Monday 31 March 2014

Pak “polemikë“ me Lubonjën

Kam kohë i bindur për vlerat intelektuale të Fatos Lubonjës edhe pse një i njohuri im, bashkëmoshatar i tij tiranas më ka paralajmëruar mos e besoj se është “xhambaz lëkurësh”. E megjithatë, le të diskutojmë për ato që Lubonja shkruan, se më tepër nuk di dhe ndoshta as më duhet të di.
“Polemika” është rreth shkrimit të tij “Ilir Meta si shtyllë e sitemit”, shkrim të cilin e gjej shumë të qartë dhe përgjithësisht shënjëqëllues.
Ndryshimet që kam me Lubonjën rreth përcaktimit të Metës si shtyllë(e dobët) e sistemit, janë në këto pika.
Para së gjithash le të pranoj se me sstem, Lubonja “sistem” quan tërësinë politiko-shoqërore të bashkësisë shqiptare brenda territoreve të Republikës së Shqipërisë. Pra një shoqëri tepër të përçarë, politikisht thuajse bipolare, tepër të korruptuar në të gjitha qelizat e saj, me institucione shumë të dobëta.
T’i atribuosh Metës rolin e shtyllës së këtij sistemi është cazë si shumë. Vërtet Meta ka kontributin e tij prej 1997 e tutje, por më tepër se përfituesi më i madh nga sistemi, ekonomistin modest nga Skrapari nuk mund ta quajmë. Sepse në rradhë të parë jo vetëm do shtrembërojmë historinë e 25 viteve të fundit, por do krijojmë bindjen e gabuar, që po të bjerë shtylla edhe sistemi do “implodojë“.
“Sistemi” i sotëm shqiptar është pasojë e drejtpërdrejtë e shkatërrimit të asaj që e quajnë në perëndim ‘fabric of society”. Mungesa e politikanëve dhe diplomatëve të karrierës, intelektualëve me integritet, “borgjezisë kombëtare”, udhëheqësve autoritarë shpirtërorë, gjykatësve dhe avokatëve me sens drejtësie, ushtarakëve të përgjegjshëm do sillte pa asnjë dyshim këtë që sot bashkë me Lubonjën e quajmë Sistem.
A janë Berisha, Nano, Meta e Rama arkitektët e sistemit? Sigurisht që jo. Ata janë përfituesit e tij dhe janë në krye duke qënë më ambiciozë dhe më të paskrupuj se të tjerët. Ndoshta edhe më me fat.
E njëjta situatë është në gjithë vendet e ish-Lindjes dhe kjo i qetëson “hajdutët” tanë dhe njëkohësisht i bën më pak kritikë Perëndimorët(jo krejt pa faj në ekzistencën e këtij lloj sistemi).
Përcaktimi im është në natyrën e tij pesimist, sepse e sheh “dritën në fund të tunelit”, të paktën pas një brezi(25 vjetësh) dhe njerëzit e stërlodhur në Shqipëri nuk e kanë këtë kohë në dispozicion. Duhet të përmend se jo vetëm nuk e kam zakon të ‘profetizoj’, por jeta më ka mësuar, që gjërat në shoqëritë njerëzore nuk ndjekin domosdoshmërisht ligjësi të caktuara apo shembuj të mëparshëm. Vërtet shoqëria shqiptare është më e sëmurë se kurrë, por si kam shkruar diku, shoqëritë, si qeniet e gjalla, kanë “antitrupëzat” e tyre , që i bëjnë të luftojnë të Keqen atëhere kur duket më e fortë se kurrë.
Gjendja e Europës nuk është aspak e mirë politikisht, por shenja të shëndoshjes dhe të gjallërimit të prirjeve për pjesëmarjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në qeverisje ka. Zgjedhjet e Majit për Europën do jenë një tregues i rëndësishëm edhe për “palosistemin” e vendeve të Lindjes. Dhe nëse Brukseli me gjithë ngrehinën e tij stërmadhe burokratike to tronditet shumë, lëkundjet do jenë më të forta për gjithë politikanët hajdutë të vendeve ish-komunistë. Si rrjedhojë, Metën nuk ka për ta shpëtuar më vonë as posti i Presidentit, i ëndërruar si fundi i “marathonës” së tij politike.
Do i duhet të japë hesap për paratë e grumbulluara prej vitit 1997 e këtej.
Së bashku me “trimat” e tjerë, që ngritën dolli në 45 vjetorin e tij.

Guri filozofik

Ti jeton në gjysëmrruzullin tjetër
Dhe fle kur unë jam zgjuar,
Sepse për çudinë tonë ka vetëm një diell.
Ti lehtas shtriqesh
Në një shtroje e gjitha zbuluar,
Unë rri pështjellë me gunën e vjetër.
Shpesh zgjasim gishtat njëri tjetrin të prekim
Si tek e njohura nën kupolë e Buonarrotit,
Shkëndijën presim,
Njehsimin e motit,
E dimë që s’vdesim,
Pa u takuar,
Edhe pse të tjera busulla ndjekim.
Ti zgjohesh dhe më kërkon,
Grishesh të grisësh timen gërrhitje,
Ndërsa unë i lodhur ëndrrash,
Dhe prej të tejzgjaturës pritje,
Rrekem të rrok gurin që pikon.
Gurin filozofik që ringjall rininë,
Që më bën të të dua si kurrë ndonjëherë,
Që më shtyn të fluturoj në gjysëmrruzullin tjetër,
Natën mos e le të bjerë,
Dhe bashkë përqafuar të rrimë.

Sunday 30 March 2014

Kanella, Atdheu dhe muxhahedinët

Tema e pakëndshme e përpjekjeve me armë, mu kujtua pardje në rrethana tepër të pazakonta. Në një bar në Amerikë, një kamariere e bukur e quajtur Kanellë( Cinnamon) na tërhoqi vëmendjen dhe si ndodh zakonisht me burrat duke pirë, e pyetëm mbarë e prapë në ishte e martuar, si i kishte marëdheniet me burrin dhe se c’punë kishte bërë më parë. Kanella bionde, e cila dukej më shumë si një ish kërcimtare striptize, u përgjegj që kishte qënë në Ushtri. Të habitur e pyetëm për hollësi dhe njëri nga ne në fund e falenderoi, që i kishte shërbyer Atdheut! (Barmeni na tregoi më vonë, që kamarierja kishte qënë tankiste edhe në Afganistan.)
Kanella e bukur, që i kishte shërbyer Atdheut të saj (Shteteve të Bashkuara)në Afganistan, më kujtoi të rinjtë shqiptarë muxhahedinë, të vrarë në Siri. Mund të duket një “shoqërizim" absurd, por do spjegoj që nuk është edhe aq I tillë.
Në çastin e parë, mendova(si më ka ndodhur edhe herë të tjera), se ç'e shtyri Kanellën e bukur, që në moshën 18 ose 19 vjeçare, të rregjistroheshe në Ushtrinë Amerikanë. Motivet mund të jenë disa. Dëshira për trainim dhe punë me pagesë, dëshira për aventurë, dashuria me një të ri ushtarak, ndienja e shërbimit ndaj Atdheut. Janë të gjitha të mundshme për një të re të lindur e të rritur në një vend me demokraci të konsoliduar si SHBA. Kanella stërvitet si të vrasë njerëz, si të mbrojë bashkëluftëtarët dhe si të ndihmojë popullsinë vendase.
Le të hidhemi në një qytet të vogël të Shqipërisë, ku një i ri 18-19 vjeçar, i cili frekuenton rregullisht xhaminë dhe beson në Allahu, vendos t’i bashkohet ushtrisë të muxhahedinëve në Siri. Motivi kryesor është lufta kundër rregjimit jobesimtar dhe kriminal, ëndrra për tu parë si hero nga bashkëmoshatarët dhe veçanërisht vajzat, sigurimi i një vendi në xhenet nëse vritet. Muxhahedini shqiptar stërvitet si të vrasë njerëz, si të mbrojë bashkëluftëtarët dhe si të ndihmojë popullsinë vendase.
Mua më duket se ndryshimi ndërmjet muxhahedinit shqiptar, të anatemuar nga mediat apo politikanët e vendit të tij, dhe Kanellës së bukur, të vlerësuar nga media dhe politikanët e vendit të saj, nuk është I madh. Bile janë thuajse identikë, me një avantazh të lehtë të shqiptarit, i cili është gati për sakrificën sublime pa asnjë lloj shpërblimi.
Dikush mund të thotë, që po krahasoj dy gjëra krejt të ndryshme dhe se Kanella lufton për Atdheun e saj ndërsa shqiptari për një dogmë, bile jo në vendin e tij.
JO.
Të dy luftojnë për një Ide, që ju është future në mendje djallëzisht, duke përfituar nga mosha e tyre e re dhe “gjendja hormonale” tepër e veçantë e asaj moshe.
Njerëzimi në vend t’ju mësojë të rinjve vlerën e jetës dhe të Paqes, i ngarkon me ide që shkaktojnë çrregullime në gjendjen e tyre psiko-emocionale, sa janë gati të japin jetën për një çështje apo ide. Unë nuk jam kategorikisht kundër dhënies së jetës për diçka. Por kjo diçka mund të jetë jeta e një familjari tënd, jetët e fëmijëve që rrezikohen gjatë zjarrit në një shkollë e të tjera gjëra të tilla. Por mediat, shkollat, fjalimet e politikanëve apo klerikëve, kanë në krye sakrificën më të madhe për Atdheun, Zotin, Idenë apo Partinë. E gjithë histeria patriotike e Mediave pas 11 shtatorit në Amerikë, solli rregjistrimin në FA amerikane, të mijra e mijra të rinjve ‘trushpëlarë“, që u nisën “t’i shërbenin vendit të tyre” në Afganistan dhe Irak, prej nga edhe nëse nuk u kthyen në arkivole, u kthyen të gjymtuar ose me shpirtra e mendej të shkatërruara për të gjithë jetën.
Fshehtazi, jo me fanfarë, nisen nga vendet muslimane dhjetra të rinj “trushpëlarë“ nga propaganda e myftinjve nëpër xhamira apo videove në youtube, për të vrarë dhe vdekur në vende që nuk i kishin dëgjuar më parë. Shumica nuk kthehen, ose kur kthehen përfundojnë edhe burgjeve në vendet e tyre.
Televizionet dhe gazetat në shërbim të Korporatave, i përshkruajnë të parët si heronj, ndërsa të dytët si antiheronj. Të parët mbrojnë Demokracinë dhe Progresin, të dytët duan të kthejnë Kohët e Mesjetës!
Nuk është ashtu.
Të dy palët janë viktima të një sistemi të shpifur të fitimit dhe të predominimit, që nuk kursen vrasjen edhe të fëmijëve. Ana më negative sot, është që Lëvizja për paqen në Botë(ajo jashtë qeverive) ka bërë hapa prapa po të krahasohet me kohët e Luftës në Vietnam.
Nuk di se sa e ka kuptuar Kanella absurditetin e veprimit të saj të para 10 vjetëve. Mbase po.
Muxhahedini shqiptar nga një fshat i varfër i Librazhdit apo Tiranës nuk ka kuptuar gjë. Ka dhënë jetën diku në ‘’rrugën e Qabesë“!


Saturday 29 March 2014

U mbars Linda..diçka do pjellë.

Lajmi i mëngjesit të sotëm nuk ka se si të bëhet më i bukur për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit. Linda, gryaja e kryeministrit Rama është barrsë. (Nuk kam kuptuar asnjëherë, përse cilësori shtatzënë tingëllon më mirë se barrsë. Ndoshta shtatzënë përcakton më mirë gjendjen e trupit të femrës gjatë 7-9 muajve prej fekondimit deri në lindje.) Gjithsesi, nuk ka përse mos jemi të gëzuar. Një njeri që vjen në jetë është një gëzim më shumë për bashkëkombësit dhe doemos një ngjarje e jashtëzakonshme për prindrit. Për më tepër, që bebja do vijë në një moshë relativisht të shtyrë për Lindan, e cila mund të bëhet edhe gjyshe së shpejti.
Shkrimet për këto ngjarje ju shkojnë penave të grave, sepse ato mund të përshkruajnë hollësisht të gjitha ndienjat njerëzore, prej idesë për të pasur brenda trupit një qenie të vetën, joshjes magjike të burrit për të qënë një “ndërzim” i veçantë dhe deri në gjithë mbarëvajtjen e barrës. Ne burrat kujtojmë shumë pak nga shtatzania e partnereve. Gëzimi për lajmin, fshehja e idesë “do zoti është djalë“ dhe urimi me mendje “e pastë barrrën sa më të lehtë, se kush rri dëgjon ankime dhe zhurrma gjatë grykënxjerrjeve!
Unë nisa të shkruaj jo për ndienjat dhe emocionet, por për “impaktin”, që ardhja e fëmijës Rama do ketë në jetën e shqiptarëve. Mos ju duket çudi. Fëmija do ketë një ‘impakt” dhe edhe në rastin më të keq, kur të mos ketë një të tillë, është konceptuar me këtë qëllim.
Ka kohë, që në fillimet e tij në Bashki, që një i huaj ose disa të tillë, rrinë pranë Ramës për ta ndihmuar në atë që sot  quhet ‘krijimi i imazhit”, ose edhe për “marëdhëniet me miletin”(public relations). Nuk di se sa puna e këshilltarëve të huaj ka pasur dobi, se në Shqipëri është shumë e vështirë të parashikosh rezultatin, por duhet thënë që Rama i ka dëgjuar sepse hapi i parë, ai i martesës me Linda Bashën, ishte pikërisht për të fashitur sulmet e kundërshtarëve se ishte njeri kundër familjes ose më keq akoma biseksual. Nuk di gjithashtu se nga cili xhep dalin paratë, me të cilat paguhen "imazhistat". Hapi i dytë është ai i krijimit të një figure atërore të shekullit të ri. Rama është përgojuar për mohimin në gjyq të djalit të tij me të shkretën Makoçi dhe pak mund të “thuhet vizualisht” me foto të tij me të birin e vogël. Shtatzania e Lindas është shans i përkryer, për të bërë foto të tipit VIP, si bëjnë nga Keit dhe Billi e deri tek Brangelina. Sivjet, shqiptarët nuk kanë më pse të shohin fotot e Xhorxhit të VIII, sepse i gjithë shtypi rozë dhe manushaqkë do jetë rreth bebes së ardhme Rama. Besoj se do shohim buzëqeshje të përdëlluara të egocentrikut Rama e deri në stërvitjet e tij me Lindan, sipas stilit amerikan, për të mësuar lëvizjet "shty dhe merr frymë gjatë lindjes".
Ka mundësi, që këshilltarët e huaj të kenë sugjeruar edhe një lindje të bebes për Festat e Nëntorit, që do bëjë një lidhje të drejtpërdrejtë të Ramës me Skënderbeun dhe 70 vjetorin e clirimit. (Sërish këtu futen kujtimet e fëmijërisë dhe thënia “Gjergj, Gjergj, Donika lindi djalë“, që Leko ViçI i përsëriste vend e pa vend Raidhit dhe ja ngrinte nervat.)
Edhe 5-6 muaj pritjeje të bukur do kemi.
Tashmë është zyrtare.

Linda u mbars dhe diçka do pjellë! (Nuk di në është një lajm i mirë për të posalindurit në Shqipëri.)

Friday 28 March 2014

Nessuno mi puo giudiccare...ne meno tu (2)

(vijim)
Teoria e mësipërme është krejt e logjikshme dhe nëse je në gjendja ta përdorësh, të sjell jo vetëm dobi, por edhe të ve në raporte të mira me njerëzit dhe me opinionin shoqëror. Mund të të përmendin për mirë për tolerancën, vetpërmbajtjen bile edhe për shpirtmadhësinë. Por jo kushdo mund ta bëjë këtë gjë. E para, një njeri i tillë jo vetëm duhet të ketë një mendje të kthjellët, por të jetë edhe në gjendje të kontrollojë emocionet. Zakonisht këtë e bëjnë ose njerëz të lindur me këtë “program”(për të përdorur në mënyrë banale një krahasim me botën e kompjuterave), ose dikush, që është shumë i stërvitur në Joga. Njerëzit e zakonshëm dhe sidomos ata të rrëmbyerit(impulsivët) reagojnë në mënyrë emocionale ndaj diçkaje që ju duket e padrejtë apo e pamoralshme. Kuptohet që shkalla e reagimit është në varësi të karakterit, por dhe nuk është e pandryshueshme. I njëjti njeri mund të ndryshojë me moshimin, po të jetojë në një vend më të qytetëruar, po të arsimohet më shumë, po t’i kushtohet më tepër jetës shpirtërore etj.etj. Pra edhe sjellja e tij në raport me njerëzit e njohur apo miqtë është relative. Për më tepër, në njerëzit ku mbizotëron pasioni dhe çasti, edhe reagimi i tyre varet shumë edhe nga gjendja shpirtërore në të cilën ndodhen.
Le të kthehemi edhe një herë në “Shtrati I Prokustit”, të ciin duam apo nuk duam e kemi brenda vetes. Sigurisht, që jo të gjithë veprojmë mizorisht si Prokusti, por dashje pa dashje veprimet e miqve ndaj , nesh, ndaj shoqërisë, apo dhe brenda familjes së tyre, ja nënështrojmë tërësisë të standarteve morale që kemi në kokë dhe të cilën unë po e quaj në këtë shkrim si Shtratin që vjen nga Mitologjia Greke. Një tjetër i njohur, thotë që le t’ja lemë gjykimin e të tjerëve të Plotfuqishmit, por si del më vonë në shkrimet e tij, ai vetë nuk beson në ekzistenca e Zotit. Nuk mund të them se e bën për Hipokrizi. Ndoshta e ka nga vetpërmbajtja, por edhe ai nuk e mohon ekzistencën e standartit moral , që e udhëheq, dhe kontrollin e pavetdijshëm, që i bën qenia jonë sjelljeve të të tjerëve, duke i krahasuar me atë standart. Ndryshimi qëndron vetëm në qëndrimi i jonë apo reagimi ndaj sjelljes dhe jo nëse e futim në “shtrat” për ta kontrolluar sepse kjo e fundit ndodh në mënyrë të pavetëdijshme. Le të marrim një shembull të rëndomtë: “Një nëpunës, i njohuri jone, të cilin e dinim për njeri me një moral normal, fillon dhe merr rryshfete. E meson, sepse e dinë të gjithë dhe ai nuk e fsheh, por kur do të mbarosh edhe vetë një punë, e kupton që po të sjell rrotull se nuk mund të të marrë para.”
Nëse dë marrim 5 njerëz të ndryshëm me standart moral të përafërt, reagimet ndaj tij do jenë të ndryshme.
I pari do ja përplasë në sy duke e shoqëruar edhe me fyerje.
I dyti (dekartiani) do i lerë të kuptojë me marifet se e ka marrë vesh dhe do e realizojë punën që kërkon ose do  dërgojë ndonjë peshqesh të vogël me të tretë.
I treti do presë të ketë edhe një numur njerëzish rrotull e ta fyejë publikisht.
I katërti nuk do i thotë gjë por do e tregojë kudo ku do i jepet mundësia.
I pesti nuk do reagojë por do ndërpresë çdo lloj marëdhëniesh me atë njeri.
Mund të ketë edhe reagime të tjera, por them që këto janë më të përgjithshmet, në njerëz nuk i ngjajnë nëpunësit të korruptuar.
Cfarë ndodh automatikisht me të gjithë ne? Jo vetëm sjelljen e të korruptuarit, që ja nënshtruam “Shtratit” tonë, por të njëjtën gjë bëjmë me reagimin e të pestëve. Duam nuk duam do e gjykojmë nëse është si duhet, apo është kaluar masa, ose nëse mirë ishte të reagonte si numuri X.

(vijon)

Thursday 27 March 2014

Dy Rustemët dhe Gjyle e Islam Qerimi.

Një lajm i para disa ditëve në “Tema”, edhe pse nuk më çuditi, më bëri të kuptoj se sa pak di rreth Uzbekistanit, një vend, i cili mendohet si nga 4-5 të mundshmit, ku ka jetuar Nastradin Hoxha. Ngjashmëria jonë me Stanin e Uzbekëve, lidhet jo aq me përkatësinë fetare apo emrat e ngjashëm, por me të kaluarën e vonë, nën një sistem ateist të Diktaturës së Majtë.
I shqpitarizova pak emrat e personazhëve uzbekë të përmendur në atë shkrim-lajm për t’I mbajtur mend më mirë. Gjylja(Gulnara) është e bija e Islamit(Islam Karimov), i cili duhet të jetë Presidenti I Plotfuqishëm i Uzbekëve. Njëri Rustem(Rustam Innujatov) është Ministër i Brendshëm, ndërsa Rustemi tjetër(Murmatov) është këngëtar dhe i dashur i Gjyles. Rustemi i Brendshëm e arrestoi Rustemin e Gjyles me urdhër të Islamit. Edhe Gjylen e mbajnë të izoluar në apartamentin e saj lluksoz. Arsyeja ishte e thjeshtë: E bukura Gjyle(kjo më kujton këngën shkodrane me të thirrme: Gjyle moj sa e bukur jeeee!), e kishte tepruar me korruptimin e të huajve dhe po prishte imazhin e vendit të Uzbekëve në sytë e investitorëve të huaj. Edhe Rustemi këngëtar nuk ishte i pafajshëm.
Historia(që nuk është përrallë), i ngjan shumë vendeve të tjera të ish-Lindjes si dhe vendit të Arnautëve. Ndryshimi i vetëm është që Islami i Shqipërisë nuk arriti të bëhej Diktator dhe e bija e tij nuk është e bukur si Gjylja. Bile Islami vetë kujdeset shumë për imazhin e familjes së tij, për t’i treguar shembullorë, fetarë dhe bamirësa. (Edhe Gjylja e Uzbekëve ishte shumë bamirëse, por i mungonte pjesa fetare!)
Ish-republikat sovjetike të Azisë, janë shembuli më i keq i vendeve në tranzicion ose më mirë i vendeve të demokracisë hibride. Për fat, Shqipëria nuk është krejt si ato vende, por ka disavantazhin ndaj tyre se ka më pak burime natyrore.
Shembulli i qeverisjes shumë të keqe të Saliut me familjen e tij, u përsërit në kohën kur Kryeministër ishte Ilir Meta dhe po vazhdon i njëjtë nën Ramën. Tek rasti i këtij të fundit nuk bëhet fjalë për familje apo për tribu, por veç një bandë horrash, aleanca me të ciët nuk është e përhershme si tek Qerimët e Uzbekëve, sepse mungon lidhja e gjakut.
A do e kenë të gjatë në Shqipëri Islamët, Gjylet dhe Rustemët?
Gjasat janë që PO!

E megjithatë shpresa nuk do humbur.

Zgjimi

Ohhh më në fund akulli shkriu
Dhe gurin që mbyll folenë mund ta shty!
Një gjumë i gjatë,
Tamam një gjumë ariu
Strukur në një të ngushtë vrimë
Që nuk na nxe të dy.
Ishte në prag të dimrit,
Kur jashtë kishte baltë
Në strofull si çdo vit të dy u rrëkëllyem
Ty t’vareshe lëkura,
Nuk bridhje dot për mjaltë,
Shpinën tjetrit i kthyem
E rramë në gjumë të gjatë.
E ndërkaq mes gërrhitjesh
(Kuptohet prej ariu)
Në trurin nga e ngrohta pështjellë,
Kur gjithshka ëmbël përzjehet,
Një shqarrth i rrumbullt arriu.
Më mori në vende të papara,
Plot dashuri më fliste,
Më bënte të ndjehesha e Para,
Cmendesha pas tij dhe kur bërtiste.
Një pyll krejt tjetër më ishte hapur,
Një pyll i mbushur tinguj, ngjyra,
Shëtisnim lehtas duart kapur,
Oh sa e bukur dukej Natyra.
Dhe kur më puthte shqarrthi i rrumbullt,
Cdo fije e qyrkut të bardhë më dridhej,
Unë lehtas e ledhatoja me panxhë,
Ai më lart se lisat prej gëzimit hidhej.
Por thellë vetes kisha një frikë,
Një frikë krejt të pakuptuar,
Nuk trembesha se një ditë do ikë,
Frigesha se nuk isha e zgjuar.
Dhe ja një ditë akujt u shkrinë,
Qepallat më nuk ndenjën mbyllur,
Nga pas e ndjeva tënden shpinë
Nuk isha më në gjumë përhumbur.
E zbrazët edhe njëherë u ndjeva,
Nga shqarrthi mbetur qe veç një hije,
Kishte ndodhur ajpo që shumë I trembesha,
Kisht’ qënë një ëndërr letargjie.


Tuesday 25 March 2014

Nessuno mi puo giudiccare...ne meno tu

Nuk mund t’i thosha më mirë këto fjalë edhe pse u përpoqa shumë, në poezinë “Thyej shtratin e Prokustit”. Mbase ka të bëjë me një tërësi konceptesh të thella filozofiko-morale, të cilat ose nuk i kam të qarta, ose nuk jam në gjendje t’i sintetizoj në një gjuhë poetike.
Poezia e kishte zanafillën, në një shqetësim timin, për një gjykim të nxituar dhe pa të “drejtë apelimi”, që ju kisha dhënë disa të njohurve (më mirë një numuri të madh të njohurish) dhe disa miqve të afërt. Shkarrazi ma kishin përmendur disa dhe drejtpërdrejt disa herë, miku im më i mirë, që nuk do të më “përgojojnë“ si grindavec.
Pyetja e karakterit moral është: A kemi ne të drejtë të gjykojmë veprimet e të njohurve dhe miqve?
Ose më e saktësuar – A kemi të drejtë t’ju përplasim në fytyrë se ç’mendojmë për veprimet e tyre dhe të ndërpresim marëdhëniet me ta?
Që me mendje i gjykojmë veprimet dhe ndryshimet në karakteret e të njohurve, kjo nuk ka asnjë fije dyshimi. Nga ky lloj process mendimi dhe analize mund të përjashtohen vetëm njerëz që kanë një lloj “iluminimi” shpirtëror si të Budës apo Shën Françeskos. Meqë njerëz të tillë nuk lindin për ditë, shanset që mes të njohurve tim të ketë gra apo burra me këtë lloj ndriçimi është  i pakët. Para disa vitesh mendova se një shoqe e fëmijërisë ishte e tillë, sepse më tha që “shikonte gjithnjë anët pozitive tek njerëzit”. Mendova sa e lumtur ishte dhe sa fatkeq unë, që nuk i hiqja dot syzet e errëta dhe shihja tek njerëzit vetëm anët negative. Por pas dy orësh bisede, ajo filloi të “mos linte kusur”, për të jëmën, të vëllain dhe të motrën dhe më humbi edhe shpresa e fundit, se mund të mësoja si të “ndriçohesha”. Ndoshta illuministët, duke qënë shpirtmëdhenj, i duan të gjithë të tjerët për vlerat pozitive që kanë dhe sigurisht të afërmit do i duan ‘by default” ndaj nuk hezitojnë t’ju rrëfejnë të tjerëve se sa të zinj janë.
Edhe në këtë rast, si në gjithë marëdhëniet që njeriu ka me jetën, hyjnë për thjeshtësim konceptet e të Drejtës dhe Detyrës. Në sjelljet e njeriut ka të tilla të cilat ai mund t’i bëjë se është e Drejta e tij, ka të tjera të cilat duhet t’i bëjë se e ka për Detyrë, të tretat, që janë edhe e Drejtë edhe Detyrë dhe një kategori tjetër, ku hyjnë ato që nuk janë as e Drejtë dhe aq më pak detyrë (Këto ma merr mendja se duhet të quhen sjellje kot.)

Të kthehemi në pikën e nisjes, pra tek “përplasja në fytyrë“. Ekziston një teori “pragmatiste”, e cila pak a shumë thotë, që në çdo ngjarje apo fenomen mund dhe duhet të marësh pjesën e cila është e dobishme për ty dhe që mund të mos ketë vlerë për çastin, por mund të kthehet e dobishme në të ardhmen. Nuk di nëse e ka thënë Dekarti vetë apo ndonjë pauses i tij, por për ta ilustruar me një shembull le të themi:” një i njohur i vjetër , të bën një dallaverë pas shpine, por nuk është nga ato shkatërrueset dhe ti e kupton, por për të kthyer sjelljen e tij negative në kapital, i le të kuptojë se e more vesh por nuk bëzan. "Legenllëku" i tjetrit kthehet në një armë, që ti mund ta përdorësh për vete në kohën e duhur, duke ja kujtuar, ose duke i bërë presion.”
(vijon)

Unë, krijesë e regjimit monstër!

E thashë më në fund! Ose më mirë ma kujtoi dikush 3 ditë më parë. Dikushi(s’besoj të jetë dikushja), kishte bërë një koment në një shkrimin tim rreth Todi Lubonjës, të botuar në gazeta “Shqiptarja”, ku veç cilësimeve si miop, i lig, i paaftë, i patalentuar, më kishte quajtur edhe “krijesë e përkëdhelur e regjimit monstër”. Nuk mund tap yes dikushin, se për cilin regjim e ka fjalën, se ka vetëm nofkën “Korcaonline”, por po supozoj se e ka për atë të Diktaturës së Proletariatit. Diktatura jo vetëm më krijoi(pra mund të quhem si punë doçi i Diktaturës), por edhe më përkëdheli.
Edhe mund të mos e vrisja shumë mendjen për fjalët e shkruara të dikushit, që nuk besoj se është më shumë se një mësues letërsie, i fyer nga përzjerja e ime në “meseletë‘ e kulturës, po të mos më vinin ndërmend dy ngjarje të shkurtra që kanë të bëjnë me dy njerëz të njohur, të cilët i respektoj.
E para ishte një bisedë me një shoqen time të klasës më 2004, kur pasi po “villja vrer për Enver Hoxhën”, më kujtoi se unë në sajë të Enverit isha bërë arkitekt! E pyeta se ç’lidhje kishte Enveri apo sistemi, duke I përmendur, që në çdo sistem do kisha mbaruar një shkollë të lartë. Nuk mu përgjigj, por as pohoi që kisha të drejtë.
E dyta, ishte një letër e profesorit tim Tefik Caushi, ku më “leqendiste” rreth dy shkrimeve të mija, ku kritikohej rëndë Sali Berisha. Esteti Caushi më kujtonte se me gjuhë të tillë flisnin e shkruanin vetëm ish-sigurimsat!
“C’ta kanë bërë mirë të tre” do më thotë këshilltari juridik i avokatit tim, i cili më paralajmëron shpesh të mbaj gojën mbyllur e ‘mos nxjerr zhaba”, se si pasojë do pres “pëgërje” nga njerëz me cipë apo pa cipë. Po ja që unë nuk e mbaj dot gojën mbyllur dhe mes shumë cilësimeve mar edhe këtë të “krijesës së përkëdhelur”.
Nuk e mohoj aspak që më kanë përkëdhelur. Bile me tepri. Isha i vogli në familje dhe prindrit dhe motra(kjo ca më pak) më kanë përkëdhelur. Ndoshta po të kishin qënë më të matur, sot edhe mund të mos shkruaja kundër atyre që i shajnë të gjithë dhe jo vetëm kundër tyre. Po regjimi monstër si djallin më përkëdheli? Unë vazhdova shkollën si gjithë fëmijët e Republikës Popullore. Më pas, kur u bë edhe Socialiste shkova për të studiuar, por më tepër se një lloj shume rastësish, diplomimi im në Arkitekturë nuk ishte gjë tjetër. Më pas më vunë të punoja në qytetin tim, ku kishte vetëm 6 arkitektë dhe unë isha i vetmi, që nuk kisha një punë që lidhej me profesionin tim. Vërtet regjimi nuk më futi në burg, po këtë më shumë se përkëdhelje, e quaj si fat se nuk më kishin mësuar në shtëpi të shkelja ligjet. Të vetmen “përkëdhelje” që kujtoj, ishte një darkë në Turizmi, me rastin e 40-vjetorit të Clirimit, ku së bashku me Ladi Topin rrinim përballë veteranëve 70-vjeçarë, se kishim bërë projektin e një Memoriali. (Me sa kujtoj edhe atë darkë nuk është se shtroheshin shqerrat vu e derdhej rakia lumë!)
Deri para disa ditësh, edhe se më pëlqente të më quanin si gjysëm-disident, isha i kënaqur të më quanin asnjëanës. Të paktën kështu më kishin cilësuar në fillimet e viteve ’90, kur për të më caktuar në një vend drejtues, Demokratisat kishin pohuar asnjëanësinë time, por kishin thënë “ja bre rri shumë me atë djalin e Pandi Raidhit!” Tani le që asnjëanësia shkoi e vate, por mund të më venë në një sërë me djemtë e Enverit, se ata të shkretët e Mehmetit bënë edhe burg.

Ah regjimi monstër! Nuk do më ndahesh deri në vdekje!

Monday 24 March 2014

A është festimi shenjë e frikës?

Mbrëmë, Ilir Meta, Kryetar i Kuvendi të Shqipërisë festoi 45 vjetorin e lindjes. (Nuk po e quaj hajdutpër të shmangur njollosjen e vetes si “etiketues” dhe as skraparlli, për të shmangur ndonjë akuzë për përçarje të Kombit apo nëënvleftësim të zonave rurale.)
Nuk po e uroj, se zakonisht urojnë ata që janë të ftuar në ditlindje, anëtarët e LSI-së ose miqtë në FB. Unë nuk plotësoj asnjë kusht, bile duhet të them që kam patur antipati për të, që kur u bë për herë të parë deputet. Më dukej çudi atë kohë, se si një anëtar i grupit të studentëve që shkoi në takimin me Ramiz Alinë në Dhjetor 1990, mund të bëhej deputet i PS-së. Po le t’i lemë ato ndoshi të 23 vjetëve më parë, se ka rrjedhur shumë ujë dhe Meta nuk është më ai i riu grindavec, që kishte krijuar një si katrahurë në Poliçan. Ai ka mbi 15 vjet që është një në tre politikanët kryesorë shqiptarë, me një kurrikulum që nis me Ministër të jashtëm e përfundon Kryemnistër. (Mnistër  është posti më i ulët që ka patur Ilir Meta.)
Meta festoi mbrëmë mes 500 të ftuarve, në një çadër të madhe, që lejonte uljen komode të të ftuarve si dhe një pistë të madhe për vallzime latine, të Skraparit e sigurisht edhe atë më të dashurën mes shqiptarëve, të Naplonit. Meten mund ta lidhesh me figureën e Napolonit Bonapart, se është energjik, i shkurtër dhe kokmadh, si edhe me Napolonin Napolon, atë që darovitet në gëzimet shqiptare të Shqipërisë së Mesme.(Gojët e liga thonë se Meta ka mbedhur shumë naplona dhe është ndër njerëzit më të pasur të Ballkanit.)
Nuk ka kuptim, që të bëjmë një shikim në veprimtaritë politike të politikanit 45 vjeçar, mes të cilave ka shumë të fëlliqura, të cilat i dinë të gjithë, por edhe shumë më shumë, të cilat i dinë vetëm një grusht njerëzish. Ajo që më bie në sy në këtë festim të paralajmëruar prej më se 10 ditësh, është demostrimi me pompoziteti. Përse Kryetari i Kuvendit, feston me kaq bujë dhe shpenzime ditlindjen e tij? Kompleksi i provincialit? Dëshira për të treguar pushtet dhe pasuri? Frika? Apo thjesht se ka mundësi ta festojë me bujë dhe e bën?
Mbase janë të gjitha bashkë a mbase edhe ndonjë tjetër, të cilën unë nuk e kam përmendur, sepse nuk e njoh as Metën dhe as gruan e tij Kryemadhi, e cila është ndoshta edhe ideatorja e festimit të madh. Duket e çuditshme, që në një vend të varfër, ku shumica e popullsisë do të të mallkojë me shpirt për festime të tepruara, dyshja Meta-Kryemadhi vendosi të mos bëjë një festë private, por një dasëm stërmadhe.
Të tilla festime, zakonisht kanë një shtytës të fortë psikologjik. Ndienjën më të fortë, që na bën të mbijetojmë, FRIKEN.
Edhe pse mund të duket absurde, edhe pse mund të duken më të çimentuar se kurrë, në qoshet e mendjeve të kokëmadhit Ilir dhe kokënormales Kryemadhi, qëndron një Frikë e madhe. Ajo e humjbjes e të gjitha atyre që kanë grabitur deri më sot. Frika se edhe dyer më të frikshme mund të hapen një ditë. Ndaj festojnë me madhështi.
Ndaj pëlqejnë të jenë të rrethuar nga 500 njerëz, mes të cilëve ka shumë nga ata që kanë të njëjtën frikë.

Edhe shumë vite të tjera Ilir Meta se je baba, pasi si poitikan ke mëkatet më të rënda, për të cilat duhet të japësh llogari një ditë!

Analistë që e dinë zgjidhjen (2)

(vijim)
Më tej analisti vazhdon me idenë, që SHBA nuk kishte nevojë për të shpikur armik tjetër për 45 vjet(si duket punët do i kishin birinxhi) dhe u mjaftua me dominimin e Europës Perëndimore, gjatë së cilit, sipas tij,  ”shtete si Franca, Gjermania apo Anglia humbën identitetin e tyre.” Logjika nuk është shumë larg asaj të sho Enver, për rolin e dy Superfuqive gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Përsëri duke ju referuar anlalizës së mësipërme, dy “armiqtë e sajuar” nuk arritën të mbanin Luftën e Ftohtë gjallë edhe pse ju interesonte, sepse “historia vepron në këtë mënyrë!”. Eshtë e çuditshme se si dikush, që analizon shumë lëvizje në jetën e njerëzimit në “mënyrë vektoriale”, kur i duhet, përdor teorinë e “armikut të sajuar” dhe kur nuk mund të spjegojë të tjera ngjarje me të fut si “deus ex machina” Historinë! Dhe nuk ndalet më në dëshirën e tij për të dërmuar imperializmin amerikan, por i bën jehonë teorive absurde të Komplotit të Kullave Binjake, për të provuar që SHBA stisi “armikun islamik”.
I kam dëgjuar këto ide prej vitit 2001 dhe tani nuk e kanë më efektin “rropullipërzjerës”. Nuk ja vlen edhe të zgjatem me kundërshtimin e teorive se “Bin Laden ishte agjent i CIA-s apo i izrailitëve” se nuk ka asnjë kuptim dhe më duket edhe se fyej miqtë e mij që lexojnë blogun. Ndaj po hidhem drejt konfliktit të ri, që është edhe shkaku i analizës.
Bukuria e një mendimi analitik është zhdërvjellësia. Likuidimi i armikut “terrorrizëm islamik”, justifikohet nga analisti jonë, se nuk ju arrit qëllimit të duhur dhe për këtë ishte e nevojshme një shtet-armik dhe mundësisht i madh. “Shorti i ra Rusisë së Putinit” thuhet në analizë dhe vazhdohet më tej me spjegimin se pse problem I Krimesë është inekzistent dhe ishte vetëm një karrem, të cilin budallai Putin e kafshoi!
Brenda të njëjtës analizë, me një fjali të vetme analisti spjegon shkaqet e krizës ekonomike  të 2004(?!)në SHBA, arsyet e forcimit të Putin, si dhe parashikon se si do shkojë bota në 20 vitet e ardhme, sepse për këto dy dekada të ardhme, qënka krijuar konflikti Rusi-Ukrainë.

Unë nuk e njoh problemin e Krimesë, si edhe rrënjët e konfliktit Rusi-Ukrainë. Mund të spekuloj me ato ç’ka di në përgjithësi rreth shtetit të Putinit dhe vendeve të korruptuara të ish-Lindjes, e megjithatë parapëlqej të mësoj më shumë se si është e vërteta në atë zonë. Ata , të cilët e njohin më mirë, janë padyshim intelktualët e pavarur rusë dhe ukrainas, por besoj se është e vështirë t'i gjesh të botuara në mediat që kontrollohen nga korporatat. Sigurisht nuk mund të mësosh gjë nga analiza të tilla, që fillojnë me një shembull “vulgar”(për të most thënë të poshtër) kun një avokat i sugjeron një miku të zihen me miqtë-komshinj për të fashitur sherret midis gruas dhe të jëmës. E megjithatë, kjo nuk ka ndalur hosanatë e plot lexonjësve të analizës, që e përcaktojnë “të saktë”, “inspiruese”, “domethënëse” etj. E vetmja mes tyre që më shqetëson është një “pëlqim” i avokatit tim, por ai së fundmi jep “pëlqime” thjesht për njerzillëk. Nuk pata durim të lexoja përçartjet e një ballisti-botues, sepse nuk shkruaj më në grupin PSB për President, ku edhe mund t’i përdorja, por lexova komentet e analistit tjetër, për të cilin do shkruaj më poshtë.
(vijon)

Sunday 23 March 2014

Analistë që e dinë zgjidhjen.

Të gjithë nuk i shpëtojmë dot subjektivizmit, kur analizojmë edhe më të thjeshtën ngjarje në jetën e njerëzve apo më tepër në atë të popujve. Nuk ndodh kur analizojmë dukuritë natyrore. Unë nuk di përse ka një ndryshim kaq të dukshëm, por vetëm them se e kam konstatuar.
Nuk po zgjatem me "protë" dhe "kundërat" rreth subjektivizmit të analistëve profesionistë dhe diletantë të dukurive shoqërore. Dua vetëm të prek diçka që më bie hapur në sy në dy të njohurit e mij, të cilët kanë edhe njohuri të mira dhe aftësi analizuese.
I pari, me njohuri shumë të thella në shkencat ekzakte dhe disi më të cekta në çështjet ligjore, shpesh aplikon një lloj “mekanike’ edhe në spjegimin e ngjarjeve shoqërore të sotmet apo edhe ato historike. Në një diskutim rreth një personaliteti, përcaktonte jetën e tij si një lloj trajektoreje, të cilën mund ta spjegonte saktë po qe se dinte “forcat”kryesore që ndikonin në jetën e tij! (Unë nuk isha në gjendje t’I spjegoja ato edhe pse flurudhën kishte kohë, që e kishte marrë në shtëpi Leko Viçi.)  Vetë kam bindjen që jeta e njeriut nuk mund të përcaktohet kurrë me një trajektore se është shumë më e komplikuar dhe shumëplanshe.
Tek analizat e tij rreth ngjarjeve të Luftës së Dytë dhe pas saj, nuk është “mekanika” apo edhe “socialdarvinizmi”, që kushtëzon argumentat apo konkluzionet e tij. Eshtë më shumë një urrejtje ndaj amerikanëve dhe simpati e fshehur për Hitlerin dhe nazizmin.
Në një “analizë“ të re, të shtytyr nga ngjarjet e fundit të Ukrainës dhe Krimesë, konkluzioni është i qartë që në fillim të analizës dhe thjesht sillen shembulla rreth tij.
Amerika është edhe pas këtij konflikti të sajuar, se për të sunduar botën krijon gjithmonë armiq të jashtëm!
Sigurisht, unë nuk kam ndërmend t’i mbush atij apo tjetërkujt, se kjo nuk është e vërtetë. Vetë kam shumë pyetje, të cilave nuk ju jap dot përgjigje për rolin e Shteteve të Bashkuara në botë gjatë 100 vjetëve të fundit. Dhe mendoj, që edhe një analizë sado e shkurtër duhet të fillojë me pyetje dhe të mos japë përfundime të sigurta, por t’i ngjajë një hamendësimi të argumentuar mirë.
Le të supozojmë për një çast, që Amerika edhe pse nuk donte të hynte në Luftë kundër Gjermanisë, apo edhe pse kishte shumë politikanë pro-Hitler, vendosi ta bëjë duke parë mundësinë e marrjes së rolit Udhëheqës në botë bashkë me përfitimet që vijnë me të. Më pas, pas fitores, për të ruajtur rolin Dominues mbi Europën, SHBA “shpiku” një armik të ri (BS) dhe krijoi Luftën e Ftohtë, kjo  me ndihmën e njëjtë edhe të BS, që kërkonte një ‘armik” për të justifikuar shtypjen brenda dhe për të dominuar një pjesë tjetër të Europës ?!
Shpikja artificiale e armiqve, në një sistem Republike Parlamentare apo edhe Presidenciale është cazë si më e ngatërruar se "krijimi i materies nga Hiçi(për të përdorur një nocion nga fizika, që është më i lehtë të kuptohet nga analisti me njohuri të thella në shkencat ekzakte dhe me më të cekta në çështjet ligjore).

Krijimi i një Armiku kërkon jo vetëm dëshirë të mirë të një grupi politikanësh, por edhe bashkëpunimin e opozitës, plus të kesh edhe pas shtypin e radion(atë kohë nuk kishte tv), si edhe disa institucione nga ato që quhen “think tank”. Të gjitha këto hallka duhet të kenë të njëjtat interesa, të mendojnë në mënyrë të ngjashme dhe si rrjedhojë t'i mbushin mendjen gjithë opinionit publik. Të menduarit e "shpikjes së lehtë të armikut” është një dukuri që përfshin njerëzit që kanë jetuar nën Diktatura, përkrahësit e teorive komplotiste, si dhe mendjet dembele, që duan të gjejnë spjegime të lehta për problem të komplikuara.
(vijon)

Mos ju hidh derrave perla!

Po ve sot, pa lejen e tij, nje shkrim te shkurter te Rikut. Nuk po ve perkthimin e tij te librit te Dershovicit, sepse cifutin Alen nuk e kam shume qejf, edhe pse eshte shume i zoti dhe "vellai i llafit".
Nuk besoj qe Riku te merzitet, se jo vetem Nastradini eshte i te gjitheve, por dhe se jam i sigurt qe ketu nuk hyjne "derra".

Dje postova një pjesëz nga libri i Alan Dershowitz për procesin e famshëm kundër O.J.Simpson, ku ai përkrahte idenë e rolit të rëndësishëm që luan juria në sistemin e drejtësisë penale, sidomos si garante e mosndërhyrjes së politikës në punët e ligjit. Por, pata ca moskuptime ose keqkuptime, që u hodha gunën dhe ia mbatha nga kodrat e Liqenit…

- Mirë të të bëhet! - më tha në darkë avokati im që rrinte në Mississauga. - Nuk e kupton që profesori hebre nuk ka asnjë lidhje meSulltan Novruzin?
I dhashë të drejtë, si ngaherë, dhe… iu riktheva Nastradinit.

BUJTINA NË MES TË PYLLIT

Në pleqëri Nastradini hapi një bujtinë në mes të pyllit, në një vend ku rrallë e tek u binte udha njerëzve. Një ditë, disa fisnikë që kishin dalë për gjah, u shtruan për drekë dhe porositën zogj pule.
Nastradini i poqi kalastrenat dhe fisnikët i përlanë me shumë qejf. Në fund, u preu edhe një faturë me shifra astronomike.
- Ç’është kjo faturë?! – hovën përpjetë fisnikët. - Pse kaq të rralla janë pulat nga anët tuaja?
- Pula kemi plot, – u tha Nastradini. - Kurse fisnikë na vijnë rrallë.

[Jean-Claude Carrière, Le cercle des menteurs..., 1 - Plon, 1998]

Saturday 22 March 2014

Soneti "Armiku" i Sharlit. (Mendova t'i shtoj bashten)

ARMIKU I KOPESHTIT


Rinia ime ishte një kohë e vrenjtur,
Tek tuk e përshkuar nga diej rrezeartë,
Rrufetë dhe shirat e derdhur pareshtur,
Në kop'shtin tim lanë veç ndonjë frut’ të tharrtë.

Tani që e arrita vjeshtën e mendimit,
Toka e përmbytyr më duhet për të mbjellë,
Nuk di si ta plugoj, ta ruaj prej rrënimit,
Se uji gryen gropa, që jan’ si varr i thellë.

Po a do gjejnë lulet, për të zilat kam mall,
Në dheun e shpëlarë, që shpejt do bëhet zall
Ushqimin magjepës që ju rrit lastarin?

O ç’dhimbje! O ç’brengë! Koha jetën shkërmoq,
Dhe gjaku me indet, që çdo ditë më marrin
Rritin e gjallojnë Armikun e pashoq.

Ruhuni nga Boja!

Sot në mëngjes, u lajmërova që një kushëriri i imi, Peter Mara(Petro ose Petraq) ka humbur jetën ne Cunamin e Japonisë të vitit 2011. Lajmërimi erdhi via Skype, se duket që ka qënë e vetmja mënyrë, me të cilën banka që ruan trashëgiminë e lënë prej tij ka mundur të më kontaktojë. Nuk jepeshin hollësi rreth sasisë të parave, por duhet të jetë një shumë e konsiderueshme, përderisa një i afërm i imi, i lindur në Voskopojë ose Stamboll, ka patur një biznes të suksesshëm në Gana dhe prej andej ka hapur degë në Japoni ose ka qënë turist në kohën fatkeqe të Cunamit.
Më erdhi çudi që babaj, i cili më trgonte çdo gjë për të afërmit e tij, nuk e ka përmendur të gjorin Petro. Ka qënë një e fshehtë e famijes ose edhe ai nuk ka ditur gjë. Mundësia më e madhe është që gjyshi im Naumi, të ketë patur një fëmijë nga një marëdhënie jashtëmartesore në Stamboll dhe mos ju ketë treguar as fëmijëve. Petroja, që përcaktohet në letër si kushëriri im pa trashëgimtarë, duhet të jetë i biri i xhaxhait ilegal. Në një farë mënyre kjo spjegon edhe falimentimin misterioz të gjyshit. Duket që e jëma bukuroshe e Petros(greçkë, shqiptakë, çifute ose ermene) i ka bërë presion se do ju thoshte të gjithëve për lidhjen e tyre dhe i ka marrë gjithë pasurinë. Ose kanë qënë grup së bashku me ortakun e tij çifut, të cilin familja fajësoi për falimentimin.
Po të jetë kështu si hamendësoj unë, kjo është një dëshim  e ekulibrit dhe drejtësisë në këtë botë. Haka më në fund shkon në i zoti! (Tani i Zoti tamam nuk jam unë, se s’kam bërë asgjë të meritoj paratë e Petros, të jatit të tij ilegal apo edhe të gjyshit tim.)
Ideja e parë që më erdhi në mendje, ishte të telefonoja motrën dhe djalin e xhaxhajt në Greqi dhe t’ju jepja Lajmin e gëzuar. Nuk ka përse të bëhem makut dhe t’i mbaj të gjitha për vete edhe pse dy trashëgimtarët e tjerë të të njëjtit niveli nuk janë përmendur në letrën e ardhur nga Banka në Gana. Më pas, mora tre herë frymë thellë dhe si më kishte këshilluar dikur një e njohur, thashë që s’ka pse të nxitohem dhe të dëshmoj një bujari të panevojshme, në ekstazën e lajmit të beftë. Mbase Petraqi, ka lënë në testament, që çdo gjë e tij të kalojë në emrin tim, sepse unë mbaj emrin e gjyshit të tij. Në këtë rast unë s’kam përse të njoftoj djalin e xhaxhajt dhe motrës mund t’i ble shall si dhuratë, kur të marr trashëgimninë. Në fund të fundit nuk ka gjë më të rëndësishme në këtë botë, se të respektosh dëshirën e një të afërmi që largohet nga jeta! Siklet do e kem me mamanë, se ajo pot a marrë vesh do thotë që gjërat duhen ndarë më tresh, se ashtu është e drejtë, por unë s’kam pse t’i them edhe mamasë, se ajo mbiemrin Mara e ka nga ana e burrit!
Më në fund jam i pasur! Eshtë sa e papritur aq edhe eksitonjëse. (Një i moshuar i ndjerë, shok i xhaxhait tim, thoshte që kur shihte filma porno “oksidohej”, por unë ndjehem I eksituar.)
Sa e çuditshme është jeta! Tamam kur sa kisha mbledhur edhe qindarkat e fundit për të bërë pagesën mujore të kredisë së shtëpisë dhe nuk më mbetën as dy dollarë për të blerë një biletë llotarie, nga qielli, ose më mirë nga Gana, bie mu në prehrin tim një birko pasurie.
Ka vetëm një problem të vockël, si ndodh rëndom kur vijnë lajme kaq të bukura. Gana është pjesë e Afrikës së Zezë, nga vendet e së cilës (Kongo, Nigeria, Burkina Faso etj.) vijnë shpesh lajme të tilla për pasuri nga më përralloret dhe më të zakonshmet. Ngjan se intelelktualë me lëkurë shumë të errët të kësaj pjese të botës, bluajnë në kokë ide jo shumë të paqta. Dhe kjo jo se janë me lëkurë të zezë(nuk dua dhe nuk mund të jem racist), por sepse shumë herë, ne, të bardhët kokëtrashë të Europës dhe Amerikës, jemi të prirur të besojmë lajme që vijnë nga vende ekzotike si vendet e Afrikës së Zezë. E bëjmë këtë se nuk kemi besim në bashkëatdhetarët tanë bankierë dhe noterë? Mbase. Veç një këshillë kam për të gjithç:
Ruhuni nga boja!

Friday 21 March 2014

TE DESHPERUARIT

Refleksioni i pardjeshëm rreth vetvrasjes dhe njerëzve, që kërcënojnë me të, më soli ndërmend dy ndodhi të shkurtra të kohës së rinisë, të cilat, për të qënë i sinqertë, i kam mësuar sipas metodës “vesh më vesh”, e cila shumë herë I ngjet lojës ‘me telefon të prishur”. Po edhe loja me telefon të prishur, që e luanim vetëm në dimër kur zhgrryheshim ‘sofateve’ të Bobnbonerisë, e cila edhe pse nuk kishte asnjë lloj konkurimi si në lojrat e tjera, shpesh herë kishte një finale të këndshme dhe qesharake. Ndaj le të vazhdojmë me dy historitë e shkurtra të prindërve të dëshpëruar.
Aty nga fundi i viteve ’70, kur të drejtat e studimit ishin shtrëngar aq shumë, sa jo vetëm duhet të kishe miq dhe nota shumë të mira, një biografi të pastër dhe sjellje shëmbullore, por ishte e mira që të ishe i pari i fëmijëve(si në Bibël), që të kishe fatin e madh të diplomoheshe. Dhe pa një diplomë(mundësisht në UT), perspektivat e jetës për shumë ishin të mbyllura. Djemtë duhet të bënin 2 vjet të vështira të shërbimit ushtarak, ndërsa vajzat do e kishin më të vështirë të martoheshin me dikë që nuk rrobtohej në fabrikë ose në ndërtim. Ndoshta këto mendonte një violinist e patalentuar, kur kërcënonte prindrit e saj, se po të mos fitonte konkursin për në Institutin e Arteve, do vriste veten pa një pa dy! I jati dhe e jëma të dëshpëruar, të torturuar nga mendimi se do humbnin bijën e tyre, nuk lanë gur pa lëvizur dhe më në fund, me të parën herë ose shumë shumë me të dytën arritën ta fitonin Konkursin! Fundi I ndodhisë ishte me ‘happy end’, si në filmat amerikanë. Violinistja e patalentuar u diplomua, u martua dhe rrojti gjatë dhe u trashëgua. Episodi i vështirë me siguri, që mbeti në të kaluarën dhe prindrit ‘heronj” u larguan të qetë nga kjo jetë se kishin përfunduar detyrën e tyre më të rëndësishme. Ah po, në vitet e fundit, me të njëjtin ngulm, prindi-baba, kërkoi pranë bashkisë që e shoqja të shpallej “Qytetare Nderi”, se donte t’ja plotësonte edhe atë dëshirë të fundit. Bashkia e shpalli!
Ndodhi e dytë i përket po ashtu periudhës së Diktaturës, vetëm është e mesit të viteve ’80. Tregon për një baba të dëshpëruar, vajza e të cilit qante për dashurinë e humbur. Ishte dashuruar me djalin e shokut të ngushtë të babait dhe me siguri kishte qënë dashuria e saj e parë. Djali i ngushtë ii shokut të ngushtë të babait, pas disa vitesh dashurie të ngushtë, e përfundoi marëdhënien, nga e cila u zu ngushtë jo vetëm vajza e gjorë, por dhe shoku i ngushtë i të jatit. Për të ndihmuar vajzën e dëshpëruar, prindi I dëshpëruar shkoi një ditë në shtëpinë e shokut të ngushtë për të biseduar me djalin e tij, rreth dashurisë pa të ardhme të dy të rinjve. I riu duket që nuk jepte spjegime mendjembushëse dhe në një moment, babai rrëmbeu një thikë duke i kërkuar atij që e dëshëronte për dhëndër, ta godiste në mënyrë vdekjeprurëse me thikë. Kur ma kanë treguar atë episode të dhimbshëm, menjëherë mu kujtua një interpretim të çuditshëm të “Romeo e Zhulietës”, në vitet ’80, ku Zhulieta i drejtohej të dashurit me fjalët “Pse nuk e merr atë thikë i dashur/Thikën që në vend të vret…” dhe Romeoja përgjigjej “është thikë restoranti dhe nuk prêt!”. Sigurisht, djali i shokut të ngushtë jo vetëm që nuk e mori thikën e ofruar se nuk ishte as budalla dhe as kriminel, por ju rrëfeu për ngjarjen shokëve të tij. Por edhe kjo ngjarje pati një ‘happy end’, ndaj edhe e tregova. Të rinjtë gjetën rrugët e tyre në jetë dhe babai u gëzua me nipët e mbesat çamarrokë, që nuk kishin genet e djalit të shokut të tij të ngushtë.
Morali mbetet universali i Biblës.

Mos u gëzoni o të gëzuar, mos u dëshpëroni o të dëshpëruar!

Thursday 20 March 2014

Nje tingellime tjeter e Bodlerit

Nuk me kujtohet nese e kam postuar me pare ne blog kete sonet, por me doli para sonte dhe pasi i bera disa ndryshime po e postoj. Shpresoj se ata qe merziten nga perseritja ta kene harruar si une.

SED NON SATIATA


Perëndesh' çudie, si abanoz e zeshkët,
Erë myshku pështjellë, lotuar prej hanës
Krijesë marrëzie e Faustit t' savanës,
Magjistricë negre, pjellë e natës së errët.

Më i ëmbël se ëndrra, se i opiumit dehje,
Nektari i buzëve, që pikojn' dashuri,
Kur vargan i epsheve është nisur tek ti,
Bebëzat jan' puset, ku e shuaj etjen.

Nga sytë e tu të zinj, të shpirtit pasqyrë,
Hedh afshin përvëlonjës,- Djall që s'ke mëshirë!
Po unë nuk jam Stiksi* të të qafoj nëntë herë,

Të ndal shpërthimin tënd, Oh jo! nuk jam aq trim,
Nuk mundem ta shëndroj keqdashsja Megaerë**,

Ferrin e shtratit tënd, në t'Persefonit*** blerim.

UT-ëja

Fjalën “utëja” e dëgjova për herë të parë në Shqipëri para disa vjetësh dhe nuk e kuptova se ishte edhe në një kontekst disi të çuditshëm. Dikush që po më tregonte për padrejtësitë në emërimet në sektorin e arsimit, mes tregimit plot pasion përmendi, që kishte mbaruar “utënë“, ose ishte me “utë“. Për të mos u trguar fare i pagdhendur, nuk e pyeta se ç’është “utëja” dhe pse është kaq e rëndësishme ta mbarosh, se kujtova që do ishte ndonjë program europian i ngjashëm me Phd. Më pas, kur pasionantja u largua, pyeta një nga të pranishmit në tryezë, I cili më sqaroi që UT-ja nuk është gjë tjetër veçse Universiteti i Tiranës. Vërtet u gëzova, jo vetëm se dija një gjë më shumë, por më tepër se isha edhe vetë me gradën UT-ë. Vërtet e kam mbaruar 30 vjet më parë po në fund të fundit UT-ëja UT-ë ka mbetur.
Duke vrarë mendjen më tepër rreth tregimit pasionant të bashkëbisedueses, kuptova që në atë larmi diplomash të vendit e të huaja, shtetërore dhe private, të ditës e të natës, të auditorëve apo online, po të kishe damkën UT-ë ishe më i nderuar se të tjerët. Për më tepër u binda kur fillova të “shëtis” në fejsbuk dhe pashë dhjetra të njohur me spaletat UT. Një pjesë e mirë ishin moshatarë, me të cilët kisha qënë bashkëstudent, por kishte edhe shumë të tjerë, që ose nuk i kam parë ndonjëherë në Qytetin e Studentit, ose kanë studiuar në një kohë me fëmijët e tyre. Asnjëherë nuk është vonë për të nxënë dhe sakrificat në moshë të madhe shpesh shpërblehen më mirë. Nuk i kujtoj të gjitha rastet dhe besoj se mes tyre ka heronj dhe heroina të dijes dhe me siguri edhe plot mesele, që të bëjnë të gajasesh. Më të freskët kam të një bashkënxënësi të avokatit tim(është ai i Berlinit se nuk e kam ndruar), i cili edhe pse kishte përsëritur një vit në gjimnaz nga inati i keq i një pedagogu, gjeti forca të përqëndronte talentet e tij në aktrim, ku përsëri u ndesh me murin e pakalueshëm të jurisë subjektive edhe pse një talent I rrallë me një zë të impostuar baritoni; por edhe kjo nuk e shkurajoi, sepse pas shërbimit ushtarak dhe studimit të lëvizjes sindikaliste botërore arriti të bëhej udhëheqës sindikalist e më pas biznesmen; veprimtari ku e sulmuan akoma më shumë me taksa, kontrolle të befta, gjyqe të sajuara dhe kreditorë imagjinarë dhe përsëri ai pati forca intelektuale të diplomohej në UT (në faqen e tij e shkruan të gjithë togfjalëshin me kapitale por unë nuk po e kopjoj se quhet klithje).
“Po mirë ai që gjeti forca të bëhet me UT-i, po ti çke?”- do pyesë i revoltuar këshilltari juridik i avokatit tim edhe ai me UT-ë dhe me një shkollë të lartë të huaj.
Unë nuk jam në gjendje të mbaroj “përgjigjen për essenë e B.Russell’ dhe e gjej më të lehtë t’i bie legenit për gjëra që nuk sjellin asnjë dobi, sikundër është ushtria stërmadhe e oficerëve me UT-ë të Mëmëdheut, ku si oficer rezervist mund të shërbej edhe vetë. (Në fund të fundit është më mirë të kesh UT-ë se sa Hepatitin B-ë.)


Sërish dy fjalë për Vetvrasjen.

Ju ktheva kësaj teme të ndërlikuar, të thellë e delikate, sepse dje mësova, që para një viti i ka dhënë fund jetës, kryetari i Shoqatës së Arkitektëve shqiptarë, ark. Agron Jano. E kam takuar vetëm njëherë të ndjerin dhe nuk e kam njohur, e s’mund të shtoj gjë për të, veç të shpreh keqardhjen e thellë për të dhe familjen.
Njerëzit janë larguar me dëshirën e tyre nga jeta, që në kohët më antike, ndaj edhe në fetë modern monoteiste, vetvrasja është cilësuar si një mëkat shumë i rëndë dhe ata që e kryenin, në vendet e krishtera edhe nuk lejoheshin të varroseshin me të tjerët. Besoj se këtu e ka zanafillën stigmatizimi I vetvrasjes dhe sëmundjeve mendore, atyre që shpien në të shumtën e rasteve në marrjen e jetës s[ vet.
Sot, në vendet e zhvilluara ekzistojnë statistika rreth numurit, grupmoshave apo profesioneve të atyre që vrasin veten, por përgjigje të plota për shkaqet bazë të dukurisë nuk ka. Detyrimisht nuk mund të ketë edhe mënyra për ta parandaluar. Në një jetë ritmi i të cilës sa vjen e shtohet dhe me të bashkë edhe stresi, kur kërkesat për fëmijët e të rinjtë për të qënë të sukseshëm rriten në mënyrë absurd, detyrimisht do ketë rritje të numurit të vetvrasjeve. Nuk ka mundësi të ketë statistika mbi raportin e tentativave me vdekjet, se duke përjashtuar rastet kur ata që tentojnë, përfundojnë në spital të lënduar, askush nuk raporton.
Ndër tentativat për vetvrasje, përmenden edhe një numur jo i pakët i “përpjekjeve të gënjeshtërta”, të cilat individë edhe të dëshpëruar, e bëjnë duke menduar se mund të dalin nga situata të vështira, duke tërhequr vëmendjen e njerëzve që i rrethojnë ose autoriteteve. Më të shpeshta janë kërcënimet për vetëvrasje, të cilat bëhen nga njerëz egocentrikë, që jo vetëm duan të arrijnë me çdo mënyrë qëllimet e tyre, pork anë edhe kënaqësi të bëjnë të ndjehen fjtorë për gjendjen e tyre njerëzit e afërt. Të tillët nuk arrijnë kurrë në tentative të vërteta, por mund të vazhdojnë me muaj të kërcënëjnë, se do ta bëjnë një ditë të pabërën.
Keto dite më ka qëlluar të dëgjoj dy histori të këtij lloji, të ngjashme deri diku me njëra tjetrën. E para është e një gruaje të moshuar, e cila ka humbur bashkëshortin dhe vazhdimisht jo vetëm përsërit “gjëmën”, që e ka gjetur, por edhe deklamon se së shpejti do gjejë helmin e duhur për t’ dhënë fund jetës. Familjarët e zënë në faj, mundoen ta sigurojnë se do bëjnë ç’të jetë e mundur, që të mos i mungojë asgjë, por e moshuara e tronditur, sa hap sytë e deri sa I drejtohet shtratit përsërit të njëjtin refren.
Rasti I dytë, është I një bashkëshorti jo shembullor, të cilit e shoqja i ka thënë që do të divorcohet. Pasi ka parë se qëndrimi burrëror me “Kjo s’do ndodhë kurrë!” nuk ka bërë efektin e duhur, edhe ky për të mos lejuar humbjen e partneres dhe bashkë me të të konfortit, deklaron se nuk mund të ketë gjyq, pasi ai “do ketë vrarë më parë veten!”
Deklarata të tilla, nuk tregojne thjesht mungesen e pergjegjësisë dhe egoizmin e atyre që i bëjnë. Në një farë mënyre edhe sjellja e tyre është një sëmundje tjetër mendore, por më e lehtë për tu kuruar. Një qëndrim i ftohtë dhe i vendosur i të pranishmëve gjatë skenave i kthen ata në një gjendje thuajse normale, deri sa kuptojnë, që përsëritja nuk ka për të pasur kurrë frytet që presin.
Këto shembuj dhe shikimi i vetvrasjes apo mundësisë së vetvrasjes nga të tjerët, na shpie në një pyetje filozofiko dhe morale të rëndësishme:
A është të jetuarit e Drejtë apo Detyrë? Apo është Gjithshka që kemi dhe nuk mund të klasifikohet as si e Drejtë dhe as Detyrë?
Njeriu vjen në këtë Jetë pa vullnetin e tij. Jeton atë që quajmë jetën individuale brenda një shumatore jetësh të tjera të individëve, të cilën e quajmë jetë shoqërore.
A ka të Drejtë të largohet kur e gjykon se është mirë për të apo ka për Detyrë ta jetojë deri në fund?
Kjo pyetje nuk mund të ketë një përgjigje të vetme. Varet shumë nga kushtet e çdo individi. Një gjë ama është e sigurt:
Askush nuk ka të Drejtë të kërcënojë të tjerët se do vetvritet e do ju shkaktojë Dhimbje dhe ndienjën e Fajit!


Wednesday 19 March 2014

Jo Një Ushtri shqiptare po Dy!

http://www.gazetatema.net/web/2014/03/18/bazo-dy-ushtri-shqiptare-ne-ballkan-do-e-kishin-zili-te-gjitha-vendet/

Lajmi i shkurtër i gazetës "Tema" më ra në sy, se veç ushtrive (të cilat duhet të pranoj që i urrej), pashë edhe togfjalëshin “do e kishin zili të gjitha vendet”, që më kujton parrullat e “Shqipërisë socialiste, halë në sy e imperialistëve dhe revisionistëve”. Deklarata në  fjalë ishte bërë në Kosovë nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare, Jeronim Bazo. Budallallëkut të Gjeneral majorit, i ka dhënë përgjigje një komentues i lajmit online, i cili shkruante: “Mba një hudhër në xhep o Bazo, se me “zilinë e gjithë vendeve të botës” do na marrin në sy!!!
Vetë nuk kam ndonjë përgjigje më të goditur, veç dua të zgjatem edhe pak me problemin e ushtrive në Ballkan dhe me pasojat që kanë ato në taksapaguesit, e sidomos në psikologjinë e një pjese të popullsive të këtyre vendeve.
A duhen ushtritë në vendet e Ballkanit?- është një pyetje të cilës nuk jam në gjendje t’i përgjigjem, sepse nuk I njoh kushtetutat e vendeve ballkanike si dhe programet e NATO-s, anëtare të së cilës janë thuajse të gjitha. E ndjej që është ende naïve, një ide që kam pasur vetë qysh më 1991, që Ballkani të kthehej në një zonë të demilitarizuar. Ballkanasit u gjakosën me njëri tjetrin deri në fund të vitit 1998, kur NATO-ja me urdhër të Bill Klinton dërmoi fuqinë ushtarake sërbe.
Kanë kaluar 15 vjet dhe dëshira për një paqe mbarëballkanike është ende shumë e zbehtë. Politikanët hajdutë të të gjitha vendeve, sa për sy e faqe, çirren për paqe e mosndryshim të kufijve, por në heshtje ju fryjnë “urëve të nacionalizmit”, sepse ky i fundit është mënyra më e mirë për t’ju vënë fajin armiqve të jashtëm, për probemet që kanë krijuar në vendet e tyre me qeverisjen e keqe. Gjithashtu ka pjesë të popullsisë, të cilat ose nga injoranca, ose se nuk dinë të bëjnë ndonjë zanat tjetër, parapëlqejnë uniformat dhe karrierat ushtarake. Pjesa dërmuese e tyre janë mbështetës të Lëvizjeve të së djathtës Ekstreme në çdo vend ballkanik. Nëse forcohet në zgjedhjet e ardhme “Agimi i artë“ në Greqi, si kundërveprim do ketë forcim të ekstremeve nacionalistë në Maqedoni, Shqipëri e Bullgari dhe kështu reaksioni zinxhir vazhdon në gjithë Ballkanin.

Në këtë kuadër, deklarata e Bazos është jo vetëm idiote, por edhe e papranueshme të bëhet nga një funksionar i lartë i shtetit shqiptar. Kuptohet që të njëjtëm marrëzi mund ta thotë në ekzaltim e sipër Mrika Kodheli, Peleshi apo Rama sepse kanë treguar që janë të papërgjegjshëm dhe pa njohuri në politikë e diplomaci. Sa për një pjesë të popullsisë në të dy shtetet shqiptare ku papunësia është e lartë, e di që do fillojnë të fërkojnë duart duke përhapur thashethemin “Do hapen vende pune për oficerë dhe të tjerë administratorë se Ushtritë do fuqizohen” duke harruar që Ushtritë rëndojnë shumë në buxhetet e shteteve, i cili edhe tani janë për të qarë hallin në të dy anët e kufirit.

Tuesday 18 March 2014

Todi Lubonja ne Korce (2)

(vijim)

Por, le të rikthehemi në finalen e vështirë dhe shkatërruese ndaj Todi Lubonjës, e cila po përgatitej në Komitetin Qëndror dhe për të cilën po përgatitej terreni duke mbledhur material në Korçë dhe Tiranë, e për të cilën bën fjalë edhe relacioni i Shtyllës. Dërgimi i tij nga Hysni Kapoja, duket i pazakontë, sepse Behari në Komitetin Qëndror atë kohë me siguri mbulonte marëdhëniet ndërkombëtare. Ndoshta, gjithë instruktorët e sektorit ideologjik të Ramizit ose konsideroheshin “të përlyer”, ose E.Hoxha kishte sugjeruar vetë Beharin, sin jë njeri më i shkolluar dhe më i ekuilibruar e që njihte disa nga artistët dhe krijuesit korçarë. Për herë të parë po dëgjoj që ai ka bërë biseda private me Konon, Kristaq Cepën, Vangjush Tushin dhe Andrea Themelin. Duhet thënë që asnjë nga të intervistuarit e Shtyllës nuk ishte antar partie dhe tre të parët në shpirt ishin kundër komunizmit. Sigurisht, në majë të piramidës nuk mund të prisnin një relacion nga M.Ziçishti , i cili nuk kishte kulturën e nevojshme, por ishte indirekt përgjegjës për veprimtarinë e vartësit të tij T.Lubonja. Vetë Ziçishti i kishte prirë Lubonjës me Luftën e Brezave duke vënë në postet e Kulturës dhe Arsimit pauses të tij “kërpaçë“ nga Devolli.
Raporti i Behar Shtyllës është shumë i ekuilibruar dhe deskriptiv dhe nuk I rëndon shumë interpretimit të tipit “grup armiqësor” apo të tjera përfundime që ishin të zakonshme të bëheshin nga instruktorët e zellshëm të KQ, që donin të varrosnin rivalët e tyre. Sigurisht të gjithë ata që kishin pasur fërkime me Todin e kishin kuptuar, që atij po i binin këmbanat dhe se pas "drejtorllëkut" në Lezhë mund të kishte pasoja më të rënda, por në atë kohë, kishte 12 vjet që kur ishte goditur i fundit nga partiakët e lartë dhe fryma liberale i bënte njerëzit të mendonin se Lubonja e Paçrami do “zhubraviteshin”, por nuk do përfundonin burgjeve, sepse edhe mëkatet e pasqyruara në shtyp nuk ishin të rënda. E kujtoj mbledhjen të cilën përmend B. Shtylla, ku u bënë ndryshimet në kryesinë e degës së Korçës. Nuk kujtoj nëse ishin bërë më parë apo jo zëvendësimet e Shuteriqit, Kilicës, Stringës në qendër, poste të cilat ishin të paguara. Babai erdhi i gëzuar në shtëpi se e kishin zgjedhur sekretar dhe ne nuk i ramë në sy, që nuk na pëlqente hiç, që lodhej kot me një detyrë nga e cila nuk kishte asnjë përfitim veç telasheve. Dukej që zgjedhja e sekretarëve dhe kryetarit nga kryesia e votuar prej antarëve, ishte e sugjeruar nga lart, ndryshe nga herë të tjera, se ai përmendi që kur kishin dalë jashtë antarët e Kryesisë, Vaskë Orgocka i kishte lënë të kuptonte që do ishte në drejtim. As atë kohë, që isha vetëm 14 vjet, por edhe më vonë nuk e kuptova të shkretin baba, përse ndjehej aq mirë kur e vlerësonin, njerëz për të cilët vetë nuk kishte asnjë lloj vlerësimi. Më pëlqente më shumë qëndrimi i tërhequr i Miço Kallamatës, i cili duket që nuk ushqente asnjë iluzion në aparatçikët apo në roli i Lidhjes në krijimtarinë  letrare dhe kulturore.
Sigurisht, emrat e të zgjedhurve në drejtim nuk kishin të bënin as me dogmatizmin dhe as me zellin për të kritikuar Todi Lubonjën. Nga të katër vetëm Avni Bilbili ishte antar partie dhe Vangjush Zikoja dhe Kristo Konoja gëzonin respekt si njerëz me integritet dhe të papërfshirë në asnjë taraf. A ishin këto emra të sugjeruar nga B. Shtylla, V. Cërrava apo nga të deleguarit e Lidhjes nga Tirana, këtë nuk mund ta them me siguri.
Sigurisht që relacioni i B.Shtyllës nuk pasqyron vërtetësisht jetën artistike dhe marëdhëniet midis shkrimtarëve dhe artistëve në Korçë në fundin e viteve ’70. Ai është i kushtëzuar nga ‘optika” e parimit Partia dhe shoku Enver mbi të gjitha dhe vetëm direktivat e tyre janë vija që duhet të ndjekin artistët. Për më tepër, në fjalimin e Enver Hoxhës në mars ishte parë se si duhej të orientohej qëndrimi ndaj Letërsisë dhe Arteve.
Për mendimin tim, vetë mënyra e organizimit të krijimtarësë nëpërmjet një shoqate të Shkrimtarëve dhe Artistëve e cila ishte e vetme dhe e detyruar, silte një pjesë të madhe të grindjeve dhe rivalitetit midis krijuesve. Për vetë natyrën e egos krijuese, fërkime të tilla ka patur në çdo kohë dhe në çdo system, por më të mprehta bëheshin në një system të “shoqërizuar”, kur veprat letrare dhe artistike do I nënshtroheshin jo vetëm gjykimit të publikut dhe kritikës, por edhe atij të kolegëve në mbledhje të zgjatura e të panevojshme. Thënia e Lubonjës se Arti nuk bëhet me mbledhje, është më se e vërtetë. Unë nuk di të flas për punën e Todit në RTSH, e cila dukej vërtet për tu lavdëruar duke e parë me syrin e teleshikuesit, por mënyra e drejtimit të Kulturës në Korçë ishte në rastin më të mirë për të e një të pakulturuari arrogant. Jo vetëm në artet figurative ku të përkrahurit e tij nuk shkëlqyen kurrë, në asnjë sistem, por edhe në muzikë, e gjithë mbështetja e tij ishte për Rikardo Jorganxhiun që njihej nga i gjithë qyteti si defiçient. Lapangjozë të tjerë të tipit Agim Isaku apo Petraq Kita në letërsi, nuk patën kurrë asnjë të ardhme si krijues, por edhe si karaktere.
Nuk mund ta kuptoj edhe sot inatin e tij me Kristo Konon dhe Vangjush Tushin. I pari ishte i vetmi krijues në krijimtari të lirë, dhe edhe nëse nuk kishte ndonjë prodhimtari në moshën mbi 60 vjet, përsëri ishte një muzikant, që kishte studiuar në Itali dhe kishte njohje të mirë të muzikës. Ndërsa i dyti, edhe pse mund të kishte një rënie në prodhimtari, kishte formim të mirë profesional dhe ishte një mësues i mirë i të rinjve në pikturë. Dukej që zemërimi i Partiakëve ndaj Tushit nuk do mbaronte me aq, se 4 vjet më vonë, piktori i vjetër u arrestua dhe u dënua me burg për pjesëmarje në një grup kundër Pushtetit Popullor. Edhe tre-k atër piktorë patën të njëjtin fat brenda atyre viteve, por niveli i të tjerëve ishte larg atij të V.Tushit.
Gjithashtu duhet thënë që Lubonja nuk ishte për një krijimtari krejt të lirë, por për një të tillë të diktuar prej tij dhe njerëzve që i vinin pas. As tregonte ndonjë interes për konkurimin e lirë të ideve në art dhe në atë kohë duhet thënë që u injoruan shumë fusha të kulturës dhe artit kombëtar por edhe botëror. U nxitën idetë se ne na mungonte tradita jo vetëm në letërsi,dramaturgji apo arkitekturë, por edhe pikturë dhe muzikë. Sot, po të krahasosh veprat e Onufrit, vëllezërve Zografi, Mios, Idromenos etj., as mund të bëhet fjalë të krahasohen me artin e krijuar në kohën e liberalizmit nga Edi Hila, Edison Gjergo, Vilson Kilica apo të tjerë piktorë të quajtur modernë në ato vite. Në rastin më të mirë, lëvizja liberale e drejtuar nga sektori i ideologjisë me Ramizin në krye, mund të konsiderohet si një lëvizje për të përqafuar bashkëkohoren, por kjo bëhej duke shkelur forma të tjera më tradicionale të të bërit art. Në organet e shtypit por edhe RTV, kishte plot injorantë, të cilët tundnin flamujt e modernizmit, pa mësuar ende ABC-në e Letërsisë dhe Arteve. Ishte kjo që krijonte tensionet më të mëdha mes krijuesve. Lëvizja për modernen kundër arkaikes nuk ishte gjithnjë në duart e më të mirëve dhe më të talentuarve.
Për të mos i ngrënë hakun Todit, duhet thënë, që gjatë qëndrimit në Korçë, pati shumë njerëz që I përkisnin “klasave të përmbysura”, të cilët u ndjenë më mirë dhe filluan të jenë më aktivë në jetën kulturore e artistike. Nuk ishte vetëm merita e tij, se e gjithë atmosfera, sidomos në Tiranë, ishte më liberale. Periudha prej 1966 e deri në mesin e 1973 ka qënë periudha më e çuditshme dhe më e mirë për njerëzit gjatë gjithë viteve të Diktaturës. edhe pse shpesh sot, njerëz që nuk e njohin mirë atë kohë flasin për ndikim të Revolucionit Proletar Kinez. Në Shqipëri veç mbylljes së institucioneve fetare, heqjes së gradave në ushtri dhe fletë-rrufeve, nuk pati asgjë kineze. Lufta e klasave u zbut, ekonomia në sajë të ndihmës kineze u përmirësua, vlerësimi i Shqipërisë nga të huajt ishte më i mirë pas daljes nga Traktati I Varshavës dhe vetë Zeusi me bashkëpuntorët më të ngushtë ndjehej më i fortë se kurrë. Gjithashtu, si e përmenda më lart, lëvizjet e ekstremit të Majtë në Europë ishin më të forta se kurrë dhe çdo gjë dukej se do shkonte përjetësisht mbarë në mullirin marksisto-leninist. Ndaj edhe krahu më i moderuar i Nomenklaturës e shihte se tranmsetimi në tv I Bitëllsave apo ngjarjeve të tjera të botës europiane nuk e cënonte aspak pushtetin e tyre. Shembull i qartë ishte Jugosllavia, e cila ishte edhe më e pavarur, edhe midis Lindjes dhe perëndimit, edhe komuniste, edhe ekonomikisht më mirë se vendet e KNER-it. Sot ata që kanë qënë pauses të Paçramit apo Lubonjës mund të mburren si disidentë, por edhe vetë nuk kanë qënë dhe aq më pak të dy të dënuarit me burg të gjatë. Ishin pjesë e atij sisitemi të cilin donin ta ruanin të fortë deri në fund. Njerëzve u erdhi keq edhe në atë kohë kur i burgosën, edhe ju vjen edhe sot kur përmenden vuajtjet e tyre. Por më tepër se viktimë të Diktatorit nuk mund ta quash apartçikun e ndjerë Todi Lubonja.


Monday 17 March 2014

Todi Lubonja në Korçë

Sot lexova dy pjesë të një relacioni të Behar Shtyllës (ne Shqiptarja) rreth reagimit të shkrimtarëve dhe artistëve të Korçës, ndaj veprimtarisë të Todi Lubonjës në Korçë prej 1968 deri më 1972, kur iku si drejtor i RTSH në Tiranë. I kujtoj mirë ato kohë, sepse gjatë atyre viteve, në degën e Lidhjes së Shkrimtarëve bëheshin mbledhje të pafund dhe babai ishte gjithnjë i shqetësuar dhe e përcillte shqetësimin edhe në shtëpi.
Duhet të them që në fillim se relacioni i Shtyllës më duket shumë i saktë, gjë që dëshmon për korrektesën dhe nivelin intelektual të njërit nga studentët më të dalluar të Liceut të Korçës në të gjithë kohrat. Gjithshka, dhe ato që nuk i dija, përputhen me linjën e atyre që tregonte babai në shtëpi.
Më parë në blog kam përmendur, që në lëvizjen krijuese dhe artistike të qytetit ka pasur një përplasje të brezave, menjëherë pas Letrës së Hapur të Komitetit Qëndror dhe Fjalës së Shkurtit të Hoxhës, për revolucionarizimin e jetës së vendit. Në atë kohë, për arsye që nuk i kuptova kurrë deri në një bisedë që bëra me Laçon më 2004, letrarët dhe artist[t e rinj filluan një “luftë“ ndaj brezit të vjetër për t’i zëvendësuar në drejtim, në Degën e Lidhjes. Atë kohë ishte Kristo Konoja kryetar i degës dhe babaj sekretar i saj. Cuditesha m[ von[ me zellin e tij, se ajo ishte një punë vullnetare, e cila babajt jo vetëm I merrte kohë, por mbi të merrej edhe me botimin e një Almanaku letrar “Korça e Re”, ku përmblidheshin krijime të shkrimtarëve dhe letrarëve të rinj korçarë. Almanaku shtypej në shtypshkronjën e qytetit dhe duhet të kishte një tirazh të kufizuar. Laçoja ju përgjigj asaj pyetje duke më thënë që drejtimi i degës kishte të bënte me antarësimin në Lidhje, që sillte edhe oraret e reduktuara dhe lejat krijuese si dhe përfitime të tjera psh studio për artistët a Arteve Figurative, piano për muzikantët etj etj. Ai shtoi që Konoja nuk i kushtonte punës kohën e duhur ndaj dhe donin ta hiqnin. Më kujtohet në kulmin e kohës së Fletë-rrufeve, një e madhe kundër Konos e babajt nga Guri Miçinoti, ku i kritikonte se pengonin shkrimtarin shofer dhe të rinjtë e tjerë. Ndjehesha keq se sa dilja nga apartamenti ku rrinim, përballesha me stendën e Fletë rrufeve pranë pallatit të Kulturës ku s’kuqte emri I babajt tim të dashur. Isha 8-9 vjeç dhe nuk kuptoja ndonjë gjë, por kisha dëgjuar në shtëpi që pas Gurit ishin të tjerë njerëz intrigantë. T. Laçoja më tregoi që zuri vendin e Konos si kryetar dhe babai mbeti si sekretar dhe sipas tij i bënte gjithë punën, se Laçoja atë kohë ishte agronom në Grumbullim. Nuk e kujtoja bashkëpunimin e babajt me Laçon por mund të jetë edhe lajthitja ime.
Kur Todi arriti në Korçë, e ashtuquajtura Lufta e Brezave, e pompuar nga të rinjtë me Kadarenë në krye, kishte dy-tre vjet, që ndjehej në gjithë atmosferën kulturore në Shqipëri. Sot mund të paraqitet sin jë Luftë e Modernes me Dogmatiken, por nuk është krejt kështu. Në luftën kundër të vjetrës goditeshin krijimtaria edhe e Kutelit, Poradecit, Spasses, Jakov Xoxes, Petro Markos në letërsi, A. Buzës, Mios, Tushit, Janaq Paços, Odhise Paskalit, Stamos, Zajmit e ndonjë tjetri në artet figurative, Konos, Trakos e Jakovës në muzikë etj etj. Ishte një lëvizje e të rinjve të talentuar dhe të patalentuar për të marrë drejtimin e dhe frutet e lëvizjes artistike në Shqipëri. Në rastin e arteve figurative apo teatrit dhe kinematografisë këto nuk ishin të pakta si vlera materiale.
Lëvizja e Todit në Korçë ishte disi e çuditshme, se për herë të parë një antari KQ vinte si sekretar I II në një rreth ku drejtonte një tjetër antar I KQ, në këtë rats Mihallaq Ziçishti. Të dy “bejlerët” e rrethit kishin cilësi të përbashkëta kapadaillëkun dhe ardhjen rrotull pas fustaneve, por Lubonja ishte edhe më i shkolluar dhe me më pak mëkate në ndërgjegje. I përkiste krahut të butë të Ramiz Alisë, por ishte I besuar se kishte drejtuar për një kohë të gjatë “Zërin e Popullit”. U duk açik një lloj mospërfillje e tij ndaj Ziçishtit dhe “futja e duarve” menjëherë në çështjet e Artit dhe Kulturës. Prirje të tilla alla sovjetike të pas 57-tës kishin filluar në Tiranë prej kohësh dhe i gjithë krahu i të studiuarve në BS me R.Alinë në krye prireshin të ndiqnin gradualisht prirjen e artit dhe letërsisë ruse të viteve ’60. Tek e gjithë Lindja e moderuar po mbahej një sy drejt tendencave të arteve europiane e sidomos të televizioneve franceze dhe italiane. Ishte koha e të Majtës kundër rregjimeve të De Golit, Adenauerit apo të Djathtës italiane, se në Spanjë, Greqi e Portugali ishin akoma diktaturat e djathta. Një orientim i tillë me një të ardhme të konsoliduar, nuk i vinte ndesh as E.Hoxhës edhe pse në krah të Maos. Kjo ishte arsyeja se ndryshe nga Revolucioni Kulturor ksenofob kinez, pas ’66 tek ne vazhdoi një orientim drejt liberalizmit dhe jo kthim në një art të tipit “Detashmenti i Kuq i grave”. Në disa nga periodikët e kohës si Nëntori, Drita, Ylli e Zëri I rinisë filluan të botoheshin edhe autorë të huaj më parë të anatemuar, ose edhe vendas me prirje moderne apo edhe me "hije n[ biografi".
E keqja në veprimtarinë e Lubonjës në Korçë ishte një politikë tepër personale në Kulturë dhe Arte. Të mësuar “të vrisnin e prisnin”, Lubonja si të tjerët në Tiranë apo rrethe të tjera kishte prirjen të favorizonte ata që i dukeshin atij të talentuar. Tipike ishte “ngritja në qiell” e një piktori mediokër, i të ndjerit Andrea Themeli, i cili nuk kishte as studime të plota, por as konsiderohej talent nga piktorët e tjerë. Grafikat e tij, që i pëlqenin çiftit Lubonja po paraqiteshin si forma më e lartë e pikturës në Korçë. Përreth todit tij po mblidheshin për ditë e më tepër të rinj të paformuar mirë në artet duke u përpjekur vetëm të tregonin se ishin kundër artit tradicional. Ishte koha kur të studiuarit jashtë si Vangjush Tushi apo Rafail Dembo, të cilët mbeten piktorët më të mirë korçarë pas Mios, ndjeheshin jo vetëm të plakur por dhe sikur i përkisnin një arti anakronik. Dhe në atë kohë i pari ishte rreth 56 vjet dhe tjetri jo më shumë se 48. E njëjta gjë po ndjehej edhe në letërsi, megjithëse në atë fushë dora e Lubonjës nuk mund të ndikonte shumë se gjërat vareshin nga marëdhëniet personale të autorëve me shtëpinë botuese n[ Tiran[. Në muzikë gjithashtu u vu re një përpjekje për të goditur Konon, por ishin pak të rinjtë e talentuar në atë fushë dhe gjithë përpjekjet për modernizim ishin jo më shumë se një kërcim modern shqiptar Alba, i krijuar nga koreografi nga Tirana Agron Aliaj, e I eksperimentuar me të rinjtë në Korçë, por që nuk pati ndonjë të ardhme.
I vetmi sektor ku dora e Lubonjës u ndje për mirë, ishte ai i teatrit. Atë kohë, rastësisht ose me ndërhyrjen e tij, kishin ardhur Mihallaq dhe Edi Luarasi, të cilët sollën ndryshim pozitiv në Teatrin Cajupi. Gjithashtu aktorët më të rinj si Vangjush Furrxhiu, Raqi Cili apo edhe Minella Borova, Llazi Serbo dhe Jani Riza ishin në momentet më të mira të karrierës së tyre dhe krijuan një bërthamë e cila vërtet i përgjigjej denjësisht nivelit të Teatrit Popullor. Vetë nuk e kam parë të famshmen “Njollat e Murme”, për të cilën fliste i gjithë qyteti i entusiazmuar para se të fitonte Flamurin e festivalit të teatrove. “Të Pamposhturit” nu kmë la ndonjë mbresë, ndërsa më ka pëlqyer shumë një pjesë e huaj e quajtur “Engjëjt e skëterrës”. Kjo e fundit nuk ishte vënë në skenë nga Luarasi, pasi Todi së bashku me gjithë shpurën e tij të përbërë nga Luarasët, Laçoja, S.Andoni e plot të tjerë kishte filluar të bënte modernizimin e Radio-televizionit Shqiptar. Besoj se edhe në atë rast, politika e tij e kuadrit ishte ajo e afrimit të njerëzve që kishin të njëjtat prirje në art dhe gjithashtu e peqelepistave.

Kujtoj, që babai dhe të tjerë njerëz, të cil[t kishin të bënin me kulturën dhe artin, jo vetëm nuk ju pëlqente sjellja arbitrare e Lubonjës, por kush më shumë e kush më pak e ngrinin zërin në mbledhjet e Lidhjes apo në këshillat artistikë ku diskutoheshin veprat artistike. Për të patur miratime pa diskutime, shpejt babai dhe të tjerë u hoqën nga Këshillat artistikë dhe u zëvendësuan me njerëz të moderuar, që kuptonin shpejt se ç’pëlqente shoku Todi. Kur bisedoja me Laçon më 2004 rreth nivelit kulturor të njerëzve të artit e sidomos të letërsisë dhe e pyeta se cilët prej tyre lexonin në gjuhë të huaja, më tha Andoni, Miço Kalllamata dhe për veten e tij në rusisht. Vazhdova ta pyesja, se si mund të krijojë dikush që nuk kishte lexuar ndonjë autor në gjuhë të huaja dhe mu përgjigj që në vitet ’60 ishin bërë përkthime të mira dhe shumë shkrimtarë kishin përfituar prej tyre. Sigurisht harroi të përmendte Arsinoi Binon dhe ndonjë tjetër, por dua të them që njerzit që u mbajtën larg nga Lubonja e kompani ishin pikërisht ata që ishin shkolluar në perëndim ose që zotëronin një kulturë të mirë. Si gjithnjë, aparatçikët nuk donin të përballeshin në diskutime me njerëz që “merrnin vesh nga dynjaja”.
(vijon)

Sunday 16 March 2014

Këngët e qytetit tim. III

(vijim)

Ky shkrim i cekët, rreth një teme të rëndësishme dhe jo shumë të prekur, rreth këngëve të qytetit tim, të cilat në shumicën e tyre ishin të ndrydhura, ka humbur para 3 vjetësh fillin e tij, ndaj po I rikthehem për ta vazhduar dhe plotësuar. Edhe pse mund të duket si e tejkaluar, ose “përsiatje” të kota rreth një arti jo me shumë vlerë, ato kanë qënë pjesë shumë e rëndësishme e jetës shpirtërore të disa brezave dhe ja vlen t’i rikthehem edhe pse mund të përsërt të njëjtat gjëra.
Veç nostalgjisë, e cila shpesh bëhet shkak për një pjesë të shkrimeve, në rastin e këngëve korçare, shtytja më vjen nga përfaqësimi më i ulët i tyre sot në mediat shqipatre por edhe në youtube apo FB. Duket që jetëgjatësinë më të madhe, në përgithësi e kanë më vulgaret apo edhe ato të kopjuara keq nga këngë jo shumë të suksesshme greke. Sigurisht, mund të ketë arsye të thella përse ndodh kjo dhe një shkrim, që lexohet vetëm nga 10-15 vetë, nuk mund të bëjë as nxitje të muzikantëve për të gërmuar në repertorin më të mirë të këngës korçare. Ndoshta nuk është e vështirë të kërkohet në arkivat e Radio Korçës apo dhe të Pallatit të Kulturës, sepse jo vetëm ka  patur një praktikë liberale të inçizimeve deri në vitin 1973, por deri atë kohë janë realizuar edhe të paktën 3-4 festivale të këngës së lehtë në Korçë, tek të cilat duhet të ketë pasur këngë melodioze dhe me tekste të mirë.
Korça ka pasur fat të madh në krijimtarinë muzikore dhe në numurin e madh të instrumentistëve, për dy arsye mendoj unë. E para është kurbeti i popullsisë të rrethit në Rumani, Bullgari dhe Amerikë, ku emigrantët nisën të mësonin vegla muzikore dhe e dyta është përqindja e madhe në qytet e popullsisë së komunitetit egjiptian, ose si i quanim më parë e evgjitëve. Këta të fundit, përbënin që prej 150 vjet më parë shumicën dërmuese të grupeve instrumentale(të quajtura saze), që ngjallnin harenë e popullsisë në fejesa, dasma apo edhe panaire fetare. Vërtet sazet dhe sazexhinjtë këndonin ato që quajmë muzikë popullore, por disa nga ato këngë ishin v[rtet perla dhe u riaranzhuan dhe u kënduan nga këngëtarë klasikë të studiuar në Europë, gjatë viteve ‘20-‘30  të shekullit të XX-të. Mes sazeve kishte një lloj "hierarkie" të përsosur bazuar në nivelin artistik dhe shquanin ato të Demir Hajros(Demkës) dhe të Qerimesë. Pjesa tjetër e popullsisë, u tërhoq shpejt nga instrumentat e thjeshtë me tela(kitarë e mandolinë) me të cilat ishte e lehtë të këndohej në mjedise të vogla apo edhe për veprimtari të tipit serenatë(edhe pse këndoheshin më shpesh ditën, për të tërhequr vëmendjen e vajzave). Duhet thënë që një traditë e tillë është në gjithë Ballkanin Lindor dhe komplekset e këngëtarëve dh këngët e tyre janë shumë të ngjashme. Po përmend këtu Rumaninë e jugut, Bullgarinë, Maqedoninë, Greqinë veriore dhe sigurisht Shqipërinë juglindore. Komplekset e burrave këndonin në harmoni me dy dhe tre zëra dhe këngët ishin të përshtatura nga ato të kompozitorëve të huaj, ose edhe nga muzikantë vendas të cilët nuk pretendonin të kishin statusin e kompozitorit. Në Korçë, si e kam përmendur në pjesën e parë të këtij shkrimi u dallua Thoma Nasse, i cili kishte studiuar në Amerikë. Ndihmë për përhapjen e këngëve të kultivuara(qytetare i quajtën një kohë) dha edhe botuesi Dhori Koti, i cili disa herë botoi tekstet e këngëve më të përhapura bile edhe me shënimet” këndohet sipa melodisë të x-kënge të njohur në botë“.

Në të njëjtën traditë të këngëve patriotike me melodi me një vijë të thjeshtë muzikore, u krijuan gjatë Luftës së Dytë, në bodrumet e qytetit edhe shumë këngë të tjera patriotike, të cilat më vonë u quajtën këngë partizane. Pati shumë të kompozuara nga Dhora Leka me tekste të saj apo të Fatmir Gjatës e Xhuvi Binos, por edhe një ose dy të tilla të kompozuara nga Kristo Kono. Edhe pse ato këngë nuk kishin karakter të theksuar politik apo klasor, nga stërpërdorimi në Radio e koncerte apo nga mësimi i detyruar që në kopësht, filluan të dilnin nga “repertori” i këngëve që këndoheshin në festa familjare. Ishin tanimë “të damkosura” si këngë të “Korit të Ushtrisë“. Mes tyre kishte këngë me vlerë si “Hakmarrje Rini” apo “Shqipja jonë mori malet”, të cilat mund të këndoheshin edhe nga një këngëtar i vetëm, por edhe nga kore gjigande.
(vijon)

Saturday 15 March 2014

Mish apo bonbone?

Po të pyesësh 10 vetë në Korçë, se c’do të të jap tani një copë mish apo një bonbone, ma mer mendja që 9 prej tyre (fëmijët, gratë, pleqtë) do kërkojnë bonbone. Copën e mishit do e kërkojë ndonjë sarahosh, që ka edhe një faqorkë me vodkë në xhep. Shumë shumë edhe ndonjë nëpunës i bashkisë, që mbulon tregëtinë dhe turizmin, por për këtë nuk e ve dot dorën në zjarr.
Pallati i quajtur i Bonbonerisë apo edhe Bar-Korça, u përurua 50 vjet më parë dhe ishte ndërtimi më “shik” i qytetit. Dyqanet e tij në atë kohë, nuk mbeteshin pas shitoreve në çdo vend të Ballkanit. Dukej që “vendorët” atë kohë kishin ngulmuar për parashtesë në Tiranë, se i gjithë ndërtimi e kaloi shumë vleftën fillestare. Binte në sy qoshja e Bonbonerise, e cila nuk ishte e vetmja Pasticeri e kohës. Ciftet që bënin “sullacë“, ktheheshin të mernin ndonjë të ëmbël, ndërsa gratë që kishin ndonjë “sebep” blinin bonbone me peshë. Muajve të ngrohtë, Bonboneria mbushej plot nga njerëzit që blinin akullore “pe dhjetë“, të cilat ishin akulloret më të mira në qytet, pas atyre të Turizmit. Në kulmin e sezonit, ndodhte që një ose dy pasdite, brenda shitores të ndjehej era e qumështit, por këto ishin të vetmet raste, se Bonboneria kishte një pastërti shembullore.
Edhe pas privatizimit, Bonboneria e ruajti traditën veç që u nda më dy ose më tresh, si u ndanë tek ne Partitë, Hotelet, Restorantet dhe Fabrikat. Me siguri kishte një bonboneri të Majtë, një të Djathtë dhe një të të Drejtave të Njeriut. Nuk dihet nëse i Majti apo i Djathti (më shumë të ngjarë ka që të jetë ai i Njeriut) vendosi që në vend të ëmbëlsirave të shiste Mish Viçi, ose ta jepte me qera në në Mishviçshitës(kasap tingëllon mizore). Për këtë si në çdo qytet të botës duhet Leja e Bashkisë dhe Kasapi i të Drejtave të Njeriut këtë e ka marrë sakaq. Dhe jo se ka dhënë ndonjë “të shkoqur” në Bashki, por se Bashkiakët duan t’i bëjnë të qartë popullit të Korçës përparësinë që ka Mishviçi ndaj Bononeve. Proteinë ndaj karbohidrateve. Një bast që është i sigurt se fitohet. Aleanca Qytetare mund të kundërshtojë sa të dojë duke thënë, që nuk është bukur që në qendër të qytetit njerëzit të shohin viça, derra dhe cjepër të therrur e të varur, por Ligaveci Gollash me Shallaqkë(I shtova shallaqkën për ta dalluar nga Ligavecët Gjinko dhe Papa) mund të të mbushë mendjen top, që nuk ka ligj që e ndalon Kasapin të shesë mish në qendër të Korçës. Për më tepër në atë, që quhet me krenari “Pedonalja” dhe kritizerët e thërresin “Pedofilja”, e sjell më pranë “identitetit ballkanik” një kasap llërë përveshur, ngjyra e gjakut dhe era e mishit që thahet se njerëzit mezi e blenë.
Si për karshillëk ndaj qytetarëve të mjerë, përreth Kasapit ka vetëm Banka dhe qytetarët e gjorë, që pasi janë rrjepur nga Bankat e huaja, e ndjejnë se po ju vjen rradha t’i varin nga këmbët në dyqanin ngjitur. Për të plotësuar ciklin e jetës, mbetet që shitorja më tej të kthehet në Zyrë Funerale (ka jo pak të tilla në shëtitoret e Korçës) dhe qytetari të ndjehet i qetë se pasi e kanë rrjepur dhe copëtuar me hanxhar, mund të prehet në një tabut me dru lisi të punuar bukur, si ai i ekspozuar në vitrinën më tej. Dhe të gjitha këto të shoqëruara me shtyllëzat e Pedonales, që ulen e ngrihen të kontrolluara në distancë me teknologjinë më të fundit.
Në fund të gjithë të gëzuar, për të harruar të nesërmen hanë Ligavecë(jo gollashë) nga ata që kanë mbetur pa u importuar nga BE!




Friday 14 March 2014

A do vij Behari vallë?

Sot në Mëmëdhe është Dita e Pranverës ose e Luleve dhe është festë Kombëtare. Lulet duhet të kenë shpërthyer në çdo qoshe të vendit, se ka bërë një dimër i butë. Jo e njëjta gjë është këtu tek ne, ku jo vetëm nuk ka lule, por dëbora dhe akulli nuk na ndahen prej 4 muajsh. “Mirë t’ju bëhet kapitalistëve!” mund të thotë në Mëmëdhe ndonje ekstremist i Majtë, ndërsa shijon bugaçen në Elbasan.
Elbasani është sot Kryeqendra e Ditës së Luleve. Edhe vetë kjo ditë, nuk është gjë tjetër veç 1 marsi sipas kalendarit Hixhra. Dikush, pasues i thekur i Kadaresë mund të protestojë për festimin sipas kalendarit të pustuesve turq, sepse identiteti jonë është Europian dhe bile Katoliko-Europian, por njeri nuk e dëgjon, se Festa është e vulosur përfundimisht me ferman edhe nga Presidenti Demirel(Ooops…Demireli sikur ka qënë Presidenti i Turqisë që e hiqte cazë këmbën, por mua nuk më kujtohet cili President i joni e firmosi fermanin). Mbase Xhepi që kishte dalë në Meidan.
“Ime”, Festa në Elbasan duhet të jetë në kulmin e saj me të ngrëna, të pira e të thyera. Se dinë të festojnë bukur qytetarët e Elbasanit. Zaten kur nuk kishte hyrë Partia, festonin edhe më shumë sipas parrullës së tyre të famshme “Komt ke vija, gjashtmdhjeçen ke xhepi, jevgën ke preni". Flitej se ishin edhe më të përparuar se gjithë qytetet e tjera, se numuri i shokëve gay ishte 20% dhe jo 10%, si pretendojnë sot në botë organizatat LGT.
Po a ka lidhje Kalendari Hixhra me Diten e Luleve dhe me filozofinë e jetës të Elbasonit, para 1944 dhe pas ’90? Unë nuk e di këtë. Edhe një shoqe, që ka studiuar atje për tre vjet, kur e kam pyetur ka ngritur supet.
Po ç’na duhet të vrasim mendjen në këtë ditë feste, pragu i Beharit të Sevdave? Le të “bojm qejf” dhe mendimet t’i lemë për “ma von, ma von”. Le të buçasë sot gazi e kënga, sidomos ato të Isuf Myzyrit, nga të cilat unë kujtoj vetëm një “Tuj shëtit n’ara t’gjata” dhe “Ti  që m’vrave mu/t' vraft i madhi Zot/o mos boj naze/ jam ashiku jot!”

Askoshun Arnautstani im! Behari osht ime nji ktu!

Thursday 13 March 2014

Ti ke Paranë!


Shprehjen tipike të Katavaroshit, para tre vjetësh ma përmendi disa herë pastruesja Palkë. Unë qeshja me vete se le PARANE,që nuk e kisha patur kurrë, por edhe paraçka nuk kisha dhe aq atë kohë. Më qeshej edhe me filozofinë e Palkës, e cila në të vërtetë ishte jo vetëm punëtore e mirë, por dhe nga njerëzit më të ndershëm që takova majin e 2011-ës në Korçë. Duke dremitur në shtratin tim, ndërsa Palka pastronte "me themel” shtëpinë e posalyer, mendoja rreth raportit të njerëzve me Paranë. Thosha edhe se ndoshta e kanë të drejtë anëtarët e komunitetit rom apo egjiptian, që kryesore në jetë është Paraja. Fundja ata kanë mijra vjet që vërtiten nga India dhe vende të tjera të Lindjes nëpër botë duke kërkuar një jetë më të mirë dhe përvoja ju ka treguar, që kush ‘ka Paranë“ jeton jo vetëm më mirë, por edhe sundon.
Raporti i brezit tim me Paranë, ishte pak i ndryshëm për vetë natyrën e sistemit në të cilin jetonim. Ndoshta edhe nga filozofia që na kishin përcjellë prindërit. Jo se ishim kundër Saj, por nuk kishim ndonjë Nderim të veçantë. Gjatë adoleshencës dhe në rini, kishin vlerë më shumë besnikëria ndaj shokëve, të mosqënit spiun, bujaria, raportet me seksin tjetër, bile edhe “kush e mbante më mirë alkolin”. Më tej ishin të qënit të ndershëm, respekti ndaj më të rriturve dhe një lloj rebelizmi ndaj autoriteteve. Këto vlerësoheshin në rrethet shoqërore në kohën e shkollës së mesme, univeristetit dhe viteve të para të punës.
Më vonë sistemi ndryshoi dhe raportet e njerëzve me Paranë dhe njëri tjetrin patën ndryshim. Nuk mund të them se e diktonte Ekonomia e Tregut, ose pati një përmbysje të çuditshme të konceptit të fuqisë së Parasë. U duk se me Para mund të arrije gjithshka.
Deri diku, ky koncept nuk është tërësisht i gabuar. Paraja është energji që jo vetëm të ndih për të jetuar më mirë dhe të jep siguri në jetë, por edhe të shton Lirinë, atë që e kërkon gjithkush. Veç ka një përvojë të gjallë Historia, që me Filozofinë ‘ti ke Paranë“ nuk mund të shkosh edhe shumë shumë larg. Komunitetet Romë dhe Egjiptianë janë shembulli më i mirë. Paraja jo vetëm është shumë ‘e lëvizshme’, por shpesh jo vetëm nuk mund të të sjellë lumturinë, por nuk të shërben as për të blerë gjëra të rëndësishme në jetë. E mendoja këtë edhe 20 vjet më parë, kur një vajze shembullore i prishej mendja nga një “ronxhobonxho”, që ngiste një makinë luksoze e notonte në para nga biznesi legal apo ilegal i të vëllait. 10 vjet më vonë biznesi u mbyll dhe Paratë ishin shpenzuar e nuk mësova më si e shkonte jetën Vajza shembullore me Ronxhobonxhon.
Dhe jo vetëm kaq, por me Paranë nuk ble dot as sigurinë në jetë. Shembujt e jetëve të shkatërruara të shumë biznesmenëve e dëshmojnë.
Dhe jo vetëm kaq po me Paranë nuk ble dot as Lirinë. Shumë njerëz të mbushur me para janë pjesë e një sistemi prej nga nuk dalin dot edhe po të duan, ose janë të detyruar të mbyllin gojën e të heqin vallen e ndohtur deri në fund.
Dhe jo vetëm kaq, por me Paranë nuk e ble dot emrin e mirë as për veten dhe as për fëmijët e tu.

Ndaj dua , që herën tjetër kur të jem në Korçë dhe puntorja e ndershme Palkë të pastrojë me themel shtëpinë e posalyer të mos më thotë “Ti ke Paranë!”, por të më thotë “Ti ke një emër të mirë!”

Wednesday 12 March 2014

Njerëz bëhuni bashkë!

Qëllon rrallë, si për të prishur terezinë, hap ndonjë gazetë shqiptare online. Dje hapa gazetën Tema dhe për herë të parë pashë një transmetim të drejtpërdejtë të Parlamentit Shqiptar nga Tema tv. Nuk di se sa kohë ka Merua me televizion të tij dhe nëse kjo lidhet me protagonizmin kundër atij që e kishte mbrojtur poshtërsisht për ngjarjet e ‘97ës, apo me mbështetjen ndaj atij , të cilin e kishte sulmuar poshtërsisht për gjyqin ndaj gruas, të cilën e kishte akuzuar se fëmijën e kishte me të jatin e tij.
Merua është një faqe e vogël e shumëfaqëshit shumëngjyrësh të shoqërisë shqiptare. Në tv e tepelenasit Mero u shfaq fytyra e murrëtyer e tepelenasit më të famshëm pas Ali Tepelenës, Gramoz Rucit. Më pas, mes ndërprerjeve nga parlamentarët, skraparliu më i njohur i gjithë kohrave Ilir Meta, I dha fjalën “ish-vullnetarit të Enverit” , Ridvan Bodes nga Rakicka. Dëgjova edhe dy fjalë çaprazçe të “milionerit vullnetar të Saliut” dhe e mbylla séancën e drejtpërdrejtë online. Sigurisht që nuk është e këndshme të shikoj fytyrën e vrazhdë të Ruçit, se më kujton menjëherë Gjyqin e Shkodrës. Po ashtu, neveri më ndjellin edhe dy fytyrat e tjera të fshatarëve-milionerë. Por unë e kam të lehtë t’i harroj sepse mund të shikoj online kanale të tjera, që kanë ose politikanë pak më simpatikë, ose të tilla ku nuk del fytyrë politikani.
Ndaj më vjen keq për ju, qytetarët e qytetit tim, të cilëve politika po ju merr shpirtin për ditë dhe ju ka përçarë mes jush më tepër se kurrë. Asnjëherë në historinë e Korçës, njerëzit nuk kanë qënë kaq të ndarë dhe me urrejtje ndaj njëri tjetrit. Edhe në periudhën e Luftës Klasore, thuajse të gjithë shihnin si kundërshtar shtetin dhe solidarizoheshin me të vojturit,qoftë edhe në heshtje. Kurse tani, dy ose tre banda, duke përdorur format e poshtra të vendit të punës, tenderave me fonde qeveritare, privilegjeve të tjera ju kanë mpirë trurin me helmin e armiqësisë ndaj njeri tjetrit.
Përkrahës të PS-së, kur shihni se në krye të grupit parlamentar të Partisë suaj është Gramoz RuçI, lëvizni, se punët nuk janë mbarë.
Simpatizantë të PD-së, kur dëgjoni ligjëratën e shëmtuar e të gënjeshtërt të Ridvan Bodes, shkunduni, se akoma më keq do bëhet.
Militantë të LSI-së, mos ju gënjejë mendja se hajduti Ilir Meta do jetë në gjendje gjithnjë t’ju ofrojë poste, por ngrihuni e përkrahni njerëzit e thjeshtë, se ditë të këqija vijnë për të gjithë.
Se mund të duket gjë e vogël, që një I pashkollë vihet të drejtojë një sektor shtetëror të rrugëve, vetëm se klith lart e poshtë pro Niko Peleshit, por është shenjë që më keq po shkojnë punët.
Se mund të duket “anekdotë“, kur dikush që ka mbaruar Psikologji drejton në një sektor ku duhen specialistë dhe ju thotë inxhinierëve që “zanatin nuk e dip o di t’ju zberthej juve psikologjikisht”, por është për të vënë kujen.
Se mund të duket “normal”, që një inxhinier dikur i një partie të djathtë klith në miting pro të Majtës, në këmbim të një posti si Drejtor Spitali, por k y është fundi I integritetit intelektual.
Se mund të duket një shkathësi politke, që një administrator të mirë, dikur Peleshi e kompani nuk denjonin ta thërrisnin për tu këshilluar për qytetin e tani e mbajnë pranë, por kjo është fëlliqësi politike.
Me raste të tilla mund të vazhdoj pafund dhe shumë herë më shumë dini ju të dashur bashkëqytetarët e mij. Kanë një dekadë e gjysëm, që këto tre banda luajnë keq mbi kurrizin tuaj. Mund të thoni që nuk keni se nga ja mbani. Askush nuk ka recetë t’ja u tregojë. E kini në dorë vetë.
Njerëz bëhuni bashkë!



PS. I shkrojta këto rrjeshta me të cilat mund të qeshin “të pacipët”, duke menduarplot dëshpërim për mikun e rallë që përcollëm sot për të fundit herë, që edhe pse ishte shumë punëtor e I ndershëm , e kishte punuar gjithë jetën I duhej të punonte deri vjet, për të përballuar jetën në Shqipëri.