Monday 28 February 2022

Burri i shkurtër i tavolinave të gjata


Për dy dhjetvjeçarë, Vladimir Putin u paraqit jo vetëm nga mediat ruse, por edhe ato botërore, si një gjeni racional i politikës. I vlerësuar për vetëpërmbajtje, deklarata të mençura në shtyp dhe vëmendje ndaj hollësive në gjithë bisedimet me krerët botërorë, gati u harruan manitë dhe komplekset e tij. Sigurisht këto u shtuan gjatë viteve të sundimit të tij, si ndodh rëndom me Diktatorët.

Duket qartë se Putin ka atë që në botë cilësohet si “kompleksi i Napoleonit”. Eshtë sjellja dominuese dhe agresive e burrave të shkurtër, që mundohen me sjellje të kompesojnë ndjenjën e inferioritetit të krijuar nga gjatësia. Tashmë gjithnjë e më shumë po e demonstron duke përdorur në daljet televizive tryeza jashtëzakonisht të gjata, qesharake, dhe të ftuarit i vendos në skajin më të largët të tryezës. Për t’ju imponuar frikë dhe për t’I dhënë vetes madhështinë që nuk e ka. Këtë e bëri jo vetëm me presidentin francez dhe kancelarin gjerman, por edhe dje me dy këshilltarët e tij të luftës.

Paranoja, një tjetër cilësi e përhershme e diktatorëve po shfaqet gjithnjë e më shumë. Eshtë e kushtëzuar nga që po mbush 70 vjet, nga ndonjë sëmundje që mbahet e fshehtë nga Kremlini apo nga përpjekje të njerëzve rreth tij për t’i bërë atentat, kjo është diçka që mund të mësohet pas daljes së tij nga skena. Ajo që duket qartë prej kohësh është se Vladimir VladimiroviçI do të vdesë në fron. Të vdesë në fron dhe mundësisht të duket sa më i freskët në fytyrë duke mbushur rrudhat me botoks.

Edhe pse n[ dhjetvjeçarin e fundit ka shumë udhëheqës autokratë përreth botës, e ardhmja nuk është e tyre. Solidarizimi botëror kundër Putinit është dëshmi e saj.

A paraqet rrezik që njeriu me kompleksin e Napoleonit të përdorë arsenalin bërthamor?

Dukke mos i besuar më shëndetit mendor të Putin, them se njerëzit përreth nuk do e lejojnë. Para se Vladimir Vladimiroviç të urdhërojë shtypjen e butonit për aktivizimin e raketave nukleare, dora e arsyes ruse do e ndalojë, ashtu si ndaloi dikur edhe Bonapartin pas marrjes së Moskës.

Sunday 27 February 2022

Putin, heroi i Ramës


Edhe pse nuk ka thënë ndonjëherë hapur, si dikur Fatos Nanoja për Berluskonin, “heroi” i Ramës ka qënë Vladimir Putin. As miqtë e tij Toni Bler dhe Nikolla Sarkozi, dhe aq më pak Merkel apo Obama, por vetëm Vladimir Putin. Historitë rreth “bëmave” të Presidentit rus në raport me oligarkët rusë të kohës së Jelcinit, se si “i vuri në zap” apo i futi burgjeve, kanë qarkulluar tash e 20 vjet nëpër drekat e darkat e Ramës me miqtë e tij të ngushtë. Putin ka qënë modeli i shumë politikanëve shqiptarë, por veçanërisht i Ramës.

Kontrolli i plotë dhe pa “asnjë dalje nga rrjeshti” i Partisë Socialiste është identik me kontrollin që vuri Vladimir Vladimiroviçi mbi partinë e tij konglomerate “Edinaja Rasija”.

“Ndihma dhe kontrolli” ndaj oligarkëve është tjetër karakteristikë e huajtur nga modeli Putin. Nuk mund të kontrollosh vendin dhe nuk mund të pasurohesh si qeveritar nëse nuk ke marëdhënie të ngushta me oligarkët dhe mekanizmat financiare dhe të biznesit që ata zotërojnë. Ky është mësim nga Putin, që ka arritur të verë një pasuri personale, për të cilën e kanë zili gjithë autokratët në botë.

Kontrolli i plotë mbi mediat ka qënë qëllimi i vazhdueshëm gjatë gjithë karrierës së Putin dhe Rama është përpjekur t’i përngjajë. Madje kryeministri jonë është edhe më arrogant se Vollodja i KGB-së me gazetarët vendas, të cilët mundohet t’i poshtërojë me vend e pa vend.

Dashuria e shprehur haptas për Erdoganin është një tjetër dëshmi e afeksionit të fshehur për Diktatorin e Kremlinit. Harmonia në ide dhe “hargalisjet” në telefon me “Putinin e vogël të Sërbisë“, kur flasin për opozitat përkatëse janë të tjera fakte të konfirmuara nga vetë Edi, që zbulojnë adhurimin e tij për autokratin e stërkorruptuar të Kremlinit.

Po si është e mundur që Rama nuk është takuar kurrë me Vladimir Vladimiroviçin?

Nuk ka qënë kurrë në listën e të ftuarve nga Kremlini për arsye gjeopolitike të përcaktuara nga rusët dhe jo se Rama është antiPutin i thekur apo se nuk ka lënë forum ndërkombëtar pa desmakuar Kremlinin.  

Eshtë për të ardhur keq, që edhe gjatë ditëve të fundit, reagimi i tij personal ndaj heroizmit të Zelenskiyt ka qënë thuajse joekzistent.

Rama as nuk mund të shtiret se udhëheqësi ukrainas është dikush, të cilit do t’i ngjajë.

Saturday 26 February 2022

Zelensky dhe hajdutët tanë


Përballja e presidentit ukrainas Zelensky me sulmin rus është vërtet për tu admiruar. Një aktor komik, që pak vrojtues në botë e kishin marrë shumë seriozisht më parë, po i tregon botës se cilat janë vlerat e vërteta të një udhëheqësi që mendon se i shërben popullllit të tij. Zelensky edhe mund të jetë në martirët e kësaj lufte absurde në këtë shekull që karakterizohet nga grykësia e elitave. Do doja shumë të mos I ndodhte gjë dhe të mos kthehej në një shtatore, para të cilës tallen politikanët e tipit Trump, Erdogan, Orban e me rradhë gjithë “lapangjozët” e Europës Lindore.

Nuk ka se si mos bësh dashje pa dashje krahasimin me politikanët tanë dhe jo vetëm këta, që kemi nëpër këmbë.

Në prill 1939, Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve, pasi nuk gjeti dot opingat prej lëkure, që kishte premtuar se do vishte dhe do shkonte në mal të luftonte pushtuesit, u nis për në Greqi me një shpurë prej 1500 vetësh dhe me vlera të mëdha monetare, të marra nga thesari i vendit. Nuk organizoi asnjë rezistencë të armatosur dhe nuk shpërndau as armë në popullsinë shqiptare që kërkonte armë të mbrohej. Më pas rrodhi një histori e dhimbshme e luftës dhe një edhe më e dhimbshme për shqiptarët pas përfundimit të luftës.

Në mars 1997, presidenti shqiptar Sali Berisha, pasi zhyti në kaos të gjithë vendin për të ruajtur pushtetin, largoi familjen në Itali dhe gati u nis edhe vetë për të shpëtuar lëkurën nga protesta e drejtë e popullit të tij. Tashmë ky hajdut demagog premton një “revolucion që nuk ndalet”, për të shpëtuar sërish veten dhe familjarët nga një gjyq i mundshëm për vjedhjet e mëdha që kanë bërë.

Në shtator të vitit 1998, kryeministri Fatos Nano, ja mbathi për në Maqedoni pas sinjalizimeve se opozita do bënte grusht shteti pas vrasjes së Azem Hajdarit.

Për të gjithë është e qartë se si do reagonin hajnat Rama, Meta, Basha dhe kompani nëse Shqipërisë do i kanosej ndonjë rrezik i armatosur nga jashtë apo edhe nga brenda. Do ja mbathnin si ish-presidenti i Afganistanit, që iku nga Kabuli me valixhet me paratë e vjedhura.

Ndaj qëndrimi i Zelenskyt, që në fillimet e tij nuk di pse më kujtonte Xhevon nga Kolonja, është i jashtëzakonshëm, gati i pakonceptueshëm për kohën e grykësisë dhe komoditetit që po kalojmë!

Jetë të gjatë Volodymir!

Friday 25 February 2022

Kulti i “burrecit” Putin


Burreci Putin, ky djalë i vetëm, i rritur me ambicien për tu bërë spiun, për të mposhtur komplekset e vetmisë dhe të fizikut të dobët arriti nëpërmjet rrethanave në një vend të çoroditur si Rusia e Jelcinit të fitonte statusin e “Carit”. Nuk ka ngjashmëri të mëdha mes tij dhe diktatorëve të mëdhenj të shekullit të XX-të për sa i përket fëmijërisë, rinisë dhe formimit. Stalini, Hitleri, Mao dhe Musolini janë rritur në kushte të ndryshme familjare dhe kanë pasur karriera të ndryshme nga Valdimiri i vogël i Peterburgut.

Gabimet e shumta të Perëndimit ndaj autokratit Putin, lëshimet e mëdha ndaj pasurimit të tij vetiak të llahtarshëm, bënë që të rritej në mënyrë të paimagjinueshme kulti i tij në Rusi. Rusët e konsideruan si njeriu që po i ringrinte prestigjin Rusisë, deri disa vite më parë e lënë jo vetëm në varfëri, por edhe e injoruar në skenën ndërkombëtare. Putin u lejua të kontrollonte burimet kryesore natyrore të Rusisë dhe të niste forcimin e ushtrisë. Në të njëjtën kohë, marrëzisht, Bushi i vogël jo vetëm që e pat futur Amerikën në një luftë absurde, si ajo e Irakut, por e konsideronte Putin si një partner të besueshëm. Putin fitoi kohë për të konsoliduar pushtetin e tij, për të shtuar pasuritë personale të tij dhe të bandës që ka pas dhe për të rritur kultin, sa në Rusi dukej se nuk mund të bëhej pa udhëheqjen e tij.

Masat kundër kultit të Putin ishin të dobëta edhe në kohën e Obamës edhe pse presidenti amerikan nuk e quante më të besueshëm dhe fillloi rritjen e sanksioneve. Por reagimi i dobët ndaj aneksimit të Krimesë dhe më pas “ligavitjet” e Trump me Putin, e bënë këtë të fundit të bindur se jo vetëm ishte lojtar shumë i rëndësishëm, por mund të luante lehtë me perëndimorët e përçarë. Brenda vendit, gjithnjë e më tepër shfaqej në sallat stërmëdha të Kremlinit i vetëm dhe i adhuruar nga oborri i tij, ose në një podium larg të tjerëve. Perëndimi pati dështuar plotësisht të mbështeste rivalin e tij politik të asaj kohe, shahistin e famshëm Gari Kasparov.

Edhe pse jo i çmendur apo aq më pak idealist, Putin i rrethuar nga servilët, duke pasur pushtet të pakufizuar brenda vendit, nisi ta humbë ndjenjën e realitetit, që kishte patur të zhvilluar në vitet e KGB-së, apo në fillimet e karrierës së tij. Kjo i ndodh edhe njerëzve më inteligjentë dhe me këmbë në tokë. Eshtë në natyrën e njeriut. Duke arritur sipas mendjes së tij “fitorie pas fitoriesh”(një shprehje e diktatorit tonë të vogël Hoxha), së fundmi Putin u ndje i plotfuqishëm dhe mendoi se mund të fitonte shumë në një botë të rraskapitur nga pandemia, në një vit të zgjedhjeve ndërmjetëse amerikane dhe ndaj një udhëheqësi të plakur si Xhoja I Përgjumur.

Putin do thyejë hundët e tij brenda këtij viti!

E keqja është se kjo do ndodhë pas shumë jetësh të humbura të ukrainasve dhe rusëve të pafajshëm.

Thursday 24 February 2022

Edhe “mafiozët” bëjnë luftë


Një ditë e errët për të gjithë botën. Me këdo të flasësh, çdo bisedë sillet rreth Putin dhe popujve të gjorë rusë dhe ukrainas. Dikush mund të thotë që rusët e meritojnë të vriten se të tillë udhëheqës kanë votuar tash e më se 20 vjet, por asnjë ushtar i mobilizuar sipas ligjit të vendit të tij nuk duhet të kthehet në shtëpi “në katër drurë“. Më keq akoma për civilët e pafajshëm dhe për gratë e fëmijët ukrainas.

Ka disa arsye që Putin, edhe pse një mafioz i pasuruar, me pak interesa për të rrezikuar paqen që i jep mundësi të vjelë gjithnjë e më shumë nga pasuritë e Mëmës Rusi, të hidhte hapin shkatërrimtar të luftës.

·         Arsyeja kryesore është që Perëndimi nuk i bëri as minimumin e atyre lëshimeve që ai mund të pranonte, por që për Amerikën dhe Bashkimin Europian ishin shumë. Kjo detyrimisht shpie në arsyet e tjera, rrjedhojë e së parës.

·         Putin, si çdo shtetar autokrat do të dëshmojë se është në lojtarët kryesorë në politikën globale edhe pse është ku e ku më prapa ekonomikisht se Amerika, Kina, Bashkimi Europian, Anglia dhe Japonia. Me këtë motiv nxitës për rusët, e poshtëruar gjatë viteve të Jelcinit, Putin arriti të gëzonte popullaritet për një kohë të gjatë dhe të çimentonte veten në krye të shtetit. Çdo injorim nga lojtarët e tjerë ndërkombëtarë ngjall tek ai një reaksion, që e bën më të egër dhe njëkohësisht e shtyn edhe të ndërmarrë veprime që nuk janë në interesin e tij. Eshtë i ngjashëm me sjelljet e krerëve mafiozë, që parapëlqejnë të fitojnë tregje duke trembur të tjerët, pa bërë luftë, por kur shohin se kundërshtarët nuk lëshojnë pe, i hyjnë dhe një lufte që mund ta humbasin.

·         Arsyeja e tretë është psikologjia “maço” e shoqërive sllave që kanë qënë një kohë të gjatë në komunizëm. E sheh të demonstrohet edhe në veprimtari sportive, kur sjellja e sportistëve rusë është shpesh e egër dhe e paarsyeshme, që krijon bezdi në shikuesit perëndimorë. Putin do humbiste shumë pikë në opinionin vendas nëse pas gjithë atyre “lojrave luftarake” dhe përqëndrim të ushtrive në kufi, do tërhiqej pa përfituar asnjë lëshim thelbësor nga Perëndimi.

Për sa më sipër, krimineli i pasur Putin e hodhi hapin shkatërrimtar për Ukrainën dhe për Rusinë dhe ndoshta me pasoja për të gjithë Europën.

A duhet t’i kishte bërë lëshime Perëndimi që kjo mos ndodhte?

Eshtë e vështirë t’i japësh përgjigje kësaj pyetje, sepse jo vetëm që ndërthuren me dhjetra interesa të ndryshme, shpesh herë jo të pastra edhe nga ana e Amerikës dhe Fuqive kryesore Europiane, por se dhe plot institucione diplomatike dhe të marëdhënieve ndërkombëtare nuk kanë arritur t’ja japin. Ndonjëherë “mafiozëve” sa më shumë lëshime t’ju bësh, aq më shumë e shtojnë lojën e trysnisë dhe ndoshta “të mëdhenjtë“ kanë vendosur që “le ta nisë edhe luftën nëse ja mban!”

E keqja si gjithnjë godet të pafajshmit që humbin jetën, godet djelmoshat e rinj që vriten për këta “kryezarba”, që më pas i varrosin me nderime dhe i quajnë dhe heronj.

Popujve ju duhet paqe dhe asgjë tjetër!

Wednesday 23 February 2022

Të gjithë e dinë, askush nuk e thotë


Djegësit e plehrave i dinin të gjithë se çdo digjnin. Paratë e buxhetit. E dinte kryeministri Rama që në vitin e largët 2015 ose 2016, krahu i djathtë i tij i asaj kohe dhe i sotëm, Engjëll Agaçi, zv.kryeministri i asaj kohe Niko Peleshi, zv. kryeministri i sotëm Ahmetaj, ministri i atëhershëm i mjedisit Lefter Koka, çifti Meta-Kryemadhi si krerët e LSI-së bashkëqeverisëse me PS-në dhe që e kishin vënë Kokën ministër, si dhe njeriu që di çdo gjë që ndodh në Shqipëri, Sali Berisha. Sigurisht që prej tyre e kishin mësuar edhe shumë të tjerë nga Bashat, Veliajt, Bllakot, Subashët e me rradhë.

Jo të gjithë të sipërpërmendurit kanë përfituar nga paratë e inceneratorëve. Një pjesë firmosin dhe mbyllin sytë, sepse u lejohen vjedhje të tjera në të tjerë sektorë. Peleshi edhe pse zv.kryeministër ishte tepër xhunior për tu bërë pjesëtar i grupit që do vilte vreshtën e “djegësve të plehrave”.

Berisha ka heshtur në legjislaturën që shkoi për të mos keqësuar punët me Metën dhe Kryemadhit që ishin pjesë e tavës së incineratorët. Këta të fundit bënë denoncimin vjet, pasi Koka ju “la pendët” dhe shkoi tek Partia Socialiste. I shkreti Teri e kishte dhënë kontributin bajagi të madh (50% të shumës së përfituar) tek çifti presidencial me kohë, por as ai nuk mund të flasë tek SPAK për to, se rëndon veten dhe nuk ka se si të provojë paratë kesh të shpëna në Gjirin e Lalëzit. Meta-Kokëmadhi ndërsejnë një tjetër hajdute të ekipit të Ramës, Shehajn (tani në ekipin e tyre) për t’i treguar popullit “të vërtetën” për inceneratorët.

Ahmetaj, ndoshta personi kyç i kësaj çështje, nuk është i interesuar të flasë sepse do implikojë veten dhe mund të shkojë menjëherë pas hekurave. Nëse Rama do përsëritë këto ditë se është “krenar” për punën e Ahmetajt, ka të ngjarë që zëvendësi të bëjë ndonjë dorëheqje, me garancinë që ju dha Tahirit, “po mos më shite, unë do të mbroj që të marrësh një dënim minimal”.

Rama i dërgoi sinjale edhe Kokës dje “mbaju dhe mos rrëfe shokët” duke deklaruar se “ishte krenar për punët e bëra me të.”

Si është e mundur që gjithë kjo vjedhje nuk u trumbetua nga opozita me të madhe para zgjedhjeve?

BIRN kishte disa muaj që botonte fakte të hollësishme rreth vjedhjes në fjalë.

Këtë e dinë të gjithë ata që me saktësi njohin jo vetëm skemën, por edhe sa para shkuan në xhepa të caktuara.

Eshtë një heshtje mes hajdutësh dhe “hajdutësh potencialë“, që del “në mexhelis” vetëm kur hajnat fillojnë dhe zihen për pjesët.

Ndërsa ne që paguajmë taksat e plehrave, taksat për plehrat dhe që jemi të ndërgjegjshëm se do përfundojnë në xhepat e plehrave, rrimë e vështrojmë këtë lojë paturpësisht të ndyrë që luhet prej tash e 30 vjet. 

“Këndezi majë plehut!”


Thirrja e mësipërme është pjesë e jetës urbane të Korçës në vitet ’60 dhe ’70. Korça e saj kohe ishte një qytet provincial, i izoluar, që po humbiste dora dorës shkëlqimin e viteve ’30. Si çdo provincë më e hershme europiane, kishte pjesën e qyfyreve të njohura të qytetit, të cilat shpesh nuk ishin “korrekte” sipas standartave të sotme, por ekzistonin. Ishte një nga thirrjet  ngacmuese që bëheshin nga adoleshentët dhe fëmijët ndaj Pandi Këndezkës, transportuesit të filmave të kinemasë së qytetit. Pandi ishte mbi të 50-tat dhe bënte një jetë jo të zakontë. Jetonte vetëm me vëllanë e tij edhe ai një personazh I çuditshëm, por që nuk ndjehej shumë. Thirrjet e përditshme ndaj Pandit kur kalonte me karrocën e tij metalike, të rëndë, të dorës për të marrë rrotat e filmave në agjensinë e autobuzëve ishin: “Pandi një!”, “Pandi dy” dhe pas disa përgjigjeve të kripura të transportuesit mbylleshin me “Këndezi majë plehut!”, që sillte edhe tërbimin e Pandi Këndezkës dhe qortimin e të rriturve ndaj nesh. Asnjëherë nuk kemi ditur se pse këto thirrje të thjeshta e tërbonin aq shumë të frikshmin e fëmijërisë sonë, Pandi Këndezkën.

Këtë më kujtoi sot kryeministri Rama në batutat dhe acarimet e tij ndërsa depononte para Komisionit Hetimor të Çështjes së Inceneratorëve. Rama ishte me të vërtetë një kokosh majë plehut stërmadh të incineratorëve, që po i zhyt në m.. një nga një të gjithë qeveritarët e tij. Me arrogancën e një këndezi të përlyer, ai përpiqj të fyente Tabakun, që për hir të vërtetës nuk ngjante me ne, fëmijët që ngacmonin Pandin dikur.

Më vinte të klithja “Rama një!” dhe të dëgjoja përgjigjen që do I vinte atij në majë të gjuhës: “Pi… i satëme dy!” sepse ishte po aq i acaruar sa i shkreti Pandi dikur. Por Këndezka kishte të drejtë të inatosej, se nuk i bënte keq njeriu, kurse Edvin Këndezka jo vetëm ka vjedhur nga paratë tona, por edhe mundohet të tregojë se na ka shpëtuar nga plehrat që na mbysnin më parë.

Nuk dihet se si do përfundojë çshtja tragjiko-komike e “plehrave”, që kanë vjedhur duke grumbulluar plehrat, por do më pëlqente që Peleshi t’ja tregonte këtë “meselenë“ e Pandi Këndezkës, Kryeministrit tonë të nderuar, për ta patur në arsenalin e tij të anekdotave dhe batutave.

Po e mbyll duke thirrur në dhomën time të punës : “Këndezi majë plehut!”

 

Edhe Kim nuk ju shpëton dot emocioneve


Edhe Yuri Kim, ambasadorja amerikane e zgjuar dhe luftarake nuk ju shpëton dot emocioneve. Pardje e humbi racionalitetin, që në përgjithësi e shfaqin diplomatët e shkolluar mirë amerikanë, duke shkruar në “twitter” se “kandidatët për kryetarë bashkie që kanë pas sponsora “non grata” duhet të kenë të qartë se ç’propozojnë“. Ky ishte pak a shumë thelbi i deklaratës së Kim. Edhe pse ajo më vonë u mundua t’a justifikojë se “non grata” nuk është vetëm Berisha, por edhe Dako dhe Doshi që po bëjnë fushatë për ata që përkrahin, dihet se sulmi është kundër Berishës dhe kandidatëve të tij.

Me këtë Kim tregoi se Berisha ja ngre nervat dhe zgjedhjet e 6 marsit janë të rëndësishme për të personalisht. Ajo nuk dëshëron që kandidatët e Berishës të kalojnë ata të Bashës.

Nëse do shihte me qetësi zhvillimet politike në Shqipëri, Yuri Kim duhet t’i injoronte zgjedhjet e 6 marsit. Nuk kanë asnjë lloj rëndësie se jo vetëm janë të pjesëshme, por kryetarët e zgjedhur do jenë në fuqi vetëm për një vit. Gjithashtu, nëse fitojnë kandidatët opozitarë, ata nuk mund të bëjnë asgjë veç ndryshimeve në administratë sepse këshillat bashkiake i ka Partia Socialiste.

Zgjedhjet e 6 marsit i shërbejnë vetëm Berishës për të treguar se ka më shumë mbështetje në PD se Basha.

Ndaj edhe po injorohen nga shqiptarët dhe duhet të injoroheshin edhe nga Kim. Ishte një zgjidhje e sforcuar e Ilir Metës për të treguar se Berisha në aleancë me të nuk janë jashtë loje.

Ajo që duhet të kishte bërë Kim këto ditë ishte ndjekja nga afër prej ambasadës amerikane e punimeve të Komisionit Parlamentar për inceneratorët, ashtu siç po bën ambasada britanike. Eshtë një aferë e madhe korruptive e cila duhet zgjidhur sa më parë me ndëshkimin penal të përgjegjësve dhe me ndëshkimin politik të qeveritarëve kryesorë. Atje është drejtuar vëmendja e shqiptarëve dhe jo në zgjedhjet e 6 marsit, që nuk i shërbejnë kujt, madje as vetë Berishës.

Përqëndrimi i ambasadës amerikane tek to ju jep atyre rëndësi duke shtuar edhe rëndësinë e Saliut, që në të vërtetë është vetëm “një kufomë politike që ec”.

Të gjallët nuk ka pse të merren me kufomat, veç nëse kanë emocione të forta dhe duan “tu dhj…. varrin!”

Monday 21 February 2022

A do i djegin inceneratorët “plehrat”?


Pas shumë e shumë artikujsh në shtyp, diskutimesh ne kanalet televizive, hetimesh nga komisioni parlamentar dhe SPAK-u, një pyetje mbetet në mendjet e shqiptarëve:

A do i djegin incerenatorët “plehrat”?

Të gjithë e kanë të qartë se është një vjedhje e guximshme, e babëzitur dhe deri diku marroke e një grupi të madh qeveritarësh dhe njerëzish të lidhur me ta. Dimensionet e mëdha të vjedhjes dhe guximi të bëjnë të dyshosh se Edi Rama është pjesë e kësaj afere. Një mikromanaxhues si ai, që kujdeset edhe se kujt do i shkojnë dhuratat për ditlindje, se cilët personalietete do marrin pensione speciale e plot të tjera të ngjashme, nuk ka se si të mos jetë “ngjyer” në këtë skemë të madhe përvetësimi të fondeve publike.

Pra nuk bëhet më fjalë nëse Rama, Ahmetaj, Veliaj, Agaçi, Koka, Bllako e ndonjë tjetër ka vjedhur në bashkëpunim me Mërtirin, Gugallen dhe Zoton. Eshtë fjala n[se incerenatorët që nuk djegin plehra, sepse nuk janë ndërtuar plotësisht do djegin dot këta njerëz “plehra” apo do mjaftohen vetëm me përzhitjen e ndonjë funksionari të ulët.

Në gjithë këtë aferë janë përzjerë edhe pronarët e Top Channel dhe Ben Blushi. Ju duhej që një nga mediat më të fuqishme të mosbëzante për këtë grabitje të llahtarshme. Nuk besoj se mund të kenë përfituar kryetarët e bashkive të Elbasanit, Fierit dhe Durrësit, sepse janë shumë të vegjël për të marrë ndonjë “llokmë“ të këtij biznesi të qeverisë qëndrore. Ndaj edhe disa nga pushtetarët lokalë janë arrogantë në qëndrimet e tyre ndaj Komisionit Parlamentar. Kanë idenë se me që s’kanë futur gjë në xhep dhe se kanë paguar se ju kanë dhënë urdhër nga lart, janë të mbrojtur.

Ndoshta edhe janë. Nuk dihet se për ç’arsye skandalet e incineratorëve nuk hetohen bashkërisht, por të ndara dhe nga dy prokurorë të ndryshëm. Çështja është e qartë se bëhet fjalë për të njëjtit njerëz, të njëjtat kompani dhe skema të njëjta. Një grup njerëzish në kryeministri kanë pasur idenë të përqëndrojnë biznesin e plehrave në duart e tyre dhe kanë lënë dy miq shqiptarë të ngrenë një kompani në Hollandë me 50 mijë euro kapital dhe t’i japin koncensionet për dhjetra miliona euro. Nuk ka asgjë të komplikuar. Një skemë e thjeshtë përfitimi e lehtësuar edhe nga fakti se opozita ishte jashtë parlamentit.

Dy muaj më parë mendova dhe shkrojta se “tigri” Ahmetaj do digjej në incenerator. Nëse kjo nuk ndodh dhe nëse qeveria nuk bie brenda këtij viti, atëhere do të thotë se i gjithë vendi është një “landfill” i ndyrë, që kutërbon nga kreu e deri në fund dhe që duhet emërtuar jo më Zululand apo Albanistan, por Garbageland.

 

“Osmangazepët” shqiptarë


Osman Gazepi nga Leskoviku ka qënë një ushtarak besnik i Ahmet Zogut, i dëgjuar për shumë “qyfyre” të kohës së mbretërisë, që përsëriteshin shpesh edhe në kohën e Diktaturës. Më e njohura ishte ajo e vetëgradimit dhe e shtimit të “nishaneve” në gjoks, pa pritur t’i rritej grada ushtarake nga Naltmadhënia, që e donte Osmanin për besnikërinë dhe për batutat e tij. Kështu në vitet e pasluftës së dytë, përsëritej shpesh shprehja “U bëre si Osman Gazepi”, për ata që parapëlqenin të vetëngriheshin në detyrë ose të paraqiteshin me merita, të cilat nuk besonte njeri se i meritonin.

Por nëse ushtaraku i paarsimuar Osman nga Leskoviku, kishte dëshirë të dukej një oficer madhor, duke u kujdesur për uniformën e tij dhe për paraqitjen sa më pompoze, ata që e burgosën pas luftës dhe që më vonë talleshin me të, demonstruan të njëjtin kompleks nga Kongresi i Përmetit dhe më vonë. U vetëgraduan!

Mësuesi Enver Hoxha, që nuk kishte dhënë dot provime universiteti mori gradën gjeneral kolonel për merita të ve]anta në udhëheqjen e luftës dhe për të njëjtat arsye u bën[ gjeneral leitnant teneqexhiu Ko]i Xoxe dhe gjeneral major, togeri Spiro Moisiu. Lista vazhdonte me gjeneralë dhe kolonelë të tjerë, që kishin mbaruar shkolla fillore dhe që kishin më shumë dështime se fitore në luftë.

“Mrekullimi” i jonë me gjeneralët e vetëshpallur, vazhdon edhe në ditët e sotme, kur shpesh herë në shtyp ju thurren laved “gjeneralëve” të goditur nga Enver Hoxha si Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Petrit Dume e të tjerë, edhe pse dihet që shkollimet e tyre arrinin vetëm në disa kurse ushtarake në Bashkimin Sovjetik dhe meritat ushtarake apo ato të luftimeve, mbeteshin në kuadrin e “lojërave ushtarake”, ku jo rrallë vriteshin aksidentalisht ushtarë ose rezervistë.

Por ndoshta kompleksi “osmangazep” do kishte mbetur në histori, nëse nuk do shfaqej në një formë tjetër tek Edi Rama dhe politikanë të tjerë shqiptarë. Kryeministri ynë ka dëshirë të “vetëgradohet” si artist i shquar dhe politikan i rangut ndërkombëtar. Veshja e mureve të zyrës së Kryeministrisë me “skicat e tij të rëndomta”, nuk ka asnjë ndryshim nga vënia e disa spaletave më të larta për vete nga Osman Gazepi. Me të njëjtin vetëvlerësim hokatar, Rama i dhuroi Presidentit Erdogan një vazo qeramike të punuar prej tij duke i thënë “Jam artist serioz unë!”.

Ndaj edhe Spiropali përmend atë që ai nuk e thotë dot vetë: “Jam një gjeneralisimo si Skënderbeu!”

Sunday 20 February 2022

Mbrëmja e 20 shkurtit 1991


Gjithshka ishte mbyllur. “I paprekshmi” ishte rrëzuar, por jo sa ishte gjallë. Kishte “mbretëruar” për 41 vjet të plota, duke prerë dhe vrarë, duke qënë në situata të vështira vetiake, por duke manovruar pa humbur as edhe një ditë të vetme “plotfuqishmërinë“. Kur kishte vdekur, sipas porosive të tij, nuk e patën balsamosur, por i ngritën tre përmendore stërmëdha në tre qytetet ku kishte jetuar-Gjirokastër, Tiranë dhe Korçë. Nëse do kishte qënë më ambicioz për pasvdekjen mund të kishin emërtuar edhe Tiranën Enverqytet. Çdo gjë mund të ndodhte se aq lart ishte ngritur kulti i tij, sa propozimet më marroke vinin edhe nga njerëzit e thjeshtë, që ndjeheshin të pasigurt se si mund t’ju shkonte jeta pa të.

Nismat popullore pasi vdiq krijuan zimbajtje të papara ndonjëherë në historinë e vendit. Në disa qytete ndalën fejesat dhe dasmat për një vit. Propaganda e pandalshme për 41 vjet e shoqëruar me izolimin e plotë 24 vjeçar e kishin bërë të tyrenn. Shumica e njerëzve ngashëreheshin si nuk e kishin bërë as për vdekjet e familjarëve. Mbi atë histeri kolektive u morën vendimet për të bërë të paharrueshme figurën e tij “poliedrike”.

Kishte rënë mbrëmja e 20 shkurtit dhe ata që e kishin hequr zvarrë shtatoren e tij prej bronxi në bulevardin kryesor të qytetit kishin shkuar nëpër kafene për të festuar, ose në shtëpi për të parë kronikat televizive të asaj që kishte ndodhur në Tiranë. Dola të takoja disa miqtë e tij, sepse nuk më mbante vendi pas asaj ngjarje që donim të ndodhte, por nuk e prisnim aq shpejt. Pas më ndoqi ime më, si gjithnjë me frikën se mund të më ndodhte diçka dhe ajo do mund të më mbronte. Zbritëm deri në sheshi para Turizmit, ku e kishin lënë të braktisur njeriun prej bronxi. Vetëm dy fëmijë kishin hipur dhe përmirnin mbi të. Buzëqeshëm dhe u kthyem të bënim një “xhirro” për të takuar ndonjë të njohur e të ndanim gëzimin me të. Nuk kishte shumë njerëz që shëtisnin, si është e zakonshme për një mbrëmje të ftohtë shkurti në Korçë. Ishin vetëm njerëz si ne, të ngazëlluar nga “e pabëra”. Takuam një çift miqsh dhe u përqafuam duke thënë “e po më në fund!” Frika kishte kohë që ishte vrarë e megjithatë asgjë nuk ishte e sigurt në një vend ku grupe njerëzish të ashpër dhe fanatikë kishin sunduar gjatë.

U kthyem nën disa drita që dukej se shkëlqenin më shumë se më parë. Në drekë në Tiranë dhe në darkë në Korçë e patën zbritur nga froni I përjetshëm Sundimtarin. Nuk ishte pak! Edhe pse nuk e kishim zbritur dot sa ishte i gjallë. Ndoshta ishim një popull thellësisht i trembur, ose një popull i vogël që nuk na ndihmonte kush për ta bërë më parë. E megjithatë nuk ishte vonë sidomos për brezin tim, që sa kishte kaluar të ’30-tat. Jo për prindërit tanë të shkretë, që kaluan 45 vjet nën Diktatorin më të egër të Europës.

Atë mbi të cilin përmirnin dy fëmijë atë mbrëmje të 20 shkurtit të vitit 1991.

Ku nis dhe ku mbaron?


Pse e kemi kaq të vështirë konceptin e rrethit dhe të qarkullimit të pafund të ngjarjeve jetësore? Mundohemi të gjejmë pikënisjen dhe duke përcaktuar edhe trajektoren të gjejmë mbërritjen. Nuk ka se si të jetë e tillë, sepse atje ku përfundon veprimtaria e një krimineli të shfaqet papritur veprimi i një prokurori apo gjykatësi të korruptuar; sa shfaqet tradhëtia e një bashkëshorti të kamur arrin të kuptosh se ka diçka më shumë edhe tek gruaja dhe shokët e tij; sa griset maska e një gazetari investigativ të krimit dalin copëza maskash të tjera të atyre që e kanë përdorur e kështu pa fund pa fund dhe në të vazhdueshme cikle.

A fillon vallë ashtu si shkruante dikur koloneli Torrens- “Mallkuar qoftë ai që rrethoi në fillim një copë tokë dhe tha është imja!”?

Nuk ka se si të ketë filluar as në atë çast imagjinar dhe s’ka për të përfunduar as kur të mos ketë vija ndarëse dhe kufij. (Edhe qentë dhe kafshë të tjera përmjerin në territore që duan t’i përcaktojnë si territore të tyre.)

Ne mbetemi kanibalë. Edhe pse nuk ja hamë muskujt dhe rropullitë njëri tjetrit në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, ne godasim në fillim më të dobëtit, bonjakët, gratë, jabanxhinjtë dhe më pas ju kthehemi atyre që na dalin para rrugës sonë për të grumbulluar më shumë “sende”, për të pasur më shumë trofe dhe për të bërë më shumë seks. Kështu veprojnë ende sot kanibalët e mbetur në ndonjë xhep shumë të izoluar të globit.  Nuk ka asgjë të natyrshme në këtë sjellje veç dëshirës për të lënë më shumë pasardhës. Madje në të ashtuquajturin Qytetërimin tonë dhe kjo është e modifikuar vetëm në seks për kënaqësi.

Ka fanatikë që i gjejnë të gjitha të këqijat e kësaj bote tek feja, ashtu si ka edhe fanatikë të tjerë që predikojnë se vetëm tek feja është shpëtimi. Por të dy palët nuk harrojnë të vrapojnë pas sendeve, trofeve dhe seksit. Gjatë rrugës padashje qëllon që hanë edhe indet e kundërshtarëve në këtë kanibalizëm teknologjik.

Dëshpërimisht “nuk ka asgjë të re nën diell”. Eshtë kjo ripërsëritje që të tremb më shumë se çdo gjë tjetër ndërsa rrekesh të gjesh kuptimin, të përpiqesh të ndryshosh dhe të ngjallësh shpresën se edhe të keqes do i vijë fundi një ditë.

 

 

 

Saturday 19 February 2022

Qeveritë dhe “Aktet e Urgjencës”


Për herë të parë në historinë e 50 vjetëve të fundit, qeveria kanadeze po përdor ligjin e Aktit të Urgjencës (Act of Emergency) për t’i dhënë fund protestës së kamionistave dhe grupeve të tjera që protestojnë kundër masave të forta të vëna nga Otava për të përballuar pandeminë.

Pavarësisht nëse është e drejtë ose jo çështja e kamionistëve, reagimi i qeverisë të Trudo është për të ardhur keq. Dëshmon frikë, dëshirë për të treguar forcë dhe pamundësi për të hyrë në dialog. Thuajse në çdo rast, kur qeveritë përdorin ligjet marciale kundër pjesëve të popullsisë që protestojnë, e bëjnë se janë diktatura, qeveri autoritative ose qeveri me udhëheqës të dobët. Rasti kanadez I përket grupit të fundit. Nuk kishte aspak nevojë të hynte në veprim “gjendja e jashtëzakonshme” sepse ka plot ligje federale dhe të provincave me të cilat mund të ishte përballuar situata në Otava dhe në pikat e tjera të nxehta të Kanadasë.

Trudo dëshmoi se nuk është as Liberal dhe as Demokrat.

Eshtë si shumë udhëheqës të tjerë opportunistë që nuk janë në gjendje të përballen me problemin, por ushtrojnë masa ekstreme kur nuk është e nevojshme.

Edhe pse mund të mos kishin plotësisht të drejtë, kamionistët e ardhur nga shumë vende të Kanadasë në mes të ngricës, shumë edhe me fëmijët e tyre, nuk e bënin këtë për të rrëzuar me dhunë qeverinë. E bënin nga një hall i madh, të cilin duhet t’ja u zgjidhte qeveria e tyre. Për fat të keq, kjo e fundit dëshmoi se nuk është as e kamionistave dhe as kërkon të veprojë me logjikën e shërbëtorëve të përkohshëm të publikut. Zgjodhi t’i jepte plotësisht vetes të drejtë duke mos u ndalur as në përdorimi i forcës.

Demokracia kanadeze ka pësuar këtë javë një të plasur të madhe, që mund të thellohet në të ardhmen. Nga dukuritë e para që do shënojnë rritje do jetë forcimi i supremacistëve të bardhë dhe ekstremistëve të të gjithë llojeve. Kanadasë ju cënua emri i mirë i një shoqërie tolerante, të hapur për dialog dhe të aftë të zgjidhë kundërshtimet në mënyrë paqësore.

Faji për këtë rëndon vetëm mbi kabinetin qeverisës!

Friday 18 February 2022

Dikur, rreth 45 vjet më parë


Në foton e mësipërme janë nxënësit e maturës A të shkollës Themistokli Gërmenji në oborrin e shtëpisë të një shoku të klasës, që festonte ditlindjen. Quhet Koço Bellovoda. Ka shumë foto të asaj kohe, por arsyeja që po i kushtoj këtë shënim të shkurtër është mendësia e 18 vjeçarëve të asaj kohe. Mendësia e brezit tim të rritur nën Diktaturë, në një vit, kur në gjithë Europën “lulëzonte” parrulla “sex, drugs and rock’n’roll”. Në foto duket një grup të rinjsh të larë e të krehur, përgjithësisht të veshur me bluza të thurrura nga duart e nënave tona. Ishte viti 1977 dhe ndonëse kudo të rinjtë mbanin flokë të gjata, ne mund t’i lejonim vetes vetëm favoritat e zgjatura pak më shumë se mesi i veshit. Dëshëronim shumë t’i linim flokët deri në supe, si “heronjtë“ tanë të muzikës Beatles, ABBA, Presley, apo si basketbollistët jugosllavë Shollman, Kiçanoviç dhe Pleçash, apo edhe si Krojfi dhe Neskensi, por nuk na lejonte njeri.

Dëshira të ngjashme kishin edhe vajzat, ndonëse nuk hapeshim shumë midis sekseve për dëshirat që na vlonin. Duket edhe në foto, që ato janë të kapura me njëra tjetrën në njërën anë dhe ne me duart në qafë të shoshoqit në anën tjetër. Përjashtim bën vetëm Jorgeja, sportistja e vetme e kategorisë së parë nga vajzat e klasës sonë. Jorge Mihallari ishte një atlete dhe vajzë shumë e mirë. Zaten shumë të mira ishin të gjitha shoqet tona. Të mira dhe të kujdeshme, me shumë ëndrra dhe dëshira të ndrydhura. Nuk kujtoj kur i shoh në foto të kishte ndonjë lidhje dashurie mes nesh, si ka qënë dhe është gjëja më e natyrshme në moshën 18 vjeçare.

Ne na i patën vjedhur rininë.

Ndonëse në sytë tanë nuk ka as trishtim dhe as revoltë, sepse i gëzonim ditët më të bukura të jetës duke bërë thuajse asgjë. Shtynim me bezdi orët e mësimit, ktheheshim në shtëpi dhe pëlcisnim çantat dhe pasi hanim drekë dilnim të takonim shokët e të flisnim për futbollin dhe vajzat. Argëtimet e vetme ishin një orë në salla e ping-pongut e Idrizit, nëse mund të gjenim tavolinë të lirë, se atje mblidheshin gjithë djemtë e qytetit. Dhe xhirro. Xhirro pambarim nga Valbona në Turizmi dhe nga Turizmi në Valbona, ndërsa ata më të hedhurit nga ne takoheshin në ndonjë “qoshkë“ me të dashurat, që të mos i shihte njeri. Në mbrëmje vonë bënim ndonjë detyrë të shkollës dhe shihnim filma nga jugosllavi. Pastaj mezi na zinte gjumi duke menduar për vajzat që deshim dhe nuk ju theshim dot, se druheshim. Inatet e drojtjes I nxirrnim në shkollë duke u grindur me mësuesit ose me drejtorin, ose kur luanim futboll duke shqelmuar njëri tjetrin. Por nuk kujtoj të ziheshim me grushta. Kështu rrokulliseshin ditët njëra pas tjetrës. Por nuk e dinim që na i kishin vjedhur rininë edhe pse në subkoshiencë e dinim që diçka ishte shumë anormale.

Një pjesë të atyre që janë në foto i di se ku janë. Disa jo. Por jam i gëzuar se nuk kam dëgjuar të jetë larguar asnjë nga jeta.

Dhe jeta është kaq e bukur. Me kënaqësi do i isha kthyer edhe asaj rinie të vjedhur të 45 viteve më parë nëse do ishte e mundur. Pa i ndryshuar gjë. Jo sepse ishte e bukur. Por sepse ishim të rinj. Të rinj, të gënjyer dhe aq shumë të dashuruar.

Si nisi lufta kundër italianëve në Shqipëri (fund)

(vijim)

 

·       


Faza e tretë është lufta  e çetave dhe batalioneve shqiptare me mbështetjen e anglezëve.

Pranvera e vitit 1943, në mënyrë të veçantë pas kapitallimit të armatës gjermane në Stalingrad shënon luftimet me armë kundër ushtrisë italiane, tashmë të dobësuar edhe nga humbjet në fushatën kundër Bashkimit Sovjetik dhe luftimeve në Afrikë. Për të mos treguar nihilizëm ndaj patriotizmit shqiptar duhet thënë se lufta nuk mund të organizohet pa mundësi financiare dhe pa armë. Deri në atë kohë asgjë nuk vinte nga jashtë vendit, qoftë nga aleatët apo nga “qeveria në mërgim”, që po prishte pjesën e thesarit që kishte marrë me vete. Ndaj të vetmet mundësi financimi ishin ato ç’ka mblidheshin nga shtresat e pasura të shqiptarëve brenda vendit, të cilat është e vështirë të sigurohen nëse nuk ke një organizim të fortë dhe të besueshëm.

Në muajt e pranverës së vitit 1943 u vu re një rritje e formacioneve luftarake kundër pushtuesve, kryesisht në krahinat e jugut dhe në zonat e thella malore, ku mungonte kontrolli nga shteti kukull shqiptar dhe ushtria italiane. U kryen disa aksione të suksesshme ndaj postave të karabinierëve dhe shumë zona konsideroheshin si zona të lira në Labëri, Skrapar, Kolonjë ,Korçë, Çermenikë etj. Edhe me operacionet spastruese të italianëve, këto zona mbeteshin jashtë autoritetit të administratës së Tiranës. Kjo ngjalli edhe interesin e anglezëve të cilët dërguan misionet e tyre për të parë dhe ndihmuar, si dhe nisën të dërgonin florinj dhe material ushtarake për çetat shqiptare të frontit dhe ato nacionaliste. Kjo solli edhe bindjen se mund të organizohet një ushtri shqiptare me formacione luftarake më të mëdha dhe si rrjedhojë u formua Brigada e Parë në fund të gushtit 1943, ndërkohë që fashizmi italian ishte në krizë të thellë. Një muaj më parë ishte arrestuar Musolini dhe në krye të qeverisë italiane ishte gjenerali Badolio. Disa javë para arrestimit të Musolinit, Aleatët kishin zbarkuar në Siçili.

Ndaj pavarësisht nga propaganda e madhe e kohës së Diktaturës, për “luftën legjendare të partizanëve”, duhet të pranojmë se lufta ndaj pushtuesve italianë ka nisur shumë vonë, nëse i referohemi 7 prillit 1939 si data e pushtimit. Luftimet ndaj Italianëve janë zhvilluar kryesisht në një periudhë prej 6 muajsh dhe u itensifikuan, në kohën ku si e cilësonte Shefqet Musaraj “Na ngordhi kali/ I rranë thonjtë…”. Pa dashur të minimizoj ndjenjat atdhetare dhe përpjekjet e rinisë shqiptare për të patur një Shqipëri të lirë, kushtet ishin të tilla që nuk mund të organizohej një luftë e armatosur. Mungonin dy kushtet kryesore për organizimin e një ushtrie: mjetet financiare dhe autoriteti politik që mund të mbledhë rreth vetes forcat atdhetare. Boshllëku i këtij të fundit krijoi mundësinë që një grup i përzjerë idealistësh dhe oportunistësh të krijonin në fundin e vitit 1942, një organizim të quajtur Front, i cili nisi të propagandojë nevojën për të nxjerrë jashtë vendit me luftë të huajt.

Ndaj edhe në Konferencën e Paqes në Paris ne nuk mund të rrjeshtoheshim me fituesit, por na u rezervua vetëm vendi i shteteve asnjëanës.

Si nisi lufta kundër italianëve në Shqipëri (2)


 (vijim)

·         Faza e dytë, ajo e përpjekjeve për tu organizuar dhe për të nisur veprimet e para luftarake.

Me fillimin e luftimeve në territorin e Bashkimit Sovjetik në qershorin e vitit 1941 u pa më qartë se Hitleri bashkë me Italinë dhe Japoninë synonin të pushtonin gjithë botën. Sulmi japonez në dhjetor 1941 në Përl Harbër solli edhe futjen zyrtare të Amerikës në luftë. Tashmë ishte e qartë se duhet të ishe me aleancën fashiste ose kundër saj dhe nuk kishte rrugë të ndërmjetme, kjo sidomos për vendet e pushtuara.

Kominterni, që deri në gjysmën e vitit 1941 kishte predikuar mospërzjerjen, pasi e quante Luftën “një përplasje të vendeve kapitaliste për interesat e tyre”, ndryshoi qëndrim dhe dha udhëzime për ngritjen e Fronteve Nacionale me përfshirjen në to të gjithë forcave antifashiste, por mundësisht të udhëhequra nga partitë komuniste të vendeve përkatëse. Në këtë kuadër është formimi i Partisë Komuniste Shqiptare dhe demonstratat e para të organizuara nga komunistët në fundin e vitit 1941. Nisi një ndryshim në mendësinë e disa shtresave të shoqërisë shqiptare, që kishin qënë totalisht pasive ndaj Luftës Botërore edhe kur luftimet zhvilloheshin brenda territorit tonë. Gjatë gjithë luftës italo greke (1940-41), shqiptarët kishin qëndruar në indiferencë të plotë, thuajse nuk kishin të bënin me të. Asnjë veprim sabotues kundër ushtrisë pushtuese italiane. Gjithashtu edhe batalionet e formuara me shqiptarë nga Italianët për të luftuar kundër Greqisë nuk kishin dëshmuar as heroizëm dhe as agresivitet ndaj fqinjëve që na kishin marrë Çamërinë.

Eshtë folur për formimin e çetave të para si nga nacionalistët dhe nga komunistët në fillimet e vitit 1942, madje ka dhe autorë që përmendin çeta luftëtarësh që në vitin 1939. E vërteta është se në Shqipëri ka pasur gjithnjë në zonat malore të Veriut dhe Jugut banda kaçakësh dhe hajdutësh, që për shumë arsye kishin zgjedhur jetën e arratisë në mal. Një pjesë kishin qënë të përndjekur nga Zogu, kishte nga ata që jetonin në mal për tu mbrojtur nga hasmëritë, kishte të dënuar për vrasje dhe vjedhje dhe që donin t’i shpëtonin dënimit, si dhe edhe thjesht plaçkitës, që kishin ushtruar gjithnjë atë “zanat”. Natyrisht që të tillë banditë përbënin elementët më të përgatitur për të ndërtuar një luftë partizane ndaj të huajve, të cilët njëkohësisht ishin edhe administruesit e vendit. Pikërisht këtyre elementëve ju afruan edhe komunistët edhe më vonë “Balli Kombëtar” për të luftuar kundër pushtuesve. Kuptohet që u krijuan edhe çeta krejt të reja nga të dy palët, si dhe nga monarkistët e Abaz Kupit, por këto i përkasin një periudhe të mëvonshme.

Rezistenca shqiptare ndaj italianëve ishte ende sporadike dhe nuk përbënte ndonjë problem të madh për Italianët, sa edhe organizimi më i madh për të nisur përpjekje të armatosura, ai që quhet Konferenca e Pezës e shtatorit 1942, u bë vetëm 10 km jashtë Tiranës. “Balli Kombëtar” si organizim politik u formua edhe disa muaj më vonë. Me një fjalë ishte një reagim tepër i ngathët, 3 vjet pas pushtimit, i pabashkërenduar me “mbretin në mërgim”, pa ngjallur interesin e aletaëve dhe nën sugjerimet e disa komunistëve jugosllavë, që ishin të vetmit të huaj që jepnin këshilla se si të luftonin shqiptarët. I paspjegueshëm është edhe pasiviteti i Zogut, që nuk ishte në gjendje të ngjallte besim në britanikët për ndihmë financiare ndaj një rezistence shqiptare edhe pse atë kohë jetonte më së miri në Londër me gjithë oborrin e tij.

(vijon)

Thursday 17 February 2022

Dhe pak më lart, dhe pak më larg (Ginette Reno)

Dhe pak më lart, dhe pak më larg

Dua të hidhem më tej

Dua të shoh ç’është atje

Krahun ma mbaj, dorën ma ndje.

 

Dhe pak më lart, dhe pak më larg

Dua të shkoj edhe më larg

Krahun ma ler, po dorën ma ndje

S’kam për të ikur jo përtej.

 

Ja dhe një hap, ja dhe një hop,

Një vetëtimë, përtej një sop,

Kujdes për veten, unë po të le

Po do të kthehem sërish atje

 

Ja dhe një hap, të vogël hap

Edhe një hop dhe do jem lart

Atje do arrij krahët do hap

S’kam për të rënë, qiellin do kap.

 

Esht’ bukur! O sa bukur!

Po ta shohësh botën nga fundi në kre

Esht’ bukur! Esht’bukur!

Deti më i madh më është dukur.

 

Po ti më nuk më sheh.

Pak më larg, pak më vetëm

Nuk dua kështu gjithnjë të mbetem

Eja të shohësh se ç’mrekulli

Eja këtu lart ta shohësh dhe ti.

 

Dhe pak më lart, dhe pak më larg

S’mundem më dorën tek ti ta mbaj

Më thuaj si të ngjitem më lart

Dhe si të zbres tek ti pastaj.

 

Dhe pak më lart, dhe pak më fort,

Por ti je larg dhe pse më do.

Po ik! Po ik! Do rikthehem atje.

Do mundem të zbres e të mos bie.

 

Esht’ bukur! O sa bukur!

Po ta shohësh botën nga fundi në kre

Esht’ bukur! Esht’bukur!

Deti më i madh më është dukur

 

Po ti më nuk më sheh.

Dhe pak më lart, dhe pak më larg

Dua të shkoj edhe më larg

Ndoshta edhe pakëz më tej,

Atje ku të tjera shtigje të gjej

 

Esht’ bukur! O sa bukur!

Po ta shohësh botën nga fundi në kre

Esht’ bukur! Esht’bukur!

Deti më i madh më është dukur

 

 

 

Monday 14 February 2022

Si nisi lufta kundër italianëve në Shqipëri


Më tepër se nga dëshmitë e bashkëkohësve dhe nga librat e historisë, se si filluan përpjekjet e armatosura kundër italianëve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, mund ta mësosh në shtypin shqiptar dhe të huaj të kohës. Edhe pse shtypi vendas kontrollohej nga kolaboracionistët, nëse ngjarjet krahasohen me ato ç’ka shkruheshin në gazetat greke, jugosllave dhe të kundërshtarëve të tjerë të Italisë fashiste, krijon një përshtypje të saktë se kur patriotët shqiptarë nisën të vepronin me armë kundër pushtuesve.

Komunistët kanë qënë ata që falsifikuan më shumë se çdo grup tjetër historinë e Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Ata jo vetëm i atribuan çdo rezistencë pasive apo të armatosur, grupeve komuniste dhe më vonë Partisë Komuniste, por heshtën plotësisht ndaj përpjekjeve të grupeve të tjera, ose edhe ndaj mirëpritjes, që ju bë pushtuesve nga një pjesë jo e vogël e  popullsisë shqiptare.

Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri kaloi në disa faza:

·         Faza e parë ishte ajo e konfuzionit midis asaj nëse është i mirë pushtimi apo i keq për Shqipërinë.

Regjimi i Zogut kishte krijuar pakënaqësi në shumë shtresa të shoqërisë shqiptare. Me pushtimin italian u kthyen një pjesë e madhe e kundërshtarëve të Zogut, të cilit ishin dënuar në mungesë me vdekje ose me burgime të gjata. Më të shumtit e tyre zunë poste të rëndësishme në administratën e re. Këta ishin njerëz të shkolluar dhe të pasur, të cilët kishin ndikim të madh në krahinat e tyre, ndaj edhe shumë shtresa të lidhur me ta shihnin një anë pozitive të pushtimit italian.

Komunistët e grupeve e kishin shprehur edhe më parë se një pushtim italian duhej parë si i rëndësishëm për “revolucionin e ardhshëm” pasi do zhvillohej industria dhe me të edhe proletariati, që mungonte në Shqipëri. E vërteta është që shumë të rinj anëtarë ose simpatizantë të grupeve komuniste shkuan për studime në Itali dhe nuk u prekën nga Italianët. Kishte emra nga më të njohurit si Qemal Stafa dhe Nako Spiru, si dhe shumë të tjerë. Ata që u internuan nga Italianët gjatë vitit 1939 ishin kryesisht nacionalistët e njohur dhe rrallë gjen mes emrave të të internuarve ndonjë komunist.

Tregëtarët e mesëm dhe të vegjël e shihnin me sy të mirë pushtimin italian, se me të pati një gjallërim të madh të ekonomisë së vendit. Edhe shtresat më të varfëra, burrat e familjeve të të cilave filluan të punësohen në punët ndërtimore, që hapën italianët, nuk kishte pse të ishin të pakënaqur nga regjimi i ri në Shqipëri.

Kjo fazë vazhdoi gjatë me hije dyshimi dhe simpatije për pushtuesit italianë, sidomos pas hyrjes në luftë të Anglisë dhe Francës me Gjermaninë dhe më vonë pas pushtimit të Jugosllavisë nga forcat hitleriane. Përkrahësit e italianëve në Shqipëri dhe trojet shqiptare jashtë saj, trumbetonin idenë e bashkimit të trojeve shqiptare në një të vetëm, në sajë të aleancës Musolini-Hitler. Në anën tjetër, shqiptarët me lidhje shpirtërore me Francën dhe Anglinë, e shihnin pushtimin italian si një të keqe të madhe për vendin. Komunistët, të ndikuar edhe nga qëndrimi i Bashkimit Sovjetik, edhe pse ishin antifashistë dëshmonin përmbajtje për të filluar aksione sabotuese apo luftarake ndaj italianëve. Akti i parë i rëndësishëm kundër pushtuesve ishte atentati i Vasi Laçit ndaj Viktor Emanuelit në maj 1941, dy vjet pas pushtimit. Ishte veprimi i një njeriu të vetëm, që nuk i përkiste asnjë lloj grupimi.

(vijon)

 

Sunday 13 February 2022

Një episod i shkurtër, të cilin nuk e përfshiva në librin për babanë


Me kalimin e viteve dhe informacionet e reja, të cilat botohen herë herë në shtypin shqiptar, arrin të kuptosh më mirë ngjarje që lidhen me jetën tënde. Edhe pse shumë kujtime të botuara së fundmi mund të jenë të përshtatura, apo ndonjëherë edhe të falsifikuara, nga dëshmitë e shumë të pranishmëve në ato kohëra arrin të plotësosh “puzzle” stërmadhe të kohës nën Diktaturë.

Ka qënë një episod i shkurtër i një të djele në drekë, i cili më ka mbetur në mendje dhe në variantet e para të librit “Biseda të pakryera me babanë“ e kisha përmendur. Më pas, si edhe disa ngjarje të tjera, nuk e përfshiva në versionin përfundimtar.

Kishte të bënte me një artikull kritik ndaj vëllimit me tregime “Brumi i zjarrtë“, i botuar në gazetën “Drita” ndoshta në pranverën e vitit 1970. Autori ishte një emër i panjohur. Quhej Thanas Dino. Babaj u trishtua shumë nga kritika që i bëhej. Nuk e kujtoj nëse ishte ose jo dashakeqe, ndoshta kishte edhe të vërteta në të, por e pyeta babanë për autorin dhe më tha që është një djalë I ri nga Gjirokastra. Më pas shtoi se prapa shkrimit qëndrojnë Kadareja dhe Ibrahim Uruçi.

Në atë kohë nuk kisha pse të vija në dyshim fjalët e babait, por vite më vonë, edhe pse nuk e zumë më në gojë Thanas Dinon, nisa të dyshoj nëse vërtet Kadareja mund të kishte gisht. Ibrahim Uruçi ishte kryeredaktor i “Dritës” dhe ndoshta edhe kishte sugjeruar. Megjithatë dyshimet e mija ishin të një adoleshenti, që fillon të zhvillojë “shpirtin kryengritës” ndaj prindërve edhe pse në mënyrë pasive. Nuk më dukej e llogjikshme, që Kadareja të shtynte dikë për të shkruar kundër një autori tregimesh, i cili nuk ishte në “kokat” e letërsisë shqiptare dhe për më tepër nuk përzjehej në jetën letrare të Tiranës.

Si përmenda më lart, ka rrjedhur shumë kohë dhe kam arritur të kuptoj më shumë rreth jetës artistiko-letrare të Tiranës në vitet ’60-’70. Ka patur në atë kohë plot tarafe, prapaskena, përpjekje për të zënë pozitat drejtuese në shtypin letrar dhe në Lidhjen e Shkrimtarëve. Këto kryesisht nga brezi i artistëve dhe shkrimtarëve të kthyer nga studimet në vendet e Europës Lindore. Ajo që u propagandua me të madhe si “lufta e brezave” ishte një përpjekje e atij grupi dhe moshatarëve të tyre për të dominuar jetën kulturore dhe artistike në Tiranë. Kadareja nuk qëndronte jashtë tyre, por ishte strumbullari i atyre përpjekjeve. Kështu nisën “prapaskenat” për të mënjanuar Jakov Xoxen, Petro Markon, Shefqet Musaranë, Sterio Spassen, Vedat Kokonën, Nonda Bulkën, Kol Jakovën, Spiro Çomorën e ndonjë tjetër, sepse me Paskon dhe Lasgushin thuajse i kishte “larë hesapet” vetë Diktatura. Në mënyrë të ngjashme u mënjanuan Guri Madhi, Sadik Kaceli, Abdurrahim Buza, Llazar Nikolla në artet figurative dhe Tonin Harapi, Kristo Kono, Pjetër Dungu në muzikë.

Kadareja mblodhi rreth vetes shumë letrarë të rinj, disa të talentuar dhe disa jo, dhe u përpoq jo vetëm të sillte një frymë të re në letërsinë shqiptare (me të drejtë), por ta dominonte atë. Si e përmend vetë Thanas Dino në një intervistë, ishte Kadareja që ndërhyri për ta emëruar në gazetën “Drita”. Dino nuk shkëlqeu kurrë as në letërsi dhe as në kritikën letrare.

Nuk dua të arrij në përfundimin se Dino ishte i shtyrë nga të tjerë, ndonëse nuk mund të përjashtohet si mundësi “për t’ju dhënë dërmën dogmatikëve”. Do më duhet një ditë të lexoj edhe shkrimin e Dinos dhe vëllimin me tregime të babait dhe të shoh nëse artikulli kritik ishte plotësisht i drejtë. Megjithatë, një bindje më është forcuar, që në Tiranë janë luajtur prapaskena të vogla e të mëdha, po aq sa luhen edhe sot në gjithë jetën e shoqërisë shqiptare.

Njerëzit i pëlqejnë intrigat dhe i përdorin atëhere kur ju duhen dhe nga kjo nuk përjashtohen artistët.

Saturday 12 February 2022

A do i shkojë Putin deri në fund “bllofit” me Ukrainën?


Sigurisht që jo vetëm vrojtues amatorë si unë nuk mund ta parashikojnë, por duket të vështirë e kanë edhe kancelaritë e fuqishme, të cilat kanë pas aparate të tëra inteligjence, analistësh, me siguri edhe spiunë në nivelet e larta në Kremlin. Por “pokeri” me vendet ku ka një sundimtar të vetëm është pak i vështirë për demokracitë perëndimore, të cilat janë të detyruara të jenë më transparente në ato që bëjnë dhe vendimet t’i kalojnë në disa zyra dhe vende. Putin megjithëse nuk  i ka shumë të forta “kartat” e tij, mund t’i mbajë shumë pranë gjoksit sa askush të mos ja shikojë dot.

Po a kërkon vërtet Putin ta pushtojë Ukrainën?

Putin nuk ka asnjë dëshirë dhe as përfitim nga pushtimi i Ukrainës veç humbjes. Luftërat zgjatin dhe kushtojnë jetë njerëzish, si dhe vlera monetare ndaj një pushtim i suksesshëm i Ukrainës do sjellë si rrjedhim rënien e popullaritetit të tij në Rusi dhe rënien e regjimit të tij.

Ai kërkon lëshimet maksimale nga ana e Perëndimit, që mund të jenë njohja e prezencës së Rusisë në Ukrainën Lindore dhe dobësimin e sanksioneve. As mosfutjen e Ukrainës në NATO, që kërkon me të madhe nuk mund ta arrijë, ndaj e ka si kërkesa e parë për të nisur pazarin e marëveshjes. Dëshira e tij e dytë është të “kallë frikën” në ukrainasit, në mënyrë që ata të ndjejnë si ndikimi rus  do jetë gjithnjë i pranishëm. Ai zgjodhi këtë vit për këtë demonstrim të madh force edhe duke ditur problemet e brendëshme të lojtarëve kryesorë- zgjedhjet ndërmjetëse në Amerikë dhe ato presidenciale në Francë. Eshtë viti kur mund të marrë lëshimet më të mëdha nga Perëndimi.

Nga ana e tyre, vendet kryesore të NATO-s nuk duan të ketë një luftë, por njëkohësisht duke ditur që Putin po “bllofon”, janë të vendosur për të bërë lëshimet më të vogla të mundshme. Ndaj edhe amerikanët, më shumë se të tjerët, lajmërojnë për rrezikun e luftës në javën e ardhshme dhe nuk bëjnë ende lëshime. Eshtë një luftë nervash, ku palët janë gati për një marëveshje, por e duan në kushtet më të favorshme për veten. Rreziku I një lufte disaditore ende ekziston, sepse nëse Perëndimi do e ulë shumë “stekën e lëshimeve”, Putin mund të ndjehet i dështuar dhe se ka humbur autoritetin para rusëve. Ndaj, si në raste të tjera krizash do arrihet një marëveshje, ku të dy palët të shpallin se janë fitimtarë dhe të dashuruar me Paqen.

Le të arrihet një marëveshje pa u derdhur gjak njerëzish të pafaj.

 

Friday 11 February 2022

E ndjera “Kaku”


Sot u përcoll në banesëne e fundit Kadrije Kadare, motra e Ismailit, që si ka qënë e zakonshme në Gjirokastër, e thërrisnin Kaku.

Si çdo thashethem rreth Ismailit, në kohën kur isha student, qarkulloi edhe fjala se e motra e Kadaresë fliste kundër regjimit dhe Is ishte detyruara të mos e pranonte në shtëpi. Nuk di pse më ishte krijuar përshtypja që motra beqare e Kadaresë punonte në Spitalin e Tiranës. Nuk di as sot se ku ka qënë në atë kohë dhe më vonë kam mësuar se pas viteve ’90 ka punuar si korrektore letrare në shumë gazeta dhe revista shqiptare.

Tani, që e ndjera Kako u largua nga jeta u hapën sërish historitë e saj me regjimin dhe kryesisht me Enver Hoxhën, për të cilin në Tiranë flitej nën zë më shumë se në qytetet e tjera. Në Tiranë kishte më shumë njerëz nga e gjithë Shqipëri, më shumë pushtetarë dhe kundërshtarë të pushtetit, më shumë studiues dhe libra e gazeta ku mund të gjeje të fshehta rreth jetës së Diktatorit. Kuptohet që gjirokastritët dinin më shumë rreth familjes së Hoxhës dhe të bërave dhe të pabërave të tij në fëmijëri dhe në rini. Për ta ishte më e lehtë t’i hiqnin aureolën që i kishte vënë propaganda shumëvjeçare.

Të tilla ka treguar Kadrije Kadareja në atë rreth të ngushtë shoqesh, një pjesë të të cilave i arrestuan dhe njoftuan njëkohësisht edhe Ismailin se ç’bënte e motra me kërcënimin “Po të mos ishte motra jote do ishte arrestuar!”

Po pse nuk u arrestua Kadrije Kadareja në vitin 1979-1980?

Nuk është e vështirë t’i përgjigjesh, sepse Ismailit ja thanë në Komitetin Qëndror, kur e thirrën.

Arrestimi i Kadrijes do kërkonte si minimum përjashtimin e Ismailit nga partija dhe ndoshta edhe heqjen nga qarkullimi të veprës së tij. Ishin vitet më të egra të terrorit dhe më 1978, posa ishte bërë lëshimi i madh nga Enver Hoxha për vjershën “Në mesditë u mblodh Byroja Politike” (“Pashallarët e kuq”) Ishin vitet më të vështira të Ismailit, i cili si mbrojtje kishte Mehmet Shehun dhe disa të tjerë, por kryesisht veprën e tij dhe në mënyrë të veçantë “Dimri i madh”. Ishte kjo arsyeja që Enver Hoxha nuk donte “të lante hesapet” me Ismailin dhe shpëtoi edhe Kakunë nga burgu. Hoxhës nuk i bëhej vonë për “zhurrmën” që mund të krijohej jashtë vendit për heqjen nga qarkullimi të veprës së Kadaresë.

Ndaj edhe këshilltarët e tij në KQ i sugjeruan Ismailit t’i shkruante një letër Enverit ku dënonte fjalët e së motrës dhe spjegonte njëkohësisht se nuk vinin prej tij. Letra deri diku është e justifikuar, sepse edhe frika e Kadaresë në ato vite ka qënë e madhe. Por që ishte pranë pushtetit ai e pranon pa dashje edhe në një intervistë të tij të viti 2017 “U çudita që kishte kohë që e hetonin dhe mua nuk më kishin thënë gjë“ Në atë kohë nuk ju thuhej të afërmve se po ju hetonin njerëzit e familjes për agjitacion e propagandë. Përjashtim bënin vetëm njerëzit me shumë lidhje me udhëheqjen.

Kakuja u largua nga jeta e vetme, sikundër kishte jetuar për shumë e shumë vite. Për fat të mirë mbiemri e shpëtoi nga mundimet e burgut. Tani prehet e qetë, atje ku nuk ka as diktatorë, as gjenij dhe as korrektorë letrarë. Në Mbretërinë e të Barabartëve. 

Politikanët tanë të dashuruar me veten


Sa më i vogël të jetë një vend aq më shumë politikanë të dashuruar me veten ka. Eshtë një ligj empirik, që nuk i nënshtrohet ndonjë formule të caktuar, por provohet lehtësisht me të dhëna statistikore. Në vetëm tridhjet vjet, Shqipëria ka prodhuar të paktën 6-7 të tillë. Nga Sali Berisha, që jo rrallë nuk përdor përemrin unë, por i drejtohet vetes si Sali Berisha, tek Fatos Nano që mburrej se “i kishte lënë pa mend europianët në takimin e tij të parë me ta” dhe kishte përshtatur shprehjen “unë jam Fatos Nano, prapa më vjen historia”. Ka vite që i ka shprehur dashurinë vetvetes Ilir Meta, prej kohëve kur ishte kryeministër e i pëlqente ta quanin “Mehmeti” dhe tashmë së fundi, kur në delir thërret “Jam Ilir Meta unë o budallenj!”

Narcisizmi i Edi Ramës ishte i njohur që pa i hyrë ai politikës, por prej 20 vjetësh vetadhurimi i tij nuk njeh më kufij. Rama promovon vetveten, pëlqen ta thërresin përkohësisht “Skënderbeu” dhe ndoshta më vonë Mesia, ka krijuar një kanal televiziv me emrin e tij, ju jep mend krerëve politikë në botë dhe as bën përpjekje për të fshehur sadopak delirin e tij të madhështisë. Në mënyrë të ngjashme u dashuruan me veten Saimir Tahiri, Erion Veliaj dhe ndonjë politikan tjetër province.

Vetëadhurimi nuk është një dukuri krejtësisht e dëmshme në fillimet e karrierës së një politikani. I shërben rritjes së besimit të ndjekësve dhe eliminimit të kundërshtarëve brenda subjektit politik, por më pas, kur qeveris, kthehet në shkatërrues për vendin që drejton dhe për vetë individin. Shembujt e Hitlerit dhe Musolinit janë më të spikaturit, por edhe karrierat politike të Berluskonit dhe Trump mund të shërbejnë si ilustrim për vetëshkatërrimin që sjell narcisizmi ekstrem i një qeveritari.

Ka një shpjegim pse veçanërisht në Shqipëri është “rritur” kaq shumë ky tip politikani. Thuajse të gjithë politikanët e sipërpërmendur janë formuar në Shqipërinë e izoluar të kohës së Diktaturës. Ata nuk janë ballafaquar në rininë e tyre me “botën e madhe”, ku njeriu kupton se cilat janë vlerat e tij të vërteta, si edhe rëndësinë që ka të qënit modest. Ndaj edhe pse në krye të një “qyteti” të vetëm, (nëse i krahasojmë me ata që qeverisin shtete të mëdha), udhëheqësit politikë shqiptarë ndjehen Çezarë. Mund të bëjnë ç’të duan pa ju hyrë një gjëmb në këmbë. Pra vuajnë nga një lloj kompleksi i udhëheqësit provincial. Pasurimi marramendës i tyre apo i familjarëve në një kohë të shkurtër, gjithashtu i bën të ndjehen të sigurt, të plotfuqishëm e të paprekshëm. Mund të sfidojnë jo vetëm shtetet fqinjë, por edhe Rusinë, Gjermaninë, madje edhe Shtetet e Bashkuara.

Koha tregoi se njërin prej tyre (Nanon) e nxorri shpejt jashtë politikës, Tahirin e shpuri pas hekurave dhe në procesin e daljes (me dhunë) nga politika janë edhe Berisha me Metën. Për çastin duket i plotfuqishëm Edvin Rama, por edhe vitet e tij “çezariane”ka të ngjarë mos shkojnë përtej këtij mandati. Historia këtë na ka mësuar.

Thursday 10 February 2022

Krunde nga torba e filozofit shëtitës


Në fushën e betejës politiko-shoqërore kanë zbritur kamionistët.

Kamionistët janë si drejtuesit e karvanëve të deveve që udhëtonin vendeve dhe shkretëtirave.

Shkretëtirë idesh duket përreth dhe të vetmet oaze çmendurie janë teoritë komplotiste.

Teoritë komplotiste janë zëvendësuesit e miteve të vjetra për ata që nuk lexojnë, që lexojnë pak dhe për ata që dinë gjithshka.

Ata që dinë gjithshka të mahnitin, por edhe mund të të bëjnë të shpjegosh keq dukuritë shoqërore.

Dukuritë shoqërore nuk mund të përcaktohen me formula matematikore.

Formulat matematikore janë të ftohta dhe të frikshme si e vërteta.

E vërteta nuk mund të përqafohet se me ftohtësinë e saj të akullon.

Akullimi i poleve është mrekullia e drejtpeshimit klimatik.

Drejtpeshimin klimatik po e shkatërrojmë dita ditës me grykësinë tonë.

Grykësia jonë na veçon nga të gjitha kafshët që bashkëjetojnë me ne në botë.

Në botë jetojnë mbi shtatë milliard njerëz, por nuk dihet sa prej tyre vdesin të vetmuar.

E vetmuar vdiq në Kuomo, Marinela Bereta, që u gjet pas dy vjetësh e ulur në karrige.

Ulur në karrige duan të vdesin politikanët, por jo në karriget e kuzhinës por në ato të pushtetit.

Pushteti është famë, para, lavdi, largim nga frika e vdekjes dhe më i fuqishëm se kënaqësia e seksit.

Kënaqësia e seksit është në rrënjët e mbijetesës së racës njerëzore.

Raca njerëzore është bukuria, madhështia dhe tragjedia e planetit Tokë.

Këtë e dinë dhe kamionistët…

Wednesday 9 February 2022

Arkitektura e Katedrales "Ringjallja" (fund)


 (vijim)

Gjithsesi pata kuptuar që në lojë ishin çështje shumë të ndjeshme të rivendosjes së besimeve fetare, të marëdhënieve me shtetin fqinjë dhe me një ekuilibër të domosdoshëm mes bashkësive fetare. Isha i ndërgjegjshëm edhe për qëndrime vulgare të bashkësive si: “Nuk ka pse ta vendosin karshi nesh!” ose “Ja nuk deshin atje , tani e kemi mu në mes të Korçës!”, a thua se “kontrolli” mbi qytetin do arrihej nga vendosja e Katedrales apo nga simbolet e Kryqit dhe Gjysmëhënës.

Bindja ime profesionale mbetej se në arkitekturën kishtare ne po bënim hapa prapa nëse krahasonim Katedralen e Re me atë të Shën Gjergjit të përuruar më 1905, apo edhe me Kishën e Sotirit të ndërtuar në mesin e viteve ’20. Diçka nuk shkonte në gjendjen kulturore të bashkësisë së Korçës. Po aq edhe në ndikimin e profesionistëve.

Një nga mospërputhjet kryesore të Katedrales me arkitekturën e gjysmës së dytë të shekullit të XX është “mbyllja” e saj ndaj dritës dhe mjedisit në përgjithësi. Mungesa e portikëve, e njohur në monumentet e sektit ortodoks në Shqipëri e bëjnë gjithashtu më të mbyllur dhe më të rëndë vëllimin. Vetëm dy vite më parë në Shkup ishte përuruar Katedralja e Madhe, një vepër interesante e arkitekturës moderne kishtare, e cila ishte e projektuar që në vitin 1972 nga arkitekti maqedinas Brezoski. Në të bien në sy hapësirat e ngjashme me portikët, por të konceptuar në një mënyrë mjaft modern. Shembuj të kishave ortodokse me arkitekturë më të stilizuar dhe më të kohës ka patur dhe ka në Greqi, por çuditërisht ishte zgjedhur një projekt shumë i zakonshëm, që pa e tepruar mund ta quash edhe anakronik.

Nuk dua të zgjatem me hollësitë arkitekturore dhe materialet e përdorura të cilat gjithashtu lenë për të dëshëruar nga pikpamja e harmonizimit me ato të qytetit, si dhe të kohëve modern. Nëse veçon një kambanare dhe e analizon nga mënyra e konceptimit, e ritmit dhe e proporcioneve, të kujton gabimet fillestare që hasen në projektet e studentëve të arkitekturës.

Për të gjitha ç’ka rrjeshtova më sipër arkitektura e Katedrales “Ringjallja” le shumë për të dëshëruar dhe nuk vlen as të hulumtosh se cila ka qënë studioja e projektimit, e cila ka hartuar projektin. Ndoshta edhe në Greqi, sikundër në vendet e Lindjes, ekzistojnë firma projektimi të privilegjuara, me lidhje me shtetin ose me institucione të fuqishme, si është në këtë rast Kisha Ortodokse. E them me bindje që një projekt i tillë nuk do kishte kaluar dot në vitet ’30, kur opinioni publik i Korçës ishte më i kulturuar, më kritik dhe shumë më i pavarur nga politika dhe faktorët e tjerë jo profesionalë.

Mesa tyre që ngritën dorë në miratimin e Lejes së Ndërtimit jam dhe unë, i ndërgjegjshëm që po gaboja jo pak.

 

Shënim: Në foto Kisha e Shën Gjergjit në Korçë e përuruar më 1905

Arkitektura e katedrales “Ringjallja”


Sa herë shoh fotot e qëndrës së Korçës, më saktësisht të sheshit para Katedrales ndjej një peng të hershëm. Arkitektura e kishës nuk shkon as si vëllim, as si arkitekturë dhe as me kohën kur është ndërtuar. Kam dashur dikur të bëja diçka për ta ndalur, por historia e ndërtimit të saj dhe mënyra e zgjedhjes së projektit i kalonte fuqitë e mija argumentuese profesionale. Sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë ndjej se u bë një gabim, i cili vështirë se do mund të korrigjohet edhe për shumë dhjetvjeçarë a ndoshta edhe shekuj. Eshtë dëshmi e vendimeve urbanistike të nxituara, të detyruara nga shkaqe jo profesionale dhe nën trysninë e faktorëve shoqërorë dhe politikë që kanë pak të bëjnë me arkitekturën.

Dëshira e mirë e Kishës Ortodokse dhe besimtarëve të Korçës për të patur një kishë të madhe kishte gjetur mbështetjen në fonde diku jashtë Shqipërisë, ndoshta mes donatorësh grekë, sepse vetë kisha autoqefale shqiptare ishte ende shumë e dobët. Përpjekjet ndoshta kishin fillluar me ardhjen e Janullatosit, por në vitin 1993 ishin më të konkretizuara dhe të mbështetura në projekt dhe në fonde. Korça ishte qyteti ku ishin prishur më shumë kisha. Katedralja e Shën Gjergjit ishte shembur në vitin 1968, ndërsa ajo e Burimit Jetëdhënës ishte kthyer në Muze të Arsimit Kombëtar.

Trualli i ndërtimit që u miratua në Këshillin e Rregullimit të Territorit ishte në lulishten “Vangjush Mio”. Disa javë pas miratimit pati një reagim nga njerëz të lidhur me politikën dhe me Bashkësinë Myslimane të Korçës, për ndryshimin e vendit sepse atje më parë kishin qënë banesa dhe prona të familjeve që i përkisnin aasj bashkësie dhe jo asaj ortodokse. Në të njëjtën kohë objekti afrohej shumë me xhaminë e Mirahorit dhe me zonën e banuar tradicionalisht nga bashkësia myslimane. Diskutimet ishin bërë në qarqet më të larta shtetërore në Tiranë dhe ishte sugjeruar të gjendej një zgjidhje tjetër. Pas disa takimesh, KRRT miratoi si vendvendosje truallin ku është ngritur tashmë Katedralja.

Miratimi i pjesës ku do ndërtohet një objekt është njëra anë e problemit. Kishte rezerva nga ana e disa specialistëve të urbanistikës dhe arkitekturës, sepse vëllimet ekzistuese ishin të gjitha të vogla dhe i përkisnin një zone muzeale, gjë që do vështirësonte zgjidhjen vëllimore dhe arkitekturore të katedrales. Zgjidhje të tilla delikate kërkojnë impenjim të arkitektëve me shumë përvojë. Për fat të keq mes arkitektëve shqiptarë nuk kishte të tillë që mund të projektonin tempuj. Për shpejtësi dhe për shkak të mbështetjes që jepte kisha greke dhe dhuruesit privatë të lidhur me të, pritej që projekti të bëhej në një studio greke.

Nuk di nëse studioja greke kishte parë vendin ku do ndërtohej Katedralja dhe nëse njihte arkitekturën e Korçës, ose po përdorte një projekt të gatshëm të zbatuar diku në Greqi. Fakt është që kur do jepej leja e ndërtimit, disa nga ne arkitektët ngritëm shqetësimin për vëllimin dhe mospërputhjen me arkitekturën e Korçës.  Në një takim të ngushtë me kryepeshkopin Janullatos, ku merrnin pjesë disa arkitektë dhe inxhinierë unë e theksova këtë fakt, por dukej që Janullatos edhe pse me njohuri nga arkitektura ishte më I interesuar si administrator, që projekti të merrete udhë dhe të fillonte zbatimi. Katedralja për mendimin tim të asaj kohe ishte një ndërtim pa elegancë, i proporcionuar jo bukur dhe mbi të gjitha që nuk të kujtonte asgjë të Korçës. Do kisha parapëlqyer diçka më moderne, më pak pompoze dhe shembuj të tillë ka shumë në arkitekturën e kishave ortodokse të shekullit të XX.

(vijon)

Tuesday 8 February 2022

Buzëqershia (Bocca di rosa - Fabrizio De Andre)

E thërrisnin Buzëqershia

Mbi dashurinë, mbi dashurinë

E thërrisnin Buzëqershia

S’vinte më lart se dashuria.

 

Posa zbriti nga ekspresi

Në Sant’ Ilario, i njohur katund

Që nuk ishte një misionare

Kjo dukej sheshit, pa shumë mund

 

Kush dashurin’ e bën nga zori

Një tjetër e zgjedh si profesion

Buzëqershia si askush tjetër

E bënte se e kishte pasion.

 

I shkreti pasion shpesh të shpie

Të bësh dashuri pa u menduar

Pa ditur nëse bashkëfajtori

Eshtë beqar a i martuar.

 

Kështu ndërsa ditët shkonin varg

Buzëqershia ndaj vetes kthyer

Tërbimin fatal të qenushkave

Që kockën ju kanë rrëmbyer.

 

Dihet që bashkëshortet fshatare

Nuk shquhen nisma për të marrë,

Deri diku e kishin të mjaftë

Të mërmërisnin duke sharë.

 

Por ka dhe njerëz me plot këshilla

Që ndjehen si Krishti në tempull

Por ka dhe njerëz me plot këshilla

Nuk të lenë të jesh i keq shembull.

 

Kështu një plakë e pamartuar

Pa fëmijë, kurrë dashuruar

Mori mundimin, me plot dëshirë

Kujtdo t’i japë këshillë të mirë.

 

Kështu u tha në sy brinjareve

Duke zgjedhur saktë mes fjalëve:

“T’ju marrin burrat nuk jini suta

Cilësohet krim nga Kushtetuta!”

 

U nisën të gjitha n’komisariat

Dhe  ja plasën atje pa zor:

“Ajo bushtra ka më shumë klientë

Se sa një dyqan ushqimor.”

 

Ndaj u nisën katër xhandarë

Në kokë xhufkë, xhufkë në kokë,

Kështu arritën katër xhandarë,

Me xhufkë n’kokë dhe me armë.

 

Shpesh policët dhe karabinierët

Nuk bëjnë detyrën në terren,

Po jo kur kanë veshjen e ceremonive

Ndaj e përcollën shpejt me tren.

 

Në stacion ishin mbledhur të gjithë

Nga komisari der’ në kishtari,

Në stacion që të gjithë ishin,

Me sytë e skuqur prej të qari.

 

Të përcillnin kë për pak kohë

Pa u shtirur, pa qënë pa mëkat,

Të përcillnin kë për pak kohë

Shumë dashuri solli në fshat.

 

Mbanin dhe një parullë të verdhë

Me gërma të theksuara në të zi:

“Vetëm me ty vjen pranvera

Rrugë të mbarë Buzëqershi!”

 

Por një ngjarje kaq origjinale

Nuk ka nevojë për të tv-s kanale

Si një shigjetë çan përmes resh,

Gojë më gojë, e vesh më vesh,

 

Kështu që në stacionin mbrritës

Mbledhur më shumë se në të nisjes,

Dikush me lule, kush puthje në erë,

Kush zënë rradhë vetëm për njëherë,

 

Madje dhe famulltari nuk e përbuz

Mes mëshirës dhe të pagëzimit rit

Të përhershmen bukuri që ka në buz’

Në procesionin e ardhshëm e do ngjit’.

 

Dhe me Shën Mërinë në krye,

Buzëqershinë jo larg të shtyrë

Tej e përtej do i bien fshatit

Dashuri’ e shenjtë dhe e ndyrë.