Tuesday 30 September 2014

Urrejtje e verbër

Më ka rënë në sy, dikush, që e ka cilësuar Benin në FB si “humanist sekular” shkruan disa herë rrjesht me mllef dhe urrejtje për Nënë Terezën. Eshtë i  vetëdeklaruar Ateist edhe pse unë dyshoj shumë në të padijshmit, që hiqen se besojnë se në Univers nuk ka Zot apo Fuqi të tjera të Jashtëzakonshme. Shumë prej tyre nuk kanë një ide të qartë se si është Universi. E megjithatë bëjnë be e rrufe, që kanë të njëjtin ateizëm si Ainshtaini, Bill Rusell apo Richard Dawkins.
Gjithsesi, i vetshpalluri ateist, nuk është i vetmi shqiptar, që shpreh përbuzjen për Nënë Terezën. Në qarqe fondamentalistësh ka shumë të tillë. Ka edhe në qarqet e atyre, që nuk besojnë dhe urrejnë çdo qënie, që vesh raso, veladon, xhybe apo zhgun, që tregon se i përket një sekti fetar.
Unë nuk di nëse njeriu lind me një raport të caktuar energjish pozitive dhe negative. Nuk di as nëse mund të ndryshojë gjatë jetës dhe të dojë më shumë se të urrejë apo e kundërta. Vetëm s’arrij dot të kuptoj  se si mund të kesh urrejtje apo përçmim për një plakë të palodhur, që ju përkushtua gjithë jetën të tjerëve, dhe jo vetëm të tjerëve por të braktisurve, të sëmurëve rëndë, të pangrënëve, të zgjebosurve, lebrozëve, të palarëve, të paplangëve. I shpëtonte dhe ju ngjallte shpresë.
Në emër të cilës së vërtetë këta të padijshëm nuk përulen para veprës së kësaj Zonje të Jashtëzakonshme?
Sepse besonte në Zot?
Para disa javësh, Beni kishte shkruar një artikull të titulluar “Bigot”, ku pak a shumë e cilësonte Maks Velon si një “bigot”, që nuk “ngre dot pantallonat”. (Maksi është i tillë edhe pse me pantallona të rëna unë nuk e kam parë.)
Po a nuk janë po aq “bigotë“ ateistët e padijshëm, që në urrejtjen e tyre të verbër ndaj besimeve fetare sulmojnë edhe gjërat më të thella e më të bukura, që ka krijuar Njerëzimi për sa kohë ekziston?
Ndoshta nuk duhet të shkruaj për “bigotët”, si për ata, që i ngrenë dot poturet dhe as për ata, që nuk i mbajnë dot pa tiranta.
Doja vetëm të përsërisja, se sa të lumtur janë ata që janë të mbushur me një dashuri të pakufishme, si ishte Nënë Tereza.



Monday 29 September 2014

Unë jam nga Torontoja

Unë nuk kam jetuar kurrë në Toronto, por nuk di se pse kam nisur ta ndjej veten Torontian(këtë të fundit nuk e kam shumë të saktë, se mbase quhen edhe Torontista ose Torontukë). I rezistova disa vjet kësaj ndienje, që dukej se më imponohej nga të tjerët, sepse i trembesha gjithnjë pyetjes që do pasonte kur të thosha “Jam nga Toronto”, “Brenda nga Toronto?” Ka qënë një pyetje, që më torturonte kur isha student në Tiranë dhe trenave(dhe jo vetëm mua). Në fillim më dukej absurde, por kur konfirmoja, që isha brenda nga Korça dhe vijonte edhe pyetja e tretë “Di me i dhon kitarës?”, atëhere bezdisja bëhej më grryese.
Gjithsesi, kur vizitoj qytetin tim dhe shumë më thonë “Ti në Toronto je”, unë mundohem t’ju spjegoj , që jetoj në një qytet të vogël, që është rreth një çerek ore nga katarakti i Niagaras dhe Toronton e kam një orë larg, shumica e bashkëbiseduesve e mbyllin diskutimin “E në Toronto domethënë.”
Por nuk ka qënë ky presion, që më bëri të ndjehem Torontist.
Një i njohuri im jeton në Shikago. Dhe në Shikago ka një numur të madh të mërguarish nga Korça, kryesisht familje me origjinë nga Devolli i Sipërm dhe kushërinj e krushq të tyre, që vijnë edhe nga zona të tjera të Shqipërisë. Doja ta vizitoja Qytetin e Erës, për të parë vendet, ku ishte shfaqur në fillim talenti i Xhon Belushit. E pyeta të njohurin tim se në ç’zonë të Shikagos jetonte. Mu përgjigj , që tamam tamam nuk jetonte në Shikago por në kontenë e Aleksandrisë, që hynte në shtetin e Indianas, por Shikagoja nuk ishte më shumë se 20 milje larg. I kërkova ndjesë, që isha keqkuptuar për vendbanimin e tij, por më tha , që ahtu e kishte në fejsbuk- Shikago. Gjithashtu shtoi se “Shikagoja do të pëlqejë shumë se është një qytet shumë kozmopolit!”
Atëhere u ndjeva, që dhe unë duhet të vija nga një qytet kozmopolit. Qënia ime si banor i Shën Katerinës, kishte të bënte shumë me imazhin tim prej “qafëkuqi”(aga ju theshin me përbuzje në kohët e errëta të diktaturës). Isha tashmë një fshatar, që nisesha me makinën time të përdorur dhe me dy thasë me patate dhe qepë dhe plasesha në të njohurin tim të parë, që jetonte në një qytet kozmopolit. Ndaj nisa të ndjehem Torontuk. Edhe pse nuk jam brenda nga Torontoja. Në fund të fundit, kryeqëndra e Ontarios një vrap pele është dhe unë kam disa të afërm dhe miq, që jetojnë atje.

Mund të përdor edhe adresën(mos shkruhet andresën?) e tyre.

Friday 26 September 2014

Shkrim pozitiv

Nuk e di pse duhet një shkrim pozitiv, por meqënëse një mikja ime më kritikoi për një numur shkrimesh, që nxijnë “realitetin shqiptar” dhe bezdisin edhe lexuesit, mendova të vija një palë syze rozë, që do më bëjnë “bonist” dhe të pranueshëm. Se në fund të fundit, askush nuk do të dëgjojë, gjëra që i di.
Vështirësia më e madhe, që kam, është se si ta filloj një “shkrim pozitiv”. Nuk kam bërë asnjëherë të tillë dhe syzet rozë vërtet ndihmojnë të shohësh jetën me ngjyra “drandafili”, por nuk ndihin në strukturimin e shkrimit.
Mënyra më e thjeshtë është ta strukturoj si hartimet e 8-vjeçares. Hyrje, zhvillim dhe mbyllje. E rëndësishme është të jem pozitiv dhe i paanshëm. Dhe do shkruaj për atë, që kujtoj se njoh më mirë. Qytetin tim të dashur.
“Eshtë shtator i vitit 2014 dhe mbrëmja po bie ngadalë në Qytetin e Serenatave. Vjeshta posa ka hyrë, por duket se korçarët në zemra kanë vetëm pranverë. Jetojnë në qytetin më të bukur në Shqipëri dhe ndjehen edhe më të bukurit shqiptarë. Sepse kanë sharm. Dhe kanë sharm në çdo gjë, në ecje, në veshje, në mënyrën se si i drejtohen mikut dhe sidomos se si mbajnë para në tavolina, gotën e pijes apo filxhanët e çajit, pa rrëzuar edhe hirin e duhanit në dorën e pjerrësuar gjithë hir.
Të jetosh në Korçën e sotshme do të thotë të ecësh në gurët e shtruar bukur të Pedonales, të ndjesh praninë e Luftëtarit kombëtar, në këmbët e të cilit rrjedh një ujëvarë historie, të shijosh zërin aq të ëmbël të këngëtares Jorgjeta Lalazi, e cila rrjedh nga një familje korçare me disa shekuj tradite muzikore, të shijosh birrën me të cilën mburren qytetarët dhe si të ketë kaluar mesnata, të dëgjosh kitarat e mandolinat, që përsërisin akordet e dëgjuara brez pas brezi. Nuk ka gjumë më të ëmbël se ai që të kap në orçë nën tingujt e ëmbël të instrumentave me tela, që duket se janë gdhendur përjetësisht në peisazhin e kodrave të bleruara, që rrethojnë qytetin.
Gjumi të del nga cicërimat e zogjve dhe e kupton , që ke fjetur vetëm 4 orë dhe je plotësisht I çlodhur. I bashkohesh njerëzve të të gjithë moshave, që me nxitim kanë marrë rrugët e pjerrëta , që të çojnë kodrave, të veshur sportive(i quajnë tuta veshjet) dhe nëse nuk lodhesh mund të shkosh me një pjesë prej tyre, që ngjiten malit të Moravës. Prej atje, qyteti, që ende nuk është zgjuar plotësisht, duket, që prehet nën qeramikën e tjegullave ndërsa vetëm disa ndërtesa modern plotësojnë me lartësinë e tyre siluetën e tij të veçantë.
Bashkë me disa tutistë, zbresim dhe kthehemi në një nga lokalet e bukura buzë kodrave. Burrat korçarë e nxjerrin gjumin me një supë të trashë, të cilën e quajnë “paçe” dhe gatuhet me këmbët , kokët dhe stomahun e bagëtive të trasha dhe të imta. Në të kundërt, gratë për të ruajtur linjat, hanë një lloj ushqimi tradicional drithrash, që quhet “trahan” dhe që ka frymëzuar dy shekuj më parë një poet, të shkruante për të një poemë t[ famshme epiko-gastronomike.
Gjatë ditës zjen puna dhe jeta kulturore. Ndërtohet vazhdimisht nga vetë njerëzit, firmat ndërtuese dh e nga Bashkia. Vetëm shtëpitë e të larguarve jashtë Shqipërisë duket se janë më pak të rinovuara, pasi çdo gjë tjetër shkëlqen duke filluar nga kangjellat aq karakteristike, gurët e gdhendur dhe suvatimet e hijshme e deri në materialet më bashkëkohore, të cilat ndërthuren bukur me ato të traditës. Të rinj e të reja ngjisin shkallët e Pallatit të Kulturës dhe të Bibliotekës, në të cilat nuk rreshtin veprimtaritë kulturore, simpoziumet, bisedat letrare, ekspozitat, diskutimet rreth Historisë. Dhe të mendosh, që mijra të rinj të tjerë po bëhen gati të fillojnë mësimet në auditoret e njërit prej Universiteteve më të mirë në Ballkan, atij që mban emrin e të shquarit Theofan Noli.
Edhe pse me një popullsi thuajse të barabartë ortodoksësh dhe myslimanësh, korçarët këto ditë ndoqën të gjithë të përkushtuar vizitën e Papa Françeskos dhe nxorrën detyra nga porositë e lëna prej tij. Në qytet është e vështirë të dallosh se cilës fe i përkasin njerëzit, se të gjithë jetojnë në harmoni dhe marrin pjesë në festat fetare të shoshoqit.
Dielli i pasdites i ka ftuar të gjithë të dalin shëtitje dhe të ulen lokaleve moderne, që ndesh në çdo hap. Njerëzit flasin gjithë gëzim me njëri tjetrin thua se po shijojnë çdo çast të kësaj begatie të shumë dëshëruar. Në një oboorr të një bari, një grup i entusiazmuar të rinjsh të së Majtës Europiane thërresin “Me Peleshin dhe Partinë, n’ Europë shpejt do mbrrijmë!”
Eshtë një thirrje entusiaste pak e vonuar.

Korça tashmë ka mbrritur në Europë.

Thursday 25 September 2014

Frika nga e panjohura


Një mik më tregonte dje, se rreth një ndërtimi shumë të përfolur në Qendër të Korçës, simpatizantët e Partisë në pushtet flisnin mirë, ndërsa kundërshtarët politikë flisnin keq. Kulla është një ndërtim betoni, pashpirt, pa asnjë orientim seksual dhe pa asjë program politik. Sigurisht që nuk ka edhe tru, por kjo nuk është kusht si ne qua non për ta diferencuar nga militantët partiakë. E megjithë këto cilësi të kulluara të sendeve, ajo ka fuqinë të dashurohet prej një pjese dhe të urrehet prej të tjerëve. Ende pa u ndërtuar.
Unë nuk kam ndërmend të shkruaj për Kullën. E kam bërë disa herë duke e gjykuar si një gabim të rëndë, por kur pata humbur shpresën se mund të ndalohej urova të isha thellësisht i gabuar.
Ajo që më shqetëson është se si mundet, që njerëz të thjeshtë apo profesionistë, të gjykojnë një ndërtim thjesht se përkrahet apo kundërshtohet nga udhëheqësit e Partisë, që simpatizojnë. Eshtë një transformim mendor i çuditshëm, i cili ndodh në një shoqëri ku Liria nuk është më e kufizuar.
Në një shoqëri ideale, me njerëz të cilët duan të mendojnë me kokën e tyre, kur të servirej një objekt, ide apo projekt nga ata, të cilët i udhëheqin, duhej të ndodhte që të shfaqej dyshimi, të fillonin pyetjet, të kishte një prirje për të kundërshtuar deri sa pas argumentave dhe diskutimeve shumicës t’i mbushej mendja.
Ne jo vetëm larg një shoqërie ideale, por kemi “tharrmin” e një shoqërie të çuditshme, e cila nuk ka preçedentë në historinë tonë të dyqind viteve të fundit. Në një shoqëri nën Diktaturë dhe të mbyllur nga idetë e tjera ishte e natyrshme, që të ndodhte “trushpëlarja”, sepse mjetet e propagandaës ishin shumë të forta.
Por pse tani jemi të prirur të besojmë symbyllur Udhëheqësin përkatës, ose më mirë të vrasim mendjen se si të gjejmë argument për të mbrojtur idenë apo projektin e tij?
Nuk e bëjmë nga dashuria.
Nuk e bëjmë as nga frika, që kemi prej tij.
Mendoj, që e bëjmë nga frika nga e Panjohura. Ky është një term disi i papërcaktuar mirë, por për ta futur në kontekstin e shoqërisë shqiptare do e quaja nga pasiguria, që kemi për jetën tonë jo pas disa dhjetvjeçarëve, por thjesht edhe pas një legjislature apo edhe një viti.
Në këmbimet, që kam me miqtë e mij në Shqipëri, të gjithë shprehin shqetësimin për të ardhmen e fëmijëve. Thuajse të gjithë janë financiarisht të stabilizuar dhe jetojnë në standartin e dikujt , që këtu ku jetoj unë quhet Klasë e Mesme. Punë ose bizenese me të ardhura të mira, uikende në vende turistike, pushime disa javore jashtë Shqipërisë, vila të kompletuara e kështu me rradhë. E megjithatë thuajse të gjithë janë të shqetësuar për të ardhmen dhe një pjesë mendojnë ose “majtas” ose ‘djathtas”. Tremben të mendojnë pa marrë një krah të caktuar. Tremben nga e panjohura, që vjen me marrjen e pushtetit nga krahu tjetër.
Më e keqja është , që nuk arrijnë të kuptojnë se kush ja u ka shkaktuar këtë frikë nga e Panjohura. Janë gati të derdhin një lumë të sharash për krahun tjetër, pa menduar thelle, se në 24 vjet, të dy krahët kanë qeverisur për një numur të barabartë vitesh.
Pas disa muajsh Kulla do mbarohet dhe do vazhdojnë diskutimet me rrahje gjoksi “E mo ju thamë që do dalë tmerr/mrekulli!”. Pa arritur të kuptojmë, se një Kullë qoftë edhe betoni mund edhe të prishet nëse është e shëmtuar, por është e zorshme të prishim Kullat e Majta e të Djathta, që na kanë mbirë në kokë dhe na lenë të shohim në mënyrë të paplotë duke na i shtuar edhe më shumë Frikën për të ardhmen.

Wednesday 24 September 2014

Popull martir




(Wikileaks ka botuar dje bisedën e Papës me Federiko Lombardin pas kthimit nga Shqipëria , bisedë, që është përgënjeshtruar nga Observatorio Romano.)

PAPA- Jam I mallëngjyer…një popull martir…vërtet martir.
FL – Ashtu është Hirësi. 500 vjet nën Otomanët.
PAPA- Atëhere ishte dhe nuk ishte. Se po të qe do e kishim ndihmuar më shumë. Problemet i filluan pas Garibaldit, kur donin të bëheshin më vete…I di se ç’njerëz kanë patur mbi kokë? Njëri më Antikrisht se tjetri. Si e kishte ai Uçeloja, që e kishin mbret? Para tij Musolini duket ëngjëll…Popull martir…
FL – Ahmet. Nuk patën fat të kenë kurrë një katolik në krye. Edhe prifti ortodoks, që bëri grushtin e shtetit ishte shumë i nxituar.
PAPA – Prandaj them, që si kanë duruar gjithë ato persekutime. Po ai tjetri Hoxha, që jo vetëm kishat tona i prishi, por edhe hoxhallarët, që i kishte kushërinj i futi burgjeve? As Stalini nuk ka bërë të atilla gjëma.
FL – Enver. Ishte komunist-xhihadist. Po nuk besonte në dyzet virgjëreshat.
PAPA – Po mirë , që nuk besonte në ato se as unë nuk besoj se ka xhenhem, por me dyzet martirët tanë ç’kishte? …Një vend kaq i bukur dhe ka nxjerrë përbindsha të tillë.
FL – Unë shpresoj në Ringjalljen e këtij populli, tani, që kryeministër është një katolik.
PAPA – Zoti qoftë me ta. Vërtet është katolik Rama? Nuk është emër mysliman ky. Ai pas Hoxhës nuk ishte Rama?
FL – Jo ai quhej Ramiz. Tjetri pas tij e kishte Sali Ram. Ky e ka Edvin Rama dhe e ka pagëzuar e gjyshja më 1964.
PAPA – E do e shohim. Kur u takuam nuk i hiqte sytë nga kryqi i artë , që kam në gjoks.
FL – Zoti më ndjeftë, ka thashetheme që i pëlqen gjërat e arta, po kështu janë edhe udhëheqësit katolikë në Amerikën Latine.
PAPA – Zoti qoftë me atë popull martir! Këtë lutje bëra kur I dhashë bekimin edhe djalit të tij, Zakut.
FL – Zaho, Hirësia juaj. Eshtë një emër shqiptar, që e përdorin të gjithë besimet.
PAPA – E…thashë mos e kishte Zakaria…Po atë të “Shqiponjave që fluturojnë lart” ku e kishe gjetur, që e kishe vënë në fjalën time?
FL – E ka thënë shkrimtari më i madh i tyre. Eshtë pro-katolik edhe pse e ka emrin Ismail. Kërkon të kthehen të gjithë shqiptarët në fenë e të parëve.
PAPA – U bëftë dëshira e Zotit! Boll ka vuajtur ai popull aq i dashur, aq i urtë dhe në më të vjetrit.
FL – Ju e bekuat Hirësi! Tani vetëm përpjekjet e udhëheqësve të tyre duhen.
PAPA – Të atyre, që ishin ulur në rradhën e parë gjatë Meshës?...nuk dukeshin si martirë edhe pse kanë dalë nga një popull martir.




Sunday 21 September 2014

Shqipërisë i duhen misionarë

Ndoshta jo vetëm Shqipërisë. Të gjithë vendeve të ish-Lindjes, që po kalben çdo ditë e më tepër nga materializmi i pakufi, dëshira për të imituar Perëndimin, të cilin nuk e njohin, nga urrejtja mes brezave, mes klasave të posakrijuara, nga zvetënimi moral.
Para disa orës u mbyll në Tiranë shfaqja e madhe e vizitës së Papës. Edhe pse më i thjeshti mes papëve të fundit dhe me prirje për të udhëhequr një Kishë të Varfër, Papa mbetet kreu i një Instituti, që shpenzon, që është i përfshirë në tratativa diplomatike, kryen transaksione financiare mes të cilave edhe të dyshimta dhe shumë veprime të tjera normale për një shtet, por jo për një institucion shpirtëror.
Sigurisht, që udhëtimi i papës në Shqipëri nuk kishte si t’i ngasonte atij të Shën Palit 2000 vjet më parë. Qindramijra Euro të shpenzuara nga Vatikani dhe disa herë më tepër nga taksat e shqiptarëve xhepshpuar. Mijra policë dhe punonjës së shërbimeve të fshehta u paguan sot jashtë orarit, shumë shpenzime për të rinovuar sheshin Nënë Tereza dhe ngritjen a Altarit njëpërdorimsh dhe deri në bojë jeshile për të lyer barin dhe gëmushat e tharra.
Po ç’fituan të rinjtë shqiptarë nga kjo vizitë dhe predikimi i Papës? U emocionuan? Do ngrihen nesër në mëngjes dhe do shkojnë spitaleve të ndihmojnë njerëzit , që vuajnë? Do ngrihen në mënyrë paqësore t’I kundërvihen kalbësisrës morale, që ka pushtuar vendin?
Kam shumë frikë se JO!
Të tilla shfaqje luksoze bëjnë efekt ne një grusht të rinjsh, ose në ne, brezin e mykur, të mësuar të recitojmë “shqiponjat fluturojnë lart” të thënë dikur për Partinë e tani për të tjerë udhëheqës.
Të tilla shfaqje kanë rëndësi për një grup politikanësh të korruptuar, që të tregojnë se po sjellin Europën dita ditës dhe për damat e tyre, që kishin hedhur sot edhe nga një raso të zezë në kokë.
Tek të rinjtë nuk mund të zerë vend retorika nga podium luksoze dhe makina të rrethuara nga 20 bodigardë.
Ata, të cilët mund të kenë efekt, janë njerëzit e përkushtuar, fetarë ose jo, që vuajnë për të ndihmuar të tjerët, që sjellin mesazhet e dashurisë dhe përuljes nëpërmjet shembullit të tyre të gjallë, të larguar nga zhurrma dhe fanfarat.
Askush nuk do dilte sot ne shesh nëse në Tiranë vinte Xhino Strada, sepse janë shumë pak që e njohin dhe më pak akoma ata, që i vlerësojnë punën. Eshte një mjek kardiolog Italian, që ka dhjetra vjet që shpëton pa shpërblim me qindra të sëmurë afrikanë në Afrikë.
Të tillë njerëz duhen ftuar në Shqipëri të flasin universiteteve dhe shkollave të mesme, për të treguar, që jeta është e bukur edhe kur jeton me pak dhe e ndan me të tjerët.
Por me njerëz si Strada e të tjerë si ai është e vështirë të bësh Show!

Me bar të lyer, flamuj e banderola dhe shqiponja, që fluturojnë lart!

Saturday 20 September 2014

Viti i…Prapanicave!

Eshtë herët për tu mbyllur viti, se Vjeshta zyrtarisht fillon vetëm nesër, por jam i bindur, që refreni i këtij viti kanë qënë ato , që me një barrë turp, i kemi quajtur dikur nënzë Bythë! Nuk besoj se ka pasur ndonjë periudhë të historisë së Njerëzimit(nga ato, që njohim prej shkrimeve apo edhe gërmimeve arkeologjike), që të ketë pasur një glorifikim të tillë të të Pasmeve, si këtë vit. Hapën gazetat dhe revistat online dhe nuk gjen më sy të mahnitshëm, fytyra ovale, flokë, që i merr era, por vetëm bythë. Të të gjitha llojeve, dimensioneve, ngyrave, këndeve të lakimit, me tanga e pa tanga, brenda xhinseve dhe stretçeve, cullak dhe nën ferexhe. (Ka rrezik pamjet e zilionta të tyre, të kenë ndikuar edhe gazetarin e paanshëm Kallamata, të bënte një shkrim rreth raporteve të Medias me Diktaturën, ku fjala ‘bythë“ përsëritej 47 herë. Për të mos u treguar më “anti-prapanicë se Papa” edhe unë i kushtova një shënim të shkurtër mollaqeve të Dukeshës së Uindsorit, por ajo ishte më shumë një mahnitje nga një fundshpine e zbuluar e një dukeshke, që qëllon ta shohësh më rrallë se kometën Hallej.)
Edhe pse e pyes veten, si është puna, që “të ndenjurat” janë kaq në modë nuk arrij dot ta spjegoj. Bile sa më shumë mendohem, aq më i thellë bëhet misteri. Ndoshta nga që vij prej një kohe të largët, kur bytha vlerësohej thjesht si bythë. Më kujtohet, që kur bënim xhirrot e famshme në rini në Korçë dhe shikonim ndonjë vithetundëse me linja të bukura, nxitonim të parakalonim dyshen dhe treshen e vajzave, në të cilat ishte “vithetundësja” për të parë fytyrën dhe largoheshim të tmerruar nëse e kishte fytyrën “si bythë“. Po duket, që ne brezi i vojtur nën diktaturë kemi mbetur akoma në xhirrot nga Turizmi i vjetër në Turizmi i ri dhe në shprehja “më e bukur prapa se përpara!”
Mundohem edhe të kujtoj se cilat nga shoqet tona të rinisë kishin “të pasmet’ më të bukura, po nuk i kujtoj për qamet dhe të më falin bashkëmoshataret si dhe ato poshtë nesh në shkollë, që nuk i kujtoj vlera të tilla, për të cilat sot do kërkoheshin nga çdo fotograf në botë. Duket që i paskam parë ‘me by…” Mes djemve ne edhe i komentonim ndonjëherë, por më shumë se përmasat nuk besoj se kemi përdorur shumë cilësorë në ato vite. I quanim të mëdha, të vogla dhe me majë. Hë po kishte dhe një lloj të veçantë, që quhej “bythëfronkë“, por ky ishte një përcaktim shumë i vagët, të cilin sot nuk di si ta spjegoj dhe prapanicat e cilës artisteje apo këngëtareje të ve për ilustrim.
Por edhe në botën mijëvjeçare të nudove në pikturë nuk ka pasur të tillë mahnitje pas mollaqeve. Edhe në “Banjën turke” të Ingres-it, ku janë pikturuar mbi 35 femra cullak, autori ka trguar vetëm një palë të tillë.
Poezi thuajse nuk ka fare rreth tyre.
Ndërsa këtë vit…Mjerë vajzat, që sa kanë kaluar fëmijërinë dhe kanë hyrë në adoleshencë, që do harrojnë të përkujdesen për vlerat, që i bëjnë aq tërheqëse në sytë e djemve. Do krijojnë përshtypjen e gabuar, se po mos i
kesh si të Kim Kardhashiankës apo si të Xhej Lo-së, jeta nuk ka më kuptim.
Kaq përkushtim për dy muskuj glutealë të pështjellë me dermë, që dikur me turp dhe nënzë i kemi quajtur Bythë!


Friday 19 September 2014

I DHJERRE…PO ME KOSTUM!

Figura e Fullonit është me të vërtetë tragji-komike.
Më erdhi keq, që e arrestuan, se në çdo vend, që ka sistemin anglo-sakson të Drejtësisë, Prokuroria nuk do kërkonte arrestimin e tij, por ndjekjen penale në gjendje të lirë. Por edhe nëse ndonjë Prokurori kokëshkretë do i ishte mbushur mendja, që Guvernatori duhej arrestuar, nuk do kishte gjykatës, që të firmonte kërkesën për arrestim apo edhe për kontroll të zyrës dhe banesës.
Arrestimi i tij(dhe jo lëshim)i është një tjetër skandal i sistemit tonë të drejtësisë, të cilit nuk di se ç’emër t’i ve. Mbase sistemi Post-Punist. Nuk ka asnjë ngjashmëri me sistemet e vendeve të quajtura demokratike, bile as me sistemin e Lekë Dukagjinit, që sundonte dikur bjeshkëve apo me sistemin gjyqësor otoman.
Nuk është as sistem, që thjesht ndikohet nga politika apo nga paratë. Ndikohet nga telefonatat, nga rryshfetet, nga ndienjat e hakmarrjes, nga dëshira për të treguar forcë, nga Mediat, nga gjendja euforike e ëastit e prokurorit apo gjykatësit dhe ndoshta edhe nga dëshirat seksuale jo të përmbushura. Ndoshta edhe nga LIGJI. Ndaj është e vështirë të parashikohet jo vetëm nga Fulloni dhe gruaja e tij gjykatëse, por edhe nga specialistë të jurisprudencës, politologjisë dhe psikologjisë bashkë.
Po sa e rëndë është një ngjarje e tillë për një familje, aq komike bëhet nga reagimet e personazheve kryesore duke filluar nga i biri trashaluq, që shkon e lutet për lirimin e të jatit në Kisha e Shna Ndoit në Laç, tek avokati i shquar Haxhia, që tha “Fullanin e arrestuan se është burrë i pashëm” dhe deri në qëndrimi prej “kokoshi serioz” i vetë Ad Fullonit. Nuk kam informacione, nëse e shoqja, gjykatësja Fullani ka shkuar nëpër fallxhesha, për të parë fatin e ardhëm të “këndezit të artë“ të saj.
-Lereni drejtësinë të bëjë punën e saj!- thonë ndërkombëtarët formulën e stërpërsëritur, që tashmë është bërë po aq qesharake sa edhe Zonja me Sy të lidhur dhe me peshore e shpatë në dorë.
Mediat anti-Fullan citojnë komentet e rrjeteve sociale, ndërsa ato pro-Fullon çirren për padrejtësi.
I shkreti ish-Guvernator besoj se rri në një kolltuk luksoz në dhomën e tij të ndenies, me byzylyk elektronik në këmbë dhe ndjek lajmet.

Me siguri i veshur me kostum…edhe pse i dhjerrë!

Monday 15 September 2014

IDEALET

Parmbrëmë, me shokun tim të fëmijërisë Benin, folëm për Enver Hoxhën, më gjatë se kemi folur gjatë gjithë viteve , që njihemi. Nuk ishim anti-Enver në vitet e adoleshencës dhe rinisë sonë, por flitej aq shumë në gazeta, radio e televizion, sa ishte si turp të bashkoheshe në atë lloj kori.
Këtë rradhë u morëm më shumë me futjen e tij enigmatike në një lëvizje të Majtë, të cilës nuk i përkiste dhe sidomos ngjitjen në majë të saj në një moshë 33 vjeçare, e cila pak a shumë përkon me atë të një mbi 40 vjeçari të sotëm. Ishim të sigurt, që udhëheqësi nuk kishte qënë kurrë idealist, por nuk arrijmë të kuptojmë pse pikërisht oportunisti nga Palortoja zgjodhi krahun e Ekstremit të Majtë, për të bërë karrierë shtetërore. A  ishin prirjet e tij disi të majta? A kishte aq shumë nuhatje, se pas vakuumit të pushtetit të krijuar nga argimi I Zogut, opsioni më I mirë për karrierë “diktatoriale” ishte Komunizmi?
Mu kujtua biseda me Benin dje, ndërsa lexoja një shkrim mbi “tradhëtinë“, që ju ishte bërë idealeve të Azem Hajdarit. Edhe pse rrethanat nuk kanë qënë krejtësisht të ngjashme, viti 1990 ashtu si viti 1941 ishte një vit, që krijonte mundësi për karrieristët, për të kërcyer nga një njeri krejt i zakontë, në një njeri të fuqishëm apo të plotfuqishëm. Sigurisht, rreth e rrotull Oportunistëve të ’41 dhe ’90 kishte shumë idealistë, por idealistët e periudhës së parë u vranë ose përfunduan burgjeve, ndërsa ata të periudhës së dytë, jetojnë në heshtje ose kur ju është krijuar mundësia kanë ikur në emigracion.
Po a kanë patur ideale Enver Hoxha, Sali Berisha, Azem Hajdari dhe Ed Rama?
Përgjigja ime e patundur është- JO
Ata kanë tundur flamujt e idealeve, sepse e dinin , që askush nuk do I ndiqte pas një “bajraku”- o burra të marrim pushtetin e ta përdorim për vete!”
I pari përdori idealin e Luftës kundër pushtuesve ndërsa të dytët idealin e Liri-Demokracisë.
Vërtet pasojat kanë qënë shumë të ndryshme. Lëvizja, që drejtoi oportunisti Hoxha solli instalimin e një Diktature të egër, ndërsa ajo, në të cilën u përfshinë të dytët, solli ndryshimin e një sistemi të egër e të kalbur. Por idealet dhe idealistët u tradhëtuan nga vetë njerëzit, që hynë me qëllime të errëta përfitimi në këto Lëvizje.
Dje, tre kolltukofagë shkuan të nderonin kujtimin e një kolltukofagu, të cilin e quajnë Hero të Demokracisë.
Më 29 Nëntor(apo edhe më parë), të tjerë kolltukofagë do nderojnë(në heshtje) njeriun më ambicioz dhe më të zi, që ka nxjerrë Shqipëria gjatë 200 viteve të fundit.

Eshtë njëlloj sikur të përmjerësh mbi IDEALET.

Saturday 13 September 2014

Artisti Vasi

Vasi është ose moshatar me mua ose një vit më i madh. E pata njohur kalimthi në vitet e adoleshencës, se ishte shok i disa shokëve të mij. Dija, që luante mirë në kitarë dhe kishte kompozuar një nga këngët më të bukura e më të vështira, që këndonim ato kohë. E quanim “kënga e Vasit”. Kishte edhe vargje të bukura dhe ndryshonte nga këngët, që sot të gjithë i quajnë “serenata”, por për mua janë këngë dashurie, që nuk mund të ngjiteshin nëpër skenat shqiptare për shkak të censurës. Nuk di nëse ka qënë rrjedhojë e dashurisë të tij më të madhe apo është para saj.
Më pas nuk dija se ç’bëhej Vasi, vetëm kisha dëgjuar, që shkonte që më 4 të mëngjesit në poçarinë ku punonte, bënte normën dhe më 6 të kthehej në shtëpi dhe mbante vajzat e tij të vogla, ndërsa e shoqja shkonte në punë. Ishte vërtet diçka e pazakontë.
Duhet të ketë qënë janari i vitit 1986, kur u njoha më mirë me aftësitë e tij prej artisti. Bashkë me kolegun tim Kliti Kallamata, punonim për Ekspozitën e Kulturës Popullore dh eveç restaurimit dhe krijimit të interiereve të Hanit të Manastirit, shkonim edhe të shihnim objektet që mund të paraqiteshin në Ekspozitë. Nga Ndërmarja e Prodhimeve të Ndryshme(jo Artistikja) na thanë të shihnim prodhimet e poçarisë të një mjeshtri të ri. Ishte Vasi, që punonte në një ambient të errët dhe gjithë lagështi. Punët e tij na befasuan edhe pse në filim Vasi kishte një lloj dyshimi, nëse do ekspozoheshin në emrin e tij, për shkak të biografisë, që e kishte lënë jo vetëm pa shkollën e duhur, por dhe i qëndronte mbi kokë për çdo gjë tjetër. Për fat të mirë kohët kishin filluar të ndryshonin dhe punëve të tij ju la i gjithë pavioni, të cilin e kishim menduar si pavion për ekspozita të përkohshme. Ishte pjesa më e bukur dhe më artistike e asaj Ekspozite –Muze. Punët e tij u ekspozuan edhe në Ekspozitën Kombëtare në Shkodër dhe Vasi u vlerësua me çmimin e parë. Duhet të përmend “mendjen e hapur” të miqve të mij Gjergji Cikopani dhe Petraq Marjani, që ishin drejtuesit e aktivitetit dhe përkrahën mjeshtrin e ri, deri atë kohë i lënë në hije.
Në vitet që vijuan, veprimtaria e tij prej skulptori mori hov falë talentit dhe vullnetit të tij të pakrahasueshëm. Jo vetëm në qeramikë, të cilën e njeh me themel, por edhe në gjini të tjera të skulpturës ai vazhdon të më befasojë mua dhe ndoshta edhe shumë të tjerë, që e njohin. Në një nga vizitat e fundit në Korçë, pashë kalimthi në ekspozitë të përbashkët të tij me piktorin e njohur Roland Karanxha. U binda, që është një skulptor i kompletuar edhe pse çdo gjë e ka mësuar vetë. Nuk di se sa lart do shkojë veprimtaria e tij artistike, që njeh vetëm ngjitje.

Krijimtari të mbarë miku im, artisti Vasi!

Friday 12 September 2014

Si hyjnë në luftë paqedashësit

Shumë dhjetëvjeçarë më parë tregonin për dy miq paqedashës, që pinin për ditë kafe ose raki në kafene dhe çuditeshin se si ziheshin të tjerët. Rrinin e bisedonin me njëri tjetrin dhe nuk ju a rrokte dot mendja se si të tjerët fillonin sherrin. Një ditë, pas disa breshëri pyetjesh që nuk gjenin përgjigje “Po si zihen bre?”, “Po hë o si zihen?”, “E po si ka mundësi që zihen?”, “Po hë bre si zihen?”, njëri prej tyre e humbi durimin dhe I tha tjetrit “Si të të pëlcasin!” dhe që atë çast filloi një sherr i madh me “të të pëlcasin e të të rrjedhin!”, e që përfundoi me karrige të thyera në kokën e njëri tjetrit.
Nuk kam dëgjuar nga njeri, që të thotë jam kundër paqes e megjithatë zënkat dhe luftrat midis nesh, njerëzve paqedashës nisin për hiçmosgjë deri sa vritemi e pritemi me të huajt dhe kur bëjmë paqe me ta i lëshohemi njëri tjetrit.
Mënyra më e lehtë për të filluar një sherr është t’i thuash tjetrit “unë jam më i mirë se ti!”. (Edhe një pjesë prej nesh , që thonë në FB “je yll”, “supermodele”, “çift i paarritshëm’, “dukeni si 18 vjeç”e bëjmë për hir të paqes se e dimë, ë po i thamë njëri tjetrit “bobo sa je plakur!”, “ç’të është skuqur hunda kështu?” apo “rrëzo ca qillo se je bërë si dysheçkë“ pëlcet sherri dhe mbase edhe ndonjë konfrontim fizik.)
Këtë gjë e di fare mirë gazeta “MAPO”, po në vend të luajë rolin që ka shtypi i përgjegjshëm në një shoqëri të përparuar, boton një intervistë, që na fut në sherr të gjithëve me vetveten dhe me shoshoqin. E them të gjithëve, se zor të gjesh sot në Shqipëri “toskë të pastër” apo “gegë të kulluar”. Le që të tillë nuk kanë ekzistuar kurrë në trojet ku rrinë shqiptarët, se njerëzit kanë lëvizur nga një qoshe në një qoshe tjetër, për t’ju shpëtuar taksave, për futje në hasmëri, për thatësirë të vazhdueshme në një zonë, për t’i shpëtuar një sundimtari të egër e për shumë arsye të tjera të mbijetesës në kohët e vështira të Mesjetës. Dihen lëvizjet e gegëve drejt bregdetit të Jonit pas rënies së Skënderbeut, flitet se një pjesë e mirë e fshatrave të Kolonjës janë krijuar nga tropojanë, disa fshatra të Oparit nga të ardhur nga Shpati i Elbasanit, fshatra të tjerë të Korçës me të ardhur nga Suli i Greqisë etj etj.
Për më tepër, gjatë shekullit që kaloi, kur u ndërtuan më shumë rrugë dhe ura, u shtuan martesat ndërmjet krahinave të ndryshme të Shqipërisë dhe brezat e sotëm janë plotësisht të përzjerë.
Por edhe sikur vërtet, në Shqipëri të ekzistojnë grupe shoqërore me cilësi të ndryshme dhe karakteristika të ndryshme, ç’dobi sjell t’i drejtohemi njëri tjetrit se “mali im është më i lartë“ apo se “unë nuk i heq këpucët kur hyj në shtëpinë e tjetrit”?
Këtë përgjigje gazetari -autor i intervistës të shumëfolur këto ditë jo vetëm nuk e jep, por ngul këmbë me kokëfortësi, se “e vërteta duhet thënë“.
Le të pranojmë për një çast, se është e vërtetë, që ne korçarët jemi më punëtorë se të tjerët dhe e respektojmë ligjin më mirë se të tjerët. Këtë jo vetëm që e marrim si të vërtetë absolute, por nuk vrasim shumë mendjen edhe të pyesim veten se si e kemi trashëguar këtë edukatë. I bëjmë bisht faktit, që kemi emigruar më shumë se të gjithë zonat e Shqipërisë dhe sidomos mësuam më mirë të punojmë pas emigrimeve masive në Amerikë. U deshën vetëm disa dekada mbylljeje dhe Korça të fillonte të humbiste cilësitë e fituara. E para i dha shenjat rënia kulturore. Kemi 40 vjet, që jemi në vendet e fundit në shitjen e librave dhe anëtarësimin në bibliotekë. Nuk kemi asnjë gazetë të saktë, veç një “paçavureje” të njëfarë Vehbi Furrxhiu.
E megjithatë, në vend të ndalemi në të metat tona e të mundohemi se si të bëhemi më të mirë, kënaqemi me “sume idiote” ndaj të tjerëve dhe fillojmë të bëjmë foto e t’i kërkojmë autografe Maks Velos.
Në rast se duam të jetojmë në paqe e të kemi begati, duhet të nisim e të kërkojmë nga vetja duke përdorur edhe një “mjet”, që përdoret në shoqëritë e zhvilluara- Autoironinë. Në atë mënyrë do repektojmë më mirë veten tonë dhe do na respektojnë më shumë të tjerët.
Në të kundërt do fillojmë të zihemi si provincialë të prapambetur deri sa më vonë të fillojmë e të kërkojmë strehim në organizatat e ekstremeve të djathta.

Dhe në vend të pyesim “pse luftojnë të tjerët?” do rrëmbejmë armët vetë.

Wednesday 10 September 2014

Idetë dhe Marrëzia e Madhështisë

Mbase nuk ka kufi të prerë mes Lindjes së Ideve të rëndësishm dhe asaj, që klinikisht quhet Marrëzia e Madhështisë. Për më tepër unë nuk kam ndonjë bagazh në studime psikologjike, që të mund të jap qoftë edhe një opinion modest në këtë fushë. E megjithatë e di, që po mos u dashurove pas një ideje, po mos e vure në qendër të veprimtarisë ditore dhe po mos presësh një rezultat marramendës prej saj nuk mund të kesh përkushtimin e nevojshëm, i cili është në bazën e e Realizimeve të Mëdha.
Këto po mendoja këto ditë, ndërsa lexoja shumë kalimthi disa nga diskutimet rreth një ideje për ndërtimin e një Memoriali tek Lëndina e Lotëve. Ka një pasion për të admiruar nga disa prej ideatorëve, për ta bërë atë pjesë të Korçës të paharrueshme, bile madhështore.
Sigurisht, që në diskutime të tilla nuk mungojnë skeptikët, të lëkundurit apo edhe ata , që kundërshtojnë për hir të të kundërshtuarit, ose se nuk kanë qënë vetë ideatorët e “Përjetësimit të Lëndinës”. Eshtë e natyrshme dhe ndodh në çdo lloj diskutimi publik jo vetëm në Korçë e Shqipëri, por në të gjithë botën.
Korçarët, tradicionalisht, janë karakterizuar nga sensi i masës, në ndërtimet qoftë individuale apo edhe publike. Ka qënë kjo gjë, që bëri , që në mesin e viteve ’30 të ishte qyteti më modern , por dhe më i këndshëm për të jetuar në Shqipëri. Ishin të rralla rastet kur njerëz të pasur donin të ndërtonin gjëra “të papame” për t’ja u kaluar të tjerëve. Kjo logjikë mbizotëroi edhe në ato pak monumente, të cilat u ndërtuan gjatë asaj periudhe. (Luftëtari Kombëtar mbetet monumenti më i mirë në Shqipëri edhe sot.)
Ndryshimi i kësaj logjike erdhi vetëm në dhjetëvjeçarin e fundit të Diktaturës dhe më flagrant ishte në kompleksin e shtatores së Enver Hoxhës.
Por duket, që “mikrobi” i gjërave të “paharrueshme”, “madhështore”, “misionit të brezit” e të tjera komplekse të tilla kanë mbetur tek ne. Harrojmë të bëjmë një raport të ekuilibruar të historisë, me karakterin e qytetit, me raportet njeri-hapësirë brenda tij e të tjera si këto.
Të dashuruarit pas idesë të Memorialit përdorin si argumenta në favor të tij rëndësinë e Emigrimit në Historinë e Korçës, dëshirën e emigrantëve për të gjetur vetveten, përgjegjësinë e brezit tonë para të Ardhmes, gjendjen ‘e mjeruar” të Lulishtes sot e deri në krahasimin me Memoriale si ai i arritjes së emigrantëve në Nju Jork. E gjitha kjo vjen nga një dashurim jo i shëndetshëm me një Ide.
Lëndina e Lotëve si është sot ka nevojën e një “rifreskimi”, për të ruajtur karakterin, që ka pasur kur është ndërtuar. Për fat të mirë, ata që e kanë ideuar në atë kohë, së bashku me autorin e Shatërvanit, i dhanë asaj qoshe të Korçës një fizionomi “jo dramatike”, e cila mund të ndodhte lehtë në atë kohë, kur sulmohej Emigracioni. Eshtë një qoshe e qetë dhe gjithë diell, ku njerëzit mund të çlodhen e të sodisin një vepër arti të arritur. Sigurisht, që shatërvani duhet restauruar e të kthehet në gjendjen e mëparshme. Përsa i përket komenteve rreth “llambushkave” e të tjera si këto, sot në botë teknikat e ndriçimit janë aq të arritura, sa krijohen edhe vepra arti vetëm me ndriçim artificial. Për ndërhyrje të këtij lloji ka nevojë vetë objekti dhe patjetër për një përmirësim të thellë të gjelbërimit përreth.
Për fatin tonë të mirë, mjeshtri Kristaq Papaargjiri ishte një artist që e donte të bukurën dhe nuk donte të bënte “zhurrmë“ me ato që gdhendte me duart e tij. Të tillë ishin edhe të mëdhenjtë Vangjush Mio dhe Kristo Sotiri. Një sens i tillë i duhet edhe artistëve të sotëm korçarë, për të ruajtur atë traditë të së bukurës, që flet madhërisht pa qënë “e marrë“.



Tuesday 9 September 2014

Pse nuk duhet prekur Lëndina e Lotëve

Ka disa javë, që disa njerëz me dëshirë mbase të mirë, kanë hapur një diskutim në FB rreth riformulimit të lulishtes së Lëndinës së Lotëve duke e kthyer në një lloj memoriali për Emigracionin. Nisma të tilla për qytetin nuk kanë asnjë të keqe. Qytetarët e Korçës e mendojnë hapësirën e qytetit, historinë e tij, zhvillimet shoqërore në një mënyrë të larmishme. Pikërisht nga këndvështrime të tilla dalin ide, që ose përqafohen nga të gjithë e duken të godituara, ose mbështeten nga autoritetet dhe mund të dalin edhe të arritura apo edhe dështake, si dhe ide, që nuk gjejnë përkrahje po mbeten ide.
Personalisht, gjithnjë kam menduar, që lulishtja e vogël me shatërvanin e saj, janë nga pjesët e qytetit ku ka pak vend për ndërhyrje të reja. Nuk më pëlqente një lloj ‘vakëfi” i ngritur këto kohë dhe që kishte bllokuar shkallët. Por nuk është vetëm kjo arsyeja, që mendoj se lulishtja me Shatërvanin në qendër duhet vetëm të restaurohen dhe të ndriçohen më mirë. Më poshtë po rradhit edhe disa arsye të tjera:
·         Vërtet që vendi i Lëndinës së Lotëve ka marrë atë emër aq poetik, në një kohë kur të rinjtë apo burrat ndaheshin nga familjet e tyre për të shkuar në një kurbet të largët si ata të Amerikës, Argjentinës apo Australisë, por nuk duhet të harrojmë, që theksimin e “kurbeti- kjo plagë e madhe” e bëri pikërisht Diktatura, e cila mbylli përfundimisht rrugët për bashkimin e familjeve korçare. Një theksim i kësaj ideje me skulptura , që përshkruajnë vuajtje apo dhimbje, është në kundërshtim me idenë e sotme të lëvizjes së lirë të njerëzve. Shatërvani i ngritur në mesin e viteve ’60 i shoqëruar me një pllakë e plotëson më së miri spjegimin e toponimit “Lëndina e Lotëve”.
·         Një tjetër arsye është, që shtërvani në vetvete është një nga arritjet më të mira në gur të traditës korçare. Eshtë ndoshta vepra më e mirë e mjeshtrit Kristaq Papaargjiri, i cili vazhdoi dhe përsosi traditën e gdhendjes në gur për të cilën Korça shquhet në Shqipëri dhe më gjerë.

·         Arsyeja e fundit është, që veç gjërave që stonojnë shumë, në një vendbanim nuk mund të veprohet me logjikën, që sot do ndryshojmë gjërat e bëra jo mirë dje. Eshtë një nga gabimet më të mëdha , që ndosh në arkitekturën botërore dhe për të cilën qytete vetë vendosin rregulla të forta. Logjika “të prishim për hir të së resë“ është në thelb e gabuar. Dhe as edhe një zgjidhje e ndërmjetme e bashkëjetesës së shatërvanit me “diçka të re” nuk mund të shkojë. Ajo “përmendore guri” neoklasike, është në harmoni me arkitekturën e Korçs të paraluftës dhe e përmbush edhe rolin përkujtimor të ndarjes së familjeve nga Kurbeti. Ai kënd i qetë dhe i paqtë në Korçë nuk ka nevojë për më tepër dramë.

Monday 8 September 2014

Fullani, Maks Velo dhe Grida Duma

Pushimin dyjavor nga shtypi shqiptar, ma prishi një kolegu im, i cili mes një bisede dje më përmendi, një intervistë të Maks Velos në “Ballkan”, ku flitej për Kullën e Korçës. Prisja, që Veloja, si anti-Pelesh prej 6 vjetësh, të ishte kundër Kullës dhe nuk u gabova. Ajo, që nuk prisja ishte pjesa tjetër e intervistës, e cila ishte e mbushur me anti-gegizmin dhe atni-islamizmin e Maks Velos. Nuk është hera e parë, kur arkitekti, që ka bërë vite në burg, shprehet pro Europës kristiane dhe kundër islamizmit, por intervista e djeshme e tejkalonte urrejtjen e një njeriu të sëmurë, ose e dikujt që do të jetë me çdo kusht në qendër të vëmendjes edhe pse për këtë të tjerët mund ta quajnë “ të lajthitur” ose dashakeqët mund t’i heqin edhe ndonjë dru.
Befasinë e intervistës së Maks Velos e tejkalonte shumë herë lajmi për arrestimin e Fullonit. Ky i fundit mu dhims më shumë se Maksi, se edhe pse ka të përbashkët me Velon dëshirën për të rënë në sy, mbase nuk e meriton arrestimin. Por si kam shkruar diku, Shqipëria edhe pse vendi im dhe të cilin e njoh më mirë, nuk mund të parashikohet. Institucionet atje nuk i nënshtrohen ligjeve të zakonshme të arsyes, por një amalgam lidhjesh, ndikimesh politke, veprimesh partizançe, interesash çasti e ku e di unë se çfarë. Tirana është më e komplikuar dhe më e çorientuar se koka e Maks Velos, që merret me politikë, letërsi, kritikë, arkitekturë, pikturë dhe antigegëri. (Këtë fjalën e fundit nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. Ose është dukuri, e cila nuk është njohur as para një shekulli, ose Zogu dhe sho Enver kanë arritur ta ç’rrënjosin nga bota shqiptare).
Për t’i vënë kapakun e artë çudisë sime të së djelës, diku ishte edhe një intervistë e Grida Dumës, e cila dukej se kishte shkuar me pushime të gjata prej ditës kur u vra bankieri Santo. Intervista ishte shumë e gjatë dhe unë u mjaftova me përgjigjen ala-Duma të pyetjes së parë, ku Grida shpjegonte ose nuk shpjegonte se pse opozita shqiptare po të shkojë në Parlament do jetë si “luani në kafaz”.
Shprehja “luani në kafaz”(e quajmë në shqip vendin e rrethuar me hekura ku mbajmë kafshët e egra kafaz apo e përkthen nga anglishtja Grida?)më bëri t’i lidh të tre. Dumën , Velon dhe Fullonin.
Maksi I gjorë, ndenji kohë të gjatë në “kafaz” dhe të një lloji të tmerrshëm si ai i Spaçit. Me flokët e tij të gjet[ të kujton ndonjëherë luanin edhe pse nuk ja njoh trimërinë. Ata, të cilët e knë njohur para burgut rrëfejnë , që ishte dikush , që donte me çdo kusht të binte në sy. Më shumë se luani, këtë gjë e bëjnë kafshët e bukura ose shumë shpendë.
Fullonin e shkretë sa e futën në kafaz dhe nuk besoj se do e mbajnë gjatë se nuk ka arsye as për tu arrestuar. Edhe Fulloni, më shumë se luan duket si e cilësonte poeti Agim Vinca, sin jë pallua.
Mbetet luanesha jashtë kafazit(mos e dhëntë I Sipërmi të hyjë) Grida Duma. Duma është një tjetër pallua pa mend, që ka një lloj ndikimi në opozitën e sotme dhe që paraqitet dhe e ëaraqesin si mentaliteti perëndimor në politkën shqiptare. Dikush, para disa muajsh më tregonte, se rama po bënte ç’ishte e mundur, të tërhiqte Grida Dumën në kampin e tij. Lexova diçka në një blog të saj dhe u tmerrova. Nuk thuhej asgjë dhe as dinte se ç’donte të theshte. Dhe kjo zonjë e bukur mund të jetë pas disa vitesh një minister kryesore apo edhe kryeministre në një Qeveri të Djathtë.
Ashtu si “i bukuri” Fullon, që drejtoi financat e vendit për 10 vjet.
Ashtu si “i pashmi” Velo, të cilit nuk i japin portofol ndaj detyrohet të shpërthejë me urrejtje ndaj gegëve, myslimanëve dhe gjithë njerëzve, mjaft të thonë disa që i rrinë pranë tavolinave “Ke shumë të drejtë Maks!”


Saturday 6 September 2014

Vetem ne Amerike (2)

(vijim)

Viti 1972 ishte viti i fundit i një “lirie” të rreme. Të rinjtë ishim më të gëzuar se kurrë, kishin filluar të visheshin e të rrinin si bashkëmoshatarët e tyre në Jugosllavi dhe Itali edhe pse nuk ishte e lehtë të gjeje veshje të ardhura nga jashtë. Ishte kohë lulëzimi për rrobaqepësit privatë, e sidomos për të të rinjtë, që kishin mësuar të qepnin sipas modës. Askush nuk i kushtonte vëmendje fushatës elektorale në Amerikë. Vera ishte e gjitha Lojrat olimpike të Mynihut, Finalet e Kampionatit Europian të Futbollit dhe dominimi i Ajaksit, si dhe plazh. Rizgjedhja e Riçard Niksonit ishte shumë larg. Njerëzit kishin filluar të shpresonin se do jetonin si në Jugosllavi, në paqe dhe pa problemet, që kishin vendet e tjera rrotull. Në Itali ishin “vitet e plumbit” me shumë bomba dhe vrasje nga ekstremistët e të dy krahëve. Në Greqi ishin ende në fuqi colonelët dhe pamjet e filmit “Zeta” na bënin të mendonim se kishte shumë terror shtetëror.
Niksoni u rikthye në qendër të komenteve, tashmë jo për Vietnamin dhe hapjen me Kinën por për skandalin e Uotergejtit. Ishte një cikël informacioni , që kujtoj më shumë se çdo gjë tjetër e vitit 1973 edhe pse nuk arrija mirë të kuptoja, se ç’ndodhte në hollësi dhe as rreth rolit të Uashington Post. Përsëri, babai çdo gjë e mësonte nga radioja italiane, të cilën e konsideronte më objektive se tv jugosllave. Ishte një skandal i padëgjuar dhe më e çuditshmja ishte, që Presidenti nuk kishte fuqi ta bllokonte skandalin. Në gusht të vitit 1974, kur Niksoni dha dorëheqjen ishim në plazh në Vlorë dhe e kujtoj vetëm si një lloj largimi me turp, por pa arritur të kuptoja karakterin e demokracisë amerikane, që ishte në gjendje të largonte nga posti më I lartë një politikan të zgjedhur me votë të lirë.

Kujtoj edhe një episode të verës së 1978, kur Niksoni gati i harruar më ngjalli sërish kureshtjen. Ishim në një turne në Sarandë dhe kur hanim mëngjes në Turizmi i Sarandës shikoja Javer Malon, që lexonte një libër të trashë blu të titulluar “Les memoires de Richard Nixon”. E kisha zili ish-ambasadorin fytyrëgjatë, që mund të lexonte një libër, ku rrëfeheshin shumë sekrete të botës së shekullit të XX-të. Disa vjet më vonë pashë “Të gjithë njerëzit e Presidentit” me Redford dhe Hoffman dhe arrita të kuptoja diçka më shumë nga forca e shtypit në Shoqërinë Amerikanë. Megjithatë, doja të dija më shumë rreth Presidentit më të mprehtë të pasluftës. Si ishte e mundur, që dy gazetarë të rinj të zellshëm, edhe pse të orientuar nga “grykëthelli” të arrinin të rrëzoning njeriun më të fuqishëm në vend?
(vijon)

Thursday 4 September 2014

Vetëm në Amerikë

Niksoni, ka qënë Presidenti, i cili më ka nxitur kureshtjen më shumë se çdo President tjetër amerikan. Ndoshta, sepse ishte figura kryesore politike në botën jashtë Shqipërisë, kur fillova të më tërhiqte politika. Më mirë duhet të them, që lajmet rreth asaj ç’ka ndodhte në botë, filloi të më interesonte po aq sa futbolli apo librat “e verdhë“. Në vitin 1968, kur Niksoni u zgjodh President i Amerikës, nuk dija shumë rreth ndarjes së politikës amerikane në dy partitë kryesore edhe pse babaj m’i përcillte thuajse të gjitha lajmet e rëndësishme, që dëgjonte nga RAI. Më shumë mësoja gjatë verës, sepse atëhere rrija pranë tim eti, kur ai dëgjonte lajmet e mëngjesit. Babai e fillonte ditën e punës më 9.00 për shkak të orarit të reduktuar si shkrimtar dhe unë nuk shkoja në shkollë. Lajmet e orës 8 ishin më të hollësishmet dhe lajmet e para të ditës. Në shtëpi nuk dëgjonim lajmet në Radio-Tirana, sepse babai i lexonte në zyrë, ndërsa ne të tjerët nuk kishim ndonjë interes të madh për to. Gazetat “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”, që përcillnin lajmet politike nuk na vinin, ndaj informacioni rreth ç’ka ndodhte në botë ishte nga RAI. Darkave unë nuk i kushtoja vëmendje “Radio Sera”, që ai dëgjonte, se ose isha jashtë duke luajtur ose kisha erdhur i lodhur dhe lexoja ndonjë libër, që më tërhiqte.
Vitin , që Niksoni zëvendësoi Xhonsonin, e kujtoj so vitin e Cekosllovakisë dhe vrasjes së Bob Kenedit. Vrasja e Kenedit nga ima atë u komentua si hap prapa në politikën amerikane. Kishte simpati për të vëllanë e vrarë dhe edhe pse nuk më tregonte shumë hollësi për Bobin, e cilësonte si humbje të madhe. Nuk kujtoj të shprehte tronditje, por në ato vite atentatet ndaj figurave politike nuk ishin një gjë e pazakontë.
Niksoni ishte për mua një figurë antipatike, që kishte përfituar nga vrasja e një të riu përparimtar dhe kishte zënë vendin e njeriut më të fuqishëm në botë. Kishte vetëm diçka , që më pëlqente tek ai. Hunda karakteristike, që e bënte të vizatohej lehtë si karikaturë. Në lapsin e Zef Bumçit, karikaturistit të “Hostenit”, të cilin e pëlqenja shumë, Niksoni ishte më qartë i dallueshëm se Xhonsoni. Nën ndikimin e Bumçit edhe unë kisha filluar të bëja karikaturat e para, të cilat sigurisht ishin karikatura karikaturash.
Gjatë katër vieve të para të presidencës së tij, nuk kujtoj ndonjë gjë të madhe rreth Niksonit. Vërtet emri I tij lakohej gjithë kohën rreth Luftës së Vietnamit, por dukej se lajmet në Italia i dominonte emri i Kisingerit me ecejaket e tij të vazhdueshme në gjithë botën.
Shkurti i vitit 1972 ishte pika kur figura e Niksonit m’u bë simpatike. Vizita e Niksonit në Kinë dhe trasmetimi i saj në televizionin jugosllav ishte nga ngjarjet më të papritura dhe më pozitive për ne. Dukej se në atë kohë të një lloj liberalizmi tek ne, gjithshka do shkonte mirë edhe në marëdhëniet me Amerikën. Vizitat e shqiptaro-amerikanëve në Korçë ishin shtuar dhe njerëzit kishin filluar të shpresonin në “hapjen e rrugëve”. Vetëm një oficer nga Skrapari, që jetonte mbi ne, një natë duke parë lajmet e Shkupit tek ne, tha , që edhe në organizatën bazë ju kishte thënë, “që hunda e Niksonit po ju hyn edhe këtu”. Ishte gjysëm i dehur.

Cifti Nikson, i veshur me pallto të kohës në atë dimër të Pekinit, dukej shumë modern dhe shpresëdhënës. Ende i kam në sy ato pamje bardhë e zi të transmetuara për javë të tëra nga tv jugosllav dhe të komentuara pozitivisht prej tyre. Ishte edhe një shpresë për mbylljen e luftës në Vietnam.
(vijon)

Wednesday 3 September 2014

I fundmi Spleen

SPLEEN

Kur qielli I rëndë si e plumbtë pllakë
Peshon shpresës së humbur nga e gjata mërzi,
Rrethi i horizontit të shtrëngon si lak
Dhe si të jetë natë ditën bën më zi;

Kur Toka shëmbëllen me një burg të lagësht
Ku Shpresa përplaset me krahët e drojtur
Si lakuriq nate mureve të ashpër
Dhe kokën e vret tavanit të ndohtur;

Kur bie pa rreshtur një shi me litarë
Që ngjajn’ si hekura të nj’qelie stërmadhe
Dhe rrjetat e qullta mbi trurin e vrarë
I nder shpejt e merimangave arradhe;

Këmbanat njëheri  gjëmojnë me furi
Lëshojnë drejt qiellit një ngjethëse britmë,
Sa të humburit shpirtra që sillen në ajri,
Dhe ata bëzajnë të gjat’ mërmërimë.

Dhe mbi një vig morti, pa bujë e fanfarë,
Ngadalë në lot, më le mua Shpresa,
I pamëshirshmi Ankth fuqinë ka marrë

Mbi kafkën lakuar nder perdet e zeza.

Tuesday 2 September 2014

Zhgjëndërr

Ne e pritëm diellin,
Pa kontrolluar parashikimin e kohës
Ishim të lumtur
Dhe i zënë s’kish si të ishte lëmshi i zjarrtë
Në një botë, që të ftonte për ta puthur
Kur gëzimi ndriste aq qartë.
Nën hapat mbi pllaka guri,
Që të buta ndjeheshin si retë,
I vjetri qytet shtrihej përgjumur,
Përreth nata,
                Një dinosaur i rremë,
                                Një kishë e bukur
Dhe gjithshka ç’shikonim e kishim vetë.
Ngadalë të përqafuar
Ndërsa perdja stërmadhe e asaj skene me dy aktorë
Nga e zezë u kthye në blu të errët,
Nuk bënim zë
Veç frymët dëgjonim,
Mbi sup të tuat flokë më rrrinin pjerrët.
Kori i natyrës në sfond mërmëriste
Gjithshka që ndjehej ishte jetë,
E errëta blu nuk kthehej e kaltër,
Dielli përtonte,
Mbase dhe i pëlqente,
Fshehur të sodiste e të na linte të qetë.