Monday 31 May 2021

"Un po' di piu"

Shiu bie shtruar

Si një zukatje përzjehet me tingujt

Që prej diku larg vijnë.

Njëlloj me një violonçel që qan zëmbytur,

Të prehem nuk më le,

Mes të përdredhurave të linjta

Ku jam futur.

Pushoje të lutem shi ofshamën!

Dua ëndrrave të endem,

Atje ku e puth dhe e prek,

Pa violonçel i këndoj dhe pse jam në gjumë,

“Të dua më shumë se vera,

Se buka,

                Se lirishtet,

                                Se buzëqeshjet,

Edhe se lojrat të dua më shumë.

Sunday 30 May 2021

Deklaratat e dashurisë në shoqëri


Tema është më e thjeshtë se sa mund të duket nga titulli. Nuk ka të bëjë në ndryshimin e shoqërisë në dashuri dhe as me situata të vështira kur deklarohen dashuri platonike apo seksuale të papritura. Më tepër ka të bëjë me përdorimine fjalëve “e dua”, “të dua”, “e donim”, “më donte”, kur flasim për shokë dhe shoqe, miq dhe mikesha. Njerëz me të cilët rrimë dhe shoqërohemi, këmbejmë mesazhe dhe pyesim, por nuk kemi asnjë lloj marëdhënieje veç një shoqërie të një shkalle të caktuar, ose miqësi dhe vlerësim reciprok.

Ndoshta është një e metë e brezit tim, por ne kemi qënë shumë shumë të kursyer në përdorimin e fjalëve “të dua”. Ishte vetëm e vetëm për të dashurat tona. Nuk e përdornim këtë për shokët jo e jo, por as edhe për njerëzit e afërm të familjes. Ndoshta kur ishim të vegjël mbase dëgjonim që na thoshin “të kam xhan” dhe përsëritnim edhe ne këtë gjë, por jo në kuptimin e fjalës të dua dhe aq më tepër në përkthimin në shqip të saj “të kam shpirt!”. Ishte si një lloj përkëdhelje fëminore pozitive ndërsjellëse, si të theshim “ëmbëlsirat i kam xhan”.

Dyfjalëshit “të dua” i patëm dhënë (ndoshta brezat para nesh më shumë) një rëndësi shumë shumë të madhe. Edhe me ato, që na I kishin copëtuar zemrën, që na kishin bërë të fluturonim qiejve, nuk e përdornim vend e pa vend dhe nuk na pëlqente as ta dëgjonim dendur. Ishte si një bizhu shumë e shtrenjtë dhe plot shkëlqim, që përdorej vetëm në rethana shumë të veçanta. Ndoshta nuk dinim edhe të gënjenim shumë.

Por le të kthehemi tek përdorimi I dyfjalëshit ose të varianteve të tij për shokët e shoqet. Unë nuk jam në gjendje të përcaktoj se kur ka nisur të përdoret në masë, nëse vjen nga ndikimi i të huajve, apo është bërë  më i përhapur nga prania e rrjeteve sociale.

Ngacmimi për këtë temë, më vjen nga deklarata të çuditshme të dashurisë për ata të cilët nuk i ke as pjesë të familjes dhe as të dashur e të dashura në kuptimin e vërtetë të fjalës. Më vrasin veshin kur dëgjoj (ose lexoj)deklarata të llojit: “Uroj të gjesh në jetë një shoqe që të të dojë san jë të qindtën e asaj që të kam dashur unë!” ose “Unë mbetem i njëjti budalla, që i kam dashur shokët më shumë se më kanë dashur!” apo të tjera si “ Në shoqërinë tonë të përkryer, ku kishim një dashuri për të na patur zili të tjerët, këto gjëra nuk duhet të kishin ndodhur!”.

Përse këto deklamime bajate të një ndjenje, që nëse vërtet ka qënë e tillë nuk ka përse të thuhet, sepse nënkuptohet. Kur e ke dikë shok dhe mik apo shoqe dhe mikeshë, ndjenja e afeksionit është e natyrshme, e pranishme dhe nuk ka nevojë të deklarohet, sepse është vetë në natyrën e marëdhënies. Askush nuk të ka detyruar ta kesh shok ose shoqe. Nuk është si me fisin, kur i ke të afërt nga një marëdhënie që nuk varet nga ti. Mund t’i duash, mund të mos i duash, mund të jesh indiferent ndaj tyre, mund t’i kesh bezdi etj etj, por janë dashje pa dashje të pranishëm në jetën tënde.

Njeriut që në një kohë të gjatë të jetës tënde e ke quajtur shok ose shoqe nuk ka nevojë t’i përmendësh dhe as të të përmendë fjalën “të dua”. Aq më pak t’i deklarosh se ke ose ke patur për të një dashuri të shkallës sipërore. Në raste të tilla, ata ose ato që i bëjnë as dinë se ç’është shoqëria dhe as kanë kuptuar se ç’do të thotë të duash dikë që nuk e ke pjesë të familjes dhe nuk ke asnjë tërheqje seksuale.

Ndoshta duan t’i mbushin mendjen vetes se i duan shokët dhe shoqet.

A ka vaksinë kundër idiotizmit?


Kur flasim e shkruajmë për ndikimin e Korçës dhe korçarëve në jetën e Shqipërisë nuk lemë superlativë pa përdorur, sepse është pranë të vërtetës, por edhe se na pëlqen të jetë e vërtetë. E megjithatë edhe ne korçarët kemi ‘kusuret” tona në jetën dhe historinë shqiptare. Kemi pasur individë që kanë luajtur rol negativ në jetën e vendit si kriminelë, si çizmelëpirës të pushtetit, si shkencëtarë fallco edhe si profetë të rremë. Nëse fillojmë diku tek 200 vjetët e fundit, lista mund të jetë shumë e gjatë dhe të na bëjë të mendohemi kur rendititm vetëm sakrificat që kemi bërë për Shqipërinë dhe për të vërtetën.

Në një shkrim të disa viteve më parë, kam shkruar gjysëm me të qeshur, se korçarët bashkëkohorë më të kërkuar në “google” janë Niko Peleshi, Kastriot Myftaraj dhe Alfred Cako Nuk kujtoj nëse kjo e dhënë ishte vërtet një klasifikim i dhënë nga “motorët e kërkimit” në Internet.

Por nëse dikur dy korçarët (jo ministra) i trajtoja me të qeshur për absurditetet që theshin rreth ngjarjeve botërore, historisë të Shqipërisë, dukurive shoqërore në botë e në vend, gjatë 17-18 muajve të fundit, idiotizmi I Alfred Cakos është bërë tejet I rrezikshëm për shoqërinë shqiptare, si dhe për shumë shqiptarë, të cilët jetojnë jashtë atdheut.

Nuk dua të merrem me individin në fjalë, sepse idiotë të tillë, që lexojnë 10=15 libra me informacione të çoroditura dhe që trazojnë më shumë mendjen e tyre të mangët mund të gjesh kudo në botë. Por jo kudo në botë individëve të tillë ju jepen hapësira në televizionet kombëtare. Eshtë e rrezikshme, e turpshme, e dëmshme për më të rinjtë dhe në rastin e idiotllëqeve të thëna ndaj vaksinimit nën shenjën “No vax” edhe kriminale. Nuk ka të bëjë aspak me lirinë e fjalës dhe shtypit. Eshtë thjesht një abuzim i të tjerëve maskarenj-idiotë, si pronarëve të Top Channel apo i Ben Blushit.

Për idiotizmin e Cakos (të pashërueshëm) herë herë më ka erdhur keq, por dëmi që ka sjellë në shqiptarët është shumë i madh dhe jo për faj të tij.

Ka qëlluar që bisedoj me shqiptarë në Amerikë dhe Kanada, të cilët propagandojnë turli teorish kundër vaksinës dhe komploteve botërore. E di që anglishten e kanë të cungët dhe informacionin e marrin nga rrjetet sociale dhe kanalet televizive shqiptare. Eshtë e kotë t’ju thuash: “Nuk është shpikur ende vaksina kundër idiotizmit!” se do të shohin si një debil të mjerë. Por përpjekje për një vaksinë të tillë vërtet duhen bërë dhe për ta aplikuar në fillim tek Vjollca Hoxha, Ben Blushi, Manush gazetari dhe të tjerë idiotë të rrezikshëm, që në valët televizive kombëtare, që janë pronë e të gjithë shqiptarëve, lejojnë një propagandaë të tillë e cila kushton më shumë jetë njerëzish se një luftë.

Për fatin tonë të keq, propaganda të tilla i interesojnë edhe Edi Ramës, që i lejon ato për të patur sa më shumë konfuzion në mendjet e shqiptarëve dhe ta ketë më të lehtë për të sunduar.

Saturday 29 May 2021

“…Por Shqipëria do të rrojë“


Ata rrinin çdo ditë në të njëjtën kafene në qendër të fshatit dhe shfrynin kundër Sulltan Hamitit, kadijve dhe bejlerëve. Njëri kishte punuar ca kohë në Lion dhe kishte shumë besim se Franca do na ndihmonte. Tjetri kishte shumë besim në Amerika, pasi kishte bërë një vit kurbet në Filadelfia. I treti nuk kishte punuar jashtë vendit por ishte i bindur se pa patur në krah Ingliterrën nuk bëheshim dot më vete. Grindeshin, pajtoheshin dhe të nesërmen ishin përsëri në të njëjtën tavolinë.

Edhe një çerek shekulli më pas nuk ishin larguar nga fshati, po kolliteshin më shpesh, ju ishin shtuar rrudhat dhe kur grindeshin thërrisnin më shumë se njëri nuk dëgjonte nga veshi i djathtë. Shanin Zogun, kadijtë, bejlerët dhe ai që kishte qënë në Lion kishte shpresë në Rusia. “Amerikani” mburrej me atë që kishte bër Presidenti Uillson për Shqipërinë dhe i besonte vetëm Amerikës, kurse ai që nuk kishte bërë kurbet përsëri shpresat i kishte në Ingliterra, por theshte që edhe Musolini mund të bënte derman për të ujdisur Shqipërinë.

Kishin vdekur jo shumë larg në vite nga njëri tjetri dhe të gjithë i kujtonin me mall. Djali i të vëllait të Lionezit dhe djemtë e dy të tjerëve kishin zënë këmbën e tyre në të njëjtën kafene. Flisnin me zë të ulët dhe kur kishte shumë njerëz rreth e rroturll ja merrnin këngës. Kur nuk këndonin, gjysëm nën zë dhe me nofka e fjalë që i dinin vetëm ata të tre, shanin Enverin, Mehmetin, sigurimsat dhe kryetarin e kooperativës. Nipi shpresonte në Franca, djali i amerikanit në anglo-amerikanët, kurse djali i jo të mërguarit kishte shpresë në Titoja. Si iknin nga kafeneja ju vinin veshin radiove të huaja, që kishin emisione shqip.

Jetuan deri sa panë ditët e bardha të vdekjes së Hoxhës, rënies të Murit të Berlinit, votuan edhe për kundërshtarët e komunizmit dhe ikën të qetë nga kjo jetë, të veshur me kostumet e dasmës. Në kafenenë e fshatit, tavolinën ja u ruanin trashëgimtarëve të tyre, që ishin njerëz të nderuar, atdhetarë dhe që kujdeseshin për traditat kulturore të fshatit dhe të zonës. Këndonin bukur dhe grindeshin për politikë. Shanin Saliun, Nanon, Ramën, kadijtë e korruptuar dhe doktorët që nuk të zinin me dorë po mos ju jepje para. Djali i të nipit të Lionezit kishte besim vetëm në Europa e Bashkuar, nipi i amerikanit vetëm tek ambasadorët amerikanë dhe nipi i vendaliut që nuk kishte qënë kurrë në kurbet thoshte “Skandinavët mund ta bëjnë këtë vend!” Kishte raste që thërrisnin aq shumë sa pronari i ri i kafenesë i kishte paralajmëruar se nuk do ja u ruante më tavolinën, por të gjithë e dinin se ai ishte një kërcënim i kotë, se ata jo vetëm do vazhdonin të vinin atje, por do ja u linin trashëgim edhe fëmijëve të fëmijëve. Deri në amëshim. Kur e kalonin pak masën në raki ja merrnin:”…Se Zoti vetë e tha me gojë/ Se kombet shuhen përmbi dhe/ Po Shqipëria do të rrojë/ Për k’të, për k’të luftojmë ne!”

Friday 28 May 2021

Guggenheim

Të ndjek,

Në këtë spirale stërmadhe të ndjek…

Kthinat janë të lakuara,

Po njëlloj si udhët e panumurta të qumështit;

Nuk lëndohesh

Edhe kur gjymtyrët përpjek

Në të ultën pengesë drejt vorbullit.

Dua të kap kindin e tëndit petk

Ndërsa drejt dritës ti ngrihesh nxitimthi;

Ngjyrat e Renuarit, e Monesë të prek,

E më tej

Dy të prerat e mprehta të Sezanit,

Të hap rrëmbimthi.

Dikur të njëjtën gjë

Padyshim dhe Frenk Lloid e ka bërë

Më pas ka patur të magjishmin ndriçim,

Na dha rrugën,

Më prurii tek ti,

Tej kjo Aveny solli universin e tërë!

 

Thursday 27 May 2021

Bëhu pak pragmatik…(të keqen lalka)!


Titulli është i kopjuar nga një thënie e viteve ’90, e cila e saktë(e përcjellë nga një burim shumë i besueshëm) është: “Bëhu ca Evropë të keqen lalka!”.

Duke më dhënë edhe një herë dorën, Miu i Gjirizave më bëri thirrje të bëhesha pakëz pragmatik (në të vërtetë thirrja e Miut është të bëhem “pragmatist”, gjë që ve në dyshim idenë time të hershme, se ai ishte njohës i mirë i anglishtes). Unë jam i gatshëm të bëhem pragmatik (nëse nuk jam) edhe pse nuk di se ç’dobi do kisha unë, familja, blogu dhe më gjërë nga kjo.

Më vjen në ndihmë një thënie e qëlluar e shkrimtarit katolik japonez Endo Shusaku, që më bind se edhe unë nuk jam tërësisht jopragmatist. “ Të jesh një shenjt ose njeri shumë i mirë në këtë botë pragmatike, ku çdokush përpiqet t’ja hedhë tjetrit është si të jesh budalla apo jo?” Unë nuk jam as shenjt dhe as njeri shumë i mirë, gjë që më shpëton nga të qënit një budalla jopragmatik. (Mund të jem një tip tjetër budallaj.)

Jam i sigurt që jam edhe pragmatik, se në të kundërt nuk do kisha emigruar familisht, por do isha përpjekur për të demaskuar Berishën për atë çka bëri me firmat piramidale dhe më vonë edhe me shkatërrimin e shtetit shqiptar në 24 orë. Gjithashtu herë herë më vret ndërgjegja, që nuk shkoj për të ndihmuar ata që nuk kanë ujë dhe ilaçe në pjesën më të madhe të Afrikës, por pragmatizmi nuk më le të hedh hapa idealistësh, sikundër bëjnë shumë njerëz të shkëlqyer të këtij rruzulli.

Por edhe në ato që shkruaj unë jam pragmatist, sepse kërkoj të bëhet më e mira e mundshme për bashkësinë korçare dhe të gjithë shoqërinë shqiptare, sepse mendoj se njerëzit mund të jetojnë më mirë nëse ka më pak korrupsion dhe se vetë mund të kaloj javë më të bukura në një Shqipëri pa përplasje shoqërore dhe pa zili dhe mllefe ndaj njëri tjetrit.

Ishte pragmatizëm të kërkoje ndalimin e ndërtimit të Kullës Vrojtuese dhe ndërtimin e diçkaje më të lehtë dhe më transparente, që do ju jepte mundësinë ideatorëve të Kullës edhe të përfitonin ndonjë gjë nga fondet publike dhe të mos e dëmtonin atë hapësirë të qytetit. Dhe po kështu edhe për Bibliotekën e Re, Kullën e Sahatit, Kopështin japonez, Harkun e Triumfit në Voskopojë apo të tjera marrëzira arkitekturore të ndërtuara me paratë e taksapaguesve.

Nëse do mendoja se korrupsioni i çdo qelize të shoqërisë shqiptare do e ndihmonte shoqërinë tonë të begatonte, do ja kisha kursyer kritikat. Dhe këto nuk i bëja nga këndvështrimi donkishotesk, por sepse kam kuptuar aq nga jeta se ç’farë i bën shoqëritë dhe bashkësitë njerëzore të përparojnë. Nuk besoj se ka në ndonjë nga vendimet e mija, apo në shkrimet e mija ide apo veprime të llojit “t’i biesh murit me kokë!” Në të kundërt, shumë pjestarë të shoqërisë shqiptare të quajtur “pragmatikë“, si juristë, mjekë, politikanë e të tjerë që janë përshtatur me moton “kështu bëjnë të gjithë“, ose kanë humbur vendet e punës, ose kanë humbur fëmijët në rrugët e jetës, ose ka edhe nga ata që kanë përfunduar burgjeve.

Shqiptari më pragmatik i shekullit të kaluar ka qënë Enver Hoxha.

Sa më shumë të dhëna zbulohen rreth jetës së tij, aq më shumë më shtohet bindja se Hoxha ishte pragmatik në shkallën sipërore. Në rini ndenji disa vite në Francë pa dhënë asnjë provim në universitet me bursën e shtetit shqiptar dhe të ardhura nga dashnoret franceze plaka; më pas u vërtit Parisit dhe Brukselit duke ndenjur në shokë e miq dhe me një rrogë si sekretar konsullate, konsullatë ku nuk hynte asnjë njeri dhe kur u mbaruan edhe ato burime financiare u kthye në Shqipëri ku jetoi po njëlloj, me rrogën e një mësuesi filloreje në Lice dhe me dhurata nga gra korçare të pasura, me të cilat bënte dashuri. Mund të bënte çdo gjë për të pasur një jetë të lehtë, pa mundime dhe mes qejfesh. Ky pragmatizëm(dhe oportunizëm) e shpuri edhe në krye të partisë Komuniste dhe Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri, ndaj dhe duke pasur këtë sens realist ju mbijetoi luftës së grupeve gjatë luftës deri sa arriti në “pragmatizmin” ekstrem, atë të vrasjes së shokëve dhe atyre që ja njihnin mirë të kaluarën. I gjithë fati i popullit shqiptar u lidh për 40 vjet me fatin e këtij “njeriu pragmatik”, që për të qëndruar në pushtet mund të merrte çdo lloj ngjyre dhe mund të bënte çdo lloj aleance.

Kopjet e “shqiptarit më pragmatik” janë edhe sot në krye të vendit, ku shquhen Berisha dhe Rama. Nuk ka asnjë ideal në mendjet e tyre. Prej fillimit janë tallur me të gjithë ne dhe sidomos me ata njerëz që kundërshtonin “realitetin e korruptuar” duke i quajtur me mendje budallenj.  

Por ka një “kleçkë” ky lloj “pragmatizmi” që të pasuron dhe të mban gjatë në pushtet. Të detyron që për të mbajtur të gjallë këtë realitet të krijuar (nga i cili buron të qënit realist dhe pragmatik) të bësh krime të mëdha, të cilta arrijnë deri në vrasje.

Ndaj i dashur Mi i Gjirizave unë nuk kam dashur të bëhem pragmatik i një lloji të tillë. Jo se jam idealist! Por sepse e di që ky realitet është i shtrembëruar, është i përkohshëm, është kriminal. Edhe nëse nuk do t’ja dish për lëveren e madhe që i ve fytyrës, vjen një ditë dhe thyen hundët në atë që është realiteti i vërtetë. Shoqëria normale. A do kemi vdekur të gjithë deri atëhere?

Këtë askush nuk e di!

Wednesday 26 May 2021

24 orë ose më shumë burg (fund)


 (vijim)

“Burgu i bën të talentuarit shkrimtarë dhe të patalentuarit grafomanë tejet të mërzitshëm” ka thënë dikur një anonim, të cilit nuk po ja përmend emrin sepse do të mbetet anonim. Ndaj dhe mua ma ka fajin burgu i Trudosë, që më shkaktoi përroin psikik të Droit. Nëse nuk do kishte qënë Dekreti i qeverisë kanadeze dhe nëse qeveria do i kishte shpenzuar burimet financiare në kohë për vaksina unë nuk do isha në vetizolim, por do isha duke vizituar Shqipërinë për të parë se si do ishte mandati i parë pastranzicion i Ramës, sipas përcaktimit të Besart Kadiut. (Nisur nga mbiemri duhet të jetë soj kadilerësh, të cilët kanë lënë gjurmë në sistemin ligjor otoman, në atë të Zogut, të Dullës dhe më tepër akoma në atë të tranzicionit.)

Sipas Kadiut më në fund tranzicioni shqiptar u mbyll dhe këtej e tutje do ndërtohet shoqëria e vërtetë kapitaliste. Idea është pak a shumë si e shokëve Lenin dhe Stalin, që socializmi do ishte një fazë tranzitore deri sa të kalohej në komunizëm. Tani që sho Edi i dha fund tranzicionit, demokracia në Shqipëri do marrë një hov të paparë, sa në fund të mandatit do kemi aq shumë demokraci sa do jemi “veledisur” prej saj. Do themi:Boll! Shoqëria shqiptare me demokraci, por edhe demokracia me karar! Sho Edi bashkë me shokët Gramoz, Erion, Agim, Damian, Blendi dhe me shoqet Olta, Luli, Elisa dhe Najada do përqëndrohet në përsosjen e sistemit juridik, i cili ka qënë problematik gjatë tranzicionit. Do arrihet që askush të mos jetë mbi ligjin dhe anash ligjit, por vetëm nën ligjin! Madje mund të kapet deri tek niveli sa të mos ketë nevojë për avokatë, sepse nëse askush nuk do jetë mbi ose anash ligjit, s’ka përse të duhen avokatët. Vetëm ligji dhe kadijtë!

Kjo prek avokatin tim në Tiranë, por në fund të këtij mandat ai do jetë në moshë pensioni dhe do shijojë sistemin e përsosur shqiptar të drejtësisë, ku të gjithë, pa shkelur të drejtat e njëri tjetrit dhe sidomos pa shkelur ligjin(se janë nën të e nuk e shkelin dot) do ndërtojnë në harmoni shoqërinë e vërtetë kapitaliste, që do ja kalojë disa here asaj të Zvicrës.

I vetmi që nuk do shijojë dot këtë arritje të Kombit tonë do jem unë, sepse koha në vetizolim është e papërcaktuar dhe mund të kalojë jo vetëm mandatin e posanisur të Ramës, por edhe disa mandate të tjerë të tij dhe ndonjë mandat të Zahos. E megjithatë, duke menduar sipas parimit “Interesi i përgjithshëm mbi atë personal” unë do e kthej keqardhjen në forcë. Vitet e vetizolimit do i përballoj me idenë se në brigjet e Adriatikut, atje ku më ka rënë koka, funksionon shoqëria me sistemin ligjor më të përsosur në botë.

Ndoshta një ditë edhe Kanadaja, që më ka futur në burg, do mësojë nga sistemi jonë dhe do rishikojë Dekretin për luftën ndaj Covid-19 dhe do lirojë nga strukturat qeveritare të gjithë të vetizoluarit si puna ime, të dënuar me minimum 24 orë dhe me një maksimum të pacaktuar.

Prisni dhe shpresoni!

Nuk më ka zënë gjumi ende dhe nga vetizolimi kanë kaluar vetëm 4 orë.

24 orë ose më shumë burg (5)

 


(vijim)

Nga Papa Spiroja mendja me shkon në dhespoti i Korçës, Imzot Johan Pelushi, më tej në Patriarkanën në Stamboll dhe në komunitetin korçaro-kanadez dhe përpjekjet e tij për Kishë Ortodokse Autoqefale. Deri vonë merrnim një kishë me qera (si puna e makinave) dhe e ngisnim nga njëherë të djelave me priftin Foti Cici, por si gjithnjë u përzje lobi grek, ortodoksët e Aleksandrisë, CIA dhe shërbimet sekrete të Putin dhe ne korçarët bashkë me ortodoksët e tjerë shqiptarë mbetëm edhe pa kishë me qera. Duhet të bëjmë Kishën tonë, por kursimet i kemi shpenzuar në plazhe, veshje firmato, makina të shtrenjta dhe kazino dhe nuk qullosim dot gjë. Na luftojnë edhe militantët ateistë (kuptohet për të na hapur sytë), se vetë janë të sigurt që jo vetëm Perëndia nuk ekziston, por fetë i kanë shpikur të huajt për t’ju marrë trojet më të lakmuara në botë ilirëve, arbërve dhe neve, pasardhësve të tyre. Disa nga ilirët e hëngrën atë koqe ulliri, dhe i përqafuan fetë monoteiste, por shumë të tjerë mbetën paganë dhe si të tillë arritën të mbrojnë një pjesë të gadishullit ku jetonin, dhe t’i vinin më vonë emrin Zvicra e Ballkanit.

Kur je në izolim mendja të shkon akoma më shumë në vdekja, fetë, priftërinjtë, testamentet, funeralet, jetën e këtejshme dhe të përtejshme, Gjyqin e Fundit dhe mëkatet. Por nuk ke kujt t’i rrëfehesh. Në izolim e humb plotësisht vlerën shprehja “Paratë dhe mëkatet nuk rrëfehen!” Të lind një dëshirë e papërmbajtur për t’ju rrëfyer të parit vesh që të ndodhet pranë edhe sikur ky të jetë një vesh nga ata të mëdhenjtë të mbushur plot me qime.  Mbiprehërësi nuk ka vesh dhe online është e ndaluar të shkosh ndaj edhe mundësia për të parë një vesh në Skype, Zoom apo aplikacione të tjera nuk është e mundshme. Gjithashtu ke frikë se një pjesë e mëkateve si mashtrimi me taksat, ngarja e makinës me shpejtësi dhe kalimi me të kuqe në kryqëzim, paraqitja e fryrë e të ardhurave për të përfituar kredinë e shtëpisë, lidhen drejtpërdrejt me shtetin kanadez që më ka në mbikqyrje dhe mund të sjellë vite dënimi shtesë mbi kohën e pacaktuar. Ndaj po rrëfej vetëm një mëkat jo me shumë zarar të viteve të 8-vjeçares, kur zinim bangot pranë derës në orën e gjuhës, për të parë kofshët e një mësueseje zëvendësuese në katedër, e cila nuk kujdesej shumë për mbulimin e tyre. Nuk kishte asgjë seksuale në atë prirje për kofshëparje. Ishte vetëm si n jë lloj gare mes nesh se sa pjesë mbi gjurin pe dhe nëse në një çast fatlum kishe arritur të shihje edhe ngjyrën e të brendëshmeve. Ishin vite pa tv dhe pa revista pornografike.

Duhet të përqëndrohem në ndjekjen e frymëmarrjes për tu çlodhur dhe për të rënë në gjumë të thellë. Duhet të marr frymë dhe pastaj të ndjek me mendje se deri ku shkon fryma. “Si top fyrome” më kujtohet shprehja e 50 vjetëve më parë e një njeriu shumë të mirë të “sojit tonë”. Topi fyrome ishte në korçarçen e vjetër tullumbaceja ose flluska plastike. Po mundohem t’i bëj mëlçitë time të bardha si top fyrome dhe të ndjek se si ajri shkon deri poshtë diafragmës dhe shtyhet edhe më tej, megjithëse nuk jam i sigurt se sipas këshillave të meditimit duhet të ndjek me mendje frymën apo qarkullimin e gjakut. Nuk di edhe se ku e kam diafragmën. Në vizatime e kam parë që është poshtë mushkërive , por nuk e di si është në raport me stomahun. Po me duodenin? Gjumi nuk po vjen dhe frymëmarrjen po e mbaj shumë pa e nxjerrë sa ka rrezik të kem çrregullime në vrimat hyrëse dhe dalëse të ajrit të trupit tim. Tamam si një gajde e madhe e pakontrolluar mirë. Me mendje, sipas parimeve të meditimit, duhet të shkoj në një vend ekzotik, por mendja çuditërisht shkon në përruan Dro në Mamurras, që nuk ka qënë asnjëherë ekzotik. Mendje e çrregulluar!

Në brigjet e Droit në Mamurras u përballa për herë të parë me absurditetin e jetë, universitetit dhe stërvitjes ushtarake. Ishte nëntor 1979 dhe është tmerrësisht e habitshme, se në moshën 20 vjeçare, kur festonim 35 vjetorin e çlirimit të atdheut, kur sa kishim shpartalluar disa grupe antiparti dhe Partia ishte më e pastër se kurrë, mua, në brigjet e Droit të më lindnin dyshimet ekzistenciale. Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm me siguri që vepronin në mënyra të sofistikuara për të mbjellë dyshime në mendjen e një të riu, të cilit Partia sa i kishte besuar misionin që të bëhej pas 4 vitesh arkitekt e të projektonte stalla dhe shkolla, pallate parafabrikate dhe kazerma, për popullin atdheun dhe socializmin. “Merr edhe njëherë frymë thellë!”-i them vetes, por përsëri nuk më ndahen nga sytë figurat e pedagogëve, që dukeshin më qesharakë në uniformat e tyre të zbërdhylta ushtarake, rripat e mezit poshtë barqeve të dalë dhe kapotat pa spaleta. Inxhinierë, matematicienë, filozofë, arkitektë të gënjyer e të detyruar të gënjenin, që nuk klithnin dot me të madhe: “Kjo që bëjmë është një gënjeshtër e madhe, se nuk na sulmon njeri, por edhe po na sulmuan ne jemi të mbaruar për një javë!”

Për të mbytyr mërzinë, absurditetin dhe mendimet ekzistencialiste, i vetmi ngushëllim për ta dhe një pjesë prej nesh ishte një klub i vogël, ku mund të pije më këmbë “votkë“, raki dëllinje, fërnet dhe ponç portokalli, por që nuk kishin si të vepronin keq mbi trutë e trembur apo të shpëlarë, ndaj askush, as edhe ata që kishin qënë jashtë shtetit për specializime, nuk thërrisnin as pas 3-4 dopiosh, “Ky vendi jonë është një vend prej m…, që drejtohet nga kriminelë!” Flisnim për sportin, tregonim anekdota të ndyra, përmendnim “Tango e fundit në Paris” dhe pas dopios së tretë ankoheshim vetëm për spiunët dhe veprimtarët e lagjes. Asgjë rreth jetës e vdekjes, rreth shfrytëzimit të njeriut nga njeriu dhe grave e fëmijëve nga burrat, rreth Frojdit e Kantit, apo më keq akoma, se ç’kishte thënë një natë më parë “Zëri i Amerikës”. Droi përcillte me dembelizëm tatëpjetë ujët e tij të pakët. Pylli përreth kishte drurë gjethorë dhe gjethet nuk kishin rënë akoma edhe pse ishte nëntor.

(vijon)

Tuesday 25 May 2021

24 orë ose më shumë burg (4)

 


(vijim)

Prerjet kishin arritur në një dhimbje të padurueshme, sa i vetmi shpëtim ishte të shtrëngoja me dhëmbë jastëkun dhe të këndoja me mendje “Kuq është ku lind e perëndon/ Kuq është në jug e në veri”, kur u dëgjua një trokitje në derë dhe më pas “Letrën higjenike e ke të varur në dorezë. Nxirr vetëm dorën jashtë për ta marrë!” Me gjunjë të thyer eca deri tek dera dhe mora qesen me topin shpëtimtar të letrës higjenike. “Nuk duhet të kisha ngrënë atë sanduiçin në aeroport” mendova dhe e humba mendjen në kujtimet e zboreve në Mamurras dhe Voskopojë, kohë kur punonim, jetonim e mbroheshim si në rrethim dhe nuk kishim letër higjenike. Në Mamurras të paktën pyjet ishin me drurë gjethorë dhe jo si në Voskopojë.

Ashtu si në Mamurras u plasa mbi shtrat dhe urova të flija të paktën 24 orë rrjesht dhe të zgjohesha me shpresën se diçka do kishte ndodhur pas atij gjumi të gjatë. Ndoshta dikush nga bashkësia shqiptaro-kanadeze do kishte ndjerë mungesën time dhe të kishte lajmëruar ambasadorin tonë në Otava dhe prej atje “haberi” të kishte shkuar në Olta Xhaçka, e cila edhe pse nuk ka idenë se kush jam mund të ishte këshilluar me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi për rastin “Naum Mara” që tingëllon si nga Korça. Dhe me siguri, pas fitores në zgjedhje, Peleshi do ndjehej më zemërgjërë se kurrë dhe do më falte mua fajet e bëra me dashje dhe padashje dhe do ndërhynin si Qeveri për një lirim të shpejtë dhe pa kushte. Në fund të fundit unë kam shkruar edhe kundër Saliut dhe me të kam qënë më i rreptë dhe më parimor. Po a është Peleshi kundër Saliut?

Në ato minutat e para që janë midis ëndrrës dhe zhgjëndrës truri mu hallakat edhe në një mundësi tjetër shpëtimi për hir të Mësonjtores, çështje që do angazhonte opinionin publik korçar, organizatën “Diaspora për Shqipërinë e Lirë, klubin “Dora” në Vienë dhe Miun e Gjirizave që ishte indinjuar për ABC-në. Mundet edhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti e mallëngjyer nga shkrimet e mija të kërkonte ekstradimin e menjëhershëm në Shqipëri për të punuar për rinovimin e projektit të rinovimit të Mësonjtores të posarinovuar…

Më zgjoi e trokitura në derë me thirrjen “Darka!” dhe duke ndjekur të njëjtat veprime si me topin e letrës higjenike zgjata dorën nga dera pak e hapur dhe rrëmbeva qesen me diçka të ngrohtë brenda saj. Kaneloni dhe bebi karrota, kërcej selinoje dhe pak salcë qezariane.  Kaneloni nuk kisha ngrënë që në kohët e “Vollgës”, kur i mashtruar nga ai që është tani avokati im në Tiranë, pata hapur në maksimum gojën nga ku më kishte rënë një ligë e tejzgjatur. Ai që projektonte të ishte avokat në të ardhmen, kishte përsosur që në atë kohë artin e ngopjes të tjetrit me “furkulicë“ bosh. Ende më vlon edhe sot ndjenja e hakmarrjes kur shikoj kaneloni.

Por nuk mund të hakmerrem ndaj Dru-do-së që më jep kaneloni ndaj përsëri hakmarrja më drejtohet gabimisht në Saliu, Like Floriri dhe Ed-jorgani, që edhe pse kanë vjedhur sa kanë mundur nuk i kanë futur kurrë në vetizolim si mua. Po Qifja me Tom Doshin! Po Erioni i Luanit të ndjerë të ushtarakes! Se “apetitin” e Nanos për të vjedhur, tani që jam në izolim e kuptoj mirë. Nuk të bën asnjë gjë përshtypje. Thua sa të dal po po mos ja futa ndonjë banke dhe të rrëmbej ç’të mund se nuk paska drejtësi kjo botë! (Këtë punën e bankave dhe vjedhjes së tyre e kam për zemër që kur kam parë filmin rumun“Vrasja e Majorit”, me Solomonikën që hapte kasafortat. S’kam lënë që atëhere film pa parë me vjedhje bankash!)

Lëpiva edhe fundin e salcëmbajtëses dhe u shtriva përsëri. I ngopur po i pashpresë. I çlodhur por pa fantazi. I gjallë por i braktisur. I egërsuar por pa objektiv të qartë. Tavani është i bardhë dhe të bardha janë edhe muret. Carçafët po të bardhë dhe faqja e jastëkut pak e hirtë. Nuk është as vapë as ftohtë, që më bën të mendoj se temperatura e dhomës është 21 gradë Celsius. Temperaturë që nuk të le të revoltohesh, por të dembelos. Cdo gjë e llogaritur në hollësi. Edhe provokimi me letrën higjenike. Se si do sillet dikush që nuk ka vepruar në përputhje me Dekretin e Qeverisë në luftën kundër Covid-19. Nga dritarja që sheh në oborrin e brendshëm duket vetëm një gjelbërim gjysëm i virgjër gjysëm i kultivuar në mes pa asnjë lule. Koha ka ndalur. Pikërisht se dënimi është për një kohë të pacaktuar. Asgjë nuk ka për të ndodhur. Si tek “Në pritje të Godosë“. Në pritje të ndryshimit të Dekretit të Trudosë. Tek Beket të paktën pritësit ishin dy dhe këmbenin nga një thuajse marrëzi. Unë duhet t’i shkruaj thuajse marrëzitë në mbiprehrës, pasi në Udhëzues thuhet se nuk lejohet të flasësh me zë të lartë. Për pordhë me zhurrmë të lartë nuk thuhej gjë. Por duhet disiplinuar vetë se ajrisja e dhomës nuk mund të bëhet nëpërmjet një dritareje që nuk hapet. Për më tepër edhe temperatura mund të ndryshojë nga 21 gradë nën efektin e gazqitjes.

Ora është po aq sa ishte herën e fundit kur e pashë. Nuk është mbushur minuta. Në këtë kohë që nuk lëviz Bill Gates fut në xhep edhe 2000 dollarë të tjerë. Ndaj kërkon të flerë me dikë tjetër veç Melisës. Cështje dollarësh dhe hormonesh, hormonesh dhe dollarësh. Mua dhe nëse më shkon mendja apo më lëvizin hormonet në drejtim të gabuar nuk më lejohet të fle me dikë tjetër. Vetizolim i plotë dhe për një kohë prej 24 orë deri në papërcaktim. Papërcaktimi është e përjetshmja. “I përjeeetshëëëëm kujtiiiimiiii” më sjell ndërmend Papa Spiron e intonuar, me një zë që të sjell një ndjenjë prehjeje dhe gati dëshirë për të vdekur, por në një gjendje thuajse të vdekur, kur mund të dëgjosh se sa ëmbëlsisht këndohet për ty “I përjeeetshëëëm kujtiiimiii!” Papa Spiron e kam njohur që kur ishte vetëm Spiro i biri i dhjakos dhe më ka lënë mbresa për figurën gati hyjnore. Tani është një prift plot thjeshtësi, mistikë, përkushtim dhe dashuri të pakushtëzuar. Edhe kantaautor.

(vijon)

 

Monday 24 May 2021

24 orë ose më shumë burg (3)


 (vijim)

Hyj në nyjen sanitare të dhomës. Nuk ka letër higjenike. Nuk kam dëgjuar të ketë lidhje përhapja e Covid-19 me letrën higjenike. “Tregu i qullur” në Wuhan, lakuriqët e natës, Miu i Gjirizave e të tjera qënie të ngjashme kanë lidhje me virusin dhe përhapjen e tij, por askund nuk është përmendur letra higjenike. Në nyjen sanitare nuk ka as bide. Duhet menjëherë t’ju kërkoj autoriteteve të përmbushin kushtet minimale të pastërtisë para se të jetë shumë vonë.

Hapa me kujdes derën e dhomës 1052 dhe sa zgjata vetëm hundën për të parë se ç’bëhej në korridor, 4 oficerë, ndoshta të Ndërhyrjes së Shpejtë e rrethuan derën dhe më thirrën ta mbyllja menjëherë. “Nuk ka letër higjenike”-belbëzova i trembur dhe e mbylla derën. Ndjeva se nevoja për të ishte tani më pranë se kurrë. Nga jashtë u dëgjua “Ke mbi tavolinë një udhëzues të tërë në frëngjisht dhe anglisht se si duhet të veprosh. Nëse e hap derën edhe njëherë izolimi do vazhdojë për një periudhë edhe më të pacaktuar!” Nxitova të shfletoja udhëzuesin dygjuhësh, duke menduar padashur se si një periudhë mund të jetë edhe më e pacaktuar. Ku ka më shumë apo më keq se e pacaktuara?!

Udhëzuesi ishte jo vetëm shumëfletësh, por edhe i shtypur në fletë të lustruara, të cilat përjashtonin çdo mundësi për tu përdorur për qëllim tjetër veç leximit të udhëzimeve. Në faqen 14 seksioni b ishte përcaktuar se si duhet të veprojë i vetizoluari nëse ka nevoja të cilat nuk përmbushen nga ato ç’ka përmbahen në dhomë. Komunikohet me zyrën qëndrore nëpërmjet sistemit “intercom”, që ndodhej pranë derës, ku pasi shtypje butonin dhe dëgjoje zërin e nëpunësit, parashtroje kërkesën e cila merrej në shqyrtim brenda ditës. E shtypa butonin dhe u dëgjua një zë i trashë burri:”Ju dëgjoj i vetizoluari 1052” dhe menjëherë klitha “Nuk ka letër higjenike!”. Kërkesa me thirrje duket e gjeti të papërgatitur nëpunësin se pasi krrojti zërin u përgjigj me vonesë:”Do e shqyrtojmë rastin tënd!”. Rasti im!!”thirra por nga ana tjetër interkomi ishte mbyllur. “Rasti im po vjen drejt daljes!” thirra i dëshpëruar dhe mblodha gjithe muskujt poshtë kërthizës për të mos u dorëzuar. “Të paktën të jem krenar si shqiptar që jam” i thashë vetes dhe mbylla sytë për të kujtuar se ç’kishin thënë vëllezërit Frashëri, Ismaili dhe Rexhep Qosja për situata të tilla. Nuk mu kujtua asgjë.

(vijon)

Sunday 23 May 2021

24 orë ose më shumë burg (2)

 


(vijim)

Një oficer i Ministrisë të papërcaktuar më bëri pas gjysëm ore një shenjë me kokë për ta ndjekur pas dhe pasi i rramë së gjati terminalit u ngjitëm në katin e dytë ku bëhen nisjet e avionave. “Oh do më degdisin larg! Ndoshta në Nunavut.”-mendova i dëshpëruar, por nuk mund të kryeja asnjë veprim. Kati i dytë ishte plot oficerë policie dhe oficeri që më shoqëronte ishte i ri dhe me trup atleti. Mjeti i transportit për fat të mirë ishte taksi që drejtohej nga një somalez dhe që më mori nga aeroporti për të më shpënë në ndërtesën e caktuar për të izoluarit vullnetarë, që alernativë tjetër të vetme kanë të paguajnë 5 mijë dollarë. “Të paktën mos ketë punë të detyruar”-mendova se nuk di asnjë lloj zanati nga këto që bëhen në qendrat korrektonjëse.

Somalezi e ndaloi taksinë para një postoblloku dhe i dha nëpunësit të postbllokut kodin 8, të cilin postbllokisti e përcolli me walki-talkie në dikush tjetër. Pasi pritëm pak erdhi urdhëri që postblloku të ngrihej dhe taksia arriti para një ndërtese dykatëshe, që me sa e kuptoja ishte rrumbullake me oborr të brendshëm, ku me siguri dilej për ajrim 30 minuta në 24 orë. Me të arritur para derës na pritën tre vetë, dy prej të cilëve të veshur me komplete antiinfeksion, që më morrën valixhen dhe çantën e mbiprehërsit dhe më bënë me shenjë ti ndiqja. E treta, një grua e gjatë dhe e trashë me uniformë dhe maskë e mbrojtëse fytyre më tha që në atë çast do isha i strehuar në atë strukturë dhe nuk duhet të përdorja asnjë mjet elektronik dhe ishte tërësisht e ndaluar përdorimi i mediave sociale. Nuk më tha gjë për rripin e mezit dhe lidhëset e këpucëve. Kujtova se për to do kujdesej gardiani.

Në korridorin që nuk i dukej fundi sepse godin është rrethore punoni disa vetë me hapjen dhe mbylljen auto-elekronike të dyerve. Mua më priste dhoma 1052, për të cilën pyeta nëse quhet qeli, por oficerjasaktësoi se është dhomë izolimi nga e cila nuk do dal deri sa ajo ta shohë se nuk përbëj rrezik për shoqërinë kanadeze. “Guantanamo” mendova” jam i dënuar pa gjyq dhe pa procedura të rregullta. Nuk mund të kontaktoj as avokaten time në Toronto, se për avokatin tim në Tiranë nuk bëhet fjalë. Të paktën Berishën e futën paraprakisht në listën e zezë, kurse mua me të më futur dhe me të më arrestuar!”. Ushqimin mu tha se do sillet tre herë në ditë dhe do varet në doreza e jashtme e derës dhe pasi të trokasin, unë duhet të zgjat vetëm dorën nga dera pak e hapur dhe të marr qesen me ushqime. Më pyetën nëse kisha alergji nga ushqimi, nëse e doja hallall dhe nëse isha duke mbajtur kreshmë për arsye fetare apo dietore. Ju përgjigja të treja pyetjeve me-Jo. Më pas u munduan të hapnin elektronikisht derën e dhomës 1052, e cila nuk u hap dhe për këtë u thirr një grup mekaniko-elektriçististësh, të cilët në më pak se gjysëm ore e bënë të hapshme dhe të mbyllshme derën e rëndë prej dru-metali. Më thanë të hyja në dhomë.

Dhoma 1052 ka dritare me hekura që shikojnë nga oborri i brendshëm, një shtrat, një karrige dhe një tryezë të vogël, por për fat të mirë ka dhe nyje sanitare dhe dush. Valixheja dhe çanta e dizinfektuar janë në dhomë. Jam i burgosur në një dhomë të një strukture, që nuk e di si quhet dhe nuk mund komunikoj as me familjendhe as me avokatët. Për një periudhë që nuk mund të jetë më e shkurtër se 24 orë dhe që mund të zgjatë pafundësisht. Nuk di as se kush do vendosë për fatin tim. Nuk di as nëse dhoma ka kamera përgjuese, gjë që më bën të vështirë përdorimin e dushit, zhveshjen e plotë dhe çdo lloj veprimi që mund të shkaktojë izolimi në një dhomë 3.5x5.0.

Në çantën e mbiprehërsit kam një libër të Seinfeld, që nuk e kam përfunduar, por që kam frikë se do më shtojë më shumë paranojën dhe humorin e zi. Xheri me shokë përfunduan në burg për një ligj qesharak të miratuar në një qytezë të vogël në Masaçusets dhe që quhej “Ligji i Samaritanit të mirë“dhe lejonte të ndiqeshin penalisht sehirxhinjtë që shihnin një krim dhe nuk ndërhynin. Të paktën patën mundësi të dilnin para gjyqit dhe të kishin një avokat me emër në Amerikë, i cili më parë kishte mbrojtur O.J.Simpson, si dhe ishin të katër në burg. Unë jam i vetëm, i harruar nga komuniteti shqiptaro-kanadez dhe pa shpresë se mund të ketë ndonjë protestë me sloganet “Lironi Naumin!” apo “Jeta e shqiptarëve nuk është e parëndësishme!”

(vijon)

Saturday 22 May 2021

24 orë ose më shumë burg


Nuk e prisja që të arrestohesha në vendin tim. Të arrestohesha dhe të mbahesha në izolim për një kohë të pacaktuar. Minimumi 24 orë dhe maksimumi i panjohur. Krimi im i vetëm, se nuk kam vepruar në përputhje me vendimet e qeverisë kanadeze në përpjekjet për të mposhtur Covid-19 ose si e quan Trump “China virus”.

Qeveria ime e dashur kanadeze ka ndërhyrë energjikisht për të mos lejuar përhapjen e Covid, pasi mbeti pas në vaksinim jo vetëm nga fqinjët e saj të pasur, por edhe pas Greqisë të Qiriakos dhe Shqipërisë të Eduinit. Në kundërshtim me udhëzimet e qeverisë të Dru-do-së, unë udhëtova drejt SHBA-së pas 17 muajve karantine të plotë, të përgjegjshme dhe efikase. Nuk ju afrova as hijes së ndonjë njeriu më pak se 2 metra për 17 muaj. Sa më zuri një mall t’i mbaja erë njeriu (“më vjen era mish njeriu!”)dhe nuk e peshova shumë por u lëshova në Amerikë ku shumica e njerëzve janë vaksinuar. Që të hyja në avion duhet të më gudulisnin në dy flegrat e hundës për 150 dollarë, po nuk pyeta. Në fund të fundit flegrat më duheshin të pastruara mirë, për të mbajtur sa më shumë erë njerëzish.

U vaksinova në Amerikë (me më të mirën e vaksinave “Pfizer”-tha një miku im nga Vlora) dhe mora rrugën për në “folenë“ time në Kebek pasi i gudulisa përsëri flegrat e hundës, këtë rradhë pa para në sajë të bujarisë të “gjumashit Xho”.

Kusuret më nisën sa dola nga avioni në aeroportin e Montrealit ku pas një rrebeshi pyetje përgjigjesh “Ke prenotuar hotel për karntinë?”Jo”, “Po pse nuk ke prenotuar?” “Se nuk e dija.”, “Po pse nuk e dije” ngritje supesh, më dërguan në oficerët e Ministrisë të Shëndetsisë, që më bënë të njëjtat pyetje dhe ju dhashë të njëjtat përgjigje. Që atje më ndanë nga gjithë pasagjerët e tjerë shëmbëllorë, që kishin prenotuar hotel dhe më thanë të prisja ulur në platformat rrotulluese të valizheve, të cilat nuk rrotulloheshin se s’kishte valixhe, pasi i gjithë aeroporti ishte bosh. Pasi më lanë një kohë të gjatë të prisja ku me siguri survejohesha se si do reagoja, erdhi një tjetër oficer i Ministrisë së Shëndetsisë, që më pyeti nëse do zgjidhja mes izolimit vullnetar dhe gjobës 5 mijë dollarë dhe unë sigurisht që zgjodha izolimin vullnetar.

Nuk di në bëra mirë apo jo, por shpejt e shpejt mendova se unë kam vite në izolim vullnetar dhe s’ka arsye pse të harxhoj 5 mijë dollarë që nuk i kam. Kështu që oficeri më tha se do rregjistrohem në kioskën e një nëpunëse të Ministrisë së Shëndetsisë deri sa të vijë një oficere tjetër e Ministrisë së Shëndetsisë që do më shoqëronte në pikën ku gudulisen flegrat e hundës. Nëpunësja që hidhte të dhënat në komjuter qëlloi e ngadalshme, por unë nuk e humba durimin se e dija që përpara do kisha një izolim vullnetar të papërcaktuar që do zgjaste të paktën 24 orë ndërsa më e shumta nuk dihej.

Pastaj erdhi oficerja që më shoqëroi në gjithë terminalin deri në pikën e “flegra gudulisjes” dhe më tha se do më priste jashtë. Atje i dhashë të gjitha të dhënat që mu kërkuan, dhe që u futën përpikmërisht në sistem, por kur më bënë pyetjen se në cilën godinë qeveritare do kryeja izolimin vullnetar, unë ngrita supet duke ju thënë se këtë duhet ta dinte oficerja që më priste jashtë. Këtu ndodhi impasi. Unë nuk mund të lejohesha të dilja jashtë të gjeja oficeren dhe po ashtu nuk mund të lejohej nëpunësja e laboratorit të përkohshëm që po hidhte të dhënat. Rrugëdalja e vetme ishte të prisnim deri sa oficerja të mërzitej duke pritur jashtë dhe të vinte të më kërkonte. Kjo ndodhi pas më shumë se 20 minutave, gjë që nuk më bezdisi as mua dhe as nëpunësen e laboratorit, se të dy ishim të ngeshëm pasi jo vetëm që nuk kishte njerëz të tjerë, por kishte edhe shumë nëpunëse dhe laborante të tjera që rrinin dhe nuk kishin ç’bënin. Të paktën unë dhe nëpunësja përkatëse mund të bënim llogje për kohën, për amerikën dhe qeverisjen efikase të Dru-do-së. Në terminal kishte edhe shumë oficerë policie të vendosur në pika kyçe, nga ku mund të pikasnin menjëherë nëse do bëja ndonjë lëvizje të pamenduar mirë për t’i shpëtuar vetizolimit.

Oficarja ja tha në vesh nëpunës emrin e institucionit ku do më shpinin, gjë që më frikësoi, se nuk kam dëgjuar shumë fjalë të mira rreth burgjeve në Kebek. Nëpunësja e laboratorit më shkeli syrin, gjë që e mora se atje ku do shkoja nuk do ishte aq keq sa e mendoja, por mua tronditja nuk më kaloi. Ndaj ndoshta e ndjeva shumë gudulisjen e tretë të flegrave të hundës, në dy javë. Prej atje oficerja shoqëruese më shpuri në një qoshe tjetër, ku prisnin disa nëpunës të një Ministrije që nuk e kuptova se cila ishte por pata frikë se mund të ishte e Brendshmja dhe e Kampeve korrektuese, ku dhashë nga fillimi të dhënat, që u rifutën për të katërtën herë në sistem. Pa asnjë fyerje, pa torturë, pa vështrime përbuzëse. Më thanë të prisja në një poltronë pranë deri sa të vinte mjeti transportues për në ndërtesën e caktuar për shkelësit e urdhëresës qeveritare për mbrojtjen nga Covid-19.

(vijon)

Friday 21 May 2021

Padia ndaj Blinken “pordhë“ për konsum të brendshëm


Berisha nxitoi të deklaronte se “kishte udhëzuar avokatin e tij në Francë“ për të hedhur në gjyq për shpifje Sekretarin e Shtetit amerikan Blinken. Duke qeshur mu kujtuan dënglat e mija “për udh[zimin e avokatin tim në Tiranë“, për të më mbrojtur nga padia e fisit Ushkurov nga Dobruxha e Bullgarisë po për shpifje. Por nëse dënglat e mia janë për të shkuar kohën dhe për të ngalasur veten gjatë dimrit të gjatë kanadez, “pordhët” e Berishës janë vetëm për “të vënë pak nder në vend” mes ndjekësve të tij më të verbër.

Askund nuk thuhet se në cilën gjykatë është ngritur padia dhe se ç’farë përmbajtje ka. Që të provosh se nuk je i korruptuar është shumë herë më e vështirë, se të thuash për dikë që është i korruptuar. Nëse do ketë vërtet një padi dhe gjyq të tillë, për avokatin e Blinken janë të mjaftueshme vetëm ato që janë botuar gjatë 25 vjetëve të fundit në shtypin shqiptar, pa qënë e nevojshme të nxjerrësh fakte dhe dokumenta të shërbimeve sekrete, të cilat do e shpijen menjëherë Sali Berishën, Shkëlzen Berishën dhe ndoshta dhe Argita Malltezin pas hekurave. Këtë Saliu e di fare mirë ndaj as ka për të patur ndonjëherë gjyq të vërtetë ndaj Blinken në SHBA, ku është edhe vendi ku u krye “shpifja”.

Thirrjet e Saliut për ndershmëri ju ngjajnë mbrojtjeve histerike që bëjnë kurvat kur i akuzojnë për prostitucion, por cilido me dy para mend në kokë që ka jetuar në Shqipëri e di se përse bëhet fjalë. Edhe pse mund të duket e nxituar, për mua klani Berisha mori fund politikisht. Nëse do dënohen me burgje apo jo nuk ka shumë rëndësi, megjithëse e mira është që pasuritë marramendëse duhet t’ju konfiskohen dhe të shkojnë për jetimët shqiptarë dhe shtresa të tjera të varfra. Pork jo është diçka që lidhet me sistemin e dobët ligjor shqiptar dhe ndoshta do duhet kohë që të ndodhë.

Interesante është edhe paraqitja psikologjike e Doktorit, i cili e ndjen veten sin jë personalitet i rëndësishëm jo vetëm i Shqipërisë, por edhe i globit. Dikush pranë tij duhet t’i thotë hapur;”Doktor ti je një kriminel ordiner që ke urdhëruar vrasje dhe ke bërë të mundur, që fëmijët tënd të vjedhin hapur!” Të njëjtin delir të madhështisë ka edhe Edi Rama, i cili për të qënë të drejtë duhet akuzuar vetëm “për vjedhje në përmasa të përbindshme të fondeve publike”. Më i thjeshtë dhe më popullor është “kaçaku skraparlli” Ilir Meta, i cili të paktën e di që rëndësia e tij globale është vetëm në nivelin e një funksionari të lartë të Hamas-it ndaj dhe ofroi vullnetarisht asgjesimin e tij me dron tek Mali me Gropa.

Nuk ka për të patur gjyq ndaj Blinken, sepse Berishës tani nuk i vlen më mbrojtja e figurës së tij, por ajo e fëmijëve nga burgu dhe padia nëse do bëhet vërtet vetëm do hapë “gjirizin e madh të korrupsionit të tyre”.

Cili do ishte hapi më i logjikshëm politik  i tij për t’i shpëtuar?

Le t’ja lemë doktorit të vrasë mendjen për të, por unë do i sugjeroja të bënte shumë meditim dhe yoga sëbashku me Lirinë dhe ndoshta një kthim në budizëm dhe tërheqje diku në Tibet apo Nepal do i shpëtonte të gjithë dhe sidomos shqiptarët nga një monstër politike e ngjashme vetëm me Enver Hoxhën.

Nuk di se ç’mendon për këtë avokati im në Tiranë, se ai i Berishës në Francë nuk ka asnjë interes material të sugjerojë budizmin.

“Le të kemi gjiq!” do hidhej një miku im duke imituar vjehrrën e tij gjirokastrite. Po “gjiq” nuk do ketë.

Per ata që janë të zhgënjyer nga SHBA pas goditjes ndaj Berishës


Sigurisht që jo të gjithë shqiptarët Brenda dhe jashtë vendit janë entusiazmuar (si unë) me vendimin e Departamentit të Shtetit për të konsideruar Berishën “non grata”. E kuptueshme për çdo shoqëri të zhvilluar ose jo. Jo të gjithë shqiptarët u entusiazmuan edhe kur u rrëzuan shtatoret e Enver Hoxhës. Edhe pse mund të duket absurde, ka pasur njerëz që për shumë arsye ndjejnë keqardhje kur rrëzohen apo përdhosen politikanët dhe udhëheqësit zullumqarë.

Rrëzimi i shtatoreve të Hoxhës shënonte “vrasjen e frikës”, ndarjen të paktën në dukje me periudhën Diktatoriale dhe rrjeshtimin edhe të shoqërive shqiptare me shoqëritë e tjera europiane. Që prej asaj dite shumë pak ngjarje të tjera mund të barazoheshin me atë ngjarje. Dyshimi ndaj qeveritarëve nisi të shtohej dita ditës, sepse njerëzit panë se thuajse nuk kishte mes tyre politikanë, që prireshin ta shpinin vendin në një rradhë me demokracitë e përparuara. Mund të thuhet se nuk kishte si të ndodhte ndryshe, se pasurimi i shpejtë ishte shumë tundues, se nuk kishte klasë të pasur, se nuk kishte traditë në hartim ligjesh, qeverisje dhe administrim demokratik, por ajo që është e rëndësishme është fakti se Shqipëria për 30 vjet u qeveris nga hajdutë arrogantë. E njëjta qeverisje po vazhdon dhe do vazhdojë edhe për disa vjet.

Reformën, të cilën nuk ishte në gjendje ta bënte shoqëria shqiptare (largimin e klasës politike të korruptuar) po e bëjnë për fatin tonë të mirë të huajt, ku kryeson SHBA. Të huajt janë të mirinformuar se ç’ndodh në Shqipëri jo vetëm ng ashërbimet e tyre informative, por dhe se të gjithë politikanët shqiptarë, e kanë “zbrazur thesin” me informacione për kundërshtarët në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Eshtë një dukuri 30 vjeçare. Korrupsioni dhe përzjerja e politikanëve kryesorë shqiptarë është e mirëdokumentuar për Amerikën dhe Europën e Bashkuar.

Mund të pyetet me të drejtë, përse amerikanët nuk e bënë vite më parë këtë lëvizje. Unë nuk e di përgjigjen e plotë, por një nga arsyet mund të ketë qënë mungesa e një njeriu të besueshëm brenda të djathtës shqiptare. Arsye tjetër mund të ketë qënë që amerikanët prisnin përmbysjen e Berishës nga partia e tij, e cila duhet të kishte ndodhur qysh më 1997-ën, por nuk u arrit për shkak të të ashtuquajturve “qëndrestarë“, të cilët nuk donin të shihnin se ç’monstër ishte Berisha për vendin. Që të ndodhte nga brenda ishte gjëja më e natyrshme dhe e duhur, por duke parë se kjo nuk kishte për të ndodhur ndonjëherë, amerikanët filluan të luanin kartën e fundit “non grata” (duke nisur me Llallën) dhe tashmë e ngritën në nivelin më të lartë me Berishën. Kuptohet që Meta e Kryemadhi janë tani karta të djegura dhe shpallja e tyre “non grata” do ndodhë jo shumë më pas se skadimi i mandatit të Presidentit. Përmbysja filloi!

Po pse ata që janë dëshpëruar për Berishën dhe besojnë në teoritë komplotiste të Kabalës, komunizmit të Biden dhe Sorros, në të tjera skenare greko-sërbe, duhet të qetësohen në rast se nuk gëzohen dot. Për shqiptarët çdo lajm për demaskimin e një politikani të rëndësishëm është lajm i mirë. Eshtë tërësisht i gabuar edhe qëndrimi i Fatos Lubonjës, se me goditjen që mori Berisha ndihmohet forcimi i regjimit të Ramës, që do gëzojë një pushtet të pakufizuar në çdo shtyllë të shtetit. Më shumë se ndëshkim ndaj Berishës, veprimi i Departamentit të Shtetit tregon se amerikanët e kanë humbur durimin me foshnjërinë e opinionit publik shqiptar dhe po i thonë: “Po përpiqemi të t’i ngremë ne poturet e mbushura, të cilat nuk je në gjendje t’i ngresh vetë!”

Ndaj ata, të cilit prisnin që korrupsioni  Ramës të “dërrmohej” duke votuar për të “pakorruptuarit” Berisha, Meta, Kryemadhi dhe Basha, duhet të lexojnë mirë mesazhin amerikan “demokracinë duhet ta ndërtoni jo duke llomotitur kafeneve”. Edhe ata që thonë që pse nuk u bë më 1997, pas Gërdecit apo pas 21 Janarit duhet të kuptojnë, që për moshkelje të parimeve demokratike dhe për t’i dhënë mundësi popullit ta ndëshkonte me votë, amerikanët nuk u shprehën hapur, apo më keq të shpallnin “non grata” një kryeministër të zgjedhur nga populli. Protesta gjoja paqësore kundër korrupsionit të Metës më 21 janar ishte e dhunshme dhe e krijuar si përpjekje për të rrëzuar qeverinë. Pak a shumë e ngjashme me 6 janarin e këtij viti në Amerikë. Dhe zyrtarisht amerikanët nuk kanë përkrahur kurrë një ndryshim të regjimit me dhunë, sidomos në vende ku interesat për të mbajtur një krah nuk janë thelbësore për shtetin amerikan. Situatat që mund të përmendin me të drejtë kundërshtarët e këtij argumenti për puçet në Kili dhe në Amerikën Latine, kanë të bëjnë edhe me kohë të tjera dhe me situata të tjera ndaj nuk mund të krahasohen me rastet tona.

Eshtë për të qeshur se si janë kthyer në Shqipëri në proamerikanë edhe komunistët fanatikë dhe sip o kthehen në antiamerikanë ata që gjithë jetën e tyre prisnin shpëtimin nga Amerika. Kjo vjen nga që “tifozllëku” jonë politik nuk është proamerikan dhe proeuropian apo antiameriakn dhe antieuropian. Eshtë një “tifozllëk” idiot proPS dhe proPD edhe pse shumica e njerëzve, që nuk kanë interesa të drejtpërdrejta kanë vuajtur nga qeverisjet e të dy palëve.

Edi Rama, Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk janë as të majtë dhe as të djathtë! Janë hajdutë!

Ndaj edhe nëse nuk ndëshkohen njëkohësisht, edhe nëse nuk ndëshkohet hajduti më i madh është mirë për të gjitë shqiptarët. Edhe pse do jetë edhe 4 vite të tjera në fuqi, Rama do jetë i trembur dhe do mendojë për daljen pa “u djegur” nga politika. Amerikanët e dinë mirë se kush është ortaku i atyre që kanë shpallur “non grata” si Tom Doshi, Vangjush Dako apo Saimir Tahiri.

Dhe nëse shqiptarët kanë kuptuar mesazhin tjetër të rëndësishëm që është “godit korrupsionin duke nisur nga vetja” duhet të nisin ta bëjnë menjëherë për hir të vetes dhe fëmijëve të tyre.

 

Thursday 20 May 2021

Më mirë vonë se kurrë!


Përsëri një e mirë e madhe, edhe pse e vonuar nga Uashingtoni për Shqipërinë. Berisha shpallet nga Amerika “person non-gratta”!

Duhet të kishte ndodhur në vitin 1997, pra një çerek shekulli më parë, por edhe tani është mirë për shqiptarët. Nuk është mrekullisht mirë, por një shenjë për gjithë politikanët e korruptuar, se nuk do tolerohen pafundësisht nga vendi më i fuqishëm dhe më demokratik i botës.

Nëse në majin e vitit 1997, Sali Berisha do ishte konsideruar nga SHBA si kriminel, shumë gjëra do shkonin më mirë për Shqipërinë dhe nuk do kishim as korrupsionin e tejskajshëm të Nanos dhe Metës, as ngjarjet e vitit 1998, as vrasjet e 21 janarit dhe as tre mandatet e të korruptuarit Rama. Do kishte korrupsion si në shumë vende të Europës Lindore, por jo në çdo qelizë të jetës shqiptare dhe jo të tillë arrogancë të politikës dhe lidhje me krimin e organizuar si është sot.

Por ajo që nuk ka ndodhur nuk ka asnjë rëndësi, ndaj le të shtojmë disa rrjeshta se cila është e mira që i vjen shqiptarëve nga kjo masë e Uashingtonit.

Pas familjes Berisha, shqiptari më i pakënaqur nga kjo masë është Edi Rama, ose si e quanin në fillimin e këtij shekulli në Tiranë- Berisha me xhinse. Kuptohet që të trembur janë edhe shumë politikanë të të gjithë krahëve me në krye çiftin Meta-Kryemadhi sepse sinjali është i qartë: Klasa politike shqiptare është thellësisht e përlyer dhe duhet të zëvendësohet me një klasë të re politike.

Mbështetësit e Saliut dhe shumë dritshkurtër të tjerë mund të ngrejnë lloj-lloj teorish, se Amerika drejtohet tani nga “komunistët”, se Sorrosi ja arriti qëllimit, se “klani sërb” po ndikon në Uashington dhe çdo idiotllëk tjetër, por ajo që vlen dhe më mirë e kuptojnë politikanët kriminelë shqiptarë, është se një ditë do ju vijë rradha nëse nuk ndryshojnë ose nuk largohen nga politika për të shijuar ato ç’ka vodhën, sikundër ka bërë Fatos Nanoja.

A duhet konsideruar si nisja e një “epoke të ndritur” në shoqërinë shqiptare?

Eshtë ende shumë shpejt dhe “molepsja” e politikës, administratës dhe institucioneve është aq e thellë, sa frika nga Uashingtoni nuk mund ta pastrojë për 5-6 vjet, por është një sinjal i mirë se “këneta” nuk mund të pranohet pambarimisht nga SHBA dhe Bashkimi Europian.

Rastësisht pardje, pa ditur se ç’ndodhte rreth Shqipërisë, në një restorant të Nju Jorkut, pronari italian po na tregonte në një dosje me foto, një fotografi të vjetër të tij mbi një Vespa. Ndërsa shfletote dosje me foto të futura brenda mbështjelljeve plastike dallova profilin e Berishës mes disa njerëzve pas një darke dhe e pyeta italianin nëse kishte qënë Saliu në restorantin e tij. Kam patur një sallë banketesh më tha pa më dhënë mundësinë të shihja mirë foton e Berishës, besoj se me komunitetin shqiptaro-amerikan të Nju Jorkut.

Saliu, Shkëlzeni dhe Argita nuk do kenë më raste për foto të kësaj natyre. Dikush mund të thotë:”Nuk ju bëhet vonë se u bënë miliarderë!” Edhe mund të ketë të drejtë, por shenja të tilla tregojnë se e tatëpjeta ka nisur dhe zakonisht fundi nuk është shumë i lakmueshëm. Por le të kemi durim e të shohim se çdo sjellë e ardhmja për Metën, Erion Veliajn dhe më vonë edhe për Ramën.

Askush nuk është mbi ligjin për Shtetet e Bashkuara!

Wednesday 19 May 2021

Turizmi gjallërues apo vrasës i qytetit? (2)


(vijim)

Për të mos u bërë nihilist (ose më mirë thellësisht nihilist) duhet pranuar se qyteti ka pasur mirë deri tani nga turizmi. Eshtë më “i retushuar” nga ana arkitekturore dhe në pamje të parë “vibrant” gjatë fundjavëve. Në këtë fazë të tejzgjatur tranzicioni, të ardhurat nga turizmi ishin një lloj druri(për të mos thënë fije kashte) ku mund të kapej një pjesë e popullsisë për të mos “u mbytyr” ekonomikisht. Por korçarët vazhdojnë të largohen. Dhe jo vetëm nëpër botë, por edhe në Tiranë, Durrës apo edhe Fier dhe Vlorë. Zbrazja e fshatrave të qarkut të Korçës, një dukuri e pandalshme dhe e domosdoshme për strukturën jonormale të popullsisë së Shqipërisë të kohës së Diktaturës, nuk shkon drejt rritjes së qytetit.

Lulëzimi i Korçës në fundin e shekullit të XIX dhe gjysmës së parë të shekullit të XX-të nuk erdhi nga qielli apo nga ndonjë cilësi e veçantë e korçarëve. Qënia në kryqëzimin e disa rrugëve mes krahinave të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë dhe një Pazar i mirë solli tërheqjen e shumë fshatarëve nga krahinat e Kolonjës, Përmetit, Devollit madje edhe Skraparit, të cilët vendoseshin në Korçë sepse shihnin një “boom” ekonomik. Popullsia u rrit shpejt dhe bashkë me të edhe institucionet si dhe “qytetaria” e Korçës, që e bëri të ishte qyteti më i madh dhe më modern i Shqipërisë. Në të ndikuan edhe faktorë të tjerë si kurbeti, por nëse nuk kishte perspektivë ekonomike dhe të ofronte një jetë më të mirë, nuk do ndodhte rritja dhe modernizimi i Korçës. Dukuria ndali me Diktaturën dhe centralizimin e tejskajshëm në Tiranë dhe për fat të keq vazhdon edhe sot.

Në një strukturë ekonomiko-shoqërore të tillë, Korça nuk ka mundësi të rritet e të zhvillohet. Gjithshka ndodh në Tiranë, vendoset në Tiranë, kalon n[p[rmjet Tiranës. Ndaj edhe parrulla “Korça qyteti ku dua të jetoj” është një parrullë propagandistike dhe boshe. Së fundmi është zëvendësuar në mënyrë llogjike me “Korça, qyteti ku dua të kaloj fundjavën”. Nëse nuk ka investime serioze në industri dhe në institucione të rëndësishme, pjesa më e madhe e të rinjve dhe sidomos më të shkolluarit do vazhdojnë të largohen nga qyteti dhe nga i gjithë qarku i Korçës.

Universiteti “Fan Noli” është i vetmi institucion në qytet, që mund të ofrojë punë për “elitën intelektuale”. Nuk ka asnjë institucion tjetër. Në shumë vende të zhvilluara të botës, për të mos lënë qytete të nivelit të dytë të bien, krijojnë institucione të rëndësishme publike dhe deri në ministri të rëndësishme të qeverisë vendosen në to. Kam jetuar vetë në një qytet “të fjetur” të Ontarios, por që kishte Ministrinë e Transportit të Kanadasë dhe disa institucione të tjera të lidhura me të brenda tij. Pa qëndra të rëndësishme të prodhimit, të biznesit apo të kulturës dhe shkencës, të gjitha qytetet në botën e sotme nuk do mbijetonin dot, por do shkonin drejt mplakjes dhe shuarjes.

Ndaj është në dorën e vetë korçarëve me ndikim, me para dhe me lidhje me politikën, që të mendojnë seriozisht dhe të bëjnë diçka për të ardhmen e Korçës. Në ndryshim nga qytetet e tjera Korça ofron seriozitetin në punë, respektin më të mirë ndaj ligjeve, kriminalitetin e organizuar më të vogël, por vetëm këto nuk mjaftojnë. Cilido investitor serioz i huaj apo vendas kërkon shumë më shumë për të hapur një numur të madh vendesh pune. Dhe ç’ka është më thelbësorja kërkon që pushteti vendor të ketë më shumë autonomi. Edhe Zamir Maneja, Grigor Joti apo edhe korçarë të tjerë shumë të pasur nuk i zhvendosin bankat apo qendrat e bizneseve të tyre në Korçë, pikërisht për faktin se “çdo gjë ndodh në kryeqytet”. Ndaj duhet të ketë një lëvizje të rëndësishme të opinionit public të qytetit dhe të zonës për të kërkuar më shumë decentralizim të pushtetit si dhe hapjen e institucioneve të rëndësishme arsimore, kulturore dhe shkencore në qytet. Qoftë edhe transferimin e plotë të disa ekzistueseve nga Tirana në Korçë.

Nëse kënaqemi me thërrimet e të ardhurave që vijnë nga bujtinat dhe turizmi, do jemi të sigurt se në vitin 2040, Korça do ketë gjysmën e popullsisë së sotme. Dhe kjo tkurrje nuk është gjë tjetër vetëm se plakje dhe degradim.

A duhet trokitur fort në dyert e Peleshit, Xhaçkës, Manes, Jotit, Gimes të RedBull-it dhe të të tjerëve të rëndësishëm si ta?      

Po dhe sidomos të atij që vendos se ç’bëhet në çdo qoshe të Shqipërisë dhe që e pëlqejmë apo jo, edhe për katër vite do jetë Sundimtari i këtij vendi.

  

Tuesday 18 May 2021

Turizmi gjallërues apo vrasës i qytetit?


Gjatë dhjetvjeçarit të fundit Korça është kthyer në një qytet turistik kryesor i Shqipërisë dhe renditet nga numuri i vizitorëve pas Durrësit duke lënë pas qytete me traditë si Vlora, Saranda apo Pogradeci. Mund të flitet shumë për strategjitë e ndjekura nga Peleshi dhe grupi i tij me investimet për restaurime, me kalendarin e pasur me ngjarje që tërheqin ata që duna të kalojnë ditë plot veprimtari etj. Bindja ime është se ndikimi i grupit Peleshi nuk është ai që propagandohet, por janë të tjera cilësi të Korçës si pastërtia, qetësia, mbajtja e rregullit dhe afëria me Dardhën e Voskopojën, që ndjellin sidomos turistët vendas, e megjithatë ka pak rëndësi opinion im, por ajo çka është e dukshme është fakti i njohur i rritjes së madhe të turizmit, që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në historinë e qytetit në këtë shkallë.

Po a duhet të gëzohemi apo të na bëjë të mendojmë kjo rritje kaq e madhe e turizmit?

Në kushtet e një ekonomie shumë të çoroditur shqiptare, turizmi është një mënyrë për të shtuar të ardhurat e një qyteti apo një zone. Natyra e turizmit të Korçës është pak a shumë ajo e fundjavës të atyre që jetojnë në Tiranë dhe në qytete të tjera të mëdha, për tu larguar nga rrëmuja e metropolit dhe për tu zbavitur me “të ngrëna të mira dhe argëtim të thjeshtë në Korçë“. Ky është “trendi” kryesor dhe që mbush në fundjavë plot e përplot të gjitha bujtinat dhe dhomat që ofrohen për bujtësit vendas dhe të huaj. Vizitorët shpenzojnë për fjetje dhe ngrënie dhe të gjitha këto investohen në rikonstruksionin e shtëpive dhe bujtinave, në gjelltore dhe bare, në mobilje dhe paisje në funksion të turizmit.

Deri këtu të krijohet përshtypja që jo vetëm ata që janë pjesë e këtij sektori, por edhe të tjerë si shoferët e taksive, këngëtarët e serenatave, pikat e karburantit, lavazhet e makinave e të tjerë nxjerrin më shumë të ardhura për familjet e tyre. Po a mjaftojnë për rritjen dhe zhvillimin e qytetit?

Nëse shohim në vendet fqinje (dhe jo vetëm tek ato) fshatrat dhe qytetet turistike janë zona që shkojnë gradualisht rreth plakjes së popullsisë dhe uljes së numurit të banorëve. Shembulli më tipik është Venecia, perla e turizmit Italian dhe një nga qytetet më të vizituar në botë.

E gjithë krahina e Venecias ka të njëjtën popullsi që kishte 400 vjet më parë, ndërsa vetë qyteti ka rënie të dukshme sidomos në 40 vjetët e fundit. Më 1980 kishte 120 mijë banorë, ndërsa tani ka vetëm 50 mijë, pra një popullsi pak a shumë sa ajo e Korçës. Pa hyrë thellë në arsyet se pse venecianët (sidomos të rinjtë) largohen nga Venecia, fakti më i rëndësishëm, që na vlen edhe për të ardhmen e qytetit tonë është se vetëm me turizëm qytetet nuk mund të mbahen por degradojnë. Dhe këtu bëhet fjalë për një qytet, që dikur ishte një shtet i fuqishëm me shumë koloni dhe ende ka institucione të rëndësishme kulturore dhe financiare, përpos që është edhe në trashëgimninë botërore që mbrohet nga Unesko. Pra në një vend me pasuri të mëdha, ku vazhdojnë të hyjnë fonde publike, të rinjtë nuk gjejnë të ardhmen por largohen drejt Milanos, Romës apo qyteteve të tjera europiane.

Sikundër e përmenda më sipër, kjo është një dukuri mbarëeuropiane dhe ndoshta edhe botërore. Të rinjtë largohen nga ishujt e Greqisë, nga qytezat turistike të Spanjës dhe Francës, nga vendet me turizëm të zhvilluar të Shteteve të Bashkuara etj. Ndoshta ajo ç’ka ndodhi me Covid dhe me kthimin e një pjese të punëve të zyrave nga shtëpia mund të kthejë një pjesë profesionistësh në këto vende të qeta dhe “të plakura”, por kjo nuk ka për të ndodhur të paktën për dy-tre dhjetvjeçarë me Korçën.

(vijon)

 

 

Monday 17 May 2021

Përurohet para zgjedhjeve…zhurrmë dhe harrim (2)

 


(vijim)

Për indiferentizmin e publikut, sidomos atij jashtë Korçës, është e kotë të bësh me faj njeri, se për Muzetë apo për pikat historike të një qyteti kudo në botë, diskutimi nis dhe vazhdohet nga profesionistët. Edhe në vende të zhvilluara si Anglia, Franca dhe më tej tek Italia dhe Greqia, Monumentet dhe Muzeumet rrezikohen çdo ditë nga mungesa e fondeve. Ndaj institucionet e këtij karakteri pasi krijohen, konsolidohen mirë dhe arrijnë të mbrohen në vazhdimësi. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë me Mësonjtoren e Parë Shqipe.

Edhe në periudhën e Diktaturës, kur për shkak të centralizimit dhe të fondeve jo të pakta në sektorin e propagandaës, Mësonjtorja e Parë ishte një “shtëpi-muze” me pak eksponate dhe me një ciceron, që punonte edhe si mësues dhe një pjesë të normës javore e plotësonte me përkujdesjen ndaj Muzeut. Edhe për 100 vjetorin(ose pak më parë), kur ju dha statusi i “Muzeut Kombëtar të Arsimit” ndryshimi në përbërjen e institucionit ishte minimal. Edhe përmbajtja e Muzeut nuk pati ndonjë hop cilësor. Ndaj asnjëherë nuk ishte një Muze tërheqës dhe interesant për qytetarët e Korçës, për shqiptarët apo më tepër akoma për të huajt. Më tepër ishte një symbol i një arritjeje të Kombit shqiptar.

Që prej vitit 1991 e deri më 2021, Mësonjtorja degradoi në mënyrë të shkallëzuar edhe si përmbajtje edhe sin dërtesë. Ka patur vetëm një Vendim të qeverisë Meksi , që e rithekson statusin e saj si “muze kombëtar”, por asgjë më tepër. Qeveritë e të dy krahëve politikë e injoruan Muzeun dhe ndoshta duke gjetur “sebep” varësinë e saj nga Tirana, si muze kombëtar, po njëlloj vepronin edhe kryetarët e bashkive të të dy krahëve politikë. Plani për restaurim i vitit 2019 ishte i pari sinjal pozitiv për mosdegradimin e plotë të ndërtesës.

Por a është mjaft dhe e saktë ajo çka u bë me Mësonjtoren gjatë vitit 2020 dhe muajve të parë të këtij viti?

Duke përjashtuar ndërhyrjet e domosdoshme konstruktive për mbajtjen në këmbë të ndërtesës, çdo gjë tjetër jo vetëm nuk ishte e mjaftë, por në disa raste edhe e dëmshme. Kështu ndodhi me rifiniturat e brendëshme, ku dyshemeve dhe dyerve dhe dritareve nga brenda ju dhanë ngjyra të ndryshme nga ato origjinalet, u shtua një shkallare betoni në oborr, e justifikuar me ndenien e spektatorëve gjatë shfaqjeve?! Dhe u ndryshua grupi skulpturor i ABC-së, i ngritur më 1987, por që ishte bërë një symbol i Mësonjtores së Parë. Në tableën hyrëse ishte shënuar Muzeu i Arsimit Korçë, një përcaktim “as mish as peshk” I Muzeut, që të le të mendosh se të tillë do ketë edhe në Elbasan, Corovodë dhe Shijak.

Një restaurim-rinovim i shpejtuar, amatoresk, për sy e faqe dhe për të vjedhur ca fonde publike!

Për të qënë I drejtë, më mirë se sa ishte më parë, por askush nuk k apse t’i konsiderojë si fonde të falura nga Rama, por para të taksapaguesve kor]arë.

Le të mos mbetemi në konstatimet dhe kritikat, por le të themi se ]’mund të bënim po të kishim di]ka në dorë dhe nëse në ndonjë vesh të ndonjë koke të arsyeshme me pushtet në të ardhmen do bjerë ky shkrim, mbase mund të vlejë si këshillë.

Mësonjtoren e Parë Shqipe nga harrimi mund ta shpëtojë vetëm kthimi në një institucion muzeo-studimor i arsimit dhe i gjuhës shqipe. Idea se Muzeumet po i kthejmë në qendara të edukimit të fëmijëve, si u shprehën autoritetet në përurimin e këtij marsi janë gënjeshtra, që edhe ata vetë nuk i besojnë. Eshtë e mundshme, që edhe në atë ndërtesë të vogël, me emërimin e dy –tre historianëve dhe gjuhëtarëve të përgatitur, me pasion për këtë fushë dhe në bashkëpunim me universitetin “Fan Noli” të punojnë sin jë bërthamë shkencore për historinë e gjuhës shqipe dhe të arsimit shqip. Me angazhim të studentëve, që studiojnë për mësuesi në Kor]ë atje mund të bëhen tema të panumurta për një fushë të historisë shqiptare, e cila nuk është e shterrur dhe që ndryshon vazhdimisht. Por për kët duhet një interesim këmbëngulës i Universitetit të Kor]ës dhe Bashkisë të qytetit, për një fond modest rrogash dhe grante për tema diplomas hose studime të tjera të këtij lloji.Vetëm në kët mënyrë Mësonjtorja nuk do mbetet një shtëpi-muze “e vdekur”, por do shërbejë si institucion me vlerë i kulturës shqiptare.

Muzeumet nuk janë vende shumë interesante për njerëzit, qofshin ata turistë. Me përjshtim të muzeve arkeologjikë, ose atyre me piktura autorësh të njohur, kudo në botë Muzeumet e natyrës të Mësonjtores të Parë tërheqin pak vizitorë. Edhe sikur të futësh në to mjetet më të sofistikuara të teknologjisë (si pretendojnë reklamuesit e Rilindjes për Mësonjtoren), pas një vizite të vetme, janë të pakët ata që duan të shohin Muzeun për të dytën herë. Duhet të pranoj se pasi punova për 5-6 muaj për Muzeun në 100 vjetorin e hapjes së shkollës së parë shqipe, e kam vizituar atë Muze vetëm një herë të vetme për 20 minuta. Ndryshon puna, kur ato kthehen në institucione shkencore, pasi minimum mund të tërheqin specialistë të fushave për t’i vizituar herë pas here dhe njëkohësisht edhe studentët mund të gjejnë risi të reja, që ju vlejnë për arsimimin e tyre.

A do ketë Mësonjtorja jetë të gjatë?

Mendoj se do “zvarritet” në këtë gjendje edhe disa dhjetvjeçarë. Më pas?

Lum kush të rronjë!

Saturday 15 May 2021

Përurohet para zgjedhjeve…zhurrmë dhe harrim


Mësonjtorja e Parë Shqipe u riparua, u ristrukturua si muze dhe u përurua në mars, një javë pas 7 marsit ose 134 vjetorit të hapjes.

U planifikua të hapej në fushatën zgjedhore për Parlamentin shqiptar për të fituar disa vota më shumë në Korçë, gjë që nuk është e anormale edhe në vendet me demokraci të zhvilluara. Partitë që janë në fuqi mundohen që shumë përurime të përkojnë me fushatat për zgjedhje qëndrore apo lokale. Por për shkak të nxitimit, mungesës së profesionalizmit dhe vjedhjes së hapur të fondeve, çështja Mësonjtore për pak u kthye në një bumerang, që mund të sillte rrjedhje votash të socialistëve. Korçarët(dhe shumë të tjerë) me të drejtë u indinjuan për kthimin e saj në një muze pa identitet, për restaurimin jo sipas kritereve të duhura, për lëvizjen e grupit skulpturor të ABC-së dhe më shumë për ndryshimin e emrit dhe statusit të Muzeut.

Reagimi i qytetarëve u kap shpejt nga një emision i Top Channel, që nxorri zbuluar ata që ishin marrë me Mësonjtoren nga Drejtorja e Institutit të Monumenteve (ose diçka e lidhur me Traditat Kulturore, që nuk ka shumë rëndësi) e deri tek dikush që nuk dihet se ç’është e që është marrë me historinë e Korçës, Niko Kotherja. Përballë disa specialistëve dhe gazetarëve Kotherja dhe Dollani u dukën si dy “hajdutë idiotë të kapur me presh në dorë“, që nuk dinin as se si të gënjenin. Emisioni duket që kishte shkuar deri tek veshët e Ramës (bashkë me reagimet e qytetarëve), sepse pas përurimit në qytet u panë disa lëvizje si mbulimi sërish i kangjellave për të dëshmuar se përurimi kishte qënë i parakohshëm dhe diçka tjetër po bëhej. Natën u sollën bangat e vjetra dhe u rivendosën në katin përdhe, u rikrijua bazamenti i ABC-së dhe duket se grupi skulpturor nuk u la më në baltën e lulishtes.

Më e çuditshmja ishte se asnjë nga partitë opozitare as në nivel qëndror dhe as në atë lokal nuk u morrën me “çështjen Mësonjtorja”. U dukej e parëndësishme? Dilte jashtë mesazhit që donin të përcillnin tek qytetarët? E kuptoj që PD-ja “nuk kishte gojë“, se gjatë qeverisjes së saj e kishte lënë Muzeun në gjendje të mjerë, por të njëjtën gjë pat bërë edhe në shumë raste të tjera dhe nuk e kishte për gjë t’i përmendte gjatë fushatës.

Cuditërisht edhe gazetarët e emisionit “Shqipëria Live”, që kishin premtuar se do e vazhdonin diskutimin në emisone të tjera nuk e prekën më atë temë. U mundova t’i kontaktoja për t’ju thënë se kishte shumë njerëz që kishin dëshim se si kishte qënë historia e Muzeut dhe mund të hidhnin dritë mbi të, por vetëm heshtje. Dyshova se Ben Blushi mund të kishte gisht në të , si një lloj favori ndaj Ramës e megjithatë kjo është thjesht hamendja ime.

Deri në ditët e zgjedhjeve “çështja Mësonjtorja” edhe pse nuk u pasqyrua në mediat tradicionale zuri vend në ato sociale në sajë të Mariela Faber, Artur Shkurtit, Lolitas, Diaspora për Shqipërinë dhe ndoshta shumë individëve të tjerë. Madje organizata “Diaspora për Shqipërinë“ në bashkëpunim me një klub shqiptar në Austri organizoi një “Tryezë të Rrumbullakët” online me njerëz të fushave të ndryshme për çështjen në fjalë, të cilën e postoi në profilin e saj në Facebook.

Kundërshtimet ishin të ndryshme dhe me pikënisje të ndryshme. Kishte njerëz që kishin shumë nostalgji për Mësonjtoren si shkollë, kishte të tjerë që nuk mund të pranonin ndryshimin e emrit, kishte shumë që nuk pëlqenin ndryshimin e ABC-së, si dhe një pjesë e madhe që të pakënaqur me pushtetin e Ramës shfrynin edhe për “çështjen e Mësonjtores”.

Një pjesë syresh, edhe gjatë “tryezës së rrumbullakët” donin të lidhnin Mësonjtoren me shëmbjen e godinës së Teatrit Popullor, me dëmtimet në Butrint apo me Velierën e Durrësit, për të dalë në konkluzionin se “Rilindja e Ramës” mes të tjerave është një shkatërrimtare e vlerave kulturore të Kombit tonë! Anatemimet shkonin deri tek deklaratat se “Rama e ka lënë Shqipërinë pa teatër, pa Galeri Artesh, pa Opera dhe tani edhe me një Muze të Arsimit të të shfytyruar”. Kishte të tjerë, që ndryshimin e statusit të Mësonjtores nga Muze Kombëtar në lokal, bëhej me qëllimin e mbrapshtë “që shumë shpejt në Muze të rifutej figura e Enver Hoxhës si profesor i Liceut”, ndërsa një avokate e njohur shkonte edhe më larg “ndryshimi i statusit bëhet me qëllimin që në të ardhmen të mbyllet dhe atje të ndërtohet një hotel shumëkatësh”! Pati edhe një ish-nxënës i shkollës që dëshmonte se sa të ngulitur e kishte në kujtesë Mësonjtoren, se kishte qënë edhe në kopështin me drekë nr 10 nga ku e shinte shpesh “godinën e shenjtë“.

Kjo ishte një pjesë e “zhurrmës” së fundit të marsit dhe fillimit të prillit, të cilës i mungoi thuajse totalisht angazhimi i historianëve, akademikëve, gjuhëtarëve dhe arkitektëve shqiptarë. Vazhdonte të shkruante dhe të ankohej në institucionet shqiptare dhe në ambasadat e huaja vetëm drejtori i një shkolle private në Tiranë, Artur Shkurti, por ishte një zë në shkretëtirë. Pas përfundimit të zgjedhjeve Mësonjtorja duket se u harrua nga të gjithë. Ose shoqëria shqiptare lodhet shpejt, ose zhurrma ka qënë thuajse tërësisht e motivuar nga pragzgjedhjet dhe dëshira për të rrëzuar PS-në nga pushteti. Ndoshta është edhe një gërshetim i të dyja dukurive.

 (vijon)

Thursday 13 May 2021

Superlativat ndaj Enver H.


Një lexues/e i/e rastësishme e blog-ut i/e vetquajtur “Rastësia” duket duke kërkuar në google emrin Enver Halili, ka hasur në një shkrim timin të datës 14 shkurt, ku përmendet mes të tjerësh edhe emri i Enver H., për disa ngjarje të lidhura me krijuesit letrarë të Korçës , kur ishte Sekretar i Parë. “Rastësia” ka komentuar se në ndryshim me gjithë njerëzit, që flasin ende me superlativa për Enver H., unë jam i vetmi që “vjell vrer”.

Enver Halili, që rastësisht ndan të njëjtin emër, mbiemër dhe emër ati me Diktatorin, nuk përdori mbiemrin e tij Hoxha, por si të tillë përdori emrin emrin e t’et Halili për të mos pasur ngatërresa jo fitimprurëse me Enverin e Gjirokastrës. Vetë ishte “le e rrit” në Shkodër, ku është si zor të flasin me superlativa se nuk kishte ndonjë reputacion për tu pasur lakmi edhe në kulmin e karrierës së tij.

Por a është e vërtetë ajo që “aludon” “Rastësia” se unë dua të vihem në qendër të vëmendjes duke përmendur personalitete, të cilët kanë vdekur, në shkrimet e mija?

Mbase në subkoshiencë unë e kam një ndjenjë të tillë, se po ta kisha të ndërgjegjshme, sigurisht që do kisha zgjedhur personalitete për të shkruar rreth tyre, dhe jo Enver H., ose shumë të tjerë me të njëjtat vlera si ai. Unë kam dëshirë të shkruaj për gjëra të cilat i njoh mirë dhe jam i sigurt, dhe që mund të kenë interes nostalgjik për moshatarët e mij dhe ndoshta interes kureshtjeje për më të rinjtë se unë.

Po le të tregohemi të drejtë me Enver H. jo sepse është larguar para pesë vjetësh nga kjo jetë (sikundër shkruan “Rastësia”) por se të drejtë duhet të jemi me të gjithë, sepse të gjithë edhe tek ata më të zinjtë ka edhe pjesë të çelura e të mira.

A mundet që shumica e korçarëve, të cilët e kanë njohur në kohën e tij si Sekretar i Parë i Rrethit dhe disa vite më parë si sekretar për ideologjinë, të flasin me superlativa për të?

Enver H. ka arritur në Korçë aty rreth vitit 1975 ose 1976, kur ishte kulmi i terrorit komunist i pas viti 1973, kur nisi spastrimi me rradhë i grupeve anti-parti që shpuri në pushkatim dhjetra komunistë dhe anti-komunistë dhe futi në burgje me mijra komunistë dhe anti-komunistë. Komunisti “me fytyrë prej zuske”(si e kishte karakterizuar me të drejtë dikush në ato vite) kishte një sjellje më njerëzore me njerëzit, po qe se krahasohej me të tjerë pushtetarë arrogantë të asaj periudhe apo të periudhave të mëparshme. I përkiste klanit tarafit të Ramiz Alisë, me ndikim në sektorin e ideologjisë të Komitetit Qëndror, shumë përfaqësues të të cilit I ngjanin “shefit” të tyre, më liberal, më human, por që nuk e kishin për gjë të të fusnin thikën pas shpine. Enver H. I kishte të gjitha këto cilësi dhe disa të tjera më “perverte”, të cilat I kishte shfaqur “rëndshëm” në Shkodër me mikun e tij të ngushtë Feçor Shehun, kur ky i fundit ishte kryetar i Degës së Punëve të Brendshme.

Ndaj njeriu me buzëqeshje fallco “disi liberal” mund të kishte emër të mirë në rrethet partiake dhe në ato të “kurvave”, pjestarë të të cilëve mund të flasin edhe sot me superlativa, por jo tek korçarët e thjeshtë dhe të ndershëm. Historitë e tij “rropullipërzjerëse” qarkullonin dëndur në qytet dhe nuk ka se si opinioni i përgjithshëm ndaj tij të jetë pozitiv. Por “të mira” të gjithë njerëzit me pushtet kanë bërë se e tillë ishte natyra e regjimit ndaj me “superlativa” ka sot që shkruajnë për Diktatorin, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Ramiz Alinë, Nexhmije Hoxhën dhe Sulo Gradecin. Po kush i bëri krimet në Shqipëri? Cilët ishin ata që votuan për të pushkatuar shokët e tyre? Enver H. ishte ndër diskutantëtë më të zjarrtë në Pleniumin e KQ, në diskretitimin e Kadri Hazbiut para se ta shpinin para skuadrës së pushkatimit.

Në Korçë mund të përmend vetëm dy episode të thjeshta për të treguar se kush ishte në të vërtetë Enver H. Në qershorin e vitit 1982, gjatë kampionatit botëror të futbollit në Spanjë, në mënyrë të habitshme u arrestuan duke luajtur poker në një shtëpi ndërsa shihnin futboll, disa profesionistë shumë të njohur në qytet si mjekë, mësues dhe ekonomistë. Operacioni ishte kryer me këmbënguljen e Enver H., atë kohë Sekretar i Parë, thjesht për një xhelozi ndaj një të dashure të përbashkët me njërin nga pjesëmarrësit në “party”. Mes pokeristëve kishte edhe antarë partie. Në mënyrë të turpshme, në një kohë kur regjimi ishte zbutur, Sekretari i Parë, rahmet pastë Enver H., njollosi dhjetra familje të nderuara korçare. Nuk besoj se ata flasin me superlativa për të.

Enver H. i nxiu jetën të ndjerit Jani Mio, asokohe kryetar i komitetit ekzekutiv, një nga ekonomistët më të mirë të vendit, i cili edhe pse komunist ishte e kundërta e komunistit “me fytyrë zuske”. Korçari Mio nga një familje e pasur dhe e nderuar përfundoi deri në ekonomist i thjeshtë nga hakmarrja e atij për të cilin “Rastësia” shkruan se flitet edhe sot me superlativa. Nëse do kishte pasur edhe më shumë fuqi, Enver H. nuk do kishte kursyer as burgun për Janin.

Mund të ketë edhe qindra episode më “kriminale”, por unë as kam pasur dëshirë dhe as kam të gërmoj për “bëmat” e tij. Mendoj se ishte një produkt i kohës, ose më mirë një karakter që mund të arrinte në pushtet në çdo kohë se nuk njihte skrupuj.

Rastësisht ai lindi në atë periudhë dhe po rastësisht punoi në Korçë, ndaj dhe unë e kam njohur krejt rastësisht. Për fatin tim të mirë nuk jam ndeshur me të, sikundër jam përplasur me “kopje” të tij jo Sekretarë të Parë. E di fare mirë se ç’përvojë mund të kisha po qe se do ndeshesha me buzëqeshjen e tij të shtirur prej kodoshi.

Nëse rastësisht e lexon edhe këtë shënim “Rastësia” mbase kupton diçka më shumë se kush ishte njeiu të cilin e mbron me pathos.

 Shenim: Ne foto me Korin Lira dhe artiste korcare funksionaret partiake Enver H., Dhimiter P., Meri S., Barjam Sh., Rrapi Q.

Wednesday 12 May 2021

Interpretimi im i një testi gjenetik


Vajza ime mori dhuratë për Krishtlindje një “test gjenetik”, gjë që ndodh jo rrallë tani në Amerikën e Veriut. Të rinjtë më shumë se kureshtje për rrënjët e tyre, duan të dinë (me të drejtë) për problemet që mund të kenë në të ardhmen me sëmundjet e trashëguara. Brezi jonë ka ende një lloj stepje për të bërë teste të tilla, gjë që vjen nga mosbesimi, por edhe frika se mund të përballesh me gjëra të së kaluarës së largët që nuk do t’i dish. Gjithsesi, në këtë shënim do merrem me interpretimin e identitetit gjenetik të familjeve tona dhe të shqiptarëve në përgjithësi.

Testi i prejardhjes ishte një befasim për mua. Gjithnjë kam menduar se ne shqiptarët duhet të kemi një konglomerat genesh, në varësi të dhjetra ushtrish pushtuese, që kanë kaluar në trevat tona. Dhe këto dhjetra ushtri kanë pasur qindra lloj etnish në përbërje duke nisur me fenikasit, arabët, vikingët, thrakët, darët, galët, grekët e vjetër, romakët, egjiptianët, maqedonasit e Filipit, çekrezët, kirgizët, hunët, otomanët, maorët, etiopianët, sllavët e deri tek grekët e rinj, italianët dhe gjermanët.

Cuditërisht testi tregonte se genet ishin 100% ballkanase me mundësi më të madhe greke dhe shqiptare. Mundësitë e rrënjëve ballkanike në popujt e tjerë ishin të papërfillshme. Deri tek katragjyshët e vajzës sime dimë se janë shqiptarë nga krahina e Korçës dhe e Shkodrës. Por shtrirja gjeografike me përqindje më të madhe mundësije jepte Peloponezin për Greqinë dhe Korçën për Shqipërinë. Gjithashtu emrat e të afërmve, që kanë bërë një test të tillë ishin të gjithë emra të njohur, të cilët pavarësisht nga largësia i dimë që i kemi kushërinj. Kishte banorë të Amerikës dhe Europës, por të gjithë me të paktën një prind shqiptar.

Duket që pyetja se cilët jemi ne është më pak e vështirë për t’ju përgjigjur tani. Jemi autoktonë në Ballkan dhe përkatësia greke, për mendimin tim, ka të bëjë me ngjashmërinë e madhe gjenetike midis grekëve të rinj dhe shqiptarëve. Kam pasur prej kohësh bindjen se grekët e sotëm nuk kanë asnjë lidhje gjenetike me grekët e antikitetit, të cilët sipas përshkrimeve të historianëve, filozofëve dhe shkrimtarëve të asaj kohe kanë qënë biondë dhe me sy me ngjyrë të çelët.

Ku kanë shkuar genet e tyre?

Unë nuk kam “takat mendor” t’i jap përgjigje kësaj pyetje shkencërisht të vështirë.

Ajo, e cila jam në gjendje të shtjelloj është se për shkak të jetesës në zona të izoluara, me mungesë rrugësh, larg porteve, ka bërë që shqiptarët të jenë gjenetikisht më të pastër se sa mund të mendohet. Më janë dukur “të marra” konkluzionet e pabazuara të shprehura nga njerëz, se në zona të caktuara të Shqipërisë mund të dallosh qartë karakteristika të aziatikëve, të turqve apo të sllavëve. Në raste kur kemi diskutuar të tilla ide “marroke”, përgjigja ime ka qënë ekzistenca eskluzive e shqipes dhe vetëm gjuhët e tre minoriteteve grekë, sllavë dhe arumunë në territoret e Shqipërisë së sotme.

Sigurisht që qindra shqiptarë në Amerikën e Veriut dhe në Europë duhet të kenë bërë teste të tilla. Edhe ata që i kanë rrënjët në trevat e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Kam bindjen se edhe tek ata prania e geneve sllave duhet të jetë e papërfillshme.

E megjithatë unë jam në gjendje të interpretoj një test të vetëm.

Të tjerë mund të interpretojnë më mirë duke patur mijëra të tillë, që më pas do i depozitojnë në eAlbania për të parë nëse patronazhistët janë shqiptarë puro apo edhe me ca gene tradhëtare të huajsh.

(Të më falë ndonjë patronazhist që lexon rastësisht këtë shkrim timin. Eshtë thjesht një interpretim subjektiv.)