Wednesday 31 May 2017

Ben Blushi mbijetoi.


Sondazhet e djeshme kanë vetëm një të re- Libra do jetë forcë parlamentare dhe Ben Blushi ka për të qënë edhe një dhjetvjeçar në politikë.
Arsyeja është vetëm një - Eshtë i vetmi politikan i karrierës, që “nuhati”, se çduhet bërë për të krijuar një lëvizje të re “anti-establishment”. Në rast se dikush tjetër, i papërzjerë më parë në politikë do kishte krijuar një lëvizje të tillë vjeshtën e kaluar, mendoj se në sondazhet do ishte pranë 20%, por kjo mbetet një situateë hipotetike, që nuk ndryshon asgjë për çastin.
Blushi është një politikan me plot mëkate, të cilat edhe unë i kam përmendur në disa shkrime të mijat në blog, mëkate që nisin me mbështetjen totale ndaj Ramës në ngjitjen drejt kreut të PS-së, vazhdojnë me “aferat” jo të paqme kur ka qënë ministër dhe mbyllen me mbështetjen , që i ka dhënë Peleshit në planet ndërtimore të Korçës, pazaret dhe marëveshjet me Ridvan Boden e të tjera më të vogla se këto.
Megjithatë (kjo lloj megjithatë-je ngjan shumë e sforcuar) duhet respektuar, që në një kohë të shkurtër, pa fonde të konsiderueshme, pa qënë karizmatik,arriti të bëjë atë, që nuk e kanë bërë dot Genc Polloja, Dash Shehi, Neritan Ceka, Petro KoçI dhe plot politikanë të tjerë, që u larguan nga dy partitë e mëdha me shpresë të ngrinin partitë e tyre, me të cilat do përfaqësoheshin në Parlament. (Rasti i Metës nuk është i ngjashëm, pasi ai kishte një “buxhet” shumë të madh, me të cilën mbështeste ndarjen.)
Eshtë shumë e vështirë të parashikosh nëse LIBRA do ngrihet në sondazhe në javët, që vijnë dhe nëse rezultatet e zgjedhjeve do përputhen me sondazhet. Gjithsesi, Blushi ka hedhur një hap të mirë dhe nuk ka pse gjatë fushatës elektorale të humbasë pikë. Lufta elektorale mes tre partive të mëdha, do bëjë,që ai mos preket nga sulmet e të tjerëve dhe vetë do jetë në pozicionin komod, ku mund t’i sulmojë të tërë, për të përfituar edhe një votë më shumë. Pozicionimi në qendër i jep edhe mundësinë të mbledhë vota të pakënaqurish.
A do jetë në gjendje të entusiazmojë elektoratin në moshë të re dhe të thithë prej abstenuesve?
Këtë gjë e ve në dyshim, sepse jo vetëm nuk ngjall shpresë me retorikën e tij (dhe me fytyrën prej kalorësi të vrerosur), por ka bërë pak në këto 7-8 muaj të evidentojë figura të reja.
Në rast se nuk ka ndryshime në sondazhet e ditëve, që vijnë, atëhere votat për partitë e vogla janë vota të humbura, se ato nuk e kalojnë dot pragun elektoral.
I vetmi mbetet Blushi, që nëse I afrohet 10 përqindshit, mund të jetë “risi” në jetën politike shqiptare. (Kuptohet, nëse nuk do hyjë në marëveshje qeverisëse me asnjë parti.)
Politikanët tanë nuk kanë durim.
Vjen nga mungesa e përvojës, nga etja për sukses të menjëhershëm, nga frika e stigmatizimit si humbës, apo nga dëshira për “të ngrënë lëmin” sa më parë, a ndoshta nga të gjitha sëbashku, kjo kërkon një studim psikologjoki-social të thellë.
Blushit do i uroja të ishte i duruar, se vetëm Kohën ka aleat tani për tani. (Po përsëris për sqarim diçka që kam shkruar edhe më parë, jo Kohën e Nikollë Lesit.)

Gjithsesi nëse do votoja vetë, për të mos e shpënë dëm votën, do luhatesha të shkruaja në fletën e votimit “Poshtë Hajdutët!” apo të votoja Libra-n e Ben Blushit.

Acta est fabula plaudite

Kjo është një shprehje, që e përdorin edhe ata , të cilët dinë më shumë se mesatarët, por edhe shumë të tjerë, që nuk dinë asgjë dhe janë të bindur se dinë. E kam fjalën për ngjarjet e jetës shoqërore dhe politike, ku ata, që duan të çarmatosin të tjerët, si dhe ata, që janë të çarmatosur prej pazotësisë, mungesës së dëshirës, apo prej një pacifizmi të tejskajshëm, thonë që përpjekjet janë të kota, se turmat janë vetëm spektatorë. “Shfaqja mbaroi, duartrokisni!”
Të dy kategoritë, për qëllime të ndryshme, mundohen të të bindin, se çdo përpjekje individuale, në grup, apo në turmë është e kotë. Gjithshka është vendosur diku lart, thuajse pranë qiejve, atje ku vërtiten të fuqishmit dhe ne vdekëtarët e rëndomtë nuk mund të bëjmë dot asgjë për të ndryshuar gjërat.
E kuptoj interesin e atyre, që dinë më shumë se mesatarët, të shesin “fuqinë“ e tyre shumë herë më të madhe se ç’është, lidhjet me Brukselin dhe Uashingtonin si të shkëlqyera, të lenë të nënkuptosh se mund të jenë edhe anëtarë të një llozhe masonike apo një organizate tjetër të fshehtë. Eshtë gjithshka brenda rregullave të thjeshta të “tregut”, ku “turma konsumatore” ble diçka, që është shumë larg cilësive të reklamës.
Ajo që më çudit janë “të dorëzuarit”, të cilët nga mungesa e vullnetit, mendjeboshësia, apo nga një lloj mrekullimi pas “teorive të komploteve” tundin kokën të sigurt dhe përsërisin fraza bajate, që ju duken të mençura si- “Kjo është e vendosur, se është Amerika pas!”, “Marëveshja është bërë që kur do dilte Anglia nga Europa!”. “Do bëjnë Jugosllavinë e re prandaj lejuan kanabisin”, “Ju kanë thënë të qeverisni bashkë që t’ju lemë të merrni një pjesë të Maqedonisë“ dhe marrëzi të tjera, të cilat krijohen zyrave të pushtetit, por amplifikohen kafeneve, nga dritëshkurtrit, që janë gjithnjë më të sigurtit në ato që dinë.
Jo, nuk është kështu!
Asnjë shfaqje nuk ka mbaruar dhe asgjë nuk është e vendosur për të ardhmen e Shqipërisë apo edhe të çdo vendi tjetër.
Të fuqishmit nuk janë absolutë!
Aq më pak janë Rama, Basha, Berisha, Meta apo Peleshi.
Po të ishin të tillë, dhe të mos kishin nevojë për “turmën” nuk do “binin copë“ 4-5 muajve para çdo zgjedhjeje parlamentare.
Më shumë se kurrë në botë, “të fuqishmit” ose “establishment” e kanë humbur të qënit vendimtarë në ngjarjet shumë të rëndësishme politike. Arritjet elektorale të Syriza-s, Podemos dhe “Cinque Stelle”; zgjedhja e Tramp dhe Brexit; kanë dëshmuar se “turmat” nuk janë vetëm për të duartrokitur, por mund të ndryshojnë peisazhin politik dhe ngjarjet politiko-shoqërore në botë.
Ndaj duhet vepruar me besim në vetja se edhe diçka e thjeshtë, si hedhja e një vote, është e rëndësishme, se dëshmon se je qytetar i lirë dhe i barabartë.
Ndaj duhet guxuar!
Shfaqja nuk ka mbaruar dhe “palaçot”, që mundohen t’ju mbushin mendjen se nuk kini gjë në dorë veç se të duartrokisni, mund edhe t’i merrni “prej brekushesh” dhe t’i hidhni atje ku meritojnë.

Ndoshta edhe duke preferuar një “klloun” më pak të dalë boje!

Tuesday 30 May 2017

“Malli i Mëmëdheut”

Diku lexoja për shoqëritë e mërgimtarëve në Amerikë, në fillim të shekullit të kaluar dhe më bëri përshtypje numuri shumë i lartë i tyre. Mbi 150. Më të shumtat ishin krijuar nga korçarët, të cilët duhet të kenë qënë shqiptarët më të shumtë në Amerikë. Mes tyre më ra në sy një shoqatë e formuar më 1906 në Bafalo nga Mina Gramenoja, Petro Nini Luarasi dhe Thanas Mborja. Quhej “Malli i Mëmëdheut”. Bafalo në ato vite ishte në 3-4 qytetet më në lulëzim në Amerikë.
Eshtë interesante se sa më të solidarizuar dhe të organizuar ishin shqiptarët në mërgim 110 vjet më parë. Vërtet një pjesë prej tyre vinte nga vite kurbeti në Stamboll, Sofje dhe Bukuresht, ku kishin pasur forma të ngjashme organizmi, por mënyra e shoqërizimit në Amerikë, me statute të përpiluara mirë, me qëndrime jashtë politikës është vërtet mbresëlënëse. Kjo ka bërë, që në 20 vitet e para të shekullit të kaluar, shqiptarët e Amerikës kanë luajtur një rol të shkëlqyer në formimin e shtetit të pavarur shqiptar duke këmbëngulur me forma jo të dhunshme, që shteti ku punonin të mbronte çështjen shqiptare.
Ka një mungesë përsëritjeje, të të njëjtës veprimtari të shqiptarëve në Amerikë dhe Kanada. Malli i Mëmëdheut është i njëjtë, por “solidarizimi” dhe pjesëmarja aktive në çështjet, që preopupojnë shtetin amë, është ku e ku më e vakët. Kohët nuk janë identikisht të njëjta dhe interesat mund të kenë ndryshuar, por gjithsesi mospërputhja është tejet e madhe.
Për mendimin tim, faktori kryesor është “thyerja” e ndienjës së solidariteti mes njerëzve gjatë 5 dekadave të Diktaturës. “Shoqërizimet”, që nuk ishin të kontrolluara nga shteti ndaloheshin me ligj, ose edhe kur lejoheshin, shiheshin si “veprimtari armiqësore”. Njerëzit e humbën ndienjën e “bashkësisë“, dhe mbeti vetëm lidhja fisnore.
Gjithsesi, të gjithë ne emigrantëve, nuk mund të na falet “mëkati i mosorganizimit” dhe për më tepër, ai i ndjekjes inaktive të ngjarjeve në Shqipëri. E theksoj “inaktive”, sepse vetëm duke ndjekur kanalet televizive shqiptare, ose vetëm duke shprehur opinionet në mediat sociale apo në shtyp , pa organizim, pa peticione ndaj qeverisë shqiptare apo qeverive të vendeve ku jetojmë, pa letra ndaj përfaqësuesve në Parlamentet tona(sdomos atë amerikan), nuk mund të përparojnë ato çështje të vendit , të cilat i kemi të gjithë për zemër.
Ndaj edhe pse është më e lehtë të kritikosh, ka ardhur koha të bëjmë atë më të vështirën – të kontriboujmë me vepra për fshatin tonë, qytetin tonë dhe gjithë vendin.
Dhe kjo mund të bëhet, nëse “energjinë positive” të Mallit për Mëmëdheun e ndryshojmë në një,  “energji veprimi dhe financiare”.

(Kuptohet pa ju varur mëlçitë në qafë, ujqërve të specializuar në përvetësimin e fondeve, që nuk janë të pakët, as këtej dhe as në Mëmëdhe.)

Monday 29 May 2017

Në maj. në vendin tim



Në maj, në vendin tim
Dielli i pasditeve lëpin ëmbël avllitë
Dhe portat e drunjta.
Nuk janë më
Sofatet me qoshe të rrumbullta
Bezhë dhe gri,
Dhe “protomajaja” që me ëmbëlsi
Flegrat fëminore na guduliste.
Tani ka dyer,
Me qindra dyer metalike,
Që zhurrmojnë kur netëve hapen e mbyllen
Se shekulli i makinave vonë erdhi,
Me uturimë Benzi,
Të blerë lirë në Mynhen,
Dhe kërkëllin mbytyr kalldrëmeve,
Kur vajzat në pushimin e madh,
Me sy kërkojnë si ngaherë,
Djelmoshat e ngrehur,
Me të cilët do puthen në të majit mbrëmje,
Plot ëndje,
Se dashuria nderë,
Kërkund ajrin nuk e përtërin,
Si në maj,
Në qytetin tim,
Si në të drunjtat shtylla,
Që butësisht dielli që perëndon,
I lëpin.

Veri Cironka

Veri e kishte emrin Enver. Ishte njeriu i dytë, që njihja me këtë emër dhe më dukej e çuditshme se si mund të kishte një emër të tillë prej profeti. Në Korçë emri Enver nuk ishte shumë i përhapur edhe mes muhamedanëve. Ndoshta ka pasur të bëjë me traditën, ose me përqindjen e tyre në “myhypë“ dhe “xhamistë“, që është trashë- trashë ndarja më e madhe në botën islamike, ajo mes sunitëve dhe shiitëve.
Bile në kohën , kur kam mësuar se Veri Cironka ishte Enver “dikushi”, nuk ja kisha idenë as të profetit Muhamet. Muhamedanët në mendjen time lidheshin me hoxhën, që këndonte shumë pranë dritares së dhomës ku flija, myftiun me një dolloma të gjatë dhe që ecte gjithnjë me nxitim, si dhe një dervish, që kisha parë në Kukësin e Vjetër.
Veri Cironka ishte i vogël dhe i mpitë. Si një rabeckë. Kishte dy sy, që i shkëlqenin dhe një zë të hollë, që rrallë i dëgjohej, Në shpatullat e ngushta, më dukej e habitshme se si mbante emrin e rëndë dhe të rëndësishëm Enver. Ai për të cilin në kopësht na theshin se i kishte “duart me sheqer dhe me hurma”, ishte i gjatë dhe i bukur. Krejt i kundërti i Verit.
Këtij të fundit ishte e vështirë t’i përcaktoje moshën. Edhe pse nuk ngjiste si mongoloidët, kishte atë karakteristikën e meshkujve të tyre, që nuk i dallon dot nëse janë 27 deri në 64 vjet dhe nuk do të shprehesh p[r moshen, se është e sigurt, që gabon. Vishte një kostum doku (jo dopiopet si të adashit të tij), që duhet t’ja kishte dhënë Komiteti i qytetit. Punonte gjithë ditën për kuzhinat e kopështeve të fëmijëve, të cilat për arsye të pakuptueshme, atë kohë punonin me qymyr guri. Veri shtynte një karrocë dore të madhe, të mbushur plot, me vendosmërinë e një milingone, me dy duar të vogla si prej ketri. Ndoshta kuzhinieret zemërmira të kopshteve i jepnin edhe për të ngrënë, ndonëse nuk dukeshin shënja ushqimi të bollshëm në trupin e tij.
Ka disa dhjetvjeçarë, që nuk e kam parë më. Ndoshta prehet diku, nën një varr pa emër. Askund nuk ka pasur shtatore të tij duke shtyrë një karrocë dore. Edhe skulpturat e Parkut tani parapëlqehen të jenë abstrakte.
Edhe të kishte diku në një qoshe lulishteje kopështi, askush nuk do mundohej ta hiqte me kavo, por ndoshta edhe askush nuk do kujtohej të pyeste për emrin e tij.

Edhe ai quhej Enver. I thërrisnin Veri Cironka.

Kandidatët e pavarur

Nuk është në traditën e Korçës të ketë kandidatë të pavarur, për asnjë lloj zyre shtetërore. Ka lidhje me “frenimin për të qënë protagonist”, “konservatorizmin”, “peshën e opinionit korçar” dhe ndonjë arsye tjetër, që unë nuk e njoh. Tre arsyet e mësipërme nuk janë tërësisht negative. Ato e kanë bërë Korçën të jetë kjo, që është dhe të parandalohen “gafa” të mëdha në ekonomi, politikë, investime, arkitekturë etj. (Edhe në futboll, për shkak të tre arsyeve të mësipërme, ne kemi nxjerrë mbrojtës dhe portierë të shkëlqyer, por pak sulmuesa virtuozë.)
Për mendimin tim, ne korçarët i trembemi shumë shprehjes sonë “Shumë u hodhe, prapa mbete, buf kënete!”
Edhe pse në këtë shënim të shkurtër, nuk kam ndërmend të inkurajoj njeri për të kandiduar si i pavarur (rregjistrimi tashmë është i mbyllur) dua të përmend, që qytetit nuk i kanë munguar kurrë njerëzit e zotë, me integritet dhe që nuk ju “bëhen lepitkë“ partive. Do ishte mirë, që nga grupe qytetarësh, t’ju ishte propozuar herë herë, të konkuronin, sepse do ishin me të vërtetë përfaqësues të denjë të interesave të korçarëve. Mund të mos kishin fuqi të sillnin në Korçë investime publike, sikundër sjell Niko Peleshi, por në një shikim afatgjatë, do sillnin besimin e njerëzve në politika, gjë që çliron shumë energji dhe kthehet në investime private, të cilat i tejkalojnë, ato që merren nga paratë e taksapaguesve në arkën e Kryeministrisë.
Eshtë interesante, që në listën e 10 më të pasurve shqiptarë, tre janë nga Korça, por duket, që askush nuk i ka bërë thirrje Zamir Manes apo Grigor Jotit të përfaqësojnë Korçën në Parlamentin shqiptar. Të tjerë korçarë të sukseshëm në sektorë të ndryshëm të jetës kanë veprimtaritë e tyre në Tiranë, por pakkush kujtohet t’i tërheqë në jetën politike. Mund të përmend disa, që më kujtohen në këtë moment, si biznesmeni Irakli Mio, arkitekti Vladimir Bregu, mjeku Ilir Bibolli, biznesmeni  Zak Topuzi, por ka dhjetra e dhjetra korçarë me karrierë akademike, profesionale apo biznesi, që e duan Korçën dhe mund të bëjnë për të, pa ju shmangur “bezdisë“, që të sjell “përfshirja në politikë“.
Padyshim, që të shumtë janë edhe ata, që jetojnë në qytet. Janë me dhjetra të brezave, që njoh, si dhe me qindra duhet të jenë më të rinjtë, e shkolluar jashtë dhe brenda vendit.
Sigurisht, që në gjendjen para-politike të shoqërisë shqiptare, kandidimi do jo vetëm mjete financiare, por edhe mbështetje në media, për tu përballur me “lukuninë e çakejve”, që përbëjnë dhe mbështesin tre partitë e mëdha.
E megjithatë pyetja që qëndron mbi të gjitha kokat tona është:
“Në duart e këtyre do e lemë gjithnjë Korçn dhe Shqipërinë?” “Do presim, që të na rregullojnë Spiropali, djali i Fahri Balliut, Shalsi a kush e di se kush, gjendjen ekonomike dhe shoqërore. neve, që kemi pasur deputet të qytetit Fan Nolin?”
Këto zgjedhje janë drejt marrjes fund.
Ndoshta, në të mirën e Korçës dhe Shqipërisë, qeveria, që do dalë prej tyre nuk do e ketë jetën më të gjatë se një vit. Ndoshta deri atëhere, korçarët, si në kohën e Themistokliut, do jenë në gjendje të ngrihen e të vendosin vetë për përfaqësuesit e tyre.

(A është Niko Peleshi në të njëjtin nivel si Themistokliu? Po qe se Rama është si Skënderbeu edhe Nikoja nuk ka pse të mos jetë. Dhe të parën e ka thënë pikëërisht kandidatja e Korçës, Spiropali.)

Sunday 28 May 2017

“Kthehu në tokë!“

Atë pasdite nxitova të vishesha me një preokupim, të cilin e kam rrallë, Një shok i viteve të universitetit kishte ardhur në Toronto dhe donte të më takonte”Për një kafe vetëm” kishte theksuar në telefon dhe kishte përmendur, që ishte bashkë me të shoqen. E dija, që ishte deputet në Tiranë, por bëheshin mbi 20 vite, që nuk e kisha takuar dhe në fotot e “google” dukej po aq i ri sa në kohët e rinisë. Pak më i rrumbullakosur.
Edhe vendtakimin e kishte lënë ai, tek “Ti n Bënok”. por nuk kisha arritur ta pyesja se cili ishte “dress code” për atë lokal. Shkoj gjithmonë në Starbucks, ku nuk më njeh kush dhe nuk ka asnjë rëndësi se si vishesh. Mjafton të kesh një laptop dhe dy kufje në vesh dhe je në botën tënde me gotën prej letre, që riciklohet, të mbushur me një lëng shumë më i fortë se ai i gështenjave të zjera. Rrufit nga një gllënjkë kafeje të nxehtë dhe lexo në internet. Pastaj shkruaj se ç’mendon për ato, që ke lexuar dhe hiq edhe një gllënqkë tjetër. Deri sa të mbarohet i gjithë lëngu dhe duke përdorur “kartën e artë“ ta rimbushësh, këtë rradhë pa para. Kolltukët janë të rehatshëm.
Mendova se xhinset do ishin më pak të përshtatshme se pantallonat e shkurtra dhe te tilla atje nuk mund te pranonin, ndaj këmisha të paktën, duhet të ishte e një firme të njohur. Vesha të vetmen “Lacoste” të përdorur, që ma ka dhuruar këshilltari juridik i avokatit tim dhe ja mbatha me 120 në orë, për të arritur në kohë në kafenenë “shik”, ku nuk kisha shkelur më parë.
Miku im bashkë me të shoqen arritën rreth gjysëm ore më vonë dhe ishin të veshur spicë. Të dy me me kostume të hijshme. Unë nuk marr vesh nga firmat dhe as nga çmimet e veshjeve, por dukeshin që ndjeheshin të sigurt në vetvete dhe jo të befasuar nga interieri I lokalit, qe mua me befasoi. U përqafuam, ndërsa të shoqes i dhashë dorën, duke pasur një mëdyshje nëse duhet të afroja pak ballin drejt saj si një gjysëm përqafimi miqësor apo të përkulesha si shenjë dëshire për t’i puthur dorën. E kisha provuar këtë të fundit vite më parë me Papa Spiron, por ai e pat tërhequr dorën gjysëm i zemëruar. Bëra dy tundje të kokës në ajër dhe e kapërxeva edhe atë siklet me zonjën, që vinte nga Tirana.
“Mbrëmë arritëm nga Bostoni”- më tha shoku. “Kemi djalin atje me studime. Del mirë me shkollën por shpenzon shumë!”
“Eh Titi, se mos shpenzonte më pak në Tiranë“- u hodh e shoqja, që më vonë më spjegoi se ishte kancelare e Univeristetit të tyre privat, që quhej diçka midis Univesrsiteti Lindor i Johanesburgut, ose Univeristeti i Tre Luanëve Aziatikë.
Folëm më pas për kohën e rinisë, miqtë, që kishim humbur, latat e darkës që falsifikonte në konvikt dhe arritëm në pikën delikate – Politikën e Tiranës.
“Kam lexuar disa shkrime tëndet”- më tha dhe duke ju drejtuar të shoqes i spjegoi se herë herë shkruaja në gazetën e një rivali të tyre. Ajo mblodhi buzët pa e fshehur përçmimin dhe i nguli sytë në jakën e këmishës sime, sikur donte të thoshte, që kuptohet nga modeli I këmishës se ku mund të shkruajë.
“Je pak i djathtë!”- vazhdoi miku im” por më shumë do të thosha, se ke një dozë të theksuar naiviteti. Nuk e kupton politikën duke qënë jashtë saj.”
U rreka të spjegoja, që këto probleme politike i kanë kaluar dekada më parë Italia dhe Greqia, thirra në ndihmë Fridman-in dhe Comskin, si dhe u mundova të jepja shembuj nga demokracia amerikane, por të ardhurit nga Tirana më dëgjonin mospërfillës. Bile zonja e Titit, që quhej Monika, me të njëjtën mospërfillje, po i spjegonte anglisht kamarierit, që para kafesë duhej të kishte sjellë ujë me akull dhe limon.
“Kthehu në tokë Naum!” më tha qortues miku im, duke tundur me bezdi zinxhirin e trashë të orës së dorës, që mund të ishte edhe prej floriri, edhe e larë në flori, por edhe një imitim i lirë, se unë nuk ja shkrep fare nga sahatët.
Mu kujtua, që diçka të ngjashme më kishte përmendur edhe një “mi gjirizash”, në një koment të një shkrimit tim.
Nuk dija se në cilën tokë të kthehesha.

Në atë të Premtuarën?!

Saturday 27 May 2017

Në djall me politikën!

Jeta është shumë e shkurtër për të bërë armiq. Eshtë akoma më e shkurtër për të lexuar dhe shkruar rreth politikës. Për më tepër për një lloj politike, që më shumë është pre-politikë.
Në të njëjtën kohë, që lulet po rritin kërcejet dhe gjethëzat e tyre në ngastrën e vogël të kufizuar me fiçorrët e një lumi a liqeni prehistorik, në vend të ndjek dhe ndjej gëlimin e jetës brenda tyre unë pres të shoh listat e Partisë Demokratike, që një i panjohur, i quajtur Lulëzim Basha përgatit në një zyrë të SHQUP-it, ku dikur nuk hynim dot të hanim drekë pa një fletëhyrje fallco,
Në një shishe të ardhur nga Republika Domenikane, me bimë të dyshimta dhe ashkla drurësh tropikalë janë përzjerë dy porcione verë australiane me një porcion rum xhamaikan, dy lugë mjaltë amerikan dhe 15-16 rrushka turke, që pas një jave “ndërzimi” me njëra tjetrën, pritet të japin një pije të mrekullueshme të quajtur mamahuana, që shërron gjithë sëmundjet e qytetëtërimit modern. Sigurisht , që është më bukur të përgjosh se ç’farë ndodh brenda shishes, se sa të vrasësh mendjen se ç’taktikë elektorale po përpilojnë në një lokal luksoz, para frutave të detit ish-zëvëndës kryeministri, i cili di të flasë edhe kurbatshe para zgjedhësve, me bashkëpunëtorët lokalë dhe me “të mençurit” e ardhur nga kryeqyteti.
Dielli sa ka mbyllur bukur edhe një ditë të jetës sime, të qetë dhe pa trazime, por harroj se të tilla ditë nuk kanë qënë gjithmonë dhe nuk kanë për të qënë gjithnjë të tilla, por dëgjoj për 30 sekonda një shkrimtar, që flet  si “ zhbshbeshebzhe shbshebeshzhshbeebeshezhe”, por që shkruan mirë , kur nuk shkruan për politikë. What the hell!
Përse më bën përshtypje nëse një “buratin druri”, si Xherëd Kushner kërkon të hapë një linjë sekrete komunikimi me rusët? Lulet e mollës , të cilën fqinji këmbëngulës krastiti dy javë më parë janë ku e ku më të rëndësishme se fytyra e tij pa shprehje apo lulet në xhaketën e shtrenjtë të Mellanisë, (Amaaaan, aman moj Mellani!)
A mundet t’i mbrojmë këto grimca të vërteta jete nga fëlliqësitë e retorikës së politikanëve?
Ndoshta.
Duke i injoruar!

Nëse do mundemi!

“Dy ujqërit” që do e çajnë kopenë!


Nëse pas 25 qershorit, do ndodhë bashkëqeverisja PS-PD, kjo do jetë një ditë e zezë për Shqipërinë.
Për mendimin tim, lajmi më i keq në Tiranë, pasi u arrit marëveshja e shumëpritur, ishte ai i një koalicioni të mundshëm PS – PD pas zgjedhjeve. Përderisa ka disa funksionarë të të dy partive, të cilët e kanë përmendur këtë gjë, atëhere nuk është për tu përjashtuar si opsion. Kuptohet, që e gjitha do jetë në varësi të rezultatit të zgjedhjeve.
Përse nuk është i pamundur një koalicion i tillë:
Arsyeja e parë është, që të dy palët nuk kanë asnjë lloj ndryshimi as në programet elektorale dhe as në praktikat qeveritare të ndjekura nga viti 1997 e këtej. Retorikat kanë qënë të majta, reformat shpesh herë të djathta dhe premtimet populiste. E Djathta flet për martesat gay, ndërsa e Majta kundër sindikatave, teza këto të pakonceptueshme për krahët tradicionalë të politikës në çdo vend të zhvilluar demokratik.
Arsyeja e dytë është, që një pjesë e mirë e biznesmenëve të mëdhenj, që përbëjnë motorrin e ekonomisë shqiptare, kanë qënë klientë edhe të PD-së dhe të PS-së, ndaj dhe do parapëlqejnë një koalicion , i cili ndan sektorët e influenceës dhe të përfitimit.
Arsyeja e tretë është eliminimi i LSI-së, e cila mbetet një faktor bezdisës për çdo krah qeverisës, se gjithnjë merr nga sofra më shumë se ç’ka kontribuar. Për këtë më e interesuar është PS-ja e cila mund të tërheqë brenda saj “djemtë plangprishës që u larguan 14-15 vite më parë.
Ka edhe një arsye të katërt, që është dëshira e Bashkimit Europian për stabilitet. Në një vend me popullsi sa të një metropoli, interesi i Brukselit(dhe i Uashingtonit) nuk është zhvillimi i demokracisë, por qëndrueshmëria.
Pra le të supozojmë, se më 25 qershor, PS-ja do marrë 62 vende, PD-ja 52 dhe LSI-ja bashkë me gjithë partitë e tjera të vogla 26 vende (Janë numura të vëna arbitrarisht, për të krijuar një skenar të mundshëm koalicioni.)
Rama edhe mund të pranojë një koalicion të drejtuar prej tij, me synimin shuarjen e LSI-së dhe sigurimin e mbi 70 vendeve i vetëm më 2021.
Basha me bandën e tij, të “zhurritur” për “pushtet-para” nuk ka arsye të mos e pranojnë koalicionin. Së pari, Basha quhet “fitues” dhe ruan postin e Kryetarit, duke garantuar karrierën e tij politike. Berisha arrin të shtyjë edhe për katër vite një implikim të mundshëm ligjor të tij dhe të fëmijëve. Të tjerët, marrin nga një vend ministri apo zëvendësministri, “sakrificë kjo për hir të Shqipërisë“.
Po ku është e keqja për Shqipërinë në këtë marëveshje hipotetike?
E para dhe më kryesorja është, që për 4 vite në Shqipëri nuk do ketë opozitë.
Do të thotë, që qeveria të veprojë pa asnjë lloj pengese në miratimin e ligjeve në favor të klientëve, në dhënien e koncensioneve, në tenderat e mëdha me fonde publike, në shtimin e taksave dhe borxhit publik
Do të thotë të hyjmë për 4 ose më shumë vjet në fazën e plotë të “banditokracisë“.
Do të thotë, që e famshmja Reformë në Drejtësi të shtyhet, të modifikohet dhe të fillojë të aplikohet vetëm në nivele të ulëta, për të mos prekur “të përlyerit” e deritashëm dhe ata, të cilët do vazhdojnë të vjedhin në legjislaturën e ardhme.
Do të thotë, që “u pasurua kush u pasurua dhe si u pasurua, tani le të fillojmë nga fillimi”.
Ndoshta nuk kishte se si të ndodhte ndryshe!
Me naivitet kemi menduar, që “bandat” do i nxjerrin sytë njëra tjetrës gradualisht deri sa të pastrohen shtyllat e pushtetit në Shqipëri.
Banditët e kanë jo të vështirë, të arrijnë një marëveshje për ndarjen “e tregjeve” me njëri tjetrin edhe pasi janë “kërdisur” në luftë ndaj njëri tjetrit. Eshtë historia e Cikagos dhe e Nju Jorkut të 100 viteve më parë. Këta tanët bile as e kanë vrarë njëri tjetrin, pork anë vrarë “millet të pafajshëm”
E megjithatë, kjo mbetet një hipotezë, në rast se rezultati i zgjedhjeve do dalë sipas zgjedhjeve të fundit dhe sondazheve të këtyre kohëve. Në rast se banda- Rama do fitojë e vetme, do sundojë e vetme!
Ka edhe një shpresë, që është tepër e vakur, por nuk duhet humbur. Numuri i votuesve të jetë i lartë dhe të votojnë në numur rekord për partitë e vogla.

Ndoshta është fija e fundit e kashtës, ku mund të kapet “i mbytyri” elektorat shqiptar!

Friday 26 May 2017

Shpenzimet e fushatës elektorale


Fushatat elektorale kudo në botë kërkojnë shumë para. Sigurisht edhe sa më të gjata të jenë, nevojat për fonde do i kenë më të mëdha. Rekordin e shpenzimeve e mbajnë fushatat elektorale të kandidatëve për President të Shteteve të Bashkuara. Kuptohet nga që fushata zgjat gati dy vjet dhe kostoja e një minute reklamë në televizion, (që është shpenzimi kryesor), në Amerikë është tmerrësisht e lartë. Shpenzimet e tjera si qeratë për vendet e veprimtarive, telefonat dhe pagesat e punonjësve të shtabeve elektorale janë zëra, të cilat nuk kanë peshën e reklamave.
Të gjitha vendet e zhvilluara demokratike, kanë legjislacion të plotë rreth mbledhjes së fondeve dhe evidentimin e shpenzimeve të fushatave, Sigurisht, brenda tyre ka edhe shkelje, si është dëshmuar në të famshmin skandal të Uotergejtit, kur nga paratë e fushatave paguheshin njerëz, që kryenin përgjime apo vjedhje ndaj kundërshtarit politik.
Nuk kam njohuri për ligjin e financimit të fushatave elektorale në Shqipëri, por nga shtypi dhe bisedat private kam kuptuar, që bëhet fjalë për shifra marramendëse, po të llogarisim koston e jetesës në Shqipëri. Flitej për mbi 1 milion euro të shpenzuara nga Dritan Prifti më 2009, të shoqëruara me thirrjen e tij pas fitores së mandatit “This is Gold, Gold!”
Për shpenzimet e dikujt, që njihja dhe nuk kishte fituar, më tregonte po atë vit një politikan i sotëm i karrierës. Flitej për 200-300 mijë euro dhe pa mandat të fituar.
Nuk më çudisin shifrat as edhe motivi që është pas këtyre shpenzimeve, sepse ata që i nxjerrin nga xhepi e konsiderojnë një “investim”, i cili do ju kthehet i shumëfishuar nga tenderat dhe të tjera mundësi biznesi, që ofron qënia në pushtet, në një demokraci hibride si e jona.
Më tepër jam kureshtar se në ç’zëra shpenzohen këto shuma.
Reklama në televizione dhe gazeta?
Pagesa në dorë votuesve për të votuar një kandidat të caktuar?
Qera, karburant, telefona, DJ dhe ahengje?
Studime strategjike për njohjen e pikave të dobëta të programit të kundërshtarit?
Transport me autobuza për në miting të banorëve të qarqeve të tjera?
Përgatitje aktoriale për debatet televizive?
Ndoshta ka shpenzime, të cilat edhe njerëz me një imagjinatë shumë të zhvilluar nuk mund të arrijnë t’i kuptojnë.
Më tregonin, se sponsorizuesit e fushatës së Bashkim Finos në Korçë në legjislaturat e mëparshme, paguanin edhe “çingenetë“, që i duheshin ish-kryeministrit për tu çlodhur në shtrat gjatë fushatës.

Dhe fushatat vërtet janë të lodhshme…dhe me shpenzime!

Thursday 25 May 2017

Bota që lashë


Ajo botë, të cilën e lashë pas, i detyruar, dhe që i kthehem shpesh e më shpesh ishte e vogël. Ishte e vogël, se duke qënë një qytet me dendësi të lartë, por dhe jo i madh, gjithshka zhvillohej brenda një trekëndëshi me brinjë më të vogla se një kilometër. Aty ishte shkolla, puna, stadiumi, teatri, biblioteka, shëtitorja, klubet, vajzat, Komiteti i Partisë, kinemaja, banka e vetme, Dega e Punëve të Brendëshme, gjykata, Radio Korça. Vetëm varreza ishte më larg se një kilometër. I gjithë vendi ishte i izoluar, por herë herë shikonim edhe njerëz, të cilët vinin nga një botë tjetër, kryesisht të moshuar, veshur me ngjyra të çelura dhe pak të dala mode. Ishin korçarët, që kishin emigruar para Luftës së Dytë dhe që shpesh me përçmim i quanim “qyngjër Bostoni”.
Kishte edhe një botë të dytë ku “arratiseshim” dhe që përbëhej nga librat e lejuar dhe televizioni jugosllav i ndaluar. Sigurisht, që nuk qe një botë e vërtetë, se nëpërmjet pasqyrave tona shihnim pasqyrimin që kishin bërë të tjerët me pasqyrat e tyre, ndaj gjithshka ishte e përzgjatur, e deformuar bukur, e ngjyrosur më fort, si diçka midis pikturave të El Grekos dhe Salvador Dalisë.
Ishte bota ime dhe e brezit tim, ndaj dhe kur u “hapëm” pata dëshirë të udhëtoja, por jo të ikja nga ajo botë e vogël, që tashmë po merrte frymë. E lashë, si e përmënda më sipër, i detyruar, por edhe pse kam shumë mall nuk jam i penduar. Kam parë dhe kam mësuar shumë në këto 20 vite larg botës sime të vogël, të dashur.
Sigurisht, që nuk është e lehtë të largohesh nga një qytet ku ke shkuar periudhat më të bukura të jetës, të cilat pavarësisht nga lloji i regjimit, mbeten fëmijëria dhe rinia. Atje ka mbetur thuajse gjithshka e imja. Një “i paemër” më quan “korçar i lig”, por kush më njeh e di, që nuk mund të ikja nga Korça duke uruar, që qyteti të shkonte tatëpjetë. Aq më tepër, të ndjej “mllef” ndaj përparimit dhe zbukurimit të tij. Më duket se të tilla ndienja nuk mund t’i ketë askush, që ka jetuar në Korçë.
E megjithatë, le të themi se edhe unë, si çdo njeri mesatar, kam komplekset e mija, të cilat mund të lidhen me bindjet politike, me animin filozofik, me dështimet apo sukseset në profesion dhe në jetë, me “zilinë profesionale”, apo edhe thjesht me atë që francezët e quajnë “l’esprit de contradiction”. Detyrimisht, të gjitha sa përmenda më sipër  nuk mund të fshihen, por do dalin në shkrimet e mija në blog.
Dhe duke i dhënë përsëri të drejtë “të paemrit”, tek to ka “mllef, ide démodé, cinizëm dhe nostalgji të pavlera për kohën që jetojmë.”
Eshtë e vërtetë që në to ka Mllef.
Eshte mllefi ndaj hajdutëve që merren me politikë, politikanëve që merren me hajni, profesorëve që shesin notat e provimeve, të paaftëve, që ju zenë vendin atyre, që diplomohen shkëlqyer, pushtetarëve që pushojnë njerëzit nga puna dhe i çojnë në vetvrasje.
Eshtë e vërtetë, që në to ka Ide Demode.
Janë idetë për tu rikthyer të paktën në Korçën e viteve të paraluftës, ku fjala e dhënë ishte fjalë e dhënë, ku edepsëzët quheshin nga të gjithë edepsëzë, ku të pasurit ishin edhe filantropë, ku të ndershmëve ju hiqte kapellën e gjithë “çarshia”.
Eshtë e vërtetë se në to ka Cinizëm.
Ju drejtohet hipokritëve, atyre që të vrasin natën e të qajnë ditën, atyre që lëpijnë këpucët e eprorëve dhe shkelin me këmbë ata , që kanë poshtë.
Në to ka edhe Nostalgji të pavlera.
Eshte e vërtetë edhe kjo. Ka nostalgji për Aleksandra Tashkon, Gaqo Pecin, Spiridon Ilon, Zai Fundon, Profesor Kondën, Hyrmete Bitinckën dhe sa e sa korçarë të tjerë të paqëm e të mirë, që bënin që “batakçinjtë“ të tregoheshin me gisht.
Eshtë kjo Korçë e cila dëshëroj të rikthehet. Edhe me teknologji të lartë. Edhe me ndërtime moderne.
Jo për vete.
Për fëmijët e të gjithë korçarëve, ku përfshihen edhe fëmijët e “korçarit të paemër”.


Ngrehuni dhe…votoni!

Paqja u arrit!
Eshtë mes bandave, mes partive politike apo mes “centaurëve” gjysëm-parti dhe gjysëm-banda ka pak rëndësi. Vera e këtij viti mund të sjellë fërkime të tjera, por duket e sigurt, që nuk do ketë një 1997 tjetër. Me postet, që posa mori opozita, shpresohet të mos ketë edhe kundërshtim të rezultatit të zgjedhjeve.
Tani gjithshka është në duart e Sovranit.
Por edhe “Sovrani” vetë, përbëhet edhe nga militantët, edhe nga ata që ndrojnë partitë, edhe nga ata, që duan të mbetet gjendja siç është, edhe nga të zhgënjyerit që nuk votojnë, edhe nga ata që duan ndryshime, edhe nga ata, të cilëve ju dhimbsen jo vetëm familja, por edhe të tjerët. Një pjesë e madhe e elektoratit(çuditërisht numuri i të rregjistruarve është mbi 3 milion) nuk do shkojë të votojë dhe këta përbëjnë “partinë e abstenimimit”.
“Parti të abstenimit” ka në gjithë vendet perëndimore, por tek ne, për shkak të problemeve të mprehta të institucioneve, si dhe atyre ekonomike dhe shoqërore, një “parti” e tillë është një “luks”, të cilin nuk duhet t’ja lejojmë vetes. Shprehje si “Kot të votoj se i vjedhin”, “ Të gjithë njëlloj janë ndaj s’ka kuptim të votoj”, “Ata, që merren me politikë janë të tërë hajdutë“ e të tjera si këto, janë një lloj “hara-kiri” e çdo votuesi, për të mos përdorur të vetmen gjë të sigurt që ka në demokraci – Votën.
Ka disa mënyra për të shprehur protestën duke përdorur votën. Bashkë me protestën është edhe mbrojtja e interesit të votuesit abstenues.
Një mënyrë është të votosh për partitë e vogla, duke ushtruar kështu trysni mbi tre partitë kryesore, të cilat janë përgjegjëse për qeverisjen e keqe deri më sot. Edhe pse “të voglat” nuk janë të kulluara, përsëri, një shpërndarje e parlamentarëve i bën më mirë gjendjes së sotme të demokracisë hibride shqiptare.
Një mënyrë tjetër është të votosh partitë e posakrijuara, të cilat kanë dale edhe si rrjedhojë e pakënaqësisë të njerëzve ndaj qeverisjes. Ndonëse vetë, nuk kam besim absolute as në “Sfida” dhe as në “Libra”, më mirë do preferoja të votoja njërën prej tyre, se sa të shpija votën time dëm duke mos votuar.
Ka edhe një mënyrë të tretë, që të votosh duke shkruar “Poshtë hajdutët!” duke kënaqur edhe inatin vetjak ndaj politikanëve të gjitha ngjyrave. Edhe pse vota është e pavlefshme, ështe më mirë se mospjesëmarrja. Një fakt i tillë, i konstatuar nga qindra komisionerë, si dhe nga vëzhguesit e huaj nuk mund të kalojë lehtë dhe do i arrijë frytet në një të ardhme jo të largët.
Të mos votosh nuk është zgjidhje, por është të shtosh problemet e familjes dhe vendit. Koha e “ngrihuni dhe bjeruni” ka perënduar si kohë e dështuar, që të sjell humbjen e lirisë. Nëse do të jesh i lirë duhet të “ngrihesh dhe votosh”.
Ashtu si e thoshte këngëtari i madh milanez Xhorxho Gaber:
Liria nuk është të kesh një opinion
As një hapësirë e lirë,

Liria është të marrësh pjesë!

Minjtë e gjirizave


Edhe ata kanë të drejtë të jetojnë edhe pse janë të pështirë. Nuk janë vetëkrijuar edhe pse duhet të jenë rrejedhojë e evolucionit në këto 7-8 mijë vitet e fundit. Miliona vjet pas daljes së minjve. Që kur janë krijuar gjirizat e para në Babiloni a ndoshta në Kinë. Mund të kenë rrjedhur ng mintë e sojmë të arave, që ushqehen me drithra. Mbase edhe nga minjtë e vegjël të shtëpisë, të cilët vërtet rrojnë në kurriz të njerëzve, por ushqehen me ato, që hamë edhe ne.
Minjtë e gjirizave, janë më të mëdhenj dhe të ndyrë se kanë zgjedhur të jetojnë në gjiriz.
Duket, që mes qelbërsillëkut edhe ushqim ka plot. Ushqim në dekompozim e sipër. Ushqim, i cili mban erë ngordhësirë.
Të tillë ishin Anëtarët e Grupit të Bashkuar Vullnetar (ata, të cilët vërtet hynin vullnetarisht), të cilët në kohën e Mehmet Shqhut, Kadri Hazbiut dhe Mihallaq Ziçishtit paguheshin 1200 lekë në muaj për të spiunuar dhe shpifur ndaj të tjerëve. Ishin të pështirë, se ushqeheshin me kërmë. Një pjesë prej tyre nuk njiheshin se edhe me eprorët e tyre takoheshin natën(krejt si minjtë e gjirizave) dhe villnin e villnin poshtërsi fshehtazi. Njerëzit i urrenin. Edhe më shumë se urrenin minjtë e gjirizave. Ndaj tyre nuk mund të përdornin as “bar miu”.
Në kohën e sotme, skota e tyre nuk është zhdukur. Ka më tepër liri dhe dritë, por ata parapëlqejnë errësirën dhe fshehtësinë, si minj gjirizash që janë. Një pjesë përgjojnë gazeave dhe portaleve online dhe kur shohin se janë prekur, ata, të cilët I mbajnë me bukë (Rama, Berisha, Peleshi apo Meta) fillojnë dhe derdhin vrer pa e nxjerrë turirin e tyre prej miu. Ndoshta jo se kanë frikë të mos zbulohen se cilët janë, por se në instiktet e krijuara gjatë evolucionit, mbajtja erë dhe të qënit pa emër, janë cilësitë e domosdoshme të mbijetesës së tyre.
A mund të zhduket ky lloj qëniesh?
E pamundur.

Njerëzimi gjithmonë do ketë gjiriza.

Wednesday 24 May 2017

Heshtja dhe duartrokitjet


Përgjithësisht i kam urryer duartrokitjet, sepse në kohën kur u rrita dhe kuptova diçka nga kjo botë, duartrokitjet ishin edhe me tepri edhe të detyruara. Duhet të duartrokisje në mbledhje të mëdha dhe mitingje, si dhe duhet të dëgjoje në radio dhe tv minuta të tëra me duartrokitje të shoqëruara edhe me thirrje të tipit “Parti, Enver jemi gati kurdoher’!”
Sigurisht, që kishte edhe shumë vende, ku mund të duartrokisje me dëshirë, si sallat e sportit apo sallat e koncerteve, ku mund edhe të rrije me minuta të tëra duke duartrokitur sportistët e shkëlqyer apo artistët me shumë vlera. E megjithatë, e gjithë koha ishte katërcipërisht e mbushur me duartrokitje për Partinë.
Ndaj dhe bashkë me shumë shokët e mij kishim zgjedhur Heshtjen. Kuptohet, me disa duartrokitje sa për sy e faqe, për të mos rënë sy për keq.
Nuk jam në gjendje të them se si ishte në atë kohë përqindja e atyre që duartrokisnin sa për sy e faqe, e atyre që duartrokisnin “pas berihajt”, e atyre që vërtet emocionoheshin dhe duartrokisnin dhe atyre, që ju binin duarve fort për të rënë në sy të udhëheqësve lokalë.
Njerëzit janë të tillë. Ndoshta jo për faj të tyre. Ka të tillë, të cilët nuk jetojnë dot pa lidera dhe pa klithur “hosanna” për ta. Nuk është domosdoshmërisht “legenllëk”, “mungesë karakteri” apo “përpjekje për të fituar pa meritë“. Ndoshta Krijuesi i ka modeluar si të tillë.
Debatet e 5-6 viteve të fundit rreth ndërtimeve në Qendër të Korçës dhe “hijeshinë“, që ka marrë qyteti në këto vite, më kanë bërë të mendoj edhe për këtë kategori njerëzish, të cilët mund t’i quaj “duartrokitës të përhershëm”.
Ka një fakt, i cili nuk mund të diskutohet, sepse pasqyrohet në shifra, që Korça ka përfituar shumë investime publike 10 vjetët e fundit dhe me një rritje të madhe në këto 4 vite. Të tilla investime, sigurisht, që do sjellin përmirësime në pamjen e qytetit si dhe në atë pjesë të jetës së qytetarëve, e cila lidhet me Qendrën e qytetit.
Pikat në të cilat janë përqëndruar debatet janë- nëse investimet janë projektuar dhe ekzekutuar me profesionalizëm(nuk po hyj këtu në abuzimet me to) apo në to ka pasur amatorizëm dhe arbitraritet. Pika tjetër e debatit ka qënë, nëse këto, të cilat reklamohen si arritje të shkëlqyera të arkitekturës dhe urbanistikës, janë vërtet të tilla, apo duhen parë në mënyrë kritike, për të mos përsëritur të njëjtat gabime në të ardhmen.
Vetë kam zgjedhur jo të duartrokas, por edhe të mos hesht.
Nëse në opinionet e mija jam gabuar, ose kam qënë tërësisht i gabuar, kjo nuk i prish asnjë punë Korçës. Mund të karakterizohet në atë, që në kohën e Partisë së Punës quhej “nxirrje e realitetit” dhe asgjë më tepër. Nëse nuk jam tërësisht gabim, atëhere kjo e dëmton Korçën.
Po përsëris diçka , të cilën e kam shkruar edhe më parë. “Arkitekturën dhe urbanistikën e Korçës e ka shpëtuar fryma konsevatore e korçarëve.” Kjo nuk do të thotë, që nuk janë bërë gabime në të gjitha kohërat, por ato kanë qënë më të pakta se sa ato të qyteteve të tjera.
Në ndërtimet e reja të viteve të fundit, ka një “kokëshkëmbje”, të cilën duke qënë larg nuk mund ta përcaktoj nëse vjen nga Rama, Peleshi, Pit Uillsën apo të tre së bashku.
Rama nuk e ka për gjë të eksperimontojë dhe të kërkojë realizimin e çdo ideje “gjasme prej artisti”, që i vjen në kokë. Pit Uillsën është gjithashtu një eksperimentues, të cilit nuk I bëhet shumë vonë për Korçën. Me sa e njoh Peleshin, them që nuk ka as “frymëzimet” e dy të parëve dhe as prirje t’i bëjë dëm qytetit. E megjithatë, më ka befasuar “kokëshkëmbja e tij” në ngritjen e Kullës, në Biblioteka e re dhe në transformimin e Bibliotekës së Kolevicës.
Për fat të keq, “duartrokitësit e përheshëm” i bien duarve sa ju bëhen “fulltaka” dhe ata, që kuptojnë dhe nuk mund të duartrokasin, heshtin.
Ndoshta duhet të kalojnë edhe disa vjet dhe fryma kritike dhe konservatore e korçarëve të rikthehet, si në kohët e mira të viteve ’20 dhe ’30 të shekullit që shkoi.

Mbase edhe duartrokitësve deri në atë kohë do ju kenë zënë duart kallo!

Tuesday 23 May 2017

Gishti i Ramës dhe Korça.


Mes fotove nga vizita e fundit e Ramës në Korçë, më tërhoqi vëmendjen një foto qesharake e vendosur nga kryeministri, ku “truku fotografik” (që ndodh jo rrallë), të le përshtypjen për një gjest të turpshëm të Ramës në dëm të deputetit Pëndavinji. Nuk e ve në dyshim, që nuk ka ndodhur asnjë gjë e tillë, por më shkoi mendje, që gishti i Ramës ka hyrë në gjithë prapanicat tona korçare. Në fillim si gisht i mesit i ngritur me Kullën e Shpifur në mes të sheshit dhe më pas me plot objekte të rinj të keqvendosur ose të projektuar keq.
Mund të thuhet, se krerët e një vendi e kanë të lehtë të fusin gishtin atje ku duan dhe se këtë korçarëve ja u ka bërë në fillim Profesori i Liceut dhe më pas me rradhë ata, që e ndoqën.
Por këtë herë është si më me tepri dhe njëkohësisht këtë “futje gishti” po na i shesin si suksesin më të madh të urbanistikës dhe arkitekturës së Korçës. Në fakt, përveç Pedonales, (edhe kjo e ideuar dhe financuar para Ramës) nuk ka asgjë te re të mirë në Korçë. Ka vetëm restaurime dhe ato janë për tu përshëndetur, sidomos ai i Pazarit.
Flitet shumë për Parkun Rinia, por atje është vetëm rifreskimi i një projekti të rëndomtë të viteve ’50-’60, për të cilin duhet lavdëruar më shumë Myftar Grabocka se Niko Peleshi. Parku as është modernizuar dhe as është bërë e mundur të ndërhyhet në pjesët e pjerrëta të Kodrës së Belvederes, për t’i rritur hapësirën dhe variacionin.
Pra të gjitha ndërhyrjet e mira në Korçë nuk mund të kalojnë pragun e rifreskimeve ndërsa të rejat si Kulla, Biblioteka apo ndërtime të larta, që janë miratuar në zonën qëndrore të qytetit vetëm hapin plagë në hapësirën e tij më të mirë.
Muzeu I Artit Mesjetar është një tjetër projektim problematik, të cilin “tregëtari” Rama dhe tellallët e tij janë munduar ta shesin si vepër të nominuar për çmim ndërkombëtar, është një tjetër gënjeshtër e madhe të cilën nuk e besojnë as militantët socialistë, por që e përsërisin gjithë gëzim dhe duke qeshur, sikundër gjithë qejf brohorasin për “gishtin e Ramës”.
Dhe janë këta dhe ne të tjerët që e pësojmë në fundin e kurrizit, se sa për Pëndavinjin, Peleshin dhe Filon ata e kanë të lehtë t’ja “futin gishtin Ramës”, kur t’i shkasin këmbët. E kanë bërë ndaj udhëheqësve të PD-së dhe PBDNJ-së , ku kanë milituar më parë.

( Meqë e kishim fjalën në ndërtimet, Peleshi dhe papagajtë e tij e kanë harruar tashmë “shocking of the new”, të tre viteve më parë, por mund të mburren vetëm me ato ç’ka ndërtuan mjeshtrat korçarë 100 e kusur vite më parë.)

Pa të tjerë

A mund të dashuroheshim
Në një botë tjetër,
                  Të qashtër,
                             Të paqme,
                                       Të lirë,
Ku vala që lëpin rërën e ngjeshur,
Ledhaton edhe këmbët e zbathura?
A mund të bashkoheshim
Atje ku dielli lehtë,
Ndaj të gdhirë,
Troket në të palmës trung të zhveshur,
E përndan ëndrrat tona të çartura?
Nuk e di.
Mbase është e vërteta botë,
E pamëshirë,
Thashethemet e zyrave,
Dinaket buzëqeshje,
Që na rrethojnë,
Dhe bëjnë të dukesh kaq e dlirë,
Na shtyjnë që njëri-tjetrin të kërkojmë,
Dhe të ndërtojmë qiejve
Një të kaltër kështjellë
Që vetëm ne e dallojmë,
Ku lulet e mirësisë kemi mbjellë
Dhe ndjehemi të lirë,
Përfundimisht të lirë,
Të lirë si kurrë ndonjëherë,
Vetëm me tinguj,
                     Ngjyra,
                           Aroma.
Pa të tjerë!

Thursday 11 May 2017

Fatos Lubonja dhe koha e arrestimeve (fund)

(vijim)
Pa u fashitur sulmi ndaj Liberalizmit, në verën e vitit 1974 ndodhi diçka e papritur. Mes portreteve të anëtarëve të Byrosë Politike u hoq ai i Beqir Ballukut. Ndërsa goditja e parë ishte bërë në sektorin e ideologjisë për liberalizëm, kjo dukej, që bëhej në krahun kundërshtar, në atë të konservatorëve. Brenda disa muajsh u arrestuan edhe shumë oficerë të lartë, sa nuk dihej se cili ish-gjeneral (gradat kishin 7 vjet, që ishin hequr) do ishte pranë Komandantit të Përgjithshëm në paradën ushtarake të 30-vjetorit të çlirimit, e cila mbahej çdo pesë vjet në fund të nëntorit.
Në rrethin familjar dhe shoqëror ne nuk kishim ushtarakë, ndaj ishim më të pandjeshëm ndaj goditjes së tyre. Ushtarakët e lartë, përgjithësisht ishin ish-partizanë, që më vonë kishin bërë kurse ushtarake në Bashkimin Sovjetik ose në vendet e tjera lindore. Më të rinjtë, të cilët kishin edhe poste më të ulëta, vinin thuajse të gjithë nga fshatrat, se qytetarët nuk pranonin të ndiqnin shkollën “Skënderbej” apo Shkollën e Bashkuar. Rreth oficerëve shqiptarë thuheshin shumë anekdota, po aq sa edhe ndaj policëve. Ishte një jetë, që pakkush kishte dëshirë ta provonte. Shërbimi i detyruar ushtarak prej 2 ose tre vjetësh ishte një nga periudhat më të rënda të djemve të rinj. Kishte plot raste vetvrasjesh, ose vetplagosje për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak. Më i vështiri, quhej ai i shërbimit në kufi, i cili mbulohej nga Ministria e Brendshme dhe jo nga ajo e Mbrojtjes.
Rreth komplotit të ushtarakëve flitej pak. Im atë kishte njohur disa prej të arrestuarve. Për Petrit Dumen, nën komandën e të cilit kishte qënë disa muaj në batalionin “Hakmarrja”, tregonte, që mblidheshin dhe hanin e pinin nëpër bazat e luftës, jo si partizanë, po si bashibozukë. Vetëm për Muhamet Prodanin theshte, që ishte luftëtar i mirë dhe njeri i mirë.
Me dënimin dhe ekzekutimin e ushtarakëve të lartë, filloi edhe përndjekja e familjeve të tyre. Tashmë Fatos Lubonja nuk ishte i vetmi i ri prapa hekurave i dënuar për agjitacion dhe propagandë, por duhet të ketë qënë më i kënduari dhe thuajse një disident para arrestimit.
Popullit i ishte dhënë “mësimi i hapur” se “kush ta dridhte bishtin do përfundonte në burg dhe askush nuk do përjashtohej.”
Në ditët e sotme, spastrimet e filluara në vitin 1973, paraqiten edhe si luftë mes klaneve të Bllokut për pushtet, pro unë mendoj, që lufta mes tyre ishte një faktor i dorës së fundit. Hoxha e kishte të përqëndruar mirë pushtetin në duart e tij dhe “fërkimet” mes klaneve vetëm ja bënin pak më të lehtë “vrarjen e mëndjes” për të kurdisur skenarët e komploteve. Prej “shpartallimit” të “të pakënaqurve” në Konferencën e Tiranës, të gjithë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, i detyroheshin atij për qëndrimin në postet e larta dhe privilegjeve , që lidheshin me to. Nga Sigurimi i Shtetit, nga grupi i “kontrollit” afër tij dhe nga letrat e popullit, si ato me emër dhe nga anonimet, ai ishte i mirëinformuar, për çdo veprim të funksionarëve të lartë. Nëse zgjidhte t’i godiste atëhere, kur e shikonte ai të arsyeshme, kjo nuk lidhej as me përpjekjen e grupeve për ta rrëzuar dhe as me luftën ndërmjet tyre për pushtet.
Sigurisht, në atë kohë ne nuk kishim si të kuptonim asgjë të tillë. Kishim antipati për njerëzit e Degës së Punëve të Brendshme (në të gjithë qytetet “fuksat” nuk i deshte njeri) si dhe për ushtarakët, por nuk dinim asgjë rreth skenave dhe prapaskenave në Komitetin Qëndror dhe më lart. Pak na ndihmonte edhe ndonjë analogji, që mund të shkonim në mendje me ato , që kishin ndodhur në Bashkimin Sovjetik, apo ato, që ndodhnin në Jugosllavi(në vitet ’70 thuajse dinim gjithshka , që ndodhte atje, në sajë të televizionit jugosllav dhe lajmeve, që jepeshin në shqip.)
Viti 1975 vazhdoi me një rritje të valës së arrestimeve. Veç ushtarakëve, filluan të arrestoheshin edhe ata, që u quajtën grupi armiqësor në ekonomi, që fillonte me Theodhosin dhe Këllezin dhe përfundonte me inxhinierët e talentuar të gjeollogjisë dhe naftës. Kuptohet, që nisja e ndërprerjes së ndihmave kineze, pas kundërshtimit nga Hoxha të vizitës së Niksonit në Kinë, do i sillte pasojat e rrënimit ekonomik në vend. Ndaj duheshin shpikur armiq. Të tjerë fëmijë të Bllokut u arrestuan dhe u internuan. Mes tyre edhe Spartak Ngjela.
Duke ju rikthyer kohës së liberalizmit, dua të ritheksoj faktin, që “të rinjtë e Bllokut”, ishin flamurtarë të modernizmit dhe të atyre, që u quajtën më 1973 “shfaqje të huaja”. Ishte e kuptueshme, sepse ata kishin të gjitha mundësitë për “të hapur mendjen”. Dilnin jashtë shtetit, kishin në bibliotekat e tyre libra “të ndaluara”, aparate televizive, që në fillimin e viteve ’60 dhe njëkohësisht edhe “krahë të ngrohta”. Ishin ata, që konsideronin qesharak “dogmatizmin” e etërve të tyre. Kjo nuk i bënte domosdoshmërisht disidentë, por mund të ketë qënë edhe një nga arsyet e spastrimeve të mëdha, të mëvonshme. Me siguri, Enver Hoxha e ka konsideruar të rrezikshme për familjen e tij dhe kujtimin e atij vetë, lënien e “stafetës revolucionare” në duart e rinisë së Bllokut. Ndaj përpos arsyeve të tjera madhore, goditja e grupeve armiqësore, ka qënë edhe një goditje ndaj “udhëheqësve të ardhshëm”.
Dhe në këtë grup njerëzish, Fatos Lubonja ka meritën, që të ketë qënë ndër më të përparuarit dhe në ata, që kanë rënë më shumë në sy. Të tjerë si Gim Myftiu apo Lad Shehu, mbetën kundërshtarë të heshtur të sistemit. Ky i fundit u detyrua të vriste veten, pas likuidimit të të jatit, nga një intrigë qesharake mblesërie.
Për çka më sipër dhe për të gjitha ato, që hoqi me ridënimin në burg, Fatos Lubonja duhet nderuar. Ishte nga të paktit, që mishëronte elementë të disidencës në atë kohë.

Kohë të vështira – Kohë arrestimesh.

Wednesday 10 May 2017

“Je suis” Romana Vlahutin

Edhe pse kam shkruar në shtyp rreth Reformës në Drejtësi dhe ndërhyrjeve të dobishme të ambasadorit Lu, kurrë nuk kam përmendur ambasadoren Vlahutin. Ka të bëjë me një lloj paragjykimi, të cilit ne ballkanasit nuk i shpëtojmë dot. Mosbesimit ndaj ballkanasve të tjerë!
Karrierat politike të shumë politikanëve shqiptarë kanë qënë tërësisht të dyshimta. Nuk ka shpëtuar asnjë prej tyre të përflitet për korrupsion apo për lidhje me krimin e organizuar. E njëjta gjë në Kosovë, Mal të Zi,  Maqedoni, Bosnjë dhe Sërbi. Nga bisedat me emigrantët e këtyre vendeve në Kanada vetëm një gjë del e qartë- Askush nuk ka pikën e besimit tek politikanët e vendit të tij.
E megjithatë, Romana Vlahutin edhe mund të bëjë përjshtim nga politikanët e karrierës në Ballkan. Nuk mundet, që për deduksion, me që shumica dërmuese janë të korruptuar, e tillë të jetë edhe ajo. Sidomos një gjë të tillë, dua ta besoj, pasi lexova letrën e hapur të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, që ishte gati të binte në gjunjë për të gjithë ne shqiptarët meshkuj, që t’i kërkonte të falur Romanas, për shkrimin në FB të Kastriot Myftarajt, (Një gjë më bën përshtypje nga gjithë kjo “aferë“, se kush i lexon statuset e Myftarajt në FB. Them , që ai që e ka lexuar dhe ka kallzuar duhet të hyjë i pari në burg.)
Is ka jetuar një kohë të gjatë në Paris dhe duhet të jetë në dijeni të rastit të Christine Deniers – Joncour, ose sikundër njihet për raste “Elf” dhe “Dumas”, “Le putain de la Republique”.
Kristina nuk është e vetmja në korridoret e Elizesë, Brukselit, Raishtgut dhe zyrave të tjera të rëndësishme, që meriton të mbajë titullin “Putana e Republikës”. Mes politikaneve shqiptare në të gjitha trevat tona ka jo pak të tilla. Nuk ka se si të mos ketë mes maqedonaseve, bullgareve, sërbeve, kroateve dhe rumuneve. Ndaj është po aq e nxituar të biesh në gjunjë para Vlahutin, sa është e nxituar ta akuzosh si kurvë, në rast se ajo nuk ka përdorur shtretërit e të fuqishmëve për të bërë karrierë ose për të përfituar para.
Ka vetëm një gjë, para të cilës duhet të biem në gjunjë - Nderi.
Por nuk di se sa kjo fjalë i ngjit kroates Vlahutin.

Prandaj “ Je ne suis pas Romana Vlahutin!”

Arrestimi i Myftos dhe Velinovskës


Mediat janë përqëndruar sot në arrestimi i bujshëm në Tiranë i Kastriot Myftarajt dhe nuk kanë arritur ta lidhin me dy ngjarje të tjera, që kanë ndodhur në të njëjtën orë në Shkup dhe Uashington. Bëhet fjalë për arrestimin e gazetares Velinovska dhe shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të FBI, Xhim Komi.
Befasia dhe mënyra e ekzekutimit të urdhrave ngjan me arrestimin e njëkohshëm të Kalorësve Templarë të Premten 13 tetor 1307, sipas urdhërit të Filipit të IV. Të tre viktimat e djeshme, e kanë pësuar po njëlloj, 790 vjet më vonë, pikërisht në Ditën e Europës. Kjo të le të dyshosh, se bëhet fjalë për një komplot të madh dhe duhet të ketë patur edhe të tjera arrestime apo pushime nga puna, që nuk janë përmendur ende nga mediat. Interesante është se të dy të arrestuarve ju është thënë formula:”Zoti është i pakënaqur se kemi armiq të Besimit brenda shtetit”. Diçka e ngjashme është edhe në formulimin e letrës së Donald Trump për shkarkimin e menjëhershëm të Komit, në një kohë kur ishte në Kaliforni dhe nuk mund të arratisej.
E gjitha ka të bëjë, me një dosje për të cilën flitet prej kohësh, pjesë të të cilës kishin rënë në dorë edhe të gazetarëve të arrestuar.
Eshtë dosja e një ish agjenti të shërbimit sekret anglez MI-6, që zbulon me fakte një komplot të orkestruar nga Putin, për të shtënë në dorë një pasuri marramendëse në Ballkanin Perëndimor. Pjesë e kësaj dosje ishin edhe dokumentat që kishin rënë në dorë të Myftos dhe Velinovskës, që vërtetonin se Niko Peleshi ishte një agjent i hershëm i gjermanëve, të cilët janë  gjithashtu të interesuar për shtënien në dorë të thesarit të përmasave biblike.
Flitet, që arsyeja kryesore e kalimit të gazsjellësit TAP në zonën e Korçës është pikërisht zbulimi i tij.
Në një variant tjetër, bëhet fjalë për groposjen e tij 99 pashë nën themelet e Shën Gjergjit, atje ku është sot Biblioteka , që po kthehet në Godinë të Bashkisë. Angazhimi i firmës gjermane në projektin e rikonstruksionit të saj të le të dyshosh, që punime të një rëndësie të veçantë do ketë në të ardhmen dhe që do kryhen larg syve të dëshmitarëve.
Gjithsesi, paralajmërimet e përsëritura, që dy Luftrat Botërore kanë nisur pikërisht në Ballkanin Perëndimor, të bëjnë të dyshosh, se vëmendja e shërbimeve sekrete të Fuqive të Mëdha është në rrethinat tona.

Sa të pasur paskemi qënë dhe sa pak që dimë!

Fatos Lubonja dhe koha e arrestimeve (2)

(vijim)
Në pranverën e vitit 1974, sipas rregullave të kohës, ne duhej të bëheshim antarë të BRPSH-së dhe të mos ishim më pionierë, gjë që na pëlqente jo vetëm se ndjeheshim më të rritur, por nuk na duhej të lidhnim çdo mëngjes shallin e bezdisur të pionierit, që shpesh e humbnim dhe duhej ta riblinim. Kushtonte 27 lekë të vjetra, thuajse sa një paketë cigare me filtër, dy ëmbëlsira të mira, apo një kilogram piperka nga të parat e sezonit.
Nga Tirana lajmet nuk ishin të mira. Ju kishin bllokuar televizionin italian dhe atë jugosllav dhe po dënoheshin me burgje dhe internime shumë letrarë dhe artistë. Keqardhje më të madhe ndjenim për Sherif Merdanin, që ishte nga Korça dhe e konsideronim të një niveli me këngëtarët italianë të kohës. Edhe për artistët e tjerë nuk na vinte mirë, por Edison Gjergon, Mihal Luarasin dhe ndonjë tjetër, që u arrestua, i njihnim vetëm si emra.
Për tu kthyer në Fatos Lubonja, rreth tij dinim vetëm , që ishte arrestuar edhe djali i madh i Todit dhe keqardhja ishte si e mjegullt, e papërcaktuar. Nuk na dhimbeshin partiakët e mëdhenj, por fëmijët e tyre nuk kishte kuptim pse të vuanin. Na vinte mirë psh, që djali i Paçramit vazhdonte të luante futboll në kategorinë e parë edhe pse e kishin larguar nga Tirana.
Nga ç’ka kam lexuar më vonë rreth Fatos Lubonjës(pas vitit 1990) kam kuptuar, që ai hynte në rrethin e fëmijëve të funksionarëve të lartë, që kishin më shumë informacion rreth botës dhe dinin të bënin pyetje rreth Diktaturës shqiptare dhe sistemit komunist në përgjithësi. Të tillë ishin Gim Myftiu, djemtë e Mehmet Shehut, vajzat e Sadik Bekteshit, Spartak Ngjela e të tjerë të brezit të “baby boomers”, që në kohën e liberalizmit ishin studentë, ose sa kishin mbaruar universitetin. Para disa vitesh, Klodi Stralla shkruante, që “Fermën e kafshëve” të Oruellit e kishte lexuar , kur ishte student dhe ja kishte dhënë Fatos Lubonja, me të cilin ishte në një klasë. Kalimi i librave të ndaluar, ose të papërkthyer për shkak të kundërshtimit të sistemit ishte një nga fenomenet e “disidencës” gjatë Diktaturës. Kuptohet, që në periudhën e liberalizmit, kur ndjekjet dhe dënimet për agjitacion dhe propagandë ishin shumë të pakta, ky qarkullim librash ishte më i lehtë. Nuk është e thënë, që të gjithë që i qarkullonin apo lexonin ishin kundërshtarë të sistemit, por mjafton të thuash, që ishin njerëz, të cilët vinin në dyshim ato që thuheshin dhe shkruheshin publikisht.
Në Korçë, gjendja ishte shumë më e vakët. Nuk kishte universitet dhe si rrjedhojë, vetëm rinia e gjimnazeve mund të zhvillonte një shpirt të kundërshtimit të sistemit. Por në qytet mungonte shtresa e të rinjve,  që vinin nga familjet e Nomenklaturës, të cilët për shkak të mbrojtes nga prindërit, e kishin edhe më të lehtë të rebeloheshin. Të rinjtë , që vinin nga familje të deklasuara, ose me lidhje të afërta fisnore në Amerikë, ishin gjallëruar, por ende nuk ndjenin mungesën e plotë të frikës, për tu organizuar, apo më tepër akoma për tu ngritur në revoltë kundër sistemit. Ndaj dhe në vjeshtën e vitit 1973 apo pranverën e 1974-s nuk pati arrestime në të rinjtë në Korçë.
Një lloj fryme “liberale” ende nuk ishte fashitur, sepse më kujtohet, që në mars dhe prill përgatiteshim për konkursin “e rëndësishëm” të anatomisë dhe së bashku me 7 djem e vajza të klasës këndonim në dhomat e studimit të muzikës, “Jupi du” , “ It’s nice to be in love again”, “Waterlo” dhe këngë të tjera pop të atij viti. “Vidhat” nuk ishin shtrënguar akoma si do shtrëngoheshin më 1975 dhe më tutje.
Atë vit(dhe më vonë), mësuesi jonë i biologjisë, i paharruari Fredi Bitincka, na tregonte më shumë se të rriturit e tjerë, se ç’ndodhte në botën tonë shqiptare. Fredi ishte nëndrejtor i shkollës, por kjo nuk e pengonte të ishte më i afërti me ne. Për herë të parë ndjeheshim, që një i rritur i mënçur na trajtonte jo si fëmijë. Fredi ka qënë mentori im i parë dhe mik i ngushtë deri sa u largua nga jeta. Atij i dedikoj shumë nga “hapja e syve” në raport me sistemin, sepse më tregonte gjëra, të cilat im atë ndoshta kishte frikë të m’i tregonte, për të më mbrojtur. Më shumë se një kundërshtar i vendosur kundër sistemit, Fredi Bitincka, me natyrën e tij të  qeshur dhe të sinqertë, ishte kundërshtar i hipokrizisë dhe mungesës së lirive. Vinte nga një familje të shkolluarish në gjendje të mirë ekonomike, që nuk kishin pësuar nga shpronësimet e pasluftës, por që vlerat e jetës i bazonin në ndershmëria, kundërshtimi i dhunës dhe dituria. Nga kjo linjë nuk luajti për 40 e kusur vite, që e kam njohur. Ishte një njeri, tek i cili gjeja mbështetje dhe këshilla në periudhat e vështira të jetës.

Atë vit, pata mundësinë të shkoja dy herë në Tiranë, në dy konkurse, një në radio dhe tjetri në televizion dhe të prekja shkarazi një lloj ndryshimi midis kryeqytetit, ku ishin përqëndruar të gjitha dhe “provincës”, jeta e së cilës, imitonte në dimensione më të vogla dhe më me vonesë ato, që vinin nga qendra. Tirana kishte një jetë të gjallë dhe ende shikoje vajza me minifunde dhe djem me flokë të gjata. Baret ishin plot dhe nuk kishte kufizime as për 14-15 vjeçarë si unë dhe shokët e mij, që porositnim “ birrë dhe bërxolla” pa qënë të shoqëruar me të rritur. Edhe pse më të përmbajtur, në televizion ende ndjehej një frymë më moderne në veshjet dhe sjelljet e atyre, që punonin atje. Në të dy rastet, fjetëm në një hotel të vogël në rruga e Dibrës, më lart se pallati i Ismailit, që quhej “Tirana”, sepse ende nuk ishte ndërtuar 15 katëshi. Në dallim nga jeta e zhurrmshme e qendrës së Tiranës, jeta në Korçë ishte më konservatore. Diktatura kishte vrarë gjatë 30 vjetëve shpirtin e saj intelektual, rebel dhe të dëfrimit. Më 1974-n e më pas, të zinte malli të shkonje në një mbrëmje vallzimi, të cilat sa vinte dhe rralloheshin ose bëheshin më “tematike”.
(vijon)

Tuesday 9 May 2017

Fatos Lubonja dhe koha e arrestimeve


Më vjen keq, që e sulmojnë egërsisht Lubonjën. Jo aq për vetë Fatosin, të cilin nuk e kam takuar ndonjëherë, por vetëm kam lexuar artikuj të tij dhe dëgjuar ndonjë intervistë në youtube. Në vitet e paratë tranzicionit, kur ende isha në Shqipëri, ishte më pak aktiv në shtyp, ose shkruante në “Shekulli“, një gazetë, të cilën nuk e kam lexuar kurrë, pasi nuk honepësja dot pronarin e saj, Kokëdhimën.
Fatosi nuk jetoi asnjë ditë në Korçë, kur i jati u transferua rreth viteve 1967-68. Duhet të ketë qënë student. I vëllai, Gimi, ishte në shkollën tonë dhe vinte rrinte me moshatarët e tij në Bonboneria. Vite më vonë, gjatë verës të nxehtë të vitit 1973, kur “liria” ishte në majën e saj më të lartë dhe do fillonte edhe këputjen e menjëhershme, dëgjuam për arrestimin e tij, krahas të jatit. Arrestimi i Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës ishte një akt i pakuptueshëm për brezin tonë, që nuk kishte qënë dëshmitarë të arrestimeve të udhëheqësve të lartër partiakë. Që prej arrestimit të Maqo Comos(burri i Liri Belishovës dhe ministër i bujqësisë) më 1961, nuk kishte patur më arrestime të anëtarëve të Komitetit Qëndror apo akoma më lart. Në shkurt 1967 kishte filluar një luftë ndaj konservatorizmit dhe ndjehej një frymë favorizimi ndaj rinisë, modernes dhe lirive. Ngjyrimi ala “revolucioni kulturor kinez” ishte aq i lehtë, sa dukej se mbetej vetëm në fletë-rrufetë, heqjen e gradave dhe privilegjeve në ushtri dhe gjimnastikën e mëngjesit. Në vetvete, Revolucioni Kulturor në Kinë ishte një lëvizje konservatore dhe ksenofobe, ndërsa fundi i viteve ’60 në Shqipëri, po të përjashtojmë ndalimin e ushtrimit të fesë, kishte një frymë tërësisht liberale, që dukej më tepër si reflektim i lëvizjeve studentore në Europë. E megjithatë nuk ishte as i tillë.
Futja në masë e aparateve televizive në fillimin e viteve ’70 kishte ndikuar për mirë kryesisht në Tiranë dhe Shkodër, por edhe në një qytet më “të përmbajtur” si Korça. Ishin shtuar vizitat e të afërmve nga Amerika, që sillnin bashkë me “rrobat e përdorura, por të mbajtura mirë“ edhe një frymë lirie dhe “mendjeje të hapur” në qytet. Dukej, se një ditë do bëheshim pjesë e një bote më të madhe.
Ndaj si e përmenda më lart, arrestimi i Paçramit dhe Lubonjës ishte krejtësisht i papritur dhe absurd, ashtu si ishte edhe lëvizja kundër Liberalizmit. Ishte koha kur sa kishim nisur të mbanim flokët më të gjata dhe të kërkonim  pantallonat poshtë të ishin mbi 26, sepse ishte moda e pantalonave “kauboj”, ose si quhen në Amerikë “feçkë elefandi”. Ime motër do shkonte me studime në Tiranë dhe kjo rriste fantazinë për “shtëpinë bosh”, që ato kohë lidhej me vajzat, puthjet dhe “ndonjë gjë tjetër më shumë“. Vjeshta e vitit 1973 pati pak nga inercia e “liberalizmit”, por pranvera e vitit 1974 nisi me “terrorin” e heqjes së antenave, gjyqet për agjitacion dhe propagandaë dhe “kontrollin punëtor”. Në vjeshtë Beni më kishte thënë që “Todi ishte burrë i mirë, kot e dënuan”, por unë nuk kisha ndonjë simpati për të,nga koha, që kishte qënë në Korçë. Mbase nuk i pëlqeja shumicën e ofiqarëve, që kapardiseshin me pallto të mëdha ushtarake dhe çizme lëkure. Ndoshta isha ndikuar edhe nga lëvizja e një familjeje miqsh, nga ndërtesa e Bankës në një pallat të vogël në periferi, për të bërë një apartament të gjerë për Todin, sepse ishte ai apartament që i kishte pëlqyer. Ishte e padrejtë, gati e turpshme, për mënyrën se si e mendoja unë drejtësinë.

E megjithatë, as unë dhe as bashkëmoshatarët e mij, nuk arrinim të rroknim atë ç’ka kishte filluar me goditjen e liberalizmit dhe arrestimet. Flitej se në Tiranë, vetë Mehmet Shehu ndalonte në rrugë të rinj me flokë të gjata dhe se në Rinas kishin vënë një berber , që qethte të huajt. Të gjitha tingëllonin mëse absurde dhe qesharake, por për herë të parë, në shtëpi na porositën mos komentonim shumë rreth atyre, që shihnim në televizor. Për fatin tonë, zhurmuesit, që ishin përpjekur të përdornin për “jugosllavin” ishin në një gjatësi vale me radarët e ushtrisë dhe këshut, që “TVSkopje-dritarja jonë e botës” mbeti e hapur.
(vijon)

Friday 5 May 2017

Pse nuk duhej arrestuar M. F.

M. F. janë inicialet e shefes së financës së Prefkturës së Korçës. Sot asaj i janë hedhur prangat për një krim të mbetur në tentativë, për të përvetësuar rreth 4 mijë euro nga një tender i gënjeshtërt, për riparimin e dy makinave të Prefekturës.
Ka disa arsye, që më bëjnë të jem i bindur, që arrestimi i një gruaje për një krim të pakryer është një masë tejt e ashpër dhe poshtëruese.
  • Arsyeja e parë, është, që shuma është shumë e vogël dhe për këtë prokuroria mund të kërkojë pezullimin nga puna dhe të hetojë gjithë veprimtarinë e saj, që prej kohës kur ka marrë detyrën dhe më vonë të përpilojë akuza të plota.
  • Fakti , që vepra penale nuk është konsumuar plotësisht, e bën edhe më të pajustifikuar arrestimin.
  • Arsyeja e tretë, është, që po të dëgjosh audion e “Fiks Fare”, kuptohet, që ajo ose është thellësisht e dëshpëruar, ose nuk është e përgjegjshme për krimin, që kryen. Ndaj para se ta arrestojë, prokuroria duhet të kishte kërkuar një ekzaminim psiqik të të akuzuarës.
E gjithë zhurrma e madhe në media, për “krimin” e të mjerës M.F. dhe ndërhyrja e menjëhershme e Prokurorisë për ta arrestuar, në një vend, ku shkelja me të dy këmbët e rregullave të tenderave është normë, dëshmon për korrupsionin e të gjithë shtyllave të pushtetit në Shqipëri.
20-30 metra para zyrës ku punonte M.F., pa patur leje ndërtimi, pa miratim të shesh të ndërtimit, Bashkia i kishte dhënë udhë një ndërtimi shumë “të dyshimtë“, që në origjinë dhe në gjithë procedurat e tij dhe Prokuroria as luajti gishtin për ta ndalur qoftë edhe për 24 orë, deri në plotësimin e dokumentacionit.
Sigurisht, që “Bualli”, që po ngrihet në mes të Korçës nuk mund të jetë i dukshëm për Prokurorinë, sa “miza” e korrupsionit të M. F.-së.
Për më tepër, M.F. nuk di as të vjedhë!

(Dhe në këtë pikë prokurorët nuk të falin, se janë bajagi specialistë!)

Thursday 4 May 2017

Lulet e para

Të vocërra ishin farat
Me vështirësi i kapnim me sy,
Në tokë edhe gurë kishte,
Gurë të epokave kur dheu dridhej,
Kur nuk ishim ne të dy.
Mes dhëmbësh një lutje pëshpëritëm,
Të trembur mos prishnim magjinë e krijimit
Mes grimcës mikroskopike
Dhe të rëndës tokë,
Ndërsa lehtë ti farën lëshove,
Më pe
Dhe unë të bëra shenjë me kokë.
“Atë çka duhej e bëmë,
Në dheun e etur për jetë hodhëm fara,
Tani mjafton të duhemi,
Marrëzisht të duhemi;
Riti i përjetshëm
Që çel lulet e para!”

Wednesday 3 May 2017

Nemo tenetur se ipsum accusare (fund)

(vijim)
Të kthehemi tani në implikimet ligjore ose hakmarrëse, që mund të sjellin shkrimet për njerëzit me pushtet.
Sigurisht, që pushtetarët, parapëlqejnë, që për ta të shkruhet mirë, në mënyrë, që t'ju rritet popullariteti. Shumica syresh bezdisen nga shkrimet negative, por më “të rrahurit me vaj dhe me uthull”, e dinë, që është më mirë të shkruhet edhe negativisht, se sa të mos shkruhet fare. Shprehja "nuk ka publicitet të keq" vlen edhe për ta. Ndaj, në rast se sulmet janë të përgjithshme, pa "çpuar" thellë në mëkatet e tyre, nuk ka asnjë rrezik, që të të sjellin probleme ligjore. Nëse ka shkrime, në të cilat përshkruhen ngjarje, ku je i përfshirë, nuk është e pazakonshme, që "fajtorët e pushtetshëm" të të bëjnë fajtor dhe për të të venë në lëvizje gjithë mekanizmat, që të të baltosin ose edhe të të ndëshkojnë ligjërisht. 
Në botën e dytë, njerëzit e "fuqishëm" janë të pakët, por veprimet e tyre kanë efekt mbi jetët e mijra e mijra njerëzve të tjerë. Ndaj është e domosdoshme të shkruash rreth tyre. Në rradhë të parë, për të kufizuar madhësinë e dëmit, që mund të shkaktojnë tek të tjerët. Vetë mendoj, që efekti i njerëzve tek të tjerët duhet të jetë minimal. Gjithsekush duhet të bëjë jetën e tij duke qënë sa më pak i varur nga veprimet e të tjerëve. Përjashtim duhet të bëjnë vetëm udhëheqësit shpirtërorë, filozofët, mjekët, mësuesit, artistët. Bile edhe këta në mënyrë të moderuar.
Ndaj është e dobishme, që të "fuqishmit" t'i xhveshësh nga cilësitë prej heronjsh, që ju atribuojnë puthadorësit dhe servilët dhe t'i paraqitësh vërtetësisht, njerëzorë, me të mirat dhe kusuret e tyre dhe sidomos me këto të fundit, që janë ato, të cilat  shkaktojnë edhe të këqijat në jetët e njerëzve.
Po e shtjelloj këtë ide, duke sjellë shembullin e një "personaliteti" rreth të cilit kam shkruar jo pak në blog(dhe jo vetëm këtu) këto 3-4 vjet. Niko Peleshi është dikush, të cilin e kam njohur edhe kur nuk merrej me politikë, si dhe gjatë hapave të para drejt pushtetit. Ka plot njerëz, që ma përmendin edhe si "ai shoku tënd", por e vërteta është, që është një njeri, të cilin e kam njohur dhe e kam vlerësuar për shumë cilësi pozitive. Duhet të kalonte edhe shumë e shumë prova, për ta konsideruar "shok", një "emërtim", të cilin e kam konsideruar gjithnjë tejet të rëndësishëm.
Peleshi është njeriu më i fuqishëm sot në zonën e Korçës, pra me veprimet e tij, mund të ndikojë në jetën e mijra dhe mijra njerëzve. Pikërisht, të kthyerit në "njeriu më i fuqishëm" e bën të rrezikshëm si për të tjerët, por edhe për veten. Nëpunësit e lartë nuk duhet kurrë të jenë "njeriu më i fuqishëm". Ndaj shkruaj për gabimet e rënda, që bën në fushën e ndërtimeve, për monopolin e projektimeve, që i ka lënë në dorë Pit Uillsën-it, për injorimin që ju bën arkitektëve të Korçës, për venien në vende kyçe të njerëzve të pazotë, por besnikë etj. etj. Mund të shkruaj edhe rreth impenjimit të tij, inteligjencës, ambicies, oportunizmit, por e gjykoj jo të dobishme, sepse askujt nuk i shërben kjo, bile as Nikos vetë. Ka plot e plot puthadorës, bile edhe njerëz të paimplikuar deri dje, të cilët e ngrenë në qiell. Ka syresh, që i kushtojnë edhe këngë, ose vargje duke i thënë që "po le gjurmë në histori", por kjo edhe nëse ndodh nuk është në dobi të qytetarëve të Korçës. Askush sot, në këtë gjendje të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, nuk ka mundësi "të lerë gjurmë". Të tilla lenë vetëm Diktatorët, ose njerëzit me pasuri të jashtëzakonshme, ose mençuri dhe aftësi të jashtëzakonshme. Edhe bamirësi Thoma Turtulli, që i dhuroi qytetit objektet më të mëdha për kohën thuajse është harruar.
Njerëzit duhet të paralajmërohen për rrezikun, që sjellin njerzit, "që lenë gjurmë në histori", sidomos kur për këtë përdorin pushtetin. Ata rrethojnë veten me servilë, spiunë, intrigantë, sekserë, hajdutë, të cilët mundohen të zhvatin nga një copë, që ofron pushteti i njeriut të fuqishëm. Për këtë arsye janë të dëmshëm dhe përgjithësisht kanë një fund jo të mirë.
Jeta e njerëzve përmirësohet, kur pushteti dhe pushtetarët kanë sa më pak efekt në ta. Ndaj në funksion të kësaj ideje është e dobishme dhe e domosdoshme të shkruash edhe në rast se kjo do të sjellë "rrufetë" e pakënaqësive, keqkuptimeve apo dhe hakmarrjeve.

Për një gjë të madhe të mirë, nuk ka shumë rëndësi edhe nëse i bën keq vetes!

Tuesday 2 May 2017

Një gravurë fantazmagorike (Ch. B.)

Kjo hije e vetmuar nuk ka gjë në trup
Veç një kurore të shpifur, vënë për turp
Mbi ballin e saj  lëkurë e kokallë.
Pa kamzhik, mamuze mundon një gërdallë,
Po njëlloj fantazmë e ditës së qametit,
Flegrat ligavitur, si e zënë përdhesi.
Të dy e shpojnë, përshkojnë hapësirën
Infinitin ngjeshin me thundra, pa mëshirë.
Kalorësi tund një shpatë përshkënditur
Mbi turmën që kali me potkoj ka ligur,
Dhe më tej, si princi rri e kqyr kështjellën,
Varrezën e ftohtë, nga retë mbështjellë,
Ku dergjen, nën një diell të bardhë e pa jetë,
Popujt e historisë të re dhe të vjetër.

Paqja aq e munguar e njerëzve të letrave


Debati i fundit mes Kadaresë dhe Lubonjës më duket më shpresëbjerrës për Shqipërinë se sa kriza politike e fundit dhe gati e pambarimtë. Ne jemi mësuar me “kokëngrëniet” e politikanëve tash dhe 120 vjet, pa u formuar ende shteti shqiptar. Të pranishme kanë qënë edhe grindjet e të mëdhenjve të letrave, por jo aq të egra dhe absurde sa në këto 25 vitet e fundit.
Për fat të keq, protagonisti është Ismaili, i cili mund të hiqet edhe viktimë dhe jo ai , që ka hedhur i pari gurin, por mbetet në qendër të sherrit dhe më e keqja është se reagon egërsisht. Akuzat e rënda dhe gjuha e tij e ashpër ndaj Kasëm Trebeshinës dhe Rexhep Qoses tashmë po përsëritet edhe ndaj Fatos Lubonjës, i cili gjithashtu hyn në elitën e mendimtarëve shqiptarë.
Për më tepër, reagimi i fundit i Ismailit, kundërshton dukshëm ato, që përmban vepra e tij letrare apo shkrimet e tij rreth politikës dhe shoqërisë shqiptare. Ku është humanizmi europian, të cilin aq shumë e adhuron Kadareja? Ku është fryma e tij anti-diktaturë dhe anti-hakmarrje?
Eshtë interesante dhe gati paradoksale, që këta katër njerëz të mëdhenj të letrave shqipe, kanë një qëndrim të njëjtë ndaj Diktaturës dhe kur vjen fjala për të mbrojtur raportin e tyre me Diktaturën bëhen aq të pamëshirshëm me njëri tjetrin.
Unë nuk dua të bëj arbitrin mes tyre se më mungon forca e mendimit, për të “ndarë“ sherrin mes tyre. Por për një gjë jam i sigurt, se këto sherre janë shumë të dëmshme për shoqërinë shqiptare, e cila ka jo pak konfliktualitet.
“Nuk ja fal Fatos Lubonjës, që më ka denoncuar”, shkruan pak a shumë Kadareja në letrën e tij. Por Fatosi, jo vetëm që ka qënë një student 23 vjeçar, të cilit sapo i ishte arrestuar i jati; jo vetëm që nuk ka asgjë në dëshminë e botuar nga Kaloçi, që tregon dashakeqësi të tij ndaj Ismailit, por edhe sikur të kishte të tillë, Fatos Lubonja i ka shlyer të gjitha “mëkatet” me ato 17 vite si i burgosur politik. A i takon një të urti 80 vjeçar, mos falë një djalosh 23 vjeçar, të torturuar në hetuesitë e egra, të cilat vetë Ismaili i përshkruan në mënyrë rrënqethëse në veprat e tij?
Mund të thuhet, që ashpërsia e Kadaresë është e justifikuar, pasi ka shumë vite, që Fatosi e sulmon veprën e Ismailit dhe  karakterin e tij “të epshëm” në kohën e Diktaturës.
Por a nuk është në bazën e mendimit më të përparuar europian dyshimi, kundërshtimi, opinioni i argumentuar apo dhe i paargumentuar ndaj ngjarjeve , dukurive dhe personaliteteve të shoqërisë?
Të vërtetë absolute nuk mund të ketë as rreth veprës së Kadaresë dhe as rreth marëdhënieve të tij me Hoxhën, me Bllokun, me kolegët e tij, me tarafet në rrethet letrare të kohës, me Ministrinë e Brendshme. Ishte një kohë bardh e zi, por njëkohësisht edhe me qindra variacione të kombinimit të këtyre ngjyrave. Si shkrimtari më i talentuar i asaj kohe, në mënyrë të detyrueshme, ato çka lidheshin me të nuk mund të ishin as të bardha dhe as të zeza, por do kishin nuance nga më të ndryshmet, të cilat po të shkëputen nga konteksti i kohës mund të interpretohen edhe me superlativa, por  edhe në mënyrë denigruese.
Le të hidhemi edhe tek një dukuri tjetër, që pasoi letërn e Kadaresë dhe që u përsërit nga disa kundërshtarë të Lubonjës. “Ti, që ke pasur të meta të karakterit, nuk mund të sulmosh të tjerët për mungesë karakteri!” Duket si e llogjikshme, por është tërësisht e prapambetur dhe njëkohësisht e dëmshme.
Njerëz me karakter prej puritani është e vështirë të gjesh dhe sidomos mes mendimtarëve të mëdhenj. Cdo sulm për të diskretituar ata si njerëz, është sulm për të dikretituar mendimin dhe mesazhin e tyre në letra.
Lubonja ka meritën jo vetëm të angazhimit të vazhdueshëm politk, jo vetëm të integritetit intelektual, jo vetëm të futjes së mendimit humanist europian në shoqërinë shqiptare, por edhe të të qëndruarit i vetëm në beteja. Sigurisht edhe në ato, që ai shkruan mund të gjesh dhjetra gabime apo qëndrime filozofike dhe politike të diskutueshme. Në të kundërt nuk do ishte Fatos Lubonja, por Shën Fatosi.
Për të renditur vlerat e mëdha të veprës dhe të mendimit të Kadaresë, do duheshin qindra paragrafë.
Duke qënë më i madhi sot në botën e mendimit shqiptar, i bije atij të hedhë hapat drejt paqes aq të munguar mes tij dhe të mëdhenjve të letrave.
I bën mirë jo vetëm Ismailit.
I bën mirë edhe politikës shqiptare.

I bën mirë edhe atyre të rinjve, që nuk e kanë për gjë të nxjerrin armët në kafenenë e fshatit.

Monday 1 May 2017

Muzës

Ti veshit më pëshpërit vargje
Që habinë më sjellin kur i shkruaj,
Dhe pas gdhendjes në trungun e Poezisë,
I harroj.
Në cilat frymëzime të hershme ti netëve shëtit?
Cila Perëndi të jep sisë?
Përse ngulmon, që t’i botoj?
Nuk ka tjetër kush t’i stisë?
Mos më sill vargje të mbledhura,
Kafkave të hijshme të Shekullit të Artë;
Më lerë të hedh ato që ndjej,
Të thjeshtat lutje,
Dritën e dëshpërimit,
Të le në kartë
Dhe më pas i lumtur të të puth në buzë,
Nga shkëndijimet e rimave të ndriçohemi,
Mes gishtave mpleksur të shtrydhim strofat,
Unë dhe ti,
E imja Muzë.

Nemo tenetur se ipsum accusare (4)

(vijim)

Përsëri u largova nga tema, që përcakton maksima, që përbën titulli i këtij shkrimi.
Duke shkruar rreth njerëzve me emraa të veçantç, sipas ekspertëve ligjorë, rrezikon të inkriminosh veten në ngjarje, ku ke qënë i pranishëm dhe përbëjnë krim, mund të jesh objekt i një procesi për shtrembërim të figurës, ose edhe thjesht mund të jesh viktimë e një hakmarrje të mundshme të subjekteve, rreth të cilëve shkruan.
Këto pasohen me një numur pyetjesh retorike dashamirëse si : "Po ty ç'të duhet?!", "Kur s'ke pula pse dava me dhelprën?!", "Shkrimet as të paguhen, pra ç'ke?", "Me shkrime do e rregullosh dynjanë?!" ose me pyetje po retorike, por dashakeqe si: "Ke ndonjë inat me filanin?", "Je i parealizuar dhe nxjerr mllefin?", "Nuk rri dot pa nxjerrë zhabat nga barku?", "Po ka ndonjë njeri, që të pëlqen ty?" e të tjera të ngjashme me to.
Edhe pse përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve (përgjigje, të cilat nuk i kërkojnë pyetësit), i takojnë një shkrimi për botën e tretë (universin brenda nesh), po përgjigjem duke përdorur për ilustrim, një koment të poetes Zhuljana Jorganxhi, rreth një shkrimi tim për veprimtarinë e Todi Lubonjës në Korçë. "...nuk ju lejohet të ofendoni me epitetet më denigruese korçarët e tjerë. Me Andrea Themelin jemi rritur. Talent qysh fëmijë! Rikardo, im vëlla, shkëlqeu që më 1957...(rendit disa vepra të tij)...Krijoi, drejtoi orkestrën simfonike të Korçës..."shkruan Zhuljana.
Sigurisht, që nuk kam pasur asnjë mllef dhe asnjë dëshirë të denigroj as të ndjerin Andrea Themeli dhe as Rikardon. Ata ishin përmendur në shkrimin tim, në funksion të argumentit, që nuk ishte e vërtetë, që Lubonja përkrahte më të talentuarit, më modernët dhe më të shkolluarit. "Epitetet denigruese" për ta ishin "mediokër dhe pa shkollimin e plotë" për Themelin dhe "pa ndonjë talent dhe intelekt" për Rikardo Jorganxhiun.
I ndjeri Andrea Themeli, që pas burgosjes së Lubonjës, duket që edhe shëndeti nuk i shkoi mirë, ishte vërtet një piktor mesatar dhe kishte përfunduar vetëm Liceun Artistik. Edhe pse "mediokër" jep një ngjyrim pexhorativ, personalisht mendoj se shumica e artistëve janë mediokër. Këtu pa u drojtur fus edhe veten time. Nuk e pata cilësuar as "të dobët" dhe as "të paaftë", për të thënë që po e denigroja. Jam i bindur, që të gjithë ata, që njohin artet figurative në Korçë janë të këtij mendimi.
Sa për Rikardon "e gjorë", isha treguar jo i sinqertë me veten, se mendimi im(dhe i të gjithë atyre, që e njohin) është, që Rikardoja ishte një "budalla i lindur". Ndoshta edhe ka pasur një farë talenti për muzikant, por ishte kaq " i patru", sa jo vetëm që nuk mund të krijonte orkestër sinfonike dhe ta drejtonte, por mund të "shkatërronte pa dashje" çdo gjë , në të cilën vinte dorë.

Po e nënvizoj, që këta dy artistë, nuk do kishin zënë ndonjëherë vend në shkrimet e mija, po të mos ishte fakti, që doja të tregoja se cila ishte "fytyra e vërtetë perëndimore" e Todi Lubonjës në Korçë. Ai nuk zgjodhi të "bëhej mik" apo të përkrahte artistë dhe letrarë me formim perëndimor të mirë, të cilët edhe pse e mbanin fshehur, ishin kundër realizmit socialist. Dhe të tillë në atë kohë Korça kishte jo pak, duke filluar me Sokrat Mion, Vangjush Tushin, Kiço Venetikun, Kristo Konon, Gaqo Pecin, Rafail Dembon, Boris Plumbin e të tjerë emra, të cilët edhe mund t'i kem harruar.

(vijon)