Friday 30 September 2022

Njëmijë verat e pritjes

Njëmijë verat e pritjes

Ishin ditë të nxehta të padurimit,

Premtime në erë

Apo të dëshirës ethe?

Stinët fluturake të mendimit

Të ngjizura marrëzisht atë verë,

Mbanin të blerta të pyllit gjethe.

Tani,

Mijëra petale trëndafilash

Në ngjyrën e tëndeve mollëza

Nuk sjellin dot pranverën.

Një stinë e gjatë shirash

Lotësh,

                Fjalë mes thonjëzash

Klithmash kujitëse që përzjehen me erën.

Nuk kishim premtuar asgjë në vjeshtë,

Altareve të ditëve të nxehta

Blatuam shpirtërat tanë.

Ishte një e vërtetë e thjeshtë

Më e kuptueshmja,

                Më e lehta:

“-Njëmijë vera do të pres!”

Dhe besuam në atë ç’ka thamë.

Thursday 29 September 2022

Satelitët- zgjidhja e problemeve të Shqipërisë


Me pak vonesë, por satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” do nisin shërbimet e tyre për popullin shqiptar. Nuk do hidhen në hapësirë nga ne, ose posaçërisht për ne, por satelitë që janë në hapësirë do na ofrojnë të gjitha shërbimet që i duhen popullit shqiptar, vet[m për 2 milion euro në vit. Kryeministri Rama dhe ministri Peleshi shpjeguan qartë se si do funksionojë ky projekt i rëndësishëm dhe cilat do jenë disa nga përfitimet e shumta që do ketë Shqipëria prej tyre.

Satelitët do zbulojnë të gjitha parcelat me kanabis në territorin shqiptar. Pritet që kanabis të legalizohet për qëllime mjekësore dhe më vonë edhe për rekreacion, por do lejohet të mbillet vetëm nga subjekte të licensuara nga Këshilli i Ministrave. Patronazhistët, policët dhe rilindasit lokalë nuk do lejohen më të mbjellin kanabis pyjeve dhe skërkave. Do hiqet edhe moratorium i gjuetisë, që ndalonte zbulimin e hashashit të mbjellë nga përkrahësit e qeverisë, prej gjuetarëve kureshtarë dhe langonjve të tyre.

Satelitëtë do zbulojnë të gjitha ndërtimet pa leje, sidomos shtesat e kateve të kullave në Tiranë. Një nga problemet më të mëdha të Shqipërisë, të konstatuara edhe nga Artan Lameja i Kadastrës, ka qënë ai i ndërtimeve pa leje dhe sidomos shtesat e kateve të bëra nga investitorë dhe ndërtues të papërgjegjshëm. Veçanërisht kjo ndodhte në Tiranë me kullat mbi 30 kate, katet e të cilave ishin vështirë të numuroheshin pasi objekti kishte arritur një lartësi të caktuar. E pamundur ishte sidomos në ditët me diell, gjë që kishte sjellë edhe dëmtime të mëdha okulare të inspectorëve të Bashkisë dhe atyre të Policisë Ndërtimore. Me futjen e shërbimit satelitor nuk do ketë më asnjë problem ndërtimor.

Satelitët do zbulojnë të gjitha rryshfetet që jepen në qiell të hapur. Nga të dhënat e Shërbimit Informativ dhe të Policisë, një sërë subjektesh të administratës shtetërore dhe të institucioneve publike, kanë nisur të marrin “kafetë“ jashtë mjediseve të mbyllura nga frika e përgjimeve ambientale. Syri i satelitit, që ndan edhe “qimen më tresh” do dallojë jo vetëm zarfet, por edhe madhësinë dhe llojin e kartmonedhave të përdorura.

Satelitët do zbulojnë të gjithë spiunët rusë, që vizitojnë bazat ushtarake. Disa javë më parë, në një konerencë të përbashkët shtypi, ministrat Cuçi dhe Peleshi theksuan vështirësitë që kishin në ndjekjen e spiunëve të shumtë që duan të fotografojnë bazat tona ushtarake. Aq të shumtë janë të interesuarit për të zbuluar sekretet tona, sa  dhe sikur i gjithë populli-ushtar të vihet në ndjekje të tyre nuk arrin dot t’I përballojë 24 orë në ditë. Kuptohet që pensionistët e shumtë shqiptarë nuk mund të përfshihen në këtë veprimtari. Tani çdo gjë do zgjidhet me satelit.

Satelitët do zbulojnë edhe korrupsionin moral të deputetëve të opozitës. Për të ruajtur të pastër figurën e përfaqësuesve të popullit në Kuvend, do ndiqen me satelit dashnoret e deputetëve dhe deputetet, që kanë dashnorë për  të mbajtur të pastër jo vetëm PS-në, por edhe opozitën e cila ka dhënë shënja se e dredh bishtin. Informacioni i mbledhur do ju përcillet ndërkombëtarëve.

Këtë janë vetëm disa nga problemet që do zgjidhen me shkopin magjik të satelitëve. Më pas vjen hyrja në Europën e Bashkuar.

Otava

Në kodrën e pushtetit

Mund të ngjitesh pa gulçuar

Si vizitor,

Duke kapërcyer mbi të pastrehët,

Lëkurëkuqët e gënjyer

Adoleshentët e droguar,

Në çdo or’.

Stemat e fuqisë gdhendur në gur

Dhe një aradhë kokash në bronx,

Mbrojtës të së drejtës për të sunduar,

Kapardisur.

Dy gra të drojtura

Që pëshpërisin fjalë të pakuptueshme

Të një gjuhe që veshi kurrë s’ka dëgjuar

Me sy ndjekin autobuzin

E posanisur.

Pranë pallatit të ligjeve

Toka gërmohet si për të arritur në ferr,

Diçka e madhe ka për të ndodhur

Ose do fshihet.

Lavditë nuk më lenë mbresa,

As flamujt në majë a gjysëm shtize

Më mallëngjejnë fytyrat e njerëzve të lodhur

Të tatëpjetën e kodrës marr,

Më nuk më rrihet.

Sunday 25 September 2022

Filmat shqiptarë të socializmit (fund)

 


(vijim)

Ka patur disa periudha të zhvillimit të kinematografisë shqiptare nën Diktaturë. Periudha e parë është deri në vitin 1974, që është karakterizuar nga prodhimi i pakët, skematizmi i skenareve dhe interpretimi teatral i aktorëve. Numuri i filmave ishte shumë i kufizuar dhe një film zgjaste deri 6 muaj për tu realizuar. Ishte periudha kur edhe shumë nga aktorët tanë më të mirë si Sandër Prosi, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Ndrek Luca, Sulejman Pitarka e të tjerë nuk shkëputeshin dot nga mënyra e interpretimit teatral. Vinte nga mungesa e përvojës së tyre, nga mungesa e përvojës së regjisorëve të filmave si dhe nga skematizmi i dialogëve, por ishte i tillë. I vetmi që luante më natyrshëm dhe shkëlqeu në filmat e asaj periudhe ishte Rikard Ljarja.

Periudha që nis më 1974, pas inkurajimit që i dha Enver Hoxha kinematografisë dhe “zgjidhjes së qeses” nga Parti-Qeveria pati një rritje të madhe të numurit të filmave që prodhoheshin dhe si rrjedhim pati edhe filma të mirë, por edhe shumë filma të dobët. Qëllimi ishte forcimi i propagandaës së Partisë dhe filmi ishte mjeti më i efektshëm për këtë qëllim, sidomos për popullsinë e fshatrave. Teknikisht filmat u përmirësuan së tepërmi, filloi edhe prodhimi i filmave me ngjyra dhe interpretimi pati shumë përmirësim. Ardhja në filma, pasi ishte lënë një kohë mënjanë, e Kadri Roshit dhe më pas e Robert Ndrenikës dhe Bujar Lakos solli një nivel të lartë interpretimi filmik, që solli edhe përmirësimin në interpretim të aktorëve të tjerë. Tinka Kurti, Roza Anagnosti, Sandër Prosi, Vangjush Furrxhiu, Ndrek Luca dhe disa të tjerë patën gjithashtu interpretime të krahasueshme me ato të aktorëve më të mirë të huaj. Por njëkohësisht, si periudhë pas goditjes së liberalizmit në letërsi dhe arte, skenarët sundoheshin nga ideologjia e “partisë“, madje filmat me temë historike ishin gjithashtu të “gatuar” sipas recetave të historiografisë komuniste. Jo vetëm ata që pasqyronin Luftën Nacional Clirimtare si “Njeriu me top” “Rrugicat që kërkonin diell” apo “Dimri i fundit”, por edhe filma të vlerësuar si “Nëntori i Dytë“, “Mësonjtorja” apo “Koncert në vitin 1936”, kishin shtrembërime të mëdha të historisë. Pa patur liri në krijimtari dhe nën një censurë të rreptë, nuk kishte se si të mos dilnin filma me ngarkesë të madhe ideologjike dhe me falsifikime të historisë.

Tek filmat me temë nga jeta në Shqipërinë e atyre viteve dështimi ishte më i garantuar. Përshkruhej në mënyrë të shtrembëruar një realitet, i cili në vetvete ishte një realitet i përçudnuar dhe jo normal nëse krahasohej me vendet e tjera ose dhe me të kaluarën jo të largët të Shqipërisë. Temat e trajtuara përgjithësisht ishin të sajuara dhe jo problemet e vërteta të njerëzve. Kishte filma , që dëshmonin vigjilencën e Organeve të Sigurimit nën udhëheqjen e Partisë dhe që bënin të dështonin planet e imperialistëve dhe revisionistëve për të rrëzuar pushtetin popullor! Një kineast i paanshëm i huaj, sigurisht që do krijonte subjekte të tjera për një film dhe që do dëshmonin se sa të varur ishin fatet e njerëzve nga pushteti dhe se sa mungonte humanizmi në trajtimin e atyre që quheshin ish-klasat e pasura apo kundërshtarët e regjimit. Ndërsa filmat tanë përgjithësisht ndërtoheshin mbi fabula dhe konflikte ndonjëherë edhe qesharake dhe shumë larg jetës së vërtetë.

Si përmenda më lart, niveli teknik0-artistik i filmave u rrit, veçanërisht tek filmat që drejtoheshin nga regjisorët më të mirë si Dhimitër Anagnosti, Muharrem Fejzo, Viktor Gjika e ndonjë tjetër, ku kamera, kolona zanore, montazhi dhe ndonjëherë edhe efektet ishin të niveleve të mira ndërkombëtare. Pra nëse filmat përgjithësisht ishin të sajuar e të pavërtetë, përgjegjësia ishte kryesisht e censurës dhe autocensurës tek skenaristët dhe ndonjëherë edhe të regjisorëve. Grupet që realizonin filmin ishin rritur profesionalisht gjatë viteve. Kjo shpjegon edhe fitimin e ndonjë çmimi në festivalet ndërkombëtare të filmit për fëmijë.

Janë rreth 200 filma shqiptarë të realizuar deri në vitin 1990. Eshtë absurde që të ndalohen të gjithë, por ndoshta ka kuptim të krijohet një komision i përbërë  nga njerëz të filmit që nuk kanë punuar në atë kohë, historianë, filozofë, shkrimtarë dhe të propozojnë një listë me filma që duhet të mos transmetohen pikërisht për interes të publikut të sotëm shqiptar dhe sidomos të të rinjve dhe fëmijëve. Eshtë mirë që brezat të dinë të vërtetën për atë kohë dhe të mos krijojnë iluzionet e gabuara se shoqëria shqiptare jetonte në harmoni, në begati dhe mes të mirave si mund të tregohen në filmat e Piro Milkanit “Zonja nga qyteti” dhe “Shoqja nga fshati”.

Ishte një jetë e zymtë, me mungesë lirie, me kufizime të mëdha në ushqime dhe të mira materiale, me lloj lloj marrëzirash që nisnin nga mbledhjet në bllok dhe lagje dhe përfundonin në kongreset idiote të Partisë dhe të organizatave të masave.

Për fat të keq, artistët nuk mund të ngrinin një art të vërtetë, të mbështetur në filozofitë e humanizmit dhe në parimet më të mira të artit botëror.

 

Saturday 24 September 2022

Filmat shqiptarë të socializmit


Debati për të ndaluar ritransmetimin e filmave të periudhës së “Shqipërisë socialiste”, që ndoshta nuk hapet për herë të parë, është tregues i gjendjes kulturore-shoqërore të shoqërisë shqiptare. E cekët, konliktuale, e ndikuar nga politika dhe jo e kultivuar. Eshtë për të ardhur keq, që diskutimet rreth artit janë në nivele të tilla.

Shpesh në këmbimet me të njohurit e mij, që jetojnë në Shqipëri, shoh që përdorin batuta të filmave shqiptarë dhe më krijojnë një ndjenjë jo të mirë. Do më pëlqente të kishte edhe “batuta” nga filmat më të mirë të huaj ose nga letërsia botërore, por rrallë ndodh. Duket që një pesë e mirë e shqiptarëve shohin përsëri në kanalet tona televizive filma shqiptarë të kinostudios “Shqipëria e Re”. Nuk jam i sigurt për vëllimin që zenë filmat e asaj kohe në raport me filmat e tjerë të krijuar gjatë më shumë se 100 viteve të kinematografisë botërore, por duhet të jetë një vëllim i konsiderueshëm. Ndoshta shumë kanale televizive nuk kanë se si të mbushin programet e tyre 24 orëshe dhe kanë zgjedhur këtë rrugë pa menduar shumë nëse është mirë apo keq.

Filmat e asaj kohe përgjithësisht kanë problem të propagandës, të falsifikimit të historisë, si dhe problem të nivelit artistik.

Pjesa dërmuese e filmave të kinostudios “Shqipëria e Re” janë filma të dobët.

A duhet të ndalohen me ligj në grup të gjitha filmat e asaj kohe?

Cdo gjë e parë në “total” i ka elementët e ideologjive totalitariste. Shteti vërtet duhet të ndërhyjë në veprat artistike të asaj kohe përsa i përket ekspozimit, botimit, shfaqjes apo çdo gjë që ka të bëjë me shpalosjen e tyre para publikut, por duhet të ndërhyjë mbi kritere profesionale. Në rradhë të parë duhet parë se ç’është në të mirën e publikut shqiptar dhe veçanërisht të brezave që nuk kanë jetuar në atë kohë.

Të krijohet përshtypja se ka shumë shtresa të shoqërisë shqiptare, që vlerësojnë sot filmat shqiptarë të asaj kohe, më tepër se ç’vlerësoheshin në atë kohë nga rinia e qyteteve. Përgjithësisht filmat shqiptarë nuk ndiqeshin në kinema në vitet ’60, ’70 dhe ’80 dhe njerëzit prisnin për filma të huaj për t’i parë nga disa herë. Më pak të ndjekur se filmat shqiptarë ishin vetëm filmat kinezë. Gjithashtu në televizion, kur ishte mundësia për të parë diçka tjetër në kanalet e huaja, filmat shqiptarë nuk i shihte njeri. Më pas, në qytetet ku nuk kishte mundësi për të parë kanalet italiane dhe jugosllave, nuk kishte mundësi tjetër veç të shihje për të disatën herë “Kapedani”, “Përballimi”, “Nëntori i Dytë“, “Horizonte të hapura” dhe dhjetra filma të tjerë, që hyjnë në kategorinë e filmave që duhen kontrolluar nëse duhet të shfaqen edhe tani apo jo.

Ka një prirje të socialistëve të sotëm të përmendin shpesh filmat e të kaluarës, aktorët e tyre “të shkëlqyer” si dhe t’ju referohen personazheve dhe ngjarjeve të tyre. Eshtë modeli i Ramës, që risolli në politikë personazhe skematikë të harruar si Robert Camçakizi, formimi i mangët i Ballave, Braçeve, Veliajve dhe kompani, a një dëshirë e të gjithë “sallakëve” për të zbutur qëndrimin ndaj Diktaturës, këtë nuk mund ta them me siguri. Ndoshta është edhe e qëllimshme për të mbajtur pas një elektorat ende të lidhur psikologjikisht pas Partisë së Punës dhe udhëheqësit të saj të lavdishëm, që të votojë gjithnjë kundër forcave demokratike. Nuk ka se si të shpjegohet që Ministrja e sotme e Kulturës herë pas here në postimet e saj në facebook propagandon filma të asaj kohe apo “gjenialitetin” e artistëve të kohës.

Në Shqipërinë e pasluftës së Dytë kishte po aq artistë gjenialë sa ishin të tillë mjekët, inxhinierët, sportistët, profesorët, fizikanët dhe profesionistët e tjerë.

(vijon)

Friday 23 September 2022

Rama, i korruptuari i kahmotit


Gati 20 vjet më parë, në fillimin e vitit 2003, i ndikuar nga bumi i ndërtimeve në Tiranë dhe nga disa kolegë të mij, që bënin ecejake Tiranë-Kanada, mendova të shihja mundësinë e projektim-investimeve në Shqipëri. Dija përciptaz se norma e fitimit ishte e madhe dhe mund të mos ishte e vështirë të ngjallje interesin në investitorë kanadezë. Nuk është e pamundur të gjesh njerëz të interesuar për të fituar shpejt edhe nëse nuk je pjesë e një rrethi investitorësh pasunarë. Më duhej dikush , të cilit mund t’i shpjegoja në vija të trasha idenë dhe të më orientonte nëse mund të bëhej duke u përfshirë edhe ai në këtë projekt-ide.

Mendja më shkoi në arkitekti sllovak L. Zampa, të cilin e kam përmendur edhe në shkrime të tjera në këtë blog. Kishte qënë i pari që më kishte marrë në punë në firmën e tij sa kisha emigruar dhe e dija që shumë gjëra i njihte me themel. Për Tiranën dija se ishte në dorën e Edi Ramës, se norma e fitimit ishte shumë e lartë dhe shumë inxhinierë kishin krijuar firma ndërtimi dhe fitonin duke ndërtuar banesa kolektive pa shumë mund. Kishte shumë kërkesa për të blerë apartamente. Këto ishin në vija të trasha ato që më kishin treguar kolegët , që punonin në Tiranë dhe kishin familjet në Kanada.

Zampa e priti me interes propozimin dhe më tregoi që po punonte për disa projekte në Bratislavë me investitorë vendas dhe kanadezë. Më pyeti se ç’ishte piktori-kryetar bashkie dhe c’farë e motivonte. I ndikuar nga ç’kisha lexuar në mediat shqiptare, që dukej se kontrolloheshin nga socialistët dhe Rama, i shpjegova që Edi Rama ishte një artist ekstravagant, shumë egoist dhe se motivi kryesor i tij ishte të mbetej në histori?! Nuk ishte i korruptuar. Zampa më pa me dyshim, por vazhdoi të shpjegonte mundësinë e një firme investuese me degë në Shqipëri. “Për të gjetur para nuk është e vështirë. Vemë djalin e një ministri shqiptar si përfaqësues të firmës në krye të zyrës në Tiranë dhe shohim si do shkojnë projektet e para.” Mua më çuditi edhe siguria e Zampës edhe “skema me djalë ministri”, gjë që as kisha idenë se si mund të realizohej. Duket arkitekti sllovak e dinte mirë se si funksiononin gjërat në Europën Lindore dhe se pa korruptuar funksionarë të lartë nuk mund të investoje dhe të fitoje sipas rregullave të tregut të lirë. Ishte gjithashtu e vërtetë që në fillimin e viteve 2000 ishte e lehtë të gjeje investitorë dhe kredi nga bankat perëndimore. Nuk kishte arritur kriza ekonomike e viteve 2007-08, kur nisi të shtrëngohej shumë dhënia e kredive.

Në vjeshtën e atij viti shkova në Tiranë jo për të realizuar projektin e investimeve, por për të punuar për disa projekte banesash në Tiranë dhe në Korçë. Atje mësova se ç’kishte ndodhur gjatë gjashtë viteve, që nuk jetoja në Shqipëri. Korrupsioni jo vetëm ishte rritur, por në Tiranë ishte sofistikuar. Rama merrte për lejet e ndërtimit rryshfete në bazë të metrove katrore të ndërtimit, që shkonte prej 10 deri 15% të vlerës së shitjes të një ndërtese banimi ose zyrash. Ndërtuesit që kishin punuar edhe në kohën e Brojkës theshin që ndryshimi ishte si nata me ditën. Piktori-kryetar bashkie ishte një “përbindësh” në kërkimin e pjesës së tij, por norma e fitimit ishte e madhe ndaj nuk hezitonin t’ja jepnin. Qysh në javët e para e kuptova se ç’ndodhte në Tiranë dhe se si funksiononte skema e dhënies së parave dhe rolet e ndihmësave të Edi Ramës duke nisur me Blendi Gonxhen, Artan Lamen, Alban Eftimin dhe të tjerë. Sigurisht nuk ishte i vetmi mes të korruptuarve të qeverisjes socialiste, por mes 3-4 syresh që merrnin “llokmat” më të mëdha.

Në një takim të mëvonshëm me sllovakun Zampa në Kanada, i sqarova se me naivitet kisha besuar se piktori Rama nuk ishte i korruptuar dhe se nuk isha më i gatshëm të ndërmerrja “aventurën e investimeve” në Tiranë. Kryeqyteti gjatë asaj vjeshte dhe dimri më ngjante me një moçal të fëlliqur, ku jetonin njerëz të varfër dhe të veshur jo mirë dhe njëkohësisht notonin në lluks politikanët e tipit Nano, Meta, Rama e të tjerë. Në 4 vjet piktori ekstravagant Edi pat vënë një pasuri të madhe, të cilën do ta shumëfishonte jashtëzakonisht në 19 vitet që do pasonin.

Thursday 22 September 2022

Rusia, e Djathta Europiane dhe Shqipëria


Eshtë e njohur prej vitesh mbështetja që ju ka dhënë Rusia e Putinit Partive të Djathta Europiane, veçanërisht atyre më ekstremiste në Francë, Austri, Gjermani dhe Itali. Ka qënë pjesë e një plani të Putin për të dëmtuar sa më shumë Europën e Bashkuar dhe të gjitha demokracitë europiane. Eshtë një plan që funksionon kryesisht për publikun rus, për t’ju treguar problemet e mëdha që kanë deokracitë europiane dhe për të “shitur” teorinë se Rusia po kthehet në një “lojtar” ndërkombëtar i barabartë me Amerikën, Europën dhe Kinën.

Por edhe pse mund të duket si “donkishotesk”, plani i Rusisë nuk është për të injoruar dhe deri diku ka qënë i suksesshëm për disa arsye:

·         Liria në Demokracitë e zhvilluara europiane krijon mundësi për të inflirtuar dhe për të financuar grupe politike që përputhen me interesat e një fuqie të caktuar.

·         Nën kontrollin e Putin janë burime të mëdha financiare të shtetit rus, por edhe të miliarderëve që ka ndihur të pasurohen të cilat mund të përdoren për financime.

·         Shërbimet sekrete ruse janë fuqizuar në dy dhjetvjeçarët e fundit dhe nuk kufizohen nga asnjë lloj rregullli dhe ligji, por ndjekin verbërisht ato që ju urdhëron Putin.

Nuk janë vetëm Hungaria, Sërbia dhe Bullgaria me ndikim të madh të rusëve, por në shumë segmente të bizneseve dhe administratës austriake, italiane, franceze madje edhe gjermane , rusët kanë shtrirë tentakulat e tyre. Një nga rastet tipike gjatë viteve të fundit ishte ai i kompanisë gjermane “Wirecard”, një kompani dixhitalo-financiare, e cila kishte arritur në të njëjtin nivel potence finanaciare si Dojçebank, e cila jo vetëm drejtohej nga një austriak i përzjerë me shërbimet e fshehta ruse, Jan Marshalek, por ndihmonte financiarisht që partitë ekstremiste të djathta të fuqizoheshin në Europë. Pas skandalit të madh të manipulimeve të librave të llogarisë dhe falimentimimit të Wirecard, Marshalek u arratis në Rusi ku jeton ende sot. Disa ish-funksionarë të shërbimeve të fshehta ruse, austriake dhe libiane ishin në stafin e ngushtë të tij.

Financimet ruse të Salvinit në Itali, “Agimit të Artë“në Greqi dhe shumë politikanëve të tjerë në Ballkan dhe Europë janë bërë prej kohësh të njohura nga mediat serioze. Dhe kjo përzjerje e pazakontë e shërbimeve të fshehta, organizatave kriminale, partive të djathta dhe kompanive të mëdha përbën një rrezik serioz veçanërisht për vende më të vogla si Shqipëria, ku gjithshka mund të shitet e të blihet. Nuk e kam fjalën për broçkulla të tipit “interesa kombëtare” apo “patriotizëm i kulluar”, sepse të tillat kanë marrë fund me kohë në Shqipëri, por për një gjendje gjithnjë e më kaotike të të gjithë shoqërisë shqiptare dhe institucioneve të saj. Hajdutët nuk mund të jenë patriotë dhe si rrjedhojë asnjë nga politikanët e fuqishëm shqiptarë nuk mund të jenë të tillë.

Vendet e korruptuara dhe situatat e luftës kanë qënë gjithë jetën situatat më të mira për të bërë para hajdutët e lidhur me njëri tjetrin. Dhe përderisa modeli Putin të vazhdojë të sundojë në Rusi, Turqi dhe në ndonjë vend tjetër të fuqishëm , vendet me demokraci hibride rrezikohen të jenë gjithnjë “gurë shahu” në lojën e madhe të peshkaqenëve të fuqishëm.

Eshtë e vështirë të parashikosh se çdo ndodhë me Shqipërinë në dhjetë vitete e ardhëshme. Zhvillimet do jenë kryesisht në varësi të gjendjes së Europës së Bahkuar, por në rast se prirjet centrifugale të vendeve kryesore europiane do shtohen nën ndikimin e financimeve ruse, atëhere do të jetë shumë e vështirë që institucionet demokratike të konsolidohen në Shqipëri.

Wednesday 21 September 2022

Hënë e plotë në Greektown

Nuk më shqitet sonte kjo hënë e plotë,

Si e sjellë thellë

Miteve të huaja.

Qytetit grek endem

Tashmë të pushtuar nga persët.

Në një dritare një pëllëmbë të madhe shquaj,

Më ftojnë të shoh se çdo ndodhë nesër.

Dua të klith:

-Të gjitha mi ka treguar Herodoti;

Atë që ndodhi në Salaminë,

Kush tregoi shtegun e Termopileve,

Si u përplas pa frymë në Athinë,

Marathonomaku pasi thirri: Fituam!

Ato që ndodhën do përsëriten

Edhe pse ne nuk duam.

Endërrimtarët do ju besojnë ideve;

Fitoret do i shijonë dinakët;

Të dlirat vajza do derdhin gjithnjë lotë,

Në fund të tryezave do mbeten fjalëpakët

Dhe një herë çdo dy javë

Hëna do jetë e plotë.

Tuesday 20 September 2022

Rreth Mbijetuesve


Ka një shprehje të Darvinit, mes shumë syresh të lidhura me Mbijetesën që thotë: “Nuk mbijeton më i forti mes llojeve dhe as më inetligjenti mes tyre, por ai që është më i përshtatshëm të ndryshojë.” Dhe me fare pak njohuri nga historia e botës së gjallë, je në gjendje të gjykosh se më të rrezikuar të zhduken nga faqja e dheut janë luani dhe majmuni se sa të themi mushkonjat.

Nuk jam i sigurt se sa e vërtetë është kjo thënie e shpikësit të Teorisë së Evolucionit për njerëzit në një afat kohe prej disa mijëra vjetesh dhe me shume. Sepse po të besoj plotësisht këtë do të thotë që raca njerëzore priret të kthehet nga brezi në brez në një racë Përshtatësish dhe të ketë gjithnjë e më pak të Fortë dhe Inteligjentë. Me një fjalë të fortët dhe të mënçurit të “riprodhohen” në sasira më të vogla dhe të vdesin më shpejt.

Por në afatet e shkurtëra të jetës së një brezi mund të vesh re që Përshtatësit i mbijetojnë karrierave në fusha të ndryshme të jetës dhe shpesh janë më të vlerësuar dhe më të nderuar se të tjerët. Nuk dua të them as se bëjnë mirë apo keq se në Luftën për Mbijetesë ligjet e jetës nuk kanë të bëjnë me moralin.

Nuk di nëse në cilësinë e brendëshme për t’u përshtatur, që duhet të jetë instiktive, luan rol ose jo kujtesa, por dyshoj se shumë nga Përshtatësit nuk kanë një kujtesë të mirë rreth atyre që kanë thënë dhe bërë gjatë jetës, që i ndihmon të kalojnë lehtë proceson e ndyshimeve dhe të përshtatjes. Pa brejtje të ndërgjegjes. Këtu e kam fjalën për njerëz mesatarë me një inteligjencë mesatare dhe jo për ata që merren me politikë, sepse ata janë koshientë që mund t’i thonë sot të kuqes të bardhë dhe nesër blu, jeshile e me rradhë. Të tillët e quajnë veten “kafshë politike”.

Meqë këto ditë na kanë rrahur kokën “çekanët” e mbretërorëve, më vjen në mendje një ngjarje e marsit 1994, që ka lidhje me Monarkinë dhe Republikën. Në një bisedë në një rreth të ngushtë, ku ndodheshin dhe dy të huaj, një i njohuri im deklaroi se Monarkia do ishte shpëtim për Shqipërinë. U çudita dhe e kundërshtova, por ai këmbëngulte duke treguar modelin e vendeve skandinave dhe të Britanisë së Madhe. Sigurisht që më vonë nuk u përpoq të ndihmonte legalistët shqiptarë dhe nuk përtoi të rikthehej në republikan, sikundër pat qënë gjithnjë dhe ndoshta sot dhe e ka harruar mbrojtjen me zjarr të Monarkisë në vitin e largët 1994.

Monarkistët luftuan me Republikanët në shumë vende të botës gjatë dy shekujve të kaluar dhe miliona monarkistë të vendosur dhe republikanë të vendosur u vranë. Më e afërta në kohë është Lufta Civile e Spanjës, në të cilën humbën jetën edhe shumë përkrahës të Republikës nga vende të ndryshme të botës. Pra të vendosurit e të dy krahëve ose humbën jetën pa lënë trashëgimtarë, ose nuk patën mundësinë të bënin shumçë fëmijë. Përshtatësit, ata që kishin qënë republikanë dhe ktheheshin në monarkistë kur fitonte Monarkia dhe anasjelltas, patën mundësi për të bërë një jetë të gjatë e më të mirë dhe të linin pas shumë e shumë gene “përshtatmërie”. Sigurisht, duhet t’ju ketë munguar edhe një cilësi, të cilën Darvini e quan më të veçantën dhe më njerëzoren – skuqja e fytyrës.

Monday 19 September 2022

Rënia e Narcisit

Ditën që me veten mbet’ i dashuruar

Narcisi,

Qiejt u hapën

Dhe vite të tëra nuk ra më shi.

Dielli shkëlqente

Dhe nën rrezet e praruara

Me gëzimin për bukurinë e vetes,

Për gjë s’mendonte më ai.

Nuk shihte dot mpakjen e pyjeve,

Ngadalësimin e vrapimit të qingjave,

Gjethet pa ngjyrë,

Natën ju gëzohej yjeve,

Ditën diellit

Dhe dorën shkonte shpesh në fytyrë.

Por pas shumë vitesh,

Ndërsa kalonte pranë pellgut

Ku u pa për herë të parë,

Donte të shijonte sërish atë pamje mrekulluese

Por nuk mundi.

Pellgu ishte tharrë.

Si marrok vrapon ende Narcisi,

Që ka humbur të tijën pasqyrë.

Për të është gjithshka natë;

Lumturia një fjalë pakuptim,

Bota përreth një pikturë dalëboje,

Në spiralen pakthim ka hyrë.

Sunday 18 September 2022

Do gëzohesha po të kishte vdekur Monarkia!


Mbretëresha Elizabet është e brezit të nënës sime. Shpesh bënim shaka me time më për të dhe për Princin Lipi (Filipin e ndjerë). Edhe pse më bezdisin “pompat dhe poteret” e dy javëve të zimbajtjes për të, nuk ndjeva gëzim kur monarkeja e vjetër u largua nga jeta. Por nuk më la as edhe ndonjë trishtim se ishte 96 vjeçe dhe u largua e qetë nga kjo jetë, pa vuajtje të mëdha në fund. Si do dëshërojë gjithkush të largohet.

 Po do isha gëzuar shumë nëse Monarkia do kishte vdekur! Veçanërisht në vendet e zhvilluara europiane dhe më tej në gjithë vendet e tjera të botës. Njerëzimi ka dhjetvjeçarë, që e ka kapërcyer gjendjen e tij “fëminore” të gjakut blu, të trashëgimtarit të parë, të ceremonive të bujshme me karroca dhe shërbëtorë të veshur si në Mesjetën e vonë dhe me të gjitha paradat, daljet në ballkone, takime me popullin e përvuajtur e të tjera që lidhen me Monarkitë europiane. Mbi të gjitha, monarkitë me luksin dhe pushtetin e tyre bien ndesh edhe me Dhjatën e Re dhe mësimet e Krishtit.

Natyrisht që ka shpjegimin e saj mahnitja e shumë njerëzve me mbretërorët, dashuria e më të shumtëve të anglezëve ndaj Elisabetës dhe familjes së saj dhe respekti që po tregojnë gjithë drejtuesit e shteteve ndaj Mbretëreshës së ndjerë. Ka një përzjerje të psikologjisë tonë të përpunuar në shekuj me përralla dhe ëndërra për princër dhe princesha, me propagandën e madhe që bëhet rreth jetës dhe virtyteve të tyre, si dhe me faktin që Britania e Madhe edhe pse nuk është më Fuqia më e madhe perandorake, është një nga shtetet më të pasur dhe më të fuqishëm në botë. Zija britanike ka qënë lajmi që në mënyrë absurd ka kaluar disa herë nga mbulimi në media edhe luftën në Ukrainë këto dy javë. Familja mbretërore e veshur kokë e këmbë në të zeza, me një pikëllim të vërtetë ose të shtirë në fytyra, të del para në çdo lajm. Bashkë edhe me rradhën e gjatë, që zgjat deri dymbëdhjetë orë, të njerëzve që duan të bëjnë homazhe tek arkëmorti i Elisabetës.

Ky “film” është parë edhe shumë herë të tjera gjatë jetës sonë. Gjatë varrimeve të Stalinit, Maos, Enver Hoxhës, Naserit dhe shumë diktatorëve dhe udhëheqësve të tjerë të shteteve. Eshtë e vërtetë se në rastet e regjimeve totalitare, propaganda shoqërohej edhe me frikë, gjë që shpjegon histerinë e të qarave të turmave, por edhe në shoqërinë e lirë britanike, psikologjia e turmave të paktën një shekull që manipulohet në një mënyrë të stërholluar. Vërtet nuk ndërtohen më piramida dhe nuk bëhen shpenzime faraonike për funerale të mbretërve dhe mbretësheva, por ndryshimi nuk është aq thelbësor. Njerëz të konsideruar të jashtëzakonshëm vetëm për shkak të lidhjeve të gjakut, përcillen me nderim për në botën e pëtejme nga milionat e “skëllevërve modernë“, tashmë të robëruar psikologjikisht me mjete të tjera dhe jo me ato të dhunës.

Moxarti u përcoll me pesë njerëz edhe pse një gjeni i ri në moshë; në përcjelljen e Ainshtainit kishte vetëm 15 anëtarë të familjes dhe miq të ngushtë dhe po kështu në dhjetra funerale gjenijsh në 3-4 shekujt e fundit. Njerëzit ende nuk janë mësuar të nderojnë gjenialen dhe dobinë që i ka sjellë ajo Njerëzimit, por të vrapojnë për të shuar kureshtjen dhe për të qënë pjesë e një funeral mbretëror. Më pas ëndërrojnë të kenë një dasëm mbretërore, një funeral mbretëror apo më shumë akoma një jetë mbretërish.

Ky është absurditeti dhe ndikimi i keq i Monarkisë në jetën e njerëzve. Një e keqe e madhe, për të cilën për fat të keq ka nisur të flitet gjithnjë e më pak.

Saturday 17 September 2022

Shtatorët e fëmijërisë sonë (fund)

 


(vijim)

 Mëngjesi ishte i njëjtë me atë të ditës së mëparshme, por kishte vrullin e mëngjeseve të fëmijëve. Dita dukej çuditërisht e gjatë dhe mendja ishte e përqëndruar vetëm se si do “ja hidhnim” për detyrat e shtëpisë dhe si të shpëtonim pa na ngritur në dërrasën e zezë. Në shtator nuk bëje dot llogaritjet “mua më ka ngritur një herë ose dy”, që të linin të qetë për disa javë të mos mësoje në një lëndë të caktuar. Me çantat kafe ose të zeza nën sqetull, sytë e pahapura mirë dhe shaminë e pionierit të lidhur me nxitim, ne shkonim dhe rrjeshtoheshim në oborrin e shkollës për të filluar ritin e “fiskulturës së mëngjesit” dhe pas riteve të tjera, mes të cilëve edhe thënia me përtesë “Gjithmonë gati!” pasi komandantja e çetës së pionierëve kishte thënë formulën magjike “Pionierë në luftë për çështjen e partisë të jini gati!”, hynim në klasa. Ne nuk dinim se ç’ishte çështja e Partisë, madje nuk dinim mirë as se ç’ishte Partia, por përgjigjen e jepnim automatikisht, që kur ishim pranuar në organizatën e pionierit, që përgjithësisht kryej kur nxënësit ishin në klasën e tretë të fillores.

Nuk kishim as atëhere të qartë dhe as tani nuk jam në gjendje të kuptoj mirë se pse në fëmijërinë time, djemtë ishin të ndarë nga vajzat. Ndoshta më shumë se me Partinë, kjo lidhej me prapambetjen e shoqërisë shqiptare. Ne ishim të mësuar me praninë e tyre dhe ndoshta dhe ato me praninë tonë, por jetonim si në dy botë të ndryshme, me interesa dhe qëllime të ndryshme dhe në një lloj kontradikte të butë. Ne na pëlqente t’i ngacmonim, t’ju shkulnim nga pak flokët, t’i shponim me lapës në kurriz shoqet që rrinin para nesh, por rrallë herë luanim me to ose ato me ne. Në shtator dukeshim edhe më të largët, se veç shoqeve që rrinin në një mëhallë me ne, të tjerat nuk i kishim parë dhe nuk dëshmonim ndonjë mall të ndërsjelltë. Edhe pse e dinim që një ditë do martoheshim me një vajzë, nuk kujtoj të kishim shkuar ndonjëherë në mend se njëra nga shoqet e klasës mund të ishte “kandidateja” për grua. Nuk dinim as se ç’farë mendonin ato për botën tonë. Ju dukej e pakontrolluar, gati idiote, me shpërthime pa kuptim dhe me mungesë disipline apo nuk e vrisnin fare mendjen për të? Një herë, në klasën e pestë, u çuditëm kur hymë në klasë pas një ore fiskulture dhe pamë se disa nga shoqet tona kishin shkruar të gjithë emrat tanë në dërrasën e zezë të ndarë në tre kategori: të bukur, simpatikë dhe të pështirë. Më të shumtët ishin në kategorinë e mesit, por ne na dukej e habitshme se ato jo vetëm mendonin rreth paraqitjes sonë, por ishin edhe në gjendje që t’i klasifikonin. Ndoshta rriteshin më shpejt se ne. Emërat u fshinë shpejt dhe kurrë nuk u zu më në gojë ajo ndodhi, sepse na vinte keq për shokët tonë që i kishin vendosur në kategorinë e fundit. Ishte gati mizore ndonëse një veprim fëminor.

Shtatorët e fëmijërisë sonë (1966-1971) ishin shtatorët më të mirë të disa dekadave. Ishin vitet e “liberalizmit”, por gjithashtu ishin vite, kur nuk kishte nisur kriza e ushqimeve. Rradhët në dyqanet e ushqimeve ishin më të pakta dhe fshatarët shisnin produkte të bollshme në “merkaton” e qytetit. Merkatoja ishte shumë pranë shkollës sonë dhe ndonjëherë parapëlqenim të vërtiteshim në të më shumë se të rrinim brenda orës së mësimit. Kur kishim ndonjë “pesëshe” në xhep, blinim një gotë lajthi tek lajthishitësit e shumtë, që herë pas here thërrisnin “Ja lajthi për fuqi ,lajthiiii!”. Me lajthitë në xhepat e pantallonave të shkurtëra nxitonim të hynim përsëri nëpër klasa dhe kur mundnim të ]anim ndonjë lajthi me dhëmbë për ta ngrënë. Kërcitjet ishin të forta dhe nuk i bënim shpesh. Me lajthitë e shtatoreve filluam dëmtimin e dhëmbëve tona më shumë se sa me eëmbëlsirat. Por rënia e dhëmbëve për ne ishte “ehuuuu sa e largët!” Shumë pranë pafundësisë ndaj vazhdonim t’i thyenim me dhëmbë pasi i kishim ndarë me shokët e ngushtë.

Kështu mbylleshin shtatorët për t’ju lënë vendin tetorëve, kur fillonim të mësoheshim me  “robërinë” e shkollës.

Thursday 15 September 2022

Shtatorët e fëmijërisë sonë (2)


 (vijim)

Në ditët e para nuk mungonte dhe entusiazmi për t’ju treguar shokëve që nuk i kishe takuar gjatë verës se nga e kishe kaluar dhe se ç’gjëra kishe parë. Disa mburreshin me ngjyrën që kishin marrë në plazh duke treguar kontrastin e lëkurës të ngjyruar nga dielli, atje ku rrobat e banjës kishin mbuluar pjesët “e turpshme”. Por të gjitha këto ndodhnin gjatë pushimeve të vogla dhe atij të madh, sepse gjatë orës së mësimit, mësuesit plot energji nga pushimet e mbanin mirë në kontroll klasën.

Javët e para të shkollës kishin edhe zgjedhjet në organizatën e pionierit, që përgjithësisht shoqërohej me ngacmime dhe të tallura, me nxënës që dëshëronin të zgjidheshin në kryesinë prej pesë vetësh, por shtireshin sikur nuk donin, me nxënës që nuk donin por dikush i propozonte dhe votoheshin, si dhe me ndonjë rast kur dikush propozohej për të shkaktur të qeshura. Mbledhja bëhej në praninë e mësuesit kujdestar, që duhej të ishte i pranishëm, që mbledhja mos merrte karakterin e një takimi “disidentësh”. Edhe pse nuk ishim kundër “Partisë dhe xhaxhit Enver”, më të shumtit nga ne e merrnin me të tallur zgjedhjen e Komandantit të pionierëve të klasës dhe kryesisë. Gjithashtu nuk pëlqehej të ishe në krye se do të duhej të “rrjeshtoheshe” në anën e drejtorisë dhe mësuesve, që presupozonte “kallzimin” e shokëve për çapkënllëqet, ose kritikën ndaj tyre në mbledhjen e organizatës. Edhe pionierët duhet të “zhvillonin frymën e kritikës dhe autokritikës”, si të gjithë organizatat e tjera. Ndoshta atje mbillej fara e karrierizmit të mëvonshëm.

Mbledhja e organizatës na mbante dhe një orë më shumë pas mësimit dhe ne mezi të prisnim të vraponim në “sheshka”, të bënim portat me çantat e shkollës dhe të nisnim të luanim futboll. Sa ishte ende ngrohtë dhe nuk kishin nisur shirat e vjeshtës, që e bënin më të vështirë të luajturën me top. Jo se ju trembeshim gropave me ujë dhe baltës, por se do dëgjonim shumë të shara në shtëpi nga nënat tona, kur të arrinim të lyer nga koka tek këmbët me baltë. Futbolli ishte gëzimi më i madh i fëmijërisë sonë, ku kënaqeshim duke vrapuar pas topit dhe shfrenim të gjitha dufet e shkollës duke sharë njëri tjetrin me rënjë dhe degë. Në fushat e futbollit mësuam të gjitha llojet e sharjeve dhe të gjitha sinonimet e organeve gjenitale të të dy sekseve. Atëhere ende nuk dinim se ç’ishin transgjinorët se do kishim edhe të shara që lidheshin me ta. Të gjorat nënat tona ishin me fat nuk ishin pranë shesheve të lojrave dhe të dëgjonin të sharat tona që ju drejtoheshin kryesisht atyre, edhe pse nuk mendonim vërtet se do ju bënim ndonjë të keqe nënave të shokëve.

Më të vështirë e kishin disa nga shokët e klasës, që kishin nënat ose baballarët mësues në shkollën tonë. Ata e kishin më të vështirë për të fshehur “çamarokllëqet” e moshës, e kishin të pamundur për të manovruar për të fshehur orarin e mësimeve të së nesërmes dhe ndodheshin edhe para trysnisë të shokëve për të mos i “tradhëtuar”. Ne të tjerët pasi kishim luajtur mirë e mirë dy tre orë futboll pas shkolle, nxitonim në shtëpi për të ngrënë drekë dhe ju ktheheshim përsëri fushave. Detyrat dhe mësimet ose “ i kishim bërë para se të hanim bukë“ ose të nesërmen kishim shumë orë të “lehta” dhe nuk duhej të mësonim, ose mësuesit nuk na kishin dhënë ende detyra shtëpie se viti i ri shkollor sa kishte filluar. Gjithë qejf ne luanim futboll para se të vinin më të rriturit dhe t’ju lëshonim fushën atyre dhe më pas vazhdonim të luanim me “kuku”, “fiç i rënë“, “me fugë“ ose me “komant”. “Të telendisur” nga të lojturat dhe të vrapuarat, pasi na kishin thirrur prindërit disa herë nga dritaret, ne përfundonim të këputur në kuzhinat e shtëpisë dhe hanim të uritur darkën e më pas merrnim nga një libër të shkollës dhe shtireshim se po mësonim. Gjumi na zinte duke u ndjerë fajtorë që nuk kishim bërë detyrat e shtëpisë, po ora 8 e fillimit të mësimit na dukej e largët dhe shpresonim që do bënim dy palë detyra dhe mund edhe t’i hidhnim një sy librit të Gjuhës Shqipe dhe atij të Aritmetikës.  Gjumin ama e bënim si të shqerrkave!

(vijon)

Wednesday 14 September 2022

Shtatorët e fëmijërisë sonë


Shtatorët më sillnin një trishtim fëminor. A ndoshta nuk është mirë që e quaj trishtim, se ishte më tepër një ndjenjë, që më kapte edhe të hënave. Në fëmijëri trishtimi është i rrallë dhe nuk di nëse vërtet më ka kapur ndonjëherë. Ndjenja jo e mirë e shtatorit kishte të bënte me fundin e pushimeve dhe lojrave deri sa binim të lodhur. Lidhej me fillimin e shkollës dhe “ngujimin” për 5 ose 6 orë mësimi në ditë pa mundur të vrapoje, shkelmoje topin, fshiheshe nga të tjerët, ose godisje fort cingëlat. Mbetej një ndjenjë e papërcaktuar se kishte edhe një lloj faji të përzjerë me të, sepse nuk mund t'ju thoja të mijve: “Nuk më pëlqen hiç që po vjen koha e shkollës!” Nuk kisha aq përvojë jete sa të mund të mendoja se nuk ishte e çuditshme që ndjenja të ngjashme të kishin patur edhe ata shtatorëve të tyre. Ndikonte edhe e gjithë propaganda shtetërore me “tam-tamet” e vitit të ri shkollor, përgatitjen për tu bërë të aftë për Partinë dhe Atdheun, dashurinë e mësuesve për ne dhe të tjera dëngëla ose dhe gjysëm të vërteta të kohës. Duhet të pranoj që nuk më ka zënë kurrë malli për mësuesit në klasë edhe pse shumë prej tyre i admiroja dhe i takoja me dashuri në rrugë. Por në rrugë as ata nuk ta kishin ngenë dhe ti s’kishe pse i dëgjoje gjatë.

Bezdia e shkollës në vitet e fillores dhe ato të parat e 8-vjeçares fillonte me zgjimin më herët në mëngjes dhe vazhdonte me veshjen e grykëses të zezë, më vonë me lidhjen e shamisë së kuqe dhe merrte rrugë me rrjeshtimin para shkollës, gjimnastikën e mëngjesit dhe betimin e Pionierit! Nuk kishte asgjë të bukur në atë nisjeje të njërës nga gjashtë ditët e javës. Të gjashta ishin po njëlloj dhe shpesh edhe të shoqëruara me ankthin se nuk kishe bërë detyrat e shtëpisë për orën e parë dhe të dytë dhe nuk dije nëse pushimet e vogla do mjaftonin për t’i kryer disi. Në të kundërt do gënjeje duke u skuqur.  Dhe kur je fëmijë nuk të pëlqen të shkosh në shkollë, nuk do të jesh i disiplinuar, por nuk do edhe të gënjesh. Veset nisin të mësohen më vonë se shumë rrallë mund të jenë të lindura.

Vese nuk na mësonin në shkollë. Edhe pse mund të kishte një ngarkesë ideologjike në lëndët shoqërore dhe në veprimtaritë jashtëshkollore, në shkollat tona nuk mësoheshin veset e nënshtrimit apo të spiunimit. Ndoshta vetë strukturimi i mësimdhënies ishte një nga paradokset e sistemit komunjist, që solli më vonë edhe rënien e tij. Por në shtatorët e fëmijërisë të brezit tim ne nuk kishim se si të mendonim për gjëra të tilla. Mendja ishte ende në bregdetin Adriatik për ata që kishin patur fatin të bënin dy ose tre javë pushime pranë detit, në bregun e liqenit të Pogradecit dhe në fshatrat ku mund të kishim bredhur të lirë me dëshirën që pushimet mos mbaronin kurrë. Veçanërisht kur shkolla niste më 1 shtator, (shpesh fillonte më 15) javët e para ishin të vështira për shumicën prej nesh. Ditët ishin ende të gjata dhe të ngrohta dhe dielli na i bënte me sy, por ishim të detyruar të rrinim në bangat aspak të rehatshme.

Nuk di se ç’arkitekt apo dizenjator induatrial i kishte projektuar në Europë bangat ku uleshim, por të rehatshme nuk ishin. Ndoshta si çdo gjë tjetër e kishim të huazuar nga rusët, por edhe në Europën e gjysmës së parë të shekullit të XX nuk ka pasur më të mira. Ishin menduar të ishin të tilla që të përgatisnin fëmijët se jeta do ishte e vështirë? Nuk e di, por nuk mund të them se nuk kam nostalgji për bangat e fëmijërisë. Duket se ato kishin tre synime – të rronin shumë dhjetvjeçarë, mos ndoteshin nga asnjë lloj boje shkrimi dhe të mos ishin të rehatshme. Banga të lyera me një blu të errët dhe me një sipërfaqe të pjerrët të zezë mbi të cilën mësoje të shkruaje. Pjesa e pjerrët mbyllej para me një pjesë horizontale ku ishin gdhendur dy hapje të gjata dhe dy rrumbullake, ku vendoseshin penat dhe shishet e bojës ose kallamarët. Të gjitha bangat ishin për dy nxënës dhe ndenjësja nuk ishte nga një pjesë druri e vetme, por dy pjesë trapezoidale nga një për çdo prapanicë  nxënësi. Të gjitha bangat ishin dyshe, që të të krijonin idenë se do ishe për shumë vite të jetës në krah të një shoku e një shoqeje dhe se ai lloj mundimi dysh mund të vazhdonte edhe gjatë gjithë jetës. A nuk kishte në çdo familje dy prindër të betuar se nuk do ndaheshin deri sa njëri të mbyllte sytë?

(vijon)

Tuesday 13 September 2022

Kaq shumë fuqi (pasuri) ka Ilir Metaj?


Më duhet të pranoj se kam pasur gjithnjë një antipati në rritje ndaj Ilir Metaj, sot kryetar i “Partia e Lirisë“. Prej fillimeve të tij në politikë e më tej. Në fillim më dukej e çuditshme , që një pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore të futej në Partinë e Punës, por në kohën që ndiqja punimet e parlamentit shqiptar, Metaj u duk ku e ku më negativ se Majko, që gjithashtu pat qënë dhjetorist dhe ishte hedhur në Partinë, të cilës ju kundërvunë dhjetoristët! Më pas, prej ngjarjeve të Poliçanit dhe më tutje, nuk ka patur asnjë ngjarje politike , që të më lëkundëte nga mendimi negativ, që kisha për të.

Ajo që më ka habitur këtë verë është përpjekja  e të gjithë shtypit pro-Ramë për të diskredituar Ilir Metajn si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Janë të shumta pyetjet, të cilat nuk jam në gjendje t’ju përgjigjem me sa e njoh realitetin shqiptar.

A është kjo akuzë më e rëndë se vjedhja e hapur dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar?

A ka një mbështetje kaq të madhe në elektorat Metaj, që të përbëjë rrezik për Partinë Socialiste?

Nuk mjafton izolimi i hapur që i kanë bër të huajt kësaj figure të diskretituar?

Janë kaq të mëdha pasuritë e Metaj, sa mund ta mbajnë gjatë në jetën politike shqiptare?

A ka ai në dorë dosje sekrete me të dhëna shumë implikuese për Ramën?

Pa qënë në gjendje t’ju përgjigjem këtyre pyetjeve, kam menduar se si shpjegim më i logjikshëm është, që duke qënë në një gjendje jo të mirë në qeverisje, Rama dhe të tijtë duan të tërheqin vëmendjen e opinionit publik me kotësira që lidhen me Metaj. Por edhe në këtë shpjegim ka diçka që nuk jep një përgjigje të plotë. Ka mbi tetë vjet, që në shënimet e mija shpesh kam parashikuar fundin e Metajt dhe të Partisë së tij, por kjo nuk ka ndodhur dhe ky njeri pa elektorat ende është në gjendje të mbijetojë në politikën shqiptare, madje të ishte edhe për pesë vitet e fundit edhe President i Shqipërisë. Vetëm pasuritë dhe disa lidhje të forta brenda sistemit gjyqësor mund ta kenë shpëtuar nga burgu pas zullumeve të shumta.

Precedenti i pandëshkueshmërisë së Metajt, që është politikani me më pak mbështetje në popull, është një sinjal i keq për të ardhmen e Shqipërisë. Duket se më të “çimentuarit” me pasuri dhe lidhje me krimin , si Berisha dhe Rama, nuk do shkojnë kurrë atje ku e kanë vendin. Mes vendeve të korruptuara të Europës Lindore, ne mbetemi vendi që ka futur më pak në burg politikanë të fuqishëm se çdo vend tjetër. Dhe kjo bën të bjerret shpresa e të gjithëve, veçanërisht e të rinjve.

 

 

Vetmia (The lonely- Christina Perri)

Nga t’ja nis në orën dy

Vetëm të qaj sërish për ty

Tingulli i heshtjes këtë nat’

Do jetë me mua në shtrat.

 

Jam hija e asaj që dikur e njihja

Jam cipa e vajzës që doja të isha.

 

Vall’zoj shtruar në një dhomë bosh

A ke mundur vall’ të më harrosh?

I këndoj vetes një nina-nan’

Të lashë të ikje ti

Dhe zemrën ja dhash’

Vetmisë përsëri.

 

E trembur të shkoj në shtëpi

Në nj’tjetër natë pa dashuri

Vetmia nuk ka për tu ndarë

Deri sa gjumi të më marrë.

 

Jam hija e asaj që dikur e njihja

Jam cipa e vajzës që doja të isha.

 

Vall’zoj shtruar në një dhomë bosh

A ke mundur vall’ të më harrosh?

I këndoj vetes një nina-nan’

Të lashë të ikje ti

Dhe zemrën ja dhash’

Vetmisë përsëri.

 

Copëza pjesësh të

Një lidhjeje që jep shpirt,

Kur njëherë kishte jetë

Tani nuk je më ti,

Veç e errëta vetmi

 

 

 

 

 

Monday 12 September 2022

Rikthehem sërish

Unë kthehem dhe rikthehem atje,

Si një vrasës në vendin e krimit.

Sytë i mbaj ngulur në një pikë,

Pa ditur se ç’pres.

Peng i mendimit,

I mendimit pa llogjikë.

E paarsyeshme është dashuria,

Po njëlloj si vrasja.

Në qiejt e bukur të ndjenjave dehesha,

Thithja të mirën,

                Gëlltisja vesën,

                                Bukurinë qasja.

Tani që ftohtësia e të arsyeshmes,

Më shtyu teposhtë,

Në stalagmitet e zgafellave,

Ku sundon bardhezia e të qënit,

Nuk zbut dot ashpërsinë as me lotë,

Krahëkëputur nuk shkoj dot mbi re.

Diçka të madhe padashur kam vrarë,

Nën çmendurinë e katilit rit,

Kthehem dhe rikthehem

Sërish atje.

Arqimandriti i Mitilinit dhe Elizabeta II


Nuk di pse m’u kujtua këto ditë Arqimandriti i Mitilinit. As nuk e njihja dhe as kisha dëgjuar ndonjëherë për të dhe madje as për Mitilinin, por vite më parë pata mësuar rastësisht se kishte ndërruar jetë. Isha në Korçë dhe kisha takuar një mikun tim, me të cilin doja të rrija shtruar e të bisedoja, por ai nxitonte për të shkuar në Greqi, se ishte larguar nga jeta Arqimandriti i Mitilinit. Vazhdova të shprehja dëshirën time duke thënë se besoja që shumë shpejt miku do kthehej nga Mitilini, por ai m’u përgjigj: “ Po ku di unë kur do kthehem?! Këto ceremonitë fetare për të mëdhenjtë e kishës nuk dihet se sa zgjatin!” Kuptova që për të “rëndësishmit” e kësaj bote, ceremonitë mortore zgjasin me javë të tëra, pa vënë në dyshim se miku ndoshta nuk ma kishte shumë qejfin për të ndenjur shtruar me mua.

Ka disa ditë që në qetësi të plotë, u largua nga jeta Mbretëresha më jetëgjatë e Anglisë, Elizabeta e Dytë. Në Angli nuk zhvillohen ndeshje futbolli dhe shumë veprimtari të tjera argëtimi, por ekranet janë mbushur me ceremonitë, që lidhen me trashëgimin e pushtetit dhe me nderimin që i bëhet trupit të saj. Disa nga veprimtaritë tingëllojnë edhe qesharake për shekullin e XXI, kur çdo ngjarje ka shpejtësi të habitëshme. Fatet e shteteve varen shumë herë në disa ditë dhe mijëra njerëz vriten në luftë, por në ekranet mund të shohësh më shumë “tellallë“ që lajmërojnë se do ndodhë kjo apo ajo këto ditë në Londër, apo një tufë me shtetarë të veshur në të zeza që thërresin “Zoti na shpëtoftë Mbretin!”

Trupi i të ndjerës Elizabetë do shkojë në disa kisha, ku do nderohet nga populli i saj i përvuajtur dhe vetëm pas dymbëdhjetë ditësh do prehet në banesën e fundit.

Përse?

Ndoshta është një pyetje pakuptim, por e gjithë kjo “pompë“ dhe përkushtim i Medias nuk është gjë tjetër veç propagandaë për të mbajtur në fuqi një formë organizmi shtetëror, të cilës i ka kaluar koha që shekullin e kaluar. Carli III, Kamila, Uilliam, Harri dhe Xhorxhi janë personazhet, për të cilët flitet gjatë vitit më shumë se për këdo tjetër, ndoshta po të përjashtojmë vetëm të ç’ekuilibruarit Trump dhe Putin.

Eshtë një e vërtetë e madhe, që largimi i një njeriu nga jeta prek shumë ndjenja dhe duhet respektuar dhe duke kaluar edhe një kohë pikëllimi dhe zije. Kështu e kanë organizuar në jetë njerëzit raportin e tyre me vdekjen. Por çdo gjë ka nevojë për një masë, se në të kundërt shija që le nuk është ajo e duhura, qoftë kur ikën një prijës fetar si Arqimandriti, qoftë një Monark i rëndësishëm.

 

 

Thursday 8 September 2022

Irani, Amerika dhe Baba Mondi


Duhet të ketë qënë pranvera e vitit 1980, kur kollonat e korridoreve të Korpusit Qëndror të Universitetit u mbushën me postera të Revolucionit Iranian dhe të Ajatollah Khomeinit, për shkak të një vizite të shkurtër të një delegacioni të qeverisë iraniane. Ishte delegacioni i rrallë qeveritar, në një periudhë izolimi të plotë, kur nuk na “begenisnin” më as shokët kinezë. Posterat e hoqën po aq shpejt sa dhe i vunë, se i ashtuquajturi Revolucion Iranian ishte një hap mbrapa në historinë e Iranit dhe Njerëzimit. Mbi të gjitha ishte një lëvizje thellësisht fetare dhe reaksionare dhe ishte e çuditshme që “ateistët e Enverit” perqafoheshin me dashuri me “mullah-të e Khomeinit”. Nuk kishin asgjë të përbashkët veç antiamerikanizmit.

Komentet në rrethet studentore ishin rreth refuzimit të tyre për të takuar gratë tona ministre dhe ndonjë student nga veriu , që theshte pse nuk venë në Universitet Postera të Papës , por vetëm të Ajatollahut. Vizita u harrua shpejt dhe nuk kishte as edhe ndonjë lloj marëveshje ekonomike dhe Irani mbeti po aq i largët për Shqipërinë, sa kishte qënë dikur Persia e Kirit. Lidhja më e afërt e jona me botën iraniane ishin “Rubairat” e Khajamit të përkthyera mrekullisht nga Noli.

Ka disa vjet që Irani është i pranishëm më shumë se sa duhet në jetën shqiptare. Madje këto ditë ka ndodhur dhe një acarim i pazakontë, si dëbimi i të gjithë ambasadës iraniane nga Tirana për shkak të veprimtarisë agjenturore të tyre. Mes shumë informacioneve të servirura nga agjenturat e huaja ose dhe nga shërbimi jonë informative është edhe plani iranian për të vrarë Baba Mondin!

Baba Mondit ndoshta i shtohen ditët nga lajme të një lloji të tillë si dhe i shtohet rëndësia ndërkombëtare, por absurditeti i gjithë këtij “komplikacioni” është i njëjtë me atë të takimit komunisto-mullaist të vitit 1980.

C’punë kemi ne për mirë apo për keq me Iranin?!!

E gjithë situata e sotme me Iranin e ka burimin në një marrëzi të qeverive shqiptare për të strehuar MEK-un në Tiranë. Ne jemi një vend i vogël, që nuk kemi luksin të krijojmë konflikte të mëdha të hapura me askënd. Qofshin këto vende me probleme, qofshin pa probleme, por vende me popullsi të mëdha dhe me ushtri të fuqishme. Veç interesit, që t’ju themi “peqe-lepe” administrative amerikane ne nuk kemi asnjë lloj interesi tjetër. Dhe edhe nëse do kishim refuzuar të pranonim kundërshtarët politikë të qeverisë iraniane, asgjë nuk kishte për të ndryshuar në raportet tona me Amerikën. Do ishim po njëlloj aleatë.

Duket edhe që zbrazja e plotë e ambasadës dhe marrja në kontroll nga ana e shtetit tonë, është një veprim që i tejkalon masat e këtij lloji në raste konfliktesh të çdo lloj karakteri edhe pse Iranianët mund ta kenë tepruar në veprimtarinë e tyre agjenturore apo edhe të dëmitmeve të rrjeteve informatike të qeverisë shqiptare. Por qeveritë dhe qeveritarët duhet të shikojnë disi më larg se hunda e tyre, sepse Irani ka për të qënë një kohë të gjatë shtet i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare dhe nuk ka garanci se MEK-u do e rrëzojë në një dhjetvjeçar a më shumë qeverinë reaksionare të mullah-ve.

Ne jemi qëndra e botës, po aq sa ishim “fanari ndriçues” në kohën e Enver Hoxhës dhe po aq sa e rëndësishme është Kryegjyshata Botërore e Baba Mondit. Eshtë në të mirë të vendit tonë dhe të popullit shqiptar , që në tryezën e madhe të popujve të kemi dhe të mbajmë vendin që na takon.

 

Tuesday 6 September 2022

Nënëzë


Nuk kishte zbardhur ende agu kur iku. S’ishte e papritur. Edhe dhoma e saj kishte një numur të përbërë nga tre shifra zbritëse, që dukej si shënjë e një nisjeje për tek e nëndheshmja. Pa kthim. Nuk arrija të kuptoja nëse qetësia e saj kishte përcjellë atë heshtje përreth apo ishte e kundërta. Ndjeheshin vetëm gëlltitjet e mija. Të lotëve, heshtjes dhe psherëtimave. Rrija i ulur në cepin e dhomës përballë saj dhe nuk ja hiqja sytë nga fytyra. Mendoja se ishte një lloj qetësie solemne e ndryshme edhe nga gjumi më i qetë e saj. Nënëza ime prehej. “Indiferentizmin e kam pasur gjithnjë zët!”- theshte shpesh dhe tashmë ishte plotësisht indiferente ndaj gjithshkaje. Nuk do kërkonte më të dinte se ç’bëheshin fëmijët e saj këtej dhe përtej oqeanit. Ishte plotësisht e shkujdesur.

Drita e kursyer që vinte nga qielli i vrenjtur e bënte të dukej edhe më e qetë. Buzët i kishte të hapura si kishte marrë frymë për herë të fundit në atë vend aq të largët nga vendi ku kishte lindur. Mendova që e kisha sjellë aq larg, gjë që dhe ajo vetë e shkonte shpesh në mendje, se vitet e fundit disa herë kishte përmendur- “Dheu kudo është njëlloj.” Për të mos më lënë të përpiqesha ta shpija tek prehej im atë, kur t’i vinte dita për të ikur. Nuk donte kurrë t’ju rëndohej të tjerëve ime më.  

Më kishte ndjekur pas në vite, si për tu kujdesur për çdo hap që hidhja në jetë. Pa u ankuar, pa u ligështuar kurrë. Me të kisha jetuar më gjatë se me cilindo tjetër. Thuajse 56 vjet të 60 viteve të mija. I dukej se më mbronte nga natyra, nga e panjohura dhe nga gabimet. Me përkushtimin dhe dhembshurinë e një nëne. Me “vigjilencën” e një mbrojtësi të jashtëzakonshëm.

Tashmë ishte dorëzuar.

Muret e dhomës ishin të bardha si ditët e saj në këtë jetë. Më të shumtat ditë. Kishte patur edhe nga ato pa dritë, që unë nuk kisha si t’i dija se nuk ankohej. Ashtu i kishte edhe flokët. Jo plotësisht të zbardhura dhe jo plotësisht të errëta. Nuk i kishte lyer kurrë. As edhe fytyrën. Ndoshta prandaj e kishte edhe lëkurën e fytyrës të pastër dhe me pak rrudha edhe pse kishte mbushur të 90-tat. E thjeshta nëna ime nuk kishte dashur të ishte “e lyer dhe e ngjyer” edhe në rininë e saj.

Rinia e prindërve është nga gjërat që është e pamundur t’i prekësh në këtë jetë. Kisha përjetuar vetëm shpirtin e saj të ri të mbushur me të qeshura, këngë dhe emocione të forta. Edhe me një kureshtje të përhershme për natyrën dhe vendet që nuk kishte parë ndonjëherë. Nuk hezitonte të udhëtonte të bënte udhëtime të gjata me makinë ose avion. Tashmë ishte duke u nisur në udhëtimin e fundit, për të cilin  shpesh theshte se “e kishte prerë biletën”.

Mjekja erdhi për të konfirmuar zyrtarisht  largimin. I kontrolloji për herë të fundit zemrën dhe me mirësjellje më ngushëlloi. Të tjerët ishin nisur nga vendet e tyre të largëta për t’i dh[n[ t[ fundit lamtumir[. Ende nuk mendoja dot për ta dhe se ç’farë do duheshin, i nënshtruar plot[sisht nga misteri i vdekjes. “Mos hapni shumë avaze!” –më dukej se do më thoshte, por ajo ishte krejt e ç’interesuar nga çdo gjë që do ndodhte këtej e tutje. Nuk kishte lënë as “amanetet” veç “rrobave të vdekjes”, që i kishte gatitur disa dhjetvjeçarë më parë dhe i merrte me vete kur ndërronim banesat. “Kjo është shtëpia e 23-të, që kam ndërruar gjatë jetës sime!” – më pat thënë për të fundit ku rrinim. E 24-ta do ishte ajo e përjetshmja. Në vendin aq të largët gjeografikisht, por të njëjtin e botës që nuk njohim.

Kishte disa orë që prehej dhe tashmë do ishin të huajt që do e lëviznin edhe dy tre herë sa të vinte dita e përcjelljes. Të huaj të sjellshëm e me fytyra të përzishme, që janë mësuar me kufirin mes jetës dhe vdekjes. Si infermierja që herë herë fuste kokën për të më pyetur nëse kisha nevojë për gjë. Unë sa kisha humbur nënën dhe nuk më duhej gjë tjetër në botë veç saj, por askush nuk mund ta rikthente më. “As e jëma e diellit!”- do më përgjigjej e sigurt ime më. E mënçura nëna ime.

Dy infermieret më pëshpëritën që kishte ardhur koha për t’i bërë ritet e fundit trupit dhe do ishte mirë të largohesha. E putha në ballë dhe ende nuk kishte ftohtësinë e plotë të vdekjes edhe pse kishin kaluar mbi gjashtë orë. A ndoshta më dukej mua ashtu. Mpirja e mendjes më kishte kapluar gjithë trupin dhe gjithë veprimet e mëtejshme i bëra si automat. Në veshë më kumbonte togfjalëshi  e shtunë, shtatë shtator… e shtunë, shtatë shtator…shtatë shtator, ditë e shtunë.

 

 

Sunday 4 September 2022

Forma e zemrës time (The shape of my heart - Sting)

Ai ndan kartat si meditues i ngeshëm

Ata që luajnë nuk din’ ç’i pret.

Ai nuk luan për ato që fiton,

Nuk luan as për respekt.

Ai i ndan kartat të mësojë sekretin

Të shënjtën gjeometri të rastit,

Ligjet e mundësive që na presin

Numurat që vallzojnë bastin.

 

E di që maçot janë të ushtarit shpata,

E di karotë jan’ për të blerë art,

E di spathitë janë armë për luftime

Por jo forma e zemrës sime.

 

Ai mund të luajë fandin spathi,

Mundet ta hapë me damën karo ,

Mundet që një plak ta mbajë fshehur

Deri sa gjithkush t’harroj’.

 

E di që maçot janë të ushtarit shpata,

E di karotë jan’ për të blerë art,

E di spathitë janë armë për luftime

Por jo forma e zemrës sime.

 

Po t’i thoja asaj që un’ të dua ty,

Ti do mendoje nuk jam tamam,

Por unë nuk jam me shumë fytyra

Veç maskën që mbaj kam.

 

Ata që flasin shumë gjë s’dinë

Kuptojnë kur xhepat i shkundin.

Ata që mallkojnë fatin lart e poshtë

Dhe të tremburit veç humbin.

 

E di që maçot janë të ushtarit shpata,

E di karotë jan’ për të blerë art,

E di spathitë janë armë për luftime

Por jo forma e zemrës sime.

Saturday 3 September 2022

Irfani, fadromat dhe linja editoriale


Shtatori nuk filloi me përplasjet e shumëpritura politike, as me protestat masive të popullit kundër Ramës dhe as me arrestime ministrash, por me fadromat që prishin pishinat e Irfanit. Shteti po tregon se ka muskuj të fuqishëm, opozita e quan sulm të egër ndaj medias së pavarur ndërsa Hysenbelliu deklaron se nuk do ndryshojë linjën editoriale.

Prishja e thellë e Hysenbelliut me qeverinë u ndje gjatë verës, veçanërisht edhe në Birrafest të Korçës, ku BirraKorça, shkaku dhe pikënisja e BirrFest nuk ishte as organizatore dhe as pjesëmarrëse. Përplasjet duket që e kishin në një qëndrim të hapur të Irfanit në mbështettje të ish-Presidentit Meta ose Metaj.

Lidhjet e Hysenbellinjve me Ilir Metaj janë shumë të vjetra edhe në lidhje me Birra Korçën. Qeveria e Metaj kishte përdorur forcën e saj me presione dhe me dërgimin e tatimorëve, për t’i detyruar pronarët e asaj kohe (ish-të dënuar politikë) që t’ja u shisnin Hysenbellinjve. Pronarët u dorëzuan para forcës së shtetit hakmarrës.

Me të njëjtën logjikë dhe mënyrë vepron tani shteti hakmarrës I Ramës për të gjunjëzuar mikun e Metajt dhe përkrahjen që po i jep në mediat e tij. Këtë përkrahje të hapur (ndoshta të detyruar) ndaj Metajt, Irfan Hysenbelliu e quan linjë editoriale. Sigurisht që brenda kësaj linje mund të ketë shumë të vërteta për korrupsionin e madh të qeverisë, por një media e korruptuar si e Irfanit (dhe gjithë mediat kryesore në Shqipëri) [shtë po aq të rrezikshme sa dhe qeveritë e korruptuara shqiptare. Janë pjes[ e një sistemi që ju merr frymën klasës së mesme dhe të varfër shqiptare duke mos ju lënë asnjë vend ku mund të përplasin kokën.

Prishja e pishinave edhe pse me urdhërin e një kryeministri të korruptuar, që i kishte lënë vetë të ndërtoheshin pa leje, është një veprim në dobi të atyre që ndëshkohen se po ndërrojnë tjegullat e shtëpisë pa leje. Eshtë një preçedent që “tingëllon” si këmbanë morti edhe për Frangajn, edhe për Vjollcan e Topit edhe për më të vegjëlit si Bollino e kompani, që janë shërbëtorë të politikanëve dhe bashkëhajdutë me ta. E gjitha ngjan me një përplasje të grupeve mafioze edhe pse për fatin tonë të keq, grupi kryesor mafioz është qeveria shqiptare e Ramës.

Unë i përshëndes fadromat. Ato që sot prishin pishinat pa leje të Irfanit një ditë mund të prishin edhe bunkerin e Surrelit, nëse do provohet se është ndërtuar me para të vjedhura.

Friday 2 September 2022

C’janë partnerët strategjikë?


Në një letër pas largimit nga detyra, Kryepolici Gledis Nano kishte përmëndur togfjalëshin “partnerët strategjikë“, i cili ka ca kohë që qarkullon në fjalorin qeveritar dhe që unë ende nuk jam në gjendje ta kuptoj se ç’është tamam. Më duket si diçka që përfaqëson shtete, organizata apo njerëz shumë të rëndësishëm, por nuk kuptoj përse këta janë strategjikë. Ka edhe partnerë taktikë? Po teknikë?

Madje Nano kishte shkruar saktësisht “partnerët më strategjikë“, gjë që më la të kuptoj se ka shumë kategori të tyre, që sipas rradakes sime duhet të jenë më strategjikë, shumë strategjikë, jashtëzakonisht strategjikë, disi strategjikë e me rradhë. Në krye me siguri duhet të jenë “partnerët strategjikisssimo”.

Të më kuptoni, nuk dua të bëj me faj Nanon, se nuk e ka shpikur ai këtë të partnerëve strategjikë. Si gjithmonë fjalamanët tanë qeveritarë, marrin shprehje të huaja të cilat i përdorin si t’ju dojë qejfi për t’ju hedhur hi syve njerëzve. Shprehja e huaj është “strategic partnership” dhe përdoret në fushën e ekonomisë për dy kompani që kanë disa kontrata me njëra tjetrën dhe kanë prirje të shtojnë biznesin midis tyre në të ardhmen. Tek ne, Rama e përdor këtë “fjalë të madhe” për t’ju dhënë privilegje të caktuara miqve të tij, qofshin këta investitorë të huaj apo vendas. Edhe pse marëveshjet në shumicën e rasteve janë në disfavor të Shqipërisë apo të taksapaguesve.

Tek njerëzit e thjeshtë, të mësuar me himnizimet e strategëve të revolucioneve dhe të marksisëm-leninizmit, krijohet përshtypja se “partnerët strategjikë“ janë njësi të jashtëzakonshme, gati gjysëm-perëndi, që do na shpëtojnë nga skamja dhe do i kemi tërë jetën pranë. Në të vërtetë “strategjikët” e Ramës janë një tufë me kompani dhe njerëz të korruptuar, që kanë rënë në marëveshje me kryetëkorruptuarin tonë, të rrëmbejnë jashtë rregullave që aplikohen për të tjerët ç’të jetë e mundur nga pasuritë tona.

Një strategji hajdutësh, që deri tani ju ka rezultuar e sukseshme.

Letra (La lettre - Lara Fabian)

Më shkruaj një letër lamtumir’

Ku gjithë arsyet  t’i rrëfesh

Përse u zhduke , humbe në efir

Pse stinët m’i bëre përshesh.

Fjalët zgjidhi mir’, vetëm fjal’n e duhur

Si mjeshtëri që do kohë

T’lëmoj’ sendin e bukur.

Më shkruaj një letër lamtumir’

Më nis atë që shpejt ke shkruar

Nuk do rrekem të gjej ç’ke fshirë

Edhe me laps të jetë shkruar

Shkruaje sikur të jetë melodi

Dhe blatomë si sakrificë

Tek të harresës perëndi.

 

Se dhe të ikësh kur tjetri mbetet

Ndjenjat e dërmuara t’i lë

Të thuash diçka për të vërtetën

Eshtë më mirë se mos thuash asgjë.

 

Më shkruaj një letër lamtumir’

Si shënimet që linim dikur në shtrat

Le mos jet’ shkruar gjithshka mir’

Gabimeve rëndësi s’ju jap.

Mirë do jetë t’gjej duke kërkuar

Nëse vërtet të doja,

Nëse të pata dashuruar.

Për tonat ndoshta, për tonat përjetë,

Do jetë mirë iluzionet të heq

Por kur ta shkruash këtë letër,

Mos ver’ një emër fals për dreq.

 

Se dhe të ikësh kur tjetri mbetet

Ndjenjat e dërmuara t’i lë

Të thuash diçka për të vërtetën

Eshtë më mirë se mos thuash asgjë.

 

Më shkruaj një letër lamtumir’

Ku gjithë arsyet  t’i rrëfesh

Përse u zhduke ,…

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Thursday 1 September 2022

Kënga

“Edhe këto vite që na kanë mbetur!”

E mua më dukeshin pafundësi.

Nuk di pse s’matja dot kohën;

Ajo zgjatej nga një çast

Në një tjetër më të bukur

Ndonëse nuk isha më i ri.

Trembja e mërzive,

Të beftat e thjeshta,

                Të kotat të qeshura,

Lakuriqësia gjatë gatimit,

Qëndisnin një të bukur e të gjatë stinë,

Po aq shumëngjyrëshe

Sa edhe vjeshta.

Nuk kishin trishtim mbrëmjet

Edhe pse nuk pinim verë.

Vinim e rivinim të njëjtën këngë,

Që e kishim dëgjuar me mijëra herë.

Tani atë këngë e kam kyçur,

Në fund të arkës së brengës time,

Për t’ja dhënë Karonit në të fundit udhëtim:

Kjo ishte e imja pasuri.

Që më largonte të errëtat mendime,

Që nuk më linte të tretesha në trishtim!