Wednesday 24 April 2024

A po i kërcënon Rama grekët me "Kalin e Trojës"?


Më 12 maj kryeministri shqiptar Rama do marrë pjesë në një takim masiv me emigrantët shqiptarë në Athinë. Në pamje të parë duket e natyrshme një takim i kryeministrit me bashkëatdhetarët në një qytet ku mund të ketë gati 200 mijë të tillë.

Ajo që e bën të çuditshëm dhe gati delirant këtë ngjarje është fakti se do mbahet saktësisht një vit pasi me urdhër të Ramës u arrestua Fredi Bejleri, gjë që solli acarimin e thellë te marëdhënieve midis dy qeverive.

 Pavarësisht nga teprimet e qeveritarëve grekë në ndërhyrjet për "çështjen Beleri" (përfshi këtu edhe kryeministrin Micotaqis), zgjedhja e një mitingu të tillë (mundësisht i një entusiazmi të paparë) në një datë të tillë është jo vetëm karshillëk dhe tregues i delirit të Ramës, por edhe një thellim i krizës shqiptaro-greke. Nuk ju sjell asnjë të mirë as emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Indirekt duket që Rama i thotë Micotaqisit, që unë do përdor "Kalin e Trojës" të mbushur me emigrantë shqiptarë për të të rrëzuar ty në zgjedhjet e ardhshme!

Provokimi është vërtet torollak dhe nuk ka asnjë të ngjarë t'i sjellë dobi dikujt, vec kënaqësisë prej egocentristi që do dëgjojë nga servilët e tij kur t'i thonë "Ca ja ke dhi n'mes të Athinës Micotaqisit! Po ja kalon edhe Odisese!" 

Emigrantët shqiptarë në Athinë dhe kudo në Greqi e njohin se kush është Rama dhe janë të pakënaqur nga gjendja e marëdhënieve të vendit amë me vendin ku jetojnë. Ata, më shumë se të gjithë janë të interesuar që marëdhëniet të jenë sa më të mira. Prej vitesh i shqetëson "dashuria" e madhe e Ramës për sulltan Erdoganin. Ata asnjëherë nuk kanë për t'i shërbyer delirantit Rama për të rrëzuar një qeveri greke që nuk i pëlqen kryeministrit shqiptar.


Thursday 11 April 2024

Të vjedhim çdo gjë, kudo dhe kurdoherë


Në fillimin e viteve '70, sektori i Komitetit Qendror që merrej me përpilimin e parrullave, sajoi si parrullë të rendit të ditës "Të kursejmë çdo gjë, kudo dhe kurdoherë". Parrulla përbënte politikën ekonomike të viteve '70, kur pas ftohjes me Kinën nga kupola dihej që burimet materiale dhe financiare do bëheshin gjithnjë e më të pakta dhe do fillohej racionimi në çdo gjë. Parrulla shënoi fillimin e rënies së sistemit socialisto-diktatorial, që do çonte në ndryshimin e sistemit 17-18 vjet më vonë.

Tashmë, sistemi i krijuar nga Nano-Berisha-Rama si parrullë për politikën ekonomike të vendit kanë krijuar parrullën që nuk thuhet hapur por nënkuptohet: "Të vjedhim çdo gjë, kudo dhe kurdoherë". I fundit i treshes krijuese, sipas teorisë materialiste të revolucionit permanent e ka ngritur aplikimin e parrullës në nivelin më monstruoz.

Por më e rrezikshme se sa mbushja e administratës me hajdutë nga Kryeministri dhe deri tek kryetarët e bashkive, është gjendja inerte e asaj pjese të shoqërisë e cila nuk vjedh. Eshtë e trembur, e demoralizuar apo e gjithë shoqëria është e mbushur me realistë, pragmatistë, indiferentë, çiqitëmistë, delenxhinj, mashtrues, oportunistë, peqelepistë dhe kategori të tjera të ngjashme sojsëzësh?

Ajo që të tremb është kur shikon se Kryetari i Bashkisë (hajduti Erion Veliaj) flet para nxënësve të shkëlqyer të një gjimnazi të Tiranës. Në mënyrë të ngjashme me kohën e Diktaturës, në vend që gjimnazistët të ngrihen e të reagojnë ndaj kryehajdutit, ata rrinë të heshtur dhe nuk arrin të kuptosh se ku nis frika dhe ku vazhdon pajtimi i të rinjve me modelin e "suksesshëm Rama-Veilaj".

Që të thuash se gjimnazistët e Tiranës nuk dinë se ç'ndodh në Tiranë dhe në Bashkinë e Tiranës është absurde. Atëhere shpirti rebel i adoleshentëve (gjë e njohur historikisht) ose është i fashitur ngafrika ose për ta është normale që të vjedhësh dhe më pas të mundohesh të mbulosh me deklarata vjedhjen.

Takimi i Erit me gjimnazistët, pavarësisht se bajat, mashtrues dhe i pështirë, është një sinjal pozitiv për Ramën dhe hajdutët e tjerë, se e kanë tashmë të qartë që nuk ka forcë në Shqipëri tani dhe në një të ardhme të afërt që t'i rrëzojnë.

Ndaj do vazhdojnë të vjedhin në çdo gjë.


Saturday 30 March 2024

Rrembimi (fund)


 (vijim)

...përshpejtuesi i grimcave...Nikël...lahutë...lumi i Droit...mallkim kozmik..."

Më pas heshtje e plotë. Nuk isha më i sigurt nëse e kisha dëgjuar apo menduar atë që u tha nga një zë baritoni. "Hamëndja është e qëlluar! Me një fjalë janë alienët. Po ku jam unë dhe ata që më kanë sjellë?"

"Mos u tut! Je në bazën tonë"- u dëgjua brenda tëmthave të mij përsësëri Zëri.

"Ku është kjo baza juaj?"- mendova. Dukej që Zëri i lexonte, shikonte, ose i dëgjonte mendimet e mija se menjëherë u përgjigj:

"Në pjesën e pasme të Hanës!"

"O paska patur të drejtë Fredi i Paçit!"

"Kush asht Fredi i Paçit?"

"Alfred Cako, një studiues shqiptar."

"Qëllimi jonë është shumë miqësor ndaj jush dhe gjithë Njerëzimit. Besoj se e di rrezikun që paraqesin armët bërthamore?!"

"E di po unë ç'hyj këtu?"

Pas gati një minutë heshtjeje të plotë, Zëri u dëgjua përsëri:

" Planeti juaj, që ju e quani Tokë, ka hyrë në një çast tejet delikat, që rrezikon një konflikt bërthamor në një kohë jo të largët. Ne po mundohena ta evitojm.!"

"Po rrëmbeni ata që kanë në dorë këto armë, unë as dhe një kobure nuk kam në shtëpi."

"Mos u ngut. Ju kemi përzgjedhur ju dhe disa subjekte nga kombe të tjera, se duam të studiojmë se si mund të reagojë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ndaj një provokimi bërthamor të Putin. Ndaj po krijojmë një profil të plotë psiko-motoriko-logjik të kandidatëve kryesorë prej të cilëve do dalë sivjet Sekretari i Përgjithshëm. Kryeministri shqiptar është njëri prej tyre."

"Po në 10 milion shqiptarë në botë mua më gjetët? Pse nuk rrëmbyet Saliun ku bën ecje në tarracë?"

"Ju jeni në një grupmoshe me të dhe për më tepër jetoni shumë i izoluar dhe nuk do binit në sy po të mungonit disa ditë."

"Kam disa ditë këtu?"

"Po të fusim edhe të sotmen keni plotësisht tre rrotullime të tokës rreth vetes. Po jemi gati në fund dhe shpejt do jeni në habitatin tuj."

Ndjeva që gjaku po qarkullonte në fundet e gjymtyrëve dhe shpresa se mund t'i shihja njerëzit përsëri po bëhej e vërtetë.

"Po ndonjë përmbledhje të studimit do më jepni në fund?"

"Mos u bëj rrot fare!" -u përgjigj Zëri dhe kjo ishte fjalia e fundit që dëgjova prej jashtëtokësorëve. Më pas gjithshka u errësua dhe nuk kuptova se sa kohë kaloi, kur u përmenda në rrugën e pjerrët ku kisha qënë me makinë. Makina nuk ishte. Duket e kishin hequr si të parkuar në një vend ku nuk lejohej dhe do të më duheshin diss ditë që ta gjeja. Por isha në një gjendje euforike, se më kishin shpënë deri prapa Hënës dhe më kishin risjellë. Mund ta ngjisja me vrap të përpjetën që më ndante nga shëpia. Ndoshta padashje kisha ndihur në parandalimin e mundshëm të një lufte Bërthamore. 

Wednesday 27 March 2024

Rrembimi (2)


 (vijim)

Cdo gjë ishte aq e njëtrajtëshme sepse ishte ndalur edhe zukatja. Nëse pat patur të tillë. Asnjë ndryshim sado i vogël i dritës, ajrit dhe temperaturës. Nuk ndjeja as të ftohtë as të ngrohtë. Gjithshka ishte e palëvizshme.

"Përse të më kenë sjellë këtu? Dy ditë pasi dola në pension, unë një emigrant i thjeshtë nga Europa Lindore, në një qytet të humbur të Kebekut? Shërbimet sekrete? Cilit shërbim mund t'i ketë rënë ndërmend, që të merret me një 65 vjeçar që sheh vetëm punën e tij, madje edhe se ç'punë sheh nuk e di as ai vetë. Jeta vërtet qënka plot të papritura dhe mua më ka pritur një e tillë, të ndodhem në një mjedis tërësisht të huaj, me 21 sfera të vogla në trup dhe me një  më të madhe në kokë. Ndoshta nuk do zgjasë shumë. Nuk dua të jetë një tmerr pafund...Fëmijët duhet të kenë filluar të më kërkojnë vazhdimisht në celular, ndonëse nuk di se sa kohë kaluar, që dhe ata t'i përfshijë paniku. Celulari duhet të jetë në makinë dhe makina ose ka mbetur në rrugën e pjerrët jo larg shtëpisë ose më kanë rrëmbyer me gjithë të. Nëse më zhdukin atëhere për ta do jetë një enigmë torturuese. Më mirë të më gjejn kështu, lakuriq dhe me gjithë këto rruzuj në trup se sa të mos le snjë shënjë. Do ketë gjithfarë teorish nga përfshirja në sekte të ndryshme djallore, dhe deri në eksperimentim me lojra të sofistikuara seksuale apo rrëmbim nga jashtëtokësorët. Do mbeten vetëm me pyetjen "pse?", por nuk do mendojnë se i braktisa pa u përshëndoshur. As avokati im, me gjithë zellin e pandalshëm nuk mund të bëjë gjë, se kjo që po ndodh është jashtë juridiksionit të tij."

Mendova të matja pulsin për të parë se si rridhte koha, por isha i ngujuar. Mund të lëvizja vetëm sytë. Më pas mendova të numuroj me mendje, por edhe atë nuk e bëra se kisha frikë se do më zinte gjumi. Ndosha ai i Madhi. Të mos më kaplonte gjumi dhe të ndjeja që qënia ishte vërtet e gjallë dhe funksiononte thuajse normalisht menova të bëja diçka tepër të njohur për ata që ushtrojnë Joga ose Zen. Të merrja frymë sa më thellë dhe të mundohesha të ndiqja lëvizjen e ajrit brenda mushkërive dhe deri sa oksigjeni të arrinte në rrjetin e qarkullimit të gjakut. Provova, por nuk arrija dot. Trupi nuk komandonte dot një frymëmarrje të thellë ose nuk kishte të nevojshme diçka të tillë. Nuk mund të gjeja se në ç'lloj gjendjeje më kishin vendosur. Nuk kisha nevojë as për ajër dhe as për ujë e megjithatë nuk ndjeja as dhimbje as lodhje dhe asnjë lloj nevoje tjetër njerëzore. "Do më kenë vendosiur në gjendje pezull" - mendova pa e ditur as vetë se ç'lloj gjendjeje mund të ishte kjo. Ndoshta mungesë e forcës së tërheqjes së gjithësishme,

"Nuk është e mundur që kjo kupolë të mos ketë një vend nga hyet ose dilet!. Nuk besoj se teknologjia ka arritur të kthejë një qënie të plotë në miriada atomesh dhe pasi ta kalojë përmes një membrane sferike, në hapësirat mes atomeve dhe më pas të më kenë rimbledhur saktësisht dhe të më kenë vendosur mbi një podium. Duhet të jetë diçka jashtëzakonisht e avancuar ose mbetet të më kenë rrëmbyer jashtëtokësorët."

"Hamendja është e qëlluar!"- dëgjova një zë baritoni brenda kokës sime, që fliste një shqipe pakëz në dialekt mbiShkumbinor.

U meka. Nuk isha më në gjendje të mendoja. Në tru më kalonin vetëtimthi mijëra fjalë, por pa lidhje me njëra tjetrën. "...hakmarrje...mutacion...nanoteknologji...dru me pre...Covid...Inteligjencë Artificiale...doni pish?...shpejtësi e dytë kozmike..."hani i dy Robertëve"...acidi ribonukleik...vallja e shpatave...katran...LSD...

(vijon)


Monday 25 March 2024

Rrëmbimi


Drita ishte verbuese dhe nuk di se si arrita të mbaja timonin për të mos dalë nga rruga. Ndoshta nga që motorri dhe çdo gjë tjetër ishte fikur në çast. Sa kishte kaluar mesnata dhe ndodhesha në një të tatëpjetë jo larg shtëpisë. Në një natë pus të zezë, i rrethuar nga bredha të errët që ende mbanin borë degëve.

Më pas nuk ndjeva asgjë. Më shumë se një humbje ndjenjash e zakonshme apo dhe një vertigo, ajo ishte një ndalim i plotë i shqisave, por ende isha në gjendje të mendoja. Isha thjesht mendim. Pa asnjë qasje ndaj realitetit, nëse vërtet ende kishte një të tillë. "Kjo do jetë vdekja...trupi vdes dhe idetë rrojnë përgjithnjë. Pak a shumë si tek Platoni apo edhe në propagandën komuniste, kur ideali ishte i përjetshëm. Nuk di sa kohë mund të arrij të duroj kështu vetëm si mendim. Apo koha jashtë realitetit nuk ekziston se është e pakuptim. Por duhet një farë kohe, qoftë edhe nanosekonda për të menduar?"

Mendova sikur të mundja të mos mendoja fare, se po bëhej një gjendje torturuese. "Po si mund të torturohesh qoftë edhe psikologjikisht nëse nuk ka realitet, nuk ka inde njerëzore, nuk ka luhatje të tensionit apo shtim të rrahjeve të zemrës? Dhe si mund të ketë gjendje nëse realiteti mungon?!" Nuk pata arritur deri në përpjekja e vërtetë për të ndalur mendimin, se nga brenda kapakëve të syve po shquaja dritë. Jo si ajo e tunelit , që përgjithësisht tregojnë ata që kanë pasur Përvojë Pranë Vdekjes. Ishte një dritë në një tonalitet të së blertës, që nuk kuptohej  nëse vinte nga një burim i vetëm apo rridhte nga e gjithë sipërfaqja e sferës ku ndodhesha. Ndodhesha brenda një sfere. Ose nën një kupolë ndoshta 15-20 metërshe. Iasha i shtrirë mbi një podium horizontal dhe nuk dalloja dot se sa lart nga baza e sferës apo e kupolës isha. Krejtësisht i mpirë po pa ndjerë atë ndjenjën gati gudulisëse që provojmë kur na mpihen gjymtyrët ose ndponjë pjesë tjetër e trupit.

"Jam gjallë ose në ëndërr, por pak më ndryshe se më parë kur nuk shihja dot. Ndoshta do më kthehet edhe prekja, dëgjimi dhe më vonë dhe nuhatja me shijen. Po ç'ndodhi me makinën? Atje isha kur u përfshiva nga ajo masë drite verbuese."

Mu duk se po më kthehej dëgjimi. Ishte thjesht një zukatje e lehtë, pafundësisht e lehtë, sa nuk isha i sigurt nëse vinte nga sfera apo ishte vetëm brenda kafkës sime. Pastaj pushoi. Ende nuk munda të kuptoja nëse pat qënë një zukatje e vërtetë. Më vonë zukatja u përsërit. Më pas pushoi për të rifilluar.

"Dikush duhet të më ketë sjellë këtu. Eshtë e pamundur të jetë ëndërr. Gjatë gjithë jetës asnjëherë nuk kam ëndërruar diçka të ngjashme edhe pse kam përjetuar transformime të çuditshme...Të jem rrëmbyer nga qënie jashtëtokësore? Unë asnjëherë nuk i kam besuar historitë me alienë dhe rrëmbime njerëzish."

Po më kthehej ndjenja e prekjes. Edhe shikimi po më përmirësohej. Ndonëse nuk e ngrija dot kokën dallova se në majat e gishtave të këmbëve më kishin vënë nga një sferë të vogël me një ngjyrë metalike në çdonjërin prej tyre. Diçka të ngjashme duhet të kisha edhe në majat e gishtërinjve të dorës, sepse i ndjeja si të larguar prej njëri tjetrit. Diçka ndjenja përreth kokës dhe në pjesën e turpshme në fund të barkut.

 "Dikush ose disa dikushë po eksperimentojnë me mua!" Atë çast ndjeva frikë dhe kuptova se qënia po kthehej e gjitha sikundër pat qënë më parë. Me dyshimet, trembjet, lektisjet, hamendjet, marritë, etjet për gjërat tokësore dhe mbi të gjitha kureshjten. "Ky është vetëm fillimi!"-mendova.  


(vijon)  




 

Saturday 23 March 2024

Ne, qëndra e botës!


Unë nuk jam shqiptaromadh.

Por edhe shqiptarovogël nuk dua të jem sepse jo vetëm mendoj dhe flas shqip, por se me atë pjesë të voël të rruzullit me lidhin shumë më shumë gjëra se më lidhin me pjesët e tjera. Po të zesh të numurosh njerëzit, çastet, ngjarjet bëhet një shkrim i gjatë dhe i mërzitshëm jo vetëm për ata që e lexojnë, por edhe për mua që e shkruaj.

Nuk jam as krenar dhe as i turpëruar që jam shqiptar. Ndjenja e krenarisë më ka kaluar që në kohën e "trushpëlarjes së madhe", kur na dukej se ishim shumë me fat që kishim lindur në Shqipërinë "fanar ndriçues." Por gjithashtu duhet të shtoj se më vjen mirë, kur gjuha jonë quhet nga më të vjetrat e njerëzimit. Ndoshtaasgjë nuk do ndryshonte edhe po të ishte ndër më të rejat, por ja që të vjen si mirë kur mendon që genet shqiptare shkojnë deri thellë kohëve të errëta të Fillimit. Kjo lloj ndjenje më bën që të hyj në grackën e ngazëllimit , kur dëgjoj se jo vetëm gjuhën e kemi më të vjetrën dhe jemi autoktonë, por se ne jemi pikërisht në rrënjët e qytetërimit.

Rreth 20 vite më parë isha më dyshues për këtë. Hyja herë herë në një Forum shqiptar, ku pjesëmarrësit më të shumtë ishin studentë shqiptarë në botë. Doja të dëgjoja idetë e reja të të rinjve të mençur. Atje hasa me këtë ngazëllimin patriotik, që ne na i kanë përvetësuar të tjerët shumë ngjarje, figura historike dhe arritje kulturore. Dhe nuk bëhej fjalë për të njohurit Piro i Epirit, Aleksandri i Madh apo Qyprillinjtë. Thuajse e gjithë kultura para Greqisë së Lashtë dhe gjatë saj ka qënë e jona, Ose më saktë duhet thënë pellasge, pellasgo-ilire dhe si rrjedhim e jona sepse jemi trashëgimtarët e drejtpërdrejtë. Edhe lufta e Trojës sipas disa shqiptaromëdhenjve kishte qënë luftë mes fisesh pellasge, dhe më vonë  i gjithë eposi u kopjua nga grekët. E përmenda më lart që isha dyshues se aq dija. Por kishte të tjerë më cinikë se unë. Për shembull një shqiptarovogël këtyre pretendimeve ju përgjigj me një bejte të gjatë, nga e cila unë kujtoj vetëm vargjet:

Shqipëtar ishte Akili

Dhe Agamemnon rezili,

Si Paridi dhe Enea

Dhe Helena gjyvendeja...

Asokohe mbeta i dyzuar nëse kishin të drejtë shqiptaromëdhenjtë apo shqiptarovegjëlit. Para disa javësh u binda që kishin të drejtë të parët. Një historian dhe shkrimtar i joni kishte botuar librin, që pak a shumë titullohej "Troja ishte në Shkodër". Ai kishte vërtetuar pas analizës së thellë të Iliadës, toponimeve, Googlemap dhe të dhënave të tjera historike, Mbretëria e Priamit paska qënë në Kalanë e Rozafatit dhe përreth.

U indinjova me grekët e vjetër më shumë se sa jam indinjuar me këta të rinjtë, për ndërhyrjet që bëjnë për "çështjen Bejleri". Kanë mijëra vjet që na plaçkitin!

Por e vërteta vonon, por nuk mënon.

Nëse do ketë edhe studime të tjera të tilla. atëhere e gjithë historia botërore (që është kryesisht europiane) duhet rishkruar.

Për të na dhënë ne vendin që na takon.

Atë të qëndrës së botës!


Thursday 21 March 2024

Edhe Sazanin o?!


Ka një diskutim të nxehtë në Shqipëri (dhe jo vetëm) rreth projektit Rama-Kushner për të kthyer Sazanin në një qëndër turistike me pesë yje. Kundërshtarët e perhershëm të Ramës e quajnë duke bërtitur si një falje të tokës shqiptare për të zgjatur qëndrimin e tij në krye të vendit, në një kohë që duket se Trump do fitojë zgjedhjet në Amerikë. Pra favori i madh që po i bën kryeministri dhëndërit të ish-Presidentit do shpërblehet me mbështetje për të nga administrata amerikane e ardhshme. 

Deri këtu nuk ka ndonjë ekzagjerim. Eshtë i qartë qëllimi i Ramës. Puna është që kundërshtarët e Ramës fshehin një ëndërr që kanë pasur deri tashmë. Atë të mundësisë se Trump do mbështeste Berishën dhe do bënte të mundur rrëzimin e Ramës. Tani duket sikur të zhgënjyer thonë: "Oh e bëri për vete edhe "the Donald"!"

Nëse e gjykon me më pak pasion këtë çështje duhet t'ju japësh përgjigje disa pyetjeve.

A duhej zhvilluar Sazani?

Besoj se përgjigja e menjëhershme duhet të jetë "Po" dhe mbas saj lind pyetja: Kujt i duhet lënë në dorë?Mendoj se Kushner është ku e ku më serioz se AlAbari apo të tjerë investitorë të tjerë të dyshimtë vendas e të huaj. Një kompleks i madh i ndërtuar prej tij mund të tërheqë më shumë turizëm të pasurish në Shqipëri.

Pyetja të cilës ne i trembemi dhe që del e qartë edhe këtë herë është - A jemi ne një shoqëri që mund të ndërtojë një sistem liberalo-demokratik? Jo ne nuk jemi gati dhe nuk mund të jemi edhe pas 20 vitesh. Ndaj është krijuar ky sistem autokratik, i ngjashëm me atë të shumë vendeve ish-komuniste dhe veçanërisht vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik. Në të gjitha këto vende që drejtohen nga autokratë të korruptuar ndodhin këto afera të tipit "quid pro quo" (më jep të të jap). Ndodh me britanikët në Kazakistan, ka ndodhur me amerikanët në Ukrainë dhe dhjetra e dhjetra shembuj të tjerë. 

Nëse duam të krijojmë një shoqëri perëndimore me institucione dhe më pak korrupsion, këtë nuk duhet ta presim nga SHBA dhe BE dhe aq më pak nga politikanët tanë. Duhet një vetëedukim demokratik, solidarizim dhe pjesëmarrje në politikë.

Afera e Sazanit është ku e ku më pak e dëmshme për Shqipërinë dhe taksapaguesit se sa ato të inceneratorëve, sterilizimit apo abuzimeve me ndërtimin e rrugëve. Rama deri diku po e jep "me dhimbje" Sazanin se e ka apsur ndërmend ta jepte diku ku mund të fitonte për xhepin e tij 100 milion dollarë. Tani po e jep vetëm për një mbështetje potenciale politike.

 

Friday 8 March 2024

Princi me "tru Zogu"


E kemi më në fund edhe ne një "skandal mbretëror". Për të mos mbetur pas europianëve të zhvilluar si Britania e Madhe, Belgjika, Monakoja, Spanja dhe të tjerë, që kanë pasur jo pak skandale të familjeve mbretërore.

Si çdo gjë e jona, edhe ky skandal i familjes gjakblu, ka pak klas. Sepse pak klas ka pasur gjithnjë mbretëria jonë e sajuar e Lalë Krosëve dhe princeshave Sanije dhe Myzejen. Ngjan më shumë me një sherr banal të dy të divorcuarve (apo në proces divorci) në një lagje të varfër të Tiranës. Nga fyerjet, agresiviteti dhe kërcënimet për gjyq apo për demaskim të diplomave të falsifikuara të princit. Kjo dëshmon edhe njëherë se njerzit nuk mund të jenë të ndarë në"blugjaksa" apo "redgjaksa". Janë ndarje anakronike të cilat domosdoshmërisht duhet të shkojnë drejt zhdukjes. 

Edhe pse videoja më la një shije të keqe (do doja të mos e kisha parë), hodha këto rrjeshta i nxitur nga diskutimet në media që i qanin hallin pjesëtarëve në sherr dhe fajësonin policinë dhe mediat që i kishin bërë publike. Kishte dhe nga ata analistë që fajësonin një pjesë të shoqërisë shqiptare se "gëzohet për fatkeqësitë e të tjerëve".

Këtu ze fill përcaktimi se në vendin tonë institucionet nuk sillen si institucione.

Dhe kjo nis me institucionin mbretëror, që përfaqësohet nga princi Leka. 

Kujt i shërben filmimi nga ai vetë apo nga një shoqërues i tij, i sjelljes agresive të ish-bashkëshortes pasi është konfliktuar me të atin e saj? Eshtë kjo sjellje e njeriut që sipas protokollit qeveritar renditet menjëherë pas Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Parlamentit? A nuk ka përreth ky princ, avokatë dhe këshilltarë , që pasi janë ftohur gjakrat t'i sugjerojnë se videot në Shqipëri bëhen publike dhe do dëmtojë edhe veten edhe fëmijën e tij?

Nuk më çudit fakti që policia apo prokuria nuk e mbajti të fshehtë këtë provë që ju pat dorëzuar Princi. NëShqipëri gjithshka shitet dhe blihet dhe gjithshka konsiderohet si një mjet "për të bo noi lek!". Organet e rendit bëjnë ku e ku shkelje më të rënda se sa kjo e "skandalit mbretëror". Ndërsa mediat jo vetëm nuk duhet tëbëhen me faj, por e kanë për detyrë të informojnë publikun për çështjet që lidhen me persona publikë apo institucione publike.

Ne na duhet të dimë se ç'lloj Presidenti kemi, ç'lloj Kryeministri kemi dhe ç'lloj Princi kemi. 

Me sa duket ky i joniështë një Princ me "tru Zogu".

 

Thursday 29 February 2024

Hipokrizia e "ortodoksit" Putin


Në një intervistë të gjatë dhënë gazetarit amerikan Karlson Takër, autokrati rus Vollodja Putin dëshmoi se jo vetëm është proluftës deri në plotësimin e kushteve të tij, porse këtë e bën i sigurt,  nën justifikimin se i janë prekur interesat kombëtare ruse dhe si fuqi e madhe botërore do i mbrojë këto interesa me çdo lloj çmimi. Gjatë gjithë intervistës, me një të qeshur dinake të një gangsteri që do të tregohet i fortë, Putin jo vetëm gënjeu për shumicën dërmuese të fakteve historike, por nuk dëshmoi asnjë lloj shqetësimi që mijra rusë dhe vëllezër të tyre ukrainas po vriten në një konflikt të armatosur të nisur prej tij.

Këtu me të drejtë në fund të intervistës. gazetari amerikan e pyeti se si përputhet qëndrimi i tij proluftës me ideologjinë e tij të të krishterit ortodoks. Më parë, Putin kishte deklaruar se ai vetë dhe populli rus jo vetëm që janë të interesuar të mbrojnë botën e popujve ortodoksë, por edhe se kjo botë ka një thellësi të madhe shpirtërore nëse krahasohet me cinizmin dhe pragmatizmin e botës perëndimore. Për ta ilustruar përmendi edhe Dostojevskin dhe kredon e filozofisë së tij, por asnjëherë nuk ju përgjigj pyetjes së gazetarit lidhur me parimin e Krishtit "për të kthyer faqen tjetër".

Ka një ngjashmëri të madhe të hipokrizisë të mafiozëve italianë në Itali dhe Amerikë me Vollodjan rus. Të parët ndjekin me përpikmëri ritet katolike, ndihmojnë kishën dhe organizatat e lidhura me të edhe pse ditën dhe natën vjedhin, korruptojnë dhe gjithashtu vrasin. Por nëse të parët i përkasin "botës së nëndheshme" dhe kanë një ndikim minor në ngjarjet botërore dhe jetën e njerëzve në shoqëritë e tyre, gangsteri "ortodoks" rus jo vetëm që drejton një nga vendet me pasuritë më të mëdha në botë, por ka nën kontrollin e tij edhe një arsenal jo të vogël të armëve botërore. Një njeri i brymosur me materializmin dialektik se ekonomia është vendimtare në çdo lloj zhvillimi historik, e përdor "petkun ideologjik fetar" vetëm për të pasur një mbështetje më të gjërë në popull. Veprimet e tij gjatë 25 viteve që drejton Rusinë janë në kundërshtim të plotë me parimet bazë të fesë së krishterë në përgjithësi dhe të ortodoksisë në veçanti. Putin vjedh, vret dhe jep vazhdimisht dëshmi të rreme.

Edhe pse duhet thënë që nuk është politikani apo udhëheqësi i parë gjatë dymijë viteve të krishtërimit, që e bën këtë gjë, Putin bëhet më i rrezikshëm se të tjerët jo vetëm se është bashkëkohës, por edhe për rrezikun e provokimit të një lufte bërthamore.

Në fillimet e kësaj lufte kam shkruar se më vjen keq për të dy palët e të rinjve që vriten , si ata ukrainas, por edhe ata rusë. Më duhet gjithashtu të theksoj se popullit rus po i vihet një njollë e madhe me mbajtjen në fuqi të këtij gangsteri, që nuk ndalet para asgjëje.


Sunday 18 February 2024

Eshtë i joni "bir bushtre"


Kjo javë ka qënë ndër më të mirat për Edi Ramën, pasi zyrtarisht ka patur dy deklarata që e cilësojnë "udhëheqës të shkëlqyer". Njëra nga Sekretari amerikan i Shtetit Blinken dhe tjetra nga ish-kryeministri anglez Toni Bler.

Pa dashur të minimizojmë rëndësinë e deklaratave (ve]anërisht të asaj të Blinken), duhet të përmendim relativitetin e tyre. Përcaktime të tilla janë të përhershme vetëm në funeralet e udhëheqësve, ndërsa kur ata janë gjallë janë thjesht të përkohshme dhe koniukturale. Nuk mund të jesh një udhëheqës i shkëlqyer kur nuk perceptohesh si i tillë nga shumica dërmuese e shoqërisë. Nëse më shumë se gjysma e shqiptarëve e konsiderojnë Ramën të korruptuar dhe autokrat, atëhere e vërteta e deklaratave politikanëve të huaj është "he is our son of the bitch!"

A është për shoqërinë shqiptare më mirë të ketë një autokrat me mbështetje të plotë nga amerikanët se sa një politikan liberal të pakorruptuar, por që nuk ndjek symbyllaz kërkesat e amerikanëve?

Eshtë një pyetje krejt hipotetike, se një lloj politikan i tillë me mbështetje në popull ende nuk ekziston në Shqipëri. Njëkohësisht nuk duhet të presim që amerikanët të krijojnë një "klimë" të tillë në shoqërinë shqiptare, që të nxjerrë një ose më shumë politikanë të këtij lloji. Për një vend me popullsi të barabartë sa të një metropoli, për interesat amerikane zgjedhja më oportune është të jetë në krye të vendit një drejtues që nuk ju kundërvihet interesave të tyre gjeopolitike dhe ju shërben menjëherë sa ju dalin probleme si të opozitës së Iranit, strehimit të afganëve apo asgjesimit të armëve kimike. Rama e ka pasur intuitën, që jetëgjatësia e tij në politikë është katërcipërisht e varur nga  marëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë. Ai ka për të mbajtur të njëjtin qëndrim edhe në rast të ndërrimit tëadministratës amerikane në vitin e ardhshëm. 

A i ka sjellë kjo një dobi të madhe Shqipërisë?

Nuk duket e tillë sepse investimet amerikane në Shqipëri janë ende shumë të pakta dhe shqiptarët vazhdojnë të kenë sytë e tyre drejt emigrimit në Angli, Gjermani apo vende të tjera të zhvilluara. Ky është treguesi i vërtetë nëse një "udhëheqës është i shkëlqyer" apo një "kryeministër shumë i mirë".

Por duhet pranuar që Rama ka "lundruar" më së mirë në qarqet e politikës ndërkombëtare, sepse ka krijuar shumë miq personalë në nivelet e larta politike prej Amerikës deri tek Italia. Ka treguar "kopilllikun" e nje "biri të vërtetë bushtre", gjë që e konsolidon edhe për 8 vite të tjera në krye të vendit. Eshtë një arritjejo e vogël për një njeri që 25 vite më parë nuk i përkiste asnjë partie politike shqiptare.


Monday 12 February 2024

Trump tremb Mbrojtjen Peleshi


Dje Trump ka deklaruar se do nxisë armiqtë e vendeve anëtare të NATO-s, që të sulmojnë ushtarakisht ato vende, që nuk shpenzojnë 2% të Prodhimit të Përgjitshëm Bruto përqëllime ushtarake! 

Eshtë një lloj kërcënimi si ai i bankave që po nuk pagove rregullisht kredinë të marrin shtëpinë, ose si ai i mafiozëve, që po nuk pagove "picon" do lenë të tjerët të të djegin dyqanin.

Trump vazhdon të mbetet sa qesharak aq edhe i rrezikshëm dhe sigurisht që ka trmbur (intimiduar-thuhet në kryeqytet) klanin e Rilindjes. Me të drejtë, se jemi nëvendet e rajonit që paguajmë më pak për mbrojtjen. Ndjekim atë që quhet "doktrina Peleshi", që në vija të trasha është "pronat e ushtrisë duhen privatizuar se ne na mbron NATO-ja". Sigurisht këtë Peleshi nuk e ka nxjerrë nga mendja e tij, se për çdo gjë vendos kryeministri Rama, i cili çuditërisht (ose jo) nuk e rrit buxhetin ushtarak. Dhe jo se e pengon kush, por se rritja nënkupton të blesh më shumë aeroplanë dhe tanke. Dhe këto mjete të shtrenjta duhen blerë në Amerikë, Gjermani dhe Francë ku nuk bën dot nga ato pazaret "ky helikopter vlen 50 milion, po shënojeni në karta për 70 dhe 20 m'i transferoni në llogarinë e kompanisë guackë në ishujt Kaiman!"

Pra Ramës ose do i duhet të heqë dorë nga "doktrina Peleshi" dhe të rrisë shpenzimet nga buxheti i shtetit (atë që e quan xhepin e tij), ose të bëjë të mundur që Trump të mos zgjidhet President i SHBA. Ndoshta mes të dyjave do zgjedhë atë të dërgimit të emisarëve në shtetet amerikane të banuara nga shqiptarët, për t'i bindur që të votojnë për Xho Gafën. I vetmi problem është se 90% e shqiptarëve të Amerikës votojnë për Trump se pëlqejnë politikën e tij rreth emigracionit, sepse sipas tyre-"Obama dhe Xhoja e patën bërë fare baltë në këtë drejtim".

E megjithatë nuk duhet të demoralizohemi se ka edhe një shpresë, që Rama të emërohet si Sekretar i Përgjithshëmi NATO-s (bazuar në informacionet e brendëshme, që ka pasur Nikollë Lesi) dhe mbrojtja e Shqipërisë të jetë e garantuar. Ndoshta edhe vizita e Blinken në Tiranë e ka këtë një nga qëllimet e saj.

Wednesday 31 January 2024

Kush e vrau Sorgen?


Në fundin e viteve '60, në kinematë shqiptare u shfaq filmi "Cili jeni ju zoti Sorge?". Ishte nga ata filma, të cilët i quanim me shaka "franko-italo-gjermanoperëndimor", sepse duke qënë fëmijë dhe pa njohuri rreth prodhimit të filmave në ekonominë e tregut, na dukej e çuditshme, që një film mos i përkiste një kombi të vetëm.

Dy seritë e "Sorges"u ndoqën me shumë interes në Shqipëri në një kohë, që filmat e huaj nuk ishin të shumtë dhe për më tepër kishte edhe një lloj ndalimi të filmave sovjetikë duke përjashtuar filmat e tipit "Capajev" apo "Aleksandër Matrazov".

Titulli i filmit ishte vërtet kuptimplotë për publikun shqiptar, i cili nuk kishte idenë se kush ishte në të vërtetë Riçard Sorge. Ne nuk dinim që edhe vetë sovjetikët vetëm para disa vitesh kishin pranuar që Sorge kishte qënë agjent sovjetik para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vetë filmi perëndimor ishte realizuar para se sovjetikët ta pranonin një gjë të tillë dhe përpara se të realizohej filmi, gjermanët e perëndimit e kishin cilësuar si një patriot, që kishte dhënë kontribut të madh në përmbysjen e ngjarjeve të Luftës së Dytë në dobi të Aleatëve.

Po a e vranë japonezët agjentin, që është cilësuar si Xhejms Bond i sovietikëve?

Teknikisht po. E megjithatë, ata që e vranë në të vërtetë ishin vetë sovjetikët e Stalinit. Japonezët disa herë patën kërkuar ta këmbenin me agjentë të tyre të kapur nga rusët dhe përgjigja e Stalinit pat qënë "Nuk e njohim!"

Rasti i Sorges është tipik i fatit të njerëzve me integritet dhe dinjitet tek regjimet totalitare. Në bazë të fakteve të gjetura në arkivat e kohës, sovjetikët kishin pasur në plan edhe ta likuidonin vetë, për shkak të "mosbindjes" së tij ndaj direktivave të qendrës. Sistemi që propagandonte sloganin "Njeriu- kapitali më i çmuar", nuk e kishte për gjë të ekzekutonte heronjtë që i kishin shërbyer vetëm e vetëm  se nuk ishin konformistë dhe nga paranoja se një ditë mund t'ju ktheheshin kundër. Ndoshta kur patën mësuar më shumë, edhe komunistët shqiptarë, pasi e shfaqën dy -tre herë në televizion e hoqën nga qarkullimi filmin. Dikush që pat qënë i papërshtatshëm për Stalinin, nuk mund të ishte i tillë për regjimin stalinist të Enverit.

Regjimeve autokratike dhe totalitare nuk ju duhen Sorget.

Ju duhen ushtarë të bindur, të cilët nuk e venë kurrë në dyshim autoritetin e Liderit.

Sepse Lideri të vret!

Tuesday 16 January 2024

Trump po vjen dhe pengesa e vetme është Xho Gafa


Fitorja e thellë në Iowa dëshmoi se nominimi i Trump si kandidat i Republikanëve është i sigurt dhe vetëm 82 vjeçari Bajden mund të ndalë4 vite të Trumpizmit në krye të vendit më të fuqishëm në botë.

 Edhe pse nuk ka një ideologji të caktuar, në thelb Trumpizmi është një lloj forme e hapur e mbrojtjes së "kapitalizmit të egër" me parimin që cilido të mundohet të përfitojë sa më shumë bazuar në rregullat e lojës madje edhe duke i shkelur ato. 

Trumpizmi mund të cilësohet pa frikë si "pandemi", që rrezikon të përhapet më tepër nëse Trump do zgjidhet president. Përhapja e ndikimit të tij po e kalon kufirin e Shteteve të Bashkuara dhe ky është një fakt. Sot, Trump ka më shumë mbështetje në Kanada se sa ka kryeministri kanadez Trudo. Dhe kjo po ndodh në shumë shoqëri të zhvilluara në botë. Ekstremi i djathtë dhe prirja për t'ju besuar autokratëve është në rritje në shumë vende europiane.

Problemi tashmë nuk është "pandemia Trump", po nëse Njerëzimi ka imunitetin e duhur për ta luftuar pandeminë. Duket se globalizmi liberal ka dështuar pasi ka krijuar një ndarje më të madhe të të pasurve dhe të varfërve dhe këta të fundit po shkojnë gjithnjë e më shumë pas politikanëve populistë me shpresë se këta diçka do ndryshojnë në fatin e tyre të keq. Pa ditur se gjithshka do përkeqësohet për ta. 

Fitorja e Trump ka mundësi të sjellë një dobësim të NATO-s, është e sigurt që do dobësojë rolin e OKB-së dhe do nxitë agresivitetin e Rusisë. Kinës dhe vendeve të tjera që kanë prirje agresive ndaj të tjerëve. Shumica e analistëvebashkohen në idenë se do jenë 4 vite të errëta për Njerëzimin.

Dhe shpresa e vetme për shpëtim është Xho Gafa.

Kaq keq kanë shkuar punët! 


Wednesday 3 January 2024

Viti i palaçove dhe bombave?


Sigurisht që copëzimi i kohës në vite nuk ka të bëjë me një karakteristikë të caktuar të segmentit kohor. Jeta vazhdon rrjedhën e saj pa marrë parasysh që ka një ndryshim të shifrave. E megjithatë ka ngjarje të caktuara që kanë një natyrë periodike, të cilat bëhen përcaktuese të një viti, dhjetvjeçari apo më tepër. 

Janë zgjedhjet presidenciale amerikane kete rradhe ato që kushtëzojnë një natyrë jo paqësore për globin dhe shoqërinë njerëzore.

Përgjithesisht gjatë vitit zgjedhor, amerikanët janë më të përmbajtur në rolin e tyre si udhëheqës botërorë dhe kjo bën që shumë udhëheqëa autoritarë të kenë më pak "fre" në ato ç'ka bëjnë kundër popujve të tyre dhe popujve të tjerë. Tre fushatat e fundit(përfshirë këtu edhe kjo e 2024) kanë qënë edhe më delikate në këtë pikpamje, sepse ndryshimi në Shtëpinë e Bardhë do ishte më radikal se në fushatat e tjera. Padyshim që një zgjedhje e Trump do e fusë Amerikën dhe Botën në ujra të panjohura më parë. Ndaj ndërsa për 11 muaj popujt dhe pjesët paqedashëse të shoqërisë do mbajnë frymën me frikë për rezultatin, të gjithë regjimet autoritare do jenë më të guximshëm në hapat e tyre agresive në dëm të demokracisë, paqes dhe mbrojtjes ekologjike të Globit.

Ndaj është për të pasur frikë se ky vit do jetë i "palaçove dhe bombave".

Dalja në ballkonin e një apartamenti në Tiranë të një "gërxhoje", i cili ka minuar demokracinë e vendit dhe ka ndihur të pasurohen fëmijët dhe rrethi i tij, është një nga aspektet më në miniaturë të këtij viti në Botë. Berisha do gërrthasë se po sulmohet politikisht për tu "eliminuar opozita politike e vendit". Gjatë gjithë vitit, ithtarët e tij do gënjejnë veten se "kur të fitojë Trump, Berisha nuk do jetë më non grata dhe se PD-ja do të favorizohet nga administratat amerikane. Asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur edhe nëse Trump fiton dhe po aq më mirë ndjehet palaçoja tjetër shqiptare, Edi Rama. Për të fitorja e Trump sjell më shumë' amulli në botë dhe në këtë mënyrë më shumë mundësi për të vjedhur dhe për të mbuluar vjedhjet e së kaluarës.

Por nëse për "palaçot autoritarë" të vendeve të vogla (Erdogan, Orban, Vuçiç), ky vit favorizon vjedhjet dhe ngushtimin e hapësirave demokratike, për regjime si ai i Putinit, Iranit apo Kinës, ky vit sjell mundësi më të mëdha për te qënë më agresivë ndaj kundërshtarëve të tyre. Putin do shkallëzojë sulmet ndaj Ukrainës dhe nuk është çudi që Kina të mundohet të aneksojë Taivanin. Më shumë bomba, më shumë të vrarë dhe më pak liri për popujt.

Një tjetër palaço, që ka probleme me drejtësinë e vendit të tij për korrupsion, Bibi Netanjahu, ka për të mbjellë më shumë zjarr në territoret e Palestinës me justifikimin se do shfarosë Hamasin.

A mund të ndodhë edhe më keq se kaq?

Pesimizmi nuk ndih, sepse shkurajon të gjithë forcat pozitive të Njerëzimit, të cilat mund dhe duhet t'i bëjnë ballë forcave të errëta dhe luftënxitëse. E megjithatë luftërat janë një biznes i madh në botë dhe palaçot nuk ndalen në përpjekjet e tyre për të nxjerrë fitime nga çdo lloj biznesi.

Le të shpresojmë se do jetë jo keqësisht një vit anormal!