Monday 28 November 2016

Transformimi 7 vjecar i Ben Blushit (3)

(vijim)

Në vitin 2011, gjatë fushatës për zgjedhje në Bashki, u ndodha në Korçë dhe takova për herë të parë dhe të vetme Ben Blushin. Isha shumë kureshtar edhe pse nuk kam kureshtje për politikanët. Muaj më parë kisha lexuar “Otellon” e tij dhe vërtet më kishte befasuar. E njoh shumë pak letërsinë shqiptare të botuar prej 1995, por nuk besoja se mund të kishte vepra të tjera të atij kalibri. Përfundimi im (ndoshta dhe i nxituar) ishte dhe është, që Blushi është sot shkrimtari më i mirë shqiptar, duke përfshirë këtu edhe Kadarenë.
Pinte kafe i vetëm në “Villa Themistokli” dhe e ftova në tavolinën ku isha ulur me dy të tjerë, të cilët ai i njihte. Biseda e shkurtër ishte rreth “Otellos”, disa të njohurve të përbashkët dhe Korçës. Kishte një të folur si nën hundë, dhe nuk i artikulonte shumë mirë fjalët, gjë jo shumë e çmuar, për dikë, që duhet të flasë shpesh në publik. Dukej , që i mungonte edhe entusiazmi dhe furia, që karakterizon politikanët në kohë fushatash. M[ ra n[ sy, q[ Bushi njihte edhe njer[z t[ bot[s s[ krimit n[ Kor][, por mendova, q[ qenia p[r disa vjet si prefekt dhe deputet, dashje pa dashje t[ ve n[ kontakt me biznesmen[-kriminel[. Të nesërmen mora të lexoja “Ishullin”, që kishte bërë shumë zhurmë kur ishte botuar, por mu duk nën nivelin e “Otellos”.
E tatëpjeta e Blushit brenda PS-së po vazhdonte. Më pas, për ta larguar nga zona ku kishte ndikim dhe mbështetje, Rama e vendosi të deleguar në qarkun e Elbasanit, duke i dhënë sinjalin, që shpërblimet e mëvonshme në qeveri, do varesin nga besnikëria dhe përkushtimi i tij ndaj Liderit. Me një fytyrë të vrerosur, Ben Blushi doli krah Ramës në mitingjet elektorale në atë qark, ku ishte sulmuar më parë si armik i islamizmit, për shkak të librit të tij të parë dhe deklaratave të shpeshta kundër fondamentalizmit islamik.
Nuk janë bërë ndonjëherë publike, bisedat e tij me Ramën në atë periudhë, nëse i është premtuar gjë dhe çfarë I është premtuar, por pas verës të vitit 2013, Blushi nuk pati asnjë kabinet, ose post në ekipin e Rilindjes, nën sloganin e të ciës kishte bërë fushatë. Tashmë, nga politikani-shkrimtar me një karrierë të rrufeshme, ai ishte bërë shkrimtari me tre libra të shumëshitura, që merrej edhe me politikë.

Megjithatë, Ben Blushi nuk kishte ndërmend të dorëzohej lehtë. Vitet në politikë dhe sidomos ato në pushtet si prefekt dhe ministër, e kishin afruar jo vetëm ndaj forcës më të madhe korruptuese- pushtetit, por edhe ndaj një jete me mirëqënie të konsoliduar. Nuk mund t’i lëshonte lehtë këto, për t’ju dorëzuar hakmarrjes së Ramës dhe larove të tij. E dinte, që ishte më i zoti në PS për të bërë politikë, polemikë dhe ligje. Pa aleatë të fortë brenda PS-së, Blushi mund të mbështetej vetëm në forcën e fjalës së tij dhe në pohimet në biseda private të deputetëve të pakënaqur nga Rama, apo të atyre, që nuk ju mungonte “bon sensi”. Marëdhëniet me kryeministrin ishin plotësisht të ngrira dhe po të tilla ishin edhe me drejtuesit e PS-së në Elbasan, qark në të cilin Blushi ishte i deleguar dhe deputet. i mbetur “pa krahë“, Blushi filloi hakmarrjen ndaj kundërshtarëve duke goditur “Rilindjen” me shkrime dhe me romanin “Kandidati”, i botuar në kohën e zgjedhjeve lokale, që dërmonte kryetarin e bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdinin.
(vijon)

Sunday 27 November 2016

Transformimi 7 vjecar i Ben Blushit (2)

(vijim)


Ndërkohë, Blushi kishte një lloj eskluziviteti në Korçë dhe ishte sin jë lloj kujdestari i saj. Kishte disa vjet, që ishte kthyer metoda e Partisë së Punës, ku anëtari i byrosë Politike, apo i Komitetit Qëndror, që mbulonte një rreth, ishte I plotfuqishëm në atë pjesë. Në vitet e para të “demokracisë“ pushtetarët lokalë kishin më shumë pavarësi nga Tirana. Kujdestari I PD-së ishte ministri Bode, me të cilin Blushi mbante marëdhënie të mira edhe pse i partisë ”armike”.
Mes punëve më të “frytshme”për ata, që merren me politikë, kanë qënë ndërtimet dhe deri në atë periudhë, kriza e 2008-ës nuk kishte filluar të ndjehej në Shqipëri. I deleguari Blushi , pas disa “dështimeve” të Peleshit në miratime objektesh në qendër, kishte sugjeruar të përdorej modeli Rama, me konkurse kombëtare dhe afrim të arkitektëve të huaj, me projektet e të cilëve publiku manipulohet më lehtë dhe çdo gjë që duan të arrijnë bashkiakët bëhet më e lehtë dhe më e fshehtë. Rama ja kishte arritur të bënte ç’të donte me projektet “franceze” dhe “belge” dhe e njëjta gjë nisi edhe në Korçë, me projektin fitues të Qendrës, nga firma gjermane e arkitektit Uillsën. Blushi ishte në jurinë e emëruar prej tij dhe Peleshit. Edhe pse më dukej e panevojshme pjesëmarrja e tij, nuk e parajykova pa parë projektin. Më pas, ndjeva përbuzje për këtë njeri të kulturës, që vjen nga një famije e kulturuar, që pajtohej me ndërhyrje shumë brutale në Qendrën e Korçës, thjesht për interesa ose për të ndihmuar në interesat e mbështetësve të tij. Mu duk po aq i keq dhe i dëmshëm sa Edi Rama, të cilin po mundohej ta godiste për mungesë parimesh dhe mosmbajtje fjale. U binda , që kishte karakteristikat më të këqija të racës së politikanëve shqiptarë, me prapaskena për të fituar materialisht, me mungesë idealizmi dhe parimesh, me idenë e nguitur, se prona publike është një lopë, që do mliet, ndaj o burra të nxitojmë kush ta mjelë më parë. Sigurisht, që “teatri” i veprimeve të Blushit ishte shumë më i vogël se ai ku vepronin Berisha, Rama, Bode, Topalli e të tjerë. Ndërtimet në Qarkun e Korçës, nuk përbënin as 3% të atyre , që ndërtoheshin në gjithë Shqipërinë.
Por le t’i kthehemi “luftës” së tij me Ramën në vjeshtën e vitit 2009.
Blushi ishte kundër manovrimit të Ramës(me betejën e kutive), jo thjesht për interesin e karrierës së tij brenda PS-së, por se dukej, që beteja e kutive do ishte joproduktive dhe veç do harxhonte energjitë e opozitës, pa sjelë asnjë përfitim as në planin kombëtar dhe më pak akoma në atë ndërkombëtar, ku protesta të tilla shihen si përpëlitje inatçore të humbësve. Gjithsesi, brenda PS-së, përkrahësit e tij nuk shtoheshin jo vetëm sajë intrigave të Ramës, por se dhe fryma mes karriristëve të tjerë, që luftonin për poste ishte që “Blushi e bën këtë që të zgjidhet vetë kryetar”. Marëdhënia me Ramën ishte plotësisht e krisur, ndaj ai formoi së bashku me Islamin dhe Malajn “Lëvizjen e Mendimit Ndryshe” brenda PS-së.

Në Shqipëri, fraksionet brenda partive, gjithmonë kanë përfunduar ose me përjashtime, ose me formimin e partiçkave të vogla. Në Parti, nën Diktaturë, ka pasur vetëm Një udhëheqës, që sjell diellin dhe hënën dhe të tjerët ose duhet të binden, ose duhet të përfundojnë keq. “Lëvizja e Mendimit Ndryshe”, për këtë arsye, por edhe për shkak të kredibiitetit të pamjaftueshëm të 3 deputetëve, u tret si kripa në ujë. Për arsye që nuk dihen mirë, Blushit ju dha mundësia të mbetej brenda Partisë, si i deleguar i saj në Qarkun e Korçës dhe i garantuar për listat e hapura të vitit 2013.
(vijon)

Friday 25 November 2016

Transformimi 7 vjeçar i Ben Blushit



Pardje më ra rasti të dëgjoja një pjesë të një interviste të Blushit, në një web tv dhe shumë kujtime të pluhurosura në sirtaret e kujtesës u ringjallën. Nuk po shkoj më larg se viti 2009, kur 2B, dukej që ishte figura e dytë në PS, dhe mendohej se pas fitores në zgjedhje do të ishte të paktën ministër I jashtëm I qeverisë shqiptare. Socialistët ishin përgatitur për një fitore të thellë, pasi kishin ndryshuar edhe ligjin electoral së bashku me Saliun, për të eliminuar partitë e vogla dhe sidomos LSI-në. Në një berberhanë të Korçës, një socialist me lidhje të forta me kreun, pyeste berberin e tij “Ca posti t’kap n’Tiran?” Dukej që priste të ishte të paktën ambasador në Paris ose Uashington.
Të hënën në mëngjesin e pas zgjedhjeve, pasi kisha kaluar disa ditë në Anglinë e Re, po i ngjitesha me makinë, të përpjetës së lehtë që të shpie drejt Buffalos dhe Kanadasë dhe me kureshtje për rezultatet e zgjedhjeve në Shqipëri i dërgova një SMS Benit: “Kush fitoi?”. Përgjigja më erdhi menjëherë “Ahmanedinexhad!”  Qesha me komentin për fitoren e përbindëshit Berisha. “Të paktën ky po plaket”- mendova.
Nga thëniet e pakonfirmuara nga Tirana, flitej se Rama atë ditë thërriste si i çmendur: “A më q… nënën o Fatos Nano!”, që nëse ishte e vërtetë, të linte të kuptoje, që akuzonte prapaskenat e Nanos për humbjen. Dukej që Blushi e kishte gëlltitur më lehtë humbjen, duke parë anën positive të ngjarjes, që pas humbjes, sipas statutit, Rama do dorëhiqej nga kryetar i partisë. Veç, pasi mblodhi veten, Rama organizoi një mbledhje të Asamblesë(ose të një forumi të ngjashëm), pa praninë e gazetarëve, për  të mospranuar humbjen e dytë në zgjedhje dhe si rrjedhojë për tu mos dorëhequr.
Nga brenda mbledhjes, më vinin mesazhet nga një përkrahës i Blushit, që ky i fundit “po e bën m… të gjatin” dhe “ai ka ulur kokën dhe nuk flet”. Mu duk, se një frymë më e mirë po frynte në PS dhe Ed Rama ose do largohej ose nuk do kishte fuqi absolute. Por si ka ndodhur edhe herët, në historinë e partive tona, ata që njohin më mirë lojën e prapaskenave dhe pabesive, i rezistojnë më mirë “furtunave” në Parti dhe Edvini tashmë i “futur në ujë“ si Ed, krijoi lëvizjen e “hapjes së kutive”, që do i garantonte qëndrimin në krye të PS-së, pasi ishte i sigurt, që kutitë nuk hapeshin dhe zgjedhje të parakohsme nuk do kishte.

Të dy palët kishin blerë komisionerët e njëri tjetrit dhe kishin manipuluar proces-verbalet, ndaj askush nuk dinte se ç’kishte brenda kutive.
(vijon)

Thursday 24 November 2016

“Striptiza e Bastriut”



Ky ishte titulli i një tregimi të shkrimtarit turk Azis Nesin, ku përshkruheshin me satirë, botët e ndryshme të Stambollit në vitet ’50 të shekullit të kaluar. Bastriu, kryefamiljar i mbetur papunë, i drejtohej për ndihmë një shoku të fëmijërisë, i cili ishte pasuruar vetëtimthi dhe ky i fundit, gjithë bujari e mori në një klub striptizmi, ku kaluan një natë mes alkolit, muzikës së lartë, brekëve dhe sytienave të kërcimtareve, qiqërviqrave dhe fistiqeve dhe parave që hidheshin. Disa ditë më pas, Bastriu, pasi vuri gjithë familjen të kërcente lakuriq(edhe nënën plakë), përfundoi në një spital psikiatrik.
Të shkretin Bastri, më kujtojnë shumica e e gazetave shqiptare. Mendoj për dhjetra kryefamiljarë nga Moglica, Peqini, Borshi, Maqellara, që në faqet e para të gazetave, në vend të gjejnë shpresë për hallet e tyre, gjejnë tituj e foto të tipit:
“Del sërish pjeshka e fishkur e Bleonës”, “Zogu i Tunës, si Tuna e zogut”, “Jozefina tund bishtin e Flamurit”, “Muli, muli, Sajë Qorri ta nguli!”, “Prapanicat e të bijës së Eli Farës, më me vlerë se një shinik me farë të zgjedhur”, “Berisha shan nga nëna Ballën”, “I bie Ora Rita Cices”, “ Surprizon në Dhërmi, gjoksi bombë i Dorinas”, “Noizy dhe Coizy rrihen me Hajdarë”, “Llalla godet Hajdarin, që e akuzon për zuzarllëk në sy të së dashurës”, “Orgazëm e parreshtur shkrimtarësh të tredhur”, “Puthje lezbike mes dy politikanësh burra të koalicionit”, “Ekspozohet Xhunga e Gugut”. “Meta ndërzehet me Lepurin” etj., etj.
C’ju shkon nëpër mendje dhjetra Bastrive shqiptarë, të bombarduar nga fotot dhe fjalët rreth pjesëve erotike të VIP-ave shqiptarë?
Shqipëria dhe sidomos Tirana është kthyer në një .ivaçanë të madhe, ku me para blihen mollaqe, vota, seks, ligje dhe gjithshka tjetër?
Shqipëria ka më shumë VIP-a se Ballkani, Italia, Gadishulli Iberik dhe Skandinavia të marra sëbashku?
Në do të mbijetosh në këtë sistem shit lirinë, votën, by…., vajzën adoleshente dhe nënën bashkë?
Skandalet, politika e fëlliqur, seksi, mbase ndihmojnë në shitjen e gazetave apo rritjen e klikimeve online, shtimin e shikueshmërisë të emisioneve televizive apo të dëgjueshmërisë të atyre radiofonike, por kjo nuk përligj përqëndrimin e medias në bëmat e të pabëmat e të ashtuquajturve Persona Tejet të Rëndësishëm. Arrihet deri në absurditete tëilla, si botimi se ç’shkruajnë në FB, të bijat e Shkrelit e Dokles apo e dashura e Zenit.
Të bombarduar gjatë gjithë vitit me informacione të tilla, të përzgjedhura për fitim apo për trullosje, Bastrijtë dhe Gjonët shqiptarë, me lista ushqimes h të papaguara në bakalli, me fatura të fryra të elektrikut, me frikën se mos mbeten dyerve të spitaleve, kanë rezistuar deri tani, pa ja marrë një valleje të madhe cullakosjeje, me pleq e me plaka e me kuç e me maç.

Ndoshta kjo është dëshmia, që jemi një popull i fortë, që do jetojë edhe pasi “kombet të shuhen në dhe”!

Wednesday 23 November 2016

Pse nisa ta “dredh”.



Jam sulmuar në dy javët e fundit, për qëndrimin tim pro-Blush, i cili bie në kundërshtim të hapur me disa shkrime të mija të kaluara, ku kam trajtuar deputetin Ben Blushi, po njëlloj si gjithë kasta e politikanëve shqiptarë, që duhej të dalë nga politika.
Amerikanët kanë një shprehje(e cila ju shkon për shtat gjithë atyre që e dredhin), “vetëm budallenjtë dhe të vdekurit nuk ndrrojnë mendje”, gjë me të cilën mund të justifikohem pa shumë mund.
E megjithatë, unë nuk kam ndruar mendje dhe as jam bërë më realist.
Blushi duhet të shkojë në shtëpi me gjithë Ramën, Berishën, Rucin, Metën, Majkon, Bashën, Pollon, Daden, Islamin, Kodhelin, Topallin, Boden, Brahon e plot të tjerë.
Por është e sigurt, se kjo nuk mund të ndodhë.
Në veprimet e dy viteve të fundit të Blushit, mu ngjall shpresa, se dikush, që ka qënë pjesë e “kupolës” edhe pse nuk mund të kthehet në “i penduar” dhe të shërbejë për të vënë para drejtësisë, të gjithë ata, që kanë abuzuar me pushtetin, mund të “gërvishtë“ apo “plasarisë“ bllokun monolit të Partisë Socialiste, të cilën e quaj si të keqen më të madhe në Shqipëri.
Deri më tani, askush i papërlyer, nuk ka marrë nismën të krijojë një lëvizje të re politike, e cila mund të bëjë diçka për të sjellë një erë të re në “kënetën politike shqiptare”.
“Scepsis, ergo sum”, thotë avokati im, edhe pse tek Hjum nuk shprehet kaq qartë. Dhe ka të drejtë të dyshojë edhe në LIBRA, edhe në Blushi dhe në unë. (Ene momenti, ene aksi- theshte dikur legjendari Raq Blushi pa “l”).
Por unë betohem, që nuk e kam dredhur edhe pse nuk më kanë munguar as aksi dhe as momenti.
Pse?
Se nuk është aspak e shëndetshme!

Tuesday 22 November 2016

Pak salcë, pak salcë o shoqe, o mike o motër!


Ka thuajse një javë, që e gjithë media shqiptare merret me veprimin(disi anarkist), të studentes nga Fieri, që hodhi salcë domate mbi kryet e Ministres së Arsimit.
Në një shoqëri të përparuar, gjesti do kalonte shpejt, me humor, për të mos shkaktuar konflikte të kota. Vetë zyrtari/ja i lartë do deklaronte që dempkracia i ka edhe këto dhe mund të ftonte “agresoren” për një bisedë miqësore rreth motiveve, që sollën veprimin protestues.
Kjo nuk ndodhi në Shqipëri, ku njerzit e kanë më të lehtë të ndahen në dy kampe luftarake “pro dhe kundër” e të tjerrin muhabete absurde, nëse salcëhedhja është violencë, e drejta e fjalës së lirë, komunistllëk, populizëm apo thirrje për revolucion.
Kujt i sjell dobi, një diskutim kaq i gjatë rreth një gjesti të një individi të vetëm?
Sigurisht politikanëve në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë Qeverisë. 
Opozitës, që mundohet të bëjë kauza të saj edhe atje ku nuk ka të tilla, sepse nuk mund të bëjë të tilla ato të vërtetat, për të cilat është po aq përgjegjëse sa edhe Pozita.
Për qeverinë dhe sidomos për kryeministrin Rama, të tilla “rrëmuja mediatike” janë dhurata më e madhe në një kohë kur duhet të flitet për gafat e mëdha në politikën e jashtme, si “çështja Tramp” apo “marëdhëniet e përkeqësuara në mënyrë ballkanike me Greqinë“.
Pas dy javësh, “salca” dhe studentja do harrohen. Do harrohen se problemet , që sjell “reforma në arsim” janë më të voglat po t’i krahasojmë me problemet e mëdha që ka qeverisja e vendit. Mediat në shërbim të “klaneve” politike, do kapen pas problemesh të tjera të dorës së tretë, për të mos shkruar se si jetojmë, a ka mundësi të jetojmë më mirë, a ka rreziqe për të cilat mund të bëjë diçka e gjithë shoqëria që të mos e lerë vendin të pajetueshëm.
A është hedhja e salcës në kokë një mënyrë simbolike të protestuari?
JO.
Salcë në kokë në shenjë proteste ju duhen hedhur gjithë politikanëve, gjithë gjykatësve, thuajse gjithë nëpunësve, të gjithë mjekëve dhe një pjese të mirë të pedagogëve të Universiteteve.
Pasi të kishim shprazur autobote të tëra me salcë për të sipërpërmendurit, duhet të filonim me salcë në kokat tona, për ndenien duarkryq për 25 vite me rradhë e më pas, kur të thellohej kriza e salcës, të klithnim:

-Pak sacë, pak salcë, o shoqe, o mike, o motër!

Saturday 19 November 2016

Politika e jashtme e Shqipërisë apo e Ramës?



Debati i zhurrmshëm dhe i panevojshëm me Greqinë, nxjerr zbuluar një problem të madh të politikës sonë të jashtme. Nëse kemi një linjë të caktuar në marëdhëniet me vendet e tjera, apo kjo varet vetëm nga kryeministri.
Problemi nuk është i sotëm dhe vetëm i Ramës, edhe pse kryeministri aktual, me dëshirën e tij të pafre për protagonizëm e ka bërë më shqetësues. Janë të njohura politikat jokoherente të Nanos, orientimet e dyshimta të Berishës, që shpesh herë i kanë krijuar problem të mëdha dhe të panevojshme vendit. Prirja e kryeministrave, ka qënë , që në rolin e ryediplomatit të venë thuajse gjithnjë “eunukë“, të cilët ose nuk mund të bëjnë asgjë pa pyetur shefin, ose nuk kanë asnjë lloj rëndësie se ç’thonë në takime bilateral. Në të gjithë botën e zhvilluar, Ministrat e Jashtëm janë figurat e dyta dhe zakonisht ata, aë përgatiten për tu bërë në të ardhmen kryeministra apo presidentë. Tek ne, emrat e Serreqit, Dades, Mustafajt, Milos, Starovës e ndonjë tjetri nuk të tregojnë asgjë, por më flagrant është rasti i ministrit të sotëm Bushati, i ardhur nga “asgjëkundi” dhe detyrimisht pa asnjë peshë.
Por të kthehemi në tema e politikës së jashtme dhe nëse ajo duhet të jetë një linjë shqiptare apo mund të varet edhe nga humori apo kapriçiot e kryeministrit, ose më keq akoma, nga koniukturat e brendshme paraelektorale.
Le të themi, se si një vend ballkanik më i pasur dhe i integruar më parë në Europë, Greqia duke mbetur ballkanase, reflekton shpesh në mënyrë inatçore, me kapadaikllëk, apo edhe me mendjelehtësi ndaj nesh dhe vendeve të tjera ballanike. Ka qënë një kohë, që marëdhëniet e saj ishin të këqija me të gjithë shtetet, që ndante kufijtë dhe jo vetëm me Turqinë, armiken e saj të përhershme. Por ky ka qënë dhe është problem i tyre. Ne na duhet një fqinjësi e mirë me ta dhe jo të reagojmë me të njëjtën mëndjelehtësi, kapadaikllëk apo në mënyrë hakmarrëse. Kjo nuk na bën të barabartë në forcë dhe virtyte, por të barabartë në marrëzi.
Nëse problemet, që ekzistojnë mes nesh, nuk jemi në gjendje t’i zgjidhim me diplomaci atëhere është e pafrytshme t’i acarojmë me batuta, apo me referenca historike, të cilat në asnjë rast nuk ndihmojnë. Ashtu si në marëdhëniet e njerëzve, historisë i duhet kthyer vetëm për të kujtuar ngjarjet e mira të përbashkëta dhe jo luftrat apo krimet ndërsjellëse, se ndryshe fut popullin tënd në një situateë të papëlqyeshme. Për më tepër historia e para formimit të kombeve, (që është prej dyqind vjetësh e e më parë) nuk është aspak histori mes Shqipërisë e Greqisë apo shqiptarëve dhe grekëve. Eshtë e përzjerë me shumë popuj, fise, vasalë, perandori, shtete republikë, principata, gjuhë të shkruara e të pashkruara etj.
Po a duhet të përdorim historinë e dyqind viteve të fundit, në diplomacinë tonë me fqinjët?
Për deri sa disa çështje mbeten ende pezull, nuk ka pse mos kemi një vijë të përgjithshme të interesit kombëtar që ka disa drejtime kryesore si: çështja çame, çështja e emigrantëve që jetojnë në Greqi, ajo e kufirit detar, e minoritetit e ndonjë tjetër. Por është krejtësisht e pallogjikshme të ngresh sot problemin e ligjit të luftës për të treguar se sa “idiotë“ janë qeveritarët grekë, apo atë të ndryshimit të emrave të emigrantëve myslimanë, e cila nuk ka qënë asnjëherë politikë shtetërore greke. Aq më pak duhen prekur ngjarje të para revolucionit grek, ose më keq akoma ato të kolonive helene të antikitetit, kur dihet se grekët e sotëm janë gjenetikisht më të afërt me shqiptarët se sa me grekët e vjetër.
Vetbesimi i rritur i Ramës në çështjet e politikës së jashtme(që duhet pranuar që ka qënë e vetmja fushë e suksesshme e veprimtarisë së tij këto 3 vjet) nuk duhet të na shpjerë në aventura të “karshillëkut” ndaj Greqisë dhe shkelje të syrit ndaj Erdoganit apo më keq akoma Putinit. Edhe pse në krizë, pas Italisë, Greqia mbetet partneri jonë kryesor ekonomik dhe strategjik dhe çdo cilësim si “fqinj i pasur, por harbut”na sjell ne më shumë dëm ne se sa Greqisë.
Edhe pse marëdhëniet personale midis udhëheqësv politikë, janë të rëndësishme në marëdhëniet midis vendeve, ftesat apo mosftesat e Ciprasit nuk kanë pse të sjellin hakmarrjet dhe shpotitë e Ramës. Aq më pak ai duhet t’ju përgjigjet provokimeve të bëra nga gazeta ose qarqe që nuk janë në nivelin e qeverisë.

Qershori 2017 nuk duket larg. Debatet për reformën, ligjin e plehrave, ligjin e arsimit, kriminalitetit në politikë, janë acaruar për shkaqe elektorale. Por për shkaqe elektorale nuk duhet ndryshuar politika e jashtme me fqinjët apo me shtetet perëndimorë.

Tuesday 15 November 2016

Arkitektë të papunë bashkohuni!


Një fantazmë sillet rrugëve , shesheve dhe parqeve të Korçës tash e 6 vjet !
Djall!i Denzo- do nxitoni të thoni, ju miq, që më lexoni herë herë dhe shikoni foton mbi këto rrjeshta dhe dini që 6-ta e përsëritur nuk është shenjë e mirë.
Jo nuk është djalli , edhe pse unë nuk jam shumë i sigurt për pamjen e Luçiferrit. Eshtë një njeri prej indesh dhe gjaku dhe mbi të gjitha është më inteligjent edhe se Bleta. Eshtë arkitekti Pitë Uillsën, që prej vitit 2010, ka fituar konkursin ndërkombëtar për Qendrën e Korçës dhe është angazhuar në rreth 66 projekte të mëdha e të vogla në qytet.
Në atë kohë, u duk që një erë e mbarë e fryu arkitektin australian nga brigjet e Elbës apo Spresë, në brigjet modeste të Dunavecit, dhe të gjithë shpresuan se mangësitë e arkitektëve korçarë që punojnë në Korçë, të arkitektëve korçarë, që punojnë në Tiranë dhe ato të shqiptarëve që punojnë në Shqipëri, Kosovë apo botë, do tejkaloheshin nga profesori plot përvojë teorike dhe projektimi(Unë e ve në dyshim edhe përvojën e tij teorike dhe atë të projektimit, por duke qënë i të njëjtit profesion, çdo deklaratë e imja përbën konflikt interesi.)
Pitë e fitoi Konkursin dhe fituesit nuk duhen gjykuar, por idetë e tij për Piramidë në sheshin në Turizmi(sipas librit të Kadaresë), prishjen e shkollës “Th.Gërmenji”(sipas idesë historia fillon me Peleshin) dhe të tjera volume të frikshme në shtypshkronja, jo vetëm që duheshin frenuar, por ishte e mira që profesorit t’i tregoheshin udhët, ashtu si ju kishin treguar udhët qytetarët e kulturuar të Korçs edhe arkitektëve të nivelit të Florestano Di Faustos, 90 vjet më parë.
E kundërta ndodhi. Profesori imponoi një objekt më të shëmtuar se Piramida (atë që quhet Eifeli Brutalist I Parisit të Vogël) dhe futi frymën e tij projektuese të viteve ’70 në një sërë projektesh të Bashkisë dhe private(të imonuara tek privatët nga Bashkia).
Tashmë ai nuk është më një arkitekt oborri, që projekton vetëm rezidencat luksoze të “princit mbrojtës”, por projektues parqesh, rrugësh, hotelesh, muzeumesh, zyrash, stadiumesh, banesash, maternitetesh, kullash, qëndrash kulturore, teatrosh, pishinash, pistash patinazhi, hauzesh, mure fortifikimi, memorialesh, nënkalimesh, shtëpish pushimi, restorantesh, diskotekash dhe bordellosh. Që kur mbylli sytë Da VinçI, bota nuk ka njohur peojektues me një gamë kaq të gjerë veprash. Edhe më të mëdhenjtë sot në botë, projektojnë për sektorë të caktuar të jetës edhe pse me zyra gjigande në disa kryeqytete të botës.
Jo në Shqipëri dhe Jo në Korçë dhe jo sa të jetë Pitë Uillsën!
Të jetë çështje lekësh?
Për këtë nuk jam i sigurt , por me siguri e di që shumë nga miqtë e mij arkitektë kanë mbetur pa punë për shkak të tij, dhe “liçencës”, që i është dhënë për të ndryshuar përfundimisht Korçën.
Ndaleni!
Arkitektë të papunë bashkohuni!

Saturday 12 November 2016

E gjithë çorba nisi në Korçë



Vjeshta e dytë ka qënë shumë e çoroditur për Njerëzimin.
Studiuesit po rigërmojnë “fletorkave” të Nostradamusit, për të zbuluar shkaqet e këtij kaosi të paparë, por ende nuk janë në gjendje të lidhin ngjarjet që kanë qënë në origjinë të tij. Diçka jo të plotë kanë dhënë përkrahësit e teorisë të “butterfly effect”, por edhe ata kanë mospërputhje mes metodologjisë dhe renditjes të ngjarjeve në hapësirë.
Pakkush di që gjithshka nisi në Korçë.
Me vendime racionale të nëpunësve të llogjikshëm, qyteti u përfshi nga një valë transfertash.
Në fillim Muzeu Mesjetar la Kishën e Mitropolisë, në të cilën do vendoset tashmë Myftinija,tek e cila mendohet tëshkojë Këshilli i Qarkut. Teatri deri nëpërfundim të restaurimit transferohet tek ish-Rakoja, Prefektura shkon ku ishte Bashkia,kjo e fundit tek Pallati i Kulturës, PallatiiKulturës shkon  në Sahati dhe Sahati në Biblioteka eVjetër. Në Prefektura shkon Biblioteka e Re deri në ngritjen e një Biblioteke më të Re,dhe vendin e saj do e zerë pas ndërtimit Shtëpija e Fëmijëve, në godinën e sëcilës në tëardhjmen me projekt të Peter Uillsën,do përshtatet Muzeu “Peleshi”.
Pas gjithë këtyre rrëmujërave, Akademia e Stokholmit, çmimin “Nobel” në letërsi, në vend t’ja jepte Kadaresë ja dha një këngëtari.

Dhe pastaj themi pse fitoi Trampi?!

Thursday 10 November 2016

Mo


Unë nuk e kisha vënë re, që në të folurën time përdorja shumë “mo”. Këtë ma vuri në dukje avokati im, kur I përmenda, që më bezdisnin “mo”-të, që përdorte vend e pa vend në shkrime filozofi Artan Fuga. (Që është apo jo filozof Fuga, kjo nuk ka pse të vihet në dyshim, se ka dhënë filozofi edhe në Parisin e vërtetë, se në Parisin e Vogël, filozofi ka dhënë edhe Llushi  i  Kanes.)
Nisa të përgjoj veten në bisedat me meshkujt e anës sime(isha i sigurt që në të shkruar nuk e kam përdorur kurrë) dhe vërtet e kapa duke thënë “ E mo inxho, si je?” ose “Ku je mo kushëri?”dhe dallova , që përdorej në biseda me t] njohur dhe asnjë herë  në fund të fjalisë,si e përdor rëndom filozofi Fuga.
Dikush më sugjeroi të shihja në youtube, disa video të një korçari me mbiemër  Vrenozi dhe pasi i pashë,e kuptova që profesor Fuga  kishte të drejtë. Nëdialektin tonë të kulluar, të përcjellë nga  Vrenozi,kishte shumë fjali bërtitëse,të cilat përfundonin me”Mo”.
“Të hëngërt tartakuti mo!”, “Tu shpëlafshin zorrët mo!”, “Të dalçin kukunjtë mo!” dhe të tjera të ngjashme me këto.

Sa thelle i paska hyrë komunikimit nëdialekt Fuga,mendova,kot nuk është goxha filozof dhe i specializuar në fushën e medias dhe komunikimit. Më tej mendova të shprehja edhe dëshirën “Na rrofsh b… në  hënzë o profesor se në diell të vriten sytë!”, por u pendova se e pashë që nuk mbyllej me Mo.

4 vitet e paparashikueshme të Tramp

http://kuendemi.blogspot.ca/2016_06_01_archive.html

5 muaj më parë, kam shkruar rreth asaj, që e priste botën pas fitores së Hillërit. Pak a shum, një gjendje e njëjtë, e zymtë, me luftra që ndizen e shuhen sipas interesave gjeopolitike të korporatave dhe lojtarëve të tjerë kryesorë; thellim të hendekut midis të pasurve dhe të varfërve në gjithë botën dhe rritje të buxheteve ushtarake.
Parashikimi i im ishte plotësisht i gabuar. Në vend të viteve ‘të mërzitshme” do kemi tani vitet e surprizave të Tramp.
Arsyet e kësaj, që posa ndodhi, janë disa shumë të qarta dhe të tjera më të fshehura, por ato mund të ndihmojnë politikanët amerikanë për fushatat e vitit 2018 dhe 2020 dhe nuk kanë ndonjë rëndësi për atë që mund të ndodhë në botë pas 20 janarit 2017.
A është Presidenti amerikan njeriu më i fuqishëm në botë?
Unë mendoj, që pohimi i kësaj pyetje duhet të jetë shumë relative dhe ndoshta si pyetje duhet ndërtuar, se a është qveritari më i fuqishëm në botë.
Natyrisht, edhe plotësisht një kukull në duart e “zotërve” të kësaj toke ai nuk është, por një gjë është e sigurt, se fuqia e tij nuk është absolute. Sistemi i ndarjes së pushteteve ‘check and balance” e bën këtë të qartë edhe për ata, që shohin vetëm fasadën, sepse në prapaskenë ka edhe të tjerë “lojtarë“, që mund t’i kujtojnë Presidentit se deri ku e ka ]apin. Rasti i Obamas ishte më i qarti. Ai ngjalli shumë shpresa dhe thuajse i zhgënjeu të gjithë mbështetësit. Gjatë viteve të Presidencës së tij, të pasurit u bënë më të pasur dhe vatrat e luftës në botë nuk u shuan.
Po pse është e vështirë të parashikosh çdo bëjë Tramp?
Ka disa faktorë që e bëjnë Presidencën e tij më të paparashikueshmen.
·         Tramp deri tani nuk ka paraqitur një program të qartë se ]do bëjë dhe se si do i bëjë. Fjalimet e tij demagogjike janë të mbushura me thirrje kundër ISIS, emigrantëve, Kinës, sistemit shëndetsor të Obamas, peshës financiare që mban Amerika në organizmat ndërkombëtare, por nuk kanë asgjë edhe në vija të trasha, se si do shkatërrojë ISIS, a do dalë nga organizmat ndërkombëtare e të tjera si këto. Fjalët e tij ishin melodi e këndshme për veshët e amerikanëve e bardhë të pashkolluar, që urrejnë të zinjtë dhe emigrantët, por edhe ai vetë nuk i beson se janë gjëra të dobishme për vetë Amerikën. Ndaj është plotësisht e mundur, që ve] ndryshimit të sistemit shëndetsor, Tramp do vazhdojë në gjithë fushat e tjera politikat e deritanishme.
·         Si natyrë ai është i paparashikueshëm, ose më mirë të themi jo plotësisht stabël mendërisht dhe emocionalisht. Nuk është e ]uditshme , që nga humori i momentit, ai të acarojë marëdhëniet me aleatët, ose të bëjë lëshime ndaj udhëheqësve autokratë, ndaj të cilëve ndjen simpati se i shikon si “burra të fortë“ të ngjashëm me të.
·         Vizioni i tij mbi Amerikën dhe rolin e saj në botën e sotme të globalizmit është i paqëndrueshëm. Ai luhatet mes proteksionizmit në ekonomi dhe intervencionizmit në politikën e jashtme, bile këtë të fundit do edhe ta realizojë me paratë e të tjerëve. Presidentët e pasluftës, nuk kanë qënë as naivë dhe as bujarë, por kanë pasur të qartë se nëse duan të diktojnë politikat ekonomike në botë në dobi të SHBA, duhet të kenë edhe qesen e zgjidhur për NATO-n, Bankën Botërore dhe FMN-në, apo për aleanca të tjera ushtarake. Tramp do të jetë edhe “bully” dhe këtë ta bëjë duke detyruar të tjerët të paguajnë.
·         Tramp gjatë fushatës ka fyer shumë njerëz të rëndësishëm në botë duke nisur nga Papa e duke përfunduar në kryeministra të vendeve jo të mëdha. Gjithashtu shumë politikanë të huaj me zë të lartë ose nën zë janë shprehur negativisht për të. Marëdhëniet prej 2017 e tutje me ta m und të përkeqësohen ose jo. Sepse Tramp është Tramp.
·         Vitet që po vijnë, kanë brenda surpriza të këndshme ose jo edhe për arsye të udhëheqsve të tjerë të paparashikueshëm në botë, si Putin, Erdogan, filipinasi Duerte apo edhe Bibi Netanjahu. Duke shtuar këtu Kinën, Pakistanin, Indinë dhe Iranin, do jetë shumë e vështirë të parashikohen provokimet dhe reagimi amerikan ndaj tyre. Deri tani, Amerika kishte një linjë të përafërt me Europën, Japoninë dhe vende të djera me demokraci të zhvilluar, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për administratën e Tramp.
·         I paqartë është edhe qëndrimi që do mbajë administrate e re ndaj racizmit që po shfaqet ]do ditë e më shumë në Amerikë. Nëse ai do aplikojë politika policore si ato të Rudi Xhulianit dikur në Nju Jork, ndaj zezakëve dhe keqbërësve të vegjël, rrezikon të krijojë përplasje të mëdha sociale brenda vendit, që mund të shpien në zhvillime nga më katastrofiket.

E megjithatë, duhet thënë se “che sara, sara”. Populli amerikan e zgjodhi, ndaj përgjegjësia bie mbi të gjithë Amerikën. Askush nuk duhet të dalë I larë për ato që do ndodhin.

Wednesday 9 November 2016

​Pse fitoi Tramp




Të gjithë analizat e bëra nga analistët e paguar, janë vetëm për të ngritur mjegull , që të mbulojë të vërtetën e madhe dhe të thjeshtë të fitores së Tramp.
Tramp është Iluminati.
Këtë e dinë yë gjithë Iluminatit e botës, që nuk janë të pakët, pasi ndërmorën një punë të vështirë, që jo vetëm të siguronin fitoren, por edhe ta kamuflonin si fitoren e dikujt jashtë establishment. 
Tramp është bërë Iluminati, që në vitin e dytë të Akademisë Ushtarake, por vetëm tani, nga shoqëria e fshehtë, u lejua të hynte në politikë. Interesante është, që iluminati janë edhe Billi dhe Hillëri, por kjo e fundit ka dhënë shenjat e krijimit të një korrenti femëror brenda shoqërisë me pjesëmarrjen e Madonës, Bejonsesë dhe Grida Dumës, gjë që nuk ju ka pëlqyer patriarkëve. Ata detyruan edhe Tereza Mejin të ftohte marëdhëniet me Klintonët, në rast se donte të zgjidhej kryeministre e Britanisë.
Cdo gjë është e thjeshtë tashmë.
Iluminatit e tërhoqën edhe njëherë pas hunde popullin amerikan dhe po krijojnë Rendin e Ri Botëror. Pengesë është vetëm Kina dhe Meksika të cilat Donald i ka sulmuar ashpër gjatë fushatës.
Rendi i Ri botëror do ketë në krye Amerikën me 66% të influencës globale, Rusinë me 16%, Anglinë me 6% dhe Turqinë me 3%. Ato që mbeten,  do ndahen mes iluminatëve të hemisferës së jugut, ose si i quajnë mes tyre “kokëposhtët”.
Europa, si një organizim i çorientuar dhe me shumë kokë, do goditet vazhdimisht për të shkuar drejt shpërbërjes. Roli kryesor ju është caktuar ballkanasve Rama, Cipras dhe Vuçiç. Goditja e parë e grekut lehtësoi daljen e Britanisë dhe tani pritet goditja e Ramës, që mund të sjellë shkëputjen e vendeve Skandinave dhe Italisë.
Në një plan më afatgjatë është rikrijimi i Perandorisë Austro-Hungareze, e cila do ndajë me Iluminatin Putin të gjithë Ballkanin problematik. Pjesa e Shqipërisë mbi gazsjellësin TAP(vepër që financohet nga shoqëria e fshehtë)I bashkohet Vienës. Jugu, i shqiptarëve rondokopë dhe që pinë raki me gradacion më të lartë do i ngjitet votkëpirësve rusë. Për të mos krijuar pakënaqësi në Iluminatin Erdogan, Peqini dhe Shijaku do shpallen vilajete të Turqisë me dalje në Adriatik.
“Bota nuk ka për të qënë më e njëjtë“ tha sot sabah , sabah Tramp.
E dimë o xhan e dimë! Mos na merr fare për loço edhe ne!

Tuesday 8 November 2016

Xhiko Hillëri ç’të duhet Presidenca?



Ende, pas 18 muajsh fushatë intensive, nuk kam arritur të kuptoj se ç’i duhet thuajse 70 vjeçares Hillëri Rodhëm Klinton Shtëpia e Bardhë.
T’i shërbejë vendit të saj?
Këtë nuk e besoj se nuk më duket natyrë, që përgjërohet për t’i shërbyer vendit dhe popullit të saj.
Për para?
Edhe kjo nuk ta mbush mendjen, se ish Zonja e Parë mund të fitojë më shumë duke mbajtur fjalime në mbledhje pasunarës ose duke ligjëruar nëpër universitete  se sa prej rrogës si Presidente. (Në Amerikë Presidentët nuk merren me tendera rrugësh dhe koncensione në mjekësi.)
Të krijojë një Dinasti Klinton në politikë?
Nuk ka shumë të ngjarë, se në të kundërt do kishte lindur shumë djem e vajza për të vazhduar karrierën e prindërve, ose nëse kjo do ishte e vështirë për të (jo për Billin) do kishte adaptuar si Zholi një tufë shumëngjyrshe kalamajsh.
T’I tregojë gjithë botës se ka qënë dhe është më e zonja se Billi?
Për këtë kanë qënë të mjafta deklaratat e Billit që në kohën e fushatave elektorale për guvernator të Arkansas dhe deri më sot.
E detyruar nga ndonjë rreth i fshehtë masonësh apo illuminati, në të cilin bën pjesë?
Kjo teori mund t’ju mbushë mendjen Kastriot Myftarajt dhe gjithë konspirativistëve të tjerë, por mua, edhe sikur të më shkone në mendje ta pranoja si mundësi , do më hidhej në grykë avokati im.
Të flirtojë me stazhierët që do punojnë në Shtëpinë e Bardhë, për tu hakmarrë ndaj tradhëtisë të të shoqit me Monika Luinskin?
Hillëri ka pak gjasa të jetë akoma në gjendje të ndjejë kënaqësi për flirtime, “ljubbjoçka” të lehta apo të rënda, tani që po mbush 70 edhe po ta ketë në maksimum ndienjën e hakmarrjes.
Të hyjë në histori si e para grua në krye të shtetit më të fuqishëm që ka njohur deri më sot njerëzimi?
Këtë ëndërr Hillërit ja kanë përkundur edhe të tjerët, që në kohën e angazhimeve të saj politike, kur ishte studente në Harvard. Gatë 8 viteve në Shtëpinë e Bardhë, ajo ka qënë gjysëm e dehur nga “pushteti i pamatë“ I Presidentit të Shteteve të Bashkuara, një dehje kjo që nuk del lehtë. Për më tepër kur është e shoqëruar edhe me libra jetëshkrimorë para e pas vdekjes, monumente bronxi jo vetëm në Kosovë, emra aeroplanmbajtësesh apo planetesh të zbuluar rishtas, apo më tepër akoma, krahasimi me Kleopatran, Katerinën e Madhe, Mbretëreshën Viktoria apo Anxhela Merkel. (Më shkoi në mendje të rendisja mes tyre edhe Shoqen Shenka, por e di që do akuzohem pa të drejtë si maskilist.)
Ndoshta kjo e bën pensionisten Klinton, që në vend të rrijë e të shkruajë kujtimet, të shijojë në qetësi ndrrimin e stinëve, të kundrojë me të shoqin ose me miq të afërt vende që nuk i ka vizituar më parë, të këshillojë të bijën dhe të rinjtë e tjerë që duan të hyjnë në politikë se ç’gabime të evitojnë, që merr ‘sokakët” e Amerikës për 18 muaj dhe të shtrëngojë miliona duar, të përqafojë pa qejf mijra njerëz, të përsërisë deri në ngjirrje të njëjtat fjalë, të dëgjojë mijra sharrje ndaj saj dhe të shoqit.
Suksese xhiko Hillëri!
Pas kaq shumë sakrificave, vërtet meriton të hysh në  Zyrën Ovale dhe në Histori!

Monday 7 November 2016

“Sindromi” i Eskobarit.



Nuk di nëse ka vërtet një sindrom të tillë, po meqë emocionet e zgjatura, veset, pasionet e tepruara, brengosjet disaditore dhe shumë gjendje të tjera emocionale të njerëzve po trajtohen gjithnjë e më shumë si probleme të shëndetit mendor, ka mundësi të ketë edhe një Sindrom të Eskobarit.
Pablo Eskobar, njihet tashmë si më i famshmi dhe më i suksesshmi narkotrafikant. për paratë e  fituara dhe rrjetin gjigand dhe efikas. (El Chapo dhe të tjerë sot  nuk mund të afrohen në madhësinë e Perandorisë të kokainës të Eskobarit.)
Ishte një burrë shumë i pashëm, me flokë të zeza të errëta dhe i sjellshëm. Gëzonte popullaritet në krahinën e tij dhe ishte zgjedhur deputet në Parlamentin Kolumbian. Njerëzit e deshin dhe ende sot ka shumë syresh, që e kujtojnë të malluar. Gratë linin kokën për të.
Këtu ze fill ideja e “sindromit” të Eskobarit, i  cili, ndryshe nga çrregullimet e tjera mendore, të cilat janë kryesisht individuale, kap grupe të tëra të popullsisë.
Kur ishte në politikë Pablo komandonte një fond jo të pakët parash të taksapaguesve dhe pjesën dërmuese të tyre e përdori për të ngritur shkolla, kisha dhe spitale në zonën e tij të Medelinit, gjë që bëri ta adhurojnë më tepër ndjekësit e tij dhe të nisnin ta simpatizonin edhe dyshuesit. Sepse në fund të fundit, nuk ka rëndësi(thoshin) se kush është, kur po ndërton kaq shumë për popullin. “E bëri Medelinin si Majami!”, “Cuditen të huajt kur na vizitojnë!”, “Medelin, parajsa ku dua të jetoj!”, “Shiko Medelinin dhe nuk ke si të mos qëndrosh për një bandeja paisa me një petë!”, ishin shprehjet që dëgjoje pijetoreve të Medelinit nga adhuruesit, dyshuesit dhe të kthyerit. Të gjithë i kishte kapur “sindromi” i Eskobarit, pasi kishte më pak rradhë në urgjencat e spitaleve, më pak fëmijë që nuk kishin bango dhe besimtarët nuk luteshin më nëpër kisha, të cilave ju pikonte çatia. Kur Eskobari vinte në qytetin e tij, i mbrojtur nga shoqërues të paguar nga shteti dhe nga plot trupmbrojtës së “perandorisë së tij”, rrugëve dëgjoheshin thirrjet entusiaste “Pablitooo!!”, “Don Pablo!!”, “Viva Eskobar!”, “Te kiero Pablo mi korason!!”. Tufa të tëra me “muçaçita”, lënesha, virgjëresha, të përdalme, të pandalme, të padjallëzuara, finoke, në ekstazë, vallzonin para pas dhe anash shpurës që shoqëronte Perandorin e Kokainës. Në këngët që i kushtoheshin, më e famshmja ishte ajo me vargjet “Eskobar o djalë i ri/Gjurmë le në histori/sa të shkojnë ato mustaqe/Solle dritë, ndërtime, paqe.”(Përkthimi mund të ketë edhe të meta, për shkak të njohjes sime të cekët të spanjishtes dhe mungesës së dëshirës të Plasarit për të përkthyer këngën në fjalë.)
Njerëzit ishin më shumë të gëzuar se të sëmurë, ndërsa Pabloja ishte më shumë në llogaritje se sa në delir.
E keqja është se gjendje të tilla shpirtëroro- mendore nuk mund të zgjasin gjithë jetën, sepse idhujt e rremë, ose përfundojnë në burg, ose i vrasin , ose borxhi i madh shtetëror bën që vendi të kalojë në krizë të thellë.
Pabliton e vranë. (Amerikanët dhe Lobi Peruan e bënë, sepse jo vetëm Perusë qe ja kaloi Medelini, por do ja kalonte edhe Amerikës- thanë të gjithë ata që vuanin nga sindromi i Eskobarit).
Në Kolumbi ka ende shumë të sëmurë me ‘sindromin” e Eskobarit.
Tani edhe në Rusi.
Do Zoti dhe e mban larg këtë sëmundje nga vendi jonë i dashur!





Friday 4 November 2016

Ku fshihesh ti, njeriu i ndershem?



“I nderuari” Filan, nuk është e njëjtë me “I nderçmi” Fistëk dhe asnjëherë nuk ka qënë e tillë edhe kur përdorej në letërkëmbimet e shumë dhjetëvjeçarëve më parë. I nderuar- është ai, të cilit i bëhen nderime, ndërs “I nderçmi”, është ai, të cilit nderimet i bëhen rrallë.
Në mediat e sotme, qofshin profesionale apo jo, cilësorët “I nderuar” dhe “I ndershëm” përdoren më rrallë. (Fjalën e kam për mediat shqip.)
Në një debat, ku përmendej një biznesmen. i njohur për të shkuarën e tij kriminale, një mbrojtës i tij e quante “njeri të nderuar”. Dhe vërtet është i tillë. Ka mbi 20 vjet, që nderohet thuajse kudo që shkon. Në festa, bankete zyrtare, ceremoni familjare, koncerte, panaire librash, p[rurime nd[rtimesh etj, etj. Rri në tavolina me ministra dhe kryeministra. E ka për turp ta quajë veten “të ndershëm”, sepse të qënit të tilë, ka humbur vlerën në Shqipëri.
Me “biznesmenin e nderuar”, pi kafe edhe një pedagogu im. Shumë vite më parë, më tregonte se si ishte prishur me një mikun e tij. Miku i kishte kërkuar të ndërhynte tek e shoqja, për të kaluar një student dhe pasi pedagogu im kishte refuzuar, tjetri nuk i kishte folur më.
Ndershmëria e tij(dhe shumë të tjerëve) nuk e kaloi dot sprovën e ndrrimit të sistemeve. Tani hesht, mbyll sytë dhe veshët, pi kafe me të “nderuarit” dhe punon duke u justifikuar me veten “tregu nuk pyet se nga dhe si vjen puna”.
Në aradhën e të “nderuarve” hyn edhe një i njohuri im, i cili ka punuar rrallë gjatë 25 viteve të fundit. Ose ka lënë përshtypjen, që nuk ka punuar, se profesioni i tij është i pakonfirmuar ligjërisht nga Ministria e Punës. Eshtë sekser. Ka punuar për disa ofiqarë si i tillë. Nuk shtë aq e lehtë sa mendohet, se veç preokupimit, bythëlëpirjes, takimeve në kafene, ky profesion ka brenda edhe frikën se mund të zëvendësohesh nga një sekser tjetër më i shkathët, ose ofiqari të marrë të tatëpjetën, ose më keq akoma të përfundosh në një grackë me kamera të fshehtë, që do të të detyrojë të paguash gjithë ato që ke nxjerrë në disa sekserë të tjerë policësh, prokurorësh dhe gjykatësish. E megjithatë, për sa kohë njihesh si sekseri i ofiqarit, “kudo të hapen dyert”.
Në kafenetë ku hyj, për të kërkuar njeriun e ndershëm, shikoj “të nderuarit” bashkë me pedagogun tim, “njeriun të cilit i hapen gjithë dyert”, një poetuc , që thurr vargje për të nderuarit, që lenë gjurmë në histori, një aktore dështake, që reciton vargjet që thurr poetuci për të nderuarit, që lenë gjurmë në histori, një madamë e shkuar në moshë, që ndjek të gjitha mbrëmjet poetike, ku recitohen vargjet për të nderuarit, që lenë gjurmë në histori dhe një shakator, që nuk paguan kurrë ato që pi. 
Atë, njeriun e ndershëm nuk e gjej.
Nuk është se ai ka mbetur aq i varfër sa të mos paguajë dot një kafe. E di që punon diku edhe pse nuk pranon të punojë për ‘të nderuarit”. E di edhe që është një mjeshtër i mirë pothuajse perfeksionist. Punon pa u nxituar dhe pa lakmuar. Ka një celular, por pak njerëz e dinë numurin e tij. Nuk ecën rrugëve kryesore dhe shpesh është i vetëm, i menduar, duke thithur llullën e tij, që e bën të duket më tepër jashtë kohe.
E kërkoj kudo me sy(jo aq shumë për tu çmallur, se sa për të më meremetuar diçka), njeriun e nderçim, të cilin shumë pak e njohin.
Diku është, fshehur zhurrmës dhe turmës larushane, që zdërhallet kafeneve dhe nderon “të pandershmit”.


Wednesday 2 November 2016

Trampi dhe Rama


Qarkullon në rrethet e politikës shqiptare(sidomos në nivelet që nuk kanë idenë e politikës amerikane), që në rast se Tramp fiton zgjedhjet e 8 nëntorit, ditët e Ramës në krye të vendit do jenë të numëruara. Për këtë, kanë ndikuar edhe deklaratat e kësaj vere të Ramës në Tiranë dhe Amerikë. Rama u përbetua se ishte një anti-Tramp i klasit të parë dhe se do ishte fatkeqsi, që të mos votohej për Hillërin në nëntor.
Po a është Rama një simpatizant i Klintonit dhe përbuzës i Tramp?
Jo vetëm dyshoj, por e kam gati bindje që thellë thellë Rama dëshëron fitoren e Tramp.
Janë një sërë politikanësh të lartë në vendet e Europës Lindore, të cilët kanë simpati të fshehura për Putin, Erdogan dhe bjellorusin Lukashenko. Edhe pse duhet të hedhin këmbët sipas “avazit” demokratiko-liberal të Europës së Bashkuar, të gjithë ëndërrojnë pushtetin e pakufi të Putin. Pushtet, që shoqërohet me një rritje maksimale të pasurisë së tyre personale dhe të klanit, që kanë rrotull. Të njëjtin adhurim, disa prej tyre e kanë shprehur hapur ndaj Berluskonit, që edhe pse nuk është Putin, ka shumë ngjashmëri me “The Donald”.
Të njëjtat karakteristika si të Silvios(plus arrogancën) ka dëshmuar Tramp në kohën e hyrjes së tij në politikë.
Rama, si natyrë , është i afërt me Tramp. Egocentrik, i papërmbajtur, arrogant, maskilist, delirant, gojështhurrur, Ramën nga Tramp e ndan vetëm mosuksesi personal në biznes apo në profesion, por këtë e balancon me suksesin në politikë.
Po përse atëhere, Rama doli hapur kundër Trampit, gjë kjo jo e zakonshme për kreun e një qeverie të huaj?
Rama nuk e bën këtë se është amator në politikë, apo se nxitohet. Eshtë më djallëzor dhe dinak se sa duket.
Qëllimi i parë është të bjerë në sy të Merkelit dhe Holland, për të cilët është i sigurt,që duan fitoren e Klintonit.
Gjithashtu, për brenda vendit i duhet një marëdhënie sa më e mirë me ambasadorin Lu, i cili vjen nga Partia Demokratike.
Së treti, në rastin e fitores së Klintonit, ai mendon të përfitojë maksimalisht nga mbështetja e hapur e dhënë në fushatë.
Po a mbart kjo rrezikun e një armiqësimi të pandreqshëm me Tramp dhe fillimin e një dështimi të karrierës së tij politike?
Rama është i ndërgjegjshëm, që me politikanë si Tramp, nuk është e zorshme t’i rrregullosh marëdhëniet edhe në rast se njerëzve të tij nuk ju kanë shpëtuar deklaratat e kësaj vere të Ramës. Ai i beson diplomacisë së tij të “batutave”, “peshqesheve” dhe “koncesioneve”. Me politikanët autokratë, këto funksionojnë për bukuri. Kështu që, me përfshirjen e tij në politikën amerikane, Rama del i fituar në ç’farëdo rezultati të zgjedhjeve. Me Tramp ndoshta mës humë se sa me Klinton.
Ndaj kot gëzohen ose dëshpërohen në Shqipëri për fatin e Ramës pas zgjedhjeve presidenciale amerikane. Nuk ka rëndësi në fiton e Majta apo e Djathta.
Rama ka dhe do të ketë mbështetje.
Deri sa ta derdhë kupën.

Fjala e Blushit ne lindjen e LIBRA-s



Dëgjova pak nga fjala e Blushit në ditën e krijimit të LIBRA-s.
Më frikësoi.
Jo se ishte një fjalë, që ngjallte frikë, (si mund të jenë fjalimet e nacionalistëve apo ekstremistëve të tjerë)por ishte në vazhdën e fjalëve të tij të gjata, në foltoren e parlamentit. Fjala, të kujtonte monologjet e Celentanos në spektaklet e tij “Rockpolitik”, me antonimet “rock” dhe “lento”. Tek Blushi ishin të njëjtat moralizime- me “e drejtë“ dhe e padrejtë“.
Sigurisht, që është e drejta e Blusit të komunikojë me ndjekësit e tij dhe me elektoratin, si Blush, me shumë fjalë dhe figura. Po, a është kjo, gjuha që duan të dëgjojnë shqiptarët, për të pasur shpresë në vetja e tyre dhe në e ardhmja?
Unë nuk di se si do e pëlqente shumica e atyre, që interesohen për fjalët dhe veprat e Blushit, por mendoj, që njerëzit e shkolluar, të lirë dhe të barabartë duan të dëgjojnë diçka tjetër.
Fillon me një pastrim të ndërgjegjes duke thënë, që e njoh nga brenda, se si është bërë politikë deri tani dhe pranoj përgjegjësitë e mija, qofshin edhe jo të mëdha.
Vazhdon me spjegimin se ç’duhet bërë ndryshe nga sa është bërë.
Shkallëzohet me ngjalljen e besimit se është diçka që mund të bëhet.
Mbyllet me ide të qarta se si do të bëhet.
Këtë duan të dëgjojnë shqiptarët, që duan të ndryshojnë mënyrën se si bëhet politikë.
Shkurt, qartë, me frymëzim.
Ndoshta nuk duhet pritur nga Ben Blushi, të shkëputet plotësisht nga “kultura shqiptare” e politikës, me fraza të përgjithshme, shpesh të mjegullta, që tingëllojnë interesante por shpesh janë pa bukë.
Në fjalën e tij të parë si Udhëheqës, Blushi mu duk moralist. Nëse vazhdon kështu nuk do bëhet dot kurrë lider. 
Për më tepër, nuk e ka moralin e papërlyer.