Friday 30 January 2015

Ku të mbytemi?

Kështu më shkruan një miku im i mirë.
Jeton në qytetin tim të lindjes dhe sikundër dhe unë i ka inat partitë. Puna është, që Partitë, të cilat janë vigjilente dhe shumë të ndjeshme rrreth emocioneve të tilla si inat, dashuri, simpati, urrejtje, antipati, përbuzje, respekt, kurrizpërkulje etj. etj. e dinë, që i ka inat. Miku im e ka të vështirë të bëjë, si thotë Paolo Konte në një këngë “Të marrë një fytyrë me qera”. Këtë e ka edhe nga besimi i patundur, që ka në fytyrën e tij. Mendon, që duke patur fytyrën e tij të rregullt dhe që kanë janë lakmuar në rini jo pak bashkëmoshatarë dhe bashkëmoshatare, nuk ka përse tani, që po afron ose kapërcen të 50-tat, të marrë një fytyrë tjetër me një qera të arsyeshme. Ndoshta i vjen turp edhe nga njerëzit e afërm apo dhe miqtë, por ai ka një koncept të gabuar edhe për fytyrën me qera. Se nuk është e thënë, që po e more fytyrën e re dhe duhet ta mbash gjithë ditën, bile edhe në takimet me të afërmit dhe miqtë. Fytyra me qera duhet për Partitë. Partive ju pëlqen kur e ke fytyrën me qera edhe pse e dinë, që ajo nuk është fytyra tënde e vërtetë.
Në qytetin tim të lindjes, si më tregon miku im i mirë, ka vetëm dy Parti.(Parti të rregjistruara ka shumë, por të tilla, që të detyrojnë të marrësh fytyrë me qera janë vetëm dy.)
Në krye të njërës Parti janë dy tre vetë, që kanë qënë në Partinë tjetër, por për arsye krejtësisht të panjohura (me siguri parimore) kaluan në Partinë njëra. Ndërsa në krye të Partisë tjetër, janë ata, që kanë qënë kundër kësaj Partie, por që për arsye edhe më parimore kanë kaluar pikërisht në këtë Parti.
Për të mos i ngatërruar, le t’i quajmë njërën Partia e Kullës dhe tjetra Partia Anti-Kullë. (E quajta Partia e Kullës për arsyen e thjeshtë, që Kulla, që kanë ndërtuar në qytet është objekti më i dukshëm.)
Miku im është i padëshëruar për Partinë e Kullës, sepse i ka inat Partitë, se nuk merr fytyrë me qera dhe nuk i pëlqen as Kulla, por për të njëjtat arsye (veç të fundit) është i padëshëruar edhe për Partinë Anti-Kullë. Të dy partive nuk ju bëhet vonë as për votën e tij, se s’kanë ç’të presin nga një njeri antiparti, antifytyrë me qera dhe antikullë. Një njeri i tillë nuk ka se ç’të jetë tjetër veç një nihilist dhe kritizer, që shikon me sy të errëta kohën kur ishte në fuqi Partia tjetër dhe nuk i heq syzet edhe kur është në fuqi Partia njëra.
Ai nuk është optimist, nuk është elastik, nuk është i përkushtuar dhe mbi të gjitha nuk është as i pasur. Nga ky njeri nuk mund të presësh asgjë veç votës dhe nuk ke siguri as se kujt ja hedh votën ndaj “në djall me të!”
Po përse i duhet shoqërisë tonë një njeri i tillë, që nuk ka asnjë vlerë për politikën, që nuk e sheh me optimizëm të ardhmen e për më tepër “nuk di as ku të mbytet”?
Vërtet.
Shoqëria jonë duhet çdo ditë e më shumë t’i shfarrosë barërat e këqija si puna e mikut tim të mirë.
Të tillët vetëm të kujtojnë veset.
Mund t’ju bëjmë edhe një herë thirrjen e fundit, që të kthehen si të gjithë raca e politikanëve dhe ndjekësve të tyre, në njerëz optimistë, me disa fytyra dhe me ca vese.
Nëse nuk duan aq më keq për ta! Do i likuidojmë!

Kështu sikur thuhet edhe në librat e shenjtë.

Veprimi historik i Obames (nga Noam Chomsky) - 2

(vijim)
Në 1963, raportet nga terreni treguonin se lufta e Kenedit po arrinte suksese, por një problem serioz u shfaq. Në gusht, administrata amerikane mësoi se qeveria Diem po kërkonte negociata me Veriun për t'i dhënë fund konfliktit.
Nëse JFK kishte pasur dëshirën më të vogël për tu tërhequr, ajo ishte një mundësi e përkryer për të bërë këtë me nder, pa kosto politike, madje duke pretenduar, në stilin e zakonshëm, se ishte qëndrimi amerikan dhe mbrojtja parimore e lirisë që detyroi Vietnamin Veriut të dorëzohet. Në vend të kësaj, Uashingtoni mbështeti një grusht shteti ushtarak për të sjellë në fuqi gjeneralët “skifterë“,  më të përshtatshëm për politikën aktuale JFK-së; Presidenti Diem dhe vëllai i tij u vranë në atë grusht shteti. Me fitoren në horizont, Kenedi me gjysmë zemre pranoi një propozim nga Sekretari i Mbrojtjes Robert McNamara për të filluar tërheqjen e trupave (NSAM 263), por vetëm me një kusht të rëndësishëm: Pas fitores. Kenedi i qëndroi kësaj kërkese me këmbëngulje deri në në ditën e vrasjes së tij, disa javë më vonë. Shumë iluzione janë sajuar për këto ngjarje, por ata nuk i qëndrojnë dot peshës së materialit të pasur dokumentar.
Historia në vendet e tjera dëshmon se është larg të qënit si në legjendat e Kamelotit. Një prej vendimeve më të rëndësishme te Kenedit ishte ai i vitit1962, kur ai zhvendosi në mënyrë efektive misionin e ushtrive të vendeve të Amerikës Latine nga "mbrojtja hemisferike" - një përcaktim i mbetur nga Lufta e Dytë Botërore – në atë të "sigurisë së brendshme", një eufemizëm për luftë kundër armikut të brendshëm, popullsisë të atyre vendeve. Rezultatet i ka përshkruar Carl Mekling (Charles Maechling), i cili drejtoi planifikimin e mbrojtjes së brendshme dhe  kundër-kryengritëse të SHBA  prej vitit 1961 deri 1966. Vendimi i Kenedit, ka shkruar ai, ndryshoi politikën e SHBA nga tolerancë "të teprimeve dhe mizorive të ushtrive amerikane latine" në "bashkëpunim të drejtpërdrejtë" në krimet e tyre, në mbështetjen e SHBA për "metodat e skuadrave të Heinrich Himmler-së shfarosjes". Ata që nuk pranojnë atë çka specialisti i marrëdhënieve ndërkombëtare Michael Glennon e ka quajtur "injorancë e qëllimshme" mund të kuptojnë më mirë nga  të dhënat e paraqitura më lart.
Në çështjen e Kubës, Kenedi trashëgoi politikën e Ajzenaurit të embargos dhe të planeve zyrtare për të përmbysur regjimin, dhe shpejt i shkallëzoi ato me pushtimin e Gjirit të Derrave. Dështimi i pushtimit shkaktoi thuajse histeri në Uashington. Në mbledhjen e parë të kabinetit pas pushtimit të dështuar, atmosfera ishte "gati e egër", Nën-Sekretari i Shtetit Chester Bowles tregon privatisht: ". Ka pasur një reagim të furishëm për një program aksionesh". Kenedi vetë e shtjelloi atë  histeri në prononcimet e tij publike: "Shoqëritë e buta, të vetëkënaqura, toleruese janë të destinuara të shkojnë me mbeturinat e historisë. Vetëm të fortat ...  mund të mbijetojnë," i tha ai popullit amerikan, megjithëse ishte i vetëdijshëm, si e ka thënë privatisht, se aleatët "mendoj se ne jemi pak të lajthitur" në çështjen e Kubës. Jo pa arsye.
Veprimet e Kenedit vërtetuan fjalët e tij. Ai filloi një fushatë terrori e projektuar të lëshonte "gjithë tmerret e tokës" mbi Kubë -  frazë kjo e këshilltarit dhe historianit të  Kenedit, Artur Shlesinger, që i referohet projektit me përparësinë më të madhe, që presidenti  i ngarkoi vëllait të tij Robert Kenedit. Veç mijëra njerëzve të vrarë dhe shkatërrimeve në shkallë të gjerë, “gjithë tmerret e tokës” ishin një faktor kryesor në sjelljen e botës në prag të një lufte bërthamore, si dëshmojnë studimet e kohëve të fundit. Administrata rifilloi sulmet terroriste menjëherë sa kaloi kriza e raketave.
(vijon)

Thursday 29 January 2015

Veprimi historik i Obames (nga Noam Chomsky)

Ky eshte nje shkrim i Chomskit, qe mban daten 15 dhjetor 2014, menjehere pas lajmit, te rivendosjes se dialogut dhe maredhenieve ndermjet SHBA dhe Kubes.

Vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis SHBA dhe Kuba është përshëndetur gjerësisht si një ngjarje me rëndësi historike. Korrespondenti John Lee Anderson, i cili ka shkruar disa herë për rajonin, përmbledh një reagim të përgjithshëm të intelektualëve liberalë kur shkruan, në New Yorker, se:
"Barak Obama ka treguar se mund të veprojë si një burrë shteti me peshë historike. Dhe kështu, në këtë rast, ka vepruar edhe Raúl Castro. Për kubanët, ky moment do të jetë ai i një pastrimi shpirtëror si edhe i një transformimi historik. Marrëdhëniet e tyre me fqinjin e pasur e të fuqishëm verior  kanë mbetur të ngrira qysh në vitet gjashtëdhjetë. Deri në një shkallë surreale, fatet e tyre kanë mbetur të ngrira.Edhe për amerikanët, kjo është e rëndësishme. Paqja me Kubën na merr një çast mbrapa në atë kohë të artë kur Shtetet e Bashkuara ishin një komb i dashur në të gjithë botën, kur një JFK(John Fitzerald Kennedy- shënimi im) i ri dhe i bukur ishte në detyrë - para Vietnamit, para Allendes, para Irakut dhe të gjitha mizorive të tjera - dhe na mundëson të ndihemi krenar për veten, që më në fund  bëmë gjënë e duhur. "
            E kaluara nuk është aq idilike sa është portretizuar duke këmbëngulur në imazhin e Kamelotit. JFK nuk ishte "para Vietnamit" – bile as para se Allendes apo Irakut, por le t’i lemë këto mënjanë. Në Vietnam, kur JFK hyri në Shtëpinë e Bardhë,  brutaliteti i regjimit  të Diemit i imponuar nga SHBA, kishte shkaktuar më në fund një rezistencë të brendshme, që nuk mund të mbahej nën kontroll. Pra Kennedyiu përball me atë që, ai e quajti një "sulm nga brenda", "agresion i brendshëm", po të përdorim frazën interesante të thënë  nga ambasadori i tij në OKB, Adlai Stevenson.
Kenedi prandaj përshkallëzoi menjëherë ndërhyrjen e SHBA me agresion të drejtpërdrejtë, duke urdhëruar Forcat Ajrore të SHBA për të bombarduar Vietnamin e Jugut (nën shenjat e Vietnamit të Jugut, të cilat nuk mashtruan askënd), duke autorizuar përdorimin e napalmit dhe armëve kimike për të shkatërruar të lashtat dhe bagëtinë, si dhe duke filluar programet për të përzënë fshatarët në kampet e përqendrimi, gjoja për t’i "mbrojtur ata" nga guerrilasit, kur Uashingtoni e dinte mirë se fshatarët vetë ishin mbështetës të guerrileve.

(vijon)

Monday 26 January 2015

Kur do korruptohet Syriza?

Eshtë pyetja e parë, që më shkoi në mendje, pas lajmit të mirë, se Cipras do jetë në gjendje të formojë pa vështirësi qeverinë e tij.
Pushteti korrupton.
Kjo maksimë e më se 150 viteve më parë, që i atribuohet Lordit Ekton (Acton), është mëse e vërtetë në ditët e sotme. Pushteti të korrupton në fillim mendërisht dhe më pas në veprimet, që lidhen me politikën dhe ato, që nuk lidhen me të. Dhe nuk është fjala vetëm për korrupsion material, por për ]do lloj korrupsioni, moral, shpirtëror etj. Për shembull Hitleri dhe Enver Hoxha, nuk kanë përfituar materialisht nga pushteti i tyre, por si tiranë absoluteë, ishin absolutisht më të korruptuar se të tjerët.
Ka shumë factorë, që shpien në korruptimin e një udhëheqësi apo një force politke në botën e sotme. Eshtë naivitet, që të mendosh për njerëz, të cilët qëndrojnë gjatë në qeverisje apo dhe në opozitë e të mos jenë të korruptuar. Eshtë i gjithë sistemi ekonomik dhe shoqëror sundues në Perëndim, që nuk e shmang dot korrupsionin, por e ka të mishëruar në vetvete. I gjithë problemi është në zvogëlimin e korrupsionit dhe në mos lejimin e tij të shtrihet në gjitha qelizat e shoqërisë, si është në vendet e Lindjes së Mesme, Afrikës apo Europës Lindore. Ishte korrupsioni, që buronte nga sistemi, që e shpuri Greqinë në këtë katandi. Vërtet, qënia në Ballkan apo kultura orientale ndikoi, që korrupsioni të ishte më i madh se në vendet e tjera perëndimore, por mos harrojmë se problem të njëjta kanë Italia, Spanja dhe Portugalia, të cilat nuk kanë qënë në Perandorinë Otomane.
Sigurisht, që korruptimi i Sirizës nuk do ndodhë menjëherë. Do duhet disa kohë, pas përplasjeve të shumta me Brukselin, Gjermaninë, grupet e interesit(korporatat), Cipras dhe ministrant e tij të kuptojnë, që në krye të vendit i kanë shpënë “për të bërë punë“ dhe që të bëjnë punët sa më mirë duhet edhe të mbyllin sytë ndaj korrupsionit. Për fat të keq kjo është Loja e madhe politiko-ekonomike e Brukselit. Sigurisht me një farë kufiri. Në rastet më të përfolura për korrupsion në 15 vitet e fundit në Greqi , jo rrallë kanë qënë kompanitë e mëdha gjermane, të cilat kanë përfituar edhe nga presionet, që bënin qeveritarët gjermanë në pushtetarët grekë.
Ndaj edhe Siriza do korruptohet shpejt.
E vetmja e mirë, është largimi i ‘lojtarëve të njohur”, të cilët ishin shumë të korruptuar nga sistemi. Pa ndryshime rrënjësore në Bruksel, jo vetëm kriza ekonomike nuk do kalojë shpejt, por problemet e Europës do jenë në rritje. Jo ato të tregjeve, që shqetësojnë kryeministrin anglez  dhe shokët e tij, por ato të njerëzve të thjeshtë, që luftojnë dita ditës për të mbijetuar.

Shpejt edhe parti të tjera të ngjashme me Sirizën do përfaqësohen si të forta në parlamentet europiane. Kur të jenë shumë mbase do ketë më shumë shpresë për ndryshime.

3016 km nen rrena (Nderkrerese mes 19 e 20)

Ndërkrerëse ndërmjet
krerëve nëntëmbëdhjetë e njëzet.



           
            -Gugu hiqe pak këmbën e djathtë se më vret shpinën.
            -E heq unë bejbi.
            -Sa i mirë je Gugu! Si shpirt!
            -Po të dua bejbi ndaj…
            -Po apartamenti poshtë kur do jetë i joni Gugu?
            -Shumë shpejt bejbi. I joti…
            -Oh Gugu sa mrekullohem nga vendosmëria jote!
            -Ai grindaveci ka për ta sjellë vetë tapinë këtu. Pastaj do e lidhim me këtë lart.
            -Me shkallë spirale Gugu?
            -Me spirale bejbiiiiii….
            -Po oxhak fallco?
            -Të vërtetë do e bëj! Me shfryrje nga jashtë.

            -Oh ti je i papam!...i ke prerë thonjtë e këmbëve Gugu?

Sunday 25 January 2015

3016 km nen rrena (kreu XIX)

Kreu i nëntëmbëdhjetë
Ku tregohet si Nuk
Duhet të dëshpërohesh



            Naim Hana e bëri ngadalë rrugën përmes Tregut të Vjetër, për mos dëgjuar rrëkëzhdrëkun e rrotullave të valixhes dhe për tu përqëndruar më mirë në atë ç’ka duhej të mos bënte. Nuk duhej të dorëzohej. Nuk duhet të kërkonte sekser për të paguar Rushen e Urbanistikës. Nuk duhej të përdorte planin e dështuar të bisedës me Fikon. Nuk duhej të takonte avokatin Rako Pilafi. Nuk duhet të humbiste qetësinë në kontaktet me Policinë e Ndërtimit, Bilo Belin dhe Dardan Kodrën, nëse këto kontakte nuk mund të evitoheshin. Gjithshka po i kthehej në ditët e fëmijërisë, kur fjalët, që dëgjonte më shpesh dhe urrente më tepër ishin “nuk” dhe “mos”.
            “Mos u ul në tavolinë pa larë duart”; “Nuk duhet të mbllaçitesh me zhurrmë kur ha.”; “Mos e ngjyej mishin në kripore po nxirr pak në anë të pjatës”; “Nuk është mirë të hash kumbulla të pabëra”; “Mos hip në avllinë e Mitit të marrësh kumbulla të bëra.”; “Nuk duhet t’i bësh paratë rrush e kumbulla.” “Mos rri jashtë pasi ndizen dritat e rrugëve.”; “Nuk duhet të thyesh me llastikë dritat e rrugëve”; “Mos ju thirrë shokëve që nga ballkoni” ;  “Nuk është mirë t’ju thërresësh shokëve, që poshtë, që të dalin në ballkon”; “Nuk duhet të kapërxesh nga ballkoni jonë në ballkonin e Adhurimit”; “Mos u zgjat shumë nga ballkoni”; “Nuk duhet të dalësh në ballkon me brekë”; “Mos luaj kumar”; “Nuk duhet të luash me ashikë“; “Mos mbaj ashikë në xhepa se kanë lloj lloj mikrobesh”; “Mos u ul në tavolinë pa larë duart”.
            Personaliteti i tij ishte formuar nga përplasjet me “nuk” e “mos” dhe ai asnjëherë nuk kishte guxuar(veç kur nuk e shihnin), që të hante me duar të palara, të ngjyente mishin në kripore, të vidhte kumbulla të pabëra, të thyente me llastikë dritat e rrugës kur ishin të ndezura, t’ju thërriste shokëve nga ballkoni edhe pse ishte me brekë dhe të luante me ashikë bile edhe me monedha të vëna sipër. Të gjitha ato, që kishte bërë kur nuk e shikonte e jëma ose i jati, i kishin krijuar një ndienjë të vazhdueshme faji, e cila nuk i ishte ndarë edhe pasi ishte martuar. Vërtet pas martesës kishte patur më pak “mos” e “nuk”, që I drejtoheshin atij vetë, por edhe pa të tilla nuk ishte mbetur. Pasi fjalët “nuk” dhe mos” i shkaktonin një dridhje të lehtë në trup, ai menjëherë ndjente brenda vetes një dëshirë të ëmbël të përzjerë me pak turbullim faji, që të bënte atë, që i kishin kërkuar të mos bënte. Pas dhjetë-pesëmbëdhjetë minutash ndienja e ëmbël i kalonte dhe i mbetej turbullimi dhe ndjehej me faj, që vetëm kishte dashur të bënte atë, që ishte para një “nuk” apo “mos”. E njëjta gjë po i përsëritej. Në fillim i iku ndienja e ëmbël e dorëzimit dhe e zdërhalljes bashkë me thënien “në djall apartamenti, po rri shijo ditët e mbetura të lejes”; më vonë i kaloi më shpejt kënaqësia për të gjetur një sekser dhe për të mbyllur hallin me një shumë parash; e treta u zbeh dëshira për të përdorur të njëjtin plan bisede me Fikon dhe me rradhë mëdyshja për të takuar Rako Pilafin, për tu grindur me Dardan Kodrën dhe për të evituar kontaktet edhe kur mund të evitoheshin. I ishte nënshtruar plotësisht “Nuk-ut” të madh, që do e drejtonte në rrugën e duhur, si e kishin shpënë gjithë nuk-et e tjera në ato dyzetekatër vite të jetës.           
            -Nuk bën të ulesh në trotuar dhe të sillesh si një vëzhgues i paanshëm, kur e gjithë Bredhishta e di , që nuk je më i tillë.
            -O Fime. Nuk të pashë se isha mendjehumbur në mendime.
            -Nuk jam më Fime për ty pas asaj, që ndodhi në dhomën dyqindedy. Më ke bërë të jem gazi i Bredhishtës, gjë që në kohët e duelarëve do shlyhej vetëm me dyluftim vdekjeprurës me pallë.
            -Po dale bre Fime se nuk kam bërë…
            -Nuk jam më Fime për ty!- e ngriti zërin doktori i shkencave të letrave Aferim Dollibashi duke e parë nga lart poshtë me përbuzje mjekun e habitur – Ti tradhëtove besimin tim shoqëror duke u përfshirë në një marëdhënie erotike me të dashurën e zemrës sime, zonjushen Havani. Në kohët e kalorësve për këtë gjë do shkonte gjaku deri në gju.
            -Nuk…
            -S’ka nuk! Përsëritet e njëjta histori mijravjeçare si e luftës së Trojës. Unë, Menellau i dashuruar, të ftoj ty në mbledhjen e Intelektualëve Myslymanë, dhe ti, Paridi mosmirënjohës më rrëmben mua loçkën e zemrës.
            -Ka një keqkuptim o Aferim! Unë nuk rrëmbeva njeri po më dhunuan në dhomën time. Dhe as e dija , që ishte e dashura tënde.
            -Oh edhe baltë do të hedhësh mbi atë zonjushë fisnike intelektuale, që gabimin e vetëm që bëri, ishte se e dashuruar marrëzisht me mua, u tundua nga sharmi i një të huaji, të cilin e mbivlerësoi pikërisht për shkak të shoqërisë, që kishte me mua.
            -Aferim po ti je i martuar.
            -Edhe? Një shpirt i lirë si imi nuk mund të mbahet brenda mureve konvencionale të një  marëdhënie të përjetshme. Për më tepër, ne kemi një detyrim hyjnor të kujdesemi për disa gra, por këtë nuk mund ta kuptosh ti, i korruptuar nga bota perëndimore e të mirave materiale. Jam krenar, që jam i përzgjedhuri i zemrës së zonjushes time, dashuria e së cilës nuk mund të cënohet as nga intrigat e përbindshme, të dikujt , që në të shkuarën e quaja shok.
            -Aferim të të pyes për diçka?
            -…mmm…më habit kurajoja tënde, pas veprës aq të ulët të tradhëtisë, por tërësia ime morale është ku e ku më lart se e jotja, ndaj po të jap mundësinë të më drejtosh edhe pyetjen e fundit.
            -Si arrije, që fitoje gjithnjë në lojrat me ashikë? Kjo pyetje ka tridhjet vjet, që më mundon.
            Doktori i shkencave të letrave Aferim Dollibashi, mbylli përgjysëm sytë dhe shtrëngoi nofullat, dhe pas disa sekondave shqiptoi plot mllef:
            -Të përbuz!- dhe eci me shumë krenari drejt Tregut të Vjetër, por pa ju rënë në sy kalimtarëve.
            Naim Hana filloi të mendojë i trembur, se si mund të ndikonte thashethemnaja rreth asaj , që ndodhi në dhomën e tij të hotelit me farmacisten, në marëdhënien me Artemisin. Si do t’i spjegonte gruas së tij gjithshka kishte ndodhur kaq mijra kilometra larg pas ngjarjeve të tjera të papritura për të. I kishte mbajtur të fshehur, për të mos e shqetësuar, arrestimin, por nëse ajo do mësonte për të gjitha, përfshi këtu edhe tradhëtinë, gjithshka që kalonte nga goja në gojë dhe nga mendja në mendje do të merrte përmasa të paimagjinueshme, në varësi të gojëve dhe mendjeve në të cilat kalonte. Vetëm një renditje e pasaktë e ngjarjeve dhe Artemisi mund të tmerrohej.  Nëse ngjarja e dhomës dyqindedy do i paraprinte të gjithave, Naim Hana mund të ishte një “përdhunues i një zonjusheje, gjë për të cilën ishte arrestuar” ose “një amerikan pervert, që kishte sajuar dëmtimin e apartamentit për t’i marrë para familjes dhe për t’i shpenzuar për turizëm seksual në vendlindje” ose më keq akoma “një shqiptaro-amerikan myslyman, që kishte kundërshtuar ngritjen e kishës katolike dhe ishte përfshirë në një lëvizje për vendosjen e Sherihatit dhe lejimin e martesës me 4 gra dhe ishte ndaluar nga organet e rendit pas përpjekjes së dhunshme për të goditur me dy vare, përfaqësuesit shtetërorë ”. Nuk duhet të linte, që kjo të ndodhte, nëse nuk kishte ndodhur akoma. Ishte mirë, që para takimit me Fikon, të takonte Berti Dajkon, për të parë qëndrimin e sojit të Artemisit rreth ngjarjeve.
            Berti Doken e gjeti të ulur këmbëkryq mbi dyshekun prej gome duke lexuar “Mukun”, por me një pamje të vrejtur, që e bënte të dukej si një Budë i inatosur. Ndjeu, që punët nuk i kishte mirë.
            -Si fjete Berto?
            -Unë mirë, po ti kishe ndonjë gjyvende tjetër mbrëmë?
            Fjalët e kushëririt të Artemisit, ishin si plumba, nga të cilët Naimi nuk mund të shpëtonte dot. I tronditur, mendoi ta pyeste, se a dinte gjë e shoqja dhe nëse dinte, çfarë i kishin thënë. Tjetri e shikonte duke hetuar lëvizjet më të vogla të mjekut, i cili thuajse nuk lëvizte asnjë muskul të trupit.
            -Berto nuk di ç’të kanë thënë, por ta dish , që e vërteta është krejt tjetër.
            -Mos më thuaj, që të erdhi të bënte vizitë mjekësore si gjinekolog, që je zotrote, se atë se ha unë!
            -Jo nuk dua të të them atë. Ti e di , që nuk e kam zakon të gënjej. Ishte një aksident…si të ta spjegoj më mirë…diçka fare padashje dhe e papritur…
            -Si padashur dhe e papritur? Po qe se ke bërë seks me të si thonë bredhishtarët s’ka të papritur. Ty nuk të ranë herdhet papritur në vrimën e saj de!
            -…Berto po mos më besove ti nuk ka për të më besuar askush tjetër. Isha i xhveshur në dhomën time dhe ajo më sulmoi. Betohem për kokën e dy djemve!
            - Si hyri ajo në dhomën tënde? Njerzit thonë se e ke ndjellë ti pasi i pate premtuar t’i gjeje furnizime me ilaçe të lira nga Amerika. Dhe pastaj nxorrët sytë të dy!
            Naim Hana kishte harruar shprehjen e kohës së fëmijërisë, kur dy të rritur përfshiheshin në një marëdhenie jashtë martesore dhe mendohej se kishin fjetur me njëri tjetrin, nuk thuhej as kishin fjetur, as kishin bërë seks, as ishin fekonduar, por “kishin nxjerrë sytë“. Një kohë të gjatë ajo i kishte krijuar një përshtypje shumë të gabuar dhe të keqe për seksin jashtëmartesor. Në ndryshim nga të tjerët, që kryheshin përgjithësisht në zonat e poshtëbelit, ai kryhej në kokë, në mënyrë makabre dhe i shoqëruar me nxjerrje sysh, ose të paktën me përpjekje për të nxjerrë sytë. Kur ishte specializuar për gjinekologji, kishte mësuar se ndërhyrja e dhunshme mbi sytë ishte anti-erotike dhe vetëm një puthje e lehtë mbi kapakët e syve mund të ngjallte sensualizëm, por përsëri shprehja e vjetër popullore i ishte dukur shumë e largët nga marëdhënia qejfore, jashtëmartesore. Ndërkohë, Bertoja, që ishte ngritur më këmbë duke pritur shfajësimin e plotë të burrit të kushërirës, i cili po vononte shumë ta bënte tha fjalët, që do I kumbonin në vesh gjithë atë ditë Naim Hanës:
            -Të prishi kurbeti Naim! Mos më kërko më!- dhe mori rrugën të dilte nga dera e rivarur e apartamentit duke flakur mbi pirgjet me libra “Mukun e Vogël”. Më i goditur se kurrë më parë, Naim Hana nuk arriti t’i thoshte asgjë, bile as ta kujtonte të merrte dyshekun e plazhit. Kishte mbetur përfundimisht i vetëm në apartamentin, ku ishte rritur, mes suvave të rëna, dyshemeve të prishura e librave të shfytyruar, pas disa ditësh në burg dhe pas një tradhëtie bashkëshortore, jehona e të cilave mund të kishte arritur deri tek gruaja e tij e dashur. “Më prishi kurbeti? Po ç’lidhje ka kurbeti? Vërtet më ka prishur? Po ku kam gabuar?” mendoi. I shkoi në mendje të gjitha ngjarjet, që nga përcjellja, që e shoqja i kishte bërë në aeroportin RDU e me rradhë mbrritjen në vendin fqinjë, kalimin e kufirit me taksi, takimin me Gurgullimën, lojën e tenisit të Fikos, varrimin e Dëfrimes, humbjen e parave tek Jashukënstrakshën, takimi me Dardan Kodrën, arrestimin dhe qëndrimin në qeli, seksin padashje me farmacisten, moszgjidhja e krizës së miellit me vasfiun e deri në ëndërrspjegimi i Prakes. Diku duhet të kishte gabuar, bile rëndë, që e kishin ndjekur gjithë këto gjëma njëra pas tjetrës, por nuk arrinte ta lokalizonte dhe sidomos të gjente lidhjen e mundshme të kurbetit në Karolinën e Veriut me karakterin e tij të ndryshuar dhe rrokopujën e ngjarjeve në Bredhishtë.
Nuk kishte lojtur kumar; nuk kishte ngrënë me duar të palara; nuk kishte fyer njeri; nuk kishte vjedhur; nuk kishte gënjyer; nuk kishte dalë me brekë në ballkon…ooo, mbase nuk duhet të kishte hapur derën e dhomës së hotelit, kur ishte vetëm me rrobëbanje dhe pa brekë nën të, por për këtë gjë askush nuk e kishte paralajmëruar gjatë dyzetekatër viteve të jetës së tij. Për më tepër ajo, që ishte bërë si rrjedhojë e hapjes së derës së dhomës, kur ishte vetëm me rrobëbanjë dhe pa brekë nën të ishte bërë dhe nuk zhbëhej, ndërsa apartamenti , që ishte zhbërë mund të bëhej. Bile duhet të bëhej. Po a do ndikonte bërja e apartamentit ose më mirë ribërja pas zhbërjes në përmirësimin e marëdhënieve me të shoqen? Artemisi ishte mbi gjithshka ndaj duhet të nisej menjëherë për në Qytetin e Lisave dhe të linte Bredhishën.
Po nëse ajo nuk dinte gjë, si do justifikohej për kthimin e papritur? Ishte kapur si kurrë ndonjëherë jetën e tij. Ndjehej i dëshpëruar. U ul për pak çaste mbi dyshekun plastik dhe futi kokën mes gjunjëve duke e shtrënguar me sa i mundej. I dukej se do ishte më mirë pa të. Ndërkohë një uturimë u dëgjua nga lart dhe copra suvaje filluan të binin mbi të. vaska me hidromasazh kishte filluar të punonte. Ai brofi më këmbë duke thirrur:
            -Nuk ka vend për dëshpërim!- dhe morri rrugën drejt shkallëve.



Saturday 24 January 2015

A duhet të dalë Bashkim Shehu në ballë për Muzeun e Spiunëve?

Kjo është një pyetje, jo shumë e lehtë për t’i dhënë përgjigje, nisur nga mënyra se si duhet të shikohet raporti I individit me prindrit apo me familjen e tij.
Bashkim Shehu është tashmë një shkrimtar i afirmuar shqiptar, që publikisht ka sulmuar Diktaturën dhe bëmat e saj famëkeqe, Diktatorin dhe bashkëpuntorin e tij të ngushtë, Mehmet Shehun. Ka qënë një veprim i vlerësuar jo vetëm në botën e qytetëruar, por edhe në botën shqiptare, ku njerzit e kanë të vështirë të ngrihen kundër etërve të tyre. Bashkimi e ka bërë këtë i bindur dhe në mënyrë dinjitoze, duke mos përfllur, se çmund të thoshin ato pjesë të publikut shqiptar, që i dënojnë më tepër se plangprishës, ata që demaskojnë prindrit ose të afërmit e tjerë.
Gjithashtu Bashkim Shehu, ka bërë rreth 8-9 vjet burg, pa patur asnjë faj, veç atij, që ishte i biri i “poliagjentit”Mehmet Shehu dhe në këtë mënyrë, shoqëria shqiptare ka detyrime ndaj tij, si ndaj gjithë të persekutuarve politikë.
Por(dhe ka një por të madh), sot, në gjendjen e politikës dhe shoqërisë shqiptare, për mendimin tim Bashkim Shehu nuk është njeriu i përshtatshëm për tu vënë në ballë të kësaj pune.
Atmosfera e përgjithshme e tre-katër viteve të fundit është ajo e rehabilitimit, ose e zbutjes së bëmave t[ Diktaturës. U ndje hapur para dy vjetësh në përpjekjen për të rehabilituar Mehmet Shehun me rastin e 100 vjetorit të tij, sivjet gjatë gjithë festimeve për 70 vjetorin e vendosjes së Diktaturës  dhe deri në dy muajt e fundit, në shkrimet dhe intervistat, që duan të paraqesin Partinë e Punës, si arkitekte të Demokracisë në Shqipëri.
Simbolika e vënies në krye të organizimit të Muzeut të Spiunëve, të djalit të njeriut, që për gati një dekadë ishte Ministër I Brendshëm dhe vendosi bazat e makinës së llahtarshme të Sigurimit të Shtetit, mund të jetë çdo gjë, veç një simbolike të pranueshme për ata , që kanë vuajtur nga Sigurimi i Mehmet Shehut. Ky i fundit, njihej , që në kohën kur nuk ishte dënuar, si njeriu më i ashpër i diktaturës. Kishte kryer pa ju dridhur syri vrasje masive, që në vitet e luftës e deri në qindra krime të tjera prej vitit 1944 e deri më 1981.
Ka edhe një arsye tjetër, për të mos pasur Bashkim Shehun në krye të këtyre punëve.
Në fundin e viteve ’70 dhe fillimin e viteve ’80, kur terrori shtetëror ka qënë në kulmin e tij, Bashkim Shehu bashkë me gruan e tij të asaj kohe kanë qënë ndër njerzit më të urryer në Tiranë. Tek plotësimi i tekave të tyre, rinia shikonte dyfaqësinë e Udhëheqjes, që ju ndalonte të tjerëve të bënin ato, që ju lejoheshin Bashkim Shehut dhe fëmijëve të tjerë të Bllokut. Kuptohet në të ndikonte edhe antipatia e madhe , që kishin të rinjtë për Mehmet Shehun, vetvrasja e të cilit në Tiranën e asaj kohe u ndje vetëm si plasaritje e fortë të pushtetit.

Fëmijët nuk kanë faj për mëkatet e etërve, por nuk është e udhës, që edhe për të demaskuar krimet e baballarëve, të shohim ende në ballë fëmijët e tyre.

Thursday 22 January 2015

Kështu bëjnë të tërë!

-Kështu bëjnë të tërë.
-Po cilët të tërë?
-Do emra? Edhe shumë nga ata, që i mban për të mirë?
-Edhe?
-Kështu ka ardhur koha.
-Si ka ardhur koha? Të vjedhësh?
-Nuk quhet vjedhje.
-Po si quhet?
-Po aq të paguan shteti. Pse mos marrësh pjesën tënde për atë punë që bën?
-Për atë punë, që bëj, paguhem. Në të kundërt mund të filloj një punën time.
-Po pse nuk e fillon? Se e di, që do detyrohesh të paguash ‘gjobat”, që do i kërkojnë ata , që do të zenë vendin.
-E lemë këtë muhabet.
-Olsi më kërkoi mbrëmë kostum “Armani”. Të gjithë shokët e tij kanë. Më erdhi keq për djalin. I vjen zor të shkojë në parti.
-Le të mos shkojë!
-Ti e ke kollaj! Nuk mund ta ndajmë nga shokët. Do ndjehet inferior.
-Sa duhen për një kostum “Armani”? 300 euro?
-Ti nuk ja ke idenë! Jeton akoma në kohën e baba Qemos.
-Në kohën e baba Qemos kostumet ishi prej shajaku. Rronin më shumë.
-Me kë flas dhe unë! Ty nuk të bëhet vonë për fëmijët, pa le për mua, që nuk të është bërë vonë kurrë.
-…mirë atëhere…më gjej një sekser…

- Gjej vetë një të besuar. Kështu bëjnë të tërë!

Tuesday 20 January 2015

3016 km nen rrena (kreu XVIII)

Kreu i tetëmbëdhjetë,
ku Naimit i spjegohet ëndrra
dhe parashikohet e ardhmja.



            Naimi u zgjua i lodhur pas një ëndrre të lodhshme. Kishte ndjekur gjithë natën Mukun e Vogël t’i rrëmbente opingat magjike për të fituar marathonën e Bostonit, por pasi e kishte kapur dhe ja kishte marrë me forcë, sa i kishte mbathur nuk kontrollonte dot këmbët dhe përfundonte gjithë shpejtësi në një vend të panjohur plot duna dhe në fund të të cilave ishte një liqen me ujë , që llokoçiste dhe mu në mes të liqenit tundte këmbët me qime Gogo Gurgullima. I kuptoi dëshirat e nënndërgjegjes së tij, për të vrapuar shpejt dhe vrapimi i pengohej nga Gogoja, që s’mund të ishte destinacioni final, por nuk kuptonte dunat me rërë. As Mukun e Vogël. Ishte ëndrra e dytë, që shikonte në Bredhishtë dhe pas të parës, asaj me monstrën e vogël, që dilte nga Teuta Baraku kishte përfunduar në burg. Mos ishte Muku i Vogël, Fiko Fufulina dhe opingat e tij leja e ndërtimit, së bashku me preventivin? Po dunat? Të ishin vështirësitë proçeduriale? Liqeni, që llokoçiste mud të ishte edhe vaska me hidromasazh, por edhe liqeni me para në të cilat notonte Gogo Gurgullima. Po pse i vetëm?
            Mendoi të shkonte në mëhallën e romëve dhe të takonte Hilmi Kërrin, për ta shpënë në njërën nga plakat e mençura rome, që dinin aq mirë të spjegonin ëndrrat. Pas dështimit të bisedimeve me Dajko-Filon, nuk ndjehej i sigurt nëse duhet të shkonte menjëherë në takim me kryetarin e bashkisë, apo ishte më mirë të këshillohej me dikë për ëndrrën. Nuk kishte qënë kurrë supersticioz, por shumë gjëra po ndodhnin në mënyrë misterioze në një vend të cilin mendonte se e njihte më mirë se çdo qoshe të botës. Në fund të fundit nuk do humbiste veçse disa orë, por do ishte më i përgatitur për betejën finale- bisedën me Fikon. Shumë njerëz të mençur në botë blinin libra, ku spjegohen ëndrrat. Nuk kishte ku ta gjente një të tillë dhe s’kishte pse mos përfitonte nga urtësia mijëvjeçare e romëve.
            Mblodhi të gjitha plaçkat dhe i futi në valixhe. Kishte vendosur të largohej nga hoteli dhe të flinte në apartamentin e tij. Do kursente dhe do lehtësonte edhe kushëririn e Artemisit. Ishte i vetmi, që i kishte mbetur në këto ditë të vështira. Zbriti në hollin e hotelit dhe në recepsion i pagoi djalit të madh të Verorit për të gjitha ditët.
            -Kur do nisesh për në Amerikë doktor?
            -Pas dhjetë ditësh, por do rri në apartamentin tim.
            -E riparove?- pyeti , që si çdo recepsionist hoteli dinte gjithshka, që ndodhte në qytet.
            -Po e riparoj- u përgjigj shkurt Naim Hana dhe u largua nga holli i rrumbullt, i ndjekur nga vështrimi në bronx i Verorit dhe gruas të tij të përjetësuar në grupin skulpturor të Uljanov Sopit. Mendoi nëse vetë i ngjante më shumë “kalorësit me fytyrë të vrerosur” apo Sanços. As njërit as tjetrit. Ishte një lloj donkishotsançopançist, që vinte rrotull dhe nuk dinte se me të luftonte dhe se nga kush të mbrohej. Për më tepër nuk kishte Dylqinjë.
            Duke hequr nga pas valixhen me rrotulla u drejtua nga tregu i vjetër me shpresë të takonte Hilmi Kërrin. Disa fëmijë i treguan një pijetore të vjetër, me tabelën “Nashena Rovena”. Hyri dhe e pa në një tavolinë duke folur romisht me disa romë të tjerë me mustaqe dhe dhëmbë floriri. I foli Hilmiut , që e pa i çuditur, por megjithatë u ngrit dhe ju afrua mjekut:
            -Mua më do doktor? Ke ndonjë plaçkë për të shitur?- dhe bëri me kokë nga valixheja.
            -Jo Hilmi, kam një problem tjetër- dhe duke ulur zërin shqiptoi pranë veshit të ishkamarierit të “Plavës e Gucisë“- dua të takoj ndonjë nga plakat e mençura rome.
            -Për ndonjë abort doktor? Kemi Shaqen.
            -Jo jo joooo…ç’abort?- e uli zërin më shumë mjeku
            -E po thashë se mos të duheshin ca para për prokurorin? Se këto punë kështu janë.
            -Jo Hilmi. Më duhet të bisedoj me një nga gratë tuaja të mënçura, që dinë rreth ëndrrave dhe të ardhmes.
            -O për të shtënë në fall? Po vemë që tani në Prakeja.- dhe udhëhoqi drejt daljes nga “Nashena Rovena” Himi Kërri. Naimi e ndoqi pas pa ditur ç’të bënte me valixhen. ë kalldrëmet e Tregut të Vjetër, rrotullat e saj dukej sikur tërhiqnin vëmendjen e gjithë kalimtarëve me një lloj rrëkëzhdrëku jo të zakonshëm. Për fat të mirë Hilmiu nxitonte dhe po me të njëjtin hap Naimi e ndoqi deri në një derë llamarine, që të shpinte në një banesë me shkallë shumë të pjerrëta, nga kthina poshtë të cilave vinin tingujt e një fisarmonike dhe dikush, që këndonte me zë të mbytyr një këngë të kohës së Diktaturës me vargjet :
                        “Arrite ce u gabove
                        Ktheu moj në shtëpi,
                        Kthehu në shtëpi moj Mira,
                        Kemi dy fëmij…”
Naimit ju mblodh një si lëmsh në grykë, kur kujtoji Artemisin dhe djemtë, që e prisnin plot mall në Karolinën e Veriut dhe ndoshta kishin mësuar edhe për arrestimin e tij katërditor. E dinte , që kishte gabuar me Havanin, por po të mendoje gjithë vuajtjet, që kishte hequr ato dhjetë ditë në qytetin e tij, dorëzimi para sulmit të beftë të farmacistes, mund të quhej një mëkat i pavullnetshëm. Ndërkohë në majë të shkallëve shoqëruesi kishte shtyrë një derë të ulët dhe të dy u ndodhën në një dhomë pa dritare të ndriçuar nga një arradhe qirinjsh, që digjeshin me një erë të ngjashme me temianin, por që dhe temian nuk ishte. Në krye të dhomës, e ulur në një divan të ulët të mbuluar nga një shtroje shumëngjyrshe rrinte Prakeja. Sytë i mbante të mbyllura dhe kur ju afrua Hilmiu dhe diçka i pëshpëriti në romisht vetëm tundi kokën dhe shqiptoi:
            -Hajde më pranë bir.
Ndërsa Naimi po afrohej Hilmiu i pëshpëriti në vesh “20 Euro” dhe mjeku i kapur ngushtë belbëzoi “I kam dollarë.” “30” ishte përgjigja e menjëhershme e ishkamarierit dhe për disa çaste dy të porsaardhurit u morën me dhëniemarrjen e kartmonedhave pa i prishur meditimin fallxhores.
            -C’të mundon bir?
            -Kam parë dy ëndrra zonja Prake- tha me zë të ulët Naim Hana duke menduar gjysëm në faj , që të provonte aftësitë spjeguese të fallxhores me ëndrrën e para arrestimit.
            -Më rrëfe- tha solemnisht fallxhorja pa i hapur sytë. Mjeku filloi të tregojë me hollësi ëndrrën e lindjes së monstrës nga Teuta Baraku pa harruar të përmendte fshehjen e sj nën dollap ndjekjen me fshesë me bisht nga infermiere Zina. Plaka e dëgjoi duke i mbajtur sytë mbyllur dhe nuk foli as ps përfundimit të ëndrrës. Pas disa minutash heshtjeje të plotë tha:
            -Tjetra
Naimi u kap në befasi, se priste spjegimin e së parës, por u detyrua të tregonte imtësisht edhe ëndrrën e dytë. U përsëritën edhe disa minuta heshtje dhe plaka hapi sytë.
            -Ke një rrugë të gjatë bir…Tokmaxhuku, që doli nga barku je zotrote, që del nga burgu dhe shkon të fshihesh për të mbledhur vuxhutin. Shtriga që të ndjek me bishtin e fshesës do të ndjekë deri në fund, se është qeveria…
            Prakeja mori frymë thellë dhe i mbylli sytë përgjysëm. “Po kur e gjeti këtë të burgut!” mendoi i gëzuar Naim Hana, i përqëndruar të dëgjonte spjegimin e të dytës , që do ishte vendimtar për të ardhmen. Ishte i gjithi i përqëndruar në buzët e holla e të rrudhura të fallxhores Prake, buzë të cilat u hapën sërish:
            -Ma rrëfe edhe njëherë të dytën.
Naimi filloi të përjetonte ëndrrën e dytë duke ja treguar fill e për pe fallxhores rome. Pjesa më e vështirë ishte kur përshkruante se si nuk komandonte këmbët e tij pasi kishte mbathur opingat e Mukut të Vogël, se e shihte edhe që Prakeja rrudhte sytë. Kur arriti në pjesën e liqenit dhe Gogo Gurgullimës me këmbë plot qime, i shtrirë në kurriz, Prakeja ngriti dorën.
            -Gjoli lëshonte avuj apo vetëm llokoçiste?
            -Vetëm llokoçiste lluk-lluk-lluk…
            -Po Gogoja në mes të gjolit dukej i urgusur?
            -Urgusur? Nuk më dukej. Qime kishte shumë.
            -…Je në sëkëlldi të madhe biri im. Do të zenë e do të futin në hapsanë dhe do dalësh, po nuk do dish ku të futësh kokën. Ajo, që do të bësh të shpie të mbytesh atje ku është paraja. Paraja nuk mban erë si gjoli i nxehtë, që nuk avullon…Opingat duhet t’i mbathësh sëprapi dhe ta lësh atë që ke zënë.
            -Kaq?- guxoi të pyeste Naim Hana. Hilmi Kërri anoi kokë dhe mblodhi supet, si për të thënë, që përderisa Prakeja nuk po fliste më, nuk kishte më spjegim. Mjeku dukej i trullosur nga spjegimi, që nuk i jepte shumë shpresë për bisedën, që duhet të bënte me kryetarin e bashkisë, kur dera u hap me vrull dhe një grua rome pa vënë re të pranishmit u drejtua në divani I Prakes dhe diçka i pëshpëriti në vesh. Fallxhoreja tundi kokën dhe gruaja mori të dilte, kur dalloi mjekun:
            -U doktori! Po si je doktor Naimi. Nuk më mban mend? Jam Fatimja, që më ke bërë aperim për djalin e parë.
            -Më kujtoheni tani. Më fal, që nuk ju njoha menjëherë.
            -Ua po unë s’ta harroj atë, që ke bërë për mua! Ta këndovi fatin Prakeja? Eshtë nëna ime. Ja pe fatin doktorit Prake? Po ti Hilmi ç’më shkel synë? I morrët para doktorit? Hë?
            Prakeja rrinte me sy mbyllur ndërsa Hilmiu vërtiste kokën pa ditur ç’të thoshte. Naimi rrinte i stepur pa ditur nëse duhet të theshte diçka për të lehtësuar atmosferën. Ndërkaq, Hilmi Kërri kishte future në xhepin e mjekut dollarët e dalë po nga i njëjti xhep.
            -Doktor më thuaj si e ke hallin?
            -…po kam parë disa ëndrra, që më shqetësuan dhe…po nëna juaj më dha një spjegim mjaft bindës…
            - O Prakeja për atë punë është më e mira, po thashë mos kishe ndonjë hall tjetër këtu në Bredhishtë.
            -…po vërtitem të nxjerr një leje ndërtimi për të rregulluar apartamentin…po nuk po më ec puna mirë…
            - Për atë nuk të bëjmë dot derman as unë dhe as Prakeja, po shiko të gjesh ndonjë, që ti futësh Vërushes së Urbanistikës. Me njëmijë euro mbarohet ajo punë.
            Nuk kishte ç’të bënte më me Praken, Fatimen dhe Hilmiun, ndaj ju preku dy më të rinjve shpatullat me dashamirësi dhe mori udhën të dilte. U befasua, kur në corridor pa tek priste Naun Bajutin.
            -Edhe ti këtu i dashur Naun?
            -Proçeset paranormale, që shtjellojnë ndërlikimin e të pavetëdijshmes në zhvillimin e narrativave, që preokupojnë shoqërinë tonë duhet të mbivendosen tek shtresëzimi psikologjik i lojtarëve kryesorë, që operojnë në botën reale të interferimit të politikës me krimin e organizuar.
            -Kur të lëshuan?
            -Po qe se do të bëja adicionin e dy orëve të hulumtimit të situacionit të Fatimes në gjithë kontekstin real të peisazhit minoritar, atëhere mund të themi me bindje se drita e lirisë u shfaq papritur dhe e lbyrtë gjysëm dite më parë.
            - E qartë. Mbarësi të uroj!- tha mjeku dhe mori tatëpjetë shkallëve të pjerrëta të banesës së Prakes, ndërsa në kthinën poshtë tyre dëgjohej një tjetër këngë qaramane me fjalët:
                        “Të qan nëna o Baki
                        Të qan shoqëriaaa…”

            

Monday 19 January 2015

Të fortët

Ka shumë vjet, që shtypi shqiptar, ka bërë normë, që për njerëzit, që janë në krye të bandave të qyeteteve apo krahinave, të dënuar apo që i kanë shpëtuar dënimit, të përdorë cilësorin “I forti”. Eshtë një mëkat jo vetëm ndaj gjuhës shqipe, në të cilëm mbiemri “I fortë“ ka një përmbajtje pozitive, të pastër, por edhe ndaj publikut shqiptar e sidomos ndaj të rinjve. Mediat dhe shtypi në veçanti veprojnë nëpërmjet fjalëve, ndaj ato janë veglat, mjetet dhe armët e tyre. Keqpërdorimi është i dëmshëm për publikun. Dhe këtu nuk bëhet fjakë për të cënuar lirinë e mediave, që të mbajnë qëndrimin, që duan ndaj ngjarjeve apo personave. Një gazetë ka plotësisht të drejtë të thurrë edhe lavde për një njeri të angazhuar në veprimtari kriminale, të organizuar apo jo, përderisa njerzit do e lexojnë dhe nuk do I marrin drejtuesit e saj me vezë të prishura. Këtu është fjala, për gazeta dhe gazetarë, që e quajnë veten të moralshëm dhe që si mission të tyre konsiderojnë ‘ruajtjen e moralit të politikanëve dhe të gjithë njerzve të veshur me pushtet.
Atëhere cili është qëllimi i përdorimit të cilësorit “I fortë“, qoftë edhe kur vihet në thonjza? C’farë i përcjell lexuesit gazetari, që shkruan se “ u krye atentat ndaj të fortit të Kukësit, apo të fortit të Rrugës së Kavajës etj etj.? E informon, që edhe të fortëve mund t’ju vijë një ditë fundi?
Tashmë cilido në Shqipëri e di, që tre partitë kryesore në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë kanë pas tyre banditë, kriminelë apo gangsterë të cilët i përdorin në fushata elelktorale, i përdorin për tu mbrojtur nga kriminelët e partive kundërshtare, i përdorin për të frikësuar njerzit, që nuk u binden dhe për të kryer trafiqe e të tjera veprimtari fitimprurëse. Por nëse për ta, në muhabetet e kafeneve apo në telefonatat me miqtë, banditët, që mbajnë pas quhen “të fortë“, asnjeri publikisht nuk i quan të tillë, por preferon të mos i zerë në gojë. Në vend të tyre këtë gjë e bëjnë mediat, të cilat dëshmojnë ose për frikë ndaj bndave ose se janë të lidhura kokë e këmbë me to.
Eshtë e çuditshme se si gazetarët shqiptarë e sidomos të rinjtë, që nuk lenë shprehje pa kopjuar nga shtypi i huaj dhe i përdorin edhe pa i shqipëruar, nuk përdorin shprehjet “mob”, “gangster”, “padrino”, “mafioso”, “killer” etj. etj., që përdoren në shtypin e huaj për këtë kategori njerzish.
Banditët janë banditë, kriminelët janë kriminelë dhe hajdutët janë hajdutë. Mes tyre ka kryetarë bandash, bashkëkryetarë bandash ka edhe deri në ushtarë të thjeshtë. Më e pakta, që duhet përdorur për ta, kur kanë pasur problem me drejtësinë është të thuash ‘i akuzuari për këtë krim”, apo “i dënuari për këtë krim”.  Eshtë kjo mënyra e vetme për të dhënë informacion rreth diçkaje, që ka lidhje me një njeri që ka pasur ose ka probleme serioze me ligjin dhe me shoqërinë ku jeton.

“Të fortët” janë vetëm njerzit me karakter të fortë, që sakrifikojnë për të tjerët, e që dita ditës bëhen më të pakët në Atdhe.

Sunday 18 January 2015

Ne jemi të gjithë ... Plotësoni pikat


Noam Chomsky
chomsky.info, 10 janar 2015
                Bota reagoi me tmerr ndaj sulmit vrastar në revistën franceze satirike Charlie Hebdo. Në New York Times, korrespondenti  veteran  për Evropën Steven Erlanger  e  përshkruan kështu ,  gjendjen pas asaj  që shumë e quajnë 11 shtatori i Francës , "një ditë e sirenave, helikopterëve në ajër, buletinëve  të furishëm të lajmeve; i kordoneve policore dhe turmave në ankth; e fëmijëve të vegjël të hequr nga shkolla për siguri. Eshtë një ditë, si dy të mëparshmet, e gjakut dhe tmerrit brenda dhe rreth Parisit. " Protesta e madhe në mbarë botën u shoqërua me reflektim në lidhje me rrënjët e thella të mizorisë. "Shumë e perceptojnë  si një përplasje qytetërimesh", është një titull në New York Times.
                Reagimi ndaj tmerrit të krimit ashtu  edhe kërkimi për rrënjët më të thella janë të justifikuara, kur mbajmë  disa parime të përcaktuara mirë. Reagimi duhet të jetë tërësisht i pavarur nga çfarë mendon për revistën dhe përmbajtjen e saj. Thirrjet plot pasion "Unë jam Charlie," apo të ngjashme me to, nuk duhet të kenë për qëllim të tregojnë solidarizimin me revistën, të paktën në kontekstin e mbrojtjes së lirisë së fjalës. Përkundrazi, ata duhet të shprehin mbrojtjen e të drejtës së shprehjes së lirë pavarësisht se ç’mendim ke për përmbajtjen, edhe nëse e konsideron si të urrejtëshme apo të pamoralshme.
                Thirrjet duhet gjithashtu të shprehin dënimin e dhunës dhe terrorit. Kreu i Partisë Laburiste të Izraelit dhe pretendenti kryesor për zgjedhjet e ardhshme në Izrael, Isaac Herzog, ka të drejtë kur thotë se "Terrorizmi është terrorizëm. Nuk ka dy lloje të tij ." Ai ka gjithashtu të drejtë kur thotë se:" Të gjitha kombet që kërkojnë paqe dhe liri (përballen) në një sfidë të paparë me terrorizmin - Duke lënë mënjanë këtu interpretimin e tij të përzgjedhur të sfidës.
                Erlanger e përshkruan me ngjyra të forta skenën e tmerrit. Ai citon një gazetar që mbijetoi të ketë thënë se "Çdo gjë u rrëzua. Nuk kishte asnjë mënyrë për të dalë. Kishte tym kudo. Ishte e tmerrshme. Njerëzit ulërinin. Ishte një makth. " Një tjetër gazetari i pranishëm  tregoi për një" shpërthim të madh, dhe çdo gjë u errësua krejtësisht " Skena, shkruan Erlanger ," ishte ajo e njohura e xhamave të thyera, mureve të bërë copë, trarëve të spërdredhur, bojës së djegur dhe shkatërrimit emocional . " Të paktën 10 njerëz u raportuan  të kenë vdekur në shpërthim, dhe 20 të humbur, varrosur me sa duket nën rrënojat. "
                Këto citate, si  na kujton David Peterson , megjithatë nuk janë të janarit 2015. Më saktë, ata janë nga një artikull i Erlanger më 24 prill 1999, i botuar vetëm në faqen 6 të New York Times, shumë larg pasqyrimit në të njëjtën gazetë të sulmit mbi Charlie HEBDO. Erlanger raportonte sulmin e NATO-s (që do të thotë SHBA) "me raketa mbi selinë e televizionit shtetëror serb" që "solli ndaljen e plotë të transmetimeve të Radio Televizionit të Serbisë."
                Pati një justifikim zyrtar.  "NATO dhe zyrtarët amerikanë e quajtën sulmin," raporton Erlanger, "si një përpjekje për të minuar regjimin e presidentit Sllobodan Millosheviç .", ndërsa zëdhënësi i Pentagonit Kenneth Bacon në një konference shtypi në Uashington tha se "TV serb është  po aq pjesë e makinës vrasëse të Millosheviçit sikundër edhe ushtria e tij, " duke e bërë kështu një objektiv të ligjshëm sulmi.
Qeveria Jugosllave tha se "I gjithë kombi është me Presidentin tonë, Sllobodan Millosheviç," raportonte Erlanger, duke shtuar se "Si e di Qeveria me saktësi këtë nuk është e qartë."
                Komente të tilla të hidhura nuk tingëllojnë mirë kur dimë se Franca është në zi për të vdekurit dhe bota është e indinjuar nga mizoria. Gjithashtu nuk duhet bërë asnjë hetim për rrënjët, apo pyetje themelore se kush është për qytetërimin, dhe kush për barbarizmin.
                Atëherë, Isaac Herzog gabon kur thotë se "Terrorizmi është terrorizëm. Nuk ka dy lloje të tij. " Sigurisht që ka dy lloje:. Terrorizmi nuk është terrorizëm, kur një sulm shumë më i rëndë terrorist  kryhet nga ata që kanë të drejtë për shkak të fuqisë së tyre. Në mënyrë të ngjashme, nuk ka asnjë sulm kundër lirisë së fjalës kur të mirët shkatërrojnë një kanal televiziv mbështetës të një qeverie që ata kanë sulmuar.
                Në të njëjtën mënyrë, mund të kuptojmë komentin në New York Times të avokatit për të drejtat civile Floyd Abrams, i shquar për mbrojtjen e tij të lirisë së shprehjes, se sulmi mbi Charlie HEBDO është "sulmi më kërcënues për gazetarinë në kujtesën tonë. " Ai është mjaft i saktë në lidhje me  "kujtesën tonë ", dhe me kujdes i ndan sulmet ndaj gazetarisë dhe aktet e terrorit në kategoritë e tyre të duhura: të Tyret, që janë tmerrshme; dhe Tonat, që janë të virtytshme dhe shlyhen lehtë nga kujtesa jonë.
                Ne mund të kujtojmë gjithashtu se ky ështe një prej shumë sulmeve të tjera të te Drejtëve kundër fjalës së lirë. Për të përmendur vetëm një shembull që është fshirë lehtësisht nga "kujtesa e jonë," sulmi në Faluxha nga forcat amerikane në nëntor të vitit 2004, një nga krimet më rënda të pushtimit të Irakut, që u hap me pushtimin e “Spitalit të Përgjithshëm” te Faluxhas.
Pushtimi ushtarak i një spitali është në vetvete një krim i tmershëm lufte, madje pavarësisht nga mënyra se si u krye, u pasqyrua në faqen e parë të gazetës “New York Times”, e shoqëruar me një fotografi që përshkruante krimin. Shkrimi në gazetë përshkruante se "Pacientët dhe punonjësit e spitalit u nxorrën me forcë jashtë dhomave nga ana e ushtarëve të armatosur dhe u urdhëruan që të uleshin ose të shtriheshin në dysheme ndërkohë që ushtarët ju lidhnin duart pas shpine." Krimet u raportuan si shumë të drejta, dhe  u justifikuan: "Sulmi gjithashtu mbylli atë çfarë oficerët kishin quajtur një armë propagandistike e militantëvë: Spitalin e Përgjithshëm të Faluxhas, me lumin e tij të raportimeve rreth viktimave civile “
                Eshtë e qartë se një agjensi e tillë propagandistike nuk mund të lejohet të vjellë sharjet e saj vulgare.



Saturday 17 January 2015

7 pyetje rreth 7 ideve

Rrjetet televizive amerikane po vazhdojne nonstop te flasin per ngjarjet e Frances dhe terrorizmin islamik. Flitet per aktivizime celulash te fjetura dhe e gjitha cdo dite e me teper po i ngjan nje farse te sterzmadhuar. Ne shtypin tone gjithashtu ka qendrime te ndryshme rreth disa temave, qe preken nga ajo cka ndodhi para 10 ditesh. Rreth reagimeve tek ne jane edhe pyetjet e meposhteme.

·         Thirrja e parë dhe e fundit e javës së masakrës ishte Unitet. (Përse dhe kundër kujt?) Ky ishte refreni i Hollande dhe politikanëve të tjerë gjatë asaj jave. Unitet kundër terrorizmit apo pro mbrojtjes së fjalës së lirë? Për të dyja bashkë?
·         A ishte sulmi ndaj Sharlit sulm kundër Perëndimit apo mediave perëndimore? Sulmi nuk ishte reflektim i përplasjeve ideologjike ose i dy kulturave(personalisht jam kundër teorisë të S. Huntigton)por një sulm ndaj mediave të korporatave të cilat për ditë e më tepër duket se janë në shërbim të fuqive të mëdha ekonomike. Iraku, Libia, Egjipti me gjithë vrasjet, që ndodhin përditë nuk përbëjnë më lajm. Arabët ose myslymanët e tjerë, që jetojnë në vendet e Europës Perëndimore e dallojnë lehtë këtë dhe mund të manipulohen lehtë.
·         A ishte komplot? Nuk i besoj teoritë komplotiste, se në përgjithësis hërbejnë për ata , që dinë pak, ose kanë ngathësi mendore, por ka diçka “fishy” në rastin e Sharlit. Heqja e patrullës së Policisë në muajin shtator pas tre vjetëve, që ishin mbrojtur. Planifikimi i masakrës filloi pas saj.
·         A është në luftë Humanizmi(ateist) me Fetë? Edhe pse ka pasur periudha, kur fetë e organizuara janë kthyer në të kundërt të asaj çka patur në bazë dhe janë përplasur me idealet e lirisë, që vetë I kanë predikuar nuk mund dhe nuk duhet bërë ndarje antagoniste mes Humanizmit dhe Feve Monoteiste. Humanizmi i sotëm sekular rrjedh nga mësimet fetare dhe mund të dominoë shoqërinë njerëzore pa u përplasur me to.
·         A kemi ne dasi fetare? Ne kemi njohje të përciptë të feve si shoqëri ndaj dasitë ne i kemi të përcipta por edhe të pranishme, sikundër kemi dasitë krahinore.
·         A duhet Perëndimi të kufizojë liritë e lëvizjes apo edhe të tjera për hir të sigurisë? Eshtë gabimi më i madh në këtë botë Globale, ku karakteristika kryesore janë lëvizja e lirë e kapitaleve, njerzve dhe ideve. Kriza e sotme e Europës Perëndimore nuk mund të zgjidhet me idetë e Mari Lë penit, Lega Nord apo të tjerave parti të ekstremit të djathtë. Do sjellë më shumë të varfër, të pashpresë e të dëshpëruar, që veprojnë në mënyrë të dëshpëruar dhe vrasin edhe të pafajshëm.

·         A përdoret feja si preteks për të justifikuar urrejtjen dhe luftën? Nga qarqe ekstreme fanatike islamike PO. E megjithatë kjo nuk është Luftë kulturash. Eshtë përpjekja e dëshpëruar e popujve të mbetur në varfëri dhe injorancë, të cilët rastësisht janë në një nga zonat më të pasura të botës, ku kryqëzohen edhe rrugët tregëtare dhe rastësisht janë edhe islamikë. Tek Perëndimi i krishterë ata anë gjetur fajtorët e varfërisë dhe prapambetjes dhe jo pa të drejtë. Sa për të luftuar, nuk e kanë të vështirë të vriten e të priten me njëri tjetrin, si kanë bërë gjithnjë ata që janë të shumtë, të pashpresë dhe injorantë. Sepse jaë lehtësisht të manipulueshëm. (Dhe në manipuimin e tyre një rol jo të pakët kanë Kryeredaktorët b…lëpirës të bosëve të tyre. Për fat të keq jo ata të Sharlit, që duhet thënë se ishte një revistë satirike pa asnjë peshë në Francë.)

Thursday 15 January 2015

Injoranca jonë, që shikon kudo shqiptarë




Mes karikaturave të botuara dje në numurin me tirazhin më të madh të “Sharli Hebdo” ishte edhe një e thjeshtë, që po serviret nga mediat tona, si karikaturë rreth manifestimit të klerikëve shqiptarë.
Nga që duam me çdo kusht, të jemi në qendër të vëmendjes së botës, nuk vrasim mendjen nëse klerikët e paraqitur në karikaturë kanë ndopak ngjasim me Baba Mondin, Hoxhë Yllin, Papa Andonin apo At Anxhelon.
Mesazhi i karikaturës është i qartë. Një revistë e njohur për ateizmin e saj dhe për armiqësimin me fetë kryesore për arikaturat provokuese ndaj Krishtit, Moisiut, Muhamedit, Biblës dhe Kuranit, tashmë ka gjetur edhe tek Papa dhe udhëheqësit e ortodoksisë, judaizmit dhe myslimanizmit mbështetës.
Ndaj atje duken qartë Papa me mitrën e tij, një hoxhë, një prift ortodoks dhe një Rabi. Nuk dihet as nëse autori ka patur mundësinë të shohë ecjen e klerikëve tanë në bulevardin Volter, që nuk kishte as në itenerarin e marshuesve të tjerë. Po të kishte qënë i informuar, me siguri nuk do linte pa futur edhe kryeministrin tonë Rama, si strumbullar ideor dhe fizik i mullarit me rrobat fetare. Por nëse njerëzve të thjeshtë e patriotë, që mbushin forumet shqiptare me postime rreth origjinës shqiptare të Napoleonit, Jul Qezarit apo Aleksandrit të Madh ju lejohet një ekzaltim prej injorantësh, në asnjë mënyrë nuk mund t’ju lejohet gazetave dhe sidomos atyre kryesore.

Ecja e Baba Mondit dhe të tjerëve edhe po të kishte rënë shumë në sy të karikaturistëve nuk do përbënte temë për një karikaturë, pasi artisti menjëherë do akuzohej për plagjiaturë.

Baltë mbi Enverin dhe Ermalin

Arrestimi i bujshëm i Ermal Hoxhës, ose si do e quante i mirënjohuri Petraq Bojaxhi “djal i djali sho Enver” ka nxjerrë përsëri një problem të madh të shoqërisë shqiptare-  A ka ndikim klani i Diktatorit në Shqipëri?
Pyetjet rreth familjes së madhe të Enver Hoxhës, janë bërë gjithnjë nga njerzit e thjeshtë: “Po ata të Enverit ç’bëhen?” dhe më të informuarit në Tiranë të sqaronin , që kishin biznese në emra të të tjerëve ndaj ishin “të rregulluar”. Pas ardhjes në fuqi të socialistëve, duket, që pasardhësit e Hoxhës patën më shumë mundësi biznesi. Klement Kolaneci ngriti një nga studio më të fuqishme të arkitekturës në Tiranë dhe dukej, që kishte edhe veëprimtari në ndërtim. Në atë kohë flitej për shuma që kalonin qindra mijrat e eurove, që i biri humbiste në bastet e futbollit dhe Klemi detyrohej t’i paguante. Sigurisht Shpati, Ermali, Valbona e djalli me brirë, ju përkasin më shumë familjeve të tyre se sa prindërve dhe aq më pak gjyshit e gjyshes, por nëse ekziston një Klan Hoxha me ndikim në jetën e politike dhe ekonomike të shoqërisë shqiptare, atëhere ky përbën problem për të gjithë. Jo se ndikimet e klaneve të reja Berisha, Meta etj. janë më pak të rrezikshëm, por klani i Hoxhës mund të lidhet edhe me pushtete të fshehta të ish Sigurimit, sepse ato lloj marëdhëniesh për fat të keq asnjëherë nuk u bënë të qarta për publikun shqiptar.
Reagimi i menjëhershëm i prindërve të Ermalit të bën ta dyshosh këtë. Ju rikthyen avazit të vjetër të“baltës mbi Enver Hoxhën” pa thënë se pse i intereson politikës së sotme të hedhë baltë mbi diktatorin e vdekur.
E keqja është se gjatë dy viteve të fundit dhe sidomos vjet, e Majta bëri përpjekje të hapura për “të hequr baltën” nga Komandanti, bile për të glorifikuar rolin e tij në një periudhë të pasqaruar mirë, si ajo e Luftës së Dytë, periudhë në të cilën ai me bandën e tij përfituan për të marrë pushtetin. Të dukej e çuditshme se si përfaqësuesit më të lartë të së Majtës, që pretendon se do të hyjë në Europë, dilnin në publik krahas fotove të Hoxhës ose vinin në qafë shallet e brigadave partizne, një modë kjo e krijuar në vitet ’70. Dukej e çuditshme, se edhe për efekt votash nuk bëhej. Viti elektoral është larg dhe nostalgjikët e Diktaturës sa vjen e bëhen më të pakët në numur.
A ka patur vjet një presion nga një forcë e fshehtë pro-Hoxhës për rehabilitim të tij?
Fuqia ekonomike në rritje e nipërve dhe stërnipërve të Bllokut të bën të mendosh seriozisht për të.
Duket, që baltën e hedhur këto 24 vjet mbi Enverin, pasardhësit me ndihmën e politikanëve kanë ditur ta kthejnë në flori.


Wednesday 14 January 2015

Les hommes qui passent

Vetëm Viti i Ri allaturka apo diçka më shumë?
Diçka ka nga Patricia Kaas, por në mënyrë të çuditshme edhe nga Nana Mouskuri, Elvis, si dhe Kristina Perri.
Asnjë syresh nuk është myslyman dhe as ka ndonjë lidhje të fortë me botën islamike apo me edhe me ardhjen e Vitit të Ri në atë botë. Vetëm Kreta e Mouskurit është një vend, që ka qënë për më shumë se tre shekuj nën turqit, ndërsa vendlindjet e tre të tjerëve dhe jetët e tyre nuk kanë asnjë lidhje me atë, le ta quajmë, universi islamik.
Elvis, është lindur më pranë Vitit të Ri allaturka(më 8 janar), por edhe ky përkim jo shumë i afërt nuk duket se mund të jetë vendimtar.
E megjithatë ka diçka të paspjegueshme dhe gati magjike në këtë kombinim të dy 7-ve, që sjellin për botën nën gjysmëhënën një Vit krejtësisht të Ri e të panjohur.

Dhe si ai edhe 1000 të tjerë do thoshte Nana!

Tuesday 13 January 2015

VAJZA E GJASHTE

Strehët qanë,
Jo për lindjen time,
As për të atit tim pikëllim,
Po se ngrohtë ishte atë dimër.
S’bënte acar,
            Nuk binte borë,
                        S’frynte thëllim.
I rrallë gaz,
Në një stinë tjetër,
Po më përcillnin tek i blerti jaz.
Do lija fshatin dhe strehën e vjetër,
Do shkoja larg në botën plot drita,
Edhe pse vetëm gjashtëmbëdhjetë.

Nuk ishte pranvera që lashë,
Tek fshati me jazin e blertë.
Shpirti më mbeti varur degës së kajsisë.
Në dhomat luks, që grilat i mbajnë errët
I brishti trupi im i xhveshur dridhet,
Përreth asgjë s’i ngjan shtëpisë.

Shpatullat jashtë,
S’mund të valëvit mjerimin tim,
Unë vajza e gjashtë.
Drejt rrugës tretet i imi vështrim,
Asnjë rrotë pranë meje s’ndalet.
Eshtë acar,
            Bie borë,

                        Fryn dhe thëllim.

Monday 12 January 2015

4 klerikë në Paris ose Marshon Shqipëria Tolerante



Marshimi i 4 klerikëve tanë në Paris, entusiazmoi jo vetëm Ramën, që kishte ideuar dhe paguar marshimin e tyre(me paratë e taksapaguesve), por edhe mediat shqiptare, si ato profesionale dhe më shumë akoma socialet. Shqiptarët u ndjenë krenarë, që “Shqipëria ishte vënë në piedestal”(sipas Ramës) apo , që “i kishte dhënë leksion gjithë botës” (sipas një ministri dhe disa gazetave).
Nuk dua të ndalem në anën emocionale, që na krijon shfaqja e flamurit tonë ose njerzve tanë të shquar në televizionet e huaja. Eshtë një sjellje foshnjarake e gjithë popujve të vegjël, të varfër edhe të prapambetur. Për një çast mendojmë se jemi jo vetëm të barabartë me të tjerët, por edhe të rëndësishëm sa mund të japim leksione!
Ecja për krahu e katër klerikëve tanë, më krijoi një tjetërlloj ngazëllimi, për të cilin të them të drejtën nuk jam shumë krenar. Mbase e gjithë fëmijëria dhe rinia me përbuzje ndaj rasove dhe dollomave akoma reflekton në reagimin tim ndaj tyre. Mbase edhe nga mungesa e plotë e respektit për një pjesë të klerikëve, që kam njohurpas ‘90. 4 udhëheqësit tanë fetarë mu dukën si katër të dehur, të zënë për krahu, që nuk dinin se pse tamam tamam ishin aty. E megjithatë e theksova, që nuk jam krenar për atë ç’ka ndjeva.
Megjithatë, më ra në sy se edhe ata, që thërrisnin parrullën “Marshon Shqipëria Tolerante” qofshin politikanë, gazetarë apo njerëz të zakonshëm, nuk përmendnin në asnjë vend emrat e tyre. Duket se atje kishim 4 manekinë me rroba fetare, të cilët nuk anë as emra, as personalitet dhe as ndonjë veprimtari të shquar për Shqipërinë apo për komunitetet e tyre. Ishin vetëm thjesht 4 valltarë popullorë të përqafuar me dashuri nga Udhëheqësi, që i solli në Paris.

Perëndia më ndjeftë!

Sunday 11 January 2015

Shfaqja e Solidaritetit dhe Periferia e Parisit



Dua ta shikoj me sytë e një të riu franko-algjerian, apo franko-maroken apo edhe franko-shqiptar, që jeton në Klishi- su-Bua (Clichy-sous-Bois) manifestimin e sotëm të solidaritetit me viktimat e javës , që kaloi dhe sidomos me gazetarët e Sharli Hebdo.
KLishi-su-Bua është një nga rrethinat më të varfra të Parisit, e përbërë thuajse e gjitha me emigrantë, ku gjallon krimi dhe policia thuajse nuk hyn kurrë.
Sigurisht, që ka tv në baret e pisët të lagjes dhe emigrantët(shumë prej tyre me precedentë penalë) shikojnë se si marshojnë të kapur përkrahu të fuqishmit e kësaj bote duke filluar me Merkel, Holland, Kameron, Rahoy e duke përfunduar me Sergei Lavrov, Bibi Netanjahu apo edhe Antonio Samaras.
Kanë fluturuar nga shumë kryeqytete të botës, me dhjetra antarë delegacionesh, trupa sigurimi dhe gazetarë, për një marshim solidariteti, që e quajnë ndaj “qytetërimit europian” dhe vlerave të tij.
Janë million e milona euro të hedhura, që mund të shërbenin për të përmirësuar jetën në Klishi-su-Bua.
E megjithatë të fuqishmit e kësaj bote, zgjodhën jo të bënin marshime në kryeqytetet e tyre, përkrah gazetarëve të tyre, por zgjodhën një shfaqje, që në shumë aspekte të kujton një lloj karnevali.
Bëhet për të treguar Unitet?
Po a e cënoi unitetin e njerëzve të qytetëruar sulmi mbi Sharli Hebdo?!
Bëhet për t’i treguar Al Keidas dhe ISIS, që ne jemi të fortë?
Po a nuk kemi 15 vjete më tepër që e kemi treguar me armë këtë?!
Bëhet për nder të viktimave të Sharlit?
Po a nuk mund të ishin shpëtuar gazetarët duke mos hequr rojet në shtator?!
Një emgranti të varfër të Parisit, që nuk gjen dot punë, se në lagjen e tij të Klishi su Bua, papunësia është mbi 30%, ky marshim i duket marshimi i njerëzve të pasur e të fuqishëm, për të dëshmuar, që asgjë s’ka për të ndryshuar. Sigurisht ai do zgjedhë shpërndarjen e drogës, vjedhjen e deri sa të përfundojë edhe në të ashtuquajturin “luftëtar i lirisë“, për të mbyllur duke vrarë dhe duke u vrarë, ekzistencën e tij të mjerë.




Saturday 10 January 2015

Bota Islamike dhe Mediat e huaja

Tragjedia e djeshme në Paris, nxjerr në pah një problem të madh, që ekziston në botën e sotme. Raportet e njeriut të shtypur me Mediat zyrtare ose të themi me ato më të fuqishmet.
E përjavshmja “Sharli Hebdo” nuk hynte në kategorinë e organeve të fuqishme të medias, gjë që mund të ketë ndikuar në “vendimin” për ta lënë pa mbrojtje 3 muajt e fundit, por ky nuk është objekt i këtij shkrimi.
Eshtë perceptimi, që kanë popujt e prapambetur dhe të vuajtur, për vendet e fuqishme dhe të zhvilluara, si edhe median, që e quajnë pjesë të tyre.
Të mësuar me vendet e tyre dhe regjimet e tyre autokrtike, njerëzit e thjeshtë, që jetojnë në këto vende nuk arrijnë të kuptojnë se gazetat e revistat e një vendi të madh e të zhvilluar nuk kanë të bëjnë aspak me qeverinë e batyre vendeve. Revista satirike të tipit “Sharli Hebdo” janë një gjemb për vetë qeveritarët, të cilët jo se janë mësuar të qeshin me karikaturat e mprehta ndaj tyre, por janë të detyruar të reagojnë në heshtje, sepse ky është rregulli i pranuar në ato shoqëri. Për shembull në vendet me shtet “hibrid” dhe shoqëri të prapambetura si vendet e Ballkanit, revista të tilla nuk do ekzistonin ose do ishin objet persekutimi nga forcat qeveritare por edhe individët, që prekeshin. Gazetarët dhe karrikaturistët do ishin viktima, jo të vrasjeve, por të goditjeve , fyerjeve apo edhe proceseve penale.
Le të kthehemi në vendet islamike si dhe në mbështetësit e tyre, që jetojnë brenda shoqërive Perëndimore.  Nuk është e vështirë të njehsosh satirën dhe humorin me talljen. Sa më të thjeshtë dhe sa më pak të lexuar të jenë njerzit, aq më pak e kanë të zhvilluar ndienjën e humorit dhe sidomos autoironinë. Në shoqëritë e prapambetura ndjienja e të bërit qesharak në sytë e komunitetit dhe aq më shumë të gjithë qytetit apo vendit është një ndienjë shumë e fortë, që jo rrallë shpie në tragjedi. Ende sot ka burra, që vrasin gratë se i lenë ose i kanë tradhëtuar, ka baballarë, që rrahin ose dhe vrasin vajzat se kanë të dashur një të një feje tjetër e të tjera raste si këto. Përballja me komunitetin e tyre injorant dhe turpi se janë kthyer në objekt bisede apo talljeje shpie në veprime nga më absurdet. Arabët, që jetojë në Francë, Itali apo Angli edhe po të jenë  të lindur atje, nuk kanë se si t’i shpëtojnë kësaj ndienje të fortç dhe shpesh herë vetshkatërruese. Një pjesë e mirë e tyre ju përkasin getove, ku punësimi dhe shkollimi janë të cunguar dhe ku prej 11 Shtatorit është shtuar survejimi dhe frika. Për më tepër ata kanë 14 vjet , që përballen me aksione absurde ushtarake në Afganistan dhe Irak, që kanë sjellë shkatërrimin e plotë të këtyre vendeve dhe humbjen e sa e sa jetëve.
Por ka edhe një rol negativ të Mediave të mëdha, të cilin nu ka se si mos e venë re arabët dhe gjithë islamikët e tjerë që jetojnë në Europën Perëndimore. Ka një heshtje totale prej disa vjetësh nga këto media për Irakun dhe Afganistanin. Vërtet njerzit mund të informohen nga burime të tjera, por tashmë për stacionet e mëdha televizive apo gazetat kryesore, ata që vriten çdo ditë në Irak dhe Afganistan nuk përbëjnë më lajm. Kjo nuk jus hpëton atyre , që vijnë nga këto vende apo janë të interesuar për to.
Po kush përfiton nga e gjithë kjo?
Sigurisht ekstremistët.
Në botën islamike ka plot fanatië, të cilët kanë një urrejtje të thellë për Perëndimin dhe janë në gjendje, që nga gabimet e rënda të Perëndimit të rekrutojnë dita ditës viktima. Këto viktima të rekrutuara mes të rinjve, që ndjehen të fyer, të poshtëruar, të persekutuar mund të nisen lehtësisht të luftojnë e vriten në Siri për diçka, që as ata vetë nuk e dinë se ç’është, mund të hedhin veten në erë me plot të pafajshëm të tjerë rrotull, ose mund të veprojnë si vëllezrit Kuashi, e të shkojnë e vrasin gazetarë të pafajshëm.
Unë nuk mendoj, që sulmi ndaj Sharlit është sulmi ndaj Medias apo ndaj fjalës së lirë.
Po të ishte i tillë, do kishin zgjedhur një institucion më të dëgjuar dhe më të rëndësishëm, nga ata të lidhur me njëmijë fije me korporatat dhe qeveritë.
Sulmi ndaj Sharlit është sulm i njerëzve injorantë e të dëshpëruar, që ndjehen se ju kanë marrë gjithshka dhe nuk kanë se ç’humbasin, ndaj le të ndëshkojmë ata , që na tallin.
Eshtë një sulm burracakësh ndaj të pambrojturve, por rrënjët e tij jnë më thellë se karikaturat dhe islami. Ka të tjerë burracakë, që lehtësuan sulmin ndaj “Sharlit”. Dhe këta janë pjesë e Shërbimeve Sekrete, që veprojnë pas interesave të grupeve të fuqishëm ekonomikë dhe shtetërorë.
Kjo spjegon edhe një lloj histerie anti-islam në gjithë mediat gjatë këtyre ditëve e që do shoqërohet me ndryshime ligjore, që kërkohen nga partitë konservtore në këto vende.


Thursday 8 January 2015

Sharli Hebdo dhe prapaskenat e mundshme të një atentati të paralajmëruar

12 gazetarë, karikaturistë dhe njerëz të tjerë të pafajshëm u vranë dje në një operacion, që dukej I kryer nga ushtarakë-terroristë. Shumica e mediave e quajnë si një sulm ndaj fjalës së lirë duke vënë përballë njëri tjetrit parimet e shoqërisë të qytetëruar dhe të shoqërive të prapambetura apo në këtë rast të asaj islamike.
Ka diçka, që nuk shkon në urrejtjen e nxitur nga Al-Kaeda dhe xhihadistët e tjerë dhe në realizimin e këtij atentati barbar.
Ishte i paralajmëruar.
3 vjet më parë, redaksia e gazetës(në një ndërtesë tjetër) ishte hedhur në erë nga një bombë, por fatmirësisht nuk kishte patur të vrarë. Kryeredaktori i saj ishte vendosur në 10 më të kërkuarit “gjallë a vdekur” nga Al Kaida dhe një trupë policore kishte rreth dy vjet, që ruante ndërtesën ku ishte redaksia e gazetës, por dis muaj më parë, kjo trupë ishte hequr nga shërbimi edhe pse rreziku I tentative me burim frymëzimi xhihadist, ishte shtuar vitin e kaluar në Francë.
Si është e mundur, që një skudro e tillë, të planifikojë dhe të ekzekutojë pa panik një plan kaq të saktë në zemër të Parisit?
Të kujton diçka nga përzjerja e Shërbimeve Sekrete në Itali në atentatet e ekstremit të djathtë në vitet ’70. Ndoshta jam tërësisht i gabuar, por diçka, që nuk mban erë të mirë ka në këtë tragjedi në kohën e krizës europiane dhe të fuqizimeve të lëvizjeve të ekstremit të djathtë.
Nuk dua të hyj në sërën e besimtarëve të teorive komplotiste, por sulmi ndaj një të përjavshme të majtë, pa ndonjë peshë në jetën e shtypit francez apo europian, duket në mos i organizuar nga qarqe të fuqishme në Francë, i lehtësuar me mbyllje të njërit sy për të patur të tjera përfitime politike më vonë.
Si gjithmonë viktimat jnë më të pafajshmit.

Paqe mbi shpirtrat e njerëzve të ndershëm e që besojnë në e mira!