Wednesday 28 December 2022

"Objektiviteti" i epërm


Ka pasur disa nga kritikët e shkrimeve të mija, që më akuzojnë për "mungesë objektiviteti". Kjo për shkrimet që lidhen me arkitekturën dhe me politikën. Eshtë më mirë se të të akuzojnë për shpifje apo gënjeshtra. Ndonëse më duket e pamundur të jesh plotësisht objektiv kur shkruan për zhvillime politike dhe shoqërore, përfshi këtu urbanistikën dhe arkitekturën, të cilat nuk janë shkenca ekzakte, them se për një autor është me vlerë nëse përpiqet të jetë sa më pranë të vërtetës objektive. Sepse "objektiviteti" ipastër ekziston vetëm në laboratore.

As nuk pretendoj se kam shumë "objektivitet" në ato , të cilat shkruaj, sepse gjithshka që del nga "koka" ime ka kaluar në shumë filtra "subjektive", të cilat kanë të bëjnë me formimin tim shoqëror, politik dhe profesional. Shto këtu edhe ndjenjat për grupe shoqërore të caktuara, ideologji të caktuara dhe individë të caktuar. Ndaj nuk ka se si të jem objektiv.Unë nuk mund të nisem të shkruaj për dukuri pozitive në Gjermaninë e Hitlerit edhe pse mund të ketë pasur të tilla. Filtrat e subjektivitetit tim më "ndalin" të shkruaj për atë lloj teme. Po kështu,për shembull, do i shmangem shkrimeve kritike për disa vepra të Valter Gropiusit për shkak të adhurimit që kam për figurën e tij si arkitekt. Shembuj të tillë mund të sjell me dhjetra.

Po a më bëjnë këto filtra, që realitetin shoqëror, politik dhe ndërtimor në Shqipëri ta shoh me syze të errëta? A kanë të bëjnë me atë, që dua të them në një lloj mendimi subkoshencial, që kam marrë një vendim të duhur që jam larguar nga Shqipëria? 

Një nga arsyet e asaj që quhet "mungesë objektiviteti" tek shkrimet e mija ka të bëje me një fakt "objektiv", që unë i mëshoj kritikave në to. Si e kam përsëritur, më duket jo e dobishme të shkruaj për "punët e mira" të qeverive qëndrore apo atyre vendore,sepse jo vetëm që ka një numur të madh papagajsh, të cilët e bëjnë këtë gjë, por gjithashtu mendoj se "të mirat" e burokracisë shqiptare janë ku e ku më të pakta se kusuret e tyre. E njëjta vlen për ndërtimet, arkitekturën dhe urbanistikën. Shembujt negativë mbizotërojnë dhe gabimet nuk janë gabimet që bën cilido profesionist i fushës, por "faje" të detyruara kryesisht nga një sistem korruptiv bashki-investitor-arkitekt.

Eshtë e vërtetë që jo gjithshka është bardhezi në shoqërinë, politikën dhe arkitekturën shqiptare. Po ashtu nuk mund të jenë personazhe bardhezi Berisha, Rama, Meta, Peter Uilson, Niko Peleshi dhe të tjerë persona publikë të stigmatizuar në shkrimet e mija të shumta të 11 viteve të fundit. Por nëse "pesha"  e tyre në zhvillimet shoqërore dhe ndërtimore në Shqipëri rëndon shumënga negativiteti, atëhere mendoj se jam më tepër "objektiv" se sa ata që ju thurrin elozhe apo nga ata që sillen si "qingji i butë, që pi dy nëna". Në këtë botë, kur "public relations" kanë marrë rëndësi më shumë se kurrë, dhe kur të gjitha llojet e mediave kontrollohen nga regjimet, është e domosdoshme të shkruash në mënyrë kritike edhe nëse të akuzojnë për mungesën e një "objektiviteti të epërm". 

Ky i fundit i takon Olimpit dhe jo vdekëtarëve. 

Tuesday 27 December 2022

Absurditetet e një regjimi


Po bëhet një vit, që nga botimi i librit tim "Biseda të pakryera me babanë". Të tjera gjëra mësova, pasi njerëzit e patën lexuar, që më bindi se për jetën e një njeriu nuk do mundesh kurrë të shkruash një libër biografik shterues. Nga shumë njerëz mësova episode të jetës së tij, të cilat nuk i dija, si dhe gjëra që më befasuan.

Por tek dosja e tij në Arkivin e Shtetit, që mu dërgua me foto nga miq të një mikeshës sime, mësova gjëra që edhe vetë babai nuk i kishte ditur. Kryesisht lidheshin me përjashtimin e tij nga Partia e Punës dhe shqyrtimin e kërkesës së tij, që ai vendim të konsiderohej i padrejtë. Pata lexuar prej vitesh kërkesën e tij, që ai e ruante në dokumentet personale, por nuk kisha ditur se ç'kishte ndodhur më pas. Ai vetë nuk donte të fliste rreth përjashtimit nga Partia dhe një herë të vetme, që e kishim prekur, më pat treguar se pas suksesit të operas “Lulja e Kujtimit”, Ramadan Xhangolli, asokohe Sekretar i Parë në Korçë, i kishte thënë të bënte lutje për të hyrë në Parti. Babai nuk i kishte kundërshtuar, por nuk e kishte bërë atë gjë.

Tek dokumentat që janë në dosjen e tij, (si anëtar partie kishte një të tillë në Komitetin Qëndror), dëshmohet për gjithë procesin e shqyrtimit të kërkesës së tij të vitit 1951, që vendimi i Pleniumit të Partisë së Korçës për përjashtimin e tij nga Partia i korrikut 1950 të hidhej poshtë. Procesi është i gjatë dhe i gjykuar me standartet e sotme, absurd. Në njëfarë mënyre tregon se Partia i merrte "seriozisht" ankimet e anëtarëve të saj. E vërteta është se Partia nuk kishte shumë për të bërë me aparatin e saj burokratik dhe një pjesë e administratës së saj të fryrë, duhet të merrej me "verifikimin" e problemeve të ngritura në bazë. Punonjësit në fjalë, që ishin instruktorë të Komitetit Qëndror ose punonjës të sektorit të kuadrit në atë institucion, shpenzonin ditë të tëra me dieta për të takuar njerëz dhe për të parë materiale që lidheshin me kërkesë-ankesën.

Në rastin e kërkesës së Andon Marës, për përjashtim të padrejtë nga Partia, nuk mjaftonin dokumentat e tij, ku dëshmohej se arsyet e përjashtimit kishin qënë të rreme, por e dërguara e Komitetit Qëndror, Shpresa Fuga, duhej të takonte një për një të gjithë personat e përfshirë në atë histori dhe më pas të relatonte në Kolegjiumin e Komitetit Qëndror. Të bën përshtypje, se megjithëse pak vite pas mbarimit të Luftsës, ishte krijuar një burokraci e tipit të ri, që shpenzonte paratë e njerëzve për gjëra thuajse të kota. Vërtet, që shpesh kërkesë-ankesat kishin të bënin me fatin e jetës të një individi, por kjo

është një dëshmi më shumë se ishte nje aparat shtetëror që sundonte jetët e njerëzve në mënyrë arbitrare.

Në shënimet e raportuara nga Shpresa Fuga dhe me siguri "për përdorim të brendshëm", sheh sjelljet e ndryshme të njerëzve, të cilat im atë nuk i mësoi dot kurrë. Frika i detyronte të njohurit e tij të modifikonin qëndrimet e tyre dhe të jepnin përgjigje në kundërshtim me të vërtetën ose përgjigje "as mish as peshk".

Nga 9 arsyet e renditura në vendimin për përjashtimin nga Partia, duke qënë se edhe vetë funksionarët e lartë e shihnin se pjesa dërmuese ishin qesharake, “hetimi” ishte përqëndruar në dy pika. A kishte qënë Andon Mara nën ndikimin e Niko Xhoçkës dhe a kishte dezertuar nga rradhët partizane në tetor të vitit 1943.

Pas një përvoje të madhe jete, gjithnjë e më shumë më duket absurde dhe dashakeqe sjellja e shumë njerëzve të ashtuquajtur komunistë ndaj një njeriu, të cilin e quanin shok dhe bashkëluftëtar të një ideali. Diçka thellësisht negative dhe jonjerëzore kishte qënë në pikënisjen e atij organizimi, që pretendonte se do përpiqej të luftonte për barazinë dhe begatinë e të gjithë njerëzve. Askush nuk shihte faktet më të thjeshta të jetës të një të riu si Andon Mara. Një nënshtetas turk me origjinë shqiptare, që gjithë adoleshencën dhe rininë e tij quante Stambollin atdhe, i ishte bashkuar çështjes së çlirimit të Shqipërisë dhe thuajse kishte humbur jetën në një përpjekje me gjermanët. Më pas, e kishin pranuar në Parti dhe sipas numurit të teserës duhet të ishte komunisti i 519-të . Vetëm 6 vjet më vonë i mohonin thuajse çdo gjë që kishte bërë për vendin dhe për atë organizatë, e cila kishte marrë pushtetin dhe që ishte Partia Komuniste.

Si funksiononte ky grup njerëzish jo shumë i madh?

(vijon)

Monday 26 December 2022

Shtojcë për rrëfenjën “Gramshiotët”


Më shumë se shtojcë, ky është një sqarim për publikun, pasojë e një deklarate të Zyrës së Marëdhënieve me Publikun të Bashkisë Korçë. Deklarata zyrtare e Zyrës është e gjatë, por kryesisht linjat e saj ishin “sulm i turpshëm i nxitur nga motive paraelektorale”, “hedhje balte mbi dy këngëtare të shquara”, “mashtrime të ulëta rreth një gjoja marëveshje me pallanxë“, “epitete fyese ndaj personaliteteve që e kanë bërë Korçën këtë që është sot” dhe “racizëm ndaj një zone të shquar të Shqipërisë, si zona e Gramshit”.

Duke qënë se akuza më e rëndë për mua është ajo e racizmit, më duhet ta nis përgjigjen time të përmbajtur me qëndrimin tim ndaj Gramshit dhe gramshiotëve. Unë nuk kam qënë asnjëherë në Gramsh dhe nuk njoh asnjë gramshiot. Në rrëfenjën “Gramshiotët” që është më shumë përrallë se realitet, e përdora rrethin fqinjë pikërisht për shkak të një mistiçizmi të tij. Më është dukur gjithnjë një zonë e pështjellë me misterin që sjellin objektet ushtarake, uzinat e prodhimit të armëve dhe lidhja e tyre e tërthortë me komunistët dhe Antonio Gramshin. Dhe pikërisht edhe për të shmangur një keqinterpretim politik zgjodha atë zonë dhe jo Skraparin, që mund të quhej si mbështetje nga ana ime e kandidatëve të Ilir Metës.

Në rrëfenjën time nuk ka asnjë fyerje ndaj dy këngëtareve të njohura veç elozheve. Ndoshta zgjedhja e emrit të lokalit  “Spice girls” mund të ishte më pak erzore, pork jo nuk do të thotë se po i merrja erzin as këngëtares-këshilltare dhe as këngëtares Mizar. Nëse padrejtësisht për njërën prej tyre kisha përdorur peshën dhe tulet, kjo ishte e figurshme se zëri i saj më ngjan shumë me atë të këngëtares Adel. Dhe në një fazë të karrierës së saj, kjo e fundit vërtet peshohej në një pallanxë elektronike.

Po sqaroj edhe se dy grupfjalët që përdor për dy personalitete të shquara të qytetit, nuk janë aspak fyese, por venë në pah cilësitë e tyre më të mira. Nicolo DiLana (për hir të së vërtetës e kam të kopjuar nga një miku im që njeh mirë gjuhët latine) është projektimi latin i emrit të Niko Peleshit për ta larguar nga çdo deformim dashakeq si filogrek që përdorin herë herë armiqte e tij, të cil[t e quajnë Nikolaqis Pelesis. Ndërsa po të zgjidhja një kafshë për të përdorur si “nofkë“ për Raqi Filon, vetëtimthi do shkruaja “fajkoi”. Eshtë thjesht buzëqeshja e tij me gojë të hapur, që të krijon përshtypjen e rreme se në çast do i bien jargët, që më detyron të përdor dyfjalëshin e pagoditur “Ligaveci Gollash”.

Kjo është përgjigja ime shumë zyrtare për deklaratën e Zyrës, që njëkohësisht mund të shërbejë si sqarim për lexuesit, dy këngëtaret dhe të gjithë gramshiotët që jetojnë në Gramsh, Shqipëri dhe më gjërë.

Qumështori

 

Unë ja di emrin Qumështorit, por këtu po parapëlqej të shkruaj nofkën e tij, që jo të gjithë ja dinë. Qumështori ka një moshë jo fort të dallueshme ndaj shumë lehtë mund të thuash se është 42 vjet, por nuk gabon shumë edhe nëse thua 70. Kjo nga që ka “baby face” dhe mbase është arsyeja kryesore që i kanë ngjitur nofkën Qumështori. A ndoshta e pëlqente shumë këtë gatim të anëve tona, që është e zorshme ta gjesh në ndonjë lokal. Nuk është e pazakontë në anët tona që dikush të njihet me emër gjelle ose ëmbëlsire, nga që e pëlqen shumë, ose ka karakter që të kujton ëmbëlsirën ose gjellën. Kështu një këngëtar njihet me nofkën Turta, një shofer e thërresin Comleku dhe një ish-hetues Akullorja.

Dikur, në vitet e largëta të ndryshimit të sistemit, për arsye të paqarta politike, njëra nga partitë në pushtet (e majta ose e djathta) e kishte futur në burg Qumështorin se ishte ose i majtë ose i djathtë. Qumështori kishte bërë pak kohë brenda, por kjo nuk kishte ndikuar as në shëndetin, as në buzëqeshjen e tij dhe as në fytyrën e tij të parrudhë. Kishte mbetur po aq i qumësht.

E dallova nga larg ndërsa vinte drejt meje në trotuar dhe i fola. Më ktheu përshëndetjen, por nuk i ndali hapat. “Kot më fole”- i thashë“se nuk më njohe.” “Si o s’të njoha!” mu përgjegj dhe ndali. “ E kush jam?”-vazhdova me mënyrën time ngacëse. “Ti je ay…ay i Kanadasë!”- dhe ndërkohë picërroi sytë për të kujtuar emrin, që nuk i vinte ndërmend. “Cili ay i Kanadasë?” “Po dale bre se në gojë e kam…edhe të kemi zënë në gojë pardje….që shite shtëpinë….edhe që shpërdorove bibliotekën e titeti!” dhe më zuri dorën për të mos më lënë të ikja pa më kujtuar emrin.

E pashë që Qumështori me të vërtetë e dinte se cili isha, por nuk i kujtohej emri im. Kurse unë ja kujtoja edhe emrin edhe nofkën. Edhe që e kishin futur në burg të shtyrë nga motive politike. Por i sëndisur nga akuza për “shpërdorim biblioteke të tim eti” nuk ja thosha emrin. Mendja më shkonte në disa kafene të qyetetit tim, ku shkojnë kohën Qumështorët, Asudet, Sodhanikët, Ashuret, Pispilitë dhe gjithfarë njerëzish të tjerë me nofka ëmbëlsirash ose llojesh të tjera gatimi dhe tjerrin për të bërat e të pabërat e të tjerëve. Dhe nuk e bëjnë se janë dashakeqas.

Thjesht nuk kanë se ç’bëjnë!

Sunday 25 December 2022

I bukuri Krisht dhe fëmijëria jonë


Nuk kujtoj se në ç’vit kam mësuar për Krishtin. Për Perëndinë e di që kemi folur me shokët e mij kolopuçë në oborrin e gjelbëruar të kopështit 10. Në shtëpi nuk flitej me hollësi rreth çështjeve fetare, por Perëndia dhe Zoti ishin të pranishme, veçanërisht në fjalët e sime mëje. Kryesisht si shprehje abstrakte “Perëndia përpara”, “do Zoti”, “ka një Perëndi që i shikon” e të tjera të tilla. Nuk kujtoj të kishte shprehje ku përmendej Krishti qoftë si bir i Perëndisë dhe as si Shpëtimtar. Edhe edukatoret e kopështit nuk i preknin temat fetare, duket të orientuara nga seksionet e arsimit.

Edhe ato dy tre herë që mamaja më kishte marrë me vete në Kishën e Mitropolisë nuk kujtoj të më kishte thënë gjë se cili ishte Krishti mes ikonave të shumta me burra mjekërgjatë, të cilat më shkaktonin një ndjenjë frike. Ka të ngjarë që për herë të parë të kem pyetur babanë për Krishtin, pas mbylljes së kishave dhe rritjes së propagandaës fetare. Ishte një kohë që me bashkëmoshatarët debatonim nëse kishte apo jo Perëndi dhe nëse vërtet kishte jetuar Krishti. Im atë u përgjigj me shumë kujdes, që ka shumë diskutime nëse vërtet ka jetuar Jezui dhe se ka një teori, që shumë mësime të tij janë të shkruara nga Shën Pavli, i cili është një personazh i njohur historik edhe nga shkencëtarët. Ime më ishte e sigurt që Krishti ishte i vërtetë dhe kishat i kishin mbyllur kot, por nuk zgjatej shumë në këtë temë, se si për çdo gjë tjetër theshte që duhet të pyesnim babanë “se ai dinte”.

Një shoqja ime e mëhallës ishte e sigurt që Krishti kishte jetuar, se ja kishte thënë e jëma. Më bënte përshtypje një “deklaratë“ e tillë, se e dija që ishin shumë të lidhur me Partinë. E megjithatë refreni jo zyrtar i bisedave me njerëzve që njihja ishte “…po ç’ju bënin kishat këtyre! Feja për mirë të mëson!” Kjo ishte një bindje e brezit tonë, që po edukohej si një brez ateistësh, por që kishte mall për Karnavalet, Ditën e Kolendrave, Panairet dhe festën e Pashkëve. Po rriteshim si fëmijë pa festa ose më mirë si fëmijë vetëm me Festën e 1 Majit, kur parakalonim para tribunës, ku rrinin shokët e Partisë në rreth dhe një i deleguar nga Tirana.

Më pas dëgjonim duke qeshur histori debatesh si “Krishti nuk ka ekzistuar!” / “Edhe Stalini nuk ka ekzistuar!”/ “Unë e kam parë në kinema Stalinin.”/ “Edhe unë e kam parë në kinema Krishtin!”/ “Shokët e mij ja kanë parë varrin në Moskë!”/ “Edhe shokët tim ja kanë parë varrin në Jeruzalem!”. Debati ishte mes dy mekankësh në Trikotazh dhe njëri prej tyre ishte komunist, kurse tjetri ende besimtar.

Festa e Krishtlindjes ishte thuajse e sfumuar nga Festa e Vitit të Ri, që kishte marrë bredhin dhe stolitë, si dhe Santan, që ishte kthyer në Babagjyshi i Vitit të Ri, sipas modeleve sllave.

Madhështia e njeriut që ndryshoi përfundimisht Historinë e Njerëzimit me predikimet e tij nuk ishte e pranishme në fëmijërinë tonë dhe ne vazhduam të ushqeheshim me një filozofi prjashtuese, që na formoi si thellësisht injorantë në çështjet më themelore të filozofisë dhe moralit. Shumë prej nesh e vuajnë ende këtë keqformim mendor dhe nuk janë në gjendje të kuptojnë përse Historia ndahet në para Krishtit dhe pas Tij. As të kuptojnë Bukurinë e pasosur shpirtërore të Tij!

Saturday 24 December 2022

Harromë (Oublie moi- Ginette Reno)

Mos mendo më që të dua

Nuk ka ç’të bëjmë më të dy

Ai më do

Dhe nuk doja vërtet që ti të vuash,

Por dashuria erdhi si marrëzi

Mos e mbaj mendjen, kuptomë ti

Dua të prehem veç tek ai.

E di sa dhimbje kjo të sjell

Ndoshta tashmë të keqen ndjell

Por harromë, harromë, më harro.

Mos u mbaj ende n’ajo dashuri

Veç keqardhje do sjellë tek ti

Ndoshta dhe ti do gjesh një tjetër

Mos u var më në dashurin’ e vjetër.

Harromë, harromë më harro.

Hidh sytë përreth

Jo çdo gjë mbaron.

Dikush tjetër vjen

Dhe një jetë të re fillon

Harromë, harromë, më harro.

“Plak merak”

 

Nje shishe mezkali ka këtë markë. Në origjinal “Viejo indecente”. Ma ka dhuruar për Krishtlindje ime bijë, që nuk di as spanjisht dhe as italisht, se në të kundërt nuk do kishte zgjedhur këtë markë. Me siguri e ka blerë si më të mirin ndër mezkalët. Eshtë meritë e saj, që unë njoha këtë pije meksikane, që më pëlqen shumë.

Mezkali është një lloj tekile e trajtuar me tym, që i jep një shije të veçantë. Nuk di nëse në Meksikë e pëlqejnë më shumë pleqtë, por unë vërtet e kam shijuar edhe më shumë se rakitë tona të mira.

E përktheva “plak merak” duke u nisur nga etiketa, që tregon syrin e një xhaxhoje pas vrimës së çelësit. Me një fjalë aq i efektshëm mezkali, sa i ngre mendjen (dhe jo vetëm mendjen) një gërxhoje, që në pamundësi të gjejë partnere, shkon e përgjon në dhomën e gjumit të një çifti të ri. Ku e ku më keq se “Plak topall dhe ashik” i Nolit. Ashiku i Nolit nuk përgjonte të tjerët. Veç ndiqte një shumë të re në moshë.

Prirja ime e re për mezkal më ngatërron shumë gjëra në jetë. Mbi të gjitha se ç’lloj rumi më takon të pi. Këtë pranverë vizitova lokalin e njohur “Hemingway” në Tiranë, ku shërbehet kryesisht rum. Një lokal i vogël, por me klientelë speciale. Dukej se linjat politike përcaktoheshin atje dhe transksionet kryesore financiare kryheshin në “Hemingway” nën tingujt e muzikës xhaz dhe nën efektin dobiprurës të një gote me rum special.

Pas një interviste 12-14 minutëshe nga një nga vëllezërit pronarë të “Hemingway”, ku kishte pyetje rreth profesionit tim, llojeve të pijeve që pëlqeja, ushqimeve më të preferuara dhe orientimit seksual, rezultoi se rumi që më përshtatej ishte Abuelo 12. Dhe vërtet sa hoqa gllënjkën e parë të Abuelo 12 u ndjeva si në qiellin e pestë. E dija që në qiellin e shtatë do shkoja pas gotës së tretë ndaj piva vetëm dy gota. Një e tillë tek “Hemi” kushton rreth 25 dollarë kanadezë, pak a shumë trefishi i të njëjtës gotë në një bar të zakonshëm kanadez. E theksoj “i zakonshëm”, sepse “Hemingway” nuk është i tillë. Atje mund të takosh Lali Erin, Nicolo DiLanan të birin e Sorosit dhe shumë punonjës ambasadash dhe NGO-sh, që të bëjnë të ndjehesh se je pjesë e “diçkaje”. Dhe “diçkaja” tek Hemi nuk është diçka e zakontë.

Do rikthehem tek “Hemingway” sa të më jepet mundësia për të uruar Erin për fitoren e mandatit të tretë dhe për të rektifikuar llojin e rumit që më shpie në ato qiej të bukur, ku nuk kam nevojë të ve syrin në një birë çelësi për të parë se si bën sevda Suelka me një nga partnerët e saj zyrtarë ose jo.

Realitet

 

Burri me një çorape të lëkurtë deri në gju, që nuk ishte çizme më pa vëngër. Nuk donte që unë të shkoja të shihja ndeshjen e futbollit në apartamentin e tij. Dhe ishte një shikim i ngutur, se më pas gjithshka po përmbytej nga një sasi uji që vinte nga kati i sipërm i banesës shumëkatëshe. Dikush kishte hapur deri në fund të gjitha rubinetat e apartamentit të tij dhe uji vërshonte. Nuk qulleshin vetëm muret, po gjithshka brenda asaj ndërtese me dy hyrje. Kati përdhe ishte mbushur tashmë nga uji dhe askush nuk guxonte të ngjitej në katin e fundit të ndalte marrinë e banorit të çmendur. Dukej që edhe më parë ai kishte bërë diçka të ngjashme. Telefonuan një kompani të punimeve për shkarkimet e ujrave. Specialisti arriti menjëherë me një kamionçinë dhe nisi nga puna. Ju shpjegoi të pranishmëve të shqetësuar se i gjithë problem qëndronte në shkarkimet, se nëse do ishin projektuar që të tërhiqnin më shumë se ç’ishin prurjet nuk do kishte ndodhur përmbytja e katit përdhe. Një neglizhim i vogël në projektim dhe pat ndodhur hataja. Ose banorët e pavëmendshëm patën hedhur materiale të patretshme në ujë, në WC-të e tyre dhe tubancioni përmbledhës nuk kishte më seksionin e duhur për të përballuar një shpërthim të papritur të ujit, ose marrëzinë befasuese të një individi apo individeje. Ndërkohë uji po ngjitej edhe në katin e parë, dhe nga një dritare e mbetur hapur e katit përdhe dilnin bashkë me ujin legenë plastikë, të brendëshme burrash, tharëse flokësh dhe këpucë të vjetra. Gjithshka që mundte të pluskonte në ujë. Nuk mund t’i thoja specialistit të shkarkimit që duhet të nxitonte, sepse nuk isha banor i atij pallati. Burri me një çorape të lëkurtë deri në gju do vazhdonte të më shihte vëngër dhe bashkë me të mund të më suleshin edhe banorët e tjerë të tronditur nga dëmi që po ju shkaktonte prurja e ujit që ishte më e madhe se sa shkarkimi. Ndërkohë specialisti me një pistoletë të madhe ndërtuesish kishte nisur të zgjeronte tubin shkarkues prej betoni, që çuditërisht ishte në një vend të thatë. Ndoshta ishte një tub shkarkues i gabuar, ose çdo gjë ishte tharrë papritur. Dukej që marroku kishte mbyllur rubinetat. Banorët ishin rreshtuar tashmë me kurriz nga pallati me nga një kuti të madhe kartoni me gjithë gjërat e tyre të vlefshme, që kishin marrë nga apartamentet e tyre dhe prisnin të vinte banori i çmendur. Specialisti i shkarkimit vazhdonte të zgjeronte grykën e tubit shkarkues prej betoni me një zell të admirueshëm. Unë prisja të shihja kur banorët t’i hidheshin në grykë të çmendurit që ju kishte përmbytur apartamentet. Marroku I qeshur nisi t’ju jepte të gjithëve nga një peshk të ndryshëm të gatuar. Ata nuk flisnin dhe as unë nuk bëzanja. Marroku ishte një shulak gjithë muskuj, me një kokë rrumbullake, nga ato që kanë njerëzit që nuk ndalen para asgjëje. Kishte edhe një buzëqeshje deliri në fytyrë. Vazhdonte të shpërndante peshqit e shumëllojshëm tek çdo banor i vënë në rresht ndërsa specialist i shkarkimeve kishte përfundur zgjerimin e tubit kryesor dhe i pat vënë një kapak katror për të mos lejuar erërat e gjirizave të prishnin ajrin e asaj dite kataklizme.

U zgjova dhe në kuzhinë tavani pikonte nga shirat e vazhdueshëm. Mendimi i parë që më përshkoi trurin e lodhur nga ëndërra ishte : “Kushdo e di vetë ku i pikon çatia. Mua më pikon në kuzhinë mbi tavolinën e ngrënies, mbuluar nga dhjetra fletë faturash, shkrimesh të printuara, materiale të sigurimit të shtëpisë dhe makinës dhe ofertash për të blerë ushqime të gatuara për një vit të tërë.”

Nuk është një stinë e mirë që të të pikojë çatie se dimri sa ka nisur dhe është e vështirë për të ndërruar të gjitha “shingles”. Për më tepër të gjithë ndërruesit tani janë me pushime dhe duhet të presësh janarin, që të vijnë ta shohin dhe të të tjapin një vlerësim, pastaj të të përcaktojnë një javë të mundëshme me ngrica po pa rreshje, që të jenë të lirë dhe që mund të jetë rreth shkurtit apo marsit. Deri atëhere mua do më duhet që të çvendos tavolinën e ngrënies në një nga kthinat e tjera të shtëpisë për të shpëtuar të gjitha fletët që më duhen dhe ato që nuk më duhen nga pikat e ujit. Dhe duke shpresuar që pika të tjera nuk do nisin të rrjedhin në kthinat e tjera. Nëse kjo ndodh duhet të zbres në katin nëntokë bashkë me tavolinën e ngrënies në pritje të kohëve më të mira. Më pas gjithshka do rikthehet në normalitet dhe unë do rinis të shoh ëndërrat e zakonshme me provime ku jam fishek dhe me diplomë që nuk më jepet për shkak të një note pakaluese të shkollës së mesme.

Friday 23 December 2022

Sot, dita e Shen Naumit


Nuk e kam te qarte pse ortodokset korcare i quajne ditet kur festohet

jeta e nje shenjti te caktuar, i quajne Dita e Emrit dhe duhet te festojne

te gjithe ata qe kane te njejtin emer si shenjtori perkates. Gjithsesi, sot

me shume se te tjeret festojne Naumet, qe e kane marre emrin e tyre hebre

nga i mirenjohuri Naum i Ohrit. Eshte nje emer i njohur me shume ne boten

sllave dhe ate shqiptare, se eshte shume i rralle, ose jo i pranishem ne

boten greke.

Dikur, ne nje shkrim timin, te titulluar "Esse per emrin dhe veten", jam munduar

te nenvizoj idene e njohur se nuk e ben emri njeriun, por njeriu emrin. Kam pershkruar

edhe variantet e shumta me te cilet me njohin dhe me drejtohen njerez te ndryshem

nga Naumaq, Naum, Nume, Nuci, Nuni, Nune, Nucke e tani se fundi, anglishtfolesit- Norm.

Asnjehere nuk me eshte bere vone ose kam parapelqyer ndonje variant. Mjaftonte te

me drejtoheshin dhe te me thoshin ato qe mendonin per jeten, kohen, filozofine,

letersine, arkitekturen, pikturen apo sportin. Kjo besoj ka ndodhur edhe me shume

te tjere, qe kane te njejtin emer. 

Im ate, qe kishte nje dashuri dhe adhurim per te jatin, me vuri emrin e tij dhe

per perkedhelje, ne traditen e Greqise dhe Shqiperise i shtoi prapashtesen "aq". 

Ne te gjitha dokumentat une jam Naumaq Mara, dikur nje femije sherret dhe qe krijonte

probleme ne shkolle. Edhe para dy muajsh, ish-mesuesja ime kujdestare deklaroi

ne pranine edhe te disa te panjohurave -"Nuk ishte e lehte te kishe ne kujdestari

nje Naumaq Mara!" Emer mbiemri im, ne pergjithesi ne rrethet shkollore permendej

per zullume.

Po nuk eshte kjo arsyeja, qe dekadat e fundit, une kam nisur te perdor ne shkrime

variantin "Naum Mara" te emrit tim. As se ndonje dashakeq do te ironizoje tingellimin

e emrit tim te plote, si ndonje bibe, qe kujton se do me dogendise duke shkruar

"Naomaq". Pasi mbarova studimet ne Tirane, shume te njohur, perfshi edhe shoket e mij

te ngushte, nisen te largoheshin nga varianti "Nume" dhe te me therrisnin "Naum".

Edhe pse nuk di si me tingellonte ne fillim, edhe une nisa te familjarizohem me

variantin "me te moshuar". Me pas, kur nisem te projektonim privatisht, per shkak

se ne stampen e projekteve emri Naum Mara zinte me pak vend, nisa ta perdorja edhe

zyrtarisht.

Ndaj tani emri eshte thuajse identik me ate te gjyshit tim, Naum Andon Mara, ne saje 

te nje tradite te shume brezave, qe alternonin emrat e meshkujve nga Andon ne Naum.

Por si do te duan te me drejtohen ata qe me duan dhe vleresojne, bashke me ata qe

nuk me duan dhe vleresojne, une nuk kam asnje kundershtim. Nje variant i fundit, qe

i pelqen avokatit tim dhe eshte krijuar nga nje ish-ushtarak vlonjat, eshte Asimaq.

Nuk eshte keq, edhe pse perkedheles i emrit Asim.

Eshte me mire se te te drejtohen "Na mo ti!"


Wednesday 21 December 2022

Gramshiotët


Ata mund, duhet dhe me siguri janë nga Gramshi. Dhe stërgjyshët e tyre duhet të kenë bërë Pazar të shtunave në Korçë. Ndonjë ditë tjetër të javës në Elbasan dhe në Berat. Dhe duhet të kenë pasur vlerësim për Pazarin e Korçës, si më të pasurin, më të larmishmin dhe më të bollshmin. Edhe ku kishte më pak hileqarë.

Më shkon në mendje kjo se edhe pse nuk kishin jetuar kurrë në Korçë ata ishin të lidhur shpirtërisht me të. Jo aq në vitet e Diktaturës, kur sistemi nuk të linte të lëvizje nga një Pazar në tjetrin. Madje Diktatura duke parë lidhjen e Pazareve me Ekonominë e Tregut i mbylli fare.

Gramshioti vëlla ju shmang Pazarit, por zuri një pikë kyçe, ku do kalonin gjithë ata që do bënin Pazar prej Fierit e Follorinës, Krujës e Kosturit, Elbasanit dhe Edessas. U ngul në doganën e Kapshticës dhe ndihmoi në forcimin e marëdhënieve mes kontrabandistëve, doganierëve, oficerëve të kufirit dhe falsifikuesve të pasaportave. Pëshpëriste në veshët e të gjithëve ato që donin të dëgjonin dhe merrte një përqindje të vogël, që quhej Përqindja e Bashkim-Vëllazërimit të Shërbimeve Inteligjente. Ishte shumë inteligjent.

Gramshiotja motër nuk këndonte në veshët e doganierëve, kontrabandistëve, oficerëve të kufirit, por këndonte vërtet profesionalisht edhe pse stononte herë herë. Po ishin nga ato stonaturat e profesionistëve që quhen falseto. Dhe ato i qante. Këndonte edhe duet me këngëtaren Zimar, që ishte vajza e këngëtarit të njohur Ramiz.

Por mbi këngën, pasion kishte kyltyrën dhe Pazarin e Korçës, se ende kujtonte rrëfimet e të gjyshes për bëmat e stërgjyshëve në Pazarin e Korçës. Të sajën kishte thënien : “Pa kyltyrë nuk ka Pazar, dhe pa Pazar s’mund të bëhet kyltyrë“. Ndaj u ngul bashkë me këngëtaren Zimar në Pazarin e restauruar të Korçës si bashkëpronares të Bistrosë “Spice girls”. Shisnin ushqime plot erëza dhe këndonin këngë pikante. Të gjitha në përputhje me emrin e lokalit dhe shijet muziko-kulinare të Nicolo Di Lanas, pronarit të Pazarit të Korçës. Aq e njohur u bë Bistroja në Ballkanin Perëndimor dhe Lindor, sa çdo veprimtari kulturore nuk bëhej më në sallat e qytetit, por në Pazar. Netëve të ngrohta të korrikut, Pazari kumbonte nga këngët “Ne jemi socialistë/ Shokë të Edvinit/Partia na mësoi/T’i bindemi zengjinit” si dhe “ O i bukuri rryshfet/ Ku të mora e ku të lash…” Të gjitha këto në mjediset para Bistrosë të gramshiotes.

Nuk kishte se si Bashkia mos e merrte si këshilltare për kulturën. Nëse donte të bëhej pjesë e kulturës që shkëlqente para Bistrosë. Ishte pesha e saj në botën kulturore më shumë se sa pesha e saj e vërtetë, që ndikuan në atë vendim të pazakontë. “Kemi të bëjmë me një individe fenomen dhe jo me një individe dosido”- flitej se i kishte thënë DiLana bashkëpunëtorit të tij të ngushtë që mbante pseudonimin Gollashi. Ndaj disa herë i propozuan dhe ajo refuzoi, deri sa më në fund u gjet një zgjidhje. Pagesa vjetore në argjend do ishte e barabartë me peshën e saj. Për këtë u kërkua një pallanxë nga ato të vjetrat e NFP-së, të cilën në fillim e verifikuan për saktësi, që mos kishte asnjë hije dyshimi për ndonjë korrupsion të mundshëm. E fituar doli sërish Bashkia, se edhe pse në dukje e rëndë, gramshiotja  i kishte kokallat shumë të lehta dhe pagesa në argjend ishte e papërfillshme.

Përralla me Pazar, kyltyrë, Gramshiotë, këngëtare Zimar, Gollash dhe pagesa në argjend ende vazhdon dhe pritet që fundi të jetë si në çdo përrallë - Dhe në fund ata rrojtën të lumtur dhe u trashëguan. Dhe u trashëguan pikërisht atje ku duhej- në Drejtorinë e Trashëgimisë Kyltyrore, ku do na shpjerë një ditë një tjetër rrëfenjë.

 

Tuesday 20 December 2022

Historia e nje dokumentari

 

Dje, RTKorça transmetoi dokumentarin e prodhuar prej saj “Kultura e nje shkrimtari ne kulturën e qytetit”. Eshtë rreth jetës së babait tim, Andon Mara, e parë në raport me jetën kulturore të Korçës të pasluftës së Dytë. Kam bashkëpunuar në idenë dhe realizimin e tij.

Nuk di se si është pritur, por dua të tregoj diçka rreth realizimit të tij, ndërsa mundohem të reflektoj mbi opinionet e mia rreth shoqërisë shqiptare.

Përgjithësisht unë jam i ashpër në mënyrën se si e vrojtoj shoqërinë shqiptare. E bëj natyrshëm, por edhe me dëshirën që të kontribuoj në përmirësimin e vetes dhe të çdonjërit prej nesh, që është pjesë e kësaj shoqërie. I mendoj të pavlera konstatimet ekzaltuese ndaj kujtdo. Më duken të padobishme, por edhe vetë e di se ky qëndrim i imi është vetiak dhe jo çdokush duhet të ketë të njëjtën qasje.

Ajo çka pashë që kur lindi idea e dokumentarit dhe deri në ditën që u përfundua ishte dashamirësia e korçarëve dhe jo vetëm e tyre.

Dua të veçoj dy bashkëautorë, pa të cilët as do kishte ide dhe as realizim. Janë Ilir Trajçe dhe Muharrem Meko. I pari operator në RTKorça dhe i dyti drejtues i institucionit. Gazetari Muharrem Meko me dha “kartabiankë“ për të përdorur gjithshka që kishte institucioni që drejton. Iliri, me pozitivitetin e tij të pakrahasueshëm, u përkushtua për disa muaj për të bërë më të mirën e mundshme.

Por dashamirësinë, interesin për vlerat kulturore të qytetit dhe të njerëzve të tij, e hasa në marsin e këtij viti, ndërsa bisedoja me drejtoren e Bibliotekës së Korçës, Jorida Tollkuçi. Një vajzë e re (edhe pse grua), të cilën as e njihja dhe as më njihte, por që tregoi shumë interes dhe mbështetje për librin tim rreth jetës së Andon Marës. Pa lëkundje dhe me ndjenjën e një përaqësueseje të kulturës së qytetit, pranoi edhe të merrte pjesë në dokumentar.

Kuprova që shumë korçarë e duan kulturën dhe njohin dobitë që vinë prej saj.

Më pas pashë angazhimin e plotë të gazetares Irena Karamelo dhe aktorit Shkëlqim Jaupi. Të dy me shumë dëshirë dhe ndjenjë përgatitën pjesët e tyre të narracionit. Të saktë, me shqetësimin e profesionistëve për ta bërë sa më mirë, ata i dhanë me zërat e tyre ngjyrë dhe ngrohtësi filmit dokumentar. Ajo çka më bëri më shumë përshtypje ishte se nuk shprehën asnjë hezitim dhe nuk u vonuan asnjë minutë të vetme në takimet tona të punës. Dhe po njëlloj kompozitori Adrian Jorgji që na pranoi të bënim disa rregjistrime në studion e tij private. Me dashamirësi dhe përkushtim.

Mes atyre që nuk nijihja veçon specialist Pirro Gjata, i cili bëri montazhin dhe formulimin muzikor të dokumentarit. Me cilësitë e një perfeksionisti, Pirroja kishte edukatën e punës të një amerikanoveriori. Orë të tëra i ngulur në tryezën e punës pa kërkuar asnjë çast pushimi. Në murin e zyrës së tij kishte foto të bëra me shumë personalitete të kulturës së botës shqiptare, që dëshmonte prirjet e tij. Nuk dallova foto me ndonjë politikan të rëndësishëm.

Gjatë ditëve të intervistave, filmimeve dhe montazhit mendova disa herë, që im atë kishte lënë gjurmë në Korçë me personalitetin, kulturën dhe karakterin e tij. E shihja këtë tek njerëzit me të cilët bisedoja rreth dokumentarit. “E meriton ai!”- theshin të gjithë dhe më bënte të ndjehesha mirë, që qyteti nuk e kishte harruar edhe pas 32 viteve që ishte larguar. E shihja në emocionet e aktorit dhe operatorit Ylli Trajçe, që ndonëse nuk e kishte patur mik e vlerësonte dhe mundohej të vinte në pah ç’kishte qënë thelbësore në karakterin e tij.

Lashë qëllimisht për në fund të shkrimit tre bashkëpunëtorë të babait. Vangjush Zikon, Flora Bibollin dhe Klara Mitrushin. Tek dashuria e tyre, e derdhur në fjalë të mënçura dhe të vërteta pashë edhe atë gjë të rëndësishme, që Andon Mara kishte bërë gjatë jetës së tij.

Kishte dhënë shembullin se vlerat e ndershmërisë intelektuale dhe të qënit i drejtë dhe i drejtpërdrejtë nuk humbasin kurrë.

Ishte kjo që tre të sipërpërmendurit theshin në mënyrën e tyre. Ndoshta pat ndikuar sadopak edhe tek ata tre njerëz të kulturës korçare, që kanë kaluar tani të tetëdhjetat, por kishin ndriçimin mendor të të rinjve dhe të rejave.

Këto rrjeshta, në të cilat nuk u ndala gjatë rreth dashamirësisë të Eno Koços, Ylli Peppos dhe shumë të tjerëve, më shumë se një falenderim, janë një reflektim i imi për gjendjen e shoqërisë shqiptare. Me shumë të drejtë, ata që lexojnë rregullisht blog-un mund të më thonë:
“ Se na ke çarë kokën shumë deri tani o kritizer!”

Do ju përgjigjesha me përulësi : “Kini të drejtë!”

Një mëngjes në kopështin japonez…

 


Ishte një punonjëse e bashkisë që më shtyri në ngasje. Po pinim kafe në “Mon Cheri” dhe po flisnim për ndërtimet publike në Korçë. Unë si gjithnjë “kritizer” ndaj dhe ajo një çast më pyeti: “E ke parë kopështin japonez?” “Jo, kam dëgjuar për të, por nuk e kam parë.” “Shikoje dhe do ndryshosh opinion për ndërtimet publike në Korçë!” më tha e sigurt dhe u largua. Ishte mëngjes, midis orës 7.45 dhe 8.32, kur punonësit e administratës në atdhe pinë kafenë e dytë. Të parën e kanë rrufitur në shtëpi.

U nisa menjëherë. Të them të drejtën dyshues, por edhe me një ngazëllim që të jep dielli kur lind mbi Moravë i shoqëruar edhe nga një lajm të mirë. Do shohësh një sipërfaqe të gjelbëruar bukur dhe për më tepër në një stil japonez. Unë nuk kam qënë ndonjëherë në Japoni dhe nuk besoj se do e vizitoj dot në një të ardhme të afërt. Ndaj gjithë gëzim i bëra ato 400-500 metra që ndajnë kafenenë “Mon Cheri” me një lulishte në Tokio apo në Osaka.

Për ata që nuk e dinë se ku bie kopështi japonez dhe janë nga Korça, por janë larguar para ndryshimit të sistemit politiko-shoqëror, po sqaroj se kopështi ndodhet në shtratin e tharrë të Lumit të Korçës, pikërisht aty ku dikur ka qënë poligoni i qitjes sportive. Dikur ishte parashikuar të kishte një rrugë që dilte diku pas “Vilës së Udhëheqjes”, por ndryshimet e shpeshta në planin rregullues, në pjesët e gjelbërta rreth tij futën një sërë ndërtimesh të Sistemit të Drejtësisë dhe shtrati i përroit ishte e vetmja pjesë që kishte mbetur pa u ndërtuar. Edhe për këtë menduan Partia dhe Pushteti në rreth, që me një grant japonez menduan të ndërtonin një kopësht. Dhe “Nëse nuk di se ç’të bësh në këtë jetë, mbill një pemë “- thotë një proberb kinez apo japonez, por që mund të jetë edhe korean. Nuk kam njohuri të mjaftueshme për të dalluar ndryshimet që kanë kulturat e atyre vendeve. Ndaj administratorët e qytetit ku kam lindur menduan të mbillnin jo një pemë, por shumë syresh.

Nuk e di se kush ja u shtiri në mendje që të bënin pikërisht një kopësht japonez, por ndoshta do ketë qënë i kudondodhuri, arkitekti australian Peter Uilson. Dikur pat sugjeruar që rreth Pazarit të Korçës të mbilleshin qershi japoneze për të lidhur këngën “Kur vjen behari dhe qershitë“ me Rrugën e Mëndafshit, që sillte dikur kukule nga Japonia e largët në Hanin e Cinmaçinëve në Pazar. Qershitë u mbollën dhe nuk e kami denë nëse janë vetëm dekorative apo edhe lidhin fruta.

Gjithsesi, australiani i kudondodhur u ngarkua edhe me detyrën e vështirë për të projektuar kopështin japonez, pasi pat projektuar ne Korçë një kullë, një stacion autobuzash, një bibliotekë, nje bashki me koncept te hapur, nje qytezë fëminore, tre hotele, tetë banesa kolektive dhe dy stalla për mbarështimin e derrave bio. Kuptohet që kopështi për të do ishte si “bukë me djathë“ dhe mund ta projektonte edhe thjesht duke ngjyruar një pjesë të trupit dhe ta stamponte mbi një fletë të bardhë. Ndoshta dhe kështu veproi.

Unë arrita nxitimthi dhe mezi arrita të kapja mikun tim Dhionis Pani, që stërvitej për një lloj kung-fuje në afërsi të kopështit. I thashë “Niskë m’u duke si Tërheqësi i Biçikletave”, por ai çuditërisht m’u përgjigj “Koniçiva!” dhe vazhdoi me rrotullimin e duarve duke ecur përgjatë kopështit. Duket ndikimi japonez në Korçë po konkuron edhe atë francez të një shekulli më parë. Dhe nuk ka asgjë të keqe nga ndërkombëtarizimi.

Kopështi ishte vërtet mbresëlënës! Madje mund ta quaj pa frikë Mbresërënës. U pështjellova nga një mori mbresash që më ranë të tëra në gjelbërimin e atij kopështi. Pjesa më e madhe mbi një mur aq të drejtë, që e përshkonte kopështin diagonalisht. Po sa i drejtë ishte! Tamam japonez. Pas murit të drejtë ishin bashtulkat komunitare ku mbilleshin repka, luledielli dhe gëzhuta. Ndoshta kishte edhe bimë të tjera , po me një sy që hodha shpejt e shpejt vetëm ato dallova. Në bashtulkat komunitare, komunitarët e bashtulkave mbjellin, prashitin, ujitin dhe plehërojnë perimet sipas metodave më të fundit japoneze. Në kohën e vjeljeve i mbledhin dhe dalin në fotografi me Kryetarin e Bashkisë dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Fotot vendosen në mediat sociale dhe lajkosen nga të gjithë simpatizantët japonezë dhe jojaponezë të kopështit.

U largova nga Kopështi japonez dhe u përpoqa të telefonoja të njohurën time bashkiake, por ajo nuk e hapte telefonin. U detyrova t’i shkruaja një mesazh:

“Kini gjetur mënyrat më të stërholluara për të tallur by… me ne të gjorët!”

Monday 19 December 2022

“Po, normal…”

 

Kam shkruar më parë rreth kësaj shprehjeje parazitare, që edhe pse më shumë se 15 vjet më parë është shfaqur në kryeqytetin tonë dhe si rrjedhojë edhe provincave, sërish është e pranishme. Nuk po shkruaj sot rreth idiotizmit të saj gjuhësor, por më tepër rreth dukurisë negative të “normales”.

Po prek edhe disa faktorë, të cilët e mbajnë ende gjallë anëve tona. E para është konformizmi në një bisedë, sidomos ndaj dikujt që ka një pozitë të caktuar në shoqëri dhe ndërsa të tregon diçka, në vend t’i thuash “sa mirë i ke llafet!”, i thua “po, normal…”. E dyta dhe më kryesorja është padija dhe përpjekja për ta fshehur atë. Ndodh në një bisedë të thjeshë, kur dikush të tregon se ç’ka ndodhur në vendin e tij të punës me pronarin, por ndodh edhe kujt i tregon dikujt se “kishte shumë vështirësi për një depozitë stërmadhe benzoli për kthimin e anijes kozmike “Artemis” nga misioni i saj në Hapësirë ndaj ishin të detyruar ta paisnin me paisje speciale të kapjes së energjisë diellore” dhe dëgjuesi të përgjigjet: “po normal…”. Nuk të mbetet vetëm t’i thuash se- “ je një idiot i pagdhendur dhe se nuk ka as anije “Artemis, as benzol dhe as paisje special të kapjes së energjisë diellore, por e gjitha u sajua për të dëgjuar të thuash – po normal!”.

Por si përmenda më sipër, në këtë lloj shënimi-esse dua të prek anët tepër negative të pranimit të normalitetit në jetën tonë. E kanë kaluar të gjitha brezat dhe po e kalojnë edhe brezat që po rriten tani. Unë i përkas një brezi, të cilit i dukej “normale” që njerëzit të futeshin në burg për nëse theshin atë që mendonin, që të shkonin të punonin vullnetarisht edhe kur nuk donin, që të ndiqje studimet për atë profesion që të caktonte administrata shtetërore dhe plot e plot të tjera “normalitete”, të cilat sot quhen absurde.

E keqja ishte se për këtë “normalitet” ndihmonin nga frika edhe njerëzit tek të cilët besonim më shumë- prindërit dhe mësuesit. Të parët për të na mbrojtur dhe të dytët për të mos humbur vendin e punës dhe për të mos hyrë në burg. Nëse prindërit do na thoshin më shpesh dhe më me vendosmëri se këto nuk janë normale, se nuk kanë qënë më parë kështu, se nuk janë në vendet e tjera ku jetohet më mirë, edhe ditët e Diktaturës nuk do kishin qënë aq të gjata.

Sot njoftohej se kryeministri hollandez kishte kërkuar falje për rolin që ka luajtur Hollanda në skllavërimin e afrkanëve dhe indigjenëve të tjerë në botë. “Po normal” mund të thonë menjëherë mendjelehtët. Jo nuk është aspak normale që bëhet sot, kur duhet të ishte bërë të paktën 60-70 vjet më parë. Dhe bëhet fjalë për breza që kanë jetuar jo në kohën kur ishte e natyrshme të shiteshin e të bliheshin njerëzit, kur gjuetarët e skëllevërve mund t’i ndiqnin xhunglave të Afrikës si ndiqen kafshët dhe kur mund t’i shfrytëzoje në punë prej mëngjesit në darkë dhe t’ju jepje një copë bukë të mbanin shpirtin gjallë.

Në Historinë e Njerëzimit ka pafundësi rastesh, kur shoqëritë për dekada dhe shekuj quanin “normale” gjithfarë llojesh të kafshërisë. Mund të nisësh me kanibalizmin, tek djegia në turret e druve të heretikëve, në përdhunimet në masë dhe deri në kohët më moderne, të shfarosjes së të milionave në dhomat me gaz. Të gjitha janë kryer nën dritën e diellit edhe mes duartrokitjes së turmave të eksituara, që i quanin “normale”.

Sot, në shoqëritë e mbetura pas për shkak të edukimit “materialisto-dialektik” është “normale” të përfitosh nga posti në administratë, të marrësh lekë për dhënien pa të drejtë të një note kaluese në provim, të ndash paratë me reanimatorin për një operacion në një spital shtetëror, të kërkosh “pjesën tënde” për një tender që ja jep me të drejtë apo jo një kompanie private etj. etj. Këtë “thithin” çdo ditë brezat e rinj në vendet e Europës Lindore edhe pse këto veprime dënohen nga ligji. Ju duken më se të natyrshme. Eshtë një “konformizëm” i poshtër ndaj veprimeve të paligjshme, se nëse shoqëria do jetë konform ligjit, nuk duhet të bëjë asgjë nga ç’ka kam përmendur më sipër.

Jo, nuk janë të natyrshme (apo normale) të gjitha të sipërpërmendurat.

E natyrshme është të vraposh dhe të djersish për ato që janë në natyrë dhe nëse je më i shpejtë dhe më i zoti mund të marrësh pak më tepër se ai që nuk është aq i shpejtë. E natyrshme është që edhe nëse je më i zoti dhe mbledh dot më shumë të mira, të japësh jo vetëm për prindërit e tu të sëmurë, por edhe për prindërit e fqinjit. E natyrshme është që të mbrosh ata që janë më të dobët dhe të mos lejosh batakçinjtë t’i mashtrojnë. Ka dhe mijëra gjëra të tjera të natyrshme, që e kanë ngritur njeriun nga gjendja e Kafshërisë. Mes tyre është përdorimi i arsyes dhe përpjekja për të mos qënë konformist, por të verë në dyshim ato që gjen në shoqërinë ku ka lindur.

Atëhere ka për të qënë plotësisht normal.


Shtylla e drunjte

Ishin të njëjtat dëshira të marra

Më parë ndjerë,

Kur të parritur ishim

Ti doje me një ftues vështrim

Pas të të vihesha

(-Kur muzgu të bjerë!)

Dhe tek një e drunjtë shtyllë mbështetur

Të putheshim.

Më pas rrëmbimthi të arrije,

Pas të drunjtës derë,

E mbrojtur nga të huajat vështrime

Të dashakeqeve hije,

Që përbuzëset mendime hidhnin në erë.

Frymë të merrje gul]uar

Dhe buzët të fshije,

Nga frika se ngjyra e Puthjes

Në to kishte mbetur.

E zjarrta ngjyrë

E pasionit adoleshent

Atje tek shtylla mbështetur.

Tani gjithshka është ndryshe

Rrugicës me porta druri.

Shtyllën kanë prerë,

Strehët më lart janë ngritur,

Hijet makinave janë fshehur

Mbetur ka vetëm një pjesë muri.

Eshtë muri i martesës tënde

Që të ndarë na mban

Edhe pse të njëjtat dëshira të marra

Për të hapur botën e mrekullive me një Puthje

Në sy ne kemi.

Kujtimet shpie në të tjera vende,

Në mendje përsërit të njëjtën Lutje

“Ndoshta herën tjetër të lirë do jemi!”

Sunday 18 December 2022

Anakonda nëntëdhjetë

Unë notoj ujërave të akullta

Me shpresë ajo të shfaqet

Stërzgjatura Anakonda nëntëdhjetë,

Që dikur ishujve na shpinte,

Ishujve plot ngjyra,

Ishujve plot jetë.

Sa ta shoh bishtit do kapem,

Mes koraleve të bardha

Dhe leshterikëve të pudrosur.,

Të më tërheqë në ujërat e ëndrrave,

Mes dashurisë së pasosur,

Në misteriozen botë të shënjave.

Askush nuk ka për të më besuar,

Se udhëtimi mbi të ziun gjarpër,

Në delirin gjysëm akull dhe gjysëm ujë

Mund të jetë i vërtetë.

As në tingujt që dalin tek të Përdredhurit Drurë.

Veç teje,

Që vitesh besove legjendat

E thurrura mbi Anakondën nëntëdhjetë.

Friday 16 December 2022

Gropius, Mies dhe Corby


Ata kane lindur brenda nje segmenti shume te shkurter kohe. Vetem 3 vjet.

3 nder me te medhenjte e arkitektures se te gjithe koherave. Eshte thuajse

njelloj sikur Aleksandri i Madh, Jul Qezari dhe Napoleoni te kishin lindur

brenda te njejtes dekade. Ose Njutoni, Galileu dhe Ainshtaini te ndiqnin njeri 

tjetrin cdo vit.

Ndoshta shume lexues mund t'i quajne te tepruara krahsimet e mija, por ne boten

e ngushte dhe njekohesisht te madhe te arkitektures, Valter Gropius, Mies Van Der Rohe dhe 

Le Korbyzieja jane te rangut te gjenijve te medhenj te njerezimit. Dy te paret gjermane

dhe i treti franko-zviceran.

Deri ne nje mase, ata e nxorren profesionin e arkitektit nga ai i "sherbetorit" te

aristokrateve, qe do krijonte vepra per te perjetesuar pasurine e ketyre te fundit, ne 

ate te revolucionarit  qe do te ndryshoje shoqerine nepermejt konceptimit te ri

te hapesires dhe ndertimeve.

Sigurisht qe gjenijte nuk lindin nga "hici" dhe sidomos shkolla  filozofike e 

materializmit historik do kembengule se ishin krijuar kushtet ekonomiko-shoqerore

etj. etj, qe arkitektura te bente nje hop cilesor ne baze te zhvillimeve sasiore

e te tjera "pordhe" te ngjashme, por askush nuk mund te shpjegoje perse pikerisht

nga 1883 deri me 1886 linden 3 nder me te medhenjte e arkitektures. Dhe pse nuk linden nga 1923

deri me 1926, apo nga 1966 deri me 1969.

Nuk kam ndermend t'ju drejtohem hartave te horoskopeve apo radhoreve te Nostradamusit,

por eshte nje lloj "misteri" qe te ngazellen nese ke ndjekur karrierat e tyre dhe nese 

je "dashuruar" me menyren e tyre te projektimit.

Veprat e Le Korbyziese jane ne tre kontinente, ndersa ato te Gropiusit dhe Mies, kryesisht

ne Europe dhe ne Shtetet e Bashkuara. Por ngjizja e ideve te tyre te perbashketa i perket

Europes dhe pikerisht Europes Qendrore ne nje "chateau" ne nje qoshe te Zvicres me 1928 ku vendosen te

takohen dhe te formojne Kongresin Nderkombetar te Arkitektures Moderne.Ishin ne moshen e 

pjekurise dhe njiheshin me njeri tjetrin dhe arkitekte te tjere, por ndjenin se e

rendesishme ishte te bashkoheshin e te kristalizonin idete e ngjashme. Ajo qe vjen me

pas eshte Arkitektura Moderne qe i ndryshoi gjithe qytetet e botes ne nje menyre te

pakonceptuar dot me pare.

Ne shkurt te vitit 2004, ne saje te mikut tim te vyer, Bin Xoxit, vizituam Bauhaus ne Dessau

dhe u ndjeme me prane se kurre Gropiusit dhe Mies. I entusiazmuar nga ato qe pashe, telefonova

dy kolege te mij, nje ne Kanada dhe nje ne Shqiperi nga nje kabine telefonike prane vilave

te pedagogeve te Bauhaus-it. Njeri prej tyre me kerkoi te merrja nje copeze "suva" per ta

pasur si "hajmali" nga ai tempull i Arkitektures Moderne. Ishte vertet nje tempull ku

kishin predikuar dy nga tre "prifterinjte" e medhenj te arkitektures.

Kishin lindur ne tre qytete jo me larg se 400 km nga njeri tjetri, ne nje hark kohor prej 

vetem 3 vitesh dhe paten ndryshuar aq shume menyren se si i konceptojme kohen dhe hapesiren.  


Monday 12 December 2022

E shkruar në ballë…


Ai e kishte të shkruar në ballë, që ishte kurvar. Ka vërtet njerëz të tillë. Që në ballë e kanë të shkruar se ç’janë. Si mund ta ketë një grua të shkruar që është kurvë. Dhe këtë e them pa asnjë paragjykim për kurvat dhe kurvarët. Se një nga arsyet që kjo jetë është shumë e bukur është dhe prania e kurvave dhe kurvarëve.  Madje i japin një ngjyrë tepër të zjarrtë jetës.

Nuk di pse mu kujtua papritmas ndërsa këputja bishtat e mashurkave. Krejt pa lidhje. Madje edhe nëse kërkoj në skutat më të errëta të trurit tim nuk mund të gjej diçka që lidhet specifikisht me mashurkat. Veç një bejteje të vjetër të fëmijërisë sime- “Turkë, turkë, “ashtu “ mashurkë…”

Nuk di dhe pse populli jonë i mençur ka përdorur shprehjen “e ka të shkruar në ballë“. Nuk e kanë popujt e tjerë. As ata që kanë shkruar ku e ku sa më parë se ne. Të ketë lidhje me shenjat që vinin në ballë dikur popujt primitivë? Ndoshta edhe ilirët? Se duhet të ketë qënë më e vështirë ato kohë të paftilluara mirë për të pasur gjithkush emra, ndaj kur ngjyronin fytyrën me gjithfarë vijash dhe rrathësh, në ballë vinin shënjën që përfaqësonte identitetin e tyre. Ndoshta burrat tepër të shtënë pas femrave pikutronin një elips me një vijë në mes, ndërsa ata që ishin të shtënë pas gjuetisë pikturonin një majë shigjete e me rradhë. Dhe kështu ka mbetur shprehja “e ka të shkruar në ballë“. Më pas vijuan emrat dhe profesionet.

Lexuesit më të vëmendshëm të blog-ut do mundohen të gjejnë me mend, se për kë bëhet fjalë në këtë skicë-portret, por po ju them që kot mundohen se nuk po shkruaj rreth dikujt që e njohin. Madje as unë nuk e njoh. U përballa me të dhe menjëherë mendova ç’ka shkrojta në hyrje të shkrimit. Më pas, si ballëshkruari ishte larguar nisa edhe të përsiatja më shumë se si na krijohen përshtypje të tilla. Se isha plotësisht i bindur që ai ishte i tillë. Sikundër e kishte të shkruar në ballë. Madje u mundua të më fliste,si për të më treguar diçka, por i bëra shënjë me dorë, si për t’i thënë “E di që do më tregosh ndonjë aventurë erotike, por nuk jam në qejf për të dëgjuar histori të tilla sot!” Ai vazhdoi rrugën aspak i fyer, sikur mos kishte ndodhur asgjë. Se ndoshta është nga ata lloj kurvarësh që nuk kanë parimin ;” Po mos tregove zere se nuk ke bërë!”

Më pas, mes përsiatje-debatit, unë shtrova pyetjen: “Po sikur të jesh gabuar në leximin që i bëre ballit të tij? Dhe duke mos pasur as një argument të favorshëm veç- “po ajo ta bënte muuuuu!”, nisa të mendoj se si na krijohen në tru të tilla bindje, klasifikime, gjykime krahasimore sapo shohim dikë. Se nuk është diçka që jemi në gjendje ta kontrollojmë. Kërcen natyrshëm në një ose disa nga qelizat e masës së hirtë që kemi brenda kafkës dhe merr formën e një fjalie të vetme: “Ky është kurvar!” Brenda një pjesëze të sekondës, “kompjuteri” jonë merr në shqyrtim qindra fytyra, mijëra ngjarje, dhjetra pjesë filmash, një numur situatash të turpshme dhe arrin në përfundimin e mësipërm. Ka të bëjë me tipizimin e fytyrave, trupave, gjymtyrëve, veshjeve dhe shumë gjërave të tjera të njeriut. Prandaj arrihet në këto deklarata instiktive si “ky është zetorist”, ‘kjo zonjë tip ’66-e”, “katnar”, “profesor”, “sharlatan”, “lezbike”, “boksier”, “mjelëse”, “karagjoz”, “drogaxhi”, “zarbë“, “sarahosh”, “zheni”, “shtëpiake”, “kardiolog” e pafund të tilla.

Mbas gjithë këtyre përsiatjeve (dhe të tjerave që nuk po i paraqes këtu se janë tepër naïve)kuptova se merrem shumë me të kaluarën dhe i kushtoj pak rëndësi të ardhmes. Se në fund të fundit “kurvari” i përkiste të kaluarës dhe një të kaluare që nuk kthehej më.

Unë duhet të mendoj se çdo ndodhë në të ardhmen dhe se ç’tipa dhe tipesha që e kanë të shkruar në ballë mund të takoj. Njëlloj si në një roman fantastiko-shkencor, ku takon qënie të tjera të ardhura nga të tjera galaktika. Dhe kështu jeta zgjatet pafundësisht. Dhe merr të tjera ngjyra… Dhe në fund të gjithë largohen po njëlloj…pavarësisht si e kanë të shkruar në ballë.

Rikthim në Misisaga

 

Misisaga, ky emër lëkurkuqësh (nuk dua të përdor cilësorin indian për vendasit e Kanadasë), është një lloj vendi i dytë i origjinës për mua. Tek ky qytet prej thuajse 800 mijë banorësh është aeroporti i Torontos, ku ulen për të parën herë shumë emigrantë të  rinj. Edhe ne u ulëm dhe u “ngulëm” këtu.Kur më pyesin se nga ç’vend i Kanadasë jam, më vjen të them nga Misisaga.

Kur vizitoj Toronton, kthehem në Misisaga për të parë vendet që lidhen me fillimet në Kontinentin e Ri. Zyrën e parë, sallën e parë të bilardos, shkollën e parë të fëmijëve, apartamentin e parë, dyqanin ku blemë mobiljet, stacionin qëndror të autobuzëve urbanë dhe plot vende të tjera, që lidhen me kujtimet e dy tre vjetëve të parë. Vite të çuditshme dhe plot ngjarje. Kam pasur edhe më parë të tilla prirje nostalgjike dhe nuk kanë të bëjnë me moshën.

Këtë rradhë shkoja përgjatë të njohurës 401, duke ndjekur Shahinin e Parë, që nget një BMV. E kuptoj që është Shahin dhe që është i Pari mes gjithë Shahinëve se në targën e tij shkruhet SHAHEEN1. Në këtë kontinent mund të bësh targa, që i quajnë të personalizuara, po të paguash ca dollarë më shumë. Më pat shkuar edhe mua në mendje kur mora makinën e parë, por më pas m’u duk një lloj marrëzie fëminore të vërtitesha rrugëve të Ontarios me targa KORCA. Mendova se askujt nuk do i bëhej vonë, veç ndonjë shqiptari që do theshte “Ja dhe ky hajvani qënka nga Korça!”

Shahini i Parë kthehet në Dixon dhe unë vazhdoj rrugën për të arritur në daljen Dixie, që është një nga rrugët më të rëndësishme të fillimeve tona në Kanada. Përgjatë saj ndodhej “molli” ku shkonim shpesh vitet e para, banka TD,  kisha greke ku shkonim për festat e rëndësishme fetare, supermarket ushqimor më i lirë në ato vite dhe biblioteka e lagjes. Thuajse gjithshka në atë vit të parë, pasi kishim lënë pas trazirat e 1997-ës, ndodhte në Dixie.

Nuk gjej ndonjë bar sporti në Dixie dhe telefoni më tregon se më i afërti është në Cathra. Kjo rrugë më lidh vetëm me një fabricë vere, ku blinim rrush me shumicë për të bërë verë të lirë në shtëpi dhe me dyqanin “Artista”, ku blinja herë herë paisje për të pikturuar. Bar-sporti quhet “International sports” dhe vërtet nuk ka se si të bëhet më ndërkombëtar. Pronarët janë kolumbianë dhe spektatorët që duan të shohin Brazilin kundër Kroacisë janë nga gjithë kontinentet, nëse përjashtojmë Australinë. Ka dhe dy shqiptarë disi më të rritur se unë, që bëjnë më shumë muhabet me njëri tjetrin se sa shohin ndeshjen. Latinë, ballkanas, afrikanë, arabë, amerikanoveriorë dhe sigurisht rusë. Nuk dalloj ndonjë kinez, por aziatikë të tjerë ka.

E tillë është Misisaga. Ndoshta po aq ndërkombëtare në përbërje sa Torontoja ose mbase edhe më shumë. Eshtë një qytet shumë i ri,  i krijuar në vitet ’70 si rrjedhojë e bashkimit të tre fshatrave, gjë që mua më kujtonte këngën popullore shqiptare “Laçi , Bruçi dhe Uraka, seç na jan’ bashkue”. Kjo dhe afëria me aeroportin e pat bërë si magnet për emigrantët nga e gjithë bota. Për mëse 30 vjet kishte kryetare bashkie një grua të fortë, të moshuar, e cila I fitonte gjithnjë zgjedhjet se askush nuk përballej dot me të. Ishte vërtet grua e fortë, që la gjurmë në zhvillimin e qytetit, por edhe kufizimet në arkitekturë dhe urbanistikë, rrjedhojë e mentalitetit të saj fshatarak. Por ishte një kryetare shumë e respektuar.

Kroacia fitoi dhe në bar pati vetëm entusiazëm dhe asnjë grindje. Madje tifozët kundërshtarë i dhanë dorën njëri tjetrit. Ushqimi nuk bënte një lekë, por mjedisi ishte i këndshëm dhe mbi të gjitha paqësor. Më mirë se ta shihja ndeshjen në qytetin tim të lindjes, ku nuk do mungonin të sharat dhe akuzat e përsëritura se ndeshjet janë të shitura dhe manipulohe nga kompanitë e basteve. Në Misisaga njerëzit punojnë shumë dhe sigurisht që dinë më pak. Nuk ndodh si në Korçë, ku njerëzit i dinë të gjitha, të bërat dhe të pabërat.

Thursday 8 December 2022

Nesti Mavroja

 

Sa herë ze brumë për të bërë lakror kujtoj shokun tonë të mirë Nesti. Duart e tij të forta dhe të bardha që punonin me nxitim brumin e bukëve me qiqra. Nesti është lëkurëbardhë dhe gati kuqalosh, por nuk i ka shpëtuar nofkës që kishin e gjithë dinastia e sojit të të jatit – furrxhinjtë Mavro. Njihej më shumë si Nesti Mavroja se sa Nesti Bodeja.

E kishim njohur si Nesti Bode, mbrojtësi më i mirë i brezit të lindur më 1959. Diçka para kampionatit botëror të futbollit të vitit 1974. Riku e kishte shok fëmijërie. Ishte i drejtpërdrejtë dhe shumë besnik. I tillë ka mbetur. Atë vit mundoheshim t’i mbushnim mendjen të vazhdonte gjimnazin, se nuk i pëlqente shkolla dhe herë herë hezitonte, por më pas e la dhe hyri në punë. Futbollin e vazhdoi.

Nofka Mavro duket se ju ngjit pas ushtrisë, kur nisi të punonte si furrxhi, njëlloj si Koci, i jati dhe xhaxhallarët. Ndoshta edhe gjyshërit kishin qënë furrxhinj. Para Diktaturës, furrxhi ishte një punë që mund të mbaje mirë shtëpinë, por edhe e lodhëshme. Punonin gjithë natën për të pjekur bukët që shpinin njerëzit dhe ato që gatuanin vetë para gojës së zjarrtë të furrës. Ishte e natyrshme që të mblidheshin në furrë edhe shokë të furrxhinjve, ata që nuk donin të flinin, por të hanin të pinin dhe të bënin qyfyre. Edhe të losnin me zare ose me letra. Furrxhinjtë duhet të punonin edhe ditën për të pjekur lakrorët dhe tavat. Jeta e rëndë ju jepte pasoja në pleqëri.

Nesti vazhdoi të njëjtën traditë të furrxhinjve korçarë. Tek ai mblidheshin shokë e miq, që pëlqenin të bënin muhabete, të hanin ndonjë tavë të mirë dhe kur të ngrysej të hidhnin ndonjëherë edhe zaret në kthinën e pasme të furrës. Në vitet ’80 ishte furrxhiu më me emër në Korçë. Dhe ai që gatuante më shumë bukë me qiqra. Në kohën e fundit të Vitit , në furra e tij nuk kishe ku të hidhje mollën. Të afërm, shokë, të njohur që prisnin bukën me qiqra, Nesti i mbytyr në djersë, që nxirrte nga magjeja një sasi të madhe brumi për të bërë të tjera bukë dhe dy tre djem të rinj, që lyenin taskat e bukës me vaj. Të gjithë prisnin të merrnin porosinë e tyre, ndonjë nëpunës të merrte bukën me qiqra dhe mos paguante. Atyre që njihte më shumë ju theshte mos kishin merak se do bënte dhe një furrë dhe të gjithë me sytë nga furra dhe nga Nesti hidhnin dhe prisnin qyfyre, një pjesë prej të cilave kundër pushtetit. Mbi të gjithë dallonte për batuta të kripura Manoli i Sofisë. Nuk të linte kurrë pa bukën me qiqra Nesti. Ndonjëherë kishte qëlluar që më sillte në shtëpi gjysmën e çyrekut të tij.

Ndryshimi I sistemit solli shumë përmbysje në jetën tonë të përditshme. Edhe furrat e humbën rëndësinë e tyre. Mavroja filloi të merrej me tregëti dhe asnjëherë nuk e kuptoja nëse fitonte shumë apo jo. Mund të të tregonte gjithshka se nuk mbante të fshehta si mund të mbajnë tregëtarë të tjerë, por më shumë më tregonte rreth aksidenteve me makinë. Dukej që nuk e ngiste dot me lehtësinë që lëvizte lopatën e drunjtë në grykën e furrës. Veç ishte i njëjti Nesti, bujar, i dashur dhe besnik. Nuk kishte ndryshuar aspak nga viti i largët 1974 kur ishim bërë shokë.

Tani ka dy-tre vjet që ka pësuar hemoragji cerebrale dhe nuk është më ai djali i fortë dhe i palodhur. Të takon me dashuri dhe buzëqesh. Nuk ankohet. Nuk do të flasë shumë për vete, por të pyet për shëndetin dhe fëmijët. Duke buzëqeshur. Më pas largohet duke ecur me vështirësi dhe  një keqardhje e thellë të mbetet në shpirt. Për atë djalë aq të fuqishëm dhe të paepur.

Por ndoshta gjithshka do kalojë dhe do rikthehet në gjallërinë e tij të zakonshme.

Forca Mavro!

 

Ti nuk më bën dot mos të të dua!

Ti nuk më bën dot mos të të dua!

Me akullsinë e shikimeve,

Fjalët e vrazhda,

Flirtimet me të tjerë,

Kot e ke!

Të gjitha nuk më turbullojnë dot mua.

Ajo çka u stis në mendjen time

(Asgjë nuk ngjizet në zemër)

Netëve të akullta të atij dimri

E keputur nga bota e ëndërrave,

Me të forta pickime,

Nuk mund të ketë emër.

Nuk ka kush ta klasifikojë

Mes të njohurave dashuri

Dhe atyre që ende nuk kanë ndodhur.

Një lule e mbirë në rrënojë,

Një zjarr përvëlues nën hi,

Një rrufe mbi dy shpirtra të lodhur.

Ti mund të më mbulosh me përbuzje,

Si me një qefin të hirtë mbulohet një kufomë.

Mund të gëlltitësh letrat,

Mund të japësh të tjera puthje,

Mund të djegësh lulet që të nis,

Të mos ndjehet e dashurisë aromë.

Diga mund të ngresh luginave,

Në det mos sosë asnjë përrua,

Mund të ç’ngjyrosçsh gjethet

Vargjet e mia mund të zhbësh,

Por nuk më bën dot mos të të dua!

Wednesday 7 December 2022

Le ta quajmë Suelka

 


Unë zgjodha ta quaj Suelka, sepse nuk ja di emrin, por di vetëm që i gjyshi quhej Sulo. I gjyshi Sulo ishte ushtarak dhe jo polic, për të mos u ngatërruar me të famshmin policin Sulo me dhëmbë të florinjtë.

Gruaja që zgjodhëm ta quajmë Suelka pa qënë të sigurt për të, është e gjatë, e hijshme dhe pëlqen të vishet bukur. Në të ritë e saj mund të kishte qënë edhe fotomodele, por në të ritë e saj, Partia dhe Qeveria nuk lejonin të kishte modele dhe për më tepër gjyshi Sulo ishte edhe shumë i vendosur në çështjen e Partisë dhe të Popullit. Kishte shumë dhjetvjeçarë, që ai përgatitej vetëm për një ditë. Ditën kur armiqtë e shumtë të jashtëm të sulmonin Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë. Atë ditë ata do përballeshin me vendosmërinë e ushtarakut Sulo dhe të gjithë Sulove të tjerë, që do derdhnin edhe pikën e fundit të gjakut për çështjen e Partisë dhe të Popullit. Për fatin e mirë të Sulos dhe të Suelkës ajo ditë nuk erdhi, por erdhi dita kur armiqtë e brendëshëm rrëzuan shtatoret e Komandantit dhe gjyshin Sulo mezi e mbanin mos rrëmbente sëpatën dhe bënte ndonjë të pabërë. Fjalët e Suelkës e kishin qetësuar.

Më pas Suelka emigroi në Selanik, ku u njoh edhe me burrin e saj Cenin, dhe krijuan një familje të shëndoshë, punëtore dhe tepër patriotike. Ceni punonte në ndërtim dhe Suelka bënte lakrorë. I bënte aq të mirë, sa gjithë shitoret e Selanikut nuk porosisnin më tiropita, spanakopita dhe turli lloj pitash të tjera, por lakrorët e Suelkës. Në tre vjet Suelka tëholli mbi 1 milion e gjysëm petë dhe përdori mbi një ton e gjysëm gjalpë për lakrorët që “rrëmbeheshin” shitoreve të Selanikut. Nga grekët, se nga shqiptarët po e po.

Pas tre vjetësh me gjithë atë prokopi që kishin bërë vendosën të kthehen në Atdhe, pikërisht në qytetin ku kishte dhënë shpirt gjyshi Sulo. Ndërtuan një shtëpi me një restorant-piceri në katin e parë, se korçarët nuk hanë lakrorë jashtë, por me një picë edhe gënjehen se ndjehen kozmopolitë. E megjithatë, ajo nuk mund t’i harronte lekrorët, që i kishin sjellë begatinë. Në një mbledhje ku kryetari I bashkisë kishte mbledhur më të suksesshmit e fushës së Turizmit, ajo propozoi që në qytet të festoheshin Ditët e Lakrorit. Kryetarit të Bashkisë i pëlqeu idea si dhe Suelka dhe që prej asaj dite e propozoi si këshilltare të jashtëme për çështjet e Turizmit në Bashki. Ajo e pranoi me dëshirë, por këmbënguli të mbetej në sektorin privat dhe në sektorin publik të punësohej burri i saj Ceni. Si specialist i fushës së ndërtimit, Ceni u emërua të ndiqte investimet ndërtimore të bashkisë në arsim, shëndetsi dhe sport.

Sigurisht që kjo do ngjallte zilinë e mediokërve, që nuk kishin provuar emigrimin dhe nuk dinin se ç’ishte të tëhollje petë me shpejtësi marramendëse, ndaj dhe filluan shaethemet se kryetari shkonte pak si shpesh për të pjekur ndonjë gjë në furrën e Suelkës,gjë  që ishte jo vetëm e sajuar, dashakeqe, e paprovuar dhe cmirzezë, por mbi të gjitha ishte e pamundur. Në furrën me dru të Suelkës piqeshin vetëm pica dhe shumë rrallë, vërtet shumë rrallë, Ceni piqte llukanikët e shtëpisë që i bënin vetë.

Tashmë Suelka ka zgjeruar veprimtarinë e saj të biznesit dhe në organizon dhe celebron të çifte të çdo lloji në qytet. I pëlqejnë gëzimet dhe ngazëllehet kur çiftet këmbejnë puthjen e parë pasi thonë - Po. Dhe këtë e bën pa bërë asnjë dallim. Vetëm së fundmi ka organizuar edhe martesën e një çifti gay, gjë që refuzohej nga agjensitë rivale në biznes.

Kjo është Suelka. Gjithmonë kujton porosinë e gjyshit Sulo : “Mos u merr se kush e bën, si e bën dhe me kë e bën. Sekush e ka të tijën dhe e bën si të dojë“ Gjyshi Sulo këtë frazë legjendare e kishte thënë për karabinën Semionov, por me filozofinë e tij universale kishte përfshirë gjithshka që mund t’i vlente Suelkës.

 

Tuesday 6 December 2022

“Doganieri”


Unë vihem në siklet nga doganierët. E çdo kufiri. Në kufirin që na ndan me Amerikën policët janë dhe doganierë, në ndryshim nga shumë vende europiane, që kanë dy lloj kontrollesh. Pra kur them doganieri mendoj më shumë për oficerët e kufirit, që të pyesin mbarë e prapë. Një bisedë e zakonshme kur kaloj për në Amerikë është kjo:

-          Prej nga vjen?

-          Nga Sherbrooke.

-          Ku do shkosh?

-          Në Nju Jork.

-          Përse do shkosh në Nju Jork?

-          Do vizitoj time bijë. Jeton atje.

-          Ke fruta ose zarzavate?

-          Jo

-          Po dhurata që do i lesh atje?

-          Jo.

-          Kur do kthehesh?

-          Pas 3-4 ditësh.

-          Ku ke lindur?

-          Në Shqipëri.

-          Ke reki?

-          C’farë?

-          Reki reki…alkol që pinë shqiptarët.

-          Oh Rakiii…jo nuk kam

-          Mund të kalosh. Rrugë të mbarë

-          Faleminderit- i them dhe ndjej që fundi i kurrizit më ka dërsirë nga sikleti.

Diçka e ngjashme më ndodh sa herë jam në Korçë me një të njohurin tim. Ai ka një dyqan të privatizuar në një pikë kyçe dhe gjithë ditën rri para tij. Dua s’dua do kaloj disa herë në ditë atje dhe ai ngrihet dhe me një dashamirësi çarmatosëse më pyet me zë të ulët:

-          Nga ishe?

-          Me një shok.

-          E njoh unë?

-          Nuk besoj se e njeh.

-          Po ti thoma emrin pastaj e shohim e njoh apo jo.

-          Filani

-          Po si o nuk e njoh.! Me te jatin, Fistëkun, kemi qënë në një brigadë kulturore.

-          Nuk e dija.

-          Me atë hëngre drekë?

-          Po.

-          Në cili lokal?

-          Po ku ja u di emrat…në një lokal në Boboshticë.

-          Kur hyn në fshat nga e djathta?

-          Më duket se nga e djathta.

-          E di ku kini qënë. Nga do vesh tani?

-          Në shtëpi të marr një gjumë.

-          Mirupafshim byrazer!

Dhe si i ka mësuar të gjitha lëvizjet e mia të paradites, miku im “doganier’ pret të njohurin tjetër, që ta pyesë se ç’ka bërë dhe t’i tregojë se unë me të birin e Fistëkut kishim ngrënë drekë në Boboshticë, se “helbete e kanë xhepin e e ngrohtë.”

Ja përse ju trembem dhe nuk i gënjej dot kurrë doganierët!