Wednesday 28 February 2018

A do e lenë të flasë Izet Haxhinë?

Emrin e Izet Haxhisë e kam dëgjuar për herë të parë në mars të vitit 1997. Isha në Tiranë një darkë dhe ndërsa flisnim për shkrehjen e shtetit në pak ditë dhe kaosin e krijuar, një nga të pranishmit, që kishte qënë më parë në kryesinë e PD-së tha: Dy njerëzit më të poshtër dhe të të gjithë të këqijave në PD janë Azem Hajdari dhe Izeti, shoqëruesi i Saliut. E pyeta se ç’ishte shoqëruesi i tij dhe ai mu përgjigj, që kishte qënë student në mjekësi. Nuk u zgjatëm më rreth bëmave të tyre se rreth Azemit kisha dëgjuar boll dhe nuk ishte ai, që përbënte shqetësim atë ditë. Problem ishin Saliu dhe Gazidedja, për të cilin, çuditërisht, disa nga të pranishmit, që e njihnin nga afër, folën mirë.
Ishte një koh[, kur lajmet i ndiqnim edhe “të detyruar”, sepse puna ishte ndërprerë dhe nuk mund të rrije kafeneve kur ngrysej. Izet Haxhia, duket një figurë jo shumë e rëndësishme për tu bërë publike, nuk u pa ndonjëherë në skenë. Prapa kuintave, si është dëshmuar vite më vonë prej tij dhe të tjerëve, ai ka qënë një nga bashkëpuntorët e ngushtë të Berishës, gjatrë gjithë viteve 1996, 1997 dhe deri më 1998.
Ngjarjet e vitit 1998 i humba plotësisht, se isha i përqëndruar në hallet e mija, në vitin e parë të vendosjes në Kanada. Rreth Izetit përsëri nuk dija gjë, deri sa vite më vonë, u bëra kureshtar për të lexuar rreth vrasjes së Hajdarit dhe gjithë vrasjeve në Tropojë. Pashë një botë cubash, pabesije, krimesh nga më të shëmtuarat, vrasje në pritë dhe me telekomandë, vjedhje arkash kursimi. Ishte ku e ku më keq se Far West. Një botë pa rregulla, pa moral, ku në doje të ndiheshe i pasur dhe i fortë duhej të vrisje të tjerët dhe të vidhje.
Izeti, edhe pse në Tiranë, i përkiste asaj bote klanesh që shtriheshin nga malësia e Gjakovës, në Prishtinë, Zvicër, Gjermani, por në rangje më të ulta. Tirana nuk e kishte nën kontroll këtë botë, sidomos, që pas largimit të Berishës nga pushteti. “Klani” i Fakultetit të Shkencave me Gjinushin dhe Fatos Klosin, e patën përdorur pak, një pjesë të Tropojës për të goditur mundësisht edhe Nanon edhe Berishën, por ishte një botë kriminale, që nuk mund të vihej në zap. Për më tepër ishte e lidhur me dy grupet ushtarake, që luftonin edhe kundër njëri tjetrit në Kosovë- UCK-në dhe FARK-un. Grupi që do hynte i pari në Prishtinë dhe në qendrat e mëdha të banimit të Kosovës, do quhej “çlirimtarët” dhe do korrte frutet e pushtetit. Si e tregoi koha, “frytet” do ishin jo pak të bollshme, se do përfshinin ndihmat e huaja, paratë e trafiqeve të drogës dhe të mishit të bardhë dhe plot para të tjera të buxhetit të një shteti.
Izet Haxhia di shumë rreth tyre. I përzjerë me shumë klane në tre pikat shqiptare të Tiranës, Tropojës dhe Prishtinës, si dhe në zonat ballkanike ku jetojnë shqiptarë të veriut dhe kosovarë, që nuk e kanë për gjë të flasin rreth parave, vrasjeve dhe trafiqeve, Izeti ka një “portofol” të mirë me informacion, që mund t’ju “djegë“ shumë politikanëve-banditë në Shqipëri dhe Kosovë dhe jo vetëm atyre të lidhur me Sali Berishën.
Izetit mund “t’i mbyllet goja” si ju mbyllet atyre që kanë punuar me Mafian, ose mund t’i ofrohet një dënim i lehtë në Shqipëri, me garancinë për mos u ekstraduar në Greqi, ku është dënuar në mungesë për vrasje.
Një status “të penduari” për të deponuar rreth gjithshkaje , që di, do nxjerrë shumë djaj nga shishja, të cilët, nuk ka sistem drejtësije në Shqipërid he Kosovë t’i përballojë.

Për “raison d’etat”, Izeti duhet të humbasë “gjuhën”, qoftë i gjallë apo i vdekur!

Tuesday 27 February 2018

Si "vritet" qyteti

Qytetet nuk vriten në një ditë. As në një javë. Mbase ka përjshtime në histori, si rasti i Dresdenit, kur aeroplanët aleatë e bombarduan në mënyrë të pamëshirshme. Dhe lanë vetëm gërmadhat.
Qytetet e tjera “vriten” pak nga pak, jo nga një “kriminel” i vetëm, por nga lakmia e një tufe dhe nga indiferentizmi i të tjerëve.
Po kush e ka qytetin?
Kryetari i Bashkisë me juntën e tij?
Jo.
Qytetin e kanë të gjithë, sepse të gjithë ata, që jetuan ose jetojnë kanë një pjesë të shpirtit të tyre atje.
Qytetit në fillim I vrasin shpirtin. Pastaj, si një qënie pa shpirt, mund ta shfytyrojnë pak e nga pak, pjesëz e pjesëz, për ta bërë ashtu si duan. Një monument të babëzisë dhe kotësisë.
Padyshim duke e lyer me një varak vaniteti, sepse shkëlqimi i rremë nuk duhet të mungojë.
Shpirtin e Korçës e vranë shumë dekada më parë zanatçinjtë e Pazarit. Plaga e padrejtësive shoqërore ja u kishte errur sytë dhe mendonin, që do ishte më mirë me kapanone ku të strehoheshin të gjithë, se sa me vila “kontësh”, vilëza borgjezësh dhe shtëpi të zakonshme qytetarësh.
Shpirti i Korçës pas Pavarësisë të Shqipërisë ishte “ta bëjmë qytetin si Europa”. Ishin njerëz që kishin emigruar dhe donin të sillnin përparimin në vend, ishin tregëtarë që përpiqeshin të fitonin, ishin intelektualë të vërtetë, që merrnin paga të mëdha. Përparim dhe Ndershmëri – ishte Motoja.
Korça, me shpirtin e humbur të saj, me banesat më luksoze të shtetëzuara, me goditjen e inisiativës private, me mbylljen e rrugëve të Amerikës, mund të transformohej gradualisht dhe të bëhej si Lushnja, Peqini dhe pse jo edhe si Gramshi. Pjesë pas pjese, ditë pas dite.
Ishin të pakta zërat, që përpiqeshin ta shpëtonin.
Me të njëjtën frymë, sot, pasardhësit e Partisë të Zanatçinjve (dhe jo vetëm ata), mundohen ta ndryshojnë, sipas intersave të tyre dhe të miqve të tyre, pa u përpjekur t’i rikthejnë shpirtin. Se motoja Përparim dhe Ndershmëri nuk ju shkon për shtat.
Jo pa qëllim përmenda Kryetarin e Bashkisë dhe raportin e tij me qytetin.
Kjo është shtëpia e Vasil Avramit, Kryetarit më jetëgjatë të Bashkisë së Korçës. Eshtë ndërtuar në vitet ’20.
Pas lufte, u transformua gradualisht, duke ju hequr në fillim rrethimi, duke u kthyer në Shtëpi Oficerësh (Bashibozukë) dhe më në fund, nën qeverisjen e Kryetarit modern të Bashkisë, Niko Peleshit, të ndërtohet, kjo ndërtesë as mish as peshk. Pronarët e saj- Goneja i Zapeve, Aleksandër Frangaj dhe me një përqindje të vogël te fshehur Ben Blushi dhe Niko Peleshi.
Në vend të detyrohej kthimi i këtij “xhevairi” arkitekturor të viteve ’20, u “lëshua” ky kallëp sapuni i shëmtuar në shëtitoren, që dikur ka qënë më e bukura e Ballkanit.
Arkitektët lapangjozë pranë qeverisë, i shkruanin dikur një shkrim që firmosej nga zv. kryeministrit Peleshi, se arkitektët korçarë, që jetojnë jashtë Shqipërisë, janë kundër modernizimit të Korçës, sepse kanë nostalgji për qytetin e kohëve të shkuara.
Ne nuk duam që qyteti të vritet për interesa banale investitorësh injorantë.
Duam, që pjesë pjesë, qyteti të rifitojë shpirtin e tij, modern për atë kohë dhe modern në përjetësi.

A mund t’i tregojmë “vendin” Amerikës?

Eshtë e mundur. E kemi bër qysh prej vitit 1946 e deri më 1990. I treguam se nuk ja kemi nevojën, se nuk na i bën syri tërr dhe se mund ta demaskonim sa herë të na thoshte rradakja jonë.
Edhe pse një autosugjestionim prej të marri, jo vetëm udhëheqja jonë u ndje e fortë dhe barabartë në atë kohë me Amerikën, por edhe një pjesë e mirë e popullit.
Disa reminishenca të asaj kohe, kanë mbetur ende tek një pjesë e politikanëve dhe analistëve tanë, edhe pse sot e dinë se ç’është Amerika dhe ç’përfaqëson.
Gafa më e madhe antiamerikane e këtij mijëvjeçari, mbetet deklarata e Edi Ramës në CNN gjatë fushatës elektorale të vitit 2016, kur në mënyrë aspak diplomatike, kryeministri i një vendi të vogël, që nuk njihet nga shumica e amerikanëve, ju “dha mend”votuesve amerikanë  se “zgjedhja e Trump do ishte fatkeqsi për ta dhe për botën”.
Deklarata ishte arrogante dhe e natyrës të deklaratave të së njëjtës periudhë të Kim Xhong Un. Eshtë interesante të nënvizosh, se as vëllezërit Kastro dhe as Maduro i Venezuelës, nuk i lejuan vetes “t’i hapin sytë popullit amerikan” gjatë fushatës elektorale të vitit 2016. Duket, që udhëheqësi ynë vuan ende nga sindromi i “fanarit ndriçues në brigjet e Adriatikut”.
Në botën e lirë, Amerika respektohet jo vetëm për fuqinë ekonomike dhe ushtarake, por në rradhë të parë për kontributin e saj të jashtëzakonshëm në Dy Luftrat e Mëdha Botërore, në nxitjen dhe zhvillimin e Demokracisë në botë dhe në përmbysjen e sistemit komunist. Sigurisht, që ka edhe faqe të errëta të historisë së saj, edhe personalitete të dyshimta, por këto në asnjë mënyrë nuk e bëjnë të barabartë as me Kubën e Kastrove, as me Korenë e Kim-ëve dhe as me Shqipërinë tonë. Për më tepër, nuk kemi dëgjuar asnjë politikan amerikan t’ju thotë shqiptarëve se duhet të votoni për këtë individ apo këtë parti.
Në deklaratat e papërgjegjshme ndaj SHBA-së, kanë qënë edhe ato me nënkuptime të Kryemadhit dhe Vasilit të LSI-së, kundër ambasadorit amerikan dhe ndikimit të tij në Reformën në Drejtësi.
Por më absurde mbeten deklarimet e dy analistëve të mirënjohur, që përgjithësisht kanë dëshmuar integritet, por që urrejtja ndaj Ramës i shpie jo rrallë në pozitat e një antiamerikanizmi fëminor.
Fatos Lubonja dhe ish-ministri Ylli Manjani, kanë reaguar në një mënyrë thellësisht absurde ndaj vendimi të Departamentit të Shtetit për të shpallur “non grata” Adriatik Llallën. Pak a shumë , të dy kërkojnë, që DASH të paraqitë faktet mbi të cilat ka mbështetur këtë vendim?!
Departamenti i Shtetit nuk është gjykatë, e cila një “vendim-dënim” të saj duhet ta mbështesë mbi fakte dhe për më tepër, t’i bëjë publike. Një ofiqar të një shteti (me një shkallë të lartë korrupsioni) e kanë deklaruar të padëshrueshëm në vendin e tyre, sepse është përfolur gjërë e gjatë për korrupsion dhe pengim të hetimeve. Për ne, kjo jo vetëm duhet të jetë e mjaftueshme, por duhet të kërkojmë me ngulm, që DASH ta bëjë këtë edhe për të tjerë zyrtarë të lartë shqiptarë, që janë akuzuar hapur për shumë e shumë afera korruptive. Për më tepër, amerikanët janë treguar edhe shumë të kujdesshëm me rastin e Llallës, sepse e kanë bërë shpalljen pasi ai është larguar nga posti, që kishte.
Pikërisht, sepse ruan etikën diplomatike, Administrata amerikane nuk e bën të njëjtën gjë për zyrtarët e zgjedhur shqiptarë, duke nisur nga Ilir Meta dhe Gramoz Ruçi e duke vazhduar me ministra dhe ish-ministra, që sot janë deputetë.
Kurse, dy analistët, të mbështetur edhe nga grupime brenda forcave politike, kërkojnë, që “ta vemë në fronkë“ DASH-in, sepse arbitrarisht ka shpallur të papëlqyeshëm për të hyrë në SHBA, si të korruptuar, Adriatik Llallën?!
Ndoshta historia biblike e Davidit me Goliadhin është nxitëse dhe emocionuese për Lubonjën dhe Manjanin, por ata harrojnë se Shteti Amerikan nuk është armiku i vendit tonë të vogël, por përkundrazi përkrahësi më i madh. T’i tregosh “vendin” është jo vetëm miopi politike, port hellësisht e dëmshme për përparimin e demokracisë në Shqipëri.

Edhe narcisisti Rama, kur ju “vërsul” gjatë fushatës kandidatit Trump, ishte i sigurt se po sulmonte një “kalë humbës” në garë, sepse e njeh madhështinë e Amerikës, edhe pse vuan vetë nga “deliri i madhështisë“.

Monday 26 February 2018

Kara Sevda

Tek ky dyfjalësh më shkoi mendja sa pashë këtë foto nga e kaluara jonë. Ishte një shprehje, të cilën e përdornim në shtëpi, por me një ngjyrim disi qesharak. Nuk ja kam ditur kuptimin e vërtetë idiomatik në turqisht dhe nuk e kam pyetur tim atë, por thjesht e kisha futur në fjalorin tim, duke e ditur që fjalë për fjalë e përkthyer ishte “Dashuri e zezë“.
Nuk di nëse kjo foto është e inskenuar apo e vërtetë. Ishte pak e vështirë të fotografoje në vitet ’80, një skenë të tillë “propozimi dashurie”. E megjithatë është e goditur.
Them me siguri, që është e viteve ’80, se veshja ushtarake është tipike kineze, me gambale të lidura me këpucët. Në vitet ’70, përdornim ende uniformat tona të kopjuara nga sovjetikët, me “gambale’ të veçanta dhe kapele bustinë. Gjithashtu modeli i qethjes të “garipit” propozues është me flokë mbi vesh dhe favorite të shkrurtra. Sa për mjedisin rrethues, ai është si në vitet ’20 të shekullit të kaluar.
Mundohem t’i gjej me mendje një melodi, që i shkon kësaj kara sevdaje dhe mendja më shkon në Mia Martini me “Uomini”, por fjalët “…da sognare di andar via/ Con il primo che ti capita/ E che ti dice una buggia” më duken si shumë të thella për dy “gjynahqarët” tanë dhe sidomos për kohën, edhe pse kënga e Martinit është e të njëjtave vite. Por ne rronim në një kohë “të kithët” me kohët e të tjerëve.
Nuk di nëse duhet të ndjej më shumë keqardhje për gjashtëmbëdhjetë vjeçaren, që ende nuk është rritur sa duhet për të bërë dashuri, apo për garipin me bluzë të lëshuar, të veshur me qindra herë dhe me pantallona teritali. (Mbi të gjitha më bën për të qeshur një çelës i vogël, që i varet pas prapanicës dhe që nuk arrij të kuptoj nëse është çelës biçiklete kineske apo ndonjë çelës magazine fshati. Eshtë detaji më i bukur i gjithë fotos, e cila është thuajse e përsosur në kompozimin dhe në hollësitë e saj.)
Mashkulli 27 vjeçar, duket i sigurt në këto punët e marrjemendjes të adoleshenteve. Qethet një herë në tre muaj në berberi i lokalitetit, por di disa citate të shkëputura nga librat e Eseninit, që kopjoheshin dorë më dorë në ushtri, dhe me to mund të ta turbullojë mendjen. Mbi të gjitha ka edhe një bluzë të prodhimit të huaj (të jashtme), që mund t’ja ketë blerë dikujt në qytet, pasi të zotit të parë i ka dalë nga qejfi.
Por mua më vjen keq për të dy.
Tani kuptoj thellësisht se si na kishin katandisur.
Po të bëhet njëë eksperiment dhe kjo foto t’i tregohet një çifti të maturuar shimpanzesh, flamingosh, papagajsh, apo edhe dhish, të gjitha kafshët do gajasen me mënyrën e flirtimit të këtyre dy qënieve në foto.
Janë të dy viktima të një sistemi mëse absurd, ku varfëria gërshetohej me trushpëlarjen, patriarkalizmi me instiktet seksuale dhe injoranca me përbetimet për dashuri të përjetshme.
Ndoshta do ishte e mjaftë kjo foto, për t’ju treguar në mësimin e historisë në gjimnaz, të rinjve të sotëm, se ç’ishte Diktatura Shqiptare e Proletariatit. Nuk ka nevojë as të përmendësh shifra, apo krime politike të saj.
Mjafton kjo foto, të cilën nuk di se pse e titullova me mendje “Kara Sevda”.


Wednesday 21 February 2018

Dashuria për qytetin e lindjes

Në mënyrë të paspjegueshme, të gjithë lidhemi me fije të forta dashurie dhe adhurimi me qytetin e lindjes. Mundohemi të shprehim dashurinë dhe adhurimin, por shpesh, nga mënyra e ndryshme si e konceptojmë raportin , që kemi me qytetin e lindjes, shprehemi në mënyrë të çuditshme, që nuk përfaqëson dot dashurinë e të gjithëve. Deri  më sot, për Korçën mund të jenë thurrur mijra vargje, të jenë shkruar edhe tregime apo edhe ndonjë roman, por nuk ka mbetur në ndërgjegjen e gjithkujt vargje si të Lasgushit për Pogradecin, apo prozë si e Kadaresë “Kronikë në gur” për Gjirokastrën. Ose është bukuria e Korçës më e mistershme dhe më e papërshkrueshme, ose ende nuk ka pena të afta, që të rrokin atë çka është e qenësishme, e ndryshueshme, e vibrueshme dhe njëkohësisht e përhershme në këtë qytet.
Në internet “fluturojnë“ proza poetike për qytetin, vargje të lira dhe “të disiplinuara’, që dëshmojnë për adhurimin që kanë korçarët për qytetin e tyre, nëse rrojnë ende atje apo jo.
Nuk më qëllon të has në pjesëza letrare, që të të drithërojnë, ashtu si më bën të ngjethem kujtimi i ndriçimit të hënës mbi kalldrëmet, aroma e protomajasë, apo drita e fortë e diellit në perëndim, ndërsa shëtisja në fundin e “xhirros” para Bibliotekës së Re.
Vargjete një poeti ose poeteshe nga Korça, qëllova t’i lexoja në internet dhe më sollën këtë shtjellë mendimesh pa më sjellë pranë qytetin.
Nëse i kam kopjuar mirë ishin thuajse kështu:

C’qytet tjetër pati fat, ç’tjetër vendlindje
Të mbulohet me kaq shumë dashuri,
Serenada dhe vargje, mall e dhimbje,
Korça ime, si e pate fatin ti!

Ndoshta një strofë poezie apo vjershe nuk është e thënë të të sjellë pranë qytetin e lindjes, pasi edhe kush e ka shkruar ka shprehur vetëm një lloj çudie se sa fatlumm ka qënë qyteti i lindjes. Mua, duke shoqërizuar pa dashje me kujtimet e fëmijërisë, mu duk si dikush me fat, që në netët e ftohta të dimrit, kur nuk kishim ngrohje, hidhnim shumë kuverta dhe levenxka për t’u gdhirë sagllam. Një batanije nga ato të kombinatit (dashuria), një levenxe me xhami (serenata), një nga të Beratit (vargje) dhe nja dy plefinj(mall e dhimbje). Nuk doje t’ja dije nëse mbuloheshe kaq, edhe sikur të flije në dhomën më të ftohtë të shtëpisë.
Më poshtë pasonin këto dy vargje:

Prej fëmijëve tënd të bukur, bij dhe etër,
Prej të zgjedhurve të rrallë, si askund tjetër
….
Diçka nuk shkon në mendjen e vargjethurrësit/ses, ose në kokën time, se sa të ndjeja krenari, që mund të isha mes të zgjedhurve të bukur (pak a shumë si populli i Izraelit, që ishte i zgjedhur nga Perëndia) mua më shkon në mendje të shtoj vargun e tretë “Si Petraqi kokëpjepër” (dhe këtë e bëj vetëm për hir të rimës, se i ndjeri Peçi nuk thirrej kokëpjepër, por kokëftua).
Me një fjalë vargjet më sjellin në Korçë, por në një mënyrë jo të gjithësishme, por disi komike dhe vërtet është diçka , që nuk shkon, se edhe unë e dua qytetin tim dhe nuk e gjej në këto vargje.
Por ndoshta duhet durim.
Të tjerë poetë e shkrimtarë janë duke shkruar dhe do shkruajnë, diçka që të jetë thjeshtësisht e madhërishme për qytetin tim.
Deri atëhere do më duhet të kënaqem me dy vargje të vjetra, që kapin më mirë një atmosferë “eternale” të tij. Nuk di nëse autor është Petro Dula:
Bulevardi i Korçës ka vajza pa masë
Dalin e shëtisin pa lejën e mamasë…

Ky “Skënderbe” nuk është korçar!

Pas keqardhjes, që ndjen pasi merr lajmet për dënimin e “Skënderbeut” të lind edhe një ndjenjë revolte. Jo kundër UEFA-s dhe inspektorëve të saj, por kundër atyre, që e bënë “Skënderbeun” një emër të njohur në Europë, por jo të nderuar.
Ekipi ynë i futbollit (dhe futbolli shqiptar në përgjithësi) nuk ishte i njohur në Europë.
Brenda vendit, ekipi i zemrës ishte i njohur për fitoren e një kampionati para Luftës së Dytë dhe për futboll dinjitoz dhe të ndershëm gjatë gjithë kohës.
Nuk patëm shkëlqyer, por edhe për shkak të padrejtësive të arbitrave, që gjithnjë favorizonin “Partizanin” dhe “Dinamon”, dy ekipet, që mbështeteshin nga anëtarët e Byrosë Politike.
Patëm disa kulme, një në fundin e viteve ’60 dhe fillimin e viteve ’70 me trajnerët Ilia Shuke dhe më pas Peço Milen dhe një tjetër në vitet ’80, kur trainer ishte Leko Pilika. Në këtë të dytin, të gjithë i kishim kundër-Federatën dhe gjyqtarët, gazetarët me përjashtim të gazetarit shkodran Besnik Dizdari. Nuk arritëm të dilnim kampionë.
Futbolli korçar gjatë periudhës së tranzicionit pati periudha të ulje ngritjeve të mëdha. Një herë të vetme, që shkova në stadium në vitin 2009, u largova pas 20 minutash, për shkak të atmosferës histerike të sharrjeve në kor, që të kujtonte stadiumin e Vlorës.
Por të dilje kampion ishte gëzim. Të përfaqësoheshe denjësisht në Europë gjithashtu ishte bukur. Mundohesha të harronja ato që kisha dëgjuar rreth blerjes së arbitrave apo veprimeve të tjera të Federatës, nga dyshja Bode – Zeqo. Por thellë vetes mendoja që ky “Skënderbe” nuk kishte më asgjë të ngjashme me atë të Teli Samsurit, Servet Gorës, Klani Marjanit, Tato Bimblit e Miço Plluskës. Nuk ishte i ngjashëm as me atë të Koço Dinellës, Todo Vasos, Leko Pilikës apo me të mëvonshmin e Kaçit, Xhambazit dhe Kërçiçit.
Ishte një “Skënderbe” i pompuar me para, që më shumë se sa për futbollin ishin të interesuara për favore politike, tendera dhe mbulime të aferave ekonomike.
Ishte tashmë një “Ridvan-be”, që mund të delte kampion me lojë por edhe me prapaskena të fëlliqura, ashtu sikundër nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e Korçës.
Dhe në vend , që ko rçarët të njiheshin me cilësitë europiane, që i kanë karakterizuar në dy shekuj, në kontinentin europian dhe në botë po njihen si trafikues ndeshjesh.
Jo kjo organizatë futbolli nuk është në thelb korçare, se nuk gëzon cilësitë e korçarëve.
Ndaj të ngrihesh në mitingje kundër UEFA-s, dhe jo kundër matrapazëve është miopi.
Korça ka nevojë vërtet për një futboll të bukur dhe të sukseshëm, për të harruar edhe hallet jo të pakta të periudhës që kalon si gjithë Shqipëria, por jo për një klub dallkaukësh.
Ja u lini prapaskenat dhe shitblerjet Tiranës dhe Shqipërisë së Mesme, se kanë qënë gjithë jetën të aftë për të tilla maskarallëqe.
Mundohuni t’i jepni “Skënderbeut” shpirtin e vërtetë korçar të drejtësisë dhe meritave.
Kujtoj një të djelë të një Kupe Republike të femrave në volejboll, kur pasi kishim mundur “Dinamon” dhe kishim humbur me një ekip tjetër, e vetmja mënyrë, që mos merrnim dot kupën ishte, që “Dinamoja”, ekipi më i mirë në Shqipëri, të humbiste ndeshjen me kundërshtaret tona. Ndërsa bënim tifo për “Dinamon”, dukej hapur që ato po e linin ndeshjen. Shefi i atëhershëm i klubit “Skënderbeu”, njeriu më se korrekt Ilia George, po na drejtohej në shkallët “Ikni, largohuni nga Pallati e mos e shikoni këtë shfaqje të ulët!”
Ky ka qënë shpirti i Korçës. Korrektësia dhe ndershmëria e Ilia Georges.
Për këtë kemi nevojë dhe jo për Nastradinët që mashtrojnë për çdo gjë!

Ndryshe portat e Europës gjithnjë do mbyllen!

Tuesday 20 February 2018

Ndrenika, kujdes se keta gënjejnë!

I gjithë diskutimi kontrovers rreth fatit të Teatrit Kombëtar (ish Teatrit Popullor) duket se po fashitet pas lëvizjeve spjeguese-mashtruese rreth projektit nga Erion Veliaj. Robert Ndrenika është një nga “viktimat” e fundit. Aktori i nderuar e pëlqeu projektin, si ç’mund të pëlqente çdo lloj projekti, që serviret për të mashtruar.
Nëse do të mos mashtrohesh nga ofiqarët që paraqesin një projekt, (dhe që kanë një të kaluar me mashtrime të vogla dhe të mëdha) në takime me ta duhet të shkosh gjithnjë me një arkitekt dhe një avokat. Në të kundërt, këta mjeshtra të mashtrimit nuk e kanë për gjë të të shesin “sapunin për djathë“.
Si e ka përmendur analisti Lubonja, historia e prishjes së teatrit është, që në kohën kur Rama kishte Ministrinë e Kulturës por jo Bashkinë. Tani i ka të gjitha dhe është momenti për “të zaptuar” një “parcelë të artë“ në Qendër të Tiranës.
Personalisht jam kundër ruajtjes së godinës në gjendjen , që është. Eshtë ndërtuar me materiale, që në kohën e ndërtimit konsideroheshin të përkohshme dhe vlerat arkitekturore i ka minimale. Vërtet ka një histori shfaqjesh teatrale të sukseshme dhe jetë aktorësh të famshëm, por po aq ka edhe një histori shfaqjesh bajate, propagandistike, si dhe karriera aktorësh të dobët, që në kohën e Diktaturës, Instituti i Arteve i prodhonte me shumicë.
Por fati i mirë apo edhe i keq i Teatrit Kombëtar lidhet me vendosjen e tij dhe pronësinë “pa zot”. Nëse do ndodhej diku afër unazës, interesimi për ta transformuar do ishte i pakët.
Po pse Ndrenika nuk duhet ta besojë Veliajn?
Sepse në rradhë të parë, i gjithë procesi i studim-projektimit është i bërë i fshehtë dhe pa zhurrmë, sikundër bëhen të gjitha mënxyrat e Ramë-Veliajt në Urbanistikë dhe Arkitekturë.
Në rast se nuk do kishte qëllime “grabitqare”, e gjitha do niste me një detyrë projektimi, të cilën Ministria do e hartonte duke u mbështetur në mendimet dhe idetë e aktorëve, që njohin më mirë se kushdo “vrimat dhe vërushkat” e një teatri që të funksionojë sa më mirë për çdo lloj rryme të teatrit.
I gjithë projekti është bërë në heshtje, shpesh në dy tre variante, ku njëri paraqitet për publikun sa për të “hedhur lumin” dhe pastaj ndërtohet diçka tjetër.
Kam qënë në Tiranë, kur ndërtohej blloku i banimit tek kinema 17 Nëntori. Pashë projektet e bëra në një studio italiane dhe të miratuara nga Rama, të cilat jo vetëm e “gëlltisnin” kinemanë, por edhe nga ana volumore ishin “të përbindshme” për parcelën ku ndërtoheshin. Nuk linin asnjë hapësirë të përbashkët përreth. Si rrodhën ngjarjet, as kinemaja në “barkun” e kompleksit me apartamente nuk u realizua.
Ndaj nuk është aspak e çuditshme, që pasi të prishet Teatri, të sajohen gjithfarë historish, për të kaluar nga projekti, që i pëlqeu Ndrenikës, në një projekt që kanë në mendje Rama dhe klientët e tij.
Teatri Kombëtar duhet të jetë një ndërtesë e vetme, e papërzjerë me të tjera, për të ruajtur origjinalitetin dhe rëndësinë e tij si institucion. Diskutimi rreth tij duhet të jetë i hapur dhe të nisë mes aktorëve dhe të vazhdojë mes intelektualëve dhe specialistëve, për shkak të veçantisë dhe vendvendosjes së tij.

Duhet patur kujdes nga spjegimet e Velisë, se jo vetëm është nxënësi i Ramës në gënjeshtra, por edhe në ndryshim nga “mësuesi” i tij, as skuqet dhe as zverdhet kur mashtron.

Sunday 18 February 2018

Eshtë skandal erotik?

Seksi shet jo vetëm lajmet, por thuajse çdo lloj produkti në botë. Nuk mund të jetë ndryshe. Si na e ka mësuar qysh herët xhaxha Frojdi, dy instiktet bazë të njeriut janë eros dhe thanatos, ndaj dhe çdo lloj veprimi propagandistik i bazuar mbi këto instikte është padyshim më i suksesshmi. Sidomos ato të erosit, që lidhen edhe më shumë me jetën dhe rikrijimin.
Isha në mëdyshje nëse duhet të shkruaja dy rrjeshta për skandalin e dy deputetëve të PD-së Salianji dhe Duma, pasi në mediat tradicionale dhe në ato sociale, është shkruar shumë rreth tij. Për më tepër, kam patur shkruar edhe një shënim të titulluar “Je suis Grida Duma”, kundër dy deputetëve Balla dhe Luan Rama, të cilët me një fjalor të ulët i drejtoheshin në një emision televiziv deputetes Duma.
Po seksi shet dhe ngacmon. Ndaj nuk i rezistova dot tundimit dhe po them edhe unë diçka rreth skandalit erotik, duke u munduar të mos jem vulgar.
Cështja e parë, që dua të prek, është se sa jashtë normales të shoqërisë shqiptare është biseda e ndyrë erotike midis dy deputetëve.
Edhe pse ka vite, që nuk jetoj në Shqipëri di, që marëdhëniet jashtëmartesore janë të shpeshta. Ka shumë arsye për to duke nisur nga keqkuptimi i lirisë, në mungesën e punëve dinjitoze për gratë, në abuzimin me pushtetin nga burrat dhe deri në një lloj histerie “të tërë bëjnë, pse mos bëj edhe unë!” Pas një ndryshimi të madh ekonomiko- shoqëror detyrimisht do kishte edhe një tronditje të fortë të moralit, e cila do vite të stabilizohet. E megjithatë, biseda ka një fjalor rruge prej adoleshentësh, që është shumë më poshtë se mesatarja e këmbimeve shqiptare të këtij karakteri.
Cështja e dytë është se cilët janë Salianji dhe Grida Duma.
E para, ka shumë vite në skenën politike, por veç shtirjes si njohëse e politikës dhe problemeve sociale, është dikush që flet përgjithësisht kot. Eshtë tipikja politikane bosh, që përkujdeset për paraqitjen e jashtme duke menduar se mund të bëhesh “kafshë politike” duke qënë seksi dhe duke këmbyer favore.
Deputeti i Korçës, Ervin Salianji, duket një lloj veprimtari i OJQ-ve i tipit të Erion Veliajt, që paraqet një agresivitet të pajustifikuar në biseda televizive, debate në parlament dhe veprimtari të tjera politike. Nuk di se ç’janë deputetët e tjerë të PD-së, por Salianji me një fytyrë, që nuk e fsheh mungesën e cipës, vetëm për ngritjen e gishtit ndaj kryeministrit Rama në sallën e Kuvendit, duhet të ishte përjashtuar nga grupi parlamentar.
A mund të luftohet klasa politike e hajdutëve me të tillë pervertë?
Sigurisht që jo!
Këta të papërmbajtshëm, sapo të vinë në pushtet do ju lëshohen tenderave dhe koncensioneve po njëlloj si të mëparshmit.
Skandali i mesazheve të tyre nuk zbuon ndonjë gjë të re rreth karaktereve dhe kapaciteteve të tyre. Thjesht mund të vlejë si “ ene me Salianjin shko Grida?!!”
Skandali nuk është as erotik.

Eshtë një shenjë më shumë degjenerimi e klasës politike.

Wednesday 14 February 2018

Edhe njëherë Dita e të Dashuruarve

Dita Tregëtare e të Dashuruarve arriti sërish. Ditët e të Dashuruarve janë çdo ditë.
E megjithatë edhe ky refren është i ripërsëritur, se njerëzit vazhdojnë ta festojnë tërë ngazëllim edhe këtë ditë. Në çift, në grup dhe në kolektiva pune. Eshte më mirë të shtiresh si i dashuruar se sa jo. Gënjen veten, të afërmit dhe ata, të cilëve ju bëhet vonë për ty.
Ata, që dashurohen vërtet këtë ditë me të dashuruarit, janë argjendarët, shitësit e luleve, tregëtarët e bonboneve, të veshjeve intime dhe pronarët e restoranteve.
Sidomos argjendarët! Tek ta, këto ditë blihen dhurata, që mund të fshihen lehtë në xhepat dhe makinat e burrave të pabesë. Një varëse për gruan dhe një byzylyk për “loçkën e zemrës”. Më të vështirë e kanë ata, që kanë disa “loçka”. Nuk është vetëm punë kostoje , por Shën Valentini bëhet edhe një ditë me rrezik të lartë demaskimi.
Tradhëtojnë vetëm burrat?
Sigurisht, jo vetëm ata. Eshtë një aritmetikë e vështirë të provosh se vetëm burrat tradhëtojnë. Mbase mburren më shumë se gratë për tradhëtitë e tyre.
Për të mos dalë krejtësisht nga tema, se Shën Valentini është mbrojtës i dashurive dhe jo i tradhëtive, mbase më mirë se të blesh një palë “intime” seksi për të dashurën në këtë ditë, do ishte më e vlefshme të blije një qiri për fratin e mençur, që ishte nga parët martirë të krishtërimit në Perandorinë Romake.
Ndonjë ateist mund të më hidhet në grykë, duke më thënë “Po edhe të vetmen festë me zanafillë fetare, që është kthyer në laike, do ta rikthesh në një festë të gënjeshtër?”
Hmm…duhet të mendohem pak para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.
Ndoshta vërtet ka shumë e shumë festa përkujtimore shënjtorësh, ndaj nëse një të tillë e kemi nxjerrë nga rituali i hyrjes në kishë, puthjes së ikonave dhe ndezjes të qirinjve, nuk prish asnjë punë.
Por të gjith ne (dhe nuk e kam fjalët vetëm për shqiptarët) dëfrejmë shumë dhe mendojmë pak. Ka kohë, që jemi kthyer në “derra të kënaqur”, që zhytemi sipas xhepit që kemi, në alkol, gostira, të kënduara histerike, bixhoz, çingene e të tjera kënaqësi të jetës hedonike.
Duket se për burrat, ëndrra është të jenë sulltanë, ndërsa për një pjesë të grave, të jenë si Sabrina Ferili, që do të ketë një “harem me burra”. Një jetë është!
Kjo botë do ishte shumë më e mirë, po të dëfrenim pakëz më pak dhe të mendonim pakëz më shumë.
Po ndoshta është e pamundur se jo të gjithë kanë organe për të menduar dhe askujt nuk i mungojnë ato të dëfrimit.
Le të dëfrejmë!

Eshtë Dita e të Dashuruarve!

Monday 12 February 2018

Për kë bie ky Veting?

“Hamshorët vrapues” të Drejtësisë sonë po kontrollohen nja një sistem “veterinerësh” të vendit dhe të huaj, për të nisur garën e madhe të Drejtësisë së re.
Kështu mund ta karakterizojmë këtë periudhë të Reformës në Drejtësi, që sikundër kanë konstantuar disa analistë, që tani ka nisur te jape frytet e para pozitive.
Adriatik Llalla nuk do të kontrollohet dhe për këtë tërhiqet nga gara.
Besnik Ymeraj, gjyqtar i Kasacionit, dha dorëheqjen për të mos ju nënshtruar Vetingut dhe kjo kërkesë duket se po i plotësohet.
Të tjerë gjykatës në qarqe dhe në Tiranë, janë larguar më parë tinëzisht, ndërsa të tjerë pritet të dorëhiqen.
Po kush i vendosi këta gjyqtarë dhe prokurorë hajdutë në poste kaq të rëndësishme edhe pse dihej që ishin të korruptuar?
C’do ndodhë me anëtarët e Këshillave të Lartë të Drejtësisë dhe ve]anërisht Presidentët, që e katandisën Drejtësinë në këtë gjendje?
Sidomos në këtë mijëvje]ar, ndërsa rryshfetet ndaj gjyqtarëve arrinin shifra marramendëse, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i kryesuar nga Presidenti, që kishte mandatin, degradoi nga viti në vit.
Një rast anekdotik (mes dhjetrave të tjerë) është ai emërimit të gjykatësit të Kasacionit Fatos Lulo. U thirr nga emigracioni në Kanada “për t’i shërbyer atdheut” nga Presidenti Alfred Moisiu, vetëm sepse ishte i biri i “shokut të armëve” te ish-gjeneralit. Pavarësisht inkompetencës së tij të njohur, Lulo, në sajë të shërbimeve ndaj Berishës dhe Metës arriti të bëhej edhe anëtar i trupit më të lartë gjykues në vend.
Por nëse ish-Presidenti Moisiu mund të akuzohet për “syleshësi” dhe jo për korrupsion, jo e njëjta gjë vlen për ish-Presidentin Bamir Topi. Gjatë mandatit të tij, u fol hapur për rryshfete në shifra mbi 100 mijë euro, për të zënë një vend në Gjykatën e Apelit në Tiranë apo edhe më lart. Këshilli i Drejtësisë, ku ligjin e bënte ish-politikani Kreshnik Spahiu, dukej se po kërkonte pjesën e tij mes rryshfeteve , që merrnin gjykatësit për ]ështjet e rëndësishme gjyqësore.
Nuk mund të ketë Reformë të plotë në Drejtësi, pa i shkuar thellë në rrënjë shkaqeve.
Edhe nëse provohen apo jo rryshfetet ndaj anëtarëve të Këshillit të Drejtësisë, për të gjithë gjyqtarët, që do skualifikohen nga vetingu, duhet të ketë veprime juridike edhe ndaj atyre, të cilët i kanë emëruar.
Ky vend është i njohur për Mosndëshkueshmëri.
Askush nuk u dënua me burg për krimet e tmerrshme të Diktaturës.
Po qe se do vazhdohet me mosndëshkim të atyre , të cilët kanë përgjegjësi për katandisjen e Drejtësisë në këtë gjendje, Reforma në mos dështoftë që vitin e parë, do dështojë gjatë rrugës.
Ndoshta nuk është vendi, që “hamshorët e drejtësisë“, që skualifkohen ose tërhiqen, të “tridhen”, por ato, që kanë marrë duhet t’i dorëzojnë.
Gjithashtu, ish- Presidentët, e përlyer direkt dhe indirekt në emërimet abuzive apo në mosmarrjen e masave ndaj të korruptuarve, edhe nëse nuk dënohen për mosveprimet e tyre, duhet publikisht të tregohen si shkaktarë të degradimit të Drejtësisë.
Gongu i Vetingut ka rënë.
Nuk dihet ende për kë.

Sunday 11 February 2018

Kam respekt për ty!

Një miku im, shumë vite më parë, e cilësonte “Kam respekt për ty!- Shprehje tipike prej sarahoshësh”. Jetonim në pallatin mbi Bar Korçën dhe nga lokali dilnin shpesh të dehur thumb, që rrinin edhe një kohë të gjatë në trotuar, duke u përqafuar dhe puthur me njëri tjetrin dhe shpesh do dëgjoje mes lagavitjesh “Kam respekt për ty!” Kishte mes tyre fytyra të njohura sazexhinjsh, të panjohur të dërmuar nga jeta, që prishnin edhe lekët e fundit të rrogës, ndërsa në shtëpi i priste gruaja me fëmijët, njerëz që nuk ngopnin dot barkun me bukë dhe deheshin me një dopio. Por nën avujt e alkolit, respekti ndaj njëri tjetrit ju rritej në pakufi, edhe pse shumë ndjenja të tjera njerëzore ju ishin tretur.
I shkova një vështrim diagonal kujtesës sime dhe nuk gjeta të kisha përdorur kurrë këtë shprehje. Mbase jam nën mesataren e njerëzve në lëmin e tregimit të repsektit ndaj të tjerëve, por gjithnjë kam menduar se respekti nuk mund të shprehet me fjalë, por me qëndrim, sjellje, ndihmë apo edhe me atë që quhet “gjuha e trupit” (body language). Nuk mund të mendohet “respekti” për dikë se është i natyrshëm, i pavetëdijshëm, gati instiktiv.
Një njeri, që gëzon respektin tënd ndriçon që në momentin që shfaqet.
U futa në Fjalorin e Sotëm të Shqipes, për të parë përkufizimin e saktë të fjalës “respekt”, të formuluar nga akademikët tanë. Gjeta:
Nderimi që kemi për dikë duke u nisur nga mosha, nga meritat ose nga cilësitë e tij; qëndrimi me nderim kundrejt diçkaje të shtrenjtë a me vlerë
Sipas përkufizimit, mund të respektosh edhe sendet apo edhe vlerat morale e dhjetra ndjenja të tjera apo formulime abstrakte.
(Këtu problemi ndërlikohet më tepër se sendeve nuk mund t’ju drejtohesh me “Kam respekt për ty!”. P.Sh. nuk më ka shkuar në mendje as të them “Kam respekt për librin!” se kurrë nuk ve asnjë shenjë të vetme në faqet e librave. Ka libra që i hedh pasi lexoj dy faqe.)
E megjithatë, unë respektoj të drejtën e gjithsejcilit për të patur një opinion të caktuar se ç’është respekti dhe se si ta shprehin atë.
Ka që mendojnë se respekti është një ndjenjë thellësisht reciproke. Nuk mund të repektosh dikë që nuk të respekton. Eshtë pak a shumë një lloj ndjenje tregu, ku në allishverishe duhet të jemi të barabartë. Unë të jap pesë grosh dhe t’i në këmbim të tyre më jep pulën.
Kjo është një nga kuptimet më të vjetra të respektit dhe që haste shumë në shoqëritë tribale.
(“Ne nuk na kishte vënë në tavolinën kryesore në dasëm, si e vumë ne që e respektuam!” “Thelën më të mirë të mishit, bishtin e qëngjit, ja vuri atij tjetrit. Nuk më respektoit!”)
Këto kanë qënë të pranishme në sebepet e popullit tonë respektdashës, që kujtojnë se vlerat e njerëzve varen nga vendi në tavolinë apo në presidiume.
Për ta mbyllur (në shenjë respekti, për kohën e lexuesit), duhet të them se e vlerësoj atë që lexon shkrimet e mija edhe pse mund të mos ketë pikën e respektit për mua. Por kjo nuk ka rëndësi. Ka edhe lexues , që më respektojnë por nuk mund t’ja u kthej me të njëjtën monedhë.

Pikërisht, sepse nuk është një ndjenjë reciproke!

Friday 9 February 2018

Të gjithë me nga një leckë diktature në sup

 Eshtë vërtet për tu shqetësuar, se na varet nga një zhele Diktature në supe edhe neve, që e kemi jetuar atë kohë, por  edhe të rinjve, që janë lindur pas viteve ’80 dhe nuk kanë asnjë lidhje me atë kohë të errët.
Sondazhi që dëshmonte se më se 50% e popullsisë janë nostalgjikë për Enver Hoxhën dhe kohën e tij; mbivlerësimet rreth Mehmet Shehut nga Alfred Moisiu, Zabit Brokaj dhe Fatos Klosi; ceremonitë pompoze të përvjetorëve të ndodhive me pak vlerë të Luftës së Dytë; debati ndaj filmave të realizmit socialist; të gjitha dëshmojnë se ajo kohë po “idealizohet” jo vetëm nga komunistët e Xhafës dhe Nexhmija, por edhe nga shumë udhëheqës të partive të majta shqiptare.
Qysh prej ardhjes në fuqi të Rilindasve të PS-së në aleancë me LSI-në e Metës, tonet ndaj Diktaturës, përfaqësuesve dhe dukurive të saj, jo vetëm u ulën, por filluan edhe të marrin ngjyrime rozë.
Rama edhe pse në retorikën e tij nuk shprehet hapur në favor të Enver Hoxhës, duke grumbulluar rreth vetes bij ose familjarë të zyrtarëve të lartë të asaj kohe, dëshmon se marëdhënia e tij psikologjike me Hoxhën ka qënë ajo e urrejtje-admirimit.
(Në një darkë private në fillimin e viteve 2000, kryetari ekzibizionist i atëhershëm i bashkisë i paantarësuar ende në PS, mbajti për orë tëra në kokë, një kapele të Enver Hoxhës, të gjetur në vilën e Diktatorit.)
Presidenti Meta e fsheh më pak adhurimin për komunistët dhe partizanët “legjendarë”, kur merr pjesë në përvjetore me shami të kuqe qafës ndërsa krah tij “të gjorët” veteranë me pensione, që nuk nxjerrin dot muajin, mbajnë portretin e Komandantit.
Zell për të propaganduar dhe përkujtuar vetëm figura të së majtës, po tregona hapur Erion Veliaj dhe të tjerë bashkiakë rilindas. Vjet u larguan nga jeta dy pena të rëndësishme të letërsisë shqiptare : Dritëro Agolli dhe Kasëm Trebeshina. Ndërsa funerali i poetit Agolli ishte me të drejtë madhështor, prozatori dhe dramaturgu Trebeshina u përcoll në heshtje të plotë.
Por nëse politikanët kanë motivet e tyre për të manipuluar mendjet e njerëzve, apo për të marrë votat e nostalgjikëve të shumtë, mediat, sidomos ato pranë Rilindasve, po bëjnë edhe më shumë se ata, duke hedhur në shtyp intervista bajate, dizinformime rreth kohës së Diktaturës, shkrime të pafundme rreth vrasjes apo vetvrasjes së Mehmet Shehut dhe deri në lajme me hollësi banale të VIP-ave të asaj kohe.
Cilit shqiptar i bën dobi t’i kujtosh se mbushi 97 vjet Nexhmije Hoxha? Përbën lajm?
Kujt i shërbejnë intervistat e Vito Kapos, kur nuk pyeten njëherë të vetme nëse ndjehen fajtorë për tragjedinë e popullit shqiptarë.
Diktatura shqiptare jo ishte vetëm më e egra në Europë, por edhe pas rënies, përfaqësuesit e saj janë të vetmit në Europë, që kurrë nuk i kërkuan falje publike këtij popull.
Por gazetarët dhe botuesit, në vend t’i mëshojnë çdo ditë idesë së “Kohës së Lirisë“, si luftëtarë të fjalës së lirë, ekonomisë së lirë, lirisë së ndërgjegjes, mbushin faqet e gazetave dhe të portaleve me shkrime që denatyrojnë fytyrën e vërtetë mizore të asaj kohe dhe Udhëheqësit të saj.
Eshtë edhe kjo një arsye më shumë, që njerëzit nga shtresat e përndjekura po largohen më shumë se të tjerët nga Shqipëria.
Në një shkrim të vajzës së Dritëro Agollit, më ra në sy një vargëzim i poetit (që ajo e quante poezi) i titulluar “Koha e Mirit të Xhikes”. Në vargjet thuhej: “Jetova në kohën e Mirit të Xhikes/ Në vitet me dert pleqërie/ Këtu në pallatin e Rrugës së Dibrës/ Me gruan e dashur Sadije./ Jetova në kohën e Mirit të Xhikes/ Dhe çuditërisht i tërbuar bëj zhurrmë/ Më gërryen lakmia dhe ankthi i frikës/ Se jam infektuar dhe unë…”
Sigurisht, që poeti mund të ketë ndienja të momentit të cilat i hedh në vargje, se nuk besoj se për Agollin, periudha e tranzicionit ishte vërtet “koha e Mirit të Xhikes”. Nëse është e tillë atëhere vërtet duhet të kemi mall për kohën e Enver Hoxhës.
Periudha e tranzicionit shqiptar është mbi të gjitha periudhë lirie dhe me gjithë “plagët “ e mëdha të saj nuk ka të krahasuar me periudhën e Diktaturës.
Fatkeqësisht, leckave të Diktaturës, që na kanë mbetur ende në supe, se nuk mund të shlyhen lehtë dëmet e saj në mendjet dhe ndërgjegjet tona, politikanët dhe mediat, ju shtojnë edhe dizinformimin për atë kohë duke hedhur zhele edhe në supet dhe kokat e të rinjve.
Ramës i pëlqente “kapelja republike verore” e Hoxhës, sepse ëndërronte në mos të bëhej një Diktator, por një udhëheqës autokrat.

Rinia e këtij vendi nuk meriton as shalle të kur rreth qafës dhe aq më pak kapelet e Hoxhës.

Thursday 8 February 2018

Europa nuk hap tratativa në gjendjen e sotme

Edhe pse mediat pranë Qeverisë, po mundohen ta paraqesin raportin e fundit të Bashkimit Europian, si shenjë se negociatat me Shqipërinë do hapen brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, kur lexon komentet e eurodeputetëve dhe zyrtarëve të tjerë, duket qartë se “treni i negociatave” pas pak do niset nga stacioni dhe ne do e humbim edhe këtë rradhë.
Nënteksti edhe në raport edhe në deklarata është: “Ne ju duam europianë (edhe për të mos lejuar ndikimin rus dhe turk), por për këtë duhet të tregoni vullnet se doni të bëheni europianë, atëhere do e mbyllim një sy.”
Cilat janë faktorët, që e favorizojnë përparimin e çështjes së Shqipërisë në raport me Brukselin?
Orientimi proeuropian dhe proamerikan i pjesës dërmuese të popullsisë, që nuk haset në vende të tjera.
Gjeopolitika – Për të mos lejuar një ndikim në rritje të Erdoganit në korridorin Shqipëri- Kosovë-Bosnjë.
Këto janë të vetmit faktorë të rëndësishëm, sepse gjendja në vend e korrupsionit, lidhjeve të politikës me botën e krimit, raportet jo në lartësinë e duhur me fqinjët, klima e brendshme politike, ecja “në vend numuro” e goditjes së kriminalitetit, si dhe treguesit kryesorë të ekonomisë, nuk e favorizojnë hapjen e tratativave.
Të ashtuquajturat reforma të Ramës dështuan. Reforma në Drejtësi është e vetmja kartë me të cilën mund të “luftojë“ kryeministri jonë në zyrat e Brukselit për të fituar hapjen e tratativave, të cilat mund t’i përdorë si kapital politik në zgjedhjet e ardhshme vendore dhe në ato parlamentare të vitit 2021.
Në rast se Reforma në Drejtësi nuk jep frytet e duhura brenda vitit, Rama nuk e kalon dot provimin në Bruksel.
Nisur nga veprimet e deritanishme të tij, pavarësisht deklaratave, Rama nuk ka vullnet të krijojë një sistem drejtësie të pavarur, që aq shumë i duhet Shqipërisë.
Qëndrimet e tij kontradiktore në çështjen Tahiri, bllokimi nga grupi i PS-së i arrestimit të ish-ministrit, ekstradimi i Seitit, dëshmojnë se Rama po pengon Reformën në Drejtësi.
Gjithashtu arrestimet selektive, apo vetëm denoncime për ndjekje penale të ish-aleatëve të LSI-së, tregojnë se qëllimi i Ramës është të përdorë Drejtësinë në luftën politike.
Edhe pse zyrtarët e huaj nuk mund të deklarojnë hapur se Tahiri duhet të arrestohet, ata janë të pakënaqur me mënyrën se si ka reaguar partia në fuqi për çështjen e tij. Për ta, Tahiri duhej të ishte arrestuar, në mënyrë që të përdorej edhe si “kokë turku” për vitet e kanabizimit të Shqipërisë.
Cështja e “luftës ndaj kanabisit”, e cilësuar si e suksesshme edhe nga ambasadorja Vlahutin, është një tjetër kartë për kundërshtarët e hapjes së tratativave në Bruksel.
Kur ishte kaq e lehtë për qeverinë, që ta “shfaroste” në disa muaj, përse nuk bëhej më parë?
Ishte vetë qeveria e përzjerë në mbjelljen dhe trafikimin e kanabisit?
Duhet pranuar, se problemi i Shqipërisë është shumë i ndërlikuar për Brukselin edhe për shkak të mungesës së “alternativave të pastra” në politikën shqiptare.
Mbi LSI-në rëndojnë shumë mëkate të viteve kur ka qënë në qeveri.
PD-ja nuk ka arritur të sigurojë një mbështetje të fortë popullore edhe pse largoi në korrik nga vendet drejtuese disa nga “mëkatarët” e saj.
Ndaj “teoria e pritjes” për të parë se si do rrjedhin ngjarjet, ka më shumë gjasa të aplikohet në rastin e Shqipërisë.
Pjesët e përgjegjshme të tre forcave kryesore politike, duhet të lëvizin për të bërë diçka për të ndryshuar gjendjen.
Me Ramën nuk mund të hyet në Europë.
Largimi i tij dhe një qeveri e një koalicioni të madh, me synim afatshkurtër zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe kushteve të tjera të Brukselit, mund të jetë e vetmja mundësi, që çështja shqiptare të hedhë hapa para.

Kështu si jemi Europa nuk do na pranojë as edhe për disa dhjetvjeçarë.

Wednesday 7 February 2018

Më ndje mik i mirë

Më ndje
Miku i mirë i imi,
Që nuk vij dot të të sjell lule,
Nga ato që mbolle
Dje,
Kur errësira nuk linte gjë të çelte.
Si Virgjili
Më tregoje pjesë të ferrit të qytetit,
Duke qeshur
Për të mos u trembur prej ferrit;
Për tu kapur pas xixës
Në mes të territ;
Për të shpresuar se dita do lindte.
Tani,
Kur ka dy fije drite,
Dhe purgatori skëterrës i ngjan,
Ike,
I kishe parë të gjitha,
Fëmijët që rriten
Mes lakmisë për më shumë,
Të rikthyerit xhelatë,
Endrrat që vriten,
Ndaj nuk ka vlerë edhe të jesh në gjumë.
A është parajsë
Atje ku je?
Vërtet ka vetëm paqe dhe melodi?
Këtu pa ty është më errët.
Ne ende pimë gotën me verë,

Na mungon ti.

Tuesday 6 February 2018

“Terra Bio” (Kreu 13 i "X te thyera")

Lauresha Prepi ishte lindur në qytet. Të rriturit, që e kujtonin fëmijërinë e saj e thërrisnin Lauresha, por asaj nuk i pëlqente. Kishte jetuar  shumë vite në Danimarkë me familjen dhe më vonë kishte vendosur të kthehej në qytetin e lindjes. Ishte e bukur. Vitet në vendin Skandinav, ja kishin bërë lëkurën më transparente dhe tiparet e saj të theksuara mesdhetare kishin tashmë një tis delikat fisnikërie. Mundohej të vinte në pah cilësitë e trupit dhe tundej plot hir kur ecte. Atje e quanin të gjithë Lori dhe kështu kërkonte ta quanin edhe blerësit në shitoren e saj “Terra Bio”.
Qyteti nuk kishte pasur kurrë aristokratë dhe si rrjedhojë edhe shumë pak skandale dashurie në të shkuarën. Lorit i dukej çudi se sa fshatarak kishte qënë dikur qyteti i saj i lindjes. Gjithshka si në kohët e lashta, por edhe atëhere kishte inçest.Duhet të kishte patur shumë skandale deri sa kishte edhe dënime me vdekje, ku të gjithë e qëllonin tradhëtaren me gurë.
 Muajt e parë kur ishte kthyer, të gjithë flisnin për një histori të shkurtër të saj me një trafikan vizash greke, që kishte pasur si pikë kulmore një udhëtim dy javor në Francë  dhe Zvicër. Trafikanti i martuar, tregoi tavolinave gjithë hollësitë intime të udhëtimit deri san jë ditë Lori i tha në sy të të tjerëve “Ti nuk di ç’është dashuria e nivelit!”, shprehje që u përhap në gjithë qytetin, aq sa kishte edhe fëmijë, që i thërrisnin rrugës “Loriii,… e nivelit!”. Lori qeshte me ta dhe me të gjithë qytetin, që e dëshëronte dhe e përbuzte njëkohësisht.
Në fillim, kur posa kishte hapur “Terra Bio”, ata, që i afroheshin shitores ishin djem të rinj. Pjesa më e madhe mendonin se nuk do ishte e vështirë ta shtinin në dorë. Edhe pse ajo nuk i druhej një marëdhënie me dikë dhjetë vjet më të ri, askush prej tyre nuk e tërhiqte. Duke qeshur theshte se brezi i të rinjve ishin “gjenetikisht të modifikuar” dhe nuk e ndjente se mund të bënte dashuri “healthy” me ta. Kishte dëgjuar “historinë“ e mësimit të ukuleles dhe ishte bërë shumë kureshtare për mësuesin e muzikës. Kur e kishte takuar, kishte kuptuar edhe pasionin e tij për të rritur pula me ushqime vetëm natyrale dhe nuk kishte hezituar t’I shfaqte interes për ta njohur më nga afër. Kështu kishte nisur marëdhënia e tyre, që për mësuesn ishte tejet romantike, por për Lorin vetëm një marëdhënie kalimtare me një njohës të mirë të muzikës dhe të prodhimeve bio.

                                    *          *          *

Carçafi ishte çuditërisht i bardhë. Një e bardhë vezullonjëse, që dukej se nuk kishte mbajtur brenda trupa njerëzish, por ëngjëj. Edhe zhubra kishte pak. E megjithatë ai e dinte, që ata kishin qënë atje atë natë. I dukej se siluetat e tyre të përzjera ishin stampuar në bardhësinë e të linjtave. Ajo kishte qënë në të djathtë të tij. Me kokat pak larguar.
Afroi fytyrën atje ku dukej se do kishin qënë kryet e saj, por nuk nuk ndjehej asnjë aromë. As ajo, që përdorte prej vitesh dhe as e reja, që kishte nisur të vinte në trup vetëm disa muaj më parë. Atëhere kur kishte nisur të dyshonte.
Ai kishte dyshuar gjithë jetën, por disa muaj më parë ishte trembur. Ndërsa aroma e përhershme, i ishte dukur gjithnjë si flirtuese, si ngacmuese për rrethardhësit e saj, e reja ishte dehësisht qetësuese. Ndaj ishte trembur.

“Ajo nuk kërkon më dikë. E ka gjetur. Ashtu si e kishte ndërtuar në mendje kohë para se të më njihte mua.”

(vijon)

Sunday 4 February 2018

Rombikët (Fundi i Kreut 14 “X të thyera)

(vijim)

Sklifteri  priste lajme nga Amsterdami. Ato po vonoheshin. Ishte kjo arsyeja, që fshihej në telefonatën ndaj mësuesit të muzikës. Askush nuk kishte folur rreth një marëdhënie tregu midis “skifterit S” dhe pronarit të “Dy këndezave”. Dyshonte se mësuesi i kishte rënë në erë misioni i largët në Vendet e Ulta. Thesari i Rombikëve ishte zhdukur i gjithi pikërisht, kur i jati i mësuesit kishte qënë Sklifter. Shpjegimet, që ai kishte dhënë kishin qënë të besueshme, se pesë muaj më vonë e kishin arrestuar për “Agjitacion dhe Propagandë“. Por edhe pas ndrimit të sistemit nuk ishte gjetur asnjë dokument rreth objekteve të thesarit. Dikush, shumë i fuqishëm, ishte kujdesur të zhdukej çdo gjurmë, ose thesari nuk ishte zbuluar kurrë dhe i jati i mësuesit e kishte shitur pjesë pjesë. E kush mund ta dinte tjetër , që origjinali i flamurit bashkë me dokumentin e shpalljes së Principatës kishte përfunduar në Amsterdam.
Nxorri edhe një herë nga sirtari i tryezës së punës kopjen e proces-verbalit të pyetjes në hetuesi të Dhimitër Menkut, babait të mësuesit, si për të gjetur diçka brenda tij, nënkuptimeve të pyetjeve dhe hezitimeve në përgjigje. E kishte lexuar me dhjetra herë.
“……
Pyetje: Ju i pandehur, kini bërë biseda kundër pushtetit popullor. Mund të na thoni ç’ju ka shtyrë dhe me kë i kini bërë?
Përgjigje: Nuk është e vërtetë shoku hetues, që kam folur kundër pushtetit popullor. Në punë mund të kem thënë, që norma është e lartë dhe në moshën time nuk e arrij dot, po kaq.
Pyetje: Kujt ja kini thënë dhe a jini munduar të krijoni me ta organizatë?
Përgjigje:..po Dëfrim Tekut dhe Vepror Latijes. Me ata punoj bashkë.
Pyetje: Kur ju k ethënë për t’i afruar në organizatë?
Përgjigje: C’organizatë? S’kemi folur për organizatë.
Pyetje: Kemi dëshmi se ke hedhur idenë për organizatë. Përse kini organizuar me ta të Premten e Paçeve? Ishte ky hapi i parë?
Përgjigje: Jo ka rastisur, që kemi ngrënë të tre mëngjes në gjelltore “Miqësia”. Pastaj kemi thënë me shaka e Premtja e Paçeve.
………”
“Hetuesi ka qënë kaqol”mendoi Sklifteri”këtu kishte mundësi ta shtrëngonte më shumë, por nuk e ka bërë. Nuk ka kuptuar simbolikën e emrit të gjelltores dhe të së Premtes. Ka qënë krejtësisht injorant në lëmin e organizatave të fshehta. Duhet të kishte këmbëngulur në këto pika nëse donte të arrinte në thesari.”
Prijësi vjetor i rombikëve, kishte nisur të dyshonte tek mësuesi i muzikës, kur ishin kapur trafikantët e violinës Guarnieri të vitit 1744. Ishte violina e fundit, që kishte dalë nga duart e Guarneri Le Gesu dhe në treg duhet të kishte një vlerë astronomike. Ishte folur se arkitekt Konela veç violinës kishte lënë edhe plot objekte të tjera antike me shumë vlerë. Arkitekti kishte qënë shok fëmijërie me Dhimitër Menkun dhe miqësinë e kishin ruajtur të fortë edhe kur Dhimitri ishte një artizan rrogozësh në Ndërmarjen e Prodhimeve të Ndryshme.
C’kishte tjetër me vlerë në arkivën e arkitekt Konelës dhe pse violina e famshme do trafikohej në Amsterdam?

Këto dy pyetje e mundonin Sklifterin dhe fijet, që dilnin prej tyre e shpinin vetëm drejt banesës të Skifterit S.


Friday 2 February 2018

Lago rosso

Vjeshten e vitit 2003, kur Tirana kalonte "bumin" e ndertimeve, punova atje per disa muaj. Ne nje qoshe te Tiranes se Re, ku me binte shpesh rruga, degjova per here te pare kete kenge te Celentanos. Me pelqeu. Ishte nje dyqan, qe shiste CD te kopjuara ne Rusi dhe me cmime te lira. Bleva disa CD te reja te Adrianos, me kenge, qe nuk i kisha degjuar. Me vone, CD-te, si gjithnje, u ngaterruan diku dhe kete kenge, te ciles ja kisha harruar titullin, nuk mund ta gjeja as ne youtube. Duhet te kalonin 6 vjet dhe ta degjoja perseri ne Shqiperi. Me vone, i vura veshin edhe fjaleve, qe ndoshta jane edhe te Mogolit, se ishin vite, kur Adrianoja bashkepunoi me poetin e njohur italian.

I kuqi Liqen


Femër, femër, femër
Si një gur je e fortë
Gur n’fund të një t’kuqi liqen
Të t’rezistosh forcën s’ke ku gjen.
Zemrën e kam të drobitur
Në buzë shijen e hidhur
Eshtë e vërteta e dhimbsur

Bukur, bukur, e bukur
Në çdo ledhe e në çdo gjest
Në çdo puthje ka një test
I zhytyr thellë në këtë dert,
Eshtë një e ngrohtë e ethshme
Pasion, ndjenjë e fuqishme
Por dashuri nuk është

Liqeni i kuq po ç’bën kështu?
Me këtë refleks që shfaq këtu-
Të kaltrën e qiellit përdhos
Dhe më fundos në një vello të errët.
Nuk të dua më të bukur se ç’je
Më xheloz veten do ndjej
Ndodhem në një banjë drite
Pak paqe kërkoj në vite
Përkëdhelje…
Po ç’të pëlen që keq më bën
Nëse fiton ti, kjo ç’farë vlen?
Nga kjo jetë ne nuk kërkojmë diellin

Femër, femër, femër
Kështu më bën zemrën të plasë,
Me pikat e dashurisë, që më ngalasën
Të vdesësh nga etja- sa shëmtuar
Ditë kur dhe dielli është shuar
Sin jë film që sa ka treguar
Të vërtetën e hidhur…

Liqeni i kuq po ç’bën kështu?

…………..

Lu, është një rezervuar me graso dhe “të mëdhenjtë” janë ngjala!

Donald Lu vërtet besonte se në janar, shkurt dhe gjatë marsit, “sistemi i tij i peshkimit” do i zinte “peshqit e mëdhenj”.
Janari kaloi dhe Donald Lu nuk është më optimist, por ka nisur t’ju kërkërkojë “hesap” funlsionarëve të sistemit në të cilin besonte.
Donald Lu nuk është një diplomat naiv. Shkolla e diplomacisë amerikane, sidomos pas Henri Kizingerit, nxjerr diplomatë realistë, që nuk gënjehen lehtë nga politikanët dhe nëpunësit vendas. Gjithashtu, përvoja e tij në Pakistan, Gjeorgji, Kirgizistan dhe Azerbaxhian e ndihmonte për të dalluar se cilët janë supergënjeshtarë dhe cilët janë gënjeshtarë të zakonshëm mes politikanëve shqiptarë. Gjatë dhe pas përpjekjeve të tij të palodhura të vitit 2016, për të miratuar ligjin rreth Reformës në Drejtësi, Lu ndërtoi një strategji të mbështetjes së “gënjeshtarëve” të PS-së, deri sa ata tregoheshin më të gatshëm për miratimin e reformës, të krahasuar me Berishën dhe Metën, që kishin më shumë interesa për një “statu-quo” në sistemin e drejtësisë.
Donald Lu mendoi, se po luftonte në të dy frontet, edhe ndaj kundërshtarëve të Reformës dhe ndaj kanabizimit do e kishte më të vështirë arritjen e ngritjes të sistemit të “rrjetave për peshqit e mëdhenj”.
Ambasadori amerikan jo vetëm gaboi, por shtoi “grason” në një “rezervuar me vaj”, që ishte tashmë bota e politikës dhe drejtësisë shqiptare.
Mbyllja e syve ndaj veprimeve të Ramës dhe Tahirit gjatë vitit 2016, pavarësisht nga sinjalizimet e brendshme të opozitës, artikujt në shtyp dhe informacionet e shërbimeve të huaja, e kthyen policinë në një forcë mbështetëse të krimit. Gjithashtu shtuan paratë e paligjshme në qarkullim dhe paralizuan veprimet e njerëzve të ndërgjegjshëm për të denoncuar.
Ishte pikërisht situata, që dëshërohej nga “peshqit e mëdhenj”.
Sistemi i Drejtësisë (peshkimit), që kishte ndërmend të krijunte ambasadori amerikan, mund të funksionojë edhe për ujra të turbullta, por jo për një rezervuarë grasoje.
Si rrjedhojë e symbylljes së Lu-së, edhe opozita u gjet e pambështetur dhe e pashpresë në gjysmën e parë të vitit të kaluar dhe nuk arriti dot të parandalonte blerjen e votave.
Në një vend si i joni, shumica e pastër në Parlament e një Partie, sjell vetëm abuzime dhe trazira.
Të gjitha këto nuk i kishte parashikuar Donald Lu, për të cilin besoj se sinqerisht mendonte, që Sistemi i ri i Drejtësisë, edhe nëse nuk do bënte menjëherë çudira, do i largonte të korruptuarit gradualisht nga politika dhe drejtësia.
Deri në gusht, Donald Lu ka vetëm 6 muaj të fitojë bastin , që ka vënë me veten.
Euforia e kapjes të “peshqve të mëdhenj” , i ka kaluar dhe ndoshta e ka kuptuar, që jo vetëm ka pasur të bëjë me “ngjala gjigande”, por ka mbështetur pikërisht ata më të paskrupujt.
E megjithatë, ai ka ende kohë të godasë më fort ata, aë kanë 5 vjet , që qeverisin.
Amerikanët e kanë më të lehtë se ne të pranojnë se kanë gabuar dhe të korrigjojnë ç’mund të korrigjohet.

Shqiptarët ende besojnë tek Donald Lu!

Thursday 1 February 2018

Eli, Nikoja dhe Kastrioti (I love Korça)

Korçarët më të ndjekur në Facebook dhe detyrimisht edhe më të famshmit për vitin 2017 ishin Eli Fara me 78 mijë ndjekës, Niko Peleshi me 41 mijë dhe Kastriot Myftaraj me 35 mijë. Gjithë të tjerët, përfshi këtu edhe kryetarin e bashkisë Raqi Filo, këngëtarin Gena dhe këngëtarin Endri Prifti, nuk arrijnë të kenë më shumë se 15 mijë ndjekës.
Duket e rastësishm, por mbase dhe nuk është e tillë, që të tre të parët përfaqësojnë jo vetëm fusha të ndryshme të jetës, por edhe tre komunitetet kryesore të trevës së Korçës. Kengetarja Eli Fara fushën e artit dhe bashkësinë arumune, Niko Peleshi fushën e politikës dhe bashkësinë ortodokse, ndërsa Kastriot Myftaraj- Mediat dhe bashkësinë muhamedane.
Në këtë rast, çdo gjë është e vërtetë, jo e manipuluar si në zgjedhjet në Shqipëri, por shqiptarët(korçarët) janë të dashuruar më shumë se me këdo me këta tre personalitete.
Eshtë interesante, se të tre janë rrotull të 50-ve, moshë kjo, që në kohën e sotme, përkon me kulmin e krijimtarisë, veprimtarisë mendore dhe asaj fiziko-seksuale. Eshtë interesante, se diva jonë, Eli Fara, ka më shumë ndjekës sa kanë sëbashku Peleshi dhe Myftaraj. Fama e saj i kalon oqeanet, por duhet thënë se ka edhe më shumë vite veprimtari se dy të shquarit e tjerë. Peleshi dhe Myftaraj, janë bërë të njohur kryesisht në këtë mijëvjeçar. I pari si kryetar i suksesshëm I Bashkisë së Korçës dhe më pas zëvendëskryeministër po aq i suksesshëm, ndërsa i dyti, si analist politik dhe zbulues komplotesh kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në rast se bëjmë një krahasim alla-Dullë, me vitin 1938, edhe pse në atë kohë nuk kishte media sociale, por nga vendi, që zinin në shtypin e kohës, korçarët më të famshëm ishin sopranoja Tefta Tashko, politikani Koço Kotta dhe poeti dhe patrioti Sali Butka.
E mirënjohura Tefta Tashko kishte kryer studimet për kanto në Konservatorin e Parisit; Koço Kotta ishte diplomuar si mjek kirurg në Universitetin e Athinës dhe më pak informacion ka rreth studimeve të Sali Butkës.
Ka pak pika të ngjashme midis personaliteteve të 80 viteve më parë dhe atyre të sotëm. Kjo ndoshta edhe nga zhvillimi, që morën universitetet në Shqipëri, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Politikani Peleshi ka disa diploma- në Universitetin e Korçës, atë të Tiranës dhe të Selanikut. Nuk dihet me siguri, nëse Eli Fara ka marrë diplomë të Akademisë së Arteve dhe analisti Myftaraj, pak i përmend diplomat e tij.
Gjithsesi, mbi të gjitha është suksesi!
Janë këta tre korçarë, që na bëjnë të ndjehemi sot më krenarë se kurrë!
I love Korça!

Rombikët (3)

(vijim)
-          Pse më pyet? Edhe ti dyshon?
-          …Jo…Po në menunë e tavernës është shkruar në fund, që pulat e tyre janë të ushqyera vetëm me misër…
-          Skifter I, unë kurrë nuk do ja lejoja vetes të shkelja kodin!- tha prerë mësuesi.
-          E di…vetëm po mendoja se ç’provë mund t’i tregoje Sklifterit, që të bindej katërcipërisht se e kanë keqinformuar.
-          Pulat e mia rriten në kushtet e shtëpisë dhe ushqehen vetëm me drithra. Unë nuk tregëtoj pula të gjalla apo të therrura. Ju bëj zjerje të thellë në regjim autokllave. I gjithë produkti, më pas hidhet në vazo 300 gramshe dhe tregëtohet vetëm në “Terra Bio” e Laureshës në Pazar.
-          Ti i bën “Orgakokot”- pyeti jo pak i befasuar mjeku duke kthyer kokën nga mësuesi i muzikës.
-          Po. Produkti më i mirë bio i gjithë zonës!- u përgjigj krenar mësuesi.
-          Po pulat ku i therr?
-          Në ashef.
-          Po ata të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nuk të hapin ndonjë problem?
-          Jo. Shefin e tyre e kam pasur nxënës.- u përgjigj mësuesi pa lënë shteg për pyetje të tjera dhe më pas shtoi- Të bakllamasë.
Ndërkohë kishin arritur në shtëpia e mësuesit, jo larg qëndrës të qytetit, në oborrin e të cilës rriteshin pulat e “Orgakokos”. Mjeku ishte kureshtar të hidhte një sy në ashefin e mësuesit, por çdo lloj përzjerje në punët personale të një rombiku tjetër ishte shkelje e Kodit.
U përshëndetën dhe vazhdoi rrugën për në shtëpinë e tij duke menduar, se sa pranë shkeljes të rregullave të Bashkimit të Rombikëve kishte shkuar skifteri S.
Kodi kishte mbetur i pandryshuar, që në vitin 1888. Nuk ishte i shkruar por dihej përmendësh nga të gjithë. Nuk mund të bëheshe fajkua, nëse nuk i përgjigjeshe sejcilës pyetje rreth Kodit.
“…anëtari nuk mund të hyjë në allish-verishe me Bashkimin apo me anëtarët e tjerë …”
Ishte një nga pikat, të cilën mësuesi do e kishte shkelur, po qe se tregëtonte prodhime, që konsumoheshin me pagesë nga antarët e tjerë, në mjediset ku dihej se do darkonin rombikët.

Nëse kjo provohej për një skifter ai zbriste menjëherë në rradhët e fajkonjve, ndërsa po qe se ishte fajkua, atëhere dënohej për një vit me “emërfshirje”. Në mbledhjet e fshehta humbiste të drejtën e fjalës dhe votës dhe në takimet e hapura, të gjithë do i drejtoheshin vetëm me “ti”. Në rast përsëritjeje dënohej me “fshirje nga faqja e dheut”, që e detyronte anëtarin të largohej nga qyteti ose vendi, duke humbur për gjithnjë të drejtën e të qënit Rombik.

(vijon)