Wednesday 29 June 2022

“Abortimi” i ligjit mbi abortin


Ka shumë zhurrmë në mediat tradicionale dhe ato sociale rreth vendimit të Gjykatës së Lartë të SHBA për dy çështje që lidhen me ligjet mbi abortin në Amerikë. Më shumë është sulmuar një lloj shfuqizimi i vendimit të vetë Gjykatës së Lartë I vitit 1973, I ashtuquajturi vendim rreth procesit Roe vs Wade, I cili cilësonte si antikushtetues ligjin e shtetit të Teksasit, që ndalonte abortin. Që prej atij vendimi, në mënyrë të ngjashme janë cilësuar gjatë viteve edhe shumë ligje të shteteve të tjera. Vendimi I vitit 1973 nuk është një ligj në vetvete, por në sistemin anglo-sakson të drejtësisë, proçedohet edhe mbi bazën e vendimeve të mëparshme të Gjykatës më të fuqishme, të quajtura preçedentë dhe edhe pse nuk është Gjyqësori ai që nxjerr ligjet, vendimet e tij marrin forcën e një ligji.

Para disa ditësh, ndërsa kishte marrë në shqyrtim një çështje që lidhej me abortin, Gjykata e Lartë nuk përdori më preçedentin e Roe vs Wade, duke e justifikuar që “e drejta e abortit nuk është thellë në rrënjët e traditës amerikane” ndaj si e tillë nuk ishte e justifikuar ligjërisht deri në momentin e vendimit të vitit 1973.

Pa dashur të hyj në diskutimet “militante” të kundërshtarëve dhe përkrahësve të abortit, edhe pse e quaj një hap pas në zhvillimin e shoqërisë amerikane, dua të prek diçka që shumë analistë e anashkalojnë, ndërsa shumë fanatikë e paraqesin në ngjyra të feksura, sipas ideologjisë që ndjekin.

Vendimi dëshmon se sistemi i Drejtësisë në Amerikë funksionon dhe është më i pavarur se sa janë sistemet e Drejtësisë në vendet e tjera. Flitet shumë, që po të mos ishin emëruar tre gjykatës konservatorë nga Trump, ky vendim i fundit nuk do ishte marrë dhe Roe vs Wade do kishte mbetur në fuqi. E vërtetë, por po aq e vërtetë është që të tre gjykatësit e emëruar nga Trump janë mes më të mirëve që ka Amerika. Të shkëlqyer në njohjen e Kushtetutës, me karriera që nuk mund të vihen në diskutim dhe me një integritet të pashoq. Janë të rralla vendet që kanë autoritete të tilla në Gjykatën e Lartë dhe as që mund të bëhet krahasim me “ronxhobonxhot” tanë.

Problemi është që për çështje të caktuara, interpretimi I Kushtetutës amerikane, më e vjetra dhe më pak e ndryshuara, është kompleks dhe “të vërtetat” ndahen shpesh herë nga një qime e hollë e argumenteve juridike. Ndaj edhe kundërshtimet ligjore nga ekspertët për vendimin e vitit 1973 kanë qënë të shumta dhe po aq të shumta janë edhe për vendimin e vitit 2022. Të gjitha diskutimet janë të hapura dhe nga eksperët dhe aspak të ndikuara nga figurat politike. Prej kohës kur është shkruar, dh eveçanërisht në 50-60 vitet e fundit, ka pasur dy rryma të mendimit juridik për interpretimin e Kushtetutës amerikane. Rryma e origjinalistëve kërkon që Kushtetuta të interpretohet sipas qëllimit që kanë pasur ata që e kanë shkruar, ndërsa rryma e dytë, ajo e “Kushtetutës së gjallë“ kërkon që Kushtetuta të interpretohet sipas kushteve shoqërore dhe ligjore të kohës që jetojmë. Dhe në këtë “përplasje” marrin pjesë juristët konstitucionalistë më të shkëlqyer të Amerikës dhe të botës.

Ndaj nuk duhet të nxitohemi kur gjykojmë vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë si ideologjik, apo më keq akoma si”n jë përpjekje për të vendosur teokracinë në Amerikë“. Themeluesit e Republikës amerikane, kanë qënë jo vetëm shumë të mençur, por edhe me një vizion shumë të qartë të së ardhmes. Eshtë e vetmja Republikë që nuk ka degjeneruar ndonjëherë në Diktaturë në historinë e 250 viteve të fundit. Ndarja e shtetit nga institucionet fetare ka qënë i qartë dhe vazhdon të mbetet i tillë edhe pse në themelet e Republikës është shprehja “In God we trust” (Me besimin tek Zoti).

Do të jetë jo e largët dita, që interpretimet e lidhura me çështjen komplekse të abortit do marrin një interpretim më të kristalizuar në favor të së drjetës themelore të grave për të vendosur për trupin e tyre. Pork jo nuk do të thotë se ne, europianët dhe më keq akoma ne shqiptarët, jemi nga ana shoqërore dhe juridike më të përparuar se amerikanët. Jemi diçka më pas!

3016 km... (kreu 13-fund)

 (vijim)

Të katër heshtën dhe nisin të mendoheshin se cila mund të ishte detyra më e përshtatshme për t’i mbushur mendjen Vasfiut të largohej nga vendroja e nderit dhe të angazhohej në diçka më pak të rrezikshme për jetën e tij dhe mbarëvajtjen e ceremonive funebër. Naimit i shkoi ndërmend t’a ngarkonin me detyrën e manaxherit të petanikëve që do servireshin në drekën e përmortshme, por nuk e sugjeroi se mendoi që familja e të ndjerit do e zgjidhte çdo gjë gastronomike brenda lokaleve të hotelit.  Befas brofi Elian Zilja me një buzëqeshje triumfuese në fytyrë:

-          E dimë që Gole Gollashi është nisur me makina të rastit për të ardhur në varrim. Pse mos dërgojmë Vasfiun si përfaqësues të Komisionit që ta presë me një makinë diku në mes të rrugës.

-          Po Vasfiu nuk di të ngasë makinën!

-          Pikërisht. Makinën mund t’ja kërkojmë Gugu Gurgullimës dhe ai e nis shoferin e tij, bashkë me Vasfiun si përfaqësues të komisionit. Shpejtojmë ardhjen në qytet të Gole Gollashit dhe shpëtojmë Vasfiun dhe gjithë ceremonitë.

-          Duhet të marrim miratimin e familjes për këtë. Marëdhëniet e Verorit me Gugun nuk ishin shumë të mira, për shkak të rivalitetit në sektorin e turizmit.

-          Rastet e gëzimeve të mëdha dhe të hidhërimeve të mëdha veçse ç’janë për të lënë mënjanë armiqësitë. Unë e kujtoj mirë, kur hapnim kanalin e madh të Vjosës në Levan të Fierit- filloi të tregonte shtruar inxhinier Soxhuku ndërsa tre të tjerët po tregonin shënja padurimi- dhe do bëhej një dasmë e madhe, po xhaxhai i dhëndërit kishte patur një marëdhënie dashurore me tezen e nuses, që nuk kishte përfunduar në martesë. Burri i tezes, të cilin e kisha punëtor në kantier, nuk pranonte për qamet të shkonte në dasëm dhe kërcënonte edhe të tjerët e sojit të nuses të mos shkonin se xhaxhai i dhëndërit ju kishte nëpërkëmbur nderin. Se respekti në ato anë është shumë i rëndësishëm. U deshën dy javë me biseda mes palëve dhe disa mbledhje të organizatës bazë të kantierit, që të sheshonim konfliktin që nuk dihej se si mund të përfundonte. Se njeriu për një nder rron! Më në fund palët bënë paqe dhe shkoi aq mirë, sa kur u lojt “Nusja jonë në valle”, tezja e nuses e zuri për dore xhaxhanë që nuk e kishte marrë për grua dhe tërë dasmorët u ngazëllyen.

-          Merre ti Lirim situatën në dorë dhe bisedo me familjen sa më parë- mbylli takimin avokati Rako Pilafi dhe të gjithë dolën nga saleta e restorantit.

Naim Hana i pëshpëriti shkurtimisht Themijes se do ketë shumë shpejt një zgjidhje dhe se Vasfiu mund të nisej shumë shpejt drejt Adrianopojës për të pritur Gole Gollashin. Ndërkohë inxhinier Soxhuku po bisedonte në një nga dhomat e hotelit me djalin e madh të Verorit, Altinin.

-          Altin mbi supet e të gjithëve është një barrë e rëndë, që ka të bëjë me nderimin e figurës së Verorit dhe se do trajtohet historia e Bredhishtës në të gjithë trevat shqiptare dhe më gjërë. Situata e paparashikuar me anëtarin e Komisionit tonë, Vasfi Klocën, do një zgjidhje të nderuar, të menjëhershme, të respektueshme dhe efikase. Qëndrimi i tij vetmohues mund të ketë pasoja fatale, që do tërheqin vëmendjen nga ajo çka jemi fokusuar të gjithë dhe që është përjetësimi i figurës së të nderuarit Veror Voloreka. Do duhet nga të gjithë të kemi një vështrim gjithëpërfshirës të ngjarjeve të mëparshme, të sotshme dhe ato të së ardhmes. Ndaj si Komision menduam që të ngarkojmë Vasfiun me detyrën e përshpejtimit të mirëpritjes së nënkryetarit të Bashkisë Gole Gollashit në territoret jashtë atdheut. Kjo do bëhet me makinën e biznesit të Gugu Gurgullimës, e cila do niset menjëherë sapo ju si familje të jepni miratimin.

-          …Nuk gjendet një makinë tjetër po duhet të niset domosdoshmërisht makina e rivalit tonë?

-          Do të jetë edhe një gjest uniteti, respekti dypalësh dhe triumfi të traditës së lënies mënjanë të mërive para çështjeve të mëdha. Eshtë shumë simbolik Altin!

Altin Voloreka dha pëlqimin zemërthyer, me një tundje të kokës dhe Lirimi nxitoi t’ja përcillte Rako Pilafit, i cili shkroi shpejt e shpejt në një pusullë dhe ja shpuri Vasfi Klocës. Vasfiu pati vështirësi në fillim për ta lexuar dhe picërronte sytë, por më pas u duk se ishte bindur nga ajo ç’ka kishte shkruar kryetari komisionit dhe pasi hodhi sytë përreth, me dy hapa të mëdha u drejtua nga Themija, e tërhoqi nga supet dhe e vendosi në vendin e tij për të bërë roje nderi. Një nga familja Kloca do qëndronte deri në përshëndoshjen e fundit me Verorin e ndjerë.

Tuesday 28 June 2022

3016 km...(kreu 13)

 

Kreu trembëdhjetë

Ku tregohet qëndrueshmëria

E Vasfi Klocës

 

 

Naim Hana ishte nisur për një ecje të gjatë deri në Gryka e Ujkut, kur pa që drejt tij nxitonte Themije Kloca duke tundur duart majë kokës. Nxitoi dhe ai drejt saj dhe dëgjoi që mes dihatjeve theshte “…Vasfiu…o ç’më gjeti mua…nuk dëgjon!” Mjeku u mundua ta qetësonte dhe të mësonte se ç’kishte ndodhur. Me fjalë të palidhura mirë, Themija i shpjegoi që Vasfiu kishte mbi 16 orë që nuk lëvizte nga roja e nderit pranë trupit të Veror Volorekës.  Me gjithë përpjekjet e komisionit për ta ndërruar ai vazhdonte të qëndronte stoik dhe të mos jepte asnjë shpjegim. Nuk kishte pirë as ilaçet e përditëshme.

“Një situatë e jashtëzakonshme, që mund të përballohet vetëm me një mobilizim të jashtëzakonshëm” mendoi mjeku dhe mori drejt Grand Hotel Voloreka duke mbajtur përkrahu Themijen. Në hyrje të hotelit çdo gjë ishte si e kishte lënë dhe fanfara luante një tjetër melodi të trishtë të kompozuar për ngjarjen nga Premtim Turku. Hilmi Kërri i shkeli përsëri syrin, por Naimi ishte i përqëndruar në figura e gjatë e Vasfi Klocës, thellë në hollin e hotelit, që dukej si një shtatore vetmohuese. Nuk dinte si t’i afrohej, se përreth çdo gjë ishte në rrjedhën normale. Homazhistët silleshin përreth trupit të të ndjerit, më pas ju jepnin dorën familjarëve dhe vazhdonin drejt pupitrës ku ishte vendosur vëllimi i rradhës i Albumit të Përmortshëm. Nuk pipëtinte gjë.

Vasfi Kloca i la të kuptonte Naim Hanës se e kishte parë dhe vazhdoi me të njëjtin qëndrim stoik të treste vështrimin jashtë dyerve të hapura të hollit. Nuk kishte asnjë dyshim se ai do qëndronte në të njëjtin pozicion deri sa të mbaronin ceremonitë, ose deri sa të binte vetë. Nuk kishte rrugë të tretë. Dikush ju pëshpëriti, që në një nga sallat e hotelit ishte mbledhur Komisioni funebër. Naim Hana ndoqi pas pëshpëritësin duke i bërë shënjë Themijes ta priste atje për të parë nga afër qëndrimin e Vasfiut. Në saletën e restorantit ishin ulur rreth një tavoline Rako Pilafi, Lirim Soxhuku dhe Elian Zilja. Mjeku u ul pranë tyre dhe priti të dëgjonte se ç’vendim kishte marrë komisioni për çështjen Vasfi.

-          Jemi të befasuar – tha gjithë seriozitet Rako Pilafi – Nuk mund të bëjmë dot asgjë.

-          Kjo gjë nuk më kishte bërë vaki që kur ndërtonim hidroçentralin e Gjançit dhe na ndodhi një aksident me një punëtor- nisi të fliste shtruar inxhinier Lirim Soxhuku- i jati i të ndjerit nuk pranonte të ulej kur priste ngushëllonjësit dhe nuk dinim ç’të bënim se nuk donim të kishim edhe një vdekje të dytë. Pas tre orëve të para i vura ta mbante përkrahu Skënder Dojën, por nga mezi i natës Kenon e këputi gjumi dhe u rrëzua me gjithë plakun. U detyruam te vinim punëtorë me turne për të mbajtur plakun më këmbë deri në orën e varrimit.

-          Situata nuk është e ngjashme. Nuk mund të vemë roje mbajtëse për rojen e nderit dhe njëkohësisht nuk e dimë nëse Vasfiu do pranojë stëngëza. Më përmendi që në fillim se nderin që i ishte bërë nga zgjedhja si anëtar i Komisionit do dinte si ta shpërblente – u hodh Rako Pilafi

-          Po sikur t’i kërkojmë ndihmë Baba Raimondit. Ai ka shumë ndikim në Klocë dhe besoj edhe tek vetë Vasfiu- tha medicinialisti Elian Zilja.

-          Baba Raimondi është në Teqenë e Qesarakës dhe ka thënë që do vijë vetëm në varrim. Nuk besoj se do na ndihë dot në këtë problem të madh. Them që dhënia e një funksioni më të rëndësishëm se roja e nderit mund të bëjë që Vasfiu të ndryshojë qëndrim.

-          Po ne e kemi të miratuar tashmë programin e ditëve të zisë. Nuk do duket serioze një ndryshim i ri – kundërshtoi Lirimi , kryetarin e Komisonit.

-          Nuk them ta ndryshojmë programin, por t’i japim një detyrë të rëndësishme, e cila nuk ka pse të pasqyrohet domosdoshmërisht në programin e afishuar.

(vijon)

Intermexo mes krerëve 12 dhe 13

 

Intermexo mes krerëve 12 dhe 13

 

 

                                Ka njerëz që lenë gjurmë në Histori

                                Ka të tjerë që Historia le gjurmë mbi ta

                                Si Verori s’kam parë as unë as ti

Historinë e hodhi në havada!

 

Me muhabetin shtruar, pleqërishte

Me vizionin për tregun e Lirë

Lartësoi hotelin në Bredhishtë

Ku njerëzit të çlodhen sa më mirë.

 

Na priste të gjithëve me darka dhe dreka

Të ftuar, të paftuar plot bujari,

S’mund të harrohet Veror Voloreka

Për gjithshka që bëri për Shqipëri!

 

Ka njerëz që lenë gjurmë në Histori…

 

Teksti- Tit Tepeleku

Muzika- Premtim Turku

Monday 27 June 2022

Skënderbeu nuk e kishte hundën aq të madhe!


Jo gjithshka është e zezë për shqiptarët në këtë 6-mujor të parë të vitit 2022. Pas ngritjes së çmimeve, rikthimit të Berishës, luftës në Ukrainë dhe mospranimit në BE, një lajm i mirë vjen nga fusha e studiuesve dhe koleksionistëve.

U gjet portreti i Skënderbeut, vepër e piktorit të njohur venecian Belini.

Studiuesit dhe koleksionistët shqiptarë janë të sigurt , që bëhet fjalë për portretin e shumëpërmendur të Belinit të vitit 1467, që konsiderohej i zhdukur. Portreti tashmë jo vetëm që është në duar koleksionistësh atdhetarë dhe i konfirmuar si autentik, por është vërtetuar, që Skënderbeu ka pozuar për Belinin në shkurtin e vitit 1467, pikërisht 11 muaj para se të dergjej në shtratin e vdekjes. Studiuesit kanë prova se Skënderbeu ka shkuar në një vizitë të fshehtë me rastin e Karnavaleve në Venecia, i shoqëruar nga gruaja e tij Donika dhe djali i tij Gjoni, si dhe nga thesarmbajtësi Dhimitër Frangu. Shoqërues ishin edhe 4-5 roje të gardës së Skënderbeut.

Duhet të jetë bërë një punë kolosale nga studiuesit tanë, se sot është shumë e vështirë të provosh vizitat e fshehta të Nanos, Metës, Berishës dhe Ramës në Dubai, Monte Karlo dhe Las Vegas edhe pse ka kaq shumë vrojtues dhe mjete rregjistrimi.

Qëllimi i vërtetë i vizitës ende  nuk është shpallur, por studiuesit sigurojnë publikun se portreti I Gjergjit është bërë me porosi të Doxhëve dhe Belini i ka bërë skicat paraprake në studion e tij ndërsa Heroi jonë pozonte I ndjekur nga gruaja dhe djali i tij, që çuditërisht nuk kishin dalë për të parë festimet e Karnavaleve apo për të bërë “shopping”.

Lajmi më i madh brenda këtij lajmi stërmadh është se kemi qënë të keqinformuar në shekuj për hundën e Skënderbeut. Skënderbeu ka qënë syshqiponjë, por jo hundëshqiponjë. Kjo ka ardhur nga portreti më i njohur i tij, i shekullit të XVI, I cili është bërë mbi gojdhanat dhe jo duke vizatuar Gjergjin e gjallë. Hunda me kurriz dhe e gjatë, e ngjashme me hundën e Ahmet Zogut dhe Sali Berishës, ka qënë tërësisht spekulative dhe ç’orientuese. Skënderbeu i paraqitur nga Belini ka pasur një hundë të drejtë, autoritare dhe me majë gjithashtu të drejtë. Ka shumë të ngjarë që të ketë qënë si hundët e Ali Pashë Tepelenës, Enver Hoxhës dhe Edi Ramës. Dhe nuk ka ndonjë dëshmi deri më sot, që në fund të Mesjetës të ketë qënë e shpikur e ashtuquajtura “rhinoplasty” për të spekuluar se mundet që në vitet e fundit të jetës, Gjergj Kastrioti të ishte lodhur nga hunda e tij e madhe.

Po si do veprojë shteti jonë me të gjitha hundët e veprave skulpturore dhe të pikturës, që paraqesin Heroin tonë Kombëtar?  Kjo është një çështje sa delikate aq edhe e Sigurisë Kombëtare. Një hundë e rëndësishme nuk është thjesht një hundë.

Po le t’i gëzohemi lajmit të gjetjes së portretit të vërtetë dhe le të merren burokratët tanë me hundët e shpërndara në trevat ku jetojnë shqiptarët.

3016 km... (kreu 12-fund)

 (vijim)

Ishin një varg me njerëz që po bënin homazhe rreth trupit të biznesmenit, pranë të cilit po bënin roje nderi anëtarët e komisionit Rako Pilafi, Vasfi Kloca, Skënder Doja dhe Loni berberi. Naim Hana u mundua t’ju shmangej shikimit të tyre duke ndenjur pas Hënës së gjatë, e cila po kryente gjithashtu nderimet e rastit për të ndjerin. Në holl nuk pipëtinte as miza. Komisioni kishte vendosur që homazhet të kryeheshin nën një heshtje solemne, madje veç shtrëngimit të duarve me familjarët mos kishte as fjalë ngushëllim apo pyetje të rastit. Të gjitha mbresat dhe ndjenjat e homazhistëve do i shkruante gjithsejcili në Albumin e Përmortshëm, që tashmë ishte mbushur dhe kishte nisur vëllimi i dytë. Pasi ju dha dorën dhe përshëndeti me kokë të venë e Verorit dhe dy djemtë e tij, Naimi priti gjatë sa Hëna e gjatë shkrojti mbresat e saj në Album dhe më pas vazhdoi të hidhte shënimin e tij me stilolapsin që i zgjati Hëna. Duke dalë jashtë, anëtarja e Këshillit të Qarkut përkuli kokën pranë veshit të tij dhe i pëshpëriti:

-          Shoku…nuk mendon se unë do e kisha organizuar më solemnshëm? Nuk di kush i cakton këto Komisione…- dhe si pa që mjeku nuk po i përgjigjej vazhdoi- Shoku, si t’u duk poema e Skënderijes? Mësova se ta kishte lexuar të gjithë.

-          Epike- u përgjigj mjeku, për të mos e vazhduar më bisedën, kur përballë tyre vinte me kokën futur mes supeve poeti Tit Tepeleku.

Hëna e gjatë dhe mjeku ndalën dhe përqafuan poetin e tronditur, në sytë e të cilit dalloheshin lotë që ishin gati të derdheshin çurk. Atmosfera ishte vërtet e rëndë. Orkestra frymore kishte nisur të luante notat e përvajshme të këngës popullore “Të qan nëna o Baki, të qan shoqëria”, orkestruar sin jë marciale e zvargur nga drejtues Premtimi. Të prekur dukeshin edhe kureshtarët përreth Uljanov Sopit, që mundoheshin të dallonin mes ngjyrave të luleve, organin gjenital të shtatores, aq të përfolur gjatë asaj dite.

-          Një vdekje shumë e papritur Tit! E kuptoj ndjeshmërinë tënde, por…

-          E ç’rëndësi ka Naim! Verori, me të cilin pija çdo dy ditë kafenë mëngjesave nuk është më dhe unë nuk do ta takoj dot kurrë më!- tha mes ngashërimave poeti Tit Tepeleku.

-          Shoku…po ndoshta do bësh mirë, që pas të shtatave të bësh të njëjtën gjë me gruan e Verorit. Edhe ajo ka nevojë për dikë që të ndajë dhimbjen- tha gjithë solemninet Hëna e gjatë, që jo më kot ishte zgjedhur këshilltare e Qarkut.

-          Nuk do mundem…- ndërpreu një çast ngashërimat poeti dhe pasi fshiu lotët shtoi- ende mendësia e bredhishtarëve nuk ka arritur në kapërcyellin e shekullit ndaj dhe druhem se një prije e rregullt e kafesë me vejushën do të përflitet…

-          Po joooo! – këmbënguli Hëna e gjatë - të gjithë e njohin reputacionin e panjollë si tëndin ashtu edhe të vejushës…Mundet edhe unë t’ja sugjeroj këtë familjes së Verorit. Për më tepër tani që atyre ju duhet një poet zyrtar i familjes, pas shkarkimit nga funksionet i Skënderijes.

-          Po unë jam poet lirik. Nuk mundem të rrok katërcipërisht të gjithë epikën e sojit të Volorekasve, veçanërisht atë të Verorit. Mund të shkruaj për romantikën e dashurisë së tyre jetëgjatë, por jo më tepër. Nuk me jepet!

-          Të jepet shoku të jepet! Edhe Bajroni poet lirik ishte po e qante edhe epiken! Si mendon ti Naim? Ti e dëgjove poemën e Skënderijes. Nuk është në gjendje Titi të krijojë po aq vargje të fuqishëm. Një gërshetim liriko-epik…

Mjeku nuk dinte ç’të thoshte i ndodhur mes këmbënguljes së Hënës dhe syve të hapur të poetit Tepeleku, i cili dukej se mëdyshej mes qëndrimit të tij në fushën e lirikës dhe tundimit për të qënë poeti zyrtar i Volorekasve dhe i gjithë Bredhishtës.

-          Titi duhet të kesh më shumë besim në forca tënde krijuese! Ti je në gjendje të shkruash vargje që të të luajë tepeleku!- tha i vendosur Naim Hana dhe u nda nga poeti dhe nga Hëna e gjatë për të shkuar diku larg, mbase deri në Grykën e Ujkut për të pritur sa të mbylleshin ditët e përzishme dhe Refik Fufulina me shpurën e tij të kthehej nga Turqia.

Sunday 26 June 2022

3016 km... (Kreu 12)

 

Kreu i dymbëdhjetë

Ku tregohet për formimin

E Komisionit të Ri

 

Naim Hana ishte ende në gjumë, kur Berti Dajkoja nisi ta tundte me forcë. Kishin ndënjur deri vonë natën duke pirë dhe duke treguar meselera të kohës së rinisë, ndaj dhe pse po afronte mesdita, ai ishte ende përgjumësh.

-          Ngrihu se vajti vafti i drekës! Dëgjo edhe se ç’ka bërë sot vaki në Bredhishtë…e shkarkuan komisionin!

-          C’komision?

-          Komisionin funebër të Verorit. Me propozim të familjes dhe miratim të Fikos…

Atë mëngjes patën ndodhur disa gjëra jo fort të mira, që kishin sjellë atë pështjellim ngjarjesh, jo të zakonta për një ngjarje funebër në provincë. Prokurori i Përgjithshëm nuk kishte ardhur nga kryeqyteti, por në vend të tij kishte mbërritur zëvendëskryetari i Kadastrave, i cili bashkë me Baba Raimondin kishin nxituar të zbulonin shtatoren e Verorit në troruarin në hyrje të hotelit. Poshtë çarçafit ngjyrë portokalli me të cilin ishte mbuluar vepra skulpturore ishte shfaqur figura cullak e Verorit në të ritë e tij. Mbi sup kishte hedhurnjë lloj torbe të mbushur dhe vështrimin e mbante drejt Perëndimit. Të pranishmit kishin lëshuar një “uuuuu” të zgjatur, të befasuar nga pamja e lakuriqtë e biznesmenit dhe veçanërisht nga madhësia e organit gjenital. Skulptori Uljanov Sopi ishte munduar të shpjegonte që qëllimisht e kishte trajtuar si Davidin e Mikelanxhelos, për të theksuar rolin revolucionar të biznesmenit në jetën e Bredhishtës, por familjarët kishin qënë ndër më të indinjuarit, sëbashku me baba Raimondin, i cili u tërhoq përkohësisht në shënjë proteste në teqenë e Qesarakës.

Shtatoren e patën mbuluar nga mesi e poshtë me kurora lulesh, ndërsa Komisioni Funebër u shkarkua menjëherë dhe u ngrit Komisioni i ri, i cili do përcaktonte një tjetër program të ditëve të zisë deri në mbërritjen e Nënkryetarit të Bashkisë, që po ngutej të vinte nga Turqia me mjete të rastit. Familjarët kishin këmbëngulur për një komision më konservator ndaj dhe në krye të tij u vu avokati Rako Pilafi. Anëtarët e tjerë  ishin Vasfi Kloca, Lirim Soxhuku dhe Elian Zilja. Komisioni Konservator u mblodh menjëherë dhe në pikën e parë të rendit të ditës hodhën poshtë të gjitha vendimet që kishte marrë Komisioni i Adelës. Në vend të Simpoziumit për rolin e Verorit në Aleancën për Sigurimin e Detit të Zi, u vendos të mbahej konferenca “Bektashizmi dhe përkrahja e biznesit – Vepër e Veror Volorekës” që do kishte tre referate të mbajtura përkatësisht nga medicinialisti Elian Zilja, ndërtuesi Skënder Doja dhe Loni berberi. “Pasditja epiko-poetike e hashures” do zëvendësohej me eventin “Hashureja- një pikënisje dhe një synim për të ardhmen”, ndërsa homazhet do zhvilloheshin gjatë gjithë ditëve, ku do mbetej i hapur për 24 orë Albumi përkujtimor, ku njerëzit do shkruanin mbresat e tyre për jetën e Verorit dhe do vendosnin edhe fotografitë, që kishin bërë gjatë viteve me të. Shtrimi i rrugës me degë të posaprera bredhash do ndalohej dhe qytetarët do lejoheshin të hidhnin gjatë korteut funebër, lule sipas përzgjedhjes vetiake. Fjalimet e përmortshme do mbaheshin nga Genc Gollashi, nënkryetari i Bashkisë dhe nga kundëradmirali Paulin Bardhi, kryetar i Aleancës për Sigurimin e Detit të Zi.

Naim Hana i mësoi të gjitha çka kishin ndodhur në orët e para të mëngjesit nga Berti Dajkoja dhe vendosi të shkonte të bënte homazhe në hollin e Grand Hotel Volorekës, ku prisnin familjarët e Verorit. Në trotuarin par hotelit ishin mbledhur një turmë kureshtarësh që sodisnin shtatoren e Verorit të mbuluar nga kërthiza e poshtë nga kurora të panumurta lulesh natyrale dhe artificiale. Pranë shtatores, skulptori Ulianov Sopi vazhdonte të shpjegonte se cila kishte qënë porosia e fundit e Verorit dhe pse kishte zgjedhur trajtimin artistik neoklasik dhe jo modern të skulpturës. Sipas tij, kishte qënë dëshira e Verorit për një trajtim si në skulpturat e lashtësisë, për të treguar se ne jemi autoktonë në trojet tona. Gjinekologu nuk arriti të dallonte madhësinë e organit gjenital, që në Bresdhishtë ishte i rëndësishëm si dëshmi e potencës mashkullore dhe e riprodhimit, por që nuk kishte patur të njëjtën rëndësi për grekët e vjetër dhe artistët e Renesansës Europiane.

Në anën tjetër të hyrjes kryesore të Grand Hotel Voloreka, orkestra frymore e qytetit, nën drejtimin e Premtim Turkut, bashkëshortit të Skënderijes, luante melodinë e përmortshme “Mbeçë more shokë mbeçë“ të përpunuar për orkestër frymore nga vetë Premtimi. Mes orkestrantëve ai dalloi Hilmi Kërrin, që luante në kornë dhe që i shkeli syrin plot kuptim mjekut. Ky i fundit nuk arriti ta kuptonte nëse shkelja e syrit kishte të bënte me incidentin me Hoxhë Klajdin apo ngritjen e komisionit të ri ndaj vazhdoi të ngjiste shkallët e hyrjes.

(vijon)

3016 km nen rrena (Vdekja e V.Volorekes-fund)

 (vijim)

Naim Hana lexoi në hyrje të hotelit, të afishuara, përmbajtjen e ditëve të kremtimeve funebër dhe mendoi të shkonte vetëm në ngjarjet e ditës së dytë. Ditën e parë do i duhej të sistemohej në ndonjë të afërm, se nga hoteli duhej të largohej. Ai vihej i gjithi në gjendjen e jashtëzakonshme të zisë dhe njëkohësisht do strehonte të gjithë të ardhurit nga kryeqytetit. Bujtinat e tjera ishin të gjitha mbi kapacitetet e tyre. Nuk dinte nëse do ishte më mirë të flinte për tre ditë në kushëriri i tij Vasfi Kloca apo në kushëriri i  Artemisit, Berti Dajkoja. Vendosi të shkonte tek i dyti, se Vasfiu me siguri që do ndiqte me besnikëri të gjitha ngjarjet e ditëve funebër. ishte shumë fetar.

                U nis drejt ndërtesës ku ishte apartamenti i Berti Dajkos i ndjekur nga rrëkëzhdrëku i rrotullave të valixheve. E ndali prekja delikate në bryl dhe zëri melodioz i një femra. Ishte poetesha Skënderije Turku, më e njohura në të gjithë krahinën. Skënderija kishte qënë ushtarake, por pas reformës në Ushtri kishte nisur të punonte si mësuese letërsie në shkollën 9-vjeçare publike.

-          Naim do kesh kohë për një kafe?

-          …me gjithë qejf Skënderije por…- dhe i tregoi valixhet e mbushura.

-          Nuk të mbaj shumë. E mësove besoj për humbjen e Verorit?

-          Po, po. Madje nesër do vij edhe në pasditen poetiko-epike.

-          Për këtë të doja. Ti ke pasur diksion shumë të mirë në rini. Doja të dëgjoje disa pjesë të poemës dhe nëse do jetë e mundur t’i recitosh me zërin tënd burrëror.

-          …Skënderije…duhet të më kuptosh…ato ishin vite të gjimnazit dhe nuk kam recituar më. Po vij për kafe dhe do dëgjoj disa pjesë të poemës, por nuk mundem të recitoj, sidomos në një ngjarje kaq madhore.

Kaq i mjaftoi poeteshës dhe e tërhoqi për krahu drejt verandës të kafe-barit “Gugukafe”. U ulën dhe ajo porosity dy kafe të gjata, dhe nxorri nga çanta disa fletë të shkruara me dorë.

-          Naim ti je një profesionist me shije në letërsi dhe duhet ta dish, që je i pari pas tim shoqi që po e dëgjon poemën e papërfunduar- dhe pasi krroi zërin filloi:- E kam menduar me varg aleksandrin për t’i shtuar dramaticitetin dhe për ta bërë pjesë të eposit shqiptar. Titullohet “Rron o rron, nuk vdes Verori!”:

Ti u linde Veror në ato kohë të rënda,

Kur i keq’ Diktator, bënte ç’i kish ënda,

Kur valësh të egra, të luftës klasore

Ti dole i pari në shkollën fillore.

 

I thurre ti ënd’rrat për tregun e lirë

Që njer’zit të shisnin c’ju bëhej më mirë,

N’këmbimet e fshehta dole i dalluar,

Ndaj të përndoqën, i persekutuar…

-          Skënderije po mos ishte më mirë të përmendej shkollimi i mëtejshëm i Verorit. Mos mbetej vetëm tek “i pari në shkollën fillore”?

-          Po vetëm filloren kishte mbaruar Verori. Nuk e lanë të vazhdonte më tej se ja kalonte djalit të Sekretarit të Parë.

-          Nuk e dija këtë. Por kjo e këmbimeve të fshehta mos tingëllon pak si kontrabandë? Ndoshta për reputacionin e Verorit si biznesmen nuk është shumë e qëlluar.

-          Përkundrazi tregon se ai ishte disident dhe i përkushtuar ndaj Ekonomisë së Tregut.

-          Po ç’farë këmbente?

-          Flori, valutë, lesh të gjatë dhe lesh qëndër, kafe…këto ishin mallrat që shkonin  në kohën e Diktaturës. I kam përmëndur më poshtë…apo do të vazhdoj me pjesën kur punonte për Sigurimin e Detit të Zi?

-          Më mirë me këtë nismën ndërkombëtare.

-          Ti kishe ideale, jo gjithshka për pare

Tej hodhe vështrimin tem’s ndërkombëtare

Që popujt sëbashku të ishin në liri

Mbështete ti nismën për Detin e Zi.

 

Mund të ish’ i Ziu, mund të ish i Bardhi,

Fiko Fufulina, bash pas teje ardhi.

Bashkë në beteja, bashkë në çdo orë,

Për Bredhishtën tonë, dy triumfatorë…

Poetesha vazhdoi të lezonte dorëshkrimin e saj, ku përmëndeshin nënkryetari i Bashkisë, Hëna e gjatë, Baba Raimondi dhe Gugu Gurgullima, por mjeku Naim Hana nuk po e dëgjonte më. Në mendje po i shkonin edhe tre ditë të tjera të humbura, që nuk do mundte të bënte dot asgjë për lejen e ndërtimit. Ndërkohë, Skënderije Turku kishte mbaruar së lexuari fletët dhe e pyeti:

-          Si të duket Naim?

-          Shumë epike. Tamam për pasditet e hashures!- dhe u ngrit nga tavolina e filloi të hiqte zvarrë valixhet e tij me rrotulla, ndërsa poetesha nuk arrinte të kuptonte nëse gjinekologu kishte arritur të prekte dot gjithë heroikën e vargjeve të poemës së saj, kushtuar biznesmenit Veror Voloreka, që sa ishte ndarë nga jeta e tij epike.

 

Saturday 25 June 2022

3016 km nen rrena (Vdekja e Veror Volorekes)

Kishte vdekur papritur Veror Voloreka. Naim Hana e mësoi nga lëvizjet e shumta në korridoret e hotelit dhe nga pëshpërimat e punonjësve “..si është e mundur?!...ai ishte mirë….u bënë dy vjet nga operacioni…si do bëjmë…si të ikte kështu Verori? Si pe plumbi…” Naimi nuk e kishte kuptuar kurrë këtë shprehje që përdorej për vdekjet e menjëhershme. Kishte lidhje me plumbin që të godet papritur e të merr jetën, apo me rrëshqitjen e vetëtishme të peplumbçes, kur lëshohej poshtë për të kontrolluar vertikalitetin e murit. Në anët e tij, muratorët kishin qënë të shumtë, por jo të pakët ishin edhe ata që mbanin dyfekë.

Veror Voloreka nuk ishte ngritur nga shtrati atë mëngjes dhe i kishte tronditur të gjithë në Bredhishtë. Vdekja e tij kishte ndodhur pikërisht kur i gjithë ekipi i Bashkisë, me Fiko Fufulinën në krye, ishin për një vizitë miqësore dhe binjakëzimi në Turqi. Bashkë me ta ishin edhe myftiu dhe hoxha i Bredhishtës. Ndaj ishte thuajse një krizë institucionale kjo , e pazakontë për qytezën sidomos në rast vdekjesh. Dhe bëhej fjalë për vdekjen e njërit nga përfaqësuesve më në zë të saj. Gjithshka duhej të zgjidhej në kryeqytet, nga pritej të vinin Prokurori i Përgjithshëm, zëvendës kreu i Kryegjyshatës Botërore, Baba Raimondi si dhe kryetari i Aleancës të Sigurimit të Detit të Zi, kundëradmirali Paulin Bardhi. Por pala pritëse, që duhet të mbante peshën e organizimit të ceremonive për përcjelljen e Verorit, ishte pa përfaqësues të nivelit të lartë. E vetmja këshilltare e Qarkut, Hëna e gjatë, ishte ateiste dhe nuk mund të ngarkohej me detyrën e shefes të ceremonive, për më tepër që ishte edhe beqare. Ndaj mbetej vetëm farmacisteja Adelë, që ishte zëvendësja e Verorit në Aleancën e Sigurimit të Detit të Zi për Bredhishtën të bënte diçka të denjë.

Adela veproi me një shpejtësi të pazakontë, nëse kemi parasysh që e hiqte dhe pak këmbën e djathtë. Formoi menjëherë komisionin e kremtimeve funebër, që veç saj do kishte në përbërje kandidatin e shkencave filologjike Aferim Dollibashin, skulptorin Uljanov Sopi dhe poeteshën Skënderije Turku. Në mungesë të një vendimi të Këshillit Bashkiak për të shpallur ditët e zisë lokale, në këshilllim edhe me familjen, komisioni vendosi të shpallte kalendarin e ditëve funebër:

                Dita e parë- Përurimi i shtatores së Veror Volorekës në hyrje të Hotelit. Vepër e skulptorit Uljanov Sopi. Skulptura e derdhur përkohësisht në allçi do përurohej nga Prokurori i Përgjithshëm dhe nga Baba Raimondi. Gjatë gjithë veprimtarisë, orkestra frymore e qytetit do të luante marshe funebër.

Pasditen e ditës së parë do mbahej Simpoziumi – Siguria e Detit të Zi dhe roli i Veror Volorekës në të. Do lexoheshin kumtesat nga kundëradmirali Paulin Bardhi, farmacisteja Adelë dhe nga kandidati i shkencave filologjike Aferim Dollibashi.

                Dita e dytë- Kryerje e homazheve në hollin e hotelit pranë trupit të të ndjerit nga banorët e qytezës dhe të ardhur nga kryeqyteti dhe qytezat përreth. Shfaqje e videos përkujtimore “ Verori – bir, bashkëshort, baba dhe gjysh”.

Pasditen e ditës së dytë do mbaheshin “Pasditet poetike-epike të hashures në Bredhishtë“, veprimtari e përvitëshme, për të cilën i ndjeri pati qënë disa herë mes sponsorizuesve. Do lexohen vjershërime patriotike, ku vendin kryesor do zerë poema epike “Rron or rron, nuk vdes Verori!” e poeteshës Skënderije Turku. Në fund do ndahen edhe hashuret e sjella nga konkuruesit e zonës, por këtë rradhë nuk do ketë ndarje çmimesh.

                Dita e tretë - Përcjellja funebër për në banesën e fundit. Parashikohet shtrimi i rrugës nga do kalojë korteu me degë bredhi të posalulëzuara. Në vorrezat e qytetit do mbajë fjalën e rastit Prokurori i Përgjithshëm dhe nënkryetari I Bashkisë, I cili ka ndërprerë vizitën në Turqi dhe është nisur me mjete të rastit drejt atdheut.

                Dreka familjaro-administrative në mjediset e hotelit “Voloreka”.

(vijon)

 

Qershor

Ishin ditët e qershive

Dhe të vishnjave ishin.

Të freskëtat mëngjese

Kur gjokset e vajzave gufonin

Dhe të holla këmishë vishnin.

Të parat fruta të stinës

Si më të hershmet hormone

Ftonin mezhdave të nisnin të parat puthje.

Djemtë ndjenin se diçka ishte në erë,

Harboheshin,

Pa kuptuar në sytë e vajzave atë lutje.

Për të hipur majë qershive,

Me dorën e tyre vitheve mbështetur,

E më pas,

Si të kishin lagur buzët me lëngun e ëmbël

Të përqafoheshin

E të shtriheshin për të fjetur.

Të mos dëgjonin mallkimet e të moshuarve,

Që bukurinë e qershorit prishin.

Ishin ditët që qershitë vileshin

Dhe ditët e vishnjave ishin.

Friday 24 June 2022

“Adio spinaq se doli laboti!”


Kjo shprehje shumë vegjetariane duket se përdoret gjithnjë e më pak në anët tona. Të pakët janë ata që dinë se ç’është laboti dhe nuk besoj se mbjell më njeri. Diçka nuk shkon në prodhimtarinë e tij, ndaj edhe në shitje gjen gjithnjë e më shumë spinaq.

Kjo shprehje më erdhi ndërmend, ndërsa Rama i bënte karshillëk Bashkimit Europian, duke kërcënuar se nuk do shkonte bashkë me Vuçiçin në takimin e fundit të 6 mujorit të presidencës franceze në Bruksel. Pak a shumë ishte një “Adio BE, se ne kemi prodhuar “Open Balkan”.

Nuk është e pazakontë të kritikosh Bashkimin europian dhe burokracinë e tij për ngadalësi apo për mosmbajtje premtimesh. Por të tundësh flamurin e një “Open Balkan”, që në vetvete është një projekt gjysmak, i pambështetur nga të gjitha vendet e rajonit është arrogance e një provinciali të “ngrefur”. I njohur nga të gjithë si një projekt politiko-ekonomik i presidentit sërb Vuçiç, ai ka patur vetëm mbështetjen e Rusisë, Turqisë dhe Kinës dhe jo atë të Shteteve të Bashkuara apo të Bashikimit Europian.

Të valëvitësh si fitimtar një projekti të dështuar që në nisje, si “karshillëk” ndaj Europës është një marrëzi prej miopi në politikë. Edhe nëse do e çveshim nga interesa personale të Ramës dhe të oligarkëve më të afërt me të, “laboti” i “Open Balkan” jo vetëm nuk mund të zëvendësojë “spinaqin” e Europës, por na largon edhe më shumë prej tij. Situata në Ukrainë dhe qëndrimi pro-Putin i presidentit sërb, ka sjellë ndryshimin e qëndrimit të Amerikës dhe Europës ndaj tij. Të trumbetosh Vuçiç si proeuropian dhe prodemokraci është tërësisht e gabuar për interesat e Shqipërisë si vend dhe për interesat e gjithë shqiptarëve si komb. Nuk ka as mbështetjen e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe mal të Zi. Mund të ketë vetëm mbështetjen e patronazhistëve, të cilët nuk dinë gjë tjetër veçse të brohorasin ato që bën Udhëheqësi i tyre i pagabueshëm.

Shqipëria ndodhet në një pikë shumë delikate të historië së saj. Situata politike në vend është plotësisht e atrofizuar. Mungesa e zërave kundër brenda PS-së dhe dobësia e theksuar e opozitës kanë bërë që Rama të drejtojë anijen shqiptare si një kapiten plotësisht i dehur nga deliri i tij i madhështisë. Eshte i njëjti delir që dikur e bënte Hoxhën të thërriste gjithë krenari : “edhe bar do hamë…”, ndërsa adhuruesi i tij të thotë:

“Adio spinaq, se doli laboti!”

“Pantera e Goros”

“Pantera e Goros” iku tepër larg;

E paarritshme

Edhe pse la këngën e saj.

Thonjtë e saj nuk çirrnin më dashurinë tonë

Për ta gjallëruar.

Nuk ishte më ai varg

Jo më mallëngjim si në atë vaj

Jo më epshe për të çliruar.

Atëhere mblodha një tufë jasemini

Dhe u nisa,

Pa ditur ku t’i shpie

Në vorrezat e endërrave,

Atje ku japin shpirt delfinët

Apo ku qeparisat hedhin hije?

Ishte tepër vonë për të kuptuar

C’ka kishte dashur të thoshte

Në ulërimat therrëse të muajve të fundit:

“Po marr me vete

C’ju pata dhuruar!”

Këtë kishte thënë “Pantera e Goros”,

Ndërsa i zbriste poshtë Pllajës së Gjumit.

Thursday 23 June 2022

Sapuni “Skampa”


Ata të jepnin një ndjenjë të keqe, kur i shihje të rrjeshtuar në raft. Ndoshta për ne fëmijët. Kishin një formë të shëmtuar paralelpipedi dhe ishin të “bardhosur” me një pluhur të bardhë, që ka të ngjarë të ishte sodë kaustike. Masa e ngurtësuar ishte një lloj bezhe e çelur, që me kalimin e viteve nisi të shëndrrohet në kafe. Ishin sapunët e rrobave “Skampa”, që prodhoheshin në një fabrikë sapuni në Elbasan dhe lanin të gjithë rrobat e ndohtura në kohën e Diktaturës. Dhe që ishin jo pak të ndohtura, se njerëzit laheshin vetëm një herë në javë. Për të kursyer sapunin dhe se nuk kishte ujë të ngrohtë.

E bëra këtë hyrje për të shpjeguar më mirë ndjenjën që më la një hotel i ndërtuar bash pas Bashkisë së Korçës. Hoteli nuk dallohet nga Pedonalja dhe as nga ndonjë rrugë tjetër kryesore, por është pikërisht në qendër të qytetit, në rrugën Jovan Cico Kosturi, që ka qënë tradicionalisht e njohur në botën e Monumenteve të Kulturës, si një nga ansmblet kryesorë të arkitekturës tradicionale korçare. Rruga në fjalë, fillonte në lindje në atë që tani mban emrin bul “Republika” dhe mbyllej nga ndërtimi më i rëndësishëm në Korçë, Kisha e Shën Gjergjit. Ishte një rrugë mbi 200 vjeçare dhe thuajse të gjitha ndërtimet e saj, veçanërisht përgjatë veriut, ishin në vetevete monumente të arkitekturës shqiptare. Me strehë të gjëra, erkera, qoshe me gurë të gdhendur dhe portikë të hijshëm, oboorre të shtruara me plloça dhe puse brenda tyre, ata ishin komplekse interesante të arkitekturës tradicionale. Të tilla ishin edhe dy objektet, që ndodheshin pas ndërtesës tradicionale të Bashkisë, por që ishin lënë në gjendje të mjeruar për shkak të mungesës së fondeve nga Drejtoria e Trashëgimisë.

Tani, në vend të tyre, është ngritur ky vëllim i shëmtuar, që mua më kujton një sapun “Skampa” me atë soliditet të pahijshëm dhe me forcën gërryese. I ka kaluar me rradhë të gjitha instancat, prej institucioneve që merren me mbrojtjen e monumenteve (që shpesh venë bishta për gjërësinë e dritareve) dhe deri tek Bashkia, nga dritaret e së cilës mund ta vëresh mirë e bukur këtë “damblla” të quajtur hotel.

Askush nuk flet me zë të lartë!

Nëpër kafene dëgjon pëshpëritjet e specialistëve, që të numurojnë “atë dhe këtë“, që kanë bërë “ata”, sikur “ata” të jenë Dalekët e plotfuqishëm të zbritur nga një planet tjetër, si në filmin e viteve ’60 “Fitore mbi dalekët”.

Lëvizjet në Korçë më bëhen gjithnjë e më të vështira. Duhet të kaloj larg Kullës Vrojtuese, larg ndërtimit me dritare dhe llozha rrethore të Uillsonit, larg “Derrit të Lerosur”, por edhe “qoshkave” të presin të tilla befasi të pakëndëshme, si ky hotel në rr. Jovan Cico Kosturi. Ndoshta forma e tij si sapun “Skampa” mund t’i ndihmojë psikologjikisht bashkiakët dhe të tjerë autoritete, që të pastrojnë ndërgjegjen e tyre të fëlliqur së tepërmi.

Wednesday 22 June 2022

Ankthi

Ne ngjiteshim një të përpjete të lehtë

Nuk di përse na dukej sikur zbrisnim,

Dielli i palëvizshëm ishte,

Mbrëmja të binte prisnim.

Papritur

Në atë të përpjetë zbritëse

Duke u ngjitur

Tmerrësisht i ftohtë

U shfaq Ankthi.

Ankthi i ftohtë dhe pa trajtë,

Në atë buzëmbrëmje,

Kur dielli çuditërisht nuk donte të perëndonte,

Na bënte mos shihnim më qartë,

Vetëm të frigeshim.

Nga dëshira për të qënë cullak,

Mes gjelbërimit të paanë,

Gjymtyrësh të lidheshim,

Sa të kalonim atë cak,

Ku nuk të më bëhet më vonë

Nëse vetëm yjet të shohin

Apo dhe sy të tjerë,

Kur nuk do të dish në ndodhesh në zezonë

Apo drita e bukur

Sërish do bjerë.

Tuesday 21 June 2022

Kush ju dha çelësat e projektimit të huajve në Shqipëri?


Në Shqipëri ka shumë pak investitorë të mëdhenj të huaj, por çuditërisht projektojnë shumë arkitektë të huaj. Mospërputhja (që nuk është normale) nuk vjen se investitorët vendas të ndërtimit parapëlqejnë arkitektët e huaj ndaj vendasve, por nga një nga truket e hershme të Edvin Ramës, për të kontrolluar sektorin fitimprurës të ndërtimit dhe për të pasur hiset më të mëdha në përqindjet që ndajnë investitor-miratues i lejes së ndërtimit.

“Duart” e Ramës u futën në llumin e korrupsionit në ndërtim, që në fillimet e tij si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, por “marifeti me të huajt” është diçka që i përket disa viteve më vonë, kur ai kuptoi se mund të përfitohej më shumë dhe duke u ndjerë më pak. Përdorimi i arkitektëve të huaj ishte “guri” me të cilin ai mund të vriste “disa zogj”. Arkitektët e huaj do përdornin tarifa shumë më të larta se vendasit, do përdoreshin si “luksi” që po sillte Rama në Shqipërinë ku nuk afroheshin të huajt dhe do ishte e sigurt se do “flisnin” më pak se vendasit për aferat korruptive.

Skema e përdorur në filllim në Tiranë rezultoi shumë e efektshme, se studio e huaja (që pak ju bëhet vonë për ndërtimet në Shqipëri) rezultuan se mund të dëgjonin Ramën- kryetar Bashkie për çdo gjë që dëshëronte dhe të hapnin shumë më pak problem se arkitektët vendas. Rama mund të përdorte reputacionin e tyre (edhe kur kishin edhe kur nuk kishin) në mënyrë të efektshme për ato që quhen “public relations”.  Nëse do shihni me kujdes, të gjitha “monstrat” e ndërtuara në Tiranë kanë për autorë arkitektë të huaj, të cilët pasi marrin pjesën e luanit në projektim, ja lenë punën më të madhe arkitektëve shqiptarë, sepse as nuk ju bëhet vonë të liçensohen në Shqipëri.

Me marrjen e qeverisë në vitin 2009, Rama e shtriu në stil edhe më të gjërë, ndërtimin e keq të qyteteve ndërmjet arkitektëve të huaj të korruptuar. Tashmë jo vetëm Tirana u la në “kujdestarinë“ e tre-katër firmave italiane, belge dhe holandeze, por arkitektë të huaj u dërguan si “komisarë të plotfuqishëm projektimi” edhe në qytetet të tjera. Për Korçën u pais me “kartabiankë“ arkitekti australian Uilson, ndërsa për Vlorën arkitekti belg Havie Dë Gejter. Dhe këta arkitektë pa liçenca shqiptare morrën jo vetëm konkurset e vendosura që më parë të projekteve publike, por të gjitha projektet e ndërtimeve shtetërore. Dhe sikur të mos mjaftohej me kaq, por të gjithë investitorët seriozë shqiptarë detyrohen të shkojnë bëjnë projektet tek këta arkitektë të Ramës. Një nga ndërtuesit më të njohur në Korçë, që kishte zgjedhur prej vitesh të punonte me arkitektin e njohur Vladimir Bregu, u detyrua të shkonte dhe “të falej” tek australiani Uilson, që nuk është as në gjysmën e nivelit të arkitektit shqiptar.

Unë jam për tregun e lirë në fushën e projektimeve. Nuk ka asgjë të keqe, që në Shqipëri të kemi edhe projekte nga arkitektë italianë, grekë, francezë, gjermanë dhe amerikanë apo kanadezë. Nuk jam as në kundërshtim që të ketë lehtësime edhe për marrjen e liçencave shqiptare nga studiot e huaja të interesuara për të punuar për projektet shqiptare. Por kjo vjedhje e hapur ndaj investitorëve shqiptarë, ndaj projektuesve shqiptarë, ndaj publikut shqiptar, jo vetëm që është e turpshme, por ka lënë edhe rezultate që vështirë të korrigjohen për dhjetvjeçarë të tërë. Vëllimi monstruoz në “shtatë xhuxhat” në Tiranë, “përbindëshi “ në pjesën perëndimore të sheshit Skënderbej, Kulla Vrojtuese në Korçë, ndërtimi i shëmtuar në Sheshin e Flamurit në Vlorë dhe shumë të tjera, janë vepra të projektuesve të huaj, për të cilët projektimi në Shqipëri është një shëtitje e shpejtë dhe me fitim të lehtë, për shkak të lidhjeve që kanë me kryeministrinn dhe puthadorësit e tij.

Kësaj i duhet dhënë fund pa qënë tepër vonë! 

Afi


Ajo kishte një buzëqeshje të bukur. Më pat mbetur në mendje buzëqeshja e buzëve dhe syve dhe pata harruar ngjyrën e lëkurës dhe të flokëve. Madje as formën dhe gjatësinë e tyre. Ishte e gjitha një buzëqeshje që të bënte të ndjeheshe mirë.

Kishte ardhur prej matanë detit ose detrave dhe punonte në një bar. Duhet të ishte diku në mesin e të 20-ve, por ishte po aq e freskët dhe fëminore sa në një adoleshencë të hershme. Unë shkoja në bar mëngjesave, kur kishte pak njerëz, por të shumtë ishin edhe ata që kalonin në trotuarin pranë barit dhe porosisnin duke thirrur të njëjtën kafe. Ajo ju përgjigjej me gaz në buzë edhe pse mund ta dinte se disa syresh dëshëronin më shumë se një kafe. Kishte mësuar t’i njihte njerëzit në ato pak vite pune. Sidomos meshkujt, që shpesh ngatërrojnë buzëqeshjen me dëshirën për të zgjatur bisedat.

Afi jetonte vetëm në një apartament të vogël, ku mundohej çdo gjë ta kishte në rregull, të ndryshme nga rrëmujat e darkave në bar, ku përzjerja e koktejeve me zhurrmat e vendasve dhe gjuhët e huaja të turistëve, krijonin një kakofoni, që pas shumë orësh punë e lodhte. Në atë “limerin” e saj ku sundonte rregulli pëlqente të çlodhej dhe të thurrte endërrat. Për të takuar më shumë njerëz si vetja, diku, ku njerëzit janë të lirë. Nëse vërtet ekziston një vend i tillë.

Më pëlqente të merrja një lëng portokalli të shtrydhur nga vetë Afi, se më dukej sikur isha në një vend ekzotik, ku nuk kanë hyrë pesticidet dhe të tjerat kimikate dhe jeta është po aq e vërtetë dhe e ngadalshme, sa edhe lëngu që rrjedh nga fruti i pjekur. I kërkoja të mos më hidhte akull, si për të mos ftohur buzëqeshjen e saj. Dhe ndërsa mundohesha të kuptoja se si ishte sjellë jeta me të, ç’farë zhgënjime mund të kishte patur nga djemtë a nga ata për të cilët punonte, ajo më tregonte se kujdesej për të studiuar motrën më të vogël në kryeqytet. Nuk ndodh shpesh kjo në botën ku jetoj. Pa dashur të them se është më mirë apo më keq. Se në fund të fundit kjo është bota e vërtetë. Me të do përplaset edhe motra e vogël e Afit, që tani studion me paratë që i dërgon më e madhja.

Afi nuk është naïve edhe pse buzëqesh gjithë ditën dhe thuajse e ndan me të gjithë gazin e saj për jetën. E di, që shumë njerëz nuk janë ata që shtiren se janë dhe shumë të tjerë mund të mundohen të përfitojnë nga bujaria e saj. Por nuk i bëhet vonë. Vetë jeta është më e bukur se njerëzit. Këtë ka kuptuar prej vitesh dhe mundohet të gëzojë çdo çast. Në kontinentin ku punon, që është aq i ndryshëm nga kontinenti prej nga vjen.

Ndaj buzëqesh aq shumë Afi!

Monday 20 June 2022

“Peshkaqeni katarosh”


Nuk gjeta nofkë më të goditur për një hotel në ndërtim e sipër, diku në afërsi të Golemit. Padyshim i hyj në hakë edhe peshkaqenit më të shëmtuar të ujërave të globit. Qëniet e gjalla nuk mund të kenë të tilla trajta të pë]udnuara.

Nuk di se kush e ka të drejtën të japë leje ndërtimi në këtë pjesë të Adriatikut, por edhe pse përgjithësisht jam për decentralizim të pushtetit, në rastet e vijës sonë bregdetare diçka duhet bërë. Ndoshta një lloj këshilli urbano-turistik, i cili përcakton jo vetëm master-planet e zonave ndërtimore në bregdetin shqiptar, por miraton edhe lejet e ndërtimit.

Ndërtimet prej Plepave dhe deri në këtë zonë të plazhit, përgjithësisht janë të dobëta, të stërngjeshura dhe me shumë pak gjelbërim përreth, por ky hotel, që ndërtohet së fundmi, ka pas jo vetëm investitorë lakmitarë, por edhe një tufë me projektues dhe miratues, që nuk kanë dashur të mësojnë nga gabimet e bëra më parë nga të tjerët.

Eshtë tepër i padimensionuar mirë si vëllim, dhe me një arkitekturë “terrorizuese” në fasadat e tij. Ballkonet, që dalin si dhëmbë prerës të mbivendosur të një peshkaqeni, nuk të krijojnë ndjenjën e duhur të prehjes dhe qetësisë, që supozohet të ketë një ndërtim me funksion pushimet. Një përpjekje shumë amatoreske, gati prej student të viteve të para të arkitekturës, që dëshëron të bëjë diçka “origjinale” për t’I rënë në sy pedagogut. Për më tepër, ballkonet mendohen me një mbështejtje butaforike nga poshtë, që përveçse komplikon ndërtimin dhe shton koston e tij, nuk duket se ju bën ndonjë dobi fasadave.

Si mund të projektohet kështu në vitet ’20 të shekullit të ri?

Kjo është pyetja që të vjen ndërmend dhe të cilës nuk je në gjendje t’i japësh përgjigje. Të duket se përgjigjen ja u ka dhënë Celentano në këngën e tij të famëshme “La situazione non e buona”. Por ai e ka për arkitektët italianë dhe ne duhet të kishim mësuar më shumë të mos bënim atë që kanë bërë gabim ata.

Për fat të keq, “peshkaqeni katarosh” dhe shumë ndërtime të tjera të dobëta do mbeten për vite të tëra në plazhet tona.

Sunday 19 June 2022

Akuarel

Një ditë

Nën pelerinën e qullët të shiut.

Nuk kam ku i ndej ëndërrat,

Nuk kam as si të shtrydh mendimet;

Nën një fishkëllimë të erës së veriut

Nuk mund të avullojë gjithë uji i fjalëve,

As të përthahen trishtimet.

Njomur më tepër se se një shparcë

Eshtë buza.

Shiu më ka qullur deri në palcë,

Plot pellgje është rruga.

Këngët nuk janë në gjendje të fluturojnë

Me krahët e rënduar nga lagështia,

Vetëm mund të mbeten si stërpikje

Në akuarelin stërmadh

Të ditëve të mia.

Shtigjet që zgjaten në këtë udhëkryq,

Të gjitha drejt ujrave shkojnë

Ndaj pa lëvizur po rri.

Mes grisë,

Jeshiles

Dhe një të kuqeje që rrjedh

Eshtë mëngjes dhe bie shumë shi.

Makthi i një nate vere


Nuk di nga se e pata mbrëmë atë ëndërr-makth, që nuk e kisha parë ndonjëherë gjatë jetës sime. Nga vapa, nga një melodi që dëgjohej larg a nga stina e dasmave që po afron në atdhe. Ndoshta nga asnjëra prej tyre.

Pashë sikur isha në dasmën time. I larë, i rruar dhe i kruar dhe i veshur me një smoking. Jo e gjitha ka mbetur ende e gjallë sepse mjedisi i dasmës alternohej nga një sallë me shkëlqim të çuditshëm në një sipërfaqe të gjelbër e kufizuar nga një korije. Isha koshient që martohesha dhe kisha shumë detyra për të përmbushur, por nuk dija se me kë martohesha dhe nuk më bëhej vonë të shihja atë me të cilin do kaloja pjesën e mbetur të jetës.

Mendjen e kisha tek miqtë, që jo vetëm ishin në lëvizje e sipër , por shumë syresh ndryshonin fytyrat. Ndryshonin fytyrat dhe vendet ku ishin ulur dhe më të shumtëtë dukeshin të pakënaqur. Kjo më mundonte. Se me kë do martohesha nuk më dukej se do ishte ndonjë problem se mund ta lija pas pak kohësh, por qejfmbetjet do ishin të përhershme. Dhe pa u rregulluar të gjithë në vendet e tyre, papritur nisi të këndojë Eli Fara, që stononte sa herë i afrohej një krushk i gjatë dhe diçka i pëshpëriste në vesh. Pranë kisha një mikun tim të afërt, që diçka binte me krushkun e gjatë, por kur I thoja të largonte gjatoshin nga Eli ai shkrihej në gaz. Duhet të ishte rrumbullosur mirë para se të niste dasma. Nuk më kujtohej të kishte qënë në limuzinë mes shampanjës që derdhej lumë.

Ju afrova vetë Elit, që kishte nisur të lëshonte një si piskamë, por sa po I thoshja të ulte pak zërin më tha :Jam Spanja Pipa!, gjë që më tronditi dhe mendova se do isha në dasmën e dikujt tjetri. Por jo isha në dasmën time dhe këtë ma vërtetoi fytyra e shqetësuar e avokatit tim, që po më kërkonte për të më thënë se duheshin menjëherë dy unazat. “Cilat unaza?” e pyeta i hutuar dhe ai më futi një të sharë, që nuk kishte aspak karakter dasmor. Për fat të mirë, avokati u largua pa këmbëngulur shumë për unazat, por më la me një mikun tim që maste vazhdimisht temperaturën nën sqetull me një termometër të vjetër dhe këmbëngulte që duhet ta matja edhe unë në atë ditë të rëndësishme të jetës sime. E futa termometrin në sqetull por më binte vazhdimisht dhe miku im shqetësohej gjithnjë e më shumë. Më shpëtoi një piktor me buzë të holla dhe që dikur duhet të kishte patur kaçurrela, që solli një kuadër të tij si dhuratë dhe më kërkoi t’ja hiqja mbështjellësen.

Ja hoqa gjithë kureshtje dhe pashë se edhe një tufë grash të ftuara po prisnin me po aq kureshtje, kur më tmerroi ajo që pashë. Ishte figura im cullak dhe për më tepër, organi mashkullor i imi, i rrethuar nga një tufë qimesh të gjelbra ishte vizatuar mbi sup. Nuk dija ku ta fshija ndërsa buzëholli buzëqeshte nga veshi i djathtë i tij e deri tek gjysma e hundës, që më bëri të mendoj se nuk vinte nga bota jonë. Gratë kureshtare morrën të shkonin drejt kories të indinjuara dhe nuk kisha as guxim t’ju thoja mos largoheshin se dasma sa kishte filluar.

Më pas u shfaq njeriu me dacin e zi, për të cilin nuk isha i sigurt në ishte i ftuar nga unë apo nga pala kundërshtare. Diçka mbaja mend që kishim shënuar në ftesa për qentë, por për macet nuk isha i sigurt nëse kishim pranuar t’i lejonim apo jo. Megjithatë daci dukej shumë miqësor dhe nëse i ftuari do e mbante të përqafuar gjithë kohën, nuk kishte rrezik të futej nën fustanin e ndonjë të ftuare nderi. Për më tepër e vetmja e ftuar nderi ishte Dua Lipa dhe ajo mbante një minifund tepër të shkurtër. Niko Peleshi, i ftuari i nderit nga meshkujt nuk kishte fustan.

Diçka e njohur kishte nisur të luhej nga orkestra që përbëhej nga një që i binte daulles dhe një tjetër që i binte zurnasë. Ishin tingujt e të mirënjohurës “Valle e Napoleonit”, që bënë që të ftuarit të ndryshonin fytyrat e tyre të vrerosura në ato gazndjellëse, por sërish më afrohet avokati i shqetësuar dhe nën zë më thotë “Ku e ke shaminë e beqarit?Shaminë e kujt?- e pyeta. “Të beqarit, gomar- më tha- ta dhashë para se të niste dasma!” Nisa të kërkoja me rradhë të gjitha xhepat po sigurisht që shami nuk kishte. Për më tepër duhej edhe ajo e beqarit që më kishte dhënë avokati. “Nuk bën shami tjetër?”- e pyeta duke kërkuar me sy ndonjë shok të afërt që nuk po luante valle dhe mund të më nxirrte nga ajo situatë e vështirë. “Nuk mund të quhet e konsumuar martesa!”- më tha i preokupuar, por konsumimi i martesës nuk ishte ndonjë gjë që më shqetësonte. Mjaft të kryhej riti. Avokati nxorri nga dosja një shami tjetër dhe më tha ta ndizja: “Digje shaminë e beqarit!” dhe ai ishte çasti më i paqtë i gjithë atij makthi. Se për t’ju vënë gjërave zjarrin jam i vetmi. Shamia e njomur me raki u ndez dhe unë nisa ta rrotulloja gjithë gaz mes dasmorëve që duartrokisnin nën ritmin e daulles dhe të zurnasë. Kështu deri sa një nga kordonat e mëdhenj të mëndafshtë, që zbrisnin nga shandani i madh i sallës mori zjarr dhe më pas dihet se ç’ndodh… Mes klithmave të grave, hargalisjeve të të dehurve, dasmorët nisën të vraponin drejt daljeve të mbyllura, gjë që shtoi lëvizjen e masave të ajrit dhe ndihmoi flakadanët…

…U zgjova i djersitur dhe me zemrën që më rrihte si kurrë ndonjëherë…Ishte mesi i një nate pragvere…

 

Dialog aburd në gjuhën mëmë


 


-          Shëndet!

-          Plaç!

-          Po përse më përgjigjeni kështu? Shëndet ju thashë.

-          Në pamje të parë ashtu duket, por dallova djallëzi dhe cinizëm në zërin tënd.

-          Të më ndjeni, po nuk kishte as djallëzi dhe as cinizëm. Vetëm me shumë dashamirësi ju urova të jeni sa më i shëndetshëm.

-          Pse ju duket se nuk jam i shëndetshëm? Nga arrin në këtë përfundim?

-          …Nuk them se nuk jeni i shëndetshëm…por kështu më kanë mësuar t’ju them njerëzve kur teshtijnë.

-          E shikoni që hezitoni! Ka shum mungesë sinqeriteti në këtë hezitim. Përdorni gjoja dashamirësinë për të maskuar me mjeshtëri cinizmin tuaj , të cilin isha në gjendje ta dalloja! Komplimente!

-          Më vjen keq për këtë keqkuptim, por nuk kisha asnjë qëllim të keq.

-          Po pse keni lëkundje zëri? Sepse me gjithë përzjerjen mjeshtërore të ironisë me cinizmin, ju e keni kuptuar që tek unë këto nuk ju shkojnë! Ndaj duhet të më kërkoni ndjesë ose të tërhiqni atë që thatë në fillim. Për më tepër është edhe një shkelje e hapur e privacisë.

-          Po ku hyn privacia këtu? Ju posa teshtitë këtu në park të hapur, me një fjalë në publik.

-          E teshtitura është një çështje tërësisht personale dhe private dhe unë kërkoj të respektohet deri më një privacia ime. Ka ligje në botë për këtë.

-          Më vjen keq dhe ju kërkoj përsëri ndjesë në ju kam lënduar.

-          Po vazhdoni me ironinë tuaj të stërholluar, por po ju flas në emër të të gjithë teshtitësve në botë, të cilët doni t’i diskretitoni, që do e ndjek ligjërisht këtë çështje. Jam në gjendje të dalloj ujkun e mbështjellë në gëzofin e rudë të mirësjelljes.

-          Po largohem, por përsëri do më duhet t’ju uroj: Shëndet!

-          Plaç edhe njëherë!