Tuesday 31 July 2018

Korça e muzikës lirike

U mundova të gjeja në mediat online diçka rreth festivalit MIK të nisur nga Inva Mula, por më kot. Gazetarët e qytetit tim e kanë më të lehtë të shkruajnë për Festën e Lakrorit. Ndoshta muzika lirike nuk ka sot të ashtuquajturin “sex appeal”.
Po për disa ditë, muzika lirike u kthye në “atdheun” e saj shqiptar, Korçë. Dhe kushdo, veç Inva Mulës, I angazhuar në këtë rikthim meriton lavdet më të mëdha. Peleshi, Filo, Rama a cilido tjetër.
100 vjet më parë, muzika lirike dhe “bel canto” ishin muzika modern, ashtu sikundër janë sot në botë, format e rja të pop-it, rep-it apo rock-ut. Korça, si qyteti më modern i Shqipërisë, i përqafoi jo vetëm e para, por dhe e vetmja. Ende pa dalë akoma në skenë Tefta Tashko, Kristaq Antoniu, Jorgjia Truja, Kristo Kono, Mihal Ciko dhe shumë të tjerë. Ndërsa në qytetet e tjera buçisnin jaret, këngët e Isuf Myzyrit, në Korçë, muzika e avanguardës pati fituar popullaritet. Arie të njohura bile ishin përkthyer në shqip. Ishte një atmosferë muzikore e plotë, të ciës nuk i mungonin orkestra frymore, por edhe sazet në nivelin e tyre më të mirë duke nisur me Demkën(Hajron) dhe duke vazhduar me Qerimenë, çuditërisht e harruar.
Në këtë mjedis artistik u brumosën këngëtarët e mëdhenj lirikë, të cilët studiuan më pas në konservatorët më të mirë të Europës.
Më vonë, dhjetra korçarë shkëlqyen në skenën e muzikës operistike. Gjoni Athanasi, Gaqo Cakoja dhe Rozmari Jorganxhi ishin ndër më të shquarit në Tiranë, por edhe në qytet vazhdonte tradita me opereta të kënduara nga të mirënjohurit Gaqo Jorganxhi, Piro Sulioti, Mihallaq Zallëmi, Spanja Pipa dhe të tjerë. Korça ishte qyteti I parë, që “furnizonte” me zëra korin e Operas dhe atë të Ansamblit të Ushtrisë. Më të talentuarit këndonin edhe si solistë, duke filluar me Qeti Cicon, Pandi Peleshin dhe duke vazhduar me Pandi Zguron, Petrika Rrëmbecin, Gjergji Suliotin dhe Agim Duron.
Ndoshta mund të kem harruar edhe shumë emra këngëtarësh të tjerë lirikë të dalë nga Korça.
Eshtë shumë bukur, që muzika lirike kthehet sërish mbrëmjeve të qytetit, që janë ndër mbrëmjet më të bukura të Ballkanit.Me siguri edhe shumë djem dhe vasha të qytetit do ëndërrojnë të ngjiten skenave botërore në shembullin e Invas dhe të miqve të saj.
Suksese MIK-ut dhe një vazhdimësis a më të gjatë e të bukur!

Sunday 29 July 2018

Samuel Beket dhe Teatri Absurd i kompleksit të TK

Beket është Teatri Absurd në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Ndoshta, po të ishte ende gjallë, edhe mund t’i ngjallte interes e gjithë marrëzia, që rrethon , le ta quajmë “Teatërgate” të kryeministrit shqiptar Edi Rama. Sigurisht, irlandezi i famshëm nuk do ishte i interesuar për larushaninë e personazheve, dhëniet dhe kthimet e fjalëve, shkeljen e ligjeve dhe miratimin e ligjeve speciale, deklaratat e kundërta të të njëjtëve njerëz dhe karakteret kontradiktore të disa të tjerëve, patetizmin e filozofëve dhe pragmatizmin e poetëve, seriozitetin e humoristëve dhe përbetimet për ndershmëri të politikanëve.
Beket do ishte i interesuar vetëm të vinte në shfaqje, zhurrmat e heshtjes të gjithë kësaj pritje të gjatë, lineare, të thjeshtë në kompleksitetin e saj, qesharakzezë.
Mund të mbante tre katër personazhe fjalëpakë dhe veprimekursyer, të cilët as presin të ndodhë diçka, se nuk kanë shpresë se mund të ndodhë ndonjë gjë e mirë.
Nën një kolonë zanore të fëshfërimës gjatë numurimit të dyqindmilion eurove (merr një kohë prej rreth 90 minuta të numurosh 200 milion euro në prerje 500-she) mund të zhvillohen dy ose tre aktet e pjesës “Teatërgate”.
Eshtë e natyrshme të mos fantazojmë dot në mënyrë të ngjashme me Beketin, por ndoshta fasada e një ndërtese kulturore, që simbolizon edhe kulturën, edhe demokracinë, edhe historinë, edhe dinjitetin e njeriut, edhe shpresën për të mos vdekur kot, mund të ishte në qendër të skenës. Një fasadë, që degjeneron gradualisht nën melodinë funebër të kartmonedhave që numërohen pa pështyrë gishtat (nuk besoj se përdorin makinat e bankave këta , që marrin rryshfete.)
Një filozof, një aktor dhe një bahçevan, janë të mjaftë për të mbajtur peshën e dialogjeve pa mendim, se i gjithë mendimi i përket personazhit kryesor, i cili nuk shfaqet kurrr në skenë. As në epilog.
Bahçevani është më aktivi, se shkul pemët , që rrethojnë ndërtesën dhe i mbjell në paraskenë duke marrë selfie, por nuk thotë kurrë asgjë. Vetëm, se duke shkulur pemët, rrënon pak e nga pak fasadën dhe buzëqesh tinëz.
Aktori anohet vazhdimisht se gjen derën e godinës mbyllur dhe nuk mund të thotë monologun, pa patur veshjet dhe makiazhin e duhur, ndërsa filozofi mediton dhe hedh herë pa here në ajër, pjesë të përsiatjeve të tij, të përzjera me citate filozofësh antikë.
Filozofi – (Nuk i drejtohet kujt) Gërvishtja e suvave që bien janë e vetmja gjë, që mund të interpretosh ka thënë Ai…Je vetëm zë dhe zëri nuk ka nevojë për veshje.
Aktori – (Spektatorëve) I kam thënë, që nuk t’i lexoj kurrë librat. Nuk kanë dialog. Janë të painterpretueshme.
(Ndërkohë bahçevani rrëzon një pjesë tjetër suvaje me rrënjët e pemës së porsashkulur.)
Filozofi – (Me vete) Mu bë se dëgjova zërin e tij. Nuk ka lexuar kurrë libra…Ka patur probleme me disleksinë…
(Bie një pjesë e madhe suvaje dhe mes tullave duken të varura një palë të mbathura XXL ngjyrë ari. Aktori dhe filozofi fillojnë të debatojnë se kujt i përkasin. Bahçevani qesh fshehtazi, sepse di gjithshka dhe ju shkel syrin spektatorëve.)
Përfundon akti I parë dhe asgjë më shumë nuk ndodh edhe në aktet e tjera. Fëshfërimë dhe pikëllim, si dhe zëra të mbytyra materialesh ndërtimi që degradojnë.
Askush nuk shkon të shohë shfaqjen “Teatërgate”.
Teatri Absurd nuk është më në modë.
Për më tepër nuk ka asnjë ngjashmëri me Beket.

Saturday 28 July 2018

Oborri i Ramës nuk ka nevojë për “lolot” Kulla dhe Bungo

Në shtypin proqeveritar kanë zënë vend këto ditë, dy letra të hapura, që këmbehen mes dy humoristëve Leka Bungo dhe Pëllumb Kulla rreth çështjes “së nxehtë“ të komplesit të Teatrit Kombëtar. Të dy, në krahun pro prishjes së kompleksit, ironizojnë përpjekjet e kundërshtarëve të prishjes, qofshin këta njerëz të politikës, të shtypit apo të kulturës shqiptare.
Humori i tyre tallës, të kujton humorin therrës të lolove të oborreve të Mesjetës, por i drejtuar vetëm ndaj “armiqve” të aristokracisë të Tiranës. (Lolot e Mesjetës kryesisht ngacmonin Sovranët dhe oborrtarët e tyre.) Vihen në lojë Përparim Kabo dhe Andi Bushati, si dhe shprehet habia se si Fatos Lubonja, Artan Fuga apo Artur Zheji mund të “ndjejnë më shumë dhimbje” për teatrin se sa Ndrenika, Paja apo Imami.
Gjithashtu të dy “lolot” tallen me idenë e argumentuar nga opozita dhe media, se pas prishjes së kompleksit, qëndron një aferë korrupsioni prej dyqind million eurosh.
Më vjen keq për Kullën dhe Bungon, që vullnetarisht bëhen “lolo” të Edi Ramës, kur ai ka me dhjetra të tillë në “oborr” duke filluar me Kryetarin e bashkisë Veliaj dhe duke vazhduar me plot të tjerë. Nëse Kulla dhe Bungo e bëjnë këtë thjesht për të pasur një godinë moderne të Teatrit, pa pasur asnjë lloj interesi tjetër, atëhere tregojnë se janë vetëm miopë. Dhe nëse Kullës, që jeton në Amerikë kjo mund t’I falet, Bungos në Shqipëri kjo nuk I lejohet. “Lopa gjigande e korrupsionit” në këtë rast nuk pëllet vetëm “muuuuuuu”. Në rast se kjo lidhet me interesa më të drejtpërdrejta, atëhere edhe e ka një farë llogjike ky “lolizëm vulnetar”.
Unë nuk di se sa lidhje ka Kabo me filozofinë marksiste dhe Bushati me njohuritë në gjinekologji, por më ka zënë syri në shtyp se bashkëshortes të Kullës, aktores mesatare të estradës së Fierit Xhuli Kullës i është lidhur nga Rama një pension special. Ndoshta nuk ka kuptim, që Pëllumbi dhe Xhuli ta refuzonin këtë pension, por të dy janë të ndërgjegjshëm se ju është bërë një favor i pamerituar, ndaj para se të sulmojnë të tjerët është mirë të bëjnë pak “autoironi publike” me veten.
Cështja e Teatrit Kombëtar është një çështje komplekse që lidhet me ligjet e pronësisë, ato të urbanistikës dhe arkitekturës, si dhe të restaurimit dhe ruajtjes së kujtesës kombëtare. Ndaj është më mirë të trajtohet me seriozitet edhe nga “shakaxhinj”të kohës së Diktaturës dhe Realizmit Socialist. Bunga dhe Kulla mund të kenë pasur vështirësitë e tyre në atë kohë, për shkak të problemeve në biografi, por gjithashtu nuk duhet të harrojnë se me humorin e tyre mediokër u bënë figura të njohura dhe të privilegjuara në atë kohë. Në një vend perëndimor, nuk do arrinin të nxirrnin dot bukën e gojës me atë lloj arti dhe letërsie që prodhojnë. Ndoshta ende në nënndërgjegjen e tyre ndjehet kjo mirënjohje për pinjollët e Partisë së Punës.
Mbi të gjitha, çështja e kompleksit të Teatrit lidhet me funksionimin e Demokracisë dhe me të drejtë opozita e ka bërë çështje politike të saj. Ndaj kësaj grabitje në “ditë me diell” të pronës publike, vetëm se është në mes të Tiranës dhe mund të gjenerojë fitime të mëdha nuk ka se si të heshtet. Edhe nëse kanë dështuar ndaj stadiumit kombëtar, kullave apo të tjerave shkeljeve të ligjeve mbi pronësinë, urbanistikën dhe mbrojtjen e historisë kombëtare, një ditë, arrogancës i duhet thënë me të gjitha format “Mjaft!”
Vetë kryeministri Rama është më i trembur se kurrë për çështjen e teatrit, që ka marrë tani dhenë edhe korridoreve të Brukselit, ndaj rri i heshtur dhe lëshon lukuninë e mbrojtësve të tij me në krye Erion Veliajn.
Ndaj nuk besoj të ketë buzëqeshur as me letrat e Bungos dhe Kullës, kur ja ka lexuar plot zell ndonjë “lolo” me pagë të madhe, që ka në kryeministri.

Monday 23 July 2018

Leutrimi dhe të tjerë emra të pazakontë


A është vërtet emri kapistall?
Edhe pse emri nuk e përcakton njeriun, është e udhës të jesh shumë i kujdesshëm me “etiketimin”, që po i bën fëmijës së porsalindur. Të vepruarit nxitimithi dëshmon se “nuk të bëhet shumë vonë“ se çdo mendojë ai kur të rritet pak dhe në kopësht apo në shkollë, bashkëmoshatarët ta ngacmojnë për emrin.
Tek ne, në zonat fshatare, po edhe ato qytetare, kanë gëluar dhe gëlojnë ç’turlilloj emrash, të cilat ose tingëllojnë keq, ose kanë kuptime në gjuhën shqip , që lenë shumë vend për komente. Vërtet, çdo individ, në të ardhmen mund ta ndryshojë ermin e tij, por nëse emri I vendosur nga pirndërit(sidomos nga baballarët) nuk i ka pëlqyer në fëmijëri, ai le një gërvishtje të thellë në psikologjinë dhe vetbesimin e të riut, që nuk është e lehtë të kapërxehet me një ndryshmi nga psh Pehlivan në Roland, apo nga Guri në Endri.
Leutrim, emri i një të riu kosovar, që është shfaqur në shtyp këto ditë, nuk është mes më problematikëve, por duke predikuar që Leutrimi jo vetëm lindi trim, por edeh do jetë gjatë jetës I tillë, gjë që mund të ndikojë nëse Leutrimi do jetë një i ri i thjeshtë, i turpshëm dhe pak frikacak.
Sigurisht, jo tek të gjithë emërçuditshëm mbajtësit, mund të shkaktojë rënie të vetbesimit emri. Për shembull politikanët Tërmet Peçi dhe Zabit Brokaj, kanë treguar, që janë në lartësinë e emrave, që mbajnë.
Po ç’ndodh me Tankun, Asamblenë, Republikën, Sovjetikun, Rezolutën, Kongresin, Partizanin, Drejtshkrimin, Marenglenin dhe të tjerë emra të frymëzuara nga lufta dhe politika?
Paslufta e Dytë Botërore solli një rekord emrash të pazakontë, sidomos në zonat më të lidhura me nacional-çlirimtaren, si në Labëri, Mallkastër, Gorë, Mokër etj. U shfaqën emrat e parë nga bota e Sovjetëve, si Timoshenko, Budion, Capajev, Pushkin, Lermontov dhe të tjerë, të gjitha mbiemra luftëtarësh apo personalitetesh ruse. E megjithatë, fshatarët e këtyre zonave nuk patën qënë “pionierët” e kësaj ideje. “Viktima” të politikës dhe shtypit pat pasur edhe në Korçën e para luftës, që kishte njerëz si Stalin Todi Duma, apo Hitler, i ndryshuar më vonë në Taqo.
Tradicionalisht, në Shqipëri emrat e fëmijëve vendoseshin kryesisht në dy mënyra. E para ishte ajo e përdorimit të emrave biblike qoftë në komunitetin e krishterë dhe qoftë në atë mysliman (thuajse të gjitha emra të origjinës çifute), ndërsa mënyra tjetër ishte ajo e përdorimit të emrave që kishin një kuptim në shqip dhe që kishin fituar “qytetarinë“ gjatë shekujve. Emrat në pjesën më të mirë mbeteshin dhe përsëriteshin brenda familjes.
“Kohët moderne” vërtet e shtuan larminë, si edhe përdorimin e emrave të tjera të bukur shqip, por jo rrallë u kalua në absurditete. Tradita e përdorimit të emrave të gjyshëve dhe gjysheve “të modernizuara” solli emra me një tingëllim të çuditshëm si Dhorjela, Fahrushe, Mitian, Sotiol, Vasiliela dhe të tjerë, që ngjajnë më shumë si emërtime medikamentesh. Shumë folje të shqipes u kthyen gjithashtu në emra, sidomos në zonat rurale, prej nga dolën emrat Afrime, Mbarime, Dëfrim, Guxim, Dëshira, Plotësime, Durim, Adhurim dhe deri tek Rënqethëse.
Jemi i vetmi vend në botë, që ka më shumë emra se sa ka banorë.
Cdo katër vjet, burrat e entusiazmuar nga lojtarët e futbollit ju vinin djemve emra si Rivelinjo, Bekenbauer, Netzer, Myler, Kempes dhe Kigan.
Nuk është çudi, që edhe këtë vit të kemi kombinime të tilla si Lukak Shkoza, Hazard Bregu, Grizman Hoxha apo Modriç Prifti.
Tashmë kjo është tradita jonë.

Sunday 22 July 2018

Arta Marku ndalja dorën “Neronit”, edhe për të mirën e tij!

Narcisist në pakufi, perandori romak Neroni, preferonte ta quanin “Artist”. Këto ishin edhe fjalët e tij të fundit, ndërsa shoqëruesi i shponte tejpërtej barkun me shpatë, sipas dëshirës së tij: “Qualis artifex pereo” (C’farë artisti po vdes!)
Gjatë sundimit të tij 14 vjeçar Neroni pati shumë bëma, krime, suksese, luftra, pushtime, ndërtime, por një nga më të njohurat mbetet djegia e disa lagjeve të Romës. Shumë e kanë paraqitur si një trill sadist të tij, gjatë të cilit perandori këndonte dhe dëfrente në kodrën e Kapitolit, por e vërteta është, se artisti-perandor kishte provokuar zjarrin për të vënë në jetë një plan të tijin urbanistiko-arkitekturor, që përmbante mes të tjerash një Pallat të artë dhe një shtatore të tij 30 metra të lartë të quajtur Kolosi Neron.
Edhe pse ishte perandor, Neroni nuk ishte në gjendje të shpronësonte pronarët, por ishte i detyruar të ndizte zjarre dhe për këtë të akuzonte dhe përndiqte të krishterët e parë.
Rasti i artistit-kryeministër të Shqipërisë është më banal. Më shumë se dëshirë përjetësimi i vetvetes, tek rasti i prishjes së kompleksit kulturor të Teatrit Kombëtar është mbizotërues lakmia. Forma e arritjes, edhe pse në dukje e veshur ligjërisht, është edhe më arrogante se ajo e Neronit. Kompleksi u la për vite të tëra të degjeneronte, ndërsa përgatiteshin projektet e bujshme, që janë pjesë e “hiedhjes syve” ndaj popullit të Tiranës.
Po ç’pret prokurorja Arta Marku, pas gjithë këtyre denoncimeve të opozitës, aktorëve, njerëzve të letrave, që nuk hap një dosje hetimore për rastin e degjenerim-prishjes së kompleksit dhe dhurimit të pronës publike?
Vetëm sot, portali “Lapsi” ka botuar 11 mashtrime të bëra nga funksionarët e lartë, përfshi këtu kryeministrin Rama, që lidhen me këtë “telenovelë“ të shëmtuar.
Dhjetra personalitete të kulturës shqiptare kanë shprehur hapur dyshimet për këtë aksion mafioz-antikulturor, që shoqërohet me vjedhje të hapur të pronës publike.
Cfarë elementë ligjorë mungojnë për të hapur një dosje dhe për ta njoftuar atë publikisht?
Eshtë bile një favor, që do i bëhet kryeministrit Rama, pasi ky rast korrupsioni kaq i hapur nuk ka për të mbetur pa ndëshkuar.
Po pritet që kompleksi të prishet?
Po pritet, që “Fusha shpk” të ndërtojë dhe më pas të vendoset dinamiti?
Po pritet, që pas dinamitit nga arka e shtetit(xhepat e taksapaguesve) të shkojnë përsëri miliona dhe miliona euro në favor të Fushës së dëmtuar?
Nëse Arta Marka e përzgjedhur nga Manja dhe Xhafa dhe e miratuar nga Edi Rama, ka një lloj detyrimi ndaj këtij të fundit, duhet ta shpëtojë duke e paralajmëruar me hapjen e një dosjeje.
Në të kundërt, një ditë të bukur me diell, do ta dëgjojë kryeministrin e sotëm të thotë: “C’farë artisti po përfundon pas hekurave!”
Personalisht nuk kam asnjë dëshirë, që artisti-kryeministër të ketë të njëjtin fat të Neronit. 

Korriku i 40 viteve më parë


Ishte i nxehtë, ndoshta si i mëparshmi, ndoshta pak më tepër. Nuk kisha ndonjë plan për të shkuar me pushime, as unë dhe as shokët e mij. Një vit më parë, patëm qënë tre javë në kampin e rinisë në Golem dhe kishim ardhur barkzbrazët dhe ishim betuar që mos shkelnim më në atë kamp. Për vite me rradhë, nuk i hëngrëm piperkat e mbushura, që kishin qënë gjella bazë e atij trejavori.
Sa kishim mbaruar maturën dhe nuk kishim dëshirë as të shkonim në plash me prindërit. Të burrëruar para kohe, pa një dyshkë në xhep dhe pa ndonjë plan për vitin që na priste. Ishim të detyruar të punonim një vit para se të shkonim në universitet, diçka e detyrueshme ato vite për djemtë, kusht që nuk u kuptua kurrë as pse u vu dhe as pse u hoq disa vite më pas. E megjithatë ajo kohë kishte shumë absurditete të tjera, sa kjo e “stazhit të djemve” as i bënte kujt përshtypje. Shoqet tona të maturës do shkonin në shtator në Tiranë, por edhe kjo nuk na krijonte ndonjë peng të madh. Asnjë nga shokët e mij nuk kishte të dashur moshatare.
Pa peshën e frikës nga mësuesit dhe drejtuesit e shkollës, as nxënës dhe as studentë, as të rinj në rrogë dhe as vullnetarë, as të tërhequr ndaj librave dhe gjuhëve të huaj dhe as nga ndonjë orkestër muzikore, ne zdërhalleshim para dite në sofatet e Bulmetores(shtëpia e Sandës) dhe pasdite në ato të Bonbonerisë, në varësi të diellit dhe ngacmonim njëri tjetrin. Nuk kishte tifozë të Argjentinës atë vit, për të vazhduar të grindeshim për Kampionatin Botëror, që sa ishte mbyllur.
Dy tre nga moshatarët tanë, që diheshin nga të gjithë se ishin rekrutuar nga Sigurimi “për të ndjekur turistët” vërtiteshin nga mëngjesi në mbrëmje xhirros së Korçës, por edhe kjo ishte një pamje e njohur, që nuk na bënte më për të qeshur.
Në një nga këto paradite të nxehta, Sekretari i Rinisë i Rrethit, Jani Ballta, së bashku me disa veprimtarë, na erdhi në Bulmetorja dhe kërkoi me këmbëngulje, që pas gjysëm ore të shkonim në një sallë të Pallatit të Kulturës. Nuk dinim se përse na mblidhnin dhe i trembeshim ndonjë aksioni për bunë bujqësie në fshat a ndonjë marrëzit jetër të ngjashme. Kishte disa ditë , që televizioni dhe radioja buçisnin për një notë kineze, që dëshmonte se edhe marksist-leninistët e fundit “po na i linin pendët”, por as na bëhej vonë për Kinën dhe kinezët. Ata nuk hynin dot në Botëror. Sa për marksizmin, që posa e kishim dhënë provim, kishim bezdinë, që kanë të gjithë nxënësit e detyruar të mësojnë për provime.
Po përse duhet të na mblidhte shoku Ballta në Pallat?
Dukej që ne përbënim një grup pa përkatësi. Nuk ishim as në shkollë të na mblidhnin mësuesit, as në punë. Një grup amorf “parazitësh” të cilët nuk duhet t’i shpëtonin “kudhrës së propagandës”. Të tilla mbledhje kishin brenda rrezikun të pëlciste e qeshura, por në vitin 1978 të qeshurat me mësimet e Partisë ishin “si me zarar”.
Në një sallë të vogël të katit të dytë, shoku Jani na spjegoi qëndrimin e Partisë dhe shokut Enver ndaj “tradhëtisë“ kineze, gjë për të cilën buçisnin radioja dhe televizioni nga mëngjesi deri në darkë. Në fund të fjalës, i emocionuar nga fjalët e tij, që ne i dëgjonim me kokëposhtë, për të mos u kuptuar se mezi mbanim të qeshurën, na ftoi të ngriheshim të gjithë në këmbë dhe të këndonim “Enver Hoxha tungjatjeta”. U ngritëm, duke bërë copë me të shkelura, këmbët e njëri tjetrit dh e ndërsa shoku Ballta, i mallëngjyer, bashkë me tre katër funksionarët e tij këndonte këngën, ne mbanim ison nëpër dhëmbë pa ditur nëse ishte më mirë të qeshnim apo të mallëngjeheshim me atë çmenduri të rinisë sonë.

Saturday 21 July 2018

Pararendës i idesë për gazetën “Drita”?


Më poshtë është një pjesëe diskutimit të Andon Marës në Kongresin e Parë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë në vitin 1957. Pjesën më të madhe të diskutimit e ze domosdoshmëria për të patur një gazetë letrare, krahas revistës “Nëndori”, që atë kohë ishte i vetmi botim i Lidhjes. 4 vjet më vonë, filloi botimi i gazetës “Drita”, e cila pavarësisht censurës dhe propagandës së pushtetit, tërhoqi një masë të madhe lexuesish të interesuar për letërsinë dhe artet. Eshtë interesante se në të gjithë diskutimin(jo vetëm në pjesën e mëposhtme) nuk përmendet asnjëherë realizmi socialist.

“…Dua të theksoj se botimi i një gazete letrare për nivelin e masës të lexonjësve tanë dhe si tribunë më e afërtë e shkrimeve dhe e problemeve të letrarëve do t’ishte një mjet i mirë për përhapjen më të madhe të letërsisë në popull dhe për zhvillimin e talenteve letrare. Si fillim, kjo mund të ishte një gazetë e përdyjavëshme me gjashtë faqe. Pastaj, puna do ta rrëfente në se mund të delte më shpesh.
Si organ i vetëm i Lidhjes së shkrimtarëve dhe t’artistëve, revista “Nëndori” po merr dhe mund të ruajë karakterin e një reviste ku të botohen shkrime të gjata, artikuj të ndryshëm mbi letërsinë, muzikën apo artet, artikuj teorikë dhe ideollogjikë të një niveli më të lartë, kritika të gjata e të hollësishme, etj.
Në shtyllat e gazetës letrare mund të zinin vend pjesët e atyre që debutojnë në letërsi, si edhe ato të shkrimtarëve tanë të njohur. Sidomos këta të fundit duhet të lozin një rol të madh në trajtimin e çështjeve të ndryshme të letërsisë sonë, në rahjen e mendimeve mbi problemet e temës dhe mjeshtërisë letrare. Ata të hapin shtegun për diskutime të gjëra dhe të vazhduarshme nga ana e letrarëve dhe të lexonjësve tanë.
Një gazetë e tillë besoj se do të pritej mirë. Ajo do të ngjallte interesim ndër të gjithë dhe do ta bënte akoma më tërheqëse atmosferën tonë letrare edhe për lexonjësin më të thjeshtë. Botimi i shkrimeve të gjinive të shkurtra dhe të artikuve që do të merren efektivisht me një kritikë dhe me çështjet konkrete që preokupojnë letërsinë do të ishte një ndihmë e dobishme për të gjithë letrarët dhe do të vlente për afrimin dhe njohjen më të gjërë të lexonjësve me letërsinë. Nuk përjashtohet që atje mund të botoheshin edhe artikuj që trajtojnë çështje të muzikës apo të arteve të tjera.
Sigurisht, në këtë gazetë - duke qënë, nga ana tjetër, edhe “Nëndori”- do të ishte e mundur më shumë të shihnin dritën e botimit krijimet e letrarëve tanë, sidomos ata të të rinjve. Dhe në këtë rast mendoj se këta duhet të inkurajoheshin më tepër. Shkrimet e tyre që do pasqyronin pamje nga jeta e popullit tonë dhe që do t’i shërbenin kësaj jete duhet të gjenin vend në faqet e gazetës. Cdo shkrimtar ose letrar i ri ka mënyrën e vet në të shkruar, kush më shumë e kush më pak ka stilin e tij individual, të mirat e të metat e tij. Prandaj edhe meritat e njërit janë më të mëdha se të tjetrit. Por këto nuk mund të bëhen pengesë në të drejtën e botimit. Këto nuk duhet të përcaktonin kufitë e kësaj të drejte, nuk duhet të shtynin redaktorin të vendosë se subjekti i tregimit apo i vjershës duhej të trajtohej në këtë apo atë formë. Për të mirat ose dobësitë e punës së një autori, për fuqinë e tij emocionale apo realizimin me suksesin e duhur të temës së zgjedhur prej tij çmimin e përshtatshëm do ta caktonte vetë lexonjësi. Nga ana tjetër, kritika do thoshte fjalën e saj duke analizuar me saktësi të metat, në ndihmë të autorit dhe të letrarëve të tjerë. S’do mënt se nuk mund të pretendohet që në këtë gazetë t’i jepet dorë e lirë botimit të çfarëdo shkrimi pa asnjë vlerë në brendi dhe në realizimin artistik…”

Shënim: Në pjesën e diskutimit të mësipërm nuk ka asnjë korrigjim apo ndryshim nga origjinali.

Friday 20 July 2018

“Me Partinë e Sumës, lule çeli jeta…” (fund)

(vijim)

Po pse në qytetet shqiptare nuk pati organizime kundër sistemit apo protesta si në vendet e tjera të Lindjes gjatë viteve 1988 dhe 1989?
Përgjigja nuk është shumë e thjeshtë dhe faktorët mund të jenë të shumtë, që fillojnë me ashpërsinë e Diktaturës shqiptare, izolimin e Shqipërisë dhe deri me mungesën e traditës të solidarizimit mes shqiptarëve.
Për mendimin tim, veç frikës, në shoqërinë shqiptare mungonin pika referimi, të cilat mund të sillnin organizimin e njerëzve. Në historinë moderne të Diktaturave, këto zakonisht janë institucionet fetare, klubet kulturore, grupimet ushtarake, grupimet sindikaliste ose figura shumë të njohura dhe me mbështetje në popull si patriotë të shquar apo filozofë të mëdhenj.
Asgjë e tillë nuk ekzistonte në Shqipëri!
Enver Hoxha ishte “kujdesur” të mos linte asnjë lloj alternative tjetër veç Partisë dhe levave të saj, organizatave anemike të masave.
Ndaj ishte e pamundur jo vetëm të ndodhte ç’ka ndodhi në vitet ’80 në Poloni me “Solidarnos”, por edhe të fishkëllehej dhe merrej me “yjaaa” Ramiz Alia, si morën rumunët gjatë fjalimit të 22 dhjetorit 1989, Nikolae Causheskun.
Edhe pse të shtyrë deri në kufijtë e mbijetesës, me një kg mish në javë për familje, 10 vezë dhe 1 kg djathë në muaj dhe plot mungesa të tjera ushqimesh në qytet, njerëzit nuk kishin kurajë të ngriheshin kundër partisë-shtet. Në fshat mungesat ushqimore ishin të tmerrshme. Familje të tëra ushqeheshin vetëm me bukë dhe sherbet (ujë me sheqer). Këtë mpirje të përgjithshme e shtonin edhe “legjendat” e krijuara nga njerëzit vetë, ose edhe në bodrumet e Sigurimit “se për ne kanë vendosur të huajt të na lenë kështu, për të qënë një shembull se si jetohet në socializëm”.
Edhe rënia e Murit të Berlinit, në nëntor 1989, edhe pse ngjalli shumë shpresa, nuk pati një efekt të menjëhershëm në organizimin e e njerëzve, që nuk e donin sistemin dhe që atë kohë përbënin shumicën e popullsisë nëpër qytete. Për shkak të propagandaës shtetërore në tv, në fshat kishte më shumë rezistencë prokomuniste, edhe pse jeta atje ishte më e vështirë.
Shqiptarët prisnin me sytë nga Perëndimi, sikundër presin edhe sot, që reformat t’ja u bëjë Uashingtoni dhe Brukseli.
Por në atë kohë, veç frikës nga Diktatura, ekzistonte edhe një stepje prej të Panjohurës, sepse ishin të pakët ata , që dinin se si mund të funksiononte shteti dhe shoqëria në një sistem të ndryshëm, se ç’mund të bëhej me institucionet e mbyllyra fetare dhe a do kishte përçarje mes njerëzve, se çdo bëhej me pronën tërësisht shtetërore, se ku do punonin të diplomuarit në universitetet shqiptarë dhe dhjetra pyetje të tjera të këtij karakteri. Ndaj artikujt e parë “anti-sistem” të pranverës 1990, që u shfaqën në shtypin zyrtar(të Ylli Popës, Sali Berishës e ndonjë tjetri) u “përpinë“ nga njerëzit. E megjithatë, pyetja që endej në mendje ishte “cilët do na drejtojnë në një lëvizje kundër Diktaturës?” Ishte thuajse një shkretëtirë emrash.
Në bisedat e hapura, veç shokëve të mij të ngushtë, por edhe të miqve të mij, Fredi Bitincka, Piro Tërova, Koço Dinella, Gjergji Skënderi, Ferdi Kosti dhe të tjerë, nuk shihnim mundësinë, që diçka e afërt të shfaqej në jetën e shoqërisë shqiptare, e cila mund të sillte përmbysjen. E tillë ishte gjëndja psikologjike e jona deri në vjeshtën e 1990, teksa përgatisnim beton në një rrugicë, një burrë kaloi dhe na tha “Ju lumtë djema!” dhe ne pa një pa dy ju përgjigjëm “I lumtë Partisë, që na udhëheq!” dhe kalimtari pa ulur zërin tha: “Mo po ju lumtë juve pa partisë ja lërofsha, kush e ka bërë!”
Ishte gati të pëlciste dhe vetëm një shkëndijë pritej.

Thursday 19 July 2018

Aurel Plasari dhe Zhaklin Kenedi Onasis



Edhe pse Tirana nuk është Manhattan, edhe pse Aurel Plasari nuk i përket brezit të Zhaklin Kenedit, ka diçka që i afron dhe i bën të krahasueshëm. Mbrojtja që po i bën shqiptari i letrave Plasari, kompleksit kulturor të Teatrit Kombëtar, sikundër amerikania e politikës dhe letrave i bëri në fundin e viteve ’60, Grand Central TerminalNew York.
Në atë kohë, për të mos lejuar prishjen e Stacionit Qëndror, zonja Kenedi shkruante:
“Nuk është mizore të lemë qytetin tonë të vdesë dalë nga dalë, duke e zhveshur nga të gjithë monumentet e tij të lavdishëm, deri sa mos mbetet gjë nga historia dhe bukuria e tij për të frymëzuar fëmijët tanë? Nëse nuk frymëzohen nga e kaluara e qytetit, ku do e gjenë forcën për të luftuar për të ardhmen e tij?”
Aurel Plasari, pasi ka përshkruar më parë rëndësinë historike dhe kulturore të kompleksit të Teatrit Kombëtar, shton në të shkëlqyerën e tij “Pact sunt servanda” (titull i  imi për “Kontrata Proteatër”):
“Kontrata Proteatër e Forcave Opozitare, të garantojë publikun që do përfshijë ndër përparësitë e tyre kthimin e statusit“Monument Kulture” tok  me restaurimin e dy teatrove, atij Kombëtar dhe atij Eksperimental, që funksionojnë sot në kompleksin e ish-Qarkut “Skënderbeg”duke tërhequr në një sipërmarje të tillë përvojën dhe ekspertizën e arkitektëve dhe ekspertëve më të mirë të monumenteve të kulturës në vend;”
Historia e ngritjes së qiellgërryeseve në vend të Stacionit Qëndror në NYC, ndryshon nga historia e projektit me kulla në vendin e Kompleksit të Teatrit Kombëtar, po aq sa ndryshon administrata e Ramës nga ajo e Niksonit dhe po aq sa ndryshon Erion Veliaj, nga kryetari i bashkisë të NY në atë kohë, John Lindsay.
Stacioni Qëndror ishte pronë private e një kompanie trenash, që donte të ngrinte në vend të tij, një qielllgërryese, të projektuar as më shumë dhe as më pak, por nga vetë Marcel Breuer, një nga arkitektët më të famshëm të shekullit të XX-të, ndër liderat e Bahaus-it. (Para tij, danezi Ingels dhe hollandezi Maas janë thuajse liliputë).
Në sajë të trysnisë të forcave kulturore, të udhëhequra ne Zhaklin Kenedi, Bashkia e New York-ut, ndali lejën e ndërtimit dhe kërkoi, që objekti të mbetej sikundër ishte dhe të restaurohej. Dhe kështu u bë, duke “shkelur” edhe të drejtën e pronarit për të ndërtuar atë, që donte në pronën e tij. Cështja shkoi deri në Gjykatën e Lartë, e cila dhjetë vjet më pas, i dha të drejtë Bashkisë dhe publikut.
Historia 15 vjeçare e projeketeve në vendin e kompleksit të Teatrit Kombëtar, është historia e një kryetari bashkije (Ed Rama), që kërkon të tjetërsojë një pronë publike për interesat e një grupi privat, mbas të cilit mund të jetë edhe vetë ai.
Mbrojtja historiko-kulturore, që po i bën Plasari, Lubonja dhe shumë të tjerë, lidhet akoma më shumë edhe me interesin e publikut për të mbrojtur jo vetëm trashëgiminë, por edhe pronën publike.
A do ishte New York-u, ky që është, po qe se prishej Stacioni Qëndror?
Mendimi im është, që ndryshimi nuk do ishte i madh, por beteja për Stacionin Qëndror, shpëtoi edhe shumë monumente dhe parqe që mund të prisheshin më vonë dhe që do shfytyronin Mollën e Madhe.
Prishja e kompleksit të Teatrit Kombëtar dëmton qëndrën e Tiranës, e cila vazhdon të cënohet me ndërtime të një arkitekture “pa ngjyrë“. Por mbi të gjitha, ajo dëmton thellësisht raportin e pronës publike dhe të kujtesës kolektive me shoqërinë. Eshtë një dëshmi, që arrogance e këtyre kleptokratëve nuk njeh kufij.
Zhaklin Kenedi, një biblofile e njohur e fitoi betejën e saj.
A do e fitojë dot bibliofili ynë i madh Aurel Plasari?

“Me Partinë e Sumës, lule çeli jeta…” (2)

(vijim)

Në përgjithësi flitej në ato kohëra, që në Parti ishin mbledhur njerëz nga më të pazotët dhe deri në burra dhe gra me moral shumë të dyshimtë, gjë që më tepër akoma i largonte njerëzit nga struktura të tilla si organizatat bazë të partisë nëpër ndërmarje. Atje ku punoja, edhe pse numuri i punonjësve ishte i vogël, pata gjetur shumë pak komunistë. Bile organizanta, që na mbulonte, thuajse të gjithë anëtarë i kishte në institucione të tjera. Sekretar ishte një marangoz injorant, (edhe si marangoz nuk vlente një lekë) që punonte si instruktor pune me dru në një Bazë, ku bënin punën prodhuese nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa anëtarë dy- tre magazinierë, që kishin qënë ushtarakë të Ministrisë së Brendhme dhe kushedi se përse i kishin larguar, si dhe një tjetër ushtarak i tillë, që punonte në stacionin meteorologjik të qytetit. Përbërje të ngjashme kishin edhe organizata të tjera bazë, në vendet e punës të shokëve të mij. Grupe njerëzish “xhahilë“, por që nuk përjashtonte mundësinë, që mes tyre të kishte edhe njerëz të mirë.
Të bëheshe komunist në vitet ’80, kur bëheshin fushatat e “gjakut të ri në Parti”, do të thoshte se ose ishe i pazoti dhe shumë karrierist, ose (në raste shumë të rralla), në vendin e punës, për tu mbrojtur, nuk kishe mënyrë tjetër veçse të bëheshe anëtar partie. Ndaj kur lexoj, se njerëz të artit e të kulturës, kanë bërë kërkesë për të hyrë në Partinë e Punës, pas vdekjes së Enver Hoxhës, më duket jo vetëm e pështirë, por edhe një miopi e pabesueshme.
Një ndjenjë të tillë, provuam me disa miqtë e mi, kur në vitin 1988 ose 1989, gjatë përurimit të një ekspozite pikture, sekretari i parë i Korçës i asaj kohe, Vangjush Cërrava, njoftoi një kolegun tonë se ishte pranuar kandidat partie. Si nuk na ranë në kokë skulpturat e ekspozuara, midis të cilave kujtoj një “grup skulptural fëmijësh kokëmëdhenj” të skulptorit Sotiraq Grazhdanji, që u pëlqye shumë nga kryetari i komitetit ekzekutiv, i ndjeri Gjergji Krastafillaku!
Pra në pjesën më të madhe, organizatat e partisë kishin në përbërje shumë derdimenë, terelengo, merhumë, batak]inj, tuhafë, teleshmënë, rrostopoj, sherr budallenj dhe deri në zuzarë dhe gjyvendera. Të ishe pjesë e tyre nuk përbënte asnjë nder edhe sikur të ishe kokë e këmbë i bindur, se Partia jonë ishte “fanar ndri]ues në brigjet e Adriatikut”. Një gjendje të tillë e kishin konstatuar edhe ata, që kishin “dy para mend” në majë të “Piramidës” dhe që donin t’i zëvendësonin Lenkat, Simonët dhe Palët.
Spastrimet e bëra pas vitit 1982 në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe politikat më liberale të Ramiz Alisë ndaj “agjitacionit dhe propagandës” patën bërë të mundur një ulje të agresivitetit të “fuksave”(si quheshin atë kohë operativët e Degës). E megjithatë, disi papritur, në fillim të vitit 1986, një shoku jonë u njoftua në mirëbesim se një punëtor operativ i kishte kërkuar dikujt të raportonte për bisedat politike me të. Dukej e panatyrshme për kohën, por ishte e vërtetë. Nuk u mësua kurrë nëse punëtori operativ e kishte marrë nismën për motive personale, se pas ankimit të shokut tonë, ]ështja nuk u shty më gjatë.
E përmenda këtë për të theksuar, se “terrori komunist” pas ’82-shit dhe sidomos pas vdekjes së Hoxhës ishte ulur në minimum dhe jo si pretendojnë shumë “disidentë“, që janë përndjekur e persekutuar në gjysmën e dytë të viteve ’80. Mund të ketë ndodhur vetëm në rastet, kur ka patur përpjekje për të organizuar mitingje, ose veprime të tjera kundër Diktaturës, por jo thjesht për të folur. Pafuqia ekonomike e shtetit, mungesat e mëdha në tregun ushqimor, i kishin detyruar kupolën komuniste të bënte lëshime në arrestimet dhe përndjekjet vetëm për biseda politike. Edhe vetë komunistët teknefezë ishin të lodhur dhe të pakënaqur nga problemet e përditshme të mungesës së ushqimeve.
(vijon)

Wednesday 18 July 2018

“Me Partinë e Sumës, lule çeli jeta…”


PPSH-ja, burgjet politike, lutjet për tu bërë komunist, spiunimet, internimet nuk i ndahen brezit tonë sado të kalojë koha. Intervista e Maks Velos, debatet në shtyp mes Ilir Demaliajt dhe Kujtim Cashkut, si dhe shkrime të njerëzve të tjerë më pak të njohur, ngacmojnë “korret” e atyre plagëve psikologjike të shkaktuara në 20 vitet e fundit të Diktaturës. Janë plagët e raporteve të çdo njeriu me ideologjinë dominuese të kohës, me organizatat bazë të partisë, me njerëzit “me biografi të keqe”, me mbështetjen në publik të veprave të lavdishme të Partisë dhe shokut Enver dhe dënimin e ideologjive borgjezo-revizioniste.
Diku kam përmendur, që brezi ynë, ndoshta sepse arriti në moshën 20 vjeçare në fund të viteve ’70, a ndoshta për të tjera arsye, ishte një brez tepër indiferent ndaj politikës. Këtu përfshi edhe më të rriturit se ne, të cilët për më tepër, kishin patur një adoleshencë “më të lirë“ në periudhën e liberalizmit.
Psikologjia e grupmoshës ishte t’i shmangeshe sa më shumë detyrave, që lidheshin me “ideologjinë komuniste” edhe pse hapur nuk flitej kundër saj. Ishin shumë të rrallë ata, që pranonin me dëshirë funksionet në organizatat e rinisë në shkollën e mesme dhe në universitet. Shpesh herë të zgjedhurit në forumet e rinisë duhet të merreshin me punë “të ndyra”, si kontrollet për flokët dhe veshjet e të rinjve, apo për masat disiplinore ndaj shoqeve dhe shokëve të tyre, gjë që shikohej me përbuzje nga të gjithë.
Në universitet, psikologjia “kundër sistemit” shtohej, sepse studentët kishin më pak trysni nga organizatat e partisë dhe pedagogët, dhe në Tiranë fryma “anti-sistem” ishte më e fortë se në rrethet. Ndonëse në vitet e terrorit, në Tiranë gjeje më shumë njerëz të informuar, që flisnin për absurditetet e kohës, që po kalonim dhe njihnin më mirë realitetin e jetës në Europën perëndimore.
Për “palavitë“ e Bllokut dëgjova më shumë nga shokët e mij, i paharrueshmi Bin Xoxi dhe Genc Barbullushi. Por fryma kundërshtuese ndjehej edhe në bisedat me të tjerë miq të besuar si pedagogu Vladimir Jorgji dhe ing. Pirro Thomo. Eshtë disi e pazakontë, por pedagogët-arkitektë, që zakonisht nxitin si tutorë prirjet “anti-sistem”, ishin tepër të kujdesshëm dhe të paafruar me ne për biseda që lidheshin me artin, filozofinë dhe psikologjinë. Ndoshta jeta i kishte mësuar të ishin të kujdesshëm, bile ne na dukeshin si shumë “frikamanë“.
U kthyem nëpër vendet tona me një mosbesim të plotë se mund të kishte përmirësime në jetën e Shqipërisë. E njëjta frymë ishte edhe tek shokët tanë më të rritur, të cilët kishin mbaruar ose jo studimet universitare. Thuajse të gjithë, ose kishin kundërshtuar ofertat për të hyrë në Parti, ose nuk ja u kishin bërë se “ja u dinin mendjen”. Dhe një pjesë e mirë i kishin baballarët anëtarë të vjetër partie, drejtora ndërmarjesh, ose me funksione të tjera të larta. Shokët tanë, që nuk kishin studiuar në shkolla të larta, kishin parë dhe jetuar të tjera absurditete gjatë shërbimit ushtarak, që i bënin të ishin edhe më dyshues ndaj sistemit. Dhe në mesin e viteve ’80, kur sa kishim filluar nga puna, kishte vdekur Diktatori dhe kishte shumë më pak dënime për agjitacion dhe propagandë, në rrethet tona shoqërore flitej kundër sistemit dhe as mund të bëhej fjlaë për tu anëtarësuar në Parti. Tre shokët e mij me të ngushtë, në Tiranë, Elbasan dhe në Kor]ë, nuk pranuan të bënin kërkesë për të hyrë në Parti, kur ja u kishin sugjeruar komunistët e ndërmarjeve ku punonin. Unë nuk pata kurrë një “ofetrtë“ të tillë, mbase se dihej , që im atë ishte përjashtuar nga Partia.
(vijon)

Tuesday 17 July 2018

Rama e ze demin…për koqesh!



Në Bowling Green në Manhattan, dy blloqe më poshtë se Bursa e Nju Jorkut, ndodhet një nga skulpturat më të famshme të Mollës së Madhe, Demi i bronxtë i skulptorit Arturo Di Modica. Eshtë një pikë, që tërheq shumë turistë të huaj, sidomos aziatikë, që prekin Demin dhe dalin foto para tij, si për të patur një lloj bekimi financiar.
Skulptura simbolizon begatinë dhe optimizmin financiar, që shfaqet në investitorët e bursës në kohët më të mira, të quajtura “bull market”, kur të gjithë në eufori investojnë paratë e tyre në bursë, për t’ju shumëfishuar.
Nga prekjet e shumta prej duarve të turistëve , pjesë të skulpturës ndrisin më shumë se i gjithë demi, që ka një ngjyrë bronxi në kafe. Cuditërisht ato më të prekurat dhe më të shkëlqyeshmet, janë testikulat e Demit, të cilat populli na ka mësuar t’i quajmë shkurt dhe pa shumë ceremoni…koqe.
Ndoshta, aziatikët, kanë shprehje, që lidhin suksesin financiar me fertilizmin, por fakti është, që as flegrat dhe as brirët e demit të inatosur nuk shkëlqejnë aq sa organet e tij gjenitale.
Këtë lloj “supersticioni” për begatinë financiare të kujton kryeministri Rama, ndërsa shikon treguesit ekonomikë të Shqipërisë në këto 5 vite të qeverisjes së tij, të cilat bien ndesh me propagandaën e tij në ERTV.
Ka disa tregues, të cilët dëshmojnë amatorizmin e të gjithë ekipit qeveritar në qasjen ndaj problemeve të ekonomisë. Rritja e taksave, ajo e defiçitit tregëtar dhe sidomos rritja e borxhit publik në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto, tregojnë se edhe pse në kohën e “erërave të mira ekonomike” në botë, rritja e PPB-së në Shqipëri ka prirje të zvogëlohet.
Po cila është alternativa?
Nëse Edi Rama nuk është në gjendje të “kapë për brirësh demin e ekonomisë“ atëhere duhet të japë një orë e më parë dorëheqjen.
Ka disa arsye, që Rama nuk është në gjendje të bëjë të parën.
E para, atij i mungon tërësisht një formim ekonomik dhe më e keqja është se nuk ka bërë asnjë përpjekje në këto vite, që drejton Partinë Socialiste, të rrokë problemet komplekse të ekonomisë.
E dyta, kryeministri mendon se arti i qeverisjes është të bësh propagandaë, ose me termat e sotme, të dish se si të manipulosh PR(Public Relations).
E treta, për interesa imediate të qëndrimit në pushtet, qeveria Rama ka inkurajuar, bile ka pasur drejtimin e prodhimit të kanabisit në vend , si dhe atë të pastrimit të parave të pisëta, që vijnë nga fitimet e bandave shqiptare në Europë. Me idenë se ky “lumë parash” do krijonte stabilitet në të ardhurat e shqiptarëve, qeveria ka dëmtuar direkt dhe indirekt degët e ekonomisë reale.
E katërta, me klientelizmin e hapur të shfaqur me koncensionet dhe PPP-të, ai ka larguar nga tregu shqiptar investiorët e huaj seriozë.
Ndaj edhe pse nuk i mungon dëshira për të patur një vend të begatë, në mënyrë, që të rrijë sa më gjatë në qeverisje, Rama i “mban sytë nga qielli” duke pritur rritjen e numurit të turistëve, rritjen e bamirësisë tek biznesmenët privatë dhe mundësinë e rritjes së investimeve të dyshimta turke pasi kanë marrë urdhërind he bekimin e Erdoganit.
Krejt njëlloj, si i mbajnë sytë turistët aziatikë, tek koqet e Demit të bronxtë në Wall Street.
Bashkë me stinën e verës, do largohen edhe turistët, si edhe do ndalen reklamat e agjensive europiane të udhëtimit, të cilat i propagandon me bujë në televizionin e tij personal kryeministri shqiptar.
Vjeshta do rrëzojë edhe plot gjethe të thata të ekonomisë të rreme shqiptare.
A do presim të mësojë se si të zerë demin e ekonomisë për brirësh, apo do vazhdojmë të mbajmë sehir se si Rama prek plot shpresë koqet e tij?

Monday 16 July 2018

Designboom dhe Peter “ram-bam”


Në një artikull pa emrin e artikullshkruesit, që ngjan më shumë si një bisedë kafeneje e Peter Wilson me një gazetar të revistës arkitekturore online “designboom.com”, pasi i ka ofruar një tufë me fotografi të bëra në sheshin para teatrit, flitet për rikonstruksionin e fundit të teatrit të Korçës.
Jam rezervuar të shkruaj për rikonstruksionin në fjalë, sepse nuk kam parë interieret, të cilat është e vështirë t’i gjykosh nga fotot. Për fasadën (rreth të cilës flitet në artikullin pa autor) kam patur një përshtypje negative, por kam menduar, që pas dëmit , që solli Kulla, fasade e rifreskuar e teatrit as shton dhe as pakëson në atë hapësirë të dëmtuar thellësisht, që tashmë nuk mund të quhet as shesh.
Në paragrafët e shkrimit, më ra në sy se si “operon” arkitekti Wilson. Bën nga një skicë dore dhe ja jep studios shqiptare, e cila ka liçencën e projektimit. Studioja quhet DEA dhe duhet të jetë krijuar posaçrisht, për të “vënë në jetë idetë gjeniale të Pitit”, pasi ka marrë nga Bashkia projektin e rradhës , sipas udhëzimeve të kryeministrit Rama.
E gjithë skema, në rastin më të mirë është një skemë “ram-bam”, ku Wilson veç marrjes së shumave të majme dhe ndarjes së tyre, nuk ka asnjë përgjegjësi teknike apo ligjore në të ardhmen e ndërtimit.
Po ç’ësht fasada e re e teatrit, për të cilën flet “designboom”?
Teatri i Korçës, i quajtur në fillim edhe Kinoteatër se kishte edhe dhomë projektimi filmash, ishte një projekt i gatshëm sovjetik, i aplikuar diku në një qytezë të vendit gjigand, mik i madh i atëhershëm i komunistëve shqiptarë. I njëjti projekt u zbatua edhe në Vlorë, ku ruhet ende sot në gjendjen fillestare.
Në fillim të viteve ’70, fasada me elementë të një neo-klasiçizmi surrugato sovjetik, u “modernizua”, sipas porosisë të Todi Lubonjës. Në mos gaboj, ishte një projekt, që realizohej nga tekniku Robert Floriri, i drejtuar nga arkitekti Koço Koçiu. Edhe pse nuk ishte ndonjë realizim i shkëlqyer, ndryshimi pati disa elementë pozitivë, si pensola e madhe, që jo vetëm mbron nga shiu spektatorët që hyjnë dhe dalin në masë nga teatri, por i jepte edhe një theksim horizontal dhe një efekt të mirë dritë hijeje, një fasade solide dhe të rëndë. Gjithashtu holli jo vetëm fitonte dritë, por edhe bëhej më transparent, në sajë të vetratës të madhe metalike. Pjesa më e madhe e fasadës, që rritej në lartësi edhe për të mbuluar plotësisht siluetën e çatisë të objektit, mbeti e rëndë dhe në të ishte “luajtur” vetëm me disa kuadratime në suva, ndërsa një pjesë e madhe ishte lënë për pakartat propagandistike të kohës. Dikush i pat cilësuar kuadratet në suva si një “çokollatë e madhe Flora”.
Ndërhyrja e Wilson nuk sjell asgjë të re, nga ajo ndërhyrje e 50 viteve më parë. Pjesa bosh e fasadës është zëvendësuar me një maskë tragjike të realizuar dobët, pjesa e kuadratave është zëvendësuar me portrete spektatorësh në terrakotë të realizuara nga artisti Vasi Kolevica, (të cilin Piti në shkrim e quan poçar, si për të treguar që ai është në gjendje të ngrerë në nivel edhe poçarët) dhe një shtesë e një maske komike, po aq e dobët e realizuar në një shtesë, atje ku dikur ishte hyrja për në blokun e agjensisë.
Para të hedhura kot!
Kështu do ta quaja ndërhyrjen e re në fasadë, që nuk ka asnjë lidhje me Art Deco, sikundër pretendon Wilson, por është një projekt tjetër i stërnxituar, që paguhet nga taksapaguesit korçarë dhe shqiptarë.
Sigurisht, askush nuk mund t’ju kërkojë hesap bashkiakëve, që ndjekin pas si dele Peter Wilson, si janë marrë në foton e mësipërme nga vetë ai. Dhe çobanin Piti këto dele inxhinierë dhe arkitektë nuk e ndjekin se janë të impresionuar nga gjenialiteti i tij, por se ashtu i ka urdhëruar kryeministri Rama dhe ministri Peleshi.
A është kjo fasadë një rikonstruksion arkitekturor i mijëvjeçarit të ri?
Aspak.
Eshtë thjesht një rifreskim i mënyrës se si e konceptonte modernen në vitin 1970, Berti Floriri.

Thursday 12 July 2018

12.07.2018


Në fillim
Nuk ishte fjala,
Por një topth në Pemën e Vitit të Ri
Si ti,
I vogël, por i artë,
Sepse do ishe i imi,
Mes pamjesh të mjegullta,
Ku jo çdo gjë është e qartë.
Ti do vish,
Si pjesë e imja
Dhe e tim eti,
Të ngjizur në ëndrrat
E Risisë së mrekullueshme,
Që erdhi dikur.
Diçka gjithësisht e re je,
Universi që po rritesh
Për të selitur thjeshtësinë
E magjisë plot nur,
Që ndodh dhe nuk dimë si;
Prandaj është magji,
Se nuk do ta kuptojmë kurrë.
Unë tani po aq fëmi,
Sa kam qënë dje burrë.

Wednesday 11 July 2018

Shqetësimi për të thënë të vërtetat (fund)

(vijim)


Megafonët stërmëdha të informacionit dhe të “të vërtetave” janë në duart e super të pasurve ose të politikanëve. Detyrimisht edhe informacioni është në një pjesë të madhe i manipuluar, në varësi të interesave të grupeve që e kontrollojnë atë. Ideja e “fake news”, e cila nuk është e re, por ka mbizotëruar në fjalorin politik të dy-tre vjetëve të fundit është pranimi nga shumë palë, se informacioni manipulohet. Dhe ka një arsye të përbashkët të palëve, që luftojnë për pushtet, për të kontrolluar dhe manipuluar informacionin, e cila shprehet qartë dhe e përmbledhur në thënien e mëposhtëme të Noam Chomsky-t:
“Gjithkund, duke nisur me kulturën pop dhe deri tek sistemet e  propagandës, ndjehet një trysni e pandryshueshme për t’i bërë njerëzit të ndjehen të pafuqishëm dhe tëvetmet gjëra, që mund të bëjnë, janë të miratojnë vendimet dhe të konsumojnë.”
Eshtë një e vërtetë universale për të gjitha shoqëritë , që njohim nga ato më të prapambetura e deri në më të zhvilluarat.
Eshtë një pranim thuajse nga të gjithë, që “e vërteta dhe përpjekjet për ta vënë në pah” nuk vlejnë. Ky lloj dorëzimi i njerëzve, duke filluar nga më të shkolluarit e deri në ata, që nuk kanë dashur ose nuk kanë pasur mundësi të shkollohen është tragjik. Se sa i tillë është e kupton kur përballesh me probleme jetësore, që lidhen me jetën tënde. Kur ndodhesh para një vendimi gjyqësor kryekëput të padrejtë, se pala tjetër ka blerë gjykatësin; kur humbet një të dashur, se spitalit i mungojnë mjetet e domosdoshme apo se mjeku është plotësisht i paaftë; kur të pushojnë nga puna dhe në vendin tënd emërojnë dikë, që ka një diplomë fallco; kur të shpronësojnë, se në vendin tënd kanë menduar të ndërtojnë diçka me shumë fitim për veten dhe miqtë e tyre.
Atëhere ndjen “tragjizmin” e situatës, por harron se ke vite edhe vetë, që ke kontribuar në krijimin e një situate të tillë.
Dhe kjo nis me heshtjen për të thënë të vërtetat.
Dhe të vërtetat “e hidhura” fillojnë me familjen, rrethin familjar dhe atë shoqëror dhe zgjerohen më tej tek qyteti apo edhe vendi.
Nëse nuk je në gjendje t’i thuash të afërmit, “nuk bën mirë të blesh diplomën”, “kam dëgjuar që në doganë merr rryshfete dhe kjo nuk është mirë“, “ti nuk ke nivel të konkurosh për kryetar bashkie”, “ mos përkrah filan politikan për x-çështje ndërtimi se ka korrupsion” e dhjetra të tjera si këto, atëhere mos u çudit se një ditë do jesh para një situate tragjike, që rëndon pikërisht mbi ty dhe familjen tënde.
Ndaj është kaq e domosdoshme të përulesh në tempullin e së Vërtetës.

Tuesday 10 July 2018

Shqetësimi për të thënë të vërtetat (3)


(vijim)
Njerëzit janë shumë të ndjeshëm me manipulimet dhe mashtrimet, që bëhen në fushën e shëndetsisë, sepse lidhen drejtpërdrejt me ta dhe të afërmit e tyre. Ndaj edhe skandalet e kësaj fushe, si ky i “Theranos”, apo i medikamenteve të falsifikuara, i bëjnë të reagojnë me indinjatë, por njëkohësisht harrojnë, ose nuk ju pëlqen të kujtojnë se janë po aq conformistë brenda kompanive të tyre, ose në lëmin e veprimtarisë së tyre.
Nëse e thëna e të vërtetës nuk kthehet në mënyrë të jetuari, atëhere shoqëria nuk mund të bëjë kurrë përparim.
Shoqëritë e vendeve skandinave janë ilustrimi më i mirë i kësaj ideje.
Tek ne mbizotërojnë këshillat e tipit “ç’të duhet ty?”, “nuk mund ta ndryshosh ti botën”, “shiko punën tënde”, “qingji i urtë pi dy nëna”, “ me të mëdhenjtë kije mirë“, e të tjera si këto, të cilat ja u japim “pa doganë“ të rinjve dhe të afërmve. Harrojmë se në një farë mënyrë ju themi të kthehen në eunukë dhe në të tredhur, gjë që jo vetëm i bën pa personalitet, por mbi të gjitha i kthen në njerëz lehtësisht të manipulueshëm, që do s’do do e pësojnë në jetë.
Shoqëria shqiptare (dhe jo vetëm ajo) nuk u kthye në një shoqëri të korruptuar vetëm në një ditë dhe pasojë vetëm e një grupi njerëzish, por ditë për ditë, nga të gjithë ne, kush më shumë e kush më pak.
Ndaj edhe shqetësimi për të thënë të vërtetat edhe të thjeshta, edhe ato historike, nuk është absurditet, por nevojë. Nuk arrihet menjëherë në mohimin e holokaustit, apo të genocidit të armenëve në Turqi, apo të Diktaturës në Shqipëri. Ato nisin me fshehjen e fakteve, kur flitet për ngjarje të së kaluarës, me zbutje të nuancave, ose më përgjithësime se “të gjithë kështu bëjnë“. Nëse thuhet se p.sh. Mehmet Shehu ishte kriminel, kjo nuk është çështje opinoni, por faktesh. Në shpatullat e tij rëndojnë krime të kryera me dorën e tij, pushkatime të urdhëruara pa gjyq, intriga për vrasje kundërshtarësh apo edhe shokësh dhe të tjera si këto. Nëse ka qënë i zgjuar apo jo, trim ose jo, besnik ose jo, gjkanxehtë apo i përmbajtur, këto kanë shumë pak rëndësi. Po ashtu pak rëndësi ka nëse ka bërë edhe të mira në jetë. Njerëzit me pushtet nuk mundet vetëm të vrasin përditë, se në raste të tilla do klasifikohen si vrasës serialë. Pushteti për një kohë të gjatë krijon mundësi edhe për vepra të mira apo bamirësi, por kjo nuk ndryshon thelbin se ai u ngjit në pozitë duke kryer krime dhe ndenji në pushtet duke bërë krime, deri sa i erdhi radha ta pësonte nga intrigat e njerëzve të ngjashëm me të.
Por kjo nuk vlen vetëm në “dimensionet” e mëdha të kriminelëve, si janë rastet e Hoxhës, Shehut, Xoxes, Haznedarit, Hazbiut, Ziçishtit etj., por edhe për përmasat më të vogla të karrieristëve, arrivistëve apo konformistëve të asaj kohe dhe të kohës së sotme. Kam njohur ato kohë, një njeri vërtet të mirë dhe nga një familje e mirë, por që ishte aq i bindur ndaj ligjeve dhe urdhrave, sa që po ta urdhëronin të ngrinte mitrolozin dhe të qëllonte mes sheshit mund ta bënte vetëm e vetëm se ju bindej urdhrave.
Pyesja veten se ç’farë e bën këtë njeri të mirë dhe të shkolluar, të veprojë me kaq verbëri sa mund të arrijë edhe në zbatimin e urdhrave nga më absurdet.
Konformizmi dhe frika. Këto dy përbërës mund ta kthenin në kriminel një njeri të mirë.
Kishte ndodhur 50 vite më parë me shumë gjermanë të mirë.
Por e kaluara e jetuar, që tashmë quhet histori, është jo vetëm pjesë e jetës së njerëzve, që ende jetojnë, por nëse paraqitet e ndryshuar, jo vetëm rrezikon të përsëritet, por ndikon në formimin e shtrembër të brezit , që vjen.
Po jap një shembull, që më kalon vetëtitmthi në mendje dhe që ndoshta nuk është më sinjifikativi. Në mediat sociale, në një foto të postuar nga një nga djemtë e Vangjush Cerravës, kishte një sërë komentesh nga njerëz, që kanë jetuar në atë kohë dhe e cilësonin si “njeri të shkëlqyer”. Përgjithësisht nuk kam dëgjuar fjalë të këqija për Vangjushin, por vetë fakti, që arriti deri në Byronë Politike e skualifikon nga të qënit “i shkëlqyer”. Në rastin më të mirë do e cilësoja si të mefshtë, por edhe kjo mbase nuk i shkon shumë përshtat. Cërrava ka pasur një karrierë të nisur nga Sekretar i Parë i Rinisë, më pas në Sekretar të Komitetit të Partisë e kështu me rradhë. Nuk ishte ndër më negativët, por ka qënë i pranishëm në qarqe të larta në vitet më të egra të terrorit komunist, që fillojnë me vitin 1973 dhe deri më 1982. Edhe sikur të ketë bërë më të mirën e mundshme në atë kohë, përsëri mbetet një njeri që ka probleme të mëdha me të Vërtetën, se jo vetëm nuk ka bërë kurrë “mea culpa”, por as ka dëshmuar ato ç’ka ditur si dëshmitar i dorës së parë e që nisin me përpilimin e listave të të internuarve e përfundojnë me miratimet për dënime me vdekje. Njerëz të tillë, që asokohe (por edhe sot) konsideroheshin si “burra të mirë“, ishin dhe mbeten ingranazhet kryesore të një makine shtypëse.
Shembulli i tyre sot, si “njerëz të shkëlyer”, vetëm se ngre kultin e “konformistit”, për të mos thënë kultin e “të përlyerit në krime”. Edhe sot ka të tillë “burra të mirë“. Mund të mos përfshihen drejtpërdrejt në korrupsionet e mëdha, por ose mbyllin gojën, ose përgatisin materiale që mbrojnë “dumbarallëket” e ofiqarëve, ose thonë kafeneve, “po dhe ai ose ajo nuk hoqi dorë nga e grindura”, ose “ç’i duhet që ngatërrohet kot”. Kjo kategori njerëzish ka respekt për të Vërtetën, por vetëm për atë të Vërtetë, që lidhet ose ndikon drejtpërdrejt në jetën dhe në karrierën e tyre. Në përgjithësi, këta “burra të mirë“, rrjeshtohen gjithnjë në krahun e fituesve. Por nuk tregojnë ndonjë zgjuarsi të madhe. Jo rrallë gjendja e vendit shkon poshtë e më poshtë dhe ata, që e pësojnë prej saj janë fëmijët e tyre.

(vijon)

Monday 9 July 2018

Shqetësimi për të thënë të vërtetat (2)

(vijim)

Kërkimi i të vërtetës është në thelbin e ekzistencës të njeriut dhe jo vetëm atij modern. Krijimi i Perëndisë të së Vërtetës, si të gjithë nocionet e tjera filozofike i përket Greqisë së Lashtë. Tek romakët shihet si qëllim i jetës si dhe mënyrë të jetuari. Disa nga shprehjet latine rreth të Vërtetës janë moto e universiteteve më të mira në botë. Universiteti i Kalifornisë ka si moto “Vox Veritas Vita”( “Jeto duke thënë të vërtetën” ose “Të thënit e të Vërtetës si mënyrë të jetuari”), që mbase duhet të jetë moto e çdo shkolle në botë, duke nisur me ato fillore.
Por mësimi për të thënë të Vërtetën fillon në shtëpi. Nëpërmjet shëmbulllit të më të rriturve dhe sidomos me këmbënguljen për të vënë gjithnjë në dyshim njohuritë dhe informacionin. Nxitja ndaj fëmijëve duhet të jetë për të përdorur sa më shumë “Pse?”, “Po sikur?” në mënyrë , që të shkohet në rrënjët e gjithshkaje që ju mësohet. Por në shoqëritë e prapambetura dhe ato, që kanë kaluar sisteme diktatoriale, familja, shkolla dhe shoqëria kanë prirjen të përgatisin konformistë. Konformistët e kanë më të sigurt mbijetesën, por jo vetëm, që nuk mund të sjellin ndryshime pozitive në jetën shoqërore, por e bëjnë më të lehtë, që kjo e fundit të sundohet nga manipulatorët.
Konformizmi, që është i papajtueshëm me të Vërtetën, është ura mbi të cilën kalojnë gjithë sistemet autoritare. Dhe sistemet autoritare nuk janë vetëm politike, por edhe në organizatat ekonomike private apo publike. Konformizmi brenda këtyre grupimeve shooqërore, i justifikuar me “bosi gjithnjë ka të drejtë“ mund të sjellë dëme të mëdha në jetën e shoqërisë, sidomos kur veprimtaria ekonomike zhvillohet në një fushë delikate të jetës së shoqërisë.
Le të marrim një shembull të thjeshtë të një skandali në Amerikë, ai i kompanisë “Theranos”. E formuar në vitin 2003 nga 19 vjeçarja Elizabet Holms, kompania pretendote se kishte krijuar një mënyrë shumë të përparuar të analizave të gjakut, duke realizuar analiza të plota vetëm duke marrë nga pacientët 3-4 pika gjaku. Në kulmin e saj, në vitin 2014, kompania kishte një vlerë mbi 10 miliard dollarë, ndërsa sot është thuajse e falimentuar. Brenda për brenda kompanisë, dy partnerët kryesorë patën krijuar një kulturë discipline dhe mashtrimi, që mbyste të vërtetën e thjeshtë, që teknologjia e pretenduar ishte shumë shumë larg të vërtetës dhe në analizat ose mashtrohej ose punohej në mënyrat tradicionale. Specialistët, që kishin ngritur zërat ishin pushuar menjëherë nga puna. Por problemi nuk është tek ata, të cilët i largojnë, por në mijëra conformistë, të cilët vazhdonin të pajtoheshin me kulturën e nënshtrimit dhe të mashtrimit.
Të tilla shembuj ka me me mijëra në botë vetëm në industrinë farmaceutike dhe atë, që lidhet me shëndetin e njerëzve.

(vijon)

Sunday 8 July 2018

Mali i Gjelbër


Uji i lumit është i errët,
Edhe pse drita përreth mbulon gjithshka.
Tej, mes mjegullës duket Mali i Gjelbër,
Si një zigurat ngritur në fushë,
Për t’ju qasur qiellit,
Se pika të larta nuk ka.
Plazmë të tejdukshme dua t’i vendos Malit,
Për të parë thellë tij,
Nga del ky ujë i errët.
I rremë të jetë gjelbërimi,
Dhe të zogjve pendë mbi të?
Brenda mbuluar të jenë makthet e brezave,
Virgjëreshat Zotave blatuar,
Harpat pa zë?
Fusha e skëllevërve,
Nga kamzhikët rrafshuar,
Në këmbë i ri Malit të Gjelbër,
Trembur kosave të Vdekjes,
Më shumë se shpatave,
Me shpirt nënshtruar
Prej kohës së egër.

Saturday 7 July 2018

Dialog në qeli


-          Përse nuk më thua si quhesh?
-          Nuk ka rëndësi. Unë jam Ndërgjegja Sipërore.
-          E kujt?
-          Duhet kohë e gjatë të ta spjegoj. Eshtë përtej Dhjatës së Vjetër dhe të Re.
-          Atëhere do më detyrosh të të quaj gjithnjë Mi. Dhe jo Mi si në solfezh, ose në ndonjë akord, si quhet dikush, që ka studiuar po njëlloj si ti, ose më mirë, që nuk ka studiuar dot, por mësoi greqisht. Mi si në brejtësit.
-          Edhe brejtësit krijesa të të Plotfuqishmit janë. Mos të të duket vetja mbi ta. Ose më keq akoma, të duken të tjerët  si Cironka.
-          Nuk kam asgjë kundër brejtësave, por nuk arrij të kuptoj se ç’të bren.
-          Më tmerron mediokriteti i njerëzve si ti. Eshtë mbushur bota me të tillë dhe vlerat humbasin.
-          Po ti mund t’i ruash vlerat, që mos humbin. A nuk the , që je Ndërgjegja Sipërore?
-          Jam. Prandaj përdor kamzhikët e frazave. Dua t’ju shkul të gjithëve nga këta tempuj të rremë, që kini krijuar.
-          Po nuk është më e lehtë të mos shkelësh në këta tempuj?
-          Unë nuk do vija këmbë në, por ka të tjerë të paformuar, të cilët i gënjeni.
-          Ndoshta do të duhet të hapësh një “tempull” tëndin dhe të predikosh vlerat, që po humbasin.
-          S’ka nevojë të më japësh ti mënd dhe të tjerë si ti. Unë vetëm po ju çjerr hipokrizinë.
-          Po pse nuk e tregon si e ke emrin?
-          Për të të munduar. Të dish se herë herë mund të shfaqem papritur.
-          Nuk më tremb, vetëm se më bën më kureshtar.
-          Je i mbaruar. Nuk ke për të dalë dot kurrë jashtë këtyre mureve.
-          Mbase nuk më duhet. Më mjafton të të nxjerr ty nga vrima ku fshihesh.

Friday 6 July 2018

Ditë të trishta vere


Ditë të trishta vere
Ndërsa rrushi piqet vreshtave përbri,
Për tu kthyer në verë të vjetër,
Që kurrë nuk do ta pimë
Sikundër nuk pimë,
As herën tjetër,
Të ruajturën verë të njëzet viteve më parë.
Prisnim,
Diçka të ndodhte,
Diçka padurimisht të pritur,
Që kurrë nuk kishte ngjarë,
Ndërsa rrinim ngjitur
Dhe njëri-tjetrin ndjenim,
Edhe pse nuk e kishim parë.
Dëgjonim këngën e magjishme
Të kthimit të mushtit në verë,
Ndërkaq e dinim
Që për të tjerë
Me ëndrrat nderë,
Si asnjëherë,
Dashuria zjente.
Trishtimi ne na mbërthente
Dhe nuk e linte gëzimin të harbonte,
E të të thoja:
“Eja sonte!”
“Eja të takohemi mes hardhish,
Atje ku veshulët e rrushit nga dielli nxehur,
Nga lëngjet behur,
Thërrasin gishtat e vetëm ngelur,
Për t’i vjelur.”
Embëlsia e dëshirave,
Si të mpiksurat lëngje të rrushit,
Na mbetej nëpër gishta,
I mbante ngjitur,
Asgjë për të arritur
Në ato ditë vere të trishta.

Tuesday 3 July 2018

Më zbrit


Më zbrit nga piedestali,
Para se të më lidhin qafës poezitë e mija
Dhe i ngritur prej tyre
Të përpëlit këmbët në erë!
Kohët e vargjeve vdekur kanë,
Bashkë me të hollat ndjenja,
Me hormonet, që gëlojnë në pranverë.
Dua që rimat të të ve si nënkresore,
Ndërsa në një lirishte pylli rri shtrirë,
Për të përsosurën botë,
Ende rrekesh të thurrësh ëndrra,
Për atë, që vetëm në mendjen tënde nderet,
Sepse është frikësisht e mirë.
Thërrmoji me dhëmbë vargjet e thyer,
Si padurimi im miturak,
Më pas dehu mes natyrës së papërlyer,
Tërfilit të rrokjeve,
            Shkallëzimit të fiereve,
                        Shkurreve të errëta të të fundit varg.
Nëse ka mes tyre gjëmba dëshpërimi,
A kërpudha të shurdhëta të mendimit të zbrazët,
Edhe pse pjesë e universit tënd,
Unë vij si të tjerët,
Nga zhaurrima e qyteteve,
            Nga përligja e kotësive,
Nga mpirja mbirë jetës së vagët.

Monday 2 July 2018

Ndoshta ti nuk do më duash

Nuk e di pse s’mund të më duash
Edhe pse e di,
Që të më duash
S’ke përse.
Me shpinë mbështetur,
Pas një muri pendimi
Dhe këmbët shtrirë në një trotuar dhimbjeje
Kokën përkulur,
Kapelen përmbys
Drejt fundit të rrugës shikoj me nge.
Unë dashuri lyp
Prej kalimtareve të fundit të stinës,
Tek shkojnë nga pas i shoh tinëz,
Edhe pse gjë nuk lanë në kapelen e zbrazur,
Mendoj a do doja të më kishin dashur.

Nuk e di pse s’do më duash
Edhe pse do të të dhimsem
Të më duash,
Nuk ke përse.
Në kohën time të mbledhur shuk,
Unë fjeta agimeve
Më shumë se buzëmbrëmjeve.
Ti prisje në të njëjtin kryqëzim
Në rrugën “Buzuk”,
Pa ditur se flija;
Besoje tregimet e mia të endjeve.
Dhe pse e dija
Mbi të përtacisë shilars
Që ajrin me lëkundje kotësie mbars,
Do humbja dashurinë tënde të madhe
E përsëri nuk vija.

E di që nuk do më duash
Dhe që të më duash
Duhet të ketë,
Një përse.
Urrejtja ndaj mureve
Dhe pëlqimi i të përkulshmit mur të pendimit,
Që në rrëpirën plot rrënoja,
Eshtë i vetmi cep,
Ku mund të varësh kohën,
Të bëjnë të pengohesh në këmbët e mija dembele,
E të më japësh të ëmblat dhele
Ashtu si kërkush nuk m’i jep.
Të pëlqen të vuash?
Do shpirtin të fshikullosh?
Në hapësirën me kotësi mbushur,
Të ngjeshur
E njëkohësisht bosh,
Kur e di që kurrë nuk do më duash.

Sunday 1 July 2018

“Vetëm tre minuta,…jo më shumë!”


A e di Brukseli, se si po ndërtohet shteti në Shqipëri?
Kjo të shkon ndërmend, kur shikon kryeministrin Rama, që në takimet me “hallexhinjtë“, ju thotë se nuk ka nevojë të shkojnë zyrave, por mjafton të plotësojë për 3 minuta në platforma shqipëriaqëduam.al, një formular ankese dhe do marrë përgjigje brenda 10 ditëve.
Nuk ka nevojë të shkojnë zyrave!
Kjo është parrulla më populiste, që tejkalon edhe praktikën e kohës së Diktaturës komuniste, kur “shoku Enver” e fillonte ditën e punës me letrat e popullit.
Në orët e edukatës qytetare në gjithë vendet me demokraci të zhvilluar, fëmijëve dhe të rinjve ju spjegohet se si funksionon shteti demokratik. E njëjta gjë duhet të jetë në tekstet edhe të shkollave në Shqipëri. Askund nuk thuhet, se institucionet do kenë paralel një degë të krijuar nga Kryeministri ku “bashkëqeveriset me popullin”. Koncepti i “bashkëqeverisjes” është në vetvete një koncept populist në rastin më të mirë dhe një koncept diktatorial në atë më ekstremin.
Enver Hoxha nëpërmjet ankesave të letrave të popullit, mbante nën trysni gjithë vartësit e vet dhe njëkohësisht lartësonte kultin e tij. Asokohe funksiononte një aparat i tërë në qendër dhe rrethe, që merrej me letrat dhe shkonte në fshatra apo në qendra pune për të zgjidhur ankesat. Ishte një mekanizëm diabolik, që zëvendësonte institucionet qeveritare apo ato të ligjit. Aparatçikët e Komiteteve të Partisë, që shkonin në bazë për të diskutuar problemet, që ngriheshin në letra, i përdornin ato në varësi të “luftrave mes klaneve” duke favorizuar ose denigruar kryetarët e kooperativave, drejtorët e ndërmarjeve apo të tjerë nëpunës.
Të njëjtën gjë bën edhe Rama sot. Atij nuk i intereson ndarja e pushteteve dhe forcimi i institucioneve. i intereson vetëm forcimi i pushtetit të tij dhe nuk rreket të zbatojë alfan e demokracisë, që është ndarja e pushteteve. Kryeministri, kryeministria dhe as ministritë nuk kanë pse të merren me problemet e pushtetit lokal dhe as me hallet e njerëzve për punë, kanalizime, prona apo probleme shëndetsore.
Qeveria ndjek politika, të cilat mundësojnë përmirësimin e administratës apo zgjidhjen e shpejtë të problemeve. Nëse duhen shtuar “avokatët e popullit”, ose ata, që në botën anglosaksone quhen “ombudsman”, atëhere kjo bëhet me ligje dhe jo me fushata dhe as me platforma online.
E gjithë kjo bëhet për të zëvendësuar institucionet me demagogjinë, për të kthyer kryeministrin nga një nëpunës të lartë të shtetit në shërbim të njerëzve në Skënderbe, jetën normale qytetare në një fushatë permanente elektorale.
Kryeministri nuk di të qeverisë.
Kjo është njëra nga arsyet, që vazhdon të bëjë atë ç’ka di më mirë- të premtojë, të hedhë rromuze, të diskretitojë kundërshtarët, të dëshmojë se mund të bëjë edhe diellin edhe hënën në Shqipëri.
Ndaj në shfaqjet e tij qesharake, ku thërret si këngëtari kosovar Agron Berisha “Vetëm pesë (tre në rastin e Edit)minuta , jo më shumë!”, ka edhe episode më absurde, si në Korçë, kur një qytetare i ankohej kryeministrit, se shitësi i lagjes shiste mish gomari në vend të atij të viçit.
Qytetareja e shkretë, nën trysninë e televizioneve pro-Ramës, nuk ka arritur të kuptojë, se po ankohej tek Kryeshitësi, që po shet tash e pesë vjet mish gomari të ngordhur, të cilin e paraqet si prodhim bio të fermës së tij në Surrel.
Por në Bruksel, dikush mban shënime për këto prodhime të Surrelit.