Wednesday 20 December 2023

Ushtari që shihte çdo gjë dopio (2)

 (vijim)

Dhjetë ditë më pas një grup tjetër mjekësh erdhën me lajmin e keq se Josariani gëzonte shëndet të plotë

dhe duhej të dilte nga spitali. Për fat të tij, po atë ]ast një nga pacientët përballë tij thirri: "Cdo gjë më duket dopio!"

Një infermiere klithi ndërsa një tjetre i ra të fikët. Nga tërë anët erdhën duke vrapuar mjekë me gjilpëra, drita, tubo, epruveta, shirita llastike dhe spirale metalike. Instrumentat më të komplikuara i sollën me tavolina me rrotëza. Të gjithë përreth pacientit duke shtyrë njëri tjetrin me inat duke i thënë se duhet edhe të tjerët ta vizitonin. Një kolonel ballëgjërë me syze me skelet briri gjeti i pari diagnozën:

"Eshtë meningit!"- tha plot siguri duke i shtyrë të tjerët, "Ndonëse nuk ka asnjë tregues të qartë sepse duhet të jetë i tillë."

"Atëhere pse thua meningit dhe nuk thua , ta zemë...nefrit akut!" 

"Sepse jam specialist meningiti dhe jo i nefritit"- ju kthye koloneli" dhe nuk kam për t'ja lënë pacientin asnjë veshkisti pa luftë. Unë isha këtu i pari."

Në fund të gjithë ishin në një mendje. U pajtuan se nuk kishin idenë se cila ishte arsyeja që ushtari i shihte të gjitha dopio, e futën atë në një dhomë të ve]antë dhe vendosën një karantinë dyjavore për të gjithë pacientët e pavionit.

Dita e Falenderimit kaloi pa ndonjë gjë për të shënuar ndërsa Josariani ishte në spital. E vetmja gjë pa shije ishte gjeli i detit, por dhe edhe ai nuk ishte aq i keq. Për Josarianin ishte Dita e Falenderimit më e arsyeshme dhe ai u betua që të gjitha Ditët e Falenderimit të së ardhmes t'i kalonte në strehën e ngrohtë të spitalit. 

E shkeli betimin që në Ditën e parë të Falenderimit, pasi e kaloi në hotel i përfshirë në një bisedë intelektuale me gruan e lejtnantit Sheiskopf, e cila vazhdimisht i hiqte veshët për qëndrimin e tij cinik ndaj Ditës së Falenderimit edhe pse sipas asaj ajo vetë nuk besonte tek Zoti po aq sa Josariani.

"Ka mundësi që unë të jem po aq ateiste sa ti"- deklaroi ajo e ngrefur" e megjithatë mendoj se duhet të tregohemi mirënjohës dhe nuk ka pse të skuqemi për këtë."

"Më thuaj një gjë për të cilën duhet të jem mirënjohës."- tha me indiferencë Josariani.

"Po ja..."- bëri ajo një pauzë në mëdyshje a duhej ta thoshte- "për mua."

"Ua lere...'-shfryu Josariani.

Ajo ngrysi vetullat tërësisht e habitur. "Nuk je mirënjohës për mua?"- pyeti ajo me një ton ku ndjehej krenaria e lënduar. "Nuk mendon se s'ka pse t'i tund prapanicat me ty? Im shoq komandon një skuadron të tërë me kadetë, të cilët do hidheshin përpjetë nga gëzimi të shkonin me gruan e komandantit të tyre."

(vijon)

Monday 18 December 2023

Ushtari që shihte çdo gjë dopio (Nga "Klecka-22" e J.Heller)

Josariani gëzonte shëndet të mirë sajë ushtrimeve fizike, ajrit të pastër dhe marrjesme sport; prej të cilave hoqi dorë ditën e parë që zbuloi spitalin. Kur oficeri i edukatës fizike Fild urdhëroi të gjithë ushtarët të shtriheshin e të nisnin ushtrime për forcimin e muskujve të barkut, Josariani u nis për në ambulancë dhe ju tha që kishte dhimbje në anën e djathtë të barkut.

"Duroje"- dha doktori i rojes që po zgjidhte një fjalëkryq.

"Nuk mund t'i themi më duroje"- u hodh korporali" ka një direktivë të re për dhimbjet e barkut. Duhet t'i mbajmë pes ditë në kontroll para se t'ju themi ta durojnë, se ka pasur shumë vdekje prej tyre."

"Në rregull"- mërmëriti doktori."Mbajeni në kontroll për pesë ditë dhe pastaj i thoni ta durojë."

I dhanë pizhamet dhe e shtruan në pavion, ku Josariani u ndje shumë i kënaqur, pasi pranë tij asnjë nuk gërrhiste. Në mëngjez, një doktor stazhier anglez shumë i zellshëm e pyeti për mëlçinë.

"Më duket se kam apendisitin"- i tha Josariani.

"Apendisiti nuk të bën dobi"- deklaroi me shumë autoritet anglezi- "Apendisitin ta heqim tak-fak dhe duhet të shkosh menjëherë në shërbim. Po ankohu për mëlçinë dhe mund të na çoroditësh për javë të tëra. Duhet të kuptosh se mëlçia është një mister i madh për mjekësinë. Besoj se ke ngrënë ndonjëherë dhe e ke një lloj ideje se ç'dua të them. Ne jemi të sigurt që mëlçia ekziston dhe përafërsisht dimë se ç'funksion ka, kur bën atë që duhet të bëjë. Më tej jemi komplet në errësirë. Mbi të gjitha ç'farë është mëlçia? Për shëmbull im atë vdiq nga kanceri në mëlçi dhe nuk kishte qënë i sëmurë asnjëherë në jetën e tij deri në çastin që vdiq. S'kishte pasur kurrë as dhimbjen më të vogël. Nga një anë kjo e dhimbjeve nuk ishte ndonje gjë pozitive se nuk e duroja dot babanë. Mbaja anën e mamasë."

"C'ne një doktor anglez të jetë në detyrë këtu?"- donte të dinte Josariani.

Oficeri qeshi. "Këtë do të ta them nesër në mëngjez , kur të vij për të të parë. Dhe hiqe atë qesen me akull para se të kesh marrë ndonjë të ftohur të rëndë."

Doktori nuk u pa më. Kjo ishte më e bukura me mjekët në spital; nuk i shihje kurrë për herë të dytë. Vinin, të vizitonin dhe zhdukeshin. Në vend të anglezit të nesërmen mbërritën një grup mjekësh që nuk i kishte parë ndonjëherë dhe që e pyetën për apendisitin. 

"Nuk kam gjë nga apendisiti. Doktroi dje më tha që kam mëlçinë."

"Mund të jetë mëlçia"- u përgjigj një doktor flokëbardhë që dukej se drejtonte grupin. "Si i kanë dalë analizat e gjakut?"

"Nuk i kanë bërë analizat."

"Bëjani menjëherë. Nuk mund të rrezikojmë me një pacient në këto kushte. Duhet të jemi në rregull me gjithë dokumentacionin në rast se ky vdes."Diçka shënoi në kartelë dhe ju kthye Josarianit: "Ndërkohë mbaj një qese me akull në vendin ku të dhemb. Eshtë e domosdoshme."

"Nuk kam."

"Gjej një këtu rrotull. Duhet të ketë. Dhe ju thuaj infermiereve nëse dhimbja bëhet e padurueshme."

 (vijon)


Thursday 14 December 2023

Shtypi (media) dhe Profesorët janë armiku


Thuajse 50 vjet më parë, në një bisedë në zyrën e tij pas fitores së zgjedhjeve të vitit 1974, Niksoni tha fjalët famëkeqe: "Shtypi është armiku. Establishmenti është armiku. Profesorët janëarmiku." Ishte 14 dhjetor dhe e gjithë Shtëpia e Bardhë ishte në ekstazën e fitores së thellë elektorale. Në entusiazmin e madh, ashtu si në dëshpërimin e thellë, njerëzit i nxjerrin ato që bluajnë brenda vetes dhe nuk mund t'i thonë çdo ditë hapur.

Por Niksoni ka kohë i vdekur dhe nuk ka ndonjë interes të merremi me figurën e tij, veç se të krahasojmë idetë e shprehura më 1974 me ato të propaganduara nga MAGA me 2016, 2020 dhe tani.

E gjithë turma që ndjek nga pas ish-presidentin Trump ka të njëjtën ndjenjë për Mediat (fjalën e lirë dhe informuese), establishmentin dhe profesorët(shkencën). Vetë Trump është kampioni i luftës ndaj informimit dhe shkencës. E ka dëshmuar në sulmet e egra ndaj mediave të pavarura dhe ndaj çështjeve të ngrohjes globale dhe të epidemive.

Rrezikshmëria e Trump dhe e amerikanëve që e ndjekin sjell dy probleme stërmëdha për Globin. E para është që Amerika ka shumë në dorë për vendosjen e gjithë ligjeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare dhe e dyta është që ndikimi i asaj që quhet "pop-culture" amerikan është ende shumë i fuqishëm në botë.

Në Shtetet e Bashkuara e kanë burimin edhe të gjitha teoritë komplotiste, të cilat po përqafohen gjithnjë e më shumë në botë dhe që janë tharmi i lulëzimit të grupeve të ekstremit të djathtë.

Injorancë, besimi tek komplotet, kundërshtim i të dhënave shkencore, mosbesimi tek informacioni i mediave tradicionale  janë karakteristikat e pjesëve të popullsisë që mbështesin të djathtën ekstreme dhe që po gjallërohen gjithnjë e më shumë në botë. Dhe shumica e tyre janë njerëz të varfër, të zhgënjyer nga sistemi dhe të dëshpëruar, që janë gati mos ndalen për asnjë veprim të dhunshëm.

Duket dhe që elitat liberale nuk janë në gjendje të kuptojnë se ku janë gabimet e tyre të rënda, të cilat sjellin në fuqi Trump dhe Trumpët e tjerë në vendet e zhvilluara demokratike. Nëse ato ende nuk do dinë se si të merren dhe të parandalojnë fenomenin Trump në shoqëritë perëndimore, atëhere Mediat, Institucionet dhe Profesorët kanë për të mbetur armiku i turmave, që rrezikon të sjellë në fuqi jo vetëm Autokratë, por edhe Diktatorë. 

Wednesday 13 December 2023

Një parashikim i zymtë


Në një shekull të qënies së shtetit shqiptar ka pasur vetëm 4 udhëheqës politikë, që kanë drejtuar vendin. Edhe pse me ndryshime nga njëri tjetri të katër mund të kategorizohen si Sundimtarë. Janë Ahmet Zogolli, Enver Hoxha, Sali Berisha dhe Edvin Rama.

Ka pasur edhe periudha ndërmjetëse, ku në krye të vendit kanë qënë personalitete të tjerë, por asnjë prej tyre nuk ka përcaktuar një epokë të caktuar, si koha e Zogut, e Enverit e Berishës dhe e Ramës. Askush prej të tjerëve nuk ka pasur forcën dhe ambicien e duhur për të sunduar.

Natyrisht, në një vend të vogël dhe me pak histori shtetformuese, një rol kryesor ka luajtur raporti mes Fuqive të Mëdha dhe situata rajonale dhe ndërkombëtare, por përsa i përket situatës së brendëshme, për fat të keq duhet pranuar tashmë se jemi një shoqëri që e ka të nevojshme t sundohet nga një Udhëheqës i vetëm. Dhe pavarësisht nga ndryshimet, të katër sundimtarët shqiptarë janë shquar për makiavelizmin e tyre dhe për mosstepjen ndaj çdo vendimi, që sillte edhe sakrifikim jetësh, por ju konsolidonte pushtetin.

Nën këtë prizëm të forcohet bindja se Rama (nëse diçka e ardhur nga qiejt nuk i ndodh), do e kalojë shumë shpejt kohët e sundimit të Zogut dhe të Berishës (përkatësisht 15 dhe 13 vjet) dhe do arrije gjysmën e kohës dyzetvjeçare të idhullit të tij- Enver Hoxhës.

Por a duhet fajësuar Rama për këtë?

Një shoqëri e cila nuk është në gjendje të përballojë vrullin dhe energjitë e një narcisisti për të ardhur në krye dhe për të ndenjur në krye një kohë të gjatë, është një shoqëri me pak energji pozitive, me shumë pak nevojë për institucione demokratike dhe me shumë pak kujtesë dhe largpamësi.

Koha e Ramës mund të përcaktohet si koha e largimit nga shteti i të drejtës dhe demokracisë, kohë e lulëzimit të bizneseve të fëlliqura, kohë e hapave pas në formimin e institucioneve të domosdoshme të një shoqërie liberale.

Por jo gjithshka mund të jetë e errët edhe në kohë të tilla. Në vend ka një qarkullim të madh të parave të pista, që ndihmon ekonominë e brishtë të funksionojë, që ndihmon krijimin e një infrastrukture për turizmin, ndaj edhe ka një standart të mirë jetese për një pjesë të shoqërisë. Eshtë kjo shtresë, që ndihmon sundimin e Ramës edhe në kushtet kur nuk kemi të bëjmë me një Diktaturë.

A do i fitojë po kaq lehtë edhe dy zgjedhjet e tjera për Parlament Rama?

Nuk ka se si mos i fitojë. Cdp gjë në vend ose është nën kontrollin e tij ose është e mpirë. Ndaj edhe periudha post-Rama i përket diku vitit 2033, kur Edvini të ketë plotësuar 20 vitet si Udhëheqës Fuqiplotë i Shqipërisë. 


Saturday 9 December 2023

C'ngjyrë ka pikëllimi?

Dikush thotë është një e errët blu,

Një tjetër - i zi si nata.

Këtë shkoj në mendje,

Në fundin e një pasditeje

I mpirë krejtësisht nga thëllimi:

"Në një paletë mjeshtri mijrangjyrëshe

Kujt syresh i përket pikëllimi?"

Ai lloj që gjithë qënien pështjell

Dhe shfaqet jo vetëm në fytyrë,

Por edhe në dridhjen e lehtë të flokëve,

Në tejdukshmërinë e thonjve,

Në luhatjet që ka çdo gjymtyrë.

Peshë të rëndë ka,

Por a mund të ketë nuancë,

Kjo masë viskoze që çdo qelizë prek?

Eshtë ngjyra e Zbrazëtisë

Ndaj si e tillë është absurde

Të kërkosh përkatësinë

Tek gjurmët që le drita

Kur prizmin e kristaltë cek.