Tuesday 31 May 2022

Voto dhe ti o Diasporak!


Nuk di se si mund të quhet shkurtimisht në shqip dikush që jeton jashtë vendit të tij, në atë që quhet prej Dhjatës së Vjetër, Diaspora. Diasporas, diasporik, diasporor apo diasporak. Zgjodha këtë të fundit se më tingëllon disi e ngjashme me – spurdhjak. Dhe unë ndjehem i tillë në raport me shtetin shqiptar dhe administratën e Ramës. Nuk di si ndjehen të tjerët.

Ka vite që flitet për të drejtën e votës, që kanë diasporakët shqiptarë dhe që ja u jep Kushtetuta e vendit, por një e drejtë që nuk aplikohet. Disa thonë se nuk do qeveria shqiptare, të tjerë ja hedhin fajin opozitës, por më të shumtit ja hedhin diasporakëve. Dhe më vjen ndërmend, që në kafenenë, ku pija kafen e parë të ditës në Shqipëri, disa më bënë mua dhe diasporakët e tjerë fajtorë për gjendjen në Shqipëri. Se ne jo vetëm që kishim krisur dhe ikur, por nuk bënim asgjë për Shqipërinë, madje edhe ngatërronim ndonjë gjë, kur fusnim hundët në punët e brendëshme të vendit.

Ju jap të drejtë tani bashkëbiseduesve edhe pse ju kundërshtova me forcë, kur u ngrit çështja. Unë personalisht kam krisur dhe ikur, nuk kam bërë asgjë për Shqipërinë dhe kam futur hundët në punët e brendëshme të vendit (kryesisht të Korçës) dhe vetëm kam ngatërruar se kam mbrojtur gjithnjë palën që ka qënë në gabim.

Mendohet që në zgjedhjet e ardhëshme, diasporakët të votojnë dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlamentin shqiptar. Mua më pëlqen kjo gjë, jo se kam ndonjë dëshirë të madhe për të votuar, apo (pranë qoftë) për tu zgjedhur si parlamentar, por se më duket se nuk do shkruaj badihava. Do ja jap votën time përfaqësuesit më të denjë dhe partisë më të devotshme shqiptare. Ndonjë nihilist do më thotë se nuk ka të tillë dhe të tilla, por unë do ja çjerr me forcë nihilizmin e tij duke i thënë: “Mos u bëj më nihilist se Papa dhe papa në këtë rast jam vetë!”

Ka vetëm një problem të vockël. Si diasporak, në bazë të ligjit shqiptar të zgjedhjeve, unë duhet të jem i rregjistruar në Gjendjen Civile shqiptare me adresën (nuk jam i sigurt n[ shkruhet adresë apo andresë?), që kam në vendin ku jetoj. Nuk di se si bëhet një rregjistrim i tillë, por unë jam shumë i trembur nga çdo lloj veprimi që kryhet në zyrat shqiptare. E provova këtë rradhë me një interlokutor dhe një nëpunëse banke. Nuk kam ndërmend ta provoj sërish me një nëpunëse të Gjendjes Civile! (për të qënë plotësisht i sinqertë edhe me një Civiliste pata probleme këtë rradhë pa patur ndonjë dëshirë të bëja ndonjë punë në Gjendjen Civile. Pata hyrë në Bibliotekën e Kolevicës dhe doja të merrja disa foto të hollit të ndryshuar sipas projektit të Uillson. I bëra fotot , po mu mor celulari nga një Civiliste, që nuk deshte të fotografohej në hollin e Bashkisë, në sportelin ku punonte. I shpjegova qëllimin e fotove, por Civilistja këmbëngulte në fshirjen e tyre dhe e bëri, në shkëmbim të së cilës morri një përgjigje të pasjellshme nga unë– Po si ta merr mendja, ke surrat ti që mund të ngjallë interesin e dikujt të të fotografojë?)

Ndaj në zgjedhjet e ardhme në Shqipëri nuk do votoj dot as unë dhe as mijëra diasporakë, që kanë bezdi të rregjistohen me adresat e tyre në institucionet shqiptare. Partitë janë kujdesur që të jetë sa më e vështirë për “gurët e lehtë“ të vendit, që i ka degdisur era nëpër botë, të votojnë.

Kujt i krisi?- do më thoni me plot të drejtë.

Askujt. Mbase pak Shqipërisë!

- Eja më lart!

-Pak më lart,

Edhe pak më shumë,

Të thërres

E ti nuk do të dëgjosh ç’them unë.

-Atje është lart

Dhe nuk rri dot më shumë,

Ti ëndërra me syhapur sheh

Ndërsa unë vetëm në gjumë.

-Eja dhe mendo më pak,

Kur ndjen, më nuk flet përçart!

Unë do ngjitem gjithsesi

Dhe do të pres atje lart!

-Në çmendurinë tënde nuk mund të t’ndjek

Edhe pse kureshtja më ndjell,

Tek ditët e mia do rri,

Le të kenë më pakëz diell!

-Eshtë bukur,

Kaq bukur këtu,

Nuk është vetëm dielli pranë,

Janë yjet,

Edhe retë janë

Cdo gjë për të cilën jemi lutur

Na pret në këtë anë.

Monday 30 May 2022

Rinoceronti pa bri

 


C’farë i kishte ndodhur rinocerontit,

Që bririn kishte humbur?

Mos ndoshta në fytyrë,

Si ma kishin përplasur mua,

Papritur derën i kishin mbyllur?

E patundur duket antikja kafshë,

Mbuluar gjithandej prazmore;

Askush s’mund ta lëndojë

As shtiza e lashtë,

As plumbi,

A ndoshta as raketa bërthamore.

Po mos i pati copëtuar zemrën,

Një e bukur rinoceronteshë,

Dhe bririn theu ai,

Teksa mllefi shpërthente

Dhe strofkullën e tyre ngrinte peshë?

Stërmadhi plak nuk flet

Ndërsa përtyp fije të gjata bari,

Ndërsa unë nga larg i thërres:

-Mos u mërzit bablok,

I fundit s’je dhe as i pari!

Sunday 29 May 2022

Nata e gjinkallave

Ishte nata e gjinkallave

E gjinkallave përtace,

Por që nuk lodhen së kënduari.

Në lëndinë ai priste

Gjithë durim priste

Ajo të ndahej nga i vluari.

Do e përfshinte për beli,

Atje ndanë pyllit,

Më pas do shkonin tek zabeli

Bashkë do rrinin

Deri sa të ndriste i agut ylli.

Por ajo ishte mpleksur me verë

Në një të bukur pijetore,

Ai me aq durim e priste

Castet tej treteshin

Orë pas ore.

Gjumi të shkretin e pat zënë

Ndërsa i priste të sajat dhele

Ajo me verës, avujve, puthjeve.

Këngën nuk rreshtnin gjinkallat dembele.

Presidentët e Shqipërisë


Eshtë larguar nga jeta Presidenti i gjashtë i Shqipërisë post-komuniste, Bujar Nishani. Perëndia e ndjeftë dhe ngushëllime për të afërmit e tij të dashur!

Nuk është dita për të shkruar për të, por dashur pa dashur po reflektoj mbi Presidentët shqiptarë në këto 32 vjet. Thuajse të gjithë kanë qënë komunistë më parë. Ramiz Alia, Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu. I ndjeri Nishani, është përfolur se ka qënë mes atyre që donin të mbronin shtatoren e Enverit, por kjo mund të jetë sajuar nga dashakeqët. Megjithatë ka pasur një karrierë ushtarake, të cilën nuk mund ta ndiqje pa besnikëri ndaj Partisë. Presidenti që kemi është komunist në mendje dhe hajdut në praktikë, ndaj I vetmi President jokomunist mbetet Bamiri i Topajve.

Cka rreshtova më sipër është një ilustrim i qartë i asaj çka ka qënë administrate jonë gjatë 32 vjetëve të pluralizmit. Një administratë e kontrolluar nga Partia e Punës dhe Sigurimi i Shtetit. Mund të duket ekzagjerim, mund të duket retorikë boshe, por për fat të keq është e vërtetë.

Institucioni më i lartë i shtetit ka qënë në kontroll të bashkëpunëtorit të Diktatorit, më pas të një ish-komunisti me prirje diktatoriale, më vonë të një intelektuali të majtë të moderuar, por edhe dhëndër i Sofokli Lazërit dhe më pas nga një ish-zëvendës ministër i mbrojtjes i ngarkuar me detyrën e bunkerizimit të vendit.

Në 46 vjet, Partia e Punës dhe Sigurimi i Shtetit i shtrinë tentakulat e tyre në gjithë qelizat e shoqërisë shqiptare dhe ndonëse na gënjeu mendja se mund të vendosej demokracia dhe pluralizmi me ndihmën e të huajve, ka qënë e pamundur. Komunistët pa asnjë lloj parimi, hajdutë dhe kriminelë vazhduan të kontrollojnë shtetin shqiptar. Ata komunistë të moderuar, të ndershëm dhe të aftë u larguan nga lufta për pushtet dhe ose përfunduan në emigrim ose ndoqën me keqardhje kontrollin e vendit nga shokët e këqinj të tyre.

Pjesa tjetër e popullsisë, ajo e përndjekura dhe ajo e papërzjera me Parti, u zhgënjyen pas 3-4 vitesh pluralizëm dhe ikën ose ju nënshtruan fatit.

Po ja -mund të thoni ju- kemi Niko Peleshin dhe të tjerë, që nuk kanë pasur komunistë në familje dhe as kanë qënë vetë, por janë në funksione të rëndësishme në administratë.

Nikoja dhe të tjerë si ai vërtet nuk kanë asnjë lidhje me komunizmin, por kanë kuptuar herët, që nëse do të jesh pjesë e “tavës”, që kontrollohet nga ish-komunistët hajdutë, duhet të shtiresh se je pakëz komunist.

Dhe kështu do vazhdojë historia edhe me Presidentin e rradhës.

Dheu qoftë i lehtë mbi Nishanin, që edhe nëse nuk ka dashur të mbrojë shtatoren e Hoxhës, mbrojti deri në fund Saliun, që është pak a shumë e njëjta gjë!

Saturday 28 May 2022

Nata e bulktheve

Ishte nata e bulktheve

Që magjishëm gumëzhinin kërr-kërr.

Ai befas u shfaq,

I palexueshëm,

Pa moshë,

I paprekshëm si në një ëndërr.

Hëna nuk ishte e plotë,

Madje diku ishte fshehur,

Në tryezën më tej disa të dehur,

Gjysma fjalësh thoshin dhe qeshnin me lot’.

Ajo dëshëronte të flakte petkat,

Të kalëronte mbi të ashtu çveshur,

Le ta shihnin të pranishmit,

Të dehurit le të shkuleshin së qeshur.

Ai ngultas e pa,

Sikur t’i thoshte:

-Nuk ka pse ngutesh!

E magjishme ishte nata

Dhe kërr-kërr këndonin bulkthet.

Friday 27 May 2022

Unë, korçari me origjinë nga Dushari


Shkrimi im i fundit, ““Bota e Re” e Korçës…me pak aromë Vishocice”, ka shkaktuar një reaksion të menjëhershëm në zonën e Devollit. Nuk e dija se lexohesha aq shumë në atë krahinë shkrimtarpjellëse. Në tre e-maile më kanë sulmuar se tregoj mendjengushtësi në trajtimin e problemeve të fshatarëve dhe se jam devollofob. Një devolli me banim në Korçë më shkruan më gjatë duke përmendur se unë nuk kam asnjë ndryshim nga korçarët e kafeneve, të cilët ankohen për pozitat që marrin të ardhurit, që nuk janë nga qyteti ose nga fshatrat përreth.

Nuk di se ç’flitet tash e 25 vjet në kafenetë e Korçës për të ardhurit nga fshati ose nga krahinat e tjera, por më vjen keq psh, që gazetari më i famshëm në qytet është Tonin Frroku dhe rektorët e Universitetit “Fan Noli” kanë qënë shumë vite të ardhur nga Devolli. E megjithatë nuk kam shkruar ndonjëherë rreth fshatarëve, se i mbahem parimit, që Korça ka qënë e formuar vazhdimisht nga fshatarë të ardhur nga Vakëfet, Fusha e Korçës, Opari, Devolli, Rrëza, Kolonja dhe Përmeti. Shkrimi i sotëm është një variant më i butë i një shkrimi të gjatë të vitit 2014 “Po Devoll I tillë qënkam unë…” dhe që ka të bëjë me prodhimtarinë e pazakontë të shkrimtarëve dhe poetëve nga toka pjellore e Devollit. Cilido që është i interesuar mund ta gjejë ende në blog.

Më është dukur e çuditshme që nëse themi preshtë e Belortasë, qepët e Bozhigradit dhe mollët e Dvoranit apo manat e Boboshticës duhet të themi edhe shkrimtarët e Devollit. E panatyrshme dhe jam munduar të jap spjegimet e mija, që një prodhimtari e tillë është disi artificiale dhe duhet dalluar mes talenteve të vërteta dhe të atyre që merren me shkrime për të përfituar. Dhe jo pak devollinj kanë fituar nga palo shkrimet e tyre, që prej viteve ’60 të shekullit të kaluar dhe deri më sot. Ky ësht një fakt dhe mund të argumentoj me këdo që do të më provojë të kundërtën.

Unë jam me origjinë nga Dushari dhe nuk më vjen turp për këtë. Krenohej që ishte nga Dushari babai im edhe pse ishte lindur në Stamboll dhe kishte qënë vetëm një herë në atë fshat, kur kishte mbushur 45 vjeç. Mburrej edhe gjyshi im, që kishte jetuar vetëm deri sa mbushi dy vjet dhe kishte kaluar tërë jetën në Stamboll.

Gjithashtu nuk mendoj se Dushari është më i mirë se Vishocica, Progëri apo Bozhigradi dhe Dardha se nuk ka se si të jetë i tillë. Por djalli ta marrë, këtë cilësinë kokëtrashe të devollinjve nuk e kam shpikur unë. Ndaj edhe mendoj se nga një krahinë me shumë kokëtrashë mund të nxjerrë po aq poetë dhe shkrimtarë sa edhe krahinat e tjera.

E kundërta do ishte paradoks!

“Bota e Re” e Korçës…me pak aromë Vishocice


“Bota e Re” është një klub shkrimtarësh në Korçë, i formuar ndoshta në fillimin e viteve ’90. Nuk ja di historinë e formimit edhe pse kam qënë në Korçë në ato vite. Nuk kam pasur të bëj me botën letrare dhe kam pasur një lloj përçmimi për “klubet” apo shoqatat e shkrimtarëve. Përçmim krejt i pabazuar se nuk kam qënë ndonjëherë pjesë e tyre, por më duket si e çuditshme se çmund të bisedojnë shkrimtarët e poetët kur mblidhen në klub: “Më pëlqeu shumë ajo similituda që kishe në strofën e tretë të poemës!” apo “Linjën e agjentit të dyfishtë, tek romani që më tregove, mendoj se mund ta rithurrësh me atë të prostitutës pa liçencë“ e të tjera si këto. Kam pasur gjithnjë bindjen që arti i të shkruarit është tepër individual, përveç gjinive të filmave ose atyre muzikore, që kërkojnë bashkëpunim.

Po le të vimë tek aroma e Vishocicës. Për lexuesit e mij, që nuk e dinë se ç’është Vishocica dhe mund ta ngatërrojnë me ndonjë lloj gjelbërimi ose varietet dardhe, ju them se Vishocica është një fshat fushor në krahinën e Devollit. Ndoshta një nga fshatrat më të pasura të krahinës. Vetë krahina e Devollit është e mirënjohur në trevat shqiptare për nxjerrjen e pafund të shkrimtarëve dhe poetëve, dhe jo vetëm e devolliut të madh Dritëro, por edhe të Teodor Laços, Sotir Andonit, Petraq Zotos, Kristaq Ballit, Agim Isakut, Thani Naqos, Skënder Rusit, Skënder Demollit, Artur Ballit dhe shumë të tjerëve, që nuk ja u kujtoj emrat, pa llogaritur këtu devollinjtë e lindur në Tiranë: Teodor Keko, Pandi Laço e të tjerë.

Me një fjalë është zona më shkrimtarprodhuese e Shqipërisë së Jugut dhe mund të krahasohet vetëm me Luginën e Valbonës nga kanë dalë Buçpapajt dhe gjithë poetët tropojanë

Si është e mundur?- Do pyesni me të drejtë, sidomos ju që jini nga zona juglindore dhe ngatërroheni nga nami që kanë devollinjtë si shumë punëtorë dhe kokëtrashë. Eshtë një keqnam, që për fat të keq e përsëriste dhe devolliu i madh kur i theshte një doktori të njohur: “Tek ne të dy është përzjerë dinakëria kolonjare me budallallëkun devolli dhe lere se ç’kemi dalë!”

Devollinjtë kuptuan gjatë viteve të Diktaturës, se mënyra më e mirë dhe më e lehtë për t’ju larguar fshatit ishte të bëheshin shkrimtarë. Dhe kur Dritëroi u bë kryetar i Lidhjes ambiciet e tyre u rritën edhe për t’u bërë kryetarë. Petraq Zotoja u bë kryetar i Degës së Shkrimtarëve, Sk[nder Rusi kryetar i klubit të Shkrimtarëve dhe tani, në “Botën e Re” të Korçës, kryetar është Eris Rusi nga Vishocica, që ka ose nuk ka lidhje farefisnore me poetin shumë lirik Skënder Rusi. Nuk di se në ç’gjini shkruan Erisi, se lexoj pak nga botimet në Shqipëri, por vetëm pyes si kardinal Bergolio:

- Po nuk u gjend një më afër për papë, po më zgjodhët mua nga fundi i botës?

Duke i pasur për zemër shkrimtarët dhe poetët e “Botës së Re” dhe të asaj të vjetër, i uroj Rusëve (jo atyre të Putin) suksese në veprimtarinë e tyre letrare, ashtu si ja u uroj edhe Ballëve, Laçove dhe devollinjve të tjerë.

Në fund të fundit, edhe këta, sikundër Dritëroi, mund të mos jenë nga të dy anët devollinj.

Thursday 26 May 2022

Një ateisteje

Nuk të duket se ndërsa jemi kapërthyer,

Diçka hyjnore na ka lidhur?

Ti rrugëve nuk më ndoqe mua,

Nuk kishte përse,

Fati të hoqi pas të bindur.

Dhe ndërsa digjesh e gjitha si qiriri,

Nga zjarri epshor,

A nuk të ngjan se Ati,

A ndoshta Biri,

Gisht kanë në këtë rit qiellor?

Nuk mundet që dheu,

Nga u stis poçeja e Khajamit,

Të nxjerrë të tillë qënie si ti

Pa patur një qiellore frymë.

Po le të lemë fjalët,

Të dashurohemi,

Dhe brenda njeri tjetrit të hymë!

Tuesday 24 May 2022

I varur qiejve

Unë mbeta i varur qiejve,

Kapur pas një ndenjësje të ngushtë.

Idea për t’i ikur frikës,

Për t’u pastruar reve,

Për të gjetur të fshehurat parajsa

Për të mos mbetur në të poshtmen luftë.

Me sytë e mbyllur diçka pres,

Ndoshta një lajmërim hyjnor.

Zëri monoton i pilotit përsërit

Se do vonojmë të ulemi,

Nuk ka pse të shqetësohemi,

Gjithshka është nën kontroll.

Nuk më bëhet vonë në mbetem reve,

A nëse toka më zhduket nga sytë,

Urrej zërin e bezdisshëm altoparlanteve,

Ndërsa rri varur qiejve,

Kapur pas një ndënjësje të ngushtë.


“Këneta pre-politike shqiptare”


Nuk ka thuajse asgjë të ngjashme me politikën në Europë dhe në vendet e tjera të zhvilluara, me politikën në Shqipëri. Madje i gjithë “pellgu politik shqiptar” është edhe më pas se ç’ka qënë në fillimet e pluralizmit. Nuk është as primitivizëm politik. Thjesht gjendje pre-politike.

Rikthimi i Sali Berishës “de facto” në krye të PD-së është një nga dëshmitë më të qarta të kësaj gjendjeje. Ai nuk ishte larguar nga drejtimi i partisë, por pas shpalljes “non grata” dukej se kjo mund të ndodhte. Nuk ndodhi dhe konfirmoi që në 32 vjet ky vend ka mundur të nxjerrë vetëm 4 burra që merren me politikë: Berisha, Nano, Meta dhe Rama. Të gjithë të tjerët ose kanë qënë në role episodikë, ose kanë qënë tepër të pafuqishëm edhe pse mund të kenë mbajtur poste kryeministrash apo kryetarësh kuvendi.

Arësyet janë të shumta dhe i kam prekur në një numur shkrimesh të botuara në shtypin shqiptar apo në blog. Mungesa e traditës politiko-demokratike, prishja e “stofit” të shoqërisë në kohën e Diktaturës, psikologjia e një populli të prapambetur, mosangazhimi i diasporës etj. Mbi të gjitha është mungesa e një elite në shoqërinë shqiptare. E ashtuquajtura “elitë“ nuk është as e fuqishme ekonomikisht, as e fuqishme intelektualisht dhe as e aftë të detyrojë ata që merren me politikë të ndjekin rrugë të natyrshme për shpënien para të shoqërisë shqiptare. Eshtë një elitë restorantesh, avionesh dhe kafenesh, që i serviloset pushtetarëve dhe përfiton nga paratë e taksapaguesve, sikundër përfitojnë edhe ata që kanë pushtetin. Këtu bëhet fjalë për drejtuesit e universiteteve, Akademinë e Shkencave, institucionet studimore private dhe shtetërore, fondacionet e ndryshme, etj.

Ndaj edhe psikologjia sunduese në të rinjtë shqiptarë dhe jo vetëm tek ata mbetet- nga ky vend duhet ikur një orë dhe më parë!

A ka ndonjë shpresë, që gjendja në politikën shqiptare të ndryshojë së shpejti?

Duket thuajse e pamundur! Partia më e madhe në vend, që ka edhe elektoratin më të madh është e atrofizuar dhe i ngjan gjithnjë e më shumë Partisë së Punës me organizatat bazë dhe veprimtarët të zëvendësuar tashmë me patronazhistë. Po aq e “mbaruar” është dhe PD-ja me “salistat” e saj dhe parti të tjera nuk ka. Por e keqja më e madhe është “atrofizimi” i elektoratit gri, që është i pakënaqur me dy partitë kryesore dhe nuk bën asnjë përpjekje për t’u organizuar, por pret. Pa ditur se ç’pret dhe nga kush e pret. Pret nga Europa, nga Amerika nga Diaspora dhe nga Tinglimajmuni, por nuk bën as përpjekjen më të vogël për t’u organizuar.

Dhe kjo quhet “kënetë pre-politike” në të cilën fitojnë “bufërit e kënetës” Rama, Berisha dhe Meta.

 

Sunday 22 May 2022

Le zananë, zure zurnanë!


Kështu duket sikur më thonë shumë të njohur, kur ju dhuroj librin tim “Biseda të pakryera me babanë“. Nuk fshehin dot një lloj habie, që unë jo vetëm mund të shkruaj, por jam në gjendje edhe të shkruaj një libër të një vëllimi jo të vogël. Nuk mërzitem, i kuptoj, se në fund të fundit unë nuk kam mbaruar gjuhë-letërsi dhe nuk janë të shumtë ata që ndjekin blog-un tim. Për më tepër jam 63 vjeç dhe deri sa mbusha 48 nuk kisha botuar ndonjë libër (shumë të njohur nuk kanë dijeni për ekzistencën e librit tim të parë.)

Një mik më tha që e kishte lexuar dhe e kishte pëlqyer dhe me siguri duhet të kishin vënë dorë redaktorët. Unë e mohova rolin e tyre në shkrimin e librit, madje as përmënda se redaktori i vetëm “e kishte sjellë librin në dinë“. Por nuk gënjeva, se dhe ai nuk kishte shkruar ndonjë paragraf nga të librit.

Një tjetër i njohur, që në fëmijëri më pyeti se ku e kisha gjetur gjithë atë material dhe nëse kishte lënë dorëshkrim të librit im atë. I thashë që nuk kisha gjetur ndonjë dorëshkrim dhe se “materiali” ishte kryesisht meselera të dëgjuara gjatë viteve. M’u duk që nuk më besoi.

Një mik i vjetër, i apasionuar pas filozofëve, më pyeti se si kisha durim të shkruaja. I thashë, që jetoj si në kushte internimi dhe durimin e kam nga zori.

Vetëm një shok më ka besuar plotësisht, madje më lehtësoi se tha: Tamam i kishe shkruar. Gjëra që i dinim të tëra!

Pas gjithë këtyre komenteve të ngjashme, kam menduar se është e vështirë të të pranojnë si “shkrues” ata që të kanë njohur për një kohë të gjatë. Nuk çuditen nëse projekton një “qiellgërryese” në Nju Jork, se fundja “atë zanat ka”, po shkrimtar dhe autor i një libri jo të hollë, nuk të pranojnë kollaj. “Phëëëë…nga doli ky! Ç’ne libra! Se hartime të tërë bënim në shkollë dhe s’është se ky kushedi ç’shkruante!”

Eshtë më e lehtë “me rrejt” të rinjtë, se ata nuk të dinë “sa të vlen lëkura.” Mund të paraqitesh si arkitekt, poet, kritik letrar, filozof part-time dhe bloger-influencer.

Po jo bashkëmoshatarët! Ata nuk e hanë këtë koqe ulliri dhe e dinë, që në mos ke paguar njeri të ta shkruajë, diçka e dyshimtë është në këtë proces. Ndoshta ndonjë “amante” e fshehtë me talent për gazetari-letërsi. Aty rreth të 70-ve.

Veçse duke e pranuar në këtë moshë “amanten” nuk mund ta bëjnë edhe me barrë!

Saturday 21 May 2022

Ti frigesh XXIX

Ndajnatë mendimi të tremb

Endërra për të shkuar diku në të hershmen Mesjetë

Dhe pergamenët e zverdhur

Me gishtat që na dridhen të përkëdhelim

Për të ndjerë thelle çka e stis këtë jetë.

 

E ndjera e panatyrshme e buzëve

Të bën të frigesh,

Ndërsa të ëmblat valë prej kreut zbresin poshtë

Dhe kërkojnë të ndaluarën.

Mes nesh çdo gjë e mjegullt.

Të mistershme e bën dhe të paplotë,

Të ardhmen pa trajtë

Mbi të kaluarën.

 

Trete larg tutjen

Jepju tundimit,

Ajo që do ndodhë nuk ka pse të humbë.

Në të tuat buze dua të prehem

E le të më marrë më pas i përjetshmi gjumë.

Thursday 19 May 2022

I fundit hap

Arratisur vetmisë së ëmbël

Tek rruzujt dhe figurat,

Tingujt false duke dëgjuar,

Atje ku të rreme janë ngjyrat.

Nuk më bëjnë më këmbët

Mpirja kryet më ka rrëmbyer,

Në shtratin tim drithërohem

Pyes:

Përse jam kthyer?

Diçka më tërhiqte këtu,

Aroma e lënë nënkresores,

                Shalli yt i mëndafshtë,

                                Pllaquritja e shputave në ujë,

                                                Gravura në dru.

Të gjitha këtu kanë mbetur

Dhe më duhet t’i flak,

Mëngjeset të përzjej me mesnatat

Të iki larg.

Të kërkoj a ka nxjerrë deti kujtimet

Bashkë me guacat dhe leshterikët,

Palma e përkulur në ka prekur ujin,

Iguana në ka mposhtur frikën.

Në një bohçe po pështjell të fundit ëndërra

Dhe trenin e parë do kap,

Diku ka për të më shpënë

Atje ku të hedh të fundit hap.

Katër mësueset që nuk dinin të pinin kafe


Ato vinin gjithnjë pas meje në bar-kafenë, ku shkoja mëngjeseve dhe uleshin në të njëjtën tryezë. Nuk i kisha parë ndonjëherë, se nuk ishin të brezit tim dhe hamendësoja se duhet të ishin mësuese. Në një orë të caktuar nguteshin të arrinin diku dhe nuk duhet të ishte zyrë shteti apo ndonjë bankë. Nuk jam në gjendje as të përshkruaj fytyrat, veshjet dhe fizikun e tyre, se isha thuajse me shpinë nga ajo tryezë. Vetëm dëgjoja që porositnin të njëjtat kafe, me pak qumësht, me më shumë qumësht dhe të mesme. Dukej që kishin preferencat e tyre, por mua më dukej se kafetë i pinin kot. Nuk dinin të pinin kafe.

E them këtë se zonjat dhe zonjushat ndoshta-mësuese, nuk vinin në të njëjtën kohë kurrë, por e para, ose dy të parat porositnin të gjitha kafetë. Më pas arrinin të tjerat ndërsa kafetë ishin ftohur, por askujt nuk i bëhej vonë. Kafepirja për to duhet të ishe më shumë rutinë dhe çështje statusi. “Ne e pimë kafen tek bar-kafe…” Them se duhet të ishte e tillë, pasi në atë bar-kafe çmimet ishin më të larta se në kafenetë e shumta të qytetit. Noshta-mësueset nguteshin dhe shoqëronin me kafetë e tyre me pak qumësht, shumë qumësht dhe të mesme cigaret që pinin. Mbase dhe këto të fundit janë çështje statusi dhe revoltë ndaj meshkujve që nisin ditën me kafe dhe duhan në qindra bar-kafetë e qytetit.

Më vinte t’ju kthehesha e t’ju thoja “Përse i pini këto kafe të ftohta në këtë lokal që ndoshta nuk është për ju, se rroga mësuesesh kini?”, por më kishte mbetur aq vetpërmbajtje sa edhe pas 7-8 herësh të shihja punën time dhe të mos merresha me ndoshta-mësueset, mosha e të cilave varionte nga 35 deri në 55 vjeç. Se askush nuk ka të drejtë t’i thotë gjë tjetrit edhe kur ky i njohur apo i panjohur kryen veprime lehtësisht absurde. Pi kot kafe të shtrenjtë dhe e nis ditën me duhan. Më pas, i tensionuar nga koha e pamjaftueshme në bar-kafe, nga kafeina dhe nga dy cigaret e thithura shpejt ju hakërrehet vocrrakëve në orën e mësimit.

“Po nga e di ti që ju hakërreheshin vocrrakëve?”- do më hidhet në grykë një miku im që më kundërshton 11 herë në 10 raste.

Nuk e di, por veç hamendësoj kot në trurin tim në rrjedhje e sipër, që një mësuese që ngutet të pijë një kafe që nuk e shijon për të pasur një status social të caktuar, çdo lloj acarimi (mos thuhet frustrim tani në Mëmëdhe?) do ja u nxjerrë nxënësve.

Dhe në fund të fundit është e drejta ime të hamendësoj, ashtu si është e drejta e mësueseve të pinë kafe të ftohta dhe dy cigare më 7 e gjysëm në mëngjes në një nga bar-kafetë e shtrenjta të qytetit.


Wednesday 18 May 2022

“Dora e zezë“ e çiftit Blushi në Korçë


“Dora e zezë“ ka qënë një organizatë terroriste sërbe, e cila nuk ka ndonjë lidhje me çiftin Eva-Ben Blushi. Por në Korçën e viteve ’30, përdorej si sinonim i botës së bandave. Një korçar, i kishte kërkuar nëpërmjet një letre një familje të pasur dhe poshtë kishte nënshkruar “Dora e zezë“. U kap në vendin ku kërkonte t’i liheshin paratë dhe i mbeti nofka “Dora e zezë“.

Në mjediset e pub-Republika, të mobiluar si një pub tipik britanik, mu kujtuan disa gjurmë të lëna nga çifti Blushi në arkitekturën dhe urbanistikën e qytetit. Blushët janë pronarë të mjediseve të pub pa nxjerrë asnjë lekë nga xhepat e tyre të fryrë. Rolin e interlokutores për ndërtimin më të shëmtuar në Bulevard Republika e ka noterja Eva, e cila u përfshi për të disatën herë në miratim lejesh ndërtimi në këmbim të një përqindje në ndërtesë. Kështu u prish banesa e njohur e Vasil Avramit dhe u ndërtua “konvikti” që shëmton shëtitoren më të bukur të Korçës. Për garanci miratimi, si pjesëtar u fut edhe famëkeqi nga Lezha, Aleksandër Frangaj.

Dikush mund të thotë se Blushi nuk kishte asgjë në dorë në vitet kur u miratua leja e atij objekti dhe se përgjegjësia duhet gjetur tek kryetari i atëhershëm i bashkisë (sot ministër i mbrojtjes). Ka një të vërtetë, por edhe Dilana e dinte që ajo lejë ishte tërësisht e gabuar dhe për të ruajtur “pastërtinë e figurës”, pasi siguroi votat e KRRT-së, vetë votoi kundër ndërtimit. Ç’tju bënte anëtarëve kokëfortë?

Porn dërtimi tek Vasil Avrami nuk është e vetmja gjurmë e keqe në qytet, ku rolin kryesor e ka luajtur “Dora e zezë“ e Blushëve. Eshtë dëshmi se dhe njerëz të kulturës, kur kanë para kartmonedhat mund të bëjnë çdo lloj gjëme. Blushi shkrimtar ka qënë kryetar i jurisë, që miratoi planin e qendrës të Peter Wilson dhe që solli më vonë Kullën Vrojtuese, Bibliotekën e Qytetit dhe të tjera ndërhyrje brutale në arkitekturën e qytetit. Blushi ministër ishte bashkëpronar i privatizimit të një pjese të trikotazhit, që solli ndërtime banesash kolektive jashtë çdo standarti kombëtar të dendësive urbanistike. Nuk di nëse është më grykës Beni apo Eva, por nëse i drejtohemi Biblës, ishte ajo që i pëshpëriste Adamit “për të bërë korrupsion se Rama i kishte lënë shumë pas me paratë e përfituara”.

Blushët vijnë herë herë në Dardhë për tu çlodhur dhe për të mbikqyrur disa nga pronat që kanë në çifligun e tyre në qarkun e Korçës. Madje shkrimtari Blush hiqet edhe si gjysëm korçar, pavarësisht se rrënjët i ka në fshatin me të njëjtin emër, që i përket Kolonjës. Dikur udhëhiqte politikisht dhe shpirtërisht politikanin e karrierës Nicolo Dilana, me të cilin bënë “bajagi” korrupsion.

Sepse në fund të fundit “Korça është qyteti ku dua të rrëmbej!” Aty donte të rrëmbente edhe “Dora e zezë“ dikur.

Tuesday 17 May 2022

Mos u trego “ i rëndësishëm”!


Nuk më pëlqejnë shprehjet e përshtatura nga italishtja “po bën interesantin”, “po bën viktimën”, “po bën të zgjuarin” e të tjera kësisoj, që nuk janë në natyrën e shqipes, por kanë fituar “qytetarinë“ e kafeneve se janë përdorur nga disa VIP-a dhe “elitarë“. Ndaj nuk po shkruaj titullin “mos bëj të rëndësishmin”, por “ mos u trego i rëndësishëm”.

Nuk është as këshillë dhe as urdhër, por pjesë e një fjalie më të plotë “mos u trego i rëndësishëm se të di se sa të vlen lëkura!” Nuk lidhet drejtpërdrejt me kërkënd, por me një dukuri shumë të përhapur në mjediset shqiptare, sidomos në ato të zyrave. Nëpunësi, i institucionit publik apo privat, mundohet të tregohet “ i rëndësishëm”, “që ka në dorë“ dhe mund të ta lehtësojë procesin , ose të ta bëjë të vështirë. E shikon ngado, duke nisur me zyrat e bashkisë, bankat, agjensitë imobiliare, noterët dhe deri tek nëpunësit e shtëpive të të vdekurve. AI (ajo) është plot njohuri, seriozitet dhe që të sheh nga sipër tavolinës së punës ku ka hipur. Ti je poshtë, i mbledhur kruspull në ndenjësen që të ka ofruar dhe belbëzon me shpresë se nëpunësi i rëndësishëm nuk do inatoset me ty dhe të të tregojë derën. Më poshtë është një dialog i vërtetë, i përcjellë pa ndryshime në Bankën Raiffesen:

-Mirmëngjes!

-Përshëndetje, si mund t’ju ndihmojmë!

- Dua të hap një llogari rrjedhëse në euro.

- Përse e doni?

-Kam euro që dua t’i depozitoj dhe t’i përdor kur të më duhen.

-Ç’farë veprime kini në plan të bëni me to.

-Të gjitha veprimet që banka juaj lejon të bëhen me llogaritë rrjedhëse.

-Duam të dimë specifikisht se cilat janë sasitë që do transferoni dhe se ku do i transferoni. Qëllimin e hapjes së llogarisë bankare.

-Ju thashë që dua ta përdor si llogari rrjedhëse në euro nëse hapni të tilla.

-Ne hapim, por duam të dimë paraprakisht sasinë , që depozitoni si dhe shumat që kini në plan të tërhiqni ose transferoni.

-Po këto do i bëj sipas rregullave që ju kini. Tërheqje dhe transferta midis minimales dhe maksimales që lejoni ju.

-Po sa janë pra?

-Nëse mund të më jepni të printuar kushtet që ka banka juaj për një llogari të këtij lloji do më ndihmonte.

-E kini në web site të bankës!

-Po ju nuk mund të ma printoni dhe të ma jepni dhe më pas të vazhdojmë veprimet?

-Duam të dimë qëllimin në fillim!

Në kët çast, viktima që nuk tregonte qëllimin, i ndjerë nën pushtetin e nëpunëses së shëndoshë dhe të rëndësishme, u ngrit dhe shkoi në një bankë tjetër, ku gjeti një nëpunëse që shërbente.

Ndaj mos u tego “i rëndësishëm” edhe ti nëpunës i kadastrës, as ti agjenti i të patundshmeve, as ti arkitekti i punësuar në bashki dhe as ti noteri interlokutor, që vjen 30 minuta me vonesë në takim. Nuk është çështje etike, por e “të qënit në biznes”. Shpejt, shumë shpejt, gjërat do shkojnë drejt një normaliteti europian, kur më të zotët, ata që nuk shtiren “të rëndësishëm” do fillojnë të dominojnë tregun privat, por edhe institucionet publike. Se të ndodhë ndryshe nuk ka se si!

Monday 16 May 2022

Kukja sërish në Korçë?


Gjatë vizitës së fundit në qytet më lanë mbresa ndërtimet e mira individuale në lagjet më të njohura. Gjithashtu mësova se”ligjet” për ndërtimet në zonat e mbrojtura, pra në pjesët më delikate të qytetit kontrollohen nga dikush me mbiemrin Kuke ose Koke. Kukja është drejtuesi i institucionit, që në kohët para meje dhe më vonë quhej Atelieja e Monumenteve të Kulturës. Kishte pasur drejtor ing.Pirro Thomon, më vonë ing. Thoma Papaargjirin dhe deri në kohën e largimit tim nga Shqiperia, arkitektin e talentuar Kliti Kallamata. Nuk di se ç’ka ndodhur më pas, por tani drejtohet nga Kukja dhe përfshin edhe Pogradecin, Devollin dhe Kolonjën. Barrë e rëndë për shpatullat e dikujt, që mësova se nuk është as arkitekt, as inxhinier dhe as historian.

Kukja i kohës sime (shekulli XX) ishte nje mbartës modest, i ngadalshëm dhe që ecte me vështirësi se kishte, më ngjan, dy këmbë të majta. Dy të majta duhet të ketë edhe socialisti europian që drejton DRTK (ose diçka të ngjashme) dhe që i përket klanit të mirënjohur Dilana-Gollash që zotërojne, kontrollojnë dhe përparojnë Çifligun juglindor të Shqipërisë. Por në ndryshim nga Kukja i shekullit tim, Kukja modern është agresiv, madje vite më parë pat kërcënuar edhe arkitektin restaurator Kallamata për afrim të paautorizuar në Voskopojë. Se që të qasesh në Voskopojë për studime, restaurime apo ndërtime duhet të “falesh” më pare në zyrën e Kukes, diku në afërsi të ish-Valbones. Atje duhet të falen edhe mentori im Piro Thomo, edhe ish-ortaku im ark. Aleko Papakozma dhe gjithë arkitektët e talentuar korçarë, sepse ndryshe Kukja të pret “koromanen”.

Por nuk është faji i tij.

Ai përpiqet me mish e me shpirt të ndjekë linjën e vendosur lart në qeveri dhe të zbërthyer më poshtë nga drejtuesja e tij Dollani, e cila për fat të keq jo vetëm nuk është e zonja, por s’ka as cilësitë “pjeshkore” të shumë drejtueseve të sektorëve të ndryshëm të administratës sallake. Ne nje emision televiziv për Mësonjtoren e Parë në mars të vitit të kaluar, shefja e Kukes nuk dinte si të mbulonte gjurmët e korrupsionit të hapur në rifreskimin e atij Muzeu.

Tek Muzeu nuk hyra, i deziluzionuar edhe nga ngjyra kafe e errët, që ju ishte dhënë punimeve të drurit në eksterier. E shëmtuar, e pavërtetë, në kundërshtim me parimet e ndërhyrjes në objekte të kategorisë së parë. Brenda e dija që do më prisnin të tjera llahtara.

Por le të kthehemi në topolaku Kuke, që bën më shume se sa di dhe di më pak se sa është e mundur.

Ndoshta edhe unë po të punoja në Shqiperi do isha i gatshëm t’i llustroja këpucët, por jo për të përfituar restaurimin e një kishe, xhamie apo objekti muzeor. Vetem për të shuar kureshtjen se si i ka dy këpucët e tij të majta.

Friday 6 May 2022

Fatet e njerezve


Ne foto jane tre motrat e gjyshit tim nga ana e mamase. Kane dale ne Amerike rreth mesit te viteve ’30. Tre fshatare te lindura e te martuara ne Treske. Dy me te voglat (ne mes dhe ne te djathte) nuk kishin me shume se dhjet vjet ne Boston, ndersa e madhja, Janeja, sa kishte shkuar per te kaluar disa muaj bashke me te shoqin. Duken vertet zonja serioze dhe te “kultivuara” te viteve ’30 ndonese nuk besoj se kane patur me shume se arsimin fillor. Prane sejciles eshte nje nga vajzat e tyre. Ne te majte Netka (e bija e janes), ne mes Kateja (e bija e Takes) dhe ne te djathte Dorthi(vajza e Kristinas).

Janeja dhe Netka u kthyen pas nje viti se ne Korce kishin edhe pjestaret e tjere te familjes. Ishte nje nga rastet e shumta te familjeve korcare, te cilat nuk u bashkuan dot kurre me eterit ne Amerike. Dhe jo sepse i tille ishte fati, por se nje qeveri e poshter, antihumane, vendosi qe familjet te mbeteshin te ndara per te mos u ekspozuar edhe me shume diferenca e jeteses ne Amerike me ate ne Shqiperi. Ishin me dhjetra familje te tilla. Baballaret mbeten ne Amerike per gjithe jeten, ose disa u kthyen dhe gjithe mundin e jetes e kthyen ne vlera te paperfillshme sepse te tille e donin kursin e dollarit qeveritaret e eger te vendit tim.

Gjyshi im dhe i vellai kishin punuar dy vjet ne Amerike dhe kishin hapur dyqan ne Qesarake, ku Teqeja e famshme sillte nje levizje te madhe njerezish. Nu shkuan me ne Amerike, por ime me me thoshte shpesh qe kishte enderr “sikur te vinte nje aropllan dhe te na merrte te gjitheve dhe te ishim bashke me njerezit tane ne ate vend te begate”. Ju realizua vone ne jete dhe mbeti ne token e ketij kontinenti te bekuar.

Perse qeverite nderhyjne ne fatet e njerezve? Nuk jane te mjafta te papriturat jo te mira qe te sjell vete jeta? Perse Janeja dhe femijet e saj duhet ta ngrysnin jeten jo ne mireqenie, kur familjet e motrave te saj, me pune por ne liri ndertuan nje jete te mire?

Historia e familjeve korcare te ndara mes Korces dhe Amerikes eshte nje nga kapitujt me tragjike te historise se qytetit dhe te Shqiperise. Tragji-komike ishin edhe historite e vizitave te kusherinjve nga Amerika, perulja e njerezve ndaj tyre, grindjet per peshqeshet dhe qejfmbetjet e tjera. Kjo sepse nje grup njerezish me shpirt te zi ne menyren me te poshter dhe absurde nuk lejonin te bashkoheshin familjet. Nuk ka ndodhur ne asnje vend tjeter.

Motrat e gjyshit tim ka shume vjet qe kane ikur nga kjo jete. Edhe vajzat e tyre ne kete foto te viteve ’30. Ne seriozitetin, ne veshjet e tyre te kohes, ne cantat e te gjithave, jane enderrat dhe trishtimi, jane gezimet per jeten dhe pasigurite per te ardhmen, jane deshirat per te jetuar me mire.

Disa prej tyre vertet jetuan e mire!

Interlokutoret


Ne Shqiperi gjithnje meson shume, sepse eshte ne qender te Qyteterimit te Lashte dhe atij Modern. Prane Greqise dhe Romes, jo larg nga Parisi dhe Brukseli apo dhe nga Gjeneve dhe Tel Avivi. Nuk ka se si mos jete vendi ku kryqezohen rruget kulturore, dijet dhe “trendet” e reja.

Kete rradhe mesova qe noteret ne Shqiperi paskan dhe rolin e “interlokutorit”. Nuk e dija, sepse ne vendin ku jetoj, noteret merren me zyrtarizimin e nje mareveshjeje. Por jo. Ne zyren e nje noteri qe ngjet me nje shpend(nuk di nese me prane micakut apo gargullit), mesova se noteret jane interlokutore dhe po aq te rendesishem sa shitesi dhe bleresi ne nje transaksion te pasurive te patundshme. Madje edhe me te rendesishem se shitesi dhe bleresi sepse keta dy te fundit nuk i njeh as ligji dhe as qeveria, kurse noterin qofte “micak”, “buke” apo te cfaredo llagapi e njeh Presidenti Meta, Kryeministri me gjithe qeveri, Lindita Nikolla dhe Gjykata e Larte.

Ne zyren e Interlokutorit te prisnin ne rradhe para kompjuterave tre “parainterlokutore”, qe te drejtonin me sy nga tjetri, se ishin shume te ngarkuar. Njera prej tyre, pasi me shpjegoi dicka dhe une e kuptova, shtoi edhe “pastaj te them!”, qe ma beri me te sigurt se kisha te beja me dike qe kishte mbaruar ne nje nga fakultetet europiane te jurisprudrences.

Dhe kur te gjithe te pranishmit, te rrjeshtuar ne kolltuket e shumte te zyres, po humbisnin durimin, u shfaq ai, “interlokutori” me sharmin e tij prej micaku dhe me floket e bera si kreshte zogu me xhel.

Me tej gjithshka shkoi “qumesht e mjalte”. Interlokutori fliste, lokutoret degjonin dhe ne fund te gjithe ishin te lumtur se transaksioni ndodhi dhe parate shume shpejt do shkonin ne llogarine e interlokutorit e pas dy ose tre muajsh ne lllogarine e shitesit.

Te kishte arritur kete dite gjyshi fatorino dhe tifozi i vetem i “Dinamos” ne qytet (kushte jo te mjaftueshme per te qene spiun)dhe te ngazellehej!

Kur te arrij ne qytetin ku jetoj do e shoh me perbuzje noterin tim. Nuk eshte interlokutor!

Wednesday 4 May 2022

Deshtaket


Ata mund t’i gjesh kudo. Edhe pa u munduar shume. Me lehte mund t’i takosh ne “kafenene e preferuar”, atje ku nuk i duan as kamarieret, se ndonjeher i bishtnojne pageses. Dhe jo se deshtaklleku ka bere t’ju mungojne te ardhurat, porse pikerisht deshtaklleku ju jep kenaqesi kur kafene e lene papaguar. Madje kjo ju jep me shume kenaqesi se kur ja u paguajne te tjeret, gje qe ndodh me te shumten e kohes.

Deshtaket rrine shume rralle vete. Vetmia i tremb. Per me teper, ne vetmi e kane te veshtire te presin t’ja u paguajne “harxhet” te tjeret. Gjithashtu“solidariteti” me te ngjashmit i ben te ndjehem me te sigurt ne nje bote te sunduar nga pasiguria dhe ku me e pasigurt eshte qenia e tyre e deshtuar. Ne grup mund te flasin me ore te tera per “deshtimet” e te tjereve, per “historite roze” te VIP-ave dhe “historite e zeza” te vulgut, gje qe i ben te mendojne se vertet nuk jane VIP-a, por nuk jane as vulg.

Ajo c’ka i ben me te rrezikshem deshtaket eshte fakti qe nuk deshtojne te ciftohen dhe te riprodhohen. Madje rralle here deshtojne edhe ne bashkimin e tyre se si mund te deshtojne dy te deshtuar? Ka syresh qe rrine gjithe jeten bashke dhe nuk ndahen asnje cast, ka te tille qe rrine shume pak bashke por nuk e humbin kurre dashurine e tyre te deshtuar dhe ka gjithashtu nga ata, qe e pranojne deshtimin e lidhjes, vertiten rrugeve pa partnerin, por nuk ndahen kurre. Se nuk mund ta pranojne deshtimin!

Po pse duhet humbur koha per te shkruar per deshtaket?

Ndonjehere per te keshilluar adoleshentet qe te mos behen te tille, ndonjehere per te treguar se bota do kishte deshtuar plotesisht po te mos kishte edhe si ata dhe ndonjehere per t’ju bere te qarte se njerezit i njohin. I njohin dhe dine jo vetem se c’thuhet ne tryezat e tyre, por edhe se c’fare poshtersish jane ne gjendje te bejne.

Dhe jo se jane njerez te ligj!

Thjesht se jane deshtake!

Monday 2 May 2022

Primitivizmi politik


Shoqeria shqiptare eshte ne nje lloj primitivizmi politik, te shkaktuar nga mungesa e tradites politiko-demokratike dhe vecanerisht nga shkaterrimi i “stofit” te shoqerise shqiptare qe ndodhi gjate 45 viteve te Diktatures.

Sot kemi nje ndarje te qarte te grupimeve politike, jo ne saje te ideologjise apo te interesave te grupeve, si ndodh ne vendet me demokraci normale, por nga besnikeria ndaj ceshtjes dhe udheheqesit. Nuk eshte gje tjeter vec nje forme e ngjashme me ate te Diktatures- besnikeri ndaj Partise dhe Komandantit.

Zhvillimet e fundit ne PD e vertetojne plotesisht ekzistencen fuqiplote te kesaj dukurie. Partia e pare “demokratike” i qendron besnike “anti-komunizmit” te saj dhe udheheqesit Berisha edhe pse ky i fundit ka nje thes me gjynahe ne 32 vjet dhe se fundi zyrtarisht eshte shpallur i padesheruar nga shteti me i fuqishem dhe me demokratik ne bote.

Ne te njejten menyre, milionere, klasa e mesme,dhe deri ne ata qe nuk kane te hane i qendrojne besnike PS-se dhe “komunizmit” te saj, si dhe udheheqesit hajdut Rama. Eshte e njejta mendesi e ndjekjes deri ne fund te Hoxhes, madje sikur Iliri, Sokoli apo ndonje nga Hoxhatet e tjere te kishte hyre ne politike, sot do ishin ne krye te PS dhe do ndiqeshin verberisht nga “besniket e Partise”.

Eshte e kote te besh analiza te hollesishme se “c’ka bere ky dhe ai”, “se si u bene ligjet dhe nuk u zbatuan” etj etj., sepse ato jane thjesht rrjedhoje e primitivizmit politik te shoqerise shqiptare. Ne te nuk ka as institucione fetare me ndikim, as grupe ushtarakesh te fuqishem, as elite intelektuale indipendente, as sindikata te forta dhe asnje lloj grupimi qe mund te konsiderohet i rendesishem ne perpunimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre. Ka vetem Partia 1 dhe Partia 2 te drejtuara ne vazhdimesi nga Lideri 1 dhe Lideri 2.

Ndaj eshte shume e veshtire te presesh demokratizim te vendit dhe te politikes nga nje shoqeri me nje kulture demokratike kaq te prapambetur. Ndaj eshte shume e veshtire te presesh nje sistem juridik te permiresuar, kur cdo segment i shoqerise ka mungesen e konceptit te se drejtes dhe te te moralshmes.

Ndaj ne kafenete e vendit tim do vazhdohet te degjohet pakenaqesia e njerezve, qe kerkojne zevendesimin e nje kaste hajdutesh me nje kaste tjeter mjaft te jete ajo me te cilen kane lidhje me te aferta shpirterore dhe familjare.

Duke parodizuar edhe nje here nje thenie te Kosoves, kur u shpall Pavaresia e shtetit tjeter shqiptare, per ne ja vlen te themi “Bac, u dhi!”

Sunday 1 May 2022

Tuli (Kepucet ciklamin)

 

Atij i pelqenin tulipanet. Aq shume i pelqenin dhe nga qe mbillte ne cdo pellembe te bashtes dhe gjithkund ku kishte pak dhe i kishin ngjitur nofken Tulipansi. Madje e therrisnin me perkedheli Tuli edhe te afermit e tij. Pasioni i kishte lindur ne rini, kur kishte ndenjur perballe nje lulerritesi plak, qe ne qytet e quanin “Kirurgu i luleve”. Agronomi plak tundte koken i pakenaqur kur e therrisnin kirurg, se do i kishte pelqyer me shume ta quanin “gjinekologu i luleve” edhe pse i pelqente shume t’i shartonte dhe te krijonte versione te reja, te papara as edhe ne Vendin e Tulipaneve. Per te lulet ishin forma me e perposur e vagines se femres, ndaj dhe do e ndryshonte me lehtesi nofken “kirurg” me “gjinekolog”, por ishte e kote se qytetit tashme kishte folur. Nuk ja kishin njohur meriten as kur pat krijuar tulipanin e dhembezuar ne majat e petaleve, ide qe i kishte lindur nga nje bejte popullore vulgare, por qe kishte nxjerre lulen aq te vecante, te cilen e pat pagezuar latinisht “albanicus dentalicus bulbiferous geophytes”.

Tuli pat mesuar te kultivonte tulipanet nga “kirurgu” por nuk kishte aftesite e plakut per te krijuar. Te gjitha qepzat qe kishte trasheguar nga lulerritesi i ruante me fanatizem, vecanerisht albanicus-in, qe nuk ndodhej ne asnje kopesht botanik ne bote. Kishte qene amaneti i fundit i kirurgut pak caste para se Tuli te kujdesej per porosite e fundit te tij, mes te cilave vendosja e petaleve te lules se krijuar mbi kapaket e mbyllur te syve te mjeshtrit. Ashtu e paten percjelle edhe thelle dheut, te cilin e kishte njohur imtesisht ne vite.

Lulet e vecanta i mbillte ne kendin me te spikatur te kopeshtit te tij, te rrethuar me nje kangjell fine hekuri te rrahur, mbi te cilen, ne nje tabele te vogel mund te lexoje ne alfabetin e Stambollit fjalet “Por nga gjith’ ato me pare dua me shume Shqiperine”. Kangjella dhe tabela nuk kishin qene mes porosive te fundit, por Tuli pat menduar se plakut do t’i kishin pelqyer.

Letrave te shumta te shoqates se tulipanisteve holandeze per te bashkuar “albanicus-in” me te gjithe familjen stermadhe te tulipaneve ne bote nuk ju ishte pergjigjur. Kishte njohur tulipanet nga kirurgu, ishte dashuruar prej tij me to dhe deri ne vdekje nuk kishte per ta shkelur amanetin. Ne stinet, kur tulipanet nuk kishin lule, pjesen mbi kangjella e mbulonte me nje membrane pleksiglasi qe nuk lejonte kend te germonte ne vendin e spikatur te kopeshtit. Nuk lejonte as bijen e vetme t’i afrohej atij vendi qe per te ishte i shenjte.

Deri diten qe dicka e paparashikuar ndodhi...

1 maj dhe Shen Thomai


Nje mik me shkruan “Proletare te te gjithe vendeve bashkohuni!” per te ironizuar Diten e Solidaritetit Nderkombetare te punonjesve, po rune ndjej keqardhje qe punonjesit ne vendin tim nuk jane solidare me njeri tjetrin. Bashkimi ben fuqine, por punonjesit dhe jo vetem ata e kane harruar kete postulat aq te rendesishem. Ne vend te saj parapelqejne te flasin neper tryezat e kafeneve se “ky vend s’behet”, “te gjithe jane hajdute”, “e blene edhe ambasadoren Kim” dhe te tjera “te verteta” te thjeshta qe nuk te shpien kerkund. Jane absurditete paralizuese qe te mpijne, te lene ne te njejten gjendje pasivo-cinike dhe te tregojne se je me shume budall se sa “ i quti” qe kerkon te hiqesh.

Mungesa e solidaritetit eshte nje nga te metat me te medha te shoqerise shqiptare, qe shfrytezohet nga politikanet hajdute. Per sa kohe njerezit ankohen , por nuk veprojne si nje njesi e vetme, politikanet kane mundesi t’i shtypin lehtesisht me propagande, me patronazhiste dhe te tjera metoda presioni dhe blerje qe tashme kane perfeksionuar.

Kete vit, 1 maji perkon me Diten e Shen Thomait, qe sipas Ungjillit eshte dita e dyshimit, e verifikimit edhe te thenieve te ardhura nga qiejt. Thomai edhe pse mes dishepujve me besnike te Zotit-njeri, nuk besoi ne fjalen e tij kur ju shfaq dishepujve nje jave pas Ringjalljes, por kerkoi te vinte gishtin e te prekte plaget e Jezusit. Me pas besoi dhe u perkushtua edhe me mire ndaj mesimeve te tij.

Dyshimi i shendetshem eshte nje tjeter cilesi qe i mungon shoqerise shqiptare, Nje pjese e saj beson verberisht ne ato qe thone politikanet ose mediat ndersa nje pjese nuk beson asgje, as ne ato qe thone politikanet dhe mediat dhe as ne ato qe thone ata qe kundershtojne politikanet dhe mediat. Ndaj kudo has ne besimtare te verber politiko-shoqerore ose ne dyshues te pandreqshem qe ose te thone:” Ku di ti mo!”, “Me dylbi i shikon ti nga Kanadaja?!” ose “Kushedi c’interes ke ti qe predikon kete?!”

Po nga se vjen kjo mendesi ne shoqerine shqiptare?

Shoqeria shqiptare ne nje mase te madhe eshte e droguar. Nga duhani, alkoli, kafet e pafundme, drogat e lehta dhe me shume nga droga e “diturise” qe nuk i le te mendojne, te dyshojne ne ato qe mendojne dhe te lexojne me shume. Jane te paket ata qe kane kersheri, qe pyesin shume dhe tregojne pak, qe ndjekin nje pyetje me nje tjeter per te kuptuar se c’ndodh ne bote dhe ne Shqiperi. Droga “une i di te te tera”, ose frika se mos bashkebiseduesi mendon “ky nuk i di te tera” ju ka dembelosur mendjen dhe me te te gjithe qenien e tyre sociale.

Ndaj sot, ne kete dite te dyshimit dhe te solidaritetit nuk jane ne gjendje te bejne as njeren dhe as tjetren, por te thone ne kafene duke lexuar ne celular keto rrjeshta: “C’na cau b... dhe ky i zgjuari i gajdes!”