Tuesday 30 August 2022

Merre me “çiqitëmizëm”!


Fjalën-shprehje “çiqitimizëm”, e cila më pëlqeu shumë, e dëgjova për herë të parë nga avokati im. Nuk di nëse ishte e sajuar prej tij apo qarkullon në Tiranë, por ishte vërtet diçka shumë e pranishme në universin shqiptar dhe njëkohësisht i mungonte fjalorit zyrtar të shqipes. Më duhet të përmend se ai e përdori si kritikë ndaj meje, ndërsa ngulja këmbë që nuk ishte e nevojshme të vazhdonte me redaktimin e librit tim, se nuk ishte keq dhe ashtu si ishte.

Unë nuk jam shquar kurrë për përkufizime, edhe kur duhej t’i thoja të mësuara përmendësh. Nëse përpiqem tani t’ju shpjegoj juve, se ç’kuptohet me termin në fjalë, do e kisha më të lehtë të mbushja dy tre faqe të stërholluara se sa të jepja të përqëndruar në një fjali ose frazë të vetme se ç’është. Me një fjalë të vazhdoja me “çiqitëmizëm”.

Ciqitëmizëm – dukuri a e të marrit lehtë të gjërave në shoqërinë shqiptare; të vepruarit pa ndjenjën e përgjegjësisë; prirje për shkeljen e rregullave dhe ligjeve.

Përsëri e zgjerova si shumë dhe i dhashë shumë nuanca, të cilat edhe mund të keqpërdoren nga të tjerët, por në fund të fundit unë nuk jam as anëtar i redaksisë së Fjalorit të Shqipes, as akademik dhe as ndonjë autor serioz. Jam vetëm një bloger, që gëzoj plotësisht lirinë time të të shkruarit.

Dukuria është e hershme, ndoshta shkon edhe thellë në shekuj, por unë për herë të parë e kam kuptuar, si diçka që nuk shkonte, kur i pranishëm në një bisedë të tim eti me disa më të mëdhenj në moshë se ai vetë, ai përmendi: “Ne shqiptarët e kemi kollaj se me një “ç’i qi tëmën” e shtymë edhe nja gjashtë muaj ndonjë hall që na ka zënë!” Isha jo më shumë se dhjetë vjet dhe më mbeti në mendje, sepse ishte e pazakontë që ai të fliste në këtë mënyrë në praninë time. Burrat e tjerë miratonin duke buzëqeshur. Ishin të arsimuar në Perëndim.

Shumë vite më vonë, kur nisa ta përdorja edhe unë shprehjen në fjalë, pata kuptuar se shprehja nuk kishte të bënte as me mllefe, as me dëshira seksuale dhe as me nënat. Kishte të bënte me rrënjët e një problemi apo dukurie dhe zakonisht për të zbuluar rrënjët e çdo gjëje, e mirë apo e keqe qoftë, duhet mund. Dhe mundi të mundon.

Popujt e tjerë kanë gjithashtu shprehje të ngjashme si ‘take it easy!” apo “tembellik etmek”, por kjo e jona është gjithpërfshirëse, pikante dhe “asgjesuese”. Nuk ka më nevojë të shtjellohet se të jep një qetësi të plotë dhe problemi në vetvete është zhdukur si me magji.

Gjatë dhjetvjeçarit të fundit, ose më parë, VIP-at e Tiranës kanë nisur të përdorin shprehjen “merre me sportivitet”, kur dikush të akuzon, fyen apo të bën diçka të padrejtë. Po ku e ku më e qartë dhe më lehtësuese është po të të thonë “merre me çiqitëmizëm!” se nuk ka nevojë as të kesh njohuri nga sporti dhe as se çdo të thotë saktësisht sportivitet, kurse “çi qi tëmën!” e ka përdorur të paktën një herë në jetë çdo shqiptar që ka kaluar moshën e pubertitetit.

Në kohën e Diktaturës do ta kishim dërrmuar, bashkë me gjithë “izma-t” e tjera, si indiferentizmin, oportunizmin, revizionizmin, ekspresionizmin, kubizmin dhe kapitalizmin, por tani gëzojmë të gjitha liritë dhe bashkë me të edhe të drejtën për ta marrë jetën me çiqitëmizëm.

 

Sa të mijat aq dhe nuk më përkasin


Ishte një mbrëmje nga ato, që nuk e kupton nëse është pranverë apo vjeshtë, se I njëjti thëllim ndjehet bashkë me shiun që herë nis dhe herë pushon. “Si erë prej dëbore” - mendon t’i thuash shokut që ke në krah dhe më pas pendohesh, se e di që të njëjtën gjë mendon dhe ai. Ja njeh mirë hyqet dhe e di që mund të të lëshojë ndonjë rromuz për të treguar se gjithshka është njëlloj si shumë vite më parë. Thinjat nuk e kanë trazuar gëzimin dhe besnikërinë. Ndaj vetes dhe shokut të afërt.

Kalldrëmet nuk janë të njëjta, por kanë të njëjtin shkëlqim nga shiu dhe dritat e pakëta të rrugicës. Të njëjtën qetësi, shpresë për të takuar dikë dhe dëshirë për t’ju fshehur dikujt që mund të të lodhë me pyetje. Ndjehesh i kënaqur dhe i sigurt me atë që njeh mirë dhe e quan tënden. Kërcitjen e bravës së derës, që e hap duke futur gishtat midis kangjellave. “Nuk ka se si të jetë ndryshe edhe në këtë epokë të elektronikës dhe numurave. Njerëzit ende besojnë tek njëri tjetri.” Dikur kisha qëndruar në porta e kësaj shtëpie, që nuk kishte qënë metalike, por të tilla patën qënë shumë të tjera, ndoshta jo në këtë rrugicë. Ndaj gjeta se si të hyja në oborrin me plloça guri dhe të ngjitja shkallët e gurta.

Në korridor priste avokati im dhe një moshatar i joni, me një fytyrë dashamirëse, nga ato që të ngjan se i ke njohur prej kohësh. Dyert e hapura të dhomave të lejonin të shihje një mobilim të kujdesshëm, në frymën e viteve ’30 të shekullit të kaluar. Vetëm pikturat miniaturë në mure dhe ngjyrat e çelura të sillnin në këtë shekull. Mungonin edhe fotot e mëdha bardhezi të patriarkëve të familjes, aq të zakonshme për kohën e paraluftës së Dytë të Madhe.

Ndjehesha më mirë të zbrisnim poshtë, në ato që dikur i quanim qilare ose bodrum dhe që i kanë të gjitha shtëpitë e qytetit tim. Disa më të ulëta e disa si dhoma ku mund të jetosh, disa të shtruara me plloça guri grid he disa të lënë në dhe, por të gjithë përmbanin mjedise të freskëta në verë dhe të ngrohta në dimër, ndaj na pëlqenin ne fëmijëve. Na pëlqenin edhe më shumë nga një tis misteri që ndehej mbi to dhe që na nxiste fantazinë. Ne nuk donim t’ja dinim nëse mbanin erë “muli”, ose se mund të kishin “igrasi”. Ishim shumë shumë larg nga të “dhemburit e kockave”.  Në të tilla mjedise, ku përzjeheshin erërat e zahireve me ato të mobiljeve të vjetra,leskrat e gëlqeres me gjurmët e argjendta të ligavecëve gollashë, kisha kaluar orë të tëra i vetëm ose me kushërinjtë e mij duke luajtur.

Bodrumi i Vilës së restauruar mirë nuk ishte i tillë. Ruante të gjitha materialet e ndërtimit të kohës, madje dhe ato të shtuarat, por nuk ishte më “magazina rrëmujë“, që harliste fantazitë tona fëminore. I ngjante një “sobe” të madhe të fëmijërisë sime, me çdo gjë të trajtuar më me kujdes dhe me një oxhak me zjarr bubulak.  Gjithshka ishte e njohur, e shkëputur nga realiteti dhe e sigurt. Fytyrat e moshatarëve të mij, luhatjet e flakëve nga lëvizjet tona, madje edhe vajza e re që ishte bashkuar me ne për një mbrëmje mes miqsh. Mungonin gotat me pije dhe telat e kitarës, për të plotësuar atë “natyrë të qetë“ shumë dimensionale.

Më pas dhe ato u shtuan dhe çdo gjë rridhte me një përtesë të këndëshme si ato mbrëmjet, për të cilat do që fundi të jetë sa më i largët. Ishihim gjashtë njerëz që njiheshim mirë dhe e besonim plotësisht njëri tjetrin. Njerëz që pëlqenim muzikën dhe të qënit besnik, jetën e thjeshtë dhe dëshirën për të ndihur të tjerët, dashurinë për seksin tjetër dhe poezitë rreth dashurive, lidhjen shpirtërore me gurët e qytetit dhe ndjenjën e kozmopolitizmit.

Në një çast pushimi, dolëm me një nga shokët në oborr dhe duke ndenjur nën strehë më shkuan sytë në stivat me dru, të cilat i kisha harruar. Nuk e kuptova përse ato më bënë të ndjehesha se gjithë ato hollësi të bukura të asaj mbrëmjeje nuk ishin të mijat. Pas disa ditësh do rikthehesha në jetën time aq të ndryshme dhe të largët nga njerëzit e mij të afërt, nga kujtimet e bukura që më sjellin aromat që i gjen vetëm në qytetin tim, nga këngët e dashurive të humbura dhe të atyre të parealizuara kurrë.

Cdo gjë ishte po aq e imja sa dhe nuk më përkiste. Ankthi i dyzimit më pushtoi sërish dhe nuk mu nda për disa ditë. Ishte prill, por i thyeri isha unë.

 

 

Monday 29 August 2022

Kafeja e vogël në udhëkryq

Nyja lidhëse ishte atje.

E ardhmja shtrihej më poshtë,

Tek varkat me vela

Që larg ngjajnë si pulëbardha.

Atje kisha dremitur një pasdite të nxehtë,

Atje kisha qënë në dimër kur mardha.

Xhepave numuroja të hollat

Që mjaftonin vetëm për një kafe;

Ngjitesha përgjatë rrugës që mbante një emër fshati,

Sytë i hidhja në ballkoni

Dhe prapë kthehesha atje.

Nuk di pse ndjeja se të gjitha rrugët

Të vjetrat buzë detit,

Dhe ku rrëzoheshin ndërtesat,

Për tu hapur një e re,

Fatet dhe brengat,

Grindjet dhe gëzimet,

Do i sillnin vetëm atje.

I habitur më shihte kinezi

Të cilit nuk ja dalloja dot vitet,

Unë dhjetra herë hyja dhe dilja

Të tjerët pinin më nge,

Për ta ishte një vend i thjeshtë pushimi,

Për mua e gjithë jeta ishte atje.

Rrugët si litarë më qëndronin lidhur,

Nyjeve,

                Fytit

                                Dhe mendjes së lodhur,

Nuk ngjitesha dot më përmbi re.

Me gojën e hidhur,

Pa ditur ç’kishte ndodhur

Kohën thërmoja në të voglën kafe.

Sunday 28 August 2022

Plagët e shoqërive të lira


Kam përmendur në një shkrim të mëparshëm, ndryshimin për mirë që ndjeva në Tiranë gjatë vizitës të këtij viti. Nuk kisha qënë prej 18 vjetësh dhe shumë gjëra dhe dukuri kishin mbetur “të fotografuara” në mendjen time. Këtë rradhë i pashë të ndryshuara. Përgjithësisht mendova që “liria funksionon”. Ndoshta shumë më ngadalë se pritshmëritë tona. Ndoshta më ngadalë edhe se parashikimet e të huajve që kanë më shumë përvojë. Por funksionon.

Eshtë  gjithashtu fakt, që njerëzit duan të largohen nga Shqipëria. Por edhe ky është një nga aspektet e Lirisë. Njerëzit instiktivisht ose racionalisht ndjejnë se përmirësimet nuk shkojnë me ritmin me të cilin na “fluturon” jeta dhe shkojnë për të jetuar më mirë në vende më të pasura, më të sigurta dhe me institucione të konsoliduara.

Por shoqëritë e lira kanë “plagët” e tyre dhe ndonjëherë janë të thella dhe të pashërueshme. Ne na çudisin kur shfaqen në shoqërinë shqiptare, pasi kemi vetëm 30 vjet në liri, por ekzistojnë ende në të gjitha shoqëritë e lira madje dhe në ato me institucionet më të forta.

Dje më kapi syri një lajm, që një konkurente shqiptare e Miss Universe kishte shoqëruar gjatë ndjekjes një kriminel të shumëkërkuar. Opinioni reagon me përbuzje ndaj “Missit”sepse krimineli është gjithashtu i martuar dhe me katër fëmijë. Dukuria nuk është e re për Shqipërinë, ku plot vajza të bukura të medias kanë të dashur trafikantë droge dhe të tjerë kriminelë. Eshtë më e përhapur në të gjitha vendet e demokracisë dhe tregut të lirë. Pushteti dhe veçanërisht paratë, por edhe shpirti i aventurës i tërheqin vajzat e bukura. Të gjithë kapot e karteleve të Meksiskës dhe vendeve të tjera të Amerikës Latine, kanë të dashura ose martohen me konkurueset dhe fitueset e konkurimeve të bukurisë. Ja që pedagogët e universiteteve, shkencëtarët dhe gjenitë e informatikës kanë më pak “sexual attraction”, ose nuk kanë shumë për t’ju ofruar bukurosheve. Eshtë e njohur që në kohën e Al Kapones!

Një tjetër plagë e pranishme është korrupsioni i madh i policisë dhe përfshirja e oficerëve të policisë në tregëtinë e drogës dhe të krimeve të tjera. Ne na çudit përfshirja e ish-ministrit të brendshëm dhe kapove të tjerë të policisë në tregëtimin e kanabisit apo dhe kokainës, por ka ndodhur dhe ndodh në vende më pasura dhe me institucione më të forta se tonat. Jo vetëm në Amerikën e viteve ’20-’30, policët, gjyqtarët dhe shumë politikanë paguheshin nga Mafia, por deri në vitet ’70-’80, në Nju Jork një pjesë jo e vogël e policisë ishte në “borderonë“ e kriminelëve. Në vitet ’80 dhe fillimin e viteve ’90, në Sidni të Australisë, banda më e fuqishme e drogës dhe vjedhjeve drejtohej nga kapot e policisë. U deshën shumë vite që të pastrohej policia e metropolit dhe të viheshin në krye oficerë të ndershëm. Dhe nuk bëhet fjalë për narko-shtete.

E megjithatë është më mirë të jetosh në një shoqëri të lirë me këto plagë të thella, se sa në një sistem totalitar, ky krimineli më i madh është vetë shteti.

Saturday 27 August 2022

Dëshirë

Dua të bie në një gjumë të thellë,

Nuk dua të vdes.

Nga pezmet truri të pastrohet,

Të ngrihem në një të kthjellët mëngjes.

Më pas të shkoj gishtat në të dukshmet rreze

Që bien mbi nënkresore

Duke menduar flokët e tu,

Të pashprishur edhe prej të natës lojra,

Freskinë të marr për dore

Të përshkoj pyllin mbuluar bojra.

Të gjej përruan,

Që na rrëmbeu atë dimër

Edhe nëse është tharë

Apo përbindëshat e kanë përpirë,

Gurët në shtratin e tij të mbledh

Shtëpizën e pyllit për të stisur

Të vogël,

                Të mjaftë për dy

                                Diku mbi një ledh.

Librat të shtroj për të bërë një shtrat

Nëse ndonjëherë gjumi do më marrë,

Ndërsa në gramafonin e vjetër

I njëjti disk do vërtitet pambarim,

Me të trishtën melodi që hiqet zvarrë.

Friday 26 August 2022

Kënga e dashnorëve të vjetër (La chanson de vieux amantes - J. Brel)

Edhe ne patëm shumë stuhi

Njëzet vjet dashuri e marrë

Valixhet shpesh rrëmbeje ti

Sa herë avionin un’ pata marë.

Cdo send kujton me hollësi

Në dhomën që nuk pati djep

Betejat plot potere

Tani më etje nuk ke ti

Pushtimi shije më s’më jep

Asgjë nuk është si atëhere.

 

Por o e dashur,

E ëmbla, e brishta, e imja e dashur,

Gjithë ditën, sa pa zbardhur,

Unë ende të dua, ti e di,

Unë të dua.

 

Unë e di se si më joshje,

Ti hilet m’i kupton menjëherë,

Mos bija kurthesh ti më mbroje

Unë të humbisja herë herë.

Kështu ti pate dhe të tjerë

Trupi duhet të zhdëfrejë,

Edhe koha duhet shtyrë,

Talent dëshmuam dhe njëherë

Se dim’ të bëhemi të vjetër,

Në pjekuri kurrë pa hyrë.

 

Por o e dashur,

E ëmbla, e brishta, e imja e dashur,

Gjithë ditën, sa pa zbardhur,

Unë ende të dua, ti e di,

Unë të dua.

 

Më tepër na shtohet lëngimi,

Sa më shumë kalojnë orët,

I rëndë paska qën’ ndëshkimi

Në paqe të jetojn’ dashnorët.

Tani ti loton më rrallë

Unë nuk çirrem aq shpesh

Mbajmë fshehur më pak sekrete

Ndërsa sillemi vërdallë

Një e përmbajtur luftë mes nesh,

Për kotësitë e kësaj jete.

 

Por e dashur.... 

 

 

 

 

 

 

 

 

Thursday 25 August 2022

Ne dhe stereotipet


Dikur, në vitin e largët 2013, pata shkruar një shënim të shkurtër të titulluar “Ne, viktima të imazheve”, ku përmendja tre dyfjalësha që më bënin të gajasesha, kur i kisha dëgjuar. I përmendja me hollësi se në ç’rrethana i kisha dëgjuar dhe nënvizoja faktin që ne nuk jemi “mendjehapur” se na çuditin ose bëjnë për të qeshur përcaktime që dalin nga korniza e një shablloni të caktuar. I pari ishte partizani dembel, që në kohën kur e komentonte një miku i im i vjetër mund të shkoje edhe për ndonjë hetim në birucat famëkëqia të Degës së Brendëshme; i dyti ishte gjyshja dëshmore, që edhe ky i komentuar dhe stërholluar në vitet ‘80 mund të të sillte ndonjë përjashtim nga shkolla; ndërsa i treti, putanë arbëreshe, ishte i kohëve të lira, madje rrjedhojë e një ngjarje të jetuar në Amerikën e Veriut.

Nuk di pse shënimi im i postuar atëhere në facebook solli shumë përdredhje buzësh dhe shprehjen e revoltës nga arkitekti Lyti nga Kukësi, që edhe vetë si togfjalësh , nëse je mendjembyllur, tingëllon jo shumë i besueshëm, madje edhe pak qesharak. Pse mendja jonë pranon menjëherë arkitekt Klement nga Tirana, ose arkitekt Tani nga Durrësi, por reagon mosbesuese nëse dëgjon arkitekt Lyti nga Kukësi, a thua se është e pamundur të ketë një të tillë? Përgjigja më duket qëndron në programimin që na kanë bërë të mendjes mbi bazën e stereotipeve. Dhe për këtë kanë faj prindërit, mësuesit, edukatoret, klerikët, poetët, punëtorët socialë, deputetët, historianët, spikeret e televizionit, tutorët, këshilltarët dhe patjetër edhe veteranët e luftës.

Edhe tani, kur vitet më kanë mësuar se në këtë jetë çdo gjë është e mundur dhe sidomos njerëzit janë të ndryshëm, me karaktere komplekse, me virtyte dhe vese bashkë ndaj nuk ka përse t’i shohësh sipas një profile të caktuar qoftë psikologjik, profesional, etnik apo historik, përsëri druhem të shkruaj dhe botoj tregime, esse apo novela rreth personazheve atipike. Eshtë një lloj letërsie që më pëlqen, por kur filloj dhe shkruaj mendja më rri se si do e presin lexuesit dhe a janë gati për këtë lloj zhanri. Ndaj dhe nuk i hedh ende në blog tregimet “Dentisti dhëmbërënë“, “ Eskimezi dhe gamilja e tij”, “Prifti shurdhmemec” dhe disa të tjerë, që të gjithë të kësaj natyre.

Por ajo që më mundon më shumë prej disa vitesh, është që nuk jam në gjendje të përfundoj essenë historike “Impotenca e Skënderbeut”. Nuk është vetëm frika se do më quajnë antikombëtar, agjent të sërbëve dhe grekëve, islamofil dhe Erdoganist. Nuk do më besojë lexuesi i thjeshtë edhe pse në esse nuk do ketë vetëm hamendësime plotësisht të llogjikshme, por edhe citime nga dokumente të gjetura në Bibliotekën e Doxhëve në Venecia dhe në Bibliotekën e Vatikanit. Për ne shqiptarët kryetrimi Skënderbe është sinonimi i forcës, zgjuarsisë, vullnetit, bujarisë, ndershmërisë, sinqeritetit, liridashjes, besimit në fitore, strategjisë ushtarake dhe padyshim edhe i potencës seksuale. Ndaj edhe kur na lindin pyetjet- pse u martua në moshë të shtyrë dhe pse bëri vetëm një djalë, ne druhemi t’i bëjmë me zë të lartë apo të gërmojmë në libra dhe dokumenta nga frika se mos gjejmë ndonjë të pabërë në jetën e Heroit tonë Kombëtar.

Edhe Skënderbeu legjendar ishte njeri. Gjatë viteve të kaluara në stërvitje ushtarake dhe beteja të panumurta  mund t’i ishte krijuar ajo që e quajmë “impotencë“ nga që mendonte vazhdimisht për atdheun, nga ndonjë plagë e mundshme në testikulat, nga ndonjë sëmundje veneriane e marrë në kuplaratë e Edrenesë dhe qyteteve të tjera që pushtonin turqit, por edhe mund të kishte lindur i tillë. Një fakt i tillë nuk e bën më pak legjendar dhe as nuk i heq aureolën e përjetshme që ka rreth përkrenares së tij me dy brirë dhie dhe jo prej cjapi.

Problemi është se trurin na i kanë strukturuar gjatë viteve me stereotipe dhe nuk jemi në gjendje të gëlltitim lehtësisht që Lenini gënjente, Ismail Qemali mbante edhe një të dashur pas kur udhëtonte me familjen, që Marksi kishte bërë fëmijë ilegalë dhe që Skënderbeu për një periudhë ishte impotent.

Wednesday 24 August 2022

Nga e kemi “peshqeshin” e korrupsionit?


“Peshqeshin e ka pranuar edhe mbreti!”
– ka qënë një shprehje e anëve tona, që justifikonte dhënien e dhuratave në këmbim të një favori. Nuk thuhej e ka pranuar edhe sulltani, ndonëse fjalën “peshqesh” e kishim të huazuar nga turqit. Por mbret ishte edhe më e përdorshme se fjala sulltan në të folurën e përditëshme dhe në folklorin shqiptar.

Ka një prirje tek ne për t’ja lënë të gjitha të metat e shoqërisë shqiptare turqve. Prej korrupsionit dhe dembelizmit e deri tek hakmarrja. Ndërsa të gjitha cilësitë e tjera pozitive i kemi të lindura dhe të trashëguara brez pas brezi!

Po le të shohim disa fakte nga një renditje botërore e vendeve të korruptuara. Turqia,nga e cila i trashëguam të gjitha të këqijat, përfshi këtu edhe peshqeshet, rryshfetet, paratë nën dorë dhe dumbarallëket e tjera të këtij lloji, është të paktën 12 vende më mirë se ne në klasifikimin botëror të vitit 2022. Po kështu të gjitha vendet e Ballkanit që kanë qënë gjithashtu nën Turqinë, duke përjashtuar Bosnjën e cila renditet në të njëjtin vend me ne. Më të korruptuarit, Sërbia dhe Maqedonia, renditen përkatësisht 14 dhe 21 vende më mirë.

Nëse do shohim vendet e tjera europiane, që janë më keq se ne, rezulton se vetëm Rusia dhe Ukraina janë më të korruptuara dhe përkatësisht 25 dhe 12 vende në klasifikimin botëror. Të dyja nuk kanë qënë të ndonjëherë nën administratën otomane. Por të dyja kanë qënë pjesë e Bashkimit Sovjetik të lavdishëm. Po ashtu thuajse të gjitha  ish-Republikat sovjetike të Azisë, që janë edhe më të korruptuara.

Ka një përqëndrim të habitshëm në pjesën e fundit të klasifikimit të vendeve ish-socialiste ose që janë ende socialiste, si Venezuela apo Korea e Veriut. Atje ku ka janë kolektivizuar më shumë pronat, ku shteti ka qënë më i egër, ku ka sunduar ideologjia materialiste dhe ku është goditur feja, korrupsioni është ku e ku më i lartë.

Ndaj nuk ka arsye të shkojmë thellë në histori për të kërkuar rrënjët e korrupsionit tonë të thellë dhe të përhapur në të gjitha qelizat e shoqërisë. Vjen nga varfëria materiale dhe shpirtërore, ku na katandisi sistemi i antivlerave, i shoqëruara edhe me një pushtet të plotë edhe mbi jetën dhe vdekjen, që kishin ata që qenë në majë të piramidës.

Përderisa të mos jenë rrënjosur në mendjen e njerëzve rëndësia e Ligjit dhe Institucioneve, këtë plagë-peshqesh të feudo-komunizmit shqiptar do e kemi gjatë mes nesh. 

Tuesday 23 August 2022

-Më lidhni!

-Më lidhni!

As dylli në veshë nuk ndal dot melodinë

Ndjellësen,

                Vrasësen,

Fjalët e bukura plot rimë,

Që më joshin t’ju qasem!

Kështu ju tha rremtarëve Uliksi,

Ndërsa ishullit i shkonin pranë,

Magjikja këngë nisi,

Puhiza ndali,

Gjithshka ishte pezull,

Në detin e paanë.

Ishte magjikja melodi

E të kaluarës dhe të ardhmes përzjerë,

Ngjizur me të patuturën përjetësi,

Thellë në palcë ndjerë,

Që nuk le kohën të rrjedhë,

Ndërsa në atë buzëdeti rri.

-Nuk janë sirenat që mishin të hanë

Dhe mbetesh si skeletet e zbardhur në breg!

Koha ka ngelur në këtë pikë,

Ndërsa brenda trupave tanë rrjedh,

Dashurohemi,

Rritemi dhe të vdesim kemi frikë.

Casti i përjetshëm këtu është,

Lidhur pas këngëve mrekulli,

Ndaj më shtrëngoni më shumë litarët,

Rremave më fort u jepni,

S’duhet të shkelin këtu vdekëtarët

Eshtë vend për perëndi!

Gjithshka kishte kuptuar Uliksi

Apo pat humbur rastin e rrallë?

Kërkush nuk i ka parë më sirenat,

Ka qënë vërtet një ishull,

                Planet i Udhës së Qumështit

A krijim i mendjes vallë?

Prag i tjetërsimit të mishit në shpirt,

Portë për tek një tjetër Gjithësi,

Shtangësia melodioze e të përjetshmes,

Më i epërmi vullnet,

Ajo ç’ka nuk mund të nxëhet?

Ndaj : Më lidhni!-thërret dhe ti.

 

Gusht e gulç


Ndërsa i ngjitem një të përpjete këtë gusht gulçoj. Ndoshta do ishte më mirë të përpjetat t’i lija për në shtator, kur koha freskohet dhe ka më shumë sherre politike në Shqipëri. Në sherret mes hajdutëve gulçues, kanë dalë akuza më të rënda se ajo e të qënit vjedhës. Spiun, rrezik për sigurinë kombëtare, vrasës, agjent i rusëve, antiamerikan, kriminel, sërbofil e plot e plot të tjera. Hajdut nuk është e mjaftë për të mos qënë në krye të qeverisë apo të opozitës. Si në atë anekdotën e vjetër të atij që vidhte kumbulla dhe e zonja e shtëpisë e akuzoi se ishte edhe hajdut edhe rrencak.

Këtë gusht, pa gulçuar aspak, Luza Gega u shpal kampione e Europës në atletikë dhe jo vetëm u prit si e meritonte në Tiranë, por kryeministri jonë i thjeshtë dhe i përvuajtur i puthi duart. Nuk mund të rrinte indiferent ndaj lajmit më të mirë për Shqipërinë këtë gusht, kur ka qënë i detyruar të fshihet se banditët vriten në mes të ditës ndërsa policët vrasin fëmijë me motoskaf në plazh.

Duke gulçuar ishin ngjitur rrepirave të Gramshit edhe agjentët sekretë rusë në misionin për t’i hedhur hi syve Ministrisë së Peleshit, Ministrisë së Cuços dhe NATO-s. Po Peleshi ja u kuptoi menjëherë lëvizjen, që donte të tërhiqte vëmendjen në Gramsh për të sulmuar Kuçovën dhe aeroportin e Kukësit. Të dyja këtë pika nevralgjike për Sigurinë Kombëtare u vunë në mbrojtje të trefishtë.

Mes gulçimeve të gëzuara, zëdhënësi i Mbretërisë Zulu dha lajmin lumturues se sherri politik njëvjeçar mes pretendetëve për fron është mbyllur me fitoren e Misuzulu ke Zwelithini, që do drejtojë zulutë për një afat të pacaktuar. Edhe zulutë e gjejnë mënyrën për tu marrë vesh me njëri tjetrin, veç ne shqiptarët krenarë nuk rrimë dot pa sherr. Grindemi për hiçgjë dhe pasi fillojmë të gulçojmë sulemi në shtëpi, rrëmbejmë kallashnikovin e vjedhur në uzinën e Gramshit dhe ja numurojmë tjetrit.

Që ta shpëtojmë nga gulçimet!

 

 

Monday 22 August 2022

Tomi


Ai kishte qënë gjithnjë Tomi për mua dhe moshatarët e mij. Një djalë biond që kishte mirësi dhe buzëqeshje në sytë e tij. Nuk kujtoj nëse e kisha njohur para vitit 1971, kur ishim në një turn në kampin e pionierëve në Voskopojë. Më ishte dukur se e njihja prej vitesh edhe pse nuk kisha këmbyer biseda me të. Ishte në një shkollë tjetër dhe ndoshta nuk kishte shumë interes për sportet, atje ku njiheshim me bashkëmoshatarët e tjerë dhe grindeshim për faullet dhe krijonim armiqësitë dhe aleancat fëminore.

Më pas, në adoleshencën tonë, përsëri ishte në një shkollë të largët nga e jona, por për të dinim më shumë. Këndonte bukur, i binte kitarës dhe dashuronte vajzën më të bukur të brezit tonë. Kishte edhe një grup shokësh , që këndonin shumë bukur. Kështu flitej. Unë e pata dëgjuar vetëm njëherë bashkë me një shokun tim, në një mbrëmje vjeshte me shi, kur rastësisht qëlluam në një strehë dhe na mësoi një këngë, të cilën nuk e kishim dëgjuar më parë. Ishte një këngë me tekst të Zhuljana Jorganxhiut, të cilën çuditërisht e mësuam menjëherë. Ishte ndoshta efekti që po mësonim një këngë nga Tomi, çka e bëri ta kapnim aq shpejt dhe ta këndonim me vone kur mblidheshim me shokët tanë të afërt.

Mç pas ndodhi këputja. Kishte ndodhur diçka që qyteti nuk e priste. Tomin e kishin arrestuar ndërsa përpiqej të arratisej nëpërmjet liqenit të Pogradecit. Ishim studentë dhe ndjemë lëndim. Nuk mësuam se si kishte ndodhur dhe se kush e kishte tradhëtuar. Ishte diçka që nuk donim ta dinim në hollësi për një moshatarin tonë që njihej në qytet vetëm për cilësi të mira. Na dukej sikur kishim edhe ne një pjesë të fajit për vuajtjet e tij. Dihej se si të trajtonin  në birucat e Degës së Punëve të Brendëshme.

Rreth fundit të vitit ’80 ishte më së fundi I lirë. E kujtoj edhe vendin ku u takova me të. Nuk e njoha. Ishte burrëruar. Në sytë kishte të njëjtën dritë dhe buzëqeshje. Më pas rinisi karrierën artistike dhe na gëzonte ne moshatarëve të tij, që mendonim se do kishte pasur një karrierë të suksesshme nëse do kishte arritur të ikte nga Shqipëria. Nuk e kishte pasur atë fat dhe vitet na kanë mësuar se në këtë jetë duhet edhe shumë fat.

Vitet e fundit, kur shkoj në Korçë e shoh më shpesh se jemi klientët e parë të një kafeneje që hap shpejt. Nuk e kam  dëgjuar të thotë as gjysëm fjalë mllefi ndërsa pimë kafenë dhe flasim për Korçën dhe muzikën. Shpesh pyes veten nga i buron kjo mirësi e pazakontë? Filozofia e jetës e përzjerë me muzikën i japin këtë qetësi?

Ai mbetet për mua dhe shokët e mij Tomi i talentuar, i buzëqeshur dhe i mirë. Tomi Kondakçi.

Sunday 21 August 2022

Trimëria merr kala, vigjilenca fort e mba!


Nuk di se ku është huajtur kjo shprehje – në thesarin e pashtershëm popullor, në ndonjë vepër të sho Enver a është përkthim i ndonjë shprehje latine. Gjithsesi, ajo ishte cituar shpesh nga brezi para nesh, se duket do kishte qënë e preferuara e ndonjë mësuesi të ushtarakes.

Më erdhi nga thellësitë e kujtesës, kur lexova që tre agjentë rusë (në një nga mediat tona thuhej edhe që ishin sekretë, thua se ka dhe agjentë jo sekretë) ishin kapur ndërsa tentonin të hynin në uzinën e armëve në Gramsh. Kurrsesi nuk dua të thjeshtoj rëndësinë e çështjes, për të cilën shpjegoi qartë edhe Ministri I Mbrojtjes, që nuk mund të trajtohet si një incident i thjeshtë. Me gjithshka që po ndodh në Europën Lindore dhe në Ballkan, kjo s’mund të jetë gjë tjetër veç një përpjekje për destabilizim. Po përgatitet të ndodhë diçka e madhe në një të ardhme të afërt, kjo nuk mund të thuhet me siguri, por ndjehet në atmosferë.

Kështu nis - agjentët (sekretë) në fillim fotografojnë objektet ushtarake, pastaj tentojnë të hyjnë për të parë se çka brenda dhe pasi marrin të plotë informacionin planifikojnë goditjen.

Po ç’prodhohet në uzinën sekrete të Gramshit, që donin të fotografonin agjentët sekretë?

Përsëri duke ju referuar mediave tona, në uzinë prodhoheshin AK-47 që ne na i mësuan t’i bëjmë sovjetikët, por duket që rusët nuk besojnë plotësisht në mediat tona. Diçka më e rëndësishme prodhohet atje. Por është sekret.

Në vitin 1997 nuk mbeti depo ushtarake pa u bastisur dhe bazë ushtarake pa u braktisur, dhe banditët dhe kriminelë shtinë në dorë gjithshka që mund të shitej, por asnjëherë këto të dhëna nuk ja u dhanë armiqve tanë tradicionalë, rusëve dhe sërbëve. Të mrekullon dhe të bën të ndjehesh i sigurt patriotizmi i popullit tonë dhe sidomos funksionimi i institucioneve tona ushtarake. Se vërtet kemi një administratë thellësisht të korruptuar, por kur vjen puna në çështjet e sigurisë kombëtare të marrim gjak në vetull dhe nuk ka pepper spray të na verbojë.

Gojët e liga dhe qentë që lehin mund të thonë se Rama me Peleshin e sajuan vetë këtë incident për t’i treguar Amerikës dhe NATO-s që jo vetëm mund ta ndërtojmë Bazën në Porto Romano pa futur asnjë lekë në xhep, por jemi edhe në gjendje ta ruajmë të pacënuar. Unë jo vetëm që nuk i besoj lehësit, se është fakt që  spiunët e Putin u kapën me presh në dorë dhe shpejt do dalin para gjyqit dhe do marrin dënimin e merituar, por i hedh poshtë me indinjatë gjithë sajimet që duan të njollosin qeverinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Edhe nëse kanë futur diçka në xhep nga këto të takspaguesve e kanë bërë vetëm e vetëm që të jenë të motivuar për të mbajtur sa më lart vigjilencën.

Kalanë tashmë e kanë të tyren!

 

Dhjetvjeçari apo shekulli i…prapanicave?


Tetë vite më parë, “i indinjuar” nga fotot e shumta në internet të prapanicave të J.Lo, Kim Kardashian dhe shoqeve të tyre, pata hedhur në blog një shënim me titullin “Viti i…prapanicave!” E mendoja si një dukuri të pazakontë, por kalimtare. Pas kaq vitesh, ekspozimi në gjithfarë mënyre i “të pasmeve” është kthyer në një epidemi për të gjitha femrat që duan të bëjnë emër në art, modelim, media, madje edhe në politikë.

Nuk di se sa orë në javë i kushtojnë në palestër ushtrimeve që “strukturojnë mollaqe të hijshme“, por nga fotot që mbushin mediat tradicionale dhe sociale duket se kujdesi është fokusuar në “glutealet” se duket që suksesi vjen nga “glutealet”.

Nëse do vazhdohet në këtë mënyrë, duhet një lloj transformimi rrënjësor edhe në mendësinë, fjalorin dhe shprehjet në shoqërinë tonë. Duket absurd nënvleftësimi tradicional që i është bërë “fundshpinës” në folklor, letërsi dhe në përgjithësi në filozofinë e përditshme të popullit tonë. Duhen flakur si anakronike shprehjet “punë e bërë me by…”, “më ke dëgjuar me by…”, “në by… i ke sytë ?!” dhe plot të tjera si këto, që kanë denigruar në shekuj këtë pjesë kaq të rëndësishme të trupit të femrës.

Diçka duhet të bëjnë në këtë drejtim edhe shkrimtarët dhe poetët e shumtë shqiptarë. Letërsia duhet të pasqyrojë sa më mirë kohën që jetojmë. Nuk ka përse t’ju përmbahen më klisheve të vjetra të përshkrimit të hireve femërore tek fytyra, supet, gjinjtë dhe pjesëve të tjera të përparme, por me të njëjtin përkushtim të brezave të mëparshëm të krijojnë figura letrare për pjesën kaq më të rëndësishme të femrës. Dhe sinonimet e shumta që ka në shqip për këtë pjesë të trupit, japin mundësinë e figurave dhe rimave të pafundme në poezi. Ndaj poetët shqiptarë duhet të jenë në pararojë të ndryshimit të mendësisë kolektive, që në fakt, ka ndodhur tek brezi i ri. Dhe këtë nuk duhet ta bëjnë vetëm repistët, që shquhen për ngritjen në art të vulgaritetit, por edhe ata më tradicionalët.

Nuk mund të mos të të krijojnë emocione vargjet:

Eh o shpirt sa më kënaqe,

Kur t’i pashë ato mollaqe!

Ose:

Kur qershia mbush’ me sytha

Edhe frynte pak veri

Ty në pah të doli bytha,

Unë u ndjeva krejt i ri!

Dhe mund të ketë pafundësisht vargje të tilla emocionuese, sepse nuk ka dy prapanica të njëjta. Mjaft të kesh durim dhe të ndjekësh fotot e vajzave dhe grave të spektaklit në Facebook, Tik Tok, Instagram dhe do shohësh se e ardhmja nuk është përpara, por prapa, pikërisht atje ku nuk e kemi menduar.

Por që të kesh durim, si e thotë qartë populli, “duhet bythë!”

Thursday 18 August 2022

Mos ma merr atë që nuk ma jep dot!


Këto janë fjalët që Diogjeni i pat thënë dikur Aleksandrit të Madh pasi ai kishte shkuar ta takonte pranë qypit të madh prej qeramike ku filozofi grek flinte. Aleksandri jo qëllimisht pat zënë diellin, që e ngrohte Diogjenin atë mëngjes.

Eshtë kjo shprehje në buzët e të gjithë qytetarëve të Tiranës, të cilëve kullat monstruoze të ideuara dhe të miratuara nga Edi Rama po ju pengojnë elementët më të domosdoshëm të jetesës- rrezet e diellit, ajrin e pastër dhe peisazhin qetësues. Aleksandri i Madh kishte shkuar me përulësi të mësonte nga filozofi cinik i Greqisë së Lashtë, kurse Edi Rama me arrogancë po i imponohet një populli të tërë në hapësirën e kryeqytetit.

Të gjithë ‘diogjenët” e Tiranës kanë të drejtë të revoltohen jo vetëm për qiellgërryeset e shëmtuara, por për të gjitha idetë urbanistike që ka zhvilluar vite më parë Edi Rama dhe po i vazhdon edhe tani me ndihmën e Veliajt dhe ekipit të tij. Nuk dua të hyj në analizat ekonomiko-kriminalistike se ku e kanë origjinën paratë që investohen për qiellgërryeset. Ka specialistë që mund ta bëjnë shumë mirë, sikundër e bëjnë gazetarët e huaj. Pyetjet e mija janë rreth cënimit të hapësirës së përbashkët dhe privimit të kryeqytetasve ndaj gjërave më themelore në jetë. Po citoj një arkitekt bashkëkohës, shumë të vlerësuar nga kolegët, australianin Glenn Murcutt: “Jeta nuk sillet rreth maksimalizmit të gjithçkaje, por në dhënien e diçkaje – në arkitekturë në dhënien e dritës, hapësirës, formës, qetësisë, gëzimit. Duhet t’ju kthesh diçka njerëzve.”

Eshtë krejt te kundërta ajo që bën ekipi i Ramës në Tiranë. Maksimalizim i fitimeve të investitorëve (dhe rryshfetit), maksimalizim i kapjes së hapësirave, maksimalizim i dendësisë. Ku e ka burimin kjo arrogancë dhe babëzi?

Kush ta jep ty të drejtën të ngresh një monstër volumore tek hapësira e këndëshme dikur, që quhej parku i “7 xhuxhave”?

Votat që ke marrë edhe duke vjedhur në tre zgjedhjet e fundit të përgjithshme?

Përse duhet të kaloj çdo ditë para një ndërtimi në formë koke, që do na kujtojë gjithnjë vitet e sundimit autokratik?

Këto janë vetëm disa nga pyetjet e ligjëshme të kryeqytetasve dhe banorëve të tjerë të Shqipërisë.

Mos ja u merrni njerëzve atë ç’ka nuk ja u jepni dot. Në të kundërt zullumi teprohet shumë dhe pas tij nisin përmbysjet.

 

 

Frikë nga urrejtja dhe urrejtje nga frika


Të dyja janë të konsideruara si ndjenja negative edhe pse “frika” është një ndjenjë e natyrshme,të cilën e kanë të gjitha gjallesat. Frika është nga ndjenjat më të komplikuara, që na mbron nga të gjitha rreziqet në jetë, por shpesh në psikologjinë e shoqërisë konceptohet në një sens të keq dhe që shpreh dobësi. Frikacakët janë përqeshur gjatë gjithë historisë të folklorit dhe letërsisë botërore.

Urrejtja, ndër ndjenjat më të errëta të qënies njerëzore, çuditërisht është trajtuar më lehtësisht dhe shumë herë është quajtur si një ndjenjë fisnike. Urrejtja për armiqtë, urrejtja për keqbërësit, urrejtja për veset etj. Po urrejtja jo vetëm është e verbër, por e dëmshme si për shoqërinë njerëzore, edhe për njerëzit, që e mbartin në një shkallë të pazakontë. Ka studime mjekësore-psikologjike, që e mbështetin këtë të fundit.

Ndaj duhet të kemi frikë nga urrejtja.

Për brezin tonë, të brymosur në shkollat e mbushura me propagandën e Partisë së Punës kjo është e vështirë. Na kishin mësuar me urrejtje për fashistët, kapitalistët, revisionistët, klerikët, borgjezët, diversantët dhe shumë armiq të tjerë dhe gjoja na kishin ushqyer me dashurinë për popujt, që ishte një dashuri krejt abstrakte se vetë nocioni i popujve ishte krejtësisht i papërcaktuar. Dashuria tjetër abstrakte ishte ajo ndaj Partisë, që nuk dihej mirë se ç’ishte. Ishte kultivuar dashuria ndaj udhëheqësit, e cila ishte më konkrete dhe si e tillë kishte “ngjitur” tek shumë e shumë fëmijë dhe të rinj të brezit tim.

Mund të thuhet pa droje se pas vitit 1944 në Shqipëri u krijuan diza breza “urrejtësish”. Kuptohet që kjo ndodhte në të gjithë Europën Lindore, por pas vitit 1966, me prishjen e institucioneve fetare, mesazhi për dashurinë për të tjerët ishte akoma dhe më i zbehtë. “Njerëzit e rinj”ishin materialistë, që urrenin. Ende sot ka edhe intelektualë shqiptarë që kanë një urrejtje të pashpjegueshme për klerikët për shembull.

Urrejtja krijohet shpesh nga frika.

Eshtë e natyrshme frika që kemi nga e panjohura. Na siguron mbijetesën si qënie. Por kjo frikë shpesh është një burim i verbër urrejtjeje, sidomos kur shoqërohet nga një propagandë negative. Nuk ka se si mendja jonë ku lindën frika dhe komplekset, mos kushtëzohet nga klasifikime të caktuara të së mirës dhe të keqes, ku e panjohura e largët përgjithësisht hyn në zonat gri dhe të zeza të paragjykimit. Dhe nuk mund të themi që nuk kemi “paragjykime” sepse e tillë është natyra e të menduarit tek qëniet njerëzore.

Shumë njerëz kanë prirje “ksenofobie”, veçanërisht kur të huajt janë me karakteristika të ndryshme fizike dhe sidomos me ngjyrë të ndryshme prej tyre. Frika e të badhëve, sidomos në vendet ku ka patur pak emigracion, ndaj aziatikëve dhe sidomos zezakëve është e tillë. E shoqëruar me propagandën raciste, frika ndaj të huajve me ngjyrë kthehet në urrejtje. Por edhe forma të tjera të agjitacionit historik ndikojnë në mendjen e njerëzve të zakonshëm. Një banor i Ballkanit, që vazhdimisht ka parë piktura ose ilustrime, ku turqit me çallma dhe jataganë përdhunojnë gratë vendase apo sulmojnë heronjtë kombëtarë, ka predispozicionin të urrejë një njeri me lëkurë të errët dhe me çallmë në kokë. Në mendjen e tij shoqërizohet në mënyrë absurde ngarkesa e vazhdueshme negative e pushtuesit që mbante çallmë me dikë që mund të jetë një mendimtar, mjak apo një bamirës.

Imazhe të tilla, të amplifikuara me mijëra herë përdoren nga politikanët e ekstremit të djathtë që bazojnë suksesin e tyre në urrejtjen që krijohet nga frika. Ndoshta edhe këta lloj politikanësh nuk është e nevojshme t’i urrejmë, por mjaft t’i largojmë nga jeta politike e shoqërisë.

 

Tuesday 16 August 2022

“Si shumë e ke ngritur stekën!”


Kështu m’u drejtua një koleg pas kritikave të mija për veprat e arkitektit holandez Winy Mass në Tiranë. Nënteksti ishte “ti je ku e ku sa më poshtë nga niveli profesional i arkitektit holandez, ndaj nuk të bije të flasësh!”

M’u kujtua një “hakërrim” i një shqiptari simpatizues i të djathtës në rrjetet sociale, që ju drejtohej miqve të tij, që quanin “budalla” ose “gomar” presidentin Trump, duke numuruar arritjet e tij gjatë jetës.

Eshtë një mënyrë e njohur për t’ju mbyllur gojën kritikëve kur nuk ke argumente për të hedhur poshtë kritikat e tyre. Ju thua se “ti je një hiç para atyre që kritikon!” dhe kujton se e fitove diskutimin. Ose përdor këtë shprehjen e fundit “shumë e ke ngritur stekën”, që tashmë në Shqipëri e përdorin të kopjuar edhe njerëz që nuk kanë parë ndonjë herë kërcim së larti apo me shkop.

“Gojëmbyllësit” harrojnë një gjë fare të thjeshtë. Nëse Trump ose çdo politikan kritikohet edhe duke u përdorur epitete si “budalla”, “idiot” apo të tjera, kjo ka të bëjë me rolin e tij si President a kryeminstër dhe jo me të qënit vërtet me të meta mendore. Publiku (ku hyjnë edhe kritikuesit) kanë një pritshmëri të lartë për ata që marrin përsipër të drejtojnë vendin dhe duan që të bëjnë sa më pak gabime dh eveçanërisht mos bëjnë gabime të trasha. Nëse presidenti francez Holland shkonte tek e dashura i veshur tebdil si pica shpërndarës mbi motoçikletë, atëhere me të drejtë kushdo ka të drejtë ta quajë “idiot”. Në pozitën e Presidentit të Francës ajo që bënte ishte idiotllëk. Dhe raste të tilla mund të gjenden rëndom në sjelljet dhe veprimet e politikanëve nga Bajden tek Putin apo nga Erdogan tek Rama.  

Duke u kthyer në kritikat e mija ndaj kolegëve të shquar europianë apo të kontinenteve të tjera, duhet të theksoj se kritikat nuk kanë qënë ndaj aftësive të tyre, por ndaj veprave të caktuara dhe veçanërisht në veprat e realizuara në Shqipëri. Unë kam dyshime të forta, që arkitektët e huaj dhe ata të firmave me emër, kur projektojnë për në Shqipëri projektojnë në rastin më të mirë me nënvleftësim dhe në rastin më të keq janë pjesë e një sistemi të korruptuar, të cilin nuk e kanë krijuar ata vetë.

Nëse projekton një monstër vëllimore me një hartë të Shqipërisë në fasadë vetëm për t’ju mbyllur gojën kritikëve të mundshëm atëhere nuk ke për të pritur gjë tjetër veç kritikave. Nëse projekton një vëllim të madh të një godine zyrash dhe apartamentesh në formën e kokës të një personazhi historik, atëhere ke shkelur në parimet bazë të arkitekturës dhe ke dëshmuar naivitet të shoqëruar me një lloj korrupsioni. Dhe duke qënë një person publik, që projekton një vepër në një mjedis publik atëhere do “goditesh” jo vetëm nga profesionistët, por edhe nga njerëzit e thjeshtë, të cilëve ju ke cënuar hapësirën e tyre.

Gjatë diskutimeve kur po niste ndërtimi i Kullës Vrojtuese në Korçë, shumë nga pushtetarët lokalë dhe lakejtë e tyre nisën të numuronin shkollimet dhe arritjet e arkitektit Australian Peter Wilson. Përpjekja ishte të mbyllnin gojët e njerëzve. Tani nuk e bëjnë më se dhe vetë janë të bindur që Kulla ishte një skifo e madhe që duhet hedhur në erë një orë e më parë.

Ndjenja e “përkatësisë”


Ndodh që i bëj pyetjen e dyfishtë vetes, nëse i përkas një grupi dhe a është e domosdoshme ndjenja e përkatësisë.

Ka shumë e shumë vite që nuk bëj pjesë në asnjë lloj organizate, nuk paguaj kërkund kuotizacion dhe prej më shumë se dhjetë vjetësh punoj për veten time, pa qënë pjesë e ndonjë organizmi prodhues apo ekonomik. Nuk jam në ndonjë parti, nuk jam  mason, rotarian, ekologjist i organizuar, anëtar i ndonjë bashkësie fetare, nacionale apo e çfarëdo lloji. Nuk kam përkatësi. Ky është në njëfarë mënyre identiteti im. Jam një shqiptar,nënshtetas i Kanadasë dhe nuk shkoj kurrë në ndonjë grumbullim njerëzish sepse i përkas atij grupi.

Në fëmijëri dhe rini doja t’i përkisja një grupimi. Ishte e natyrshme për të qënë pjesë e një grupi që të konsideron të barabartë dhe me një farë vlere. Nuk e kam fjalën për organizatat e pionierit dhe të rinisë, ku ishim të detyruar të bënim pjesë, por i grupit të madh të djemve të mëhallës sime, që quhej “djemtë e Bonbonerisë“, ose siç vetquheshim për pak vite, “shoqëria Spiranca”. Kuptohet që nuk kishim as rite betimi, as mbledhje dhe as ndonjë program të caktuar, por na pëlqente të ishim pjesë e asaj shoqërie. Ju ndodh të gjithë fëmijëve dhe adoleshentëve në botë. Eshtë ndjenja se je pjesë e diçkaje, ke një qëllim të përbashkët, ndjehesh disi më i sigurt dhe më i mbrojtur.

Në vitet e “studentllëkut”, kur njerëzit në botë zgjedhin të bëhen pjesë e një klubi, grupi apo një çështjeje të rëndësishme, tek ne kjo nuk mund të ndodhte, sepse organizime të tilla ishin të rrezikshme edhe sikur të bëheshin për “të shpënë para çështjen e revolucionit”. Partia i kishte përcaktuar se cilat do ishin organizatat. Jashtë tyre, nëse dikush synonte, përfundonte fare lehtë në burg.

Ndoshta kjo, si dhe mungesa e plotë e dëshirës për të marrë pjesë në mbledhje, bëri që edhe pas ndryshimit të sistemit, të mos bëhesha pjesë e ndonjë partie, klubi, organizate fetare, shoqate jo qeveritare etj. etj. Edhe një ide që pata në vitin 1993 për organizimin e një klubi arkitektësh dështoi për mostregim interesi nga kolegët e mij. Dhe i tillë përfundova matanë Atlantikut pa asnjë lloj përkatësie. Gjatë një çerek shekulli edhe në këtë botë të re me njerëz të organizuar në një mënyrë a në një tjetër, nuk e pashë si të domosdoshme “të ngjisja” diku. Sigurisht që nuk pata as edhe ndonjë prirje për të ngritur biznes, sepse nëse do kisha, do isha pjesë e një kompanie të suksesshme ose jo.

Po a të bën mizantrop, “të paplotësuar”, “të vështirë“, “pa një kauzë“ apo më keq akoma në rrezik të mbijetesës, mungesa e përkatësisë?

Unë nuk i urrej njerëzit dhe njëkohësisht kam besim tek ta. Madje i përmbahem parimit, që në këtë jetë nëse nuk i beson kujt nuk ja vlen të jetosh. Gjithashtu i besoj shumë rëndësisë të solidaritetit për të shpënë përpara një kauzë të caktuar. Por mund të solidarizohesh me dhjetra të tilla, me shumë grupime dhe individë pa qënë domosdoshmërisht pjesë e një grupimi të caktuar. Madje shumë herë, grupimet me rregulla shumë të forta të brendëshme janë stisur për qëllime jo të mbara, si ndodh me organizatat kriminale, kultet apo shoqatat paramilitare. Dhe jo rrallë anëtarë të këtyre grupimeve janë njerëz jo të këqinj, por që mungesa e forcës dhe ndjenja e domosdoshmërisë për të “përkitur” diku i bën pjesë të kulteve apo organizimeve që i kanë rrënjët tek e keqja.

Mund të jetosh edhe pa përkatësi dhe të jesh I interesuar për shumë kauza të dobishme, të bësh në të mirë të njerëzve dhe të ndjehesh se nuk po bën një jetë të plotë.

Sa për të qënët i vështirë nuk duhet të trembesh se është më mirë se të jesh i lehtë.

 

 

Monday 15 August 2022

Korça nuk di t’i vlerësojë supernjerëzit e saj


Sot gazeta e njohur britanike “Guardian”, kishte një artikull ku flitej kryesisht për një “qiellgërryese” në Tiranë, që është projektuar të përjetësojë Skënderbeun, por jo atë që njohim të gjithë, por këtë të Spiropalit. Ndërtimi në formën e kokës të një njeriu me mjekër, që e ka tretur vështrimin në Jugperëndim do duket sa Zeus, sa Skënderbe, por më shumë si Edi Rama dhe do ju kujtojë brezave se “kur u bë në të vërtetë Shqipëria!” Idea e projektit është e arkitektit holandez Winy Maas, që shumë vite më parë “tromaksi” Londrën me një objekt që shkaktoi edhe rënien e qeverisë konservatore. Në Tiranën e Edit ka gjetur “shefahet”.

Po mua nuk më bëhet shumë vonë për Tiranën e Edit, sepse jam shumë lokalist, por më bëhet vonë për “Korçën e Nikos”, nëse do citoja kryeministrin tonë.

Korça po tregon se ka kohë që ka dalë nga tradita e saj për të përkujtuar heronjtë e saj. E mbylli në vitet ’30 të shekullit të kaluar me Themistokliun. Edhe shtatoren e sho Enver që e ngriti me shumë dashuri më 1988 e rrëzuan vagabondët, vandalët, antikomunistët, të pacipët, rrugaçët dhe nuk mund të rresht me epitete.

Po mirë sho Enver se ishte nga Gjirokastra, po për Nikon që e kemi jo vetëm nga Korça, por lindur dhe rritur 70 metra nga qëndra e qytetit, si nuk kujtohemi të bëjmë gjë?

Pse ndërtuesit e shumtë, të cilëve Nikoja ju ka hapur horizonte, I ka paisur me leje ndërtimi, ju ka dhënë tendera të merituara nuk kujtohen të bëjnë një ndërtim që të duket si koka simpatike e Nikshit? Le të mos jetë 85 metra sa ky i Tiranës, po 10-12 kate dhe elementë arkitekturorë të stilizuara mund të gjenden në portretin e Peleshit. Kaçurrelat, vështrimi zhbirues dhe mjekra e zgjatur që tregon vendosmëri mund të kapen shumë shpejt nga arkitekti australian Piti ose “Kashei i Pavdekshëm” dhe të na gëzojë ne të moshuarit dhe të frymëzojë brezat.

Le të vendoset edhe diku në Moravë dhe të tregojë edhe origjinën mborjare të tij. Mund të shërbejë si hotel dhe kazino dhe nëse një ditë do ligjërohet prostitucioni, të kryejë edhe atë funksion.

Patronazhistë korçarë merreni këtë nismë që të mos mbetemi pas Tiranës. Koha ikën shpejt dhe ju detyrohemi brezave të ardhshëm!

 

 

Sunday 14 August 2022

Intervistë me kandidatin X, që do bëjë gjol


KE: Po respektojmë dëshirën tuaj për të mbetur anonim deri në shpalosjen zyrtare të platformës suaj për zgjedhjet vendore dhe po ju quajmë Zoti X. Mund të na thoni përse do e lini biznesin tuaj të suksesshëm dhe do kandidoni për kryetar bashkie në Korçë?

Z.X: Qëllimi i vetëm të ndihmoj Korçën dhe korçarët. Kuptohet se si qytetar i parë do jem i pari që do ndihmohem.

KE: Eshtë një pohim tepër i sinqertë ndaj e vlerësojmë. Duket që do jini një kandidat “ndryshe”.

Z.X: Unë vij nga fusha e biznesit, ku po mos jesh i vendosur në sinqeritetin tënd dështon.

KE: Mund të na thoni shkurt cilat do jenë pikat kryesore të programit tuaj elektoral?

Z.X: Programi ka vetëm një pikë- Unë do bëj gjol.

KE: Do bëni liqen? Po ku?

Z.X: Gjol. Si fazë e parë nga Ravoniku në Malavec. Faza e dytë e gjithë Fusha e Korçës. Në shërbim të qytetarëve dhe turizmit.

KE: Duket një program shumë ambicioz. Si do e financoni?

Z.X: PPP. Taksat e korçarëve do shkojnë të tëra për gjolin.

KE: Po do duhen shuma të mëdha për shpronësimin e pronarëve. Gjithashtu do jetë në të ardhmen krizë për prodhime bujqësore.

Z.X: C’prodhime bujqësore? Nuk e shikon që po kalben të tëra pa shitur. Pronarëve do ju japim si kompesim ferma të vogla midhjeje dhe peshku me kontratë shitjeje të garantuar. Kam biseduar me Gjergj Lucën për këtë.

KE: Po ujin nga do e merrni?

Z.X: Korça ka ujë sa të duash dhe me presion. Nuk na mbeti tub fleksibël pa u prishur nëpër banja.

KE: Kini bërë ndonjë studim për ndryshimet në ekosistem që do sjellë liqeni?

Z.X: Gjoli i ujdis të tëra me ekosistem, me sistem ekonomik. Paraja e hedh ujin përpjetë. Të mendosh zhvillimin e turizmit, plazhet e mrekullueshme për të mos përmendur lojrat olimpike ujore në të ardhmen. Korça do quhet Maldivet e Europës.

KE: Do kini mbështetjen e ndonjë force politike gjatë fushatës?

Z.X: Jo. Mendoj të konkuroj si kandidat i pavarur ose të formoj partinë time që do quhet Partia e Gjolit.

KE: C’mendim keni për kandidatët e tjerë dhe programet e tyre?

Z.X: Kandidatë shumë modestë me programe tejet modeste. Njëri premton aeroport për kaçatorë sportivë, një tjetër një urë në hava dhe një tjetër që do luftojë korrupsionin. Gjoli i përmbledh të tëra me aeroport, me urë dhe me korrupsion. Dhe me shpenzime minimale dhe fitime për të tërë.

KE: Mos ja ke vjedhur Zamirit këtë ide?

Z.X: Po ç’Zamir! Atij i ka mbetur vizioni ekonomik në -“mbush kova me ujë dhe hidhja kades me djathë, që të shesim ujin me 170 lekë kileja”. Unë do bëj Gjol!

KE: Faleminderit për kohën që na kushtuat!

 

 

 

 

 

Kujtimet perla

Oqeani vazhdon të nxjerrë në breg

Të flakurat kujtime.

Nuk treten,

As mund të shkojnë në fund të honeve,

Të rëndat e të bukurat

Perlat e jetës tënde dhe time.

Rëra e brengave të grimcuara

Nuk i fsheh,

Por nxjerr në pah

Të bardhën e tyre plot shkëlqim

Përsosjen e tyre të rrumbullt.

Më shfaqen dhe një : Ah!

Si vetëtimë përflak

Mendjen time të turbullt.

Nuk mundem më t’i mbledh;

Uji gjithnjë do ma punojë këtë reng.

Do vijë dita të kridhem,

Thellë honeve të së panjohurës,

Me shpresën që valët,

Rrymat,

                Pështjellimet,

Të më nxjerrin në tëndin breg.

Saturday 13 August 2022

Zbarkuan “gjigandët” në Korçë


Ne korçarët jemi “të zhurritur” për masa të mëdha uji. Që kur na thanë Gjolin e Maliqit (që ishte kënetë) kemi mbetur pa një lumë a liqen të rëndësishëm pranë. Ndaj në subkoshiencë na vërtiten ura të varura, anije me vela, kryqëzorë dhe nëndetëse, si dhe plazhe pambarim. Se në “hauska” futeshim në behar për të mësuar pakëz not, që dhe atë nuk e mësuam për të qënë. Aq të shtënë ishim pas ujit, sa në një intervistë të fundit, korçari më i pasur ose Zamiri I Bitijes, tregonte që shkonte me urban deri në Maliq dhe që atje nisej më këmbë për në Pogradec për të mësuar not. I binte rrugës automobilistike apo mezhdave për shkurt, këtë nuk e saktësonte dhe nuk e kishte pyetur as gazetarja, që me siguri nuk ishte nga anët tona pa gjol.

Aq i duam vaporët, varkat dhe varkëtarët, sa dhe kënga jonë më e njohur është ajo “Mbaje varkën varkaxhi!”. E kemi kënduar dhe e këndojmë me shumë dert, se ëndërronim të kishim një liman.

Ndaj dhe më të lidhur me limanet dhe varkat janë mjeshtrit tanë të muzikës. Një kantautor shumë i njohur, që nuk di not, njoftoi këto ditë se “zbarkoi” në Korçë një mjeshtër i sektorit të këngëve dhe të dy palët do diskutojnë planet artistike të së ardhmes. Kanatautori nuk e di që “zbarkim” përdoret për ata që zbresin nga vaporët në zonat e pushtuara nga armiqtë. Kështu të paktën e ka Fjalori. Kantautori nuk besoj të dijë as meselenë-shaka të viteve ’60, kur një tjetër mjeshtër i muzikës ra preh e një rengu. Kompozitorit dhe dirigjentit Rikardo Jorganxhi i thanë që në Dunavec kishte mbërritur Flota e Gjashtë Amerikane. Për hir të së vërtetës Flota e Gjashtë vërtitej nëpër Mesdhe dhe këtë e dinte mirë Rikardoja, por vetëm që nuk dinte dimensionet e aeroplanmbajtëseve ndaj dhe mori biçikletën dhe u degdis në Ura e Dunavecit. Flota e Gjashtë nuk ishte.

Sigurisht që ëndërra e korçarëve të shumëvuajtur, që merren me muzikë ose me të tjera degë të artit dhe kulturës do realizohet një ditë dhe për këtë punojnë pa rreshtur çdo ditë Zamiri, Rilindasit dhe gjithë ujëdashësit e tjerë dhe herët a vonë do kemi një gjol të lagim noçkat. Mund të bëhet fare mirë me Partneritetin Privat Publik dhe me me bekimin e Paput, Myftiut dhe Babait të Teqesë.

Më pas do presim gjigandët në Limani dhe do nisemi me varkën më të parë për në brigjet e Lumturisë!

 

Gushti që na bën të ndjehemi perandorë


Edhe tek ne, muaji i tetë i vitit e ka marrë emrin e tij nga Perandori i parë romak, August. Ndoshta nga udhëtimet e tij pushtuese, ndoshta nga një ndjenjë thellë nënndërgjegjeve tona, në gusht ne sillemi si perandorë të vegjël. Kursejmë gjatë gjithë vitit për të shpërthyer në gusht. Dhe nisemi në ekspeditat tona “pushtuese” drejt vendeve të njohura dhe të panjohura, të “armatosur” me mbrojtës nga dielli, rroba banje firmato, veshje të holla që na nxjerrin në pah hiret dhe kuletat me kartmonedha dhe karta krediti. Për një javë, dhjetë ditë ose edhe një muaj duam të ndjehemi të plotfuqishëm.

Këtë gusht, vetëm njerëz të cilët i njoh nga afër kanë pushtuar Ishujt Azore, Islandën, bregdetin e detit Tiren, Kretën, Maldivet, Kalkidhiqinë, Santorinin, Mikonos, bregun jug-lindor të Amerikës dhe Aruban. Shumë nga këto vende Perandori August as nuk i dinte se ekzistonin. Bota është bërë shumë më e vogël dhe Perandorët e vërtetë të ditëve tona duan të shkojnë në Hënë dhe në Mars.

Ujrave të Mesdheut, Atlantikut dhe Oqeanit Indian ndjehemi të privilegjuar, të shkëputur nga hallet, të rrethuar nga shërbëtorë që na ofrojnë shezlongje, pije, ushqime, zhytje nëndet, shëtitje me skafë në këmbim të “hyrjes” në kuletën tonë dhe si jemi thekur mirë e mirë (shpesh edhe djegur) ëndërra e Augustit merr fund.

Vjen muaji i nëntë, që quhet i shtati dhe të gjithë i kthehemi jetës sonë prej “skllavi” në tavolinën e punës, kompjuteri, makina qepëse, laboratori, etj. etj. dhe punojmë të paktën 8 orë në ditë, udhëtojmë 2 orë në ditë dhe kursejmë çdo ditë deri gushtin tjetër.

-Në Tailandë vitin tjetër?

-Jo. Më mirë në Honolulu!

 

Friday 12 August 2022

Trishtim topitës

Dikë vrasin në një fushë larg,

Një tjetër godasin me të mprehtë teh,

Dikujt i kanë rrëmbyer lirinë,

Një vajzë e vogël nuk sheh.

Ngujuar në vetminë mbytëse,

As fjalët që shkruaj,

As tingujt që dëgjoj,

As ngjyrat që më shfaqen

Nuk më çojnë dot tej.

Edhe lotët nuk rrjedhin vetëm në dy sy!

Dua të të kem pranë,

Të lotosh me mua,

E më pas të thuash

“C’do gjë është ok!”

I kishte Helena gjinjtë e bërë?


Nuk vihet në diskutim bukuria e Helenës së Trojës, e cila më mirë duhet quajtur Helena e Spartës, pasi ishte bijë e mbretit të Spartës dhe më vonë mbretëreshë e qytetit. Bukuria e saj pat magjepsur gjithë mbretërit e shumtë grekë, prej atyre që zotëronin qytete të mëdha e deri tek ata që kishin nga një ishull me pesëdhjet banorë. Shorti i kishte buzëqeshur Menelaut, pasi dinaku Odise ishte mjaftuar me Penelopën, kushërirën e parë të Helenës.

Këto janë të njohura e të stërnjohura jo vetëm nga Iliada dhe Odisea, por edhe nga qindra studime dhe libra të shkruara gjatë shekujve për gruan më të bukur të Antikitetit. E megjithatë pak është shkruar për arritjet e shkencës dhe teknologjisë në Trojën e Priamit. Deri 160 vjet më parë madje as nuk pranohej nga studiuesit ekzistenca e qytetërimit Trojan. Pas zbulimit të rrënojave të qytetit nga Shliman, u vërtetua që Troja nuk ishte legjendë dhe muret e saj ishin vërtet të pakalueshme. Mister mbetën arritjet në mjekësi dhe teknologji, sepse akejtë grekë u treguan të pamëshirshëm në shkatërrimin e Trojës dhe masakrimin e banorëve të saj.

Ka diçka në vargjet e Iliadës gjatë natës së masakrës, e cila është anashkaluar nga studiuesit. Homeri ka kënduar se Menelau i vendosur të vriste gruan e tij tradhëtare pat nxjerrë shpatën nga mylli, por kur do e godiste pamëshirshëm, Helena zbuloi gjoksin e saj dhe gjithshka ndryshoi!! Menelau futi shpatën në brez, e pështolli me pelerinë dhe e mori në anijen e tij.

C’kishte ndodhur gjatë 10 vjetëve, që Helena kishte lënë Spartën? Pse pamja e gjinjve zbuti zemërimin e pakufi të bashkëshortit të plagosur në shpirt nga tradhëtia?

Ka vetëm një shpjegim.

Gjinjtë e Helenës ishin më spektakolarë, më të mëdhenj dhe më joshës se ato që kishte parë dikur Menelau. Me përvojë në çështje gjinjsh, mollaqesh dhe kofshësh me celulit dhe pa celulit, Menelau priste që pas dhjetë vitesh gjinjtë e gruas të tij të ishin më të rëna dhe më të flashkët. Ajo që pa e befasoi. Nuk ishte epshi që e shtynte sepse prijësit grekë jo vetëm kishin me vete mantenutat e tyre gjatë rrethimit, por si skllave seksi përdornin edhe gjithë femrat që kishin zënë robinja në fshatrat përreth Trojës.

Helena i kishte bërë gjinjtë e saj pas vitit të 8-të të bashkëjetesës me Paridin, sepse Troja e kishte arritur atë nivel mjekësor, që u zhduk me shkatërrimin e saj. Se cili ishte materiali që përdorej, a ishin pjesë të gjinjve të bagëtive apo të antilopave të shumta të Azisë së Vogël, kjo vlen për studiuesit e të ardhmes, por që i kishte bërë, kjo duhet pranuar si fakt.

U deshën tremijë vjet që Njerëzimi të arrinte të realizonte atë që kishin bërë dikur mjekët e Priamit dhe që i pat shpëtuar kokën Helenës. Më tej gjithshka është histori e gjokseve të zmadhuar, zvogëluar, bërë dhe ribërë nga gratë që duan të kënaqin sytë dhe duart epshore të meshkujve të kësaj Toke.

Thursday 11 August 2022

Që Tirana mos pësojë fatin e Athinës


E ardhmja e kryeqytetit grek nuk duket shumë e sigurt. Ngrohja globale dhe vetë nxehtësia e qytetit mund ta bëjnë atë të papërshtatshëm për banim pas disa dhjetvjeçarëve. Qysh tani shumë banorë të Athinës kanë menduar të largohen nga qyteti për në zona me më shumë gjelbërim dhe freski. Ndoshta edhe në vendet e Europës veriore.

C’ka binte menjëherë në sy, kur e vizitoje kryeqytetin grek ishte mungesa e parqeve të mëdha dhe dendësia e ndërtimeve. Elita greke pat bërë një gabim të rëndë ekonomiko shoqëror në vitet ’80 dhe ‘90, duke përqëndruar të gjithë ekonominë e vendit në kryeqytet. Fryrja e administratës shtetërore ishte një tjetër arsye, që fshatrat dhe qytezat e vogla u braktisën dhe gjysma e popullsisë së Greqisë u përqëndrua në Athinë. I gjithë ky migrim u shoqërua me gabime të rënda urbanistike si zhvillimi i mikrorajoneve të reja pa sipërfaqe të mëdha të gjelbëruara dhe pa hapësira të tjera publike, që do ulnin dëndësinë e ndërtimeve në qytet. Në këtë tejngjeshje të ndërtimeve ndikoi edhe rregulli urbanistik, që ndërtimet të mos kalonin lartësinë e 12 kateve. Thuajse në të gjitha lagjet jo larg nga qendra e Athinës, parcelat që më parë kishin vetëm një shtëpi ose një vilë, u zevëndësuan gjatë viteve ’80 dhe ’90 me ndërtesa kolektive nga 6 deri 12 kate.

Tirana rrezikon të njëjtën gjë si kryeqyteti grek. Edhe pse popullsia e saj është larg asaj të Athinës, me zhvillimet e pakontrolluara ekonomike-urbanistike duket që pas disa viteve të ketë gjysmën e popullsisë së Shqipërisë. Janë të njëjtat dukuri që përsëriten. Përqëndrimi i të gjitha pushteteve dhe institucioneve në kryeqytet, fryrja e administratës shtetërore, investimet publike me shumë diferencë nga ato që bëhen në qytetet e tjera. Prej vitit 1998, nuk ka pasur një orientim urbanistik për të krijuar një qytet të shekullit XXI, por kanë vazhduar të jepen për ndërtime të larta sipërfaqet publike dhe vitet e fundit edhe shumë zona të Parkut të Madh të Liqenit Artificial. Tejnxehja është e dukshme në Tiranë për shkak të uljes së sipërfaqeve të gjelbërta dhe mbingarkesës në qarkullimin e mjeteve të transportit individual. Për më tepër nuk ka asnjë plan për të ndërtuar një metro për këtë qytet që priret të shkojë drejt 1 milion e më shumë banorësh.

Por edhe kriteret më të mira urbanistike nëse vendosen për kryeqytetin, problem kryesor mbetet politiko-ekonomik. Ka të bëjë në rradhë të parë me decentralizimin e pushtetit dhe rritjen e kompetencave të pushteteve lokale. Por me ardhjen në fuqi të Partisë Socialiste në vitin 2013, procesi i decentralizimit jo vetëm është ndalur, por janë aplikuar ligje dhe vendime që kanë shtuar centralizimin. Duket e pamundur që Rama dhe Veliaj e kompani të lëshojnë pe në këtë drejtim. Ndërtimet e vazhdueshme në Tiranë janë burimi kryesor i të ardhurave të tyre personale, si dhe i blerjes të zgjedhjeve. Ka të ngjarë të përsëriten edhe veprimet megalomane të organizimit të ngjarjeve të mëdha artistike dhe sportive, si ndodhi me aventurën greke të Lojërave Olimpike të vitit 2004. Eshtë i njëjti skenar. Le të bëjmë gjëra të mëdha për të “rrejt miletin”, për të reklamuar gjenialitetin tonë dhe për të përfituar edhe personalisht nga investimet publike.

Tirana është ndër qytetet me ajrin më të ndohtur në Europë. Eshtë e vështirë të gjesh studime serioze, të mbështetura në të dhëna të sakta statistikore, se sa ndikon cilësia e ajrit dhe rritja e temperatureës së kryeqytetit në sëmundjet kardio-vaskulare dhe ato të mushkërive. Por fakt është që gjatë tre muajve të verës jeta në Tiranë bëhet gjithnjë dhe më e vështirë, veçanërisht për të moshuarit, që janë edhe shtresa e popullsisë më e varfër dhe e kanë të vështirë të “verojnë“ larg kryeqytetit.

Mbetet sërish të shpresojmë tek “ndërkombëtarët” dhe në detyrat që do na shtrojë së shpejti Brukseli për të na pranuar në familjen europiane. Ndoshta gabimet e bëra në Athinë ja u kanë hapur sytë edhe burokratëve europiane për të frenuar korrupsionin dhe autokracinë, që janë arsyet kryesore të kthimit të qyteteve mesdhetare në vendbanime ku cilësia e jetës vazhdon të pësojë ulje.

Wednesday 10 August 2022

A po përgatit Rama për Kryetare Bashkie të Tiranës, Balluken?


Vjeshta e këtij viti në Shqipëri pritet të jetë më e nxehtë se vera. Politikisht. Eshtë “luftë për ekzistencë“ për të tre ata që kanë marr[ peng Demokracinë në Shqipëri dhe i kanë vënë koburen në kokë.

Në pozita më të mira është Rama, sepse ka nën kontroll plotësisht partinë e tij; duke qënë kryeministër është në gjendje të “gjenerojë“ para për të blerë zgjedhjet vendore dhe ka një gjysëm përkrahje nga amerikanët dhe europianët.

Dy të tjerët, Berisha dhe Meta kanë si qëllim të vetëm të mbeten në politikën shqiptare si faktorë të rëndësishëm dhe këtë mund t’ja u sigurojë një pjesëmarrje e madhe në zgjedhje dhe fitorja e disa bashkive të mëdha. Më i rrezikuari është Meta, që ka një përfaqësim të vogël në Parlament dhe mundësi të pakta financiare për të blerë zgjedhjet dhe të shpjerë mbi 10% numurin e votuesve që votojnë Partinë familjare të tij.

Por gjendja e vështirë ekonomike dhe skandalet e korrupsionit nuk janë të favorshme për Ramën. Atij i duhet patjetër të fitojë Bashkinë e Tiranës dhe të sigurojë në total një përqindje të ngjashme me atë të 25 prillit. Në të kundërt, skandalet financiare të ekipit të tij mund ta rrezikojnë, që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohëshme. Ndaj është e mundur që Edi Rama “ta flakë“ Erion Veliajn dhe në vend të tij të kandidojë Belinda Ballukun, e cila është promovouar këto dy vitet e fundit, si ministresha që di të shpjerë para infrastrukturën dhe investimet e huaja në vend.

“Langori besnik” Erion Veliaj paraqet dy rreziqe për Ramën. I pari është që Veliaj është përfshirë në disa çështje korruptive, sidomos në atë të inceneratorëve dhe njëkohësisht nuk është i pëlqyeshëm për elektoratin gri. Veliaj edhe nëse nuk humbet në zgjedhjet e ardhme do fitojë me shumë vështirësi ndaj çdo kandidati të opozitës në Tiranë. Por rreziku i dytë, që e shqetëson më shumë Ramën për të ardhmen, është forcimi i Veliajt dhe klanit që ka pas brenda Partisë Socialiste. Veliaj me grupin e tij po fuqizohen shumë ekonomikisht në sajë të lejeve të ndërtimit dhe mund të paraqesin rrezik për një zëvendësim të mundshëm të Ramës pas disa vjetësh, nëse ndërkombëtarët do e kërkojnë ndryshimin. Dhe Rama e di mirë, që Veliaj edhe pse i lëpin këpucët tani kryeministrit, është “qen që ha të zonë“. Largimi i Veliajt nga “lejet e ndërtimit” dhe dhënia e ndonjë portofoli si ai i Punëve të Brendëshme do i shërbejë Ramës për të mos pasur as pas 5-6 vjetësh një numur 2 brenda Partisë Socialiste.

Eshtë për të ardhur keq, që analiza për të ardhmen e afërt të një populli të tërë, të përqëndrohet vetëm në analizën rreth të ardhmes së tre politikanëve më jetëgjatë dhe më famëkeqë shqiptarë, por ja që e tillë është gjendja. Ata kanë ditur të çimentohen bashkë me grupet që i mbështesin duke vjedhur makutërisht gjatë 25 vjetëve të fundit. Eshtë shumë e vështirë t’I shkulësh nga pushteti dhe opozita e Shqipërisë.

Ballukja?

Një gur shahu si shumë të tjera e të tjerë para saj.

“Ha dhe hesht!”


Nuk e di nëse kjo shprehje kishte qëllim të mos bëje shumë pyetje gjatë të ngrënit, apo ndoshta gjella apo ëmbëlsira e sajuar nuk kishte ndonjë emër të veçantë, që ishte gjetur kjo përgjigje-mur. “Ha dhe hesht e ka emrin”- ishte përgjigja pasi kishe pyetur si e ka emrin kjo.

Ndoshta kjo lloj përgjigje në fëmijëri, kishte bërë që shumë nga ne mos thelloheshim shumë në emrat e gjërave që hanim. Unë vet[m dje kam mësuar se ashurja e ka marrë emrin nga fjala aramaike dhjetë dhe që ka të bëjë me festimin e datës 10 të muajit Muharrem sipas kalendarit hixhra. Festa fetare e Ashures, që festohet vetëm nga besimtarët shiitë, ku hyjnë edhe bektashinjtë tanë, ka të bëjë me një ngjarje të largët në kohë dhe vendndodhje. Në Qerbela, në vitin 680, ushtria e sundimtarit Jezit I, masakroi në betejë Hyseinin, nipin e profetit Muhamet dhe gjithë burrat që luftonin bashkë me të. Gratë dhe fëmijët u morrën skëllevër.

Në vendet me shumicë të popullsisë shiite, si Irani dhe Iraku, Festa e Ashures është ndër dy-tre festat fetare më të rëndësishme. Tek ne shumica e popullsisë e feston pa ditur se ç’është, por nuk harron të bëjë një kazan të madh me ashure, ndoshta edhe më të madh se atë që gatuan për Sulltan Novruz.

Po përse gruri i zjerë me sheqer dhe i përzjerë me arra dhe pak kanellë, i shërbyer i ngrohtë në tasa u quajt në anët tona ashure?

A kanë kuptime të ngjashme hallva, revania, asudeja, shantantlia, kurabija dhe plot e plot ëmbëlsira të ardhura nga Orienti i ëmbël gjatë shekujve të pushtimit turk?

A luajtën rol ëmbëlsirat në kthimin e një pjese të madhe të popullsisë shqiptare në muhamedanë?

Janë pyetje që marrin shkas nga ashureja dhe që nuk gjejnë dot përgjigje për shkak të parrullës shkurajuese “Ha dhe hesht!”

Përgjigje nuk gjeta dot as në fjalën e mbajtur nga Baba Mondi në Ditën e Ashures.

Tuesday 9 August 2022

“Jetë qeni!”


Asnjëhere nuk e kam kuptuar se përse jeta e keqe karakterizohet si “jetë qeni!” Nuk ka vallë asnjë kafshë shtëpiake ose jo shtëpiake me jetë më të keqe se të qenit?

Ndonjë lexues me besnikëri prej qeni, mund të më thotë se shprehja i përket kohëve të lashta, kur qentë keqtrajtoheshin në zonat, që sundoheshin nga sllavët dhe më vonë nga otomanët dhe është tashmë një shprehje demode. Por dhe në atë kohë, edhe nëse qentë përndiqeshin, nuk jetonin më mirë “mizat në bythë të kalit”, zhabat, pjavicat apo edhe “dhitë e zgjebura”. Pse duhet që jeta e qenit të përzgjidhej nga populli jonë qendashës, si etalon i jetës më të keqe?

Nuk mund të thuash se vinte nga që qentë mbaheshin të lidhur, sepse kishte edhe atë kohë shumë syrresh rrugaçë, që vërtiteshin të lirë qyteteve dhe fshatrave pa ju shkuar në mendje të shijonin lirinë e pyjeve. Nuk kemi dëgjuar as edhe që qentë të abuzoheshin seksualisht nga të zotërit a nga zoofilë të pandreqshëm. Mundet që jetë të keqe bënin qentë në Kore, ku edhe i hanin, por ne nuk kemi pasur kurrë lidhje me Korenë dhe s’ka arsye që origjina e shprehjes të jetë në atë vend të largët, ku bërxollat e qenit gatuhen që të lëpish gishtat.

Vërtet që qeni është një skllav “par excellence” i njeriut, ndoshta më shumë se të gjitha kafshët shtëpiake, por është dhe ai që na do më shumë. E megjithatë në asnjë nga vjershat e shumta lirike të shqipes, edhe në ato të poetëve fshatarë, nuk ka asnjë figurë të llojit “të dua si një qen” apo “dashuria ime qenore për ty!”.

Këtu ku jetoj ka shumë qenër, që jetojnë në dashuri dhe harmoni të plotë me të zotët e tyre. Nuk kam dëgjuar asnjë komshi të ankohet për qenin. Paraditeve dhe pasditeve dalin në shëtitje të dy të gëzuar, sa mund të thuash se nuk ka dy lloje gjitarësh në botë që janë kaq të lumtur në praninë e njëri tjetrit. Qeni mund të bëjë me gëzim çdo gjë që i kërkon i zoti (edhe kjo fjalë nuk shkon më), mjaft që njeriu t’i mbledhë në një qese celefoni jashtëqitjen, pasi qeni vetë nuk ka duar. Në supermarket ka një rradhë të tërë raftesh me ushqime për qentë, të ambalazhuara aq bukur sa të vjen keq që nuk mund t’i hash vetë. Brenda shtëpisë qenit i lejohet të bëjë të gjitha gjërat që i ndalohen burrit të shtëpisë, nga e fjetura në një shtrat me zonjën kryefamiljare, hipja mbi tavolinë, gërvishtja e kolltukëve prej lëkure dhe copëtimi i librave. Nuk shkon as në punë, as i bëhet vonë nëse hyn ndonjë hajdut në shtëpi se është mësuar të jetë i përkëdhelur, i dashur dhe tolerant.

Kjo është “jeta e qenit” të ditëve tona! Ky është qeni jonë i ri i mbrujtur me idealet e barazisë, lirisë, besnikërisë dhe vëllazërisë. Me shumë kënaqësi në jetën tjetër do doja të isha qen! Prej race ama!.