Friday 28 February 2014

Shkolla e politikës.

Eshtë vonë ose është herët dhe e di që duhet të shkruaj diçka, por nuk di përse të shkruaj. Më e thjeshta është të shkruaj për ashpërsinë e këtij dimri, “I papam” në këto anë prej 20 vitesh, por duhet të jem i sinqertë, që nuk e kam ndjerë në palcë, sepse palca mbase më është dashur. Po të shkruaj për Bodlerin ose Poen do tregohem fare i cungët nga mendja dhe për vdekjet e këtij shkurti nuk dua më të shtoj.
Ndoshta u mbaruan edhe ata për të cilët, sipas një shoku tepër racional, “nuk i mbaj dot zhabat që kam në bark”, ndaj do flas për dikë që nuk i përket ‘gjithësisë“ shqiptare. Bepe Grillon.
Duket që Lëvizja e tij po kalon kohë të vështira, falë presionit të Tregjeve, Lojrave politike dhe mediokritetit të përfaqësuesve të saj në Parlament. Senatorë të përjashtuar që bëjnë deklarata idiote, përkrahës të tyre Brenda Dhomave të Parlamentit, që ndoshta nuk kanë kuptuar ende se ç’është Lëvizja “5 yjet” dhe kundërshtarë po Brenda Lëvizjes, që në qëndrimet e tyre në Mediat italiane nuk shprehin atë që shpreh Grillua apo Kazalexhio.
Përçarja e fundit e “5 yjeve” tregon dobësinë e një Lëvizje të ngritur pa para në Internet. “Normal” do të të përgjigjeshin në çdo kafene të atdheut, pa arritur t’i kuptosh nëse e kanë për përçarjen, dobësinë apo Internetin. Lëvizja në vetvete ishte “anormale” sepse nuk ka preçedent të sajin në asnjë vend të zhvilluar. I vetmi problem për mendimin tim, është paaftësia e dy liderave të saj për të përgatitur Përfaqësues të popullit. Vërtet këta të fundit nuk kanë pse të luajnë pas rregullave politike, por të paktën duhet të kenë të qartë filozofinë e Lëvizjes dhe objektivin e saj. Në të kundërt, jo vetëm do përçahen, por do duken qesharakë si po duken jo pak prej tyre. Në këtë rast do fërkojnë barkun “putanat” e përhershme të politikës italiane Berluskoni, D’Alema, Kazini  e me rradhë të promovuarit Alfano, Leta e Renci.

Ky djall profesion i “politikës kurvë“ do shkollën e vet edhe në rast se do të luash pastër!

Wednesday 26 February 2014

A ta çifsha Lubomir!


E shara e mësipërme nuk ka shumë lidhje me Ljubon. Eshtë për mua jo shprehje dufi, por e solidaritetit të njerëzve të mirë e të sinqertë.
Në fundin e vitit famëkeq 1997, përfundova në një zyrë jo të vogël projektimi në një qytet pranë Torontos. Fati e solli që në muajt e parë të mbritjes në Kanada, pasi punova në një fabrikë që mbushte pije freskuese, të merresha në punë nga arkitekti sllovak Lubomir, të cilit I mbeta gjatë mirënjohës për mundësinë që më dha. Në zyrë, veç kanadezëve ishin edhe dy polake, dy boshniakë, dhe një sllovak tjetër veç Presidentit Ljubo. Kishte shumë për të punuar dhe për mua edhe shumë të mësoja. Emigrantët kishin të gjithë një lloj ndienje të afërt me njëri tjetrin, se kishin thuajse të njëjtin formim profesional dhe të karakterit. (Atë kohë mendova që Diktaturat e Majta deformojnë shumë gjëra por jo cilësitë e mira të njerëzve.)
I pari që u afrua ishte serbi nga Mostari, Miodrag Saviç, i cili pakëz i skuqur në një nga ditët e para më tha “Si je Naum?”. Qesha me pyetjen me theks kosovar dhe e pyeta se nga e kishte mësuar. Në ushtri më tha. E kishim një vit të detyruar shërbimin ushtarak dhe rrija me kosovarët. Të gjithë në zyrë ishin të predispozuar të më ndihnin në fillim, por Mioja(si e thërrisnin Miodragun) shquante. Ishte aq I drejtë, i gatshëm dhe i sinqertë, sa të dukej se vinte nga një kohë tjetër edhe pse ishte disa vjet më I vogël se unë. Të dy boshnjakët nuk I pyesja rreth Luftës se dukej që kishin kujtime shumë të rënda. Bisedonim më shumë për kohët e mira të Jugosllavisë, kur edhe unë kisha pasur rastin të shihja diçk nga jeta e atij populli në kanalet televizive gjatë viteve ’70 dhe ’80. Jo vetëm Mioja, por të gjithë kroatët, serbët, boshnjakët, maqedonasit që kam takuar në Kanada, i kujtojnë me mall ato vite të Vëllazërimit të popujve të asaj pjese të Ballkanit edhe pse i njohin kusuret e mëdha të sistemit të tyre komunisto-vetadministrues. Tek ata kam parë cilësi njerëzore, që janë vërtet për tu admiruar dhe ndryshojnë nga vlerat e kanadezëve apo edhe emigrantëve nga Azia apo Amerika Latine.
Një ditë, Mioja më pyeti pse punoja jashtë orarit kur nuk paguheshim. I thashë, që ishte fillimi dhe doja të mësoja mirë programet dhe njëkohësisht t’i tregohesha mirënjohës Ljubos që më kishte dhënë mundësinë të punoja në profesion. “A ta çifsha Lubomir!” më tha dhe qeshi. Qesha dhe unë me të madhe dhe e kuptova që e shara e rrallë e Mios(ai nuk shante as anglisht), kishte të bënte me natyrën thuajse kanadeze të bosit tonë sllovak. Ishte e shara e njeriut që nuk gënjen, kur ndjen se të tjerët nuk e kanë për gjë mos e mbajnë fjalën. Prej asaj dite, ndonjëherë kur ishim shumë të ngarkuar dhe Presidenti nuk ishte nëpër këmbë, dëgjoja nga fundi i sallës Mion që thërriste;
-Nauuuummmm…
-Yes Miooooo…..

-A ta çifsha Lubomir!

Tuesday 25 February 2014

Më lini të shijoj standartet!


Në qershor të vitit 2009 udhëtova për 3-4 ditë në Anglinë e Re. Dëshira ishte të takoja një miken time, e cila më kishte shtyrë të merja seriozisht botimin e librit tim të parë dhe të vetëm. dy vjet më parë. Udhëtimi në shtetet e Nju Jorkut, Kënektikët dhe Masaçusetsit, ishte sipas parimit të “Uzurajt” me “një gur po të jetë e mundur të vrasim 4-5 zogj”. Me një fjalë po qe se mikja e panjoftuar mund të mos jetë apo të ketë plane, le të bëjmë një vizitë të ngrohtë dhe miqësore në korçarët me banim jashtë atdheut, po qe se dhe këta të fundit do kenë plane për uikendin le të shkojmë në “Dhelpra” ose në “Guri i Kthyer” dhe të zdërhallemi tavolinave të pokerit dhe shtretërve ‘mbretnorë“ të hoteleve dhe nëse duket që parave po i vjen fundi, le të bëjmë një ngjitje në Mejn e përfundojmë në Sushi-bar të Xhosë. Këto ishin planet e mija atë qershor (nëse mund t’i quajmë plane improvizimet e mia rrugëtore) dhe duhet thënë që nuk ishin aspak plane standart, standartate zakonisht i bëjnë gratë nikoqire, të frymëzuara nga shoqet e tavolinës ngjitur dhe që kanë veç synimit kryesor të zbavitjes së familjes edhe atë të një “kohe më të mirë dhe më të plotë“ se të shoqes frymëzuese.
Në të njëjtën javë, disa standarte të tjera ju ishin vënë qeverisë dhe partive shqiptare për zgjedhjet parlamentare. Deri në ato zgjedhje, që prej vitit 1996, Perëndimi (OSBE me kompani) i kishin lejuar vjedhjet e votave në Shqipëri, për arsye që vetëm analistët seriozë mund t’i dinë, se unë dhe taborri i njerëzve të thjeshtë, që vrasin ndonjëherë mendjen, nuk i kemi kuptuar kurrë.
Ato ditë ishin veçanërisht të bukura në Anglinë e Re dhe nuk di se sa të nxehta ishin në Tiranë, ku qershori gjithnjë është përvëlak. Për më tepër, atmosfera ishte e ndezur, se jo vetëm ishin zgjedhje me rëndësi, por gara duhet të ishte edhe shumë shumë e fortë. Veç dy “kundërshtarëve” që ishin bërë ortakë për të likuiduar Partitë e vogla (ndoshta dhe me bekimin e Bashkimit Europian për sistemin e thjeshtë dhe të sigurt Bi-polar), shumë zhurrmë bënin edhe të vegjlit për “atentat ndaj demokracisë“, bile jo më shumë se 5 javë më parë, disa prej tyre me Metën në krye, kishin bërë grevë urie, nga e cila çuditërisht skraparlliu më i famshëm kishte dalë më qafëbuall se kurrë. Ishte për të një luftë “për jetë a vdekje në shpëtim të Demokracisë dhe Integrimit në Europë‘. Si të thuash shansi i fundit i Shqipërisë për të ruajtur demokracinë e brishtë dhe shpresën europiane. Dalja e Metës nga parlamenti do shënonte, rrëshqitjen e Shqipërisë në  një vend si Siria apo Jemeni. Të pafavorizuar nga ligji i ri elektoral, hajdutët e Metës nuk do mund të mbronin dot votat e tyre nga vjedhjet e hajdutëve të Saliut dhe të Ramës.
Pasditen e së djelës, pasi kisha mundur të godas me gurin e vetëm, dy nga 4-5 zogjtë, në tv të dhomës në Kënektikët pashë në CNN diçka rreth votimeve tona. Nuk e kujtoj se ç’ishte dhe as sot nuk më ndërmendet nëse pati ndonjë të plagosur apo rrëmujëra në Tiranë. Veç e di që mu ringjall interesi për ato zgjedhje që mund të shkonin në çdo krah. Preferoja një humbje të Ramës, se nuk kam dashur kurrë të vijë në krye të vendit, për shkak të karakterit të keq dhe moshës së re, si dhe se kishte shkatërruar bashkë me Nanon një subjekt politik me përkrahjen më të madhe në vend. Nga ana tjetër, fitorja e ngushtë e  Berishës mund të sillte një parlament të paaftë për të mbështetur qeverinë më shumë se një vit dhe në zgjedhjet e tjera, veç Metës do ishte larguar edhe Rama nga kreu i PS-së dhe të rinjtë “vurimendës” të së Majtës do sillnin një erë të re në politikën shqiptare. Pra më gënjente mendja se me një “gur” në qershorin e 2009-ës mund të likuidoheshin Meta dhe Rama, e një vit më vonë edhe Saliu. Sa mirë! Më mungonte vetëm preshi!
Gjithsesi, pas një ore i harrova të gjitha. Ishin ditët më të gjata të vitit dhe pas një mbrëmje të bukur pranë oqeanit përfundova në shtratin tim mbretëror. I vetëm dhe i lumtur që nuk kisha nevojë ta ndaja as me Opozitën. U zgjova i tmerruar rreth orës dy nga kithma të mbytyra që vinin jo nga jashtë. Pas daljes nga përgjumja i mpreha shqisat dhe arrita të kuptoj se ishin klithma të një femere që kishte lejuar “të përdhunohej” nga i fejuari i saj. Ndoshta edhe të posamartuar. Këtë të fundit ma mori mendja nga kohëzgjatja e klithmave që nuk ishin të rreme. U ngrita dhe mbusha vaskën me hidromasazh, për tu shlodhur e të mos dëgjoja më asgjë. Për mëse një orë i gjithë trupi ishte i lëshuar dhe i dorëzuar ndaj goditjeve të ëmbla të ujit të trysnuar. Edhe muskujt më të vegjël brohorisnin dhe herë herë ju bëja të njëjtën gjë edhe muskujve të kokës duke menduar që me to mund të dilnin disa racione të mira prej paçe koke. Paçet siguriht që më shpunë në Korçë dhe rrjedhimisht mendova për votimet. C’ndodht evallë në Tiranë në orën 9 të mëngjesit ndërmjet Pozitës dhe Opozitës, ndërsa në dhomën ngjitur dy të posamartuarit vazhdonin me passion lojën e tyre erotike, që e bënte vajzën të klithte aq shumë? Mbase Njëri po ja fuste Tjetrit. Gjëja më e natyrshme në sisitemin e sigurt Bipolar.
Në mëngjes u ngrita nga gjumi me copa i lodhur, por vendosa të ikja drejt Perëndimit. Go west! Fundja këtë kisha bërë prej 12 vjetësh. Në Kënektikët binte shi, por në Masaçusets dhe Nju Jork dielli shkëlqente. Kreyeqëndra e Shtetit Perandori  më solli sërish, si gjithnjë, në mendje atdheun. I dërgova një sms Benit ku e pyesja kush fitoi zgjedhjet. Përgjigja erdhi pas dy minutash: “Ahmanedinixhad!” Qesha me të madhe duke hyrë në I-90 dhe mendova se i erdhi fundi të treve. Ishte si një lloj Xhekpoti për popullin tim të përvuajtur!
Nuk është se nuk njihja popullin dhe atdheun tim, si dhe politikanët bastardë, por dëshira e madhe për ndryshim dhe ndonjë ndikim i  lojrave politike ne Botën e re më bënte naiv. Kur arrita të nesërmen në shtëpi kuptova se punët nuk ishin si i kisha menduar. Meta ishte në valle dhe me forcën për të luajtur fort, Dritan Prifti kishte thirrur “ky mandate është flori!”, Rama qante dhe klithte “ah të shkërdhefsha Nanon ç’më bëre!”. Berisha ja kishte futur atij dhe bashkë me Metën po gatiteshin t’ja futnin popullit shqiptar. I qetë në festën e tij prej hajduti, gazetarëve të huaj që e pyetën për fitoren ju tha:

“Më lini të shijoj standartet!”  OSBE e la t’i shijonte!

Monday 24 February 2014

UKRAINA DHE SHQIPERIA


Dje, një i njohuri im kanadez, jo vetëm i kënduar, por që ka jetuar rreth dy vite ne Europën lindore gjatë viteve ’70, më pyeti se ç’mendojnë në Shqipëri për ngjarjet e Ukrainës. I spjegova, që për shkak të humbjes të një shoku, nuk kisha dëgjuar asnjë koment, veç lajmit të vrasjes të një numuri jo të pakët njerëzish. Me shokët e mij në Shqipëri nuk kishim përmendur Ukrainën. Pastaj shtova se në Shqipëri edhe pse i kuptojnë ngjashmëritë me situatën e vendit, Ukraina ju duket tepër e largët dhe pa efekt në jetën e tyre. Bile të largëta ju duken edhe ngjarjet pak më tej se Prishtina apo Selaniku. I thashë kështu për njerëzit e zakonshëm si puna ime apo e shokëve tim, se ma merr mendja që politikanët e fuqishëm si Rama, çifti Meta-Krymadhi, familja Berisha apo Basha e të tjerë “të zengjinosur” në mënyrë balistike, ndjekin me interes ngjarjet në Ukrainë, për të parë se si do sillet Europa ndaj Timoshenkos e kompania bela.
Për fatin e keq të popullit të Ukrainës dhe të të gjithë popujve të Europës Lindore (ish-komuniste), ngjarjet e Ukrainës janë thjesht “luftë mes bandash” të mbështetura nga krahët përkatës në skakierën e madhe të politikës botërore. Tashmë dihet që askush nuk e ka seriozisht me korrupsionin. Politikano-biznesmenët e korruptuar mund të sundojnë në vendet e tyre, mjaft të jenë të kujdesshëm në disa gjëra të thjeshta:
·         Zgjedhje me manipulim te pranueshme.
·         Shkelje të të drejtave të njeriut me karar.
·         Fjalë të mira për Europën dhe Amerikën si dhe euron.
·         Dhënien e tenderave të mëdhenj kompanive të mëdha të vendeve të mëdhenj.
·         Liri të shtypit sipas standartit të Murdock.
·         Orientimin ekonomik të vendeve te tyre sipas sugjerimeve të FMN e Bankës Botërore.
·         (Kur vijnë politikanë apo specialistë europianë për t’i vizituar t’ju gjejnë edhe ca femra jominorene për tu dëfryer. Kjo kërkesë bëhet me gojë vetëm.)
Popujt e vendeve ish-komuniste, nuk i dinë këto kërkesa se në gjithë mediat valojnë fjalët e bukura të komisionerëve europianë, që nuk kanë asnjë ndryshim nga ato të politikanëve vendas, vetëm që të gjorët njerëz i besojnë se vijnë nga Lart. Ende nuk kanë kuptuar të shkretët, se justifikimet “na e kërkon Europa”, “na mbështeti Europa”, “nuk na le Europa”, “do e përcjellim në Bruksel kërkesën” ngjasin si dy pika uji me justifikimet e burokratëve të Nomenklaturave “Ka ardhur nga Komiteti Qendror”, “E ka thënë Partia”, “Do e përcjellim deri tek Sekretari i parë‘ etj etj. Me një fjalë të njëjtat porrdhë!
Ukraina më shumë dhe Shqipëria jo më pak, ndodhen në një gjendje kritike të shoqërisë së tyre. Varfëri e tejskajshme, korrupsion i papam (e vetmja gjë e papame në kryeqytetin e së papames), mungesë solidariteti brenda shtresave të popullsisë, ekonomi të çorientuara, sisteme arsimore, shëndetsore e juridike të dëmtuara rëndë. Terreni është i përsosur për lulëzimin e kriminalitetit dhe lëvizjeve politike ekstremiste, dhe kjo e fundit është e vetmja gjë të cilës Europa i trembet, por nuk bën asgjë për ta parandaluar.
Rreziku i konfrontimeve të armatosura është jo vetëm në Ukrainë, por edhe në Hungari, Serbi, Bosnjë, Kosovë, Greqi, Moldavi.

Europa e Bashkuar është tashmë një projekt gati në dështim. E keqja është se ky aparat gjigand burokratik, nuk ka ndërmend as të korrigjohet dhe as të lerë të lirë të largohen popujt apo ekonomitë që e kërkojnë këtë. Ndaj gjendja e Ukrainës është dhe do mbetet e keqe edhe pas hyrjes në Europë, ashtu si nuk do ndryshojë aspak ajo e Shqipërisë kur t’i miratohet statusi i kandidadit apo kur të hyjë në Vëllazërinë e Popujve të Sunduar nga Korporatat dhe të drejtuar nga politikanët hajdutë.

Sunday 23 February 2014

DIKTATURA E TREGUT

Ndoshta shprehja e mësipërme është përdorur edhe më parë në Mediat e huaja, ose edhe këto ditë me ngjarjet e fundit në Itali dhe Ukrainë. Nuk kam arritur të ndjek me shumë vëmendje se ç’kanë thënë analistët, të pavarur ose jo, megjithatë në rastin e Italisë, reagimi edhe i gazetarëve të thjeshtë, e bën të qartë, që të gjithë e kuptojnë, që emërimi i Rencit deri në vitin 2018 është tërësisht antidemokratik. Ngjarjet e Ukrainës janë në dukje krejt të ndryshme dhe informacionin nga të pavarurit e kam shumë më të pakët, por edhe atje, gjatë dy vjetëve të fundit është ndjerë hapur loja e “krahut të fortë“ ndërmjet korporatave të ligjshme të Perëndimit dhe atyre “gjysëm mafioze” të Putinit. Ata që po e provojnë në kurriz këtë luftë janë ukrainasit e shkretë, të verbuar nga varfëria dhe propaganda e të dy krahëve(bandave) me hajdutë.
Në Itali, nëse qeveria Renci do arrijë të ketë jetë të gjatë, do të thotë që elektorati të lihet mënjanë për një vit shtesë dhe po të llogarisim edhe kohën e qeverisë Monti plot për dy vjet.
Po ç’punë prish po të jetë për të mirën e Italisë?- mund të pyesë cilido me të drejtë. Vërtet, ç’të keqe ka po qe se Italianët nuk marrin pjesë në qeverisjen e vendit për dy vjet? Thua thjesht për këto dy vite “të veckël” duhet të themi se në Itali është instaluar Diktatura e Tregut (ose e tregjeve)?
Tregjet që përmenden shpesh nga politikanët si treguesit kryesorë të gjendjes ekonomike dhe shoqërore të vendit, nuk janë gjë tjetër veçse ‘bastet” që të fuqishmit venë mbi ardhmërinë politike dhe ekonomike të vendeve apo kompanive. “Bastaxhinjtë“, që janë korporata, fondacione, individë, shtete, duan që sistemi i vendosur sot (rregullat e lojës) të jetë sa më stabël. Prej ndryshimeve të mëdha gjeo-politike të fillimit të viteve ’80, sistemi globalist i korporatave, ka përcaktuar një lojë të caktuar të kalimit të parave dhe vlerave të tjera nga një dorë në tjetrën. Rregullat kanë favorizuar më të fuqishmit, kanë ndihmuar Kinën, e cila e ka luajtur me “kopillëk” brilant, dhe kanë krijuar një diferencë të madhe në shpërndarjen e të mirave, të cilën mediat në shërbim të të fuqishmëve, e quajnë “zgjerimi i hendekut” mes të pasurve dhe të varfërve. Ky system liberal “bastaxhinjsh” solli krizën e madhe që ka pushtuar botën prej 2007. Për të është shkruar shumë rreth flluskave financiare të kredive për prona të paluajtshme, për goditjen në bursa të shteteve të dobët borxhlinj si Greqia, Portugalia apo Irlanda etj. Korporatat dhe shokët e tyre të fuqishëm duan sistemi të ruhet, me disa korrigjime për sy e faqe, sa për të gënjyer sërish të varfrit dhe investitorët e vegjël, që humbasin kursimet e tyre në lojën e madhe të Bursave. Për ruajtjen e sistemit ju duhen politikanët dhe partitë e deritanishme, të cilave ju ka dalë boja në gjithë vendet Perëndimore. Më të dobëta janë këto Parti në vendet e Mesdheut, ku kanë lindur edhe Lëvizje shumë të fuqishme kundër politikës tradicionae në shërbim të të Fuqishmëve, si “5 yjet” e Bepe Grilos në Itali apo “Protestuesit” në Spanjë. (“Të pushtojmë Uoll Strit” në Amerikë është akoma e dobët.) Këto Lëvizje, pavarësisht nga ndonjë të metë që mund të kenë, tentojnë të sjellin Qeverisjen e njerëzve të zakonshëm në vendet e tyre. Një lloj Demokracie pjesëmarrse, e cila është më pranë parimeve bazë të demokracisë, Sondazhet tregojnë se mbështetja për Grilon në Itrali është 25%, që do të thotë, se janë një forcë që nuk mund të injorohet dhe mund të shkaktojë ndryshime dhe thyerje të rëndësishme të “makinës” së sotme të qeverisjes. Në rast se kjo ndodh në Itali, efekti domino do jetë i menjëhershëm. Ndaj u gjet kjo formulë e të ashtuquajturës “demokraci dypolëshe” që është thjesht ndrimi i alternuar i t
grupimeve politike, që sipas Comskit, përfaqësojnë grupe të ndryshme korporatash. Lëvizjen e Grilos nuk mund ta nxjerrin jashtë ligjit, si bëjnë me parti të tjera populiste, sepse në programet dhe veprimet e saj nuk ka asgjë në kundërshtim me rregullat e Demokracisë.
Atëhere le të fitojmë kohë! Një qeverisje e përbashkët mes të djathtës e të Majtës si në Gjermani (për hir të vendit gjasme) dhe Lëvizja e Grillos le të bëjë gam-gam në Parlament, sa të lodhen pjesëmarsit dhe mbështetësit e saj. Në fund të fundit edhe Grilloja është thuajse 65 vjet.
Tregjet reaguan shumë mirë!
Natyrisht, përderisa është në fuqi diktatura e tyre!

Saturday 22 February 2014

Tartuf

Vargjet e meposhtme jane shkruar per nje njeri te caktuar dhe jo nje kategori njerzish. Duhet te them se krahasimi i tij me Tartufin nuk eshte plotesisht i goditur. Njeriu ne fjale eshte me kompleks, por ka nje pjese te tij shume te ngjashme me Tartufin, te cilen nuk ja dija, sepse kisha vite e vite pa e takuar. Zaten, ne jete nuk ka as Tartufe dhe as Uriah Hip "sade", nuk ka as Gobseke apo Danglare e mund te vazhdohet me dhjetra personazhe te krijuar nga me te miret e letrave. Ndoshta ne punishtet e tyre, ata e kane pasur me te thjeshte te "skalisin" nje profil te caktuar, pa e pare ne kompleksitetin e tij. Ndoshta se edhe ajo Letersi ne ate stad ishte. 
"Tartufi" i im, eshte nje njeri i kenduar, jo agresiv, por veshur me nje mantel qe nuk eshte i verteti i tij. Shpesh here ka edhe shkendija sinqeriteti, por tek ai mbizoteron dinakeria se bashku me mendimin qe jam shume i zgjuar qe te me kuptojne te tjeret nese ju shes pak sapun te cilesise se pare, per djathe te cilesise se fundit. U perpoqa disa here t'ja "trokisja", qe isha i zhgenjyer nga raportet me njerezit dhe nga pseudotoleranca e tij, por vazhdoi me te njejten butesi dhe dinakeri te pergjigjej terthorazi ose me ligesi kur mundte pas kraheve. Mesazhi i tij i fundit ishte qe nxitimi dhe etiketimi i te tjereve, ishte shenje e nje mungese te madhe kulture. Vertet ashtu eshte. E di qe me mungon kultura e te qenit Hipokrit!

Ti lehtë buzëqesh mëngjesit,
Pas qelqesh të trasha e fsheh një duf,
Me zë të shtruar ze flet për dhimbjet,
Por unë të dalloj se ç’je
Tartuf!

Dikujt i thashë mos të besojë,
Mu gjegj, mos ja verë rë,
Mosha e ka bërë matuf,
Por jo, ti bukur fsheh dinakërinë,
E vetes i qesh, se je
Tartuf!

E kur të mjerët tregojnë plagët
Buzëve lehtë të del një -uf!
Se do t’ju thuash që thellë ndjen,
Dhe s’të kuptojnë se je
Tartuf.

Dua aq shumë maskën të t’ çjerr,
Të gdhend avllive tona me shtuf,
Ky burrë i vjetër që kërkon edhe vajza,
Eshtë një qenie e mjerë, që ndoshta nuk vlen,
As ta damkos me fjalen

Tartuf!

“PRESTIGJI I FAMILJES”



Nuk doja të shkruaja një shënim të tillë, sepse e di që shikimi i të kaluarës dhe pëmendja e të vdekurve të rëndon më shumë se sa harresa. Ishte komenti i Luan Merdanit, që më shtyu t’I drejtohem deputetit Ylli Ziçishti. Më shumë akoma, ishte kujtimi i të afërmve të mij Gavril e Gjenkë Kolaci, të shuar para kohe në internim, të vënë në ato lista të mallkuara nga i jati i deputetit.
I nderuar mjeku Ziçishti. Edhe pse më ra sy jo për mirë hyrja e jote në politikë, mendova se cilido ka të drejtë të marë pjesë si e mendon në jetën politike të vendit të tij. Mendova edhe se si mund të kandidoje për një Parti, që të kishte internuar nënën e vëllanë, por përsëri të justifikova me dëshirën për të patur ndonjë privilegj kur të të vijë pensioni. Duke bërë një shkrim, pë fëmijët e ish-Bllokut, të futur në politikë këto 15 vitet e fundit, lexova dhe intervistën tënde pas fitores. Mbi të gjitha më ra në sy se hyrja tënde në politikë, ishte edhe për të vënë në vend prestigjin e familjes tënde patriote.
Cilën kupton me familjen tënde patriote zoti Ziçishti?
Gjyshin tënd filogrek Peti Doracin, me një emër jo të mirë në Pazarin e Korçës?
Xhaxhanë tënd Llambin, të tradhëtuar në burg edhe nga yt atë?
Apo kriminelin dhe njeriun e njëmijë e një të zezave, atin tuaj Mihallaq Ziçishtin?
Deputeti Ziçishti, e dimë që nuk ke faj për ato që kanë bërë parardhësit e tu. Viktimat e drejtpërdrejta të babait tënd,  e kanë falur familjen tënde sepse kanë menduar se nuk ken pse të vuani gjynahet e një njeriu të zi. Por nëse nuk ke kurajën të kërkosh publikisht të falur ndaj tyre, si ke paturpësinë të flasësh për venie në vend të prestigjit të familjes? Mos i shto ballit tënd më shumë këllirë se i ka vënë yt atë! Ndoshta ke punuar me ndershmëri dhe devotshmëri si mjek dhe për këtë të lumtë! Por mos ju rëndo shpirtin me karshillëqe atyre që kanë vuajtur pa kufi.
Në intervistë, I dedikon fitoren edhe Niko Peleshit. Po I drejtohem edhe atij, që ka harruar se e kushërira e parë e të jatit u internua familisht nga Mihallaq Ziçishi dhe burri saj i vyer, mësuesi Gavril Kolaci vdiq në internim dhe u përcoll në varreza nga një  grusht  njerëzish.  Ishte vetëm 45 vjeç. Turp edhe për ty Niko!
Eshtë mirë të falësh, jo thjesht se e këshillon feja, por se është e provuar edhe shkencërisht, ndonëse dyshoj se ti ke aq njohuri mjeku Ziçishti. Njerëzit kanë falur por nuk harrojnë!






Thursday 20 February 2014

Une isha atje! (5)

  • Ilir Gjoni ishte në vitin 1982, i riu ndoshta më i lakuar në Tiranë. Kishte perënduar ylli i shumë djemve të Bllokut, për shkak të spastrimeve pas vetvrasjes së Mehmet Shehut. Ishin internuar ose futur në burg djemtë e Kadri Hazbiut dhe plot funksionarëve të lartë të Ministrisë të Brendshme, të gjithë të lakmuar nga vajzat më të bukura të Tiranës. Mes të veshurve bukur me rroba të blera jashtë, veçohej Ilir Gjoni se të tjerët si Kudret Hekuran Isai apo Boris Pali Miska ishin ende tepër "fshatarë". Iliri ishte jo vetëm djali i një njeriu të fuqishëm në Byro, por edhe shumë i afërt i klanit Kapo. E shihnim me përçmim, se rrinte shumë i fryrë, por duhet të pranoj, se rrethi jonë shoqëror kishte "alergji" për Bllokun dhe mund të kemi gabuar në përcaktimin e karaktereve të fëmijëve të bllokmenëve. Ilir Gjoni sikur studionte për anglisht një vit ose dy poshtë nesh. Hyrja e tij në politikë, pas largimit të të jatit dhe posti i Ministrit të Brendshëm që ju dha vite më parë, më bëri të humbas përfundimisht besimin se PS mund të rinovohej. Gjoni mund të jetë edhe i zoti dhe i pakorruptuar, por për vetë vetë lidhjet e tij me ish-Byronë politike, duhet ta përjashtonin nga poste kaq delikate sa ai i Ministrit të Brendshëm. Edhe tani që duket më i mënjanuar, përsëri mbahet në poste që kanë të bëjnë shumë me të huajt. Sikurse është i rëndësishëm dhe delikat posti i Ministrit të Brendshëm, po aq është ai i Ministrit të Jashtëm, i mbajtur sot nga Ditmir Sulejman Bushati.

Wednesday 19 February 2014

Une isha atje! (4)

  • Në moshën 63 vjeçare, papritur, Ylli zgjidhet deputet në qarkun e Korçës, ndoshta në zonën që përfshin fshatin ku u lind i jati i tij, famëkeqi Mihallaq Ziçishti. Nuk du ate shtoj ndonje gje per formimin e tij professional dhe politik, sepse di vetem qe nuk ka shkelqyer ne gjimnaz, por nuk di se si e ka pasur me vone karrieren. Duhet thënë që të tre fëmijët e tij nuk kanë asgjë identike me të jatin, por duket e çuditshme futja e një mjeku me reputacion të mirë në rradhët e deputetëve të PS, të një partie që i nxiu jetën pas vitit 1982. Ylli u transferua në fshatrat e veriut, ndërsa e jëma dhe i vëllai u internuan. Por si e pranon ai vete, e ka bere edhe per te vene ne vend nderin e neprkembur te familjes se tij patriote. Po ‘nderin” e nje babai qe ka qene ne ata me te dalluarit ne lyerjen e  duarve me gjak! E vura në një sërë me njerëz të dyshimtë edhe pse nuk jam i sigurt se meriton të jetë mes tyre, për vetë faktin se në këtë lëvizje duket se kanë gisht veç interesave të tij vetiake edhe lidhjet e aferta familjare me Luan Omarin dhe detyrimisht edhe me klanin Hoxha. Qofsha i gabuar! Mbase gaboj edhe për ambasadorin tonë të ri në Zvicër, Ilir Xhelil Gjonin.

Sunday 16 February 2014

Dita e parë pa Ilirin


Po shoh nje foto te turbullt, për faj të kopimit tim të keq, është krejt ndryshe nga kujtimet e kthjellëta të atij viti e të tjerëve, kur ishim të rinj dhe pa asnjë hall në kurriz. Ishte viti i dytë që vinim të Shtatë në plazhin e Durrësit dhe shijonim çdo çast. Sepse ishim të rinj, të sinqertë e ndoshta edhe të mirë. 21 vjet më parë u largua Jani, më i miri nga ne të Shtatë. Një fatalitet absurd. Një tjetër rastësi anormale shkëputi nga jeta dje Lirin. Fjalëpakun e të mençurin, që nuk dinte të ankohej kurrë. Që nuk fliste keq për njeri. Që sakrifikonte pa u ndjerë për gruan e fëmijët dhe jo vetëm nuk mburrej për veten, por as për ta, dy fëmijët e tij të shkëlqyer.
Sot i hapa sytë përballë një "qiellgërvishtëse" prej betoni duke menduar që është dita e parë, që nuk e kemi mes nesh. Duke mos ditur kë të bëj me faj, ja hodha këtij qyteti të huaj, që jo vetëm po na mer vitet më të mira, por tani edhe shokun më të mirë.
Po i shkruaj këto fjalë, se dje, bashkë me Benin nuk dinim ç'ti theshim të shoqes e fëmijëve të tij. Ishte aq e papritur, aq absurde dhe aq e rëndë, sa rrinim të ulur mes njerëzve të afërt të tij dhe kishte çaste që nuk merrnim vesh pse ishim atje.
Jeta do vazhdojë për të gjithë. Vajza e tij do bëhet avokate dhe djali doktor. E ndoshta me kalimin e viteve do e kenë më të lehtë boshllëkun e paanë që ndjejnë sot. Vendin bosh të babajt që ngrihej më 4 të mëngjesit për të mos ju munguar gjë dhe që në një ditë të mallkuar shkurti nuk u kthye në shtëpi si çdo ditë. Roza e tij e dashur do luftojë si luftoi me sëmundjen, t'ja u plotësojë të gjitha sipas amanetit të tij. Dhe ditë të mira do ketë për ata njerëz të mirë. Më të dashurit e Lirit tonë të dashur! Lirit që iku kaq shpejt e ka lënë të psherrëtijmë ne, Pesë shokët e tij të atëhershëm.
Nuk na besohet ende! Eshtë vetëm dita e parë pa ty!

Prehu në paqe Liri!

Friday 14 February 2014

Demokratët (5)

(vijim) Qeveria Meksi përmbante shumë ministra të dyshimtë, që në aktin e parë formues. Mes tyre binte në sy i njohuri im i viteve të Universitetit, i cili shpejt u cilësua si simboli i korrupsionit në qeveri. Veç Rulit, nuk kishte në të Stabilitista. Berisha u zgjodh President dhe dukej që ishte njëkohësisht edhe kryeministër. U pa shpejt mënyra e tij e drejtimit ala-Sekretar i Parë , gjë që zhgënjeu shumë njerëz që besonin tek ndryshimi i përmbajtjes dhe mënyrës së drejtimit të Partisë opozitare e Qeverisjes së vendit. Stabilitistat e pakënaqur nga mosmarja e posteve dhe privilegjeve biznesore të shoqëruara me to, kërkuan me një "mocion" të bëheshin ndryshime brenda PD-së, në formë dhe stil. Edhe pse nuk i pëlqeja Stabilitistat e kthyer në Mocionista, mu duk bolshevike skena e goditjes të fraksionit të tyre në një Këshill të PD-së në verën e '92. Atë stinë u binda përfundimisht, që Demokratët nuk ishin aspak "njerëz të rinj" të ardhur nga gjiri i shoqërisë sonë, por i njëjti mall "radhiko", në mos më i dyshimti "fabrikës" shqiptare. E megjithatë, në krahun tjetër ishte "organizata kriminale" e 45 viteve, e cila ruante të njëjtën strukturë, kishte të njëjtit njerëz dhe përfaqësonte të njëjtat interesa. Para tyre, "njerëzit e rinj" dukeshin "ëngjej" me disa probleme të vogla karriere dhe korrupsioni. Po mendoja, të hysh në politikë duhet të kesh motive dhe nëse 'ideali" motivon shumë pak njerëz, pushteti dhe paraja janë motivues të klasit të parë ndaj nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ditën e fundit të korrikut, pata dalë për herë të parë jashtë shtetit dhe atë mbrëmje të bukur vere në Athinë, kur kisha mallkuar(të vetmen herë në jetë) me gjithë shpirt Dullën deri në brez të shtatë, nuk mund të isha i ashpër me Berishën e kompania bela. Në vjeshtë, Mocionistat me të cilët ishte bashkuar edhe "dorëheqësi i madh" Ceka dhe avokati shumëngjyrësh Ngjela, formuan Aleancën Demokratike. I ftuar nga një i njohuri jonë, në Mbledhjen e Parë shkoi edhe një shok i ngushtë imi. Erdhi i zhgënjyer nga ato që thuheshin dhe bëheshin. E ashtuquajtura Parti Elitare, ishte një grumbull me pseudointelektualë të pakënaqur nga ndarja e posteve në Qeverisjen e Parë Demokratike, të cilët duke qënë mediokër dhe karrieristë, gënjenin veten se mund të bënin me vete masat, sajë kapaciteteve dhe elokuencës së tyre. Vite më vonë pashë se si këta "zgalemë të zgjebosur" u hodhën nga prehri i Nanos tek ai i Metës për tu rikthyer përfundimisht në fund tek ai i Berishës. Veç dy emrave të parë ishin Imami, Zogaj, Uka, Trako, Demeti e ndonjë tjetër. Në shtator kishte ikur edhe Beni familisht me një bursë njëvjeçare në Harvard dhe nuk kishim më se ku të informoheshim për "të vërtetat" në krahun Demokrat. Ndërkohë kishin filluar të bëheshin ndërtime dhe kishte kërkesa për projekte. Punët më shkonin mbarë dhe gjithnjë e më shumë po ç'interesohesha për politikën, parlamentin apo qeveritarët qëndrorë apo lokalë. Bile këta të fundit silleshin mirë dhe nuk ishin imponues në problemet e arkitekturës dhe urbanistikës së qytetit. Korça mbeti i vetmi qytet ku nuk ndodhi në masë Epidemia e Kioskave. Bile deri në fundin e vitit 1994, nuk u lejua asnjë e tillë në territorin e Parkut Rinia apo Lulishtet rreth Stadiumit. Duke i parë dukuritë pas 20 vitesh, them që i takon meritë Pavllo Lapanxës, që dëgjoi specialistët dhe nuk ju nënshtrua presioneve të kryesisë të Partisë, që i kërkonin të bëhej si në Tiranë e në qytetet e tjera. Nuk jam në gjendje të gjykoj se ç'bëhej me Privatizimet dhe Kthimin e Pronave, por them që duhet të ketë qënë më e saktë se në qytetet apo rrethet e tjera. Po edhe Pavlloja e ndonjë tjetër më i ekuilibruar, morën shqelmin nga PD-ja, kur u godit Eduard Selami. Tashmë Berisha kishte mprehur shpatën ndaj çdo "kokëngritjeje" dhe në pushtet mund të rrije vetëm po t'i thoje atij peqe. Nuk prishte punë nëse kishe afera të dyshimta, bile kështu ishe më i preferuar, se presidenti mund të të bënte presion sa herë të përpiqeshe të dilje nga rrjeshti. Pas humbjes të referendumit në fundin e '94, Berisha kishte kuptuar se në pushtet mund të rrinte vetëm duke ushtruar dhunë mbi të tijët, duke nxitur korrupsionin dhe duke vjedhur votat. Ishin pikërisht këto çka bëri gjatë 1995-96. Ekonomikisht 1995 nuk dukej një vit i keq. Megjithatë investimet e huaja ishin të pakta dhe dukej që "motori" financiar i ekonomisë ishin paratë që dërgonin emigrantët për familjet e tyre dhe trafiqet e drogës, emigrantëve dhe prostitucionit. Njiheshin grupe të Beratit apo Fierit që kontrollonin përkatësisht tregjet e drogës në Zvicër e Itali, ata të Vlorës në Athinë dhe kalimin e Ontrantos, si dhe kotrabandistët e përjetshëm të Durrësit. Shitjen e vajzave shqiptare në Europë e mbulonin më tepër kriminelë të Shqipërisë së Mesme e të Veriut. Qindra vajza të mitura që mashtroheshin me fejesa në Europë dhe përfundonin trotuareve për të bërë dhjetra herë seks në ditë përkundrejt një shume minimale që ju jepnin kodoshëte vluar. Më pas i shisnin në banda të tjera dhe me paratë e fituara e që nuk i shpërdoronin për drogë e kumar, ndërtonin vila ose restorante në Shqipëri. E keqja më e madhe nuk ishte tek ta por lidhjet e tyre me politikanët shqiptarë. Shpesh në raportet e shërbimeve të huaja figuronin emrat e Ministrave, bile edhe të Brendshëm, që ishin anëtarë të kupolës së bandave. Para të tilla të kollajshme, do sillnin në një vend pa përvojë kapitaliste, skemat Ponzi njëra pas tjetrës. Më të shumtat u krijuan në vendet me shumë para trafiqesh si Vlora dhe Fieri. Në Korçë edhe pse mund të kishte sasi parash të krijuara nga dërgesat e emigrantëve apo nga trafiku i vizave greke dhe drogës, degët e firmave Piramidale hynë vetëm më 1996. Nuk di se sa kishte të bënte kjo me krimin e organizuar dhe me pushtetarët e PD-së, por deri në mesin e '96, ata që kishin fituar shkonin dhe i vinin paratë në Vlorë e Tiranë. Tre bandat e njohura në qytet ishin të lidhura me politikën, por dukej që ishin "peshq të vegjël" në botën e krimit shqiptar. Ata të "5 dyqaneve" të afërt me Pd-në, kishin drejtuar energjitë në "luftën" me bandat e "çobenëve" dhe në ndonjë trafik të lehtë droge dhe prostitutash. Për fatin e mirë të qytetit, në mes banditëve kishte pak njerëz të zgjuar, që mund të krijonin rrjete, që nuk do shkuleshin dot kurrë nga qyteti. Sa për deputetët dhe të tjerë funksionarë lokalë, nuk ishte aspak turp të rrinin e të shtroheshin kafeneve të qytetit apo të Greqisë me llumin e banditëve. megjithatë, edhe këtyre të fundit ju mungonte kurajoja dhe dinakëria e nevojshme për rrjete kriminale të suksesshme. 10 vjet më vonë, bandat i kishin ngrënë kokën njëra tjetërës dhe vetëm disa kokrra mbetën të çimentuar financiarisht dhe të aftë për të vazhduar veprimtaritë bizneso-kriminale. (vijon)

Thursday 13 February 2014

Për Thanasët e rinj e të vjetër


Pardje mësova se një shoku im që kishte një emër të bukur të huaj, tani është Thanas dhe mu qesh. Jo se kam ndonjë gjë kundër emrit Thanas. Naumaq nuk është ndonjë emër që tingëllon më mirë në shqip se Thanas, por sepse më duken shumë të çuditshme emrat e ndruar pas të 40-ve. Kam shkruar diku për një kolegun tim që nga Koço u bë Kris. Atë e justifikova me mostingëllimin bashkëkohor të ç-së(një mikja ime psh nuk pëlqen që dikush thotë “I nderçëm” në vend të “I ndershëm”), por përseri nuk kuptoja përse nuk shkoi me Kost por duhej Kris. Sidoqoftë, një lloj “mospërputhje” është shkaktuar nga ndalimi I pagëzimeve në kohën tonë. Nuk ishte i ndaluar me ligj, si ndodhi pas 1967, por shoku im që e kishte babanë antar partie dhe gjyshen dëshmore nuk mund të pagëzohej. Tani është pagëzuar dhe është Thanas dhe me përkëdheli mund ta thërrasim Naskë, si i thërrasin korçarët Thanasët.

Thirrja fetare është shpesh shumë e fortë dhe njeriu jep shpirtin, trupin dhe emrin për të. Dhe kjo dega jonë ortodokse ka ca si rregulla strikte, ndonëse motra ime quhet Edlira, është pagëzuar dhe të tillë e ka emrin edhe në çertifikatën e pagëzimit të vitit 1954. Duket që më shumë se thirrja fetare, është krahu injorantiI ortodoksisë greke ose autoriteteve greke, të cilët për të paisur shqiptarët me dokumentat “Vorio-Epirote” ju kërkojnë të interesuarve të kenë emra “të konfirmuar” ortodokse. Ndoshta edhe mua të njëjtën pengesë do më sillnin po të kërkoja, sepse Shën Naumi i njohur shumë për sllavët e shqiptarët, nuk gëzon njohje në Greqi dhe mbase nuk ka as grekë homonimë me mua.

Cështja e paisjes së shqiptarëve me dokumentat e Vorio-Epirit, ose si i quajnë në Korçë “kartat greke”, është një çështje në dukje delikate, por unë do e fusja në kategorinë “për të qarë e për të qeshur”. Rreth saj shprehen politikanë kodoshë të të dy vendeve, patriotë injorantë, njerëz të letrave që emocionohen lehtësisht, Kuksianë dhe Spartanë, e plot njerëz që nuk rrinë dot pa folur e shkruar. Sidomos shkruajnë të shqetësuarit për Identitetin e korçarëve edhe pse vetë mund të mos jenë të tillë. Njerëz të tillë nuk e vrasin shumë mendjen, të shohin situate analoge apo të përmbysura, sepse në ta vlon gjaku I ngjyrës së Flamurit. Tek grekët bardhebluja, tek ne kuqezia. Askush nuk merret me Thanasët, që të detyruar të shtrëngonin rripin në kohën e Luftës së Dytë, përfunduan në Korçë dhe u kthyen shqiptarë. Ama me Thanasët e sotëm, të cilët për të pasur lehtësira pune apo lëvizje në Europë, pranojnë të quhen Vorio-Epirotë edhe pse nuk besojnë që Korça ka ndonjë lidhje me Vorio-Epirin, patriotët e dy vendeve merren gjatë. Grekët i quajnë heronj të shtypur nga Diktatura e që detyroheshin të fshihnin kombësinë, ndërsa shqiptarët i quajnë tradhëtarë ose të shitur për 30 aspra. Po t’I lemë mënjanë patriotët miopë dhe të merremi pak me politikanët dallkaukë të të dy vendeve. (Të gjithë e dijnë tashmë ku e ka shpënë klasa politike greke Greqinë dhe ku ajo shqiptare Shqipërinë). Këta bastardë, që s’e kanë për gjë të vjedhin e të shkatërrojnë vendet e tyre, kur vjen puna në Identiteti Kombëtar nuk të falin! E ç’mund të ketë më të shenjtë në këtë botë se identiteti kombëtar?! Fundi paratë që ata vjedhin nga arkat e shtetit vijnë dhe ikin. Identiteti i Kombi tama mbetet!

Nuk dua të zgjatem më shumë se të flas rreth tyre mëshkakton një ngritje të tensionit të ulët në vlera shqetësuuese. (Shifrat nuk po I bëj publike për të mos alarmuar të afërmit.) Dua vetëm të përsëris, që e gjithë kjo farsë e nisur para 24 vjetësh, më bën të buzëqesh hidhur, jo ashtu si buzëqesha kur mësova se shoku im I fëmijërisë tani quhet Thanas. Eshtë e drejta e tij të bëjë si i vjen për shtat, kur nuk fut duart në xhepat e kujt tjetër. Bile edhe kolegu më parë i njohur si Koço e tani Kris, ka të drejtë jo vetëm të ndrojë ndrresat e shtrenjta që ble, por edhe emrin. Eshtë diçka që nuk i hyn në qese kujt, e aq më pak mua që nuk rri dot pa shkruar.

T’i gëzoni emrat e rinj Thanasër, Krisër, dhe Naumaqër!

Tuesday 11 February 2014

Të mirët ikin të parët!

Këtë gjë mendova të parën mes mpirjes, kur Riku më tha “Xhela iku.” Nuk shtova më "Përse më i miri ndër shokët e brezit tonë iku i pari?" sepse e di që kjo pyetje nuk mund të gjejë përgjigje. Eshtë ndoshta mallkimi mbi Njerëzimin. Të kulluarit nuk rrinë dot deri në fund! Shumë pak nga të pranimisht në vajtimin për Gjergji Vreton e dinë që e thërrisnim Xhela. Në Tiranë me siguri e njohin si doktor Gjergji apo doktor Vreto. Ose ndoshta i palodhuri doktor Gjergji. Për mua e shokët e fëmijërisë ai mbeti i dashuri Xhela, i pastër, i sinqertë, i sakrificës, i paqes. Nuk e kujtoj të jetë grindur kurrë me kënd. Dhe bëhet fjalë për të paktën 20 vite, kur takoheshim thuajse çdo ditë. Që kur ishim 4 vjeçarë. Ai kishte lindur në nëntor 1958, 3 muaj para meje dhe ishte një klasë më lart. Ndër të parët në mësime, ndër më të dalluarit në sporte, Gjergji ishte shoku që e dëshëronte çdokush. I dashur dhe i afërt, serioz dhe i përgjegjshëm, ai nuk i theshte kurrë jo njeriu. E thelloi këtë cilësi njerëzore jo shumë të përhapur sot, më vonë, kur përfundoi studimet dhe filloi punën si mjek në Tiranë. E takoja rrallë, por e dija që bëhej copë për të gjithë, të njohur e të panjohur, ashtu si bëhen vetëm mjekët e vërtetë, ata që janë njerëz e shkuar njerëzve. Familja, shokët , pacientët ishin të parët për të cilët sakrifikonte dhe i fundit për të cilin kujdesej ishte ai vetë. Nuk dinte të thoshte JO doktor Gjergji! Edhe pse për të do i duhej të punonte gjatë, të kufizonte gjumin e të shtonte të pirën e atij duhani të mallkuar. Ishte aq shpirtbardhë Xhela ynë! Tani po prehet si rrallë bënte. Ndoshta duke dashur të ndihmoj sërish gjithë të mbeturit pas, fëmijët dhe gruan e tij të dashur, nënën e tij të dhembshur e vëllanë me të cilin ishin thuajse binjakë, shokët e miqtë. Eshtë nisur i qetë e i bardhë drejt pafundësisë, sepse veç të mira ka bërë në këtë jetë. E ne rrimë të përlotur duke puthur Mirësinë, që la pas dhe duke thënë të dëshpëruar "Më të mirët ikin të parët!" Do jesh me ne deri në fund i dashur Xhela! Na u bëftë shpirti jot dritë për të parë më mirë! Lamtumirë!

Sunday 9 February 2014

Demokratët (4)

(vijim)

Në vjeshtë u duk se njerëzit nuk po e duronin dot bashkëpunim e korruptuar me punistët e kthyer socialistë dhe vonë në nëntor u bë Mbledhja e famshme e Qeverisë ku Berisha vendosi prishjen e paktit me ish-komunistët. Me sa më kujtohet mungonte Pashkoja, por ministrat e tjerë, me përjashtim të Rulit, treguan që nuk donin të shkuleshin nga karriget, që kishin nisur t'i shijonin. Pas prishjes, u bë "Lëvizja" e fëlliqur e Neritan Cekës në zyrën e Ramizit dhe Berisha dukej i izoluar nga të tjerët PD-ista me rëndësi. Kishte atë që i duhej, mbështetjen e shumicës të njerëzve anti-komunistë.

Të nesërmen e skenës të Cekës dhe largimit të Berishës nga zyra e Ramizit, bëra diçka që nuk e kam bërë ndonjëherë. Duke diskutuar me zjarr në punë rreth asaj që ndodhi ndjeva se duhet t'ja bënim të njohur udhëheqësit të Opozitës që kishte shumë njerëz, që e mbështesnin. Duhet të ishte pasdite dhe dikush e gjeti lehtë numurin e telefonit të shtëpisë të mjekut. E mora dhe i kërkova të shoqes të flisja me Saliun në emër të disa njerëzve pa parti nga Korça. I thashë shkurt që e mbështesim plotësisht, pa përmendur emra, ndoshta veç institucionin ku punonim dhe nga ana tjetër u dëgjua një e thirrur patetike "Falemnerit shum! Falemnerit shum!" Nuk jam penduar që e kam bërë edhe pse nuk besoj se do i telefonoj ndonjëherë ndonjë politikan tjetër. Atë vit Berisha ishte heroi i kundërshtarëve të regjimit. Dukej shumë më i vendosur se të tjerët.

Në qytet Demokratikët nuk të entusiazmonin, se mes më protagonistëve, veç dy të përmëndurve në fillim të shkrimit, nuk dukej ndonjë i ri apo i vjetër të shkëlqente. Ata që ishin bërë deputetë, kishin marë një pamje gjysëm të fryrë të ngjashme me instruktorët e Komitetit Qëndror. Edhe në parlament, deputetët e korçarë dukeshin ndër më të dobtit. Kjo vlente për të dy krahët. Më kujtohen diskutimet ose ndërhyrjet e me një dialekt të rëndë dhe me pak përmbajtje të Stavri Frashërit, Gjergji Krastafillakut, Bahri Bregut e ndonjë tjetri. Korça që kishte patur deputet më 1923-24 Nolin dhe Sotir Pecin, tani përfaqësohej nga njerëz që në rastin më të mirë, kishin në arshivën e tyre më shumë shishe vodke të zbrazëta se sa libra të lexuar. Mbase s'kishin faj. Fabrika e vetme e alkolit në Shqipëri ishte ndërtuar në vitet '70 në Maliq.

Ditët e dimrit kaluan shumë shpejt dhe në mars dukej që fitorja e Opozitës ishte e pashmangshme. Jeta ishte e paralizuar dhe dëme të pallogaritshme ishin bërë zonave ekonomike të qyteteve e fshatrave. Dukej që komunistët po ndiqnin taktikën e "tokës së djegur". Po dukej se veç fjalëve në Parlament, ku binin në sy për mirë deputetët e Shkodrës Arbnori dhe Spahia, nuk kishte ndonjë përpjekje për të mbrojtur pronën e përbashkët as nga demokratikët. Mbase mungesa e përvojës, ndoshta besimi në "terapia shok" e proklamuar me të madhe nga Pashko,( e për të cilën më vonë kam lexuar se as nga pasuesit e Fridman nuk sugjerohej për vende si Shqipëria), ndoshta nga që 60% e deputetëve të opozitës ishin Bashkëpuntorë të konfirmuar të Sigurimit të Shtetit, kudo u vodh dhe u shpërdorua. Si gjithmonë nga Tirana kisht edalë edhe një fjalë e re, që përdorej vend e pa vend nga të gjithë. Ishte "eksodi". Për popullin ateist shqiptar, fjala e posadalë, ishte simbol i shkatërrimit më shumë se sa i ikjes. Shkoja fshatrave për të verifikuar gjendjen e ndërtesave shkollore, të cilat mes shumë mungesave, atë dimër kishin probleme të mëdha të xhamave të thyer dhe kur pyesja pushtetarët e djathtë apo të majtë, si kishte mundësi që ishin dëmtuar aq shumë, të gjithë përgjigjeshin njëlloj: "I bëri eksodi!" Më hipnin xhindet  dhe ju thërrisja se ç'kishte të bënte ikja në masë e njerëzve në Greqi apo Itali me prishjen e shkollave, por pak dëgjonin nga ai vesh. "Eksodi" i kishte shurrdhuar të tërë.

Pjesë e "eksodit" u bënë edhe shumë nga nismëtarët e Demokratikes. Midis tyre edhe Pirro Thomoja ishte vendosur në Selanik dhe më pak mund të mësoja rreth Leka Meksit dhe të tjerëve të njohur të tij në nivelet e larta të PD. Në Tiranë nuk shkoja, por kishte ardhur Riku në Korçë dhe tani kisha se me kë mund të diskutoja rreth radikalizmit apo butësisë të opozitës që po vinte në pushtet. Atë natë të votimeve, pritëm gjatë në trotuar, jashtë selisë të PD-së për të mësuar rezultatet. Ishin shumë pak njerëz. Ndenjëm me Ilkë Rrëmbecin dhe të shoqen dhe bënim çudi që si nuk ishte gjysma e Korçës duke pritur. Militantët dhe të tjerë "shtabista" hynin e dilnin dhe sillnin informacione. Mësuam që edhe Stratobërdha kishte fituar në një zonë të vështirë dhe ikëm në shtëpi vërtet të lumtur. Ka qënë në netët më mbresëlënëse të jetës sime edhe pse nuk festova me njeri, por vetëm u përqafuam me Ilkë Rrëmbecin e gruan e tij. Të nesërmen i thashë Leksi Janit, që po festonte me të tjerë Demokratiksa, që nuk ka më rëndësi se kush fiton sot e tutje. Unë isha tashmë përgjithmonë fitues! Mbase tingëllonte patetike, sepse edhe një shok më tha më vonë që isha entusiazmuar më shumë se sa duhej dhe se nuk duheshin besuar shumë votëfituesit. Për mua vërtet nuk kishte rëndësi. E dija që shumica e tyre ishin "dallkaukë", por ajo që kishte fituar ishte largimi përfundimtar i pushtetit nga një grup i vogël njerëzish, të cilët mund të abuzonin me të si të donin. Nuk kisha frikë se zhgënjehesha se nuk prisja çudira shumë më të mëdha.

(vijon)

Saturday 8 February 2014

Liria dhe Barazia (2)

(vijim)
Edhe pse kam qënë që në vegjëli kundër shkallëve të shoqërisë, kundër të fuqishmëve, kundër abuzuesve, kundër autoriteteve, nuk mund të them edhe sot se jam një "barazitist" i kulluar. Duke qënë një qënie egoiste, edhe unë ndonëse mendoj dhe dua një "Eden" me njerëz të nginjur, të lumtur e të barabartë, thellë mendjes kam idenë e një "shkallëzimi" në varësi të "koefiçientit IQ". Ideja është thjesht "interesaxheshë" dhe unë dua të vrapoj larg saj, sepse e di që e kam se ndjehem me një IQ mbi mesataren. Nuk them as se "elitarët" duhet të punojnë më pak e të marrin një pjesë më të madhe kur të ndahen të mirat, porse në "supertryezën e Rrumbullakët" duhet të kenë të drejtën e një fjale më shumë. Dhe kjo nuk është më BARAZI! Eshtë e njëjtë me një shoqëri të strukturuar mbi epërinë e forcës fizike, epërinë financiare apo atë të bukurisë ose kombinimit të tyre. Njerëzit duhet të jenë të barabartë në vetë ekzistencën e tyre dhe të Lirë! Në këtë lëvizje kaotike idesh, dëshirash, interesash, parimesh, njerëzit duhet të ndjehen zotër dhe shërbëtorë njëkohësisht, të vlerësuar e vlerësues, të dashuruar me jetën dhe me atë që duan. Ata që ndjejnë se kanë një koefiçient më të lartë IQ duhet të jenë nxitësit e të mirës e të bukurës, rregullatorët e krizave shpirtërore të të tjerëve, kontribues të ndriçimit nëse vërtet kanë vetë një të tillë. Nuk ka rëndësi në janë pastorë, shkrimtarë, shëronjës, zjarrfiksa apo këngëtarë.

"Endrra në diell"- dëgjohet të thotë njëri nga miqtë e mi. PO! E di edhe vetë që shoh të tilla me syhapur, por ka diçka ose shumëçka që nuk shkon në këtë botë , që më bën mua e shumë të tjerë të shohim "ëndrra në diell". Unë nuk mund të uroj vetëm, që fëmijët e mij të jetojnë mirë në një vend me mirëqënie dhe njëfarë lirie. Jo se jam shumë shumë shpirtmadh, por se e di që edhe liria e tyre është e cënuar, nëse nuk ka Liri dhe Barazi për të gjithë. Dhe kjo nuk është retorikë boshe nga ato që dëgjon në fjalimet e Obamas. Eshtë një bindje e imja pasi shoh se ç'ka ndodhur në botën njerëzore 150 vitet e fundit.

Periudha e zhvillimit të rrufeshëm pas dekadave të hapave gjigand të shkencës e mendimit si dhe e zbulimit të aplikimeve të Naftës, solli një rritje të paparë të popullsisë së Botës. Solli teknologji dhe luftra, përmirësim të dukshëm të jetesës dhe asgjesime në masë, jetë të kulturuar për shumicën por edhe stres të tmerrshëm për të gjithë. Asnjë krahasim nuk ka jeta e sotme në Amerikë, Europë, Azinë e zhvilluar me atë të 70 viteve më parë në këto vende. Prirja është për më tepër ndryshime pozitive dhe po aq negative. Ku po shkojmë?

Askush nuk mund të bëjë parashikime të sakta sepse historia nuk ka shembuj të ngjashëm. Popullsia në botë është 7 fishuar në një shkekull të vetëm, mesatarja e jetës është trefishuar dhe kërkesat për burime materiale për një individ të vetëm janë shumëfishuar. Pra nëse bëjmë fjalë për Barazi, duhet që 10 miliard njerëz të kenë të paktën standartin mesatar të jetesës të një njeriu që jeton sot të themi në Rumani. Më shumë është e pamundur. (Edhe kjo përbën një problem më vete, se milionat që jetojnë sot në një standart më të lartë, por le të themi se "ndriçimi" i tyre do sjellë një tërheqje nga "lakmia" dhe do fillojnë të jetojnë më thjesht.)

Kuptimi i të "jetuarit më thjesht" ze fill me mënyrën se si e kanë parë jetesën tradicionalisht indigjenët e pazhvilluar dhe inteligjentët e ndriçuar. Më pak punë, më pak stres, më pak lakmi, më pak të mira materiale dhe më shumë gëzim, art dhe sport e sidomos më shumë jetë në harmoni me natyrën. Sigurisht, koncepti im për Lirinë e pacak, kërkon të mos detyrojë të gjithë të jetojnë në këtë mënyrë. Të lirë të jenë edhe ata që gjejnë gëzimin në puna, në grumbullimi i floririt apo veprave të Pikasos, në ndrimin e shtretërve, në udhëtimet e pafundme në botë, në lutjet gjithëditore në tempuj, në gjuetinë e balenave.
(vijon)

 

Friday 7 February 2014

Në vazhdim të shkrimit Ign, Ign, Ign.

Shkrimi i lartpërmendur u bë për FB dhe u postua atje në një kohë shumë të papërshtatshme. Ishte “Xmas season” kur njeriu duhet të jetë më bujar dhe dashamirës. Unë jo vetëm shdëfreva ndaj professor Strallës, por edhe ndaj gjithë Elitës Intelektuale shqiptare. Pa arsye! Thjesht se jashtë binte shi atë të shtunë dhe nuk kisha para që diku të shkoja! Klodi u përgjigj megjithatë me elegancë dhe më shtoi ndienjën e mërisë ndaj vetes. Grindavec I pandreqshëm!- do e quaja veten, ndërsa avokati im, që tashmë të gjithë e dinë se ka qënë në Berlin, për të mos më shkurajuar do thoshte ;”Je një Konicë i vogël!” E megjithatë, unë vetëm disa ditë u bëra si ai i shprehjes së famshme të Skënder Luarasit në një konferencë në prani të Nexhmijes”Sot do bëhem si ai qingji i butë që pi dy nëna!” Vazhdova të sulmoj majtas e djathtas, deri sa u lodha nga “gërrmërrizmi im” dhe ju drejtova qoshes ku mund të shaj me zë të lartë dhe askush të mos dëgjojë. Po nuk të lenë djajtë të shenjtërosh! Herë herë mar mesazhe në FB dhe detyrohem të hyj e të hedh një sy të shpejtë. Edhe pse nuk më interesojnë më Stralla dhe turma e tij, kur shoh ndonjë "like" nga Riku e Beni në shkrimet e tij, hedh një sy të shpejtë. Së fundi Klodi kishte shkruar rreth dobisë së Kulturës në raport me Politikën. Temë e bukur dhe gjithnjë e duartrokitur, sepse edhe vetë politikanët I japin përparësi Kulturës edhe pse nuk sjell pushtet dhe para. “S’ka si Kultura!”... Stralla ju bënte thirrje edhe kritizerëve të “Diasporës” të konribuojnë në rritjen e Kulturës e jo të jenë Hipokritë e shajnë Mëmëdheksat për korrupsion e nepotizëm. Edhe pse nuk i lexova komentet, ma mori mendja se ishin si gjithmonë dashamirëse, sepse Stralla kishte vënë edhe Dashamirësinë si pjesë me rëndësi të Kulturës. Në to mungonte komenti i Ballist-Botuesit Cako, se ndoshta nuk është tolerant sa duhet dhe ndjehej i prekur, pasi Stralla kisht evënë edhe Tolerancën si pjesë me rëndësi të Kulturës. Me korin e Galave ishin bashkuar edhe të rinj të Diasporës, që ndjenin se përkufizimi i Kulturës me komponentët e Rinj, ishte gjëja më e rëndësishme e shkrimit. Disa syresh e kishin përkthyer edhe në tre gjuhët më të njohura në Botë, për ta bërë “available” për të huajt që kërkojnë Kulturë dhe nuk njohin përbërësit. E unë ju ktheva shkrimit tim të hidhur për injorantët dhe pashë se sa larg jam nga Kultura. I dëshpëruar mendova që nuk mund të bëhem kurrë me Kulturë, se nuk mund të jem dashamirës ndaj dikujt që ka firmuar listat e Internimit të Familjeve në rrethin e Korçës. I trishtuar mendova që do mbetem në të njëjtën gjendje pagdhendurie, se nuk mund të toleroj një ish-deputet, I cili ka bërë tërë poshtërsitë që përmban Kodi penal, por nuk është dënuar. Duke dënesur mendova që do përbuzem nga të gjithë të Kulturuarit, se nuk mund të rri pa ja përplasur në fytyrë, një ish drejtori Banke, që pasi ka shitur prindërit e fëmijët shet edhe moral në FB. Ja pse jam unë ai që meriton shkallën sipërore – Ignorantum!

Thursday 6 February 2014

Adio Vaçe!

Kisha në mendje të postoja pjesën 4 të Demokratiksave, kur mora një mesazh për largimin e Vaçes. Nuk mund të mendoja tjetër edhe pse kishte kohë që pritej. Duhet të dilja edhe unë ta përcillja këngëtaren tonë më të madhe. Mbase duke kënduar “Gjyshes sime”, se Vaçja tani ishte gjyshe dhe drejt asaj moshe do jem edhe vetë pas disa vitesh. Vaçja ishte figura që ka dominuar fëmijërinë e brezit tim dhe më pas edhe rininë tonë. Ishte më e madhja dhe më e dashura, po ashtu si Italianët kishin Minan, francezët Dalidan dhe grekët Marinelan. Ishte Diva jonë, e pakrahasueshme brenda kufijve dhe ndoshta ndër më të mirat në Europën e viteve ’60-’70. Vaçja jonë kishte nisur shumë e re të ‘sundonte” me zërin e saj muzikën e lehtë shqiptare, deri në atë kohë jo shumë e zhvilluar dhe ku mbizotëronin këngët melankolike të duetit Anida Take-Pavlina Nikaj. Zëri i Vaçes dhe sigurisht kompozimet e të diplomuarve jashtë Shqipërisë sollën një këngë të re, të ngjashme me atë botërore në vitet ’60. Censura nuk ishte shumë e fuqishme dhe Udhëheqësi nuk kisht efilluar të trembej nga të huajt apo suksesi I artistëve. Flitej që edhe vetë I kishte thënë të ndjerit Panajot Pano “Ti dhe Vaçja ini dy njerëzit më të famshëm në Shqipëri!” Dhe vërtet të gjithë e donin artisten e madhe të këngës sonë të lehtë. Në dhjetë vitet e para të karrierës së saj, në repertory nuk kishte as këngë për Partinë. Vaçja I këndonte valsit të lumturisë, fëmijës së parë, mesnatës, shiut pik-pik bile edhe Lemzës. Kur vinte në Korçë Estrada e Tiranës, dyert shkallmoheshin nga njerëzit që donin të dëgjonin fenomenin e këngës tonë në skenë. Ishte vështirë për ne fëmijët ta shihnim kur hynte e dilte në Hotelin ngjitur, se kaq e jashtëzakonshme ishte fama e saj. E njëjtë me atë të artistëve më të mëdhenj në botë. Më vonë erdhi martesa e saj, e komentuar në gjithë qytetet, konsolidimi I teknikës dhe njëkohësisht dinjiteti I saj përballë edhe më të fuqishmëve. Flitej një natë kishte lënë edhe Pallatin e Brigadave pa kënduar sepse dikush nga të protokollit I kishte thënë diçka. Mund të shkruaj pa fund unë, që kam qënë një fëmijë i mrekulluar pas zërit të saj, por që nuk e kam njohur kurrë. Sa mund të thonë ata që kanë ndenjur pranë saj në vite. Për Vaçen tonë. Tani që po e përcjellim. Tani që kemi dalë të gjithë rrugëve të kësaj bote abstrakte për të duartrokitur për herë të fundit, ndërsa trupi I saj ka humbur përfundimisht aftësinë për të nxjerrë tinguj të magjishëm. Adio Vaçe! Ke mbushur jetën tonë në vite jo të lehta! Adio!

Liria dhe Barazia


Po shkruaj disarrjeshta rreth këtyre nocioneve shumë të rëndësishëm për mua dhe për gjithë ata që i duan. Për to janë shkruar vëllime nga njerëz me "qypin plot", por unë nuk dua të përsërit ç'kanë thënë të tjerët, qoftë edhe e th[n[ në mënyrë të përkryer. Dhe jo se më pëlqen mendja, por se nuk e kam gjetur kurrë të dobishme për kënd të përsërisë ato që kanë thënë të tjerët. Ndoshta edhe këto që po "sërit" më poshtë, mund të jenë pjesë e ndonjë vëllimi, që e kam lexuar edhe unë dikur dhe kanë mbetur qosheve të trurit e tani më duken si timet. Por "what the hell!", ka mijra vjet, që përsëriten pa dashje e me dashje ato që  dinin Sokrati me Platonin dhe dymijë vjet, që thuhen pafundësisht ato që ndjente Jezui.

Unë besoj në një shoqëri njerëzore e ndryshme nga kjo që jetoj sot.

Nuk e kam vrarë mendjen për ta "strukturuar", sepse jo vetëm më mungon imagjinata(e cila bazohet mbi njohjen e çështjeve), por edhe pse nuk dua të bie në "sevda" me një projekt utopik, kur di që me të do qeshë i pari nga miqtë e mij, që do ket[ rastin ta dëgjojë. E megjithatë, e pyes shpesh veten si do ishte bota(shoqëria njerëzore) ideale për mua? Në këtë hulli jam rrotulluar kur shkruaja "A duhet të jemi Minimalistë?"(që si shumë shkrime të mia ka mbetur në mes).

Këtu dua të prek më tepër raportet mes individëve ose midis individit dhe bashkësisë. Idea ime prej "të lajthituri" është disi jo pranë me "Imagine" të Xhonit. Ka shumë "komunizëm" në atë këngë. Nuk i trembem komunizmit, por m[ tep[r se është utopik si ide, më duket se injoron totalisht natyrën e njeriut, pa përmendur historinë e evolucionit të tij. Tek Lenon vërtet është e pranueshme idea e mungesës së "gjerdheve" por shkelmohen edhe fetë, edhe dëshira për tu sakrifikuar për diçka, duke ndjellë k[shtu një lloj ideje "totalitare", ku njerëzit do mendojnë e do ndjejnë njëlloj. Sigurisht unë nuk pëlqej që njerëzit të sakrifikohen për 'flamur" apo për "ide", por mund të vetëflijohen për një qënie tjetër të pambrojtur. Do ketë edhe në botën e Lenonit zjarre, përmbytje, katastrofa ajrore, epidemi, tërmete etj etj. Ai i rëndon idesë së Vëllazërimit, por mua më duket se kjo bie pak ndesh me dy përbërësit e tjerë të parrullës së famshme të Revolucionit Francez.

Njerëzit mund të jenë të barabartë dhe të lirë por jo në vëllazëri të plotë. Ideja e kësaj të fundit është pikërisht në kundërshtim me dy të tjerat, në botën që mendoj unë. Nuk mund të jem plotësisht i lirë nëse jam pjesë e një Vëllazërimi. C'është ky shoqërizim? Kundër kujt? Natyrës, Perëndisë apo qënieve të tjera?

Njerëzit nuk mund dhe nuk duhet të uniformizohen as sipas Marksit e Lenonit dhe askujt tjetër! Njerëzit duhet të jenë të lirë të jetojnë jetën e tyre si duan. Sigurisht, pa cënuar lirinë e tjetrit, mjedisin, trashëgimninë e përbashkët. Duke respektuar një marëveshje të Gjithësishme Botërore.

"Porrdhë me rigon" do thotë avokati im , që nuk gjeti një gjykatës të saktë as në Berlin, por unë kam të drejtë të bëj"porrdhë " jo vetëm mendjen time, por dhe të atyre dy-tre miqve që kanë durim të lexojnë shkrimet në blog. Një Marrëveshje e Gjithësishme nuk është krejtësisht e pamundur. Shekujt e kanë treguar. Por kushti i parë për të shkuar tek ajo është Barazia e qenieve njerëzore. (Një fjalë goje!)
 
(vijon)

Tuesday 4 February 2014

Demokratët (3)


Filluan përgatittjet për zgjedhjet e para shumëpartish dhe edhe pse nën tension, kishim shumë shpresë, që Demokratët do fitonin. Dyshja Berisha-Pashko nuk kishte dhënë për ne “të provincës” ndonjë shenjë rivaliteti të hapur dhe takimet me kandidatët e opozitës së posaformuar në Korçë kasha dëgjuar që kishin qënë mbresëlënëse. Nuk shkova as në të vetmin, që do doja, me Petraq Kolevicën në Pallatin e Kulturës se s'kishte ku të hidhje mollën. Ato ditë, Pirro Thomoja ishte duke bërë takimet në zonën e Liqenasit, ku e kishin vënë kandidat dhe u takuam një drekë për të biseduar rreth gjendjes. Kisha besim në gjykimin e tij të situatës, sepse jo vetëm kur isha student dhe gjatë diplomës, por edhe më vonë e kisha pare, që ishte i saktë dhe nuk fluturonte. Mora atë ditë dhe Gjergji Skënderin, me të cilin kisha disa vjet që e besoja dhe flisnim për politikë. Pirrua ishte shumë entuziast. Takimet i kishin shkuar shumë mirë dhe e kishte gati të sigurt fitoren ndaj kandidatit socialist "shule", të cilin tani nuk e kujtoj se cili ishte. Na tregoi më gjatë rreth "hyrjes në valle", mungesës së kohës për të përgatitur gjërat dhe garancisë në ardhjen e një Qeverie Demokrate në pushtet. Ne e pyesnim dhe besonim se gjërat ishin në rrugë të mbarë. Jo vetëm në qytete, por edhe në shumë zona "rurale" si Zvezda apo Devolli i Sipërm, Demokratët kishin mbështetjen totale të popullsisë. Problem mund të përbënin vetëm dy zona të thella malore, por përsëri, fitorja në Korçë do ishte me diferencë. Gjatë drekës u dhanë edhe Selami me Rulin, që do hanin drekë me në shpurë tjetër. Na takuan dhe sërish më bëri përshtypje sjellja prej inteligjenti e Rulit. "Hunda" edhe pse jo i pashëm, ishte karizmatik të paktën për ne, ndërsa tjetri mu duk një kastravec i fryrë kot. Megjithatë, e dija që shpesh gaboja në përcaktimet e njerëzve pas vetëm një ose dy takimesh. Selami që kisha takuar në një dhomë konvikti më 1987, ishte një "zog i sadalë nga veza", pedagog i ri nga Librazhdi për Estetikë. Tani mundohej të linte përshtypjen e një sociologu të sprovuar, që përgatitej të ndrronte rrjedhën e fatit të Atdheut. Ishte e gjithë atmosfera, së bashku me shpejtësinë e rrokullisjes së ngjarjeve që i bënte ndoshta të kishin euforinë e atyre, që sa kanë prekur vende të ndaluara edhe për ëndrrat e tyre.
Euforia dhe mungesa e experiences për të kontrolluar "batakçinjtë" e Komiteteve Ekzekutive, ju kushtoi Demokratëve zgjedhjet e atij viti. Ndoshta rezultati nuk do kishte qënë me diferencë, si ndodhi marsin e një viti më pas, por do kishte qënë i afërt e do sillte menjëherë zgjedhje të reja. Punistët i vodhën zgjedhjet e para shumëpartish. Nuk di pse kishte një lloj shdëfrimi atë ditë  të paszgjedhjeve, tek njerëz , të cilët nuk i mendoja të tillë. Ndërsa ngjitja shkallët e pallatit ku banoja, dy gra, që dukej se përgojonin Demokratiksat, ndaluan bisedën kur kalova pranë tyre dhe pasi i përshëndeta i thanë njëra tjetrës: "Fitoi Partia jonë, ajo ka rëndësi!" Mendova me vete "ah të gjorat ju!" sepse e dija që vinin nga familje, të cilave "Partia" ju kishte marrë shumë gjëra në fillim dhe ju kishte ndrruar rrjedhën e jetës. Lajmet ishin tronditëse për Shkodrën. U vranë 4 vetë dhe ndodhi bastisja e Komitetit të Partisë. Tashmë dukej se "lapangjozët" mezi kishin pritur të "legalizoheshin" me votë dhe do përgjigjeshin edhe me hekur. Reagimi i shkodranëve ishte model dhe atij shpërthimi, më tepër se Lëvizjes Studentore, do i vija meritën për largimin e Punistëve nga pushteti. Një i afërm, që kishte qënë bashkë me shumë gjimnazistë i ulur në shesh për të protestuar, më tregonte plot emocione reagimin e vajzave dhe djemve gjimnazistë, që nuk patën pyetur as për snaiperat e jo më për shkopinjtë e gomës. Në Tiranë, Korçë e Vlorë nuk pati kurrë një gjë të tillë.
Pas dy muajsh përpëlitjesh për dorheqje të Nanos, më në fund në Qershor u formua Qeveria e Stabilitetit. Demokratët do drejtonin vendin edhe pse së bashku me punistët e fundit. Në kabinetin e ri tashmë do ishin edhe Pashko, Ruli, Uka, Zogaj, Mysliu e ndonjë demokrat tjetër. Dikasteret që kishin marë gjithashtu nuk ishin të dorës së dytë. Qeveria e Stabilitetit në javët e para, më la shijen e hidhur të një lëshimi të madh ndaj "masakruesve" të vendit. Pashkoja, që ndjehej "kryeqeveritar" edhe pse kryeministër ishte Bufi, fluturonte me deklarata boshe dhe një vetbesim të tepruar prej amatori. Nga Tirana më kishin ardhur zëra për korrupsion të ministrave të opozitës, ndaj mendoja që ajo Qeveri nuk ishte gjë tjetër veç një "jastëk mbrojtës" ndaj bllokmenëve dhe kriminelëve të tjerë. Në qytet dëgjoheshin të tjera muhabete për "dallavera" të Kryetarit Demokrat me Shefin e Policisë Punist, gjë për të cilën nuk kisha ndonjë hamëndje nëse ishte e vërtetë, se dyshoja që inxhinieri i Djathtë mund të kishte qënë nga ata "ndjekësit e turistëve" në gjimnaz e më vonë. Në Gusht ndodhi edhe një ngjarje në Arenën Ndërkombëtare, për të cilën sot flitet pak kur kujtohen vitet e para të ndryshimit tek ne. Puçi njëjavor ndaj Gorbaçovit i ekzaltoi më të fëlliqurit e punistëve në Shqipëri. Vetë u trondita dhe mendova se kaq e pati jo vetëm ndryshimi i brishtë në jetën tonë, por në shumicën e Europës Lindore. Nuk e njihja mirë perandorinë ruse dhe dukej se edhe ata që duhet ta njihnin(Perëndimorët), ishin befasuar nga lëvizja e konservatorëve. Për më tepër, gjysma e zyrave në Europë, për mos thënë më tepër, gjatë gushtit janë të mbyllura. Për fat të mirë të të gjithë atyre që patën jetuar nën diktaturat e majta puçi dështoi. Shtatori i gjeti Stabilitiksat në veprimtari të plotë për "të shpëtuar vendin". Edhe pse dihej se ç'bënin, sërish jam habitur , kur para disa vjetëve një miku im i mirë, më tregonte se si ishin lëshuar për para, që sa hynë nëpër zyra, Stabilitiksat e djathtë në Korçë. Nuk di se kush e përcolli aq shpejt në shumë individë, atë frymë të fëlliqur "zarbash". Dukej një periudhë që duhej të ishte e mbushur me idealizëm, se posa ishin zhytur në baltë ishujt e rremë të deriatëhershëm. E vërteta për fat të keq nuk ishte e tillë.
(vijon)

Saturday 1 February 2014

Kur e nxjerr koburen...(2)

(vijim)
Nuk di si duhet te jete nje parathenie e "nivelit". Nuk kam shkruar kurre te tille, spse askush ma ka kerkuar, ndaj nuk e kam vrare mendjen. Kur fillova te shijoja te lexuarin, paratheniet nuk i lexoja kurre, se isha i paduruar te "kerceja" ne ngjarjet e librit dhe pak me behej vone per autorin apo per njerezit e mencur, qe vleresonin artin e tij.  Kishte raste, qe i lexoja pas perfundimit te librit, nese "parathenesi" ishte njeri i njohur i letrave. Me vone nisa t'i lexoj dhe kishte prej tyre qe te "ndiznin" deshiren e leximit te gjithe "materialit". Te tjera te linin nje shije te athet dhe pas dy tre faqeve te para, libri perfundonte 4-5 dite ne dysheme, per tu vendosur me vone pergjithnje ne nje raft. Kam lexuar edhe dy parathenie me te bukura se vete librat, por nuk dua te ndalem gjate ne to. Ndoshta rasti do e sjelle tjeter here.
Parathenien e Benit, e lexova shume kohe pasi pata lexuar novelen e Kadarese. Nuk jam i sigurt nese ai i ka bere edhe kthimin ne anglisht te vepres, por kjo as ngre as ul ne ate per te cilen po shkruaj. Novela u botua ne periudhen e fundit "kadareiane", kur ai ishte plotesisht I konsoliduar, por edhe kur lexuesit kishin filluar te tejngopeshin nga menyra e tij e te shkruarit. Jo vetem qe edhe ne ne ndonje material satiric ne tv, flitej alla-Kadare, por ne rrethe dashamiresish, kishte edhe mendime qe po I afrohej fundi krijimtarise se tij dhe nuk te befasonte me.
Me Benin kete ide e kishim heret, para 1986, kur u botua "Viti i Mbrapshte". Me '81-'82 kur ishim student, shpesh talleshim me frazat e strerperdorura te tij te "ose,ose" apo "njekohesisht ajo dhe e kunderta e saj" etj etj qe ishin pjese e botes se tij letrare(dhe jo te ajsbergut, si e cileson ai ne parathenie). Duhet te kete qene pranvera e '82-shit, kur Titoja mbeti per nje kohe te gjate ne koma dhe po behej qesharake vazhdimesia e buletineve mjekesore te kanaleve jugosllave, Ne nje nga ato mbremje, duke u vertitur neper Tirane, ne gajaseshim duke komentuar gjendjen e Titos ne menyren aja-Kadare. Nuk e them per te nenvizuar lodhjen tone nga stili i Ismailit, por per te thene, "risite" e tij ne Letersine Shqiptare kishin mare fund me Gjeneralin, Perse mendohen keto male dhe Kronike ne Gur. Veprat e tjera kishin pjese me nivel te mire, por nuk po kaperxenin me nivelet e meparshme te tij.
Beni hidhet tani e thurr lavde per thellesine e mendimit te Kadarese, guximin e tij prej gjeniu, edukimin e brezave me menyren europiane te te menduarit ndryshe e plot e plot ditirambe te tjera. C'fare ka kuptuar tani qe nuk e dinte atehere, ose c'ka harruar tani qe e dinte atehere?
(vijon)

Po e nxorre koburen...

Kërcënimi pa ndjekje jo vetëm nuk vlen asnjë grosh, po të diskretiton edhe në rrethet e kërcënuesve profesionistë apo edhe të të kërcënuarve amatorë. Dje afati mbaroi, shkrimi vazhdonte të valavitej jo vetëm në Veprën XII(Me material rreth 5-vjeçarit të tretë), por edhe në FB-në e këtij shekulli. Edhe këshilla e autorit për një relaksim total nuk ndikoi, se jo vetëm pashë të shtoheshin "lajkat", por nuk kishte asnjë reagim as nga avokati im, I cili dikur vizitoi Berlinin, për të gjetur një gjykatës të saktë. Mbajta fjalën për FB "mosshkrim" edhe pse mund të akuzohem se vetëm përgjoj në atë perandori jo-orvelliane. Në FB do fërkonin barkun shumë dashamirës të sherreve të mija.
Kur kërcënova, nuk e dija historinë e shkrimit dhe as vlerën e tij parathënëse. Nuk di as historinë para-parathënëse. Vetëm kujtoj se më 1998, kur e kam pyetur autorin nëse kishte pasur ndonjë rast të pinte kafe me Is, mu përgjigj me përçmim "as më ka interesuar të pinja kafe me të". Unë pata mbledhur supet, sepse edhe sot me shumë dëshirë do rrija të pija një kafe dhe vetëm të dëgjoja pa e ndërprerë ligjëratën(jo të zhdërvjelltë) të Is. Edhe pse sot nuk e besoj.
Po le të hidhemi në temë. Parathënia e Veprës së Zgjedhur XII.
Edhe pse parathënia e një libri nuk është profetike, si e thotë në shqip fjala e saj, është një paradhomë e rëndësishme e veprës. Më parë i shkruanin të afirmuarit për më modestët, tani janë kohë të tjera dhe kufiri midis të mëdhenjve, të zkonshmëve dhe gjenijve është më i lëvizshëm. Sidomos kur bëhet fjalë për një vepër voluminoze, e cila kërkon po aq parathënie sa ka edhe vëllime. Nuk di as natyrën e të tjerave dhe as autorët e tyre. Parathënia e parathënësit tim, është një lloj esse-je mbi veprën e Is, "Viti I Mbrapshtë"këndvështrimin e tij letraro filozofik në përgjithësi, raportet me Diktaturën dhe efektin mbi brezat e lexuesve. Përpjekje e logjikshme. Vetem e nisur shumë keq prej titullit. Vazhduar më keq me hyrjen.
(vijon)