Thursday 28 December 2017

Mamahuana (Eja ne tropik 5)

Vdekja nuk vjen në tropik
Në shishe e kanë mbyllur
Dhe e ka mbuluar kuqëlimi.
Mes ahkëlash drurësh erëmirë
E kanë torturuar
Dhe mjaltë i japin bashkë me verën
Gjallë ta mbajnë,
Nga gjumi i kuq kapluar,
Për tu sjellë më mirë.
Nga ajo shishe të gjithë pimë,
Vezullim vdekjeje të robëruar,
Të kuq si rubin,
Me një ëmbëlsi frike
Dhe athësi shpirti në fund,
Në buzë më shumë e mbajmë
Për të mos thithur tjetër rrekemi me mund.
Zgafellave të ëndjeve
Na zbret ky lëng
Që kthehet në lumë,
Na rrit kureshtjen ç’na prêt skutave,
Të errëtave skuta të epshit,
Ku nuk duhet dritë,
Vetëm zjarr pa flakë,
Plot vrull,
Edhe pse gati në gjumë.
Si të tjerët dhe ne,
Në këtë balet gjymtyrësh
Ku melodia ndjehet
Edhe se pa zë,
Përmendësh zbulojmë lëvizje të reja,
Tkurremi një çast
Dhe të shumëfishuar shpërthejmë,
Në të skëterrshmen “pas de deux”.
Me lëvizje të kursyera duarsh
Vendasit na treguan eliksirin,
Dobinë tek e mbrama,
Nëse mes ritesh ngadalë pi,
Të ngjeshurën magjike “mamahuana”.

Wednesday 27 December 2017

Për hir të Korçës…mblidheni Raqkën!

Një mik më dërgoi këtë foto në e-mail me të vetmen fjali “Jam i shqetësuar për Raqin”. Nuk dija përse bëhej fjalë. Dukej një lloj skene e improvizuar dhe nuk arrija të kuptoja nëse i njohuri im i para emigrimit po këndonte, mbante ndonjë monolog patriotik apo shpërndante dhurata për Krishtlindje.
Mendova më shumë këtë të fundit, dhe nuk i dhashë shumë rëndësi faktit, që nuk kishte mjekër të bardhë dhe kapele në kokë si Santa. Do ketë veshur shpejt e shpejt ndonjë xheke “me të therrur” nga ato të garderobës të Përpaqe Kitës mendova dhe e përgëzova me mendje. “Ja më në fund një kryetar bashkije, që mendon të kursejë dhe nuk shpenzon për një xhybe tjetër të gjatë, se ajo që është në iventarin e Pallatit, e cila me siguri do jetë në trupin e Vaskë Kakamit”.
Ja përcolla këto mendime pozitive edhe mikut tim, por mora përgjigjen lakonike “Xhekja është e tij.”
Unë nuk i njoh tendencat e veshjeve të kohëve moderne, që reflektohen edhe në politikanët tanë. Në këto punët e modës jam “tap topi”.
Ja për shembull pantallonat e Ramës të stilit Yamamoto, më duken si të kopjuara nga brekushet e tironcve, që luajnë vallen “Ra Faja prej fikut!”, por kjo nuk është gjë tjetër veçse dëshmi e injorancës sime.
Veliaj, i veshur me një bluzë me drerë më duket sin jë “fëmijë i lumtur i Republikës Popullore të Shqipërisë“, por kur mendoj thellë thellë, që këta janë të rinj, që jo vetëm janë të rinj, por kanë edhe xhepin plot, që jo vetëm janë të rinj edhe me xhepin plot, por kanë edhe gra, që shikojnë tërë ditën katalogët e modës, atëhere i them vetes “Mos ja fut kot Naum!”
Po racionali Raqkë?
Kush ja sugjeroi këtë “zhaqetkë“ të kuqe si gjaku me kopsa të zeza dhe me të therrura prej dysheku?
Ky do jetë trendi i vitit të Skënderbeut?
Kostumi modern kombëtar?
Po ku e le Rama Raqkën të përcaktojë trendin e vitit të Skënderbeut!
Do e ketë marrë më qafë Peleshi!
Kushedi ç’baste ve andej nga Tirana dhe i fiton me kollajllëk, se gjithmonë do të jetë në anën fituese.
Gjithsesi, dikush, i afërt, i besuar, i dashur duhet t’i thotë Raqkës ndonjë gjë.
Nëse kjo është shenjë e krizës së mesoburrërisë atëhere edhe unë shqetësohem seriozisht për Kryetarin tonë racional të Bashkisë.

Për hir të Korçës!

-28 grade C

Ajri është ngrirë
Dhe e kam të vështirë të ec mes tij.
Nuk mund as të ndalem,
Trembem se ngrij.
Era,
Kjo soprano e trishtë
Këndon me zë koke nota të gjata;
Drita ka mbetur shtrirë në tokë
Aty ka për ta zënë nata.
Në faqen e akulluar të qiellit
Dua të kapem me thonj.
Ndoshta,
Më lart do ketë një skutë
Të ftohtit t’i fshihem
Dhe gjunjët të hukat,
Më vonë mund të hap edh sytë
Poshtë të shikoj
Si mbrohen gjallesat prej veriut.
I vetëm,
Mes muresh ajri të akullt,
Nën notat akute të erës;
Tashmë edhe ajo ngriu.

Tuesday 26 December 2017

Dëshmitë janë gjithnjë të dyshimta

Eshtë një shprehje e njohur në botën juridike dhe atë të hetimeve, por është e vlefshme për të gjitha llojete ngjarjeve.
Këtë mendoja ndërsa lexoja një shkrim të Mustafa Nanos, “Takimi i parë me Kadarenë“ të botuar në gazeta “Mapo”.
Kam shkuar në takimin që tregon Nanoja, si qindra të rinj të tjerë të Universitetit dhe ndoshta kujtimet e mija janë të ndryshme dhe po aq “të dyshimta”, sa të Nanos dhe të çdo pjesëmarrsi tjetër. Varet nga ç’farë të le mbresë dhe se si shndrohet gradualisht në mendjen e gjithsejcilit, ajo , që ndodhi në atë takim.
Ndoshta ishte tetor, por nuk u përmend, që takimi të ishte në kuadrin e “Muajit të Letërsisë dhe Arteve”, sikundër ndodhte me qindra takime të këtij lloji në qendra pune, shkolla, reparte ushtarake.
Nxituam të shkonim sa e mësuam dhe çuditërisht salla e madhe e Korpusit Qëndror ishte plot edhe pse s’kishte aq shumë studentë në atë Korpus. Ishte viti 1981 dhe në atë godinë zhvillonin mësimet Juridiku, Filozofia dhe klasat e larta të Inxhinierisë. Duket, që kishin ardhur edhe studentë nga fakultete të tjera se numuri i pjesëmarrësve ishte shumë i madh.
Ismaili erdhi i shoqëruar vetëm nga kritiku Tefik Caushi, pedagogu jonë i estetikës. Mu krijua përshtypja, që vetë Kadareja e kishte kërkuar këtë takim.
Ato kohë, ai dilte shpesh paraditeve me Tefikun në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zakonisht ecnin në trotuarin në anën e Kryeministrisë. Për rininë studentore Ismaili ishte letërsia dhe arti shqip. Kishte statusin e një “rock-star”, por për vetë natyrën e kohës ku jetonim, të gjithë e shihnin me admirim, por nuk shkonte njeri t’i kërkonte autograf. Nuk i kërkohej asnjë sportisti apo artisti të famshëm. Vetëm kur vinin futbollistët e huaj dhe kur kishe mundësi t’ju afroheshe.
Në fillimin e viteve ’80, Ismaili kishte pasur disa probleme me botimet dhe nuk është e pamundur, që ai të “testonte” pjesën më të përparuar të rinisë dhe njëkohësisht të merrte ose t’i jepte ndonjë “mesazh” regjimit.
Foli rreth gjysëm ore për letërsinë shqip, për autorët kosovarë dhe ngjarjet në Kosovë, duke u treguar si gjithnjë me kurajë por edhe me një lloj ambiguiteti. Në sallë nuk pipëtinte njeri. Autoriteti i Kadaresë ishte i padiskutueshëm. Më la mbresë përmendja e Anton Pashkut, që lidhej me reagimet e një pjese të kritikës kosovare, që e quante “jo të devotshëm” se kishte shkruar dia vjersha për Titon. Ismaili ishte i mendimit, që vepra cilësore nuk ka pse të hidhet poshtë për ndonjë lëshim “kompromisi”, që ka bërë autori.
Pastaj nisën pyetjet e studentëve, të cilat shkonin në presidium, të shkruara nëpër pusulla. Pyetjet rreth çmimit Nobël ishin të pranishme dhe Kadareja u përgjigj pak a shumë “kam një lloj bezdije nga kjo histori e Nobelit, që po zgjat kaq shumë“. La të kuptohej, që ishte i pakënaqur me Akademinë suedeze dhe se forca të tjera ishin në lojë.
Një pjesë e pyetjeve ishin disi provokuese për raportin e tij me Dritëroin. Kështu, për suksesin e poemës “Nënë Shqipëri” në Europë, Kadareja u përgjigj” Poezia lexohet sot në Perëndim shumë më pak se më parë ndaj dhe tirazhet e librave me poezi janë më të ulta”. Kuptohej, që disa pyetje e nervozonin dhe një pjesë të madhe i la pa përgjigjur si “të përsëritura”, ose “që nuk kanë ndonjë vlerë“.
Kadareja u duk se iku i zhgënjyer nga ai takim. Nuk di se sa e njihte ato vite rininë universitare, porn e. që jetonim konvikteve e kishim një ide të qartë.
Ishin vitet, kur kuotat e pranimit në universitet ishin më të ultat dhe favorizoheshin rrethet e vegjël, për të pasur kuadro, që mund të punonin në zonat e largëta. Numuri i studentëve kryeqytetas ishte në minimum dhe po ashtu I studentëve nga qytetet e mëdha.
Ndjehej një lloj “militantizmi”të studentëve, pas viteve më të egra të terrorit të filluar në vitin 1973.
Për fat të keq, një pjesë e mirë e konviktorëve, me siguri mendonin se Shqipëria dhe Enver Hoxha ishin në qendër të të gjithë bisedave, që zhvilloheshin në botë. Pas tyre edhe Kadareja dhe çmimi Nobël i munguar.
Këtë Ismaili arriti ta dallojë dhe iku pa buzëqeshje nga salla e tejmbushur.
Këtë nuk arrin të kujtojë Nanoja, konviktori nga Corovoda i atyre viteve.

Cuditërisht edhe unë nuk kujtoj se me kë shkova në atë takim. Veç jam i sigurt që mendimet e mija nuk i ndava me kërkënd.

Monday 25 December 2017

U dashka edhe “Baraba”!

Nuk kam ndonjë konsideratë për Presidentët shqiptarë të tranzicionit.
I pari syresh, i ndjeri Ramiz Alia, kishte shumë mëkate të rënda mbi kurriz, që përfshinin edhe vrasje njerëzish apo “shitje” të shokëve të ngushtë, ndaj prej një Jude të tillë nuk mund të prisje shumë.
I dyti, më ekstremisti për mirë ose për keq, kishte një nacionalizëm të verbër, të cilin e zbuti vetëm kur fëmijët e tij filluan të bënin para me thasë.
I treti, intelektuali Meidani, lëkundej mes ateizmit të tij si ish-komunist dhe si dhëndër i Sofokli Lazrit dhe njëfarë europianizmi “dibran”, ndaj nuk ishte në gjendje t’i jepte nënshtetësinë shqiptare Janullatosit.
Pastaj erdhi i vetmi ortodoks President, Alfred Moisiu, i cili nuk u kuptua asnjëherë përse e shtynte dosjen e nënshtetësisë së Hirësisë së tij. Ndoshta i vinte nga të qënit gjeneral dhe dihet që ushtarakët(sidomos ata komunistë) nuk kanë raporte të mira me kishën , që predikon paqe. Ose duke qënë po aq budalla sa i jati(kjo sipas dëshmive të oficerëve anglezë gjatë Luftës së Dytë) mendonte se Kryepeshkop i Shqipërisë duhej të bëhej Nikolla Marku, i të njëjtit kapacitet mendor si edhe Presidenti.
Pastaj erdhën Bame Topi dhe Buçi Nishani , të cilëve “ndjeshmëria e theksuar haxhiqamilse” nuk ju lejonte të bënin Hirësinë nënshtetas shqiptar, sepse prishnin ekuilibrat fetare!
Nënshtetësija i jepej çdo italiani, që donte të shpëtonte nga taksat në Itali, ishte apo jo trainer kombëtareje, egjiptianëve islamikë, që donin të shpëtonin nga regjimi ushtarak në Egjipt dhe plot turqve dentistë, që heqin dhëmbët e shëndosha të fukarenjve shqiptarë.
Nuk ishte i mjaftë një komunitet i madh ortodoks, që e kërkonte këtë për udhëheqësin shpirtëror; nuk mjaftonte Ringjallja e Kishës Ortodokse; nuk mjaftonte, që Kisha Ortodokse ishte i vetmi institucion fetar apo laik shqiptar ku nuk kishte hyrë krimbi i korrupsionit. Ndoshta dhe kishin të drejtë.
Anastas Janullatos nuk është si ne.
Anastas Janullatos nuk është as si grekët.
Eshtë një misionar i krishterë, që për zellin, përkushtimin dhe njohuritë do e kishte zili çdo kishë sot në botë.
Që të bëhej hapi më minimal i mirënjohjes, do duhej më “hajduti” mes Presidentëve të këtyre 27 viteve – Ilir Meta.
U dashka edhe “Baraba”!
Janullatosi i përket një bote tjetër, e cila nuk mund të konceptohet nga ne vdekëtarët e zakonshëm.
Nëse ai e ka falur Metën, le ta falim edhe ne!

Objektet “më të shquara” te politikes për vitin 2017

Cdo vit, në politikën shqiptare ka pasur sende seriozo-qesharake, që janë stërkomentuar nga publiku, ose janë bërë simbole të poseduesve apo përdoruesve të tyre. Për vitin 2016, në konkurencën e fortë mes “çantës të zezë të Baba Takut” dhe ‘brekëve me vrimë të Shukriut”, këto të fundit u kosideruan si më të rëndësishmet e vitit.
Këtë vit janë shumë të tilla, por dhjetë prej tyre kanë tërhequr më shumë vëmendjen e mediave tradicionale dhe atyre sociale.
Më poshtë janë:
Palltoja e Erion Braçes – Objekti në fjalë, i firmës Zara, u shfaq në publik, mbi trupin e deputetit Erion Braçe, gjatë ceremonisë mortore të poetit Dritëro Agolli. Nga komentuesit dashamirës dhe dashakeqës, palltoja blu me kuadrate të mëdha e viza të kuqe, u quajt e papërshtatshme për tu mbajtur në funerale. Por më e rëndë ishte dëshmija e një mediume, që kishte dëgjuar poetin të theshte me vete vargjet: Jam i vdekur i pakallur/ S’mund të flas prandaj po hesht/ Gjithë qajnë të përmallur/ Po ç’është veshur kështu ky plesht?!
Atletet e Ramës- Kryeministri Rama, i njohur për garderobën e pazakontë, bëri  të krruajnë kokën të gjithë shefat e protokollit të kancelarive europiane, gjatë vizitave të tij zyrtare, ku paraqitej me kostum dhe atlete të bardha. Komentet kishin qënë gjithfarëshe, që nga shpirti artisto-rebel i politikanit Rama dhe deri në thashetheme rreth problemeve të vjetra të higjenës personale të përhapura nga kundërshtarët e tij politikë. Vetë kryeministri ishte lumturuar nga befasimi i të tjerëve dhe pat parashikuar, që atletet e bardha do ishin trendi më ri në takimet zyrtare shtetërore. Menjëherë pati një reagim të fortë nga IAR (Asociacioni Internacional i Reperve), që kanë eskluzivitetin e veshjes së atleteve të bardha me kostum.
Radarët e Mimit – Mimi Kodheli është e para grua shqiptare, të cilës i është besuar mbrojtja e vendit. Do ishte thuajse një Shote Galica, po qe se do i kishin funksionuar mirë radarët. Edhe pse Mimi kishte deklaruar që “Qeveria e ze lepurin me radar”, radarët e Durrësit nuk zinin dot skafet me kanabis, që niseshin drejt Italisë. Dhe nuk ishin skafe të sofistikuar me sistem anti-radar, por vetëm skafe të thjeshtë të kushërinjve të dhjetë të ministrit Tahiri. Duke qënë pjesë e familjes socialiste detyrimisht edhe kushërinj të njëmbëdhjetë të Mimit.
Palmat e Lali Erit- Gjatë vitit 2017, palmat e mbjella përgjatë autostradës, shkaktuan po aq probleme në Tiranë sa shkaktoi edhe ideatori i tyre,  Veliaj. Të ideuara si tërheqje për investitorët e huaj, që në rrugën nga Rinasi në zyrat kryesore të kryeqytetit, të krijonin bindje se ishin në një “Republikë Bananesh” dhe një bakshish i majmë do ishte i  mjaftueshëm për të pasur lehtësi në biznes, palmat duket se “ u ndjenë të përdorura” dhe ose u thanë, ose bllokuan kanalet e shkarkimit të ujrave përgjatë autostradës. Në shenjë proteste, gjatë përmbytjes së Nëntorit, Lali Eri refuzoi të mbante mbi krye një gjethe palme, por eci duke u qullur nëpër shi dhe në dhjetor filloi shkuljen e tyre.
Qebaptorja e Kumbaros në Butrint- E konceptuar si një pikë çlodhjeje dhe informacioni për vizitorët e Butrintit, objekti i shumëpërfolur gjatë vjeshtës, ishte menduar të ndërtohej vetëm me materiale të lehta dhe beton poshtë. Kundërshtimet e arkeologëve arritën deri në zyrat e UNESKO-s, të cilat konfirmuan se Kumbaro kishte vepruar në kokë të saj për të mirën e Butrintit, Shqipërisë dhe Rajonit. “Gojët e liga” folën edhe për një komercializim të plotë të Butrintit, ku do kryhen kundrejt pagesës pagëzime në Baptisterin e famshëm, dasma dhe shfaqje me muzikë tallava në teatrin antik. Të gjitha këto e bëjnë të domosdoshme ngritjen e qebaptores dhe më vonë të një furre buke. Mbiemri Furrxhiu i ministres lidhet krejt rastësisht me furrën.
Veliera e Vangjush Dakos- E projektuar nga arkitekti italian Casamonte, çuditërisht objekti prej betoni, që po ndërtohet në Durrës pranë zonës arkeologjike, mori emrin “Veliera e Gjushit” jo vetëm se Gjushi është kryetar i Bashkisë, por edhe se është sinonimi i betonit në Durrës. Në renderimet e projektit objekti të kujton “çadrat e improvizuara” të viteve ’60 në Plazhin e Currilave, kur një çarçaf lidhej mbi katër kallama dhe krijonte hije për një familje të zhurritur nga dielli dhe Diktatura. Casamonte nuk ka si të ketë pasur njohuri për to, sepse nuk ekzistojnë foto ose skica të tyre. Gjushi ka menduar gjithashtu, që pastrimi i Velierës të bëhet nga puna vullnetare e të burgosurve, që do lirohen para kohe sipas rekomandimeve dashamirëse të Bashkisë së Durrësit
Patentat e Saimir Tahirit – Midis shumë objekteve, që lidhen me ish- ministrin Tahiri duke filluar me Audin e tij të zi, syzet e kushtueshme, përgjuesit në zyrë dhe gjerdhanit me diamante, “shkëlqejnë“ patentat e lundrimit, që i dhanë atij nofkën Lundërtari i Madh. Patentat u gjendën në një makinë biznesmeni pranë afro 1 milion dollarësh, por më e habitshmja se ndodhja në makinën e tjetrit apo edhe shuma e madhe e parave, ishte fakti, që Tahiri ishte i aftë  të timononte një anije 10 tonshe. Sipas Berishës, Saje Qorri kishtenë plan të arratisej në Kubë me një anije 10 tonshe, në kuvertën e së cilës do ishte e gjithë “policija që duam”.
Cizmja e Monikës – Sendi në fjalë është tashmë jashtë Shqipërisë, pasi i është shitur në E-Bay një industrialisti kinez, për një shumë të mbajtur sekret. Flitet, që shuma tejkalon të gjithë pasurinë e vënë me djersën e ballit nga çifti Kryemadhi-Meta, gjatë 20 viteve të fundit. Cizmja u bë e famshme në një séancë të zgjedhjes së Kryeprokurores, kur për të mbrojtur Kushtetutën nga shkelja me atlete e Ramës, Monika nxorri çizmen dhe e hodhi me gjithë forcën drejt kryeministrit. Ai e pa me përbuzje dhe frikë se nuk mban çizme. Për këtë gjest trimëror, gazetari i njohur Frrok Cupi ishte në mëdyshje nëse duhet ta quante Kryemadhin në një shkrim të tij “Monika me çizme” apo “Zhan D’Ark”. Për shkak të tingëllimit të ngjashëm me librin e njohur “Maçoku me çizme”, gazetari zgjodhi përcaktimin e dytë. Në fund të fundit edhe heroina franceze mbante çizme gjatë luftimeve..
Brekushet e Ramës – Të gjitha periudhat e vështira të këtij viti Rama i ka përballuar duke veshur brekushe. Ende kryeministri nuk ka dhënë një spjegim të plotë psikologjik, se cilat janë arsyet, që gjatë krizave ai ju kthehet brekusheve të dashura. Ato mbase e bëjnë të ndjehet diçka ndërmjet ideve moderne të Yamomoto-s dhe humorit shpotitës të Daj Cenit nga Priska, por opinioni i gjerë shqiptar ende nuk ka arritur ta kuptojë. Ka mendime se ato e bëjnë të ndjehet “i dhjerë, por krenar” e megjithatë mendimi i përgjithshëm, është që me to duket më shumë “i dhjerë“ dhe shumë pak krenar. E megjithatë, des gustibus e coloribus disputandum non est e ka thënë latini, pa menduar thellë se në botë do dilnin çdo lloj marrokësh, që do fshiheshin pas kësaj shprehjeje.
Cadra e Bashës- Për shkak të simbolikës, shkrimeve të shkruara, polemikave brenda dhe jashtë saj, Cadra e Lulëzim Bashës i kalon të gjithë sendet e politikës shqiptare nga dramaticiteti dhe njëkohësisht nga qesharakësija e saj. E quajtur ‘parlament”, “simbol lirije”, “embrioni i Republikës së Re”, çadra e Bashës ndenji për 3 muaj me rradhë përballë kryeministrisë duke bllokuar qarkullimin e automjeteve, por jo jetën politike të vendit. Ishte një dukuri e re, se në çadrat e mëparshme, të ngritura në të njëjtin vend haej fshehurazi, kurse në të, njerëzit hanin sa mundnin. Cadra ndau intelektualët shqiptarë në “çadristë“ dhe në “joçadristë“. Kur nuk u përfshinë në listat për depudetë, shumica e “çadristëve” u kthyen në “joçadristë“. Edhe pse i përfshirë totalisht në jetën çadreske, ideatori i saj Lul Basha nuk morri asnjë ditë pamje prej nomadi, por ishte gjithnjë i rruar dhe i krruar, me kostum dhe flokët me xhel. Për çadrën, botuesi Fahri Balliu arriti bile edhe të sigurojë të drejtën për modifikimin e vargjeve të Kadaresë dhe shkrojti:
O çadër tiranase/ O mure me celofan/ Celofan që përdoret në riciklim/ Pragu yt ndante kohrat/ Në atë prag ata hynin/ Jashtë natë ishte gjithnjë/ Ndaj dhe shqiptarët flinin.

Sunday 24 December 2017

Një flokëkuqeje lypse (Ch. Baudelaire)

E hajthme, t’kuqe flokë
Nga rrobat bërë trokë
Të duket varfëria
Dhe bukuria.

Për mua, tukeq poet,
I ligshti trup, që t’vret
Plot me vula mavi
Ka ëmbëlsi.

Mban më me hijeshi,
Se sa e Romës peri
Mban sandalet e rralla,
T’rëndat nalla.

Nuk është zhele e shkurtër,
Kinda stofi pa zhubër
Të një petku të rëndë,
N’takat tënde;

N’vend t’getave çikë
Një e praruar thikë
Nuk le të t’vriten syt’
Këmbën të ndrit;

Kordelet lidhur keq,
Lenë të shohim për dreq,
Jo njërin thith por dy,
Si joshës sy;

Hiret për të të parë
Ler’ të të prekin krahët,
Me gishtat që ngërthejnë
Le të gjejnë

Perla të  më t’thellit det
Prej të Bellosë* sonet,
Që adhuruesit blenë,
Të të kenë,

Poetët fillestarë
T’kushtojnë poem’n e parë,
Presin të prekin nën shkallë
Tënden nallë;

Plot dashnorë pa frikë,
Ronsari**, plot fisnikë,
Cadrën do të t’përgjonin
Të të shikonin!

Do kishe në shtratin tënd,
Aq puthje sa nuk ka vend
Në gjunjë do kishe për mot
Valua*** plot!

-          Megjithatë ti dorën nder
Xhingla të t’japin i merr,
Ke frikë mos dalësh huq,
Në udhëkryq.

Sytë t’kapin menjëherë
Stoli që nuk kanë vlerë
-Oh më fal, nuk mundem sot
S’ti ble dot!

Shko pa patur n’trup stoli,
Parfum, diamantë, flori,
Veç n’tënden lakuriqësi
Imja peri!

Saturday 23 December 2017

Cizmja e Kryemadhit dhe Letra e Metës

Dy objekte, të cilat i përkasin të njëjtës familje, kanë qënë gjatë kësaj jave, sendet më të rëndësishme të politikës shqiptare.
E para ishte ]izmja e Monikas drejtuar kryeministrit Rama, ndërsa e dyta, letra e Metës drejtuar Presidentit Trump, që “kërkonte të falur”, për votën e Shqipërisë në OKB.
Duket, që kryefamiljari pa parti i familjes, së bashku me bashkëshorten e tij kryetare partie e kanë humbur toruan dhe mund t’i lejojnë vetes ]do lloj veprimi politik dhe akti rruga]ërie.
Por le ta marrim me “qetësi dhe dashuri” dhe të gjykojmë për pak në favor të ]iftit.
Le të themi, që Presidenti Meta, duke gjykuar në të mirë të Shqipërisë, ashtu si një pjesë e mirë e politikanëve shqiptarë dhe sidomos atyre të Kosovës, e sheh votën kundër SHBA-së si të dëmshme për interesat tona kombëtare.
Por Ilir Meta ka qënë edhe kryeministër edhe ministër i jashtëm dhe e di fort mirë, që politika e jashtme e Shqipërisë është eskluzivitet i pushtetit ekzekutiv. Pushtetarëve të tjerë mund t’i lejohen komente dhe deklarata, por në asnjë mënyrë një letër zyrtare drejtuar një vendi tjetër, ku të hedhësh poshtë qëndrimin e Shqipërisë. Në rastin më të mirë, ky veprim bën qesharak autorin e letrës dhe institucionin e Presidencës, ndërsa në rastin më të keq, dëshmon se kontradiktat brenda institucioneve të një vendi janë aq të mëdha, sa mund të sjellin edhe përmbysje me dhunë.
Në një shtet normal, ndaj një veprimi të gabuar të ekzekutivit në politikën e jashtme do ndrëmerrej një interpelancë në Kuvend e Ministrit të jashtëm ose e Kryeministrit dhe mund të kërkohej edhe votbesimi i qeverisë, por në asnjë mënyrë nuk “do lëpihej ajo që ishte pështyrë“. Të tilla veprime ndodhnin vetëm kur ishim në varësi të plotë të Baba Stalinit dhe nuk kishte ndarje të pushteteve.
Po pse Ilir Meta bën këtë veprim kaq të dëshpëruar, që është ku më ku më i keq, se ai i ]izmes së bashkëshortes?
Muajt e fundit, ai po sheh se si po ja shkërmoq partinë Edi Rama. Po përdor të njëjtin “reaksion kimik”, që përdori në krijimin e saj Meta. Poste me përfitim dhe para të drejtpërdrejta. PS-ja po sulmon ashpërsisht të gjithë besnikët e Metës, që ndodhen ende në admininistratë duke ju marrë postet, si dhe po ofron para dhe tendera për këshilltarët e LSI-së në Tiranë, Durrës, Kor]ë etj.
Të larguarit nga PS-ja si të pakënaqur 14 vjet më parë, dhe rishtarët e tjerë, të afruar pranë LSI-së jo për ideale të majta, por për mundësi karriere do largohen kur këto mundësi zvogëlohen. Meta dhe Kryemadhi nuk mund të flasin hapur për këtë “lojë të papastër” të Ramës për t’ju shkatërruar partinë dhe përdorin “letrën” dhe “këpucën”, si mënyra shantazhi dhe papajtueshmërie deri në vdekje me Ramën.
Ka një rrezik të madh për Shqipërinë, nëse këto dy sinjale i shikojmë si “sinjale mafiozësh”,
I pari është ai “luftë dhëmb për dhëmb, nëse vazhdon të na shkatërrosh partinë dhe kërcënosh me ndonjë arrestim të mundshëm”.
I dyti, po në këtë linjë, është ai i Presidentit me atributet e Komandantit të Përgjithshëm, që mund të krijojë me pushtetin e tij skenare të vitit 1997, nëse në vend gjatë vitit të ardhshëm do ketë trazira. Shpërndarja e paralamentit dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, edhe se tani mund të duket si një variant fantastiko-shkencor, nuk ka pse mos i shkojë ndërmend Metës së rrezikuar.
Atëhere (shpëtona Zot!) do shohim Zhan D’Arkën e Frrok Cupit të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut me Skënderbeun e Spiropalit.

Mjerë Shqipëria!

Thursday 21 December 2017

Trump-in nuk ka pse ta barazojmë me Amerikën!

Ka një zhurrmë në gjithë mediat opozitare se “Rama tradhëtoi interesat kombëtare”, “I ktheu kurrizin Amerikës për Turqinë“, “I nguli thikën në shpinë Amerikës” e të tjera si këto, që lidhen me votimin e fundit në OKB, rreth çështjes së njohjes së Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.
Duket një përfitim nga rasti për të “nxirë“ gjithshka , që bën Rama edhe pse janë vetë këto media bashkë me politikanët e opozitës, që jo rrallë i “vërsulen” ambasadorit amerikan.
Por le të shikojmë më objektivisht rastin e rezolutës antiamerikane lidhur me njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.
Reagimi kundër veprimit të Trump-it ka qënë i përgjithshëm edhe para se të bëhej zyrtar. Të gjithë aleatët europianë të Amerikës, bënë ç’ishte e mundur, që mos hidhej ky hap , sepse nuk ishte ndërkombëtarisht i ligjshëm, por mbi të gjitha do keqësonte mundësinë e zgjidhjes të konfliktit të përhershëm Izrael-Palestinë dhe do shtonte rekrutimin e ekstremistëve islamikë kudo në botë.
Dhe megjithatë “The Donald” e hodhi atë hap, sipas shumë komentatorëve amerikanë, për të ndryshuar objektin kryesor politik në Amerikë të këtyre muajve, që është hetimi nga prokurori special Mueller, rreth një bashkëpunimi të mundshëm të ekipit elektoral të Trump-it me Kremlinin për zgjedhjen e Trump si President i SHBA.
Jo vetëm si rezulton nga votimi i rezolutës, ku përkrah Amerikës janë vetëm disa vende mikroskopike, por edhe nga sondazhet e bëra në publikun amerikan, njohja e Jeruzalemit përkrahet nga një pakicë e popullsisë amerikane.
Për më tepër edhe brenda vetë Izraelit, të kënaqurita janë ekstremistët dhe qeveria e Bibi Netanjahut, sepse mbi 70% e popullsisë nuk janë dakord me vendimin e SHBA.
Ndaj të bësh Ramën fajtor, se udhëzoi të votohej si do votonin Gjermania, Franca, Italia dhe Anglia është e padenjë.
Edhe mund të zgjidhej rruga e abstenimit, si u zgjodh nga shumë vende të rajonit, apo edhe nga Kanadaja dhe Australia, por kjo nuk do përbënte ndonjë ndryshim të madh veç një lloj përkeqësimi të marëdhënieve me vendet arabe, edhe me të cilët kemi bashkëpunim dhe interesa.
Unë nuk mund të spekulloj, se cilat kanë qënë arsyet e  këtij lloj votimi nga Rama, pasi ky i fundit nuk njihet as për parime dhe as për balancë, por në këtë rast, më shumë se motivet, rëndësi ka qëndrimi , që mban për një çështje ndërkombëtare.
Qëndrimi i Trump për Jeruzalemin është i gabuar.
Ai ësht shumë i ndryshëm nga ai i presidentëve Karter, Regën, Bushëve, Klintonit dhe Obamës.
Ndaj pavarësisht nga kërcënimet e tij(tepër amatoreske dhe që nuk funksionojnë), Shqipërija bëri mirë, që mbajti linjën europiane.
Në fund të fundit Trump nuk ka pse të identifikohet me Amerikën.

Të shohim nëse do i mbyllë dot 4 vitet e Presidencës pa u detyruar të japë dorëheqjen!

"Ikse te thyera" (fragment)

....
“Këtu në Mokum* është gjithshka. Edhe spjegimi. Ndoshta edhe thesari”mendova ndërsa shiu nuk kishte të pushuar. Nuk më mbeteshin edhe shumë ditë për tu kthyer. Gjithshka duhej të kryhej në këto tre ditë. Edhe pse shiu nuk ka ndërmend të pushojë.
Nuk dija se ç’do më priste në rrugën “Nieuw-Zeelandweg” në numurin 2065. Më kishin thënë të mos merrja taksi. GPS tregonte 6.2 km dhe 1 orë e 22 minuta ecje. Ndoshta pa llogaritur shiun. Ti më pate thënë, që shiu të vonon në ecje edhe sikur të jetë i butë. Ky shi është e rrëmbyeshëm.
“Dëgjoji mirë këto, që po të them. Mos më ndërprit. Atje është krijuar simboli jonë. Më vonë ata e kthyen në flamurin e Amsterdamit. Eshtë sfond i kuq dhe një shirit i gjerë i zi në mes. Të shpuara në të zezë janë 3 ikset. E kanë shpuar tej e përtej deri sa duket e bardha. Në fillim ishin dy. Të tretin e shtuan më vonë hebrenjtë. Ne duhet të shtijem në dorë dokumentin e krijimit. Eshtë i shkruar në shqipe të vjetër.”
Plaku Kondil kishte pushuar së foluri pasatij ligjërimi të shkurtër. I shkoi edhe me njërën dorë flokëve të gjata të thinjura dhe mori frymë i lodhur.”
Nuk kishte numur 2065. Kishte 2063, kishte edhe 2067. Të dyja ishin depo të mëdha. Pranë Portit Perëndimor të Amsterdamit. Midis tyr, një hapësirë bosh, që zor sr kishte pasur ndërtim më parë. Ishte shumë e ngushtë.
Nuk mund të pyesja kënd. Nuk duhej. Më kishin porositur të mbaja çdo gjë të fshehtë. Edhe nga ti. Dhe nuk mund të kthehesha pa Aktin e Krijimit. Ishte një lloj dënimi me vdekje. Nuk kishte rëndësi nëse do ma jepnin apo do ja jepja vetes.

Një nga portat e mëdha të depos me numur 2067 u ngrit. Një furgon i zi doli, por nuk arrita të dalloja drejtuesin e tij. Nuk kishte ç’më duhej. Ndërsa furgoni largohej në drejtim të jugut, goja e errët e depos filloi të mbyllej ngadalë.

... 

Wednesday 20 December 2017

Lirizem fin nga Hafiz Shiraz

Edhe 800 vjet me pare, i kendohej dashurise po aq bukur sa ne kohen tone. Delikatesa dhe filozofia e vargjeve te Hafiz Shiraz i kapercen te gjitha koherat.
























            13

Doja të prehesha në t’sajat kaçurrela,
Fluturo dashuri, si një varkë me vela
U tha “Lermi flokët”, kupto “Merrmë buzët”
S’dua jetë të gjatë, me ty mjafton e diela.

14

O mik, nga mëritë zemrën tënde ler’ të lirë,
Në shoqëri pi prej verës më të mirë,
Shpirtin hap, rrëfeu atyre, që të duan,
Prej të panxën’ve ik, si vesa në të gdhirë.

15

Oh e tillë bukuri nuk lindën më
Kur të linjtat ze ja heq një nga një
Si një gur i çmuar, në një liqen të kthjellët
Gjoksit të brishtë, duket zemra nën të.

16

Për ledhat, puthjet e tua kam mall,
Si për verën e ftoht’ në të nxehtin zall,
Që mos humbim kohë me të tjera fjalë,
Kthehu se pa ty jam në hall

“Poli i dështakëve”

Në një restorant të Durrësit, janë mbledhur sërish, pesë “udhëheqës” politikë. Agron Duka, Dashamir Shehi, Vangjel Dule, Ben Blushi dhe Nard Ndoka. Këtë rradhë kanë edhe një të gjashtë, ish-presidentin Bamir Topi.
Në momente krize qeverisjeje dhe politike, një takim kryetarësh partish duhet të ngjallë shpresë. E megjithatë, përveç medias, i gjithë publiku duket indiferent ndaj një takimi të tillë para gotave të verës dhe pjatave me fruta deti.
Të gjashtë pjesëmarrsit e drekës janë “politikanë të stazhionuar”, por thellësisht të dështuar.
Të gjithë, duke përjshtuar Vangjel Dulen, kanë pasur portofole ministrash në qeveritë e majta dhe të djathta.
Të gjithë, përveç Dashamir Shehit, janë përfolur për korrupsion.
Të gjithë i kanë shpënë partitë e tyre në minimume historike, përveç Ben Blushit, i cili është në procesin e “shkatërrimit” të forcës politike , që krijoi një vit më parë.
Nuk dihet nëse e vendosën ta formojnë “Polin e tretë“, i cili vërtet do jetë një mozaik i çuditshëm të djathtësh, të majtësh dhe populistësh. Ndoshta do e formojnë në vitin e ardhshëm ose nuk do e formojnë kurrë. Por të gjashtë bashkë ndjehen më të fortë.
Sigurisht, që e njohin me themel politikën shqiptare, se kanë qënë edhe në skenën dhe në prapaskenat e saj.
Të njohur për batuta plot kripë, besohet se kanë pasur një drekë të këndhme, ku kanë treguar se sa “qesharakë“ janë Rama, Berisha, Basha dhe Kryemadhi dhe se si do vepronin këta, po të ishin në vendin e tyre.
Por për të mirën a të keqen e Shqipërisë këta nuk janë në vend të tyre. Kanë nga pas nga një “partiçkë“ e cila i ndihmon të jenë në jetën politke, disa të jenë deputetë për shkak të aleancës me PD-në dhe të gëzojnë disa privilegje të vogla.
Edhe pse brenda vetes e dinë, që janë të dështuar, e kanë vështirë ta thonë në publik.
Por a mund t’i shërbejnë këta të gjashtë Shqipërisë?
Unë mendoj që mundet.
Po të formojnë “Polin e të penduarve”.
Si hap të parë duhet të tërhiqen vetë nga politika dhe t’ju bëjnë thirrje të gjithë “të përlyerve” më të mëdhenj: “Tërhiquni ose në të kundërt ne do flasim!”
Dinë shumë Topi, Blushi, Shehi dhe Duka. Ndoshta më pak Dulja dhe Ndoka.
E megjithatë të gjashtë mund ta ndihmojnë Shqipërinë po qe se do “kërcënojnë“ ish krerët e tyre se “një ditë do flasin”.

Kjo gjë do i shpëtojë edhe nga etiketimi “Dështakë“.

Tuesday 19 December 2017

Të vdekurit me të vdekurit, të gjallët me të gjallët

A ka dobi të shkruash për ata, që kanë ikur?
A mos i idealizoj ata, që erdhën para nesh në këtë jetë?
Këto janë “pyetje gozhdë“, që më rrinë në mendje, kur shkruaj për të kaluarën.
Mbase nuk gaboj , kur i idealizoj, se ata erdhën të formuar në një kohë të natyrshme, kurse brezi im, u formua në një kohë “të thyer. aksidentare”.
Ndaj edhe unë dhe moshatarët e mij, nuk kemi faj që jemi këta, që jemi. Deri diku materialistë, indiferentë, cinikë dhe shumë skeptikë. Shumica prej nesh nuk besojnë në Zot.
Po a duhet medoemos të ndahemi nga të ikurit?
Mos mësojmë asgjë nga jeta e tyre?
Në këtë blog kam shkruar për Piro Kasatin, Zhani Pilikën, Fredi Bitinckën. Aleksandra Ilon, Pandi Raidhin, Maqo Kostallarin, Gaqo Pecin dhe të tjerë të larguar, që më duket se e bënin jetën tonë më të bukur.
Po a është kjo nostalgjia e zakonshme, që e shkuara ishte më e mirë?
Unë nuk kam një peshore të saktë për të vlerësuar se sa peshonte e mira dhe sa e keqja në kohën kur unë nuk isha dhe në kohën kur isha fëmijë. E vetmja gjë, e cila është e sigurt, është se koha e fëmijërisë sime ishte një kohë anormale me njerëz normalë. Prindërit, mësuesit mbase heshtnin për “shtrembërimin e të vërtetës”, por nuk merrnin pjesë në “adhurimin e saj”.
Ndaj kam ende në mendje mësuesit e mij më të mirë dhe të tjerë njerëz, që “kafshonin gjuhën”, por nuk trumbetonin  mashtrimin.
Prej ‘kohës së aksidentuar” kanë dalë edhe plot “monstra”, të cilët shpesh edhe “sundojnë“ në jetën tonë politike, shoqërore dhe kulturore. Marëdhëniet me ta nuk janë të domosdoshme, sepse kjo “kohë normale” të jep mundësi edhe t’ju shmangesh. E megjithatë jo të gjithë e kanë këtë mundësi.
Njerëzit kanë nevojë edhe të operohen dhe mundësisht mos përballen me “Frankeshtajnë“, që ju kërkojnë “lëkurën”; kanë probleme , që mund të zgjedhen vetëm me gjyq dhe për këtë duhet të dalin para një trupe me tre gjyqatarë “grykës”; kanë gjithfarë probleme shitblerjesh pasurish të palujtshme dhe ndërtimesh dhe duhet të përplasen me nëpunës arrogantë, që zakonisht janë tejet të korruptuar.
Por kjo është bota e të gjallëve!
Nuk duam të ikim nga kjo botë dhe është e kotë të përpiqemi të “arratisemi” mendërisht në botën e atyre, të cilët nuk janë më.
Një grua zonjë, me prindër nga ata “të botës, që do të deshim” edhe pse ka vuajtur shumë nga politikanët dhe zyrtarët e pangopur, theshte një ditë “Nuk dua, që fëmijët t’i urrejnë!”
Eshtë një mësim filozofik i vërtetë dhe i dobishëm.
Nuk ka dobi të urresh të gjallët. Me ta jetojmë çdo ditë.
Ato, të cilat duhet të urrejmë dhe luftojmë, që mos “na ngjiten” janë veset e të gjallëve, që fillojnë me mashtrimin, grykësinë, pafytyrësinë, spiunimin, hipokrizinë , vjedhjen dhe që mbyllen me vrasjen.
Nuk është kurrë e padobishme të luftosh me ato mjete që ke, brenda botës sonë të të gjallëve, për ta bërë sadopak më të mirë. Edhe një grimcë mirësije vlen.
Të vdekurit janë në botën e tyre të përhershme, atje ku nuk i prek dot kush.

Edhe ata nuk ndikojnë dot më tek ne.

Rubairat e Bashkise te Rilindur


















Shumë vjet kaluan, sot u bënë dhjetë
Që kur Bashkin’ morrëm, “oh sa e përpjetë!“
Cdo gjë keq e gjetëm, ishte lemeri
Veç me punë e bëmë, i vum’ gjoksin vetë.

E kujtoni sheshin, me Bankën në fund
Gjë më të shëmtuar, nuk gjeje kërkund
I vumë në mes një Kullë Vojtuese
Hip edhe qytetin ta shohësh pa mund.

Hip edhe përreth shfaqet Panorama
Poshtë do shikosh kavalierë e dama,
Si le gjë Eifelit, plus që ka dhe “RED”,
Këtë vetë e tha, kryeministri Rama.

Po s’ndenjëm me kaq, fantazia u ndez,
S’mund ta linim Korçën, të vogël, qymez,
Nëpër botë dolëm, të mblidhnim idera
Dhe këtu e sollëm, kopshtin japonez.

Bëmë dhe diçka, s’e ka bërë kush tjetër
Me themel ujdisëm Pazarin e Vjetër
Tani për tani është  i tëri bosh, por shpejt
Investuesët e huaj do vijnë patjetër.

Një për një i mbajtëm zotimet e mara,
Opozitës n’gozhdë i ka ngecur sharra
Kur nga rrethet vijnë dhe me ne habiten
Ju themi ne: “Korça, veç një hap përpara”.

Si i pamë ndërtimet, që qen’ të hairit,
Do ta rregullojmë dhe Kullën e Hirit
S’ka tani evgjitë, ne ju themi romë
Do ju bëjmë Kullë, beton prej më t’mirit.

Do jemi me vite në krye këtu
S’do lemë pa luajtur, gur , lulishte . dru,
Kur t’i mbarojmë do i nisim nga e para,
Le t’na quajn’ laraska, që shkojm’ hu më hu.

Monday 18 December 2017

Shënja, që lufta do jetë e ashpër?

Ajo, që ndodhi sot në Kuvendin Popullor nuk ishte më një show. Ose të paktën pjesa, që ju bie Monika Kryemadhit dhe Sali Berishës, se brenda të gjithë ngjarjes së sotshme kishte edhe 5-6 “skeçe” te tjera. Duke nisur me bluzat e deputetëve dhe duke përfunduar në vjedhjet e kartave të votimit. Një “foto” e shëmtuar ishte edhe ajo e betimit të Kryeprokurores, ndërsa tymi i kuq ngrihej brenda sallës së Kuvendit.
Por le të kthehemi në mospërmbjatja e Kryemadhit dhe e Berishës. Të dy e kishin seriozisht. Po i bënin të qartë Ramës, që do mbaheshin me thonj për të mos lejuar të hynin në burg të afërmit e tyre Ilir Meta dhe Shkëlzen Berisha. Ose më mirë, për t’i thënë Ramës, që mos guxonte t’ju bënte shantazh gjatë vitit , që po vjen se do e merrnin edhe atë me vete. Nuk kanë se si të kërcënojnë ambasadorin amerikan, por për atë do durojnë edhe 7-8 muaj.
Në gjithë këtë lojë të fëlliqur, ku të gjithë personazhet kryesorë janë jo vetëm të zhyer në “m… e korrupsionit dhe kriminalitetit”, ekziston një rrezik i madh për të gjithë të sipërpërmendurit. Ajo, që loja të dalë nga kontrolli i tyre i plotë, që kanë pasur deri tani.
Unë nuk i besoj “përrallat naïve” të Spartak Ngjelës, që tashmë çdo gjë do shkojë mbarë se ka hyrë në lojë Amerika apo FBI-ja.
Me gjithë vullnetin e mirë të amerikanëve, Shqipëria është një shtet i vogël dhe i pavarur. Qoftë për interesat e tyre, qoftë për rëndësinë, amerikanët nuk kanë ndërmend të ndërtojnë gjithë strukturën e shtetit shqiptar. Nuk do e bënin as në Porto –Riko, që është brenda bashkësisë të shteteve amerikane.
Reforma në Drejtësi për ta është një projekt, për të cilin janë ngarkuar disa burokratë dhe që mund edhe të kurorëzohet me sukses, por edhe mund të dështojë. Dhe do e quajnë një projekt të dështuar. Nuk mund të realizosh një Reformë rrënjësore në një nga shtyllat e pushtetit, kur kundër saj ke Presidentin, Kryeministrin, shefin e Opozitës, një dorë me politikanë dhe shumë gjykatës e prokurorë.
Por kontrolli i plotë i Drejtësisë nga politika nuk mund të jetë më i tillë. Detyrimisht do ketë forca dhe individë, që nuk janë ushtarë të bindur të Berishës , Ramës dhe Metës,
Ajo ç’ka pritet të ndodhë është “ç’montimi” i prokurorëve dhe gjykatësve “thellësisht të komprometuar” dhe vendosja e një procesi më të saktë emërimi.
Por edhe të gjithë ata, të cilët do vendosen, jo vetëm nuk mund të jenë të kulluar, por janë të lidhur me njëmijë fije me politikën, me bizneset apo me interesa të tjera. Jemi një vend i vogël dhe me një mentalitet fisnor, brenda të cilit është e vështirë të funksionojë një Drejtësi e tipit Perëndimor dhe aq më pak e tipit Anglo-Sakson.
Edhe shpresa se disa “peshq të mëdhenj” si Meta, Berisha, Bode, Beqja apo Ahmetaj do shkojnë shpejt pas hekurave ka pak të ngjarë.
Ramës i intereson të bëjë presion mbi kundërshtarët, pot jo t’i dënojë.
E di, që pas tyre është rradha e tij ndaj nuk do të krijojë atë preçedent dhe jo se i dhimsen kundërshtarët.
Ndaj dhe tërbimi i Kryemadhit dhe i Berishës i drejtohej një përpjekjeje të mundshme të tij për shantazh në të ardhmen. Shantazh me dosje të hapura, të rihapura dhe të mbyllura.
Loja mes bandave do vazhdojë edhe mot edhe tjetrin.

Do jetë mirë mos kthehet në luftë, se ajo ka viktima dhe si gjithnjë viktima do jenë të pafajshmit.

Te tjera rubaira nga Hafiz

8

Kjo lule vjen nga i dikujt si unë dhe
Gëzim ka brenda, nuk ka se si e fsheh,
Eshtë shoqja ime, e imja e besuar,
Erën e kandë të tij tek unë le.

9

Ti ende shpreson të ndyshojë fati;
Duhet të trembesh kur ikën çasti.
Më the “nuk ka ngjyrë pas të zezës”,
Të zeza kisha flokët, por po zbardhin.

10

Në kohë të rinisë s’ka më mir’ se pija
Me dëfrimin lidhur, të kalon mërzija
Bota është veç e përkohshme bujtinë,
                                                                                    Më mirë të mbytesh, kur çahet anija.

11

Me ar në këtë botë ble çdo njeri
Po t’ja japësh në vend a ngadalë, gjithsesi.
Edhe Narcisin ble, më krenarin në botë,
Se në kokë e ka kurorën me flori

12

Mos më lerë atë fytyrë të dashuroj;
Mos lerë të dehurin verëshitësin të përqafoj’.
Sufi, ti e di ku na shpije kjo rrugë,
Të dehurin dhe dashnorin mos i turpëro!

Dhjetorët e Konicës

Faik Beu mbylli sytë 75 vite më parë në dhjetor. Ishte më shumë se një “bej” i letrave shqipe. Princ i tyre. Edhe pse gjatë Diktaturës ishin munduar të hidhnin një heshtje të plotë mbi të, shkëndijat e tij të gjenialitetit, vinin tek publiku i gjerë, kryesisht nëpërmjet botimeve rreth Nolit dhe shkrimeve ku “kritikohej ashpër” nga shërbëtorët më të vegjël të regjimit. Të mëdhenjtë e letrave shqipe nuk e preknin Konicën.
Qëlloi të ishte dhjetor, kur për herë të parë dëgjova që “Partia” po ndryshonte qëndrimin ndaj tij. Viti ishte 1986 dhe edhe pse kishte shënja të qarta zbutjeje, sinjale të tilla tregonin se di]ka më shumë po ndryshonte.
Kishim disa javë që punonim me itensitet për të konceptuar se si do paraqiteshin materialet e historisë të Arsimit Kombëtar, mbi bazën e një platforme shumëfaqëshe të ardhur nga Tirana. Koha ishte “me kët” se brenda dimrit duhet të përfundonte rikonstruksioni i Mësonjtores së Parë dhe të plotësoheshin të gjithë interieret për të dhënë një ide të qartë të rrugës që kishte ndjekur Gjuha Shqipe dhe shkollat shqip. Më 7 Mars pritej të festohej “me madhështi” 100 vjetori i Mësonjtores.
Emri i Faikut, u shfaq papritur gjatë një séancë të spjegimit të përmbajtjes së Muzeut para një grupi të madh të ardhur nga Tirana me Tefta Camin në krye. Ishte gati një formalitet se të gjithë ishin të ndërgjegjshëm, që nuk kishte kohë për ndryshime. Ndërsa së bashku me historianin Myslym Islami mundoheshim t’ju paraqisnim të pranishmëve para një maketi dhe disa stendave përmbajtjen e materialeve dhe mënyrën e ekspozimit u dëgjua një zë gruaje; “Po “Albania” e Konicës përse nuk paraqitet këtu?” Ishte Teuta Hoxha, që ato kohë punonte diku në Muzeun Kombëtar ose në Institutin e Historisë. Mbretëroi një heshjtje. Në fytyrën e tulët të Tefta Camit nuk u pa asnjë lëvizje. Askush tjetër nuk ishte në gjendje të jepte përgjigje, sepse ajo, që kërkonte të paraqitej Konica në Muze ishte jo vetëm e reja e Diktatorit të vdekur, por dhe e mbesa e postDiktatorit.
“Princi i madh” i letrave shqipe “ju kishte mbyllur gojën” edhe një herë të gjithëve, ashtu si e kishte bërë me qindra herë gjatë jetës së tij.
Në platformën e Muzeut nuk ndryshoi gjë dhe Faiku nuk erdhi as atë rradhë në takim me publikun shqiptar.
Por një ndryshim të madh kishte lajmëruar me autoritetin e padiskutueshëm të veprës së tij në dobi të kombit.

Për Historinë nuk mund të gënjehej pafundësisht!

Sunday 17 December 2017

Rubairat e te vonuarve (Mikut tim E.K.)

Le ta shuajmë dhimbjen në verë
Ato ikën, këtë rradhë përngaherë
Ndoshta do vijnë vajzat e qejfit,
Dhe s’ka pse të ndjehemi besëprerë.

Ne vrerin e lemë në të kuqen
Dëshirat dhe dertet na puqen,
Mes të bukurave kurbatka t’kërcejmë
Sa sytë, faqet, duart të skuqen.

Të kërcejmë, të harrojmë harrimin,
Të hidhemi, të shdëfrejmë pendimin
Kënga e xhinglave të arta ngalasën
Djep që ve në gjumë dëshpërimin.

Le të dehemi, le të bëhemi tapë,
Të mir’ s’na deshën, le t’na duan të prapë
Verë dhe vajza, me natën përzjerë;
Dita vjen, me të vojtja nis prapë.

Perpjekje per rubaira

Leri të vdekurit të prehen të qetë
Jo pak hoqën viteve në këtë jetë
Të gjallët me të gjallët le të përzihen
Të fjeturit janë atje, në botën e vërtetë.

Për ato që bënë, nuk duhet më dritë
Në të plakur ikën, apo shpejt në të ritë,
Në paqe le t’rrinë, ata dinë misteret
Të gjallë duroni, do i nxëni një ditë.

Dhe ai që në vargje solli veç mjaltën
A ai, që mrekulli gdhendi me daltën
Bashkë në vallen e hijeve me atë janë
Për të cilin thonë:“Mbuloi balta baltën!”

Monika, shpresa jonë e fundit

Para gjashtë muajsh, pas zgjedhjes së Ilir Metës si President i Shqipërisë, vur në blog një shkrim me titull; “Meta President – Të dhjefsha reformën në drejtësi!” Kisha një lloj zhgënjimi të plotë, se një ditë, personazhet e rëndësishëm të vendit, të implikuar në korrupsion dhe krime, do të shkonin pas hekurave.
Ilir Meta nuk mund të dalë tani hapur kundër Reformës, për shkak të pozitës , që ka, por bën ç’është e mundur, që ajo edhe nëse nuk minohet plotësisht, të shtyhet sa më shumë, që të jetë e mundur.
Rolin luftarak e ka marrë gruaja e tij, Monika Kryemadhi.
Ajo po mundohet të mobilizojë gjithë “partinë e saj private”, për një protestë të gjërë, kundër zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm gjatë ditës së nesërme.
Protesta do të sinkronizohet me partingë tjetër opozitare, të drejtuar nga dy të inkriminuarit e tjerë, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha.
Të gjitha janë përpjekje për të fituar kohë.
Sa më shumë “të tirret” kjo punë, aq më tepër kohë kalon dhe më shumë zvogëlohen shanset, që të sipërpërmendurit dhe bahkëpunëtorët e tyre më të ngushtë të shkojnë burgjeve.
Mund të duket si paradoksale, por të njëjtën vonesë dëshirojnë edhe Rama me Tahirët, Beqajt dhe Ahmetajt e tij. Shtyrje të pafund, njerëz që mund të kontrollohen në sistemin juridik dhe mundësi presioni për kundërshtarët.
Eshtë e gjitha një “lojë e qelbur”, për të zgjatur sa më shumë periudhën e “mullallëkut”. Një ditë, kur të jenë duke shijuar pensionet e tyre të majme diku në Karaibet, do i kujtojnë këto vite, si “vite kur ishte parja sheshit!”
Të gjithë e dinë se nuk mund të jetë vazhdimisht kështu. Të bësh buxhetin e shtetit dhe menjëherë të mendosh se 15% janë timet, por “ç’mund të kap më shumë“ me PPP-ra apo me koncensione e të tjera si këto, që ata i dinë vetë më mirë se janë mjeshtra të këtij lloji hajdutllëku, nuk mund të vazhdojë përjetë.  Sa më shumë të afrohet përfshirja në BE, aq më tepër do “shtrëngohet” mundësija për të bërë para për politikanët.
Ndaj edhe shpresa e tyre e fundit është Monika.
Sa më shumë rrëmujë e kontrollueshme, aq më shumë mund të zgjatë farsa e tyre mbi kurrizin e taksapaguesve shqiptarë, të cilëve ju duket, se Rama me shokë ju bëjnë favore, kur ju japin investime për të lyer qytetet.
Nesër do jetë teatri i protestës dhe zgjedhja e Kryeprokurorit.
Asnjëra nuk na shpije as edhe një centimetër pranë Drejtësisë të Vërtetë.
Kur të gjithë të sipërpërmendurit të jenë para trupave gjykues, atëhere mund të dhuhet se Drejtësija po vjen.

Me shpresë, që mos jetë Ditën e Gjyqit të Fundit!

Saturday 16 December 2017

Edhe 4 rubaira nga Hafiz Shiraz

4

Vojtjet e zemrës të thella shumë,
Më çajn’, më therrin, më lenë pa gjumë
Në s’më beson dërgomë mendimet
Do shohësh lotët t’më rrjedhin lumë.

5

Si t’rrëfej dridhjet e qiririt në terr?
Plasjen e zemrës, që ndjehet në ferr?
Veç n’dëshpërim unë mund të gjej
Dikë që po kalon të njëjtin tmerr.

6

Më shtyve të merrja kupën me verë,
U deha, më the lere menjëherë,
Sytë e njomur dhe zemrën plot zjarr
Pluhur u bëra, më morre si erë.




7

Të gjithë miqtë u bënë armiq të betuar,
Të gjitha shqipet në sorra janë shndruar.
Më thonë nata është me barrë, ju them:
Kush e mbarsi? Po ti si e ke mësuar?


Friday 15 December 2017

Rubairat e “Rilindjes”


















Tek ecja një zë dëgjoj nga ballkoni
Po ejani dhe ju këtu të shikoni
Se  si do e  bëjmë, ja atje, përballë
Veç me të parë do mund ta besoni.”

Një i bukur burrë dhe e hijshme grua
Me vete po flisnin, se kishin me mua,
Nuk ma mbushën mendjen, me dyshim i pashë
Se dyshimin unë e kam veç në thua.

Gjithë ngazëllim, sa të lumturuar,
Ajo si mjellmë, ai pëllumb i shkruar,
Gjithë të ardhmen mbanin mbi atë ballkon
Ku dikur flamuri krenar kish’ valuar.

“ Gjithë ideja është ç’ka kemi në sy,
Kishim një bashki, do i bëjmë dy
Të krijojmë diçka tepër potenciale,
Të gjithë rajonit t’ja bëjë me sy.

“Sa mirë mendoni, ç’far’ ide e gjetur
Biblioteka është gjë e prapambetur,
Që kur jam ministre nisa të ftillohem
Kur ze lexoj libra, më vjen për të fjetur.”

Si të mos besosh tek k’ta trima me fletë
Vetë i mendojnë, i zgjidhin po vetë
Nga maj’ e ballkonit me flamur dikur

Ajo si Romeo, ai si Xhulietë.

Tre rubaira nga Hafiz Shiraz

Hafiz Shiraz (1315-1390) konsiderohet si poeti persian me me influence jo vetem ne Persi dhe Lindje, por edhe ne Perendim. Me poshte jane tre ruabaira te tij te shqiperuara nga nje perkthim ne anglisht.

            1         

Një vajze të bukur, plot hire,
Pasqyrën në dorë tek krihej
Shaminë i zgjata dhe qeshi:
- A ësht’ kjo shenj’, që më vërtitesh?


2

Rreth belit t’i vendosa duart,
Një përqafim për të provuar,
Nga stepja jote m’u bë e qartë
Ishte një përpjekje e dështuar.

3

Një e re sfidë shfaqet çdo ag
Vonohesh, pastaj më rri më larg;
Mundohem më pranë të sillem

S’është loj’ për ty, thotë i imi Fat.

Thursday 14 December 2017

Rikthimi i Themijeve dhe Manokëve

Duket se pas një letargjije 15-20 vjeçare, “Rilindja” e famshme po risjell përsëri vitet ’80 në Shqipëri. 
Në televizione gjithnjë e më shpesh po shfaqen “funksionarët” dhe “shkencëtarët” e dhjetvjeçarit të fundit të Diktaturës, tamam në vitet kur përgjithësisht u ngritën më të dobtit, duke nisur nga Byroja Politike dhe deri në institucionet më të thjeshta.
Tani mund të dëgjosh edhe ligjëratat e Themije Thomait, se si pastronin rezervuarët dhe hidrovoret duke shmangur përmbytjet e plot dëngla të tjera. Nuk ka çudi të ftohet edhe shoqja Lenka për të treguar se si i bënte misrat 3 metra të lartë në Krutje, apo se si drejtonte sektorin e kuadrit në Komitetin Qëndror bashkë me Mihal Bishën.
Por këto lloj nostalgjish kanë një efekt të dëmshëm vetëm të karakterit historik. Shtrembërojnë përfytyrimin , që kanë të rinjtë për kohën e Diktaturës dhe jo më tepër.
Problemi më i madh është se për shkak të mungesës së kompetencës dhe prirjeve të tyre Partiake, Rilindasit po kthejnë sytë dhe mendjen nga gjoja specialistët e asaj kohe.
Flitet , që programin e Bujqësisë, për vitet, që vijnë, e ka përpiluar Ylli Manoku, që qënka dhe profesor me titull.
Ylli Manoku ishte një nëpunës i zellshëm i seksionit të bujqësisë, që përpilonte raportet në kohën , që Korça sundohej nga “agronomët”.
Kishte katandisur vetëm në rreth bujqësor dhe detyrimisht edhe “kokat” e rrethit do ishin agronomë. Të tillë ishin sekretarët e parë, kryetarët e komiteti, nënkryetarët. Dhe jo se kam ndonjë gjë kundër agronomëve, por për ata , që janë të rinj, duhet të dinë se të vetmit agronomë të zotë të diplomuar në vitet ’60 dhe ’70 ishin ata, që kishin kleçka në biografi. Të tjerët ishin pa përjashtim nxënësit më të dobët të gjimnazeve.
Nuk di nëse Manoku ka mbaruar agronomi apo ekonomi agrare, veç ma merr mendja, që ishte më i zellshmi mes “qypave”, që sundonin Korçën. Për këtë zell edhe e vunë të drejtonte Institutin Bujqësor të Korçes në ato vite.
Po a nuk ka në Shqipëri, njerëz, që njohin ekonominë e tregut dhe sektorin e saj bujqësor, por duhet të kthehemi sërish 40 vite pas dhe të bazojmë të ardhmen e vendit në këta “mendjekrimbur”?
Nuk mund të thirret si konsulent i Ministrit të Bujqësisë, agronomi dhe gjenetisti Ilia Ballauri, shkencëtar, që ka punuar edhe në Perëndim?
Mund të ketë edhe shumë të tjerë në Tiranë, Shkodër a Fier, por përsëri këmbëngulet në ata, që fundosën ekonominë shqiptare me injorancën e tyre fshatareske.
(Po kujtoj një episod, në prag të përurimit të Muzeut të Arsimit më 1987, që nuk ka shumë të bëjë me programin e Bujqësisë. Me një historian shoqëronim sekretarin e parë, një agronom, të cilin ka vite, që e ka ndjerë Perëndia dhe pasi i spjegonim gjendjen e punimeve dhe eksponatët, prisnim të na jepte ndonjë mendim apo sugjerim. “Atje kini një vrimë“- na tha duke na treguar një qoshe të dyshemesë dhe u largua gjithë seriozitet. Sigurisht, që ne e zumë vrimën.)

Fenomeni “Kolumbo” tek ne

Detektivi Kolumbo, me pamjen e tij prej një “njeriu të dështuar”, i veshur me një pardesy të vjetër dhe me një makinë sportive po aq të vjetër, ka “mbërthyer” para televizorit në vitet ’70 dhe ’80, miliona telespektatorë, jo vetëm në Amerikë, por në gjithë botën. Ishte fabula e policit të thjeshtë dhe të ndershëm, që arrinte të përballonte arrogancën e “kriminelëve”, që shpesh vinin nga pozita të fuqishëme, t’i shpinte pas hekurave. Në njëfarë mënyre, personazhi simpatik, i interpretuar mjeshtërisht nga Peter Falk, arrinte të krijonte bindjen në shikuesit, se “para ligjit të gjithë janë të barabartë“.
Edhe pse një serial artistik (fiction), pas tij është një e vërtetë e madhe. Me rrogën e një detektivi, inspektori policije apo edhe prokurori, në Amerikë nuk mund të bëhesh i pasur. Blerjet e mëdha, apo transaksionet me shifra të pajustifikuara, menjëherë fillojnë dhe ndiqen nga Kontrolli i Brendshëm i institucioneve përkatës.
Kolumbon ma kujtoi shkrimi rreth pasurive të kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm të përkohshëm i botuar dje në politiko.al. Me më pak se 25 vite karrierë, një pjesë e mirë syresh kanë shumë prona, të cilat nuk mund të justifikohen. Dhe ndoshta këta, të cilët u paraqitën si konkurues, mund të jenë më “të varfërit” mes prokurorëve, gjykatësve dhe oficerëve të lartë të policisë. Ka qënë në gjithë këto vite, një “garë“ e verbër për të bërë para, për të cilën mund të jenë penduar shumë prej tyre.
Dhe është lehtësisht e kuptueshme, se prokurorët dhe policët, paratë e shumta i kanë bërë duke liruar apo lehtësuar trafikantë të drogës. Atje kanë qënë edhe lëvizjet më të mëdha. Nuk përjashtohen edhe rryshfetet e marra mosveprime apo lehtësime për krime të llojeve të tjera, por mbi të gjitha është Droga, ajo që po fundos edhe ish-Ministrin e Brendshëm Tahiri.
Po pse të mos ekzistojë fenomeni “Kolumbo” tek ne?
Problemi kryesor dhe i vetmi është dobësia e tejskajshme e sistemit të Drejtësisë dhe institucioneve të tij.
Pa institucionet e forta amerikane nuk mund të kishte as dedektiv Kolumbo.
Ndaj është kaq e domosdoshme Reforma në Drejtësi.
Po a mund ta bëjnë atë prokurorë, që zotërojnë një numur apartamentesh, kur dy dekada më parë nuk kishin as një kotec ku të flinin?
Po a mund ta bëjnë atë politikanë të përfolur për afera milionshe?
Duket si një rreth vicioz, nga i cili është e vështirë të dilet.
Eshtë shumë e vështirë të flakësh një kostum prej mijëra eurosh në këmbim të një pardesyje të vjetër, apo më keq akoma, në këmbim të një dysheku burgu.

Dhe këto djall kostume firmato, sa më shumë shkojnë vitet, aq më shumë shtrenjtohen!

Wednesday 13 December 2017

Hotel "Krimea" (fund)

(vijim)
Pas hapjes së Turizmit, “Krimea” e humbi rëndësinë si hotel dhe restorant. Ndoshta nuk i ndryshoi kategorija, por bujtësit ishin tashmë të njohur. Kishte shpesh fshatarë, që ose kishin ardhur për Pazar nga ndonjë rreth tjetër, ose nuk kishin arritur autobuzin e fundit. Përgjithësisht e ngatërronin hotelin me pallatin tonë dhe ne argëtoheshim me “paditurinë“ e tyre, sepse nuk kuptonim, që ishte vërtet jo e lehtë të gjeje hyrjen e hotelit dhe edhe Pallati i jonë me ballkone të shumta, nuk ishte larg ngjashmërisë me një hotel.
Disa nga dhomat lëshoheshin për familje të posaardhura, apo gra me probleme, që ktheheshin nga internimi ose ishin në prag internimi.
Një nga banoret e hotelit, në fund të viteve ’60 ishte Nina Nishanka. Ishte një “damë qejfi”, me flokë të shkurtra dhe të zeza dhe me një nishan të madh në faqe. Nuk di se nga kishte qënë më parë dhe kishte përfunduar në “Krimea”, por për disa muaj u bë një personazh interesant i qytetit tonë provincial. Flitej për një listë të gjatë me emra burrash të rëndësishëm. Lista e Nina Nishankës.
Po rreth atyre viteve, një familje “belge” u vendos për gati një vit. Ishin atdhesuar, pasi kishin jetuar një kohë të gjatë në Belgjikë. Ishin me origjinë kosovare ose nga shqiptarët e Maqedonisë. Të veshur të gjithë shumë më mirë se ne. Prej tyre mësuam disa lojra të reja dhe dy tre këngë fëmijësh në frëngjisht. “Frere Jacque, frere Jacques/ Dormez vous, dormez vous…”
Më e madhja e fëmijëve ishte Dezi. Ishte adoleshente dhe shumë e bukur. Mbante një pardesy krejt të pazakontë për ne, që na ishin mësuar sytë me “fësh-fëshet” e prindërve, që ishin vetëm në tre-katër lloj ngjyrash të vrara. Të gjithë fëmijët e tjerë luanin me ne, por jo Dezi.
Më vonë ikën edhe ata dhe hoteli u bë edhe më i largët, ose edhe ne ishim rritur dhe nuk mendonim më ç’ndodhte brenda tij.
Vizitat ishin vetëm në restoranti, nga dera anësore, për të blerë birra, që ishin gjithmonë 21 lekë të vjetra po të shpije shishet. Gjithmonë i mbanim 4 shishe boshe në shtëpi dhe ishte detyrë e imja të blija birrat në kamarieri legjendar Ilo. Iloja kishte 11 fëmijë dhe flitej se nuk i mbante mend të gjithë emrat e tyre, por kur kthehej vonë në shtëpi, pasi ishte mbyllur “Krimea”, numuronte këpucët për tu siguruar nëse ishin të gjithë në shtëpi.
Pas disa vitesh, hoteli do arrijë në qindvjeçarin e tij. Ndoshta, njerëz të kamur, do interesohen ta blejnë dhe ta restaurojnë. Ndoshta korçarë të pasur, që kanë nostalgji të ngjashme. Grigor Joti, që riinte në pallatin përballë nesh, e shihte edhe më shpesh se ne, prej ballkonit të tij.
Mund të bëhet vërtet një hotel luksoz, ndoshta edhe nga këta me 5 yje, për të cilët nuk do paguhen taksa sipas ligjeve të Rilindasve.
Ka shumë histori brenda atyre mureve, nga të cilat unë nuk di as një të miliontën.

Eshtë Korça e disa sistemeve brenda tij.

Hotel “Krimea”

Duhet të ketë qënë ndërtesa më e lartë në Korçë, pas Shën Gjergjit, kur u ndërtua në fundin e viteve ’20. Nuk di pse më kanë shpëtuar komentet në “Gazeta e Korçës” të kohës së ndërtimit dhe të përurimit edhe pse e kisha pjesë të studimit tim për mbrojtjen e diplomës. Ndoshta se e njihja më mirë se godinat e tjera, të përfshira në atë studim. Isha rritur para hyrjes së atij hoteli dhe pjesën e tij lindore e njihja mirë.
Kishte një pamje hijerëndë, të cilën ja shtonin edhe bliret e mëdhenj, që i mbulonin fasadën kryesore, të cilën pakkush e kishte parë të plotë pas viteve ’60. Dritaret dhe dyert e ballkoneve mbuloheshin nga grilat e drunjta, të lyera gjithnjë në një jeshile të errët, që duhet të ketë qënë asokohe, boja e vajit , që prodhohej më me shumicë nga NISH Kimike Tiranë. Hoteli mbetej një lloj misteri në një kohë, kur shoqëria dhe shteti “fusnin hundët” edhe në atë, që ndodhte brenda familjeve shqiptare. Ndoshta brenda dhomave të hoteleve, shteti  “i fuste hundët” edhe më shumë, por për ne fëmijët, hoteli përbri pallatit ku jetonim mbetej misterioz.
Deri në fillimin e viteve ’70, kur u hap Hotel Turizmi, hotel “Krimea” ishte hoteli kryesor i qytetit. Në hyrjen e tij arrinim të shikonim më të shquarit e atyre viteve, duke filluar me Vaçe Zelën dhe Nina Mulën e duke vazhduar me Pino Shkurtin, Skënder Sallakun, Farije Hotin, Mexhit Haxhiun, Vaso Shakën, Ali Bushatiniz, Bukuroshe Shtizën dhe dhjetra sportistë dhe artistë të shkëlqyer të viteve ’60.
Emri “Krimea” kishte ngjitur dhe askush nuk kujtonte emrin e vjetër “Pallas” dhe as të riun “Gramozi”. Ishim kureshtarë në fëmijëri ta shihnim nga brenda. Bodrumet e hotelit i njihnim mirë, se në kohën e daljes nga Traktati i Varshavës, i kishin kthyer në “vend strehimi ajror” dhe banorët e bllokut atje futeshin gjatë alarmeve ajrore provë. Sirena e vendosur në çatinë e Pallatit të Kulturës buçiste me një ulurimë ngjethëse dhe të gjithë “me kuç e me maç” zbrisinm shkallët e pjerrëta të bodrumit dhe zinim vend në kthinat më të pastra të tij. Një pjesë jo e vogël e tij kishte ujë. Atje kam parë për të parën herë “minj gjirizi”. Të mëdhenj, të zinj e të lagur. Ashtu i imagjinoja më vonë spiunët. Të zinj, me kurriz të përkulur dhe të lagur.

Të dy hyrjet e hotelit (në vitet ’70 u ndryshua hyrja nga ana e pallatit tonë në atë, që përdoret edhe sot) ishin projektuar, si të gjitha hyrjet e hoteleve jo lluksozë në Europë, Të vogla, të mjafta për një recepsion të vogël dhe me shkallë relativisht të gjëra. Ndoshta për shkak të të ftohtit, recepsioni ishte ngjitur në katin e dytë, në një nga dhomat e hotelit, me një “sportel” të madh prej xhami. Kur donim të shihnim hotelin nga brenda, mundoheshim të ngjiteshim tinëz pas mureve të shkallëve për t’i shpetuar “vigjilencës” të sportelisteve. Pas dhjetra dështimesh, një herë kishi arritur gjithë frikë të “zbulonim” misterin e hotelit. (Zaten nuk kishim fjetur kurrë në një hotel.) Në katin e dytë ishte një corridor i çuditshëm, rreth një holli të brendshëm katror, që ksihte dyer të mëdha, që e lidhnin me korridorin. Në korridori i vogël ishin dhomat me numur. Njëri nga ne dinte se cila kishte qënë dhoma ku kishte fjetur Vaçja. Ne mundoheshim të imagjinonim se si mund të kishte qënë “diva” brenda dhomës së saj. Nuk kishim parë dhomë hoteli. Nuk kishte ende aparate tv në Korçë dhe në kinema kishim parë vetëm një dhomë hoteli të vogël në melodramaën italiane “Më fal”.
(vijon)

Tuesday 12 December 2017

Përse thërriste Teleki?

Dimri i 27 viteve më parë ishte më i mbushuri në ngjarje, nga të gjithë dimërat, që kam kaluar(dëbora ka qënë thuajse gjithnjë e pranishme në dimërat e mij).
Eshtë e vështirë të them se cilat ngjarje kujtoj më mirë apo më kanë lënë më shumë mbresa: intervista e Azem Hajdarit në Zëri i Amerikës, vendimi për lejimin e pluralizmit, tregimi i një dëshmitari nga Mitingu i Qytetit Studenti, apo pikpyetjet, se “cilët janë këta?” Pas përmendjes në kronikat televizive, se në krye të Degës së Korës së PD-së ishin Ilir Manushi dhe Petrika Minga ndjeva zhgënjimin e parë. I njihja të dy.
Më pas erdhën mitingjet e shumta dhe fytyrat e Leka Meksit dhe Neritan Cekës, krahas Berishës, për të cilin kur isha student kisha dëgjuar në Tiranë fjalë shumë të mira, më qetësuan.
Në disa mitingje të tjera të dhëna nga TV shqiptar, pashë të flisnin me të thirrura(ndoshta në Shkodër dhe Ersekë) personazhe “tragjikomike” si Llambi Koçi dhe Taqkë Teleki, por tashmë të gjithë ishim pas PD-së, për të përmbysur pushtetin qesharak të Pali Miskave dhe Lenka Cukove, sa pak rëndësi kishte se kush fliste në mitingjet e Pd-së apo ato të Sindikatave. Ishte dehja , që kishim të gjithë nga ndjenja e Lirisë, që po vinte dhe kur është i dehur njeriu nuk ështëshumë e nevojshme , që të analizojë imtësisht gjithshka.
Kaluan shumë vite dhe personazhet më të dëgjuara të atij dimri kanë gjetur vendet e tyre në jetë, apo në mendjen e njerëzve. Nga emrat e sipërpërmendur, më kanë zhgënjyer plotësisht Meksi, Neritani dhe Berisha. Mendoj se të tre duhet të “bëjnë ca vite burg” për ato, që i kanë punuar këtij vendi.
Në një video të marrë fshehur dhe të shpërndarë sot në media, del sërish duke thirrur Taqkë Teleki,
Taqka nuk duhet marrë seriozisht, sepse “në tym” ka thirrur atë kohë për Lirinë dhe “në tym” thërret edhe sot kundër gazetarëve, se e “ka marrë në telefon konsulenti i kryeministrit”.
Ajo për të cilën vlen të shkruash është se edhe 27 vjet pas rënies të Diktaturës, ka ende nëpunës të lartë, që telefonojnë “për të mbytur lajmin”.
Herë herë kam dëgjuar për histori “të blerjes të të gjithë gazetave” nga Bashkia e Korçës, kur ka pasur kritika për Peleshin ose Filon. Nuk i kam besuar se më duket si absurditet, sot, në kohën e “bumit” të informimit, që të përpiqesh të “mbytësh lajmin”.
Por si duket edhe nga fjalët e Telekit, kryeministrija është e interesuar, që të paktën televizionet mos japin lajmin, që një Drejtoreshë e Rilindjes dhunon edukatoren vartëse në sytë e fëmijëve.
Dhe për këtë duhet të klithë Teleki!

Përse vallë klithte 27 vite më parë?

“Perversiteti” në poezi (fund)

(vijim)
Le të prekim pak edhe një lloj “perversiteti” tepër të veçantë, që shpesh ngatërrohet me atdhedashurinë. Nacionalizmi, që në shumicën e rasteve shoqërohet me racizëm dhe urrejtje, ka arritur të prekë deri në poetë të nivelit të Kipling, që është i pari autor në gjuhën engleze, që ka marrë çmimin Nobel në letërsi. Në një nga poezitë e tij “Detyra e Njeriut të Bardhë“ ka vargje, që përmbajnë një racizëm të frikshëm: “Në sup i Bardhë merr peshën-/ Në front ajkën dërgo-/ Të ndih popujt e mefshtë/ Le t’jet yt bir hero/ Të presë në t’madh rrezik/ Me t’egërve në hall/ Të kapë robin e ndyrë, të lig / Sa fëmi aq edhe djall.”
Kiplingu në disa nga krijimet e tij, jo vetëm është munduar , që llogjikisht të spjegojë, që nevoja për qytetërim, i ngarkon vendet e zhvilluara (Anglinë e tij) me detyrën e “pushtimit të të egërve’ duke sakrifikuar për këtë edhe bijtë më të mirë të Kombit?!!
Një poezi me nam të keq, është “Himni i urrejtjes” e shkruar në vitin 1914 nga poeti gjerman (me origjinë hebre) Ernst Lissauer. Një nga strofat e saj është: “Ne do urrejmë parreshtur dhe me etje/ S’do lemë të na shkojë e jona urrejtje/ Urrejtje nga toka, urrejtje nga deti/ Urrejtje në koka, urrejtje nga derti/ Urrejtja e çekanit, urrejtja e kurorës/ Shtadhjet’ milion urrejtje dora dorës./ Të njëjtë kemi urrejtjen, të njëjtë dashurinë/ Veç një do të urrejmë dhe viteve që vinë/ - ANGLINE “
Kjo poezi u shpërnda në miliona kopje dhe lexohej nga gjithë gjermanët në vitet e Luftës së Parë Botërore, bile u përkthye dhe u botua edhe në vende neutrale.
Por kësaj ndienje “perverse” të urrejtjes ndaj “njerëzve të tjerë“ nuk i kanë shpëtuar dot shumë poetë të shekulljve të XIX dhe XX, kryesisht për motive nacionalizmi, por edhe ideologjike. Në rininë e tij, Kadareja nën shembulllin e poetëve sovjetikë, shkruante poemën “Endërr industriale”, ku “të ashtuquajturave plane” të imperializmit amerikan për të goditur me raketë “qytetin e ri socialist” i përgjigjej “ Por mos harro/ O kapital i dhjamur/ Se dhe ne i kemi shënjuar qytetet tuaja/ Plot xhaz, rrëmujë dhe reklama…”
Në kohën e sotme këto vargje tingëllojnë si të jenë shkruar nga Osama Bin Laden, që gjithashtu shkruante vargje me urrejtje ndaj amerikanëve dhe dashuri për popujt myslimanë!
Unë nuk besoj në “teoritë“ se arti dhe letërsia “kanë një mision”. Ideja e misionit dhe misionarëve është tepër ideologjike, e kufizuar deri edhe e manipuluar. Besoj në lirinë e krijuesit për të shkruar atë, që mendon edhe ndjen.
Përgjejësia në përhapjen ose në mungesën e kritikës ndaj “perversitetit në arte” bije mbi shoqërinë. Eshtë ajo, që duhet (jo me çensurë), t’ju spjegojë njerëzve më të thjeshtë dhe sidomos adoleshentëve dhe fëmijëve, se ç’është e moralshme dhe ç’shtë e dënueshme, ç’është e pranueshme dhe ç’farë është e turpshme.
Dhe reagimi i pjesës më intelektuale të shoqërisë nuk duhet të ketë të njëjtin “perversitet’.
Në vend të “kryqëzohet” apo “të nderohet me çmime”, apo të thirret në studio televizive Rita Petro për shembull, për poezitë e saj, njerëzit e letrave duhet të thonë pa ekuivoke, që janë “perverse”, tejet të dobëta artistikisht dhe që në fund të ditës, nuk mbajnë erë as art dhe as letërsi.

Kjo është detyra e shoqërisë ndaj lexuesve.