Thursday 31 December 2020

Dialog me Arkitektin Pa Kufij (2)

 


(vijim)

Unë: Me një fjalë ju thoni se ato çka i quajmë “gabime të arkitektëve dhe urbanistëve”, janë rrjedhojë e “trysnisë“ mendore, që vjen nga masat e investitorëve të mëdhenj dhe të vegjël? Nuk do ishte më mirë, që profesionistët të udhëhiqnin një lloj “revolucioni” në arkitekturën e një vendi, në këtë rast të Shqipërisë?

APK: 100 vjet më parë, Corbyzjeja shkruante që: “Stilet janë të rreme. Vetë stili është një bashkësi parimesh, që i japin jetë gjithë punëve të një periudhe dhe që sjell një frymë karakteristike… Epoka jonë kristalizon çdo ditë stilin e saj…” Pra nuk mund të jenë arkitektët ata që do përcaktojnë ose do udhëheqin mënyrën se si konceptohet hapësira dhe mënyra e të ndërtuarit, por është epoka ajo që e përcakton. Një periudhë “tranzicioni” në zhvillimet sociale, ato ekonomike dhe ligjore do rezultojë në një lloj “kakofonie” stilesh dhe qëndrimesh ndaj arkitekturës. Në fazat e para të zhvillimit të qyteteve shqiptare post-komunizëm, projektet e “kioskave” të vogla dhe gjigande, vendosja e tyre në zonat qëndrore të qyteteve dhe në parqe ishin vepra të arkitektëve dhe të urbanistëve. Edhe për shkak të mosformimit shumë të mirë arsimor të profesionistëve, u bënë gafa nga më të marrat, por kryesore ishte mendësia e “turmës”, që përcaktoi prirjet ndërtimore të asaj kohe. Ndaj që të presësh se arkitektët mund të  kryejnë “revolucion” në arkitekturë dhe më shumë akoma të sjellin edhe një “revolucion social” është utopi e pastër.

Unë: Mua nuk më pëlqen idea, që arkitekturën e periudhës së tranzicionit ta quajmë “arkitekturë tranzicionale”, sepse kam frikë se tranzicioni shqiptar do zgjatë edhe 50 vite të tjera dhe më duket shumë pesimist parashikimi se edhe në 50 vite të tjera hapat në konceptimin e ndërtimeve do jenë shumë të vogla. Për më tepër kemi shembujt e Dubait, Katarit, Shangait apo Moskës, ku edhe pse shoqëria është në tranzicion, investimet e mëdha kanë qënë ndër veprat më në pararojë të arkitekturës bashkëkohore.

APK: Këtu kalojmë në një ide tjetër po aq të diskutueshme. A është arkitektura e një qyteti apo një vendi arkitektura e disa veprave të mëdha edhe nëse ato janë të gjitha të shkëlqyera? Unë mendoj që nuk është. Nuk mund t’i karakterizojmë ndërtimet e Bilbaos me cilësitë e “Guggenheim” të Gehry-t, as ato të Moskës me “Evolution Tower” të Kettle, apo edhe më tej arkitekturën e Barcelonës me veprat e Antonio Gaudit. Këto “perla” mund të shkëlqejnë edhe më shumë pikërisht se nuk kanë karakteristikat e arkitekturës të një hapësire të caktuar urbane. Karakteristikat më tipike janë ato që shihen në rrugët, parqet, banesat, në orientimin ndaj diellit, në përdorimin e ngjyrave dhe ngarkesën e dekorimeve etj.etj. Pikërisht në njësitë më bazë dhe më të thjeshta të arkitekturës të një qyteti, të një zone apo të një vendi. Ndaj në këto rrënjëza (dhe degëza) duhet të kërkojmë edhe se ku është arkitektura shqiptare e sotme, dhe se sa epoka në të cilën jemi e ka përcaktuar atë.


Unë: Atëhere duhet të kthehemi në idea e “international style”, sepse sipas jush nuk mund të ketë arkitekturë kombëtare apo arkitekturë të një qyteti të veçantë, i madh apo i vogël qoftë, pasi është vetëm “epoka” e cila përcakton rrugën që do ndjekë trajtimi i hapësirave dhe ndërtimeve?

APK: Ju po më “ngarkoni” me gjëra që nuk i kam thënë edhe pse vetëm para 5 minutash e e cikëm këtë ide. Citimi i Korbyzjesë nuk kishte të bënte me nevojën për “international style”, por me rolin përcaktues që luan e gjithë masa e investitorëve dhe projektuesve, në një kohë të caktuar dhe në një vend të caktuar, në varësi të formimit kulturoro-shoqëror. Për ta thjeshtëzuar pak, le të themi se miratimi i një studimi urbanistik pjesor varet nga tre “grupe” njerëzish – ata që do e finanacojnë (developer), ata që do e projektojnë (arkitektë dhe urbanistë) dhe ata që do e miratojnë (administrata lokale). Po le jashtë për rastin e Shqipërisë, grupin e katërt dhe më të madh, që është opinion publik. Nga konceptet ekonomike, shoqërore, kulturore, ndërtimore të tre grupeve të sipërpërmendur do rrjedhë rezultantja e zhvillimit të një hapësire të caktuar. Nëse do predominojë “ideja dhe formimi” i një grupi, kjo varet shumë nga “forca” e investitorit, arkitektit apo administratorit, por gjithsesi në më të shumtën e rasteve do jetë një rezultante. Në vendet ku i jepet më shumë rëndësi opinionit publik, atëhere kjo rezultante është akoma më pranë atij që quajmë “shpirti i epokës”. Por edhe në rastin e “demokracive hibride”, si është Shqipëria, edhe pse “administratorët” mund të jenë shumë të fuqishëm, arkitektura mbetet nën “kontrollin” e “shpirtit të epokës”. Psh. gjatë viteve të para, kur Edi Rama ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës, jo vetëm fasadat e vjetra të banesave kolektive i kthehu në “lulushanka”, por edhe ndërtimet e reja që “miratonte” kërkonte të ishin të asaj fryme. Më pas erdhi në rrugën “normale” të një lloj racionalizmi edhe pse si artist dhe karakter ishte dhe mbetet ekzibizionist. Dhe jo pse pa në ëndërr Van Der Rohen apo Filip Xhonsonin, por sepse ndjeu “trysninë“ e ideve të pëlqyeshme nga shumica e njerëzve, profesionistë ose jo profesionistë. As “korrupsioni”, kjo dukuri kaq e përhapur në “demokracitë hibride” nuk luan asnjë rol në përcaktimin e frymës së ndërtimeve apo të stilit të tyre.

Unë: Si ka mundësi që arrini në këtë përfundim? A nuk është korrupsioni ai që solli atë që quajmë “betonizim i qyteteve” dhe që vlen jo vetëm për Tiranën edhe pse atje është më i ndjeshëm? Po rasti i (mos)mbrojtjes së monumenteve kulturore dhe të arkitekturës, a nuk është pasojë e korrupsionit?

(vijon)

Monday 28 December 2020

Dialog me Arkitektin Pa Kufij


Unë:
Më në fund mund të themi se edhe në Shqipëri po projektohet si në çdo vend europian dhe prirjet janë gjithnjë e më shumë (sidomosnë Tiranë)ndaj një arkitekture të fundit të shekullit të kaluar dhe të shekullit XXI.

APK: Kë quan arkitekturë të fundit të shekullit të kaluar dhe të këtij që jemi? Për më tepër ku i sheh në Shqipëri shembujt e saj?

Unë: Mbase nuk mund të bëj një përcaktim të prerë të arkitekturës së 40 viteve të fundit në botë, por më tepër do e quaj si një bashkëjetesë stilesh të ndryshme prej postmodernizmit, high-tech, ekologjike dhe deri tek dekonstruktivizmi. Edhe pse në Shqipëri investimet janë më modeste, përpjekje për këtë lloj arkitekture ka sidomos në Tiranë dhe disi më pak në zonat bregdetare.

APK: Nuk mendoj se arkitektura është vetëm “forca e investimit” edhe pse ti mund të përmendësh shembujt e Vendeve të Gjirit Persik, apo Kinën dhe Moskën. Në rradhë të parë arkitektura është filozofi dhe mentalitet i bashkësisë që e krijon dhe me të nuk kam parasysh vetëm arkitektët dhe urbanistët, por të gjithë bashkësinë e vendit duke nisur nga njerëzit e thjeshtë dhe deri tek artistët më avangardë. Ndaj ekziston një premisë absolutisht objektive, që një popull i cili ka jetuar nën një rregjim totalitar shumë të ashpër e ka të vështirë “të çlirohet” nga mendësia e ngushtë dhe të shpërthejë në kërkesa për një konceptim të hapësirës në mënyrën më të përparuar të mundshme.

Unë: Doni të thoni se nëse muzika më e ndjekur është ajo “tallava”, atëhere edhe arkitektura do jetë një lloj “tallavaje”, e cila priret të imitojë shembuj të ndërtimeve ndërkombëtare pa marrë parasysh dritën, veçanëritë e peisazhit shqiptar, materialet tradicionale etj. etj.?

APK: Raportet me dritën, vëllimet, peisazhin, siluetat dhe materialet janë më “teknike” dhe kanë të bëjnë me projektuesit dhe jo me “popullin investitor”. Raportet me hapësirën, me prirjen se ku dua të jetoj dhe se si, se ç’dua të dëshmoj me banesën time apo me objektin që kam në pronësi, janë ato, të cilat kanë të bëjnë me masën e njerëzve dhe që përcaktojnë zhvillimet urbanistiko-arkitekturore. P.sh. thuhet se zhvillimi hapësinor dhe arkitektura e Tiranës në këto 25 vjet është e diktuar nga shijet e Edi Ramës. Unë them që Jo. Ndikimi i tij ose dhe i arkitektëve rreth tij është shumë më i vogël, nëse e marrim në kontekstin e gjithë tendencës të popullsisë shqiptare për tu grumbulluar në Tiranë, mundësisht për të ndërtuar sa më në qendër dhe për të pasur një fitim maksimal në sipërfaqet e ndërtuara paçka se ç’lloj “monstre” do dalë. Eshtë mendësia e njerëzve që kanë jetuar nën një regjim absolutist, dhe që mendojnë se sa më pranë “oborrit” të jesh aq më i fuqishëm dhe i vlerësuar do jesh. Kjo sjell, që Tirana edhe pse rritet, sa vjen dhe bëhet më “e ngushtë“, si të thuash si një dëshirë e nënndërgjegjes së njerëzve për të kontrolluar dhe për të qënë nën kontroll. Nëse do kishte një mendësi të përgjithshme të ndryshme nga kjo, kryeqyteti mund të ishte konceptuar me dy ose tre “nukle” qëndrore (le të themi qëndra financiare apo ajo e high-tech) të cilat do e sillnin Tiranën në rrugën e një metropoli bashkëkohor në rritje dhe të pëlqyeshëm për të jetuar.

(vijon)

 

 

 

Sunday 27 December 2020

Para një fotoje


Nuk di nëse ishte vjeshtë apo pranverë. Di vetëm që ishim 18 vjeçarë. Tani të gjithë 61 vjeç. Njëri prej nesh nuk është më. Jani i shkretë. Më i miri i djemve të maturës 1978.

Eshtë larguar edhe profesori i fiskulturës, Maqo Kostallari, për të cilin kam shkruar dikur në blog. Po të na theshte gjysëm fjale, të gjithë ne që jemi në foto dhe shumica e djemve të maturës mund të hidheshin me gjithë rroba në liqenin e Gjançit, në breg të së cilit është marë kjo foto. Maqoja do ketë këmbëngulur për fotografinë dhe ka tërhequr edhe Engjëll Hysenbegasin, mësuesin e fizikës, që sa kishte ardhur atë vit në shkollën tonë dhe për hir të së vërtetës po e them, që asnjë nga nxënësit nuk e pëlqente. Ndenji shumë pak në Korçë dhe s’di se ku është tani. U shfaq dy –tre vjet në politikë, si nënkryetar i PD-së, por nuk u mor vesh se ç’ndodhi më pas me të. I kishim ngjitur nofkën “Tamani”, sepse ishte një fjalë që e përdorte shpesh dhe na binte në sy që nuk e theshte “tamam”.

Me kitara janë shokët e mij Gjegji Raidhi dhe Artan Bejko, të cilët për ato vite ishin “Pënia” dhe “Leva”. Për vite të tëra kënduam mijra herë sëbashku, jo rrugëve, se serenatat ato kohë ishin të ndaluara, por parqeve, plazheve dhe nëpër shtëpitë tona. Asokohe nuk kishte “party” si të kohës së sotme, kur vajza e djem mblidhen diku dhe këndojnë e kërcejnë, pinë ndonjë gotë dhe herë herë “tymosin” pak drogë. “Party-t” tona ishin dy kitara, një grup djemsh që këndonin e stononin dhe hiqnin me rradhë nga një gllënqkë të një shishe rakije. Leva kishte mes nesh zërin më të bukur dhe më të intonuar. Një bas-bariton i ëmbël, që mund të ishte bërë këngëtar shumë i mirë.

Zakonisht në kitarë luante edhe Valter Kokojka, që në foto është i shtrirë në kurriz. Kokojka ishte në të rrallët maturantë, që pati një karrierë sportive të nivelit kombëtar. Në hedhje disku ishte shpesh në podiumin e fituesve të veprimtarive kombëtare si medalist bronxi, por edhe argjendi. Me një qetësi të habitshme, është thuajse po aq i ri dhe i fuqishëm edhe sot dhe nuk e sheh kurrë të mërzitur ose të tensionuar. Cilësi të ngjashme me të kishte edhe Gjergji Kita, të cilin unë e thërrisja “engles”, se jo vetëm ishte tifoz i Anglisë në futboll, por ishte edhe menefrego. E kam kujtuar shpesh këto kohë të Covid -19 , kur shoh njerëz të intubuar, sepse në fund të maturës mori një të ftohur shumë të rëndë dhe mbeti disa javë në komë dhe në oksisgjen. Shkonim ta shihnim në spital duke pritur lajme të mira, që vononin. Ishte ballafaqimi i jonë i parë me mundësinë e humbjes së jetës. E takoj rrallë , kur shkoj në Korçë, por ruan të njëjtën buzëqeshje në fytyrë.

Më shpesh (nëse mund të quhet e tillë një herë në disa vjet) takohem me Berti Kapon (në foto ngjitur me Hysenbegasin), që jeton si unë në Kanada. Kapoja kishte natyrë lideri, që i shkonte mbiemrit. Fizikisht i formuar, shkëlqente në sporte, por nuk ndoqi asnjëherë karrierë sportive. U bë ekonomist, po ashtu si u bë edhe “Pënia”. Me këtë të fundit jo vetëm rrinim gjithë kohën , por ishim edhe të një gjatësie dhe peshe, sa shpesh të tjerët përdornin për ne togfjalëshin “Numja dhe Pënia”. Edhe sot ka ndonjë të njohur të vjetër, që nuk është i sigurt nëse unë jam Numja apo Pënia. Kishim qënë që në kopësht të dy dhe bashkë me ne ishte edhe Vaso Saroja, që si gjithnjë(edhe në foto) qëndron në prapavijë, për të lëshuar ndonjë batutë plot humor. Kam harruar se me ç’nofkë e thërrisnim. Ishte basketbollisti më i mirë i maturës sonë. Brezi jonë, nën ndikimin “e huaj “ të televizionit jugosllav, luante më shumë basketboll se futboll gjatë viteve të gjimnazit.Veç nën ndikimin e “shfaqjeve të huaja” nuk i kishim kapercyer dot kufizimet e një mentaliteti “maçist”, që ndjehet në foton e marrë gjatë një eskursioni. Nuk ka asnjë vajzë edhe pse ato rrinin disa metra më tej dhe kur këndonim e bënim kryesisht për t’ju rënë në sy. Tani, në fotot e përvjetorëve të maturës, i sheh bashkënxënësit e përzjerë, të ekzaltuar, të zënë krahësh dhe shpatullash, burra e gra, sikur ndjehen të penduar për “kohët e humbura”.

Të gjithë jemi me fëmijë të rritur dhe disa edhe gjyshër. 5 maturanët të së IV- D dhe tre të të IV-A. 4 prej nesh në Korçë dhe 3 në Amerikën e Veriut. I miri Jani Papanaumi i larguar prej nesh që në janarin e vitit 1993. I pazëvendësueshëm.

Pas dy-tre vjetësh do jetë 45 vjetori i kësaj fotoje. Gjançi do jetë sërish atje; drita e bukur e diellit të zonës së Korçës do jetë e njëjtë dhe ndoshta edhe të gjithë ne, pak më të moshuar. Dhe mbase do themi “rrojtëm mirë pa dhe u moshuam”.

Friday 25 December 2020

Lufta ka nevojë për kriminelë(jo për heronj) (fund)


 (vijim)

Kristin Hannah është një shkrimtare amerikane e brezit tim, që nuk ka marrë pjesë në ndonjë luftë, e megjithatë ka një shprehje shumë të goditur rreth saj: “…në dashuri ne zbulojmë se cilët duam të jemi; në luftë gjejmë se cilët jemi në të vërtetë“.

Kjo ju ka ndodhur të gjithë luftëtarëve, të paktën në luftrat në vendet e qytetëruara, gjatë 80 viteve të fundit. Pjesëmarrsit në to kanë qënë të ndryshëm duke nisur me idealistët dhe oportunistët, duke vazhduar me kriminelët dhe të përmbajturit, e duke përfunduar me tradhëtarët dhe besnikët. Kuptohet që ka pasur edhe shumë kategori të ndërmjetme, ose që kanë qënë njëkohësisht të themi edhe të përmbajtur edhe opportunistë e kështu me rradhë. Në luftë shumë syresh kanë zbuluar edhe cilësi, të cilat nuk kanë ditur se i kanë pasur. Veç një gjë është e sigurt, që ata të cilët kanë shkuar vullnetarisht për të luftuar e kanë ditur se duhet të vrasin.

Mes luftëtarëve partizanë dhe atyre ballistë, si dhe atyre italianë, grekë dhe gjermanë, gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, ka pasur edhe idealistë, edhe pacifistë, edhe njerëz të drejtë. Një pjesë e tyre ose janë mobilizuar me forcë, ose janë ndikuar nga propaganda dhe manipulimet, që ju kanë bërë qeveritë e tyre ose grupet luftënxitëse. Procesi i “trushpëlarjes” së masës së njerëzve, është një proces më i thjeshtë se sa mund të duket. Mjaftojnë disa premtime për “hapësira ekonomike”, të shoqëruara me “ faktet për padrejtësitë historike ndaj Mëmëdheut”, si dhe me vepra letrare e artistike që “evokojnë“ kohët kur “nxirrnim vetëm trima dhe luanë“ dhe shumë njerëzve normalë e të qetë, fillon dhe “ju vlon gjaku”. Ndjenja pozitive “për drejtësi” kthehet në një “energji vrastare” ndaj njerëzve të tjerë, gjë që nuk ndodh tek kafshët. Vërtet që nga katër etnitë e përmendura më lart, e drejta për të “rimarrë“ vendin dhe qeverisjen e tij ju takon vetëm shqiptarëve, por kjo nuk na justifikon as ne për krime që “kanë tejkaluar të drejtën e vetmbrojtjes” dhe më shumë akoma, atë të vrasjeve në mes shoshoqit. Pjesa më e madhe e këtyre të fundit nuk u bënë për arsye ideologjike dhe jo vetëm për “grabitjen” e pushtetit, por sepse mes luftëtarëve të të dy krahëve, shumë kriminelë kishin nga postet më të thjeshta e deri në ato më të larta. Këta të fundit ju kishin premtuar atë çka historikisht ju premtohet atyre që luftojnë. “Plaçkë dhe para” pas fitores së Luftës. Dhe këtë e fjalë e mbajtën sepse të gjithë “kriminelët-luftëtarë“ u shpërblyen me ofiqe dhe paga të larta dhe nëse nuk “binin ndesh” me Diktatorin, u larguan nga jeta si të privilegjuar.

Haxhi Lleshi, Myslym Peza, Jaho Gjoliku, Agush Gjergjevica, Idriz Seitaj e të tjerë edhe pse me disa klasë shkollë mbajtën deri në fund detyra të larta në qeveri dhe ushtri. Kriminelët e Ballit u larguan nga vendi ose pësuan dënime të rënda familjarisht, pikërisht se ishin Humbësit. Lufta kishte kthyer në kriminelë (ose më mirë kishin qënë potencialisht të tillë) idealistë si Mehmet Shehu, që vërtet kishte shkuar si vullnetar në Luftën e Spanjës, por “pagëzimi” i atjeshëm me Luftën e pat kthyer në një “përbindësh” si gjatë Luftës së Dytë, por edhe më pas. Nuk patën pësuar transformim të tillë vullnetarët e tjerë të Spanjës. Mjaft të përmendim Skënder Luarasin dhe Petro Markon.

Rasti i Enver Hoxhës është i një lloji tjetër. I zgjuar dhe dinak, me shumë pak vullnet për të studiuar dhe punuar, edhe pse mund të mos ishte në gjendje të vriste me dorën e tij, ai gradualisht u kthye në një mjeshtër i intrigave, i vrasjeve pas shpine, i manipulimeve të njerëzve, zbulimeve të komploteve edhe ku nuk ishin,  gjë që e dëshmoi me karrierën e tij të suksesshme dhe të gjatë në pushtet. Duke përdorur një shprehje, që i atribuohet Bab Myslymit për Enverin: “O çun i qut ai. Shef larg.”

Po pse pjesëmarrsit në Luftë, mbeten aq të lidhur psikologjikisht me të deri në fund të jetës së tyre, si e dëshmon edhe Lubonja për prindërit e tij?

Përgjigja gjendet lehtë në një nga veprat letrare më të vjetra dhe më madhore të historisë së Njerëzimit - “Iliada” e Homerit. Përjetimet e luftëtarëve grekë dhe trojanë janë të fuqishme, intensive dhe lenë gjurmë të thella edhe vite pasi lufta ka përfunduar. Në luftë janë aq pranë vdekja, lavdia, ari, marrja e pushtetit, gratë e bukura të të tjerëve,  e ardhmja e përmbysur për mirë a keq. Ndaj jo vetëm tek luftëtarët e parë në dritë pozitive prej Homerit, si Odisea dhe Enea, por edhe tek kriminelë si Agamemnoni, që vrau vajzën e tij, për hir të nisjes së fushatës pushtuese, lufta e Trojës mbetet ngjarja që përcakton edhe vazhdimin e jetës së tyre.

Idealizimi i luftës vazhdoi pandërpreje në Shqipëri edhe në periudhën e fundit të viteve ’50, kur politika zyrtare e Bllokut Lindor Komunist trumbetonte pacifizmin. Kriminelët mbetën për një kohë të gjatë në pushtet, deri sa  nisën të vrisnin njëri tjetrin dhe të internonin familjet e shokëve të tyre, tashmë të kthyer në armiq. Por pseudopatriotizmi dhe pseudoheroizmi i tyre gjatë luftës mbeti një “kartë“ nga e cila nuk u ndanë kurrë dhe të rrallë ishin ata, që pranuan se në luftë kishin hyrë për të përfituar në të ardhmen dhe gjithashtu kishin bërë krime mbi popullsinë civile. Shumica përsërisnin refrenin e kriminelit “Në luftë janë bërë edhe gabime!”

Gabime këto që kanë marrë jetë njerëzish dhe kanë lënë fëmijë jetimë.

Wednesday 23 December 2020

Lufta ka nevojë për kriminelë(jo për heronj) (4)

 


(vijim)

Nga pikpamja njerëzore dhe pacifiste, mosangazhimi i shqiptarëve në vitet e para të Luftës së Dytë, tingëllon si një shenjë e përparimit dhe qytetërimit të tyre. Edhe pse s’ka gjasa të kemi qënë më të qytetëruar se popujt e tjerë europianë, qetësia në Shqipërinë e pasluftës italo-greke ishte e mirë për familjet shqiptare. Në krahasim me periudhën e Zogut, punët ishin shtuar dhe njerëzit jetonin relativisht më mire se më parë. Kjo zgjati deri në fillimet e vitit 1943.

“Zgjimi” kombëtar i shqiptarëve zuri fill pas direktivave të Kominternit për rrjeshtim në krahun e Aleatëve, pas hyrjes në luftë të Bashkimit Sovjetik në verën e vitit 1941. Deri atë kohë Internacionalja Komuniste kishte mbajtur vijën e neutralitetit në luftën “mes fuqive kapitaliste”. Në fund të 1941-shit u formua Partia Komuniste, si organizimi i parë politik antifashist në Shqipëri. Komunistët e pakët dhe “injorantë“ shqiptarë kishin qënë deri atë kohë pa ndonjë ndikim në jetën e vendit. Të tillë mbetën edhe deri në fund të vitit 1942, kur patën organizuar Frontin nacional-çlirimtar dhe ranë në sy të rregjimit të huaj, si një forcë që nuk mund të injorohej. Po ashtu ata tërhoqën vëmendjen edhe të shtresave të tjera të popullsisë, që deri atë kohë “flinin” dhe që bëri që në dhjetor të vitit 1942, të formohej Balli Kombëtar, si një kundërpeshë politike e Frontit.

Komunistëve (si të gjithëve) ju duheshin para dhe luftëtarë për të organizuar një lëvizje të armatosur kundër Italisë dhe Boshtit, në krahun e Aleatëve. Nisën të mblidhnin nga tregëtarët ndihma në të holla për përgatitjen e luftës dhe më shumë i kishin sytë nga anglezët. Sigurisht, që prej këtyre të fundit nuk mund të merrnin asgjë pa dëshmuar se ishin të organizuar dhe po vepronin kundër italianëve. Ndaj për këtë duheshin aksionet luftarake. Dhe më të përgatiturit për luftë, sigurisht që ishin banditët shqiptarë. Ndër të parët që pranuan të bëheshin bashkë me komunistët ishte Myslim Peza, i cili në verën e 39-ës kishte ardhur nga Jugosllavia, ku kishin qënë i strehuar politikisht, si i dënuar me vdekje nga gjykatat shqiptare për krime të kryera. Duhet thënë se shumë shqiptarë të pasur ose jo, kriminelë ose jo, patën qënë të strehuar politikisht në vendet fqinjë, ku edhe paguheshin prej qeverive të atyre vendeve si kundërshtarë të Zogut. Pjesa më e madhe u kthyen me hyrjen e Italisë dhe shumë u angazhuan në administratën kuislinge, kurse të tjerë ose qëndruan neutralë, ose në varësi edhe të lidhjeve me të huajt ndenjën të mënjanuar duke pritur se nga do shkonte lufta. Kishte edhe nga ata që u internuan prej Italianëve, si kundërshtarë të mundshëm të regjimit.

Vëllezërit Peza (Myslimi dhe Shyqyriu) kishin vrarë për hasmëri dhe për tu mbrojtur nga të tjerë vrasës, që në vitet ’20 dhe ishin dënuar në mungesë nga gjykatat shqiptare. Një kthim i mundshëm i Zogut pas Luftës së Dytë nuk ishte në dobi të tyre, sepse edhe në rast se do ju falej jeta, kishte shumë mundësi që të përfundonin në burgje si armiq tradicionalë të Zogollit. Të tillë ishin edhe pjestarë të tjerë të klanit Peza, si Kajo Karafili i lindur në Pogradec dhe i arratisur në Jugosllavi pasi kishte vrarë një xhandar në vitin 1928, Mustafa Kaçaçi i lindur në Krujë dhe i dënuar me burgim të përjetshëm si ndër organizatorët e Kryengritjes së Fierit dhe i arratisur në Jugosllavi pas një vrasje tjetër në Gjirokastër më 1939, Myslym Keta etj. Veprimtari dhe karakteristika të përafërta me ta kishin Haxhi Lleshi, Abaz Shehu, Mustafa Xhani, Shefqet Peçi, Petrit Dume, Jaho Gjoliku, Dali Ndreu, Agush Gjergjevica, Idriz Seitaj, Gjeli Argjiri, Asim Aliko, Teki Kolaneci, Hekuran Pobrati dhe dhjetra të tjerë, një pjesë e të cilëve dhanë jetën gjatë luftës. (Shumë nga të sipërpërmendurit nuk kishin asnjë lidhje me komunizmin si ideologji dhe nëse gjatë dhe pas luftës emrat e tyre lidhen me krime të rënda, kjo ka të bëjë kryesisht me psikologjinë e tyre prej kriminelësh.)

Edhe pse më të shkolluar, shumë nga udhëheqësit e çetave të Ballit Kombëtar, ishin individë me të kaluar kriminale, duke nisur me Aziz Camin, Hysni Lepenicën, Myzafer Shehun, Ismail Golemin, Xhelal Staraveckën, Kadri Cakranin etj. Për më tepër, ndoshta për mungesë luftëtarësh, në ndryshim nga Fronti(që kërkonte disiplinë morale të luftëtarëve), Balli Kombëtar la të lirë pjestarët e armatosur të çetave të tij të kryenin krime nga më të rëndat mbi popullsinë civile duke nisur me plaçkitje e duke vazhduar me përdhunime, tortura dhe vrasje. Krimet e shkurtit 1944 në disa nga qytetet shqiptare, të kryera nga ballistët kosovarë, (të ashtuquajturat më vonë bandat e Xhafer Devës) ishin disa nga krimet e shumta të kryera nga ballistët ndaj familjeve të lidhura me Frontin, por edhe ndaj atyre të papërzjera në luftë.

(vijon)

Sunday 20 December 2020

Lufta ka nevojë për kriminelë(jo për heronj) (3)

 (vijim)


Disi e çuditshme është se si njerëzit familjarizohen me atmosferën e luftës dhe praninë e vdekjes së papritur. Ditët e pranverës dhe verës të vitit 1997, rrinim kafeneve, ku shpesh shihje njerëz me revolverë në brez, që jo rrallë edhe i nxirrnin dhe luanin me ta. Funeralet e të vrarëve ishin të shpeshta dhe në shumë raste shoqëroheshin me të shtëna në ajër nga të afërmit ose shokët. Edhe pse njerëzit e dinin, që mund të shkonin “për dhjamë qeni”, jeta vazhdonte përsëri e gjallë. Në ekstazë ishin kriminelët, por edhe ata filluan të vriten mes tyre për hesape të vjetra e të reja. E megjithatë ishte koha kur po mbushnin xhepat, drogoheshin rregullisht dhe dëfrenin nëpër orgjira. Kohë lufte, kur kriminelët vepronin me vetëfinancim, pa pasur nevojë që të paguheshin nga “bosët” e përhershëm të luftrave.

Edhe pse e ndryshme nga “lufta” e 1997, edhe lufta e Dytë Botërore në Shqipëri duhet të ketë patur shumë aspekte të ngjashme të sjelljes së individëve, psikologjisë së masave, filozofisë të pjesëmarrësve aktivë etj. Para se të fillonte lufta në Shqipëri, ishte pushtimi nga Italia fashiste. Zogu nuk ishte përgatitur për luftë edhe pse kishte vite që diheshin ambiciet e Duçes për të hyrë në Ballkan. Arsyeja kryesore ka qënë dobësia financiare e shtetit shqiptar dhe aleanca e “trashur” me Italinë, që e kishte larguar nga lidhjet e forta me Anglinë dhe Francën, të cilçt mund të ishin përkrahësit e fortë të Shqipërisë për të ndalur agresionin italian. Austria, aleatja tradicionale e Shqipërisë ,kishte  qënë jo vetëm e dobësuar shumë në vitet ‘30, por më 1939 pjesë e Gjermanisë, pas Anchlus të vitit 1938. Nëse do kishte mjete financiare dhe mbështetje tek fuqitë e mëdha, Zogu “do i kishte mbathur opingat dhe do ishte ngjitur në mal” për të luftuar e mbrojtur vendin, por pat qënë dritshkurtër në politikën e jashtme. Luftëtarët edhe pse të pastërvitur mirë, Shqipëria do i gjente, dhe ashtu si Greqia mund t’i kishte rezistuar agresionit italian.

Por hipotezat “gjeopolitike” nuk kanë ndonjë vlerë dhe ajo që duhet bërë është një hedhje drite në mënyrë sa më të paanshme në luftën e Dytë Botërore në territoret e banuara nga shqiptarët.

Edhe pse Ahmet Zogu ja u kishte mbledhur armët shqiptarëve, gjatë kohës së tij dhe por edhe pas pushtimit Italian, në zonat malore të Shqipërisë kishte banda të armatosura hajdutësh e kaçakësh. Gjithashtu shumë fshatarë ende kishin armë të fshehura “hatullave”, për tu mbrojtur nga keqbërësit, për të goditur “hasmët” dhe si thuhet në një anekdotë me një prift katolik në Veri “për çdo eventualitet”. Dëshirë për të larguar Italinë kishte tek të rinjtë, ndonëse si do vihej re më vonë nga disa ushtarakë anglezë të pranishëm në Shqipëri në kohën e Luftës “patriotizmi mes shqiptarëve linte për të dëshëruar”. Problemi komplikohej akoma më shumë mes nacionalistëve, sidomos në Kosovë, pasi Italia duke ndjekur politikën e “Shqipërisë së Madhe” quhej çlirimtare e trojeve shqiptare nga sërbët.

Në Shqipëri mungonte dëshira e shtresës së pasur për të financuar një luftë kundër pushtuesit. Janë gjithnjë të ashtuquajturat “borgjezi kombëtare”, të cilat organizojnë një luftë të tillë. Në vitet e para të pushtimit Italian, shtresa e pasur shqiptare, sidomos tregëtarët po kalonin një periudhë të artë fitimesh. Në vend ishte shtruar një ushtri italiane 200 mijshe (pa futur këtu civilët italianë), që do të thoshte 200 e ca mijë konsumatorë jo të varfër shtesë në një vend një milionsh. Gjithashtu shumë nga investimet ushtarake italiane shkonin në xhepat e biznesmenëve shqiptarë. Ndaj “elita” e kombit nuk kishte ngutje në parashikimin e rrjedhës së ngjarjeve në Europë, nga të cilat do varej edhe e ardhmja e Shqipërisë pas luftës. Dy vjet e gjysëm pas prillit 1939, në vend nuk ekzistonte asnjë organizatë politike nacionaliste e orientuar kundër pushtuesve të vendit.

U luftua në territorin shqiptar vetëm ndërmjet ushtrive italiane dhe greke prej tetorit 1940 dhe deri në prillin e vitit 1941. Ndoshta grekët kishin më shumë “kriminelë“ në ushtrinë e tyre; ndoshta Italianët ishin më pak gjaksorë, se po luftonin në një vend të huaj dhe nuk ishin të bindur në përfitimet personale që u jepte lufta; e kushedi sa ndoshta të tjera, por fakt është që megjithëse shumë më të pakët në numur, grekët i vunë para Italianët. Vetëm futja e Gjermanisë dhe Bullgarisë në luftë kundër Greqisë, shpëtoi Shqipërinë nga një pushtim i plotë grek. Shqiptarët vetë kishin ndenjur thuajse si “sehirxhinj” në luftën mes dy fqinjëve, një i rrjeshtuar me Aleatët e tjetri me Boshtin. Batalionet me shqiptarë të mobilizuar si pjesë e ushtrisë italiane, përgjithësisht u treguan inaktivë në luftime, ose pjesëtarët e tyre dezertuan në masë edhe pse propaganda fashiste ishte munduar të nxiste ndjenjat patriotike të çlirimit të Camërisë. Ndërkohë bandat e hajdutëve përfitonin nga kaosi që sillte fronti i luftës Italo-Greke .

(vijon)

Friday 18 December 2020

Lufta ka nevojë për kriminelë(jo për heronj) (2)

 

(vijim)

Në historinë e afërt të vendit tim ka dy konflikte të përgjakshme. Më pranë është kaosi-përplasje civile e vitit 1997. E dyta më pranë saj në kohë është Lufta nacional-çlirimtare, ose më mirë ta quajmë lufta komplekse në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Termi nacional-çlirimtar ishte një term fals, sepse identifikonte gjithshka që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore me Frontin Nacional – Clirimtar, por luftë ishte bërë edhe para formimit të Frontit, edhe nga Balli Kombëtar (që ishte e kundërta e Frontit edhe pse mbante për emër shqipërimin e tij) dhe më vonë edhe mes Frontit dhe Ballit për marrjen e pushtetit.

Ngjarjet e 1997 ishin thjesht një eksperimentim se ç’mund të ndodhë me një vend kur shteti nuk ekziston. Nuk ishte për qëllime studimi edhe pse mund të studiohet e të ristudiohet si një dukuri që nuk ka shumë shembuj në historinë e Njerëzimit. Shteti ju dha në dorë njerëzve për të mos u vënë para përgjegjësisë njeriu që kishte çelsat e shtetit shqiptar – Sali Berisha. Ishte gjithashtu një luftë e veçantë se drejtohej ndaj gjithkujt. Nuk kishte nevojë për financim, sepse u lanë të hapura depot e armëve (të cilat përbëjnë një pjesë kryesore të buxhetit të një lufte), ndaj kishte nevojë vetëm për kriminelë. Por edhe për ta kishte menduar ai që “shkrehu” shtetin, se të gjithë që ishin burgjeve u lanë të lirë. Gjatë 7-8 muajve të zgjatjes së asaj “lufte” u vranë njerëz gjatë grabitjeve, njerëz për hakmarrje, ndërluftues të bandave kriminale, njerëz për “një fjalë“ goje bile edhe deri në kalimtarë “për qejf”. Numuri i plotë i të vrarëve arriti rreth 1600, si dhe thuajse10 mijë të plagosur.

“Shpirti vrasës” i shumë njerëzve të zakonshëm, i nxitur nga frika, nga ndjenja e mbrojtjes së familjes dhe pronës, nga instikti i mbijetesës doli në pah. Kishte njerëz që vrisnin për të mbrojtur pronën e tyre, kur edhe mund të largoheshin e ta linin në duart e grabitësve, Kishte të tjerë, që asnjëherë nuk kishin patur problem me drejtësinë, por duke përfituar nga rrëmuja, vranë armiq të familjes ose njerëz që ju kishin bërë dikur ndonjë padrejtësi. Kishte edhe deri në njerëz të mirë, që përpiqeshin të organizonin grupe miqsh me synimin për të vrarë kriminelët e njohur (një lloj “preamptive strike”) meqë policia nuk funksiononte. Pra në kundërshtim me moralin njerëzor të ndërtuar në shumë shekuj Humanizmi, njerëzit e zakonshëm ishin të gatshëm t’i merrnin jetën tjetrit. Në të gjitha rastet e përmendura nuk bëhet askund fjalë për “vrasje të detyruar, për të mbrojtur jetën e vet ose të dikujt tjetër”.

Ndaj përgjegjësia për jetët e humbura gjatë një lufte “absurde”(edhe pse vështirë të gjesh konflikte të armatosura që nuk janë absurde) nuk rëndon vetëm tek ata , të cilët shkatërruan shtetin. Nuk ndalet as vetëm tek banditët apo ata që veprimtarinë kriminale e kanë profesion. Eshtë tek të gjithë ne, që të ndodhur në rrethana jo të zakonshme, jemi në gjendje t’i marrim jetën tjetrit me gjakftohtësi apo edhe në gjaknxehtësi e sipër. Por edhe tek ajo pjesë prej “nesh”, që edhe pse nuk mund t’i marrë kurrë jetën një qënieje njerëzore, nuk bën dot diçka për t’ju kundërvënë kriminelëve dhe atyre, që shfaqin prirje kriminale.

Qyteti im ka qënë gjithnjë më i qeti dhe më i qytetëruari në Shqipëri. Por në një ditë marsi 1997, dy –tre ditë pas shkrehjes së shtetit, ne qytetarët e thjeshtë rregulldashës dhe paqedashës, u mblodhëm në një miting, ku do flisnin përfaqësuesit e të sapoformuarit “Komitet i Shpëtimit Publik”. Më pas parakaloi edhe një makinë e blinduar me të rinj të armatosur mbi të, në mbështetje të “Komitetit”, që do siguronte edhe rendin në qytet. Thuajse të gjithë “autoblindsit” ishin hajdutë ose kriminelë, që kishin bërë gjithë të zezat netët e grabitjes së armëve dhe pasurive shtetërore e private. Ata për të cilët luftrat dhe trazirat kanë nevojë. Nuk dinim a duhet të brohorisnim apo të qanim. Ishte kohë lufte dhe edhe pse në fillim të saj, kuptuam se si do vazhdonte. E keqja më e madhe ishte se nuk dinim se si mund të organizoheshim për tu mbrojtur prej tyre pa përdorur armë. Ishte kjo një mungesë  në ndërgjegjen tonë. Një nga arsyet kryesore pse luftrat nuk ndalen edhe sot në botë, kur të gjithë flasin kundër tyre.

(vijon)

Thursday 17 December 2020

Lufta ka nevojë për kriminelë(jo për heronj)


Një intervistë, që Baton Haxhiu i bënte Fatos Lubonjës, fillimin e së cilës e pashë në YouTube, më nxiti të thellohesha disi rreth mendimeve, që më shfaqen herë herë, për raportin që ka lufta e armatosur me kriminelët e lindur, ose edhe me pjesën “vrasëse” të psikologjisë të cilitdo prej nesh. Duke mos qënë asnjëherë pjesëmarrës në ndonjë betejë, gjithë përshtypjet rreth kësaj teme bazohen mbi leximet, filmat, dokumentarët dhe tregimet e dëshmitarëve, veçanërisht atyre të kaosit të vitit 1997.

Ngasja erdhi nga një dëshmi e Lubonjës, se si prindërit e tij(Liria dhe Todi), e vlerësonin me superlativa, deri në fund të jetës së tyre, Luftën nacional-çlirimtare. Të dy kishin kaluar burgim dhe intenim të gjatë, që duhet t’i kishte ndihmuar të reflektonin thellë rreth një kohe shumë të rëndësishme dhe dramatike të rinisë së tyre. Koha kur jeta është aq e brishtë, aq e përgjakshme, aq e pamëshirshme dhe njëkohësisht aq e thjeshtë për  ta humbur ose për t’ja marrë tjetrit. Në luftë duhet të vrasësh ose do të vrasin. Dhe në të gjitha qytetërimet e vjetra dhe të reja vrasësit dënohen rëndë. Po si thotë Volteri “Të vrasësh është e ndaluar; kjo është arsyeja pse kriminelët dënohen, me përjashtim të atyre që vrasin shumë dhe nën oshëtimin e trumpetave.”

Të fillosh një luftë duhet të kesh para dhe luftëtarë. Këtu luftrat ndryshojnë nga revoltat e dhunshme. Këto të fundit mund të nisin spontanisht dhe pa u financuar nga kush e megjithatë edhe pjesëmarrësit në to duhet të jenë të gatshëm të vrasin.

Po cili është profili i një luftëtari të shekullit të kaluar apo edhe këtij që jetojmë?

Duhet pranuar që nuk mund të ketë një profil të caktuar se varet shumë jo vetëm nga vendi dhe koha, por edhe nga karakteristikat e veçanta të çdo lufte. Ka luftëtarë të mobilizuar me ligj, ka vullnetarë, ka mercenarë, ka xhihadistë, ka partizanë, ka muxhahedinë, ka kamikazë, ka dezertorë, ka tradhëtarë, ka spiunë, ka sadistë.

Figura e luftëtarit në të gjitha kulturat gjithashtu idealizohet(është fjala për luftëtarin vendas dhe jo për kundërshtarin). Luftëtari është trimi, që bën sakrificën më sublime për Atdheun e tij - është përkufizimi më i pranuar në të gjithë vendet dhe kohërat. Dhe fundi i luftrave shoqërohet me shpërblime materiale për luftëtarët fitimtarë dhe varrime të bujshme të të rënëve. Të parëve, shpërblimet ju bëjnë punë, ndërsa të dytët jo vetëm që largohen nga kjo botë, por lenë edhe fëmijët jetimë dhe gratë vejusha. Ata më zulmëmëdhenjtë shpallen heronj.

Në Amerikë, më shumë se në çdo vend të zhvilluar, vazhdon propaganda pro- luftëtarëve dhe veteranëve, si ajo e kohës së luftrave boterore, apo ajo e vendeve totalitare. Një fjalë përgjysëm jo në mbështetje të “trupave tona”, mund t’i shkaktojë humbjen në zgjedhje çdo kandidati politik, që do të bëhet senator apo edhe më shumë në SHBA. Luftëtari, sidomos ai që ka shërbyer në zonat e luftës, jo vetëm nderohet dhe shpërblehet, por në shumë  raste,  mund të ndjekë një karrierë të shkëlqyer në politikë. Eshtë tashmë i provuar si patriot, si dikush që i shërben Mëmëdheut dhe po ashtu mund “t’i shërbejë edhe popullit”. Shërbimi ushtarak në Vietnam, Luftën e Gjirit, Irak, Afganistan është “kartabiankë“ për njgjitjen e shkallëve në administratën shtetërore.

Luftëtarët amerikanë të ditëve tona, janë jo rrallë  të rinj që kanë dështuar në studimet e larta dhe i futen karrierës (jo pa rrezik) ushtarake për të pasur një të ardhur materiale të qëndrueshme për familjet e tyre. Shumë vijnë nga minoritetet afrikano-amerikane dhe latine dhe të gjithë e bëjnë këtë vullnetarisht. Në Amerikë (dhe në shumë vende të tjera të pasura) nuk ka më shërbim të detyrueshëm ushtarak. Edhe pse ka mes tyre idealistë si dhe shumë që e kanë shërbimin ushtarak traditë familjare, nëse e sheh në mënyrë cinike, janë të rinj që stërviten “për të vrarë njerëz”. Dhe të vrasësh nuk është e lehtë për këdo.

(vijon)

 

 

 

 

Tuesday 15 December 2020

Ballkani, Covid-19 dhe vaksina


Në pranverën e ngarkuar me epideminë e e re, që po bënte “kërdinë“ në vendet e zhvilluara europiane dhe në SHBA, shifrat e Ballkanit ishin shumë shpresëdhënëse. Gëzoheshim dhe hamendësonim se diçka duhet të kishte lidhje me imunitetin më të lartë të ballkanasve, ndoshta edhe me programet e detyruara të vaksinimit të trashëguara nga periudhat komuniste. Duke ditur, që shërbimet spitalore nuk kishte si të ishin më të mira se në Itali, Francë apo Spanjë, në atë kohë të mosnjohjes së plotë edhe nga ana e shkencëtarve të arsyeve pse virusi shkaktonte më shumë viktima në ato vende se në vendet mesdhetare të Ballkanit, me klimë të ngjashme, s’të mbetej tjetër veç të thoje “Shyqyr!”

Po “Shyqyri” dhe Shyqyrinjtë, për fat të keq nuk zgjatën gjithë kohën. Vala e dytë e Covid-19 tregoi se epidemitë nuk mund të luftohen dot me lutje dhe me sytë nga qielli apo nga Bashkimi Europian. Shifrat e humbjeve njerëzore në raport me popullsinë tani kanë arritur në nivele tronditëse. Maqedonia, Bosnja, Sllovenia dhe Mal i Zi janë ndër 10 vendet e para në botë për vdekjet nga Covid në raport me popullsinë. Lajmet nga Shqipëria janë edhe më të tmerrshme sepse kanë të bëjnë me Atdheun dhe njerëz të cilët i njeh.

Po a duhen bërë me faj qeveritë e vendeve ballkanike për viktimat e Virusit vrastar, kur vendet e pasura e të zhvilluara, u gjunjëzuan ndaj tij këtë vit?

Dëshmitë rreth gjendjes së spitaleve në Ballkan janë ato që i bëjnë përgjegjëse këto qeveri si dhe parardhëset e tyre. Korrupsioni marramendës, pangopësia e politikanëve dhe administratorëve kanë sjellë që në spitalet shtetërore të Ballkanit të mungojnë edhe paisje nga më elementaret. Paisje të thjeshta dhe jo të shtrenjta që mund të shpëtojnë jetë njerëzish. Duke përmendur vetëm shembuj nga Shqipëria, drejt Italisë dhe Turqisë kanë shkuar miliona euro për kurimin e pacientëve shqiptarë nga Covid. Vërtet këto kanë qënë kursime të vetë pacientëve dhe familjeve të tyre, por nëse spitalet shqiptare do ishin të pajisura, këto qindra miliona të “pasurisë kombëtare” nuk kishin pse të shkonin në vende të tjera. Do kishin mbetur dhe do ishin investuar në vendin tonë. E përmend për të thënë që jo vetëm nga pikpamja njerëzore, por edhe nga ajo ekonomike, lënia e sistemit shëndetsor në gjendje të mjeruar është krim ndaj Kombit.

Për më tepër, në Ballkan, më shumë se kudo në Europë, ekzistonte “tregu i zi” i testeve, i vitaminave, i të ashtuquajturave terapi shëruese ndaj Covid, deri edhe tek ai i maskave. “Krimbat e vdekjes” gëlonin duke përfituar nga halli i madh i njerëzve për të shpëtuar të afërmit dhe ofronin me çmime të çmendura medikamente të vlefshme dhe fallco. Qeveritë nuk vepronin kundër spekulatorëve sepse ishin vetë përgjegjëse për krijimin e mungesave. Për më tepër kishin harxhuar edhe qindra miliona euro sejcila për të blerë kura të paprovuara mirë, si ajo e Remdesivir, që kushtonte sa rroga vjetore e një punëtori ballkanas.

Tani ndërsa vijnë lajmet e mira për fillimin e vaksinimit, vendet e Ballkanit, që nuk janë ende pjesë e BE-së janë të fundit. Nuk kanë lidhur kontrata në kohë me firmat prodhuese, për shkak të mungesës së fondeve, neglizhimit ose kushedi se ç’djall arsye tjetër. Dy ditë para fillimit të vaksinimit në Angli, kryeministri Rama u nis për në Amerikë “për të mos lënë gur pa lëvizur, që të sigurojë vaksinat për popullin”. Dhe shumë njerëz të mjerë e besojnë edhe pse e dinë që gënjen. Njeriu përpara alternativës së vdekjes nuk do të humbasë shpresën. Edhe sikur të jetë e rremë.

Ndërkohë, të tjerë sharlatanë dhe njerëz të papërgjegjshëm propagandojnë kundër vaksinimit. Janë të njëjtit që në fillim të vitit përhapnin “ne e kemi kaluar në janar”, “nuk ka virus”, “është njëlloj si gripi”, “me raki dhe hudhra ja hedh virusit”, “ç’janë këto maska”. Tani trumbetojnë “komplotin e Bill Gates me Sorros”, “vaksinat me çip”, “asgjesimin e popullsisë“, “sterilizimin gjenital të të rinjve”.

Ndaj popujt e Ballkanit ndodhen të shtrënguar mes Shillës e Karibdës për mposhtjen e kësaj epidemie me anën e vaksinimit. Nga njëra anë qeveritë, të cilat nuk sigurojnë dot sasirat e duhura të vaksinës dhe nga ana tjetër konfuzioni se mos qeveritë(të cilat me të drejtë nuk i besojnë) po “ja u futin” keq kësaj rradhe. Duke i zhdukur me farë e me fis pa lënë dot pas as gene pasardhës.

Gjasat e këqija janë, që vendet tona të jenë të fundit në shfarrosjen e epidemisë. Dhe nuk është më çështje durimi apo klasifikimi. Me qindra njerëz që duhet të jetojnë do t’i humbasim se jemi të varfër, se besojmë marrëzitë, dhe se nuk jemi në gjendje të zgjedhim të mirët e të ndershmit për të na drejtuar.

Monday 14 December 2020

Kjo do ndodhte 30 vjet më pas?!


Duhet të ketë qënë një nga këto ditë dhjetori para 30 vjetësh, kur me një lloj eksitimi vërtiteshim nga një kafene në një tjetër, ku takoheshim me miq dhe prisnim të mësonim ndonjë gjë të re se ç’po ndodhte në Tiranë. Nga televizioni nuk mësoje dot shumë dhe gazetat ishin të gjitha të Pushtetit ndaj nuk kujtoj t’ju hidhnim ndonjë sy. Aty ku sot ngrihet e shëmtuar Kulla Vrojtuese, takuam një mjek dhe një të njohurin e tij. Isha bashkë me një koleg, me të cilin kishim kohë që flisnim hapur kundër sistemit. Mjeku na ftoi të bëheshim pjesë e një grupi , që do mbështeste Partinë e Opozitës që po krijohej ato ditë në Tiranë, po duke thënë (pa përmendur ndonjë emër), që ishin disa pedagogë, studentë dhe të tjerë njerëz që ishin kundër Partisë në fuqi. I thashë, që të vijmë, duhet të dimë se cilët janë dhe ç’përfaqësojnë. Të njëjtën gjë theksoi edhe miku im dhe u ndamë pa ndonjë lloj angazhimi. Nuk kishim frikë. Thjesht nuk i pëlqenim Partitë në përgjithësi, por më shumë hezitonim nga e Panjohura. E ndjenim se diçka e madhe do bëhej dhe shumë shpejt, por edhe në emrat, të cilët i mësuam pas disa ditësh, nuk kishte të tillë, të cilët mund t’i ndiqnim symbyllur. Më pëlqeu që pashë Leka Meksin, i cili ishte i vetmi që njihja dhe respektoja. Pashkoja dhe Berisha, të cilët ishin shprehur për ndryshimin e sistemit atë vit, të krijonin një lloj besimi, ndërsa Azemin, pasi e kisha dëgjuar në intervistën e parë në Zërin e Amerikës, më ishte dukur një lloj “allçaku”, me mend e të cilit nuk do shkoja kund.

Më pas, pasi mësova edhe cilët ishin dy-tre organizatorët kryesorë të degës së Korçës, të cilët i njihja disi mirë, nuk pata asnjë ngasje për tu bërë pjesë e atij grupimi politik. Ja njihja edhe vehtes mosdëshirën për të qënë “në një rrjesht me të tjerët” dhe mungesën e theksuar të durimit për të dëgjuar probleme që do rriheshin në mbledhje të gjata, ku edhe nëse nuk do “i binte njëri gozhdës e tjetri potkoit” do kishte të ngjarë që jo pak nga folësit të “llafosnin veresie”.

Por mbi të gjitha ishte e Panjohura.

Si do rridhnin gjërat? A do arrihej shpejt që të bëheshin lëshimet e nevojshme për pluralizëm? A do kishte njerëz të tjerë, më të mençur dhe më me integritet, që do krijonin të tjera forca politike? C’sinjale do jepeshin nga të huajt?

Atë dhjetor, nga tre fytyrat në foton e mësipërme, njihja vetëm Edi Ramën. Ruçi ishte ende në Tepelenë dhe Meta ishte student. Sigurisht, mes tyre (por edhe mes mirja të tjerësh, ku hyja edhe unë) më europiani ishte Rama. Kishte dalë shpesh me ekipet e basketbollit në Europë, si gjithë universitarët tiranas dinte mirë italisht dhe kishte prindër të arsimuar jashtë Shqipërisë. Edhe pse nga pikturat që i kisha parë, kisha krijuar bindjen që jo vetëm nuk ishte në nivelin artistik të Kristaqit, por nuk ngrihej dot mbi mesataren e piktorëve të kohës, mund ta them pa frikë se nëse dikush do më thoshte në atë kohë, se ky do jetë pas 30 vjetësh kryeministër i Shqipërisë, nuk do më dukej thellësisht absurde. Edhe pse nga sa ma “rructe mendja” asokohe, Kryeministri i një vendi duhet të ishte një ekonomist ose një njohës i mirë i ligjeve.

Por sigurisht që tre dhjetvjeçarë, mua dhe moshatarëve të mij, ju dukej një jetë e tërë. Kishim vetëm një vit që kishim mbushur tridhjet vjet. Edhe pse e Panjohura i bën trajtat e shtetit dhe të shoqërisë shumë të mjegullta, nuk mund të shkonim në mendje se pas tridhjet vjetësh në krye të shtetit do ishin i Gjati, i Keqi dhe i Shëmtuari (Për të mos thënë dy hajdutë dhe një kriminel.) Në të kundërtën e filmit të famshëm të Serxho Leones, këta të tre nuk janë në kërkim të një thesari të varrosur, se thesarin tashmë e kanë në dorë, por vetëm përplasen dhe përqafohen dhe prekin e përdorin brrylat në përpjekje për të varrosur Demokracinë Shqiptare.

Dhe nuk është vetëm çështje emrash dhe individësh. Të tjerë personazhe po aq të këqinj e të shëmtuar i rrethojnë. Edhe pse mund të jetë hartuar një paketë legjislacioni e standarteve europiane, gjithshka që lidhet me zbatimin e ligjeve, me institucionet qëndrore, me administratën lokale është po aq larg Europës sa  ishte në fillimin e viteve ’90. Besimi i njerëzve tek Demokracia akoma më i ulët. Niveli i jetesës është shumë më i lartë se 30 vjet më parë, kur mungonte gjithshka, por është i lemerishëm hendeku midis të pasurve dhe të varfërve.

Vetëm 7 muaj më vonë, se dita e përmendur në fillim të këtij shkrimi, fytyra e vrazhdë e Gramoz Ruçit ishte ndër më të urryerat në Shqipëri, ndërsa dilte për të dëshmuar në Gjyqin e Shkodrës për vrasjen me snaiper të 4 të rinjve gjatë një demonstrate paqësore kundër regjimit. Ishte Ministër i Brendshëm dhe kishte urdhëruar të qëllonin. Zëvendësi i tij dhe të tjerë vartës u dënuan me burg. Sot, pinjollët e tyre (përfshi edhe të Ruçit) janë ndër njerëzit më të pasur dhe më të pushtetshëm në Shqipëri.

Jo për të gjithë kanë shkuar shumë keq ose shumë mirë punët në këto 30 vjet. Mjeku që na ftoi të hynim në Partinë Opozitare, pasi u mor disa kohë me politikë, u tërhoq në profesionin e tij dhe në disa biznese private jo të përlyera. Kolegu im vazhdoi me sukses të projektonte dhe ndërtonte dhe tashmë bën një jetë të qetë në pension. Të tjerë miq, me të cilët flisnim të ekzaltuar gjatë atyre ditëve ose kanë emigruar, ose kanë bërë një karrierë normale në Shqipëri.

Me një fjalë Liria dhe Demokracia kanë funksionuar. Por ç’ka ndodhur me ata, të cilët kanë lindur atë ditë në Shqipëri dhe sot janë 30 vjeçarë. Duhet të ishin fatlumët, po a janë të tillë? Varet se në cilin djep janë përkundur.

Po a nuk ka qënë gjithnjë kështu?

Sunday 13 December 2020

Seleksioni “natyral” komunist i të arsimuarve (fund)


 (vijim)

Shkopi i stafetës së pushtetit përgatitej të mbetej në duart e “Bllokut” dhe të besnikëve.

Ka një paradoks të madh në themel të Diktaturave të Majta, që është një nga arsyet që nuk mund të mbijetojnë gjatë.  Zhvillojnë arsimimin në masë të fëmijëve dhe rinisë.

Edhe pse i ideologjizuar në kulm, edhe pse me mungesa të mëdha materiale, edhe pse i orientuar drejt një lloj barazitizmi të nxënësve, arsimimi i masave nuk mund të bëjë trushpëlarjen e plotë të pjestarëve të rinj të shoqërisë. Në të kundërt, jo vetëm pjesa e edukimit shkencor, por edhe vetë filozofia materialiste dialektike, që është e vetmja që mësohej në shkollë, nxit të rinjtë të venë në dyshim çdo lloj dogme që vjen nga pushteti. Shumë nga mësimet në lëndët shoqërore, binin ndesh me realitetin dhe me vetë parimet themelore të marksizëm-leninizmit. Ndaj në çdo mendje disi të kultivuar, hidheshin rrënjët  e një mosaprovimi jo vetëm të dhunës të Diktaturës, por edhe të vetë ekzistencës së saj. Dhe këto rrënjë hidheshin edhe në mendjet e fëmijëve të “Nomenklaturës”, të cilët ishin nga të parët që kuptonin falsitetin e propagandës të prindërve të tyre(edhe për arsyen se mund të vizitonin vendet perëndimore dhe mund të bënin krahasimin). Nëse ajo ç’ka kuptonin, do ju vinte përshtat apo do i kthente në “bij rebelë të etërve dinakë“, kjo varej shumë nga karakteret e tyre individuale. Nuk mund të kishte receta. Psh djemtë e Shehut ishin kundër regjimit, Gim Myftiu e Fatos Lubonja gjithashtu, edhe të tjerë, por nuk ishin një masë e madhe syresh, sa mund të përbënin ndonjë rrezik për pushtetin. Thuajse të gjithë përfunduan në burg, por pasi ishin “përmbysur” më parë baballarët e tyre (Gim Myftiu shpëtoi pikërisht se shpëtoi nga goditja Manush Myftiu).

A solli përmbysja e regjimit në fillimin e viteve ’90, përmbysjen e projektit arsimor të “seleksionimit natyral”, të ideuar nga Hoxha e bashkëpuntorët?

Përgjigja më e saktë është: Përmbysja e regjimit solli ndërprerjen e projektit, por nuk ndali dot efektet e tij. Projekti ja kishte arritur qëllimit. Me disa përjashtime të vogla, “pinjollët e Nomenklaturës” mbetën pjesë e “klasës sunduese” të shoqërisë shqiptare. Ajo që ishte munduar t’ju spjegonte Ramiz Alia, merhumëve kokëtrashë të Byrosë, pas “Rënies së Murit të Berlinit”, se me ndryshimet e sisitemit, pushteti nuk do ikte nga duart e fëmijëve të kastës u realizua. Qoftë në hije apo edhe hapur, ata mbetën me shumë ndikim në shoqërinë shqiptare, sepse arritën të siguronin pushtet ekonomik, në sajë të shkollimit, lidhjeve që kishin me jashtë dhe mënyra të tjera, gjatë garës të pabarabartë të kapitalizmit shqiptar të fillimit të viteve ’90.

Edhe pse nuk mund të ishin më të vetmit antarë të “klubit të të pushtetshmëve”, ata mbetën pjesë e tij.

Nuk ka shumë rëndësi nëse sot janë pjesë e së Majtës. Nesër mund të shkojnë edhe në një krah tjetër sepse nuk kanë asnjë lloj parimi ideologjik. Nuk janë as komunistë, as kripto-komunistë, as social-demokratë . Janë përfituesit e pushtetit që kishin etërit e tyre dhe nuk kanë asnjë nostalgji për atë kohë.

Ju mjafton të mbeten në majën e “shkallës së ushqimit” (food chain) të “xhunglës shqiptare”.

Seleksioni “natyral” komunist i të arsimuarve (3)


(vijim)

Në zemrën e Diktaturës, në Tiranë, përpjekjet e njerëzve normalë ishin të ruanin “statusin e kryeqytetsit” dhe kjo reflektohej në zgjedhjet e profesioneve që kërkonin diplomim universitar. Psh profesionet e mësuesisë, agronomisë, bile në nj farë mase edhe të mjekësisë, nuk ishin ndër të preferuarit, sepse shumë lehtë mund të përfundoje me punë jo vetëm në fshatrat e Tiranës, por edhe në fshatrat më të largëta “të rretheve”. Nuk ishte një jetë e lehtë për tiranasit, që përfundonin larg familjes dhe larg kryeqytetit. Jo rrallë, meshkujt binin pas alkolit, pasi jeta në qytezat e vogla apo në fshatra ishte krejt e ndryshme nga ajo e kryeqytetit. Ndaj më të lakmuarat ishin inxhinieritë, ekonomiku, juridiku dhe artet. Diplomimi në ato fakultete në një farë mënyre garantonte jetën në kryeqytet, ose në rastin më të keq një emërim në një qytet 3-4 orë me tren larg. Ishte kjo arsyeja, që shumica dërmuese e fëmijëve të “Bllokut” dhe ata të funksionarëve të nivelit të dytë shkonin në to. (Përjashtim bënte pak nga rregulli i përgjithshëm, Fakulteti Juridik, për shkak të vështirësive që sillte puna në organet e Diktaturës, por edhe rreziku i emërimit në rrethe. Ndaj vetëm “bllokistët” që nuk “qullosnin” dot në degët e tjera bëheshin juristë.)

Kështu Hoxha i diplomoi të tre fëmijët për inxhinieri, Shehu një inxhinier, një fizikan, të tretin për letërsi,  Toska inxhinierë, Kapoja po ashtu, Aliaj inxhinieri dhe arte, Myftiu inxhinieri, Hazbiu inxhinieri e sport, Carcani në inxhinieri e kështu me rradhë. Shkatërrimi, që i kishin bërë vetë sistemit të Drejtësisë, bënte që ndryshe nga ç’është normale në të gjithë vendet e botës, ku fëmijët e kastës drejtuese shpesh studiojnë juridik për të pasur një karrierë politike, të ngjashme me atë të traditës familjare, me gisht numuroheshin “bllokistët” që shkonin të studionin ligjet. Zaten të gjithë e dinin që ligjet nuk kishin shumë vlerë në Shqipëri ku gjithshka bëhej sipas urdhrave arbitrare nga lart. Prej vitit 1967 ishte ndaluar edhe profesioni i avokatit, një marrëzi që nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës, në asnjë kohë.

Por a bie kjo në kundërshtim me idenë se “Biroistët” kërkonin të kalonin pushtetin e tyre absolut në duart e fëmijëve?

Jo. Për sa kohë të mos kishte ndryshime në botë, “bllokistët” e rinj mund të kishin poste të larta në politikë pavarësisht nga profesionet e tyre teknike. Njohja e ligjeve apo e “teorisë marksiste- leniniste” nuk kishte pse të mësohej prej tyre në universitete. Filozofë dhe teoricienë ideologjikë as kishte pasur dhe as kishte nevojë të kishte Diktatura nacionalisto-socialisto-anadollake shqiptare. Edhe të bërit politikë ishte shumë i thjeshtëzuar se nuk kishte nevojë as për fushata dhe as për fjalime emocionuese që t’i drejtoheshin popullit. Një herë në katër vjet, kur bëheshin Kongreset, fjalimet pregatiteshin lehtësisht nga kalemxhinjtë e panumurt, që mjaft të kopjonin dhe të ndryshonin nga pak fjalimet e mbajtura më parë. Për makinacionet, luftën mes llojit, tarafet nuk kishte nevojë as të mësoje në universitet dhe as të lexoje Makiavelin. Mësoheshin gjatë viteve të punës dhe përvojës në “Bllok”, i cili nuk ishte aq monolit sa na dukej nga jashtë, ne vdekëtarëve të thjeshtë. Brenda tij, si në çdo “oborr mbretëror” luheshin intriga dhe gëlonin thashethemet.

Për një periudhë 10-15 vjeçare, hyrja në Bllok ishte ëndërr për shumë njerëz të nomenklaturës, por edhe më të thjeshtë. Veç martesave të fëmijëve mes njëri tjetrit, në Bllok kishin hyrë edhe të rinj të tjerë, përgjithësisht “të suksesshëm”, që ishin martuar me fëmijët e “bllokmenëve”. Nuk kishte si të qe ndryshe. Jeta atje të sillte shumë privilegje, nga më të rëndomtat e kushteve të jetesës së përditshme, karrierë të sigurt, udhëtime jashtë shtetit, mjekime në klinika të huaja, pushime në plazhe të veçanta, specializime në universitete perëndimore dhe mbi të gjitha një të ardhme me statusin e “anëtar i kastës sunduese”. Për të gjitha këto paguante shteti. Në një farë mënyre familjet e Bllokut ishin “familje të pasura”, por pa llogari bankare të majme. Kur ju duheshin mund të fusnin dorën në thesin e buxhetit të shtetit.

Në mesin e viteve ’70, “Blloku” u trondit nga goditjet e njëpasnjëshme që ju bënë “grupeve armiqësore”dhe të gjitha familjet e të goditurve përfunduan në internime të gjata, si dhe disa antarë të tyre në burgje. Shumë dhëndurë e nuse, që kishin lidhje të tjera familjare me pushtetin u detyruan të divorcoheshin, që veç dramave të tyre familjare, solli edhe një lloj stepjeje të të rinjve e të rejave “jashtëbllokiste” për të hyrë në atë rreth të lavdit , por edhe të tmerrit. Hyrja në “kastën e të privilegjuarve” prej vitit 1974 u bë një “lojë fati”, nga e cila mund të fitoje shumë, por dhe mund të humbje gjithshka. Kjo përkon me kohën kur po ndërpriteshin ndihmat ekonomike nga Kina dhe e ardhmja e “klasës sunduese” varej vetëm e vetëm nga jetëgjatësia e Luftës së Ftohtë. Në atë kohë edhe Hoxha dhe bashkëpuntorët më të afërt duhet ta kenë kuptuar, që Revolucioni Botëror nuk kishte për të ardhur kurrë. (Nëse vërtet kishin besuar ndonjëherë në triumfin e tij.) Konsolidimi i fëmijëve dhe besnikëve të tyre në pushtet dhe mundësisht edhe ndonjë “kursim” i depozituar në Zvicër kanë qënë përparësitë e tyre në ato vite të errëta.

Ajo ishte edhe periudha e terrorit më të madh dhe njëkohësisht e shtrëngimit në maksimum të të drejtave të studimit. Ndonëse kjo e dyta lidhej më shumë me zbrazjen e arkës së shtetit, e bënte arsimimin e lartë privilegj thuajse eskluziv të familjeve të lidhura me pushtetin. Sigurisht që kishte edhe shumë të rinj nga “klasa-raja”, por “të deklasuarit” nuk kishin më asnjë mundësi të studionin. Lufta e klasave si propagandohej nga vetë pushteti ishte në kulmin e saj. Ndjenim keqardhje për bashkëmoshatarët, që ose i linin pasdore mësimet se e dinin që nuk mund të shkonin më lart, ose edhe nëse kishin zellin për të dalë me të gjitha dhjeta, e dinin që nuk do ju jepej kurrë “Medalja e Artë“.

Makina burokratike e Partisë krijoji një sistem “të sofistikuar” të kontrollit të atyre që do shkonin në universitet, që sipas tyre do ishin “kuadrot e së ardhmes”. Kërkesa për të drejtë studimi duhet të përmbante një formular të gjatë, ku midis të tjerave duhet të deklaroje origjinën shoqërore tënde, origjinën shoqërore të prindërve, nëse kishe të afërm që jetonin jashtë Shqiërisë, nëse kishe të dënuar për arsye politike ose ordinere, dhe se ç’lloj qëndrimi kishin mbajtur paraardhësit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sa qesharake aq edhe e frikshme tingëllonte për një 19 vjeçar të mbushte gjithë këto kapituj të formularit, të cilat shpesh nuk i dinte. Një lajthitje nga origjina e prindërve nga tregëtar i mesëm në tregëtar të madh të skualifikonte automatikisht. Hajde të gjeje se kë quante  Partia të mesëm e kë të madh. Formulari duhet të shoqërohej me dëftesën e notave dhe një autobiografi dhe më pas do kalonte për kontroll në lagje, për kontroll në drejtorinë e shkollës dhe deri sa të përfundonte në Komitetin Ekzekutiv i shoqëruar edhe me vërtetime e komente nga lagja, shkolla e ndoshta dhe nga Zyrat e Kuadrit të vendeve të punës së prindërve. Prej shqyrtimit në Zyrat e Seksionit të Arsimit dhe vendosjes të degës që do t’ju jepej më “fatlumëve”, listat shkonin për miratim në Komitetin e Partisë, riktheheshin në Komitetin Ekzekutiv për tu marrë vendimi zyrtar dhe prej aty përfundonin në Ministrinë e Arsimit, ku merrej edhe miratimi i fundit. Më pas afishoheshin në publik, ku shuhej ankthi i shumë maturantëve dhe shuheshin edhe ëndrrat e shumicës së tyre. Makina e “seleksionimit natyral” kishte funksionuar. Kandidatët për kuadro të bindur të sistemit në të gjitha fushat e jetës, për atë vit ishin miratuar. Të “kulluar” politikisht. Ata që do merrnin stafetën e Revolucionit.

(vijon)

Saturday 12 December 2020

Seleksioni “natyral” komunist i të arsimuarve (2)

 

(vijim)

Për fat të mirë ose të keq të Shqipërisë, kjo nuk mundi të ndodhte pas prishjes me Bashkimin Sovjetik në fillimin e viteve ’60. Të vetmit , që patën studiuar në vendet e Kampit Socialist ishin ose ish-partizanët, ose të afërmit e njerëzve të lidhur me pushtetin, por jo fëmijët. Pjesa më e madhe e “fitimtarëve” kishin krijuar familjet pas vitit 1944, ndaj edhe pinjollët e parë të tyre mund të shkonin në universitet vetëm në mesin e viteve ’60, kur për shkak të izolimit të plotë, e vetmja mundësi ishte Kina e largët dhe e përfshirë në ksenofobinë e Revolucionit Kulturor.

Por e gjithë shoqëria shqiptare ishte e përfshirë në përpjekjen për të ngitur shkallët në “sistemin e kastave”, (nëse mund të quhet i tillë për të theksuar se jo të gjithë ishin të barabartë edhe ne një shoqëri të barabartësh në varfëri). Psh një nga prirjet më të përhapura ishte ajo e largimit nga fshati drejt qytetit. Fshatarët ishin pjesa më e vojtur nën Diktaturën e Proletariatit në Shqipëri. Në fshat ishin punët më të rënda dhe shpërblimi më i vogël. Sidomos pas viteve ’50, kur largimi nga fshati u bë më i vështirë, shkollimi ishte mënyra e vetme për të shkuar një I ri në qytet e më pas të tërhiqte gjithë familjen. Deri në fund të viteve ’50, me hapjen e një sërë fabrikash dhe kantieresh, lëvizja drejt qytetit edhe nëse nuk ishte plotësisht e lirë, ishte më e mundshme. Në vitet ’60 e më vonë, shqiptarët shikonin çdo lloj mundësie për të larguar femijët nga fshati, duke nisur me shkollat e mesme profesionale, me shkollat ushtarake e deri në universitetet, për ata që ishin më mirë me mësime dhe “pa njolla në biografi”. Vit pas viti, ajo ç’ka quhej “pashaportizimi” (ndryshimi zyrtar i vendbanimit) u bë gjithnjë dhe më i vështirë.

Në qytetet kishte të tjera prirje, por që ndryshonin shumë pak nga një zone e Shqipërisë në tjetrën. Arsimimi i mirë ishte mjeti për të pasur një jetë pak më të mirë dhe më të sigurt. Nëse do ishe më i suksesshëm, ose do kishe lidhjet familjare dhe shoqërore, mund të arrije edhe një “stad” më lart- të përfundoje në kryeqytet. Gjithshka ishte përqëndruar në Tiranë. Edhe pse rrogat nuk kishin ndonjë ndryshim nga rrogat e qyteteve të tjera, mundësia për të bërë karrierë ishte thuajse vetëm e vetëm në Kryeqyetet. Po të kishe synime të bëheshe pjesë e “elitës”, ose edhe më lart akoma, pjesë e “Bllokut” (klasës sunduese) duhet punoje atje.

Në këtë sistem të ndërtuar disi qëllimisht e disi “pa dashje”(jo çdo gjë në atë eksperiment ekonomiko-shoqëror bëhej me plan edhe pse pretendohej se bëhej), prej viteve ’60 e tutje nisi të aplikohej totalisht kontrolli mbi ata që do studionin në shkollat e larta. Të rinjtë që vinin nga familje ish-të pasura, ose që kishin të afërm të konsideruar kundërshtarë të pushtetit ishin të përjashtuar nga vazhdimi i studimeve. Edhe pse mund të ishin më të shkëlqyerit mes të shkëlqyerve. Deri në atë kohë, “sitës së Partisë“ ishin lejuar të kalonin shumë prej tyre për shkak të nevojës së madhe për mësues dhe të tjerë “kuadro të lartë“. Me plotësimin e atyre nevojave në vitet ’50, më tej, nisi koha më e errët për mijra të mençur shqiptarë, por edhe për të gjithë kombin. “Klasa e të deklasuarve” u dënua për të mbetur përjetësisht e tillë.

Praktikat e pashkruara në ligj, por të dhëna në udhëzime, ishin që edhe pse sipas Kushtetutës të gjithë ishin të barabartë dhe kishin të drejtën e arsimimit, administratat vendore dhe qëndrore të refuzonin kërkesat për shkollë të lartë të atyre “me probleme në biografi”. Dhe kjo politikë e poshtër, diskriminuese, e verbër arriti të bëhej normale në shoqërinë shqiptare. Të gjithë e pranonin në heshtje edhe pse e dinin që nuk ishte e drejtë. Ndoshta tek shumica e “klasës-raja” ndjehej ajo kënaqësi perverse “e po ç’ti bësh, kështu janë rregullat, të paktën nuk i ze fëmijët tanë“. Nuk ishin të paktat rastet, kur prindër “vigjilentë“ gërmonin në biografitë e bashkënxënësve të fëmijëve të tyre, për të gjetur “yçkla”dhe për t’i nxjerrë jashtë garës për të drejta studimi. “Filani e ka gjyshin në Amerikë“, ‘fistëku ka pasur një kushëri të parë të të jatit me Ballin”, “gjyshërit e saj ishin tregëtarë“, “halla e tij ka burrin e arratisur” e plot të tjera. Denoncimet e “prindëve konkurentë“ apo të “militantëve ziliqarë“ i tejkalonin edhe kriteret që kishte vënë Diktatura. Ishte ky një presion shtesë ndaj punonjësve të administratave vendore, që vendosnin për të drejtat e studimit dhe që shumë herë kishin dëshirë të dërgonin për studime nxënësit e shkëlqyer.

(vijon)

Thursday 10 December 2020

Seleksioni “natyral” komunist i të arsimuarve


Askush nuk mund të ketë imagjinatë për të krijuar një Shqipëri hipotetike të pas Luftës së Dytë Botërore të ndryshme nga ajo që ekzistoi. Edhe polito-sociologët më të shquar nuk mund të krijojnë qoftë në vija të trasha një skenar të mundshëm ngjarjesh kryesore. Edhe nëse do përdoren metodat krahasimore të historisë të fqinjëve, të Italisë e ndonjë vendi tjetër të ngjashëm.

Popujt ndryshojnë nga njeri tjetri, rrethanat dhe interesat janë shpesh krejt të ndryshme dhe për më tepër nuk ka ligjësi të kristalta për ecjen historike të një vendi. Ndodh që jo vetëm individët e shquar, por edhe më të rëndomtit luajnë role që sjellin ndryshime të papritura të ngjarjeve.

Të supozojmë për një çast se do ishte vendosur një lloj demokracie e barazlarguar(ose më mirë e barazndikuar) nga Anglo-amerikanët dhe Jugosllavo-Sovjetët. C’do kishte ndodhur në Shqipëri? Luftë civile dhe ndërhyrje nga të dy palët? Forcim i krahut perëndimor dhe një lloj demokracie jo fort e qëndrueshme si ajo italiane? Vendosje e një diktature të djathtë si ajo e kolonelëve grekë? Rikthimi qoftë simbolik i Mbretërisë dhe bashkëqeverisje me një të Majtë vazhdimisht në pushtet?

Sa më shumë supozime të bësh, aq më absurd të duken për arsyen e thjeshtë, se ndodhi ajo që ndodhi dhe që nuk mund të ndryshohet më. Një grup karrieristësh dhe oportunistësh së bashku me shumë idealistë, udhëhoqën një masë jo të vogël njerëzish në një luftë ndaj Fuqive të Boshtit në krah të Aleatëve dhe morën një pushtet vakant. Më pas e gjitha ishte një lloj “seleksioni natyral”.

E bëra këtë hyrje për të hyrë në një temë pak më të gjërë, se si luftohet brenda një shoqërie për të zënë vende në klasa më të larta, ose po të bëjmë një krahasim nga fizika, për të shkuar në orbita sa më pranë bërthamës.

Të ashtuquajturit komunistë shqiptarë pretendonin se kishin shkatërruar klasat e pasura dhe po ndërtonin një shoqëri pa klasa. Të parën vërtet e kishin bërë, por me marrjen e pushtetit, edhe nëse nuk i përkisnin klasës së pasur, ata vetë ishin klasa e pushtetshme. Të gjithë të tjerët, nga antarët e thjeshtë të partisë e deri në njerzit që nuk kishin asnjë dashuri për komunizmin dhe klikën sunduese përbënin “popullin-raja”. E fundit, e terrorizuara ishte “klasa e të deklasuarve”, që në numur mbase ishte më e vogël se “klasa-raja”, por që përfshinte një masë jo të vogël shqiptarësh.

Duhet pranuar, që klika udhëheqëse e Shqipërisë nuk kishte se si të kishte të qartë se cila do ishte e ardhmja e vendit. Edhe më optimistët prej tyre (nga ata që arrinin të kuptonin se ç’bëhej në botë)e dinin se çdo gjë do varej nga fati i Bashkimit Sovjetik dhe nga përhapja e modelit të sovjetëve në botë. Fuqia ekonomike dhe ushtarake e vendeve kapitaliste dihej që ishte shumë më superiore, po ashtu edhe niveli i jetësës. Ndaj nëse gara e Luftës së Ftohtë mund të fitohej nga Kampi Socialist, kjo mund të ndodhte vetëm nëse partitë e ekstremit të majtë fitonin zgjedhjet në vendet perëndimore, gjë që kishte pak të ngjarë, sidomos gjatë jetës së brezit të përfaqësuesve kryesorë të klikës “Biroiste”.

Ndaj për ta domosdoshmëri ishte mbajtja e frenave të pushtetit në dorë dhe konsolidimi në “klasën sunduese” të pasardhësve të tyre. Kjo ishte arsyeja, që arsimimi i fëmijëve të udhëheqjes dhe të bashkëpuntorëve të tyre të një niveli më poshtë, ishte përparësi kryesore. “Klasa sunduese” që do merrte “stafetën e revolucionit” duhet të ishte e shkolluar mirë dhe mundësisht në universitete të huaja.

 (vijon)

Epilog (Sharl Bodler)

Poezia “Epilog” e Bodlerit i kushtohet Parisit, por nuk është pjesë e kryeveprës të tij të “Lulet e së Keqes”. Ka një ritëm të papërdorur në poezi të tjera. Psh vargu 2 rimon me 4 dhe 6, vargu 5 me 7 dhe 9 e me rradhë. Sharli ishte gjithnjë në kërkim të përsosmërisë të formës dhe muzikalitetit të poezisë.

 

Epilog

 

Malit ju ngjita me qetësi të pamatë

Prej nga mund të shihet qyteti i plotë,

Cmendinat, ferri, banjot, kuplaratë

 

Aty ku ngjizen ç’ka të ndyrë kjo botë.

Ti e di mirë Satan, o mbjellës fatkeqësie

Unë nuk shkoj në to të derdh të rremë lotë;

 

Po si një zuzar plak me dashnoren qejflije;

Dua të dehem me musht epshesh pa pushuar

Dhe të kridhem në atë det të ndyrë kënaqësije.

 

Nën vellon e agut ti ende nuk je zgjuar

Gërxho, i rënduar, ulok dhe mjeran

Shtriqesh të linjtave të natës të praruar,

 

Të adhuroj o qytet i fëlliqur! Ku kurtizanet

Dhe mangat të japin ndjesi aq të ëmbla

Sa zor se i kuptojnë dot profanët

Tuesday 8 December 2020

Kodoshë, kudo që jini, bashkohuni!


Kodoshët nuk di pse më janë dhimbsur. Gjithnjë kanë qënë të dobishëm, të domosdoshëm, gati të pazëvendësueshëm, por njëkohësisht edhe të përçmuar. Edhe në Fjalorin e Gjuhës Shqipe, kodoshi përkufizohet si ”njeri i paturp,që bëhet ndërmjetës për punë të pamoralshm; njeri i shkathët e i djallëzuar, që është i zoti për të mashtruar ose për punë të poshtra” Dhe duket që përkufizimi ka një ngarkesë të theksuar ideologjike se shton “Kodoshi i beut”. Thua se në kohën e komunistllëkut, me ndalimin me ligj të prostitucionit nuk kishte më kodoshë!

Eshtë e vështirë të besosh edhe se meqë prejardhja mund të jetë nga turqishtja (psh kodoshanë duhet të ketë qënë një lloj organizimi i kodoshave), tek ne, para kohës zulmëmadhe të Skënderbeut, mos ketë patur të tillë. Dikush duhet t’i bënte kodoshllëqet edhe pse binin ndesh me natyrën fisnike, trime dhe liridashëse të shqiptarit!

Edhe gjuhëtarët tanë, që kanë përpiluar Fjalorin, edhe pse me një notë të thellë përçmimi, janë detyruar të pranojnë se kodoshllëku është në një mënyrë a në një tjetër profesion dhe i lidhur me punën. Dhe bëhet fjalë për një kohë kur një nga parrullat themeltare ka qënë “Puna është nder, lavdi dhe heroizëm”. Për më tepër edhe një punë, të cilën nuk e bënte dot kushdo! Se duhet të ishte i zgjuar, i shkathët, i djallëzuar dhe - gjithashtu i pamoralshëm. Dhe kur vijmë tek morali, ky është veçanërisht relativ. Në fund të fundit kodoshi ka vetëm rolin e ndërmjetësit mes dy individëve ose grupeve. Gati mund të themi se roli i tij është vetëm i llojit “transacsionist’ dhe si i tillë nuk ka pse t’i nënshtrohet gjykimit të rreptë të moralistëve.

Le të kthehemi në ajo ç’ka përmenda në fillim , që lidhet me një lloj dhimbje që ndjej për kodoshët, e cila ze fill tek mosvlerësimi apo edhe më keq në përçmimin e tyre. Me të drejtë ankohej dikur një kodosh, kur theshte se : “E po nuk të vjen inat, edhe na kërkojnë t’ju zgjidhim gjëra që nuk i bëjnë dot vetë dhe pastaj thonë pse i gënjejmë!” Unë i jepja tç drejtë jo për sy e faqe, por se pikërisht në filozofinë e zgjidhjes të problemeve të koklavitura, të pamoralshme, në mënyrë antiligjore, duke shkelur mbi çdo etikë qëndron aftësia dhe sakrifica profesionale  e kodoshëve. Pse kur na mbarojnë punë ju japim paratë dhe ju biem krahëve dhe po nuk na e bënë shajmë “a po ku i zihet besë kodoshit të m..”!

Nëse kodoshllëku lulëzon më shumë në sistemet e lira apo në diktaturat, kjo është shumë e vështirë për tu përcaktuar. Vërtet në vendet e e Europës Lindore, pas rënies së Murit të Berlinit pati një gjallërim të kodoshëve në shumë sektorë të jetës, por nuk mund të themi se numuri i kodoshëve realë dhe atyre potencialë, ishin më të pakët nën komunizëm. Zaten të pushtetshmit për punë “të fëlliqme”kishin shumë nevojë për të tillë. Po është e diskutueshme psh, nëse një drejtor Muzeu, që i krijonte kushtet Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, të dëfrente me të dashurat në Muzeumin e kyçur, duhet quajtur kodosh apo lehtësues (facilitator)? Dhe të tilla raste me ngjyrime nga më të larmishmet kishte pafund në atë sistem.

Gjithsesi, edhe nëse lidhen thjesht me shërbimet seksuale, apo me dhënie rryshfetesh për gjykatësit, apo edhe me rastet më të sofistikuara të “lobizmit”(një tjetër lloj kodoshimi), ushtruesit e këtij profesioni nuk ka përse të stigmatizohen dhe herë herë të vuajnë nga kompleksi i inferioritetit. Shoqëria, që i përdor dhe i ka të nevojshëm, duhet edhe të bëjë të mundur, që ata me krenari të thonë “Unë jam kodosh!” Ose në raste të një tradite familjare, po ashtu të mos ketë frikë të thotë “Unë rrjedh nga një familje kodoshësh, ose me eksperiencë historike kodoshare!”

Por si kanë treguar përvojat e përpjekjeve të pakicave për të fituar të drejtat e tyre, asnjëherë këto nuk të jepen as nga Shoqëria dhe aq më pak nga Liderët. Duhet vetë kodoshët, me zgjuarsi, djallëzi, shkathësi, manovrime, protesta të arrijnë të fitojnë të drejtat e tyre të plota. Duke filluar me më të thjeshtën – Miratimin e Statusit të Kodoshit. Më pas në krijimin e Sindikatave dhe ndoshta deri në një të ardhme, si një Lëvizje Politike e Qendrës, që mund të marrë çdo lloj emri kuptimplotë.

Dhe për këtë duhet të mos veprojnë të ndarë dhe herë herë në kundërshtim me njëri tjetrin. Duhet që ata dhe përkrahësit e çështjes së tyre të thërrasin me zë të lartë:

Kodoshë, kudo që jini, bashkohuni!

 

 

Friday 4 December 2020

Dheu është i trashë; mban shumë


Kjo është një shprehje e vjetër korçare, që ndoshta përdoret rrallë e më rrallë tani, që Tokës i referohemi më shumë si Globi dhe Perëndimin nuk e quajmë më Frëngu.  Kuptimi i saj është pak a shumë “mbi tokë ka budallenj dhe të pacipë me okë”.

Kështu ka qënë dhe kështu do jetë edhe kur korja e tokës të jetë forcuar akoma më shumë. Do jetë edhe më e trashë.

Kjo më shkon në mendje, kur dëgjoj plot njerëz që janë të bindur se toka është e sheshtë.

Po ti ku e di që nuk është e sheshtë? Ke prova për këtë? - mund të më pyesë dhe të më zerë gafil çdo përkrahës i të sheshtës. Unë vërtet nuk kam prova dhe mbase nuk kam për të pasur ndonjëherë, sepse nuk do arrij të flururoj në kozmos. Dhe po ashtu nuk kam prova se dy drejtëza paralele nuk priten kurrë, se organ i të menduarit është truri, se origjina e njeriut është tek speciet e tjera nga të cilat më i afërt është majmuni dhe se rënia ndodh se perpendikularja e hequr nga qendra e gravitetiti del jashtë bazës së mbështetjes. Dhe këtu “të sheshtët” mund të më kapin edhe më keq sepse unë nuk kam prova se ekzistojnë drejtëzat, perpendikularja, qendra e rëndesës apo të menduarit. Majmunë kam parë e kam fotografuar. Të parat i kam mësuar në shkollë si çdo nxënës I detyruar  në shkollimin e detyruar, gjë që edhe mund të jetë pjesë e një konspiracioni stërmadh të nisur nga “Vëllazëria e gjarpërit” a ndoshta nga të tjerë para tyre. E kështu  do më duhet të ve në dyshim miliona koncepte konkrete dhe abstrakte, që përbëjnë njohuritë bazë të çdo njeriu të thjeshtë.

Me rritjen e lirisë së informacionit dhe sidomos me shtimin e rrjeteve sociale të medias, teoritë konspirative, ato anti-shkencë, si dhe bestytnitë kanë gjetur një gjallërim të jashtëzakonshëm. Jo se nuk kanë ekzistuar në shekuj, por se kanë qënë më të ndrydhura për shkak të ekzistencës së diktaturave, monarkive absolute, autoritetit të pakufizuar të kishës dhe censurës që kishin në dorë këto forca autoritare. Kisha dënonte me ashpërsi sharlatanët, përhapësit e bestytnive, profetët e rremë dhe shpesh edhe shkencëtarët e vërtetë. Dhe censurat e egra të të gjithë kohërave kanë bërë që njerëzit të kenë më pak besim në njohuritë, që kontrollohen nga institucionet dhe në kohën e lirisë të rreken të besojnë edhe marrëzi nga më të mëdhatë. Justifikimi shpesh është se qeveritë, liberale apo konservatore, për interesa të mëdha materiale, duke qënë të kontrolluara nga një grup I fuqishëm ndërkombëtar(disa herë quhet edh e ndërplanetar) i fshehtë, manipulojnë të vërtetat.

Por le t’i lemë qeveritë “në të zezat” e tyre, se nuk janë pa mëkate dhe të flasim për përgjegjësitë që kanë mediat kombëtare në përhapjen e teorive konspirative. Ose le të themi troç “të pacipët” e mediave. Në shumë kanale kryesore televizive shqiptare, ju lihet vend edhe në oraret më të shikuara teorive të konspiracionit. Nuk ndodh në asnjë vend të zhvilluar europian apo të Amerikës së Veriut. Të gjithë e dinë dëmin e madh që shkakton në mendjet e fëmijëve(por jo vetëm të tyre) përhapja e teorive marroke të konspiracionit. Me miliona njerëz nuk do vaksinohen në botë vitin që vjen, që do sjellë mijra vdekje të tjera dhe moszhdukjen e plotë të epidemisë Covid-19. Edhe sulmet më të mëdha terroriste të dhjetvjeçarëve të fundit nuk kanë të krahasuar me dëmin që vjen nga paturpshmëria dhe etja për fitime e mediave.

Televizionet shqiptare mund të justifikohen me gjoja “lirinë e fjalës”, apo me “debatin e të gjithë teorive”, por edhe vetë dhe të tjerët e dinë se e bëjnë vetëm e vetëm për të rritur shikueshmërinë e emisioneve të tyre të dështuara, duke ju shtuar edhe idiotllëqet e dëmshme. Të luash me jetët e njerëzve( apo edhe thjesht me mendjet e të paformuarve) nuk është aspak për të qeshur, edhe sikur t’i vesh në lojë propaganduesit e teorive konspirative. Ju jep atyre një platformë, që ndiqet nga qindramijra e deri tek miliona njerëz.

Kjo botë dhe sidomos mëmëdhenjtë e popujve në zhvillim kanë nevojë për arsimim të mirë dhe shkencor dhe jo vetëm brenda sistemit arsimor( që për shkak të mungesave në buxhet ka probleme të mëdha), por në të gjithë sektorët e informimit.

Si mund t’i përgjigjet një njeri i thjeshtë, të birit 15 vjeçar, që i thotë se “nuk vaksionohem se do më futin çip në trup që të më kontrollojnë tërë jetën dhe është e sigurt se e thanë në tv!”? I jati është i zhgënjyer nga qeveria, nuk di edhe se ç’është tamam tamam vaksina, aq më pak di se ç’është çipi, ka edhe një lloj mllefi për miliardat e Bill Gates.

“Në djall të vejë edhe vaksina!”do i përgjigjet në shumicën e rasteve. “Këta gjoja shkencëtarët na kanë gënjyer edhe për Dheun që është si top futbolli!”

 

Wednesday 2 December 2020

Aurora (Eros Ramazzotti)

Nuk di nëse do ketë ndonjëherë

Të mrekullueshme ëndërr

Si kjo

Që nuk e heq dot nga mendja

Dhe nëse do,

Prej çastit kur e ke ndjerë.

 

Ndoshta kjo ka për të mbetur

Në më të mirat ëndërra që ke zgjedhur,

Kjo që po derdh në këtë këngë

E bukur ëndërr.

Por unë nuk do ndalem tani,

Do ëndërroj përsëri.

 

Aurora do vijë, do vijë

Për mua kështu do vijë thjesht

Si të dalësh në ajri

Dhe pastertinë të thithësh

Akoma më bukur e më lehtë.

 

Dhe ti dhe ti e dashur

Do shohësh se përsëri do bëhesh

E hajthme si ke dashur.

 

Ndoshta një ditë ka për të ndryshuar

Gjithshka më qetë dhe shtruar

Dua të them se mundet

Të gjitha të jenë si duhet.

Ja përse, ja përse do vazhdoj

Akoma të ëndërroj

Endrrat mija

Ato që thellë zemrës nuk kanë të shuar

Do ju kthehesh sërish në i ke besuar,

Ashtu si unë i kam besuar...

 

Aurora do vijë, do vijë

Për mua kështu do vijë thjesht

Do të jetë edhe më mirë

Dhe patjetër kështu do vijë.

 

 

Tuesday 1 December 2020

Hutinet (Sharl Bodler)

 "Hutinet" e pata perkthyer me 2017, por ndoshta nga hutimi e perktheva serish kete vit dhe pashe qe ndryshonin shume mes tyre. Ashtu si me thote nje shok, kjo duhet te jete periudha shqiperuese postCovid, qe detyrimisht do ndryshoje cilesine e perkthimit per mire ose keq. Perkthimi i pare eshte gjithashtu i postuar ne blog.

 

Degëve të errëta që i rrethojnë

Hutinët ngjit’ rrinë në sërë

Zotër misteri nga lart rënë

Ngulur sytë e kuq. Meditojnë.

 

Pa luajtur do të mbeten

Deri sa t’vijë ora e trishtë

Kur terri shtyn dritën e brishtë

Dhe errësira siluetat tretën.

 

Shtangia e tyre mëson t’urtin

Në bot’ dy gjëra duhet ta tutin

Lëvizja dhe zallahija;

 

Njeriun nga pas mallkimi ndjek

Ashtu si nuk i ndahet hija,

Se do të hidhet breg më breg.