Monday 30 November 2020

Llulla (Sharl Bodler)

 

Un’ jam e shkrimtarit llulla;

Duket kur kundron çehren time

Etiopiane apo Kafrine,

Që ai nuk më heq nga buza.

 

Kur trishtimi e ka mbuluar

Tymos si një oxhak furre,

Ku stiset tava e preferuar

Për bujkun që tokën ka lëruar.

 

Mendjen ja ngalas dhe ja përkund

Në një rrjetë tundëse, të kaltër,

Prushin e djeg si në një vatër

 

Dhe shtroj një ngushëllim pa fund,

Që i bën t’i ngrohet zemra

Dhe i shëron të shpirtit brenga.

Sunday 29 November 2020

Sa Sallaks si je!


Një miku im më thotë shpesh se jam shumë i Majtë. Në të njëjtën mënyrë, një tjetër mik i imi, më ngacmon se jam i Djathtë. Unë vetë nuk e di nëse i përkas ndonjë krahu politik, nëse jam konfuz, apo i ndroj krahët jo për interes, por thjesht se kam “shpirtin e kundërshtimit”. Do parapëlqeja të thoja ashtu si Xhiorxho Gaber, se “ç’është e Djathta dhe e Majta?’ në këngën e tij të famshme satirike“Destra-Sinistra”. Përsëri duke perifrazuar Xhiorxhon, më pëlqen të vesh xhinse, gjë që anon nga e Majta, por shkoj edhe të shoh një koncert me muzikë sinfonike, që është demonstrim i qartë se i përkas të Djathtës. Në restorant më shpesh porosit biftek Nju Jorku, gjë eskluzive e të Djathtës, por në kishë shkoj shumë rrallë, gjë që bëjnë Majtistët e thekur. E kështu mund të vazhdohet pafund me prirjet shoqërore - jetësore , që kanë të bëjnë pak ose aspak me krahët e politikës, të ndara ideologjikisht 100 e kusur vjet më parë dhe të mbajtura si të tilla për hir të dëshirës për të marrë pushtetin.

Bile edhe 100 vjet më parë, si mund t’i quaje të Majta Partitë Komuniste, të cilat mbështesnin Bolshevikët, që në praktikën bazë të tyre kishin kufizimin e lirive dhe të të drejtave të njeriu? Liritë dhe të drejtat e Njeriut ishin në parimet kryesore të filozofisë majtiste në fillimet e saj. Si e cilësonte në vitin 1934, filozofi marksist Kautsky “një Marksizëm që sundon me metodat e Inkuizicionit Spanjoll,i kultivuar tek njerëzit me shpatë dhe me zjarr, me rituale teatrale, si puna e balsamimit të Leninit; një Marksizëm i reduktuar jo në një fe shtetërore, por më keq në një besim mesjetar oriental. Një Marksizëm i tillë mund të quhet vetëm një fanatizëm indoktrinues.” Ndaj problemi ideologjive dhe i krahëve politikë, në kohën e sotme është akoma më i përzjerë, më i koklavitur dhe më dizorientues. Dhe shpesh njerëzit bëjnë pyetje të llojit: Si ka mundësi , që ka miliarderë të së Majtës? Pse punëtorët votojnë për Mari Le Pen?  A është vërtet Kina komuniste? Pse Bernie Sanders ka votuar pro ligjeve për të drejtën për të mbajtur armë? E qindra të tjera si këto.

Në Demokracitë e sotme të zhvilluara (dhe jo vetëm në to) nuk ka më parti të fuqishme, të cilat i përkasin një ideologjie të kristalizuar ndaj aq më pak mund të ketë njerëz të së Majtës e të së Djathtës. Ata që rrahin gjoksin se i përkasin një rryme të përcaktuar qartë, ose e bëjnë për demagogji, ose nga që duan t’ju qëndrojnë besnikë grupimeve politike që kanë ndjekur në rini, ose nga që kanë kuptuar shumë pak nga bota që na rrethon, ose se nuk jetojnë dot pa patur kundërshtarë dhe armiq. Dhe e kam fjalën për njerëzit e interesuar rreth politikës në Amerikën Veriore dhe Europën Perëndimore. Nëse flasim për Europën Lindore, ku sundojnë kleptokratët, as që mund të bëhet fjalë për Parti të Majta dhe të Djathta. Në ato vende, kur flitet se “mos e marrin këta të Majtët!”, përkthehet mos e marrë kjo banda në të cilën nuk kemi njeri të na ndihmojë dhe jo se mund të ndryshohen politikat sociale, ato ekonomike apo ligje të caktuara.

Kur shkruaj rreth rrezikut të fashizmit e bëj jo se kam bindje të majta, ashtu sikundër kur denoncoj krimet e komunizmit në Shqipëri nuk e bëj se jam një i djathtë i bindur. Unë besoj se fashizmi ashtu si komunizmi në pushtet kanë qënë dhe janë dy sisteme shumë të ngjashëm edhe pse në armiqësi me njëri tjetrin. (Nuk e kishin të vështirë edhe të bënin aleanca si psh pakti Molotov-Ribentrop). Shembull domethënës është Kina e sotme, që e quan veten komuniste dhe është një shtet me aspirata tërësisht fashiste.

Gjithashtu besoj se mbajtja e grupimeve të tilla politike, që shtiren se i përkasin të Majtës apo të Djathtës vetëm se helmon jetën shoqërore dhe i ve njerëzit në një kundërshtim të vazhdueshëm (edhe pse ndoshta jo të dhunshëm) me njëri tjetrin. Ndarja në Ne dhe në Ata është në rrënjët e konflikteve të sotme midis grupimeve shoqërore, etnive dhe  grupeve të interesit.

Mund ta pranoj se jam pjesërisht “i Majtë“ në se flasim për të qënit kozmopolit, gjë që shprehet bukur nga Xhejms Xhojs: “Nuk kam për t’i shërbyer më diçkaje në të cilën nuk besoj, le të quhet vendi im, atdheu im apo kisha ime; dhe do mundohem ta shpreh veten qoftë nëpërmjet artit apo të jetuarit në mënyrën më të plotë dhe më të lirë që do mundem,…”

Po nëse “të Djathtë“ më bën bindja se në shoqërinë e sotme njerëzore Besimi Fetar është i domosdoshëm unë e pranoj që jam i Djathtë. Dhe po aq e domosdoshme është jo vetëm e drejta e gjithkujt të praktikojë fenë e tij, por sidomos i domosdoshëm është ndalimi i sulmeve ndaj feve të tjera qoftë i veshur me petkun e modernizmit apo atë të luftës ndaj terrorizmit.

Ka diçka tjetër në të cilën besoj thellësisht dhe që gjithmonë kam menduar se duhet të ishte kauzë e të Djathtës konservatore, por për fat të keq nuk është. Mbrojtja dhe konservimi i Mjedisit për një të ardhme më të mirë të brezave që vijnë. Ka edhe shumë bindje të tjera duke nisur me zvogëlimin e rolit të shtetit, martesës së homoseksualëve, uljen e taksave, shkatërrimin e armëve nukleare, të drejtën e abortit, e dhjetra të tjera më ose më pak të rëndësishme, që më degdisin herë djathtas dhe herë majtas. Dhe jo se jam i paqëndrueshëm në bindjet e mija, por se shumica e njerëzve janë dhe duhet të jenë të tillë. Të çliruar nga dogmat dhe ideologjitë. Të prirur për të mësuar më shumë dhe për të ndryshuar bindjet e gabuara. Të vendosur në bindjen se askush nuk ka monopolin e të Vërtetës dhe të së Drejtës.

Im atë më quante “gauche”. Jo se shihte prijet e mija të majta, por se jam tmerrësisht jo i ndorshëm.

Saturday 28 November 2020

Po vijnë ata me cfurqe! (fund)


 (vijim)

Më paradoksalja rreth rritjes së pabarazisë është se sa e panevojshme dhe shkatërruese është për ne. Nëse ndryshojmë pak politikat si bëri Rusvelti gjatë Krizës së Madhe, pra të ndihmojmë 99% të popullsisë dhe parandalojmë revolucionarët dhe ata me cfurqe, kjo do jetë zgjidhja ideale për ne. Jo vetëm që do mbijetojmë, po me siguri edhe do pasurohemi më shumë.

Shëmbull për ne të pasurit duhet të jetë Henri Ford, që kuptoi se punëtorët e tij në Detroit nuk ishin të vlefshëm për të se mund t’i shfrytëzonte duke i paguar pak, por ishin edhe blerës potencialë. Ndaj llogariti se nëse ju rriste rrogat në 5$ në ditë (pagesë jashtëzakonisht e lartë për kohën), punëtorët do ishin në gjendje të blinin automjetet që prodhonte.

Ide gjeniale. Propozimi im është : Le ta bëjmë edhe tani. Duhet të bëjmë diçka. Këto politikat idiote “po të pasurohemi ne shumë edhe fukarenjtë do përfitojnë“ po shkatërrojnë bazën time të konsumatorëve. Edhe tuajën.

Ja pse vendosa të braktisja botën e izoluar të super të pasurit dhe të angazhohesha në politikë. Jo në garë për ndonjë post publik dhe as si donator i fuqishëm. Unë dua të ndikoj me ide në ndryshimin e diskorsit publik duke i dhënë përparësi idesë, të cilën së bashku me Erik Liu, e quajmë ekonomia që nis nga klasa e mesme. I kundërvihet politikave ekonomike që kanë mbizotëruar deri tani dhe që kanë shkatërruar jo vetëm klasën e mesme amerikane , por edhe ekonominë në përgjithësi. Ekonomia që nis nga klasa e mesme (middle-out economics) hedh poshtë idenë e vjetër se ekomomia është një sistem mekanik efiçient  dhe i përqaset idesë që ekonomia është një sistem kompleks si një ekosistem njerëzish realë të ndërvarur.

Ja përse ligji themelor i kapitalizmit duhet të jetë: Nëse punëtorët kanë më shumë para, bizneset kanë më shumë blerës. Pikërisht kjo përcakton që vendet e punës krijohen nga klasa e mesme dhe jo nga ne biznesmenët e pasur. Që do të thotë se një klasë e mesme në lulëzim është shkaku i begatisë amerikane dhe jo pasojë e tij. Eshtë kjo klasë që krijon të pasurit dhe jo e kundërta.

Më 2013, Bloomberg botoi një artikullin tim me titull “Cështja e kapitalistit për ngritjen e pagës minimale në 15$/orë“. Revista Forbes e etiketoi “Propozimi thuajse i çmendur I Nik Hanauer”. Por pas disa javësh, miku im David Rolf, organizator i Service Employees International Union, ngriti në grevë të përgjithshme punonjësit e fast-food me kërkesën për pagë 15$/orë. Një vit më vonë në qytetin e Seattle u miratua paga minimale 15$. Si ka mundësi do thoni ju?

Sepse kemi diçka që nuk shkon. Gjatë tre dhjetvjeçarëve të fundit, bonuset për CEO-të(administratorët e përgjithshëm - sh.p.) u rritën 127 herë më shumë se ato për puntorët. Prej vitit 1950, raporti i rrogave CEO-punëtor është rritur 10 herë. Të parët në atë kohë merrnin një rrogë 30 fishin e mesatares të punonjësve të kompanisë ndërsa tani futin në xhep një rrogë 500 fish të mesatares. Dhe nuk ka bërë vaki që ndonjë kompani të shkurtojë drejtuesit, të automatizojë punën e tyre apo ta transferojë në Kinë. Në të kundërt ne sot kemi kudo më shumë CEO dhe zyrtarë të tjerë të lartë. E njëjta gjë për punonjësit e financës dhe të teknologjisë. Edhe pse rrogat e tyre janë shumëfishi i mesatares, nuk e di se pse na duhen gjithnjë e më shumë të tillë.

Ne të pasurit e biznesit duam që klientët t’i kemi të pasur, kurse punëtorët e varfër. Që kur ka dalë kapitalizmi, kapitalistët kanë thënë të njëjtën gjë rreth rritjes së rrogave. 75 vjetët e fundit kemi dëgjuar ankesa nga bizneset e mëdha kur u vendos ligji për pagën minimale, kur u ligjërua e drejta e grave për pagë të barabartë me burrat, kur u miratuan ligjet për ndalimin shfrytëzimit të punës së fëmijëve. Gjithnjë i njëjti refren: Do falimentojmë të tërë! Më duhet ta mbyll biznesin! Duhet t’i pushoj të tërë! Në fakt asngjë nga këto nuk ka ndodhur. Të dhënat tregojnë se kur punëtorët trajtohen më mirë, bizneset fitojnë më shumë. Ata që e mohojnë e kanë komplet gabim.

Shumica juaj mendon se rroga minimale prej 15$ dollarësh në Seattle është një devijim i marrë nga politikat racionale, një rrezik i madh për ekonominë.  Por në Seattle rroga minimale ishte 9.32$, 30% më e lartë se ajo federale dhe nuk e kishte dëmtuar ekonominë. Në të kundërt, dy qytetet ku bizneset e vogla kanë rritjen më të madhe janë San Françisko dhe Seattle. Dy qyetet ku rroga minimale është më e lartë se kudo në Amerikë. Qyteti me rritjen më të shpejt mes qyteteve të mëdha - përsëri Seattle. 15$ në orë nuk është për ne diçka e paprovuar më parë. Thjesht është një theksim i strategjisë që e ka bërë qytetin tonë “t’ja u lagë“ qyteteve tuaj.

Eshtë krejt e llogjikshme po ta mendosh. Nëse një punëtor paguhet me 7.25$/orë, që është paga minimale në Amerikë, sa prej rrogës së tij do shkojë në arkat e bizneseve të vogla? Thuajse hiç. Do paguajë qeranë, do shkojë të blejë ushqimet e domosdoshme në Safeway dhe do blerë abonenë e urbanit. Nuk do shkojë restoranteve, nuk do blerë veshje të reja dhe as lule për Ditën e Nënës.

A po e thjeshtëzoj si tepër këtë çështje? Vërtet që po e bëj. A janë të shumtë faktorët që përcaktojnë dinamikën e punësimit? Përgjigja ime është- Po. Veç mos më thoni se nëse do rrisim pagat e ulta, papunësia do shkojë në qiell dhe ekonomia do shkatërrohet. Nuk ka pikën e llogjikës. Pjesa më mashtruese e teorisë ekonomike të “përfitimit të të varfërve nga pasurimi i të pasurve” nuk është ajo që ekonomia rritet kur të pasurit pasurohen më shumë. Eshtë ajo, që ekonomia dëmtohet nëse të varfërit “pasurohen”.

Shumë prej jush mendojnë që të detyrosh të paguajnë punëtorët më shumë nuk është e drejtë, ose përbën një ndërhyrje brutale të shtetit në biznesin privat. Për ju do ishte më mirë të ndiqeshin shembujt e mirë të kompanive Costco ose GAP. Ose më mirë akoma të lesh tregun të vendosë nivelin e rrogave. Por duhet të kuptojmë, se kur pronarët e Wal-Mart dhe McDonalds, që janë shëmbulli më i keq, thonë se i paguajnë punonjësit pranë nivelit të pagës minimale të përcaktuar nga ligji, është njëlloj si të thonë që po mos ishte ligji do i paguanin edhe më pak. (Për fat të mirë të dy kompanitë së fundmi kanë deklaruar që nuk do kundërshtojnë ngritjen e pagës minimale). Por në çdo grup të gjërë, ka njerëz që asnjëherë nuk bëjnë atë që është e drejtë. Ndaj duhet që ekonomia të jetë në rregull dhe efektive, të ketë rregulla si të qarkullimit rrugor me kufizim të shpejtësive dhe shënja “stop”. Wal-Mart është kompania me më shumë punonjës në Amerikë (1.4 milion) dhe me një fitim mbi 25 miliard $ pa zbritur taksat. Po pse punonjësit e Wal-Mart përbëjnë numurin më të madh të Medicaid (sigurimi shëndetsor shtetëror-sh.p.) në shumë shtete? Le të themi se Wal-Mart do ju shtojë 10 mijë dollarë në vit, sejcilit prej 1 milion punonjësve që kanë pagat më të ulta, do i ngrerë mbi nivelin e varfërisë dhe do i ketë klientë të rregullt të vetë Wal-Mart-it. Do ju kursejë edhe taksapaguesve pullat për ushqim, Medicaid dhe subvencionimin e qerave dhe në të njëjtën kohë do i mbeten 15 miliard dollarë fitim. Wal-Mart nuk ka për ta bërë(dhe nuk duhet ta bëjë) këtë vullnetarisht po mos e bëjnë edhe kompanitë konkurente. Nëse duam të kemi një ekonomi të mirë për të gjithë, duhet t’i detyrojmë të gjithë me ligj të paguajnë paga për një standart jetese normal dhe jo t’ja u kërkojmë me mirësjellje.

Ne të pasurit kemi krijuar bindjen që kur shkollohemi si dhe nga trajtimi që na bën shoqëria, se jemi ne që krijojmë vende pune. Thjesht është e pavërtetë. Asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk do ketë një numur të tillë super të pasurish që mund të gjenerojë një ekonomi të fuqishme. Unë fitoj 1 mijë fishin e pagës mesatare të një amerikani, por nuk ble 1000 herë më shumë gjëra. Gjatë viteve të fundit si familje kemi blerë 3 makina dhe jo 3 mijë. Si të gjithë burrat unë ble disa bluza dhe disa këmishë në vit. Mund të ble njëmijë po përse do më duhen? Kështu që shumë prej fitimeve i ve në bankë në llogarinë e kursimeve, para që nuk i sjellin ndonjë dobi ekonomisë së  vendit.

Kështu që harrojini ato dënglat se Amerika është kaq e fuqishme se ka njerëz si ju, si unë dhe si Stiv Xhobs. Ju e dini të vërtetën edhe pse nuk ju vjen mirë ta pranoni: Po të kishim lindur në Somali apo në Kongo, ne të tërë do ishim ca zbatharakë që shisnim fruta ndanë rrugës. Jo se në Somali dhe në Kongo nuk ka biznesmenë të zotë. Thjesht më të mirët e tyre shesin rrugëve se aq mund të blenë blerësit.

Pse mos bëjmë një lloj Marëveshje të Re (New Deal e presidentit Rusvelt e vitit 1933, që nxorri Amerikën nga Kriza e Madhe – sh.p.)e pëlqyeshme për të Majtën e të Djathtën, për Libertarianët dhe Liberalët? Në fillim do ju kërkoja miqve tim Republikanë të shikojnë më realisht zvogëlimin e shtetit. Ju them që kini plotësisht të drejtë se qeveria federale është vërtet e fryrë. Por që ta zvogëlosh në mënyrë të ndjeshme, kështu si janë sot problemet, nuk mund ta bësh dot. Regani dhe Bushët kishin mundësi ta bënin dhe dështuan.

Republikanët dhe Demokratët në Kongres nuk mund ta zvogëlojnë thjesht se kanë dëshirë ta bëjnë. Nëse vërtet do të shkurtosh programet dhe institucionet qeveritare duhet të kthehesh në parimet bazë ekonomike: Të zvogëlosh kërkesat për to. Po qe se njerëzit do paguhen 15$/orë dhe më shumë nuk do ketë nevojë as për programe të pullave të ushqimit, as të subvencionimit të qerave. Nuk do ketë nevojë as që takasapaguesit të paguajnë sigurimin e tyre shëndetsor. Kur të jetë fuqizuar klasa e mesme si ka qënë më parë, dhe të konsumojë njëlloj, nuk do ketë nevojë për programe të asistencës sociale. Njëkohësisht të ardhurat e shtetit do rriten nga taksat e shitjeve dhe të të ardhurave personale duke reduktuar kështu defiçitin shtetëror.

Me pak fjalë kjo është një përqasje ekonomike që mund të afrojë të Majtën me të Djathtën. Një pjesë e Republikanëve kanë nisur ta kuptojnë. Bile edhe Mit Romney dhe Rick Santorum, që ndryshojnë në shumë koncepte, janë shprehur në favor të rritjes së pagës minimale edhe pse shumica e Republikanëve në Kongres nuk e mbështesin.

    *        *        *

Ka një pikë ku pajtohemi të gjithë, që ndryshimi nuk ka për të nisur në Uashington. Të menduarit atje është pezull dhe më shumë akoma argumentat. Në të dy krahët politike.

Por nuk prish shumë punë. Më të shumtat e lëvizjeve shoqërore i kanë arritur fitoret e para në nivelet e bashkive dhe të shteteve. Lufta për ditëne punës 8-orshe përfundoi më 1938 në Uashington, por betejat kishin nisur në Cikago dhe Masaçusets në fund të shekullit të XIX.  Lëvizja për Sigurinë Sociale filloi në Kaliforni në vitet ’30. Edhe Obamacare, Akti për një Shërbim Shëndetsor të Përballueshëm (financiarisht- sh.p.) do kishte vështirësi për tu konceptuar po mos ishte më parë modeli i Kujdesit Shëndetsor i Mitt Romnit në Masaçusets.

Për fat të keq asnjë Republikan nuk e kupton këtë dhe edhe Demokratët janë të pakët. Bile edhe Obama, gjatë fjalimit të tij në Kongres këtë vit, edhe pse përmendi nevojën për rritjen e rrogës minimale, nuk arriti të argumentonte qartë se më pak pabarazi dhe forcimi i klasës së mesme sjell një rritje më të shpejtë ekonomike. Argumentimi që I bëjnë kësaj çështje Demokratët mbetet në klishetë e vjetra të drejtësisë shoqërore. “Arsyeja e vetme pse duam të ndihmojmë punëtorët është se na vjen keq për ta.” Republikanët flasin për rritje ekonomike ndërsa Demokratët për drejtësi sociale dhe gjithnjë dështojnë.

Po nga që dy partitë në Uashington nuk janë në gjendje ta kuptojnë, kjo nuk do të thotë që ne të pasurit të rrimë duarkryq. Diskutimi i këtij problemi ka kohë që ka ndryshuar mes shtresave të popullsisë edhe pse ne miliarderët nuk jemi pjesë e tij. E di se si mendoni. Ju duket se protestat si “Pushto Uoll Stritin” dhe gjithë të tjerat nën parrullën “kapitalizmi është shkaku” u tretën gjatë kohës. Kjo nuk është e vërtetë. Vërtet është e vështirë të organizosh protestues të flenë parqeve për një kohë të gjatë, për çështjet e drejtësisë shoqërore. Por protestat në kohën e krizës financiare të vitit 2008 e ndryshuan debatin politik në vend duke filluar me “tavanin e borxhit publik”, “panelet e vdekjes” * deri tek “pabarazia”.

Vetëm se shumë nga ju plutocratët nuk e kini marrë ende mesazhin.

Të dashur 1%-sha, shumë nga bashkëatdhetarët tanë kanë nisur të besojnë se kapitalizmi është shkaku i problemeve tona. Unë jam kundër kësaj ideje dhe e di që edhe  ju jini me mua. Kapitalizmi, i manaxhuar mirë, është shpikja më e madhe sociale, që sjell begati në shoqëritë njerëzore. Por nëse lihet jashtë kontrollit ka prirjen të shkojë drejt përqëndrimit të të mirave në pak duar dhe më pas të përmbyset. Mund të drejtohet ose duke lënë të përfitojnë pak për ca kohë ose shumë për një kohë shumë të gjatë. Misioni i demokracive është ta orientojë nga e dyta. Ja pse investimi në klasën e mesme është i dobishëm. Në të kundërt, ulja e taksave për të pasurit si ne, nuk sjell dobi. Një lloj balancimi i pushtetit të punëtorëve me atë të miliarderëve duke ngritur pagën minimale është i mirë për kapitalizmin. Eshtë instrument në duart e kapitalistëve të zgjuar për ta bërë kapitalizmin të qëndrueshëm. Dhe më shumë se ndaj cilitdo, kjo është në interesin e zilionerëve si ne.

Gjatë historisë të shoqërive njerëzore, konflikti kryesor dhe më i vjetri është ai rreth përqëndrimit të pushtetit dhe pasurisë. Ne të kreut ju kemi thënë gjithnjë atyre poshtë se kjo lloj ndarje jo vetëm është e drejtë, por edhe që ju shërben të gjithëve. Historikisht është quajtur “e Drejta Qiellore”. Tani i kemi vënë emrin “Ekonomia ku të varfërit përfitojnë nga pasurimi i të pasurve”.

*-“panelet e vdekjes”- Eshtë një term i  përdorur nga e Djathta, që ju referohet paneleve mjekësore, të  cilët, sipas tyre, do përcaktonin se a duhet të përfitonin nga Sigurimi Shtetëror Shëndetsor të moshuarit dhe handikapatët. Ishte një krijim fals për të diskretituar përpjekjet e të Majtës për të krijuar një Sistem Shëndetsor të ngjashëm financiarisht me atë të Europës Perëndimore.

Friday 27 November 2020

Po vijnë ata me cfurqe!


 Nik Hanauer e ka shkruar kete leter te hapur, e cila ju drejtohet zilionereve, ne vitin 2014. Shume pak gjera kane ndryshuar ne keto 6 vjet ndaj problemi sot eshte bere edhe me i mprehte. Po e ndaj ne dy pjese per shkak te gjatesise te shkrimit.

Ju ndoshta nuk më njihni, por unë jam një prej jush, pjesë në .01% të popullsisë, një kapitalist krenar që nuk ka përse të kërkojë ndjesë. Kam themeluar vetë dhe me të tjerë mbi 30 kompani në fusha nga më të ndryshmet, prej më të voglave, si një klub nate që hapa kur isha në të 20tat, dhe deri në gjigande si Amazon.com, në të cilën isha i vetmi investitor, jo pjestar familjes. Më vonë krijova aQuantive, një kompani reklamimi në internet, të cilën më 2007 e bleu Microsoft për 6.4 miliard dollarë. Para në dorë. Bashkë me disa miq kemi një bankë. Ja u them të gjitha këto për t’ju treguar se pak a shumë nuk ndryshoj nga ju. Edhe unë, sikundër ju, kam një shikim të plotë mbi bizneset dhe kapitalizmin. Dhe gjithashtu si ju, në sajë të suksesit shijoj një jetë, të cilën 99.99% e amerikanëve nuk mund ta shohin as në ëndërr. Disa vila, aeropan personal etj.,etj. E dini përse bëhet fjalë.

Në vitin 1992 ju shisja jastëkë për llogari të kompanisë të familjes time Pacific Coast Feather Co., dyqaneve në të gjithë vendin dhe Interneti posa ishte shpikur. Shpejt e kuptova se shumë nga klientët tanë, firma të mëdha dyqanesh, do e kishin jo të largët fundin. Dukej që kur Interenti të rriste shpejtësinë dhe të fitonte besimin në konsumatorët, blerjet online do shkonin në qiell. Adio Caldor! Adio Filene’s! Edhe Borders. Dhe të tjerë e të tjerë.

Nga që kuptova këtë që po vinte, pak më shpejt se të tjerët, zuri fill pikënisja e suksesit tim. Pata fat se kisha edhe dy shokë shumë të talentuar që gjithashtu parashikuan mundësitë e mëdha që sillte Interneti. I pari ishte Xhef Tauber, të cilin ka shumë mundësi mos e kini dëgjuar kurrë, ndërsa tjetri ishte Xhef Bezos. Isha shumë entuziast dhe ju thashë të dy Xhefëve se çdo gjë që të nisnin unë isha gati të investoja shumë para. Qëlloi që i pari që kërkoi investim nga unë ishte Bezos. Kështu u angazhova në hapjen e ueb-it të tij modest të shitjes së librave. Xhefi tjetër hapi një ueb të quajtur Cybershop, si një lloj supermerkati industrial, por në atë kohë besimi në Internet ishte ende i ulët ndaj ishte herët për t’ju shitur njerëzve on-line produkte të shtrenjta (ndryshe nga librat, që nuk kanë ndonjë ndryshim të madh në cilësi – intuita e Bezos). Cybershop dështoi, si plot kompani .com. Amazon arriti të bënte ca më mirë. Tani kam një jaht shumë të madh.

Po le të jem i sinqertë. Unë nuk jam më i zgjuari që keni takuar dhe as puntori më i zellshëm. Kam qënë student mediokër. Nuk kam as prirje për teknollogjitë e reja- nuk shkruaj dot asnjë kod programimi. Ajo që më veçon nga të tjerët, mendoj, është prirja për të riskuar dhe një lloj intuite se ku po shkojnë në të ardhmen ngjarjet e lidhura me bizneset dhe me inisiativat private. Dhe ç’më fanepset mua sot?

Shikoj që po vijnë ata me cfurqe!

Ndërkohë që njerëz si ju dhe si unë po gëzojnë më shumë se ç’pat ëndërruar plutokrati më ambicioz në Historinë e Njerëzimit, pjesa tjetër e vendit, 99.99% është shumë shumë më poshtë. Diferenca mes Kamsave dhe Skamsave po rritet në mënyrë marramendëse.  Në vitin 1980, 1% e më të pasurve merrnin 8% të të ardhurave vjetore, ndërsa gjysma më e varfër e popullsisë merrte në total 20% të të gjithë të ardhurave. Sot (viti 2014 sh.p.) i njëjti 1% merr 18% të të ardhurave vjetore dhe gjysma (e poshtme) merr vetëm 12%.

Por problem nuk është thjesht pabarazia. Kjo në një farë mase është thelbësore për funksionimin e çdo ekonomie të zhvilluar kapitaliste. Problemi është se pabarazia në ndarjen e të ardhurave është sot në nivele historikisht të papara dhe sa vjen e po shtohet. Vendi jonë në mënyrë të rrufeshme po kthehet nga një shoqëri kapitaliste në një shoqëri feudale. Nëse politikat ekonomike nuk ndryshohen ndjeshëm, klasa e mesme do zhduket dhe ne do kthehemi në një shoqëri të ngjashme me atë franceze të shekullit të XVIII. Atë para Revolucionit Francez.

Ndaj kam një mesazh për miqtë e mij që notojnë në pasuri, për ne që jetojmë në botët tona të mbrojtura e të izoluara: Zgjohuni! Nuk ka për të zgjatur shumë!

Nëse nuk bëjmë tani diçka për të korrigjuar pabarazitë verbuese ekonomike, cfurqet po vijnë për të na u ngulur. S’ka shoqëri që mund të ekzistojë gjatë me këtë lloj pabarazije në rritje të vazhdueshme. Nuk ka shembuj në historinë njerëzore, kur pasuritë janë mbledhur në fare pak duar dhe nuk janë ngritur cfurqet dhe kosoret. Më tregoni një të tillë dhe do ju tregoj një shtet policor. Ose një kryengritje. Nuk ka shembuj të kundërt. Asnjë. Cështja nuk është nëse do ndodhë , por kur do ndodhë.

Shumë nga ne mendojnë se ne jemi veçan se “këtu i thonë Amerikë“. Mendojnë se kemi imunitet ndaj forcave që nisën Pranverën Arabe, apo më të hershmet, ato që bënë Revolucionin Francez dhe Revolucionin Rus. Njoh shumë nga .01%-shat që rreken ta hedhin poshtë këtë teori; disa nga ju ma kanë thënë në sy që kam rrjedhur. Dhe shumë nga ju jinni të bindur se pabarazia është një përrallë, meqënëse kini parë fëmijë të varfër që flasin në iPhone.

Po ju them: Ju jetoni në një botë iluzore. Ajo që doni të besoni është se kur gjërat të arrijnë një pikë vlimi dhe të kthehen nga një gjendje e mjeruar e masave në një destabilizim të rrezikshëm shoqëror, ne do arrijmë t’i bëjmë ndryshimet e duhura pët t’i ndalur. Kushdo që studion histori e di që ngjarjet nuk zhvillohen kështu. Revolucionet, ashtu si falimentimet, vijnë gradualisht dhe shpërthejnë papritur. Një mëngjes, dikush i ve zjarrin vetes në rrugë dhe mijra njerëz shpërthejnë dhe para se ta marrësh vesh gjithë vendi merr zjarr. Dhe nuk do ketë kohë për ne të hipim avionët personalë dhe të degdisemi në Zelandën e Re. Kështu ka ndodhur gjithnjë. Nuk do jemi në gjendje ta parashikojmë se kur do ndodhë dhe do jetë tmerr për të gjithë. Në mënyrë të veçantë për ne.

*        *          *

(vijon)

Thursday 26 November 2020

Ditë të blojtura

 

Ditë të grimcuara virusësh mikroskopikë

Të pafajshëm si vdekja

Dhe armiq njëkohësisht;

Thërmuar jemi me njëri tjetrin

Në rrekjen për të mbijetuar,

Dridhemi,

                Fshihemi,

                                Maskohemi,

                                                Lëndohemi,

Cartemi dhe trembemi marrëzisht.

Nga më të errtat skuta,

Më keq se lakuriqët e natës,

Rishfaqen shëronjësit e rremë,

Shitësit e kurave shumëfish,

Spekuluesit e kohëve të luftrave,

Lebrozëve,

                Kolerave,

                                Tërmeteve,

Hijenat që nuk ndjejnë ngopje me inde kërthish.

Mbromë infermiere e bukur,

Jo nga virusi,

(Trupi do e luftojë vetë),

Nga tharrja e dashurive më mbro!

Nga shikimi skuth i atij që pret të ligem

Të më fusë në qerthullin e tij plaçkitës

Ku mbytem në pikën e vogël të Un-it

Dhe njomjen e syve të të tjerëve harroj!

Wednesday 25 November 2020

“Leskovik e tatëpjetë, si ka qënë do të jetë.”



Populli i Majtë, ai i Djathtë si dhe ai i Qendrës ka pasur gjithnjë shprehjet e tij të goditura. Se ç’donte të thoshte autori i shprehjes së mësipërme dhe pse zgjodhi pikërisht Leskovikun si qëndër, ja vlen ta ç’koklavitim në një shkrim tjetër. Këtu le të merremi me kuptimin që ka marrë në vite kjo shprehje e popullit të anëve tona. Përcaktimi më lakonik është “statu quo” dhe më pranë është një tjetër që përdoret më shumë në vendet anglishtfolëse -“Bussines as usual”.

Megjithëse një vit shumë i vështirë për ekonominë botërore, në prag të zgjedhjeve amerikane, Bursat fluturuan në qiell pa u trembur nëse do fitonte Trump apo Bajden. E kuptueshme ishte nëse fitimtari do ishte Trump, se politikat e tij të taksave dhe ekonomisë favorizonin korporatat dhe super të pasurit, që janë ata që përfitojnë më shumë nga tregu i stoqeve. Por entusiazmi i investitorëve është ende në rritje të vazhdueshme edhe tani pas fitores të “gjumashit Xho”.

Eshtë e qartë se Uoll Striti është më se i kënaqur nga politikat ekonomike , që do ndjekë administrata e re dhe sidomos edhe nga ekipi drejtues që po formohet. Sekretare e Thesarit do jetë Xhenet Yellen, që deri para dy vjetësh ishte në krye të Bankës Qëndrore Amerikane (Federal Reserve Bank). E njohur për “filozofinë“ e saj pro bankave dhe korporatave të mëdha, Yellen ishte këshilltarja e Klintonit për ekonominë, kur u zbutën ligjet për kontrollin mbi bankat, që solli krizën e madhe të vitit 2008. Sekretar i Shtetit do jetë ish-zv. Sekretari Blinken i kohës së Obamës dhe “car” i Ekologjisë, Xhon Kerri, ish Sekretar i Shtetit. Po kështu priten edhe shumë emërime të tjera nga emrat e njohur të administratës së Obamës. Krahu i majtë i Partisë Demokratike ose do përfaqësohet shumë pak në kabinetin e ri, ose ka për të pasur disa portofole pa shumë rëndësi.

Po a është mirë për Njerëzimin në përgjithësi dhe për Amerikën në veçanti ky “Bussines as usual”?

Duke e parë në prizmin e goditjes ndaj Trampizmit, sigurisht që duhet thënë se është mirë. Por nuk duhet harruar  se sipas sondazheve, afërsisht 60% e atyre që votuan për Bajden, deklaruan se votuan për të larguar Trump nga Shtëpia e Bardhë. Ndaj qoftë vetë Presidenti i zgjedhur dhe as politikat e tij nuk kanë një mbështetje të gjërë në publikun amerikan. Dhe nuk duhet harruar se gjallërimi ekonomik i filluar në kohën e Obamës ishte kryesisht në favor të super të pasurve. Me të njëjtën mënyrë qeverisjeje, që duket se do vazhdojë administrata e re, problemet e varfërisë do mbeten të njëjta dhe elektorati amerikan ka për tu polarizuar akoma më shumë. Duke shtuar këtu edhe propagandën e vazhdueshme të ekipit Trump se zgjedhjet janë vjedhur nga treshja komplotuese Parti Demokratike – Big Tech –Big Media, rreziku i forcimit të ekstremeve të djathta dhe të majta është shumë i madh.

“Kohët e arta”të Uoll Stritit jo gjithnjë përputhen me “kohë të mira” për amerikanët e thjeshtë. Bile më shpesh ndodh e kundërta. Këtë vit, rradhët e njerëzve që presin për të marrë ushqime falas në gjithë Amerikën kanë arritur përmasa të papara. Në të njëjtën periudhë investitorët e tregut të stoqeve kanë patur fitime rekord.  Edhe pse faji mund t’i hidhet epidemisë, nuk ka arsye që shteti me ekonominë më të fortë në botë, të japë miliarda për të shpëtuar korporatat nga një krizë e mundshme dhe të lerë miliona në rradhë për një thes me patate dhe një bidon me vaj falas.

Nëse administrate e re do vazhdojë të bëjë të njëjtat gabime në ekonomi si adminitratat e Klintonit dhe të Obamës, Trump ose të tjerë të ngjashëm me të do jenë gati të marrin pushtetin në vitin 2024. Dhe Trump 2 ose dikush tjetër më ekstremist se ai, kanë për ta shndruar Amerikën dhe Botën në diçka tejet të frikshme. Miliarderi amerikan Nik Hanauer disa vjet më parë ka shkruar “Ata me cfurqet po vijnë… (Nëse nuk  shpërndajmë më mirë fitimet).”

Mirë është mos arrihet në një kohë që “Detroit e tatëpjetë, si ka qënë nuk do jetë“.

 

Tuesday 24 November 2020

Ibrahim Ferrer dhe "Chan Chan"


Më ka pëlqyer gjithnjë Ibrahim Ferrer dhe veçanërisht këngët e tij“Guantanamera” dhe “Chan Chan”. Kanë një lloj qetësie të përjetshme dhe një ritëm që të kujton përplasje e lehtë të valëve në një ditë të qetë dhe plot diell. Ndjehesh sikur po e shijon jetën në të gjithë tërësinë e saj ngadalë, pa u ngutur dhemunduar dhe me një lloj kënaqësie që nuk shterret as kur perëndon dielli. Kur i dëgjon nuk ke as kureshtje të dish kujt i këndohet dhe ç’thuhet. E ndjen thellë që i takojnë jetës.

Sot hasa në një video të “Chan Chan” me titra anglisht dhe buzëqesha me thjeshtësinë e fjalëve, vërtetësinë e tyre disi primitive, gjë që e bën këngën edhe më të bukur, edhe më jetdhënëse dhe më tropikale.

 

Can Can

Po nisem nga Altro Cedro për Markane

Pastaj nga Kueto për në Majari.

 

Dashurinë që kam për ty

Hasha nuk e bëj dot.

Para më del e të ha me sy

Goja lëng më lëshon.

 

Kur Huanika me Can Canin

Losnin në plazh plot ëndje

Ajo pakëz tundte bythkat

Ai veç një gjë kish’ në mëndje!

 

Hapma shtegun mes kallamash

Dua aty pranë të ulem

Ja në trungun  atje tej,

Në se hap, dot nuk do mundem.

 

Po nisem nga Altro Cedro për Markane

Pastaj nga Kueto për në Majari.

 

 

 

 

"Saldatori" Stefan Lofven dhe Covid-19


Suedia ka qënë sivjet paradoksi i vitit. Të gjithë janë çuditur se si vendi më i madh skandinav, i njohur për politika racionale dhe shkencore, në të kundërt të të gjithë vendeve fqinj dhe vendeve të zhvilluara europiane, ndoqi ndaj epidemisë të Covid-19 politikën e “imunitetit të tufës”. Rezultati ishte ai që parashikonin rrethet mjekësore në botë- numuri i viktimave për frymë të popullsisë deri tani në Suedi është 11 herë më i lartë se në Norvegji, 9 herë më i lartë se në Finlandë dhe gati 5 herë më i lartë se në Danimarkë. Por mosmbyllja e ekonomisë suedeze nuk solli as ndonjë përfitim ekonomik. Në të kundërt, ndërsa në Suedi GDP-ja(Prodhimi i Përgjithshëm Bruto) ra 4.7%, rëniet në Norvegji, Finlandë dhe Danimarkë ishin përkatësisht -2.8%, -4% dhe -4.5%.

Kryeministër i Suedisë është social-demokrati Stefan Lofven. Në rininë e tij ka punuar një kohë të gjatë si saldator dhe më vonë si kre sindikalist deri sa ngjiti shkallët në krahun e majtë të politikës suedeze. Nuk ka asgjë të keqe të kesh qënë saldator apo kre sindikatash. Janë profesione, të cilat kërkojnë angazhim, guxim, ndjenjë solidariteti, zgjidhje në çast të problemeve e tç tjera si këto. Por a janë të mjafta për të drejtuar një vend si Suedia? Deri tani zgjedhësit suedezë i kanë quajtur të mjafta.

E majta europiane ka një histori të gjatë të udhëheqësve të padiplomuar në universitete.Dhe jo vetëm në vendet satellite të Bashkimit Sovjetik.  Spanjollët Santiago Carrillo dhe Dolores Ibarur të Partisë Komuniste Spanjolle, francezët Zhorzh Marshe i Partisë Komuniste dhe Pier Berzhevoj i Partisë Socialiste, gjermani Vili Brand i Partisë Social-Demokrate kanë patur arsimim të pamjaftueshëm dhe profesione shumë modeste para se të ecnin në karrierën politike. Por në shekullin e XXI, kur breza të tërë politikanësh kanë mundur të studiojnë në masë në universitete, rasti i suedezit Lofven është një përjashtim jo shumë frymëzues. Sidomos për Skandinavinë me një përqindje të lartë të popullsisë që ka mbaruar universitetet.

Përgjithësisht, liderët që nuk kanë bërë shkollime të mira, edhe pse të vullnetshëm dhe të zgjuar, priren drejt vendimeve arbitrare, mënyrave autoritare të drejtimit të partive dhe vendit, politikave dhe zgjidhjeve më të guximshme se sa duhen. Dhe më pas, kur zgjidhje të tilla krijojnë skandale, ata e kanë të lehtë ta shkarkojnë përgjegjësinë në specialistët, si në rastin e Lofvren, që u mundua në qershor ta linte gjithë barrën e përgjegjësisë në kryeepidemiologu Anders Tegnell. Vërtet dr. Tegnell ka një përgjegjësi të madhe për sugjerimin e përqasjes ndaj Covid pa “lockdown”, por në raste të tilla katastrofash natyrore, që sjellin vdekje në masë, përgjegjësia mbetet tek i Pari i Qeverisë. Sikundër veproi Boris Xhonson në Angli, Lofven mund të kishte ndryshuar politikën anti-Covid duke shpëtuar mijra suedezë nga vdekja.

Justifikimi i kryeministrit suedez mund të jetë “le të lemë epidemiologët të merren me epidemitë, sizmologët të merren me tërmetet dhe artistët me artin”, por kjo është si të thuash lehtësisht “lere saldatorin të merret me saldime!” Krizat e mëdha të një vendi kërkojnë angazhimin e shumë mendjeve, përfitimin nga përvojat e të tjerëve dhe mbi të gjitha shumë dashuri për njerzit që qeveris.

Më shumë se Trump, Bolsonaro i Brazilit e ndonjë tjetër, Stefan Lofven dështoi dhe dështimi i tij u pagua shumë shtrenjtë nga suedezët sidomos nga ata të moshës së tretë.

 

 

 

Sunday 22 November 2020

Rreziku i fashizmit është real (fund)

 


(viim)

Elementët e ideologjisë fashiste janë pjesë e mendjes sonë. Kush më shumë e kush më pak ka ndjenja raciste, të ksenofobisë, të homofobizmit, të dyshimit të thellë ndaj shtetit dhe përfaqësuesve të tij, të besimit të verbër ndaj një superlideri. Këto përbëjnë një tokë pjellore për lulëzimin e tolerimit ndaj shprehjes së hapur të ideve fashiste. Dhe gjithshka fillon me tolerimin. Më pas është më e vështirë ta ndalësh.

Mbështetja më e madhe ndaj ideve fashiste është në shtresat e varfra dhe në ato të paarsimuara mirë. Përjashtim në Amerikë dhe në botë përbëjnë të varfërit e minoriteteve të cilët ndjehen të rrezikuar nga fashizmi.

Ka një korelacion mbresëlënës mes përqindjes së atyre që kanë mbaruar universitetet dhe ekzistencës së grupeve të ekstremit të djathtë në shtetet e ndryshme të SHBA. Më të përhapur këta të fundit janë në shtetet e Virxhinias Perëndimore, Oklahomas, Kentakit, Arkansas, ku përqindja e të diplomuarve në universitete shkon nga 19-22%. Në të kundërt, në shtetet e Kalifornisë, Masaçusetsit, Virxhinias, Nju Jorkut, ku përqindjet variojnë nga 33% në 42% mbështetësit e ekstremit të djathtë janë shumë më të pakët. E njëjta dukuri ndodh në vendet e Europës Perëndimore dhe Lindore. Të paarsimuarit kanë prirjen drejt ekstremit të djathtë. Të varfërit tërhiqen nga ekstremi i majtë dhe ai i djathtë, që shpesh janë thuajse e njëjta gjë.

Por komunizmi ka më pak mundësi të përhapet sepse jo vetëm është provuar si i dështuar kur ka qënë në pushtet, por edhe presupozon goditjen ndaj pronës private dhe ndaj fesë, gjë që ka pak përkrahje në masat e gjera. Eshtë më lehtë të godasësh të huajt, emigrantët, elitat, homoseksualët, gratë dhe armiqtë kombëtarë shekullorë.

Fashistët shpesh maskohen prapa patriotizmit, duke rrahur gjoksin se janë gati të bëjnë sakrificat më të mëdha për Atdheun dhe popullin e tyre. Dhe me popullin fashistët e bardhë nënkuptojnë vetëm të bardhët, fashistët islamikë nënkuptojnë vetëm besimtarët myslymanë, fashistët indianë - besimtarët hindu, fashistët e vendeve të Afrikës Qëndrore nënkuptojnë vetëm tribunë e tyre e kështu me rradhë.

Dhe për një puntor ndërtimi nga Karolina e Veriut , që punon me orë të zgjatura për të mbajtur gruan dhe katër fëmijët dhe në mes të jetës e sheh se është robtuar pa arritur as të lajë kredinë e shtëpisë, është e lehtë të besojë se “sistemi është i kurdisur” kundër tij dhe për këtë e kanë fajin elitat intelektuale dhe emigrantët e padokumentuar meksikanë. Për një bujk bullgar, që nuk arrin të shesë prodhimet e parcelës së tij është e lehtë të besojë se fajin e ka Bashkimi Europian, pakicat rome dhe gjyqtarët e korruptuar. Një punëtor fabrike në Italinë e Veriut, që mbetet pa punë, e ka të lehtë të besojë se fajin ja kanë emigrantët shqiptarë, politikanët e majtë që lejojnë zbarkimin e afrikanëve dhe financierët gjermanë , që bëjnë ligjin në BE.

Ndaj të gjithë të dëshpëruar mund të ndjekin një udhëheqës populist të fortë, me shpresën se ai “do thajë moçalin e korrupsionit”, “do kthejë në vendet e tyre prej m.. emigrantët”, “do forcojë ligjet kundër përdorimit të drogave”, “do ndalë martesat mes homoseksualëve” dhe do “krijojë begati për të gjithë vendalinjtë“. Dhe le të arrihen këto edhe me kufizim të të drejtave dhe lirive, edhe me ca abuzime nga policia, por edhe sikur në fund të fundit, të jetë ai në pushtet deri sa ta marrë Perëndia. Eshtë në natyrën e njeriut të kërkojë, që shumicën e halleve dhe problemeve t’ja zgjidhë lideri-baba i Kombit. Kështu i lindim ne vetë Diktatorët.

Nënshtrimi i plotë i Partisë Republikane ndaj Trump gjatë viteve të fundit ishte një nga shenjat më të dëmshme kundër Demokracisë amerikane. Frika se mund të humbnin në zgjedhjet e tyre individuale për shkak të mesazheve në Twiter nga Presidenti, i ktheu thuajse të gjithë kongresmenët dhe senatorët republikanë në kukulla memece ndaj çdo marrëzie apo veprimi jodemokratik të “The Donald”. Një dukuri e tillë nuk ishte hasur gjatë 100 viteve të fundit në jetën politike amerikane. Senatori Xhon Mekkejn ishte zëri i fundit i llogjikshëm në mbrojtje të institucioneve demokratike. Për herë të parë ndodhi që Presidenti i Amerikës të bëjë thirrje “Clironi Miçiganin dhe Virxhinian!”, që solli komplotin për rrëmbimin e guvernatores demokrate të Miçiganit nga një bandë e armatosur ekstremistësh të djathtë. Për herë të parë zgjedhjet në Amerikë konsiderohen si thellësisht të manipuluara nga Presidenti dhe përkrahësit e tij. Sipas sondazheve , 70% e votuesve republikanë janë të bindur se Bajden po shpallet President me vota të vjedhura. Kjo mund të sjellë, që në gjithë botën të mbizotërojë ideja se “zgjedhjet kudo vidhen dhe si të tilla janë jo vetëm farsë, por edhe të panevojshme”.

Fashizmi nuk është e kundërta e Komunizmit. Eshtë shumë i përafërt me të.

Fashizmi është e kundërta e Demokracisë. Dhe me gjithë problemet që sjellin globalizmi, thellimi i hendekut mes të pasurve dhe të varfërve, korrupsioni dhe krimi i organizuar, në një ditë jo të largët Fashizmi e format e tij të maskuara do gjejë më shumë përkrahje dhe mund të vijë në pushtet në vendet e zhvilluara Perëndimore. Ai do jetë Fillimi i Fundit.

Demokracia mbi të gjitha është Pjesëmarrje. Ndaj mund të mbrohet vetëm e vetëm me pjesëmarrje të të gjithëve kundër prirjeve për të monopolizuar politikën dhe për ta deformuar atë në maksimum.

Saturday 21 November 2020

Rreziku i fashizmit është real (3)

 (vijim)


Ideologjia fashiste ka ekzistuar në Amerikë që në vitet ’30, por asnjëherë nuk ka gjetur mbështetje masive. Kjo ka të bëjë me natyrën e veçantë të shtet-kontinentit amerikan. Republika Amerikane, si Demokracia më e vjetër në botë, jo vetëm ka në themel të  Kushtetutës të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, por edhe i ka mbrojtur dhe zbatuar ato. Gjithashtu në Kushtetutë përfshihen të drejta të mëdha qeverisjeje të çdo shteti, gjë që e bën të vështirë përkrahjen e ideve totalitare të cilat kanë si kusht bazë centralizimin e pushtetit në dorën e një partie të vetme ose të një individi të vetëm. Liritë ekonomike të bizneseve janë një tjetër shkak i fortë për të parandaluar fashizmin.

Duhet përmendur se edhe Partia Komuniste Amerikane ka qënë shumë herë më e dobët se homologet e saj në Europë, gjë që pengonte mundësinë e kundërbalancimit me një ekstrem të djathtë.

Po a mund të ndihmonte qënia e Trump në pushtet gjallërimin e mëtejshëm të predispozitave fashiste në shoqërinë amerikane?

Në fillim duhet thënë që Trump është shumë shumë larg profilit të një diktatori fashist. Ai jo vetëm që vjen nga bota e biznesit, por nuk ka asnjë llloj ideologjie vetiake të përcaktuar mirë. Filozofia e tij është ajo e arritjes të një suksesi personal  të lidhur me famën, paratë, gratë dhe kënaqësitë e tjera materiale. Në shumë aspekte sociale, qëndrimet e tij vazhdimisht kanë qënë më pranë liberalëve se konservatorëve. Edhe në mënyrën se si drejtonte kompanitë e tij, Trump nuk mund të cilësohet si “diktator”. Bashkëpuntorët e tij në biznes kanë dëshmuar se rrallë herë i pushonte vetë zyrtarët e lartë nga puna, por preferonte ta bënin vartësit e tij. Shumë nga “të pushuarit”, që vinin i kërkonin t’i rikthente në punë, i punësonte sërish duke u hequr se nuk kishte gisht në largimin e tyre.

Po përse u fut Trump në politikë, kur nuk kishte bindje të forta dhe pse u  rrjeshtua në krahun e djathtë të politikës amerikane?

E para ka të bëjë me narcisisizmin e tij të pakufi dhe dëshirën për të qënë në qendër të vëmendjes të të gjithë botës. Që gjatë mandatit të dytë të Klintonit, Trump ishte shprehur publikisht se do garonte për president si Demokrat ose si i Pavarur. Duke mos gjetur hapësirë dhe mbështetje në krahun demokrat dhe duke ditur fatin e mëparshëm të kandidatëve të pavarur Ross Perrot dhe Ralf Nader, Trump zgjodhi  më vonë krahun republikan.

Arsyeja e dytë (më racionale) është përfitimi që mendonte të kishin kompanitë e tij dhe të rrethit të tij familjar nga pushteti dhe lidhjet që do krijonte duke qënë President (kleptokraci). Dhe këtu bëhet fjalë për fitime afatgjata që shtrihen në kohë edhe pas disa dhjetvjeçarësh.

Ishte vënë re , që në shtresat e popullsisë që përkrahin të Djathtën, më energjike ishte pjesa e “okupuar” nga “Tea Party”, një grupim ultra-konservator i Partisë Republikane. Në mitingjet e tyre hidheshin parrulla ksenofobike, të fondamentalizmit kristian, kundër globalizmit, kundër homoseksualëve,kundër establishment  etj.

Kjo ishte linja që zgjodhi Trump gjatë mandatit të dytë të Obamës dhe gjatë fushatës elektorale, që e bëri  të mposhtë jo vetëm kandidatët republikanë por dhe të fitonte zgjedhjet.

Nga kjo “recetë fituese” Trump nuk hoqi dorë as gjatë viteve të Presidencës së tij dhe gjatë fushatës së fundit elektorale. Dëmi që solli Trump në planin kombëtar dhe atë ndërkombëtar është se inkurajoi prirjet fashiste pa qënë vetë i tillë. Në një mandat të dytë të tij, kishte të ngjarë, që Trump të shpërblente besnikët e tij të ekstremit të djathtë me praktika dhe Urdhra ekzekutivë, me fitore në zgjedhjet për Kongres dhe Senat, me emërime në gjykatat  dhe në administratat federale.

Më vonë,të tjerë politikanë populistë, më të zgjuar se ai, më të rinj, me një ideologji të përcaktuar mirë do mundohen të shfrytëzojnë terrenin e krijuar nga Trump për të goditur jo vetëm demokracinë liberale, por edhe institucionet amerikane. Dyshimet e thella ndaj establishmentit, ndaj “deep state”, teoritë konspirative për aleanca semito-komuniste e të tjera të ngjashme, në kushtet e një krize të mundshme ekonomike mund të sjellin deri në çarjen e Partisë Republikane dhe formimin e një partie amerikane të ekstremit të djathtë, që do ketë pasoja të rënda për të gjithë botën.

A është kjo e pamundur të ndodhë në një të ardhme të afërt?

(vijon)

Friday 20 November 2020

Rreziku i fashizmit është real (2)


 (vijim)

Largimi i fashizmit nga pushteti në Europë nuk solli zhdukjen e plotë të tij. Si të gjithë ideologjitë e reja, fashizmi vazhdoi të ketë mbështetës të vjetër dhe fitojë prkrahës të rinj. Rasti më tipik është Franca, ku Fronti Nacional I Le Penit, nga një parti e vogël është kthyer në parti që mund të marrë pushtetin me votime të rregullta.

Po cilat janë ndryshimet dhe ngjashmëritë midis periudhës që po kalojmë dhe asaj të viteve ’20?

Në botën e sotme është shumëmë  i madh ndikimi i Amerikës; është krijuar Bashkimi Europian; Azia dhe Lindja e Mesme janë shumë më të rëndësishme dhe me një rol më të madh në gjeopolitikë; komunizmi në pushtet konsiderohet nga elitat intelektuale si një praktikë e dështuar.

Ngjashmëritë kanë të bëjnë me rritjen e racizmit dhe ksenofobisë; zmadhimin e diferencës ekonomike  midis të pasurve dhe të varfërve; rritjen e korrupsionit; lulëzimin e bursave si edhe të spekullimeve në to; daljen në skenë të politikanëve populistë.

Sidomos në vendet e Europës Lindore dhe Qëndrore, ngjarjet politiko shoqërore janë shumë të ngjashme me ato të shteteve europiane të viteve ’20. Korrupsion i madh ekonomik dhe moral; luftë e ashpër politike në parlamente; burgimi apo dhe vrasja e kundërshtarëve politikë; rritja e  krimit të organizuar; emigracion i vazhdueshëm drejt Perëndimit; gjendja e tensionuar mes popullsisë kryesore dhe minoriteteve; kulmim i ndjenjave nacionaliste dhe të shovinizmit.

“Demokracitë e manaxhuara” të Putin, Orban, Lukashenkos, janë forma të maskuara të fashizmit në pushtet dhe nuk janë larg nga aplikimi i ligjeve më të forta, që kufizojnë liritë dhe paraprijnë Diktaturat. “Zilia” e fshehur për një qeverisje të ngjashme është thuajse tek të gjithë politikanët e majtë dhe të djathtë të vendeve në fjalë duke nisur me Poloninë, Rumaninë dhe Bullgarinë(antare të BE-së) e duke përfunduar tek vendet më të vogla si Shqipëria, Sërbia, Maqedonia e Veriut, Bosnja e në të të tjerat. Për më keq apo për më mirë, politikanët e sipërpërmendur dhe ata që duan t’i imitojnë, ndryshojnë nga diktatorët fashistë, sepse ju mungon idealizmi dhe janë shumë të korruptuar.

Partitë e ekstremit të djathtë në Europën Perëndimore janë rritur në numur gjatë këtij shekulli. Disa syresh si “Agimi i Artë“ në Greqi, “Alternativa për Gjermaninë“, “Partia e Lirisë“ në Austri, “Lëvizja për një Hungari më të mirë“, “Forumi për Demokraci” në Hollandë, “Sulmi” në Bullgari, janë parti të zyrtarizuara në vendet e tyre dhe me mbështetje në shtresat e popullsisë. “Lega Nord” në Itali dhe “Fronti Nacional” në Francë, edhe pse disi më të moderuara, kanë në bazën ideologjike pjesë jo të vogla të ideologjisë fashiste. Të dy këto të fundit janë parti të mëdha në vendet e tyre dhe qeverisin në nivele lokale dhe qëndrore.

Por dy partitë, vendet dhe udhëheqësit europianë, që paraqesin më shumë rrezikshmëri për kthimin e plotë të fashizmit janë “Rusia e Bashkuar” e Putin dhe “Aleanca për Drejtësi dhe Zhvillim” e Erdoganit. Të dy liderët kanë centralizuar plotësisht pushtetin duke ndryshuar disa herë Kushtetutat e vendeve të tyre, duke përndjekur kundërshtarët politikë dhe duke kufizuar lirinë e mediave. Putin dhe Erdogan njihen si kundërshtarë të betuar të Europës së Bashkuar dhe përkrahës të partive ekstremiste europiane. Për më tepër të dy vendet po angazhohen gjithnjë e më shumë ushtarakisht në konfliktet e Lindjes së Mesme dhe të vendeve të tjera aziatike. Putin pasi shtypi me egërsi përpjekjet për pavarësi të çeçenëve, pushtoi Krimenë. Me mënyra gjakatare Erdogani ka shtypur kurdët dhe tani është angazhuar në konfiktin mes Armenisë dhe Azerbaxhianit.

E megjithatë vetëm forcimi i ekstremit të djathtë në SHBA mund të sjellë rrezikshmëri të vërtetë në botën , që jetojmë.

(vijon)



Wednesday 18 November 2020

Rreziku i fashizmit është real


Edhe pse me karakteristika të veçanta, periudha që po kalojmë, ka një ngjashmëri  historike  me fillimin e viteve ’20 të shekullit të kaluar, kur lindi fashizmi si ideologji dhe u instalua më vonë në pushtet në disa vende europiane.

Shumica e shteteveve europiane në fund të Luftës së Parë Botërore ishin republika ose monarki parlamentare. Jeta politike ishte shumë e trazuar, me përpjekje pas përpjekjesh për grushte shteti, me vrasje kundërshtarësh politikë, me një lloj nevrastenie në debatet në parlament. Jeta shoqërore ishte tejet liberale dhe në shumë qytete të mëdha deri në shthurrje të moralit ekzistues. Inflacioni ishte i lartë dhe po ashtu edhe papunësia, por bursat lulëzonin. Ideologjitë socialiste dhe komuniste gjithashtu ishin në lulëzim të plotë. Mbi pabarëzitë sociale dhe shoqërore ishin ngritur dy rryma kundërshtare për kontrollin e pushtetit :ajo nacional – socialiste dhe ajo komuniste. Të dyja kundërshtare të betuara të demokracisë liberale.

Nacionalizmi dhe mbrojtja me çdo më nyrë e interesave të vendit(deri me përlasje të armatosur)ishin në themel të fashizmit, së bashku me krijimin e një gërshetimi  të klasave brenda shoqërisë, nën drejtimin e një partie të vetme, si parti-shtet dhe një lideri të fortë të quajtur hapur ose jo diktator. Por edhe karakteristikat e fashizmit ishin të ndryshme në varësi të karakteristikave të popullsisë dhe të udhëheqsve të tyre. Nëse fashizmi i Musolinit zëvendësonte “luftën e klasave” me “revolucionin nacionalist”, nazizmi i Hitlerit kishte në bazë “socialdarvinizmin dhe epërsinë e racës ariane”. Fashizmi i Frankos ishte i një lloj “nacional katoliçizmi” i drejtuar kundër komunistëve dhe masonëve; ai i Salazarit ishte jo vetëm kundër partive liberale por edhe kundër nacional socialistëve, kurse austrofashizmi i Dollfuss-it ishte I natyrës të “shtetit korporatë“ që përjashtonte gjithë partitë, jo vetëm ato ekstremiste, por edhe ato të moderuara. Tek Musolini dhe Hitleri, elementët e populizmit ishin në pakufi, kurse tek të tjerët dhe sidomos në Salazari ishin fare të pakta.

Edhe mënyra e ardhjes në pushtet ndryshonte nga njëri diktator në tjetri, Musolini pati bërë një grusht shteti të butë(pa viktima), Hitleri dhe Dollfuss kishin ardhur në krye pas zgjedhjeve të lira, ndërsa Salazari zëvendësoi diktatorët ushtarakë paraardhës. Vetëm Frankoja kishte marrë pushtetin pas një lufte të gjatë civile, që solli shumë viktima. Fundi i diktaturave fashiste ishte gjithashtu i ndryshëm. Në Gjermani , Itali dhe Austri erdhi pas pushtimit nga Aleatët.  Në Spanjë, me vdekjen e Frankos u kalua në një monarki parlamentare, e projektuar nga vetë Frankoja. Në Portugali, katër vjet pas vdekjes së Salazarit, diktatura fashiste u rrëzua me grusht shteti nga një grup ushtarakësh të majtë dhe kalimi në republikë zgjati për disa vjet dhe jo pa trazira.

Me përjashtim të Spanjës, gjithë diktaturat fashiste sollën gjallërim të ekonomisë në vendet e tyre. Kjo e bëri më të suksesshme propagandën e regjimeve. U duk se e ardhmja e mënyrës të organizimit të shteteve i përkiste diktaturave. E megjithatë në Angli, fashizmi britanik i Mosley-t nuk arriti të gjente mbështetje të gjerë në popullsi. Po ashtu në Francë, edhe pse të shumtë në numur, grupet e ekstremit të djathtë nuk arritën asnjëherë të formonin një lëvizje masive, që mund të synonte marrjen e pushtetit.

(vijon)


Tuesday 17 November 2020

“Apokalipsi” i Trampistëve


Në ekran duket një burrë mbi të tridhjetat, që ka veshur një bluzë ku shkruhet “Jezui është Shpëtimtari im- Trump është Presidenti im”. Proteston me zjarr kundër rezultatit të zgjedhjeve të shpallura nga mediat. Sipas tij zgjedhje të vjedhura nga Demokratët në bashkëpunim me Mediat e mëdha dhe Korporatat e mëdha Teknologjike (Big Tech). Janë përsëritja e e fjalëve të Presidentit Trump. As më pak dhe as më shumë. Në sytë e mbështetësit të Trump-it ka urrejtje, dëshpërim, thua se ka erdhur fundi i botës. Dhe nuk është i vetëm.

Ka një lidhje të fortë mes besimtarëve evangjelistë dhe Donald Trump.  Eshtë pak e çuditshme se Presidenti jo vetëm nuk është ndonjë fetar i thekur, por ka shumë mundësi të besojë vetëm në Pushteti i Parasë dhe jo në Krijuesi. Në kishë shkon vetëm një herë në vit dhe kur e kanë pyetur se cilin paragraf të Biblës ka më të preferuarin, është përgjigjur “Të gjithë Biblën”. Sigurisht, si demagog që është, në mitingjet elektorale përmend herë herë Zotin (shumë herë më pak se sa përmend mbiemrin Trump), si dhe pas një proteste të kundërshtarëve të tij në Uashington gjatë verës, doli në foto me Biblën në dorë para një kishe në afërsi të Shtëpisë së Bardhë.

Po si është e mundur që një politikan si Trump, jo fetar dhe me një jetë të mbushur me skandale tradhëtish bashkëshortore, mashtrimesh financiare, gënjeshtrash nga më të ndryshmet të tërheqë kaq shumë besimtarë pas vetes?

Arsyet janë disa, por më kryesorja është se shumë evangjelist kanë bindjen se Obama është Antikrishti. Dhe sipas interpretimit të tyre të Biblës, ardhja në fuqi e tij shënonte fillimin e Apokalipsit. Sulmet e vazhdueshme të “The Donald” kundër Obamës, rreth vendit ku kishte lindur, apo aludimet se ishte myslyman, krijuan bindjen se Trump do i shpëtonte nga “Antikrishti”. Në një sondazh gjatë fushatës elektorale të vitit 2016, 65% e pasuesve të Trump besonin se Obama ishte myslyman. (Obama është i krishterë protestant.)

Gjatë periudhës presidenciale Trump emëroi tre gjykatës konservatorë në Gjykatën e Lartë, si dhe shumë të tjerë në gjykatat federale të niveleve më të ulta, gjë që ngjalli shpresat e evangjelistëve për të hedhur poshtë ligjet, që lejonin abortin dhe martesat e njerëzve të të njëjtit seks. Për shumë e shumë fondamentalistë kristianë, këto janë çështje më të rëndësishme se ekonomia, të drejtat e njeriut, ekologjia apo drejtësia sociale.

Ndaj edhe humbja e Trump ju duket si prag Apokalipsi dhe si e tillë e drejtuar kundër Zotit dhe e pamundur që të ndodhë pa mashtrime dhe vjedhje të përmasave stërmëdha. E ushqyer nga vetë Trump dhe nga bashkëpuntorët e tij, teoria e “vjedhjes së votave” do vazhdojë të jetë ekzistenciale për shumë fanatikë fetarë. Kjo është arsyeja, që ahpërsimi I luftës politike në Amerikë do vazhdojë edhe për 4 vitet e tjera dhe ndoshta edhe më gjatë. Goditja që i dha “The Donald” besimit të amerikanëve në zgjedhjet e lira dhe të ndershme do ndjehet për shumë kohë. Fanatizmi fetar është një forcë shumë e madhe në shoqërinë amerikane, po ta krahasojmë me shoqëritë e përparuara europiane.

A do ketë një Antikrisht tjetër dhe një Shpëtimtar tjetër në zgjedhjet e ardhme?

Të shohim se cila do jetë gjuha që do përdorë Trump kundër Kamala Harris. Një gjë është e sigurt, që burri me bluzë ku shkruhet “Krishti është Shpëtimtari im – Trump është Presidenti im” do e ndjekë symbyllazi.

 

 

Sunday 15 November 2020

Demokracia më e madhe në duart e “gërxhove”

Demokracia amerikane është padyshim më e përparuara në botë. Jo vetëm kaq, por SHBA është fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake, para të cilës Kina dhe Europa e Bashkuar janë ende rivalë tepër modestë.

Po në duart e kujt është sot dhe do vazhdojë të jetë edhe për 4 vjet të tjera, shteti amerikan?

Presidenti i posazgjedhur Xho Bajden është 78 vjeçar. Presidenti në ikje e sipër, Donald Trump 76 vjeç. Nuk ka dyshim që do vazhdojë të mbetet figura më autoritare dhe më ndikuese e Partisë Republikane. Drejtuesja e Kongresit është (dhe kërkon të mbete e tillë), 80 vjeçarja demokrate Nensi Pelosi. Kryetari i Senatit,(numuri 3 i shtetit amerikan) është 78 vjeçari republikan Miç Mekonëll, i sapo rizgjedhur si senator edhe për 6 vite të tjera. Po qe se në kabinetin e ri, sikundër flitet, do jenë edhe Berni Sendërs(81 vjeç), Hillëri Klinton (73 vjeçare) dhe Majkëll Blumberg (78 vjeç), atëhere ekipi drejtues i shtetit më të fuqishëm në botë do jetë një “bandë“ pleqsh me mesataren e moshës 78, rastësisht e barabartë me jetëgjatësinë mesatare të amerikanëve.

Pa dashur të kërkojmë thellë në arsyet, se pse ndodh një dukuri e tillë, duhet të pranojmë faktin që kemi të bëjmë me një udhëheqje të sklerotizuar. Deri diku e ngjashme me Politbyronë e kohës së Brezhnjevit. Dhe duhet përmendur se asnjë nga postet e mësipërme nuk është honorifik, si ndodh disa herë në demokracitë e zhvilluara, kur Presidenti apo drejtuesi I Parlamentit nuk kanë ndonjë gjë të madhe në dorë, ndaj mund të jenë edhe 80 vjeçarë me një histori të shkëlqyer në jetën publike.

Bajden, Pelosi dhe Mekonëll do kenë të gjitha kyçet e shtetit amerikan dhe Trump do vendosë se ç’drejtim do marrë Partia Republikane. Të moshuarit e tjerë do drejtojnë dikastere të rëndësishme nëse emërohen.

Problemi i politikanëve në moshë të shtyrë, jo vetëm ul vitalitetin e jetës politike të vendit më të fuqishëm në botë, por  do e mbajë klimën e acaruar midis palëve në të njëjtin nivel edhe për 4 vite të tjera. Trump për më shumë se një vit nuk shkëmbeu asnjë telefonatë me Pelosin; kjo e fundit nuk ka marëdhënie të mira me Mekonëll; njihet mllefi dhe mëria e Hillërit me Trump e të tjera marëdhënie jonormale mes të sipërpërmendurve, që janë të vështira të kapërxehen, sidom nga individë në moshë, që duan apo nuk duan, kanë shenjat e para të degradimit mendor.

A mund të priten idetë e reja drejt së ardhmes së shoqërisë amerikane dhe asaj botërore nga njerëz që janë në perëndim të jetës  dhe karrierës së tyre?

Historia botërore ka treguar se rastet e tilla janë shumë shumë të rralla. Udhëheqësit e moshuar ose kanë sjellë stanjacion ose kanë përshpejtuar të tatëpjetën e shoqërive që kanë drejtuar. Përjashtim bëjnë figurat biblike si Noe dhe Moisiu, por sipas Biblës, i pari jetoi 900 vjet dhe i dyti 120, gjë që ka pak të ngjarë të ndodhë në kohën tonë dhe me liderët tanë të dashur.

Ndaj sa më parë duhet nisur lëvizja për të nxjerrë në pension ata që kanë nevojë për prehje edhe pse me ambicie të mëdha për pushtet dhe lavdi.

 

Saturday 14 November 2020

Viti i teorive konspirative dhe “gurët e Napuçes”



Teoritë konspirative nuk kanë dalë për herë të parë këtë vit. Janë të hershme sa edhe shoqëria njerëzore. Vitet e fundit janë rritur së tepërmi për shkak të rrjeteve sociale, të cilat nuk kërkojnë as verifikim të fakteve dhe as disa burime të tyre, sikundër kanë kërkuar vazhdimisht mjetet serioze të informacionit.

Këtë vit, për shkak të problemeve të një shkalle të jashtëzakonshme , që solli pandemia e Covid-19, u rritën në mënyrë eksponenciale. Nuk ishin më thjesht teori konspirative kundër vaksinimit (për sa kohë që prodhohen vaksina, ka teori që ato bëhen nga grupe të caktuara për sterilizim të popullsisë, shpëlarje të trurit, shfarosje në masë etj.). Teoritë nisnin me instalim të mikroçipeve dhe vazhdonin me mohim të virusit, me krijimin artificial të tij e deri në më absurdet - që këto janë shenjat se po i vjen fundi botës.

Fakti që fantazia njerëzore është e pafundme (ashtu si Gjithësia) dhe mund të krijojë lloj lloj skenaresh dhe të sjellë fakte e pseudofakte në favor të tyre, më solli ndërmend një ngjarje të qytetit tim të 50 viteve më parë. Në prag të verës(nëse nuk gaboj muajin e saktë), në një mbrëmje të qetë, një numur gurësh ranë njëri pas tjetrit në çatinë e një mjeku të njohur të qytetit, Dr. Napuçes. E njëjta gjë u përsërit një natë më vonë, që duket solli ankimin në polici nga familja e mjekut. Ishin kohë të qeta, sepse nën Diktaturë nuk kishte shpesh gjëra të pazakonta. Shteti me veglat e tij represive kishte thuajse çdo gjë në kontroll. E megjithë angazhimin e policisë dhe Degës së Punëve të Brendëshme gurët në çatinë e doktorit vazhduan të binin edhe natën e tretë dhe të katërt. Tashmë “gurët e Napuçes” ishin kthyer në biseda e vetme në të gjithë Korçën. Një pjesë e mirë e qytetit shkonte në mbrëmje në mëhallën e ku ndodhej shtëpia dhe priste nëse do fillonte përsëri gurërnia. Dhe  thuajse për një orë ose dy, herë pas here dëgjoheshin gurët që binin mbi tjegullat e shtëpisë.

Mres njerëzve qarkullonin thashetheme nga më të ndryshmet. “Gurët janë të një dimensioni ekzakt dhe shumë të lëmuar”; “disa nga gurët kanë përshkuar çuditërisht çatinë“; “në një gur ishte shkruar – jam ëngjëlli Gabriel, vij për të marrë Benjaminin”; “gurët janë të bardhë dhe i kanë shpënë në Tiranë për t’i analizuar”. Edhe shumë e shumë ekzagjerime të tjera kishte rreth gurëve, intervaleve të sakta të rënies, zhdukjes misterioze të tyre etj. Pyetjet e natryrshme ishin se “Kush i hedh, nga i hedhin dhe pse i hedhin pikërisht mbi ëatinë e doktorit dhe jo në vend tjetër?”. Dikush betohej se kishte parë natën një grup njerëzish me mjekër, që tërhiqnin brenda kanaleve të TEC-it një lloj arme që shërbente për gurëhedhje me saktësi.( Atë vit bëheshin instalimet e rrjetit të ngrohjes së qytetit me avull nga TEC-i). Të tjerë ishin të sigurt se hidheshin nga matanë kufirit nga armiqtë monarko-fashistë. Kishte shumë që jepnin spjegime qiellore ose të tjerë që përmendnin fenomene paranormale. Dhe e gjithë kjo valë hamendjesh dhe fantazish njerëzore, tërbonte Sigurimin e Shtetit, që merrte vesh se ç’flitej në shtratet e njerëzve por me gjithë praninë rreth shtëpisë të diktorit nuk zbulonte dot se nga vinin gurët.

Më në fund, për çlirimin e anktheve të të gjithë qytetit, u zbulua se gurët prej kalldrëmi i hidhte një elektriçist komshi me doktorin, që duket se kishte ndonjë inat me fqinjin e tij dhe pasi ngjarja kishte bërë bujë, ishte ekzaltuar dhe e kishte vazhduar edhe për dhjetë ose më shumë ditë të tjera. I shkreti e pagoi me burg të rëndë një veprim gati fëminor.

Por nëse për të hedhur poshtë teoritë komplotiste të “gurëve të thjeshtë“, mbi një “çati të thjeshtë“ të një “qyteti të thjeshtë“ mjaftonte kapja e autorit dhe rrëfimi i tij, të hedhësh poshtë se pas vaksinës apo humbjes së Trump=it në zgjedhje janë Sorros, Bill Gates, Rotshildët, kabala pedofile apo Vëllazëria e Gjarpërit është e pamundur. Sa më të pabesueshme të duken ato teori, aq më e vështirë është për t’i kundërshtuar. Në to nuk ka asnjë fakt shkencor, sepse janë të ndërtuara mbi argumenta antishkencë.

Në bazë të tyre është ideja se në këtë botë “gjithshka është e kurdisur”. Cdo argument , që kundërshton këtë ide është ose naiv , ose që mbrohet nga njerëz me interesa të caktuara ose të lidhur me Masonët, Iluminatit, Amerikën, Zionistët, Marksistët dhe padyshim edhe Alienët.

Ndaj nuk duhet harxhuar fryma për t’i kundërshtuar.

Thjesht duhen injoruar.

Friday 13 November 2020

“Shkatërruesi” i institucioneve demokratike amerikane


 

Ka disa arsye, që Trump nuk ka respektuar institucionet demokratike amerikane dhe tani së fundi po i dëmton akoma më tepër.

Ka të bëjë me karakterin dhe formimin e tij si njeri , si edhe me karrierën e tij prej biznesmeni.

Nuk ka dyshim as mes përkrahësve të tij, që Trump është një narcisist egocentrik i niveleve më të larta. Edhe pa e cilësuar si sociopath, karakteristikat thelbësore të natyrave të tilla janë mungesa e dhembshurisë për të tjerët, mosrespektimi i rregullave shoqërore kur bien ndesh me interesat vetiake dhe mosdallimi i realiteti në mënyrn si perceptohet nga shumica e njerëzve. Këtyre cilësive ju shtohet edhe fakti i mungesës së kulturës së përgjithshme dhe njohjes së historisë të Njerëzimit në përgjithësi si dhe të historisë amerikane. Trump-it nuk i mungon zgjuarsia, sisomos ajo intuitive, por ka lexuar shumë pak gjatë jetës së tij. Se si të sillet në jetë e ka mësuar në familje dhe gjatë veprimtarisë së tij si biznesmen. Dhe si dëshmohet në librin e të mbesës, i jati ishte një biznesmen i paskrupullt, që mund të bënte çdo gjë për të arritur suksesin dhe këtë mbrujti edhe në fëmijët e tij, sidomos në Trumpi.

Edhe natyra e biznesit të tyre, (ndërtim dhe pasuri të palujtshme), sidomos në Nju Jork, ka si përbërës shpesh marëdhënie jo shumë të pastra, luftë të pamëshirshme me konkurentët dhe marëdhënie me krimin e organizuar, sidomos me mafian italo-amerikane. Trump dallohej për shfrytëzimin e avantazheve mbi  të tjerët, si për manovrimet për pagimin e taksave, presionet e hapura ndaj atyre që i bëheshin pengesë dhe gjyqet e panumurta. Kompania e tij ka pasur trefishin e konflikteve gjyqësore, krahasuar me mesataren e kompanive të tjera të të njëjtit profil. Kanë qënë të shumta rastet që Trump nuk paguante avokatët, arkitektët dhe shumë kontraktues të tjerë.

Këtë mentalitet dhe mënyrë të drejtuari solli edhe në Shtëpinë e Bardhë. “The Donald” është munduar të arrijë çdo gjë që i duket e mirë, ose më mirë të themi në dobi të tij, pa pasur asnjë skrupul moral dhe pa përfillur rregullat dhe institucionet. Vazhdimisht ka shprehur hapur simpatinë për udhëheqësit autoritarë duke filluar me Putin, Orban, Erdogan dhe deri në princi saudit Salman. Më se absurde ishin elozhet e tij ndaj diktatorit Korean Kim Xhong Un, të cilin e cilësonte si njeri “që e deshte shumë atdheun”. Në të kundërt, demokracitë europiane nisi t’i konsideronte si kundërshtarë duke thënë shpesh që “aleatët ta futin”.

Trump e shëndroi Partinë Republikane në Trump Parti. Sidomos pas vdekjes të Xhon Mekkejn, mes politikanëve republikanë nuk kishte më zëra kundërshtarë ndaj politikave të Trump dhe sidomos sjelljes së tij ndaj ligjeve dhe institucioneve. Edhe pse republikanët humbën Kongresin në zgjedhjet e ndërmjetme të vitit 2018, askush mes tyre nuk u përpoq hapur të kundërshtonte bullizmin e Trump-it. Të gjithë trembeshin se kundërvënia ndaj tij do sillte largimin e tyre nga Senati apo Kongresi në zgjedhjet e ardhme. Anëtarët e kabinetit , që kundërshtonin, filluar me Sekretarin e Shtetit Tajlerson, Sekretari i Mbrojtjes Mathjus, Shefi i Stafit Kelli, Prokurori i Përgjithshëm Seshëns dhe shumë të tjerë u pushuan ose u detyruan të jepnin dorëheqje. Trump kërkonte besnikëri të verbër nga vartësit e tij.

“The Donald” qëllimisht ka hedhur hije dyshimi mbi institucionin bazë të Demokracisë amerikane, që është ai i Zgjedhjeve të Lira. Që në fushatën e vitit 2016, i trembur se mund të humbiste përballë Hillërit, ai vazhdimisht predikonte se në rast humbjeje, spjegimi i vetëm ishte që zgjedhjet kishin qënë të manipuluara. Asnjë kandidat për President deri atëhere nuk kishte bërë deklarata të tilla. Duke njohur natyrën e Trump, shumë analistë, politikanë dhe gazetarë u tallën me deklaratat e tij. Por hijet e dyshimit u ngulën në mendjet e shumë amerikanëve, sidomos të atyre që nuk kanë besim në shteti dhe në institucionet e tij. Dhe janë një masë jo e vogël. Të njëjtat deklarata bëri gjatë kësaj fushate, duke përgatitur terrenin, që në rast humbjeje të mos i njihte zgjedhjet.

Zgjedhjet e Lira dhe të Ndershme janë në bazë të Demokracisë Amerikane. Nga të gjithë studiuesit e pavarur, është konkluduar se çrregullimet ose mashtrimet në votime gjatë gjithë historisë së Republikës Amerikane kanë qënë të papërfillshme. Kjo ka bërë që dhe kalimi i pushtetit nga një President në tjetri, nga një Parti në një tjetër të jetë normal, i butë dhe dinjitoz. Për herë të parë po ndodh kjo që po ndodh këto ditë.

Dëmi është serioz për të gjithë botën që aspiron për Demokraci. Njollosja e Demokracisë amerikane ju shërben vetëm diktatorëve, “dorëhekurve” dhe politikanëve populistë. Në Europën Lindore, në Lindjen e Mesme, në Amerikën Latine, thashethemet se “ zgjedhjet vidhen kudo” kanë marrë përmasa të llahtarshme.

Ndaj Trump dhe Trampizmi duhen luftuar vazhdimisht dhe pa ju bërë asnjë lloj lëshimi.

Tuesday 10 November 2020

Makthi i MAGA-s (2)


 (vijim)

MAGA trembi jo vetëm zezakët dhe emigrantët nga vendet e Amerikës Latine, por edhe minoritete të tjera si ai i LGTBQ-së. Të gjithë këto grupe të popullsisë e shihnin që në një periudhë të Trump-it, të drejtat e tyre nuk kishin për tu zgjeruar.

Por MAGA nuk tërhoqi pas vetëm racistët dhe ksenofobët , por edhe shumë bashkësi fetare evangjeliste, të cilat shinin tek Trump dhe Pence, njerëzit që jo vetëm do mbronin liritë fetare, por edhe do emëronin në Gjykatën e Lartë gjykatës konservatorë që mund të rikthenin ndalimin e abortit dhe të martesave të homoseksualëve.

Besuan apo jo në MAGA, për Tump votuan edhe shumë amerikanë me dinjitet, të mençur dhe të drejtë, që ishin të zhgënjyer nga Establishment dhe shpresonin që Tump “do thante moçalin burokratik dhe të korruptuar” të Uashingtonit. Si ta edhe plot të tjerë, që besonin në “gjenialitetin ekonomik” të biznesmenit Trump. Por ajo ç’ka ndodhi në 4 vitet e MAGA-s rriti gradualisht frikën e një pjese të madhe të amerikanëve dhe opinionit botëror.

Brenda SHBA-së u gjallëruan ekstremet e djathta dhe bandit e tyre të armatosura. Tek Trump ata shihnin njeriun e tyre, që nuk do i dënonte publikisht dhe nuk do i përndiqte ligjërisht. Trump vërtet ndoqi këtë rrugë, jo se i përket ideologjisë të ekstremit të djathtë, por se nuk donte të humbiste asnjë grup shoqëror të bazës së tij mbështetëse. Me një lloj miopie politike, Trump përsëriste në publik, që “ata (grupet e djathta) thonë fjalë të mira për mua”.

Një tjetër sjellje negative dhe me pasoja për demokracinë amerikane ishte mbështetja që u bënte teorive komplotiste të “shtetit të fshetë“ (deep state). Cdo përpjekje të segmenteve të shtetit ligjor për të korrektuar veprimet e tij politike, Trump e cilësonte si kundërvënie ndaj tij. Ndaj në mënyrë të vazhdueshme sulmonte dhe largonte nga detyra  shumë funksionarë të lartë të emëruar nga vetë ai, shumica e të cilëve ishin republikanë. Këtë fat pësuan Sekretari i Shtetit, Ministri i Mbrojtjes, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtori i FBI-së, Drejtori i Sigurisë Kombëtare, Drejtori i CIA-s dhe disa Shefa të Stafit të tij. Trump kërkonte hapur besnikëri të vartësve ndaj tij dhe jo ndaj Kushtetutës, sikundër është në traditën e institucioneve amerikane. Ndonëse nuk e shprehte hapur, dukej që pëlqente një mënyrë të drejtimit të shtetit ala-Putin. Asnjë president amerikan, nga ata më liberalë dhe deri tek më konservatorët nuk kishin vepruar kurrë në një mënyrë të tillë.

Në planin ndërkombëtar Trump vazhdimisht sulmoi më shumë Europën e Bashkuar se sa Rusinë e Putin apo Turqinë e Erdoganit. Ishte një lloj deklarimi, që “Amerika e Madhërishme” është ajo që mbron në mënyrë të paskrupullt dhe me agresivitet interesat e saj ekonomike, sepse është më e fuqishme ekonomikisht dhe ushtarakisht se çdo shtet tjetër.

Ndaj MAGA u kthye në një makth për pjesën më të madhe të shoqërisë amerikane dhe për demokracitë e zhvilluara liberale në botë. Edhe 4 vite të tjera të Trump, do dëmtonin akoma më shumë Demokracinë më të përparuar në botë. Ndaj edhe largimi i tij nga pushteti u ndje si lehtësim i madh në gjithë botën e përparuar. Deri më sot vetëm Putin, Erdogan dhe komunisti Xi nuk kanë përshëndetur presidentin e zgjedhur Bajden.

Janë ata që duan Rusinë e Madhërishme, Turqinë e Madhërishme dhe Kinën Triumfatore.

Sunday 8 November 2020

Makthi i MAGA-s


MAGA (Make America Great Again) mund të shqipërohet “Ta bëjmë Amerikën sërish të madhërishme”. Njihet si parrulla fituese e përdorur nga Trump në fushatën e vitit 2016. Trump  nuk e zëvendësoi me ndonjë parrullë tjetër këtë vit, ndonëse u rrek disa kohë të përdorte KAGA (“Ta mbajmë Amerikën sërish të madhërishme”) Ndoshta situata e krijuar nga Covid-19, e cila e renditi Amerikën pas shumë vendeve të tjera të zhvilluara, ndikoi në ripërdorimin e parrullës së vitit 2016.

Duhet thënë se MAGA nuk është shpikje e Trump-it dhe as e stafit të tij zgjedhor. Eshtë përdorur nga presidenti Regan gjatë fushatës kundër Karterit në vitin 1980. Nuk dihet nëse Trump dhe Regan kanë patur parasysh të njëjtën gjë, se situatat kanë qënë të ndryshme. Para dhe gjatë vitit 1980, SHBA po kalonin një krizë ekonomike, ishin në kulmin e Luftës së Ftohtë, por  njëkohësisht kishin dështuar në lirimin e shpejtë të pengjeve amerikanë në ambasadën e tyre në Iran. Ndaj ndoshta edhe një parrullë e tillë nuk dukej tërësisht e ekzagjeruar apo deri edhe në absurde.

Në vitin 2016, ekonomia amerikane ishte në gjendje shumë të mirë; imazhi i Amerikës në botë ishte përmirësuar si pasoj[ i tërheqjes nga Iraku dhe premtimit për tërheqje nga Afganistani; marëdhëniet me aleatët e NATO-s ishin në nivel të shkëlqyer dhe përpjekjet për mbrojtjen e planetit nga katastrofa ekologjike ishin në shkallë shumë të lartë. Kishte edhe problem të mëdha si moszgjidhja e konfliktit sirian apo përparimi i ISIS, si edhe forcimi ekonomik I Kinës, por këto nuk dukeshin të kishin peshë të tillë sa mund të trumbetohej se Amerika është më e dobët se kurrë.

Po ç’nënkuptonte Trump dhe njerëzit e tij me MAGA-n dhe si kuptohej kjo nga pjesa më e prapambetur e shoqërisë amerikane?

Trump kishte mbi 20 vjet, që synonte të hynte në garën e zgjedhjeve presidenciale edhe si kandidat i Partisë Demokratike, edhe si i Pavarur, por gjithnjë ishte tërhequr pasi kishte kuptuar që nuk kishte mbështetje në elektorat. Ai e rriti popullaritetin e tij pas fushatës të gjatë, për të provuar se Obama nuk kishte lindur në ishujt Havai, por në Kenia dhe si i tillë nuk kishte të drejtë ligjore të zgjidhej President i SHBA. Për më tepër, i jati ishte musliman.Vazhdimisht kur përmendte Obamën, Trump nuk linte pa përdorur emrin e të jatit dhe i referohej si Barak Husein Obama. Kjo tingëllonte edhe bukur edhe frikshëm për veshët e amerikanëve ksenofobë dhe të atyre racistë të hapur apo të fshehur. E njëjta gjë nuk ishte përdorur nga rivalët e Obamas gjatë fushatave elektorale. Qoftë Mekkein dhe qoftë Romni kishin qëndruar me dinjitet larg një propagande të tillë.

Ndaj për një pjesë jo të vogël  të popullsisë amerikane, MAGA ishte premtimi për të bërë një Amerikë ku të zinjve dhe emigrantëve do ju tregohej vendi dhe myslimanëve mund edhe t’ju ndalohej hyrja. Ishte në mendjet e tyre Amerika e viteve ’50 “E madhërishmja” apo më tej akoma ajo e periudhës të skllavërisë, kjo varet shumë nga shkalla e prapambetjes së zgjedhësve.

(vijon)

Friday 6 November 2020

Trump po humb Presidencën, por nuk ka humbur gjithshka


Duket që “The Donald” nuk do betohet më 20 Janar si President i SHBA për 4 vitet e ardhme. E megjithatë ai nuk i përket përfundimisht të kaluarës. Dhe jo vetëm kaq, por të gjithë ata që janë kundër Trump dhe Trampizmit, duhet të jenë gati për 4 vite të tjera lufte me të.

Të gjitha ngjarjet kryesore të viteve të fundit, përfshirë këtu edhe zgjedhjet e këtij viti, dëshmuan se Trump ka hedhur rrënjë të forta në politikën amerikane. (Po qe se reagimi i tij ndaj Covid do ishte pak më i mirë ai do ishte rizgjedhur President.)

Mbi të gjitha, Donald Trump ka një mbështetje të jashtëzakonshme në shumë pjesë të shoqërisë amerikane dhe sidomos në të bardhët evangjelistë të zonave rurale. Por çuditërisht, këtë rradhë ai rriti edhe numurin e përkrahësve mes emigrantëve, latinëve bile edhe të zezakëve. E arriti me demagogji, me arritjet ekonomike të këtyre viteve, me politikën përçarëse apo me të gjitha sëbashku, kjo nuk është e lehtë të përcaktohet pa studime të thella. Veç një fakt mbetet i qartë: Donald Trump mund të mbushë sallat dhe stadiumet me njerëz, që kanë nevojë të dëgjojnë broçkullat e tij. Një njeri, që mund të fishkëllehet në çdo universitet për fjalët që mban, është jo vetëm i pëlqyeshëm, por entusiazmon turmat me amerikanë të thjeshtë.

Kjo është një dëshim  e gjendjes të shoqërisë amerikane dhe ndoshta edhe e shoqërive të tjera në botë. Të kujton në njëfarë mënyre entusiazmin e gjermanëve gjatë fjalimeve në sallat e birrarive të viteve 20 dhe ’30 të shekullit të kaluar.

Kjo është edhe arsyeja e vetme, që gradualisht gjatë këtyre viteve të fundit, Trump e vuri përfundimisht nën thundër Partinë Republikane edhe pse kishte qënë gjithnjë jashtë saj. Republikanët edhe gjatë viteve të ardhme janë të detyruar të mos përplasen hapur me Trump dhe Trampizmin. Eshtë ai dhe vetëm ai që mund të sjellë në votime gjithnjë e më shumë përkrahës të së djathtës. E bëri këtë vit duke ju dhënë fitore republikanëve në shumë zona elektorale për kongres, por nuk arriti ta bënte për veten e tij, sepse shumë republikanë të moderuar, votuan për përfaqësuesit e Partisë së tyre , por jo për Trump.

Idea se Trump mori fund është më se naïve.  Dhe nuk është fjala vetëm për proceset gjyqësore që do bëhen për të përmbysur fitoren e Bajden, por për periudhën, kur “gjumashi Xho” të jetë në Shtëpinë e Bardhë. Trump ka të drejtë të konkurojë edhe një herë tjetër për President dhe me energjitë dhe mbështetjen që ka, nuk ka për tu ndalur edhe pse do jetë 80 vjeçar pas katër viteve. Por në Amerikë ka edhe të quajtura zgjedhje të ndërmjetme, për Kongres dhe Senat, që do zhvillohen pas dy vjetësh. Një ose më shumë nga pinjollët e tij (Donald Jr, Ivanka ose Kushner) do hyjnë në garë për senator ose kongresmen. Edhe të tjerë të afërm të klanit Trump, duke parë të mirat që ju solli pushteti në këtë vite, nuk kanë për ta braktisur Liderin e tyre. Për më tepër, në Partinë Republikane nuk ka figura që mund të rivalizojnë politikisht Trump-in. Ndaj nëse gëzon shëndet të mirë, “The Donald” do jetë pas katër vitesh konkurenti kryesor republikan në garën për President.

(Të jemi gjallë e gëzuar! Mbase kjo vlen më shumë se çdo fjali tjetër.)