Tuesday 30 December 2014

Ne Barin me njerez


Njerëz,
Që kërrusen,
Dhe mbi tavolina çikin hundët e njëri tjetrit.
Vetëm për të shtyrë
Edhe një ditë më shumë
Të ekzistencës së tyre të përkulur.
Të lumturuar,
Ndërsa dikush i fuqishëm
Ju prek lehtë parakrahun
(Fuqia e magjishme e prekjes)
Dikush, që prej qiejsh imagjinarë
Në botën e tyre është ulur.
Dua t’i shkund,
T’ju thërras,
Se sa shumë kanë e nuk i dinë.
Shumatore energjish pa kufi,
Universe mrekullisht të krijuar.
Po s’mund,
Edhe këtë e di,
Me sytë e ndarë nga hundët e tyre,
Do më shohin si të shkalluar.
Ngrihem e dal nga Bari,
Nuk dua të shoh më gëzimin e tyre mjeran.
Në kalldrëmin e lustruar
Edhe prej gjunjve të tyre,
Shoh hijen time të shtrembëruar
Që të njëjtin trishtim mban,
Atë të ditës,

Kur jam larguar.

Monday 29 December 2014

Mbledhjefobia (2)

(vijim)
Problemi më i madh është se unë “kam problem” jo vetëm me mbledhjet klasike me sallë të mbushur dhe presidium, por edhe me mbledhjet me sallë joplot dhe presidium, si dhe me ato vetëm me një folës në podium me sallë të tejmbushur, gjysëm të mbushur apo edhe gati bosh. Të njëjtën ndjesi më sjellin mbledhjet rreth një tavoline, ku ka edhe një rrjesht me njerëz të ulur pas në karrige, pavarësisht nëse vendi im do jetë pranë tryezës apo në karriget pas murit.
E vetmja mbledheje, që mund ta gëlltit është rreth një tryeze të rrumbullakët dhe pa rrjesht të dytë me karrige pas. Pak a shumë një lloj takimi i kalorësve të tryezës së Mbretit Artur. Por që të bëhesh “kalorës” duhet një stazh i gjatë në qindra e qindra mbledhje me presidium dhe pa presidium. Në se ke frikë nga mbledhje të tilla , atëhere është afërmendsh, që nuk përfundon dot në ato, të cilat nuk të trembin.
Po le t’i kthehemi me mendje llojeve të mbledhjeve ku nuk kam dashur të shkoj, atyre ku kam dashur dhe nuk më ka ftuar njeri dhe atyre ku nuk më kanë ftuar edhe pse nuk kam dashur. Po I kthehem vetëm kohës të ashtuquajtur normale, që filloi pas vitit 1991, për të mos u marrë me kohën anormale të Diktaturës, që si e tillë s’kishte se si të kishte edhe mbledhje normale.

Atë vit filluan mbledhjet e para me karakter politik, në të cilat nuk të detyronte njeri të shkoje. E vetmja mbledhje politike me presidium e vitit 1991, në të cilën mora pjesë, ishte ajo e 22 shkurtit, ku do flisnin përfaqësues të PD-së rreth programit të tyre. Isha kureshtar të dëgjoja të ardhurit nga Tirana, se vendasit i njihja dhe nuk shpresoja se do më theshin ndonjë gjë, nga e cila mund të kuptoja vlerën e forcës së re politike. Për fat të keq, me përjashtim të disa pjesëve të fjalës së Genc Rulit gjithshka ishte si në mbledhjet, që më kishin shtënë frikën, prej fjalës së atyre në presidium e derinë ndërprerjet e fjalës së tyre nga thirrjet “Rroftë Partia Demokratike”. Atë ditë nuk mendova shumë rreth mbledhjefobisë sepse përpara ishte shpresa e ndryshimeve dhe bukuria, që sjell shpresa e përzjerë me të panjohurën.
(vijon)

Sunday 28 December 2014

333 të vërtetat e asaj kohe

Debati me “agjent i Sigurimit” dhe “njeri i afërt me Sigurimin”, ndërmjet Kadaresë dhe Nasho Jorgaqit, s’di pse më solli ndërmend librin “Agjenti 333”. Nuk e kujtoj as se kush e ka shkruar. Di vetëm, që kam dashur shumë ta mbaroj dhe asnjëherë nuk i shkova dot deri në fund, se ishte në shtëpinë e njeriu të afërm, i cili nuk ma linte ta merrja me vete. Në bibliotekën tonë, tani më kujtohet, që nuk kishim asnjë libër policor veç “Qeni i verdhë“ të Zhorzh Simenonit. Nuk di nëse kjo vinte nga përbuzja, që kishte babai për njerzit e Ministrisë të Punëve të Brendshme, apo se edhe në fëmijëri nuk e kishin tërhequr romanet policore. Ai permendte Sherlok Holmsin dhe Megrenë, si edhe Arsen Lupenin, por thuajse kurrë Agata Kristin. E megjithatë filmat policorë, bile edhe ata serialë amerikanë në tv i ndiqte me vëmendje.
Mua më tërhiqnin si çdo fëmijë dhe adoleshent, por duke nisur nga “Rrethi i Kuq”, “Vendi i fshehtë në Elbë“ e deri në “Foleja e grerave” ose i huaja në shokët ose i merrja në bibliotekë. Nuk di se në ç’vit është botuar “Mërgata e Qyqeve”, por nuk kam kërkur ndonjëherë ta lexoj. Mbase i takon periudhës së përfundimit të së mesmes, ose më vonë, kur interes ngjallnin më shumë klasikët ose shkrimtarët e brezit të humbur. A ndoshta kam patur bezdi nga stili monoton i Nasho Jorgaqit, në të vetmin libër të tij për Fan Nolin, që kishim në shtëpi. Rreth tij nuk kam ditur kurrë asgjë, se duket, që babaj nuk e ka njohur. Atë kohë, në përgjithësi antarët e Lidhjes së Shkrimtarëve njiheshin me njëri tjetrin ose dëgjonin “meselera” rreth veprave apo “bëmave” të njëri tjetrit. I përkisnin një “klubi” të madh, atij të Letërsisë dhe Arteve.
Por ajo, që më bie në sy në këtë debat(aspak të fisëm), si dhe në shumë shkrime rreth asaj kohe, është, që ka thuajse aq të vërteta sa ka pasur edhe shkrimtarë dhe artistë. Gjen shumë pak pika të përbashkëta në kujtimet e ngjarjeve, sa të duket se ata vetë(por edhe ne) kemi jetuar në kohë të ndryshme. Më tepër se spërdredhjet e Nashos dhe Ismailit, për ato, që kanë ndodhur mes tyre, jo në praninë e njerzve të tjerë, më ra në sy një thënie e Fatos Arapit, i cili i pyetur nga Jorgaqi, nëse Drago Siliqi i kishte thënë apo jo, që Nasho Jorgaqi ishte spiun, i përgjigjet “Nuk mbaj mend, mos më ngatërro mua me këto gjëra!”
Si është e mundur, që një poet tetëdhjetë e ca vjeçar, emri i të cilit zihet në gojë si dëshmitar nga Kadareja të mos prononcohet publikisht, nëse është e vërtetë apo jo ç’ka thotë shkrimtari ynë më i madh?
C’djall poeti dhe njeri i letrave është?
Këtu nuk është fjala për “cili bëri dashuri dhe me kë“ dhe nuk mbaj mend. Këtu bëhet fjala për një akuzë të rëndë, midis kolegësh e miqsh të letrave, që nuk mund të harrohet kurrë, ose dhe nëse është harruar, ka nevojë për prononcim të menjëhershëm publik, të të gjithë të përmendurve.
Si mund t’i besosh veprat e këtyre njerëzve, që nuk kanë pikën e respektit për të vërtetën?
Unë jam i prirur të mos i besoj Jorgaqit. Ai përmendet si denoncues i Gaqo Pecit, në librin me kujtime të këtij të fundit.
Gjithashtu, deformimet e qëllimshme të shumë ngjarjeve të asaj kohe nga Kadareja, i kam vënë re në shumë shkrime apo intervista të tij të 20 viteve të fundit.
Por ajo, që më shqetëson më shumë se angazhimi në shërbim të Partisë apo të Sigurimit i Nasho Jorgaqit, Teodor Laços, Diana Culit, Bardhyl Londos, Preç Zogajt apo dhe shumë të tjerëve është heshtja apo tregimi i ngjarjeve të asaj kohe, që lidhen me censurën, presionet e partiakëve apo dhe me Ministrinë e Brendshme në mënyra nga më të ndryshmet.
Sa të vërteta ka? 333 apo më shumë?

A janë këta njerzit, nga vepra e të cilëve duhet të mësojnë fëmijët në shkolla?

Dimër

Një dimër pa të ftohtë
Dhe ku nuk të bezdisin arinjtë polarë në tv;
Dëbora i ngjan një mielli me krunde;
Që të ul kolesterolin;
Nuk di ku ndodhesh ti.
Në një plazh akujsh,
A në një krater të shuar.
Unë sharroj palmat e tharra,
(Nuk di pse e dua si djep arkivolin)
Me një sharrë elektrike,
Që dridhet
Dhe me zor e mbaj në duar.
Një dimër pa netë,
Dhe pa shkëlqim dritash mbi stalaktite,
Me ndjenja pështjellë letra shumëngjyrshe
Të grisura dimrit , që shkoi.
I mbetur vetë
Në një hapësirë ku duket gjithshka
Qartë,
Tmerrësisht qartë
Dhe të vërtetat e saj nuk mund t’i tregoj.
Një dimër pa fshika në buzë,
Dhe plot shënime të lëna në mes,
Me portrete fëmijësh me buzë të fshikura
Dhe keqardhje të kthyer në kartmonedha
Futur në një zarf të njollosur të ndërgjegjes,
Që dita ditës vdes,
Nga frika,
Më tepër se nga shpresat e fikura.
Poshtë është qielli,
Po aq sa është sipër.
Me krahë nuk mund të përqafoj veten,
Ti je larg

Dhe është dimër.

Friday 26 December 2014

Kulla


I ngritën disa qipariza.
Sheshit?
Jo,
Mbase diellit të së Vërtetës,
Për ta futur në një manastir vetmie
Ku të lusë idhujt e artë.
Pranë nuk ngritën Kryqin e dhimbjes,
Por një sarkofag betoni,
Për të na kujtuar se
Liria e Mendimit
Ka 70 vjet e vdekur.
Na thanë “Ditën nuk duket qartë.
Do prisni natën
Ta shihni të madhërishme,
Nën dritën e mekur.”
Por unë u ngrita,
Si argati i një shekulli më parë,
Që për punë prêt
Tek e Shën Gjergjit avlli
Dhe e di se prêt më kot.
I çirrem Kullës:
“Mos ma merr edhe atë,
Të Perëndisë dritë,
Atë të cilën nuk ma jep dot!”
Por sarkofagu më prqesh,
Me një të kuqe gjuhë,
Që kryes i kanë vënë.
Shpirtrat e esnafëve të Pazarit
Nga larg mërmërisin:
“Ikë në shtëpi bir,
Kështu qe e thënë!”


Thursday 25 December 2014

C’do ndodhë me ne?



Ne nuk kemi të bëjmë
Me rrotullimin rreth diellit
Me solsticet,
                Ekuinokset,
A pikën ku ngrihet atë ditë lëmshi i zjarrtë.
Nuk kemi përse të ngremë përmendore,
A të gdhendim emrat qartë,
Në të paprishme materie
Që në mijra vjet dikush ta gjejë,
Të përulet para saj,
A të bëjë  me të, çka i vjen dore.
Ne çastin tonë e zgjatëm,
E nderëm,
                E tejçuam,
E përzjemë me dashuri.
Nuk patëm frikë nga koha,
As u morrëm me ndrimin e viteve.
Të dlirë e të etertë u ndjemë,
Të prehur në pafundësi.
Një copë qiell na mjafton,
Dy tingëllima,
                Një melodi e re,
Dhe puthja e gjatë që larg na çon
Naj spyesim:
-C’do ndodhë me ne?

               



Wednesday 24 December 2014

E tha dhe i Madhi!


 -Si o si?
-E tha dhe i Madhi.
-Cili i Madh? I Madhi fare o Rama?
-Po. Ja u mbylli gojën të tërëve.
-Po si e tha?
-Ata që janë të sëmurë nga revizionistët sovjetikë të vinë të shërohen në Kulla.
-Akoma ka revizionistë sovjetikë? Bashkimi Sovjetik sikur kaput?
-E po Rusi o njesoj është. Neosllavizmi.
-Po si do shërohen në Kulla?
-Do hipin në Kullë dhe do shërohen.
-Dhe po të shërohen të tërë ç’do bëhet?
-Po ja u tha me të tallur. Me ironi.
-Unë përsëri nuk e kuptoj.
-E shanin shumë vetë Kullën?
-Po e shanin.
-Ata , që e shanin janë revizionistë sovjetikë, prandaj ta mbyllin gojën!
-Po me Kullën ç’do bëhet?
-Galeri arti. E tha i Madhi! Bukuria është më e mirë edhe se Buka.
-Po ç’hyn këtu Buka?
-Ka kuptimin, që me lugë bosh mund të ngopesh, po të jetë luga e bukur.
-Luga është Kulla?
-Jo në mënyrë figurative. Si tha atëhere ai i Madhi: Edhe bar, do hamë po të jetë i bukur!
-Cili i Madh? Saliu?
-Jo. Enveri.
-Po Zogu nuk ka thënë ndonjë gjë?
-Vetëm atë të opingave di të atij.
-Që do merrni opingën e Sheros?
-Jo. Atë që do mbathim opingat dhe do i qepemi kodrave e maleve e t’i bëjmë pjellore, si edhe fushat.
-Dhe do i vrojtojmë nga Kulla?
-Ala ke Kulla ti?



Tuesday 23 December 2014

Kujtim për dikë, që nuk e kam njohur.




Naum Andon Mara ishte gjyshi im, emrin e të cilit e trashëgoj të plotë, ashtu si edhe ai e kishte trashëguar të plotë nga gjyshi i tij.
Kam dëgjuar të flitet shumë për të, sa më duket sikur e kam njohur. Ndoshta edhe pse një foto e madhe e tij me gjyshen, zinte gjithnjë vendin më të mirë në shtëpinë tonë.
Ka 77 vjet, që është larguar nga jeta dhe kishte hyrë në të 145 vjet më parë. Si Naum Andon Mara në Dushar të Oparit. Disa vite më vonë e gjithë familja ishte çvendosur në Voskopojë.
Ishte një njeri nga ata, që i quajnë “self-made”, se kur ishte 9 vjeç i jati e kishte marrë ta ndihmonte në Stamboll dhe dy vjet më vonë ishte i detyruar të mbante familjen me të holla, se i jati i vdiq.
Kishte mësuar të shkruante dhe lexonte mirë greqisht dhe turqisht, sepse i pëlqente të dinte se çndodhte në Turqi, por edhe në botë. Djemtë e adhuronin, si njeri, që donte zhvillimin, shkollimin, mirëqënien dhe të bukurën dhe të drejtën. Duhet të ishte dikush, që e meritonte adhurimin.
Njoh çdo tipar të fytyrës së tij, por nuk e kam dëgjuar kurrë të flasë.
Nuk mund ta quaj mall ndienjën, që kam për të.
Mbase krenari.

Krenari per njeriun, nga i cili kam marrë emrin e plotë.

Monday 22 December 2014

Marshon Shqipëria Socialiste


 Në kët vend, për herë të parë kam parë nëvitin 1965 shokët kinezë Cu En Lai dhe Cu De, që të shoqëruar nga shoku Mehmet Shehu dhe disa shokë të tjerës udhëheqës në rreth ecnin mes duartrokitjeve të turmave, që mbushnin dy anët e bulevardit, që atë kohë quhej “Lenin”. Jetoja në një apartament, dritarja e dhomës së ndenies të të cilit shihte pikërisht këtu ku janë marrë në foto shokët e Rilindjes së shekullit të XXI.
Tregonin më vonë, që mes turmave, që i kishin nxjerrë për të pritur delegacionin kinez, ishte dhe orkestra frymore e qytetit, që atë kohë kishte dirigjent Guri Trebickën. Sa dukej në rrugën, që vinte nga Maliqi, ndonjë makinë, njerzit që kishi disa orë , që prisnin thërrisnin “Erdhën!” dhe dirigjenti i gjatë nrinte lart duart e tij  dhe banda niste akordet e para të një marshi. Parrulla Erdhën! u përsërit disa herë dhe ndoshta kur vërtet arritën shokët kinezë, orkestrantët(shumica e tyre të komunitetit egjiptian) i kishin mushkëritë e lodhura dhe nuk ekzekutuan në nivelin e tyre më të mirë. Megjithatë, pritja ishte entuziaste dhe shumë njerëz kishin dalë edhe për të parë kinezë të vërtetë, që deri atë kohë i kishin parë vetëm nëpër filma.
Që prej 50 viteve më parë dhe më vonë, në atë copë të shkurtër bulevardi kam parë me dhjetra herë të kalojë sho Enver, i shoqëruar nga partiakë të tjerë të ngazëllyer. Në vitet ’60 me kapele republikë, më vonë me një kasketë tip Mao Ce Dun  dhe dy hapa më pas shoqëruesi i tij Behari nga Skrapari.
Fotja e pardjeshme, për fat të keq më ngjall të njëjtat kujtime të asaj periudhe të errët.
Udhëheqësi i shoqëruar nga zëvendësi i tij i qeshur dhe partiakët e rrethit të lumtur, që ecin në një hap me Komandantin. Më pas bodigardi i tij. Më i ngazëllyeri duket një mësues rrumbullak historie, që nuk di asgjë nga historia, por është i lumtur, se duke ju shërbyer udhëheqësve, mund të dalë në pension si drejtor muzeu.

Marshon Shqipëria Socialiste!

Sunday 21 December 2014

Pse Ballist Morina duhet të shpallet Njeriu i 2014


Kam një simpati të veçantë për Ballist Morinën. Jo aq për patriotizmin e tij, por për përkushtimin dhe idealizmin.
Në të gjithë botën shqiptare, të mbushur me gjoksrrahësa dhe përbetuesa për Flamurin e Atdheun, Morina është i vetmi njeri i veprave pa asnjë interes, bile edhe me rrezikun , që të paguajë me heqje lirie apo edhe me jetë. U mor për disa kohë dhe shpenzoi nga xhepi i tij, për të bërë diçka të paharruar për vendin e tij dhe tifozët shqiptarë të futbollit.
Shumë mund ta quajnë edhe të marrë, por pikërisht nmarrëzia qëndron në idealizmin e tij. Na bëri të ndjehemi krenarë për vendin tonë!
Por Ballist Morina duhet të shpallet Shqiptari i Vitit 2014, jo vetëm se ajo, çka bëri me dronin e tij në Beograd ndodhi në vitin 2014, por se gjithshka bëri është e këtij shekulli. Jo vetëm teknologjia me dron, por filozofia e tij e shakasë-provokuese, e humorit paqësor është e kohës dhe aspak luftënxitëse.
Ata, që e interpretuan si provokim të rëndë apo luftënxitës, janë njerëz, që i përkasin ende kohës së Luftrave Ballkanike. Po pranë asaj kohe janë ata , që u ekzaltuan dhe ishin gati të niseshin edhe në luftë kundër sërbëve!
Ballkani ka nevojë për njerëz të ndershëm, paqedashës dhe me humor si Ballist Morina!

Pët ri vënë fre pseudo-patriotizmit të politikanëve hajdutë

Përroi

Kur do arrijmë në të qetin lumë?
Më pyet
Edhe pse uji i ftohtë,
Nga valët perçeshkumë
Të përroit
Brimave të fytyrës të hyn
Dhe atje mund të të mbajë përgjithnjë.
Atje,
Se ti nuk di not,
Dhe krahët nuk të mbajnë më.
Unë lumin pata premtuar,
Të qetin e të avashmin Nil,
Ku mijra vjet ujrat shkojnë shtruar.
Premtova,
Kur të thashë:
-Dil!
Eja me mua në të vërtetën botë,
Atë që shpaloset në fund të përroit,
Përroit të vrullshëm
Që poshtë zbret.
Vështrove humbshëm:
-Po unë s’di not!
Me mua do mbytesh
Ikë të lutem!
Më kot më prêt!
Por si i marrë në ujë të shtyra,
Të dy qafuar teposhtë vamë.
Të dy,
Të qullur,
                Brinjëdërmuar
Uji na shpije anë më anë.
Qafës rrethuar
Ti mi mban krahët,
Më puth,
Nuk trembesh,
As kur kam gjumë.
Përroi shket po aq rrëmbyer

Një ditë do derdhet në të qetin lumë.

Saturday 20 December 2014

3016 km nen rrena (nderkrerese mes XII e XIII)

Ndërkrerëse mes kreut
Të dymbëdhjetë e të trembëdhjetë



            Shtrati i fortë u tund. Një dorë kishte kapur supin e Naim Hanës dhe e lëvizte me shpejtësi. Nga shtrati tjetër vinte e gërrhitura e fortë e Naun Bajutit.
            -Cke Kol?
            -Mos e beso atë. Bën shumë pyetje dhe flet me kode.
            -Kush?
            - Shëëëëttt…mos e ngri zërin. Nuk e besoj edhe kur gërrhet! Këtu përgjohemi.
            -Përgjohemi nga kush?
            -Nga lart dhe nga ai. Prandaj flet me kode.
            -Kush flet me kode?
            -Nuk e dëgjove? Nuk i kuptohet asgjë. Duhet të arratisemi!
            -Të arratisemi? Si?

            -Mos ngri zërin se dëgjojnë! Përgjohemi.

A ja vlen të merresh me një artist të dështuar?

Ja vlen, kur ai është njeriu më i votuar në Shqipëri.
Kryeministri Rama, ka deklaruar, që “ata, që kanë sharë Kullën Vrojtuese në Korçë, të vijnë e ta vizitojnë, për të pastruar shpirtin nga gjurmët e tmerrshme të estetikës sovjetike.” Sigurisht nuk vlen kjo për qytetarët e qytetit tim, se ata jetojnë atje dhe sipas Ramës duhet tashmë ta kenë bërë “Kullëterapinë“, por për njerëz të tjerë, që jetojnë jashtë Korçës dhe e kanë kritikuar në shtyp apo në mediat sociale Kullën. Kryeministri nuk ka dhënë detaje nëse për udhëtimin kurues fondet do përballohen nga Kryeministria, nga Bashkia e Korçës apo nga vetë të sëmurët.
Por përse më duhet ti përgjigjem kryeministrit shqiptar rreth deklaratës së tij. (Për hir të së vërtetës, nuk kam lexuar deri më sot asnjë arkitekt apo urbanist shqiptar të shkruajë në shtyp në favor të Kullës. Duket, që të sëmurë do e kenë ndërgjegjen edhe arkitektët rrotull Ramës.)
Deklarata është arrogante dhe një përpjekje për të denigruar dhe për tju mbyllur gojën njerëzve, që kundërshtojnë projektet , që kanë bekimin e tij.
Dhe pikërisht këtu, më shumë se në faktin e kryer në Korçë, qëndron rreziku i një deklarate të tillë.
Rama nuk tregon asnjë lloj fleksibiliteti apo përfillje të opinionit të specializuar apo jo rreth ndërtimeve me rëndësi që janë duke u bërë(apo në projekt)në qytetet e Shqipërisë. Atë, që ai e quan rilindja urbane e qyteteve. Ekziston rreziku, që shijet e tij( tepër të dyshimta) të imponohen në gjithë Shqipërinë sikundër u bë me lyerjen e Tiranës apo betonizimin e saj në kohën, kur ai ishte Kryetar Bashkie. Atë kohë kam shkruar, që qyteti nuk është dhoma e ndenies së Kryetarit, ku mund të vendosë objektet, që pëlqen, ashtu si i pëlqejnë atij dhe ta lyejë me ngjyrat, që dëshëron. Formulimi i tyre kërkon shumë “sita" të mendimit profesional, opinionit intelektual dhe njëkohësisht një lloj konsensusi të qytetarëve. Tirana, Korça , Shkodra apo Vlora nuk janë instalacioni me plaçka të vjetra i Ramës në një festival arti në Francë, të cilin vitin tjetër premtonte se do ishte një “bunker me mish”. Në formulimin e tyre Kryeministri apo Kryetari i Bashkisë duhet të rrijë më i tërhequr dhe të dëgjojë kërkesat e atyre, që jetojnë atje dhe të profesionistëve, të cilët projektojnë në to.
Eshtë e çuditshme, që në çështjet e Urbanistikës dhe Arkitekturës, Rama kapërcen edhe Diktatorin Hoxha. Edhe ai, që dinte se ku kishte naftë dhe se si mbrohej Shqipëria nuk shprehej ndaj ndërtimeve në Tiranë si ndërtime fashiste dhe të kërkonte zëvendësimin apo mbulimin e tyre, apo shërimin e atyre , që i pëlqenin e shpreheshin pozitivisht për to.
Arroganca e Kryeministrit në çështjet e Urbanistikës dhe Arkitekturës duhet ndalur!
Jo nga opozita, se ka të njëjta koncepte autoritare.
Nga specialistët e ndërtimit dhe intelektualët shqiptarë.

Për të mos i lënë brezave gabime të rënda në qytetet tona, që do kërkojnë shumë mund për tu korrigjuar!

Friday 19 December 2014

Peleshi kërkon jo pak, por shumë dashuri

Kërkesa për dashuri më kujton një këngë rrugësh, me një tekst bajat, që duhet të ketë dalë në qarkullim në vitet 80 në Korçë. Refreni është pak a shumë “Lermë në krah moj të të marr/ Dhe të të heq atë mërzi/ Na prêt të gjithëve një gur mbi varr/ Pak dashuri pak qetësi!” Pelshi në një status të fundit, që lidhet me Kullën e Korçës përbetohet se e do shumë qytetin(ai dhe Bashkia) dhe kërkon nga të gjithë “shumë dashuri”.
Dashurinë e kërkon nga bashkëqytetarët , të cilët kundërshtojnë projektin e Kullës, që sipas tij nuk është aq I keq sa ju duket atyre, por urrejtja  partiake apo personale ndaj Peleshit i verbon.
Sigurisht, që nuk i bëhet kaq vonë për dashurinë e atyre, që i ka kundër, por duket, që kërkon një fashitje të zhurrmës rreth Kullës, për të patur të lehtë fitoren e njerëzve të tij në zgjedhjet lokale të qershorit. I di dobësitë e Kryetarit të sotëm të Bashkisë dhe i trembet ndonjë firoje të mundshme në votat.
Mesazhet për dashuri ( të zakonshme në raste Krishtlindjesh) janë shenjat e hapjes së fushatës elektorale, kur politikanët shqiptarë nderin buzëqeshjet, përqafohen me njerzit dhe thërresin “sa ju duam të dashur zgjedhës!” Nuk kanë lidhje me Kullën( veç nëse shefi i tij Rama ja ka hequr veshët për pamjen gjysëm të përbindshme të saj).
E them këtë me bindje, se në qershor të këtij viti, kur filluan përplasjet e mëdha në shtyp për Kullën, zv.kryeministri Peleshi nuk dha asnjë mesazh dashurie, mirkuptimi apo respekti për ata , që kritikonin projektin. Ndaj një artikulli të gazetarit Kallamata dhe letrës së hapur të disa arkitektëve korçarë, që jetojnë në Amerikë dhe Kanada u përgjigj vetëm me një “Shock of the New”, të kopjuar nga autori i projektit të kullës, australianit Wilson. Mes arkitektëve, që i shkruanin ishin jo vetëm të njohur të tij(thuajse të gjithë më të moshuar), por edhe dy të afërm të tij, e megjithatë i dashuri Niko, nuk denjoi as të jepte një përgjigje me dy rrjeshta. Në faqen e tij në FB, lejonte pasvanë të tij të shkruanin fyerje kundër arkitektëve, të cilët po i luteshin të bënte diçka për ta ndryshuar sa pa qënë tepër vonë.
Tani Niko Peleshit nuk i duhet dashuri por vota!
Megjithë problemet e mëdha me Kullën, po të jetoja në Korçë do ja jepja Peleshit ose dikujt nga ekipi i tij. Do e bëja se e konsideroj mes dy të këqijave më të voglën. Drejtimi i Bashkisë në periudhat e Partisë Demokratike ka qënë më i dobti në historinë 23 vjeçare të Bashkisë së Korçës post-Diktaturë. Edhe tani ata , që drejtojnë PD-në në qytet nuk kanë asnjë avantazh moral apo intelektual ndaj grupit të Peleshit. Për më tepër, një përplasje mes pushtetit lokal dhe atij qëndror do sjellë dhe të atyre pak fondeve për ndërtime apo shërbime publike.
Ka edhe një tjetër problem të madh në Korçën e këtij shekulli, që fillon prej kohës së Diktaturës. I mungojnë figura të shquara në biznes apo në çdo fushë tjetër, që mud të kenë autoritetin që të garojnë si të pavarur.

Ndaj edhe pse nuk mund ti japim Peleshit dashuri jemi të detyruar t’i japim votën!

3016 km nen rrena (kreu XII)

Kreu i dymbëdhjetë,
Naim Hana njihet
me të burgosurit
Kol Memeli dhe Naun Bajuti.




            Dyert u hapën dhe u mbyllën me zhurrmë dhe Naimi mbeti vetëm me gardianin Vero Shandorfi. Verua, pasi pa që nuk i shihte njeri, e përqafoi dhe i malluar i tha të mos mërzitej. Nuk do rrinte më shumë se një muaj aty. Naimi u mat t'i thoshte, që edhe Matias Shandorf, nga kishte marë nofkën vetë Enveri, kishte ndenjur më pak në burgun e kështjellës, por u pendua. Ato që kishte thënë ditët e fundit nuk kishin qënë dobiprurëse. Përkundrazi e kishin sjellë deri në zotërimet e Enver Shandorfit.
            - Po të kesh nevojë për celular, letër higjenike, aspirina a gjë tjetër, vetëm më thuaj- i shkeli syrin Verua.
            -Faleminderit Vero. Do të them.
            -Të kam vënë në një kaush me dy njerëz të shquar: Kol Memelin dhe Naun Bajutin. Do jesh si në një kamp pushimi.
            -Kol Memeli maratonisti?- u habit Naimi- Përse e kanë marrë?
            -Kontrabandë nga mali dhe tregëtim cigaresh pa pullë. Nuk do dënohet shumë.- tha Vero Shandorfi dhe hapi derën e kaushit, ku dy burra kthyen kokën dhe ndoqën me sy të poarsaardhurin në dhomën me dy krevatë marinari, një tavolinë dhe katër stola plastikë. Naimi dalloi menjëherë maratonistin e famshëm, i cili kishte mbetur po aq i hollë sa tridhjet e ca vite më parë. Tjetri, ishte një burrë rreth të dyzetave, me flokë të gjata, të thinjura e të shpupurisura, që para se të arrestohej, duhet t'i kishte mbajtur të hedhura pas. Ju afrua dhe i zgjati dorën:
            -Naun Bajuti. Gazetar investigativ.
            -Naim Hana. Kam qënë mjek, por tani jetoj në Amerikë. Jam me pushime.
            -E shoh. C'mendon Uashingtoni për integrimin e Shqipërisë Juglindore në gjithë strukturat e globalizmit?
            -Nuk e di... Nuk...nuk e kam mësuar mirë anglishten.
            -Nuk është problem. Jeni i lirë të më pyesni për pyetje të ndyshme lidhur me kronologjinë e realitetit shqiptar.
            Naimi mblodhi supet, si për të thënë, që në këtë hall ku ishte futur, nuk i duhej as kronologjia dhe as realiteti shqiptar, po mendoi, që ndoshta do i duheshin shumë ditë në të njëjtin kaush me të burgosurin Naun Bajuti dhe ishte e udhës të shkonin mirë .Hodhi rrobat mbi krevatin e lirë dhe u ul i dëshpëruar. I buzëqeshi ishmaratonistit me shpresë, se do arrinin të flisnin për mundësinë e stërvitjes për vrapime të gjata në kushtet e burgut, po Koli rrinte i menduar dhe bënte vetëm rrotullime të përmbajtura të qafës. Tjetri dukej më miqësor ndaj pyeti:
            -Juve zoti Bajuti nuk jeni nga Bredhishta?
            -Eshtë e vërtetë, që nuk i përkas si proces gjenealogjik krahinës suaj me vlera, por këtu kam fokusuar një pjesë kryesore të procesit investigativ për projektin e nisur.
            -Projektin e kini nisur në kryeqytet?
            -Pikërisht në qendrën e pështjellimit korruptiv të të gjithë aferave ekonomike.
            -Po në cilën gazetë keni qënë para 6-7 vjetësh?
            -Fillimisht kam qënë i pavarur. Ju e dini, që realiteti shqiptar është pak i brishtë.
Kam bërë pune të ndryshme nga manaxher, ndihmësguzhinier, barmen, promovues librash, promotor pranë një reviste, autor shkrimesh dhe analizash politiko-ekonomiko, eseist, supervizor në teatër, kam pasur dhe një bar-kafe-bilardo. Tani jam me përkushtim të plotë në investigimin e krimit të organizuar, nëpërmjet ndjekjes së çështjes famëkeqe Gurgullima dhe bashkëpunoj me shumë organe të shtypit të pavarur.
            -C'është çështja Gurgullima?- nxitoi Naimi dhe u ngrit nga shtrati i hekurt.
            -Jam munduar të tejkaloj brishtësinë, ku si target, me të drejtë kam politikën pasi ju e dini, që këtu vazhdon akoma lufta e klasave, çensurimi, frika. Cështja Gurgullima mund të konsiderohet mishërimi i një kontradiksioni të pazgjidhshëm ndërmjet pushtetit të pakufizuar dhe krimit lokal, që mund të shpjerë në pasoja vdekjeprurëse.
            -Po këtu përse jini?-pyeti mjeku, që filloi të dyshonte në gjendjen mendore të gazetarit investigativ.
            -Pikërisht kjo është shprehja më e lartë e sakrificës sublime, që një përfaqësues i shtypit të pavarur bën për të çarë rrethin vicioz të biznesmenëve, politikanëve dhe malavitës. Ndaj justifikimet e tyre me target intelektualin e ngazëlluar do dështojnë si në angazhimin e arradhës të tagrambledhësve dhe në morinë e çështjeve gjyqësore me objekt paditë civile.
            -E qartë- tha Naim Hana dhe u shtri në shtart me fytyrë nga muri. Telashet po shtoheshin dhe nuk dinte në se edhe ai vetë do kishte një "çështje gjyqësore me objekt paditë civile". Cdo gjë ishte në dorë të avokatit Rako Pilafi dhe Ambasadës Amerikane, por duhej të gdhihej e hëna. Ndërkohë, Bajuti i ishte afruar pranë shtrati dhe i tha plot bindje:
            - Nuk është një elozh mediatik, por e vërtetë e madhe, që populli Shqiptar i çdo kategorie eshte 100 përqind pro -U.S.A. dhe ky është një element shumë i qënësishëm, duke e shtuar optimizmin në çdo skaj.
            -Në çdo skaj- përsëritim, pa menduar se ç’po thoshte, mjeku.
            -Në çdo skaj duhet të përqëndrohet edhe angazhimi gjithpërfshirës në konfrontimin demaskues të transparencës reaktive, që kontraston me rrethi vicioz krim- pushtet-krim.
            -E qartë-përsëriti i pashpresë Naimi. U mundua të mbyllte sytë e të flinte, për të harruar edhe një tjetër ditë absurde në qytezën e lindjes, nga e cila kishte përfituar vetëm shtratin e fjejtjes falas. Nuk duhej të bjerrej. Duhet të luftonte me dinjitet për nderin e nëpërkëmbur, riparimin e apartamentit dhe për përgatitjen fizike si marathonomak. Ndaj brofi dhe ju drejtua marathonistit të vjetër:
            - Kol, dua të hyj në marathonën e Bostonit!
            E gjithë qënia e trupëzuar në një skelet me fibra muskujsh, që dikur kishte qënë krenaria e vendit në vrapimet në distancë, u drodh. Kol Memeli posa kishte dëgjuar "maratona e Bostonit" u kthye drejt atij, që e kishte shqiptuar. I nguli sytë Naim Hanës për ta parë nëse tallej dhe pyeti:
            - Edhe?
            Naimi i lehtësuar ju afrua dhe i tha:
            - Dua të më ndihmosh të stërvitem edhe këtu në qeli.
            Maratonisti i vjetër u mendua, por duke parë vendosmërinë në sytë e të porsardhurit tha ngadalë.
            - Me kusht që të hyjmë të dy.
            - Ku të hyjmë të dy?
            - Në ma-ra-to-nën e Bo-sto-nit!- i shqiptoi të ndara të gjitha rrokjet Kol Memeli.
            -...Po...si mund të hyjmë të dy? Ti ke shpresë të mos dënohesh për kontrabandë?
            Maratonisti i vjetër i mbajti për një kohë të gjatë sytë ngulur në bebëzat e mjekut pa lojtur asnjë muskul të fytyrës. Naimi e kuptoi, që duhej të epej para vendosmërisë të ish-kampionit.
            -Në rast të një narrative gjyqësore të qënësishme dhe me integritet të pakufizuar, faji i vetëm i bashkëvuajtësit tonë mbetet në mospërfshirjen në rastet skandaloze të informalitetit doganor të një konteksti tepër inkriminues.
Kol Memeli vazhdonte të rrinte i paepur dhe i paturbulluar edhe nga fraza e fundit e hNaun Bajutit, ndërsa Naim Hana mendoi se diçka mund të kuptonte edhe nga ato, që theshte gazetari investigativ, po të zëvendësonte një pjesë të fjalëve dhe të hiqte të tepërtat. Kishte mes fjalive të tij të çoroditura informacion se ç’kishte ndodhur dhe po ndodhte në vendin e tij gjatë gjashtë viteve të mungesës. I duhej për tu mbrojtur por edhe për të mbajtur një mendje të shëndoshë në një trup të shëndoshë.
            -Po për rastin tim ç’mendoni?- ju drejtua gazetarit.
            -Ende narrativa e rastit tuaj me gjithë natyrën komplekse, që mund të sjellë gjeografia e krimit dhe situacioni dynënshtetësor i vetë subjektit të involvuar në narrativë është një terr mediatik për mua.
            Naimi heshti pak dhe pasi e kuptoi, që gazetari donte të njihej me hollësi me atë , që I kishte ndodhur, nisi të spjegonte gjithshka, që i kishte ndodhur gjatë mëngjesit dhe drekës pa përfshirë këtu takimin me Aferim Dollibashin dhe mbledhjen për moslejimin e ndërtimit të Kishës katolike, duke menduar se do ishte më mirë mos prekte një çështje me rëndësi për avokatin e tij Rako Pilafi. Gazetari e dëgjoi pa e ndërprerë, vetëm duke picërruar sytë herë herë, sikur të ndjente diçka, që mungonte në tregimin e mjekut.
            -Mund t’i bëni një rifreskim trasversal të mëtejshëm të gjithë sagës suaj disaditore në Bredhishtë?
            Mjeku u step nga pyetja por pasi e pastroi nga të panevojshmet kuptoi, që gazetari donte të dinte gjithshka kishte ndodhur posa kishte shkelur në atdhe. Filloi duke shmangur hollësitë, por kur arriti në biseda mes tij dhe Gogo Gurgullimës e ndali:
            -U arrit sikundër ishte çdo prognostikim plot integritet në zemër të pështjellimit malavitoz të tentakuluar në gjithë sektorët e ndërtimeve vetiake dhe publike me një dinamikë ndjellakeqase. Sinonimi- Cështja Gurgullima.
            Naimi kishte kuptuar fjalinë e dytë nëse ajo mund të quhej fjali, por ishte krejtësisht i turbullt për të parën. Hoqi “integritet”, plot “malavitoz” dhe “me një dinamikë ndjellakeqëse” dhe i mbeti “U arrit sikundër ishte çdo prognostikim në zemër të pështjellimit të tentakuluar në gjithë sektorët e ndërtimeve vetiake dhe publike. Sinonimi- Cështja Gurgullima”. Ndjeu , që koka po i punonte më së miri edhe pse ende nuk kishte kuptuar plotësisht se ç’donte të thoshte Bajuti. Provoi ta përsëriste duke bërë të tjera thjeshtime dhe duke vendosur “çështja Gurgullima” në vend të “pështjellimit të tentakuluar” dhe arriti në “ u arrit sikundër ishte çdo  prognostikim në zemër të çështjes Gurgullima në gjithë sektorët e ndërtimeve vetiake dhe publike”.
            -Me një fjalë, zoti Bajuti, e gjithë kundërvënia e shtetit ndaj meje ka në prapaskenë Gogo Gurgullimën?
            -Më krijon një kënaqësi vetmohuese konsensusi konkluzional ndërmjet mendimit të pavarur shqiptar dhe gjykimit gjakftohtë të një përfaqësuesi të demokracive të konsoliduara.
            Naimi edhe pse nuk e ndjente veten përfaqësues i demokracive të konsoliduara u ngazëllua, që po kuptohej me gazetarin investigativ e për më tepër nuk ishte viktima i vetëm i Gurgullimës. Mund ta përdorte për lirimin e tij. Për tu siguruar e pyeti Bajutin:
            -Mendoni se mund ta përdor këtë si linjë mbrojtëse?
            -Ne duhet të kemi një axhendë të qënësishme duke perfshirë edhe ndonjë rekomandim, që vjen nga realiteti i brishtë shqiptar.
            Përgjigja e fundit ju duk mjekut, si shprehje e modestisë së gazetarit, pasi edhe pse dukej pak i brishtë mendërisht, ai dinte rreth përfshirjes së njerëzve me pushtet me bizneset e ligjshme dhe të paligjshme shumë më shumë se ai vetë.
            Kishte shkuar vonë ndaj mendoi se kishte ardhur koha të flinte pas ditës më të çoroditur e më ndjellakeqëse(e kapi veten duke menduar me fjalët e Naun Bajutit dhe u tremb) të jetës së tij.
            -Natën e mirë miqtë e mij!
“Ntmir“ u dëgjua të thoshe Kol Memeli dhe “Natën e mirë, bashkëvuajtësi ynë plot dinjitet!”, sigurisht nga gazetari investigativ.
            Shtrati ishte i fortë.

Thursday 18 December 2014

Mbledhjefobia

Mbledhjefobia(nëse ka një të tillë) nuk duhet të jetë e njëjtë me agorafobinë apo me sëmundjen e frikës të daljes në një vend të hapur ku grumbullohen shumë njerëz.
Unë vuaj nga mbledhjefobia. Dhe sidomos nga mbledhjet, që zhvillohen në salla të mbyllura dhe jo shumë të mëdha Sëmundja, që kam, nuk është e njëjtë as me klaustrofobinë, që është frika nga vendet e mbyllura dhe nga të cilat nuk ke rrugëdalje. Mund të ketë diçka nga kjo e fundit, se kur shkoj në një sallë të vogël mbledhjesh apo edhe në kishë, mundohem të ze një vend nga fundi pranë derës, që të kem mundësi të dal tinëz, kur fillojnë duartrokitjet e para apo edhe “amenët” e parë. Sigurisht zgjedh një vend, që është jo larg derës por jo dhe aq pranë saj për të mos ju rënë në sy, organizotorëve të mbledhjes apo atyre, që do mbajnë fjalë. Ata janë gjithnjë në përgjim në fillim të mbledhjes për të parë se cilët kanë ardhur, ku janë ulur dhe nëse kanë ndonjë prirje të ikin tinëz sa të fillojnë duartrokitjet e para.
Më shumë ju trembem mbedhjeve me presidium të madh. Kur janë më shumë se pesë vetë në presidium, gjithnjë ka një ose dy syresh, që nuk dëgjojnë folësin po shohin se ç’ndodh në sallë gjatë duartrokitjeve të para dhe të dyta dhe dallojnë menjëherë ndryshimet në rradhët e fundit e ju pëshpëritin në vesh organizatorëve dhe folësve, se kush u largua pa filluar mirë mbledhja. Nuk më është krijuar kjo frikë as nga Konferenca e partisë e vitit 1950 në Korçë, kur një nga të presidiumit, i pëshpëriti shoqes Liri Belishova se “Andon Mara ka dalë në hollin e kinemasë pa filluar mirë mbledhja”, gjë që i kushtoi tim eti përjashtimin nga Partia dhe plot frikëra të tjera. Jo. Kur kam mësuar këtë histori isha 19 vjet, moshë jo vetëm kur nuk krijohen fobitë, por kujtoj edhe mirë se mbledhjefobinë e kisha më të hershme.

Duhet të më jetë krijuar në fëmijëri, e mbase në mbledhjet në Shtëpinë e Pionierit, ose kur zgjidheshin udhëheqësit e Cetës së Pionierëve. Në këtë mund të ketë ndikuar edhe gjatësia ime, (shumë nën mesataren e moshës) dhe të qënit sherret. Të qënit sherret më shpinte gjithnjë në rradhët e fundit dhe duke qënë i shkurtër nuk mund të shihja se ç’bëhej në presidium apo kur dorëzoheshin fletëlavdërimet dhe stimujt e tjerë.
(vijon)

Monday 15 December 2014

3016 km nen rrena (kreu XI)

Kreu i njëmbëdhjetë,
prokuror Kaçi,
polici Dine
dhe Rako Pilafi


           
            Njëri nga katër përfaqësuesit e forcave në mbrojtje të ligjit, që e kishin mbajtur Naimin peshë mbi kokat e tyre,nga zyra e Dardan Kodrës e deri në makinën e policisë poshtë shkallëve të Bashkisë, ishte pikërisht polici Dine, që i kishte kujtuar atdheun Naimit të përmallur atë natë, që kaloi kufirin. Polici Dine e kontrolloi në trup sipas rregullave duke qënë tepër i kujdesshëm në pjesët delikate të trupit të mjekut dhe i nxorri nga xhepat ajfonin, një kacavidhë bashkë me fletëpagesën e “Guguallat’, disa monedha dhe çelsin e dhomës 202 të Hotel Volorekës. Të gjitha i shkroi ngadalë e bukur në një fletë dhe pasi e firmoi vetë, të njëjtën gjë i kërkoi të posarrestuarit. Më vonë e shpuri në një dhomë me një tavolinë dhe disa karrige dhe i tha të priste deri sa të vinte prokurori.
            Naim Hana vendosi kokën midis duarve, posa mbeti vetë dhe filloi të mallkonte veten,se pse kishte erdhur vetë në Bredhishtë, vetë dhe natën, natën dhe pa lajmëruar, pa lajmëruar e pa u informuar më parë për situatën, pa u informuar më parë situatën e pa marrë masat e nevojshme, pa marrë masat e nevojshme dhe duke humbur qetësinë, duke humbur qetësinë dhe pa kërkuar këshilla, pa kërkuar këshilla dhe me një kaçavidë yll në xhep. Tani ishte i arrestuar në një dhomë të policisë e duhet të priste prokurorin, e pasi prokurori të vinte do i komunikonte akuzën, dhe pas akuzës do e shpinin në gjyq, dhe pasi ta shpinin në gjyq do e dënonin dhe pasi ta dënonin do kryente dënimin. Kur të kryente dënimin do humbiste punën në shtëpinë e të moshuarve dhe nuk do merrte pjesë në marathonën e Bostonit, në ceremoninë e përfundimit të shkollës fillore të djalit të vogël dhe në përzgjedhjen e kandidatëve për juri në një gjyq shumë të rëndësishëm të kontesë. Në mendje i shkoi vetëtimthi  që nga gjykues do kthehej në i gjykuar gjë që e tronditi por i riktheu në mendje parrullën e vjetër të kohës së gjimnazit kur dikush që nuk i kujtohej mirë kthehej nga i akuzuar në akuzonjës ndaj vendosi të linte mënjanë mallkimet dhe të rivlerësonte gjendjen në të cilën ndodhej. Ishte në polici por akuza nuk i ishte dhënë akoma dhe pa u akuzuar nuk kishte se si të dënohej. Mund ta akuzonin , po edhe mund të mos e akuzonin. Se ai nuk kishte bërë asgjë, që ta akuzonin. Mundet që edhe ta harronin pa e akuzuar dhe pas disa orësh kur dikush të hapte derën e ta pyeste se ç’bënte atje dhe pasi ai të mblidhte supet, t’i thoshin që ai nuk kishte asnjë punë atje dhe duhej të dilte jashtë menjëherë dhe se në Policinë e Bredhishtës nuk mund të rrinte cilido për qejf dhe aq më keq “derri dhe dosa  me brekë apo brekë“ dhe ai të kërkonte ajfonin dhe çelsat e të linte monedhat e kaçavidën yll e të sulej me vrap në apartamentin e tij të shkatërruar ku e priste kushëriri i Artemisit.
            Dera u hap dhe një burrë i gjatë, i veshur me një kostum ngjyrë hiri dhe një çantë lëkure të verdhë hyri në dhomë i ndjekur nga polici Dine. Naimi u ngrit më këmbë ndërsa tjetri ju paraqit:
            -Jam prokurori Kaç Dade. Do hetoj çështjen në ngarkim tuaj zoti Hana.
Mjeku e kuptoi, që askush nuk e kishte harruar dhe tani po fillonte kalvari i tij megjithëse fytyra e rreshkur e prokurorit, të krijonte përshtypje e një njeriu të rrahur me vaj dhe uthull në betejat për drejtësi. Prokuror Kaçi i ngriti sytë nga letrat në dosje dhe fytyra e tij, prej njeriu të drejtë dhe të rrahur me vaj edhe uthull në betejat për drejtësi ja shtoi sigurinë të posaarrestuarit.
-Zoti Naim Hana, ka një kallzim…bile disa kallzime për ju nga disa individë se
sot  në datën 12 të muajit në vazhdim të vitit po në vazhdim, kini kërcënuar për shkak të detyrës nëpunësit Dardan Kodra e Bilo Beli, kini ofenduar nëpunësit në fjalë si dhe kini kundërshtuar forcërisht policët e rendit Dino Radënja dhe Nedo Rrënja. Për ju është hapur çështja penale me numur 167 dhe do pyeteni me hollësi rreth saj. Pranoni, që keni kërcënuar dhe ofenduar nëpunësit Dardan Kodra dhe Bilo Beli, sot paradite në zyrat e Bashkisë të qytetit?
            -Nuk është aspak e vërtetë zoti prokuror! Nuk kam kërcënuar dhe ofenduar njeri!
            -Ju të policisë kini shënuar në proces-verbal, që zotit Hana i është gjetur në xhep një armë e ftohtë? Kështu?- i ngriti sytë nga procesverbali prokuror Kaçi dhe ja hodhi policit Dine.
            - E vërtetë zoti prokuror. Një armë e ftohtë, shumë e ftohtë.
            - E ç'lloji ishte arma e ftohtë?
            - E llojit kacavidhë yll, zoti prokuror.
            -Zoti Hana e pranoni, që gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në trupin tuaj u gjend në xhepin e djathtë të pantallonave, arma e ftohtë e tipit kacavidhë yll?
            Naimi ngriti sytë i menduar dhe shqiptoi ngadalë:
            -Zoti prokuror, unë mar "të pestin" se jam qytetar amerikan.
            Prokuror Kaçi u befasua nga përgjigja e ngadaltë, por e sigurt dhe e koklavitur e të arrestuarit. E kuptonte që Naim Hana ishte shtetas amerikan, po nuk kuptonte ç'ishte "i pesti" dhe përse e merte pikërisht këtu i arrestuari. Pa nga Dineja, po polici dinak Dine i hodhi sytë gjetkë, si për të thënë, që "i pesti" nuk kishte të bënte me policinë e Bredhishtës. Mori të pyeste mjekun Hana se kush ishte "i pesti", por para se të fliste, i sapondaluri foli sërish ngadalë:
            -Dua të telefonoj tani ambasadën amerikane dhe të më jepet e drejta e avokatit. Nuk e hap gojën pa folur me avokatin tim.- tha prerë Naim Hana dhe u mbështet në shpinoren e karriges, pasi kishte kryqëzuar duart në gjoks.
            Prokuror Kaçi nuk dinte ç'të bënte tani që ngjarjet kishin marë një kthesë të paparashikuar në librin "Mbi proçedurën e ndalimit", që mbante mbi tavolinë, ndaj pasi u mendua jo më shumë se tre minuta, ngriti telefonin:
            - Alo...z.Pilafi, prokurori jam...po...duhet të vini sa më parë për një mbrojtje në tërësi...po po çështje shumë penale... një shtetas i huaj dhe nga Bredhishta njëkohësisht.. . po po shumë delikat...-dhe pasi uli telefonin ju drejtua të arrestuarit Hana- Për dy minuta vjen avokat Rako Pilafi dhe do keni mbrojtjen e duhur nga penalisti më i mirë dhe me përvojë i Bredhishtës. I njohur edhe në rastet me shtetas të huaj.
            Naimi u mundua të mbahej i qetë, sikur asgjë nuk i bënte më përshrtypje, por emri i Rako Pilafit ju duk shumë i njohur. "Eshtë ai që përfaqëson Vatikanin? Jo. S'ka përse të jetë penalist...Oh po është i shoqi i Mrikës që do ndërtojë kishën katolike me fondet e San Marinos!" Në mëpak se pesë minuta dera u hap dhe një burrë simpatik, I shëndoshë dhe  vetëm me një rrath gushe u shfaq.
            -Ciao. Io sono suo avocatto Rako Pilafi, penalista.
            -Naim Hana Doktor gjinekolog.
            -Oh dottore, jini shqiptaro-amerikan. Kam dëgjuar për ju. Shpejt do ju nxjerr nga ky telash. Nuk është problem për mua.- tha gjithë besim avokati dhe i rrahu krahët.
            -Hëm...avokat këtu jeni në zyrën time dhe nuk jini në takim kokë më kokë me klientin tuaj.
            - Mund të fillojmë nga procedurat zoti prokuror. Ende nuk më kini vënë përpara përse akuzohet klienti im Hana, që është njëkohësisht edhe qytetar i një shteti të madh e mik.
            - Naim Hana akuzohet për "Fyerje të personit publik për shkak të detyrës e parashikuar në nenin të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, "Kërcënim me jetë të personit publik për shkak të detyrës e parashikuar në ...."Rezistencë  me dhunë ndaj forcave të policisë e parashikuar....." "Armëmbajtje pa leje e parashikuar në nenin..... Pra si e shikoni zoti Pilafi, nuk më duket se klienti juaj do dalë shumë shpejt nga dara e drejtësisë, kupton apo jo.
            - Ky është një pozicion tepër i paekuilibruar zoti prokuror, që nuk i shërben aspak drejtësisë, për më tepër kur kemi të bëjmë me një shtetas të huaj, dhe ku duhet të aplikohet pa ekuivok , parimi anglo-sakson i prezumimit të pafajësisë. Kërkoj menjërë të përballem me faktet, mbi të cilat mbështesni këto akuza monstruoze. Ku janë?- pyeti avokat Rako Pilafi me një gjest që tregonte besimin e patundur se faktet mungonin.
            - Ja ku e kini raportin e policisë mbi të cilat kam mbështetur akuzat avokat. Si do e shihni edhe vetë cilësia e dëshmitarëve dhe provat faktike nuk lenë vend për kundërshtim. Do ishte mirë t'i sugjeronit klientit tuaj të bashkëpunojë me prokurorinë dhe të kërkojë gjykim të shkurtuar, se është në interesin e tij dhe të marëdhënieve shqiptaro-amerikane.
            -Do e lexoj tani zoti prokuror- tha avokati duke marë dyfletëshin, ku ishte raporti i shkruar nga polici Dine. Ndërsa e lexonte, Rako Pilafi herë ngrinte vetullat, herë mblidhte buzët, herë i shkelte syrin me marifet Naimit dhe ndonjëherë rregullonte kokën e kravatës. Mjeku gëzohej kur avokati i shkelte syrin, por nuk arrinte të spjegonte tre shenjat e tjera. Do ishte më mirë të ishin takuar më parë kokë më kokë, për të përcaktuar shenjat. Ndërkohë avokati kishte përfunduar leximin dhe pasi krroi zërin nga papastërtitë e panevojshme filloi:
            -Ndonëse akuzat fillimisht duken që rëndojnë situatën e klientit të cilin përfaqësoj, mund të them se mungojnë provat e vërteta, provat e vërteta dhe të pakundërshtueshme mbi të cilat klienti im duhet të mbahet në gjendje ndalimi. Përveç armës së ftohtë të tipit kaçavidë yll, nuk ka asnjë provë apo dëshmi, që klienti im me paramendim të jetë nisur për të kërcënuar nëpunësit e Bashkisë. Edhe dëshmitarët e ngjarjes apo si cilësohet në raport ngjarjeve, janë pala e dëmtuar ose që ka bërë kallzimin. Në këto kushte unë kërkoj lirimin e menjëhershëm të klientit dhe rivlerësimin e provave dhe dëshmive.
            Prokurori Kaçi heshti një çast, hodhi sytë nga polici Dine dhe pasi Dineja mbylli fort të dy sytë foli me një ton, që nuk linte dyshime:
            -Unë e vlerësoj, që puna e policisë në kohën , që ka pasur në dispozicion ka qënë korrekte dhe e mjaftueshme për të mbështetur akuzat. Eshtë administruar arma e ftohtë, janë marrë dëshmitë e gjashtë të pranishmëve si dhe është bashkëngjitur edhe raporti mjekësor për hematomat e shkaktuara nga zoti Hana në dëm të policit Nedo Rrënja. Prandaj i akuzuari do rrijë i ndaluar deri sa gjykata të vlerësojë masën e arrestit.
            Pas këtyre fjalëve, prokuror Kaçi u ngrit dhe u largua nga dhoma e pas tij duke mbledhur supet edhe avokat Rako Pilafi, pa harruar t’i shkelte syrin mjekut Hana, si për t’i thënë, që çdo gjë do rregullohet shumë shpejt.

            I dëshpëruar, mjeku pa me sy lutës të vetmin të mbetur në dhomë, polic Dinen, i cili pasi ngriti supet, nxorri prangat dhe ja vuri për herë të parë të ndaluarit për atë ditë dhe për gjithë ditët , që kishte kaluar nën diktaturë, në tranzicion dhe në botën e lirë. “ Të rënda janë hekurat” mendoi dhe ndoqi pas policing Dine, që po e shpinte në godinën ku ishin dhomat e izolimit.

Sunday 14 December 2014

Pse gënjen Niko Peleshi?




Pas disa muajsh heshtje për problemin e Kullës Vrojtuese, si dhe mospërfilljen për t’ju përgjigjur një letre të hapur të firmosur nga 7 arkitektë korçarë, të cilët banojnë në Amerikën e Veriut, midis të cilëve edhe unë, në një Forum Urban të mbajtur në Korçë, zv.kryeministri ka mbajtur një fjalë në të cilën justifikon ndërhyrjen e gabuar në shesh dhe mundohet edhe t’ju japë përgjigje arkitektëve të letrës.
Nuk dua të ndalem në historinë e të gjithë projektit gjerman të Qendrës dhe në shtrembërimin e fakteve, që lidhen me të, por vetëm me disa “mashtrime” të Peleshit lidhur me letrën dhe qëndrimin tonë rreth ndërhyrjes në shesh në përgjithësi dhe Kullës në veçanti.
E para, nuk është aspak e vërtetë se ne e konsideronim ndërhyrjen në shesh të gabuar, se donim të ruanim Korçën dhe rrugët e sheshet e saj të pandryshuara për hir të nostalgjisë. Ne e konsideruam projektin e Kullës sin dërhyrjen më të keqe të mundshme dhe si aspak modern. E konsideruam një projekt të një arkitekture, e cila ka perënduar 40 vjet më parë dhe që është pritur dhe komentuar keq edhe sot kudo në botë. Quhet Arkitektura Brutaliste. Në letër dhe në shkrime të tjera drejtuar edhe ndaj autorëve, u lutëm, që projekti të ndryshohej edhe duke u rritur në përmasa, por të ishte konceptuar sipas frymës së arkitekturës së shekullit të XXI.
E dyta, është një mashtrim ndaj publikut të bësh krahasime me rastet e Kullës Eifel apo asaj Trekëndëshe në Paris. Jo vetëm situatat urbanistike janë krejtësisht të ndryshme, por të dy Kullat e Parisit nga mënyra e konceptimit dhe materialet e përdorura i kanë paraprirë kohës. Për më tepër, krahasimi i një projekti të dobët për një qytet prej 50 mijë banorësh, me dy Kullat e Parisit i ngjan fabulës së bretkocës, që donte të bëhej ka.

Për fat të keq, Kulla është ndërtuar dhe nuk mund të futet në thesin e fjalëve mashtruese të Peleshit. Në të nuk ka as guxim, as vizion dhe as modernizëm. Dhe nëse ka shterpësi intelektuale ajo është ne mendjen projektuese të profesorit Wilson, I cili për fat të keq ishte në gjendje t’i imponohej Peleshit. (Gjë, që e bën këtë të fundit më pak vizionar, por edhe më pak përgjegjës.)

3016 km nen rrena (kreu X)

Kreu i dhjetë,
ku tregohet se
Asnjë nuk është mbi ligjin.



            Një djalë i ri i veshur me kostum dhe me një palë syze dielli të vëna mbi flokët me xhel, rrinte i mbështetur në shpinoren e ndenjëses së lëkurtë. Serioz pyeti:
            -Cili jeni ju qytetar i irrituar?
            -Po ti kush je?-pyeti i revoltuar Naim Hana.
            -Unë jam drejtuesi i njësisë për kontrollin e territorit dhe kam statusin e nëpunësit. Quhem Dardan Kodra-u krekos bashkëfolësi.
            -Ti je eprori i Bilos?
            -Po. Dhe duhet të të sqaroj se Bilua ka ndjekur proçedurën, që ne kemi përcaktuar, kur shkaktohen të tilla paqartësi nga qytetarë të irrituar të cilët në mënyrë të papërgjegjshme interferojnë në punën e punonjësve bashkiakë- tha me një frymë drejtuesi me statusin e nëpunësit.
            -Pra sipas teje unë duhet të pres deri javën tjetër të takohem me punonjësin e Urbanistikës? Cili idiot e ka vënë këtë proçedurë.
            -Të lutem shumë zotëri, ne nuk ju lejojmë juve të bëni aludime për gjendje mendore e psiqike të shefave tanë. Ju paralajmëroj se do reagojmë me të gjithë forcën që na jep ligji.
            -Unë për dy javë nisem për në Amerikë, e ti më thua të pres pesë ditë të sqarohem për lejen e ndërtimit?
            -Edhe unë kam qënë zotëri në Amerikë në një seminar dymujor të organizuar nga FBI-ja në Indianapolis dhe ju siguroj se të gjitha procedurat, që po ndjek për njësinë e kontrollit të territorit janë sipas shënimeve që kam mbajtur gjatë seminarit. Mos kujtoni se këtu në Bredhishtë jini në një vend të Botës së tretë.
            -More unë e di se ku jam po a e dini juve? E kupton që po më pengojnë të rregulloj apartamentin dhe dua ta mbyll pa ikur- tha shpejt Naimi.
            -Në qytetin e Bredhishtës ne kemi 6843 familje, 6567 prej tyre jetojnë në shtëpi ose apartamente private në pronësi të tyre, me qera ose me qera nga të tretë , ndaj zotëri rasti juaj do të trajtohet po me atë përparësi që do trajtohen edhe gjithë rastet e tjera, që kemi për momentin, ashtu sikundër kemi bërë në të shkuarën.
            Naimi nuk dinte në duhej ta godiste Kodrën, që ta sillte në vete, apo më mirë të fillonte t'i binte me kokë murit të zyrës së Kontrollit të territorit. "Ah të kisha një grusht të fuqishëm" ju kujtua nga ditët e largëta të shkollës së mesme dhe e kuptoi sërish që kishte gabuar, se grushti kërkohej për të goditur malin dhe jo Kodrën. Provoi të fundit fishek:
            -Zoti Kodra, po ju njoftoj se do kontaktoj Ambasadën Amerikane të ankohem për keqtrajtimin, që po i bëni një shtetasi të vendit të madh mik.
            Dardan Kodra u kap i papërgatitur nga lëvizja e beftë shtetasit të vendit të madh mik, por nuk e bëri veten. Ishte nga të parat gjëra, që ju kishin mësuar në seminarin e organizuar nga FBI në Indianapolis- "Kur armiku sulmon befas, fito kohë". Dhe për të fituar kohë, Dardan Kodra thirri me zë të lartë Bilon, që dukej se rrinte pas derës:
            -Biloooo...Bilo hyrë brenda të lutem!
Bilua hapi derën dhe ndenji më këmbë i gatshëm për të ndjekur udhëzimet e eprorit. Eprori Dardan hapi kasafortën dhe pasi kërkoi në disa dosje brenda saj, ju drejtua deprorit Bilo prerë:
            -E kemi ne numurin e telefonit, që i la ambasadori amerikan kryetarit gjatë vizitës së fundit?
            -Ambasadori amerikaaan?-hapi sytë Bilua.
            -E o eeee- e zgjati përgjigjen Dardani dhe kur mjeku Hana po ndiqte reagimin e Bilos, i shkeli syrin.
            -Më duket se e ka vetë kryetari dhe nuk ja la njeriu tjetër.
            -Vazhdo Bilo se për këtë të doja. Pra, që ta dish ti mor zotëri Hana, të gjitha rregulloret dhe nën rregulloret mbi të cilat Bashkia jonë e Bredhishtës ka mbështetur gjithë punën e saj manaxheriale, kanë mbështetjen e ambasadës amerikane. Ne kemi qënë midis tre bashkive në të cilat u e eksperimentua programi pilot i USAID-it “Për një shërbim shtetar në shërbim të shtetasve”, program në të cilin Bashkia e jonë doli me pikë të barabarta me dy bashkitë e tjera dhe mori edhe çertifikatën përkatëse.
            -Mua nuk më duhet çertifikata përkatëse, por leja e ndërtimit.
            -Zotëri ju sqarova, që për lejen e ndërtimit duhet të vini ditën e martë dhe si shtetas I një vendi mik do trajtoheni me përparësi. Prandaj ju lutem shumë lini zyrën se kemi edhe probleme të tjera.
            -Unë nuk lëviz nga kjo zyrë pa më pajisur me leje për departamentin e Urbanistikës/ Kupton apo jo zoti Kodra?
Dardan Kodra uli syzet e errëta nga mbikoka dhe i vuri në sy, lëvizje kjo më shumë e improvizuar se sa e mësuar në seminarin e Indianapolist apo gjatë trainimeve të projektit pilot të USAID-it. Duket nuk donte , që sytë t’i tradhtononin kënaqësinë, që po ndiente, duke u marrë me manaxhimin e situatës komplekse me një qytetar të irrituar, bile edhe me dy nënshtetësi. Krrojti grykën dhe ngriti zërin;
            -Po nuk lemë ne o zotëri, që në zyrat e Bashkisë të  rrinë sa të duan derri e dosa, me brekë e pa brekë! Ligji është ligj dhe mbi ligjin nuk është askush! Nëse nuk dilni menjëherë do thërres vartësit e mij si dhe forcat e rendit t’ju tregojnë vendin, që meriton!
            -Nuk lëviz, që këtu dhe protestoj, që më bëre derr e dosë, bile edhe pa brekë! Jam nënshtetas amerikan e do e ndjek deri në Hagë dhe Strasburg!- thirri më shumë se nëpunësi Naim Hana dhe përplasi dorën mbi tryezë, por brenda vetes ndjeu, që po i binte murit me kokë dhe një muri, të cilin edhe po ta rrëzonte nuk do e shpinte në ndonjë zyrë ku do mund të mbaronte punë. Ndërkohë dera u hap dhe katër njerëz me uniformë, dy prej të cilëve me kapele dhe dy pa kapele e rrëmbyen nga krahët e nga këmbët dhe e nxorrën jashtë zyrës, ndërsa mjeku lëvizte me zor gjymtyrët dhe protestonte duke thirrur:
            -…nuk ju lejoj! Jam nënshtetas amerikan…po dhunoni një nënshtetas të huaj…

Tre kokët me flokë dhe ajo pa flokë e Bilos nuk u ngritën ndërsa dy policët e rendit dhe dy policët bashkiakë nxirrnin jashtë Bashkisë duke e mbajtur mbi duar trupin, që klithte për ndihmë të mjekut Hana. Ky i fundit e kishte kuptuar, që nuk mund të ishte mbi ligjin edhe pse po e nxrrnin duke e mbajtur mbi kokë katër mbrojtës të ligjit. Brenda atyre sekondave ndërsa e zbrisnin nga shkallët për ta future në makinën e policisë I shkoi në mendje të gjitha; Artemisin dhe djemtë në viset e largëta, berti Dajkon, që do e priste më kot në apartamentin e shkatërruar, Vasfi Klocën, që s’dihej në e kishte marrrë veten nga depresioni dhe ferid hotin e plagosur, pas humbjes të së vjehrrës. I dukej se çdo gjë ishte për faj të tij. Nuk rezistoi kur e futën në ndenjësen e pasme dhe ndërsa makina me sirena hapur u nis e kuptoi , që po e shpinin në polici.

3016 km nen rrena (kreu IX)

Kreu i nëntë,
ku tregohet
që Naim Hana s’ka leje ndërtimi




            Doli nga salla e Bibliotekës pa firmosur, duke i shpëtuar vështrimit të Aferim Dollibash, i cili po shkrihej në një bisedë shumë të përzëmërt, me gruan me syze, që kishte spjeguar qëndrimin e Fikos rreth kishës. Në sheshin para Bibliotekës vinin katër rrugë. Njëra të shpinte në Bashki, e dyta në hotelin e Verorit, e treta në pallatin ku kishte jetuar dhe e katërta në bilardon e ndërtuesve. Nuk dinte kë rrugë të merte. Në Bashki nuk mund të takonte dot Fikon, që ishte nisur për në Turqi, në bilardon e ndërtuesve nuk kishte ç'të bënte veç të dëgjonte rromuzet për kontratën me "Jashukonstrakshën shpk" ndaj mori rrugën drejt apartamentit. Të bënte ç'mund të bënte vetë deri sa të vinin dollarët, që kishte nisur Artemisi me "Western Union".  Pastaj çdo gjë do ishte më e lehtë. Nuk duhej të dorëzohej. Dhe kishte të drejtë të mos e bënte këtë, se nga larg pa figurën rrumbullake dhe optimiste të Berti Dajkos. "Jam me fat, që nuk firmosa kundër Kishës. Kanë edhe të krishterët Perëndinë e tyre, Atë, që po më dërgon në këtë moment të vështirë Dajkon". Berti Dajkoja ishte kushëriri i parë i Artemisit dhe i vetmi mes atyre, që mund të futen në kategorinë e të sinqerto-naivëve, e që mund ta ndihmonte. Nga Kokorridhët kishin mbetur vetëm pleqtë, se të rinjtë ishin ikanakë dhe më i afërti nga Hanat mbetej Vasfiu i Klocës, tashmë me depresion dhe pa aftësi ndihmuese.
            - Të shikoj në mes të Bredhishtës dhëndrin tonë e unë mos di asgjë kjo s'durohet! Kur ke erdhur o kopuk?
            - Tre ditë kam vetëm Berto.- tha Naimi dhe u përqafua me shumë dashuri me kushëririn e Artemisit edhe nga malli, që kishte filluar të ndjente për të shoqen.
            - Pse pak janë tre ditë? S'je në Nju Jork këtu de! E humbe respektin për sojin tonë ti?
            - C'e ke atë fjalë Berto! Unë ty të kam si në vend të vjehrrit, po kam rendur lart e poshtë se më është shkatërruar apartamenti.
            - Kush e ka shkatërruar? T'ja shkulim dhëmbët!
            - Lere se nuk ja shkulim dot po hajde të më ndihmosh e të fillojmë nga pastrimet- dhe i futi dorën nën krah Bertit  dhe e ktheu nga rruga. Kushëriri i Artemisit vazhdonte të ngulte këmbë se jo vetëm dhëmbët po dhe dhëmballët do ja shkulte shkaktarit, po qe se nuk i kishte të rëna. Dhe pasi t'ja kishin shkulur me gjyq edhe me ndihmën e avokatit Rako Pilafi do ta detyronin ta kthente në gjendjen e mëparshme, bile t'i shtonte edhe një oxhak fallco. Naim Hana i çuditur, këmbëngulte që pas "shkuljes së dhëmbëve" nuk kishte ç'i duhej oxhaku fallco, po bashkëfolësi i bëri të qartë. që nuk ka më shtëpi pa oxhak në Bredhishtë dhe nëse donte të mbahej si "soj oxhaku", siç kishte mburrur kur i rrembeu zemrën Artemisit, atëhere i duhej pa tjetër oxhak fallco.
            Arritën në katin e tij dhe bënë  ndoqën rrugën dhome ndenie-ballkon-kapërcim muri ndarës-ballkon-dhe dhomë ndenie me dysheme të tejbufatur duke përshëndetur me kokë dhe duke I kërkuar të falur për shqetësimin Refijes, e cila përkundrazi, dukej e gëzuar, që do kishte me kë të fliste në një nga mëngjeset e saj monotone.
            - Berto të fillojmë me prishjen e suvave apo me dyshemetë?
            - Me suvatë. Bëjmë një rrugë e tre punë. Suvatë bien mbi dysheme, heqim dërrasat bashkë me suvatë dhe i hedhim të tëra nga ballkoni.
            - Nuk thotë gjë njeri.
            - Kush të thotë o? Ne sa t'i hedhim do i rrëmbejnë dërrasat e do lenë suvatë.
            - Mos ankohen këta të pallatit?
            - Po ç'pallat o i shastisur! Ata poshtë rrezik t'i rrëmbejnë të parët e t'i kenë për zjarr.
            -Mirë Berto, ti e di- u bind Naimi dhe filloi të rrëzonte suvatë e mbetura në mure.
            -Dëgjo këtu Naim, ikë e bli në "Gogoallat" dy vare nga ato me një bigë prapa për të shkulur peronat.
            - "Gogoallat"? Ku është ky dyqan? S'ka patur më parë "Gogoallat"...
            - Po ja o derdimen, se dy më dyqane më poshtë se "Guguburger" është. Ku ka qënë qëmoti gjelltore "Plava e Gucia" e di?
            - E di.
            - Atje është "Guguburger" tani. E ka blerë komshiu, që ke lart dhe e ka bërë nga këto, që ha shpejt e shpejt e grris bythën pastaj...Edhe dyqanin e veglave Gogoja e ka. Burrë i mirë shumë. Je me fat që e ke komshi.
            -Me fat jam Berto, veç se ç'lloj fati kam s'e di.
            -E po si s'je me fat. E me shumë bile. Kushërirën time ke marë, llotaria e Amerikës të ra, ja dhe këtu ke komshi më të pasurin e tërë rajonit, ç'do ti më shumë hë?!
            - Po të isha aq fatlum tani do isha kodrave të Bredhishtës e nuk do rrija këtu me ty të prishja suvatë.
            -C’do bëje kodrave ti o? Njeriu e ka vendin në shtëpi dhe shtëpia do njeriun ta mbajë Naim! Po ikë tani mer ato varetë edhe një kacavidhë ta kemi për prizat e çelsat.
            Mjeku Hana u bind, siç kishte bërë shpesh gjatë atyre ditëve të vizitës në Bredhishtën e tij të dashur. Berti Dajkoja ishte më i madh dhe gjithnjë kishte përdorur ndaj tij një ton autoritar, meqë i kishte dhënë të kushërirën për nuse.
            Në shitoren e materialeve dhe veglave të ndërtimit "Gogoallat" gjeje ç'të të kërkonin kallot e duarve. Kishte vegla të cilësisë së parë të prodhuara në Gjermani dhe vegla me një përdorim të prodhuara në Kinë dhe Bangladesh. Ndonëse çmimet ju dukën të kripura, bleu nga firma të dëgjuara, për mos pritur hokat e kushëririt të Artemisit.
            Nxitoi duke ngjitur shkallët dhe një befasi e bukur e priste. Bertoja kishte hapur derën hyrëse të apartamentit, ose më mirë e kishte hedhur përdhe nga brenda në një mënyrë, që vetëm ai mund ta bënte duke qënë edhe vetë brenda dhe pa e zënë dera poshtë. Dëgjohej edhe , që dialogonte me veten.
            -Me kë llafosesh ti o?!
Por për çudinë Naimit, përgjigja nuk erdhi me tingujt e ngrohtë të zërit babaxhan të Dajkos, por në ca tinguj të lartë dhe autoritarë:
            -Shiko zotëri se unë t’marr e t’pëlcas brënda!
            -Avash o avash ti se mos e dish se ke të bësh me ndonjë si dokudo! Jam Berti Dajkoja dhe i kam miq të tërë të bashkisë nga Fikoja e deri në Genc Gollashi.
            -Zotëri nëse nuk je pronari i këtij objekti atëhere mbi ty…
Naimi kishte hyr në korridor i tronditur nga zëri autoritar, që nuk ishte i Dajkojs dhe i penguar nga pjerrësia e ndryshueshme e dërrasave të bufatar dhe gati u përplas me dy njerëz me një dosje, që rrinin përballë burrit të kushërirës.
            -Jam unë pronari- mundti të thërriste.
            -Kush jeni ju?- foli ai pa dosje, që kishte të njëjtin zë,që Naimi kishte dëgjuar shkallëve.
            -Naim Hana, bashkëpronar i apartamentit sëbashku me gruan time Artemis Hana, që është në Amerikë.- tha me një frymë.
            -Keni dëshmi, që vërteton pronësinë mbi objektin?
            -Duhet të jetë këtu, diku…po si e shikoni çdo gjë është shkatërruar.
            -Ne do ju lemë kohën e duhur të gjeni Dëshminë e Rregjistrimit të pasurisë për objektin në fjalë. Shëno në proces-verbal, që dy personave të gjetur në objekt e të identifikuar si Berti Dajko dhe Naim Hana, ky i fundit pretendon se është bashkëpronar, ju la koha e duhur për të gjetur dokumentat, që vërtetonin pronësinë- ju drejtua shokut me dosje.
            -Po gjendet këtu o?- u hodh Dajkoja.
            -Po në këtë shkatërrim mund të duhen ditë dhe mos e gjej dot dëshminë!
            -Pse e kini shkatërruar zotëri? Keni leje për prishje?
            -Nuk e kam shkatërruar unë.
            -Po po…- vazhdoi me ironi ai pa dosje- edhe këto varetë, t’i kanë vënë në dorë të tjerët.
Mjeku u skuq, por e mblodhi veten edhe nga vështrimi qortues i Berti Dajkos.
            -Po ju të dy ç’doni këtu?
            -Ne jemi inspektorë të Policisë së Ndërtimit- u përgjigj serbes ai me dosje.-Kini leje ndërtimi ose prishjeje zotëri?
            -Jo. Po pse më duhet leja e ndërtimit për të rregulluar apartamentin tim?
            -C’leje mo…-u hodh Dajkoja
            -Ku jeton ti zotëri?!
            -Në Karolinën e Veriut.
            -E po këtu nuk jemi as në të Veriut as në të Jugut dhe as në të Lindjes. Jemi në Bredhishtë dhe kemi ligje. Ndaj nëse nuk ke Leje me firmë të Kryetarit të Bashkisë, zotit Fiko Fufulina, ndërpre punimet dhe largohu menjëherë nga objekti!
            -C’punime o? Ne pastrim po bëjmë!
            -Ti zotëri jo vetëm , që nuk je pronar, por nuk ke as liçencë ndërtimi, as pastrimi dhe as një lloj tjetër liçence tjetër profesionale. Largojuni në këtë moment nga objekti- ngriti zërin ai me dosje.
            -Avash o avash ti! C’objekt është ky o?
Naim Hana e pa, që situata po përkeqësohej se inspektori pa dosje kishte nxjerrë nga xhepi celularin e po formonte një numur, ndaj e zuri nga krahu kushëririn e Artemisit dhe i pëshpëriti në vesh “Berto lemë të merrem vesh unë me këta. Dil njëherë andej nga Guguburger.” dhe duke ju rënë shpatullave e shoqëroi deri tek dera e rrëzuar. Berti Dajkoja vazhdoi rrugën duke mërmëritur e tundur kokën, ndërsa njëri nga inspektorët shkruante në dosje dhe tjetri, që nuk kishte dosje, diçka theshte nën zë në telefon. Mjeku priti sa mbaruan veprimet e tyre operative dhe ju drejtua atij pa dosje.
            -C’duhet të bëj për Lejen e ndërtimit?
            -Atë do të ta sqarojnë në Bashki, në Departamentin e Urbanistikës. Ne si Polici Ndërtimi ju urdhërojmë të ndërprisni punimet dhe të lini objektin.
Naimi donte ta pyeste, nëse duhej të dilte nga apartamenti i tij, që tashmë ishte ‘objekt” para apo pas tyre dhe se ç’do bëhej me derën e rrëzuar, për të cilën kishte menduar se do e kishte rrëzuar nga brenda Dajkoja, por që sipas gjasave duhet të ishte rrëzuar nga jashtë nga dy inspektorët autoritarë të Policisë së Ndërtimit. Vendosi të largohej i pari dhe të shkonte në Bashki për të marrë lejen e ndërtimit. Zbriti shkallët me nxitim dhe para se të shkonte në bashki u kthye në “Guguburger”, ku gjeti Berton duke ngrënë gjithë qejf dy guguburger. I spjegoi, që të priste sa të iknin inspektorët dhe të rrinte në apartament sa të merte ai lejen e ndërtimit në Bashki dhe gjysëm me vrap përshkoi njëmijë metrat, që ndanin Bashkinë nga ish-gjelltorja “Plava e Gucia”. Shkallët i ngjiti rrëmbimthi dhe hyri në hollin e bashkisë, që ishte modernizuar dhe shkëlqente. Përballë ishin katër sportele me xham ku dukeshin tre kokë me flokë dhe një pa to. Në sportelin e kokës pa flokë ishte shkruar:
                         LEJEHYRJE & INFORMACION
                                    z. Bilo Beli
Naimi u drejtua me të shpejtë drejt sportelit duke menduar nëse duhej t’i drejtohej me “zoti Bilo” apo “zoti Beli”. Ndërkohë Biloja e kishte parë dhe i buzëqeshi gjithë mirësjellje.
            -Zoti Bilo, më duhet të shkoj në Departamentin e Urbanistikës.
            -Përse doni të shkoni në urbanistika zotëri?- pyeti gjithë buzëqeshje tjetri.
            -Më duhet urgjentisht një Leje ndërtimi për rinovimin e apartamentit.
            -Për aplikimet për leje ndërtimi duhet të vini ditën e martë.
            -What?!- I shpëtoi mjekut dhe e korrigjoi shpejt duke thënë- Si të martë? Sot është e enjte. Mua më duhet urgjent.
            -Ka një procedurë të përcaktuar për të gjithë departamentet dhe të firmosur nga Kryetari i Bashkisë, të cilën nuk mund ta shkel dot- ngriti supet duke vazhduar të buzëqeshte nëpunësi Bilo.
            -Unë po shkoj të bisedoj me zotërinjtë e Urbanistikës. Ndoshta ata do bëjnë një përjshtim.
            -Nuk ka përjashtim zotëri. Asnjë përjashtim. Nëse do mundoheni të hyni me forcë do përballeni me ligjin.- vari buzët i sjellshmi Bilo.
            -Me ç’ligj do përballem?- thirri i indinjuar mjeku- Cili është ky ligj, që më ndalon të hyj në Bashkinë e qytetit tim?
            - Zotëri uleni zërin! Në këto çaste është duke u mbajtur një mbledhje me shumë rëndësi  me investitorët e huaj nën drejtimin e nënkryetarit Genc Gollashi.
            -Dua të takohem urgjentisht me Genc Gollashin!- e humbi kontrollin Naimi- Edhe unë jam investitor i huaj…Nga Karolina e Veriut.

            -Po nuk ë lejojmë ne ty o zotëri- u dëgjua një zë jo I lartë po I vendosur- Ne përse jemi këtu apo të hyjë derri e dosa me brekë e pa brekë?! Dhe dy burra me uniformë, por pa kapele, me stema, ku shkruhej “Policia Bashkiake” e mbërthyen nga krahët Naim Hanën dhe gjysëm me pahir e shpunë në nnjë derë në fund të hollit ku shkruhej Drejtori I Kontrollit të Territorit. Njëri prej tyre trokiti dhe pasi dëgjoi “hyrë“ e shtyri mjekun brenda zyrës.