Sunday 19 August 2012

Përçart.


Lulet janë venitur pa kuptuar se nuk bie shi që mund t'ju fshijë emrin e harruar. E ndoshta dhe shiu që nuk vjen ka rreshtur dhimbjen mes rruazave shpinore, që dukej se do vazhdonte më gjatë se shprishja e shtëllungave të gazta që na mbrojnë prej asgjesimit. Diçka duhet të bësh për tu ushqyer, por nuk është mirë të vrasësh njerëz pa uniformë, të cilët rastësisht sillen në vende ku nuk duhet të jenë për të kënaqur kureshtjen që ju nxit dëshira për të jetuar. E në të gjithë këtë tokë të plasaritur, të zhurritur për diçka të lëngët, shëllërja është e vetmja gjë që të sjell më pak mundim e dhimbje. Mbi sytë e hapur ëndrrat nuk vijnë ndaj duhet pritur gjithë mundim lodhja për të hyrë në botët që mund të jenë po aq të gënjeshtërta sa e rreshkura që ke para syve. Nuk mund të valëvitësh asgjë në ajër, sepse tepër i ngathët është ai që të rrethon dhe beze të bardhë nuk mund të thurrësh me me fijet e zbrazëtisë. Tingujt pezull nuk i shtyn dot pranë njeri tjetrit për të parë nëse mund të harmonizohen apo të gjakosen mes syresh. E fundja rimat janë veë ngacmime të përkohshme të pjesëve të parreshkura të lëkurës. Pjesëve që kanë parë më pak diell e të vërteta. "Vari k...t!" ze vendin e shpëtimit universal  e të kujton që as vertikalja nuk është vertikale, por e kemi quajtur të tillë për lehtësi studimi. Diku shtrihet HICI, që disi lidhet me vdekjen, por asgjë të ngjashme nuk ka me të. As  me numurat. As me pasditet e trishta të të dielave në gjysmërruzullin, që e quajmë jugor pa qënë i tillë. Gjithshka e padeshifrueshme në këtë pyll shenjash ku nuk janë tharrë vetëm lulet. Shumë larg( edhe kjo fjalë nuk ka kuptim) dikush mundohet të kutojë jehonën e lënë mes degëzave të shkurreve shenjore ose të matë nxehtësinë e ballit për të kapur fillin e përçartjeve. (Nëse nuk janë të gjitha të tilla.)

Një tjetër buzë e sipërme nuk arrin të mbulojë turpin që fshihet brenda vrimës së gojës prej të cilës dalin pëshpëritjet e dëshirave marrëzish të fshehta, kur të tilla nuk duhet të jenë.
Këmbët e zbathura janë mërzitur nga rëra dhe të tjera përkëdhelje duan të ndjejnë në këtë fund stine plazhi të detyruar.

Thursday 5 April 2012

Fillimi i "Klecka-22"

Me poshte eshte fillimi i librit. Vetem nje faqe e kapitullit te pare te romanit "te papam" te Kelerit. Do mundohem pak nga pak ta ve te gjithin:


            1 TEKSANI





Ishte dashuri me shikimin e parë. Në çastin që e pa, Josariani u sevdallis me kapelanin.

            Josariani ishte shtruar në spital me një dhimbje në mëlçi që ishte thuajse verdhëz. Doktorët i ngatërronte fakti që nuk ishte tamam verdhëz, se po të ishte ja gjenin ilaçin. Po të mos ishte verdhëz dhe dhimbja t'i kalonte do e nxirrnin nga spitali, por duke qënë gjithë kohës thuajse verdhëz e pandryshuar, kjo ja u bënte mendjen çorbë.

            Cdo mëngjez, tre mjekë të gjallë e seriozë, me gjuhët brisk dhe shikim të mjegullt, e vizitonin Josarianin të shoqëruar nga infermierja e gjallë dhe serioze Daket, e cila nuk e honepste. Lexonin kartelën në këmbët e krevatit dhe menjëherë e pyesnin për dhimbjen. Kur ai ju thoshte që ishte po njëlloj, acaroheshin.

            - Asnjë ndryshim?- pyeti më i madhi syresh. Doktorët vështruan njëri tjetrin kur Josariani tundi kokën në shenjë mohuese.

            - Jepi një tabletë tjetër

Infermierja shënoi në kartelë që i duhej shtuar edhe një tabletë dhe të katër vazhduan me të sëmurin tjetër. Infermieret nuk e kishin qejf Josarianin. C'është e drejta atij i kishte shkuar dhimbja e mëlçisë, por nuk ju tha doktorëve dhe ata nuk dyshuan. Dyshuan vetëm se nuk ishte më kaps dhe nuk tregonte.

            Në spital Josariani i kishte të tëra. Ushqimi s'ishte keq dhe vaktet t'i sillnin në krevat. Racionet e mishit ishin të bollshme dhe pasditeve të nxehta ju shpinin edhe lëng frutash ose qumësht dhe kakao me akull. Veç doktorëve dhe infermiereve, njeri tjetër s'të binte më qafë. Për ca kohë, mëngjesave e vinin të çensuronte letrat e ushtarëve, por si mbaronte mund të zhgryhej tërë kohën në shtrat duke e patur ndërgjegjen plotësisht të pastër. Në spital ishte rehat dhe që aty s'e lëvizte njeri se temperatura i rrinte 38 e gjysëm. Ishte dhe më rehat se Danbari, i cili herë herë duhej të binte më hundë nga krevati vetëm e vetëm që t'ja sillnin të ngrënat në krevat.

            Si e ndau mendjen të rrinte në spital deri sa të mbaronte lufta, Josariani ju shkrojti tëre të njohurve që ishte në spital, po pa ju thënë përse. Disa ditë më vonë i erdhi një tjetër ide. Ju shkrojti që po shkonte në një mision luftarak shumë të vështirë. " Kërkuan vullnetarë. Eshtë shumë i rrezikshëm po dikush duhet ta bëjë. Do t'ju shkruaj me tu kthyer." Dhe nuk i shkroi më kurrë njeriu.

            Tërë oficerët e shtruar në spital duhet të censuronin letrat e ushtarëve pacientë, të cilët ishin në një pavion më vete. Ishte një punë monotone dhe Josariani u zhgënjye më shumë kur pa që jetët e ushtarëve ishin jo aq të mërzitshme sa jetët e oficerëve. Pas ditës së parë nuk pati më asnjë lloj kureshtje. Për mos u mërzitur filloi nga marifetet. "Poshtë cilësorët!"-tha një ditë dhe i mbuloi me bojë tërë mbiemrat dhe ndajfoljet e letrave. Ditën tjetër ju shpalli luftë nyjeve të përparme. Nivelin krijues e rriti kur i fshiu tërë fjalët dhe la vetëm lidhësat. Sipas mendjes së tij, kjo shtonte tensionin dinamik ndërmjet rrjeshtave dhe shtjellonte një mesazh më universal. Më vonë filloi të fshijë përshëndetjet e para të letrës dhe emrin e të adresuarit, pa prekur ç'shkruhej më poshtë.

(vijon)

           

Wednesday 28 March 2012

Milo Majnderbajnder.

Milo eshte nje nga personazhet me te lezecem te romanit "Klecka-22" Nga itendent i nje grupi, me shpirtin prej tregetari te lindur, ndermer sipermarje nga me te cuditshem ne teatrin e Luftes se II boterore. Me poshte eshte nje pjese e kapitullit 24, qe titullohet Milo.

"
            24 MILO





            Prilli ishte muaji më i mirë për Milon. Shpatoret ishin plot lule dhe në bregun afrikan të Mesdheut frutat kishin zënë të piqeshin. Në prill zemrat rrihnin më me forcë dhe orekset hapeshin.

Prilli ishte pranverë e plotë dhe në pranverë idetë e ndritura të Milo Majndërbajndër ishin drejtuar tek mandarinat.

            - Mandarina?

            - Po zotëri.

            - Hëm. Këta të mijtë i pëlqejnë mandarinat- pohoi koloneli i katër skuadroneve të B-26 në Sardenjë.

            - Do ju sjell të hanë mandarina sa të fryhen po qe se kini para nga fondi i mencës- e siguroi Milo.

            - Pjepëra dimërakë?

            - Tani  i gjen badihava në damask.

            - Kam dobësi për dimërakët. Gjithnjë më kanë pëlqyer ata pjepra.

            - Më jep vetëm një avion për çdo skuadron dhe do sjell një dynja me pjepëra dimërakë me fondet e mencës.

            - Ne i blemë nga sindikata?

            - Po dhe të gjithë kanë pjesë.

            - eshtë çuditërisht e pabesueshme. Si ja ke arritur?

            - Kur ke fuqi të madhe blerëse dhe ble me shumicë gjithshka arrihet. Për shembull kotoletat e viçit.

            - S'i kam qejf kotoletat e viçit- tha nëpër dhëmbë komandanti dyshues i B-25 në veri të Korsikës.

            - E ke gabim. janë shumë të ushqyeshme.- këmbënguli Milo- I ke të lyera me të verdhë veze dhe thërrime peksimadhesh. Pa le brinjët e qingjit.

            - Brinjë qingji?- tregoi interes komandanti i B-25- Të cilësisë së parë?

            - Më të mirat e tregut të zi.

            - Qingja qumështi?

            - Qingja qumështi njomzakë me breçka rozë. I ke si të falura në Portugali.

            - Nuk dërgoj dot avion në Portugali. Nuk jam i autorizuar.

            - Kam unë autorizim, por vetëm më jep një avion me gjithë pilotin. Dhe mos harro që mund të kesh edhe gjeneral Dredlin në mencë.

            - Do vijë prapë gjenerali të hajë në mencën time?

            - Do vijë e do hajë si derr po të ketë vezë të freskëta dhe gjalp taze nga ato që ble unë. Do ketë edhe pjepra dimërakë, kunguj Stambolli, fileto salmoni, midhje dhe skallopë.

            - Dhe të tërë kanë pjesë në fitim?

            - Hë de, kjo është ç'është.

            - Nuk më duket punë e pastër- hungërriu komandanti dyshues, që nuk e kishte qejf Milon.

            - Eshtë në veri një komandant jodashamirës, që e ka inatin me mua- u ankua Milo në gjenerali Dredël - Mjafton një njeri ta prishë të tërë projektin dhe më s'do kem se ku të gjej vezët e freskëta dhe gjalpin taze që të pëlqejnë ty.

Gjenerali e transferoi jodashamirësin në ishujt Solomon të hapte varre dhe në vend të tij vuri një kolonel me bursitis që pëlqente frutat liçi, prej të cilit Milo njohu gjeneralin e B-17 që vdiste për salçiçe polake.
......."



Sunday 25 March 2012

Per te dhene pak shije nga "Klecka-22"

Me poshte eshte nje pjese e vogel e kapitullit 17 te romanit "Klecka-22" e Johan Keller. Eshte nje satire ndaj absurditetit te Luftes se Dyte boterore dhe mjediseve ushtarake amerikane. Kapitulli 17 titullohet "Ushtari i shtenen ne allci" dhe zhvillohet ne spitalin ushtarak te Pianozes, ndersa aleatet kane zbarkuar n Jug te Italise.

"
- C'gjynahe do ketë bërë që mbaroi kështu?- tha oficeri i Degës ushtarake që kishte malarie dhe një të pickuar mushkonje në bythë, pasi infermierja Daket pa termometrin dhe zbuloi që ushtari në allçi kishte vdekur.

            - U nis për në luftë

            - Të gjithë u nisëm për luftë - përmëndi Danbari.

            - Këtu dua të dal- vazhdoi oficeri malarik- Përse të vdesë pikërisht ky? Nuk ka asnjë logjikë në këtë sistemin e shpërblim-ndëshkimit. Shiko ç'më gjeti mua. Do ishte e drejtë që në vend të këtij pickimit të mushkojnës të kisha marë sifilis ose skollo për ato pesë minuta pasioni në plazh. Po malarie? malarie? Shpjegomë pak ti ç'lidhje ka malaria me zuzarllëkun?- Vazhdonte të tundte kokën i çudtur oficeri i Degës ushtarake.

            - Po unë?- u hodh Josariani- Po unë që dola një natë të blija një çokollatë në Marakesh dhe përfundova pas ferrave me një oficerkë, që as e njihja dhe mora racionin tënd të skollos. Unë s'kisha dalë për seks po për një çokollatë, po si t'ja prishja?

            - Ke të drejtë që ishte hisja ime e skollos që ke marë, po unë ama kam marë malarien që i takon një tjetri- pohoi tjetri- Si nuk ndodh njëherë që kushdo të marë atë që i takon. Atëhere po që do kisha një farë besimi tek ky univers.

            - Mua më ranë në hise treqindmijë dollarë të një tjetri- tha me sinqeritet kapiteni i ri me mustaqe të verdha.- Që kur jam lindur jam halladitur. Klasat i merja duke kopjuar dhe s'bëja gjë tjetër veç se shkoja kohën me bukuroshe që mendonin se unë mund të bëhesha një bashkëshort ideal. Unë s'kisha asnjë lloj synimi. Si të mbaronte lufta do doja të martohesha me një që kishte para shumë dhe të shkoja lart e poshtë me bukuroshe të tjera. Treqindmijë dollarët m'i kishte lënë para se të lindja nga gjyshi që kishte bërë goxha pasuri nga shitja me shumicë e broçkullave. E di që s'i meritoj po edhe t'i kthej sikur s'vete. Kushedi se hisja e kujt kanë qënë.

            - Mbase kanë qënë të tim eti. - u hodh Danbari- Ai punoi si kalë një jetë të tërë dhe nuk fitonte dot aq sa të na dërgonte në universitet mua dhe motrën. Po ai ka vdekur tani kështu që ti mund t'i mbash paratë.

            - Po gjetëm edhe se kujt i përket malaria që mora unë jemi të tërë në rregull. Jo se kam ndonjë gjë kundër mlaries po vetëm e ndjej që është padrejtësi. Pse të mar unë malarien që i takon një tjetri dhe ti të marësh hisen e skollos që më takon mua?

            - Po le hisen tënde të skollos- tha Josariani- po nga ajo më duhet të vazhdoj të bëj fluturime luftarake deri sa të më vrasin.

            - Aq më keq akoma. C'djall drejtësie është kjo?
......"

           

           

           








Monday 19 March 2012

222 postime.

Ndoshta numuri 222 i postimeve ishte shenje qe llomotitografi duhet te bllokohej per disa kohe. Mbase per te kapercyer kete gjendje limontie pranverore, ne vend te humbjes se kohes me Ishullin e Blushit(qe eshte shume me poshte se Otelloja i tij)duhet t'i rikthehem Josarianit. Ai gjithmone del ne skene kur i duhet t'ju jape nje dore te gjithe atyre qe urrejne lufterat, disiplinen dhe autoritetet.

Thursday 8 March 2012

Nje variant i ndryshem i Ballkonit te botuar me 2007.

BALLKONI


Ndjellëse kujtimesh, mbi t'dashurat e dashur,
Për ty gjitha dhelet, tek ti përkushtimin!
Të kujtohet vallë prekja e përmallur
Mbremjet e ëmbla, kur prisnim agimin.,
Ndjellëse kujtimesh, mbi t'dashurat e dashur!

Netët e ndriçuara nga t'kuqtë thëngjij,
Muzgjet në ballkon me të argjentë tis,
Zemrat në një rrahje, tek un' të butët gjinj,
Të pavdekshmet fjalë në vesh të çuçuris,
Netve të ndriçuara nga t'kuqtë thëngjij.

Sa të bukur diejt në ato perëndime!
Hapësira pafund! Shprtrat drithëruar!
Ku mbi ty përkul'sha bukuroshja ime,
Thithja erën e trupit, në myshk kundërmuar.
Sa të bukur diejt në ato perëndime!

Terri i natës rritej si një gardh i dendur,
Flakën e syve të tu shihja në errësirë,
Buzëës thithja pezmin, nektarin e mbledhur,
Kofshët e tua t'ngrohta me duar përfshirë.
Terri i natës rritej si një gardh i dendur.

Unë tani di t'ju jap jetë kujtimeve,
Casteve kur ballin mbaja n'prehrin tënd
Po ku ta kërkoj ëmbëlsinë e hireve
Përpos se tek ti, ku , në ç'tjetër vend?
Unë tani di t'ju jap jetë kujtimeve.

Ato tinguj, afshe, ato puthje panumur,
Do të kthehen vallë përsëri t'i ndjej,
Të dalin prej shpirtit, si detit t'përgjumur,
I ngjiten ajrive të mëngjesit diej.
-O tinguj! O afshe! O puthje pa numur!

Wednesday 7 March 2012

Nje vit me pare.

Kete Blog e hapa para nje viti nga qe nuk doja me te flisja me vete trotuareve a kur isha ne makine. Gjeta nje lloj menyre te ndryshme per te folur ne "hava", me ndryshimin qe te belebezuarat ne kete lloj eteri mbeten dhe mund t'ju rikthehehsh per t'i pare se sa "trangull" ke qene ne periudha te ndryshme te jetes. Ne te njejten kohe po e perdor si nje lloj magazine te sigurt per ato qe shkruaj, sepse nuk jam i sigurt se nje dite do i kerkoj dhe nuk do i gjej neper sirtaret e shumte dhe hard drivet e prishur ose jo. Dihet qe jam sistematik.
Blogu, me deshiren time, ka ruajtur natyren fillestare edhe pse tani lexohet nga nje rreth shume shume i ngushte miqsh. Te gjithe me lene te vazhdoj ne kete lloj persiatje-botim-percartje-rrefim pa nderhyre se ne fund te fundit askush nuk i flet ne rruge dikujt qe flet me vete. "Le ta leme rehat ne boten e tij! Nje dite mbase i vijne mendte!"
Kjo e fundit nuk ka shume gjasa te ndodhe po te marim ne konsiderate moshen, vendodhjen, vendlindjen, aspiratat per jeten dhe shume e shume arsye te tjera.
Po vazhdoj me nje vit tjeter te te shkruarit ne hava!
Ne fund te fundit te gjithe ne hava jemi.

Monday 5 March 2012

Nje tjeter sonet.

TRISHTIMI I HENES


Sonte, hëna po shtriqet më me përtesë,
Si një bukuroshe, në të butat shtroje,
Me dorë përkëdhel gjinjtë me kujdes,
Përpara se gjumi trupin t'i kaplojë.

Mbi shpinën mëndafsh të reve puplore
E kotur le veten  gjatë të dremisë,
Me sy gjysëmbyllur ndjek shuka ajrore,
Si lule të bardha ngjiten kaltërsisë.

Kur rrallëherë i ndodh mes shtriqjes së ngeshme,
Përmbi tokë një lot i shpëton në heshtje
Ai që e urren gjumin, poeti i devotë,

E mer mes pëllëmbësh  atë lot të çmuar,
Si një margaritar, plot xixa ndriçuar,
Thellë në gji e mban, fshehur nga kjo botë

Sunday 4 March 2012

A eshte ky ritmi i Asgjese? (Bodleri duhet ta dije)

DESHIRA PER HICIN


O Shpirt i vrerët, dikur i etur për jetën
Shpresa nuk mundet më vrullin të të nxitë
Ke ndalur përpjekjet! Je shtrirë i mpitë
Si një kalë plak që s'ngjit dot të përpjetën.

Dorëzohu zemër; ktheju gjumit të vjetër.

Shpirt dinak, i mundur! O çamarrok i djeshëm
Për ty dashuria, nuk mund të ngrerë valë,
Meloditë e fyejve po të len' ngadalë,
Zemrën më tundimet nuk e dridhin ethshëm.

Aromën Pranvera po e humbën hershëm!

Koha çdo minutë, m'përpin pa mëshirë
Si mbulon dëbora trupin që ze ftohet,
Nga lart e shikoj globin, rrotullohet,
Të gjej strehë në të nuk kam më dëshirë

Ortek kur të biesh ke për t'më përfshirë?





Soneti Gjigandja

STERMADHJA


Në kohët kur Natyra me shpirt lodronjës
Cdo ditë nxirrte nga një pjellë stërmadhe,
Si shtriqet kotelja në prehrin e zonjës,
Do rrija në këmbët e një gjigandeje.

Do shihja lulëzimin e shpirtit dhe trupit,
Dhe sa në t'qejfit lodra ishte e zhdërvjellë,
Do sodisja dritën e njomur të syrit,
Që dridhjet e zemrës së saj patën ndjellë.

Do lodroja brigjeve të kurmit të lartë,
Do hipja në prehrin e saj të pamatë,
Dhe në korrik nën diellin e përvëluar,

Kur plot përtesë të shtrihej ndanë zallit,
Do flija hijes së gjinjve i patrazuar,
Si një katund i qetë në rrëzë të malit.

Ndoshta perkthimi me afer origjinalit.

KUFOMA

Të kujtohet o shpirt syri se ç'na zuri
Atë mëngjes të ëmbël vere;
Në një kthesë të një rrugice guri
Mbetur një kufomë shqerre;

Me këmbët drejt lartësive të ngritura,
Si ndonjë grua e ndyrë,
Përrtharë, shëmtuar, thundër rronitura,
Barkun nga gazrat fryrë.

Dielli e zhurriste kërmën e shkretë,
Përvëlonte pa mëshirë,
Për ta dërmuar në miliona pjesë,
T'ja kthente mëmës Natyrë.

Qiejt e sodisnin të mahnitshmen mbetje,
Si e vyshkur margaritë.
Stërfrikshëm nderej, the ti, ajo heshtje,
Sa po t'binte të fikët.

Mizat zhuzhitnin, vërtiteshin në ndjekje;
Gëlonte e zeza ushtri,
Turma e qullët e krimbave të vdekjes
Gëzonte të fundit gosti.

Në ajër ndjeheshin të çudtshëm tinguj,
Si të ujit dhe të erës,
Thua grimca indesh po dilnin në vrunduj,
Trupit të ftohtë të shqerrës.

Trajtat shndroheshin, nuk mbetej gjë tjetër
Nga endrra e xhavalitur,
Siç bien nga pëlhura e pikturës së vjetër,
Bojrat më par' plasaritur.

Më tutje ferrave, një qen i zgjebosur
S'na ndante sytë e vëngër,
Gati për t'rrëmbyer në trupin e sosur,
Copën e mishit të lënë.

- O tmerr! Dhe ti do shndrrohesh kështu një ditë,
Kalbur si kjo cofëtirë,
Dielli im, e bukura e syve dritë,
E dashura ime e mirë.

Po! Kështu o Perëndeshë gjithë hire,
Shpejt, pas të fundit shërbesë,
Poshtë barit të gjelbër, nën ato blire,
Kjo gjëmë do të të presë.

Atje o shpirt, i thuaj larvës të mallkuar,
Që vjen për të të puthur,
Në mendje e zemër nuk është shformuar,
Engj'llushja ime e bukur.







Saturday 3 March 2012

Nje shikim Bodlerian i njeriut dhe detit.

NJERIU DHE DETI


Gjithnjë do i gëzohesh detit njeri i lirë!
I joti shëmbëllim, qasje të shpirtit gjen
Tek valët që këndojnë pareshtur një refren,
E ti mendjen e ke pafund në errësirë.

Tek vetja aq shumë të pëlqen të kridhesh,
Të rrokësh sy e krahë, ndërsa e jotja zemër
Nga ajo mërmërimë e pafund dhe e egër,
Tërhiqet marrëzisht sa shthurret ritmesh.

Jeni të dy njëlloj, të thellë e të fshehtë;
Njeri, s'ka zbritur kush honeve të  shpirtit;
O det, kush di thesaret që ruan gjirit,
Me fanatizëm nuk jepni asnjë sekret.

E të kujtosh sa luftra kanë ndodhur
Mes jush pareshtur, pa patur mëshirë,
Me etje për gjak betejash jeni grirë,
Luftëtarë të përjetshëm, të palodhur!

Friday 2 March 2012

Vampiri i CB

VAMPIRI


Ti si goditje hanxhari
Ndave zemrën e lënduar,
Ti si turmë dalë varri
Hijesh, djajsh të ngazëlluar

Të trishtuarin shpirtin tim,
Ktheve në shtrat dhe pronë ti
Bashkëngjitur porsi mallkim,
Si vuajtësit e ftohta qeli,

Porsi tapa shishes i ri,
Si kumarxhiu pas lojës,
Si i rrinë krimbat kufomës,
-Mallkuar, mallkuar qofsh ti!

U luta për goditje Shpate
Që të arrija shpëtimin.
Helmit në gjunjë i rashë,
Të shpejtë të kisha lirimin.

Ah jo! Helmi edhe Shpata
Më thanë të zemëruar,
- I denjë s'je t'hapet kanata
E skllavëris' të mallkuar.

I shkarë! Po t'lamë të lir'
Nga errësira ku je kallur
Me puthje ke për t'ringjallur,
Kufomën e tëndit Vampir!

Spleen, nje nga sonetet me te njohura.

SPLEEN


Acari acaruar nga qyteti i tërë,
Zbrazi me gëzim gjithë ciknën e hidhur,
Një vdekje të brymët mbi fushën e gjërë,
Mbi zhelanët që flenë në varrezën ngjitur.

Mbi pllaka i gjori maç rreket të kotet,
Por ethshëm i dridhen eshtrat nën lëkurë,
Strehës shpirti i poetit nuk rreshtën lotët,
Me zënë e trishtë të një hije të sëmurë.

Dëgjohet këmbana; në çastin e duhur,
Shkurdisur lavjerrsi ndjek ritmin e humbur,
Ndërkohë mes letrave plot me pika lyre

Të lëna kujtim nga një vejushë në zi,
Kuqja Damë Karro dhe shiku Fand Spathi,
Rrëfejnë si humbën dashuritë e tyre.

Kane dicka te ndryshme sonetet e Bodlerit.

NGA THELLESI TE ERRETA



Nga thellësi të errta, ku zemra ka rënë,
Mëshir' të kërkon ty, të vetmes të dashur,
Nën një qiell plumbi në Universin e zvargur,
Mëkati, terrori gëlojnë plot gjëmë.

Një diell i zbehtë endet gjashtë muaj
Dhe gjashtë të tjerë veçse vetmi dhe terr,
Si vendesh polare ku gjithshka është djerr,
As bar, as burime, as lule, as kuaj.

Nuk ka më të rëndë, që si makth të pështjell,
Se cikna mizore e të akulltit diell
Dhe kjo natë pafund si në Lëmshin e Vjetër;

Le të isha më mir' një gjallesë tjetër,
Nga ato që e çojnë gjithë jetën në gjum',
Pa e ndjerë kohën, që rrjedh, shkon e humb!

Thursday 1 March 2012

Nje tjeter sonet i CB

IDEALJA

Kurrë s'do më ndjellin, peritë modele,
Stisje e përkryer e zuzarit shekull,
Mbi taka të larta, tunden gjithë dhele,
Fytyrën e lyer, nxirë flokë e vetull.

Do ja le Gavarnit* fluturat krahlehta,
Që aq bukur di t'i qëndisë në kartë,
Se më kot kërkova mes gonxhesh të zbehta
Karafil'n e bukur në të kuq të zjarrtë.

Ajo që bën kët' zemër të rrahë me rrëmbim,
Je ti Ledi Makbeth, e aftë për çdo krim,
Dhe Makthi i Eskilit në kohë tragjedish,

Je ti, e Buonarrotit, magjikja Natë,
Që n'atë përkulje mbart hirin e pamatë,
Me ndriçim hukatur nga buzë Perëndish!


*Paul Gavarni(1804-1866)- Ilustrues dhe karikaturist i njohur francez.

Nje poezi e Bodlerit shume e bukur, por nuk mund ta perkthej dot me mire.

NE SHTRAT MUND TE FUTESH GJITHESINE E TERE


Në shtrat mund të futësh Gjithësinë e tërë,
Lavire! Mërzia shpirtin mizor t'ka bërë.
Në kët' lojë boshe, ku i mprehën dhëmbët,
Për natë të duhet, një e freskët zemër.
Si shandanë llapsin sytë e tu të blertë,
Më mir', si fishekzjarrë në qiell të errët.
Po ti ja u shpërdor rrezatuesen fuqi,
Pa ditur syresh mund të lindë mrekulli.

Ngjizur ligësi, lodër  e pashpirt, e shurrdhët!
O vegël për dëfrim, e rruzullit shushunjë,
Si nuk të vjen keq, si mundet që s'e sheh,
Kur je para pasqyrës rininë, që u zbeh?
Si s'u epe së kryeri këtë turp të paanë,
Që mendja të rren se të ka sjellë famë,
Kur Natyra krijuesja gjithë fantazi,
O princeshë mëkati të dha kët' bukuri,
- Ty o përpindësh, o joshës djallëzor?

- O madhështi e pacipë! O turp hyjnor!




Wednesday 29 February 2012

Nje tjeter ritem i Bodlerit.

KUPIDI DHE KAFKA
Bazament i një llambe të vjetër.


Mbi Kafkën qëndron Kupidi,
Të Njerëzimit,
Dhe në atë fron i pacipi,
Shkrihet gëzimit.

Flluska rrethore nxjerr buzësh,
Që ngjiten në ajri,
Botë të ra të gjejnë udhës,
Në Pafundësi.

Sfera e ndritur, e brishtë,
Bëhet e zjarrtë,
Djeg e lëshon shpirtin e hijshëm,
Si ëndërr të artë.

Por ndjehet i Kafkës ankim,
Sa her' del sfera,
"Ky rit i vrazhdë, pa kuptim,
Do jet' ngahera?

Ajo ç'ka buzëve mizore,
Lëshon ti nga pak,
Eshtë truri im, indet mishtore,
Eshtë i imi gjak.

Tuesday 28 February 2012

Mesim i Sharlit per te qene 'humble".


NDESHKIM KRENARISE


Rrëfenjat tregojnë se kohë më parë,
Kur në lulëzim ishin shkrimet fetare,
Një i ditur shëronjës bëri për vehte,
Shumë shpirtra të qashtër e indiferente;
Duke rrëmuar në ndërgjegjet e errta,
Duke i lartuar lavdeve të qiellta,
Duke i hallakatur në të fshehta shtigje,
Ku veç Fryma Hyjnore mund të gjej' përgjigje,
Si ai që dridhet se kapi shumë lart,
Prej djallit pushtuar zu klithi përçart:
"Krisht, i vogli Krisht! Unë të vura brerore!
Por po qe se bëja ç'farë më vinte dore,
Të dëshmoja turpin, si lavdin' ku t'kam ngritur,
S'do ishe tjetër veç një embrion i shpifur!"

Atë çast fatkeq, mendja e la menjëher',
Një vello e errët mbi diellin u nder,
Rrëmuja pushtoi në ditën e mjegullt
Vatrën e mendimit, dikur plot me rregull.
Errësira e plotë u shtrua serbes,
E ktheu tek ndriste rrezja në mëngjez,
Në qilar të zbrazët, ku s'ka mbetur verë.
Plot ngut sorrollatej si një qen pa erë,
Endej lart e poshtë fushave të gjëra,
S'dinte në qe dimër, apo digjte vera ,
Gjithë zhul e zhele, i ndarë nga shokët,
Rrugëve t'qytetit e tallnin çamarrokët.

Bodleri kishte mace apo macok?


MACOKU


Eja maç, tek shpirti i dashuruar,
Urtë, thonjtë mos m'i shtjerë,
Lemë të kridhem në sytë e shkruar,
Argjend dhe rubin përzjerë.

Kur lehtë me dorë të përkëdhel,
Zverkun, kurrizin harkuar,
Fijet e trupit që dridhen si tel,
S'di sa më kanë mrekulluar.

Thellë shpirtit e kqyr shoqen time.
Ngulët, plot dyshim e ftohtë,
Më shigjeton si tëndet vështrime;

Nga thonjtë deri në flokë,
Një erë prehëse, ajër i mistershëm
I pështjell trupin e zeshkët.

Monday 27 February 2012

Ne origjinal "Elevation".


FLUTURIMI


Matanë liqenesh, luginash e pyjesh,
Tutje malesh, resh dhe më larg se dielli
Ku nuk duken detet edhe fund mer qielli,
Tek mbaron efiri dhe s'ka dritë yjesh,

Lirisht krahët ke nderë o shpirti im,
Si ngrihet mbi valët notar i sprovuar,
Tejshkon hapësirat, që s'kan' të mbaruar,
Me një të paparë, ngjethës ngazëllim.

Fluturo më tej, kapto të kthjellat vise
Dliru i gjithi në atë eter sipëror,
Përpije të pastrin nektar qiellor,
Atë flakë rrezear të Pafundësisë.

Leri pas dyshimet, brengat e trazuara,
Që rëndojnë jetën dhe errin vështrimin,
Lum kush ka flatra të marë fluturimin,
N'ato fusha të qeta, magjisht të ndriçuara;

Lum kush mendimet askurrë s'i rreshtën
T'i shigjetojë larg drejt agimit qiellor,
- Që ngrihet mbi jetën dhe krejt thjeshtë, pa zor,
Flet të luleve gjuhë dhe lexon heshtjen.

Sunday 26 February 2012

Nje nga sonetet e shumte te Bodlerit.

MUZA E SEMURE


E mjera Muza ime! Sot ku ke qënë ?
Me sytë pa ndriçim, hije nate veshur,
Rradhë i shoh në të zbehtin që t'ka rënë
Marrinë, terrorin, ftohtësinë e heshtur.

Mos jeshilja flloçkë me djallin kuqalosh
Prej enësh magjike dhan' frikë e dashuri?
A mos është Makthi mizor e shpirtbosh
Që thellë, thell' të zhyt, në atë moçal të zi?

Gjoksit do të doja, t'vërshojë frymë e pastër,
Të lartat mendime atje të bëjnë vatër,
Dhe gjaku yt kristian të ketë atë rrjedhë

Që dikur dëgjohej vargjeve të vjetër,
Thurrur nga Apoloni, i këngëve Gjeni,
Dhe nga i madhi Pan, i t'korrave Zotni.

Nje tjeter Bodler shume i ndjere.

RREFIM



Njëherë, vetëm njëherë o vajzë e ëmbël,
Të butën dorë ndjeja
Në krahun tim, ( gdhendur ka ngelur në zemër
Dridhja që fali prekja).

Ishte shumë vonë dhe si një medalion
Gjithdriste hëna e rrumbullt,
Madhërishëm heshtur ajo natë e jonë,
Parisit të përgjumur.

E ndanë shtëpive, nën arkadat e hapura
Kotelet rrëshqisnin shpejt,
Veshë ngritur, më mirë...si hije të dashura
Na ndiqnin me çap të leht'.

Papritur, mes të ëmbëlve çaste intime
Prej drit'hënës praruar,
Nga ti o vegël që krijon tingëllime,
Plot hare e të gëzuar,

Nga ti me temp e vrull si nga një fanfarë,
Posa ra e agut drit'
Një notë ankuese, një tingull i vrarë,
Shpëtoi, në eter u ngjit.

Si një fëmijë i pisët, i shëmtuar, i metë,
I familjes turp i gjallë,
Që prej botës e kanë mbajtur të fshehtë,
Në kthinën nënshkallë,

I gjori ëngjëll klithi me zë gërvishtur
" E sigurt nuk është asgjë,
Ndonëse me tepër kujdes është stisur
Egon njeriu s'e lë;

Nuk është e leht' një femër e ndjeshme të jesh,
Veçse e bën parreshtje,
Valltarja e natës, të cilës mund t'i blesh,
Të rremen buzëqeshje;

Dhe ç'ka thellndjehet në shpirt është e kotë,
Si çdo gjë dhe ndienja kris,
HICI e bluan dhe e zhduk nga kjo botë,
Në t'Pafundmen e degdis."

Pas më ndjek shpesh ajo Hënë gjithë dritë,
Thellheshtja e ai trishtim,
Dhe e vërteta plot tmerr që u pëshpërit,
Nga i shpirtit tim rrëfim.









Saturday 25 February 2012

Nje poezi e Bodlerit.

DON ZHUANI NE FERR

Sa zbret Don Zhuani në lumin e nëndheshëm
Dhe monedhën Karonit i jep për të kaluar,
Një zhelan i pisët, me vështrim të tmerrshëm,
Dy rremat e barkës i bllokon me duar.

Me gjokset e varur dhe rrobat e shqyera
Femra që përpëliten nën qiejt e errët.
Nga fytet e ngjirur të grave të përlyera,
Një gulçimë ankuese përmbi avuj nderet.

Sgaraneli kërkon pagën gjith' ngërdheshje,
Ndërsa Don Luisi zgjat gishtin tregonjës,
Që ta shohin të pacipin me të bardhë veshje,
Të vdekurit në brigjet e lumit mundonjës.

Pikëlluar Elvira, e krruspur dhe e zbehtë,
Pret nga zuzari, që përherë e pat' dashur,
Të marë vetëm një buzëqeshje të thjeshtë,
Balsam të vonuar për zemrën e plasur.

Një vigan armëngjeshur, në gur i gdhendur,
Në ballë qëndron e të errtën rrjedhë ndan,
Por gjunjas mbi shpatë heroi i patrembur,
Shikon proçesionin e vështrimin tej mban.

Thursday 23 February 2012

Gervishtje ne ajer

Ti erdhe tepër vonë.
Pasi kisha pritur edhe një ditë më shumë
Se vitet e pritjes.
Gërvishtje në ajër kishe lënë,
Që kishin mbetur veç shënja
E s'i kuptoja dot unë.
Prita dimrin
Për t'i parë të brymëzuara
Me shpresën të gjeja në to
Dhimbjen
Që nuk më arrite.
Po shumë i butë ishte ai dimër
Sa s'ishte parë në vite
E gërvishtjet nuk u ndruan
Në hieroglife
E për çudi as në lotë
Por mbetën gërvishtje.
A thua se e gjitha thonjsh ishe kthyer,
Larg nga e imja botë,
Ti,
Endrra ime e vyer.

Larg

Ne larg kemi qënë gjithmonë
Dhe rrallë,
Si fundi i një komete
Flokët e tu prekin ditët e mia.
I lenë në to të rremet jone,
E nuk i shquaj dot ç'ndjesi më dhanë
Në marshin e krijimit.
E ti nuk dallon dot se sa jone
Humbe netëve të të tjerëve,
Që të pafundme ishin.
Krejt ndryshe nga orbita jote
Kthjellët projektuar
Hapësirës së përkulur,
Edhe pse,
Në fundin e një shtëllunge pa trajtë.
Nuk vonon të arrish në të pritshmen natë
Pas dy dhjetëvjeçarësh
Jonet e rreme tek unë të lesh,
E grimat e fundit të qënies të marësh.

Friday 17 February 2012

Ndonjehere poezite nuk pranojne titull.

Pas vitesh të tëra pritjeje
Zbriti ajo natë,
Të cilën nuk doje ta çirrje të gjithën
Për të mos  zbuluar Enigmën.
Dhe mbaje një pjesë terri
Me grep thurrur,
Përreth kërthizës
Si për të mos më treguar gjithshka,
Ndonse ishe e imja,
E gjitha e imja prej vitesh
A ndoshta edhe më parë,
Shumë më parë se ajo pjesë e errët kohe
Ku mes të linjta muajsh dhe ditësh thurrur,
Qiellit marë,
Mbushur me pendë të shkulura ëndrrash,
Symbyllur prej lakuriqësisë lëbyrëse
Të skuqur turpit dhe epshit,
Dëshirës hyrëse,
Përthithjes së tjetrit,
Gjithshka bëmë fli
Mes rrathësh ekstaze, gjumi e jete prapë;
Të porsalindur,
Unë e ti.


Sa Akademik si je!!



Një nga dukuritë më të çuditshme, që kam hasur këtë vitin e fundit në shtypin shqiptar, është një klasifikim interesant i njerëzve të shkolluar. Nuk di nëse e kanë bërë gazetarët, apo përballja me CV-ra, të cilat janë të mbushura tituj doktorësh, profesorësh, masterash, asistent masterash, ndihmës doktorësh, kandidatë shkencash etj. e bëjnë të domosdoshme, që edhe njerëzit që kanë mend, shesin mend, ose japin mend të ndahen në disa grupe.
Një lloj grupimi, ai i intelektualëve, ishte krijuar që në vitet '80. Ndoshta me insistimin e lukunisë të të diplomuarve, fillouan që të quheshin intelektualë të gjithë ata që kishin mbaruar një shkollë të lartë. Më vonë, në këtë grupim u përfshinë edhe ata me të mesme, që shkruanin ndonjë vjershë, lyenin pankartat në raste festash, apo luanin valle në festivalet folklorikë.
Tani, në Tiranë nuk është më e vështirë të jesh intelektual. Bile të mos jesh i tllë është e zorshme pas gjithë atyre universiteteve që janë ngritur dhe gjithë atyre diplomave on-line që janë marë. (Nuk po përmend këtu diplomat fallco se me ato automatikisht quhesh intelektual fallco.) Tani flitet për një elitë intelektuale, që do të thotë më gjenijtë mes gjenijve, që për fatin tonë të mirë edhe këta nuk janë të pakët. Për ta ka filluar të përdoret cilësimi Akademik dhe i tillë mund të jesh edhe pa qënë antar Akademie, apo njeri me kontibut të gjatë e të shquar në mësimdhënie në Universitete serioze.
Detyrimisht, me gjithë këtë arradhë akademikësh do duheshin edhe Akademi të reja, si ajo e Shkencave dhe Arteve, që u krijua para disa javësh, e mbase të tjera do vijojnë pas saj.
Në fund të fundit jemi një popull Akademik! Dhe mendo, që kemi humbur edhe një pjesë të mirë të të shkolluarve për shkak të emigrimit, si ju ka ndodhur edhe gjithë vendeve të tjera ish-komuniste.
Po ç' të mirë kemi që kemi gjithë këta Akademikë?
Ndoshta janë të mira që hë për hë nuk i kuptojmë, po me siguri pas disa vitesh, do i vjelim frytet e këtij Akademizmi të pafre. Dhe atëhere plot dashamirësi do i drejtohemi njëri tjetrit në bisedë, pas çdo ideje të ndritur që do artikulojmë, me shprehjen:
Sa akademik si je!!!

Wednesday 15 February 2012

Kreu VIII i Perdhunimit

                                    PROJEKTI “WHITE CITY”

           


Bojaxhiu Fat dhe ndihmësi i tij Vath e kishin filluar ditën në mëngjezoren “Freskia”. Atje kishin ngrënë mëngjesin dhe kishin rrëkëllyer nga një dopio raki. Ndihmësi Vath kishte pirë dhe një të dytë e më vonë një të tretë duke përsëritur “Me tre e ka lali. I do tre dopio Lali të fillojë punë. Se edhe furça nuk ecën mirë po nuk u ngjye pak në raki.” Pastaj ishin nisur të lyenin. Të lyenin me të bardhe pallatin ku rrinte Nevila. Të dy kishin më shumë se gjashtë muaj që çdo ditë (përfshi këtu dhe të dielat) lyenin fasadat e ndërtesave të qytetit me të bardhë. Në kuadrin e projektit “White City”. Të financuar nga qeveria e SHBE-së, Banka e Detit të Zi dhe Fondacioni për Qytete të Pastër e të Pakorruptuar.
            Por kjo lyerje nuk ishte krejt njëlloj me ç'ka kishte bere Fati deri atëhere. Në fillim u duhej të pastronin të gjithe muret e katit përdhe nga balta e tharrë dhe pluhuri i bërë njësh me suvanë ose veshjen e gurtë. Javët e para kishin përdorur ujë me presion, por më vonë, për shkak të ndërprerjeve të shpeshta të furnizimit me ujë dhe sidomos për vështirësitë, që sillte shqitja e dheut nga mbështjellësja e ndërtesës, ju dhanë të përdorin një makinë me rërë të trysnuar, e cila pastronte më mire dhe nuk kishte nevojë për ujë të vazhdueshëm. Më të veshtira paraqiteshin ndërtimet e pasuvatuara, që ishin ndërtuar disa dhjetra vjet më pare. Në to ishte e vështirë të ndajë ç’ishte baltë e shtresuar nga llaçi lidhës apo nga tullat e papjekura mirë. Kur kishin për të lyer ndërtesa të tilla, ndihmësi Vath pinte katër dopio të mira para se të fillonte punë. Pastaj zinte të shante e përshante sistemin e vjetër që kishte ndërtimet e pasuvatuara dhe tullat e papjekura mirë. ”…O të dhjefsha diktaturën, le që na le të paveshur dhe pa u mësuar mirë, po dhe këto mut mure deshe t'i lije të ngordhnin. Të kursejmë, të kursejmë kudo, në çdo gjë dhe vazhdimisht, në çdo gjë, tulla, llaç, bojë e tani hamë dynjanë ne për t’i pastruar. Të kam thënë Fato, në fund prapë ne hamë dynjanë; ai Qorri i Bashkisë i do të Bardha se i shkojnë me kostumin, pastaj vjen tjetri e i do me bojna, e shih kur pas dhjetë vjetësh t’i pastrojmë nga e para se gjoja jane antike”. Fati i përsëriste për të kushedisatën herë, që nuk i bëhej vonë se ç’ngjyrë do t’i lyenin, veë t’i bojatisnin gjithmonë, të gjitha dhe sa më shpesh. Të nxirrnin edhe ata ndonjë lekë nga lyerja e fasadave. Jo vetëm Qorri i Bashkisë.
            Gjithë paraditen kishin mbetur majë skelës për orë të tëra duke lyer dhe shkëmbyer rromuze. E vetmja ndërprerje ishte bërë rreth orës 10 e 45, kur Vathi i kishte thirrur ustajt të shihte gjoksmadhen lakuriq në një nga dritaret e katit të tretë. Fati i tha të mos ndjehej shume, se thuajse lakuriq e shihte çdo ditë në televizor kur këndonte, e se nuk donte të hynte në telash me atë prokurorin a gjykatësin, a ç’djall ishte ai që flinte me të. Ndihmësi kishte mbyllur gojen duke mbajtur sytë dhe mendjen nga dritarja e këngëtares, me shpresë se diku thellë dhomës do dukej serish figura e xhveshur. Kështu deri sa filloi shiu. Kur e panë, që nuk kishte të mbaruar mblodhën veglat dhe u nisën sërish për tek “Freskia”. Rrugës, Fati i kërkonte ndihmësit Vath të tregonte edhe njëherë atë meselenë e “shiut vu”. Vathi qeshte më të madhe dhe përsëriste "…e shiu vuuu…dhe ajo kishte veshur çorapet setapura… hahaaa… e shiu vuuuu… edhe kepucët e mira me taka, ato llustrafinat....hahahaaaaaaa. Kujtonte se e kisha me gjithe mend… budallaqjaaaa….e shiu vuuuuuuuuu… obobobo ç’ma kujtove… o s’më del nga mendja… o, o, o….e shiu vuuu…" Duke qeshur hynë në mëngjesore.
            Askush nuk ju kushtoi vëmendje kur hynë. Të gjithë rrinin me sytë e mbërthyer lart në televizorin e vetëm të “Freskisë”.
            - C’ka bo vaki çuna?- thirri duke qeshur Vathi.
            - Kanë përdhunuar Leon Gurazin- shpjegoi kamarieri Vendim.
            - …Perdhunuar, ca o Leon Gurazi, politikan; t’gjith politikanët janë putana …e putanat nuk i ze njeri me zor, shkojnë vetë….”; vazhdoi të zgërdhihej ndihmësi Vath, por pa se askush nuk po shpinte buzën në gaz, ndaj i shkeli syrin Fatit. Bojaxhiu dukej më i vrerët se të tjerët. Në buzë, veç një lloj dridhjeje të lehtë, i nderej një trishtim i murrëtyer. U mbështet në banak, si për të rregulluar drejtpeshimin dhe mbështeti ballin mbi duart e ashpëruara nga të lyerit.
            - C’a pate Fato?- pyeti Vathi, por nuk mori përgjigje.
            Fati heshti nje cope herë, pastaj, pa ju drejtuar njeriu tha nëpër dhëmbë ”…Leon e kam njohur që femijë. Në fillore ishim bashkë; është alamet çuni.” dhe befas brofi me këmbë dhe ju drejtua kamarierit, duke nxjerrë një copë letër nga xhepi i këmishës:
            - Bjeri pak këtij numuri!- dhe mëpas mori në dore aparatin e vogël Nokia, që i zgjati tjetri.
            - Alo…Manaxheri Teknik…ti je? …jam Fati….bojaxhiu i Konstruksionit Real 99… për sot do ndërpritet lyerja….pse?… kam hall… pastaj edhe lagështia është mbi normalen…si?… kështu më kanë thënë… të të njoftoj ty për çdo problem teknik… teknik është… thuaji kujt të duash… kujt?… e kam dhjerë atë, bojën e bardhë dhe ty bashkë…-  dhe i dha pa e mbyllur telefonin kamarierit. Nga aparati dëgjohej një si lloj zukatje e pandërprerë, nga e cila mund të kuptoheshin vetëm: "…gjegjësia…shkia… nik… xheri… jekti… nëntë… efi… jekur… alo… alo… shkia…"  Ishte Arkitekti i Përndjekur.
            Ndërkohë Fati kishte dalë rrëmbimthi nga mëngjesorja duke lënë edhe më të habitur ata që rrinin me sytë ngultas tek i vetmi televizor.

Tuesday 14 February 2012

14 Shkurti- Dita e te dashuruarve.

Nje mikja ime kishte vene ne FB nje ekuacion per Diten e Shen Valentinit te ketij viti, qe e barazvleronte me 0. (14-2-12=0) Nje shaka me numura, qe do jete 0 vetem kete vit. Ne vitet qe vijne i njejti ekuacion do jete i vlefshem por negativ.
Festat jane festa edhe pse tregetare. Eshte e cuditshme ky festim i dashurise, por po aq te cuditshem eshte edhe Dita e Nenes apo Babajt. Dite qe nuk kane kuptim nje here ne vit edhe nese ben dhuratat me te qelluara.
14 Shkurti, nga menyra se si festohet ne qytetet ku jetoj apo kam jetuar, sepse me kujton nje kenge te nje filmi neorealist italian " Kur mbremja bie lehte/ Posa Hena ka ndricuar?/Dalin lepujt nga pylli/ Dy nga dy te dashuruar." Nuk i shpetoj dot kesaj figure kur mendoj qe gradualisht, lokalet do mbushen nga "]iftet e dashuruar", qofshin ne momente lumturie apo krize te ciftit. Ne kete dite, ndienja e tyre, qe eshte gjeja me me rendesi qe kane ne kete bote, eshte me shume se kurre prone e te tjereve dhe jo e tyre. Qe dje e sot , ne vendet ku punojne a mesojne, te dashuruarit, duhet t'ju tregojne edhe te tjereve per planet qe kane per festimin e dashurise. Nuk mund te mbajne edhe meri me njeri tjetrin edhe nese jane grindur, sepse "ata- te tjeret", qe nuk kane hic te bejne me ndienjen e tyre do i shikojne me dyshim.
Gara vazhdon neser, sidomos ne rrethet e femrave. Neser krahasohen dhuratat dhe lokalet e mbremjes, e ne nje fare menyre i vihet vlera e vertete te dashurise!
" E une nuk dua te te sjell lule
As te te puth si bejne te tjeret
Mbremjes se mbushur kristale;
Ne gjunje te perulem
A qafes lehte te ve perla,
Nuk mund te blej oret qe me fale
Kur mbyllej e shtuna e niste e diela.
Dua
Te perndahem i gjithi imtas,
Te jem mbremjeve kur s'me ke pran',
Si nje tis ndienje qetesisht trazuar,
Qe te peshtjell,
Te zgjon,
Por edhe ngrohte te mban."

Sunday 12 February 2012

Shkretetira

SHKRETETIRA


- Aq shumë të desha,
E ti më shkrumbove!
Më more lëngun e jetës,
            Limfën e dashurisë.
Shpirtin imët ma bluajte në rërë
            Pafundësisht rërë,
Me tekën tënde të nxehtësisë.

E s'më mbetet veç të gjalloj kur ti ik.
Yjeve t'ju falem,
E të shtriqem druajtur ftohtësisë së natës,
Pa pritur vesën
(E fundit ishte mijra vjet më parë).
Dhimbjen ta përndaj grimcave,
Mos shdëfrej dot duke qarë.

Kreu VII i Perdhunimit.

                        GRUPI SPECIAL I HETIMIT



            Në orën 12.45 arriti edhe nëntoger Ilir Zina. Ishin të gjithë në mbledhjen e parë. Major Kaçi hodhi njëhere sytë nga Fredi dhe pasi pa që ai dicka skiconte në bllokun e tij nisi të flasë:
            - Përgjegjësia mbi shpatullat tona është historike. Nga zgjidhja që do i japim këtij krimi varet e ardhmja e vendit. Të gjithë e dimë se marëdhëniet Pozitë-Opozitë janë të tendosura në ekstrem. Prandaj na duhet nje veprim energjik, i koordinuar dhe efikas. Vetëm kështu mund të parandalojmë rritjen e ortekut politik të ngjarjeve, i cili mund të shpjerë në një prishje të ekuilibreve politike në vend, rajon edhe më gjërë.- Më pas mori frymë thellë, i kenaqur nga hyrja e shkurter dhe domethënëse, që kishte bërë dhe vazhdoi:
-..mund të fillojmë me raportimin për detyrat, që dhamë në mëngjes. Toger Afrim Shano.
            - Së bashku me Aldan morëm në pyetje 24 persona, të cilët ndodheshin mbrëmë në Hotel. 18 prej tyre nuk dinë se ç’ka ndodhur dhe nuk e kanë parë ndonjëherë Leon Gurazin. Tre të tjerë, që kanë fjetur në hotel gjatë ditëve të fundit, thanë se e kanë parë mëngjeseve në restorant dhe janë këmbyer disa herë shkallëve(Fredi mendoi si mund të këmbeheshin në ato shkallë), por veç përshendetjeve nuk kanë kanë folur me të. Diçka më tepër di roja, por deshmia e tij është  kontradiktore. Herë thote se flinte dhe nuk dëgjoi gjë, here qe bente sikur flinte, se e dinte qe Leo dilte jashte ne ate ore zakonisht per te percjelle ndonje vizitore. Pyetjes sone nese njihte gruan ose grate qe percillte Gurazi, ju pergjigj se pikerisht per kete shtirej se flinte. Mos I vinte ato ne siklet dhe mos I dinte cilat ishin… Mendoj që duhet pyetur sërish, ndonëse është tip shumë i çuditshëm. Te dyshimtë na u dukën çifti, qe flinte mbreme ne dhomen ngjitur. Nuk pranonin të jepnin shpjegime pse kishin fjetur në hotel. Te dy jane banorë të këtushëm. Vajza duket më e trembur, kurse djali jep përgjigje të shkurtra vetëm për gjëra pa rëndësi. Të dy nuk kanë qënë të dënuar më pare, por djali është arrestuar një herë para dy vjetesh nën akuzën bashkëpunim me organizatën terroriste “Drejtësia e Vonuar”. Eshtë liruar pas 3 javësh nga Prokuroria për mungesë provash… Ada thotë, që në atë kohë u fol rreth një shumë të madhe qe ishte dhene per lirimin e tij. Quhet Ad Shulku. Ndërsa vajza Elinda Teli.
            - Këta të dy dhe rojen do t’i pyesim menjëherë. Ndërkohë, të mbahen këtu të gjithë ata që janë rregjistruar në hotel dy ditët e fundit. Të tjerët mund të largohen. C'mendim kini zoti Metani?
            Fredi pohoi me kokë.
            - Nga tetë punonjësit e hotelit, që kanë qënë dje në punë, vetëm sportelistja e turnit të paradites e ka parë. Sipas saj, Gurazi ka hyrë rreth orës 10.45' ose 11.00 dhe nuk ka dalë më nga dhoma. Si gjithnjë, e kanë vizituar shumë persona, mes të cileve ka patur edhe të tillë, që nuk i kishte parë ndonjëherë. Por, më shumë kanë qënë antarët e stafit, të cilët hyjnë dhe dalin vazhdimisht në dhomën 34. Nuk i kujtohen cilët kane qënë të fundit që kanë hyre ose kane dalë gjatë turnit të saj. Sportelistja e pasdites, tha se nuk i kishte rënë në sy ndonjë gjë jo normale, vetëm se rreth orës 15 e 35', Leo e kishte njoftuar që të mos lejonte njeri të ngjitej në dhomën e tij. Kjo gjë kishte ndodhur edhe herë të tjera kur ai donte të punonte pa u shqetësuar.
            - Pra diçka kemi të qartë për momentin. Leon Gurazi ka hyrë në hotel rreth orës 11 të paradites. Prej orës 3 e gjysëm të pasdites deri më 5 pa një çerek të mëngjesit ka qënë në dhomë. Nuk ka të dhëna nëse ka dalë për të ngrënë drekë ose darkë. Pra ka drekuar vetëm ose me të tjerë në dhomë dhe e njejta gjë ka ndodhur gjatë darkës. Për çudi në dhomë ka vetëm një shishe të gjysmuar rakie. Pra mbetet që Gurazi të mos ketë ngrënë, ose të ketë dalë pa u parë nga njeri jashtë. Që ata që ishin me të në dhomë të kenë marë me vete mbeturinat e ngrënies është e pamundur se ata nuk kanë patur kohë te fshehin gjurmët. Po ju Bert, ç’morët në Spital?
            - Mora raportin Mjeko-Ligjor. Opinioni i Kryekirurgut është se veprimi mund të ketë qënë i qëllimshëm, por nuk përjashtohet edhe ai aksidental. Nuk ka shenja të dukshme, që të mund të konkludohet se Leon Gurazi ka rezistuar me të gjitha forcat ose  është torturuar sistmatikisht. Ka vetëm disa hematoma në gjoks, në rrëzëkofshën e djathtë dhe rreth qafës. Gjendja e përgjithshme paraqitet pa rrezik për jetën, por nuk mund të thuhet se ç’dëmtime mund të jenë shkaktuar në tru, për shkak të hemoragjisë të stërzgjatur. Gjithshka pritet të sqarohet pasi të dalë nga koma.
            - Atehere nuk bëhet fjalë për të patur shpejt dëshmine e të vetmit njeri që ka qënë në dhomën 34, në këto momente. Cdo enigmë duhet ta zgjidhim vetë. Vazhdo nëntoger Zina.
            - Për vetë pozicionin që mu dha, në fillim krijova raportet me stafin e viktimës Leon Gurazi. Kërkova të më kalohej i gjithë dokumentacioni përkatës dhe më pas do vazhdohej me pyetjet përkatëse ndaj antarëve. Përsa i përket anës së tyre pozicionale, mund të them se nuk gjeta bashkëpunimin e duhur si për kalimin e dokumentacionit ashtu edhe për dëshmitë rreth raporteve të tyre me viktimën. Ndaj mendoj për rishikimin e anës sonë pozicionale në raport me stafin e Gurazit. Në të kundërt, pozicioni i drejtuesve të Telecel-it ishte teper bashkëpunues. Kjo eshte lista e telefonimeve të dy ditëve të fundit.
            Fred Metani vuri re lëvizjet e prera, që kreu nëntogeri për t'i dorëzuar listën Majorit dhe mendoi që Zina duhet të kishte punuar për një kohë të gjatë si instruktor qitjeje në ushtri. Ndryshe, nuk mund të shpjegoheshin gjithë "pozicionet" dhe "anët pozicionale" të tij, mendoi duke qeshur me vete dhe shënoi në bllokun e tij”…gjej pozicionin më të pershtatshem për IZ”.
            Majori i hodhi një sy listës dhe ju drejtua të gjithëve:
            - Nëse nuk ka pyetje mund të fillojme me përcaktimin e pistave. C’mendim keni zoti Metani?
            Hetuesi vazhdoi të shkruajë në bllok, për të fituar kohë që të jepte një përgjigje të kujdesshme. Nuk ishte koha për të hyre në debat me Major Kaçin.
            - Le të jape çdonjëri mendimin e tij rreth pistave, bazuar në ato që posa dëgjuam. Si thoni Bert?
            Berti u kap në befasi nga pyetja e hetuesit dhe pasi mblodhi buzët nisi të fliste ngadalë:
            -…Mendoj…është ende shpejt për të arritur në çfarëdolloj konkluzioni. Kemi shumë pak fakte që të çojnë diku.
            Toger Afrimi dhe Alda tundën kokat duke miratuar thënien e Bertit.
            - Po ju nëntoger Zina?
            - Per vetë anën pozicionale, që kam në Grup, mendoj që pistat përkatëse mund të përcaktohen kur gjerat të jenë më të faktuara.
            “C’mendim keni ju Major?” ju drejtua së fundi Fredi bashkëkryetarit të Grupit.
            Major Kaçi mezi përmbahej të mos shpërthente, gjë që nuk shpëtoi pa rënë në sy.
            - Me këtë ritëm pune nuk kemi gjë në vijë. Sytë e të gjithëve, e të gjithë kombit do thoja, janë drejt nesh. Presin, presin të përcaktojmë drejtimet e hetimit, presin që Grupi Special i Hetimit të jetë efikas e të dalë me përfundime sa më parë… Ne kemi më se shtatë orë pune dhe nuk jemi në gjendje të përcaktojmë dy-tre drejtime.
            - Mbase ju dhe unë kemi opinionet tona për pistat. Të tjerët i dhanë mendimet e tyre. Eshtë rradha jonë tani.- foli qetë Fredi.
            - Unë i qëndroj mendimit që ju shpreha më parë. Dy janë për mua pistat e mundshme.
            - Deri diku edhe unë bashkohem me ju. Duket që janë dy ose më shumë pista. Tani për tani na duhet më tepër informacion për të arritur në perfundime. Mendoj të takohemi po këtu pas 3 orësh. Berti përgatitni shpejt një raport mbi ç’u gjet në dhomë, dëmtimet e viktimës dhe përfundimet e raportit mjeko-ligjor. Nëntoger Zina bëj një kopje të listës së telefonimeve nga celulari i Leon Gurazit dhe pyeti në Zyrën Elektorale  ata që kanë biseduar me të. Kërkoju hollësi në varësi të kohëzgjatjes së bisedave. Toger Afrimi, hetoni rreth njerëzve që jane në listë dhe përgatitni një raport të shkurtër me hollësi rreth punëve që bëjnë, marëdhënieve me Gurazin dhe nëse kanë patur probleme me rendin më parë. Ju lutem, gjeni menjëherë dhe silleni këtu Pjetër Dinin. Ti Alba bëj një përmbledhje të gjithë hetimeve të kryera. Ne po vazhdojmë të pyesim ata që kanë më tepër lidhje me ngjarjen… Në rregull Major?
            Ndërsa Major Kaçi heshte me nofullat e shtërnguara, të tjerët filluan të dalin nga dhoma, për të shmangur praninë në sherrin mes bashkëkryetareve. Të dy, nuk shihnin më njeri tjetrin, por dukej sikur përpinin me sy emrat në listën e telefonimeve nga numuri 016781433.




NDERKRERESE  2


LISTE E BISEDAVE TELEFONIKE TE NUMURIT 016781433



   Nr      Abonenti                     Hyrëse             Dalëse             Koha                  Kohëzgjatja

  1. Kris                             016795522                              15.22/02/02/                01’28”
  2. Zyra Elektorale LG                         6793444            15.18/02/02/                00’36”
  3. Ndërkombëtare            15243086217                          15.07/02/02/                03’49”
  4. Zyra Elektorale LG            6793444                                  15.02/02/02/                02’36”
  5. Edvin Lohja               017536989                              14.49/02/02/                04’23”
  6. Alda Melsi                                        01635726            14.23/02/02/                02’55”
  7. Kryesekretaria e PV                         6428889            14.06/02/02/                01’16”
  8. Ziso Fanti                                       6354781            13.34/02/02/                04’03”
  9. Atmir Beli                  016713403                              13.09/02/02/                11’17”
  10. Zyra Elektorale LG            6793444                                  12.44/02/02/                04’33”
  11. Zyra Elektorale LG                         6793444            12.18/02/02/                00’42”
  12. Nanita Mane                                       01684219            11.55/02/02/                03’27”
  13. Alda Melsi                01635726                                11.36/02/02/                04’09”
  14. Kabina 618                  5332618                                  11.16/02/02/                02’55”
  15. Edvin Lohja               017536989                              10.48/02/02/                05’13”
  16. Zyra Elektorale LG                         6793444            10.42/02/02/                01’47”
  17. Ndërkombëtare            453726852                              10.29/02/02/                05’38”
  18. Demosten Duma                          01674423            10.12/02/02/                03’48”
  19. Ramadan Xhezi            016734686                              09.42/02/02/                16’24”
  20. Kabina 618                  5332618                                  09.27/02/02/                02’28”
  21. Jorgo Gurgullima            016935353                              09.20/02/02/                05’14”
  22. Zyra Elektorale LG                         6793444            09.13/02/02/                04’31”
  23. Edvin Lohja                                       017536989            08.58/02/02/                06’22”
  24. Kabina 618                  5332618                                  08.16/02/02/                02’41”
  25. Ndërkombëtare                                  15243086217            04.56/02/02                 03’24”
  26. Demosten Duma            01674423                                10.12/01/02/                02’19”
  27. Edvin Lohja               017536989                              09.38/01/02/                04’55”
  28. Alda Melsi                                        01635726            09.03/01/02/                02’07”
  29. Nanita Mane                                       01684219            08.43/01/02/                05’13”
  30. ……………………………………………………………………………………………….