Saturday 31 August 2013

Neser nis vjeshta e plazheve.


PLAZHI NE VJESHTE

 

 

Une e di që vjeshta erdhi

Dhe askush nuk është më në plazhin e braktisur.

Varkat janë kthyer thellë në tokë

Rosat e egra diku fshihen,

Vajzat kolegjet kanë rinisur.

 

Dhe liqeni më pas është hequr,

Ndoshta dhe ai filloi të mardhë

Një ketër pa bisht ngjan i tukequr,

Nga pas e ndjek një pulëbardhë.

 

Guaca të bardha, sa shumë guaca

Kanë dalë vjeshtës në këtë breg

Mbrëmja po bie dhe si dy gaca

Nga larg ndriçojnë faret e verdh'.

 

Unë ec i vetëm dhe s'di ç'kam dashur:

Të puthja sytë e njomëzuar

Me lotët ende mbi qerpik,

A të shëtisja me ty këmbëzbathur
 
Plazhit të kripur përmbi tropik?

Thursday 29 August 2013

Refleksione mbi Letren e Guerrieros (2)


Eshtë ora 7 e mëngjesit të 21 shtatorit 2013. Ai zgjohet në Botën e Festës së Përditshme. Mrekullia ka ndodhur prej disa ditësh. Nuk bëhet më luftë në Afganistan e taleibanët ndihmojnë ushtarët e NATO-s të hipin avionëve për t'u kthyer në vendet e tyre; Putin paraqet kompleksin "Pussy Riot" në një koncert bamirësie për vejushat çeçene; Asadi i rikthehet profesionit të okulistit dhe përpiqet t'ju kthejë shikimin  fëmijëve të verbuar gjatë bombardimeve; në Amazonë indigjenët festojnë bashkë me pronarët e ndërtimit të rrugëve festën e Pyllit të Përjetshëm; në plazhet e Meksikës fëmijët mbulojnë deri në grykë me rërë priftërinjtë pedofilë që janë vetëskopitur; izraelitë dhe palestinezë të ndihmuar edhe nga qindra vullnetarë të tjerë nga e gjithë bota rindërtojnë në tre ditë Tempullin e Solomonit si simbol të Paqes; Obama dhe Zhulien Asanzhe katalogojnë sëbashku dokumentet e mëparëquajtura sekrete; në Japoni, gjuetarët e balenave dhe veprimtarët e "Green Peace" kultivojnë sëbashku harenga.

Pasi mbaron dushin dhe ka larë dhëmbët, Ai del nga shtëpia, nuk e mbyll derën, se fqinjët mund të duan  të përdorin gjëra të tij dhe i hipën biçikletës për të mos përdorur makinën, e cila edhe pse hibride mund të ndohtë mjedisin. Nuk ka ndonjë plan të caktuar në kokë se e di që jetohet për çastin dhe bota mund të ketë nevojë për aftësitë e kontributin e tij, në mënyra nga më të paparashikueshmet. Para disa vitesh ka studiuar për piano, por njëkohësisht ka edhe diplomë riparuesi automjetesh dhe zjarrfikësi.  Ndonëse qielli është i vrejtur, kalimtarët janë të gjithë të gëzuar e përshëndesin njëri tjetrin me kokë, duar e pasthirrma gëzimi. Eshtë e shtunë dhe nëpër rrugë ka vetëm të rritur, se fëmijët zgjohen më vonë në ditët e fundjavës. Papritur, një grua e moshuar rrëzohet në trotuar, jo se dikush e shtyu apo u mundua t'i bënte keq, por thjesht se pingulja e hequr nga qendra e saj e gravitetit i doli hashtë bazës së mbështetjes. Ai le biçikletën e vrapon ta ndihmojë, por para tij kanë arritur të tjerë më të shpejtë, që e ngrejnë të moshuarën, përkujdesen për të, bile një infermiere rastësore ka me vete një çantë të ndihmës së shpejtë dhe e vetmja gërvishtje në këmbë mjekohet menjëherë. Ai vazhdon rrugën i gëzuar që çdo gjë shkoi mirë dhe mendon sa bukur tingëllon të jesh Njeri. Në ekranet e mëdha elektronike mbi ndërtesa ose në faqet e qelqta të tyre krahas pamjeve direkte nga e gjithë bota, që tregojnë elefantë të lumtur nëpër savana, ose ajsbergë gjigandë, dalin vazhdimisht tekste rreth çka ndodh në botë, mundësive ditore për punë, arritjes dhe nisjes së avionave, nevojave të menjëhershme për vullnetarë, orareve të festivaleve të muzikës e brinjëve të pjekura, adresat e parqeve ku jepen mësime për të gjithë e të tjera informacione për jetën e çdokujt. Atij i tërhoqi vëmendjen një shënim "Kërkohet pianist për një drekë datlindjeje në Shtëpinë e Clodhjes në Bulevardi i Gështenjave nr 168". Bulevardi i Gështenjave ishte në anën tjetër të qytetit, por mund të arrinte në kohë edhe pa kaluar shpejtësinë e mjeteve të qarkullimit në qytet.

 (vijon)

Wednesday 28 August 2013

Refleksione mbi Letren e Guerrieros


Letra e profesorit -barbon Guerriero të emocinon e ve në mendime, por më pas nxit dhjetra pyetje, shumicës të së cilave nuk mund t'ju japësh përgjigje.

E para dhe më e vështira është: A ekzistojnë tridhjetë ose disa qindrat Padronë të Botës?

Sidomos në ditët e sotme, kur të Plotfuqishmit nuk janë më Perandorët, të cilët i di gjithkush edhe nëse nuk e ka të lehtë t'i shohë apo takojë, përgjigja e kësaj pyetje është thuajse e pamundur. Le ta marim për pak  të mirëqënë ekzistencën e tyre dhe të vazhdojmë me pyetjet e tjera.

 Si do jetë bota pa këta Padronë?

Guerriero thotë që do jetë një festë e madhe e përditshme në gjithë planetin e mbuluar nga gëzimi dhe njerëzit do kenë zbuluar përfundimisht vlerat e të qëniet Qënie Njerëzore.

Si mund të jetë kjo festë e përditshme?

Eshtë e vështirë të abstragosh e të krijosh në mendje një "party" stërgjigande, që nuk rreshtën as ditë as natë. Cdokush bën atë që i pëlqen, ndihmon më të dobtit, krijon art, luan, shëllëret në plazh, i ngjitet Everestit, ushqen delfinët, ndërton anije kozmike, mbarështron flutura, plehëron vreshtat, rri me këmbët në vija e ujit, përkëdhel lemurët në Madagaskar. transplaton organe tek të sëmurët, i bie cimbalit, sharton pemë në pyjet tropikale e mijra e mijra gjëra të tjera që hyjnë në kategoritë e profesionit dhe hobit. Ndoshta hollësi të një jete e një feste të tillë nuk i gjen as në Kampanela e Mur, në socialistët e tjerë utopikë e as deri tek Xhon Lenon, që imagjononte një botë në paqe, pa kufij e prona, pa gjakderdhje e besime fetare.

Tek njerëzit mbizotëron altruizmi dhe gëzimi i të bukurës e mirësisë, kënaqësia që sjell dashuria dhe përkushtimi ndaj të tjerëve.
Le të mundohemi e të fantazojmë rreth njëzetekatërorëve të një njeriu të zakonshëm të rritur, në Botën e Festës së Përditshme.
(vijon)

Gega i Matit (vazhdon Pjesa I)


 

Eneu- Sot na duhet të zbulojmë domethëniet e të vërtetave që fshihen brenda tij.

Buthroti - Ti mendon që do flasë?

Eneu- Eshtë shpresa jonë e fundit.

Buthroti - Po sikur të gjejmë Noran?

Eneu- Janë munduar të tjerë më parë. Nuk kanë arritur.

Buthroti - Eshtë zhdukur pa lënë gjurmë?

Eneu - Askush nuk e di. (Me zë të ulët) Flitet se e kanë rrëmbyer dhe e kanë flijuar në një llozhë masonësh.

Buthroti - Edhe këtu masonët?

Eneu- Ata janë kudo.

Buthroti - Po pse të rrëmbenin Noran? Mund të kishin ekzekutuar filozofin vetë.

Eneu - Donin heshtjen e tij. Vrasja do zgjonte revoltën popullore.

Buthroti - Idetë e këtij bien ndesh me sistemin e ndërtuar prej tyre?

Eneu- Më tepër se ideve ju tremben profecive.

Buthroti- Të gjitha i kanë dalë?

Eneu- Të gjitha që njerëzit i kanë dëgjuar. Ka që kanë humbur në kohë ose i ka dëgjuar vetëm Nora...(i vendosur). Nuk mund të lemë më të shkojnë të tjerat që kanë të bëjnë me fatin e milionave.

Buthroti- Do e zgjojmë?

Eneu- Të thashë është zgjuar... duhet të bëjmë diçka që të fillojë të flasë.

Buthroti- Të klith për ndihmë?
 
(vijon)

 

 

 

 

 

Monday 26 August 2013

A duhet te jemi Minimaliste?


Para disa vitesh, një i njohuri im në atdhe më tha "Ti je minimalist." U stepa pak nga njohuritë e tij për arkitekturën (ndonëse kishte disa vjet që frekuentonte studio arkitekture), por sidomosa nga fakti, që unë kam qënë gjithmonë i prirur drejt Minimalizmit në arkitekturë, por këtë gjë nuk e kam shprehur as në diskutime mes kolegësh. Zaten, gjithnjë kam menduar, se tërheqja në vitet studentore ndaj arkitekturës japoneze apo ndaj veprave minimaliste të Mies van Der Rohes, më tepër se një orientim estetik, tek unë ishte krijuar nga dëshira për t'i mbaruar projektet me sa më pak punë.

Por i njohuri im nuk e kishte fjalën për prirjet e mia, pasi kur e pyeta se nga e dinte, më tha që vite më parë, në zyrën time i kisha rrëfyer se isha i kënaqur, po qe se nga puna private do nxirrja një sasi të caktuar parash në muaj. E kuptova, që me minimalizmin tim ai kuptonte "kënaqjen me pak", "mungesën e ambicieve për një jetë plot begati e suksese". Duket që "filozofia" ime për paratë ishte, për të, tepër e dobët dhe jo e kohës. (Për të qënë i drejtë, ai vërtet ka arritur shumë dhe vazhdon të ngjitë shkallët me prirjen e tij maksimaliste-sa më shumë aq më mirë.)

Po a është më i dobishëm "minimalizmi" im, "maksimalizmi" i të njohurit tim apo një rrugë më e mesme të cilën le ta quajmë "optimumizmi"?

Do mundohem t'i shoh nën një dritë pozitive të tre tipat dhe mundësisht në një rrafsh që e kapërcen atë të vendit tonë.

"Maksimalisti" i fillimit të këtij mijëvjeçari është i sapodiplomuari (ose dhe dikush që ndryshon profesion), që mendon të bëjë një karrierë të shpejtë e të bujshme në fushën e biznesit, financave të mëdha, politikës ose në të trejat bashkë. Energjik, i pagjumë, "maksimalisti" kërkon të shfrytëzojë çdo sekondë të ditës, të krijojë lidhje me njerëzit(sidomos të fuqishmit), të grumbullojë informacion por më shumë para, prona e vepra arti, të vizitojë sa më shumë vende ekzotike, të jetë i adhuruar nga një numur i pakufizuar përfaqësues të seksit tjetër (ose të të njëjtit kur është homoseksual), të ndihmojë sa më shumë nga ata që i përkasin rrethit të tij e për më tepër ata që nuk i kundërshtojnë ose ekzaltohen pas çdo fjale të tij. Ai jeton në vila t[ m[dha, të ndërtuara me shije dhe të kompletuara me paisjet më të fundit, përdor automobilë me motorrë të fuqishëm, ndërsa në verë, edhe nëse nuk ka ende jaht, lundron me skafe të shpejtë. Modelet e tij për jetën janë Berluskoni, Abrahamoviç, Tramp e kompania bela. Nuk ka asnjë ideologji të caktuar, e mund të përdorë çdo ideologji a orientim spiritual, për të arritur synimet në jetë. Lexon në atë kohë të pakët që i mbetet, se nuk do të konsiderohet i pakulturuar. Pëlqen dhe mbështet artet, e sigurisht më të lehtë e ka ta bëjë këtë me paratë e taksapaguesve.

(vijon)

Per Enin - Edgar Allan Poe


PER ENIN

 

 

Falë zotit, që kriza,

               Rreziku u mund,

Dhe i gjati lëngim,

               Mbaroi më në fund

Ethja  qojtur "Jetë",

               U mposht më në fund.

 

I trishtë se e di

               Forca m'ka lënë

Dhe gisht dot s'lëviz

               Gjërë e gjat' rënë

Por s'prish punë!- e ndjej

               Më mir' jam i rënë.

 

Dhe jam aq i ngrirë

               Në të drunjtin shtrat,

Sa kush të më shohë,

               Do thot' kaq e pat,

Ta ngremë në krahë

               Se ky kaq e pat.

 

Rënkimet, afshimet,

               Cfilitjet, ankimet

Tani kanë rreshtur,

               Me ato drithërime

Të zemrës- oh tmerr,

               O tmerr drithërime!

Sëmundja, përzjerja,

               Therrësja dhembje,

U ndalën me ethen

               Që më lojti mendjen,

Ethen qojtur "Jetë"

               Që zhurriti mendjen.

 

Dhe nga gjith' torturat

               Ajo më e keqja

Ka rreshtur- e merrshmja

               Torturë nga etja

Për lumin e helmët

               Mallkimin tek vetja-

Kam pirë të tillë ujë

               Që të shuhet etja;

Një ujë që buron

               Nanurit me nge,

Nga burimi vetëm

               Dy pash' nënë dhe

Nga një guvë thellë,

               Dy pash' nënë dhe.

 

Dhe kurrë s'do thënë,

               A folur përçart,

Pa dritë kam dhomën

               Të ngusht' timin shtrat,

Se gjithnjë njeriu

               Fle në atë shtrat,

E të flesh do dergjesh,

               Në të tillë shtrat.

 

Shpirti i dërmuar

               Këtu prehet qetë,

Lënë, po jo penduar

               Për gulçet në jetë,

Ato shpupurisje,

               Si të gonxhes fletë.

 

E tani i shtrirë,

               I qetë më ngjan,

Se e shenjtë aromë,

               Erë jargavan,

Rozmarinë erë,

               Përzjer' jargavan,

E pështjell të gjithin,

               Kjo erë jargavan.

 

E zhytet i lumtur

               Ujrave t'Edenit,

N'ëndërr mirësie

               Bukuri të Enit;

Fundosur i gjithi

               Krrelave të Enit.

 

Ajo më puthi ëmbël,

               Më ledhatoi pastaj,

I përkundur u ndjeva

               Të fle në gjoks të saj

Në thellëgjum' të bie,

               Qiellorit gjoks të saj.

 

Kur ditën mundi nata,

               Më mori në mbrojtje,

Dhe ëngjëjve ju lut

               Të mos kisha vojtje,

Më të madhit ëngjëll,

               Të më bënte mbrojtje.

 

Dhe jam aq i ngrirë

               Në të drunjtin shtrat,

(Me dashurinë e saj),

               Ju thoni kaq e pat;

Po jam aq i lumtur

               Në të fortin shtrat

(Me të në kraharor)

               Ju thoni ky e pat;

E dridheni të m'shihni

               Kujtoni kaq e pat.

 

Por të zemrës dritë

               As qiellit s'e gjeni

Më e fortë se yjet

               Se ndriçon nga Eni;

Më ndrit me shkëlqimin

               Që buron nga Eni;

Nga i syve ndriçim,

               I të mirës Eni.

 

 

 

 

 

 

 

 

              

 

 

Sunday 25 August 2013

Thenie te tjera te Comskit.




  • Po qe se do kishte në Mars qënie që na vëzhgonin, do ishin çuditur se si kemi mbijetuar kaq gjatë.
  • Nëse do aplikoheshin ligjet e Nurenbergut, të gjithë presidentët amerikanë të pasluftës duhet të kishin përfunduar në litar.
  • Ka rëndësi se kush qeveris, por më e rëndësishme është se sa e madhe është trysnia që ushtron publiku mbi të.
  • Bëhet një propagandë e jashtëzakonshme për të konsumuar. Konsumi bën mirë për fitimet, por bën akoma më mirë për këtë sistem politik.
  • Shpesh kam menduar se nëse do kishte ekzistuar një diktator i arsyeshëm Fashist, do kishte zgjedhur (për qeverisje-nm) sistemin amerikan.
  • Nëse dikush punon 50 orë në javë në fabrikë, nuk ka kohë të lexojë 10 gazeta në ditë e më pas të shkojë e të lexojë në arkiva, dokumentat jo më sekrete të qeverive.  Ata që mund ta bënin do kishin kuptuar thellë se si funksionon bota sot.
  • Tradita intelektuale është ajo e servilizmit ndaj pushtetit e nëse nuk do e kisha tradhëtuar do më vinte turp nga vetja.


Saturday 24 August 2013

Gega i Matit (vijim i pjeses I)


Buthroti (I habitur)- Mbante dhi pas?!!!

Eneu- Nje dhi të vogël. Me të fliste shpesh.

Buthroti- Fliste me dhinë?

Eneu- Ishte më tepër një dialog, ku ai pyeste Noran dhe më pas përgjigjej vetë.

Buthroti- Normal... C'tha kur i iku dhia?

Eneu- " Kur Nora mund të bëjë pa mua edhe unë duhet të bëj pa të."

Buthroti- Si e interpreton ti?

Eneu- Interpretimet janë disa. Nëse Nora përfaqëson për të popullin dhe ai vetë ndjehet udhëheqës, kuptimi është- Mjerë për popullin që largohet nga udhëheqësi. Nëse tek ajo ai shihte të vetmen gjë të afërt që i kishte mbetur atëhere interpretimi më i saktë është - Njeriu duhet t'i nënshtrohet fatit në jetë. Dhe i treti është - Nëse një qenie më e ulët mund të mbijetojë pa ndihmën e një qënie më të lartë, e anasjellta pranohet pa vërtetim.

Buthroti- (i menduar)- Po nuk është e treta domethënie e përafërt e të parës?

Eneu- Aspak. E para është një kontribut filozofik i evoluar i shprehjes së popullit "Dhinë që ndahet nga tufa e ha ujku".

Buthroti-( e ndërpret)- Delen.

Eneu-(tund kokën në mënyrë nënvleftësuese)- Pak rëndësi ka. Po flisnim për Noran. Dhe nëse ajo simbolizon tufën, pra edhe turmën, largimi nga udhërrëfyesi ose nga ideologjia është vetvrasje kolektive. Ndërsa domethënia e tretë është krejt darviniane. Mbijetesa e më të ultit është në varësi të drejtpërdejtë nga mbijetesa e më të ultit.
 
Buthroti- (mendohet një çast) Normal...

Friday 23 August 2013

Vendi i Laraskave (mbyllje)


Për fatin e keq të Shqipeve, Gjoni nuk kishte të njëjtën hundë si  i jati, ose nuk i ishte rritur akoma, ndaj menjëherë pas vdekjes së Heroit Kombëtar, ne u kthyem në një Vend Pëllumbash të egër me çallmë. Trumba trumba Pëllumbat e egër fluturonin sa në një shkëmb në një tjetër, pa bërë të mundur të ndryshonin Vendin. Kështu vazhdoi për disa shekuj deri sa erdhi një tjetër Hundëzhgabë dhe u kthyem në Vendin e Zogut. Kjo ishte edhe periudha më e çuditshme për të identifikuar veten apo për të na kuptuar të tjerët, se Zogu jonë kombëtar nuk ishte as Shqiponjë, as Pëllumb me çallmë, as Pulë e Egër, as Qyqe dhe as Buf. Ishte një Shpend hibrid që edhe pse nuk ngjante me asnjë nga të sipërpërmendurit, kishte diçka nga sejcili prej tyre. Sqepshpinonje, sybufi, kthetra pëllumbi, krahëqyqeje dhe zërin si të pulës së egër. Veç hibridët nuk shkojnë gjatë dhe nuk lenë trashëgimtarë ndaj për gati dyzet vjet ne u kthyem në Vendi i Korbave në brigjet e Adriatikut. Të veshur me rroba të errëta e të gjithë me këpucë të zeza, ne i ngjanim(sidomos kur mblidheshim në stadiume) një ushtrie korbash të udhëhequr nga Kryekorbi dhe Nënkorbat e tij Politikë. Ishim Korba krenarë, që na dukej vetja shqiponja sepse recitonim me vend e pa vend "Shqiponjat fluturojnë lart". Dhe në dallim nga gjithë soji i Sorrave dhe Gallofëve, ne kishim harruar edhe shprehjen "Korbi korbit nuk ja nxjerr sytë", se s'lamë sy pa i nxjerrë njëri tjetrit dhe synxjerrjen e patëm pagëzuar me emrin shkencor "lufta e klasave". Po një ditë të zezë Prilli, Kryekorbi na la dhe ne të nxirrë më shumë se kurrë krrakarritnim pa ja ditur nga t'ja mbanim. Deri sa na hynë mendtë ca e nga ca dhe evoluam në Laraska.

Tani tek ne gëlojnë të gjitha varietet e Laraskave. Dhe kjo për meritë të një Hundëzhgabonje tjetër, që ka llomotitur pambarim për njëzet vite e më shumë.

Tek ne gjen nga ato pa bisht, që s'fluturojnë dot dhe mezi ushqehen se marrin ushqimet me listë.

Gjen Laraska të zgjuara e hilanjose, që fryjnë universitetet me studentë, të cilët nuk dinë se ku do shkojnë një ditë. Këto laraska të squta marrin e ndonjë lekë nën dorë për të të kaluar në provime.

Gjen Laraska zëçjerra që trumbetojnë përditë të pavërtetat në televizione e gazeta, në shërbim të padronëve që kanë.

Mbi të gjitha këto, shquhen Laraskat Supervjedhacake që kryesojnë partitë e qeveritë, e që rrëmbejnë me krenari e devotshmëri, çdo gjë me vlerë, që ju jepet në varësi të vulave që kanë të varura në qafë.

Dhe që të gjitha e kanë kaluar me sukses Provën e Pasqyrës!

Thursday 22 August 2013

Vendi i Laraskave (vijim)


Apo nga që laraska e sheh veten të shëmtuar në pasqyrë edhe kur është me bisht (kujto shprehjen e popullit "si laraskë pa bisht") e për t'i ngjarë mjellmës ose palloit, rrëmben xhingla të ndritshme e mundohet pa sukses t'i bashkëngjitë në pendët e saj?

Po këtë e bëjnë edhe shumë shëmtaqe në viset tona (dhe jo vetëm në viset tona), që duan të duken gati gati hollivudiane. Thua për këtë ta ketë pasur fjalën miku im?

Le ta marrim të mirëqënë legjendën e hajdutllëkut të laraskave meqë është jo vetëm në kulturën e popullit tonë por edhe të popujve sllavë (po të kujtojmë Sorovka Borovka të Hercenit) e ndoshta edhe të tjerëve. Se popujt në fund të fundit nuk ja futin kot! Laraskat diçka do kenë bërë ndryshe nga shpendët e tjerë joshtëpijakë, që ju kanë ngjitur këtë cilësor.

Për shembull skifteri( jo sklifteri) vërtet i rremben vetëtimthi zogjtë e pulave, por e bën në mes të ditës e në sy të të gjithëve ndaj mund të cilësohet si grabitqar por jo hajdut! Ose bufi, që vërtet përfiton nga nata për të marrë gjëra që nuk i takojnë, (si bëjnë rëndom vjedhësit në botë), po popujt nuk e kanë thirrur me cilësorin përbuzës hajn duke e justifikuar, që ka probleme të shikimit kur ka dritë të fortë ndaj i lejohet të punojë turnin e natës. Në fund të fundit një copë buf është! E kështu mund të përmendim lejlekun, qyqen, kukumjaçkën, çakçukun, micakun e të tjerë me rradhë. (Qyqja psh ju le doçërit në fole të tjerëve t'ja rritin dhe nuk persekutohet si heroina e këtyre rrjeshtave.)

Por edhe nëse laraska, duke vënë në punë intelektin e saj(të vërtetuar tashmë shkencërisht), ka vjedhur gjëra të dobishme apo të padobishme për të, në gjerdhet apo oborret e fshatarëve të varfër, përse ne nga simboli i Shqiponjës duhet të zbresim në simbolin Laraskë?

Ne nuk jemi më hajdutë se rumunët ose italianët. Bile edhe po t'i referohemi shprehjes të popullit "si laraskë pa bisht", tani nuk jemi aq të pocaqisur sa janë grekët.

Përmendja fjalës "tani", më bëri të qartë një gjë. Krahasimi i vendit me Vendshpendëësh ka karakter historik!

Ne duhet të kemi qënë Vendi i Shqiponjave dikur në Mesjetë. Mbase jo të gjithë prijësit shqiptarë kishin Shqiponja në stemat dhe barjaqet e tyre, por sjelljet deri diku ishin të grabitësve sypatrembur. Pastaj erdhën turqit dhe ne u bëmë Vendi i Pulave( e kam fjalën për pulat e egra të pyllit dhe jo ato që rritim në shtëpi për kokove). Për njëzetepesëvjet, me Gjergj Hundëshqiponjën në krye, u kthyem sërish në Vend Shqipesh.

(vijon)

 

Wednesday 21 August 2013

Leter Padroneve te Botes - Gualtiero Mite Guerriero

Ndoshta edhe ne Itali, emri i Guerrieros nuk i tingellon i degjuar kujt. Prej mese 15 vitesh, pedagogu i Historise te Artit te Sapiencas, nuk ju meson studenteve te fshehtat e bukurive te arteve, por jeton nen kembet e Ures se Engjejve si barbon apo si i themi ne si njeri pa plang. I zhgenjyer nga prapaskenat dhe mashtrimet edhe ne tempujt e dijes, Guerriero (e nuk eshte as i pari as i vetmi) zgjodhi te jetoje si njeri i paperlyer me mire nen ure. Edhe letra e botuar prej nje te njohuri te tij ne blogun e Beppe Grilos dy jave me pare eshte shkruar ne ditet dhe netet e jetes te paplangsit.



LETER PADRONEVE TE BOTES nga Gualtiero Mite Guerriero

 

Të dashur miq të varfër e të dëshpëruar,

 

Unë nuk e di as cilët jeni e as ku banoni. Veç për një gjë jam i sigurt, që ju, padronët e sotëm të kësaj bote, jeni në majën e shkallës së trishtimit e të boshllëkut shpirtëror , të cilat për përgjegjësinë tuaj të drejtpërdrejtë, kanë pushtuar planetin tonë të mrekullueshëm. Thuhet, që nuk janë më shumë se disa qindra, ata të cilët vendosin përfundimisht fatet e njerëzve në botë. Bile disa shtojnë, se ata që kanë në dorë të marrin vendimet më të rëndësishme për fatet e gjithë njerëzimit nuk janë më shumë se tridhjetë vetë. Nuk dihet nëse do mësojmë një ditë se cilët jeni e ç'lloj jeni, se edhe pse gjurmët tuaja janë kudo, është e pamundur t'ju zbulosh identitetin. Koncepti mjeran që karakterizon të qënit tuaj, del në pah po të shohësh me kujdes morinë e shërbëtorëve tuaj, atyre që  qe janë anëtarë Qeverish, që drejtojnë Shtetet me një sistem politik të paaftë për të vlerësuar, vlerat e jashtëzakonshme të çdo qënieje njerëzore. Për ju e të drejtën tuaj të pamohueshme për të vendosur mbi jetën e vdekjen e miliarda banorëve të kësaj bote, të detyruar të punojnë me ritme të lodhshme e me një të ardhme të mjegullt, të cilën me dinakëri ja u paraqitni edhe më të errët. E vetmja mënyrë t'ju shpreh juve dashurinë është t'ju mallkoj, për milionat qënie njerëzore, që kanë humbur jetën në luftra  tuaja, për miliardat e njerëzve, të cilëve ju keni mohuar mundësinë për të jetuar, duke ju a zëvendësuar me një ekzistencë të mjerë, të lodhshme e të vështirë, në vend t'i linit të shijonin me qetëzi gëzimet e thjeshta po edhe të pafundme të jetës. Ju mallkoj, me gjithë dashurinë që kam mbledhur gjatë jetës sime, për miliarda fëmijë që kini vrarë në 50 vitet e fundit, ju mallkoj duke shpresuar që forca e dashurisë sime mrekullisht do bëjë të zhdukeni nga faqja e dheut kudo qofshi.

Veshjet tuaja të përkora janë të qullura nga oqeani i gjakut të derdhur, dhe formulat bajate të mbrojtjes të privilegjeve, të hartuara nga inelektualët e shitur tek ju, ju bëjnë të ndjeheni më bosh dhe më të mjerë se ata të cilët  shtypni. Këtë letër nuk e kam shkruar duke menduar se mund t'ju bjerë në dorë, bile jam i sigurt që asnjëri prej jush nuk ka për ta lexuar. E kam shkruar i shtyrë nga e njerëzishmja, që ndjej brenda për shërbëtorët tuaj me sy të lidhur për t'ju thënë që kanë mundësi të zgjedhin. Nën ju ka dy tipa shërbëtorësh: shërbëtorë fajtorë dhe shërbëtorë sylidhur. Më të pamëshirmit janë ata që vini në krye të shteteve; hierarkitë politike e ushtarake ndonjëherë edhe të fshehta, të cilët kontrollojnë përmbajtjen e sitemit shoqëror të ekzistencës të gënjeshtërt si dhe ditë për ditë bëjnë të mundur, që në mënyrë rigoroze të ushtrohet mbi të gjithë njerëzimin. Shërbëtorët sylidhur, janë milardat e njerëzve që janë të detyruar t'ju drejtohen shtypësve katilë me termat I nderuar, Shkëlqesi, Eminencë, President etj., por thellë zemrës, edhe pa e ditur,  kanë për ta veç përçmim. Të gjithë ata i janë nënshtruar një jete të vështirë, ndërsa ju përdorni tetëdhjet përqind të burimeve natyrore për të ruajtur e mbrojtur privilegjet tuaja. Mos mendoni se mallkimet ju vijnë vetëm nga unë, një pjesë e madhe e shërbëtorëve tuaj ju mallkojnë edhe pa e ditur vetë prej bunkerëve ku i keni mbyllur; burgjeve, njësive ushtarake, organizatave mafioze, sistemeve zinxhir të ekonomisë që me dhunë ju imponojnë një jetë me sa më pak krijimtari dhe inteligjencë. Ja përse ju imagjinoj të dëshpëruar, të cfilitur nga mosnjohja e burimit të shkatërrimit tuaj shpirtëror, sepse vala e mallkimeve të miliarda të nënshtruarve ju arrin në çastet e vetmisë ekstreme, kur  ju del gjumi dhe ndjeni boshllëkun që ju përshkon pasi kini fjetur me prostituta 100 mijë dollarëshe, ose mendoni për fëmijët  tuaj, që kini bërë sikur i keni dashur e nuk i keni gëzuar kurrë, sepse keni qënë të zënë duke hartuar plane luftrash e genocidesh.

Mendoni një çast që bota një mëngjes të zgjohet pa ju. Mendoni një botë ku të gëlojë gëzimi. Ndoshta edhe ju, Padronët e botës, duke parë atë festë madhështore të përditshme, do dilni prej skutave dhe do përzjeheni me turmën e njerëzve të vërtetë, e do zbuloni tek vetja vlerat e jashtëzakonshme të qënit Njeri, para të cilave, roli i padronit të plotfuqishëm të botës do duket një parodi e mjerë dhe torturuese. Ndoshta kështu, më në fund do ndodhë mrekullia, që rolet e padenja të të gjithpushtetëshmve, të përfundojnë në pjesën më të errët të Historisë.
 
 
 

Monday 19 August 2013

Vendi i Laraskave



Një miku im , i cili jeton në atdhe, kur e pyesja se si shkojnë punët në Vendin e Shqiponjave, mu përgjigj "Ky nuk është as Vendi i Laraskave!".

Më mbeti në mend ky lloj përcaktimi i Mëmëdheut dhe duke u marrë me përkthimin e Korbit të Poes këtë gusht, duke bluar, kuptova se sa pak dija nga bota e zogjve dhe raportet që ata kanë me kulturën njerëzore në përgjithësi e sidomos me kulturën shqiptare.

Pse Laraska duhet të jetë e kundërta e Shqiponjës mendova? Mos Shqiponja fluturon lart dhe Laraska vetëm në nivelet e pullazeve?

A mos Shqiponja është mishngrënëse dhe Laraska vegjetariane? Po si e tillë duhet konsideruar më e kohës (qytetëruar) apo jo?

A mos Shqiponja shquhet për vështrim largpamës dhe Laraska është miope e nuk sheh më larg se sqepi i saj?

A mos Laraska është llafazane e Shqiponja është tingujpakë dhe stoike?

Më kujtohet, që në disa përralla fëmijësh Laraska cilësohej si vjedhacake, bile i ishin ngarkuar edhe vjedhje lugësh të argjënta, të cilat sigurisht që nuk i hynin aspak në punë sojit të Laraskave, bile edhe rroba fëmijësh të ndera në tel. (Kjo e fundit për fat të keq më sjell ndërmend ca veprime të ngjashme të futbollistëve tanë jashtë shtetit në vitet '70-'80, por ato ishin vite nën diktaturë ndaj nuk mund të jenë tipike për sjelljen e shqiptarëve në shekuj.)

Po meqë di kaq pak për Laraskën, le të mundohem e të mësoj më shumë mendova dhe fillova të gërmoj. Laraskat që fluturojnë viseve tona, janë laraska Euroaziatike me emrin latin pica pica dhe bëjnë pjesë në familjen e madhe të Korborëve(kësaj ja futa pak si kot, se duket që bien kushërinj me korbat, sorrat dhe galat.) Për çudinë e madhe timen, jo vetëm që ja u kalojnë në zgjuarsi shqipeve, por janë të vetmet kafshë, veç disa gjitarëve, që kanë qënë në gjendje të kalojnë Provën e pasqyrës. (Prova e Pasqyrës, e fillluar që në kohën e Darvinit dëshmon nëse kafshë të caktuara janë në gjendje apo jo të njohin veten e tyre në pasqyrë.)

A thua nga njohja e vetes në pasqyrë, tek laraskat kanë lindur elementët e parë të estetikës dhe vanitetit, e për t'i plotësuar këto, si çdo qenie varfanjake, ka filluar të vjedhë edhe gjëra që nuk lidhen thjesht me ngrënien e mbijetesën?

(vijon)

Saturday 17 August 2013

Thenie te Noam Comskit


Noam Comski është ndoshta intelektuali më i madh që jeton (Nëse ka mundësi që të matet shkalla e prodhimtarisë intelektuale në gjërësi e thellësi.)
I njohur dhe vlerësuar në gjithë botën, ai përmëndet fare pak në median e Amerikës së Veriut, duke qënë se është një kritik i ashpër i saj, ashtu si është kritik ndaj shtetit kapitalist dhe sidomos luftrave dhe politikës së jashtme amerikane.
Më poshtë janë disa thënie të tij.



  • Nëse nuk besojmë në lirinë e shprehjes të atyre që urrejmë nuk besojmë në lirinë e shprehjes.
  • Sa më shumë të shtosh frikën nga droga e krimet, nënat në wellfer, emigrantët e alienët, aq më të lehtë e ke të kontrollosh njerëzit.
  • Të gjithë shqetësohen se si të ndalin terrorizmin. Ka një mënyrë të thjeshtë; mos marrësh pjesë në terrorizëm.
  • Kudo, duke nisur nga kultura e përditshme e deri tek sistemet e propagandës, ndjehet një trysni e përhershme për të bërë që njerëzit të ndjehen të pashpresë, ndaj e vetmja gjë që mund të bëjnë është të konsumojnë dhe miratojnë vendimet që marrin të tjerët.
  • Ose përsërit doktrinat e njohura që i thonë të gjithë, ose thuaj të vërtetën e do dukesh sikur ke zbritur nga Neptuni.
  • Cdo diktator do admironte uniformitetin dhe bindjen e Medias amerikane.
           Në Shtetet e Bashkuara ka vetëm një Parti- ajo e Biznesit. Ka dy fraksione - Demokratët dhe Republikanët që venë në jetë variante të të njëjtave politike. Unë jam kundër shumicës së këtyre politikave. Ashtu si shumica e amerikanëve.

Friday 16 August 2013

Vere dhe e njejta Perralle

Sapo kishte zene dimri i 2011, nisa te tregoja ne blog nje perralle te nisur 7 vite me pare per te vene ne gjume nipin e saj. Po jo vetem qe pata fjetur 7 vjet dhe perrallen nuk e kasha mbaruar se treguari, por edhe pasi fillova ta tregoja ketu per te tjere niper e mbesa, rrashe serish ne gjume te thelle. Vertet perralla lidhet me gjumin, por tradicionalisht ne gjume binin femijet edhe se kishin lojtur gjithe diten, por edhe per shkak te zerit monoton te treguesit. Ne kete rast eshte treguesi qe fle sa fillon perralla dhe ata qe e degjojne ose krisin e ikin ose s'kane qene kurre rrotull.
Perralla e Flokeverdhes se Bukur, per disa arsye te pakuptueshme quhet "Limani I Hashurres" dhe po e vazhdoj nen kete titull, edhe pse kam harruar perse-ne e titullimit.


.......

            Kur Flokeverdha rritej e bëhej më e bukur, kur ngjyra e kaçurrelave ishte gati e artë, Sundimtari kishte vendosur që prindrit e saj të shkonin larg, shumë larg, në Vendin e Madh përtej Dymbëdhjete deteve. Atje do mësonin se si rritej Lulja më e Vjetër në botë.

Parfumi që nxirrej prej saj, jo vetëm i bënte njerëzit e lumtur, po kur s'kishin gjumë, i vinte në një thellëgjumë shumëvjeçar, pa ëndrra, që i bënte akoma më  të gëzuar, aq sa nuk donin të zgjoheshin. Si të mbarështronin Lulen  e Vjetër Magjike do mësonin Ati dhe Ema e Vajzës së Bukur, për ta rritur më pas në lulishtet shumëngjyrëshe të qytetit të Sundimtarit. Rruga për në Vendin e Madh përtej Dymbëdhjetë Deteve, zgjaste tre vjet, bile tre vjet, tre muaj dhe tre ditë. Me anije druri velore. Me më të mirën e Ujrave. Dhe kur Era të frynte andej nga duhej. Dhe kur Kapedani të kuptonte në kohë se nga frynte Era.
            Vajzën e Bukur nuk e linin të shkonte me prinderit. Nuk e linin se ishte larg; nuk e linin se në Vendin e Madh nuk kishte Vajza me flokë të arta; nuk e linin se nuk duhej të mësonte se si mbilleshin dhe rriteshin lulet e vogla. Asaj i shkonin lotët rrëke, i vinte të fshihej diku në hambarin e anijes së drunjtë ose të ngjitej në majën e direkut më të lartë, por anija ishte larg, në Limanin e Hashurres dhe vajza nuk shkonte dot vetë atje. Edhe të rriturit nuk e mernin. E ëma e qetësonte duke i thënë që do rrinte me Gjyshemadhen në Fshatin Akullnor. Fshati Akullnor nuk kishte të bënte aspak me akulloret që jepeshin falas në Qytetin e Sundimtarit. Zaten atje akulloret jepeshin qëllimisht falas në disa shitore ku të ngjiteshin sandalet ose tabanet e këmbëve të atyre që nuk kishin sandale. Flitej që sandalet plastike i shpinin në një punishte ku i shkrinin dhe i bënin përsëri sandale, ndërsa gjurmët e këmbëve i kopionin dhe i mbanin në një depo të madhe letrash që quhej Baza e Shtetit dhe që ruhej nga Bazashtetukët, të cilët ndryshonin nga Bashibozukët, nga veshjet e errëta që mbanin."
(vijon)

Thursday 15 August 2013

Absurditeti i Luftes

"Klecka 22" (ne origjinal Catch- 22) e pershkruan absurditetin e Luftes dhe te njerezve qe ushqehen nepermjet saj, me me satire e me thelle filozofikisht se "Ushtari i mire Shvejk", roman qe eshte future me kohe ne seren e kryeveprave. Me poshte eshte nje bisede ne Spitalin Ushtarak te Pianozes, e shkeputur nga kapitulli 17 i romanit "Klecka 22", i titulluar "Ushtari i shtene ne allci".

.....

            - C'gjynahe do ketë bërë që mbaroi kështu?- tha oficeri i Degës ushtarake që kishte malarie dhe një të pickuar mushkonje në bythë, pasi infermierja Daket pa termometrin dhe zbuloi që ushtari në allçi kishte vdekur.

            - U nis për në luftë

            - Të gjithë u nisëm për luftë - përmëndi Danbari.

            - Këtu dua të dal- vazhdoi oficeri malarik- Përse të vdesë pikërisht ky? Nuk ka asnjë logjikë në këtë sistemin e shpërblim-ndëshkimit. Shiko ç'më gjeti mua. Do ishte e drejtë që në vend të këtij pickimit të mushkojnës të kisha marë sifilis ose skollo për ato pesë minuta pasioni në plazh. Po malarie? malarie? Shpjegomë pak ti ç'lidhje ka malaria me zuzarllëkun?- Vazhdonte të tundte kokën i çuditur oficeri i Degës ushtarake.

            - Po unë?- u hodh Josariani- Po unë që dola një natë të blija një çokollatë në Marakesh dhe përfundova pas ferrave me një oficerkë, që as e njihja dhe mora racionin tënd të skollos. Unë s'kisha dalë për seks po për një çokollatë, po si t'ja prishja?

            - Ke të drejtë që ishte hisja ime e skollos që ke marë, po unë ama kam marë malarien që i takon një tjetri- pohoi tjetri- Si nuk ndodh njëherë që kushdo të marë atë që i takon. Atëhere po që do kisha një farë besimi tek ky univers.

            - Mua më ranë në hise treqindmijë dollarë të një tjetri- tha me sinqeritet kapiteni i ri me mustaqe të verdha.- Që kur jam lindur jam halladitur. Klasat i merja duke kopjuar dhe s'bëja gjë tjetër veç se shkoja kohën me bukuroshe që mendonin se unë mund të bëhesha një bashkëshort ideal. Unë s'kisha asnjë lloj synimi. Si të mbaronte lufta do doja të martohesha me një që të kishte para shumë dhe të shkoja lart e poshtë me bukuroshe të tjera. Treqindmijë dollarët m'i kishte lënë para se të lindja  gjyshi, që kishte bërë goxha pasuri nga shitja me shumicë e broçkullave. E di që s'i meritoj po edhe t'i kthej sikur s'vete. Kushedi se hisja e kujt kanë qënë.

            - Mbase kanë qënë të tim eti. - u hodh Danbari- Ai punoi si kalë një jetë të tërë dhe nuk fitonte dot aq sa të na dërgonte në universitet mua dhe motrën. Po ai ka vdekur tani kështu që ti mund t'i mbash paratë.

            - Po gjetëm edhe se kujt i përket malaria që mora unë jemi të tërë në rregull. Jo se kam ndonjë gjë kundër mlaries po vetëm e ndjej që është padrejtësi. Pse të mar unë malarien që i takon një tjetri dhe ti të marësh hisen e skollos që më takon mua?

            - Po le hisen tënde të skollos që mora- tha Josariani- po nga ajo më duhet të vazhdoj të bëj fluturime luftarake deri sa të më vrasin.
            - Aq më keq akoma. C'djall drejtësie është kjo?
....

Wednesday 14 August 2013

Korbi - Edgar Allan Poe (Perkthim i 08/2013)


 

Ishte një mesnatë e trishtë, kur i lodhur, zemër brishtë

Po përpiqesha dërmuar mbi ca libra vitesh blerë-

Tundesha, mendja dremiste- Trembur sahati trokiste

Dhe dikush lehtë kërciste- lehtëzë në timen derë

"Këtë mik askush s'e priste, Që troket në timen derë

               -Veç këtë thash' menjëherë.

 

Pamjet syve më lëvrijnë, atë Dhjetor drithërimë.

Kur  nga eshtrat nën lëndinë, dilnin fantazma pa zë.

Mëngjesin luta me dhimbje, Më  kot fletësh prisja bindje

Bindje si mos kisha dhimbje- dhimbje për Lenorën nën të

Për të rrallën e rrezoren- Engjëjt thanë  Lenor'  nën zë

               – Lën' pa shënjë përgjithnjë.

 

Erë e butë, plot me trishtim, perdesh shkiste, pambarim,   

Më rënqethte e më dredhte, më me tmerr se tjetër herë;

Trokun zemrës për t'i ulur, përsërita i patundur

"Eshtë veç një rrugëhumbur, që troket në timen derë-

Një i vonë rrugëhumbur, që troket në timen derë"

               - Këtë thashë dhe njëherë

 

Zemra u bë më e fortë, C'mund të jetë më shumë se mort.  

-Zot a Zonj' që pret në portë,- i them -falmëni këtë herë.

Po ju erdhët kur dremitja, dhe e lehtë qe trokitja

Si zukamë isht' kërcitja- Kërcitja në timen derë

Ndaj nuk di në mir' dëgjova- Fët e hapa timen derë

               Jashtë pus si asnjëherë.

 

Jashtë n'atë terr i trembur, Gjatë ndenja, dridhur , zverdhur,

Ngecur, endur n'ëndrra tmerri si askush kurrë ndonjëherë;

Por e rëndë ishte heshtja, brenda grryer  nga kureshtja

E me tingujt më të thjeshta, si të një lire të vjetër

Psherëtita oh Lenorë, Lenor' gjegji  n'anën tjetër.

               Veç këtë e asgjë tjetër.

 


I përhumbur në mendime, Kur erdhi  trokitja tjetër

"Oh me siguri do jetë, Diçka n'pezul që troket

Le ta shoh se ç'farë e fshehtë është pas kanatës s'vjetër,

Zemërdridhur do e  zbuloj, C'fshihet pas kanatës s'vjetër,

               Vetëm era asgjë tjetër."`

 

Pak nga pak u hap kanata, kur në prag më i zi se nata

Hyri një Korb i krekosur, si prej luftrash të kaherë

Fluturoi, as dha as mori, As i hodhi sytë prori,

Por si zotëri oborri, lehtë u hodh mbi timen derë,

U hodh e mbi të u ul, n'bust të Athinës përmbi derë

               Përmbi bust e menjëherë.

 

E nënqeshja m'u përtëri, nga zbavitësi zog i zi

Me solemnen paraqitje, e të përzishmen në të.

"Ndonese pa kurorën lafshë, pjellë e territ nderur jashtë,

Shpend i frikshëm e i lashtë, ardhur botës nënë të,

Thuaj ç'emër të kan' vënë, brigjesh të ferrit nënë të?"

            Gjegjet Korbi "Kurrë më".

 

I çuditshmi zog më habiti, me të sqepit fjalë që qiti

Edhe pse pa domethënie, dhe kuptim pak gjen në të;

Nuk ka ndodhur kurrë më par', derës tek një vdekëtar

Shpend të hidhet me të parë, edhe të qëndrojë mbi të

Shpend a kafshë të kërcejë, bustit që qëndron  mbi të,

             Me këtë emër Kurrë më.

 

Porse Korbi i krekuar, mbi statujën e praruar

Tjetër s'tha, a thua se, shpirtin shprehte vetëm në një

Asnjë fjalë tjetër s' mundi, asnjë pendë më nuk tundi-

"Nuk do jetë ky i fundmi- mërmërita nënë zë

Porsi shpresat fluturimthi, edhe këtë agu se zë"

             U gjegj Korbi "Kurrë më"

 

Atë çast u drodha trembur, nga përgjigja e pastepur

"Pa dyshim" me vehte thashë" kjo çka di e vetmja gjë,

Që më gojë ka mësuar nga një mjeshtër i trishtuar,

Nga dështimet i dërmuar der'sa shpirti s'nxurri më

Shpresa vitesh mbetur shuar, veçse dëshpërim në të

              Të së tillës Kurrë më."

 

Por nënqeshja m'u përtëri, nga zbavitësi zog i zi

Ndaj përballë shpendit, derës dhe statujës përmbi të

Në kolltuk u rehatova dhe me mendje thellë blova

Ky zog ogurzi që s'ftova, ardhur ferrit nënë të,

Ky i zi, i lig i frikshëm, edhe me të çjerrë zë

               C'do të thotë me "Kurrë më".

 

Mbeta në mendime rënë, asnjë fjalë pa i thënë,

Djallit me vështrim që m'shpon gjoksin me zemrën në të;

Gjatë ndenja i përhumbur, me kokën prapa përkulur,

Në ndenjësen ku isha ulur, dhe  shandanin përmbi të,

Ndenjsen me ngjyrë vjollcë, që shkëlqen kur drita e zë,

                Ajo ta prekë por se prek më

 

E m'u duk ajri  i dendur, prej një ere të sapoderdhur      

Sikur Serafim' kisht' shkelur, e plluskuar nëpër të.

"Lanxho- klitha- Zoti dërgoi këta ëngjëj të shpëtoj

Pakëz pakëz të harroj, kujtimet që kam për të,

T'thith e thith t'opiumit lloj, Lenor'n të fshij, dhimbjen për të."

               Këlthet Korbi"Kurrë më".

 

"Profet -thashë- emërshuar, Shpend ti qofsh, djall i Mallkuar

Prej skëterrës i dëbuar, a furtunës gjithë  zë;

Hallakatur, shpirtrash rrekur, tek kjo shkretëtirë e vdekur

Në kët' dhomë tmerr përndjekur, thuam' t'lutem, bëmë zë,

Gjendet balsam në Xhilied, po të lutem, bëmë zë."

               Bëzan Korbi "Kurrë më".

 

"Profet- thashë- emërshuar, Shpend ti qofsh, djall i Mallkuar

Për të paradisit fron, e për atë Zot që rri mbi të

Thoji shpirtit të dërmuar, n'atë Eden të bleruar,

A do kem për ta takuar, të shenjtën Lenorë në të,

Më të rrallën e rrezoren, ëngjëjt n'krahë e mbajnë atë,

               Krak'rrit Korbi "Kurrë më".

 

"Le të jet' kjo fjala e fundit- thirra, zëri muret tundi-

Ti rikthehu në furtuna, a brigjesh t'ferrit nënë të,

Dhe mos lerë të zezë pendë, peng për gënjeshtrën e thënë

Vetminë ma lerë  brengë- ik nga busti përmbi të,

Sqepin nga zemra ti hiqma, dhe lësho vendin që zë."

               Thërret Korbi "Kurrë më".

 

Dhe nuk lojti me sy ngulur, ende ulur, ende ulur

Mbi të Athinasë bust, vënë derës përmbi të,

Tej më shpon me atë vështrim, si të djallit të lig përçmim,

Kur i shandanit  ndriçim, në dysheme hijen i lë,

Dhe i shkreti shpirti im, shtrirë poshtë bashkë me të

               Rënë për mos u ngritur më.



Ne foto- Statuja e Korbit ne shtepia muze e Poes ne Filadelfia. Gusht 2011