Thursday 20 July 2017

Histeria e Kimetes na dëmton të gjithëve


Qëlloi që lexova një shkrim të Kimete Berishës, ku i përvishej Mero Bazes për çështjen e plazhit dhe patriotizmit. Mbase nuk do e kisha lexuar, po të mos ishte komenti i portalit syri,al “…Kimete Berisha degjeneron Mero Bazen, me një profil të zi”. Gjuha e ashpër e saj më në disa shkrime të kaluara më duket se ja ul vlerat si grua dhe gazetare. Por kureshtja për të parë “një profil të zi të Mero Bazes” më tundoi dhe i shkova shkrimit deri në fund.
Mbeta i shtangur!
“C’paska shkruar Meroja kundër kosovarëve, që ka ndjellë këtë vrer patriotik dhe antipatriotik të Kimetes?!”- mendova. Atëhere hyra në faqen online të tema.al, ku zakonisht i ka Bazeja shkrimet e tij të goditura bashkë me ato tendenciozet dhe lexova shkrimin “Mos ejani për patriotizëm në plazhet tona!”
Shkrim shumë i ekulibruar, që spjegonte dhe komentonte një dukuri të rritjes së turizmit në Shqipëri dhe rolit, që luajnë pushuesit kosovarë me të mirat dhe ndonjë kusur të tyre.
Po ç’farë e kishte tërbuar Kimeten, që i sulej Bazes dhe nuk i linte kusur, të paktën për ndonjë shkrim kundër tij në vitet, që do vijnë?
Ndarja në kosovarë dhe shqiptarë?
Ndoshta. Dhe është e mira, që të gjithë të jenë të kujdesshëm, kur bëjnë të tilla përcaktime.
Por këtë “dasi” e thekson shumë herë më shumë Kimetja në përgjigjen e saj histerike.
Atje theksohet se kosovarët jo vetëm janë më patriotë se shqiptarët, por edhe më të pasur dhe më të përparuar. Nuk di nëse kjo është e vërtetë, por edhe nëse është kujt i vlen, që t’i përplaset në fytyrë?
Ne të gjithë jemi këta shqiptarë, që jemi me të mirat e të metat tona(këto të fundit sikur po na shtohen bile) dhe duke sulmuar njëri tjetrin nuk i bëjmë dobi vetes. Vërtet, që mund të ketë edhe tek shqiptarë të caktuar qëndrime jo pozitive ndaj kosovarëve dhe anasjelltas, por kjo ndodh edhe në Itali mes krahinave, edhe në Gjermani mes landeve, edhe në Zvicër mes kantoneve. Veç të tjerët nuk lejojnë të tilla qëndrime injorante dhe vulgare të dalin në shtyp. Quhen “politikisht jokorrekt” dhe dënohen.
Në të kundërt Kimetja, vetëm sa ju fryn të tillave qëndrime të pjesëve të panxëna të të dy anëve të kufirit me një gjuhë të denjë për racistët. Duke fyer shqiptarët dhe kosovarët njëkohësisht. Duke I dëmtuar të gjithë.
Dhe e përsëris është gjuhë raciste, se edhe pse në dukje i drejtohet Bazes, në të ka elementë të krahasimit, të superioritetit dhe inferioritetit midis shqiptarëve, që hë për hë jetojnë në dy shtete të ndryshëm.
Për fatin tonë të mirë apo të keq, të dy palët jemi të varfër po njëlloj dhe kjo jo për faj të Meros apo Kimetes.
Por po të kishim diferencat ekonomike të gjermanëve perëndimorë dhe lindorë pas bashkimit, çfarë do klithnin Kimetet?

Më trondit po ta shkoj nëpër mend.

Wednesday 19 July 2017

Drithë në Drogas


Ngjan me një “déjà vu” të tipit ballkanas. Përsëritjet janë ose të përmbysura ose të pakuptimta.
Fshatrat me emrin Drithas në Shqipëri janë një dukuri e pasluftës së Dytë Botërore. Ishin ose fshatra me emra sllavë, ose të krijuara mbi kënetat e tharra dhe komunistët ose për nacionalizëm të rremë, ose për të theksuar domosdoshmërinë e “sigurimit të bukës në vend”, i quanin Drithas.
Pasi kishin shkatërruar blegtorinë, degën bazë të ekonomisë shqiptare të disa shekujve, ata eksperimentuan me sipërfaqe kolosale në grurë, pambuk, misër dhe më vonë me prishjen e kullotave dhe shpyllëzimin e kodrave nën parrullën “T’ju ngjitemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat” mbollën pafund patate.
Rrjedhojat ishin : Një sihariq i madh më 1976 “Shqipëria për herë të parë e siguron gjithë bukën në vend.”, dhe tallona për gjalpë, mish, vezë dhe djathë. Deri në falimentim.
Sa më tepër duam të largohemi dhe ta harrojmë atë kohë, aq më shumë qeveritarët tanë na e sjellin pranë me amatorizmin në qeverisje, mungesën e përgjegjësisë dhe përfshirjen në krim.
Nuk ka asnjë strategji afatfjatë  se cilat duhet  të jenë shtyllat e ekonomisë shqiptare.
Megjithëse flitet shpesh për ushqime pa vlerë, ose të dëmshme, që po vrasin ngadalë popullsinë shqiptare, nuk duket asnjë masë qeverisëse në ndihmë të bujqësisë dhe blegtorisë.
Sidomos kjo e fundit, që mund të siguronte edhe eksporte të mira të prodhimeve organike, duket se është lënë në mëshirë të fatit sikundër gjatë viteve të Diktaturës.
Mbi të gjitha, fshatarët janë “inkurajuar” të mbjellin kanabis në fusha, kodra dhe male, sepse kjo bimë është “rentabël” për ta dhe më shumë akoma për kriminelët e nëndheut dhe të mbidheut.
Për ç’reforma në katër vitet, që shkuan, bëjnë fjalë mbështetësit e Ramës?
Reformën e kthimit të bujqësisë në “mbjellje bimësh mjekësore”?
Nëse absurditeti i drithrave të Enver Hoxhës, që donte të ishte I patundur në fronin e tij të sundimtarit është një marrëzi mizore, absurditeti I kultivimit të kanabisit me bekimin e politikës për të mbajtur Rama fronin e kryeministrit, është një poshtërsi tragjikisht kriminale. Më mirë do zgjidhnim drithin dhe barin, se sa kanabisin çudibërës dhe vrasës.
Më mirë fshati i quajtur Drithas se sa të quhet Drogas.
Politikanët kanë premtuar se problemi i drogës zgjidhet për 100 ditë.
Rama po i bie gjoksit se me Xhafajn në krye të Ministrisë të Brendëshme do e shkatërrojë shumë shpejt.
Po a mund të bëhen kaq shpejt ndryshimet në “ekonomi”?
Prej kohës së parave të drogës, që hynin në Shqipëri e më vonë me Lazaratin e tashmë me sipërfaqet e mëdha të mbjella, droga dhe të ardhurat e saj janë bërë  “shtyllë‘ e ekonomisë shqiptare.
Nuk përbën më lajm nëse kapet drogë në Drithas.
Nëse do gjendet në të ardhmen drithë në Drogas, kjo po që do jetë lajm.


Monday 17 July 2017

Pandi Raidhi, aktori i lindur

Shkas për këtë shkrim, u bë një shkrim i një vajze të re, në portali Konica.al. Eshtë e vështirë të shkruash për njerëzit, që i ke njohur pak ose aspak edhe sikur të kesh parë apo lexuar gjithë veprat e tyre. Ndoshta ndonjë aktor i talentuar i teatrit të Korçës apo regjisor i Kinodtudios mund të jepte atë ç’ka ishte esenciale për një aktor të kalibrit të madh si Pandi.
Ne i përkasim një brezi, që u rritëm me idenë, që Pandi ishte aktori më me humor i Korçës dhe ndoshta i gjithë Shqipërisë. Në qytet flitej shpesh për rolet e tij komike në teatër, monologjet, batutat e sajuara në skenë dhe të tjera situate komike të zgjidhura me intuitë dhe mjeshtëri. Në një shfaqje të fillimit të viteve ’60 në kinema “Morava” gjatë një monologu i kishte rënë hunda prej parafine dhe ndërsa salla qeshte batuta e Pandit “Me këtë të ftohtë të bijen edhe veshët dhe jo vetëm hunda!” kishte bërë, që të gjithë të shpërthenin në një gaz të papërmbajtshëm.
Pandi Raidhi kishte të gjitha cilësitë, që duhet të ketë një aktor i kompletuar. Paraqitje skenike, zë të plotë dhe të qartë, sy ekspresivë dhe trup atleti. Kishte luajtur edhe me ekipin e parë të futbollit të “Skënderbeut” dhe kishte qënë edhe kampion i Shqipërisë në zbritje të lirë me ski. Të tilla cilësi që e ndihmojnë aktorin rrallë i gjen edhe në artistët e famshëm botërorë. Ndaj kishte mundësi të luante role të ndryshme, që kërkonin edhe ngarkesa të mëdha fizike si në teatër ashtu edhe në kinema. Këndonte bukur dhe dinte edhe të luante në kitarë. Kishte patur role kryesore edhe në operetat “Agimi”, “Së bashku jeta është këngë“ dhe “Brigadierja”, ku duhej të këndonte shumë mirë. Dhe kishte kënduar shumë mirë. Kishte sjellë edhe në to, energjinë pozitive, që sillte zakonisht në skenë dhe në film.
Pandi ishte jeta në kuptimin e pastër dhe gati fëminor të saj. Pozitiv, pa brenga. Tronditej kur dëgjonte se kishte vdekur njeri edhe sikur ai, që kishte ndruar jetë të ishte i moshuar. I pëlqente jeta në plotërinë e saj, me ushqimin, pijet, muhabetet e çiltra dhe shakatë. Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë të ankohej dhe nuk besoj se kanë qënë të shumtë ata, që e kanë dëgjuar të ankohej.
Sigurisht, që talenti i lindur nuk mjaftonte për ta bërë aktor të madh. Kishte mësuar shumë nga Sokrat Mioja, Pandi Stilloja dhe Pirro Mani. Prej tyre kishte nxënë jo vetëm si të lëvizte më mirë në skenë, si të ushtrohej pët të bërë më të qartë diksionin, si të hidhte batutat, që të dëgjoheshin deri në fund të galerisë, por edhe si të studionte për karakteret, që do luante. Në një nga rolet më të arritura të tij në teatër, atë të Thanasit në “Hijet e natës”, ishte munduar të gjendte në qytet dikë, që mund të imitonte dhe t’i përshtatej rolit. E kishte gjetur dhe kishte marrë esencën e tij dhe e pat sjellë me art në skenë. Kështu edhe në plot role të tjerë.
Teatri i asaj kohe, me numurin e pakët të premierave dhe gamën e kufizuar, nuk krijonte dot hapësira të mjaftueshme për një artist si Pandi Raidhi. Për fat të mirë, Kinostudioja filloi të rriste numurin e filmave dhe pasi shkëlqeu në “Horizontet e hapura” krahas Sandër Prosit dhe Nikolin Xhojës, Pandin filluan ta thërrisnin gjithnjë e më shpesh për role karakteresh në filma. Atëhere spikati edhe një cilësi e re e aktorit – “E donte kamera”. Jo të gjithë aktorët e mirë të teatrit e kanë të lindur këtë cilësi. Pandi e kishte. Përveç Viktor Gjikës, që  e kërkonte gjithmonë, filluan ta kërkonin edhe të tjerë. Rolet e tij në “Yjet e netëve të gjata”, “Përballimi”, “Krevati i Perandorit”, “Zonja nga Qyteti” mbetën të paharrueshëm. Mbi të gjitha, Pandi shkëlqeu në një film të Dhimitër Anagnostit të quajtur “Monumenti”. jo shumë i njohur nga publiku i gjerë për shkak të metrazhit të shkurtër. I gjithë filmi ishte një interpretim mjeshtëror dhe shumë i ndryshëm nga role të tjera të tij.
Ka pasur diskutime, nëse Pandi Raidhi ishte aktor komik apo aktor i një profile të caktuar.
Unë pajtohem me mendimin, që ai ishte një aktor i lindur, dhe që mund të luante çdo lloj roli edhe pse pak ishte i provuar në role negative. Si aktorët e tjerë të brezit të tij, e kishte mësuar mjeshtërinë edhe duke ndjekur me vëmendje interpretimet në filmat e Hollivudit apo ato europiane, të më të mëdhenjve si Klark Gejbëll, Zhan Gabën, Geri Kuper e të tjerë. Mbi të gjithë veçonte Spenser Trejsin. Mund të luante nëse do kishte mundësitë edhe si ai. Stereotipizmi i disa aktorëve të asaj kohe vinte edhe nga kufizimi i pjesëve. Për një kohë të gjatë, aktorët ishin të detyruar të luanin vetëm pjesë shqiptare dhe si rrjedhojë aftësitë e tyre futeshin brenda “kanonesh” të caktuar.
Për Pandin njeri mund të shkruash e shkruash gjatë. Qindra njerëz që e njihnin dhe shoqëroheshin me të në rrugë, kafene, apo kur ngjitej Moravës mund të tregojnë episode nga më interesantet. Ndoshta qytetit i duhet të bëjë më pak se kaq.
Vetëm të shkruajë “Pandi Raidhi” në ballin e Teatrit të Korçës.

Sunday 16 July 2017

Opari - I pari (3)

(vijim)
Oparakët patën bërë herët kurbet, por kryesisht brenda kufijve të Perandorisë Otomane. Në Stamboll, Izmir, Misir, por edhe deri në Odesa, që atë kohë ishte pjesë e Perandorisë Ruse. Në Stamboll shumë familje myslimane dhe të krishtera ishin vendosur dhe kishin ngritur edhe bizneset e tyre. Të dëgjuar ishin në mesin e shekullit të XIX vëllezërit Dallamango, që ishin pronarë të therrtorve të Stambollit. Bëhej fjalë për një qytet prej 700 mijë banorësh asokohe, kur Parisi dhe Berlini nuk i kalonin 800 mijët, Viena kishte 500 mijë banorë dhe Roma më pak se 200 mijë.
Dallamangot kishin punësuar me dhjetra të rinj oparakë, që punonin si kasapë apo mbartësa në “sallahanat” në Eminëj. Të ardhurit nga Opari apo Voskopoja kishin menjëherë mbështetjen e tyre. Teka ta nisi punë stërgjyshi im Andon Mara rreth vitit 1870 dhe më 1978, nga që nuk ishte mirë me shëndet, mori nga Voskopoja ta ndihmonte edhe djalin e tij Naumin 9 vjeçar. Ende nuk ishte përfunduar hekurudha Selanik – Stamboll, që e lidhte kryeqytetin e Perandorisë me kryeqytetet e tjera europiane. Mërgimtarët shqiptarë lëviznin kryesisht me karvane nga fshatrat e tyre drejt kryeqytetit. Tek Dallamangot punonin veç Marave, Menkshit nga Kucaka, Topuzët, Vretot nga Karbanjozi, Delit dhe të tjerë oparakë. Ishte një komunitet i lidhur ngushtë, që ndihmonin njëri tjetrin. Disa prej tyre kishin hapur edhe mëngjesore ku gatuheshin paçe kormine dhe kokë të pjekura, ose si quheshin në Turqi “shqembexhihane”. Në fillimin e shekullit të XX-të thuajse të gjitha shqembexhihanat e Stambollit ishin prona të oparakëve.
Perandoria Otomane, në gjysmën e dytë të shekullit të XIX e kishte marrë të tatëpjetën dhe kurbeti i Stambollit nuk ishte kurbet, ku “mund të bëje prokopi”. E megjithatë, për shkak të numurit të madh të familjeve dhe lidhjeve të tyre, oparakët vazhduan të kërkonin punë atje edhe pas hapjes të kurbeteve të largët po fitimprurës të Amerikës, Australisë dhe Argjentinës. Ata, të cilët kishin hapur punët e tyre në Odesa, u kthyen menjëherë pas fillimit të Revolucionit të Tetorit në Rusi dhe hapën dyqane në Korçë ose emigruan në Amerikë. Me fillimin e luftrave ballkanike, Turqia nuk ishte më një “kurbet i mirë“. Të rinjtë e asaj kohe filluan të emigronin më së shumti në Amerikë.

Vitet e shumta në Stamboll kanë ndikuar edhe në karakterin e oparakëve dhe në filozofinë e tyre. Ishin tolerantë, pëlqenin të hanin mirë dhe të visheshin mirë. Njëlloj “bon vivant” në kuadrin e një shoqërie të varfër dhe jo të zhvilluar. Njerëz jo me ambicie të mëdha për të bërë karrierë, por edhe që qëndronin larg intrigave dhe meskiniteteve. Nga jeta në Stamboll, midis mbi 20 etnive të ndryshme, kishin mësuar edhe të mos ishin racistë,dhe të bashkëjetonin me njerëz të racave dhe feve të ndryshme.

(vijon) 

Friday 14 July 2017

Opari - I pari (2)

(vijim)
“Të mbajturit më të madh” ka qënë i rëndësishëm në Mesjetën e vonë dhe deri fundin e feudalizmit në Shqipëri, që nuk përputhet me revolucionin industrial si në vendet e tjera europiane, por me ardhjen në fuqi të komunistëve, sikundër ndodhi në Rusi. Tanimë është i “dalëmode” dhe në periudhën e dijes dhe internetit vlerësohet shumë më shumë të qënit i thjeshtë dhe modest. Kuptohet, që nuk kanë dalë mode të qënit “dinjitoz”, “ i ndershëm”, “i papërkulur”, “i përkushtuar”, “i drejtë“. Dhe këto oparakët i kanë pasur dhe ruajtur. Edhe kur kohët kanë qënë të vështira dhe këto cilësi ju kanë shkaktuar përndjekje, varfërim, heqje të priviligjeve.
Eshtë interesant një shkrim i Gaqo Veshit, ku përmenden shumë njerëz të shquar të lindur në Opar ose me origjinë nga Opari. Karkteristike është se janë shumë të pakët ata me karriera të bujshme qeveritare apo politike. Ka mes tyre ndërtues të shquar, piktorë, kaçakë, kompozitorë, akademikë, por thuajse asnjë vezir apo pasha, ministër të fuqishëm apo anëtar të Byrosë Politike.
Në shkrimin e sipërpërmendur më ra në sy emri i Dhosi Havjarit. Një pedagog i rreptë, që ka hedhur bazat e arsimit në Korçë dhe është nismëtar i idesë të ngritjes së Liceut Francez. 15 vjet më vonë, i biri, Nesti Havjari përfundoi shkëlqyer Liceun duke u renditur i pari i klasës. Emrat e këtyre oparakëve nga Osoja, janë tipiket e njerëzve me vullnet dhe kontribut, por që “historia” harron t’i përmendë, sepse nuk kanë dashur të bëjnë kurrë bujë.
Në të njëjtin shkrim përmendej Pandi Leço nga Karbanjozi, që kishte qënë në çetën e Sali Butkës dhe kishte shoqëruar Ismail Qemalin nga Durëësi në Vlorë në Nëntorin e vitit 1912.

Karbanjosi ka qënë gjithnjë një fshat me jo më shumë se 20 shtëpi. Tashmë ndoshta është krejtësisht i braktisur. Me Karbanjozin më lidh gjyshja ime Vasiliqi Leço, që ishte lindur në atë fshat. Nuk kam mundur ta njoh, se vdiq e re nga një meningit akut, në vitin 1941, por një portet i saj rrinte gjithnjë në dhomën e pritjes dhe më dukej sikur e kisha njohur, ashtu të heshtur, të krehur bukur dhe disa tipare si të mijat. Leçot ishin njerëz veçanërisht të ndershëm dhe me emër të mirë në tregëti. Kishin pasur traditë të këmbenin me Beratin dhe në dyqanin e tyre në Korçë shisnin kryesisht ullinj, vaj dhe prodhime te tjera të Oparit dhe Beratit. Nuk pata dëgjuar ndonjëherë të përmendej luftëtar-patrioti Pandi Leço, që me siguri ishte i afërm i tyre. Naum Leçoja, i gjyshi i babajt, njihej si “burri më i ndershëm i çarshisë“, por kishte qëndruar gjithmonë larg armëve dhe konfrontimeve. Nuk e ngrinte kurrë zërin dhe me të qeshur i thoshte edhe të shoqes “ A po ke gjetur ti Naum gomarë, prandaj bën!” Mbante në kokë një takije të bardhë, të cilën nuk e hoqi deri sa u largua nga kjo jetë, i qetë, i dashur dhe i pabujshëm.
(vijon)

Thursday 13 July 2017

Duçen e kemi, tani na mungojnë vetëm ”këmishëvishnjët”


Veprimi i fundit fejsbukist i keyeministrit (listat e te korruptuarve) dëshmoi atë, për të cilën flitej prej kohësh, se për të në qëndër të Universit nuk është as Europa, as Shqipëria, as Tirana, por vetëm Edi Rama pa Linda dhe pa Zaho.
Një analizë të plotë psikologjike të tij ka bërë analisti Fatos Lubonja, i cili e ka njohur nga afër Ramën, ndaj është e kotë të përsërisim të njëjtat analiza apo të përpiqemi të gjejmë kategori të tjera sëmundjesh mendore, të cilat mund t’i shkojnë për shtat.
Problemi tek ne nuk është Rama. Ai është njëra pjesë e problemit.
Pjesa tjetër më e madhja dhe më e rëndësishmja janë ata, që e kanë mbështetur dhe po e mbështesin Ramën në këtë delit totalitarist.
Këtu hyjnë partiakët e tij, mediat që e mbështesin dhe qindra e mijra përkrah[s së tij në fejsbuk.
Krijimi me kujdes i kultit të Edit nga vetë ai gjatë kohës së drejtimit të Bashkisë së Tiranës dhe sidomos gjatë këtyre 4 viteve si kryeministër me “krahasimin me Skënderbeun”, thëniet “vetëm Edi mund ta bëjë Shqipërinë“, “çuni më i mirë i Shqipërisë“, “lider i nivelit europian”, të shoqëruara edhe me deklaratat e Erdoganit, Merkelit, dekorimin nga Holland dhe vlerësimet e Vuçiç dhe Rexhep Qoses, kanë krijuar tek një pjesë e madhe e masës , që ndjek fejsbukun, të adhurojë Edi Ramën. Masat e kanë të nevojshme kur janë në krizë ekonomike dhe shoqërore të kapen pas një figure karizmatike duke ja falur të gjitha kusuret. Dhe Shqipëria ndodhet në një krizë të madhe ekonomike dhe shoqërore. Eshtë fare e lehtë të luash tani me ndjenjat e njerëzve, që nuk paguajnë dot për tu shëruar, që kanë vështirësi të gjejnë një vend pune edhe pse të diplomuar, që humbasin gjyqet nëpër gjykata edhe pse kanë të drejtë. Këtë po e bën për bukuri së fundmi kryeministri Rama.
Ndonëse me elementë populistë, që janë pararendës të diktaturave të djathta, për momentin nuk ka rrezik, që shteti shqiptar të kthehet në një shtet totalitar të tipit fashist. Dhe megjithatë optimizmi i jonë, se Bashkimi Europian do mbajë në kontroll elementët autarkikë në shtetet e vogla, që aspirojnë të jenë anëtarë të tij, duhet të jetë minimal.
Në rradhë të parë Bashkimi Europian është vetë në një krizë ekonomike dhe institucionale. Ai gjithnjë e më shumë po i ngjan një perandorie me Gjermaninë në qendër, gjë që ka sjellë rritjen e tendencave centrifugale, të cilat sollën Brexit dhe rritjen e lëvizjeve nacionaliste në Francë, Itali, Spanjë, Austri etj. Nuk dihet se si do dalë Referendumi i Katalonjës, që mund të sjellë të tjera probleme për Spanjën dhe BE-në.
Së dyti, modelet e Putin, Erdogan dhe Lukashenkos, po bëhen gjithnjë e më të pëlqyeshëm për vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore, gjë që pasqyrohet qartë tek Orban,Vuçiç dhe Rama.
Shkallëzimi i mundshëm i Kultit të Ramës, në një moment të krizës së tij qeveritare, është formimi i reparteve të simpatizuesve, të devotshëm për të mbrojtur Ramën edhe Shqipërinë me gjak, të ngjashpm me “këmishëzinjtë“ e Musolinit apo me “këmishëmurmët” e Hitlerit.
Elementë të tillë janë ndjerë, që gjatë fushatës së fundit, kur propaganda e zakonshme për elektoratin e majtë është kthyer në një propagandaë për gjithë Shqipërinë! Grupe simpatizuesish të rinj është e lehtë t’i manipulosh me “puçe antiRamë“, dhe të inkurajosh edhe “mbrojtjen me gjak të pushtetit të ligjshëm”, në një vend ku ka ende një numur të konsiderueshëm armësh individuale në qarkullim.
Ndaj nuk është e pamundur të formohen një ditë skuadrat e “këmishëvishnjëve” apo “këmishëmavive”, që mbrojnë Liderin duke qënë të bindur se ashtu mbrojnë vendin dhe të ardhmen e tyre.
Eshtë koha, që mediat dhe super të pasurit, të mos vazhdojnë të gënjejnë veten se mund ta përdorin Ramën për sa kohë t’ju duhet. Kështu menduan në Itali për Musolinin dhe në Gjermani për Hitlerin dhe u arrit në rrënimin e të dy vendeve.
Egoja e tij e pamatë duhet mbajtur brenda kushtetueshmërisë dhe institucioneve, më parë se të jetë “shumë vonë“.

Në të kundërt, mendja diabolike e egomaniakëve, sjell çudira dhe ato kurrë nuk janë të dobishme.

Wednesday 12 July 2017

Këshilla moralo – politike nga Behgjet Pacolli


Në korin e panegjiristëve të kryeministrit Rama, sot u bashkua edhe biznesmen – politikani kosovar Behgjet Pacolli.
Eshtë e natyrshme, që një njeri i suksesshëm si Pacolli të gëzohet dhe lavdërojë një njeri të suksesshëm si Edi Rama. Për më tepër kur janë miq dhe e quan edhe “vëllau im”.
Entusiazmi i tij mund të jetë i sinqertë dhe jo në këmbim të ndonjë përfitimi në biznes në Shqipëri gjatë katër viteve të ardhme.
Behgjeti jo vetëm entusiazmohet nga paraqitja e shkëlqyer e Ramës në takimin e Stambollit dhe atë të Triestes (veç përgëzimit nga Merkel dhe fotos duke treguar anekdota me Erdoganin nuk duket asgjë e shkëlqyer e Ramës në këto dy takime), por sidomos nga sjellja politike e tij e para dhe e pas fushatës. Në mënyrë të veçantë nga “ndarja e pushtetit” me opozitën, gjë të cilën politikani Pacolli ja u këshillon politikanëve kosovarë.
Duhet thënë, që Rama jo vetëm nuk ka ndarë ndonjë pushtet me opozitën, por është edhe përgjegjësi kryesor për tejzgjatjen e “krizës së çadrës”. “Marëveshja e minutës së fundit” mund të ishte bërë muaj më parë dhe të mos kishte larguar nga vendi dhjetra investitorë të huaj, por këtë Pacolli e harron jo pa qëllim.
Për më tepër ai i sugjeron edhe Ramës të vazhdojë “të ndajë“ pushtetin me opozitën, nga e cila sipas Behgjetit, do përfitojë Shqipëria, se do dobësohen partitë politike dhe do forcohen institucionet dhe ndërmarësia?!
Ndoshta Behgjet Pacolli dëshëron, që peisazhi politik shqiptar t’i ngjajë atij të Kazakistanit, ku miku i tij Nursulltan Nazarbajev është në sundim të plotë dhe ku çdo gjë bëhet sipas lëvizjes së gishtit të Nursulltanit. Edhe miku i tij Rama, me të cilin Behgjeti kishte bërë një selfije patetike pikërisht në një nga objektet e Nursulltanit disa vjet më parë është plotësisht i prirur të sundojë alla-sulltançe. Po a është kjo në të mirë të Shqipërisë dhe Kosovës?
Rama ka ditur ta miklojë biznesmenin kosovar, që në kohën kur nuk ka qënë kryeministër. 5-6 vite më parë, me porosinë e tij, kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Korçës Niko Peleshi e shpalli Behgjet Pacollin “Qytetar nderi “ të Korçs përpos kundërshtimit të disa këshilltarëve të bashkisë dhe të mungesësë së plotë të lidhjes së Pacollit me Korçën. I duhej kjo Behgjetit për të përmirësuar imazhin e tij të njollosur nga hetimet për korrupsion me Boris Jelcin apo për përfoljet për të njëjtën gjë në Kazakistan dhe Uzbekistan, këtë mund ta thotë vetëm Pacolli. Ajo, që dihet mirë nga kosovarët dhe një pjesë e shqiptarëve është, që Behgjet Pacolli operon duke dhënë rryshfete të majme.
Entusiazmi i tij për Ramën mund të jetë i ndjerë(nuk di sa ndjen mendja e biznesmenit kalkulues), por këshillat e tij për kosovarët dhe shqiptarët janë të dëmshme.
Shqipërisë sot, më shumë se kurrë i duhet demokratizim, parti të forta dhe të demokratizuara, opozitë e drejtë dhe pa kompromis.

Natyrisht në një atmosferë të tillë politike është shumë e vështirë për të punuar ata, që janë mësuar të japin dhe marrin rryshfete.

Opari – I pari


Kjo është shrehje që e përdorin oparakët për tu ndjerë “superiorë“ ndaj të tjerëve ashtu si kanë shprehje të ngjashme kolonjarët, vakëfllinjtë, lebërit, devollinjtë e të tjerë shqipo të trevave ku flitet gjuha jonë dhe ku vendasit nuk mund të jenë veçse më trimat, më të kënduarit dhe më të mënçurit.
Unë u mësova që në fëmijri me idenë, që “jemi oparakë“, bile tamam oparakë nga Dushari edhe pse babai nuk kishte qënë ndonjëherë në Dushar deri në vitin 1968. Kisha dëgjuar prej tij për Dusharin vetëm vargjet: “Aferim të qoftë Mehmet i Dusharit/ Vrave File Ziken në mes të Pazarit”. Nuk di nëse im atë i kishte dëgjuar edhe vetë gjatë fëmijërisë në Stamboll, apo pasi ishin kthyer në Shqipëri. Deri vonë nuk dija se ç’kishte qënë Mehmeti i Dusharit dhe as sot nuk di se kush ishte File Zikeja.
Verën e vitit 1968, im atë shkoi dy javë në një brigadë kulturale në disa fshatra të Oparit dhe u kthye nga Dushari me kënaqësinë, se Marat jo vetëm ishin nga Dushari, por në fshat kishte edhe disa toponime, si “Kroi i Maras”, “Ara e Marave”. Dukej i bindur, që jo vetëm ishim oparakë, por edhe “oparakë jo dosido”. Nuk e kishte zakon të mburrej, por i pëlqente të krenohej për të jatin dhe parardhësit e tjerë tanët.
Kështu edhe unë jam “bias”(i njëanshëm), kur flitet për oparakët. Jam i prirur të gjej vetëm të mirën, bujaren, të drejtën dhe ndoshta edhe të lavdishmen me ta.
Ka pasur diçka, që më ka bërë përshtypje për zonën e Oparit edhe pse duhet të them të drejtën, që nuk e kam shkelur të gjithën dhe di shumë pak nga historia e saj.
Thuajse të gjitha fshatrat, në dallim nga krahinat përreth, kanë emra shqip. Të tillë janë Lekas, Tudas, Xerja, Gjonbabas, Marjan, Gurrëmujas, Denas, Misras dhe mbi të gjithë, një fshat me emër të pëlqyeshëm edhe për Diktaturën – Punëmirë. Nuk e kam të qartë, se pse në këtë “ishull malor”, shumica e fshatrave kishin emra shqip, kur edhe në Vakëfet, apo në Gramsh e Skrapar, që i rrethojnë, ka shumë toponime sllave. Janë fshatra më të hershëm a më të vonshëm, janë ngulime shqiptarësh të përndjekur apo fanatikë të shqipes, ndoshta do e zbuloj gradualisht, ndërsa shkruaj për krahinën ku kanë rrënjët të parët e mij.

Oparakët janë malësorë, se janë lindur e rritur mes maleve dhe si gjithë malësorët në Ballkan dhe Europë “mbahen në të madh”. Disa e quajnë këtë krenari, integritet, dinjitet, megallomani, fodullëk por unë po e quaj thjesht “të mbajtur në të madh”. Ndoshta mund të ketë studime të plota psikologjike, antropologjike, ekonomiko-shoqërore, se pse malësorët në përgjithësi kujtojnë se janë “të rëndësishëm”, por duke mbajtur një kornizë të thjeshtë për këtë shkrim, unë po mjaftohem me kaq.
(vijon)

Tuesday 11 July 2017

Turqia dhe ermenët e Shqipërisë


Në Shqipëri ka pasur më shumë familje ermene se çifute para Luftës së Dytë Botërore. Ashtu si dhe familjet e etnive të tjera, ermenët e ardhur më së shumti pas genocidit turk, gjetën në Shqipëri një atmosferë mikpritjeje dhe paqeje. Pjesa më e madhe e tyre u vendosën në qytetet pranë bregut si Durrësi dhe Vlora, por pati të tjerë, që u vendosën në Tiranë, Shkodër dhe Korçë.
Thuajse të gjithë patën qënë të suksesshëm në biznes dhe zeje dhe pjesa më e madhe e fëmijëve të tyre u shkolluan dhe patën karriera të suksesshme profesionale. Në fushën e artit shkëlqyen Haig Zaharian dhe Anisa Markarian, por edhe shumë të tjerë në fusha të shkencës dhe industrisë .Komuniteti ermen nuk është asimiluar, por ka qënë thellësisht i integruar dhe i përzjerë me shqiptarët nëpërmjet martesave.
Ka një pikë shumë të rëndësishme të këtij komuniteti, që në Shqipëri lihet pa të drejtë në heshtje edhe pse interesat tona kombëtare e kërkojnë, që të përmendet dhe është “njohja e genocidit turk ndaj ermenëve”. Ka qënë problem shumë i mprehtë në politikën e Francës, Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, shtete, që gradualisht në këtë mijëvjeçar miratuan ligjet ose rezolutat për njohjen e genocidit ndaj popullsisë ermene nga Turqia. Janë thuajse të gjithë shtetet kryesore europiane dhe të Amerikës, që kanë të njëjtin qëndrim, duke përfshirë këtu edhe shtetin e Vatikanit, politika e jashtme e të cilit përputhet shumë më interesat kombëtare të Shqipërisë.
Tek ne kjo çështje nuk ngrihet kurrë nga politikanët, por veç përmendet herë herë në media. Për më tepër tani, pas një afrimi të pazakontë të Edi Ramës me Rexhep Erdoganin, çështja e genocididit të sipërpërmendur mund të kthehet në “tabu”.
Por përse interesi i Shqipërisë e do , që politika mos heshtë ndaj çështjes ermene?
Nuk është vetëm detyrimi , që çdo shtet ka ndaj komuniteteve brenda tij, që në këtë rast është vërtet jo i madh në numur, por jo pa kontribut në shoqërinë shqiptare.
Në rast se do kërkosh, që të dënohet genocidi serb ndaj kosovarëve dhe ai grek ndaj çamëve, duhet të mos heshtësh për genocide të përmasave më të mëdha dhe që kanë ndodhur në një perandori, ku kemi qënë pjesë jo më larg se dy-tre vjet nga koha kur ka ndodhur.
Për më tepër, në politikë dhe në diplomaci ka “simetri”. Nuk mundet të kërkosh solidaritet nga të tjerët, kur nuk je solidar me ata, që e kanë pësuar si ti.
Cështja vërtet nuk është krejtësisht e thjeshtë, por për problemet e Ballkanit dhe të ish Perandorisë turke nuk mund të kujtohemi vetëm kur na i kërkon Bashkimi Europian.
Edhe nëse nuk duam të kemi “damkën” e “bashkëqeverisësve” të Perandorisë Otomane, kartë , që luhet jo rrallë nga fqinjët tanë, por të rreshtohemi në rradhën e viktimave, duhet ta shprehim këtë me zë të lartë.

Edhe sikur të na rrezikohet aeroporti i Vlorës apo të tjera”dhurata” të “sulltanit Erdogan”, që duket se po bën përpjekje të kthehet në një “Babë“ i ri i trojeve ku jetojnë shqiptarët.

Monday 10 July 2017

Tregona edhe njëherë atë të Nastradinit në Qafë-Thanë!


Duket, që Edi Rama, gjatë vizitave të shumta në Turqi, mes anekdotave i ka treguar edhe të famshmen shqiëptare, të Nastradinit kur arriti në Qafën e Thanës, u zbyth pasi pa që Qafthanistët (Domosdovakë, Linakë apo Prenjasakë) ishin më të zgjuar se ai dhe i ra gomarit dhe e ktheu rrugën duke thënë atë shprehjen e famshme shqiptare “ Këtu i thonë Qafë e Thanës ose p…. i s’amës!”
Sigurisht, që anekdota është e ujdisur, se Nastradini nuk ka se si të jetë kuturisur deri pranë liqenit të Ohrit, kur atë rrugë nuk e kishin marrë ende ushtritë turke. Në kohën e tij, osmanllinjtë nuk e kishin kaluar ngushticën e Dardaneleve. E megjithatë gjatë 500 vjetëve tona nën turqit, Nastradini, sikundër në gjithë Ballkanin dhe Lindjen e Mesme ishte një nga figurat më popullore. Eshtë e kuptueshme që është përdorur si etalon zgjuarsie, dinakërie dhe mashtrimi nga shqiptarët , që rrinë rrotull Qafë Thanës edhe pse në anekdotë nuk përcaktohet nëse Hoxha i famshëm do shkonte drejt Pogradecit, Elbasanit apo Strugës.
Nuk di nëse Rama e ka treguar në shqip dhe Erdoganit ja kanë përkthyer, ose e ka rrëfyer në anglisht me atë humorin e tij anglez, por fakti është, që Rexhep Taipi është gajasur, ndaj dhe në takimin e naftës i ka kërkuar Edit t’ja u tregojë edhe të ftuarve të tjerë.
Në takimet midis krerëve të vendeve, edhe “diplomacia e humorit” bën shumë punë dhe Rama është më “Nastradini” për këtë mes ballkanasve të tjerë.
Por mos ndoshta Rexhep Taipi, që nuk është aspak tuhaf, do që Rama t’ju dëshmojë vetë të ftuarve, se ku i ka rrënjët “nastradinllëku” i tij?
Mua nuk më shqetëson as marëdhënia e Ramës me Erdoganin dhe as të qënit i tij “Nastradin”.

Jam i shqetësuar se nuk e di cili është gomari, të  cilit i ka hipur Edi Rama.

Përse nuk duhet ndikuar në “tregun” elektoral


( Shenim per foton- Hitleri me Partine e tij Nacional Socialiste i fitoi zgjedhjet ne Gjermani ne menyre demokratike duke premtuar gjithshka per Popullin dhe Gjermanine. Ngjashmeria e Putin, Erdogan, Duertes me te nuk eshte krejt e rastit. Ata- dhe te tjere-enderrojne te jene si Hitleri. Qoftelarg nuk kane te njejten enderr keta tanet!)

Dua të sqaroj në fillim, se me shprehjen “treg elektoral” nuk cilësoj “tregun e votave”, ku blihen dhe shiten votat e votuesve të thjeshtë gjatë ditëve të zgjedhjeve dhe as “shitblerjen” e votive të deputetëve për një ligji të caktuar, apo kalimin e tyre në një parti tjetër.
“Treg elektoral” po quaj të gjithë procesin politik të formimit të partive, shtimin apo pakësimin  e antarëve të tyre, zgjedhjet e forumeve drejtuese dhe kryetarëve.
Më duket se për vetë gjendjen e tre partive kryesore shqiptare, mediat e pavarura dhe gazetarët e tyre duhet të merren më pak me “analizat” dhe “tifozllëqet” dhe të përqëndrohen në kronikën dhe përcjelljen e ngjarjeve. Gazetat e partive dhe portalet e lidhura ngushtë me to le të bëjnë propagandimin e njërit apo tjetrit grup. Të tjerët me impenjimin e tyre maksimal, që vërehet gjatë këtyre ditëve, vetëm sa e turbullojnë shikuesin dhe lezuesin anëtar partie dhe më shumë akoma, atë, që nuk bën pjesë në asnjë parti.
Ne nuk kemi parti me karakter demokratik.
Kemi dy “reparte ushtarake” dhe një “repart ushtarak familiar”.
Përse duhet lodhur socialisti, demokrati apo integruesi me gjepurat e “filan intrige”, “kësisoj deklarate”, “ky postim ne FB” e të tjera si këto?
Detyra e pushtetit të katërt nuk është të krijojë mjegull, por të informojë dhe të shohë edhe dukuritë thellë ngjarjeve në Shqipëri.
“Timonieri” i PS-së, kontrollon plotësisht “divizionin” e tij dhe asgjë nuk bëhet pa lëvizjen e gishtit të tij brenda partisë.
Në PD, kryetari po rreket të mbahet pas postit dhe për këtë shpiken gjithfarë teorish, nga vjedhja e votave, në mungesën e një kandidati tjetër të aftë, në “puçet” e kundërshtarëve etj. etj. Cila është dobia e analizës të debatit të Këlliçit me Salianjin? Cilin demokrat apo simpatizues të së djathtës ndihmon kjo?
Farsa brenda LSI-së në vend , që të demaskohet si forma më antidemokratike e një grupimi politik, komentohet me lujle e lajle, me deklarata të egra të Kokëmadhit ndaj Ramës apo të tjera si këto.
Mediat duhet të bashkohen në një gjë të vetme dhe të rëndësishme, që është “Demokracia shqiptare është në rrezik, për shkak çdemokratizimit të partive politike”. Duket si një slogan i fryrë, por është në themel të problemeve të mëdha, që ka vendi.
Ndaj ajo ç’ka ndodh brenda partive duhet të pasqyrohet shumë më cekët dhe të “lejohet tregu të veprojë me ligjet e tij të “kërkesë ofertës””.
Në këto momente, Partia Socialiste ju ofron të rinjve “një rekrutim në divizionin e Ramës”.
Partia Demokratike nuk ka ende ç’tju ofrojë se duket e çorganizuar.
LSI-ja nuk mund t’ju ofrojë më punësime, por mund t’i mashtrojë me një rikthim në krye të së Majtës pas katër vitesh.
Kjo është ajo, që gazetarët duhet t’i bëjnë të qartë shikuesve dhe lexuesve.

Të tjerat duhet të pasqyrohen vetëm në rubrikat e “thashethemeve politike” sepse nuk kanë asnjë substancë.

Sunday 9 July 2017

Vali Dinella – Një portret i paautorizuar


Vali ishte e famshme para se të merrte mbiemrin Dinella. Ishte “shyterja” më e mirë e ekipit të “Studentit” dhe njihej si Valentina Foto. Kur “Studenti” shkëlqente në volejbollin për femra, ende nuk kishte dalë “Dinamo” e Kreshnik Tartarit, “Skënderbeu” nën drejtimin e Pandi Gëllçit posa kishte marrë një kupë dhe Farie Hoti me Tiranën e saj dominonin volejbollin shqiptar.
Vali Fotoja ishte e talentuar, e fuqishme dhe serioze. Luante me të njëjtin impenjim edhe kundër ekipit të qytetit të saj. Simpatike, me flokë të shkurtra, me një trup të shkëlqyer dhe me një qëndrim shembullor në fushë ndaj kundërshtareve dhe gjyqtarëve. Kështu e kujtoj në disa ndeshje në stadiumin “Skënderbeu”, ku krahas Sasha Azemit dhe të tjerave na kishin mundur. Ishte jo vetëm sulmuese ndër më të mirat në Shqipëri, por luante shkëlqyer në rrjetë dhe në vijën e dytë. Vendin në kombëtaren e Shqipërisë e kishte të siguruar.
Sportdashësit korçarë prisnin të mbaronte studimet dhe të kthehej me “Skënderbeun”, që me Dhorkë Koçon në krye ishte rivali tjetër i “17 Nëntorit”.
Historia e kthimit të Valit në Korçë ishte pak e komplikuar. Sa ishin fejuar me portierin e kombëtares, Koço Dinellën, që në ato vite ishte portiere më i mirë shqiptar. “Studenti” nuk lejonte largimin e saj dhe po njëlloj, “Dinamo” nuk deshte të jepte transfertën për Koçon. Telefonatat dhe shkresat ndërmjet administratave të asaj kohe, për të dy sportiestët duhet të kenë qënë pafund.
Vali erdhi në Korçë, tashmë si Vali Dinella dhe fillloi të luajë me “Skënderbeun”, që po kthehej në një ekip të kompletuar, pretendent kryesor për titullin kampion. Po rritej “ylli” i volejbollit shqiptar, Tamara Nikolla, që dukej se ndiqte shembullin e Valit për përkushtimin në stërvitje, seriozitetin dhe karakterin e saj.
Ishin në të njëjtin ekip dy sportiste model dhe njëkohësisht gra të përsosura.
Karriera e Valit në “Skënderbeu” nuk zgjati sa prisnin sportdashësit korçarë. Pengu i tërheqjes edhe pse nuk e shprehte, dallohej lehtë tek Vali. Volejbolli kishte qënë shumë i rëndësishëm për të. Vazhdonte të ndiqte ndeshjet e ekipit nga shkallët e Këndit Sportiv dhe më vonë nga ato të Pallatit të Sportit duke përjetuar të njëjtat emocione si të vajzave në fushë.
Kur hymë në shkollën e mesme “Themistokli Gërmenji”, Vali nuk luante më, por kishte të njëjtën formë fizike dhe nuk kishte djem e vajza gjimnaziste ta mposhtnin në volejboll.
Ne nuk e kishim mësuese, se ju bënte edukatë fizike vetëm vajzave. E megjithatë i druheshim dhe e donim. Gëzonte respektin e gjithë shkollës dhe njëkohësisht nuk ja bënte njeri fjalën dy. Zaten nuk fliste shumë dhe asnjëherë nuk fliste pa menduar thellë. Dy mësuesit tanë të fiskulturës, Maqo Kostallari dhe Vali Dinella kishin më shumë autoritet se drejtori dhe nëndrejtorët e shkollës. Jepnin dashuri, këshilla, përkujdesje dhe si rrjedhim i donim dhe i respektonim.
Flisnim me të edhe për jetën, për rëndësinë e përkushtimit, vullnetit, mënçurisë dhe të qënit të drejtë.
Vite më vonë, kur isha miqësuar prej saj me Koçon, e njoha edhe më mirë, në cilësitë njerëzore të besnikërisë, drejtësisë dhe seriozitetit. Studentët e Universitetit të Korçës besoj se kanë pasur fatin për një kohë të gjatë të kenë përfituar nga këshillat e saj, në një moshë delikate dhe të rëndësishme të jetës së tyre.
Nuk di dhe në do m’i falë këto paragrafë të paautorizuara, që po hedh në blog-un tim, sepse edhe pse po shkoj në të gjashtëdhjetat ende druhem nga profesore Vali.

E talentuara, e papërkulura, seriozja, bujarja Valentina Foto Dinella.

Ne foton e vitit 1978 - Vali Dinella dhe shoket e mij Arben Kallamata dhe Gjergji Raidhi.

Saturday 8 July 2017

“Të dy të parët” – Në kujtim të Maqo Kostallarit


Profesori ka disa vite, që nuk është më. Ezmer, flokëdredhur, sytë në një jeshile të veçantë dhe me trup atleti. E kujtoj sikur të ishte dje ndërsa ngjiste shkallët e “Themistokliut”, i veshur me tuta ngjyrë portokalli dhe me një ritëm mes ngjitjes normale dhe vrapimit, i vetëdijshëm se të gjithë e shikonin.
Maqo Kostallari adhurohej nga djemtë adoleshentë, të cilëve ju mësonte ushtrimet fizike dhe sportet, por ndoshta edhe nga vajzat, të cilave nuk ju jepte mësim dhe padyshim edhe nga mësueset e gjimnazit.
E adhuronim dhe ndoshta edhe frikën ja kishim se ishte mësuesi më autoritar i shkollës. I vetmi, që mund të disiplinonte me një komandë 800 nxënës. Në vitet tona kishte edhe mësues të tjerë të edukimit fizik, por autoriteti i tij ishte i padiskutueshëm. Pas tij vinte vetëm Vali Dinella.
Kur hymë në shkollën e mesme, Maqoja ishte ende “single”( po përdor këtë term  jo të kohës sonë, se “beqar” tingëllon  më keq). E kishim dëgjuar të gjithë humbjen tragjike të viteve më parë të gruas së tij të dashur edhe pse ishim të vegjël të kujtonim “çiftin më të bukur të Korçës” në fund të viteve ’60. Ishte “tutori” jonë edhe pse nuk flisnim shumë me të rreth gjërave jashtë programeve sportive. Gjithmonë në krahun e nxënësve “rebelë“. E dinim , që profesori na mbronte në mbledhjet maratonë të këshillit pedagogjik të asaj kohe ë edhe pse kurrë nuk na e kishte thënë vetë këtë. Bile na fliste rreptë. Dinte edhe të na bënte të qeshnim. Kishte një sens pedagogjie të lindur, të cilin e kam hasur jo dendur gjatë gjithë viteve të shkollimit tim. Mund të jetë nga mësuesit ,  që ka pasur dhe ruajtur marëdhënie të afërta me nxënësit më shumë se cilido tjetër.
Maqoja kishte shkëlqyer gjithmonë.
Karrierën futbollistike e kishte mbyllur shpejt si pasojë e një dëmtimi, por shpesh i kërkonin të bëhej trajneri i ekipit të parë të “Skënderbeut”, gjë që e kishte refuzuar. I pëlqente të dilte i pari në gjithë veprimtaritë sportive midis shkollave. Ishte mësuar të dilte i pari dhe nuk e kalonte dot lehtë humbjen. Në termin e sotëm të “body language” të tij ndjehej që nuk duronte të ishte i dyti. Nuk e fshihte, bile ndonjëherë dukej edhe që e demonstronte, por të veshur me një hije serioziteti.
Në prillin e vitit 1978 ishim nën drejtimin e tij në një konkurs kombëtar të fiskulturës në Durrës dhe e dinim , që priste të bëhej baba për herë të parë. Erdhi vonë në fjetoren tonë së bashku me pedagogun e fiskulturës së politeknikumit “7 Nëntori” dhe na zgjoi bashkë me të paharruarin Jani Papanaumi dhe Vali Kokojkën. E pyetëm se a kishte marrë njoftim nga Korça dhe na tregoi, që kishte qënë për një kohë të gjatë në postën e Durrësit, por linja nuk dëgjohej mirë dhe nuk ishte i sigurt në ishte bërë me vajzë apo djalë. Dolëm të pestë jashtë fjetores dhe të ulur nën një strehë kënduam deri afër mëngjesit pa shqetësuar njeri. Kokojka luajti përsosmërisht në kitarë atë natë. E ndjenim, që profesori ishte tashmë babai I një vajze, se e kishim njohur mirë gjatë katër viteve të së mesmes. Këndonim për të në një moment gëzimi dhe gjithashtu se ishim edhe ne 19 vjeçarë. Një natë e paharrueshme në Plepat e Durrësit. Vajza e tij e vetme duhet të jetë sot pranë të dyzetave.
Pas të mesmes e takonim shpesh dhe ndjenim të njëjtën përkujdesje të tij. Ishte krenar edhe pse jo të gjitha gjërat në jetë i shkonin mirë. Ato vite pranoi edhe të ishte trajner i të rinjve të Skënderbeut. Ishim të gëzuar për profesorin, por edhe për ekipin e futbollit të të rinjve, ndaj e prisnim të dilte nga Komiteti Ekzekutiv, ku e kishin thirrur bashkë me Taqo Xhambazin për t’ju dhënë detyrën e re. “E, kush do jetë trajner i parë?”- e pyetëm me padurim. “Po, të dy të parët do jini, na thanë“u përgjigj me mënyrën e tij të sigurt dhe vazhdoi të tregonte  se si e mendonte të fillonte puna e re nga themeli.
Ndoqëm një numur të madh ndeshjesh të të rinjve dhe buzëqeshnim kur shihnim profesorin tonë në bankinë, që udhëzonte lojtarët e rinj.
Të paharrueshmin dhe sportistin e gjithanshëm Maqo Kostallari.

Njeriun, që nuk kënaqej dot kurrë me vendin e dytë.

Thursday 6 July 2017

Një parti po vdes…udha e mbarë i qoftë!


Partia e quajtur e Djathtë është duke lënguar. Shkaqet mund të jenë të shumta, por që një “qënie e sëmurë“, të lëngojë është gjëja më normale.
Sëmundja e saj nuk e ka emrin thjesht Berishizëm apo Bashizëm. Ajo vuan nga humbja e identitetit, nga autoritarizmi i krerëve, nga korrupsioni, nga mungesa e demokracisë së brendshme, nga përzënia e idealistëve, nga tradhëtimi i ish-pronarëve, nga klientelizmi dhe nga plot sëmundje të tjera, prej të cilave vuajnë të gjitha partitë parlamentare shqiptare.
Ka një dyzinë vitesh, që elektorati sa vjen dhe i largohet dhe nuk është në gjendje as të “diagnostikojë“ sëmundjet, që mbart dhe jo më të fillojë t’i kurojë ato.
Më qesharakja në këtë luftë për pushtet është se “palët” kërkojnë mbështetjen e Berishës, i cili është një nga shkaktarët kryesorë të “sëmundjeve” të Partisë Demokratike. Pa lënë mënjanë këtu “qëndrestarët” me mëkatin e trye stërmadh të vitit 1997, “të rikthyerit” me të tjera mëkate mbi supe dhe një pjesë e më të rinjve, që përfshirja në qeveri, i”njollosi” me mëkatin universal të korrupsionit.
Nuk dua të ndalem në analizën e problemeve të kësaj partie apo të “gjykoj” nëse ka të drejtë Basha apo kundërshtarët e tij. Humbja e pritshme mund të kishte qënë edhe më e madhe për shkak të problemeve, që i kanë shkaktuar PD-ja dhe të tjerët elektoratit shqiptar, që tashmë nuk është e vështirë të blihet.
Gjithashtu mendoj se nga trupi i gangrenizuar i PD-së nuk ka se ç’farë të ruhet për të shpresuar në një ‘ringjallje” të saj.
Shqipëria ka nevojë për një Lëvizje të Djathtë me program ekonomik liberal, me një program reformash rrënjësore institucionale, me një program social konsevator, me një kod penal më të fortë, me ndëshkime më të ashpra për shtetarët.
Mbi të gjitha, Lëvizja e Djathtë ka nevojë për një grup udhëheqësish të rinj, të papërlyer, që mund të ngjallin besimin e njerëzve, që është thuajse i vdekur ndaj klasës politike shqiptare.
A mundet, që një Lëvizje e tillë të bjerë nga qielli?
Kriza e madhe e Partisë Demokratike e favorizon lindjen e një lëvizje të tillë. Nëse antikomunistët, biznesmenët, konservatorët, shtresa e mesme, nuk e kanë kuptuar ende, se interesi i tyre dhe i Shqipërisë kërkon një të Djathtë të Re, atëhere kjo gjë do të jetë e vështirë të bëhet realitet në të ardhmen.
Po ç’farë do ndodhë me grupin parlamentar të PD-së dhe me PD-në vetë?
Elektorati shqiptar nuk është më nostalgjik ndaj partiesë të parë të pluralizmit shqiptar. Ajo mund të vazhdojë si një Parti e Djathtë, e përfaqësuar edhe nga njerëz, që nuk kanë të bëjnë me të Djathtën, ose që mund t’i shërbejnë çdo Kryetari.
E ardhmja e PD-së është “tkurrja” deri në asgjesim.

Dhe nga kjo, politika shqiptare dhe Shqipëria kanë veç dobi.