesë e mirë “sarahoshësh” mbatheshin mirë e mirë me raki duke ngritur gotat e duke thënë “I përjetshëm kujtimi i tyre!?
Ky lloj politizimi dhe lidhje e jetëve të humbura, e gjakut të derdhur me “të kuqen” e flamujve komunistë dhe Udhëheqësit të lavdishëm, sjell edhe në këto manifestime të deformuara me flamuj me yll dhe foto të Komandantit edhe tani, pas gati 30 vitesh, kur shumë gjëra janë bërë të qarta.
Në vend të përkulen me dhimbje dhe të mendojnë për ato mijëra jetë të këputura në rini, njerëz me tru ende të shpëlarë, nxitojnë, që ditën e përkujtimit të heronjve, të manifestojnë për Udhëheqësin që përfitoi nga vdekja e tyre dhe që vdiq në shtratin e vet.
Por kësaj trushpëlarje, por në kah të kundërt, nuk i kanë shpëtuar as kundërshtarët politikë të komunistëve. Në një vend të shenjtë, në një ditë përuljeje ndaj të rënëve, “të verbër” të tjerë ju sulën atyre, që mbajnë foton e Enverit duke treguar se sa thellësisht jonjerëzorë jemi.
Të gjorët të rënë, nëse vërtet janë në gjendje të na shikojnë “nuk zgjasin duart nga dheu të mbajnë rrënjët e nënës Parti”, por dëshpërohen me marrëzinë dhe mungesën e humanizmit tek ne.

Gjithshka e bukur zbret nga qiejt


Në maj i bukur është shiu
Dhe gjithshka, që zbret nga qiejt
Një mrekulli.
Unë sytë mbaj lart
Rrekem të shquaj ngjyrat,
Një krah zogu që gjurmë në ajër le,
Një dritë vezulluese, që pulson,
Një sup i mbajtur drejt më mjafton,
Nuk më duhen fytyrat.
Shkallët lëvizëse të qiellit,
I kapërcej nga dy,
Për pak çaste edhe unë jam lart,
Në pëjetësinë lehtësisht përkundëse,
Në një fron të butë resh të gjej
Të mos bie pas buzëve mbahem,
Të puth ty.

Monday 7 May 2018

Mëngjes


I prekshëm është ajri i këtij mëngjesi
Ndërsa gjelbërimin e bimëve dua të marr
Për të fashitur mallin;
Shpresën në grimca copëtuar
Në një ngastët toke e mbolla;
A duhet ujitur,
Apo veç vesa ka për të mjaftuar
Filizat të dalin?
Dheun përkëdhel
Ndërsa ti ndjen drithërimin,
Dielli pemët me sythe bulëruar
Ndez;
Me mendjen tek ti
Ngazëlllimin e rrënjëve ndjej,
Ndjellin afrimin,
Dhe jonet e puthjeve thith me padurim
Këtë mëngjes.

Sunday 6 May 2018

A do çahet daullja kur të hymë ne në vallen e Europës?


Le të shpresojmë se Jo!
Dyshimi në Europa e Bashkuar, apo euroskepticizmi, është bërë tashmë një fenomen me peshë të madhe në politikën dhe shoqëritë europiane. Grupe të veçanta shoqërore e gjejnë veten “të plaçkitur” nga politikat europiano-globaliste dhe kërëkojnë ose më shumë pavarësi të shteteve të tyre, ose shkëputje të plotë nga BE.
Ne duam të hyjmë në BE në rradhë të parë për “t’i dhënë fund fukarallëkut”. Nuk e duam as për të shpëtuar nga ndikimi rus, nga ai turk apo nga ai arabo-islamik. Duam të hyjmë në “mëhallën” e të pasurve edhe pse nuk kemi shumë gjëra të përbashkëta me ta. (Kush ka emigruar, e ka dalluar se sa më pranë jemi nga ana kulturore me grekët, turqit dhe ballkanasit e tjerë.) Ndaj në ne nuk ka asnjë shtresë apo grup të popullsisë të kundërshtojë afrimin me Europën dhe identifikimin tonë si europianë.
Europa (një pjesë e saj) na do brenda saj për disa arsye.
E para është gjeo-politike, për të mos rënë në ndikimin e rusëve, turqve apo arabo-islamikëve.
E dyta është një arsye kripto-raciste, që kërkon krahë të reja pune nga vendet me racë kaukaziane më parë se nga racat e tjera, si dhe një rigjallërim të popullsive të plakura me të rinj nga vendet e ballkanit (Një lloj arianizmi i kamufluar.)
Ka një pjesë jo të vogël të Europës, që kundërshton shtimin e kufijve të saj me vendet e mbetura jashtë të Ballkanit. Problemet e krijuara nga rumunët në shoqëritë perëndimore, si dhe ekzitenca e mafiave shqiptare, serbe dhe maqedonase brenda Bashkimit Europian, i japin të drejtë kësaj pjese “racionale” të shoqërisë europiane edhe pse të gjithë e dinë, që shtimi i vendeve brenda Europës, sjell më shumë përfitime për vendet e fuqishme se sa për ato “të këputurat”.
Por problemi më i madh i Europës nuk janë grupet “ksenofobe”, por në pjesët e shëndosha, prodhimtare, progresive, të cilat kanë kuptuar se projekti i Europës së Bashkuar është konceptuar gabim dhe për më tepër akoma është vënë në jetë akoma më gabim. Në mbrojtje të Europës së Bashkuar mbeten korporatat, idealistëtë naivë dhe shtresat e burokratëve të çdo vendi.
Politikanët tanë, që e njohin më mirë strukturën e Europës së Bashkuar dhe korridoret e hapura dhe të fshehta të saj, janë të predispozuar të futen në BE dhe jo vetëm për qëllime demagogjike. Kush kujton se me hyrjen në BE, do ketë më pak hapësira për politikanët e korruptuar, gabon. Shembulli i Greqisë është më domethënësi. Duke qënë brenda Europës, qeveritarët e saj e zhytën shtetin grek në një borxh publik të paparë ndojëherë në vendet e zhvilluara. Brenda burokracisë gjigande europiane, administrata shqiptare do e ketë më të lehtë të justifikojë investimet e dyshimta si të diktuara nga Brukseli.
Në Europë duhet hyrë vetëm kur brenda vendit, shtresat e shoqërisë janë në gjendje të kërkojnë llogari dhe të venë para përgjegjësisë politikanët.
10 vjet deri në hyrjen tonë në BE janë një kohë shumë e gjatë. Nëse brenda BE-së nuk do ketë reforma thelbësore, ka shumë mundësi, që vende të tjera të ndjekin shembullin e Britanisë së Madhe. Prirjet janë në Spanjë, Itali, Hungari, Poloni, por edhe në Francë. Falë edhe presioneve të Rusisë, Kinës, Turqisë, por edhe Amerikës së Trump-it, grupime të tjera gjeopilitike mund të krijohen brenda Bashkimit Europian.
Nëse ndodh, cilën valle do luajmë ne?
Me siguri atë të daulles së çarë.

Saturday 5 May 2018

Shvlefshmëria e simboleve


Në ditët e studimeve për arkitekturë, kur ende përpiqeshim të mësonim “me veshë“ (Katedra e Arkitekturës asokohe ishte në ditët më të këqija të saj dhe librat teorikë mungonin) se ç’ishte arti i të ndërtuarit, nëse duhej të konceptohej do mosdoshmërisht në 3 dimensione apo një planimetri e mirë mund të sillte vëllime interesante, nëse domosdoshmërisht ‘forma ndjek funksionin”(form follows function) apo një harmonie vëllimesh mund t’i përshtatësh funksione të ndryshme, u ndeshëm edhe me “simbolet” dhe me kujdesin që duhej me to.
Edhe pse arkitektura nuk është art pamor, nga sugjerimet e pedagogëve dukej qartë se duhej pasur kujdes me forma planimetrike apo fasada, që të kujtonin simbole të caktuara. Në atë kohë ishin të ndaluara fetë dhe detyrimisht një planimetri në formë kryqi, gjysmëhënze apo ylli davidian ishte e papranueshme edhe sikur t’i përshtatej në mënyrë perfekte funksionit të objektit, që po projektohej. Një planimetri , që të kujtonte swastikan, të shpinte automatikisht në dyert e Degës së Punëve të Brendshme. Një planimetri në formën e yllit me 5 cepa mund të kalonte si e pëlqyeshme dhe gjithashtu interesante do konsideroheshin forma, që të kujtonin draperin dhe çekanin.
Që në atë kohë, kam pasur bindjen, që “shenjat simbolike” nuk kanë asnjë lidhje me arkitekturën dhe imitimi i tyre tregon amatorizëm në projektim, por akoma më tepër amatorizëm dhe injorancë është të ndalosh për motive ideologjike apo politike, projektet, që të kujtojnë simbole të caktuara.
“Simbolet” janë shenja të cilat i ka krijuar njeriu dhe i ka përdorur për të shprehur një ide ose një objekt të caktuar. Gërmat e alfabetit janë simbole, por përdorimi i tyre në arkitekturë, sidomos në objekte të mëdha është infantilizëm. Në periudhën e fashizmit, u përdor projektimi i vëllimeve, që të kujtonin gërmën M (për Musolini- si rasti i Korpusit Qëndror të Universitetit të Tiranës), por për shkak të një stilizimi ekstrem, objekti ka një natyrë monumentale, disi të rëndë, por që nuk i kujton cilitdo M-në e Musolinit.
Më tradicionali dhe i përhapuri është projektimi i kishave (kryesisht bazilikave) në formën e Kryqit(në planimetri). Tashmë është një traditë dymijëvjeçare, e cila ka përcaktuar skema të caktuara planimetrike dhe i ka zhvilluar gati në përsosmëri, sa ka qënë i vështirë  futja e formave të reja sidomos në kishat ortodokse dhe ato katolike.
Por nëse në këtë lloj të përdorimit të simboleve “emotive”, apo në raste kur kulte të caktuar, ose individë të caktuar kërkojnë, që objektet e tyre të përngjajnë me një simbol të caktuar, në ndërtimet publike dhe në të gjitha të tjerat kur arkitektit i jepet dorë e lirë në projektim, edhe përngjasimi më elementar duhet shmangur.
Simbolet nuk ekzistojnë në natyrë dhe nuk ka pse të jenë as në arkitekturë.
Edhe imitimi i sendeve të tjera, qoftë atyre natyrore apo më tepër të krijuara nga njeriu duhet të shmangen kur banalizohen. Një lloj animizimi arkitekturor është pranë amatorizmit të përdorimit të simboleve. (Për shembull përpjekja për të projektuar që, i përngjan një shqiponje apo një shqiponje dykrenare është një përpjekje fëminore.)
Lëvizja moderne e arkitekturës e shekullit të XX-të i shvlerësoi “simbolet” duke u përpjekur ta afrojë arkitekturën drejt natyrës dhe larmisë së saj.
Eshtë e vështirë të modelosh trajtat ndërtimore për shumë e shumë arsye.
Por për konceptin fillestar bazë, mendja dhe sytë duhen mbajtur në natyra në përgjithësi dhe në mjedisin ku do ndërtohet objekti në mënyrë të veçantë.

Përse na duhen njerëzit, që gënjejnë vazhdimisht?


Ka disa muaj, që “The Donald” nuk më duket i padurueshëm. Edhe pse nuk është kthyer për mua në një personazh simpatik, kam filluar të buzëqesh me gënjeshtrat e tij të vazhdueshme, me hiperbolat fëminore dhe me dokrrat, që pëlcet sa herë që flet.
Sot, ndërsa përgënjeshtonte, ato që i kishte thënë Rudi Xhulianit dhe ai i përcolli në disa nga televizionet kryesore amerikane, më solli ndërmend një të njohurin tim, që i kapur në një interpretim të gënjeshtërt të një ngjarje, ngriti duart duke buzëqeshur dhe tha: “ E po ku mbaj mend unë se ç’të kam thnë ty dhe ç’i kam thënë këtij!”
Na pëlqejnë gënjeshtarët “kronikë“ sepse na bëjnë të ndjehemi më mirë me veten tonë?
Apo ka arsye të tjera, që i bëjnë të pëlqyeshëm?
Një tjetër gënjeshtar “i rregullt” thuajse simpatik, tashmë i larguar nga jeta, deklaronte pakënaqësinë e tij ndaj atyre, që ndjeheshin të mashtruar prej tij duke thënë: “ Edhe janë të pazotë për të mbaruar një punë dhe e kërkojnë t’ja u zgjidhin dhe më vonë mërziten se nuk ja u kemi mbaruar, por i kemi mbajtur varur!” Një lloj filozofie, të cilës ja vlen t’i kushtohesh më gjatë për ta analizuar dhe kuptuar në rrënjët e saj.
Dëshmi e të qënit simpatikë, e atyreqë gënjejnë vazhdimisht, është një shprehje e Dr. Polenkës (Sotir Polena) në një nga orët e pakta të tij pushimeve në “Bar-Republika”: “Si nuk erdhi akoma ai N. C. të na gënjente ca!”
Deformimi i realitetit, ose e thënë në mënyrë më vulgare, gënjeshtra, sidomos kur nuk të rëndon vazhdimisht në kurrizin tënd, nuk është aq e rëndë sa përshkruhet në librat e moralit. Po kështu edhe ushtruesit e rregullt të saj. Them , që i shtojnë ngjyrat jetës tonë të përditshme në ngjyrë gri. Në një lloj jete të shumëngjyrshme besoj se nuk do ishin aq të nevojshëm.
Ndoshta këtë synim kanë edhe një pjesë e atyre, që gënjejnë kot. Të të bëjnë të ndjehesh mirë. Një sllovak, koleg i imi, për të cilin punova në vitet e para të emigrimit, më tregonte se si ishin bërë gati për një turne të patinazhit artistik në Tiranë në vitet ‘80, por që më vonë ishte anulluar, për arsye të cilat nuk i kujtoheshin! Tirana nuk ka pasur kurrë dhe ende nuk ka pista akulli për patinazh artistik.
Për tu kthyer tek “i madhi” Trump, që është më pinoku mes pinokëve dhe që mundohet me gënjeshtrat e tij të ngrejë lavdinë e vetes dhe më pas të bëjë të ndjehen mirë mundësisht të gjithë, gëzon në Amerikë simpatinë e 40% të popullsisë, që do të thotë të paktën të 120 milion amerikanëve. Shumica e tyre janë të ndërgjegjshëm, që Trump gënjen vazhdimisht dhe thuajse për gjithshka.
Ndoshta lehtësia me të cilën ai gënjen, i entusiazmon të gjithë.
Jetojmë në një kohë, që fjala nuk ka më rëndësinë, që ka pasur më parë. Ose më mirë të themi, që kur është e përdredhur si “dredhanik”, është më e shijshme.
Në fillim ishte…gënjeshtra!

Friday 4 May 2018

Pikëllimi i një putane


Ajo u vesh e gjitha në të zeza
Për të dënuar trupin me ngjyrën,
Që nuk i dukej bukur.
Të dashurin posa pat humbur,
Atë, që më shumë se të tjerët,
E kishte përkëdhelur,
Ndonjëherë edhe e pat rrahur,
Por e kishte bërë të lumtur.
“Binjakun shpirt e humba
Tani kam vetëm timin bërë copë,”
Të gjithëve ju shkroi,
“Nuk di a mund të mbushet kurrë,
E kraharorit gropë,
Që lotët e një deti nxjerr,
Dhe jo të një përroi!”
Mes fjalëve të ngushëllimit,
Të simpative puthje,
Njërën përzgjodhi:
“Dhimbjen e mposht ai, që guxon!”,
Të linjtat e veçanta veshi,
Takat  e larta,
Që hov ju jepnin të pasmeve në ecje,
Me vete pëshpëriti:
“Jeta vazhdon!”

Thursday 3 May 2018

“Trekëndëshi i Betoneve”



 
Korça u ndërkombëtarizua. “Parisi i Vogël” tashmë me Kopësht Japonez, krijoi edhe diçka, që të sjell ndërmend një zonë misterioze të Atlantikut, “Trekëndëshin e Bermudeve”. Nuk është quajtur, që në projekt i tillë edhe pse ka një ideator dhe autor të vetëm – arkitektin Australian Peter Wilson. Eshtë “Trekëndëshi i Betoneve” dhe ka në kulme tre objekte betoni, në tre pika të rëndësishme të qytetit.
Kulla Vrojtuese – në sheshin e Demonstratave (ose para Teatrit)
Biblioteka Multikulturore dhe Multifunksionale – në sheshin e Luftëtarit Kombëtar
Hotel dhe Qëndër Tregëtare – në Bulevard “Republika”
Eshtë e pamundur t’i shpëtosh këtij trekëndëshi të tmerrshëm. Po njëlloj, si anijet dhe avionët, që mundohen t’i shmangen atij të Bermudeve dhe unë do doja, që kur të vërtitesha nëpër Korçë, t’i shpëtoja shikimit të Kullës, Bibliotekës dhe Hotelit të Pitit.
Itenerari i zgjedhur do jetë tejet i zorshëm, se po të nisesh nga Cezma e Amzës, që mund të konsiderohet një pikë jashtë trekëndëshit dhe ku ndërtimet tradicionale i mbulojnë këto tre të llahtarshmet e reja, dhe të duash të shkosh në Pazar (i cili vërtet është një mjedis i këndshëm se jo vetëm, që nuk është projektuar në fillim nga arkitektët, por edhe se për restaurimin e tij nuk ka dorë, dora australiane e arkitektit Wilson) duhet të zbresësh deri poshtë në 7 katëshi e më tej në City Center, që të arrish në Pazar pa parë Kullën.
Puthu një herë e mirë me Ushtarin e Panjohur dhe Katedralen, se nuk i shikon më po mos duash të shohësh Bibliotekën e Re, që shëllehet në diell, si një “Derr i Lerosur”. Në raste pagëzimesh apo të tjera festash fetare, duhet të vidhesh diku nga Mitropolia dhe nëpërmjet qoshkave të hysh nga ndonjë derë e pasme e Katedrales, po qe se merr edhe ndonjë shënim special nga Fort i Lumturueshmi dhespoti Johan.
Më e komplikuar bëhet për “fanatikët e xhirros”, shëtitja në Shëtitore “Republika”, nëse duan të shmangim, Hotelin “Patlixhaneja e Mbrydhët”, që po hedh shtat përkrah Lulishtes të Themistokli Gërmenjit, ose Bashtës së Gegës. Duhet ta nisin nga “Kristali” e tatëpjetë dhe meqënëse rruga para Parkut është me një kalim, duhet të shkojnë deri diku pranë Dishnicës.
Po a mund të mësohemi me “Trekëndëshin e Betoneve” dhe të mos zgjedhim gjithë këto rrugë të koklavitura për tu vërtitur në qytet?
Po mundohem të kujtoj, se cilat ishin objektet, pranë të cilave nuk doja të kaloja kur jetoja atje dhe nëse u mësova ndonjëherë me to.
E para , që më vjen në mendje, është ndërtesa e Degës së Punëve të Brendshme. Në rrugën e ndërtesës famëkeqe, nuk kam shkelur thuajse kurrë. Ishte e lehtë t’i shmangeshe se nuk të shpinte në ndonjë pikë të rëndësishme të qytetit.
Ndërtesa e dytë, në rrugën që të shpie në Shën Triadhë, shërbente si institucion për njerëz me të meta mendore dhe nga të gjithë thirrej Azili. Prej avllive të larta të saj shpesh dëgjoheshin klithma rënqethëse dhe rrokje të pakuptim. Ndonjëherë, në ballkonin e vetëm shfaqeshin gra me flokë të shpërvjela dhe rrobanate prej një fanellate të errët, që i bënte të dukeshin më të mjera.
E treta ndërtesë, ishte në rrugën ku shkonim për në Shtëpinë e Pionierit dhe quhej Fabrika e Lëkurës. Qelbej një erë e rëndë indesh, qimesh të djegura dhe kimikatesh. Në trotuarin pranë saj ishte e pamundur të kaloje.
Për fat të mirë, dy ndërtesat e fundit “tmerruese”, jo për shkak të arkitekturës së tyre, por për atë ]’ka kishin brenda, një ditë ja u hoqën funksionin. Azili u kthye në kopësht fëmijësh dhe Fabrika e Lëkurës u bë pjesë e Fabrikës së Këpucëve. Jashtë unazës, në ndërtesa të tjera u vendosën. Dega e Punëve të Brendëshme mbeti, deri në ndryshimin e sistemit.
Dhe pikërisht kur thurren ëndërra për të patur një qytet, si ata të Veriut të Europës, të pastër, tradicional, me ndërthurje të kangjellave, qelqeve të mëdha, tjegullave kuqalashe, gurëve të latuar dhe suvatimeve zbardhëlluese, një dorë e pamëshirshme, e favorizuar nga duar të tjera jo të pastra, vendos tre zhulakë betoni, që na sjellin në mendje La]in, Bru]in dhe Urakën.
Eshtë Trekëndëshi i llahtarshëm i Betoneve.