Thursday 30 November 2017

Taqon e kam mbret, e kam dovlet!

Shprehja e thënë diku nga vitet ’50 të shekullit të kaluar, vërtet është thënë për Taqon, po mund të ishte thënë edhe për Raqin, Metin, Xhuvin, Fiqon, Nikon, Bledin e të tjerë meshkuj me emër dyrrokësh.
Eshtë thënë në një moment entusiazmi nga e shoqja e Taqos, që dëshmonte me këtë jo vetëm vlerat e të shoqit, por edhe përkushtimin e saj, bindjen e plotë deri në nënshtrim.
Disa, me keqardhje, mund të thonë që “Ikën ato kohë të arta, kur burri ishte burrë dhe gruaja ishte grua” a thua se tani me daljen e homoseksualëve sheshit nuk arrijmë të dallojmë se kush është burrë dhe cila është grua.
Por shprehja “Taqon e kam mbret, e kam dovlet!” nuk është larguar ende jo vetëm nga shoqëria jonë, por edhe nga ato më të përparuarat perëndimore.
Këtë më kujtojnë gratë, që detyrohen të jenë të pranishme në konferencat e shtypit të burrave të tyre të rëndësishëm, pasi “zuzarët” burra janë kapur në skandale seksuale. Ju ka ndodhur politikanëve të njohur, sportistëve të famshëm, investitorëve të pasur. “I stand by my man!”(I qëndroj përkrah burrit tim) është tani shprehja “dhjerokrenare” e këtyre grave, që më shumë se për fëmijët dhe dinjitetin e tyre personal, mendojnë për humbjen e pozitës në një nivel të lartë në shoqëri.
Tek ne nuk është arritur ende në standartin e përkrahjes në konferenca shtypi, sepse skandalet e këtij lloji dalin shumë pak në shtyp edhe se përfliten gjithë kohën kafeneve. Gratë e të rëndësishmëve tanë kanë shprehjet justifikuese “E po të gjithë burrat derra janë!”, “Ta le unë, që ta marrë ajo tjetra?!”, “Familja është e shenjtë“,  “ I ngjiten këtij timit për interes ato kuçkat” dhe kështu jeta vazhdon në një llum hipokrizije të përzjerë me të mira materiale, ku të dashurat e ofiqarëve shoqërohen me gratë e tyre, shkojnë sëbashku në pushime në Detin e Kuq, të Zi apo Ciklamin dhe këmbejnë idera rreth dietave dhe maskave të fytyrës.
-Po për burrat e të rëndësishmeve, ]mund të të thuash?- mund të më pyesni me plot të drejtë.

E po mbretëreshë nuk rimon me “dovlet”.

Viti i Qenit

Që viti 2018 do jetë një vit vendimtar për Shqipërinë, jo vetëm se do jetë viti i Skënderbeut, këtë tashmë e ndjejnë të gjithë.
Rastësisht ose në mënyrë domethënëse sipas horoskopit kinez është edhe Viti i Qenit.
Po t’i besojmë horoskopit kinez dhe njëkohësisht edhe antikitetit grek, ky do jetë viti i cinëkëve. Por cinikët nga natyra janë mosbesues dhe jo aq besnikë sa do donte të ishin kryeministri jonë i nderuar Rama.
Sipas tij, ne, “qenëtë e medias”, që lehim ndaj “karvanit që ec para” do vazhdojmë të lehim kot. Por duket se ky “karvani, që ec para” mund të ketë edhe pak drogë të të fshehur nëpër baulle, gjë që edhe pse nuk na kthen ne në “qenër antidrogë“(nga ata të pikave kufitare), na bën më të besueshëm në lehjet tona.
I pari në anët tona, që zbuloi raportin tonë të çuditshëm me qenin, ka qënë Zylo Kamberi me shprehjen e tij të famshme “Qeni është kafshë besnike. Pse mërzitemi kur na thërresin;qen?” Duket që prifti korçar, At Vangjel Terezi nuk do e ketë lexuar Dritëronë, se në të kundërt nuk kishte pse të kërkonte të falur, kur në tifozllëk e sipër kishte quajtur tifozët e Partizanit “qenër të kuq”. “Djajtë e kuq” quhen gjithë tifozat e Manchester United dhe Standard Liege, që nga pikpamja priftërore është ku e ku më keq se ‘qenër të kuq”.
Me inteligjencën , që e karakterizon, ministri Majko psh e ka kuptuar rëndësinë e Qenit dhe vetëm si të hyjmë në vitin e tij, ai do i thotë të vërtetat e mëdha patriotike. “Pas një janarit do flas!” tha Pandi me një pamje sfinksi, por që për shkak të profilit të tij të veçantë nuk dukej si kokë luani. Ndoshta ka kopjuar pak edhe ambasadorin Lu, që për këtë vit e ka mbyllur sezonin e peshkimit të “peshqve të mëdhenj” dhe do e fillojë pikërisht sa të hyjë Viti i Qenit.
Ndoshta në Janar edhe Saimir Tahiri do arrijë të mbrojë në Kuvend ligjin e tij për  mbrojtjen e kafshëve, ku mbrojtja e qenve do zerë vendin kryesor. “Tahiri është trim”, deklaronte dikur Ben Blushi, “por është Rama frikacak” Unë e besoja Blushin se i njihte nga afër miqtë e tij, por u zhgënjeva nga kujitjet e Sajës në emisionin “Opinion”.
Me siguri, Ministrija e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e shquar këto muaj për nisma dhe slogane,  do nisë një fushatë të re të re “Një qen, një euro”, se nuk mund të kuptohet Zhvillimi Rural pa qenër stani, pastorë gjermanë, langorë dhe bastardë.
Në vitin 2018 do hapen përfundimisht negociatat për antarësim në Bashkimin Europian.
Për të patur më shumë fat, e mira është, që delegacioni jonë të përfaësohet nga politikanë të shenjës së qenit, si Bledi Cuçi dhe Niko Peleshi nga pozita dhe Edmond Spaho nga opozita. Vetëm kështu mund të garantohet, që përfaqësuesit tanë nuk do kthehen nga Brukseli si “qenër të rrahur”.
Mbase do jetë viti i parë pa Akademinë e Shkencave, por para se t’i vihet dryni përfundimisht, akademikët duhet të ripërkufizojnë shprehjen “jetë qeni”.
Një variant mund të jetë:

“Mënyrë e gëzuar të jetuari në periudhën e qeverisjes të Shqipërisë nga Edi Rama.”

Wednesday 29 November 2017

C’tju them dëshmorëve?

Duhet të rrëfehem, që në varrezat e dëshmorëve kam qënë vetëm dy herë. Një herë me kopshtin, në varrezat e vjetra në fund të Parkut Rinia, atje ku ndodhet një basen me shumë harqe dhe përdredhje. Ishte e frikshme për ne fëmijët 6 vjeçarë të kuptonim se nëndhe, atje ku ishte një shenjë teneqeje me një emër, ishte një hero i ri, i vrarë.
Herën e dytë, duhet të kem qënë gjimnazist dhe ishim me shkollën për 5 majin ndoshta dhe pashë për herë të parë varrezat e reja, të projektuara nga Koço Koçiu, për të cilat flitej me superlative. Varret prej mermeri të bardhë m’u dukën të vogla, duke i krahasuar me mendje me varret e varrezës së Shën Triadhës. Mendova, që mbase i kanë bërë më të vogla, se janë rivarrosur eshtrat. Kujtoj, që kam ndjerë trishtim dhe asgjë tjetër, Asnjë ndienjë krenarie apo frymëzim për heroizëm. Keqardhje për moshën e tyre, ndërsa me mendje zbrisja nga viti i vdekjes vitin e lindjes.
Nuk kam shpënë asnjëherë lule. As jam përulur apo të kem ngritur grushtin lart. Më janë dukur si veprime të shtirura, që të bëjnë të dukesh edhe qesharak. Ndoshta se të tillë më dukeshin funksionarët e lartë në kronikat televizive.
Në kohën e pelegrinazhit të madh të vitit 1985, kur shqiptarët shkuleshin me autobuza të dilnin fotografi në varrin e Enverit, trutë e shpëlara, kishin filluar të më vinin në jetë dhe as që më shkoi në mendje t’ju bashkohesha turmave. Edhe pse nuk kisha ndjerë ndonjë gëzim nga vdekja e tij.
Me kalimin e moshës, vizitat në varret shtohen. Atje kam tim atë dhe disa shokë. Shkoj dhe prek gurët. Pastaj rri më këmbë pak dhe mendohem t’ju flas. Shpesh herë nuk ju them asgjë. I le në qetësinë e tyre. Dhe më pas ik.
Tani mund të shkoj edhe në varrezat e dëshmorëve.
Tek të rinjtë, që u vranë duke ndjekur një ëndërr. Ose se ashtu ju thoshte gjaku i vrullshëm rinor.
Më duken si njerëz, që nuk kanë patur një jetë të tyre. Të rinj të dehur nga fjalët e mëdha atdhe, liri, patriotizëm, vatër, “ja vdekje ja liri”, “e ardhme e ndritur”, sakrificë, zjarr, pishtar, flamur, martir, që ikin fshehur prindërve të bëjnë diçka, të cilës nuk ja dinë mirë rrezikun. Të humbin jetën.
Dua t’ju flas, por e di, që nuk do di ç’tju them. Nëse janë “diku” dinë më shumë se unë.
Mbase i kuptojnë mirë këta “delenxhinj”, që ju shkojnë dy herë në vit dhe përulen para tyre duke patur kujdes, që përulja të ketë një kënd të caktuar, që të duken mirë në foto.
Disa prej tyre nuk shkojnë kurrë në varret e etërve, por tek dëshmorët “ja u do puna”!
Mbajnë edhe dorën në zemër ndërsa bie Hymni i Flamurit, si për të na kujtuar, që edhe gjatë Hymnit mendjen e kanë në xhepin ku mbajnë portofolin.
Në fytyra venë atë maskën e përzishme, që venë gjithë ata, që të vrasin natën dhe të qajnë ditën. Edhe pse nuk janë para varreve të viktimave të tyre. Atë kohë nuk kishin lindur ende.
Edhe tani ndoshta nuk vrasin njerëz.
Vrasin vetëm ëndrrat!

Pastaj ju vendosin nga një kurorë të blerë me paratë e taksa paguesve dhe përsëritin para kamerave fjalët e mëdha atdhe, liri, patriotizëm, vatër, “ja vdekje ja liri”, “e ardhme e ndritur”, sakrificë, zjarr, pishtar, flamur, martir.

Idetë “e paragjykuara”

Shpesh, kur shkruaj qoëftë shënime, artikuj, “gallatë“ ose edhe “letërsi të mirëfilltë“, as vetë nuk e di se pse shkruaj për një temë të caktuar në një moment të caktuar. Ka raste, që shkrimet janë reagim ndaj një lajmi, të tjera raste kur marrin impuls nga një ëndërr dhe shumë të tjera, kur nuk e di pse më lindin në kokë disi të shtjelluara dhe i hedh shpejt e shpejt në kompjuter pa i sistemuar për të qënë.
Duke pasur përvojën e diskutimeve në kafenetë e Shqipërisë rreth shkrimeve të autorëve të caktuar, si dhe nga reagimet e të njohurve rreth shkrimeve të mija, e di, që në të shumtën e rasteve, nga plot njerëz, ato që shkruaj paragjykohen. Eshtë në natyrën tonë shqiptare, pak nga edukimi materialist, që përpiqej të spjegonte gjithshka dhe pak nga prapambetja, ( është fermenti më i mirë i “teorive komplotiste”), që na shpije në spjegime të gjata e të menjëhershme, se përse shkruan X apo Y autor, blogist apo edhe një shkarrashkrues i rëndomtë.
Kur shkruan për njerëzit, përgjigjja është e menjëhershme : “O ky ka kunj me atë!” ose “Këtë e mbron se ka ndonjë interes”. Në raste se spjegimi është më i turbullt, pyeten të njohur në varësi të qytetit: “Ca ka ai, ç’a ka?!”, ose “Po i bie më duket derës , që të dëgjojë deriçka!” Për fa ë mirë, nga të moslexuarit, të pakë janë ata, që ofrojnë spjegime psikoanalitike apo parapsikologjike.
Më kujtohet shumë vite më parë, në një trill timin, të nisur si me shaka, por të vazhduar seriozisht, rreth mundësisë për të nxjerrë kandidate për Presidente të Shqipërisë nga rrjetet sociale, shoqen time të klasës Shpresa Prifti, spjegimet “prapaskenike” ishin nga më të ndryshmet. “Ai është shumë i majtë“, “Do të kurorëzojë të dashurën e viteve të gjimnazit”, “Me siguri përgatitet për tu kthyer në Shqipëri dhe të marrë ndonjë post” e të tjera si këto. Dikush , që na njihte mirë, që jo vetëm nuk kishim qënë shokë të afërm, por kishim vetëm një përshëndetje me Shpresan, bënte një koment idiot të shkëputur nga një film shqiptar: “Kohë të keqe ke zgjedhur për dasëm o Mane!”. Se cila ishte “dasma” ime nuk kam arritur ta kuptoj ende sot. Asnjë nga spjegimet e mija në shkrimet e shpeshta, që në krye të vendit tonë ka nevojë për gra, për gra të shkolluara, për gra të shkolluara dhe mundësisht të edukuara në një qytet si Korça, ku respektohen më shumë ligjet, nuk vlente. Ndoshta se kjo ishte një “ide” dhe “idetë“ nuk vlejnë kurrë kur ilustrohen me emra të veçantë.
Diçka e ngjashme ndodh edhe kur shkruaj për ngjarjet edhe pse jo të gjitha mund të lidhen me emra të përveçëm. Nëse ve në dyshim ndodhi të ndryshme të Luftës do etiketohesh edhe nga miqtë ose “i djathtë“ ose si “komunist i fshehtë”. Po qe se kuturis të mësosh më thellë për betejën e Ankarasë dhe përfshirjen e trupave të Gjon Kastriotit në të, mund të të thonë menjëherë “je pak filoturk, se ke dobësi për Stambollin e babajt”, ndërsa po të shkruash rreth “ringjalljes” së Kishës Ortodokse në Shqipëri, që prej viteve ’90 e këtej, atëhere je jo vetëm “grekoman”, por edhe “agjent me gradë të ulët i Asfalias”.
Eshtë e kotë t’i bije gjoksit, se askush deri më sot nuk më ka kërkuar të shkruaj rreth një ngjarjeje, individi apo grup njerëzish. Shkrime pa prapaskena nuk mund të ketë- të thonë me siguri matematikore, ata , që disiplinat matematike i kishin tmerr në shkollë.
Dhe natyrshëm, në fund i vjen rradha ideve. Edhe shkrimi rreth ideve (le t’i quajmë të pastra pa lidhje me njerëz të veçantë apo me politikën) nuk mund t’i shpëtojë komenteve “e pse nuk e kuptojmë ne përse shkruan për këtë!”
Opinionet rreth prostitucionit, vetvrasjes, homoseksualitetit, dënimit me vdekje, racizmit, trashëgimisë gjenetike, agresivitetit të njerëzve dhe të tjera si këto, ose duhet t’i shkruash e të mos i vendosësh në blog, ose duhet të mendohesh kur i shkruan për reagimet e mundshme të lexuesve. Dhe këtu nis “autocensura” nga e cila shpëtojnë vetëm “të krisurit” dhe gjenijtë.
Duke mos qënë as “i krisur” dhe aq më pak “gjeni” ose i largoj këto ide, kur më lindin dhe zhvillohen në kokë, ose përdor një gjuhë më “racionalisht korrekte”. Dhe nga një gjuhë e tillë vdesin shkrimet. Vdesin nga frika. Frika se mos keqkuptohesh, frika se mos dikush mërzitet, frika se dikush lëndohet, frika se mos të akuzojnë për “gjynahe’, të cilat nuk i ke.
Po atëhere ç’ke , që shkruan?” më hidhet kritiku që kam brenda vetes (tamam ai e thote “po ç’ke, që ha m..!”, por autocensura e transformon).

“Mendime të shumta më përshkojnë kokën, kam para një tastierë dhe nuk mund të udhëtoj vazhdimisht.”- i përgjigjem

Tuesday 28 November 2017

Dhe ler’ të bëhet det!

“LUFTETARIT KOMBETAR – ME MIRENJOHJE TE THELLE NGA POPULLI I KORCES”
Me sa kujtoj keto kanë qënë fjalët e vendosura në bllokun prej guri gri, që shërbente si bazament i shtatores më të bukur në Shqipëri, “Ushtarit tonë të Panjojtur”. Odhise Paskali pati bërë edhe shumë shtatore, ekuestra, buste dhe grupe skulpturore, por asnjë prej tyre nuk arriti dot përsosmërinë, si është tek shtatoreja- simbol i Korçës.
Paskali kishte menduar saktësisht për dimensionet e bazamentit dhe rrethimin e ulët me një lloj zinxhiri metalik. Ndoshta diku edhe ka shkruar përse kishte menduar atë zgjidhje dekorative. Ishte i mençur dhe i penës Odise Paskali.
Luftëtari jonë i bukur kombëtar, lëvizi shumë herë brenda sheshit. Bile, u zëvëndësua edhe për disa vjet nga shtatoreja e Profesorit të Liceut, por edhe ajo nuk e pati jetën më të gjatë se tre vjet. Përsëri dy tre lëvizje të tjera dhe tani duket se pasi “futi duart”, “magjistari” nga Australia e largët, Pitër Uillsën, ndoshta nuk do ketë më lëvizje të tjera.
Cuditërisht, Uillsën, me autoritetin e Arkitektit të Panjohur, që mund të zgjidhë gjithshka, pikërisht sepse nuk i dihet saktësisht se sa “i vlen lëkura”, e ndryshoi idenë e Paskalit, duke vendosur para Luftëtarit Kombëtar një kaskadë uji. A thua se ideja e Odhise Paskalit, që Luftëtari i jonë i Rilindjes, zbriste fitimtar nga Morava, pasi kishte sjellë Mëvetësinë e Korçës dhe Shqipërisë ishte e prapambetur.
Ideja e realizuar e australianit të krijon përshtypjen se Luftëtari ose thotë “Tani ler’ të bëhet det”, ose në një rast më vulgar: “Dhe tani levenxet mund t’i lani në këmbët e mija!” Sigurisht, edhe pse njeh xhubletën dhe ndonjë detaj tjetër shqiptar, Uillsën nuk ka se si të ketë patur njohuri, për larjen e levenxeve me kopan në Lumin e Korçës. Kur u projektua pedonalja edhe Niko Kotherja nuk kishte filluar punën e tij kërkimore-studimore.
Të mrekulluar nga anglishtja e australianit, Niko Peleshi dhe zëvendësi i tij Raqkë e miratuan në gjendjen e sotme. E megjithatë duhet thënë , që magjistari ka bërë “maxhi-kutruli” ku e më ku më mizore se kjo e Ushtarit tonë.
Në një diskutim të vitit 1987, duke folur për shtatoret në qëndrat e qyteteve europiane, Petraq Kolevica i përmbahej idesë, se ato duhet të jenë më të afërta për vizitorin. Eshtë një parim i pranuar gjërësisht në arkitekturën moderne.
Në gjendjen e sotme, Luftëtari Kombëtar bëhet më i largët.
Edhe nga një foto e ceremonisë të vendosjes së kurorave sot, duket sikur ofiqarët i vendosin në breg të detit, për luftëtarët e humbur në det gjatë betejës së Salaminës, ose asaj të Trafalgarit.
Ndoshta vërtet “është bërë det me para” në Korçë.
Por vetëm për australianin dhe miqtë e tij.
Korçaret e duan Luftëtarin tonë pa ‘ujë“ nëpër këmbë.
Ashtu si e kishte konceptuar i shumëtalentuari Paskali dhe për atë projekt, që korçarët kishin dhuruar bujarisht me mijëra franga ari.

Monday 27 November 2017

Korça e Edit dhe e Behgjetit

Ministri i jashtëm i Kosovës (tuxhari korruptues – sipas Enver Robellit) ka botuar sot në Panorama një fjalë, që duket do mbante në mbledhjen e dy qeverive në Korçë.
Si ndodh rëndom në fjalimet e politikanëve të panxënënë, në të kishte diçka për Korçën, që nuk paraqet aspak Korçën e të shkuarës apo të sotmes, përveç disa rrjeshtash të një shkrimi të Patër Anton Harapit dhe faktit , që nismëtari i mbledhjes në Korçë kishte qënë bash Behgjet Pacolli, “Qytetari i Nderit i Korçës”.
Për “meselenë“ e dhënies të titullit “Qytetar nderi”, më duket se kam shkruar vite më parë. Nuk kishte të bënte me Behgjetin , por me një servilizëm të plotë të Niko Peleshit ndaj Edi Ramës. Ishte koha kur Rama nuk ishte kryeministër dhe Behgjetit i duhej një titull, se në Kosovë nuk ja jepte kërkush. Po qe se Pacolli do i njihte vërtet korçarët dhe Korçën nuk besoj se do e kishte kërkuar atë nder. Edhe sot po qe se do ju thuash korçarëve, që keni të fala apo përshëndetje nga Behgjet Pacolli nga Kosova, shumica do të përgjigjen duke perifrazuar shprehjen e famshme të gjyshit të Vangjush Saros, kur i shkruante djalit të tij Doke: “Sa për atë Behgjet Pacollin nga Kosova, ne na plasi by…!”
Këtai shin korçarët e një kohe, para se t’i shtypnin mirë me këmbë , këta laspangjyrët e sotëm.
Padashje dhe nga padija, tuxharit Behgjet, i shpëtonte në shkrimin e tij edhe një e vërtetë tjetër e hidhur.
Për të. Korça është “Korça e Edit” dhe as e Iliaz Mirahorit, Themistokliut, Orhan Pojanit, Nuçi Naçit, Mihal Gramenos, Shahin Kolonjës, Jovan Cico Kosturit, Spiro Bellkamenit, Fan Nolit, Thoma Turtullit, Fundove, Merdanëve, Kuneshkave, Milto Sotir Gurrës, Vangjush Mios dhe sa e sa të shquarve të tjerë, që e kanë nderuar në Shqipëri e në botë.
Korça e sotme është e Edit, se ai vjen shpesh të dëfrejë dhe ka dhënë edhe goxha fonde për ta “ujdisur”. Dhe vërtet, në Korçë Edi Rama ka gjetur e ka bërë përshesh, se një tufë me “qejhallarë“, që i vinë rrotull presin ndonjë “koskë“ prej tij, ndërsa kryetarit Raqkë, pa pikë turpi i thotë “kur i del pula para trembet Raqi dhe jo pula!”
Edhe një kryetar bashkie i një qyteze të humbur do hidhte kyçet para kësaj “prosvaljeje”. Jo në kohët e lirisë, por edhe në Diktaturë, ka pasur korçarë si Petraq Kolevica, që ju përgjigj pa u trembur Enver Hoxhës, ose si Josif Shoreja, që u përgjigj me guxim para të tjerë byroistave.
Korça dhe korçarët ja u vinin shpejt “nofkën” dhe “teneqenë“ atyre që vinin duke shitur dëngla nga kryeqyteti.
Por ata ishin njerëzit, që vlerësonin më shumë se çdo gjë dijen dhe nderin.
Jo “pozitën dhe paratë“ si tuxhari Behgjet apo zografi i dështuar Edi.
Në dialektin tonë të rëndë dhe të ëmbël do thoja:

Po me Korçën do barabiten këta kakamë dhe legena o ?!”

Pse duhet “sfumuar” 29 nëntori

Në një ditë dimri, nga këto të ftohtat e Kanadasë, më kishin ftuar në një mbrëmje italiane me “mëmëligje”. Nuk e pata refuzuar ftesën e mikut tim Salvatore edhe pse njihja vetëm  të vëllan[ dhe një shok të tij. Ishin të gjithë burra, abrucezë dhe kalabrezë, si ishin shumica e emigrantëve italianë të zonës së Niagaras. Provova për herë të parë mëmëligje(polenta) të hedhur nga kazani në tavolinë dhe ku gjithsejcili “priste” me pirun nga një pjesë të zonës së tij. Ishte një mëmëlligje plot salçiçe dhe djathë dhe vera gjithashtu ishte e mirë. Por më shumë më bënë përshtypje bisedat e tyre gazmore dhe dashamirëse. Thuajse të gjithë kishin qënë të rinj në kohën e Luftës së Dytë dhe abrucezët ish-fashistë ose simpatizantë të Duçes. Ngacmoheshin me ish-komunistët duke qeshur, duke pirë verë dhe duke ngrënë ç’ka ishte shtruar bujarisht në tryezë. Kishin emigruar në vitet ’50 dhe një pjesë punonin ende në bizneset e tyre ndonëse i kishin kaluar të 70-tat.
Kur u ktheva, rrugës mendoja për sherret tona të përhershme mes partizanëve dhe  ballistëve, si dhe a duhet quajtur apo jo 29 nëntori si Dita e Clirimit të Shqipërisë.
Eshtë e vërtetë, që emigrimi në një vend të huaj dhe tolerant si Kanadaja, krijon kushte për paqe mes bashkëatdhetarëve që vijnë nga “fronte” të ndryshme ideologjike, por “paqe” kanë bërë edhe italianët në Itali, edhe spanjollët në Spanjë edhe grekët në Greqi. Krerët politikë duke filluar nga De Gasperi, Frankoja, Berlinguer, Amato, Karamanlis kanë kontribuar në arritjen e “paqes sociale” edhe pse gjatë luftrave civile kanë qënë në anë të kundërta të barrikadës.
Sinjale të tilla kanë qënë shumë të pakta nga krerët e politkës shqiptare. Paqja mes të persekutuarve nga Diktatura me persekutuesit ende nuk është arritur. Po ashtu ajo mes “ballistëve” dhe “komunistëve”, apo edhe ajo mes trashëgimtarëve të partizanëve dhe trashëgimtarëve të kolaboracionistëve. Mbi kokat e të gjithëve, pa arsye të forta, qëndrojnë etiketimet me ngjyrim negative, “komunist”, “ballist”, “zogist”, “kolaboracionist”, “bllokmen” etj.
Mbi këtë për]arje shpesh kanë bazuar edhe fushatat e tyre elektorale partitë kryesore politike duke dëshmuar se nuk ju intereson paqja përfundimtare brenda kombit ( e kam fjalën për shqiptarët brenda kufijve të Shqipërisë, se ajo e plota kombëtare duhet të kalojë proceset e saj në Kosovë, Maqedoni dhe gjetkë).
Si e ka theksuar në një shkrim të disa viteve më parë gazetari Arben Kallamata, janë pikërisht ata , që sot janë në pushtet dhe deri diku trashëgimtarë edhe të pushtetit të kohës së Diktaturës, që duhet të hedhin hapin vendimtar.
Kokëfortësia e treguar për t’i thurrur himne Luftës nacional-]lirimtare dhe për të përkujtuar me pompë përvjetoret e formimit të brigadave apo ]lirimit të qyteteve është jo vetëm tejet e strëmadhuar, por mbi të gjitha e dëmshme p[r Shqip[rin[. {sht[ e projektuar t[ shtoj[ urrejtjen. Nuk e kam fjalën as të harrohen dëshmorët dhe as ata, që vërtet luftuan. Shteti duhet të vazhdojë të japë pensione për familjet e dëshmorëve dhe për veteranët.
Por data e 29 nëntorit, që shënon largimin e ushtrive pushtuese nga Shqipëria, u kremtua si dita më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë pikërisht për faktin se solli në fuqi një qeveri komuniste, udhëheqësen e organizimit më të fortë ushtarak shqiptar në Luftën e Dytë Botërore. Pra një ditë festive për ata që morrën pushtetin dhe më pas e quajtën si formën më të lartë të Demokracisë, nuk mund të jetë një ditë festive për të gjithë. Për një pjesë jo të vogël të popullit ishte një ditë, që ju solli po qa vuajtje sa pushtimi. Po të llogarisim edhe vuajtjet nën Diktaturë të të gjithë shqiptarëve vlerat e saj zvogëlohen akoma më shumë.
Për këto arsye, festimet dhe rëndësia e 29 nëntorit duhen “sfumuar”. Ajo ditë nuk ka pse të jetë ditë pushimi, por të jetë e krahasueshme për nga rëndësija me data të tjera historike të popullit shqiptar, si Beslidhja e Lezhës, Lufta e Vlorës apo ngjarje të tjera të këtij rangu.
Mund të krijohet një ditë e ve]antë për veteranët, ku duhet të nderoen të gjithë ata, që kanë luftuar kundër të huajve, ose edhe në formacionet ushtarake në kuadrin e NATO-s, ku janë kryer luftime.
Eshtë koha, kur presidenti Ilir Meta, të shtojë vizitat në trevat ku jetojnë shqiptarët, por të rrallojë pjesëmarrjen në festimet e tepruara “alla Parti e Punës” me shami të kuqe në qafë.
Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe kryeministri Rama.
Për të luftuar mendësinë “armiqësore” ndërmjet grupimeve politike dhe shtresave të popullsive shqiptare duhet nisur nga paqja.

Dhe për këtë duhet vullnet i mirë. Ashtu si e kanë pasur europianët e tjerë.

Tuesday 21 November 2017

Po duro 40 ditë o Mustafa!

Thuhet, që afatet e vendosura nga doktrinat fetare, për mbajtjen e zisë për dikë të larguar nga jeta, përputhen me studimet e sotme të psikologëve. Sigurisht bëhet fjalë për psikikën e të gjallëve dhe jo të atyre, që ikin. Nuk është bërë ende e mundur të studiohet psikika e të vdekurve.
Këto afate, të lidhura edhe me rite të ndryshme, hyrje dalje njerëzish, vizita në varreza, biseda rreth të larguarit, bëjnë të mundur mënjanimin e traumave psikike tek të dashurit.
Në qendrë të saj është “mosngutja” për veprime emocionale të çastit. Ndaj njerëzit kanë krijuar të tilla ‘barriera” kohore(7 ditë, 40 ditë, 6 muaj e me rradhë) për tu përballur me durim me dhimbjen.
Mosngutja ëstë edhe më e domosdoshme në gjykimin e asaj, që le pas i ikuri. Eshtë vepra e një jete të tërë, e karaktereve të ndërlikuara, që shpesh nuk i ngjajnë dikujt tjetër dhe nuk duhet t’i klasifikosh.
Një ngutje të pajustifikuar gjej në shkrimin e Mustafa Nanos rreth personalitetit dhe veprës të Kasëm Trebeshinës. Për sensacion(mbase dhe për të hapur debat) shumë gazeta dhe portale e kanë botuar shkrimin “klasifikues” të Mustafajt.
Sipas tij, Trebeshina duhet klasifikuar si “disident” se si shkrimtar është i dobët. Sikundër e pranon edhe vetë, deri tani Muçi nuk kishte idenë e veprës së të ndjerit, por posa vdiq, bleu 4-5 libra, i lexoi dhe dha verdiktin.
Më tepër se sëmundje i Mustafa Nanos, gjykime të tilla, tepër të nxituara, janë një sëmundje e publicçistikës sonë. Në këtë rast, përgjegjësija bie më shumë në gazetat , që e botojnë dhe ribotojnë se sa në autori. Shkrime të kësaj natyre, kudo, ju botohen vetëm autoriteteve të kulturës dhe kritikës, sepse ata kanë jo vetëm kualifikimin e duhur, por dhe se gjykimet mbi veprën e një shkrimtari apo artisti, i japin pas një njohje të thellë.
Ka disa arsye, që nuk duhet të botohen të tilla shkrime rreth një autori si Trebeshina.
E para, vepra e tij është shumë voluminoze dhe në pjesën më të madhe e pabotuar dhe e pastudiuar.
E dyta, veprën e tij nuk duhet ta ndajmë edhe nga kornizat kohore, shkëputjet nga realiteti për shkak të burgimeve dhe internimeve të gjata, si dhe nga karakteri kompleks i vetë autorit. Një mendje aq të veçantë sa të Trebeshinës, që ta kuptosh, duhet të lexosh e të rilexosh veprat e tij më të mira, që janë vlerësuar lart jo vetëm nga dishepujt e tij(sipas Nanos), por edhe nga shumë kritikë të mirënjohur të Kosovës dhe Europës.
E treta dhe më e përgjithshmja, është ajo, që veprat e artit duhen kundruar duke bërë disa hapa pas në kohë dhe hapësirë, për të mos i hedhur në kosh me një të lexuar.
Në veprat e botuara të Kasëmit ka vërtet shkëndija gjeniale, që i bëjnë nder letërsisë shqiptare, por ky nuk është objekt i këtij shkrimi.
Gjithashtu nuk dua të ngatërroj qëndrueshmërinëe tij të pashoqur morale me cilësinë e shkrimeve të tij, edhe pse mendoj, që dikush që nuk bën kompromise në jetë, nuk bën kompromise as me cilësinë e asaj, që nxjerr nga dora.
Problemi nuk është i Kasëm Trebeshinës dhe i veprës së tij, por i joni.
Ne paprapëlqejmë të hidhemi në përfundime, duke vlerësuar personalitetet e kulturës ose me notat gjenial, i madh, i jashtëzakonshëm, ose i dobët dhe i pavlerë.
Kasëm Trebeshina la një boshllëk në letërsinë shqiptare, që hë për hë duket e vështirë, që mund të mbushet nga dikush me prodhimtarinë dhe filozofinë e tij.
Por në vend të bëjmë durim për të kapërxyer dhimbjen, disa prej nesh janë të gatshëm të “varrosin” shpejt e shpejt të gjithë veprën e tij.
Ndaj për Mustafa Nanon dhe ata, që e botojnë kam këshillën:
Po duro 40 ditë o Mustafa!”

Eshtë kohë e mjaftueshme për t’i rilexuar ato 4-5 libra.

Monday 20 November 2017

Blasfemi (pas vdekjes)

Ata sërish erdhën.
Këtë rradhë maska kishin në fytyrë
Doreza që ju mbulonin gishtat me lyrë
Dhe përreth sofrës u derdhën.

Nga pas gjithsejcili
Një kimono që mbante një çantë
Të gjitha pa tipar të veçantë
Me buzë ngjyrë karafili.

Ti kishe kohë që flije
Në të fundit banesë larguar
Por me mend në parmakët e praruar
Ngriheshe dhe shkoje si hije.

Prekje gurët e latuar
Si dikur në t’bukurën rininë tënde
Të mirëgdhendurit në të tjera vënde
Kur çikje me duar

E s’mund të ndjeje ti
Drithërimën që veç malli të sjell
Mermeri më i shtrenjtë dot s’e ndjell
Si i Korçës guri gri.

Ti druaje plot frikë
Se mos kjo turmë laramane
Zgjedhur në banimet e çdo ane
Mureve do linte pikë.

Pikë të pikëllimit
Shkatërrimtarit të mendjes sonë
Zullumqarit të mbrëmjeve vonë
“Nulit” të qytetërimit.

Nuk doje t’i lije
Gojët e hapura në histeri,
Lakminë e tyre në ngjyrë flori,
Por ishe ve] hije.

Nuk doje të nëmnjë
Buzëve ve] e bukur shqipe pat dalë,
Lehtim ti sillje me të ëmblat fjalë
Ag deri buzëmbrëmje.

Mëshirove atë bandë
Horrash dhe grykësish të kënaqur
N’banesën tënde papritur shfaqur
Fisnikja, e mira Sandë

Sunday 19 November 2017

“Forca e ligjit” ngatërron prostitutat

Duket si shumë zhurrmë për gjëra të vogla. Nga slogani “policia, që duam”, që tashmë dihet se ç’fryte të hidhura ka dhënë, është kaluar në një slogan më të përgjithshëm “Forca e ligjit”, i cili po propagandohet si shumë i sukseshëm në luftën ndaj krimit. Dy tre operacionet e fundit në disa qytete, sipas formulimit të lajmeve nga Ministria e Brendshme, ose nga mediat pro-qeveritare, të lenë përshtypjen se policia po shkon në rrënjët e krimit.
Le të prekim  pak operacionin e fundit brenda okielos “Forca e ligjit” i zhvilluar në Shkodër, ku janë arrestuar disa prostitute dhe tutori i tyre. Flitet për “bandë“ kur nuk duket aspak si e tillë nga vetë hollësitë e lajmit. Thjesht një tutor, që merret me prostitucion ilegal si mënyrë e lehtë për të fituar para. Nuk duket se ka asnjë lidhje me drogën, me vrasje apo me krimin e organizuar.
Këto lloj veprimtarish kriminale në vendet ku prostitucioni është i ndaluar me ligj, quhen si veprimtari “soft” dhe kur goditen nuk përbëjnë lajme të bujshme, për më tepër si të një policie, që po bën çudira. Me siguri gjysma e Shkodrës e dinte se ç’farë ndodhte në lokalin “Tata” përfshi këtu policinë. Për më tepër, “krimineli i rrezikshëm” postonte në rrjetet sociale edhe fotot në shtrat me prostitutat. Një operacion i tillë në rastin më të mirë është i vonuar dhe ndoshta e mira është, që policija(si në vende të zhvilluara) të vazhdojë të mbyllë një sy për këto lloj veprimtarish.
Ka arsye për ta bërë këtë:
E para dhe më kryesorja është, që prostitucioni në Shqipëri ësht më shumë një çështje sociale se sa ligjore. Si e tillë kërkon më parë rishikim e legjislacionit dhe krijimin e një institucioni, që mund t’ju vijë në ndihmë femrave që duan të dalin nga kjo gjendje. Mbushja e burgjeve me punëtoret e seksit nuk është zgjidhje. Janë qindra prostituta shqiptare, që kthehen nga Europa Perëndimore dhe një pjesë e mirë e tyre janë trafikuar duke u mashtruar.
C’duhet të bëjë shoqëria shqiptare dhe shteti shqiptar për to? T’i kapë sërish në flagrancë dhe t’i arrestojë?
Unë mendoj se politika ju detyrohet shumë këtyre vajzave fatkeqe. Dhe në rast se nuk gjenden për to mundësi të tjera për t’i nxjerrë nga varfëria, atëhere duhet menduar seriozisht për legalizimin e prostitucionit dhe mbrojtjen e prostitutave. Vajzat e arratisura nga varfëria e zonave malore të vendit, nuk mund t’ju bëhet propagandë, të fillojnë të marështojnë dhi nën shembullin e mirë të Rigertas.
Në një klimë, që “prostituojnë“ politikanët, intelektualët, mjekët, pedagogët(në mënyrën e tyre) shoqëria duhet të tregohet shumë më shumë tolerante ndaj “profesionit më të vjetër në botë“.
Policija do rikthejë besimin tek njerzit kur të shkojë pas kriminelëve “hard”,(edhe këta njihen bajagi mirë në vendin tonë të vogël, ku kriminelët kanë qejf të mburren) dhe që janë ata të drogës dhe që “kanë në xhep” një pjesë jo të vogël të qeveritarëve dhe kryetarëve të bashkive.
Këta janë “prostitutat” e vërteta edhe pse mund të mburren si “Njerëz të Nderit”. Mes tyre ka edhe trafikantë të “mishit të bardhë“. Por mbi të gjitha ata mbahen me paratë e mëdha të drogës, armëve dhe të gjobave, si dhe me pastrimin e tyre në ndërtim.
Ndoshta do fillohet në janar me ta.

Por deri atëhere mos na mashtroni me arrestimet e prostitutave të gjora,

Saturday 18 November 2017

Thirrja e geneve

Nga se më vjen kjo dëshirë
Që shpesh sytë tek dritaret
Që më çojnë në vendin tim t’i mbaj?
Të shoh fëmijë të kërrusur
Teksa kërkojnë fushave të plehrave,
(Tani i quajnë “landfill”)
Shpirtrat e varrosur të të rriturve
Dhe dot s’mund të qaj?
Të mësoj se të ndershmin
Një grusht njerëzish e përcjellin
Në të fundit banesë
Ndërsa grabitësin në panteon e nderojnë
Dhe dot s’mund të shkrehem në dënesë?
Të dëgjoj paturpësinë
Teksa çirret në foltore
Dhe me stërkalat e rrenave
Zhyen gjithshka të pastër mes njerëzve
Dhe pasurohet
Me helmin që të rinjtë ju futin venave?
Mbyll gjithshka që atje më shpie
Dhe mundohem të prehem
Tek “Klemenca e Titos”; të harroj.
Por nuk mundem,
Se atje janë njerzit si unë,
Shumë ëndrra atje ende kacavirren,
Kujtimet,
            Shpresat
                        Netët pa gjumë,
Genet e të parëve,
Me tokën përzjerë atje janë
Dhe klithin deri sa ngjiren:
“Atje ku je të shohim
Në të akulltat netë
Të ngrira si dhe ne.
Në do që kurrë mos ngelesh vetë,
Sytë i mbaj në këtë dhe!”

Friday 17 November 2017

Këta kanë “edhe gurin, edhe arrën, edhe dhëmbët”

Edhe pse e kam në kokë të ngulitur, se koha e Diktaturës nuk ka të krahasuar me kohën në të cilën jetojmë, gjithsesi, ka gjëra në funksionimin e pushtetit lokal, që lidhen me miratimin e objekteve qëndrore në qytet, që janë përkeqësuar.
Vërtet, në ato kohëra, Partia dhe partiakët e saj, kishin “edhe gurin edhe arrën” dhe bënin si e mendonin ose si ju kishin thën shokët e “Birosë“, por kishte edhe raste jo të pakta, kur merrej mendimi i specialistëve ose intelektualëve të qytetit. Ndoshta edhe bëheshin “për sy e faqe”, por nuk përjashtohej edhe mundësia e ndryshimeve, si rrjedhojë e këmbënguljes të atyre, që “dinin më shumë“.
Për shembull një mbledhje e zgjeruar e këshillit teknik rreth vitit 1985, ndryshoi projektin e Postës, i cili parashikonte prishjen e ndërtesës së “Bopit” dhe të tjerave ngjitur duke e shtyrë në territorin e lirë të ish- Bar “1 majit” dhe me një projekt tjetër ashtu si është edhe sot(ndërtesa e Telekomit).
Edhe Komandanti, që mund “të shkonte në hell” qindra njerëz, edhe zëvendësi i tij arrogant Shehu, ishin më të përmbajtur në çështjet e urbanistikës dhe arkitekturës, se sa “Kryearkitekti” Rama dhe Veliajt, Dakot, Sejdinët apo Filot e tij.
Në atë kohë, të paktën ekzistonte koncepti: “gabimet në ndërtimet kryesore mbeten në shekuj”, gjë që duket se nuk ekziston më në këtë kohë.
Vërtet interesat e investitorëve privatë janë të mëdha dhe korrupsioni është i pashmangshëm si në gjithë vendet e botës së tretë, por më e çuditshmja është me veprat publike, të cilat vërtet mund të sjellin para në xhepa politikanësh, por po njëlloj do sjellin edhe po të jenë më të studiuara, më të hijshme dhe me konsensusin e një pjese më të madhe të banorëve të një qyteti.
Kam shkruar më shumë për Korçën se e njoh më mirë dhe “dhemb” më shumë, por besoj se marrëzitë e tyre në qytet e tjera janë edhe më të mëdha.
Kam përmendur shpesh Kullën, Bibliotekën e Re, Muzeun e Gjon Millit dhe tani edhe Harkun e Voskopojës dhe duket se edhe më “fanatikët” e Rilindasve nuk kanë mundësi t’i mbrojnë. (Nuk e kam fjalën për kolegët e mij që punojnë në Bashki, se ata gjithnjë kanë mërmëritur “E dimë po ja se kjo dhe ajo dhe ai dhe ata…)
Gjithsesi, këto që ndodhën, ndodhën.
Por a nuk duhet gjetur një mënyrë për të mos lënë të përsëriten nga të tjerë, që do vijnë pas tyre?
Se këta e bënë beli, që kanë “edhe gurin, edhe arrën, edhe dhëmbët”. Dhe e marrin gurin, I bien dhe e thyejnë arrën dhe e mbllaçitin. Duket se dhëmbët nuk ja u heq dot njeri!

Po a mund të vazhdohet gjithnjë kështu?

Thursday 16 November 2017

Ed-ami në Ed-en

Dhe ditëne e tretë Zoti bëri tokën dhe lulet e pemët filluan të lulëzojnë në të. Edhe kopështi i Edenit. Pastaj në dy ditë të tjera të gjata, Zoti u mor me qiellin dhe detin dhe ditën e gjashtë u kthye të vinte në tokë kafshët dhe njerëzit. Kur befasë, mes fiereve të lartë, i doli një krijesë cullake, e ngjashme me Adamin, që kishte ndërmend të krijonte.
-Po ti cili je?- pyeti Zoti
-Unë jam Ed-ami?- u përgjigj cullaksi pa ju dridhur qerpiku
-Po kush të krijoi ty? – tha Zoti duke u menduar se mos i kishte shpëtuar një krijim i tillë i cungët, kur merrej me krijimin e kafshëve të tjera.
-Unë jam “self-made”- tha Ed-ami- për të udhëhequr pasonjësit. Ti krijove Edenin dhe ky do jetë vendi im dhe i Ed-ensave.
-Po për të bërë pasonjësit do të duhet një grua-  tha Zoti, i çuditur nga siguria e gjallesës.
-Nuk ka nevojë. Unë jam piktor dhe i bëj vetë.- tha Ed-ami dhe vizatoi me një shkop mbi bar, dy qënie, që u ngritën menjëherë mbi dy gjymtyrët e tyre të pasme.
-Po këta cilët janë?
-Djemtë e mi, Tahiri dhe Lal Eri- u përgjigj i entusiazmuar Ed-ami – Do argëtohemi kur të zihen deri sa njëri ta vrasë tjetrin.,
“Ky paska ngrënë nga Pema e Dijes” mendoi Zoti duke ndjerë keqardhje, që nuk kishte pasur mundësit a paraljmëronte. Hodhi sytë nga Pema e dijes dhe pa që nuk kishte asnjë frutë të mbetur.
-Po përse do zihen djemtë e tu?
-Njëri do kërkojë ta mbjellë Edenin tej e përtej me kanabis, kurse tjetri do të presë pemët dhe të ndërtojë Kulla.
-Po ti anën e kujt do mbash?- pyeti Zoti i habitur nga mungesa e dashurisë atërore e Ed-amit.
-Do t’i le të hanë kokën deri sa ti të mërzitesh dhe të bësh Përmbytjen e Madhe. Kush të ketë fituar do ta ve të ndërtojë Arkën. Patentat e Lundërtarit të dy i kanë marë.
-Po të ketë fituar Lal Eri dhe të ketë prerë të gjithë pemët me se do ndërtohet Arka?
Këtu Ed-ami u mendua një çast, pastaj diçka vizatoi me të shpejtë dhe një krijesë pak “kolendrike” u ngrit më këmbë dhe filloi të këndonte.
-Po ky kush është?
-Taulant Balla. Do merret me kontrabandën e trungjeve.
Atëhere Zoti u bind, se krijesa e dalë padashje gjatë ditës së katërt ose të pestë nuk mund të ndalej para asnjë pengese.
-Nuk dua të të zhbëj edhe pse mundem, por po të le porosi të kujdesesh për peshqit, zogjtë dhe kafshët.
-A për punë mua nuk më ke!- u hodh menjëherë Ed-ami dhe filloi të vizatonte edhe një herë, këtë rradhë më me kujdes dhe krijoji Niko Peleshin.
Të gjitha këto ndodhën të gjashtën ditë.

Të shtatën, të gjithë pushuan.

“Unë, Aljosha dhe Aliu”

Komentet e fundit të Ramës rreth politikanëve të tjerë shqiptarë të sjellin në mendje titullin e një libri për fëmijë të poeteshës armene Silva Kaputikian(dikur sovjetike) të botuar tek ne në fillimin e viteve ’60, “Unë, Aljosha dhe Aliu”. Rama e ka ndryshuar në variantin “Unë, Iliri dhe Saliu”, që është ku e ku më i butë se varianti i shkrimtarit Ben Blushi “ Iliri, Saliri dhe Deliri”.
Edi Rama konfirmonte një të vërtetë, që në këto dy dhjetvjeçarë janë vetëm tre politikanë, që kanë dominuar jetën politike në Shqipëri. Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama. Kjo është një e vërtetë e hidhur, se në të kundërt nuk do ishim në këtë gjendje, ku njerëzit që duan të largohen shtohen dita ditës.
Por komenti i Ramës shkon përtej të vërtetës. Ai jo vetëm vlerëson si “të nivelit të tij” vetëm dy politikanë, por dy, deri diku “të atrofizuar”. Berisha për shkak të moshës dhe largimit nga posti i kryetarit të PD-së. Meta për shkak të detyrës si President, që të paktën edhe për pesë vjet nuk e le të “tregojë dhëmbët”. Pra nënteksti është i qartë: “Shqipëria do apo nuk do më ka vetëm mua! Të gjithë të tjerët janë të kategorisë së dytë e të tretë”
Problemi i krijimit të një klase politikanësh është problem i hershëm i tranzicionit shqiptar, por pas 27 vjetësh, të kemi sërish një realitet të tillë, jo vetëm është në dukje absurd, por edhe shumë i dëmshëm për vendin.
Cilin politikan mund të mbështetin ambasadorët e huaj dhe emisarët e tjerë të Brukselit dhe Uashingtonit, prej të cilëve presim aq shumë?
Partitë (lexo-krerët e tyre) kanë punuar si e si të asfiksojnë, çdo lloj personaliteti, i cili ka ambicjen për të qënë prijës në të ardhmen. Kështu ka ndodhur në fillim me Selamin dhe Pollon në PD dhe më vonë me Blushin në PS. Edhe Bashës ju “dhurua” një pozitë e dobët, me dhjetra “kolonelë“ kundërshtarë përreth. Në LSI(një parti gjysëm private), posti drejtues ju dha Vasilit për dy muaj, për t’ju dhënë një depueteteje të LSI-së, që rastësisht fle në një shtrat me prijësin e mëparshëm, Ilir Meta.
Më e keqja është, se kjo pranohet sin jë gjë e natyrshme brenda partive, por edhe në opinionin publik “Po normal ai , që është Lider  do mundohet ta mbajë  pushtetin sa më gjatë!” Dhe duket e llogjikshme, se tek ne pushteti njehsohet me fitimet personale.
Por si mund t’i biesh gjoksit se po “bën shtet”, kur brenda partisë jo vetëm nuk lejon zhvillimin e personaliteve të tjera, por as që përpiqesh të “kultivosh” një grup me politikanë të rinj, që do vazhdojnë punën e nisur nga parardhësit?
Askush nuk është i garantuar se do gdhihet të nesërmen edhe pse tek ne logjika e sigurimit të jetës, së pronës është ende në hapat e para.
Po siguria e pushtetit?
Duke nxjerrë zëvendëskryeministra nga anonimati formohet shteti? Një grua e panjohur, e papërvojë në administrim do drejtojë qeverinë nëse Rama aksidentohet apo humb jetën?
Brenda partisë nuk ka asnjë personalitet të shquar.
Shqipërisë i shërben kjo “strategji e tokës së djegur”?
Vendi duket, që nuk është gati “për të papriturat” e janarit 2018.
Në rast të një skandali të madh, që mund të përfshijë edhe Ramën, duket se edhe zgjedhjet e reja nuk do mund të zgjidhin “ngërçin” politik të krijuar nga Rama, Berisha dhe Meta.
Basha sulmohet vazhdimisht nga brenda partisë dhe nga mediat.
Kryemadhi është e pabesueshme për shkak të së kaluarës të së shoqit.
Personalitete të tjera thuajse se nuk ka.
Ndaj Rama ndjehet i mbrojtur pas parrullës “Unë, Iliri dhe Saliu”.

Ndërkombëtarët, për hir të ruajtjes të stabilitetit kanë të drejtë të mbyllin edhe të dy sytë ndaj paudhësive, se një sy ka kohë që e kanë mbyllur.

Nën hijen e Josifit

Nuk di në ç’vit e kishin vënë bustin e Stalinit në Korçë. Duhet të ketë qënë para se t’i prishnim marëdhëniet me sovjetikët.
Megithëse ishte në sheshin e kinemasë, kur ishim të vegjël Stalini nuk na binte në sy, se kur i afroheshim sheshit, sytë i kishim në dera e mesit të Kinemasë, për të parë nëse ishte Kiçi i Gjatë apo Kiçi Zëçka. I gjati edhe mund të të linte të hyje dy veta me një biletë.
As si vendtakimi nuk përmendej kurrë, se do e lije ose në Kinemaja, ose në “Moska” ose në “Agimi”. Flas për fëmijët dhe adoleshentët , që hanin ndonjë paste ose xup, se të rriturit i kishin takimet në “Familjari” dhe “Republika”.
Por Stalini ishte atje serioz dhe hijerëndë dhe nën hijen e tij vërtiteshim ne njerëzit e varfër, me biçikleta dhe pa biçikleta. Më shumë se ne, vërtiteshin hallexhinjtë dhe të “prapambeturit mendorë“ si Pandi Lula. Flinin më pak se kishin kushte më të këqija në shtëpi apo se nuk kishin ilaçe t’i qetësonin. Pandi Gjiza dëgjohej , që herët në mëngjes dhe deri vonë në mbrëmje me zërin e tij të ngjirur, fjalët e përsërituar por jo pa lidhje dhe entusiazmin për “Skënderbeun”.
Eshtë e çuditshme, që askush nga “të metët” e qytetit nuk zinte në gojë Stalinin. Peçi Bajamka shpaloste të gjitha lidhjet e tij imagjinare me Nolin, Miteranin, Klintonin, Gonxhe Bojaxhiun, Niko Kazanzaqisin, por asnjëherë nuk zinte në gojë Josif Visarianoviçin.
Po kështu Naka, Meri, Stavri Maçoku, Cilka e Mallgashit, Guri i Nënosë e të tjerët. Të gjithë kishin “refrenet” e tyre, që nga Duçeja,  “makaronat e Italisë“ e deri në “edhe hirin në supë magjericë do të ta hedh”, por Stalinin nuk e zinin në gojë.
Kaq shumë i trembte të gjithë busti i mustaqelliut hijerëndë?
Në vegjëli urrenim Hrushovin. Jo aq shumë se na kishin mësuar në kopësht e shkollë, por nga që dëgjonim në radio një këngë popullore me fjalët:
Hrushovi me tradhëtarë
O more baba Stalin!
Kockave ju vunë zjarrë
O more baba Stalin!
Se nuk ka gjë më makabër për një fëmijë të rritur në vendet me fe monoteiste, se sa “djegia e të vdekurit dhe sidomos pasi e kanë tradhëtuar.
Po ç’duhej Baba Stalini në Korçë, Shkodër , Kuçovë dhe në gjithë qytetet e Shqipërisë?
Për të na trembur?
Nuk e besoj se 99% e njerëzve nuk e kishin idenë e krimeve të Stalinit.
Mbase se me ndihmat e sovjetikëve mbaheshe në këmbë pushteti i sho Enver, se thjesht për ideologji nuk ma merr mendja. Nuk kam parë në ndonjë qytet të Shqipërisë ndonjë bust të Marksit.
Një natë nga fundi i vitit 1991 e hoqën pa u ndjerë. A ndoshta ishte në muajt e ftohtë të shkurtit ose marsit… Si ishte pushkatuar edhe Caushesku.
Shenjë e mirë, por shumë mikroskopike.
Frikën nuk na i kishte futur Josifi në palcë.
Ishin Stalinistët shqiptarë. Disa syresh ndoshta ende vërtiten trotuarëve duke kënduar nëpër dhëmbë:
O Stalin të ishe gjallë
O more Baba Stalin!


Wednesday 15 November 2017

Duhej edhe “Harku i Triumfit”

Ndërtimi i “Kullës Eifel” (Kulla Vrojtuese) dhe Qëndrës Kulturore “Zhorzh Pompidu”(Biblioteka e Re), nuk mund ta sillnin të plotë Parisin në Korçë. Ka edhe plot monumente të tij të njohur në gjithë botën, që duhet të projektohen nga arkitekti famëkeq Pitë Uillsën dhe të ndërtohen me fondet e taksapaguesve nga Bashkia e Korçës.
Më i fundit është “Harku i Triumfit” i ndërtuar në qendër të Voskopojës, pjesë kjo e Bashkisë së Korçës.
-Sigurisht me gurë- do thonë të gjithë ata që kanë qënë qoftë njëherë në Voskopojën e Kishave të famshme.
Jo!
Gurët, në forma të përçudnuara i përdorim ciklopikë vetëm në Parku Rinia, ku një pjesë e tij të duket sikur të shpije në Ishullin e Pashkëve në Paqësor.
Në Voskopojë beton, sipas devizës të famshme vlonjate të kohës së Diktaturës – Beton dhe hekur, punë e pavdekur!
Po pse duhet ky Hark i shëmtuar betoni në qëndër të Voskopojës e dinë vetëm një grup i vogël Rilindasish.
Thua do parakalojnë nën të, kur të kenë dëfryer për kremtimin e 29 nëntorit apo 5 vjetorin e ardhjes së tyre në pushtet?
Diçka tepër Rilindase është në mendjen e tyre.
Tani kanë mbetur pa u ndërtuar muzeu i Luvrit, Notre Dame dhe Panteoni. I pari mbulohet hë për hë nga MAM ndërsa për të dytën duhet krijuar një ishull në Dunavec. (Një ishull të tillë Rilindasit donin të bënin në Berat ndaj përvoja është.)
Panteoni edhe mund të presë.

Figurat më të mëdha që ka nxjerrë qyteti janë ende në të 40-tat e tyre.

Tuesday 14 November 2017

"Konformisti" i Xhorxho Gaber


Gjenialiteti i Xhorxho Gaberit del qartë edhe në këngën e tij të njohur "Konformisti". E gjithësishmja e saj është jo vetëm në faktin se është e vlefshme për të gjithë qytetërimet e kohës sonë, për të gjithë popujt, por edhe se thuajse të gjithëve na duket se "konformisti" është dikush tjetër dhe nuk ka të bëjë aspak me karakterin tonë. Por jo thotë Gaber me finesën e tij të pamëshirshme.

 Konformisti

Unë jam një njeri i ri
I prerë sënjëzaj, sa ka kohë që nuk jam as fashist
Jam i ndjeshëm dhe altruist
Bile edhe orientalist
Më parë kam qënë
Pak gjashtetetist,
Ka ca kohë që jam ambientalist
Disa vjet më parë u ndjeva mes euforisë
Si të tërë edhe pak socialist.

Jam një njeri i ri.
Më besoni se me të vërtetë jam progresist,
Në të jëjtën kohë liberist,
Antiracist,
Dhe jam aq i mirë,
Sa jam dhe animalist,
Nuk jam më asistencialist
Tash’ së fundi jam edhe pak kundër rrymës’
Jam federalist.

Konformisti
Eshtë ai, që zakonisht është në anën e duhur
Konformisti
Ka në kokë gjithnjë përgjigjen e qartë dhe të bukur.
Eshtë një koncentrat opinionesh
Me tre katër gazeta nën sqetull,
Që mendon atëhere kur duhet të thotë diçka
Ndoshta si i mirë oportunist
Përshtatet pa zhurrmë dhe jeton në të tijin paradis.

Konformisti
Eshtë një njeri i rrumbullt që pa konsistencë lëviz
Konformisti
Stërvitet në detin e maxhiorancës të rrijë në kurriz,
Eshtë e zakonshme gjallesë,
Që pa fjalë bisedash mund të vdesë.
Natën sheh ëndrrat e të tjerëve ëndërronjës
Dhe ditën shpërthen e tija festë,
Me tërë botën në paqe të jetë.
Dhe le të zhytet ajo vetë.
Konformisti,
Ky konformisti.

Unë jam njeri i ri
Dhe me gratë kam një raport të shkëlqyer se jam feminist
Jam i gatshëm dhe optimist,
Europeist,
Kurrë nuk ngre zërin,
Jam pacifist,
Isha marksist-leninist
Dhe nuk e di si përfundova ca kohë
Katokomunist.

Konformisti
Nuk kupton se kush ringrihet më mirë se një ballon
Konformisti
Ky aerostat i evoluar
I fryrë plot me informacion
Eshtë një lloj specie
Që fluturon gjithnjë në të ulëta kuota
Por ndjehet i realizuar se çik shumë botë
Jeton dhe kjo i mjafton
E duhet thënë se jo kot
Të gjithëve na ngjet pak “miksi”
Konformisti
Ky konformisti.

Unë jam një njeri i ri
Aq i ri sa menjëherë mund të shohësh edhe ti
Se jam një konformist i tipit të ri.


Monday 13 November 2017

“…ëë..u”

“… ata kërkojnë revolucionarizimi i metejshem i shkollës ..ëë..u”, kështu i mbyllte shpesh frazat një mësues i jonë, në biseda private, teksa tregonte për mbledhjet e organizatës së partisë së shkollës.
Ne qeshnim me fundin e përhershëm “…ëë..u” dhe ja vinim mungesës së formimit të tij “ideo-profesional”, por sot unë mendoj  ndryshe. Ndoshta të gjithë atë kohë flisnim me pak “…ëë…u” se nuk na rridhte goja në frazat e përsëritura, të cilat ishin krijuar diku në dhomat e Komitetit Qëndror të Partisë dhe kishin zbritur më pas në bazë, ku duhet të thuheshin e të rithuheshin nga instructorët e partisë, sekretarët e rinisë dhe deri në nxënësit e thjeshtë të gjimnazeve.
Një herë kishim shkuar të propagandonim tufëzimin e plotë të bagëtive në Lekas, kur ishim 17-18vjeç dhe me siguri kur ja u spjegonim fshatarëve se sa do prfitonin nga tufëzimi i plotë, fjalitë nëpër dhëmbë i theshim me “…ëë…u” se dinim vetëm se ç’ishin bagëtitë dhe as kishim idenë e tufëzimit, pse duhet të ishte i plotë dhe se ç’do përfitonin fshatarët e shkretë prej tij. Ata të gjorët, që ndjenin se thika po ju shkonte çdo vit e më thellë, kushedi ç’shkonin në mendjet e tyre teksa shikonin ca qimepadirsur, që ju tregonin se ishte më mirë t’i kishin bagëtitë e imta në stallat e kooperativës se sa në hauret e tyre.
Tani të gjithë flasim e shkruajmë pa frikë dhe pa “…ëë..u”. Nuk më jepet rasti shpesh të flas me bashkëkombës dhe sidomos ata, që jetojnë në Shqipëri, por edhe kur kam pasur rastin të flas më duket se janë të lirshëm. Përdoren “parafabrikatet” e Tiranës dhe kanaleve televizive, si “normal”, “e papame”, “je i realizuar”, “ në një dimension të ri” e të tjera si këto, por janë ku e ku më larg se “Indiferentizmi është armiku i revolucionit”, “tu qepemi kodrave e maleve e t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat” apo “të jetojmë, të mendojmë e të punojmë si në rrethim”.
Tani ke edhe me dhjetra mundësi të zgjedhësh mes thënieve të politikanëve të majtë e të djathtë dhe ti vendosësh ato në rrjetet sociale duke shtuar vetëm shumë pika në rradhë dhe sa më shumë pikçuditëse. (Si është kjo puna e pikëçuditëseve, që është shtuar kaq shumë, apo atëhhere kishim frikë të vinim, se mos na theshte sekretari i partisë ;”Po ti ç’ke që çuditesh?’)
E megjithatë ka raste, ku duhet me doemos edhe “…ëë ..u”. Për shembull doja të kuptoja diçka të shkruar nga një tjetër mësues dhe t’ja spjegoja edhe një mikut tim, por nuk mundja. Fjalia e shkruar në rrjetet sociale ishte “…duke mos njohur “brendësinë, vullkanimin e shfrenuar financiar informal”.
Unë nuk kuptoja as ç’ishte brendësia , as vullkanimi dhe aq më pak pse ky i fundit ishte edhe i shfrenuar edhe financiar edhe informal.  Ndaj mikut, që më priste me padurim t’i spjegoja, për të mos u treguar i paditur i thashë nëpër dhëmbë:
‘…ata kërkojnë vullkanimin e shfrenuar financiar informal…ëë…u”.

Ai tundi kokën gjithë gëzim.

Pranverë e vonë

Po si do mund të rri më tej
Kur sythet dalin mbi kërcej
Dhe gjallon limfa;
Kur lulet bien gjithandej
Në rrjedha uji, në përrenj
Ku më prêt nimfa.

Unë zor e kam të vrapoj tani
Nuk jam më si dikur i ri
Dhe pse të dua;
Poshtë, grykës së lumit do rri
Të pres të nisë i fortë veri
T’më marrë mua;

Në shuka ajri të m’përcjellë era
Se tashmë ka trokit’ pranvera
Në jetët tona;
Dhe ndërsa ti me sy nga dera,
Dhe nëse s’vi si herë të tjera,
Do vij’ jehona.

Saturday 11 November 2017

“Cirku i qeverisë“ përsëri në fshat


Ka një ide-vendim të kryeministrit Rama, që mbledhjet e qevrisë, një herë në muaj, të bëhen në një nga qarqet e vendit. Brenda një viti, qeveria do i prekë të gjitha qarqet e Shqipërisë me mbledhjet e saj. Rastësisht ka 12 qarqe, po aq sa ka edhe muaj viti. Pothuajse edhe i njëjti numur ministrash përreth Timonierit.
(Ka një lloj rastësie edhe me numurin e anëtarëve të Byrosë Politike, të cilët për disa dekada ishin 13 përfshirë këtu edhe Komandantin, por lojrat me 12 dhe 13 kanë mbi dy mijë vjet, që ndodhin në politikën botërore dhe as Komandanti dhe as Timonieri nuk mund të cilësohen si origjinalë.)
Por le të dalim nga simbolika e numurave dhe le të shohim realisht, se ç’farë bëhet dhe përse bëhet shfaqja e Cirkut në Dibër me pehlivan kryesor Kryeministrin me brekushe të shoqëruar nga ish-ministri shumë i përfolur Beqja, ky i veshur me tuta.
Shpallet projekti fitues i rrugës së Arbrit, dëgjohen qytetarët rreth Buxhetit të vitit 2018 dhe bëhet një vizitë në një familje fshatare.
Pra pak a shumë shfaqja e Dibrës është një dhuratë për spektatorët, pastaj një pjesë ku spectatorët ftohen në arenë dhe ju mbushte mendja se janë edhe vetë “akrobatë“ dhe në fund një vizitë në shtëpinë e një spektatori, për t’i treguar se “artistët janë njësh me popullin”.
E gjithë shfaqja realizohet me paratë e spektatorëve të lumtur.
Po përse duhen këto lëvizje të Qeverisë një herë në muaj, që kanë jo pak peshë në buxhetin e saj, me dreka, darka, hotele?
Kreyeministri Rama bën atë gjë që di të bëjë më mirë.
Fushatën e vazhdueshme elektorale, të cilës duhet thënë se ja ka marrë dorën më mirë se gjithë rivalët e tij.
Ai e ka vështirë të qeverisë, për shkak të formimit të tij të pamjaftueshëm ekonomik, për shkak të ideve që i variojnë nga e majta ekstreme në një të djathtë liberale dhe për shkak të skandaleve që nuk i rrjeshtin.
Ndaj zgjidhja më e mirë “për të dryshuar muhabetin’ edhe me ndjekësit në facebook është t’ë “dalë turne me trupën me trupën në fshat”.
Ky lloj populizmi në masat e gjëra është dyfish i dëmshëm.
Në rradhë të parë njerëzit e ardhur nga një sisitem totalitar ende nuk arrijnë të kuptojnë se cili është në sistemin e ri,  raporti i individit me shtetin.
E dyta, një lloj i tillë drejtimi i shtetit “gju më gju me popullin” kërkon premtime për dhurata të reja në infrastrukturë , të cilat detyrimisht do sjellin taksa të reja në kurriz të bizneseve të mëdha e të vogla. Si rrjedhim, kostoja e “Cirkut në fshat” do rëndojë gjithnjë e më shumë në kurriz të taksapaguesve.
Por qëndrimi në krye të vendit për Edi Ramën duhet bërë me çdo lloj çmimi, ndaj dhe ai do vazhdjë me shfaqjet e tij.

Deri sa ta kuptojnë të gjithë, që nuk është klloun part-time, por i vërtetë dhe i rrezikshëm, si ai i Stephen King.

Bufonë, ne nuk jemi njëlloj!

Unë besoj në barazinë;
Në fëmijët që lindin të pastër
Të njëjtë,
Deri sa vinë mes nesh
Dhe mësojnë se është më e lehtë
Të shmangesh nga “10 porositë”;
Se është më mirë të kesh.
Mund të rri edhe duarlidhur,
Kur tjetrit ja rrëmbejnë gjënë;
Kur në derën e të pazotit trokas
E në fytyrë ma mbyllën
Mund të qesh hidhur
E të mendoj
“Kështu qe e thënë“.
Por ndërsa të përlyerit
Me të hijshme rroba veshur,
Më thërrasin gjithë gaz
“Eja se festa filloi!’
Nuk mbahem dot,
Nuk mund të rri pa ju përveshur:
“Bufonë, ne nuk jemi njëlloj!’
Do mbetem i tillë
Deri në fund të jetës.
Me idenë se të gjithë jemi të barabartë,
Por para Zotit,
Para të Vërtetës,
Atje ku gjithshka shihet qartë.
Por kur të afroheni
Për të më stërpikur,
Gjuhën jo kurrë s’mund ta kafshoj.
Edhe në shtrat të jem i ligur
Do klith:

“Ne nuk jemi njëlloj!”

Friday 10 November 2017

Jo të gjithë janë njëlloj

Në ato netë të marsit 1997, kur të gjithë ishim mbledhur në shtëpitë tona për të mbajtur fëmijët e mbrojtur nën krahët tona, kishte njerëz, që dolën për të bërë diçka të mirë. Vetëm.
Nuk jam i sigurt nëse ishte nata e dytë apo e tretë, pasi çdo gjë ishte dorëzuar e shkatërruar, kur plumbat ishin jo vetëm në ajër, por edhe në vitrina dyqanesh, edhe në porta shtëpish, kur shoku im Riku doli nga shtëpija për të mos pritur vetëm nga të tjerët.
“Po ty ç’të duheshe?” e pyeta të nesërmen dhe ai si i zënë në faj më tha “Po mund të rrihet pa bërë gjë fare?” As nuk më tregoi se ç’i shkonte në mendje, vetëm më tha se si i kishte “telendisur” disa delenxhinj, që ishin kapardisur në Prefekturë, në krye të Komitetit të Shpëtimit Publik. Njerëz të thjeshtë, i kishin treguar se disa nga njerëzit e Komitetit, kishin qënë në krye të bastisjeve në Depot e Rezervave.
Riku nuk ka luftuar kurrë për të pasur një post. I përket një brezi dhe një shoqërie, që qëndron larg të qënit mes Prijësave. Ndonëse ka shumë cilësi të dikujt, që mund të drejtojë shumë mirë.
Atë natë as nuk telefoni ndonjë nga ne, shokët e tij, për të mos qënë i vetëm. E dinte, që ishte me rrezik.
Jo të gjithë janë në gjendje të marrin të tilla vendime.
Pjesa më e madhe e jona, presim që gjërat të na i bëjnë të tjerët dhe pastaj çuditemi, që këta “të tjerë“ në të shumtën e rasteve janë ose kriminelë ose oportunistë.
Kështu ndodh edhe tani, kur përditë pyesim njëri tjetrin “Po si s’u gjend një i mirë të merret me këto punë? Vetëm legenat dhe hajdutët!’
Dhe kur shikojmë dikë të mirë, që përpiqet të bëjë diçka dhe për këtë e sulmojnë e kemi në majë të gjuhës: “Po atij ç’i duheshe?”
Psuhtetin pas viteve ’90 ne nuk na i rrembyen të korruptuarit dhe hajdutët.
Ne ja u lamë atyre.
Cdo ditë e nga pak.
Dhe kështu, ata, që kishin dalë për të mbrojtur bustin e Enverit, si Ridvan Bodeja në Librazhd u bënë ministra në kohën e Piramidave dhe edhe 8 vite të tjera pasi Piramidat patën shkaktuar atë tmerr të vitit 1997.
Ne I lamë duke thënë “C’më duhet mua?”, “Po ti ç’ngatërrohesh me këto punë?” deri sa një ditë të bukur menduam vetëm si të shpëtonim fëmijët nga vendi ku kemi eshtrat e të parëve.
Shpesh, kur shkruaj, më vjen turp për këtë.
E megjithatë shpresën nuk e humb sepse ka edhe njerëz të ndryshëm nga unë.

Si shoku im Riku.

Mos i rrihni “rrugaçët”!

Nuk ka se si mos ketë edhe në media rrugaçë, të cilët e quajnë veten gazetarë. Eshtë e pamundur, në një vend, ku gjithshka ka një çmim duke filluar nga diploma e universitetitetit edhe deri në vendin e punës. Rrugaçëria në shtyp do shoqërojë kriminalitetin, do jetë i mpleksur me të, do përdorë mjetet, që përdorin të gjithë rrugaçt kudo në botë dhe që janë sharjet, pështymat, shpifjet dhe kërcë nimet.
Dhe megjithatë unë kam bindjen se “rrugaçët” e shtypit nuk duhen rrahur. Edhe kur e meritojnë plotësisht. Sepse jam kundër dhunës dhe nuk mendoj se është burrëri të rrahësh dikë. Sidomos ta rrahësh fshehtazi, në befasi dhe duke vënë rrugaçë të tjerë.
Disa muaj më parë kam shkruajtur kundër dhunës të përdorur ndaj Elvi Fundos edhe pse e dija , që është rrugaç dhe jo gazetar.
Dhe Elvi nuk është i vetmi.
“Rrugaçria” në mjediset e medias në Shqipëri, ze fill me bindjen, se “ne kemi në dorë të të bëjmë gjëmën”. Kështu kanë punuar dhe punojnë shumë emisione televizive(duke filluar nga ato të Cakulit), ku pasi shtien në dorë materiale komprometuese, jo rrallë, “rrugaçët gazetarë“ kërkojnë para për të mos i publikuar. Thuhet se përgjithësisht funksionon.
Në shumë raste të tjera, këta lloj gazetarësh, gërmojnë në jetët personale dhe sajojnë nga të gjitha llojet e lidhjeve, për të sulmuar njerëz, të cilët nuk mund t’i shantazhojnë me materiale komprometuese.
Sepse e dinë, që njerëzit normalë edhe tremben nga përfolja në shtyp.
Sepse e dinë, që njerëzit normalë, shpesh herë nuk duan të merren me rrugaçët.
Por për shumë arsye dhuna ndaj tyre është jo vetëm e dënueshme , por edhe e dëmshme.
Së pari, sepse një nga mjetet kryesore të rrugës është rrahja dhe rrugaçët e duan diçka të tillë. Pasi e pësojnë dhunën mund të hiqen edhe si “viktima të së vërtetës”.
Së dyti, sepse mes dhjetra lajme dhe komentesh të tyre, ka edhe të vërteta dhe edhe pse mund të mos jenë shumë, përsëri ato përcillen edhe pse nëpërmjet gojësh rrugaçe.
Dhe e treta, se shumë herë “dinsëzët” nuk mund ta gjejnë belanë nga “të mirët’, por e gjenë nga shokët e tyre “dinsëzë“.
Ndaj do jem gjithmonë kundër rrahjes të çdo lloji rrugaçi.
Kam qënë kundër rrahjes së Edi Ramës edhe pse e kam ditur , që nuk ishte burrë fort i mirë.
Jam shprehur kundër rrahjes së Elvit edhe pse shumë mund të thonë ‘e kishte hak!”
Do jem edhe kundër gjithkujt, që rreh ata që shpifin ose kërcënojnë në publik.
Në rast se nuk jemi në gjendje , që shpifjen e tyre ta mbulojmë me të vërteta, shoqëria ka krijuar të tjera rregulla për tu përballur.

Dhe këto nuk janë mjetet e rrugës.

“Gazetari” e Cim Pekës

Nuk do shkruaja për portalin e Pekës, pasi nuk kam as konsideratën më të vogël për të si gazetar. U shtyva të shkruaj këto dy rrjeshta, pasi “balta” e tij ndaj një shokut tim, është riprodhuar në një portal jo pavlerë si Lapsi.al dhe nga një portal i drejtuar nga një gazetar korçar, si është cityfm.al.
Qarkullon një thashethem sipas Pekës, që Henrik Ligori (Riku) mund të konkurojë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Duke u nisur edhe prej lajmit të tij, deri sa bëhet fjalë për konkurim, duhet të ketë edhe konkurentë të tjerë.
Por portali i Pekës (syri.net) sulmon vetëm Rikun.
Dhe duke mos pasur takat ta sulmojë vetë, angazhon një gazetar kosovar me banim në Amerikë ta sulmojë si “teknik metali”, si “teoricien” dhe sin jë jurist, që ka mbaruar Juridikun me korrespondencë.
Nuk është në gjendja ta sulmojë si të korruptuar, ndaj provon çdo lloj epiteti(edhe atë të “tip studiozi”) për të ulur sa më tepër të jetë e mundur figurën e tij.
Nuk është vendi për të shkruar në favor të Rikut.
Atë e njeh mirë e gjithë Korça dhe një pjesë e Tiranës, që ka pasur mundësi të punojë me të, për inteligjencën, përkushtimin dhe ndershmërinë.
Edhe me mua ka për tu mërzitur me këto rrjeshta , që po hedh.
Po a ka katandisur vendi vërtet sipas asaj shprehjes tonë të vjetër “S’qas hauri mushkë; do gomar!”
Gazetaria e Pekës, Fundos dhe të tjerëve si ta këtë dëshmon.
Nëse Peka është i detyruar nga financuesi i tij Zeni të sulmojë, përse e shpërndajnë të tjerët “baltën”? Për bujë? Për klikime?
Apo të gjithëve na duhet në krye të punëve dikush, që është “lyer pak me m…”(m është për money).
Shumë vite më parë, kur sa kishte nisur punë në Tiranë, privatisht e kam quajtur Rikun si Don Kishot, që lufton me mullinjtë e korrupsionit.
Por nëse në Tiranë dhe në qytete të tjera nuk do ketë edhe njerëz si Riku, a mund të ketë më shpresë? Jo.

Dhe shpresa na duhet të gjithëve.

Thursday 9 November 2017

I Qeshuri, Seriozi dhe Ciniku































Ata janë vetëm adashë. Nuk i bashkon as mosha dhe as profesioni.
Niko Peleshi është politikani.
Niko Kotherja është historiani.
Niko Piperi është nihilisti.
Të tre janë korçarë dhe me siguri e duan shumë qytetin e tyre.
Peleshi ka një karrierë të shkëlqyer në politikë, një karrierë më modeste në biznes dhe pa karrierë në profesionin e tij të inxhinierit elektronik. Eshtë i Qeshuri.
Kotherja është një Niko, që mund të ketë qënë edhe Besnik më parë, por kjo nuk ka shumë rëndësi. Ai është një studiues serioz, që studimet e tij historike i ka vënë në shërbim të Atdheut, Kryeministrit dhe Niko Peleshit. Ndoshta është duke punuar edhe rreth temës, se ç’vend do zerë Peleshi në historinë e Korçës, Shqipërisë dhe më gjërë. Eshtë Seriozi.
Piperi nuk ka mundur të përfundojë studimet e larta, e megjithatë, ka pasur një karrierë si sportelist hoteli, që e ka ndihmuar të dijë shumë nga bota e nëndheshme e politikanëve, biznesmenëve, gazetarëve dhe gjithë VIP-ve të tjerë. Eshtë mosbesues deri në nihilizëm. Gjatë ditës lexon shtypin online dhe ndjek në FB se si gënjejnë politikanët lokalë. Eshtë Ciniku.
Në një shoqëri demokratike bashkëjetojnë më së miri të tre.
Të tre tipa të këtij lloji ekzistonin edhe në Diktaturë, por Piperët nuk e kishin të lehtë ta hapnin gojën. Ndaj shtireshin ose si të Qeshur ose si Seriozë.
Në një Korçë Demokratike këta të tre jo vetëm bashkëjetojnë por i bëjnë edhe mirë njëri tjetrit.
Se të gjithë mund të entusiazmohemi nga i Qeshuri, që jo vetëm na përqafon gjithë dashuri rrugës, na pyet se si i kemi nga shtëpija duke përmendur emrat e të gjithë të pjellëve tanë, por edhe na thotë ta marrim në telefon sa herë të kemi ndonjë problem.
Se të gjithë mund të marrim seriozisht punët studiuese të Seriozit, në shërbim të festimeve të Majta, të evidentimit të figurave të Majta dhe historikut Sallak të Korçës.
Por këtu na vjen në ndihmë Ciniku, që na kujton, që gjërat nuk janë aq të qeshura dhe serioze sa duken. Se mes tyre ka edhe ca si shumë gënjeshtra.
Se këta dy Nikot , njëri “lokomotivë e përparimit” e qytetit dhe tjetri “historian“ i tij, kanë edhe ca “skeletë në fshehur në sobalkat e tyre”.
Ndaj është kaq e vlefshme Liria.
Ndaj edhe qytetit tim i duhen të tre Nikot!

Pjese nga "Ikse te thyera"

....Ndërkohë shiu kishte nisur me gjyma. Larg, në shpatin e malit, ata kishin filluar të punonin me nxitim. Kishte shumë eskavatorë, që ulnin e ngrinin papushim qafat e hekurta dhe një masë e madhe gurësh lëvizej. Gurë si kubikë të vegjël. Të zinj.
Rrobat i kishim diku larg. Në qoshen e fushës së blertë të futbollit dhe nuk mund të iknim nga tribuna e mbuluar. Ishte marrëzi në atë shi. Edhe pse më vonë, nga shpati i malit ata do fillonin të shtinin me artileri.
Po a nuk ishte manovër?
Në mes të stadiumit ne nuk kishim si të mbroheshim edhe sikur të arrinim të gërmonim llogore të thella.
Dikush pritej të vinte për të kontrolluar. Dikush tepër i rëndësishëm. Atij i bindeshin edhe ata, që shihnim në shpatin e malit. Armiqtë imagjinarë, që shpejt do nisnin të qëllonin me predha manovër, por që gjithsesi do pëlcisnin.
Fusha ishte shndruar në një pellg të madh, por rrobat ende shquheshin në qoshen e largët. Në vesh më pëshpëritën “Pozicionet tuaja janë në Amsterdam.” “Po nuk është port Amsterdami?-pyeta. Ai ishte larguar pa dhënë përgjigje dhe ne u ngritëm të shkonim drejt qytetit. Diçka e madhe duhet të kishte ndodhur, se askush më parë nuk kishte përmendur Amsterdamin. Ne as e njihnim atë qytet. Për më tepër binte shi me gjyma.
Me siguri ishte NATO.
Edhe pse qendra e tyre është në Bruksel.
Ata mund të planifikojnë gjitshka me hollësi. Edhe pozicionet tona në një qytet të panjohur. Kanë shumë personel. Të gjithë kanë studiuar shkolla të mira ushtarake dhe dinë ç’bëjnë.
Ne nuk ka se si të kemi hyrë gabimisht në listat e tyre. Nuk ka se si ta dinë, që unë jam një oficer artilerie në rezervë, kurse ti vetëm në këmbësori. Ishin të shkruara të gjitha në biletat , që humba. Ato, që kishin edhe numurin e pozicioneve tona. Ne jemi me të dhëna të plota në listat e tyre. Edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë nga grumbullimi i fundit ushtarak.
Nuk na thanë asgjë për të luftuar kundër kujt përgatitemi.
Nuk ndjejmë frikë përveçse nga shiu që nuk pushon.
Fundja një lojë ushtarke është.
Ata dinë tani gjithshka për ne.
Ndonjë ditë do luftojmë?
Po përse?
Ty të mjafton, që do i kemi pozicionet ngjitur. Edhe pse luftrat nuk janë për gra..
......

Janar 2018, diku ne Shqiperi