Monday 30 April 2018

Një arkitekt australian në oborrin e “mbretit” Edvin


Ndoshta do ishte më mirë të titullohej “Një arkitekt australian në oborrin e pasëm të “mbretit” Edvin”, por ligji i mbrojtjes së të drejtave të autorit për rastin e romanit të Mark Twain “Një amerikan në oborrin e mbretit Artur”, nuk lejon ndryshimin e më shumë se e dy fjalëve, limit ky, që është plotësuar në titullin e shkrimit.
(Arsyeja për ta cilësuar oborrin si “të pasëm” është se veprimtaria e arkitektit australian Peter Wilson, zhvillohet më shumë në oborrin e vasalit të Korçës  të “mbretit” Edvin dhe disi më pak në oborrin e tij qëndror të Tiranës.)
Ngjashmërisht frikshëm, si inxhinieri Hank Morgan i Mark Twain, që pas një goditje në kokë, u zgjua në Anglinë e shekullit të VI-të, arkitekti australian Peter Wilson, u gdhi një ditë të vitit 2009, në oborrin e Edvinit në Tiranë. Inxhinieri amerikan i shekullit të XIX, i hapi sytë në Anglinë e shekullit të VI-të. Arkitekti Australian i hapi në Shqipërinë e shekullit XXI. Vetëm 15 shekuj diferencë. Nuk dihet me siguri nëse udhëtimi i tij është vetëm në hapësirë apo edhe në kohë. Diçka duhet të ketë të bëjë edhe me kohën, se Wilson, i la gojëhapur vasalët e Ramës në mini-oborrin aristokrat të Korçës.
Në fillim, ju mbushi mendjen, që sheshin kryesor me një kishë në mes, ta kthenin në një shesh të mbyllur Mesjetar, si ata të qyteteve të Italisë, kur kishin nga 10 mijë banorë dhe e gjithë veprimtaria fetare, tregëtare, politike, artistike i kryenin në këto sheshe të mbyllur.
Edhe pse një pjesë e “oborrtarëve” të “mini-oborrit” të Korçës, dyshuan se Peter Wilson vinte nga Mesjeta, ngjashmëria e ideve të tij me ato të “mbretit Edvin”, artist i shquar në fushën e arteve pamore, i detyroi të mbyllnin gojën dhe të ndiqnin një më një trillet e tij arkitekturore, të cilat nuk kishin për bazë “tullën dhe tjegullën e Mesjetës Italiane”, por “betonin e August Perre (Auguste Perret)”.
“- Po ca qeramidhe nuk do përdorim?” e patën pyetur me droje Qeramixhinjtë dhe të tjerë tjegullapjekës të qytetit, por arkitekti Australian ju gjeti një zgjidhje akoma më elegante për të plotësuar kërkesat e popullit të mësuar me tjegulla.
“Në mes të qytetit do të ndërtohet një Kullë e lartë dhe të gjithë të malluarit për tjegulla mund të ngjiten e të shohin nga lart çatitë e qytetit. Tani e tujtje, në Korçën e projektuar nga unë nuk do ketë më tjegulla!”- deklamoi i madhërishmi Wilson.
Të mahnitur, të përunjur, të devotshëm, oborrtarët e “mini-oborrit” të Korçës i dorëzuan australianit çelçsat e arkivave të qytetit, të zyrave të projektimit dhe të gjithë pronave të përbashkëta. Qytetarëve, që interesoheshin për të ndërtuar, ju theshin që vetëm Arkitekti Shpëtimtar i zbritur në Rinas nga qiejt, mund të projektonte vepra dinjitoze.
Vëllime të shëmtuara betoni nisën të mbinin në qytetin e njohur për kangjella elegante, gurë të skalisur, suvatime të pastra dhe tjegulla të sëritura.
Zërave mërmëritës, që vinin në dyshim aftësitë e tij, ai ju përgjigjej plot bindje “Janë të tronditur nga e Reja!”. “Jini të tronditur nga e Reja” përsërisnin krerët e mini-oborrit të Korçës, ndërsa vetë mbreti Edvin, deklaronte se të gjithë të ‘tronditurit nga e Reja”, nga ishin dhe nga nuk ishin, duhet të vinin në Korçë, për të bërë “terapinë e betonit”, që jo vetëm do i sillte në shekullin e XXI-të, por do i projektonte mendërisht në të ardhmen e ndritur.
Korça u kthye në një vend pelegrinazhi për të gjithë ata, që vuanin nga sindromi “tronditje nga e Reja” (Shock of the New) dhe pati një gjallërim të paparë të turizmit, gjë që provoi katërcipërisht, se “aristokracia e re” kishte bërë zgjedhjen e duhur me arkitektin e ardhur nga vende dhe kohë të largëta. Ju dhanë për këtë edhe çelësat e Voskopojës dhe të gjithë zonave ku kishte ndërtime të vjetra për të sjellë në to frymën e së resë dhe bashkë me të edhe Tronditjen, që e shoqëron.
Po më pas?” – do më pyesni me plot të drejtë.
Fundi i kësaj historie lidhet me fundin e oborrit të mbretit Edvin dhe të mini-oborreve të tij. Deri atë kohë, le të kënaqemi me rilëçitjen e veprës të Mark Tuenit “Një amerikan në oborrin e mbretit Artur” ose më saktë “Një Janki nga Kënektikët në oborrin e mbretit Artur”.

Saturday 28 April 2018

Ishulli ku kadinjtë bënë grevë


Ai ishte një ishull i vetmuar në Paqësor, që u bë i njohur se kadinjtë hynë një ditë në grevë dhe nuk dolën prej saj.
Ende kanë mbetur të errëta se pse njerëzit më të nderuar të ishullit, u zemëruan aq shumë me krerët e shtetit sa të hynin në një grevë të tillë të panjohur më parë në rruzull. Disa thoshin se kishin hyrë në shenjë proteste për rrogat e vogla, disa të tjerë ja hidhnin fajet shtetit, që nuk ju kishte dhënë privilegjet , që ju takonin, ndërsa të tjerë, akuzonin Parlamentin e Ishullit, që kishte miratuar një ligj për martesat e homoseksualëve, gjë të cilën gjykatësit nuk mund ta duronin dot.
Puna është se ata dhe ato, që vendosnin mbi grindjet mes njerëzve dhe shtetit, mes njerëzve dhe njerëzve, mes njerëzve dhe animalistëve, vendosën të mos shkojnë më në punë dhe ju vunë ky]in sallave të gjykatave.
Në Kushtetutën e Ishullit kishte një Amendament(ai me numur 3), që gjykatësit mund të zëvendësoheshin vetëm kur të vdisnin dhe përderisa gjatë grevës nuk pat vdekur as edhe një gjykatës i vetëm, nuk mund të emërohej dot as edhe një gjykatës i ri i vetëm.
Pati një nismë parlamentare për të ndryshuar Kushtetutën, por edhe ajo nuk mund të miratohej pikërisht prej faktit, që Gjykata Kushtetuese ishte e mbyllur.
Shteti ishte i fortë.
Policia e shkëlqyer.
Ekonomia e vendit në lulëzim.
Shoqatat jo-qeveritare gëlonin.
Por nuk kishte gjykata.
Pa kaluar disa orë nga kryerja e një krimi, policia i zinte keqbërësit dhe i fuste në burg, por nuk mund t’i mbante dot më shumë se 24 orë, se nuk kishte gjykatës të përcaktonte masën e sigurisë. Kriminelët shëtisnin të lirë, ishin bërë arrogantë dhe megjithëse forcat policore ishin shumë efikase, kriminelët nuk i dënonte dot kush. Ishin një ditë po dhe një ditë jo në veprimtari kriminale.
Fqinjët filluan të ziheshin gjithnjë e më shumë për gjerdhet, por nuk kishte më gjykatës të men]ur e të drejtë, që të zgjidhnin ]ështjet e pronësisë bazuar mbi tapitë e vjetra , të reja dhe atyre të ndërmjetme.
Por më e keqja ishte se bëheshin martesa , por nuk mund të bëheshin divorce. Kjo rriti shumë shkallën e imoralitetit, pasi gratë nisën të shkonin hapur me mullixhinjtë, jo vetëm për inat të vjehrrave dhe burrat nisën të mbajnë nga tre-katër gra edhe kur nuk i përkisnin fesë islame.
Kishte edhe një vështirësi tjetër. Ishulli vërtet ishte një shtet shumë demokratik, por nuk ishte pjesë e Komonuellthit dhe e asnjë traktati tjetër ndërkombëtar. Me një fjalë, as ndërkombëtarët nuk mund të vinin dorë.
Pleqtë e Ishullit (në këtë kategori hynin vetëm poetët, që kishin botuar mbi 10 tragjedi në vargje), të tmerruar nga kaosi i pashmangshëm, u mblodhën të pleqëronin këtë hall mbi hallet. (Hallnajë e quajti më i moshuari syresh). Pasi i rrahën mbarë e prapë të gjitha mundësitë kushtetuese dhe antikushtutetuese, ju rikthyen edhe kodeve të vjetër dhe kohëve kur nuk kishte ligj, “por i madhi hante të voglin dhe të dy hanin atë, që bëri t’anë“, një nga të mo]mit dha idenë t’ju bënin thirrje furrxhinjve mos ju jepnin bukë gjykatësve, bakallëve të mos ju shisnin ushqime dhe kundraxhinjve, mos ju rregulllonin këpucët.
Po sikur kadinjtë të fillojnë të mbjellin grurë vetë, ta bluajnë po vetë dhe të bëjnë edhe bukën vetë, si do bëjmë?” pyeti një më pak i mo]ëm.
“Pastaj do ndryshojmë shprehjen,- po të ishte puna e mirë, punonte edhe kadiu-“ u përgjegjplot bindje plaku ideator, nga penda e të cilit kishin dalë mbi tridhjet tratragjedi në vargje.

A duhen vlerësuar personalitetet që në gjallje?


Ky është një diskutim shumë i vjetër në shoqëritë njerëzore. Fillon me ngritjen e piramidave, që në gjallje të faraonëve dhe vazhdon më tej me monumentet e fisnikëve, luftëtarëve, por ndonjëherë edhe të mendimtarëve shumë të shquar.
Tek ne tradita nuk është shumë e vjetër.
Ka të bëjë përgjithësisht me kohën e Turqisë dhe me islamizmin, që ndalonte ngritjen e përmendoreve të njerëzve, jo vetëm në gjallje, por edhe pas vdekjes. Bile, në disa variante më ekstreme të islamizmit, te shquarit varrosen në varre pa emër, për të mos u bërë vende pelegrinazhi.
Me pavarësinë e shtetit shqiptar, filluan ndryshimet alla-frënga edhe të vlerësimeve dhe përkujtimeve të personaliteteve tëmëdha të vdekur dhe të gjallë. Për shembull, u emërtuan bulevarde me emrin e “Zogut të Parë“, shkolla me emrin “Nana Mbretneshë“, lulishte me emrin e princeshave e të tjera si këto, vlerësime që në gjallje të më të shquarve.
Pas Luftës së Dytë, u vazhdua me uzinat “Enver”, kombinatet “Stalin”, hidrocentralet “Mao Ce Dun” dhe të tjera emërtime të ngjashme, të të mëdhenjve, që ende merrnin frymë.
Duket se nën këtë shembull edhe në mijëvjeçarin e tretë, nuk do mungojnë nismat për të vlerësuar personalitetet e pushtetit (në mënyrë të ngjashme me vlerësimin e mbretërorëve).
Një murale e madhe është bër në Tepelenë për Edi Ramën. Poezi janë thurrur për të, Sali Berishën dhe Monika Kryemadhin. Nuk kanë munguar edhe poezitë e poetëve korçarë për Niko Peleshin, si personaliteti më i shquar, që ka nxjerrë Korça, që prej pushkatimit të Themistokli Gërmenjit.
Në mediat sociale, herë herë hasen nisma, për të emërtuar rrugë ose sheshe të qytetit me emrin e ish-kryetarit të Bashkisë dhe sot Ministër i Bujqësisë.
Personalisht mendoj, se emërtimet për vlerësimin e një figure, ose përmendoret për ta duhen ngritur pas vdekjes. Në këtë mënyrë vlerësojmë veprën e një figure të caktuar, por njëkohësisht edhe shmangim mundësinë, që për një arsye ose një tjetër, për devijime të mëdha ose të vogla të personalitetit , që është ende aktiv, të detyrohemi të heqim emërtimet apo të prishim përmendoret.
Le të mendojmë për një çast, që në Tiranë ose në Tepelenë, të ishte ngritur një shtatore e Saimir Tahirit, ose t’i ishte vënë emri një sheshi.
Pa vënë në dyshim kontributin e madh, që ka Nikoja në “rilindjen” e Korçës, është e mira, që t’i jepet edhe pak kohë sendërtimit të emrit të tij të lavdishëm.
Ose të gjendet një rrugë e mesme.
Le të emërtojmë Kullën Vrojtuese, Kulla “Peleshi” dhe me këtë shprehim edhe adhurimin, që kemi ndaj Nikos dhe në të njëjtën kohë, në rast të një tatëpjete të tij (larg qoftë!), prishim Kullën dhe të fituar dalim të gjithë.

Friday 27 April 2018

Ishin vitet e para të çlirimit një betejë për pushtet midis korçarëve dhe lebër-mallakastriotëve?(fund)

(vijim)

Se sa lehtë ndryshonin situatat politike në vend e dëshmojnë ngjarjet, që rrodhën pas letrave të Stalinit për Titon në pranverën e vitit 1948.  
Një udhëtim i menjëhershëm i Enver Hoxhës në Moskë, solli ndryshimin 180 gradësh të politikës së Partisë Komuniste Shqiptare. Nga një “imituese” e bindur e Partisë Komuniste Jugosllave, ajo u kthye në një nga jundërshtaret më të ashpra të saj. Pa u përjashtuar PKJ nga Kominterni(qershor 1948) filloi spastrimi i grupit të Koçi Xoxes. U përjashtuan nga partia dhe shkuan në gjyqe për krimet , që kishin kryer, Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Nesti Kërënxhi, Vaskë Koleci, Zoi Themeli dhe shumë korçarë të tjerë të Ministrisë së Brendshme. Drejtimin e këtij pastrimi e mori Mehmet Shehu, që deri në atë kohë ishte lënë mënjanë me detyra modeste në ushtri. Brenda disa muajsh, spastrimi ishte kryer dhe në vjeshtë, në Kongresin e Parë të PKSH, u konsakrua udhëheqja e re e komunistëve.
Në presidium, krahas Enver Hoxhës ishin Hysni Kapo dhe Manush Myftiu nga fshatrat e Vlorës, Gogo Nushi dhe Spiro Koleka nga fshatrat e Bregut, Berdi Spahiu nga Gjirokastra dhe mallakastriotët Mehmet Shehu dhe Liri Belishova. Nga ish-grupi komunist i Korçës ishte vetëm Pilo Peristeri, tashmë kunat i Manush Myftiut.
I gjithë terrori dhe krimet e fundit të luftës dhe të viteve të para të pasluftës, ju ngarkuan (jo zyrtarisht) grupit të Koçi Xoxes, megjithëse nga të gjithë dihej, që orientimet me gojë dhe shkrim edhe për dhumë raste të veçanta ishin dhënë nga vetë Enver Hoxha. Për të krijuar në popull bindjen se Xoxe me shokë ishin fajtorët, u liruan nga burgjet shumë të arrestuar tëpafajshëm dhe u falën dënimet edhe për shumë të tjerë.
Megjithatë terrori nuk u ndal. Mehmet Shehu, Hysni Kapoja dhe Bedri Spahiu kishin dhënë prova, që i përkisnin linjës radikale. Për më tepër, në krye të Partisë, tashmë me pozita më të konsoliduara, mbetej pa rival, Enver Hoxha.
Grupi i “Zonës së Parë Operative”, si baza e udhëheqjes së Enver Hoxhës, sundoi në Shqipëri deri në fundin e vitit 1981, kur vrau veten Mehmet Shehu. Prej atij grupi, gjatë 22 viteve ishin larguar vetëm Bedri Spahiu dhe Liri Belishova. Ushtria dhe Ministria e Brendëshme ishte e gjitha e mbushur për dekada me lebër dhe mallakastriotë. Gjithashtu ënë administratën e lartë të Partisë dhe Qeverisë, dominonin të ardhurit nga zonat e Shqipërisë Jug perëndimore.
Prej vitit 1948, Korça, që kishte humbur më parë parinë e saj tregëtare dhe intelektuale, humbi edhe mbështetjen nga komunistët e saj. Investimet ishin gjithnjë e më të vogla edhe pse korçarët shquheshin për disiplinë pune dhe aftësi profesionale.
Qytetet e Vlorës dhe Fierit, qëpërkatësisht numuronin 5 mijë dhe 3 mijë banorë para luftee kaluan brenda tre dhjetvjeçarësh popullsinë e Korçës.
Sakrificat e popullsisë së Korçës gjatë Luftës së Dytë Botërore shkuan dëm më keq se për çdo zonë të Shqipërisë.
Komunistët lebër, trima(dhe hajdutë) kishin ditur t’ju vidhnin fitoren komunistëve korçarë.
Se ku shkoi Shqipëria nën drejtimin e Hoxhës dhe grupit , që e mbështeti, tashmë dihet.

Ishin vitet e para të çlirimit një betejë për pushtet midis korçarëve dhe lebër-mallakastriotëve?(3)

(vijim)

Enver Hoxha manovroi me dinakërinë e një makiavelisti në këtë përplasje grupesh me lidhje krahinore dhe farefisnore. Me kujdes, nuk i prishi asnjëherë marëdhëniet me grupin e Koçit, që ishte favoriti i jugosllavëve, por edhe  me grupin e Shehëve, Kapove, Kondëve, Klosëve, Myftinjve, të cilët rastësisht apo edhe për efekt tarafesh, po bënin lidhje martesore me njëri tjetrin. Kështu, Hysni Kapoja ishte martuar me Vito Kondin, i vëlllai i saj Piroja me të motrën e Arben Putos, ndërsa vajzën tjetër të Putove e kishte marrë Manush Myftiu, Klosët ishin martuar me të afërt të Fiqirete Sheut e kështu me rradhë.
Ndërkohë, që misionet amerikane dhe angleze ishin larguar nga Shqipëria, ankesat e “komunistëve jugperëndimorë“ bëheshin në ambasadën sovjetike, ndërsa “juglindorët” gëzonin përkrahjen e amsadës jugosllave dhe emisarëve të tjerë të Titos, të pranishëm në qeveri.
Në këtë “zallahi” politike, viktimat ishin gjithnjë intelektualët dhe jo vetëm ata, që nuk ishin përzjerë me politikë apo kishin qënë kundërshtarë të komunistëve, por edhe vetë komunistët. Zai Fundo, Mustafa Gjinishi, Sejfulla Malëshova, Petro Markoja, Pali Tërova, Anastas Plasari, Niko Xoxi ishin disa prej komunistëve të të ekzekutuar pa gjyq, të arrestuar apo të mënjanuar në muajt e fundit të luftës dhe viteve të para të pasluftës. Sigurisht, jo të gjithë ishin ndëshkuar me porosi të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës, por për pjesën më të madhe të tyre ishte marrë miratimi i tij. “Profesori” i Liceut e dinte mirë, që mund të mbante në kontroll duke i përçarë “proletarët” dhe “gjysmëopingësit”. Energjinë e tyre negative ziliqare mund ta përdorte sa herë t’i duhej kundër atyre, të cilët i rrezikonin pushtetin.
Duhen vënë në dukje vështirësitë e qeverisjes në një vend të shkatërruar ekonomikisht, me burime financaiare tepër të kursyera, sepse Lufta e Dytë posa kishte përfunduar, por të gjitha grupet brenda Partisë Komuniste, që ndoqën qorrazi udhëzimet e jugosllavëve, në raport me anglo-amerikanët vepruan ndryshe nga Titoja. Duket frika, se në zgjedhje të lira, pas një legjislature (e para ishte e sigurt, që fitohej prej tyre) edhe mund të humbisnin përballë kundërshtarëve politikë, solli largimin e misioneve të Fuqive të Mëdha. Kjo gjë nuk ndodhi në Jugosllavi. Fitimtarët e luftës duhet të kenë patur një kompleks të thellë inferioriteti. Enver Hoxha, deri në moshën 35 vjeçare nuk kishte arritur asgjë në jetë; zanatçinjtë e Pazarit të Korçës i trembeshin artit të qeverisjes dhe komplekse të ngjashme duhej të kishin edhe lebërit, kurveleshasit dhe mallakastriotët, që nuk kishin administruar më tepër se një kope me dhi apo një ekonomi të vogël në qytezat e Vlorës, Gjirokastrës dhe Fierit.
Ndaj të gjithë, si hap të parë të Rindërtimit të Vendit, konsideruan goditjen dhe pastrimin e Klasave të përmbysura. Gërmadhave  të Luftës ju shtuan edhe gërmadhat e ekonomive private dhe atyre të administratës.
Mbështetja e jashtme vetëm nga rusët dhe jugosllavët, nuk ishte në gjendje as ta rrjeshtonte Shqipërinë në krahun e fituesve të Luftës së Dytë, gjë që do dihmonte në marrjen e një sasie të mirë dëmshpërblimesh lufte, që mund të ndihmonte në “rinisjen” e ekonomisë vendase. Për kredi të huaja as mund të bëhej fjalë. Një pushtet jo demokratik, që po sundonte me terror, ishte e vështirë për tu legjitimuar nga të huajt e o më të përfitonte kredi nga bankat e tyre.
“Grupi i korçarëve” dhe ai i “Zonës së parë Operative” bashkoheshin në një pikë. Ashpërsinë për të goditur shqiptarët, që nuk kishin qënë në një rrjesht me ta gjatë luftës (bile edhe ndaj një pjese, që kishin patur në krah). Kryetari i Gjykatës Speciale, që dënonte lehtësisht me vdekje dhe me burgome të gjata ishte Koçi Xoxe, ndërsa prokuror, Bedri Spahiu. Të dy jo vetëm, që nuk ishin juristë, por nuk kishin arsim të mjaftueshëm as për të qënë sekretarë gjyqi.
(vijon)

Thursday 26 April 2018

Ishin vitet e para të çlirimit një betejë për pushtet midis korçarëve dhe lebër-mallakastriotëve? (2)

(vijim)

Duhet theksuar se një pjesë e mirë e “kuadrove drejtues” të formacioneve partizane( dhe ata të ashtuquajturit “terren”) me origjinë nga Korça ishin qytetarë. Detyrimisht i kishin më të kufizuar elementët e “tribalizmit”, “krushqive”, “farefisnisë“, si i kishin “homologët e tyre të “Zonës së Parë Operative”. Lidhja me njëri tjetrin sipas fshatrave, krushqive, tek të funsit ishte një karakteristikë mbijetese e zhvilluar në breza , ndaj edhe pse mund të ishin anëtarësuar në Partinë Komuniste, ata ishin larg koncepteve kozmopolite dhe internacionaliste të ideologjisë komuniste.
Mehmet Shehu, Hysni Kapoja, Shefqet Peçi, Bedri Spahiu, Manush Myftiu, Abaz Shehu dhe të tjerë si ta, kishin ngritur që herët në poste sojet dhe tarafet e tyre. Komunistëtë e vërtetë si Sadik Premtja, apo Petro Markoja ishin izoluar ose nuk i kishin afruar në Parti.
I gjithë aktiviteti i Partisë Komuniste në atë zonë është i pas dimrit 1941-42 dhe përfshin afrimin e lebërve trima (dhe hajdutë) në një lëvizje patriotike, me një inklinim komunist.
Kongresi i Përmetit duhet të ketë qënë ngjarja e parë në të cilën të dy “grupimet” duhet të kenë filluar hapur fërkimet për njohjen e meritave dhe si rrjedhojë edhe të posteve të ardhshme në një Shqipëri  pa të huaj. Qëndrimi në të ishte i qartë, që Zogut nuk do i lejohej rikthimi dhe forcat e tjera politike do liheshin pa ndonjë pjesë pushteti. Në muajt në vazhdim, duke marrë shkas edhe nga krimet e Mehmet Shehut në Dumre, si edhe ato të Shefqet Peçit në Shqipërinë e Mesme, krahu i Koçi Xoxes, ishte krahu dominues në Partinë Komuniste. Ndoshta i mbështetur edhe nga i dërguari jugosllav Velimir Stojniç, ky krah(për hir të së vërtetës më pak radikal) la në hije udhëheqësit e krahut tjetër dhe dobësoi shumë pozitat e Enver Hoxhës në krye të Luftës dhe të Qeverisë së Përkohshme. Në kritikët ndaj Enverit si dhe sektarëve të tjerë, ishin edhe intelektualët Sejfulla Malëshova dhe Nako Spiru.
Në parrullat gjysëm zyrtare të dhjetorit 1944 ishin “Kush e çliroi Shqipërinë?- Enver Hoxha me ushtri, Koçi Xoxe me parti”. Koçi Xoxeja vendosi thuajse në të gjitha postet me rëndësi në Parti dhe në Ministrinë e Brendshme ish-partizanë nga zona e Korçës. Nga komunistët e Labëri-Bregut në krye kishin mbetur vetëm Gogo Nushi dhe Bedri Spahiu.
Por edhe mes korçarëve, për postet më të rëndësishme ishin zgjedhur “proletarët” e Pazarit.
Koço Tashkoja dhe Koço Theodhosi mbetën me funksione të dorës së dytë, Ymer Dishnica u mënjanua pas Marëveshjes së Mukjes ndërsa shumë të tjerë ose vazhduan studimet në Bashkimin Sovjetik, ose u kënaqën me punë të vogla nëpunësi.
Këto vite janë edhe vitet më të errëta të historisë së Korçës dhe korçarëve. Për fatin e keq të Shqipërisë, “proletarët e Pazarit” ishin në krye të represionit ndaj Shqipërisë së Veriut, tregëtarëve të pasur dhe familjeve të mëdha të vendit. Me kapacitetin e kufizuar intelektual ata ndoqën pikë për pikë metodat e egra, që ndiqte Titoja dhe Rankoviçi në Jugosllavi. Krimet e Xoxes, Kërënxhit, Kolecit, Haznedarit, Themelit e të tjerëve ndaj klerit katolik, kundërshtarëve të regjimit në Veri dhe në Shqipërinë e Mesme ishin të llahtarshme. Ndoshta efekti psikologjik i luftës, i humbjes të shokëve dhe të afërmve i ktheu në kriminela Pecanët, Lakrorët, Markot dhe të tjerë emra të zonës së Korçës, që hyjnë në listën e persekutorëve më të mëdhenj komunistë. Do i quaja “proletarët e verbër katilë“.
A kishte përpjekje brenda udhëheqjes së Partisë Komuniste për ta ndalur atë terror?
Shumë pak ose aspak. Enver Hoxha ishte edhe ai ideatori dhe frymëzuesi i KoçI Xoxes, Bedri Spahiut dhe Josif Pashkos. Pas miratimit nga ana e tij e dënimit me vdekje të kunatit Bahri Omari, asgjë nuk mund ta ndalte prirjen e tij për të konsoliduar pushtetin me anën e terrorit.

(vijon)

Wednesday 25 April 2018

Ishin vitet e para të çlirimit një betejë për pushtet midis korçarëve dhe lebër-mallakastriotëve?


Në mënyrë intuitive, pa ndonjë tregim të atyre, që e kanë jetuar atë kohë, më është krijuar përshtypja se në “betejat” për pushtet të komunistëve ka pasur një luftë të ashpër mes korçarëve (këtu po fus edhe kolonjarët) dhe luftëtarëve të Shqipërisë Jugperëndimore (Zona Vlorë- Gjirokastër- Mallakastër- Kurvelesh). Një studim serioz nga historianë të paanshëm munnd të hidhte dritë në këtë pjesë të Historisë së Shqipërisë, që ka pasur shumë të pushkatuar dhe të burgosur ndërmjet fitimtarëve të Luftës.
Në vitet ’60, kujtoj , që korçarët akuzoheshin si “lokalistë“. Nuk di se kush ja u kishte ngjitur këtë damkë. Njëkohësisht qarkullonin në të dy kampet parrullat “Vlora e bëri luftën” dhe “Korça ka qënë baza e luftës”. Ithtarë të të dy palëve numuronin se sa brigada ishin formuar në zonën e tyre dhe se cilat kishin qënë më të suksesshmet. Ende pra kishin mbetur “rrahjet e gjoksit”, që lidheshin edhe me pozitat që merrnin palët në krye të piramidës dhe në mesin e saj.
Komunistët e Korçës ishin të majtë para atyre të zonës së tjetër. Dhe kjo ishte e kuptueshme se Korça ishte qyteti më i përparuar shqiptar dhe i vetmi ku kishte hyrë kapitalizmi. Lista e të majtës kishte dalë  një herë fituese në zgjedhjet bashkiake dhe Koçi Xoxeja pat qënë për disa vjet nënkryetar bashkije. Duhet thënë se pjesa më e madhe e komunistëve të parë ishin zanatçinj duke nisur me Miha Lakon, Titanët, Koçin, Pandi Kriston, Pilo Peristerin, Kristo Themelkon, Shambllinjtë, Nesti Kërënxhin, Vaske Kolecin, Rita Markon, Zoi Themelin dhe shumë të tjerë. Ata, të cilët kishin mbaruar liceun francez si dhe ata që ishin shkolluar në universitete jashtë  Shqipërisë si Koço Tashkoja, Ymer Dishnica, Raqi Qirinxhi, Nexhip Vinçani, Taqi Skëndi, Koço Theodhosi, Todi Maliqi, Misto Treska, Vandush Vinçani e të tjerë, ishin më të pakët në numur dhe kishin edhe më pak peshë në atë grupim, sidomos në fundin e Luftës.
Rivaliteti i dy grupimeve të luftës, që është një dukuri normale në të gjithë llojet e lufrave për pushtet apo edhe të revolucioneve duhet të ketë nisur rreth vitit 1943, atëhere kur lëvizja nacional-çlirimtare mori një lloj hovi. Enver Hoxha duhet të ketë luajtur një rol të fuqishëm në nxitjen e këtij rivaliteti. Ai njihej dhe kishte marëdhënie të mira me komunistëtë e Korçës, por njëkohësisht ishte i vetëdijshëm se ata ja njihnin veprimtarinë shumë të kufizuar komuniste , si dhe plot “horrllëqe” të rinisë së tij.
Komunistët e Shqipërisë Jugperëndimore ishin më të pakët, më të rinj në moshë dhe Hoxha e dinte, që mund t’i manipulonte më lehtë.
E megjithatë, duhet pasur kujdes, që jo të gjitha “mëkatet” e kësaj “lufte të brendshme” dhe pasojave të saj duhen ngarkuar tek një njeri i vetëm. Në një pjesë jo të vogël të “luftëtarëve të lirisë“ mund të gjeje deformime të mëdha karakteri , që fillonin me arrivizmin dhe përfundonin në raste ekstreme me sadizmin. Nuk ka se si spjegohen ndryshe krimet e luftës dhe të mëvonshme të mësuesit Nevzat Haznedari, liceistit Mihallaq Ziçishti, ushtarakut Mehmet Shehu, ushtarakut Shefqet Peçi e të tjerëve si ta. Ashtu si e përshkruan Petro Markoja, një bisedë të tij me Sejfulla Malëshovën në Berat, në tetor 1944, Partia Komuniste Shqiptare nuk ju ngjante simotrave të saj franceze apo spanjolle, por ishte një bandë terroristësh, që luftonte për një pushtet jo demokratik.


(vijon)

Tuesday 24 April 2018

Të moderuarit dështuan.


Njerëzit e përmbajtur e të moderuar dështuan.
Ndoshta logjika e tyre bie ndesh me instiktet dhe egoizmin. Ose ishte një formë e kamufluar e sundimit të “logjikës së fortë“, që në vetvete është po aq egoizëm dhe makutëri si ai i njerëzve instiktivë.
Altruistët nuk mund të sundojnë. Të vështirë e kanë edhe të qeverisin.
“Specia” më shëmbullore e tyre, Mihail Gorbaçov, shihet me përçmim në vendin e tij. Si naiv, i dobët , i humbur, tradhëtar, plangprishës, i papërgjegjshëm.
Nëse par 25 vjetësh, “të plotfuqishmit” ishin vetëm në shtetet pranë Tigrit, Eufratit dhe Nillit, tani i gjen kudo.
Bibi Netanjahu i Izraelit, Taip Erdogan i Turqisë, Narendra Modi i Indisë, Duterte i Filipineve, mbreti Salman i Arabisë Saudite, gjeneral Sisi i Egjiptit dhe mbi të gjithë, autokrati më agresiv dhe më i rrezikshëm, Vladimir Putin.
Turqia, India, Tusia dhe Arabia Saudite janë anëtare të G-20, ose më hollësisht hyjnë në 20 ekonomitë më të fuqishme në botë. Nëse shtojmë edhe Kinën, me regjimin e saj autokrat, si edhe Iranin me  qeverinë e mullave, mund të thuhet pa frikë, se 3 miliard njerëz në botë, jetojnë nën sundimtarë autokratë.
E keqja nuk është vetëm në shkeljen e të drejtave të njeriut, apo në mungesën e demokracisë së plotë, por kryesisht në mundësinë për acarime ekonomike, të cilat mund të shpien lehtësisht në luftëra rajonale, të cilat sa më shumë zhvillohet teknologjia, aq më tepër rrezikojnë të sjellin një gjendje katstrofale për të gjithë globin.
Me pushtetin që gëzojnë dhe me gjithë mjetet e propagandës që disponojnë, autokratët e kanë të lehtë të manipulojnë njerëzit. Një aradhë me eunukë dhe fundkurrizilëpirës i ndjekin pas dhe ja u bëjnë të lehtë punën propagandistike dhe trushpëlarjen e të tjerëve, sidomos më të rinjve. Ajo çka që nga Lufta e Dytë Botërore ishte dominimi i pop-kulturës amerikane, tani është ndryshuar në kulturën e kultit të udhëheqësve autoritarë, që zotërojnë çelësat e pasurimit. Presidenti i vendit më demokratik në botë, Donal Trump, haptazi shpreh simpatinë për udhëheqësit “që kanë gjithshka në dorë“ duke nisur me Putin dhe duke përfunduar në Duterte. Llogjika e qeverisjes së një vendi në të njëjtën mënyrë, se si drejtohet një korporatë është llogjika vrasëse e demokracisë.
Shteti nuk është korporatë ekonomike publike dhe duhet të jetë e kundërta e një korporate private.
Situatat politike në vende si Shqipëria apo edhe më të mëdha se ajo, janë pasqyrimi i edhe më i deformuar i demokracisë të kufizuar të vendeve të mëdha. Ndaj për sa kohë sundon kjo lloj “autokracie” në shumicën e vendeve të rëndësishëm nuk mund të bëhet fjalë për inkurajim të demokracisë në vende si i joni.
A mund të rikthehen sërish “të moderuarit” në krye të formacioneve politike, apo do ketë përplasje të shtresave shoqërore?
Eshtë e vështirë të japësh një përgjigje të saktë për një pyetje, që është më se “njëmillion dollarshe”.
Dëshira për të jetuar në një botë më të mirë, të bën të besosh, se Njerëzimi i korrigjon vetë këto gjendje “anormale” të tij.
Le të shpresojmë se do bëhen pa ndërluftime botërore!

Sunday 22 April 2018

Gjenijtë nuk preken


Në mes të shumë dyzimeve rreth Kadaresë, që më kanë shoqëruar në këto 20 vjet, ka qënë ajo se a duhet shkruar në mënyrë kritike ndaj veprës dhe jetës së tij. I përballur me shkrime të shumë ithtarëve fanatikë të tij, që e “ngrenë në qiell” duke e quajtur “shkrimtari më i madh botëror, që jeton”, në mënyrë të natyrshme të vjen të shkruash, që kjo lloj deklarate nuk është e vërtetë dhe do mjaftonte ta quanim shkrimtarin më të suksesshëm shqiptar dhe njëkohësisht më prodhimtarin. Nëse do bëhej fjalë për gjinitë në të cilat ka krijuar, personalisht do e rrjeshtoja si prozatori më i mirë shqiptar pas Kutelit dhe ndër poetët më të mirë, që vijnë disa shkallë poshtë Migjenit.
Botimi sot i një parathënieje të Ismailit në ciklin e botimeve të Ministrisë së Brendëshme “Heronjtë e heshtur”, ngacmon edhe një herë “çështjen Kadare”, që lidhet më shumë me raportet e tij me Diktaturën dhe jo me cilësinë e veprës së tij apo me bindjet e tij filozofike.
Rreth atij shkrimi të bërë në vitin 1974 mund të ketë shumë komente pro dhe kundër, por që nuk sjellin asgjë të re në debatin rreth veprës së Kadaresë.
Cështja, që më ngjall interes është se “a duhen prekur gjenijtë?”
Një botues serioz, disa vite më parë më shkruante, që i kishte bërë një premtim vetes, të mos lejonte botime të shkrimeve kundër Kadaresë, duke patur parasysh dimensionet e tij letrare dhe si e vetmja figureë e shqiptare gjigande në letërsi dhe arte.
Nuk mu duk qëndrim i gabuar, edhe pse mendoj se informimi i plotë i publikut rreth veprës dhe jetës së personaliteteve të mëdha është detyrë e botuesve.
Por a është Kadareja gjeni dhe a e ulin vlerësimin e veprës së tij shkrimet kritike?
Nëse do i prëgjigjeshim pozitivisht pjesësë së parë të pyetjes, atëhere pjesa e dytë e saj merr njëherazi përgjigje negative. Eshtë njëlloj sikur të thuash, se veprës së Dostojevskit ja ul vlerën fakti, që ai ka qënë kumarxhi, veprës së Bodlerit, përdorimi i i opiumit dhe jeta hedoniste, apo veprës së Poes, përdorimi i shumtë i alkolit. Në shumë “vese” të shkrimtarëve gjenij, shpesh herë mund të gjesh edhe një pjesë të spjegimit të veçorive të veprës apo edhe të gjenialitetit të saj.
Cdo qëndrim i kundërt është i ngjashëm me qëndrimin që impononte kisha ndaj shenjtorëve.
Shkrimtari-gjeni nuk pse të jetë domosdoshmërisht i përkorë. As edhe deformimet e mëdha të karakterit nuk e bëjnë më pak të zotin.
Për sa i përket shkrimit të botuar sot, ku Kadareja ndjek pikë për pikë linjën zyrtare të Partisë së Punës, duhet thënë se nuk kishte se si të bënte ndryshe.
Nëse sektori i Propagandës i Komitetit Qëndror do i kërkonte një shkrim të tillë, refuzimi do të ishte vetëvrasje. Ishte viti menjëherë pas goditjes në sektorin e Letërsisë dhe Arteve dhe Kadareja, ashtu si shumë krijues të tjerë ishte plotësisht i pambrojtur. Shkrimi jo vetëm , që duhet të ndiqte linjën zyrtare, por të pasqyronte edhe një lloj frymëzimi të autorit, pasi dihej , që çdo fjalë e shkruar do analizohej thellësisht nga “vigjilentët” dhe ingranazhet e tjera të sistemit.
Kjo nuk e bën Ismailin “shkrimtar oborri” dhe më keq akoma bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit.
Dhe një paragraf shtesë mbi efektin e veprës së tij në lexuesit në perudhën, që u shkruan veprat. Përgjithësisht, në masën e lexuesve të paformuar dhe të painformuar, efekti i shumicës së veprave të Kadaresë ishte i njëjtë me atë të ideolgjisë zyrtare. Tek lexuesit më të kënduar, apo në ata që ishin kundërshtarë të regjimit, vepra kuptohej më thellë në ambiguitetin e saj dhe mund të gjenin edhe shkëndija të kritikës së fortë ndaj sistemit, gjë që nuk hasej në veprat e tjera. Ndaj edhe veprat e tij, pa u nxituar të konsiderohen si kryevepra, duhen parë në të gjithë gamën e nuancave të tyre dhe në efektet mbi lexuesit.
Në përfundim duhet thënë, që kemi qënë të gjithë me fat, që Kadareja nuk përfundoi në burg.
Do kishte shkruar më pak dhe letërsia e tj do kishte mbetur në heshtje, ashtu si ka mbetur edhe letërsia e disa dissidentëve.
Propaganda gjithnjë ka ndihmuar shitjet e librave dhe rritjen e famës së autorëve.

Friday 20 April 2018

Periudha post – Saje


6 muaj më parë, në valën e deklaratave të ambasadorit Lu për kapjen e “peshqve të mëdhenj” dhe konstatimeve te ministrit Fatmir Xhafaj se në Shqipëri kishte 4 familje krimi dhe 40 grupe kriminale, shkrojta shënimin politiko-imagjinar “Mblidhen katër familjet e krimit”, ku spekuloja se përfaqësuesit e familjeve mafioze shqiptare ishin mbledhur në një darkë në Petrelë dhe kishin vendosur të dorëzonin “peshkun e madh” me iniciale S.T. për të kënaqur dhe platitur ambasadorin amerikan.
Fati si gjithnjë, i buzëqesh fillestarëve ndaj atë rradhë më buzëqeshi mua si fillestar në gazetari dhe më se fillestar në politollogji.
Disa ditë më pas plasi skandali i Saimir Tahirit, që troshiti qeverinë Rama dhe pjesët e tjera të institucioneve shtetërore shqiptare.
A e dorëzuan familjet e mëdha mafioze, apo rastësia e përgjimeve italiane, apo ndonjë rrethanë tjetër e pakonceptueshme nga analistët dhe politollogët fillestarë, kjo mbetet për tu parë, kur Saje Qorri të shkruajë kujtimet në ndonjë qeli të burgut të “jakave të bardha”.
Por ç’ka ndodhur , që në plasjen e skandalit dhe ç’do të ndodhë pasi Tahiri të mos jetë më deputet, por të jetë i akuzuar në një proces gjyqësor?
“Procesi hetimor”i Tahirit ka pasur një periudhë letargjike dhe vetë Tahiri thuajse u harrua. Me ngrohjen e motit, ardhjen e Mogherinit me raportin e saj për propozimin për hapjen e negociatave, Saja ridoli në skenën politike duke kërkuar të ketë një “rehabilitim” të plotë politik. Deklaratat gjysëm përçart dhe gjysëm të koduara, të dhëna nga një individ me intelekt nënmesatar dhe me një arsimim të cungët, të cilit kryeministri i jonë delirant i kishte dhënë postin më të rëndësishëm në qeveri, dëshmojnë se Tahirit po i afrohet fundi. Dikush e informon , që nuk të mbrojmë dot, se për arsyen X dhe për “raison d’etait” duhet të shkosh ca vite brenda. Si një mafioz i papërvojë dhe i pabalancuar, Tahiri shkumbëzon duke kërcënuar se do i tregojë gjithë bashkëpuntorët e tij të fuqishëm, duke harruar, që përdorimi i asaj arme mund ta fundosë më keq në burg, ose t’i sjellë një “gojëmbyllje” të përjetshme.
Duket se Tahiri nuk ndjek as lajmet e huaja. Sot u dha vendimi për Marçelo Del’ Utrin në procesin e bashkëpunimit të Mafias italiane me shtetin, por dinaku Del’ Utri nuk e dorëzoi bosin e tij Berluskonin, me të cilin kishin formuar “Forza Italia”. U dënua vetëm me 8 vjet dhe duke llogaritur edhe shkallët e tjera të dënimeve, mund të përfundojë duke u dënuar shumë më pak.
Por Saja nuk është Del’ Utri.
Edhe Rama nuk është Berluskoni. Nëse mblidhen shifrat e IQ të Sajës dhe Ramës nuk arrijnë të bëhen sa të Del’Utrit.
A mund të krijojë Tahiri një çorbë të madhe, që të implikojë Ramën apo të tjerë mafiozë shqiptarë?
Gati e pamundur.
Jemi ende në periudhën infantile të Krimit të Organizuar shqiptar. Ka për të rrjedhur edhe shumë ujë deri në pjekurinë e tij dhe më pas në rënien.

Po me “bijtë e kurvave” ç’kanë xhamën?


Nga të gjithë thashethemet, hamendësimet, deklaratat politike në këto 27 vjet tranzicion në Shqipëri, asnjëherë nuk është thënë, që politika shqiptare apo shteti shqiptar, apo edhe bizneset shqiptare, kontrollohen nga “bijtë e kurvave”.
Eshtë folur për banditë, hajdutë, bij komunistësh, fashistë, trashëgimtarë kolaboracionistësh, bllokmenë, oligarkë, por asnjëherë për “bij kurvash”.
Për herë të parë dhe të vetme, këtë shprehje e përdori në vitin 2003 Edi Rama (asokohe kryetar i Bashkisë së Tiranës) për t’ju bërë presion ndërtuesve gjatë një mbledhjeje me ta.
Të pranishmit kujtojnë se në një pushim të mbledhjes, një ndërtuesi që i tha haptazi “për njëqindmijë dollarët , që kërkonte për një leje ndërtimi”, kryetari arrogant, i mbrojtur edhe nga frika e ndërtuesve se mos hynin në listën e armiqve, ju sul me tërbim duke e sharë me rrënjë e degë dhe u përpoq ta ndëshkonte fizikisht. Ndërtuesi nuk ishte bir kurve.
Shprehja e Ramës u rigjallërua nga një ish-Rilindas i flakët (mund të mos jetë “ish” pas disa kohësh nëse shpallet i pafajshëm), i quajtur Saimir Tahiri, i cili tha “se nuk ka bij nënash dhe bij kurvash që mund ta pengojnë të kërëkojë drejtësi!”
Meqënëse Rama ka patentën e kësaj shprehjeje, deklarata e Tahirit u quajt nga analistët si shantazh ndaj kryeminitrit, por të dy e mohuan këtë menjëherë.
Po ç’kanë socialistët me “bijtë e kurvave” dhe cilët janë këta të shkretë bij ilegjitimë?
Nuk ka asnjë fakt, që bijtë jashtë martese (më saktë bijtë e prostitutave) kanë kaq shumë pushtet në Shqipëri. Për më tepër, statistikisht ata duhet të jenë një minorancë tejet e vogël. Partia Socialiste, si është në traditën e të majtave europiane, duhet të bëjë ç’është e mundur të mbrojë minoritetet. Bile kjo ishte edhe një nga pikat prioritare kyçe të raportit të Mogherinit.
Por socialistët duket se kanë një problem të madh me prostitutat dhe familjarët e tyre. “Forca e Ligjit” e Fatmir Xhafës nuk po le lokal ku dyshohet se ushtrohet prostitucioni pa kontrolluar dhe prostitutat bashkë me tutorët e tyre mbahen gjatë në paraburgim. Eshtë një obsesion socialist për të diskrimuar jo vetëm ato, të cilat shesin trupin, por edhe fëmijët e tyre. Një praktikë dhe gjuhë e papranueshme. Edhe në kulmin e Diktaturës, Komisioni i Dëbim Internimeve, prostitutat i internonte fshatrave pa familjet.
Në rast se në kohën kur ishte Ministër I Brendshëm, Tahiri ka pasur informacion se “bijtë e kurvave”, kanë krijuar një shoqatë të fshehtë si masonët, iluminatit apo gylenistët, atëhere ka plotësisht të drejtë. Informacioni duhet të ketë kaluar detyrimisht në kryeministri dhe në zëvendësi i tij Xhafaj, por për këtë duhet që Partia Socialiste të jetë më trasparente.
Në të kundërt, nuk kanë pse t’i diskrimojnë sepse nuk është faji i tyre , që kanë lindur si rrjedhojë e një dashurie të paguar me para ose në natyrë.

Thursday 19 April 2018

A do jetë periudha e negociimit si “stazhi i komunistit” Gramoz Ruçi?


Periudha, që kemi përpara deri në hyrjen në Europë(ndoshta rreth vitit 2028) të kujton shkarrazi “stazhin e Partisë“, kur kandidatët për komunistë, brenda tre vitesh, duhet të provonin se i kishin mishëruar “10 cilësitë e komunistit”.

Cilësitë e komunistit ishin shumë larg “10 porosive të Moisiut”, të cilat janë në bazë të moralit dhe drejtësisë të botës së sotme të qytetëruar. Gramoz Ruçi dhe të tjerë ish-komunistë në drejtimin e PS-së dhe në bazën e saj, duhet të bëjnë përpjekje për të “ndruar gjakun komunist” në ndërgjegje dhe ta zëvendësojnë atë me “gjakun demokristian të ndërgjegjes së Europës”.
Europa ja u dha shansin duke shpresuar se do jenë në gjendje ta bëjnë brenda 10 vjetësh.
Edhe të gjitha pikat prioritare kyçe, të cilat i kërkon Europa shtetit dhe shoqërisë shqiptare janë të nxjerra kryesisht nga 10 porositë e Dhjatës së Vjetër.
Të luftohet korrupsioni” nuk është gjë tjetër veç porosia “Mos vidh!”, e thënë me të tjera fjalë.
“Mos vri!” është tjetra porosi, që Brukseli e ka dhënë në formën e “Luftë ndaj krimit të organizuar”, që veç trafiqeve të drogës dhe njerëzve, në këto dhjetë vjetët e fundit ka shënuar edhe një rekord vrasjesh, por për të cilat qeveria preferon të heshtë dhe jo të japë statistikat e vërteta.
Pika tjetër kyçe e raportit , ajo që lidhet me “hapat e mëtejshme për Reformën në Drejtësi”, nuk është gjë tjetër, vetëm se zhvillimi me më shumë fjalë politiko-ligjore i porosisë “Mos jep dëshmi false!” Dhe tek ne dëshmi false dhe vendime false kanë dhënë dhe japin gjykatësit, prokurorët dhe palët e akuzuara, sidomos përfaqësuesit e qeverisë.
Ndoshta e vetmja pikë prioritare , që nuk mund të identifikohet drejt për së drejti me një nga 10 porositë, është ajo e “reformës në administratë“, që lidhet me shkëputjen e administratës nga politika, me emërtimet sipas aftësive, por indirekt është e lidhur me korrupsionin, arbitraritetin dhe paritshmërinë, që mund të gjenden në disa nga porositë e sipërpërmendura, apo edhe nga porosia “Mos beso në të tjerë Zota!” (Mos beso në gjë tjetër veç Ligjit!).
E pesta pikë prioritare është ajo “E respektimit të minoriteteve”, e cila edhe pse nuk gjendet në 10 porositë e Moisiut, është e qartë në mesazhin e Dhjatës së Re “ Duaje fqinjin njëlloj si do edhe veten”.
Pra duket qartë, që kërkesa e Brukselit e sintetizuar është kthimi i shtetit shqiptar (dhe shoqërisë, që ka ngritur këtë shtet) nga një tip “barbaro-komunist” në një tip “demokratiko- qytetar”.
Po a është në gjendje, forca drejtuese politike e sotme, të udhëheqë këtë transformim të shtetit dhe të shoqërisë.
Njerëzit kanë të drejtë të jenë dyshues.
Rrënjët ideologjike të Partisë Socialiste janë larg ideologjisë mbi të cilën është ngritur Europa e Bashkuar.
Mbi të gjitha, formimi filozofik i Ruçëve, Majkove, Veliajve dhe “kompanisë bela” është ai i një materializmi të egër, makiavelist dhe i nënshtrimit të interesave të njerëzve para interesave të Partisë(në këtë rast bandës).
50 vite propagandë komuniste dhe qindra vite “stazhe partie”, kanë krijuar një brez politikanësh dhe nëpunësish, me një formim shumë larg atij europian. Dhe pikërisht këtij brezi po i beson Europa këtë ndryshim rrënjësor.
A mund të arrihet?
Po qe se largojmë nga pushteti bandën e korruptuar edhe mundet të arrihet brenda 10 vjetësh.
Në të kundërt, sytë duhet t’i mbajmë nga qielli dhe jo nga Brukseli!

Monday 16 April 2018

A duhet të gëzohemi për ndërtimin e TEC-t të Korçës?


Përgjigje e vështirë.
Le të themi se çdo lloj investimi i huaj duhet përshëndetur. Sjell punë dhe zhvillim. Një pjesë e mirë e investimit prej 350 milion eurosh do qarkullojë në ekonominë lokale.
Po pastaj?
Sipas njoftime jo të plota në shtyp, në afërsi të Pojanit dhe Plasës do ndërtohet një termocentral me gas natyral, që do prodhojë energji elektrike. Pronarët e TEC-it do blejnë gas nga gazsjellësi TAP dhe do e kthejnë në energji elektrike, të cilën do ja shesin sistemit elektrik shqiptar, shtetëror a gjysëm shtetëror, si është për momentin.
Le të mos hyjmë në hesapet e investitorëve se dinë t’i bëjnë mirë dhe as në “hesapet” e qeveritarëve, të cilët gjithashtu dinë t’i bëjnë llogaritjet e përqindjeve , që hyjnë në xhepat e tyre.
Le të shohim për një moment me entusiazëm këtë investim për qytetarët e Korçs dhe vendbanimeve rreth saj.
Ka një përpjekje, që të bën të dyshosh, se qeveritarët dhe administratorët lokalë, po bëjnë përpjekje për ta” shitur” këtë investim sin jë zgjidhje edhe për ngrohjen e qytetit të Korçës.
Fund e krye gënjeshtër!
Uji i ngrohtë, që do krijohet nga ftohja e impianteve të TEC-it, as mund të llogaritet se mund të përdoret për qytetin e Korçës. Do kërkojë investime, për tubacione, që nuk ja vlen barrra qeranë të kryhen. Asnjë investitor privat nuk do e bëjë këtë gjë.
Qëllimi i kësaj gënjeshtre është për të kaluar sa më lehtë para qytetarëve, një investim, që  është i dëmshëm për mjedisin.
Norvegjia, prodhuesi më i madh europian i naftës dhe i gazit, ka ndaluar ndërtimin e TEC-eve dhe pas dy vjetësh, të gjithë energjinë elektrike do e prodhojë me burime të rinovueshme. Në këtë drejtim po shkojnë të gjitha vendet skandinave.
Ka shumë studime, që i konsiderojnë TEC-et me gas po aq të dëmshme për mjedisin sa ato me naftë, bile edhe më tepër për shkak të rrjedhjeve të paeliminueshme të gazit metan nga tubacionet.
A i duhet zonës sonë një ndotës kaq i madh i mjedisit?
Vërtet gazsjellësi I TAP-it krijon mundësi për të prodhuar energji me kosto më të ulët, por a duhet konsideruar kjo si një leverdi e madhe për banorët?
Ne vërtet kemi një ekonomi të varfër, që ka nevojë për investime të huaja, por nëse këto investime do sjellin dëme në shëndetin e banorëve në breza a duhet të gëzohemi për to?
Ekzistena e korrupsionit të madh, detyrimisht të bën dyshues për çdo lloj investimi të madh. Për më tepër kur shoqërohet edhe me prmtime të rreme, si kjo e ngrohjes së qytetit.
Po bëhen 70 vjet, që qeveritarët e Tiranës, e kanë më të lehtë se në çdo qytet tjetër të Shqipërisë , të kalojnë investime të dyshimta. Diçka ka “ngordhur” në ndërgjegjen qytetare të korçarëve.
Edhe pse mund të mos jetë e nevojshme një protestë si ajo për ndalimin e “Skënderbeut” nga Kupat e Europçs, një diskutim i gjërë me pro dhe kundra për TEC-in e ri është i domosdoshëm.
Mos themi përfundimisht , që jemi katandisur në një turmë, që do vetëm “panem e circesnes” (kërnace dhe futboll- përkthim i imi) dhe nuk jemi në gjendje të mendojmë për të ardhmen tonë.
Le “t’i vemë në fronkë“ qeveritarët dhe kur të bindemi se nga TEC-i kemi vetëm të mira, atëhere t’i lejojmë ta ndërtojnë.


Saturday 14 April 2018

Llalla nuk është “peshk i madh”, por “gomar i ngordhur”


Ka një entusiazëm të pajustifikuar në mediat tona, prej lajmit se “është prerë urdhëri i arrestit për Adriatik Llallën, ish prokuror i përgjithshëm”.
Ka disa muaj, që Llalla jo vetëm është “ish”, por edhe i larguar jashtë atdheut. Edhe pse mund të dijë disa gjëra, për të cilat ka mbyllur sytë dhe veshët, ai nuk ka asgjë për t’i ofruar drejtësisë shqiptare. Nuk është pjesë e rrjetit politiko-qeveritar, që ka rrjepur Shqipërinë në këto 27 vjet.
Eshtë një krijesë e sistemit të korruptuar të tranzicionit dhe po kthehet në viktimë e tij. Për tu mbrojtur ka vetëm disa qindra mijëra dollarë të bëra me rryshfete, një pjesë e të cilave edhe mund t’i konfiskohen dhe të mos jetë në gjendje për t’i përdorur për të paguar avokatët.
Adriatik Llalla, një i përndjekur nga Gramshi, që edhe shkollën e mesme e ka mbaruar natën (zërat dashakeqës thonë se dhe dëftesën e të mesmes e ka fallco), arriti të përfundojë me miq, pagesa dhe pak të mësuar, një shkollë të dobët të ligjeve dhe të marrë diplomën e juristit.
Eshtë një histori “Hirushi” nga ato, që ndodhin vetëm në vendet ish-komuniste, ku njerëz me një shkollim të pamjaftueshëm, arrijnë në poste të larta, në sajë të dinakërisë, konformitetit, këmbimit të ndereve dhe lëpirjes së mendereve.
Në kohën e Turqisë(në Shqipëri), as mund të ëndërronte Tik Llalla të bëhej “kadi” dhe në një të ardhme perëndimore të mëmëdheut, njerëzit si ai do e kenë të vështirë të drejtojnë zyra avokatie.
Adriatik Llalla, moralisht duhet të dënohet për ato të cilat nuk i ka bërë, se sa për ato, që ka bërë. Pronat që ka fituar në këto vite, janë ku e ku më të pakta se të politikanëve dhe familjarëve të tyre.
Nëse arrestimi i Llallës do përdoret në mënyrë propagandistike, si kapje “peshku të madh”, apo “afirmim i forcës së ligjit”, apo edhe “triumf i Reformës në Drejtësi” është e tepruar dhe e pandershme. Llalla tani është një “gomar i ngordhur”. Eshtë dikush, që nuk ka merituar të jetë Prokuror i Përgjithshëm. Prej largimit nga posti, ai ka qënë plotësisht joinfluent në ngjarjet politike apo juridike në Shqipëri. Për këtë, vërtet ka meritë procesi i Vettingut, që po largon edhe shumë gjyqtarë dhe prokurorë të tjerë, por asnjë syresh nuk plotëson kushtet për të qënë “peshk i madh”. Prokurorët e Përgjithshëm apo Gjyqtarët e Kasacionit nuk e krijuan sistemin e kalbur shtetëror në Shqipëri. Ata vetëm kanë qënë ingranazhe të grasatuara të atij sistemi dhe kanë përfituar prej tij.
Nëse do flasim për “peshq të mëdhenj”, që drejtojnë ose lehtësojnë trafiqet e drogës, që bashkëpunojnë me krimin e organizuar pët të shantazhuar kundërshtarët, që përfitojnë miliona nga tenderat dhe privatizimet, ata duhen kërkuar midis politikanëve, duke nisur me ish-kryeministrat e duke përfunduar në ministrant e energjisë dhe komunikacioneve.
Emrat e tyre njihen nga të gjithë në Shqipëri dhe pa respektuar ndojë rend të caktuar alfabetik apo korruptiv quhen : Ilir Meta, Sali Berisha, Edi Rama, Fatos Nano, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Anastas Angjeli, Lulëzim Basha, Genc Pollo, Edmond Haxhinasto, Damian Gjiknuri, etj. etj.
Nuk është e vështirë për t’i zbuluar. Mjaft të kontrollosh dokumentacionin e shitje- blerjeve të energjisë elektrike jashte vendit, të privatizimeve në naftë, të ndërtimit të rrugëve, të koncensioneve në shëndetsi, të privatizimit të bankave, të licencave të hidrocentraleve dhe mes atyre , që kanë firmosur, në 90% të rasteve, do gjesh “peshqit e mëdhenj”.
A di Llalla se ç’kanë bërë disa prej tyre?
Edhe mund të dijë, por arrestimi i tij nuk sjell asnjë dobi për kapjen e tyre.

Majkëll Kohen “ujdisësi”


Majkëll Kohen (Michael Cohen) është avokati çifut i Trump-it. Rri i veshur si zyrtar, por më tepër të kujton një avokat Italian të Mafias, ose një avokat të lidhur ngushtë me krimin e organizuar në një vend të Europës Lindore. Me krenari pranon që quhet “fixer” (“ujdisës”) i punëve të komplikuara të Trump-it, që kanë të bëjnë me presione që lidheshin me biznesin e milionerit apo me mbulimin e marëdhënieve jashtëmartesore të Presidentit.
I njohur për ashpërsinë, paturpësinë dhe shantazhet, Kohen, njohës i botës së errët të “pronave të patundshme” të Nju Jorkut ku përplasen mafiat çifute, italiane, ruse, portorikane, vepron sipas “ligjeve” të asaj bote më shumë se sipas ligjeve të shtetit amerikan.
Besimplotë dhe arrogant deri pak javë më parë, Kohen deklaronte besnikërinë ndaj presidentit dhe mundohej t’ju bënte shantazh, aktores porno Stormi Deniells dhe avokatit të saj. Dhe nëse e gjithë situata do ishte diku në Rusi, Hungari apo edhe Itali, avokati i presidentit do ishte i paprekshëm. Për fat të mirë, edhe pse ka shumë segmente të shtetit amerikan, që përzjehen me “botën e nëndheshme”, përsëri pjesa më e madhe mbetet institucionale dhe e përkushtuar ndaj ligjit. Pa lajmërim (gjë e rrallë për një avokat) zyra dh banesa e Kohen u kontrolluan nga FBI dhe u morën shumë materiale, që lidhen me dosjet e tij të çështjeve Trump, por edhe të tjera, në të cilat dyshohet se Kohen ka kryer vepritmari kriminale.
Tashmë, avokati i presidentit, e sheh veten para akuzave dhe dje, avokatët e tij kërkuan nga gjykata e Nju Jorkut, që një pjesë e materialeve të sekuestruara, të mos kontrollohen nga prokuroria, si të mbrojtura nga ligji “mbi privilegjin e marëdhënies klient-avokat”.
E çuditshme ishte sjellja e avokatit Kohen, që nuk ishte i pranishëm në gjykatë. Ai rrinte në një trotuar kafeneje, me disa shokë të tij duke tymosur puro. Një skenë, që të kujtonte sjelljen e Saimir Tahirit në ditët, që i kontrollohej shtëpia.
Ka diçka të përbashkët në sjelljet e atyre, që e dinëë veten “të paprekshëm”. Në çaste e vështira ndodhen të rrethuar nga bashkëpuntorë të afërt, të cilët nisin e largohen gradualisht, sa më thellë hyn në telashe njeriu i pushtetshëm, apo i lidhuri ngushtë me pushtetin,
Duket se problemet e avokatit, më shumë se ato, që rrjedhin nga hetimet e Robert Mueller, do dominojnë këto muaj të jetës politike amerikane. Edhe pse proceset gjyqësore zgjatin, duket që veprimtaria kriminale e “ujdisësit” është e thellë, pasi ndjekja po i bëhet nga prokurorët që janë emëruar nga vetë Presidenti Trump (të deklaruar si republikanë).
Diçka e tillë mund të ndodhë vtëm në Amerikë!

Wednesday 11 April 2018

Kolazh prilli i përthyer


Prilli gjithnjë ka qënë një muaj i vështirë. Kohë përpara se të dilte “Prilli i thyer” i Kadaresë, bile edhe më parë se në mjeshtërinë e aktorit, studentët e rinj të mësonin të theshin sa më shpejt dhe rrjedhshëm shprehjen “Pirdh o prift në prill!”
Nuk ka një studim të plotë, se pse prilli në anët tona është kaq i vështirë, por edhe po qe se do bëhet nga historianët, ka rrezik, që shkaqet të jenë krejtësisht të kundërta. Historiani Xhufa do i rëndojë faktit, që “kur hyri prilli e pushoi këngën bilbili”, ndërsa studiuesi Tufi do e lidhë me 11 prillin dhe vdekjen e Diktatorit. Sepse nuk i kanë thënë kot, “që nuk mund të bësh një Tufë me Xhufë“.
Prilli është muaji kyç për bujqësinë, sepse vazhdojnë mbjelljet, fillojnë prashitjet, ndërthuren me lesitjet dhe njëkohësisht planifikohen ujitjet, por Ministrinë e Bujqësisë, pikërisht në këtë kohë kaq delikate dhe vendimtare, e çorodisin me lëvizjen mbarëkombëtare “Ne jemi kuksianë“. Po kuksianët vetëm për prodhim patatesh janë shquar. Ministria duhet t’i përgjigjet me lëvizjen e re “Ne jemi devollinj”, vetem se edhe shoqata “Devolli”, këtë muaj ka qënë e përqëndruar në mbjelljen e pemëve në kodrat e Liqenit Artificial dhe jo në qepët për të cilat kanë qënë me emër në gjithë Europën.
Në prill, Qeveria ka vendosur të aplikojë gjithë llojet e taksave, sa një pjesë e madhe e popullsisë, ka dalë me pankarta ku shkruhet “Arrestomë dhe mua”. Dihet që në burg nuk paguan as taksë banese, as TVSH dhe as taksë shitjeje në trotuar, por kjo është vallë zgjidhja? Me se do mbahen këta njerëz burgjeve? Sigurisht, që me paratë e taksave.
Sa më shumë njerëz të futen burgjeve aq më shumë do rriten taksat.
Ndaj zgjidhja më e mirë është, që me rastin e 11 prillit, të ketë një amnisti të plotë për të gjithë ata, që janë dënuar dhe sidomos për ata, që priten të arrestohen duke nisur me Tahirin, Metën, Ahmetajn, Gjushin, Sejdinin e duke përfunduar tek Rama.
Ne mund të shpallim se jemi i vetmi vend në botë pa burgje.
Heqja e burgjeve do sjellë edhe një ulje të numurit të policëve, për t’ju krijuar këtyre të fundit mundësi për kohë të lirë, që të venë baste, të bëjnë pakëz korrupsion dhe mbi të gjitha të bëjnë selfie hoteleve me brekë të ulura dhe me organin jashtë.
Më çudit pa masë kjo ngjarje, kur një polici nuk i mjafton të dërgojë një foto të tij pa kapele, për të eksituar një femër.
Në prill luhet edhe Drama më e madhe kombëtare, ajo e Teatrit Kombëtar, që transmetohet drejtpërdrejt në gjithë televizionet kombëtare dhe lokale.
Nuk e kuptoj përse shqetësohen artistët e Tiranës nga kullat , që do ngrihen pas teatrit?
Ne na ngritën një kullë bash në hyrje të tij dhe jo vetëm që artistët nuk u ankuan, por që nga koha e Kullës, ju ka ardhur një frymëzim i paparë, sa e kanë të vështirë të “performojnë“ në skena botërore, pa kulla përreth.
(Në fund të fundit edhe regjisori më i madh shqiptar dhe aktorja më e madhe mbiemrin Kulla e kanë- Pëllumb dhe Xhulieta ).

P.S. Nuk mund të lija në këtë kolazh pa përmendur edhe zënkat nuse vjehrrë, që shtohen në prill. Këtë rradhë nuk po ndjehen akoma Nexhi me Lilin, por një gjë është e sigurt, se po të kishte vdekur Nexhi para vitit 1985 dhe kujdesi për shëndetin e sho Enver të ishte lënë Sokolit dhe Lilianas, sot Enveri do ishte 110 vjet, Shqipëria do ishte më e fortë se kurrë dhe kryeminitre do ishte shoqja Lenka se byroistëtë e tjerë kanë lënë armët varur. Portofolet e tjera në qeveri do ishin të pandryshuara.

Tuesday 10 April 2018

Allegro ma non troppo

Violinat fillojnë
Me telat e tyre të tërhequra
Në ngjyrë ari.
Harqet tej janë flakur
Mëngjezi ka zbritur me gëzimin e matur
Dhe pasqyrimin e dritës në tunxhe
Por që nuk luhat as një fije bari
Veç tingujt mban të përflakur.
Gishtat shkelin tastierat e ndjenjave
Dhe gjithshka mugullon,
Lehtas,
Më tej,
Kumbimi i timpaneve
Fton dihatjet e klarinave,
Dhe çdo ushton,
Por jo më larg se velloja që kanë ngritur çelot,
Befas,
Kreshendot e tromboneëve,
Cdo ind të trupit dredhin,
Melodia ka përfshirë qelizat,
Ndërsa flautet e drunjtë,
Me ëmbëlsi magjike,
Nga brimat e trupave të tyre,
Në ajrin e ngjeshur jetën derdhin

Sunday 8 April 2018

Përse këmbëngulim të mos harrojmë? (fund)

(vijim)

Përveç anës qartazi të dobishme të kujtesës kolektive, që është të mësuarit nga fajet apo gabimet, për tu mbrojtur nga tiranët dhe kriminelët, që duan të marrin pushtetin, ka edhe të tjera dimensione më personale dhe njerëzore, që e bëjnë të nevojshme kujtesën.
i pari, është një lloj sensi i së drejtës, që është më se i duhur jo vetëm për ata, që preken drejtpërdrejt nga një ngjarje, por edhe për të tjerët, që kanë të nevojshme të sigurohen se në shoqërinë njerëzore ka një ekuilibër dhe se punët e mira nuk shkojnë dëm.
Duke ju referuar të njëjtit shembull, jetët e të katër intelektualëve të dënuar nga Diktatura u shkatërruan plotësisht. Kiço Venetiku dhe Vangjush Tushi vdiqën në burg. Të parit, ndoshta nuk i dihet as varri, sepse nuk kishte fëmijë dhe njerëz shumë të afërt. Ndoshta të njëjtin fat pësoi edhe e motra, e para fotografe femër në Shqipëri. Gaqo Peci jetoi edhe shumë vjet pas daljes nga burgu, por qyteti i tij (administrata më saktë), e pati harruar në gjallje dhe pasi u largua nga jeta.
Duhet të mos ngatërrojmë kujtesën, që nxit ndjenjën primitive të hakmarrjes, me kujtesën për të vënë në vend Drejtësinë. Qoftë edhe vetëm moralisht.
Ata, që përndoqën apo kontribuan në dënimin e Venetikut, Tushit dhe Pecit, patën një jetë normale dhe ndoshta u përcollën të nderuar për në banesën e fundit. Nuk dua t’i stigmatizoj si Juda, si të pashpirt apo më keq si kriminelë, por dua të theksoj se mësimi që jepet nga ky qëndrim i dyfishtë i shoqërisë është - Oportunistët dhe shërbëtorët e çdo pushteti shpërblehen në këtë jetë.
Pikërisht për të shmangur këtë mësim të keq, sidomos për të rinjtë, shoqëria duhet të bëjë “korrektimet” e nevojshme, edhe pse nuk është e domosdoshme, që “fajtorët” të ndëshkohen. Por në rradhë të parë, ata nuk duhet vlerësohen më shumë se sa duhet për veprat e tyre, që nuk lidhen me shërbimet ndaj pushtetit.
Rasti më flagrant, që lidhet vetëm me këtë ngjarje, është ai i vlerësimit të studiuesit Nasho Jorgaqi me titullin “Honoris Causa” nga Universiteti i Korçës. Në disa shkrime, kam përsëritur, që një nga “provat” që përcaktuan dënimin e Gaqo Pecit, ishin letrat, që ai i kishte dërguar Nasho Jorgaqit, ku shprehte pikëpamjet e tij kundër Realizmit Socialist.
Në Universitetin e Korçës, nuk besoj se ka ndonjë vend, ku përmenden Sotir Peci dhe djali i tij. I pari, gazetar, patriot i shkëlqyer dhe burrë shteti ndërsa Gaqoja, gjuhëtar dhe mësues i shkëlqyer. Janë figura, të cilat i bëjnë nder qytetit dhe universitetit, por veç një rruge me emrin e Sotir Pecit, e vendosur, qysh në kohën e Diktaturës, asgjë tjetër nuk ngacmon kujtesën kolektive të korçarëve.
Të paktën një pllakë përkujtimore, duhet të vendoset në Pallatin e Kulturës për piktorin Vangjush Tushi, që kontibuoi mbi 40 vite si artist dhe pedagog i pikturës. Ndërkohë, në qytet mbillen pemë apo vendosen pllaka, për njerëz të artit, që kanë bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit.
Orkestra frymore (banda e qytetit) duhet të marrë emrin e Kiço Venetikut, për punën e gjatë dhe cilësore, që pat bërë.
Dhe të gjitha këto, jo thjesht për të kujtuar emrin dhe veprën e tyre, por për t’ju treguar brezave se idealizmi dhe jo pragmatizmi apo çizmelëpirja, janë vlerat, të cilat shoqëria njerëzore kërkon t’i mishërojë në çdo pjestar të saj.
Njeriu ka një cilësi që e dallon veçanërisht nga kafshët dhe që është Altruizmi.
Në kohën kur materializmi, egoizmi, pragmatizmi janë shtuar kaq shumë dhe rrezikojnë të sjellin të tatëpjetën e shoqërisë, përmendje a përsëritur e shembujve altruiste nga e kaluara është domosdoshmëri.
Këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë.

Friday 6 April 2018

Përse këmbëngulim të mos harrojmë?


Dymije vjet me pare, nje te premte feste, u krye nje nga padrejtesite me te medha te historise se njerezimit. Njeriu, qe predikonte dashuri dhe paqe, u ekzekutua pasi u torturua dhe u poshterua nga shteti dhe turmat. Prej asaj kohe padrejtesite dhe krimet e pushtetit kane vazhduar. Duket se Njerezimi e ka te veshtire te mesoje nga e kaluara.






Shpesh dyzohem nëse harresa është e dobishme apo e dëmshme. Teorikisht, për deri sa ekziston është e dobishme. Në të kundërt “mendja do na pëlciste” nga rregjistrimet e gjithshkaje që provojmë në jetë.
E megjithatë, ka një dëshirë të njeriut (dhe njerëzimit) për të “rregjistruar” gjithshka edhe pse kjo harxhon energji të pafundme, që mund të përdoren në fusha të tjera të krijimtarisë njerëzore.
A duhet të harrojmë qëllimisht, apo të lemë të lirë ato, të cilat mbeten në mendjen tonë?
A duhet ta rifreskojmë dhe saktësojmë kujtesën kolektive?
Përse është e dobishme, të kujtojmë “ngjarje të vdekura”, të cilat në çastin që janë kaluar janë në mënyrë pambarimisht larg nesh?
Le të ndajmë pjesën e kujtesës sonë, që lidhet më shumë me kujtesën kolektive nga pjesa tjetër e kujtesës edhe pse është e vështirë “një prerje me thikë“.
Pra të flasim për ngjarje dhe dukuri shoqërore, politike, ekonomike etj., të cilat i  kemi përjetuar. Jo të gjithë i kemi përjetuar në mënyrë identike, sepse si qënie biologjike dhe sociale nuk jemi identikë. Por ka diçka, një lloj rezultante të përjetimeve (jo një mesatare aritmetike të tyre), e cila është më pranë të vërtetës dhe përbën atë, e cila quhet “mbresa kolektive”.
Po marr një shembull, i cili është “i largët” në kohë, por e kam prekur dy tre herë brenda një viti dhe mund ta përdor si ilustrim për ç’ka po shqyrtoj.
42 vjet më parë, në Korçë, u arrestua një mësues muzike dhe e motra e tij. Mësuesi quhej Kiço (Kristo) Venetiku. Ishte edhe dirigjenti i orkestrës frymore të qytetit. Fjalët, që qarkullonin ishin se u arrestuan “për politikë“, brenda një vale arrestimesh dhe internimesh në qytet.
Për shumicën e qytetarëve, lajmi ishte i pakëndshëm se po shtonte një klimë pasigurie, që në atë kohë ishte e frikshme ta quaje “klimë terrori shtetëror”. Sigurisht, që jo të gjithë e përjetonin njëlloj. Në çdo shoqëri ka njerëz ziliqarë, mendjepakët, fanatikë, të manipulueshëm, që e përjetonin si të domosdoshme një gjë të tillë dhe përsërisnin hapur ose edhe me mendje parrullat zyrtare “uji fle, hasmi s’fle”, “armiku i brendshëm është më i rrezikshëm”, “të ushtrojmë pandërprerë luftën e klasave” e të tjera si këto, që sot na duken marrëzira. Kishte edhe të tjerë, që nuk e miratonin hapur, por dyshonin se edhe diçka mund të kishin bërë “se kot nuk të marrin”, ose “po edhe atyre ç’ju duhet që ngatërrohen me politikë!” Por ndjenja e përgjithshme ishte frika e njerëzve nga shteti, e sintetizuar në shprehjen “C’të bën qeveria nuk ta bën as Perëndia!” Kur të tjerë njerëz të nderuar në qytet, bile të shtyrë në moshë, u arrestuan, si piktori Vangjush Tushi dhe mësuesi Gaqo Peci, atëhere ndjenja e frikës dhe e dyshimit se një padrejtësi e madhe po bëhet, u shtua. Gjyqi publik i tyre i shumëfishoi këto dy ndjenja. Në dritën e diellit dolën bisedat e tyre dhe “faktet “ e tjera, që për shumicën e njerëzve nuk i bënte as ë pakujdesshëm” se ishin kryer në rrethe shumë të ngushta.
Shteti-parti ja kishte aritur qëllimit.
T’ju fuste frikën të gjithëve, se askush nuk është i sigurt nëse mendon apo flet ndryshe.
Ndaj pikërisht për këtë nuk duhet harruar.
Njerëzit bien në ujdi, që të ngrejnë një tërësi institucionesh për t’i mbrojtur dhe për të ndihur, që jeta për të gjithë të jetë më e mirë dhe kuptojnë se kanë të bëjnë me një Përbindësh.
Frika nga Shteti, apo nga njerëzit e veshur me pushtet është e tmerrshme. Dhe kurdoherë mund të përsëritet. Mund të jetë diktaturë e majtë e djathtë, mund të jetë regjim despotik, mund të jetë regjim mafioz ose diçka tjetër, por është një gjë merritëse.

(vijon)

Thursday 5 April 2018

Diçka nga fjalori politik i tranzicionit


Eshtë interesante dhe njëkohësisht për të qeshur, me disa shprehje të reja të fjalorit politik shqiptar, të cilat nga të panjohura, përqafohen nga politikanët, gazetarët dhe pastaj nga të gjithë njerëzit, që “ushqehen” me politkë dhe më pas treten dhe nuk përdoren më.
Nga fjalët shprehje të para, me të cilat u justifikuan edhe shumë veprime barbare ndaj pronës së përbashkët ishte “eksodi”.
Askush nuk e kishte përmendur më parë dhe për shkak të ndalimi të Biblës, 99% e popullsisë nuk ja dinte kuptimin. Eksodi u përdor për largimin në masë drejt Italisë dhe Greqisë dhe përdorej vend e pavend, sidomos në fshatra, për të justifikuar dëmtimet në stalla, shkolla dhe depo. “E bëri eksodi!”
Në të njëjtën kohë, me fillimin e jetës parlamentare, nisi përdorimin shprehja I dha dritën jeshile!’ Dukej që ishte një kopjim i shprehjeve të huaja, se tek ne nuk kishte shumë makina, por mbi të gjitha as edhe një kokërr semafori. Aq e përdorshme u bë si shprehje, sa në mjedise familjare edhe adoleshentët nuk kërkonin më leje nga prindërit për të bërë diçka, por theshin “do ma hapësh pak dritën jeshile”.
“Firmat piramidale” ishte një tjetër shprehje origjinale e politikës shqiptare. Kudo në botë, dukuria njihet si “skemë piramidale” apo “skema Ponci”, por përshtatja e jonë, vinte nga një bashkim i shprehjes “ I kemi vënë paratë në firmat”, (e kohës kur nuk dihej karakteri i tyre “mashtrues”) dhe “piramidë“, kur paratë  mbaruan dhe të gjithë u shtypën nga piramidat.
I të njëjtës periudhe është shprehja më jetëgjatë e tranzicionit (njëkohësisht edhe më iluzorja) “integrimi europian”. Mbi 70% e popullsisë nuk ja di kuptimin kësaj shprehje, por e merr me mend, që është vendimtare për jetën e Shqipërisë, pasi edhe një parti e shquar për hajdutllëk, quhet “Lëvizja Socialiste për Integrim”. “Integrimi” ka marrë të njëjtën peshë si ishte dikur Komunizmi – Faza e fundit e zhvillimit dhe lumturisë. “Sa mirë do jemi kur të integrohemi!- del nga gjokset e fshatarëve të zonave malore.
Vitet e fundit, sollën disa shprehje të panjohura më parë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë, të cilat kanë dominuar fjalorin politik shqiptar.
Rilindja Urbane” është shpikja e Ramës apo e dikujt pranë tij, e cila nënkupton një tualet të qendrave të qyteteve. Në botën e urbanistikës njihen shprehjet “rinovimi urban” (urban renewal) apo “rivitalizimi urban”(urban revival), por këto koncepte nuk kanë të bëjë aspak me natyrën propagandistike të shprehjes së socialistëve. Lidhen me shembjen e blloqeve apo të lagjeve të degraduara dhe zëvendësimin me komplekse të reja dhe moderne.
Epokës së Ramës, po me autorë kundërshtarët e tij, i përket shprehja “kanabizimi i vendit” e pa hasur edhe në vende të tjera të dalluara për prodhim droge. “Kanabizimi” u gjet si shprehja më e lartë e degjenerimit të shtetit, që ja kaloi edhe “korrupsionit”, që ka mbërthyer prej më se 20vjetësh çdo qelizë të shoqërisë shqiptare. Duke dashur t’ja rëndojnë negativizmin, disa opozitarë e përdorën edhe si “kanibalizimi i vendi”, për të rritur efektin në masat e gjëra. Duket nuk ju mjafton shprehja “shtet ose shoqëri e kalbëzuar”, që i përmbledh të gjitha.
Një rreze të fuqishme shprese, solli para dy vjetësh shprehja e panjohur “Vettingu”. Në fillim u prit me një dozë dyshimi, si çdo e re që futet menjëherë në jetën tonë socialisto-anadollake, por si u spjegua mirë nga ambasadorët, u përqafua nga të gjithë duke u kërkuar të bëhet jo vetëm në Sistemin Juridik, por edhe në politikë, polici, ushtri, media, arsim, shëndetsi dhe deri në familje. Kandidatëve dhe kandidateve për fejesë ju kërkohet “vetting” për moral, financa, qëndrim politik dhe dëshmi kriminaliteti. “Vettingu” është një lloj si në portat e Parajsës, ku mund të kalosh ose jo në varësi të mëkateve.
Dy ditë më parë, për të mos e lënë pa pasuruar fjalorin politik, doli në qarkullim shprehja “mosbindje civile”. Ka shumë njerëz, që nuk e kanë shumë të qartë se për ç’lloj “mosbindjeje” bëhet fjalë, sepse civilja tek ne më shumë lidhet me “gjendjen civile”.
Gjithsesi, deri sa të dalë një shprehje më e fuqishme, më shpresëndjellëse, më përcaktuese, shqiptarët e varfër , të cilët nuk i ze “vettingu” do jenë në dilemën:
“Të bëj apo mos bëj mosbindje civile – kjo është çshtja!”

Wednesday 4 April 2018

Gaqo Peci dhe Nasho Jorgaqi


Ka kaluar më shumë se një vit nga botimi i një shkrimi tim për gjuhëtarin dhe mësuesin e nderuar Gaqo Peci në Shqiptarja.com.
Pikënisje për shkrimin ishte heshtja rreth figureës së tij dhe një arsye tjetër shumë personale, që kishte të bënte me di]ka, që më kishin treguar kur humba babanë. Dikush, që kishte punuar në sektorin e Punëve të Brendëshme më pat thënë këto fjalë: “Andoni kishte arsye të kishte maninë e persekutimit. Gaqo Pecin, kur e arrestuan, e patën izoluar për dy javë në Degën e Brendshme të Pogradecit, Reshat Leskaj dhe Kristofor Pe]i dhe i kërkonin të dëshmonte kundër titeti dhe dikujt tjetër, por ai nuk pranoi me gjithë presionet e mëdha.”
Nuk kam arritur ta verifikoj këtë, sepse në fillim nuk më linte dhimbja dhe më vonë, kur doja të falenderoja Gaqon, ai kishte ikur të jetonte në Berat. I mbeta përgjithnjë mirënjohës, edhe pse në librin e tij rreth hetuesisë dhe gjyqit, nuk përmendje di]ka e tillë.
Me mendje e gjeja edhe të vërtetë, por edhe nuk përjashtoja mundësinë e një keqkuptimi. Marëdhëniet e babajt me Gaqon kishin qënë korrekte, por të ftohta. Por, gjithashtu, Gaqoja njihej për karater shumë të fortë dhe një qëndrim të shkëlqyer në gjyqin- farsë, të cilin ju bënë katër intelektualëve të shquar kor]arë.
E vija në dyshim, sepse logjikisht, në rast se donin të implikonin babanë, mund t’i bënin presion Vangjush Tushit, me të cilin babai pat pasur marëdhënie më të afërta.
Gjithsesi, si do që të ketë ndodhur, figura e Gaqo Pecit shkëlqen në historinë e qytetit të Kor]ës dhe di]ka më shumë duhet bërë, për të mos u mbuluar nga harrimi.
Sot, rastësisht, gjeta online, një reagim të hershëm tëNasho Jorgaqit, ndaj shkrmit tim, në të cilin ai hedh poshtë përfshirjen e tij në dëshmitë kundër Gaqo Pecit.
A mund të jetë e vërtetë mbrojtja, që i bën vetes Nasho Jorgaqi?
Edhe pse të vërtetën mund ta dijnë vetëm Reshat Leskaj dhe hetuesit e tjerë, që përpiluan dosjen e Gaqos, ka di]ka të ]uditshme që nuk përmendet në spjegimet e Nashos.
Dhe kjo është Heshtja.
Studiuesi Jorgaqi, edhe pse tregon me mirënjohje se sa e pat ndihmuar Gaqo Peci me korrespondencën e Sotir Pecit me Nolin, nuk e gjeti kurrë të nevojshme t’i përgjigjej publikisht Gaqo Pecit, ndaj akuzave, që ai ngrinte në librin e tij “Në panxhat e Sigurimit”.
Cuditërisht, reagoi menjëherë pas shkrimit tim, në të cilin, 20 vite më vonë, kur Gaqoja nuk jetonte më, përsëriteshin ato, që ishin shkruar në librin e mësuesit të nderuar.
Nasho Jorgaqin nuk e akuzoj unë, por libri i shkruajtur nga Gaqo Peci.
Edhe pse logjika nuk ma pranon, që letrat e hapura nga Sigurimi(fakt i njohur ky për kohën) të mos shkonin tek i adresuari Nasho, përsëri nuk e përjashtoj plotësisht mbrojtjen e tij.
Por për dikë të interesuar, që të mbrojë emrin e tij dhe njëkohësisht t’i bëjë një nder edhe figurës së mikut të tij Gaqo Peci, dosja e plotë e ndjekjes dhe e dënimit të Gaqos, mund të merret dhe të gjendet se cila është e vërteta.
Ishin letrat drejtuar Nashos ato, të cilat e fundosën djalin e Sotir Pecit?

Kamzhiku i së Hënës


Unë isha atje
Kur kamzhiku fishkëllinte
Dhe nuk e kuptoja tërbimin e Njeriut.
Gjithshka ishte “normal”
Bashkë me të tjerët
Këmbeja monedha
Erza shisja me një të rremë kandar
Mundohesha të kuptoja blerësit,
Cili nuk lëshon dhe cili fal.
Kamzhiku nuk më preku në trup
Shpirtin më përcëlloi zemërimi,
I të bukurit gojëartë,
Me brerore dashurie flokëve
Ndaj me turp i flaka të gjitha,
U nisa të kërkoj ku fshihet gëzimi.
Nuk di se ç’ndodh në Tempull.
A sundon përgjërimi i lutjes
Meditimi i thellë,
Apo zhurrma?
Netëve një fishkëllimë kamzhiku dëgjoj
Zgjohem i tronditur,
Më pas kuptoj
Se pse jam ndarë nga turma.

Tuesday 3 April 2018

Hugo*


Pranvera po vjen
Dhe ti nuk do vish më Hugo.
Nuk do ketë as rrënjë bimësh të ngrëna,
Dhe as vrapime vetëtimthi nuk do ketë.
Mosbesimi jot
Varur do jetë gjerdheve,
Gjerdheve me fletë.
Nuk di pse aq shumë dyshuam.
Ti për mua
Dhe unë për ty,
Dorën me droje një ditë të zgjata
Thellë i trembur më ndoqe me sy.
Dhe ike thellë në tënden fole,
Ku errësira është më e mirë se unë,
Thellë në dhe,
Atje ku nuk vij dot,
Ku mund të mbrohesh edhe me thonj,
Ku mund të qetohesh në të thellë gjumë.
Hugo të quajta ashtu kot,
Nuk di pse ti më shihje si armik,
Ne po njëlloj kërkojmë ushqimin,
Njësoj kujdesemi për fëmijët,
Të njëjtë kemi
Acidin dezoksiribonukleik.
Nuk dua t’ja di për bimët e ngrëna,
As për vrimat e hapura në gjerdhe,
Ti pjesën tënde ke në natyrë,
Ashtu si unë,
Ndaj eja sërish,
Miqësisht do të pres,
Si ditën e parë kur erdhe.

Panis Angelicus


Përse mes atij pylli, të vetëm
Kërkonim të gjenim liqenin?
Pasqyrimin e qiellit kërkonim,
Një fole të fshehtë,
Misterin e pavdekësisë së pemëve
Apo veten tonë do gjenim?
Në trup nuk kishim tesha,
Ashtu si pylli gjethe nuk kishte
Mbi trungjet e rrëzuar
Lastarë të tjerë kishin dalë,
Mundoheshim të gjenim myshqet mbi lëvore
Dhe befas ndeshëm
Në një lirishte.
Të thashë:
“Ulu më prit,
E ndjej që uji është më tej.
Do shkoj të kridhem e kthehem prapë
Mbuluar nga flokët këtu do të gjej.”
Ti u mbështolle me frikën e vetmisë,
Dhe me sy më the “Mos ik!”,
Prej copës së kaltër të qiellit.
Një afsh ëmbëlsie zbriti,
Porsi një tingull magjik.
Panis Angelicus ishte,
Vertet i ëngjëjve ushqim,
Të kredhur në njomësinë e asj melodie
Përqafuar ndenjëm në lirishte,
Njësh të bërë,
Të dashuruar
Deri në amëshim.

Monday 2 April 2018

Ringjallu!


Edhe nëse të rrëzojnë të përgjakur
Ringjallu!
Ditët do i përthajnë dregat
Netët do nanurisin brengat
Shpejt do shohësh horizontit të përflakur
Se je ringjallur.
Edhe në të djegin mbi një turrë drush
Ringjallu!
Të jetës lëngje do shuajnë flakët
Flladet do lehtësojnë plagët
Këmbët do i ndjesh mbi të skuqurin prush
Se je ringjallur.
Edhe nëse me duar të të mbytin
Ringjallu!
Mendja do e thithë ajrin
Zemra do rinisë vrapin,
Piskama befas do përshkojë fytin
Se je ringjallur.

Përdrodha një degë të pemës


Përdrodha një degë të pemës
Nuk di pse e bëra.
Ndoshta sepse sythet ende nuk kishin dalë.
Në plasaritjen e lëvores,
Një lot u shfaq,
I dhimbjes,
Mu duk një qortuese fjalë,
U drodha sakaq.
Në Pyllin ku degët përdridhen
Si pentagramë të harlisur,
Ku pranvera lajmërohet
Me një të fryrë trompe stërmadhe,
Zogjtë përplasin cicërimat
Rrugës së madhe,
Se kanë pritur një vit
Edhe një tjetër vit
Për të parë flokët e saj.
Degës së pemës i pëshpërita
T’ju thoshte cicëruesve
Të ndalin të kotin vaj.
Kur të dalin sythet e parë,
Pa mbuluar blerimi,
Ajo rrugën do marrë,
Do bashkohet me korin e tyre a-kapela,
Në ditët plot dritë,
Se fund po merr dimri.