Thursday 31 July 2014

“The Shock of the New.”

Unë e kam përkthyer “Tronditja nga e Reja”, por mund të ketë edhe variante më të sakta shqipërimi si “Goditja nga e Reja”, “Mëkja nga e Porsambritura”, “Habitja nga e Reja”, “Fiqirikja nga Kërcka” apo dhe të tjera. Po ja le Benit të gjejë më të saktën.
“The Shock of the New” është një seri dokumentarësh e BBC-së e vitit 1980, që tregon se si hynë rrymat e artit modern (kryesisht të atyre figurative) në shoqëritë perëndimore duke filluar prej impresionizmit e deri në fundin e viteve ’70 dhe se si kishte qënë procesi i pranimit të tyre nga ato shoqëri. Janë 8 episode shumë të vlerësuara në rrethet e atyre që njohin thellë artin modern dhe shoqëritë perëndimore të 150 viteve të fundit.
Sigurisht, që profesori Wilson, që e lidhi këtë shprehje me projektimin e Kullës në Korçë dhe reagimin e opinionit publik i ka parë episodet. Kushdo mund t’i shohë sot në youtube. (Nuk e ve dorën në zjarr për Peleshin e Filon, se si politikanë dhe administratorë kanë pak kohë të shohin dokumentarë rreth artit.)
Përdorimi i shprehjeve të tilla “magjike” nga politikanët nuk është ndonjë gjë e re. Në gjithë botën e zhvilluar. Ata janë gjithë kohën në lëvizje, mbledhje, debate parlamentare, intervista, sa nuk kanë mundësi të lexojnë apo të thellohen në problemet. Nga pas kanë një grup njerëzish duke filluar me ata, që ju shkruajnë fjalimet e deri tek këshilltarët për ushtrinë, urbanistikën, letërsinë, arsimin, shëndetsinë etj. Kanë një veçori, e cila i dallon nga të tjerët. Janë shpejtnxënës (nuk dita si ta përkthej më mirë “fast learner”). Mjafton t’ju thuash disa shprehje parafabrikate, nga ato që kanë efekt dhe fillojnë t’i përdorin menjëherë me efikasitet. Dhe këtu e kam fjalën për të gjithë politikanët e vendeve të Botës së Parë.
Tanët janë jo më pak shpejtnxënës edhe pse ne jemi një vend i Botës së Tretë. Në 20 vjet mësuan gjithë hiletë, për të cilat të tjerëve ju deshën disa breza.
Tani nuk ka njeri, që i ze dot në fjalë!
Në fillim mendova, se ndërtimi i Kullës si është paraqiutr në skicën e prof. Wilson nuk kishte se si mbrohej. Ishte edhe më i pambrojtshëm se prishja, që donin t’i bënin Bolles+Wilson 5 vite më parë Shkollës “Th. Gërmenji”. Por edhe për të u gjend dermani! “The Shock of the New.”
E mendoj se dikush , që ende beson tek Nikua i thotë “More si do ndërtoni atë Tmerr aty?” dhe do marrë duke buzëqeshur përgjigjen “The Shock of the New!” Ndoshta do ketë edhe gazetarë që mund ta pyesin për reagimin e korçarëve dhe të marrin të njëjtën përgjigje. Sigurisht edhe Raqka i Bashkisë, do ketë lënë tashmë shprehjen angleze “të pengimit dy herë në një gur” dhe do ketë përvetësuar të renë. Kjo është edhe më e shkurtër.
Një pjese të mirë nga korçarët që jetojnë në Korçë, Tiranë apo edhe jashtë Shqipërisë, kanë pasur  vërtet këto javë “Fiqirikje nga Kërcka”. Edhe pse kjo që paraqitet si “kërckë“ nuk ka shumë lidhje as me të renë në arkitekturë dhe as me dokumentarin e BBC. Në botën perëndimore ka të paktën 40 vjet, që është hequr dorë nga kjo arkitekturë. Bile sot e Re nuk quhet blob arkitektura e Frank Gehryt, apo dekonstruktivizmi dhe Hi-tech arkitektura sepse kanë shumë shembuj të njohur dhe janë mirëpritur nga opinion i specializuar dhe ai i zakonshmi.
Mua nuk më gënjen mendja, që të pres, që në një qytet të vogël të Ballkanit, edhe pse është qyteti im i dashur, të ndërtohet diçka,”e papame”, që do lerë pa mendje vendas e të huaj.
Mjaft të ndërtohet diçka bashkëkohore, me materiale më të lehta e më transparente dhe me lëvizje vëllimesh , që të kujtojnë diçka nga arkitektura e Korçës.
Nëse për këtë nuk ka fonde të mjaftueshme, le të shtyhet ndërtimi dhe të gjenden mënyrat për tu financuar më vonë.

Por mos na jepni këtë Beton-Shock, që po na e shisni si të Re!

Wednesday 30 July 2014

Arroganca e profesorit Wilson

Sot mora në  FB pë rgjigjen e profesorit Wilson, rreth letrës sonë  të  hapur drejtuar Niko Peleshit. Më  bën të  dyshoj, se janë  më  shumë  nëpunësit shqiptarë  të  detyruar të pranojnë  “autoritetin” e arkitektit-profesor, se sa e kundërta. Për të  gjithë ne, që jemi mësuar me korrespondencën profesionale të  firmave të  projektimit në  Amerikën e Veriut, përgjigja e tij është  më  e pakta ta quash e pasjellshme. (Kolegët tanë  amerikanë  e kanadezë  do ta kishin marrë  me “damote”).  Po e ve më  poshtë  përkthimin e plotë  të  letrës dhe po ja u le ju, miqve të  mij të  gjykoni:

Në  mbrojtje të  projektit gjerman të  projektur nga një  Australian:

Një  grup prej 7 arkitektë sh me origjinë  nga Korça kanë  denoncuar firmë n Bolles+Wilson për projektin e Kullë s Vrojtuese në  sheshin pë rballë  teatrit “A.Z. Cajupi” në  Korçë .
Motivi i tyre duket të  jetë , se ju dëmtohet mënyra nostalgjike e kujtimit të  qytetit të  tyre, të  cilin e kanë  braktisur për të  shkuar në  provinca të  ndryshme të  Botë s së  Re.
Kriticizmi theksohet edhe nga fakti që  protestuesit janë  të  gjithë  arkitektë , kjo e përforcuar me përcaktimin e Kullë s si “Brutaliste”, një  term që  tashmë  ka mbetur pas në  Historinë  e Arkitekturës a ndoshta në  debatet, që  zjenin në  kohët para se ata të  emigronin.
Në se do ishin më  të  informuar ata do ishin në  gjendje të  kuptonin se projekti i përket një  zhanri shumë  të  ndryshëm e bashkë kohor të  Reduksionalizmit dhe ka marrë  thellësisht në  konsideratë  karakteristikat arkitekturore dhe kompozimin e vendit ku vendoset.
Ne tek Bolles+Wilson jemi të  çuditur, se si një  debat professional mund të  bjerë  në  nivele të  tilla, ku objekteve ju vihen damka dhe jemi mirënjohës, që klienti jonë , dhe si na kanë  raportuar shumica e popullsisë  të  Korçës, kanë  një  qëndrim vlerësues dhe plot respekt ndaj profesionalizmit tonë  dhe projektit në  fjalë .

Prof. Peter Wilson “


Tuesday 29 July 2014

Shtyrja

Ti më shtyve.
Larg nga ëndrrat,
Të cilat ende nuk i kishim përzjerë.
Padashje më shtyve
Nga këndi i mbledhur i syve
Në një të humbët humnerë,
Nga ku nuk shoh nëse dielli ka lerë,
Dhe që dot s’na nxe të dyve.
Pastaj symbyllur
Përreth me duar më kërkoje,
Në vendin ku ishim ulur,
Sandalet e mbetura prekje plot droje.
Prej trupit shkulur,
Kur padashje ishe përkulur,
“Të dua” të më thoje
Dhe nuk kishe ndjerë se më pate humbur.
Ashtu mbetëm.
Ti në të lartin vend ndriçuar
Dhe me ankth prêt ç’ka gishtat s’gjetën,
Pa ditur ç’ke shkaktuar,
Kur e dashuruar
Me një shtyrje të lehtë,
Më nise në një botë të harruar,
Ku duhet të rri i vetëm.

Po ty ç’të duhet?!

Po vërtet ç’më duhet mua?
Mos jam ndonjë nga cmirëzinjtë, si cilësohen në “furçat”, që i bëjnë Nikos militantët apo të tjerë dritëshkurtër, që për Partinë mund të thonë çdo marrëzi, ata që kundërshtojnë Kullën?
A ndoshta ka të drejtë Jano, që thotë në mënyrë figurative se “mjekra e lënë në kujtim të viteve të humbura” nuk më le të shikoj mirë?
Mundohem të grërmoj thellë vetes, të gjej përgjigjen e pyetjes, që më mundon mua dhe dashamirësit e mij:
“Po unë çkam kaq shumë me Kullën?”
Nuk ka të bëjë as me prirjet e mija arkitekturore dhe as me politikën. Aq më pak me Bolles+Wilson. Ndoshta të njëjtat gabime do bëja dhe unë po të projektoja për një qytet në Peru apo në Tailandë. Do gjykoja ftohtë mbi vëllimet, siluetat dhe raportet mes hapësirave teknikisht dhe për tu ndjerë, që kisha qënë edhe unë atje.
Ka qënë një pjesë bulevardi, shumë e dashur për mua në fëmijëri dhe adoleshencë, të cilën e shkatërruan. E kam fjalën për pjesën e “Republikës” të mbuluar nga gështenjat e egra, prej Bopit e deri tek Furra e Ligorit. Ishte një pjesë e qytetit, të cilën nuk e heq dot as sot nga mendja. Në vend të saj është një pjesë bulevardi e zbrazët, pjesë e një sheshi pa shumë hije dhe një ndërtim, që dikur shkodranët e quajtën “radio me bateri”.
Pjesa tjetër, po aq e dashur dhe plot dritë, ka qënë trotuari para shën Gjergjit e deri para Pallatit të Kulturës. Ishte një hapësirë e ndriçuar nga dielli edhe mëngjesave, por sidomos në pasditet e bukura të qershorit kur kundërmojnë bliret. Në atë pjesë trotuari të gjerë shikoje vazhdimisht shkrimtarë dhe aktorë, violinistë dhe këngëtarë, që hynin e dilnin në Pallati apo në Biblioteka, ose rrinin në grupe duke qeshur dhe diskutuar për Korçën dhe artin.
Tani diellin e atyre pasditeve të vona, do e “grabisë“ një vëllim i shëmtuar betoni, që do bëjë të mos e harrojmë kurrë ashpërsinë dhe brutalizmin e pushtetit.
Unë nuk jetoj atje.
Por mendja dhe endrrat e mija janë edhe pa dashur unë në atë pjesë të Korçës.


Monday 28 July 2014

Agjitacion e propagandë kundër pushtetarëve në fuqi

Pak nga brezi im e kujtojnë të saktë nenin famëkeq për Agjitacion e Propagandë kundër pushtetit popullor. Kur arritëm moshën e “pjekurisë për burg”, neni edhe pse ishte në fuqi, nuk aplikohej në stil të gjerë si 5-6 vite më parë. Po ishte një nen, që njihej mirë dhe na i kishte futur “majmunin llafazan” të të folurit thellë në bark. (Të rinjtë mos kujtojnë se vërtet e mbanim gojën kyçur, por për politikë, filozofi, fe dhe art, ose flisnim pak, ose vetëm në prani të njerëzve shumë të besuar.)
Të gjithë e kujtojnë, që goja filloi të “shthurret’ gradualisht pas ekzekutimit të Kadri Hazbiut dhe gjithë të Përbrëndëshmve dhe mori hov pas vdekjes së Diktatorit dhe më shumë në fundin e viteve ’80.
Nga ai nen ishin përvëluar shumë njerëz e familje dhe duke përjashtuar njerëzit “veçanërisht të ligj”, komunistë e jo komunistë ndjenin keqardhje për ata , që dënoheshin për një fjalë goje. Shoqëria shqiptare edhe nëse mund t’i linte mënjanë ata , që ishin dënuar për agjitacion ndjente jo vetëm keqardhje, por edhe një ndienjë faji, sepse tradicionalisht nuk kishte pasur ligje, që dënonin po të flisje kundër pushtetit.
U zgjata me këtë histori të kohës kur mungonte Liria e të folurit apo të shkruarit kundër Pushtetit, sepse kam vite, që mendoj se sa absurde është sot frika nga të folurit apo të shkruarit kundër Pushtetit. Vërtet në Kushtetutë kjo e drejtë e çdokujt është e garantuar, si dhe nuk ekziston më një nen i tillë, por ka më shumë se dhjetë vjet, që Ekzekutivi, Drejtësia dhe Pushteti Lokal mund të të bëjnë të vuash më shumë se ata “katilët”, që të futnin brenda.
“Ua ç’na paske zbuluar!” mund të hidhet me të drejtë gjithkush nga miqtë e mij në Shqipëri, sepse e dinë mirë ose e kanë provuar në kurrizin e tyre apo të të afërmve.
Mua më duket e çuditshme, jo sepse jetoj larg Shqipërisë dhe në një vend të lirë, por sepse më duket e habitshme, që si është krijuar dhe funksionon ky sistem i ri.
Po rikthehem ne kohë dhe po them me dy rrjeshta se sa di rreth mënyrës se si funksiononte në atë kohë. Kishte ‘operativë“, që paguheshin me rrogë të plotë dhe mbulonin një lagje, një institucion apo një fabrikë dhe një rrjet me spiunë, që paguheshin “part time”, se punonin në një vend tjetër. Ata quheshin AGBV(nëse nuk e ngatërroj), dhe disa prej tyre ishin edhe hapur dhe vinin një shirrit të kuq në krah me këto iniciale, kur kishte grumbullime të mëdha publike. Ishin kateguria më e ulët në shkallët e shoqërisë shqiptare. Natyrisht, pjesa më e madhe nuk diheshin cilët ishin edhe pse njerëzit kishin dyshime apo dijeni për njerëz të caktuar. “Spiunët” mblidhnin llafet e thëna në kafene, rradhëra apo në punë dhe ja u përillnin operativëve dhe personat filloheshin të survejoheshin. Nuk kam ide se sa %  të survejuarve përfundonin në burg.
Ky system ishte i ngritur, kishte orientime të qarta, dihej se ç’mund të klasifikohej pro dhe kundra dhe funksiononte.
Më spjegoni ju lutem se si funksionon sot, kur njerëzit flasin në kafene, në radio e tv, në të quajturat media sociale, shkruajnë në gazeta, komentojnë shkrime, marrin pjesë në protesta?
Sa djall spiunë duhet për të kontrolluar një armatë njerëzish, të cilët punojnë në shtet dhe, që duhet të mbajnë gojën kyçur dhe tastierën bllokuar për të sharë pushtetarët apo punët e tyre të liga?
Dukuria është jo vetëm e frikshme, por dhe e turpshme. Sepse nuk mund të funksionojë pa një masë të madhe njerëzish, të cilët shpien fjalët tek të fuqishmit.
U bënë tre vjet, që i jap me periudha ‘tastierës së kompjuterit” pak më shumë se sa duhet. Në përgjithësi kritikoj, se e quaj se mund ta ndihmoj më shumë shoqërinë shqiptare duke vënë në dukje të metat, se sa të brohoras arritjet “nga Kongresi në Kongres apo nga Legjislatura në Legjislaturë“. Ndonjëherë edhe mund të kem vënë në vështirësi miq të mij. Thuajse të gjithë më shkruajnë në “inbox” “Ke të drejtë, por nuk shkruajmë dot, se humbasim punën”. Tani më shkruajnë edhe miq të mij në Amerikë ose Kanada, që nuk të mbështesim dot, se kemi njerëzit atje dhe na i heqin nga puna!
Eshtë e poshtër dhe e dhimbshme!
E poshtër dhe kriminalepër ata, që e bëjnë duke filluar nga spiunët , që përgjojnë edhe ç’komentohet në FB dhe e dhimbshme për ata , të cilët ndjehen kaq të pafuqishëm!

(Ndoshta disa mendojnë, që ata të nxirrnin nga burgu pas 10 vjetësh, kurse këta të dënojnë të mbetesh pa punë përgjithnjë!)

Sunday 27 July 2014

Letër e hapur Zv.Kryeministrit Niko Peleshi

Zoti Zëvendës Kryeministër,

Ne jemi shtatë arkitektë me origjinë nga Korça, që punojmë në shtete e provinca të ndryshme të Amerikës së Veriut. Po ju drejtohemi me shpresën, se keni ende dëshirën e mirë, për të përmirësuar qytetin tonë të lindjes. Disa prej nesh ju njohin personalisht dhe të tjerët nuk e kanë patur mundësinë, për shkak të emigrimit të hershëm. Megjithatë, të gjithë kemi besuar e besojmë se i doni të mirën Korçës.

Jemi tejet të shqetësuar, për ndërhyrjen, që po bëhet në sheshin para Teatrit “A.Z. Cajupi”. Edhe pse ju nuk jeni më Kryetari i Bashkisë së Korçës, e dimë, që projekti ka qënë dhe mbetet nisma e juaj, i ideuar si një përpjekje e mirë për të përmirësuar qytetin. Pamjet 3 dimensionale, që kemi parë në mjetet e informimit (në faqen zyrtare të Bashkisë se Korçës në internet nuk ka asgjë rreth projektit më të rëndësishëm të Bashkisë për vitin 2014) na kanë tronditur. Projekti i paraqitur është një shembull i keq i Arkitekturës Brutaliste, e cila ka perënduar në botën e përparuar, që në mesin e viteve ’70 të shekullit të kaluar.  Ndërtimi nuk mund të konsiderohet një eksperiment i arkitekturës bashkëkohore, të cilin koha do e gjykojë më vonë. Ndërtimet më në zë të arkitekturës brutaliste qëndrojnë në shumë qytete perëndimorë, si shembuj të një marrëzie eksperimentale të viteve ’50 dhe ’60, kur arkitektët përpiqeshin të gjenin rrugë të reja të shprehjes arkitekturore.

Një objekt i tillë nuk duhet ngritur në qendër të një qyteti me karakteristika të formuara mirë edhe pse gjatë 70 viteve të fundit, ka pasur në të plot shembuj të ndërhyrjeve të gabuara në arkitekturë dhe urbanistikë. Ne kemi vlerësuar përpjekjen tuaj për të përmisuar kompleksin arkitekturor të sheshit edhe pse përgjithësisht gjykojmë, që në një qytet me pak hapësira publike, sipërfaqet e lira duhet të ruhen.  Megjithatë, ndërhyrja në të duhet të jetë krejt e ndryshme nga projekti gjerman, tashmë i miratuar dhe i nisur të zbatohet. Korrigjimi i thellë i tij është i domosdoshëm dhe i mundshëm. Mjafton vetëm dëshira juaj e mirë për të dëgjuar sugjerimin tonë dhe të shumë korçarëve të tjerë, të cilët  publikisht apo privatisht po e kritikojnë projektin.
Ju kërkojmë me ngulm, por dhe me besim të ndalni këtë gabim të rëndë arkitekturor dhe urbanistik në qytetin tuaj dhe tonin.
Shpresojmë që keni dashurinë për Korçën dhe vullnetin për ta bërë këtë.


Me respekt,

Ark. Anxhela Mosko       Hamilton, Ontario
Ark. Jeta Xhufka                               Toronto, Ontario
Ark. Ilia Lera                       Boston, Massachusets
Ark. Klarens Karanxha    Boston, Massachusets
Ark. Maksi Pengo             Boston, Massachusets
Ark. Naumaq Mara          St.Catharines, Ontario
Ark. Nensi Bregu              Boston, Massachusets



Saturday 26 July 2014

Do bëhemi me Kullë Vrojtuese

Para një jave, kur pashë skicën e Kullës(autorët e kanë quajtur Vrojtuese) u trondita. Nuk e prisja të arrinin deri në këtë masë gabimet në ndërtimet në Korçë. Tani edhe gjaku nuk më vlon si në fillim dhe ka nisur, që kjo histori të bëhet interesante. (Sa mund të jetë interesant një film nga ata të Tmerrit.)
Në ditët e fundit, nga kjo ngjarje e rrethuar me mister dhe llamarina të valëzuara kanë dalë disa fakte të reja, që e bëjnë më të koklavitur. Profesor Peter Wilson, në një letër drejtuar gazetarit Kallamata nxjerr teorinë “Shock of the New” e cila brenda ditës përsëritet në FB edhe nga Peleshi dhe nga disa papagaj të tij.
Me pak fjalë, ju qytetarëve të Korçës po ju ndodh si parisienëve kur filloi të ndërtohej Kulla Eiffel, që protestonin, por pas disa dekadave u kthye në simbol i Parisit dhe ne krenari te tyre.
Deri tani kisha menduar, se firmës I ishte kërkuar të ndërtohej diçka në shesh e ndryshme nga Piramida e menduar prej tyre në vitin 2009, e cila nuk ishte miratuar nga Juria e kryesuar nga Blushi-Peleshi.
Arroganca e profesorit Wilson, që e quan Kullën si “xhevairin” mbyllës të Planit të Qendrës dhe me pretendimin se do kthehet simbol i qytetit në të ardhmen, më bën të vras mendjen nëse ka qënë Bashkia, që ka këmbëngulur për këtë lloj ndërtimi apo profesori me autoritetin e tij i është imponuar asaj. Gjithsesi të dy palët kanë mbetur të kënaqur nga njëri tjetri, Rama ka hapur thesin e buxhetit dhe ne do na mbetet peshqesh Kulla e Vrojtimit. Falas.
E ve me mendje veten në tarracën e Kullës së Vrojtimit(edhe pse nuk kam imagjinatën hapësinore të profesorit Wilson) dhe mendoj se ç’tavolinë të zgjedh për të patur pamje më të mirë. Them më mirë në qoshen Veri-Perëndimore se atje mund të shikoj i pari kur vijnë çiklistët e të thërres “Erdhën çiklistët!” por kujtohem , që në Shqipëri ka kohë, që nuk bëhet Rrethi i Shqipërisë dhe hidhem në mes. Eshtë vendi më i mirë, jo për mua po për Peleshin, se që atje shikon drejtpërdrejt tarracën e shtëpisë të tij dhe mund t’i valëvitin dorën për t’i thënë “Lakrori u poq!”
Në qoshen Veri-Lindore ka mundësi të shoh Bul Shën-Gjergji dhe në mbyllje të tij në të majtë, shtëpinë e Mandi Tërpos, atë që të gjithë e quajmë me krenari dhe dashuri Mësonjtorja e Parë. Detyrimisht do më vijnë mes lotësh ndërmend vargjet e Naimit, por i “Tronditur nga e Reja” do më dalin mes dhëmbësh:
“Lumja ti o Korçë o lule,
Që ke qënë qytet me vulë,
Si trimi në ballë u sule,
Sot të ngulëm e një Kullë!”



Friday 25 July 2014

Dy fjalë rreth qendrës së Korçës

Diskutimi rreth objektit , që po ndërtohet në sheshin para Teatrit është e mira të mbahet larg politikës dhe “nxirrjes” të të gjithë punëve të Bashkisë gjatë 5 viteve të fundit. E them këtë, se ndjej që mllefi partiak na bën të tejkalojmë kufijtë e asaj, që është e logjikshme.
Urbanistika dhe arkitektura janë fusha, ku gjithmonë ka pasur e do ketë debate nga njerëzit më të thjeshtë dhe deri në ata , që e quajnë veten specialistë. Hapësirat, vëllimet, ngjyrat, dritëhijet nuk perceptohen nga të gjithë njëlloj dhe nuk kanë të njëjtin efekt në çdokush. Ndaj askush nuk ka në dorë “skeptrin magjik” të projektojë apo të ndërtojë objekte, sheshe, rrugë e lulishte, që do pëlqehen nga të gjithë. Por ka gjëra , që pëlqehen nga një shumicë dhe vazhdojnë të pëlqehen nga brezat. Ka dhe të tilla, që duken bukur disa vjet dhe stonojnë më vonë e kështu me rradhë.
U zgjata pak për të thënë se prej vitit 1992 e deri më 2014, në Korçë janë bërë edhe gabime por edhe gjëra të mira, të cilat lidhen me arkitekturën. Periudha e Peleshit dhe “vazhdimësisë“ nuk më duket se është më e “errëta”. Janë bërë plot të tilla në periudhat Gjinko, Kotmilo, Duro e Damo. Duhet edhe ta lavdërojmë për tërheqje investitorësh apo fondesh për ndërtime publike. (Nuk di se sa prej tyre janë me kredi bankare dhe sa në borxhe është Bashkia).
Plani i Rregullimit të Qendrës i ideuar që më 2008 ishte për tu përgëzuar si përpjekje. Sigurisht , që pati shumë probleme me projektin fillestar të Bolles + Wilson, por në të ka edhe gjëra të mira. Unë personalisht kam qënë pro Këmbësores(Pedonalja e quajnë) dhe nuk e kuptoj se pse duhet quajtur si diçka , që e ka shkatërruar Korçën. Mund të bëheshe më mirë? Gjithnjë dhe çdo gj[mund të bëhet më mirë.
Le të vijmë tek “pika e nxehtë“ e debatit të sotëm.
Kulla, që ndërtohet edhe pse në përgjigjen, që Wilson ka dhënë për ata që i kanë shkruar këto ditë, quhet si kurorëzim i Pedonales është një ndërtim i gabuar jo vetëm për Qytetin tonë, por edhe për çdo qoshe të Botës. Eshtë një lloj ndërtimi i atyre, që i përkisnin rrymës së Arkitekturës Brutaliste, e cila nuk pati suksese në vitet ’50 dhe ’60 në Europë. Ende sot nuk arrij të kuptojse pse Peleshi dhe Bashkia e kanë pranuar këtë projekt.
Por për hir të Kullës nuk duhet të hedhim poshtë çdo gjë dhe sidomos investimet e këtyre viteve, përfshi këtu edhe ato të sivjetmet e dhëna për Pazarin.
A kalojnë këto fonde në xhepa të caktuara?
Me siguri, që po, sepse kështu ndodh kudo në Shqipëri, por këtë gjë nuk e luftojmë dot shpejt.

Shpejt duhet të luftojmë për tu ndryshuar Kulla!

Monday 21 July 2014

Ndoshta ka ende shprese.

Ky shenim u postua ne FB me titullin "Per ju 48 miqte e mij" me shpresen se ende ka kohe te behet dicka.


Mbase do ju lodh edhe disa javë të tjera, pasi përfunimisht të kem humbur shpresën, se “Damblla-Kulla”mund të korrigjohet para se të jetë shumë shumë vonë.
Nuk dua përsëri të prek motivet e pikënisjes 6 vjet më parë, të këtij projekti, që sot po paraqitet si “Rilindje” e shesheve komuniste. Po i largohem edhe diskutimit profesional, sepse është i tepërt dhe mbase edhe i lodhshëm. Me përshtypjen time bashkohen të gjithë arkitektët, me të cilët kam këmbyer mendime. Qofshin korçarë apo jo, të përfshirë apo jo në politikë, të interesuar apo jo për qytetin. Nëse do kishte edhe një të vetëm, që të kishte thënë diçka të mirë do e vija pa asnjë hezitim në këto që po shkruaj.
Në këto rrjeshta, si një njeri, që ka mbushur 55 vjet dhe prej të cilave gati 4 dhjetvjeçarë i ka kaluar në Korçë po shkruaj se sa pak gjëra të shenjta na mbeten në jetë, kur kuptojmë, që para kemi më pak rrugë nga ajo , që kemi kryer deri tani.
Korça është njëra syresh. Jo vetëm se është qyteti ku kemi kujtimet e moshave më të bukura, por edhe se na ka bërë të ndjehemi krenarë për bukurinë e pastërtinë e saj, për shpirtin e qytetarisë, për qënien “më perëndimore” se qytetet e tjera shqiptare. Disa herë, në shkënimet e mija këtu, kam prekur temën e bjerrjes të disa prej vlerave. Dua të theksoj, se nuk e ve në dyshim, që po aq sa unë e kanë të shenjtë Korçën edhe ata , që jetojnë ende atje, si edhe ata, që janë nismëtarët e “çështjes Kulla” apo edhe të tjerë, të cilët për motive politike apo militantitizmi e brohorasin projektin apo “procesin”.
Por mos harroni, se Korça u bë para vitit 1944, ajo që ishte, pikërisht nga një dashuri e përbashkët e atyre që jetonin atje dhe mërgimtarëve. “Përbuzja” ndaj nesh, që jetojmë largo se thëniet “Pse s’vini ju këtu!”, “Po t’ju bëhej vonë nuk iknit!” , apo “Me dylbi nga Amerika duken kollaj!” nuk sjell ndonjë gjë të mirë veç ndarjes. Ne mund të bëjmë më pak se jetojmë larg, por edhe mund të shohim më mirë, pikërisht sepse jetojmë larg.
E përmenda vitin 1944, sepse ai është viti i fillimit të rënies së Korçës. Izolimi nga bota e shpuri qytetin më të zhvilluar shqiptar poshtë e më poshtë. Gjatë atyre 45 viteve ndodhën edhe gabimet më të rënda në arkitekturë dhe urbanistikë. Disa i kam përmendur në shënimin e mëparshëm dhe po shtoj këtu ndërtimin e shkollës “Stavri Themeli”, ndërhyrjet e rënda e të gabuara në zona ku ndodhet sot Katedralja, prishjen e gjysmës së Pazarit, ndërtimet në bul “Gj.Kastrioti” etj. Përveç faktorëve ekonomike, gabimet e rënda bëheshin nga porosi të njerëzve me pushtet dhe që shoqëroheshin me një nënshtrim të detyruar të specialistëve. Ata , që janë në moshën time dhe me të rritur i dinë historitë e porosive të Hoxhës për Shën Gjergjin apo sheshin e “Ushtarit të Panjohur”. Të tilla ishin edhe ndërhyrjet e ”më të vegjëlve” duke nisur me Myftar Grabockën e Todi Lubonjën e duke përfunduar tek më të rinjtë e periudhës së viteve ’80. Në qytet mbetën gjurmët e “porosive” të atyre “që kanë në dorë“.
Sistemi i ri i lirive, i kërkuar nga të gjithë vlen pikërisht për të minimizuar forcën e atyre “që kanë në dor”, ose si i themi më popullorçe, “që e marin gurin e i bien arrës”. Në Korçën e viteve ’30 nuk kishte të tilla. Edhe projekti i një arkitekti të njohur italian, i përkëdhelur nga Naltmadhënia, kur erdhi në Korçë të zbatohej, u xhvesh nga të gjithë elementët, që ndjeheshin të huaj për qyetin. E kam fjalën për projektin e Bashkisë(sot Pallati I Kulturës) projekti i autorit të projekteve të Ministrive, Florestano Di Fausto. Projekti i tij, i ngarkuar me elementë të rëndë të ‘neo-klasiçizmit” nuk u miratua para ripërpnimit të plotë dhe kthimit në një porjekt më të kohës dhe më në përputhje me arkitekturën e qytetit. E solla këtë shembull, të cilin jo shumë mund ta dinë, për të treguar forcën e qytetarisë korçare.
Problemi, i cili është para nesh, ka të bëjë me egon e zv. Kryeministrit, i cili mbështetet në këtë projekt edhe nga shefi I tij. Nuk ka të bëjë aspak me Kryetarin e sotëm të Bashkisë edhe pse ai mund të dalë e të përsërisë si papagall ato , që thuhen nga Peleshi apo nga shefi i tij. Ndërhyrja në shesh nuk ka të bëjë as me komunizmin dhe as me rikthimin tek qytetarët. E megjithatë “makina” është nisur dhe nuk mund të ndalohet!
Por mund të përmirësohet! Edhe Peleshi i plotfuqishëm, i mbështetur prej shefit të tij, nuk është aq i verbër dhe aq trim, sa të mos e dëgjojë thirrjen e të gjithëve.
Sigurisht nëse do thërrasin të gjithë dhe jo vetëm 48 miqtë e mij.





Friday 18 July 2014

Kulla e “Barit”

Një kolegia ime, e shqetësuar po aq sa unë, për atë, që po ndërtohet në Qendër të Korçës, më dërgoi këtë skicë, të vetmen, që kishte mundur të gjente në web-site të firmës gjermane Bolles+Wilson.
Në fillim më ngjau me një lloj karikaturë, të një reviste arkitekture, skica që përdoren shpesh për humor, për të kritikuar një prirje të gabuar në projektim a ndonjë qyfyr tjetër që lidhet me marëdhëniet investitor-projektues-ndërtues.
Për fat të keq nuk është e tillë.
Në rast se projekti i zbatimit është në përputhje me këtë skicë, atëhere mund të them me plot gojë, se kjo është zgjidhja më e keqe e mundshme për të ndërhyrë në atë shesh.
Kam vënë re edhe në studimin paraprak të projektit gjerman të vitit 2009, një lloj diletantizmi në projektimin arkitekturor të studios gjermane. Nuk kam dashur t’i hyj thellë analizave të projekteve, që kanë realizuar, sepse pak më intereson karriera dhe historia e asaj firme. Nuk kam dashur edhe të nxij punën e kolegëve, sepse kjo është gjëja më e lehtë për tu bërë, por  më pak etike. Sidomos kur jeton larg problemeve ndërtimore apo edhe stileve ndërtimore në Europë. Gjithashtu kam menduar se është një firmë e specializuar në Urbanistikë.
Po si mund të projektohet në këtë mënyrë për qendrën e një qyteti në vitin 2014? 50 metra më tej është një ndërtim I gati 80 vjetëve më parë, që është po aq modern edhe sot.
Tek ky ndërtim MUR, nuk ka as frymë të arkitekturës tradicionale, as të asaj moderne dhe as të arkitekturës së sotme, qoftë post-moderne, apo eko-arkitekturës a ç’farëdo stili të këtij shekulli. Eshtë projektuar pa më të voglin mund dhe pa menduar gjatë për qytetarët që do “bashkejetojnë“ ditë për ditë me atë ndërtim.
Një ndërtim i tillë do ishte i papranueshëm edhe për një qytezë në Malësinë e Madhe edhe pse atje mund të justifikohej, se kishte elementë të “kullës së barit” të Tuç Makut.
Nuk di se ç’farë kanë nisur të zbatojnë në Korçë, por nëse ka ende një dëshirë të mirë dhe pak llogjikë nga ata që i kanë hyrë kësaj valle, mirë është të ndërhyet për të ndryshuar projektin, qoftë edhe duke zmadhuar sipërfaqen dhe vëllimet e tij.

Nuk mund të shitet Korça kaq lirë, për ca Euro të qelbura!

Zhak Brel dhe "Ne me quitte pas"

Ndoshta e kam vene edhe me pare perkthimin e kenges me te njohur te Brel-it, por kur e kam kerkuar dikur nuk e kam gjetur ne Blog. Ajo qe eshte me poshte ka disa permiresime te vogla ndaj po e ve edhe si nderim per 85- vjetorin e tij te lindjes.

Mos ik

Mos më lerë!
Le të harrojmë,
C’mund të harrohet
Dhe s’ka më vlerë.
Të fshijmë çastet e keqkuptimit
T’ja lemë harrimit,
Të harrojmë ankthet,
Mos lemë të kthehen,
“Pse-të“ e dyshimit,
Vrarë prej trishtimit,
Ndienjat të zbehen.
Ndaj mos më lerë,
Ti pse më le,
Të lutem mos…

Unë do të sjell,
Të shiut perla,
Mbledhur në ëndrra,
Që kanë veç diell.
Thellë tokës do marr
Me ngulm, pa rreshtje
Të stis tënden veshje
Gjithë dritë dhe ar.
Do ngre mbretëri,
Mbi të puthjes brigje,
Me të dashurisë ligje
Mbretëresh’ do jesh ti.
Ndaj mos më lerë,
Mos më lerë,
Të lutem mos më lerë!

Të lutem dhe pak rri,
Se do krijoj fjalë,
Që kuptim nuk kanë,
Po do i pëlqesh ti.
Për dashnorët do flas,
Që sërish zjarrin,
Në zemër e marrin
Dhe ndarjen lenë pas.
Do tregoj për një mbret
Që dashuroi si i marrë
Por mbeti pa të parë
Dhe u lig e u tret.
Ndaj mos më lerë
Ti mos më lerë,
Të lutem mos…

Oh mos më lerë,
S’do ketë më vaje
S’do ketë as fjalë,
Të fshihem më lerë,
Vetëm të të shoh
Vallen, buzëqeshjen,
Vetëm të t’dëgjoj
Këngën edhe heshtjen.
Të shndrohem më lejo
Hije e tëndit vegim,
I dorës shëmbëllim
Nga pas të t’ndjek kudo.
Por mos më lerë,
Ti mos më lerë
Të lutem mos…



Wednesday 16 July 2014

1102

Ajo nuk ishte si më parë;
Nuk më shihte më në sy.
Një numur të kaltër mbante zverkut të bardhë
1102

Përmbys plluskonte pellgut të kohës,
Shtangëm kur e pamë të dy.
“Si e thërrisje?”- ti lehtë pëshpërite
Mes dhëmbësh më doli:
“1102”

“Kur iku i mori të gjitha
Apo la diçka tek ty?”
Unë heshta dhe u mundova të kujtoja,
Në kishte ndonjë kuptim

Numuri - 1102

Shshshshëëëët…po prishin sheshin!

Titulli i këtij shënimi është ç’orientues. Askush nuk po e prish sheshin, por përkohësisht po hapin një gropë të madhe e të thellë, e cila ndoshta do shërbejë për parkingun e ndërtesës së bukur, që një vit ose dy më vonë do ngrihet në sheshi, i cili dikur quhej “Para turizmit” e ndoshta sot mase quhet “Para Behar Koçibellit”. Them, që mund të jetë edhe ‘e bukur” se ka kaluar periudha e “bumi” të ndërtimit të  pallateve të banimit, ndërtuesit kanë fituar përvojë dhe materialet e ndërtimit të përdorura nuk bien poshtë atyre , që përdoren në gjithë Europën. Nuk do habitesha aspak, që ndërtimi i përfunduar pas një viti ose dy, të jetë një ndërtim i një cilësie të mirë. Me “cilësi të mirë“ dua të them, që të jetë i proporcionuar, me detaje të trajtuara me kujdes dhe me material ndërtimore të cilësisë së parë, i tillë, që mund të qëndrojë pa “stonuar” në shumë qytete të Europës. Parametrat e tjerë, që janë të pandashme me cilësinë si, harmonizimi me objektet ekzistuese, balancimi i hapësirës së kompleksit, hyrje-daljet e studiuara vëllimore janë të vështira të zgjidhen në një objekt, të konceptuar qysh në fillim nga “motive të papastra” dhe që nuk kanë të bëjnë me urbanistikën e qytetit.
Megjithatë, nuk kam ndërmend të gjykoj një objekt, që nuk është përfunduar duke u nisur nga “motivet”, që kanë sjellë projektimin dhe miratimin e tij. Jo në çdo rast “punët e pista” nxjerrin “monstra” të arkitekturës.
Këto rrjeshta kanë të bëjnë me pafuqishmërinë tonë, ose më mirë me reagimin qesharak, të korçarëve, që në një mënyrë apo tjetrën janë të lidhur me Partinë, e cila ka përkohësisht pushtetin.
Edhe pse nuk fusin g jë në xhepat e tyre ata janë të detyruar të heshtin ose të duartrokasin “të fuqishmit” për ndërhyrjen në shesh. Askush nuk mendon më, se po ju cënohet një e drejtë themelore e tyre- prona e përashkët, atje ku janë të lirë të kalojnë çdo ditë, të takohen me njëri tjetrin apo edhe të ngrohen në diell, po ju t jetërsohet e po kthehet në pronë të disa njerëzve ose organizatave të fuqishme. Pa përmendur, se po ju “tjetërsohen” kujtimet e të kaluarës së tyre, që kanë patur zanafillë në këtë shesh; nga përcjelljet e njerëzve të dashur, daljen plot mbresa nga një koncert a nga një festival apo edhe ‘të rënit shkurt” për të hyrë në një nga rrugicat, që të shpien në “barkun” e qytetit. Nuk reagojnë të rinjtë universitarë, të prirur kudo në botë të ngrihen kundër padrejtësive apo veprimeve, që lidhen me dëmtimin e mjedisit apo të hapësirave të përbashkëta. Me siguri është temë e të gjitha bisedave në kafene, por duke mos pasur një debat publik apo shoqata, të cilat janë në gjendje të ngrihen edhe të luftojnë edhe ligjërisht me këtë ndërhyrje, gjithshka mbetet një thashethem i madh, i destinuar të fashitet pa mbaruar vera.
C’do ndodhë kur objekti të jetë përfunduar?
Më e thjeshta mund të jetë një rëndim I trafikut(automjete, biçikleta, këmbësorë), pjesë të asaj hapësire do bëhen të pakëndshme për të kaluar në dimër, të huajt do çuditen me një “ndërtim ishull” dhe më pas jeta do rrjedhë po njëlloj. Nga kjo verë, kur duke përfituar nga Botërori dhe stina e plazhit, “lojtarët” kryesorë të kësaj grabitje filluan të realizonin “projektin” e tyre, do kujtojmë vetëm shumë pëshpëritje dhe një shëëët të gjatë:
“Shëëëëëttt…po prishin sheshin!”


Monday 14 July 2014

Hëna e plotë

Ata duheshin vetëm kur e plotë ishte hëna
Edhe pse nuk ishin lunatikë.
Atij i pëlqente të dëgjonte kujisjet,
Ajo nga dashuria kishte frikë.
Netët e tjera qëndronin larg,
Të tjerë puthnin,
Harbonin nëpër bare,
Dëfrimeve pa fund,
Nën vezullueset drita,
Hëna e mpitë nuk shfaqej ndër dritare.
Ankthin ajo e ndjente papritur;
Malli qerpikëve i mblidhte lotë.
“Duhet të ngrihem,
Drejt tij të nisem
Sonte do jetë hënë e plotë.”
Pyllit në muzg,
Duke vrapuar,
Nën dritën që thyej në gëmusha,
Në të bardhën lakuriqësi të saj,
Veç gjysmëhënës së artë,
Që i ndriste në gusha.
Në krahët e tij pranë trungut të argjendtë të pemës,
Strukej e gjitha duke u dridhur.
Symbyllur,
Ndiqte rrahjet e zemrës,
Më tej bastardi Maks,
Kuiste hidhur.
Të bër njësh
Endrrat përzjenin
Nuk ishin më në këtë botë.
Në pellgje ujrat ishin tërhequr
Kudo sundonte hëna e plotë.





Sunday 13 July 2014

Kokëmbythi

Dua një ditë të bëhem si Kokëmbythi. Nuk di a do t’ja arrij para moshës së pensionit, por e mira është t’ja dal.
Kokëmbythi nuk është shumë i njohur, por edhe krejt i panjohur nuk është. Dashamirës, i matur në veprime, i gjendur për të gjithë ata , që shkojnë ta takojnë dhe deri diku edhe punëmbaruar. Unë dua t’i ngjaj fizikisht, se e di që në moshë të shtyrë është e vështirë të bëhesh dashamirës, i matur dhe punëmbaruar. Po ‘trupërisht” mundem. Do më duhen rreth 30-40 kile dhjamë e tule. Edhe pse më i shkurtër se unë, Kokëmbythi është tullac po si unë dhe i pëlqen të hajë “bollëkshe”, ashtu si më pëlqen edhe mua.
Unë nuk e kam njohur në fëmijëri dhe nuk e di nëse ka qënë gjithnjë topolak, por në 20 vitet e fundit ai me karakterin e tij të butë dhe rrumbullor, falë edhe “bollëkut”, që solli Ekonomia e Tregut, arriti në formën e sotme, duke u bërë një ‘kokë, këmbë e bythë“ prej të cilës u quajt nga dashamirësit e tij, jo dhe aq me dashamirësi Kokëmbythi. (Në krijimin e figureës rruzullore, mbase kanë dhënë ndihmesën edhe gjymtyrët më të shkurtra se të zakonshmet, por edhe pa to, i kolmi Kokëmbyth do kishte po aq lezet.)
Në bar-in e tij, të cilin pëlqen ta quajë “pab” edhe pse të tjerët e quajnë “kafja”, Kokëmbythi rri i qetë, informohet për ato që ndodhin në kryeqytet e më gjërë. Ata, të cilët nuk e duan(e si mund të ketë njerëz që nuk e duan topolakun, këtë nuk kam arritur kurrë ta kuptoj) thonë, që “kafen” e ka ngritur me rryshfetet e marra kur ishte nëpunës i lartë, por unë këtë nuk mund ta besoj, se ai është krejt rrumbu-ëngjëllor. Ka të tjerë, që e quajnë sekser të së Majtës, por po njëlloj e kanë sulmuar, kur ishte në pushtet e Djathta ndaj unë nuk e quaj edhe këtë një shpifje të ulët, e cila do të tërheqë në baltë, një njeri, që i ngjan derrkucit të moshuar, por nuk ka aspak të bëjë me llumin e korrupsionit.
Sa thjeshtë vishet Kokëmbythi!
Një bluzë të gjerë pambuku ngjyrë portokalli dhe një palë xhinse me tiranta, të cilat nuk mund t’i quajmë kominoshe, por thjesht ovrolle, për të nderuar shqipërimin , që i ishte bërë në fillim të shekullit të kaluar, atyre që në vendet anglishtfolëse i quajnë “overall”. E si mund të jetë I korruptuar një njeri , që mban ovrolle?!
I vetmi luks në gjithë figurën e tij është I-phone I5s.E ka patur dobësi fjalën e fundit të teknologjisë së komunikimit, por kjo është një tjetër dëshmi e fortë e dashurisë, që ka për njerëzit. Ai rri në vendin e tij të zakonshëm, në qoshen e bar-it, prej nga shihet hyrja, prêt njerëz në tavolinën e tij dhe më pas telefonon ose dërgon sms-e. Si mund ta mendosh ndryshe një ëngjëll në një paradis modern? I kolmë, i butë, i dashur ,me ovrolle dhe I5s në dorë. Nuk ke përse të bredhësh zyrave, të cilat nuk i gjen dot hapur as gjatë ditës e jo më pas në orët e mbrëmjes, kur mund të shkosh në pab “Epikyri”(të padijshmit e quajnë kafja) e Kokëmbythit.
“Nëse hall  ti ke
Dhe gjumë s’të bën syri
Mos prit më me nge
Shko tek “Epikyri”
I kënduari në këngë , që në gjallje, i dobishmi, i parrezikshmi, i gjithëgjenduri, i rrumbullti deri dhimbje, ky është njeriu të cilit dua t’i shëmbëllej një ditë.
Le të më thërresin edhe mua –Kokëmbythi!


Saturday 12 July 2014

Pamje e dyshimtë “panoramike”.

Korça do ketë si gjithë qytetet e njohura në botë, një kullë të vogël me në krye një restorant me pamje panoramike. Vizitorë e vendas do kenë mundësi të shijojnë pamjet e kodrave përreth qytetit, çatitë me tjegulla dhe një pjesë të rrugicave me kalldrëm nga një lartësi rreth 30 metra. Kjo në sajë të zemërgjerësisë të pushtetit qëndror, i cili i ka akorduar bashkisë të qytetit fondet e nevojshme për ndërtimin e një kompleksi zyrash në sheshin e parë të qytetit kur hyn nga Perëndimi dhe Veriu.
Duhet të pranoj, që në kohën e fëmijërisë sime në atë shesh, që dukej stërmadh kishte vetëm një godinë me vlera të vërteta arkitekturore- Banka e Shtetit. Në të dalë të sheshit ngrihej hijerëndë dhe e bukur Katedralja e Shen Gjergjit, por edhe ajo ishte cunguar në pamje për shkak të rënies së këmbanareve dhe mosvënies dorë nga Kisha Autoqefale e kontrolluar nga shteti komunist. Tre pallatet e banimit, që rrethonin sheshin, ishin jo vetëm të vendosur keq nga ana urbanistike, por dhe me një arkitekturë tepër të varfër. Godina e Teatrit, sipas një projekti sovjetik, ishte një tjetër vëllim jo i proporcionuar mire dhe itrajtuar në një mënyrë anakronike nga ana arkitekturore. Në mes të sheshit, zakonisht rrinte polici Ramo, që rregullonte atë trafik të pakët duke i fryrë bilbilit, për të tërhequr vëmendjen e fshatarëve , që me kafshë dhe biçikleta, të ngarkuara me arka frutash dhe prodhimesh të tjera i drejtoheshin Pazarit të Korçës. Në vitin 1968 filloi ndërtimi i Hotel Turizmit atje ku më parë ishte Gastronomi dhe një varg me dyqane jo shumë të fisme, si dhe kazinoja. Hoteli, u bë onjekti sundues i sheshit, sa ai filloi të quhej sheshi para Turizmit. Në të njëjtën kohë u ndryshua fasada e Teatrit duke I dhënë një pamje më moderne, por që e bëri të ngjante me një çokollatë gjigande. Vite më vonë, vendin e Kishës së Shën Gjergjit e zuri Biblioteka, e projektuar në natyrën e ndërtimeve modern të viteve ’50-’60.
I tillë hyri sheshi “para Turizmit” në vitet ’90, vitet e ndryshimit të sistemit. Një shesh i formuluar jo mirë, me ndërtime, që “kundërshtonin” njëri tjetrin, por një hapësirë e domosdoshme në një qytet me pak hapësira publike dhe pak gjelbërim.
Nuk po zgjatem me ndryshimet e bëra në 20 vitet e fundit, që e kanë bërë akoma më të çoroditur në linja, vëllime dhe stile arkitekturore.
Sigurisht, motivet e Bashkisë për të ndërtuar diçka bashkëkohore në atë shesh nuk janë për të njëjtat shkaqe, për të cilat unë mendoj, se po të më jepej mundësia do e riformuloja sheshin. Fakti, që atje jepet një pjesë e sheshit(maksimumi i mundshëm) për të ndërtuar është i njëjtë  me motivet e ngritjes së kioskave në qendër të Tiranës dhe të qyteteve të tjera të Shqipërisë në fillimin e viteve ’90.
Fitimi.
Nuk dua të zgjatem me pse-të dhe si-të. Abuzimi është i qartë dhe duket, që për shkak të qënies së pushteteve në të njëjtën dorë, si dhe nënshtrimit të plotë të qytetarëve korçarë, të cilët nuk i përkasin asnjë partie, ndërtimi do realizohet.
Përmenda në fillim, që në katin e sipërm të ndërtimit do jetë një restorant, që do japë mundësi të shohësh një “pamje panoramike” të Korçës.
Kam jetuar mbi 27 vjet në një banesë, që është rreth 90 metra në vijë ajrore nga ndërtimi, që po përmend. Kur arritëm moshën, që prindrit na lejonin të hipnim në tarracën e pallatit, kalonim në të thuajse gjithë verën. Pika më e lartë(studioja e piktorit Rafael Dembo) ishte rreth 22 metra nga toka, që duke llogaritur edhe pjerrësinë e terrenit, duhet të jetë në një nivel me restorantin e ardhshëm. Veç pamjve të bukura të lindjes dhe perëndimit të diellit, më besoni se nga ajo lartësi nuk sheh asnjë pamje të bukur të Korçës. Të tilla mund të shohësh vetëm nga kodrat, ku arrin të shohësh qartë rregullsinë urbanistike të qytetit tim të lindjes. Pamjet më të afërta, që mund të shijosh nga ai restorant janë çatitë e shëmtuara të pallateve të Cajupit, atij të ish Postës dhe të Optikës e Rrobaqepsisë Speciale(të gjitha këto janë emërtime të vjetra, por nuk i di të rejat.)  Më tej, në Perëndim do shohësh një bllok të çoroditur me ndërtime(ai pranë agjensisë) dhe pallate të reja e të vjetra të ndërtuara gjatë 40 viteve të fundit. Pamje të ngjashme ofron Veriu dhe Jugu. Disi më bukur duhet të duket në Lindje, shëtitorja e qytetit(pedonalja e sotme), që të shpie drejt Katedrales dhe zonës muze(edhe kjo e masakruar) dhe mbyllja me vargmalin e Moravës.
Duket se po i bëj një antireklamë asaj ç’ka do ndërtohet, por e di që nuk ndikon aspak në vendimin e marrë në qarqe njerëzish, të cilët pretendojnë se e duan qytetin e tyre, por për të përdorur një shprehje të Ramës në një rreth të ngushtë më 2003 “Për Tiranën nuk e rruaj fare!”, nuk ju bëhet vonë edhe sikur një ditë të bukur me diell, t’i venë minat dhe ta rrafshojnë, vetëm t’ju sjellë të ardhura.
Nuk e mendoja, që do më merrte malli një ditë, të shihja përsëri në qendër të atij sheshi, policin Ramo me bilbil në gojë.


Friday 11 July 2014

Dielli lindi ne Jutika (Kreu 2)

2.
           

            Hallakatur, shpirtrash rrekur, tek kjo shkretëtirë e vdekur
            ..Në këtë dhomë tmerr përndjekur, thuam' t'lutem, po të lus...

            “Nuk besoj se është më shumë se dhjetë minuta që këtu” , mendoi dhe e ktheu menjëherë timonin djathtas dhe hyri në një nga rrugët e Filadelfias së vjetër. Rrugët kishin mbetur po aq të dëmtuara sa herën e fundit, që kishte shkuar tek shtëpia muze e Poes.

U ndal në rrugën "Kopshti Pranveror" edhe pse mund të vonohej. Ishte e kushedisata herë, që shkonte në atë vend të shenjtë për të. Ndoshta jo sa varri i Poes. Parkoi makinën para ndërtesës trekatëshe të Shoqatës Gjermanike dhe zbriti nxitimthi. Para kangjellave, pranë statujës së Korbit u gjunjëzua disa sekonda pa ditur nëse duhet të bënte kryqin apo thjesht të puthte majrat e gishtave të duarve, ndërsa mbante pëllëmbët e takuara para fytyrës. Korbi shihte lart dhe pa krrakaritur nuk mund të përsëriste fjalët profetike "Më kurrë". Ishte tepër i bronxtë dhe dukej si i përzhitur keq në atë natë të errët. Mendoi të telefononte në numurin e shkruar mbi derën e shtëpisë së Poes. E dinte, që zonjusha Van Klysten, për 3-4 minuta do ishte aty dhe do tregonte plot entusiazëm rreth diçkaje të sapozbuluar për Poen, e më pas do hapte derën e muzeut të gjeniut të letërsisë gotike. Dy djem me ngjyrë, që po qeshnin me sa fuqi kishin duke drejtuar kryet nga ajo, e bënë të hiqte dorë nga çka i kishte lindur në kokë. U ngrit më këmbë dhe filloi të hidhte hapat shpejt drejt “brumbullit” të kuq. Të qeshurat e rinoshëve të zinj, po dëgjoheshin më të qarta dhe ajo, nën një drithërimë të beftë, mendoi që Poe kishte rinisur të shkruante një tjetër tregim plot krime e të fshehta. "Mjaft u bëre si e reja e trembur e pesëmbëdhjetë vjetëve më parë" qortoi veten dhe vazhdoi me hapa normalë të afrohej drejt ndërtesës së Shoqata Gjermanike. U step. Pa pas makinës së saj,  një fuoristradë  të verdhë me disa ravijëzime të zeza, e cila nuk kishte qënë disa minuta më parë. "Nuk isha larg të mos e dëgjoja zhurrmën e saj, kur parkoi". Brenda xhamave të errët të BMW-së, nuk dukej në ishte kush. Nxitoi të hapte derën e "brumbullit" me çelës, pa provuar në distancë, nga frika se kërkëllima e hapjes automatike, do cyste dikë, brenda makinës së shtrenjtë me xhama të errët.  Hyri shpejt brenda barkut të vogël të  pashkëzës, mbylli gjithë dyert dhe u kthye në Rrugën e 6-të për të vazhduar udhëtimin. Me vështrimin e fundit nga pasqyra, kishte parë targën para makinës. Ishte e gjitha një flamur gjerman i paraluftës. Mbi shiritin e bardhë ishin numurat dhe gërmat 1934BCX. I kuqi dhe i ziu ishin pa shenja. Vazhdoi të kontrollonte nga pasqyra nëse po e ndiqnin dhe pa hyrë në autostradën 76 u sigurua që kishte qënë një frikë e kotë.
(vijon)

Dielli lindi ne Jutika (fund i Kreut 1)

(vijim)

            Ajo pa dritëzën e kuqe , që pulsonte në “manaferrën” e saj dhe u rrek ta merrte, pro dritat e një kamioni të madh, që vinte përballë gati e verbuan. Nxitoi të kthente timonin në të djathtë, aq sa për të mos dalë jashtë rrugës dykalimshe dhe mendoi për të motrën. Nuk ishin mbushur ende gjashtë vjet nga dita kur e kishin telefonuar nga konsullata në Hamburg dhe e njoftonin për aksidentin e të motrës. Ajo ishte nisur në të njëjtën ditë dhe kishte shoqëruar trupin në kthimin e fundit në Nju Jork. Gjermanët i kishin thënë, që kishte të ngjarë që një kamion kishte verbuar të motrën dhe ajo kishte dalë nga korsia dhe ishte përplasur me murin e Traverbangut. Nuk kishte pasur gjurmë alkoli në gjak.
            “Edhe 20‘ deri në kufi”lexoi në ekranin e vogël. U mundua me kujdes të shtypte me një dorë tastat e vogla dhe formoi vetëm “OK”.
            Deni e pa “OK” shpejt dhe e çudit me të. Ishte nga të rrallat përgjigje të saj. Kurrë e vetme pa disa fjalë ose shifra, që ta ngacmonin për të gjetur diçka të fshehur në to. I duhej të priste edhe 20 minuta të tjera për të kuptuar në ç’gjendje ishte “eliksir”. Ndoshta ishte duke ndrruar mendjen për takimin. Herën e fundit, që ajo kishte përdorur një “OK” të vetme, kishte qënë dita e dytë e njpohjes së tyre, nëse mund të quhej njohje një takim në një hapësirë abstakte i dy qënieve , që vetëm shkruanin fjalë në të njëjtën gjuhë. Ju kthye asaj pjese në faqen e tij të Fejsbukut, për të kuptuar më mirë, se pse e kishte shkruar.
            tom- mbase nuk duhet…
            eliksir- duhet ç’farë?
            tom- të torturohesh nga e nxehta…
            eliksir- qejfi…
            tom- provo dush të nxehtë dhe 66 min. gjumë
            eliksir- Eshtë mjaft?
            tom- Për mua po.
            eliksir- je i vështirë?
            tom-…mmm…jo me të gjithë.
            eliksir- Si i dallon?
            tom- fle me to…
            eliksir-…OK…


Kuptoi që diçka ishte jo mirë. Të nesërmen e asaj dite nuk kishin këmbyer mesazhe.

Wednesday 9 July 2014

Fallsifikatorët

Ata jo gjithnjë janë specialistë për Viza fallco apo më të specializuar akoma, nga ata që falsifikojnë kartmonedha. Janë edhe arkitektë, urbanistë apo njerëz, të cilët populli i ka zgjedhur në krye të qytetit.
Produktet e falsifikuara të një grupi të tillë, zakonisht bëhen për të kaluar çastet e para emocionale të reagimit të publikut, kur ndërtohet diçka, e cila në mënyrë flagrante bie ndesh me opinionin e përgjithshëm të një bashkësie. Angazhohen firma të njohura e të panjohura për të krijuar makete, apo ‘renderime” e deri në video gati reale, për të shitur një vepër, që ka të ngjarë të shëmtojë një zonë të qytetit. Jithmonë pas tyre fshihen interesa të mëdha financiare dhe pushtetarë të korruptuar. Në të gjitha këto “imazhe” që paraqiten si të vërteta, mashtrohet me dimensionet dhe pikat e vështrimit, që arrijnë të zbutin “valën e parë goditëse” të njerëzve, që kuptojnë pak nga teknikat. Sigurisht, që përdoren edhe “duartrokitës” intelektualë, të profesionit ose jo dhe nëse qyteti do ketë në të ardhmen një “xhevahir” apo një “monstër” kuptohet pas 6 muajsh ose një viti.
Diçka e tillë po ndodh sot në njërin nga dy sheshet kryesorë të Korçës. Bashkia po ndërton me paratë e saj një objekt(nuk jepet në tableë se c’lloj objekti është) dhe paraqet një pamje të falsifikuar 3 dimensionale të tij në atë tabelë.
Historia e këtij objekti është zyrtarisht e filluar 5 vjet më parë, por ndoshta në “kuzhinat” ku gatuhen këto lloj “tavash” fitimprurëse, ka nisur më herët. Më 2009, një Plan rregullues i Qendrës së Qytetit të Korçës, i fituar me konkurs nga firma gjermane Uillson & Bolles, kishte parashikuar një ndërtim në formë Piramide me 9 kate dhe për këtë kishte përdorur si argument edhe kopertinën e librit të Kadaresë “Piramida”! Nuk ishte zor të kuptoje, se firma fituese ishte firma, që kishte patur gjithnjë lidhjen me Bashkinë e Korçës. Metoda të tilla i kishte përdorur vite më parë Rama në Tiranë dhe tani po i aplikonte në Korçë dyshja Blushi-Peleshi.
Plani kishte edhe të tjera shkelje nga më të pabesueshmet, por duket që një pjesë ishin bërë për të fituar ç’ishte e mundur nga pjesët publike të qytetit: rrugë, trotuare, shkolla, sheshe.
Trualli ku sot po ndërtohet objekti i ri është truall publik, por më parë ka qënë një pjesë e Pazarit dhe ka një pronar të caktuar. Sipas ligjit, kthimi nga shesh në truall ndërtimi i rikthen atij menjëherë pronësinë. Eshtë njëri nga përfituesit e kësaj “tave”. Sigurisht pjesën e tyre do kenë edhe ata që e kanë miratuar. Në Jurinë e konkursit, vendin kryesor e kishte politikani sharlatan Ben Blushi, që ka jetuar në Korçë veç kur ka ardhur për të përfituar nga ‘mjelja” e madhe e nisur në periudhën e “kryemjelësit” Nano.
Natyrisht, që frytet e këtij “operacioni” ndërtimor-financiar nuk mund të vileshin kaq lehtë, para se të vinin në pushtetin qendror ata që kanë pushtetin në Korçë. Tani erdhi koha. “Cdo gjë është në përputhje me ligjin, policia nuk mund të na pengojë se e kemi nën kontroll dhe qytetarëve asnjëanës ja u zemë sytë me një pamje të falsifikuar!” Kështu mbeten të gjithë të kënaqur.
Po i vetmi shesh, i mbetur, në një qytet me dendësi mjaft të madhe e me pak sipërfaqe sheshesh dhe gjelbërimi?
(C’jeni ftohur në tajare! Pas 30-40 vitesh nuk do ketë fare Korçë dhe korçarë. Të gjithë do jenë në Tiranë ose në Europën e Bashkuar!)

PS. Harrova të përmendja jo pa dashje Kryetarin e Bashkisë. Në këtë mesele ai nuk ka as gisht as pjesë. Vetëm ka pëshpëritur ndonjë mundësi ligjore , që mund të justifikojë ndërtimin. Gjynah ta ngarkojmë  më shumë Ligavecin Gollash.

Dielli lindi ne Jutika (vijon Kreu 1) b

(vijim)
Rei kishte ikur pa thënë asnjë fjalë. Gjashtë vjet pasi kishin jetuar bashkë. Kishte qënë rebusi më i vështirë i jetës së saj. Ai kishte mbledhur në heshtje gjërat e tij dhe ishte nisur me makinë një mëngjes me shumë shi. Pas kishte lënë vetëm një shënim. “Më mirë kështu. Mos më kërko.” Asaj i ishte dukur sikur tjetërkush e kishte shkruar atë pusullë edhe pse shkrimi ishte i Reit. Nuk dukej si një nga frazat të cilat ai bluante heshtur në kokë dhe ajo mundohej të hamendësonte. Qeshnin të dy gazplotë kur ajo shpesh arrinte të gjente frazën që ai bluante në mendje. Ai hargalisej dhe i thërriste “Arkeologia e korteksit tim “, ndërsa ajo kënaqej, që e njihte aq mirë të dashurin. Kjo deri sa pas një mbyllje të tij në vetvete erdhi ai mëngjes plot lagështi dhe copëza e letrës me dy fjali. Nuk arrinte as të qante mbi gërmat e shkruara nga njëra qoshe e pusullës tek tjetra. I dukej , që dikush e kishte detyruar Rein të shkruante pikërisht ato fjalë.”Better like this. Don’t look for me.”**
Ishte refreni , që nuk u nda për javë të tëra deri sa krijoi një profil të ri në Fejsbuk dhe i shkroi ato fjalë nën foton e një skitale***. Zgjodhi fjalën e parë , që i shkoi në mendje dhe e vuri si emër të profilit. Kështu u krijua ‘eliksir”. Një skitale e Spartës së lashtë dhe dy fjali të zakonshme në anglisht. Priti me muaj të tërë, që dikush t’i shkruante diçka rreth kodeve të fshehta, a mbase edhe arkeologjisë, por më kot. Ishin të njëjtat kërkesa për miqësi, me emra nga më të çuditshmët dhe foto vajzash gjoksejashtë ose këngëtarësh rep. deri një mbrëmje, kur rastësisht hasi në një profil, që kishte interes në kriptologji. Ishte “tom”.

            Deni “tom” kishte arritur në pjesën e autostradës pranë liqenit Ontario dhe pa orën. nuk ishin mbushur ende 20 minuta, që t’i shkruante “eliksirit”. Dritat mbi ujë ishin krejt të stampuara. Dukej , që jashtë nuk kishte asnjë lëvizje të ajrit dhe ai mendoi duke qeshur me vete, se ishin ndalur edhe grykët e tubave të mëdhenj prej betoni, që derdhnin në liqen jashtëqitjet e njerëzve të ardhur nga dhjetra kombe dhe nga të gjitha kontinentet. “C’mesazhe të koduara prej lashtësisë përfundojnë në ujrat e këtij liqeni? Në fund të tij do jenë pjesë nga thëniet e Konfucit përzjerë me legjenda për bëmat e Kirit, si dhe copëza të padeshifruara të vizatimeve gjigande në Peru. Ndërsa unë shkoj të deshifroj nëse “eliksir” është dashuria ime e humbur apo rifillimi i një jete më të komplikuar. Mbi të gjitha nuk vjen asnjë lloj arome nga liqeni. Asgjë që mund të më japë një shenjë, se ç’më pret”.
(vijon)

Sunday 6 July 2014

Dielli lindi ne Jutika (vijon Kreu 1)

(vijim)
Atë kohë studionte për semiologji, dhe njëkohësisht kishte një etje të madhe për të lexuar vargje. Kishte lexuar shumë nga Poe dhe ishte magjepsur  e trembur prej tij. Nuk e kishte hasur rastësisht. Gjatë leksioneve të antopologjisë kishte njohur Bonan. Ajo ishte “Edgarse”, si i pëlqente të theshte duke qeshur. Mbante bashkë me tekstet e shkollës, një botim të “Korbit”  të vitit 1884. Kishte flokë korb të zinj, të gjatë, që herë herë i lidhte në një gërshet të trashë, me të cilin thoshte se do varej një ditë. Ai e dinte, që ajo qeshte me çdo gjë që lidhej me vdekjen dhe ndoshta kjo e kishte tërhequr, më shumë se bukuria e syve të saj. Kishte në to një dritë që e përndante trishtimin, i cili e mbulonte herë herë. Ishte dimër kur ishin puthur për të parën herë dhe ajo në javët e para i përsëriste:
           
            ...Pamjet syve më lëvrijnë, atë dhjetor drithërimë
            Kur nga eshtrat nën lëndinë dilnin fantazma pa zë...

Ndonëse në një gjuhë të lashtë, të cilën veç ajo dinte ta fliste, askush tjetë nga gjithë studntët e atij viti, ai ndjente të njëjtën të ftohtë, që i përcillnin vargjet e Poes kur e kishte lexuar për të parën herë. Ajo qeshte kur përpiqej t'ja mësonte dhe i thoshte, që t'i mbante sa më gjatë buzët përpara për të kujtuar puthjen e parë dhe për të shqiptuar më mirë sh-të e u-të e Poes në gjuhën e saj. "Stërvitu edhe para pasqyrës- i thoshte- por jo kur je me vajza të tjera, se do të të mbys ty më parë me gërshetin tim, e pastaj do vetvarem".

            "Mos "eliksir" është Bona", mendoi për herë të dytë gjatë asaj jave, të mbushur me mesazhe në Fejsbuk. Kishte hapur një faqe të tij për të parë më nga afër dukurinë e viteve të fundit. Nuk i besonte shumë mjediseve njerëzplot, qoftë edhe në hapësirat e internetit, ndaj dhe nuk kishte vendosur, emrin po shkurtimin e "too obvious man"* dhe interesin në kriptologji. Ditën e dytë, kishte patur gjashtë kërkesa nga njerëz të ndryshëm, por kishte zgjedhur vetëm tre, që kishin të njëjtin interes. Ndër ta "eliksir". Kishin këmbyer disa mesazhe të fshehta dhe ju kishte pëlqyer mënyra me të cilën luanin me gërmat dhe numurat në të dy tastierat. I kishte kërkuar të hynin në një lojë të thjeshtë kriptogramesh dhe "eliksir" kishte pranuar.
(vijon)

Dielli lindi ne Jutika (kreu 1)

1.

...Pamjet syve më lëvrijnë, atë dhjetor drithërimë
            Kur nga eshtrat nën lëndinë dilnin fantazma pa zë...

...dhe i mbylli gjithë programet e hapura në kompjuter. Ndenji edhe disa çaste duke menduar, nëse duhet ta merte mbiprehërsin me vete apo jo dhe nxitoi të vinte në një çantë ato që merte gjithnjë udhëtimeve të shkurtra. Më pas, i hodhi në ndenjësen e parë të makinës dhe si pa orën u nis. Ishte një çerek ore para orarit të nisjes dhe i duhej të merrte benzinë. Do i duheshin të paktën 5 orë e gjysëm rrugë.
            Po 5 orë e gjysëm do i duheshin edhe asaj të bënte me" brumbullin". Kishin dashur të dy të takoheshin në një vend, që nuk e njihnin dhe që ishte i barazlarguar nga shtëpitë e tyre. Jutika ishte dukur më i përshtatshmi nga dy të tjerë, të cilët po njëlloj ishin të barazlargët. Kishte qeshur me dëshirën e tij të çmendur(nëse tom ishte vërtet një ai) për tu takuar në një pikë të kontinentit pa u njohur as për fytyrë.
            Ai e kontrolloi edhe njëherë orën para se të largohej nga pika e karburantit. Ishte 9.58 dhe ndonëse donte të ishte i përpiktë dhe të mos, e lëshoi pedalin e frenit, doli në rrugë dhe ngadalë filloi të shkonte drejt autostradës. Mendoi se nuk do kishte qënë krejt e palogjikshme të kishte futur në dorashkëmbajtësen e makinës Koltin. Nuk e merte kurrë në udhëtime, por ky nuk ishte si udhëtimet e tjerë. Ishte një dëshirë për të udhëtuar në mister. Kishte frikën dhe ngazëllimin, që të jep një e panjohure të madhe. Nuk dihej se ç'do gjente në Jutika.
            "Brumbulli" nuk kishte bërë kurrë udhëtime të gjata. Kur i ishte dashur, ajo kishte marë me qera makina më të fuqishme, për të qënë më e sigurt dhe për ta mbrojtur "pashkëzën” e dashur. Ishte e re dhe e lidhte diçka jashtë të zakonshmes "njeri-makinë" me të. E vetmja në të cilën nuk kishte hyrë asnjë burrë. E kishte blerë kur ishte ndarë me Rein. Pas shumë netësh pa gjumë e ngjitjezbritjesh nga njëri kat i shtëpisë në tjetrin, kishte menduar ta zëvendësonte disi. Nuk donte të merrte kafshë shoqëruese. Bleu "Brumbullin" e kuq.

            Deni vazhdonte të shtonte shpejtësinë në autostradën disi të zbrazët për atë orë të fundjavës dhe mendoi që ishte mirë të shkonte më shpejt se zakonisht. Mund të priste diku në hyrje të qytezës. (Jutika duhet të ishte qytezë. Nuk e kishte dëgjuar më parë se para dy orësh, kur pasi kishin kontrolluar në “googlemap” kishin ngulur atje shenjën e vendtakimit.) Ishte më mirë se të vonohej. Kishin kaluar 20 minutat e para dhe nuk ju durua, por dërgoi tekstin "Jam në QEW, Mississauga." Sa e kishte kaluar Toronton dhe trafiku, në vend të lehtësohej, po ngarkohej më tepër. Në ekranëzin e “manaferrës” u shfaq "Jam në Filadelfia".  Atij ju kujtua Poe. Ndonëse e dinte, që ajo jetonte jo larg statujëzës së "Korbit",  nuk i kishte shkuar në mendje se ai do hynte sërish në jetën e tij. Buzëqeshi ndërsa solli ndërmend vitin e dytë në Universitet dhe se si ishte tmerruar kur lexonte "Korbin".
(vijon)

Saturday 5 July 2014

Ujdhesa ku nuk perendonte dielli (2)

(vijim)
Po cila është forca, që e mban të lidhur këtë system të çuditshëm me një ujdhesë të rrethuar nga të gjitha anët nga oqeani, me një diell të mërthyer në një kënd të qiellit dhe thuajse gjashtë njerëz, që theken nën hijen e palmave dhe zgjohen e flenë gjithmonë kur ka dritë? Për të gjetur këtë mister duhet pritur gjatë, shumë gjatë deri sa në ujdhesë të ketë shumë më shumë se gjashtë individë, kur dis aprej tyre të kenë filluar edhe të bëjnë shenja në pllakat e gurit të hirtë, që duken në pjesët ku nuk ka rërë. Por edhe pasi të ketë shkuar shumë kohë, do duhet që njëri syresh, të ndodhet nën hijen e një palme pikërisht kur njëra nga arrat e kokosit të lëvizë në një drejtim të paparashikuar dhe të shërbejë si shtysë për ujëvarën e mendimeve të tij, që do sjellin pashmangmërisht një teori të saktë e të çuditshme rreth forcës sunduese në qoshen e gjithësisë ku ndodhet ujdhesa. Në ndryshim nga banorët e ujdhesës, të cilët kanë gjithë kohën dhe durimin për të pritur, pikërisht se nuk ka perëndim të diellit dhe askush nuk mund ta zerë rob kohën e ta coptojë në njësi të vogla e më vonë të tmerrohet se njësitë zëvendësojnë njëra tjetrën e dikur kanë për të mbaruar, ne nuk kemi mundësinë të presim pafundësisht sepse I njëjti diell tek ne perëndon dhe na trishton humbja edhe e një dite tjetër. Duhet të tregojmë sa më parë se ç’ndodhte, ç’ndodh dhe pse ka ndodhur e ndodh, kur thuajse gjithshka është e ndryshme nga bota e jonë, ku gjërat që hedhim lart do vijnë medoemos poshtë, po mos ju kemi dhënë atë që e kanë quajtur në mënyrë trembëse “shpejtësia e parë kozmike”.

Oqeani nuk kishte valë përreth ujdhesës. Asnjëherë nuk kishte patur, të paktën me sa kujtonte më i moçmi I banorëve të ujdhesës, ai që e kemi quajtur Dyri. Dyri kujtonte shumicën  e ngjarjeve të së shkuarës, ashtu si ja kishin treguar të parët e tij. Ata i kishin treguar , që oqeani ishte gjithnjë i qetë, dhe rrinte përqark Ujdhesës si rri vaji i kokosit rreth një peshku të dalë gabimisht në breg e të hedhur në një enë të gdhendur me vështirësi në gur e të vënë mbi zjarr. Më vonë ai kishte kuptuar, që vaji i kokosit, rrinte po njëlloj edhe ndaj peshqve të kapur me duar në ujin e cekët në breg, por i pëlqente të përsëriste krahasimin ashtu si ja kishte thënë gjyshi i tij i shumërrudhur.
(vijon)

Thursday 3 July 2014

Kush do mund te marre Grida Dumen? (2)

(vijim)
Pra që të veprosh në mënyrë optimiste dhe pozitive, pasi ke menduar në këtë mënyrë duhet të fillosh nga “diskutimi i çështjeve zhvillimore përtej njënumuri të kufizuar axhendash, të diktuara nga interesa dhe synime të shkurtra afatshkurtra”.
Brezit të sotëm qeverisës(që dua nuk dua unë është brezi im) i ka munguar pikërisht diskutimi i gjerë çështjeve zhvillimore. (Bile hollë hollë unë mund të them se shumë prej nesh nuk dinë se cilat janë çështjet zhvillimore.) Edhe kur i ka diskutur, e ka bërë brenda një numuri të kufizuar axhendash.
Kufizimi vjen nga formimi i cungët i brezit tonë për sa i përket çështjeve zhvillimore. Them “NE” edhe pse nuk kam të bëj me qeverisjen, por moshatarët e mij kanë qënë në qeveri dhe unë i ndjej gabimet e tyre si të mijat. Optimizmi i Grida Dumës, që i ka rrënjët në formimin perëndimor, vjen pikërisht nga shikimi afatgjatë i zhvillimit të vendit plot potenciale. Një shikim i tillë dhe me një numur të pakufizuar axhendash sjell vetëm një frymëmarje gjithëpërfshirëse që të shpie në procesi i pakthyeshëm i diskutimit të gjatë. Pikërisht, që të merrte pjesë në procesin e diskutimit të gjatë dhe të domosdoshëm të çështjeve zhvillimore, një i posadiplomuar në Harvard u thirr nga njerëzit e tij të afërt të fillonte punë në Tiranë. Nuk ishte dhe aq e thjeshtë gjetja e vendit të saktë ku ai mund të kontribuonte me ato ç’kishte mësuar për “diskutimin”, por shokët e tij kryeqytetas ja shprehnin më qartë idenë. “Fillo punë në një vend të mirë, që të bëjmë edhe ne një çikë korrupsion!”
Harvardsi arrit të kuptonte shpejt, që ekzistonin dy lloj optimizmash edhe në brezin e tij. Ai i Grida Dumës, që e shikon të ardhmen ngjyrë trëndafili sepse ka arritur të kuptojë dobinë e diskutimit shumëplanësh të çështjeve zhvillimore dhe optimizmi “banal” i shokëve të tij, që mendonin një fitim të shpejtë dhe gjithëpërfshirës të ‘bandës” së tyre nga çështjet zhvillimore dhe më gjerë. I çorientuar, Harvardsi u kthye në Anglinë e re dhe filloi punë atje ku i çmonin kualifikimet e tij.
E solla këtë shembull për të treuar rëndësinë që ka optimizmi i Gridas edhe pse nuk përfaqëson plotësisht këndvështrimin apo bindjet e një brezi të tërë. Me këtë optimizëm me bazë intelektuale europianiste ne jemi në gjendje të kapim Brukselin! Se nuk ka brirë Brukseli dhe funksionarët e lartë atje! Mund të hapësh lehtë dyert dhe kasafortat e tyre duke ditur 3-4 gjuhë të huaja dhe me raporte të hollësishme rreth përfundimeve të arritura pas njërës nga etapat e diskutimit të gjatë rreth çështjeve zhvillimore. Brukseli dhe brukselistat duan raporte dhe sa më afatgjate të jenë planet zhvillimore , që përshkruhen në këto raporte aq më shumë fonde nga taksapaguesit europianë do vërshojnë në Tiranë, Vlorë, Lurë apo në kanionet e Skraparit.
Një shkrimtare shqiptare, me të njëjtin vështrim optimist-zhvillimor si të Dumas(mos e lexo Dyma), ka arritur të sjellë programe pas programesh europiane që kanë përmirësuar jetën e grave, minoriteteve, të paaftëve, homoseksualëve, romëve, nëpunësve me të meta mendore, gjykatësve gjysëm-analfabetë, të burgosurve shtëpijakë, burrneshave që duan të martohen, hadëmëve që dëshërojnë të eksitohen dhe të tjerëve persona që kanë vështirësi të zhvillimit dhe të integrimit.
Optimizëm, ide, diskutim dhe pak sharm. (Edhe një çikë më shumë sharm nuk sjell zarar). Brukseli kapet!
Ja përse Rama dhe Basha luftojnë aq shumë për të patur në kampin e tyre Grida Dumën.
Cili do jetë në gjendje ta ketë kap Brukselin!

(Dhe asgjë më shumë se kaq nuk do populli ynë i shumëvuajtur.)

Kush do mund të marrë Grida Dumën?

Emrin e Grida Dumës e kam dëgjuar jo shumë javë më parë. Më shumë më ngjau me një emër artistik ose me një pseudonim letrar, por më vonë mësova se zonja Duma është sociologe dhe një nga politikanet më me të ardhme në Shqipëri. Kërkova në internet dhe zbulova se Grida ka edhe blogun e saj dhe u ndjeva mirë, se “blogistët” edhe nëse nuk kanë ide apo opinion të njëjta, kanë “automatikisht” solidaritetin e “blogshkarravitësve”.
Nga të rejat e kafeneve(jo të gjitha syresh pasqyrohen në shtypin shqiptar, i cili ngjan me një shtyp kafenesh, jo se lexohet në to, por për gjithë përmbajtjen dhe seriozitetin e tij) kam mësuar, që Rama po bën ç’mos ta marrë Gridan në “bandën” e tij, ndërsa Basha po përpiqet po aq ta mbajë si pjesë të pandarë të “bandës” së tij.
Më vjen mirë të mendoj, që e ardhmja e Shqipërisë është më në fund në duart e Grida Dumës dhe sa e sa djemve dhe vajzave(pjesa më e madhe e tyre të martuar dhe me fëmijë) me shkollime të mira, me besim të patundur në progresi dhe në e ardhmja europiane e Atdheut
Jo shumë vjet më parë, një thirrje e fortë e Administratës shqiptare dhe e Organizatave Jo Qeveritare u ishte drejtuar të rinjve të shkolluar jashtë, për të punuar në vende me rëndësi dhe për t’i dhënë një drejtim sa më Perëndimor shtetit dhe vendit. Një pjesë e mirë e atyre , të cilët e dëgjuan thirrjen, me të njëjtin besim i bënë jehonë kërkesës dhe u munduan t’ju mbushnin mendjen shokëve dhe të afërmve, që humbisnin kot talented në troje të huaja. Ishte pikërish ky lloj besimi, të cilin Grida Duma e ka në një postim të sajin(të fundit) në vitin 2013, në blogun e saj.
Fryma ime e të menduarit dhe të vepruarit mbështetet në mospranimin absolut të faktit që në Shqipëri, një vend me potenciale të panumërta, vazhdon të mungojë diskutimi i çështjeve zhvillimore përtej një numri të kufizuar axhendash të diktuara nga interesa dhe synime të ngushta afatshkurtra.
Kjo është fryma e këtij brezi të shkolluarish, të cilët nuk ndalen para asnjë vështirësie, por mendojnë vetëm e vetëm se si  të zhvillojnë Mëmëdheun. Edhe pse mund të duket disi e ngatërruar fraza, nëse mundohesh të lexosh thellë dhe midis rrjeshtave është pikërisht negatitviteti pozitiv intelektual i Gridës dhe të tjerëve si ajo, që nuk pranojnë faktin e mungesës së diskutimit të çështjeve zhvillimore. Pra e thënë me fjlë të tjera, mohimi i Faktit(po Fakti nuk dukej- ishte mbyllja e një anekdote 40 vjet më parë), që duket si prirje negative, shpreh në të njëjtën kohë pozitivizmin e qëndrimit të këtij brezi intelektualësh. Dhe ata jo vetëm mendojnë në këtë mënyrë, por dhe veprojnë po kështu.
 (vijon)


Wednesday 2 July 2014

Ujdhesa ku nuk perendon dielli

Në atë vend dielli nuk perëndon kurrë. Nuk perëndon se nuk ka ndonjë arsye , që të shkojë në anën tjetër të botës ose e ka kapur edhe atë dembelizmi i banorëve që theken pranë oqeanit. Dhe që të perëndojë do t’i duhet të hyjë në ujë, se rreth e rrotull vetëm ujë ka. Ujë pafundësisht. Dhe një lëmsh i zjarrtë, që futet pa pritur e pakujtuar në ujë nuk ka ç’të shkaktojë tjetër veçse ndërveprime dhe kundërveprime nga të gjitha llojet “e papame” deri tani, ku më i thjeshti do jetë i shoqëruar me shumë zhurrmë, avullim cfilitës dhe miliona peshq të zjerë e të kripur më shumë se sa duhet. Pa llogaritur efektin mbivalor të një stërsunami, i cili edhe mund të shkaktojë një mbulim të plotë të ujdhesës nga oqeani, gjë që do presë të paktën për disa shekuj tregimin dhe dë çoroditë gjithë sistemin jo nën forcën e tërheqjes së gjithësishme, që mbizotëron për bukuri në këtë qoshe të Gjithësisë.

Ndaj dielli rri i mbërthyer në një kënd të qiellit e prêt sa t’i zerë gjumi banorët dembelë të ujdhesës. Dhe megjithëse dembelë, nuk janë nga ata që flenë 25 orë në ditë dhe jo se nuk ju flihet por se nuk kanë ku ta gjejnë orën shtesë. Banorët i thënçin në shumës se nuk është ndonjë ‘kallaballëk” i madh se nëse dielli nuk i ka numuruar gabim kur rrinë shtrirë nën hijen e fletëve të palmave. Janë më shumë se katër po asnjë kokërr më shumë se gjashtë. Bile ai që duhet të jetë i gjashti është aq i vogël dhe aq i bashkëngjitur ndaj të pestës, sa mund të mos e quajmë si njësi më vete. Katër të tjerët dallohen qartë se rrijnë aq larg njëri tjetrit dhe janë aq të palëvizshëm sa edhe po mos i ndjekësh me sy gjithë ditën mund t’i quash pa frikë Njëri, Dyri dhe Treri duke patur vështirësi vetëm në emërimin e të fundit, i cili nuk është më pak i vlefshëm se të tjerët, por që për vështirësi gjuhësore duhet quajtur Xhari. Meqë e pesta, ajo që duket sikur nuk ndahet nga qënia e vogël e gjashtë, ka dy pjesë trupi, që i bëjnë hije kur rri shtrirë dhe jo vetëm një si katër të tjerët, do e pagëzojmë Pestja dhe kështu të gjithë banorët kanë nga një emër, përveç të gjashtit, që është shumë i vogël dhe nuk arrijmë dot të dallojmë nëse është ende i lidhur apo jo me shirritin kërthizor, tek Pestja.
(vijon)

Tuesday 1 July 2014

Xhelozia ndaj VIP-ve

E shkrojta thjesht VIP-a edhe pse tehu i shkrimit do jetë rreth atyre që quajmë sot njerëz shumë të famshëm apo “super të pranishmit në media”. Bile, jo për zilinë e përgjithshme apo të papërcaktuar, por për atë që kanë të shkolluarit mediokër ndaj atyre që gëzojnë një popullaritet të jashtëzakonshëm. (Duhet të pranoj, që mua më bezdis shumë prania e Billit dhe Kejt bashkë me Xhorxhin e tyre në gjithë llojet e medias, por nuk kam zili dhe antipati për ta. Thjesht urrej popullaritetin e trashëguar dhe për të cilën njeriu nuk ka bërë asgjë vetë, veëse ka qënë një vezë në një mitër të quajtur mbretërore dhe që është fekonduar nga një spermatozoid mbretëror; në rast se analizat gjenetike janë bërë.)
Përçmimi që vjen nga zilia ndaj të sukseshmëve, duhet ta pranoj që është një dukuri cazë korçare. Nuk e di nëse ne e kemi nga klima, nga mungesa e jodit në ajrin e Fushës së Korçës apo nga dendësia e popullsisë në qytet, por e kam ndjerë që e kemi pak më shumë se qytetet e tjera shqiptare të të njëjtës madhësie. Vënia e vlerave në dyshim nuk është gjë e keqe, por përçmimi apo më keq denigrimi është vetëm zili e përzjerë me injorancë.
Nuk po zgjatem të analizoj komente të tipit “po ç’është kjo Ledi Gaga, që nxjerr bythën jashtë!” apo “Ik o me gjithë atë Majkëll Xhekson se ishte pedofil!”, që edhe pse nuk janë të rralla dëshmojnë vetë për zilinë e zezë. Do merrem me  një lloj zilie më të kamufluar, e cila vjen nga profesionistët e shkolluar.

Flitet shumë rreth “fryrjes” së njerëzve “pa vlera” të mirëfillta mendore, të cilët jo vetëm pasurohen por janë edhe të adhuruar nga turmat. Këshut përmenden sportistët e famshëm, këngëtarët e pop-it dhe rock-ut, politikanët dhe deri tek artistët e Hollivudit. Si kundërpeshë vihet mosnjohja nga masat e shkencëtarve, ata që duhet të jenë të adhuruarit e vërtetë të turmave. Unë nuk e përjashtoj teprimin që bën media dhe kryesisht për qëllime edhe të fitimit, e inkurajuar edhe nga bizneset sponsorizuese apo nga lobet që janë pas tyre. Por dukuri a e famës së sportistëve dhe aktorëve apo këngëtarëve nuk i përket 100 viteve të fundit. Në qytetërimet e vjetra, bustet e sportistëve dhe aktorëve të njohur ishin përkrah atyre të Aristotelit e Platonit; emrat e gladiatorëve ishin më të famshme se ato të senatorëve, por edhe të studiuesve; Neroni kur po i jepte fund jetës nuk tha “këtu po vdes një perandor”, por “këtu po vdes një artist.”etj. Unë nuk kam njohuri të thella në psikologjinë e turmave apo edhe atë të individëve, për të përmendur shkaqet e vërteta përse kjo ndodh. Por, njoh disa fakte të jetës së përditshme, të cilat i kujtoj nga fëmijëria ime dhe i krahasoj edhe me ato që duan fëmijët e sotëm. Janë shumë të rrallë fëmijët që thonë “Dua të bëhem shkencëtar!”, por me dhjetra ata që sëritin profesione si actor kinemaje, balerinë, futbollist, piktor etj. Dhe kjo është më e vjetër se dalja e gazetave apo më keq e televizionit. Idhujt e fëmijërisë sonë nuk ishin as Sotir Kuneshka dhe as Eqerem Cabej, por Panajot Panoja dhe Vaçe Zela(për ta thjeshtuar pak krahasimin e për mos përmendur idhujt e huaj të adoleshencës, të cilët mund të quhen edhe si rrjedhojë e ndikimit të televizionit).
(vijon)