Sunday 30 April 2017

Albatrosi

Eshte poezia me e njohur e Bodlerit per lexuesin shqiptar. Ka shume perkthime te saj, bile edhe nga autore te shquar si Ismail Kadareja. Vetem pak syresh i kam lexuar, ndaj nuk e di se si qendron shqiperimi im. Eshte nga te paret, qe kam bere prej Bodlerit dhe i pabotuar deri me sot.
E pata ruajtur per t'ja kushtuar dikujt dhe sot pa ju kushtoj dy poeteve te medhenj shqiptare. Lexova dje nje leter te Lasgushit per Kutelin dhe mesova edhe, qe sivjet eshte 110 vjetori i Paskos. Edhe pse kryesisht prozator, une e konsideroj edhe Kutelin, po aq poet sa Lasgushin. Per keta dy kolose te letrave shqip:

Albatrosi

Shpesh herë, marinarët, kohën për të shtyrë,
Kapin albatrosët, të ujit shpend’ gjigandë,
Që besnikë kan’ ndjekur udhëtimin e tyre
Tej detesh të largët, në t’thellët oqeanë.

Mbi kuvertë lëshuar, zenë ecin ngadalë,
Këta zotër kaltërsish, ndjehen gjithë turp,
Tek tërheqin zvarrë të fuqishmit krahë
Si dy rrema të gjata, të ngjitura në trup.

Sa i ngratë duket trimi fluturues!
Sa hijshëm në qiej,...tani krejt qesharak!
Një muco tek sqepi i qas bishtin e llullës,
Nje tjetër e përqesh kur ecën si bajmak!

Poeti i ngjan ketij Princi të furtunës,
S’ka frikë shigjetarin dhe ngjitet mbi renë,
Por kur zbret në tokë, mes talljesh të turmës,

Stërmëdhatë flatra të ecë nuk e lenë.

Saturday 29 April 2017

Po tani?

Ilir Meta u zgjodh president i Shqipërisë dhe kjo nuk ka gjasë të sjellë asgjë të mirë. As zgjidhje të krizës, as zgjedhje të ndershme dhe as stabilitetet ekonomik të vendit.
Vetëm një gjë është e sigurt – Që çdo gjë është e pasigurt!
Forca ime parashikuese në politikë, është e provuar herët, dhe është shumë pranë Zeros. Ndoshta jo pranë asaj absolutes.
Gjithsesi kjo nuk më pengon të përpiqem të parashikoj të ardhmen politike të Shqipërisë, rajonit dhe më gjerë. Më është bërë si një herë e një kohë, zgjidhja e fjalëkryqeve. Kuptohet kjo është ku e ku më e vështirë, se fjalëkryqet kishin një rregull të caktuar. Në politikë, sidomos në këtë “të flamosurën” shqiptare nuk ka asnjë.
Në fushën e politikës, pas largimit të Metës, ka vetëm dy lojtarë, Rama dhe Berisha.
Gjithashtu edhe 4-5 arbitra. Lu, Vlahutin, Borhard dhe një gjerman i djathtë dhe një i majtë.
Tamam si në një ndeshje boksi, ku vetëm dy kërleshen dhe një gjyqtar i ndan dhe shpall nokautin, por nëse ndeshja nuk ka nokaut, pikët i vendosin katër gjyqtarët anësorë.
Berisha, me vendosjen e Metës president, ka fituar një garanci, që nuk do shkojë në burg, bashkë me Zenin. E megjithatë, nuk mund ta shpjerë as PD-në në zgjedhjet e 18 korrikut, se e di , që do shpartallohet.
I mbetet vetëm një lëvizje, të mundohet të fitojë sa më shumë kohë, me një fjalë të mbështetet pas litarëve e të mbrojë kokën, si dikur Klei në Zaire, kundër Foremanit.
Shtyrja sa më e gjatë e zgjedhjeve duket shansi më i mirë i tij. Ndaj edhe mbyllja e çadrës para 18 korrikut, ka pak të ngjarë, nëse nuk arrihet marëveshje për qeveri teknike, ose nëse nuk ndodh ndonjë “larg qoftë!” zallamahi në Tiranë ose në Kavajë.
Rama duket si një “frikaman i krekosur”, që ka mbrojtjen e të huajve dhe mund të shajë e përshajë, por që ka pak forcë psikologjike dhe mendore të orientohet në situata politike të komplikuara. Të paktën hoqi qafe problemin Meta dhe tani prêt “ndërkombëtarët”, të detyrojnë PD-në të hyjë në zgjedhje, pasi të marrin një lëshim, si heqja Mimit, Oltas ose Ogertas dhe zëvendësimi me dy-tre femra teknike, por sigurisht pa personalitet.
Partinë e ka më të fortë se kurrë dhe më në dorë se kurrë. Nga lista e deputetëve largoi jo vetëm të inkriminuarit, por edhe ata , që kanë afësinë e të menduarit. I rrethuar nga besnikë pa tru( doemos edhe pa bole), të fundmin problem të tij ka Berishën. Po qe se zgjedhjet do zhvillohen më 18 qershor, mund të fitojë mbi 75 vota edhe vetëm si PS. Pas saj e ka të qartë, që gjithë partitë miza do sullen pas “mjaltit” të PS-së dhe sundimi 4 vjeçar është i sigurt. Mund ta lehtësojë pak dorën në përqindjet që merr nga koncensionet dhe investimet e mëdha, por ka një siguri, që deri tani paratë e fituara (me djersë) ka arritur t’i fshehë mirë. Dhe ka mësuar edhe një gjë nga kjo kodoshe botë, që sa më shumë të nxjerrësh, aq më lehtë është t’i fshehësh.
Nuk besoj se kam harruar ndonjë lojtar tjetër.
Oh Lul Basha!
Sikur përmenda një me mbiemër me B më lart.
Arbitrat. Këta është shumë e vështirë t’i parashikosh. Kanë dhënë tërë jetën fitore me pikë të dyshimta.
Po me Shqipërinë çdo bëhet?- mund të më pyesni.
Shqipëria ka qënë, është dhe do bëhet!

Eshtë vetëm çështje kohe (jo moti).

Marshi i kokëpalarëve


Ne jemi kokë palarë,
Ne jemi kokëpalarë,
Jo se nuk duam,
Jo se nuk dimë,
Por se asgjë nuk kini lënë,
Se ju e xhveshët Shqipërinë!

Ne jemi kokëpalarë
Tani na mbetet veç protesta,
Sapun prej kohësh s’kemi parë,
Shampo s’shikojmë as për festa!

Ne jemi kokëpalarë,
Se vetëm morrat kemi miq,
Se parazitët e paparë,
Si ju, kanë gradë, titull, ofiq!

Ne jemi kokëpalarë,
Se rroga as për bukë na del,
Si ju milionat nuk kemi marë,
S’mbajm dot kollaro, parfum dhe xhel!

Ne jemi kokëpalarë,
Porse të ndotura s’i kemi trutë,
Nga xhep i tjetrit gjë s’kemi marë,
Askush s’na quan dot hajdutë!

Do vijë një ditë e do dridheni,
Do shihni ç’sytë nuk ju kanë parë,
Me njëri tjetrin prangash do lidheni

Nga ne me kokën e palarë!

Friday 28 April 2017

Ja dhe një sihariq nga Moisiu


Moisiu pasi ndenji me ditë të tëra në mal, ju solli çifutëve të çoroditur 10 porositë e Zotit. Që atë ditë, bota morri rrugën e Qytetërimit.
Moisiu ish-gjeneral dhe ish-president, as dha e mori, por ju dha sot shqiptarëve të tronditur një sihariq:
Meta do jetë 10 vjet President!
Hajde ta gjejmë me mend se ç’rrugë do marrim ne të gjorët!
Ky 88 vjeça ose ka lajthitur në moshë të shkuar, ose lajthiti nga gëzimi kur e vunë Precedatelo, ose ka lindur i lajthitur.
Po këtë haber presin shqiptarët në këtë vit të zymtë e në këtë ditë më të zymtë o gomar Kavaje!
Unë e kuptoj, që të gëzohet Saliu, se Meta do e shpëtojë nga burgu, që të gëzohet Rama, se do qeverisë edhe një mandat, që të gëzohen edhe qindra socialistë, demokratë dhe republikanë, që hynë në LSI për të bërë ndonjë frangë, po ky “mish me dy sy” përse gëzohet?
Keni të drejtë të më hidheni në grykë e të më thoni, përse fyen një plak, që nuk ka asnjë faj, që Meta po zgjidhet President.
Po edhe unë kam të drejtë t’ju them:
“ E po merreni dhe e shpini në azil dhe mos ja botoni marrëzirat!”

Boll e kemi hallin që na ka zënë!

Thursday 27 April 2017

Meta President – Të dhjefsha Reformën në Drejtësi!


Mbase duhej pritur për tu zgjedhur realisht President Ilir Meta, që ta dhisnim Reformën, por edhe vetëm propozimi, e bën të mjaftueshëm.
Nëse Ilir Meta do jetë për pesë vitet e ardhshme President i Shqipërisë, nuk ka më asnjë subjekt të pavarur apo ambasador të justifikohet, se për hir të vendit, për hir të Reformës në Drejtësi, për hir të stabilitetit të vendit, për hir të shpëtimit të Ballkanit nga lufta, për hir të stabilitetit të Bashkimit Europian apo për hir të zbritjes së të jëmës së Zeqos nga maja e thanës, ne u detyruam të pranonim këtë kompromis.
Ilir Meta nuk është ai që shpiku korrupsionin në Shqipëri, por është sinonimi i korrupsionit.
Ilir Meta nuk është antar i bandës së Aldo Bares, i Hakmarrjes për Drejtësi, i bandës së Lul Berishës, por është politikani, që ka kryer edhe takime direkte me drejtuesit e këtyre bandave, apo përfaqësuesit e tyre dhe ka bërë marëveshje me ta.
Ilir Meta nuk është dikush, që ka vrarë njerëz apo urdhëruar zyrtarisht për vrasjen e tyre, por është njeri, që ka gatuar në fshehtësi, ose ka dhënë miratime për vrasje njerzish.
Ilir Meta është një nga njerzit më të pasur të Ballkanit edhe pse nuk ka trashëguar asnjë pronë dhe nuk ka punuar asnjë ditë në sektorin privat.
Në dosjet e shumë politikanëve të lyer, në arkivat e shumë bandave mafioze, në materialet e rezervuara të shërbimeve të huaja, ka materiale të rënda komprometuese ndaj këtij njeriu, që e bëjnë lehtësisht të shantazhueshëm nga politika, nga Mafia, nga shërbimet e huaja.
Këtij njeriu, po i jepet në dorë shteti.
Ky njeri do ketë në dorë edhe Drejtësinë.
Ky njeri do ketë mundësi të amnistojë politikanët e përlyer dhe mafiozët.
Nëse zgjidhet nesër, me plot gojën do thoja(meqë kupton edhe shqip):

- Verë edhe një ulk tjetër o Donald Lu, që një të më çajë mua dhe një të të çajë edhe ty!

Nemo tenetur se ipsum accusare (3)

(vijim)

Vërtet nuk ka dobi, nëse shkruan për psikologjinë, sjelljet dhe karakteret e këtyre njerëzve të vërtetë, por është më e dobishme të ndërtosh personazhe të rreme tregimesh apo romanesh me cilësitë e tyre?
Kam bindjen, që çdo njeri, që kalon në këtë botë , që njohim, është dikush për të cilin ja vlen të shkruash e të tregosh. Të gjithë janë të ndryshëm edhe pse shumë mes tyre ngjasin. Ndoshta flitet e shkruhet më shumë rreth atyre, që konsiderohen më "të rëndësishëm", por mua më duket se mund të shkruhet më lehtë, jo vetëm rreth atyre, të cilët i njeh më mirë, por sidomos për ata, që të kanë lënë mbresa dhe i ke më të gjallë para syve, për t'i përshkruar.
Për tu rikthyer tek dobija e të shkrëuarit rreth katër të sipërpërmendurve, (gjithmonë po konsideroj të shkruarën e botuar, se ajo që mbetet në sirtare apo në ditare, është thjesht e shkruar vetjake), them që tek dy të parët(Pandi dhe Gaqoja), nuk është vetëm nostalgjija për kohët e shkuara dhe të ndriçuara mirë të fëmijërisë, që të shtyn. të rikujtosh mbresat, por edhe dëshira për të kuptuar më mirë shoqërinë shqiptare të asaj kohe. Ishte vërtet një shoqëri e prapambetur, që bënte fëmijët dhe të rinjtë të dëshmonin mungesë simpatie dhe mëshire për të dobtit, apo ajo sjellje vinte nga izolimi dhe një formim materialist i tyre? Po e gjithë shoqëria "humane" e bazuar në parimin "një për të gjithë, të gjithë për një", si vepronte ndaj të metëve?
Eshtë universal, qëndrimi "superior" ndaj të metëve mendorë, apo edhe ndaj atyre me të meta fizike, apo varet nga shkalla e zhvillimit të shoqërisë? Po ç'shkonte në mendjen e Pandit, Peçi Bajamkës, Pandi Gjizës dhe të tjerë personazhe me prapambetje mendore, që njiheshin nga i gjithë qyteti?
Këto pyetje dhe shumë të tjera , që rrjedhin prej tyre mjaftojnë për të treguar, që nuk është kohë e humbur të shkruash edhe rreth këtyre njerëzve.
Gaqoja i Mitit është dikush, që e kam njohur më mirë, por gati i veçantë në karakterin e tij të çuditshëm dhe sidomos në evolimin nga një i ri i ndershëm, që merrej me tregëti, në një gati "filozof cinik shëtitës". Edhe pse hipokrizia e shoqërisë nën shtetit terrorist të Enver Hoxhës, ka luajtur rolin kryesor në transformimin e tij, përsëri është e vlefshme të "gërmosh" në shkaqet e tjera, jashtë shoqërore.
Dy të tjerët, Ali Jashari dhe Fatmir Xhafaj, janë njerëz, të cilët i njoh vetëm nga larg dhe interesi për të shkruar rreth tyre, qoftë edhe kalimthi, vjen nga fakti, që jo vetëm mbajnë vende të rëndësishme në jetën publike, por dhe përfaqësojnë një kategori të caktuar njerëzish të brezit tim. Kategorinë e karrieristëve, që për të ngjitur shkallët në pushtet, apo në qarqet akademike mund të përkulin trupin, shpirtin dhe mendjen në mënyra nga më të pështirat. Duhet thënë. që kjo kategori ekziston në gjithë sistemet shoqërore dhe për ta është shkruar në mënyrë gati shteruese nga gjigandët e letërsisë. Por nuk është kurrë e padobishme të tregohen me gisht, se edhe pse do jenë të pranishëm sot e mot, në çdo qoshe të botës, të tillët nuk duhet të lejohen të jenë tipikë në asnjë shoqëri dhe për më tepër të jenë model për të rinjtë.
Përsëri u largova nga tema, që përcakton maksima, që është titulli i këtij shkrimi.
Duke shkruar rreth njerëzve me erma të veçantç, sipas ekspertëve ligjorë, rrezikon të inkriminosh veten në ngjarje, ku ke qënë i pranishëm dhe përbëjnë krim, mund të jesh objekt i një procesi për shtrembërim të figurës, ose edhe thjesht mund të jesh viktimë e një hakmarrje të mundshme të subjekteve, rreth të cilëve shkruan.


(vijon)

Wednesday 26 April 2017

Më ka marë malli të qullem nën shi

Më ka marë malli të qullem nën shi,
Pa u trembur.
Si në timen rini;
Pa menduar,
Se kolla do më mare
Kur të qesh me ç’ka thua ti,
Dhe më pas ti të ndalësh gazin në buzë,
Dhe të vraposh për të kapur erërat,
Që të më mbash ende të ri,
Në këtë botë të bukur,
Ku ti kaq shumë më bën të qesh
Dhe ku unë kam mall të qullem nën shi.

Tuesday 25 April 2017

Nemo tenetur se ipsum accusare (2)

(vijim)

Po përse duhet folur për njerëzit, ose për më tepër të shkruhet rreth tyre?
Pyetje vërtet e vështirë.
Ne jetojmë në një botë shumë komplekse, por për të mbetur në temën e këtij shkrimi, ne jetojmë në një botë të trefishtë.
E para, është ajo ku hyn gjithshka dhe që e quajmë Gjithësia ose Natyra. Rreth saj mund të shkruhet pafundësisht, sepse e tillë është dhe mund të shkruhet në mënyra nga më të ndryshmet. Mund të shkruash për gurgullimën e përrenjve dhe për për përkuljen e hapësirës, për kreshtat e maleve dhe limfën, që rrjedh kërcellit të një bime, për "dashurinë" mes pemëve dhe luftën mes grabitqarit e presë dhe pafundisht të tjera gjëra.
Bota e dytë është ajo e njerëzve, me ngjarje e ndërthurje nga më komplekset dhe më të paparashikueshmet, me kode, shenja, gjuhë, zakone dhe miliona karaktere njerëzish, që ende jetojnë ose kanë jetuar dhe lënë "gjurmë" në mënyra nga më të ndryshmet. Rreth saj mund të shkruajmë po pafundësisht, kuptohet për ato gjëra ç'ka njohim më mirë.
E treta është "universi" brenda nesh, që ndodhet brenda dy botëve të para dhe është i lidhur ngushtë me to, por gjithsesi ekziston edhe si një botë më vete, pasqyruese e dy të parave dhe që nëse "është përgjuar" mirë gjatë jetës dhe njohur mirë, mund të sjellë kryevepra të letërsisë dhe të psikologjisë. Pafundësisht të tilla.
Ndërsa në botën e dytë do kesh detyrimisht të bësh me njerëzit, në të tretën, njerëzit edhe pse të pranishëm, janë në funksion të psikikës të një njeriu të vetëm. Më tepër se objekte të shkrimit ata përbëjnë një lloj "garniture" të tij.
Të përqëndrohesh në të shkruarin rreth botës së dytë është jo vetëm çështje prirjeje. Eshtë më e lehtë. Në miliardat e faqeve të shkruara nga njerëzimi, (përfshi këtu edhe pllakat e qytetërimeve antike), pjesën dërmuese të tyre e përbëjnë ato rreth kësaj bote. Për të parën është shkruar shumë, por edhe në funksion të së dytës, ndërsa për të tretën, janë vetëm dy tre shekuj, që shkruhet rreth majave dhe humnerave të saj. Edhe po qe se do mundohemi të vemë faqet e shkruara rreth fesë në një botë tjetër, për shkak të mbinatyrshmërisë të subjektit, ato janë në shumicën e tyre të botës së dytë dhe vetëm të saj.
Për të "dalë nga të thellat" dhe për ta thjeshtëzuar dhe personalizuar shkrimin, po e ribëj pyetjen në - Përse shkruaj unë rreth njerëzve?
Njerëzit, jetët e tyre, marëdhëniet me njëri tjetrin janë edhe ngjarje, edhe ide, edhe dukuri. Si të tilla, të shkruash rreth tyre jo vetëm është më lehtë(sikundër përmenda më sipër), por edhe e dobishme. E dobishme në sensin e të kuptuarit më të mirë të gjërave, në përjetimin e emocioneve, në arritjen e përfundimeve, në përpjekjet për të përmirësuar veten, në dëshminë e së vërtetës.

Dikush mund të thotë, se "ç'farë dobie ka nëse shkruan për Pandi Këndeskën, për Gaqon e Mitit, për Ali Jasharin apo edhe për Fatmir Xhafajn?" 

(vijon) 

Monday 24 April 2017

Nemo tenetur se ipsum accusare

Kisha kohë, që nuk kisha gjetur nga këto “latinishtkat”, që më vijnë për shtat, ose më mirë shkojnë si tituj për ato që dua të them. Ajo që dua të them është se kam të drejtë të mos flas, por kam zgjedhur ta hedh poshtë këtë të drejtë të patjetërsueshme.
Në rastin e Blogut, e folura është e shkruar dhe si e tillë edhe më e rrezikshme, sepse mbetet dhe mund të shërbejë fare mirë si provë. Por në kundërshtim me këshillën e avokatit tim, si dhe në kundërshtim flagrant me ato të këshilltarit juridik të avokatit tim unë vazhdoj të shkruaj dhe dashur pa dashur të “akuzoj vetveten”. (Nuk më ndahet shprehja legjendare e Dhori Kotmilos “komandoj vetveten!)
Ka një mënyrë të shkruari, që të shpëton nga “akuzimi i vetvetes’ dhe çdo lloj implikimi moralo juridik. Të shkruash për kohën dhe sportin. Sigurisht edhe kur të shkruash për kohën, të shmangësh interpretimet filozofike, që mund të sjellin debate rreth Perëndisë apo mosekzistencës së saj. Edhe për sportin duhet të lesh mënjanë trukimet e ndeshjeve, kontrollin e ekipeve të mëdha nga korporatat si dhe korrupsionin e drejtuesve të federatave.
Por unë dua të shkruaj për gjërat, që kam parë dhe më kanë bërë përshtypje. Dua të shkruaj edhe për njerëzit. Për të bardhët e lëkurkuqtë, dembelët e pasunarët, të devotshmit e dallkaukët, për të mençurit dhe hileqarët. Di edhe , që ka një mënyrë tjetër për të shkruar dhe mos i shkaktosh shqetësime askujt dhe aq më pak vetes. Eshtë mënyra e komentimit të fotove të miqve në të ashtuquajturat “media shoqërore”. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i bërë jehonë idesë së një bote plot dashuri dhe paqe. “Dukeni si dy yje”; “Supermodele”; “Mbresëlënëse fisnikëria juaj”; “Ju duam shumë!” dhe sa e sa të tjera shprehje të stërprdorura, të cilat nuk arrin t’i dallosh se kur janë të ndjera dhe kur janë limonada.
Për arsye që nuk jm në gjendje t’i kuptoj, që mund të kenë lidhje me genet e mija, me raportin acido-bazik në trupin tim, me jetën nën Diktaturë apo me vuajtjet në emigracion, nuk jam në gjendje të shkruaj sipas mënyrës tejet paqësore "soshellmediore" më shumë se dy paragrafë.
Ndaj i kthehem mënyrës, që më shkon përshtat: të shkruaj atë që mendoj rreth jetës dhe njerëzve. Edhe nëse kjo mund të ulë në mënyrë të ndjeshme dashamirësit dhe do shtojë dashakeqët. Shumë njerëz e kanë të lehtë të flasin rreth shoqërisë dhe problemeve, që ka ajo, rreth njerëzve dhe natyrave të tyre tepër komplekse, rreth pabesive dhe prapaskenave, por e kanë të pamundur të shkruajnë sepse “Verba volant, scripta manent”. E kuptueshme. Jo të gjitha, që mund t’i themi në një bisedë mund të shkruhen, por një gjë është e domosdoshme: ajo që shkruan për dikë, të mos jetë e kundërta e asaj, që thua kur bisedohet pas krahëve të tij. Eshtë e ndërlikuar, por nëse kemi një raport të mirë me veten dhe me atë , që e quajmë e “vërteta ime” atëhere ndryshimi i të shkruarës me të thënën nuk do jetë 180 gradë. Disa ndryshime do ketë, sepse e shkruara synon të jetë më “politikisht korrekt” se sa e folura dhe njëkohësisht i drejtohet një auditori më të madh. E shkruara i nënshtrohet një procesi më të gjatë të menduari dhe si e tillë shmang më mirë ekseset apo gjendjet emocionale, që mund të jenë të pranishme gjatë një diskutimi të zjarrtë në kafene ose në një tjetër mjedis mes të njohurish.
(vijon)

Sunday 23 April 2017

Arkitekt Kolevica


Isha rritur duke dëgjuar gjthë nderim emrin e Petraqit, që në fëmijëri, kur nuk kuptoja se ç’ishte arkitektura. Im atë  kishte një vlerësim maksimal për aftësitë e tij si arkitekt. Shto këtu edhe animin e tij të dukshëm ndaj vlerave të profesionistëve korçarë, ato kohë isha i bindur, që ai ishte arkitekti më i mirë në Shqipëri. Për më tepër, gjithë jeta ime shkollore kaloi brenda mureve dhe dritareve të “Themistokli Gërmenjit”, vepër e tij, që më dukej(dhe ishte) shkolla e projektuar më mirë në gjithë vendin.
Në gjimnaz, nga fjalët e mësuesit të Vizatimit Teknik, Pandi Verdhës, kuptova që jo vetëm im atë fliste me superlative për Petraqin. Duke u afruar në rrethet e arkitekturës në Tiranë, mësova se ai ishte “legjendë“, jo vetëm për aftësitë, por edhe për integritetin e tij kulturor dhe qytetar.
Nuk e pata takuar kurrë në kohën e studimeve, sepse ai ishte në një nga periudhat e vështira, kur ishte lënë jashtë projektimit dhe thuajse kishte përfunduar i arrestuar.
E vetmja herë, që pata fatin ta takoja, ishte gjatë  1987-88, kur Diktatura kishte filluar të paraqiste një fytyrë më të zbutur, dhe Petraqin, bashkë me disa intelektualë të tjerë me origjinë korçare, e kishin thirrur për t’i marrë mendim se ku të vendosej Luftëtari Kombëtar.
Kolevica ndenji në fund të sallës së vogël të mbledhjeve të Komitetit të Partisë me Lekon(Papakozmanë) , Stavri Bezhanin dhe mua dhe refuzoi ftesën e Pali Miskës për t’ju afruar kreut të tavolinës. Pas një incidenti qesharak në fillim të mbledhjes mes Pali Miskës dhe Stavri Bezhanit (duhet të them, që Stavri është njohësi më i mirë, i historisë së urbanistikës dhe arkitekturës së Korçës, si dhe i çdo pëllëmbe të ndërtuar të saj), u ngrit i ndjeri Klement Kolaneci, që e filloi me fjalët” Kërkoj ndjesë, që si korçar nuk kam ardhur më shpesh për ndërtimet në Korçë“, që u pasuan nga fjalët nën zë të Kolevicës: “Shyqyr, që s’ke ardhur! Një fat për Korçën!”. Ne u munduam të mbanim të qeshurën, se ishim të vetmit, që dëgjuam fjalët nëpër dhëmbë të arkitektit, që adhuronim.
Pas disa folësve të tjerë, Pali Miska këmbënguli të fliste edhe Petraqi, i cili pa dëshirë tha disa fjalë rreth mënyrës se si duhen konceptuar shtatoret në një shesh me shumë qarkullim. Dukej sikur gati thoshte me nëntekst “Ju e kini vendosur këtë punë ndaj mos bëni sikur na merrni mendjen edhe neve!”
Më erdhën ndërmend këto kujtime, kur po ndryshohet destinacioni dhe projekti, i njërës nga veprat më të diskutuara dhe më avangardë të Petraq Kolevicës. Bibliotekës së Korçës.
Nuk di se sa kanë marrë mundimin, të kërkojnë një mendim të tij, drejtuesit e sotëm të pushtetit lokal në Korçë. Ndoshta edhe e kanë bërë. Mbase me të njëjtën mospërfillje, Petraqi ju ka dhënë miratimin me nëntekstin “Ju e kini vendosur tashmë!”
Në rast se nuk e kanë bërë, dëshmon edhe një herë, se të sotmit janë më arrogantë edhe se përfaqësuesit e Diktaturës. Ndodhi 15 vjet më parë me lyerjen e Pallatit prapa Bankës Kombëtare në Tiranë, projekti i parë i ndërtuar në Shqipëri, bazuar në parimet e Korbyzjesë të  arkitekturës moderne. Edi Rama e leu me ngjyrat e këmishave , që mban në plazh!
Tani e ka rradhën Biblioteka jonë!
Një foto e njërës nga fasadat anësore, duket se si “shtie me çiften e tij të prishur”, arkitekti Australian, që për ironi të fatit ka të njëjtin emër me arkitektit tonë të madh, por është shumë larg nga talenti dhe sidomos nga integriteti i tij profesional.
Unë do bija në gjunjë para arkitekt Kolevicës, kur të më duhej të ndërhyja në një vepër të tij.
“Kjo do ishte një zgjidhja jote personale!” do më përgjigjeshin plot arrogancë Niko Peleshi dhe Raqi Filoja, që ndjehen sot pronarë të qytetit.

Të qytetit, që nxorri njerëz të kalibrit të Petraq Kolevicës!

Jehonat (Ch.B.)

Ne origjinal titullohet "Correspondances", por mu duk se ky titull i pershtatej me teper perkthimit. Ndoshta duhet nje tjeter perkthim, "te korrespondoje" me mire me origjinalin...

JEHONAT


Natyra, faltore mbi shtylla plot jetë,
Që kuptim ju japin fjalëve të fshehta;
E ndjekin me sy në pyllin plot shënja
Tek ecën hutuar endacaku i shkretë.

Si jehona tingujsh që shkrihen diku larg
Në një të thellë e të errët lidhje
Të pafund si nata, si e agut ndritje,
Zërat, aromat e ngjyrat treten në varg.

Ka me kundërmim porsi buzë fëmije,
Të ëmbla si obo*, të blerta si lirishta,
- Të tjera të forta, plot gaz, të pahije,

Pafund të hapura dhe jo të brishta,
Si myshku, temjani, rrëshira dhe mjedra,

Që këndojnë si lëviz shpirti dhe ndjenja.

Saturday 22 April 2017

Uljanovi i famshëm


147 vjet më parë, pikërisht në këtë datë, lindi Vladimir Iliç Uljanov, që të gjithë e njohin si Lenin.
Nuk jam i sigurt, nëse data e lindjes së tij ishte me kalendarin e vjetër, apo historianët sovjetikë ishin kujdesur, që ta kthenin me kalendarin e ri, se kështu do kishim ditlindjen e Iliçit jo në prill , por në maj, aty rreth 5 majit, që do sillte problemin e festimeve për Diktaturën dhe post-diktaturën.
Po le ta lemë më 22 prill, se përkon edhe me ditlindjen e një të njohuri, që emrin e pagëzimit nuk e ka Vladimir.
Po hap një parantezë, që emrin Vladimir unë e dija si emër komunist dhe jo si shenjt ortodoks, sepse të gjithë Vladimirët që kam njohur ishin kryesisht fëmijë komunistësh ose ish partizanësh. Dhe para se të hynte Partia, nuk besoj se kishte Vladimirë në Korçë. Ose ishin shumë shumë të rrallë. Pas çlirimit u shtuan aq shumë në gjithë Shqipërinë, sa mund të përdorim edhe atë shprehjen e rëndomtë korçare “u bënë 5 leka tufka”. Dhe asnjë prej tyre se prindrit pëlqenin Majakovskin, por se donin që djali tu rritej i mençur dhe i drejtë si Lenini.
Ne e adhuronim Iliçin.
Më shumë se çdo gjë në këtë kishte ndikuar gënjeshtra e madhe, që “Lenini kishte gënjyer vetëm një herë, kur kishte thyer një vazo të çmuar në shtëpinë e tetos”. Për ne fëmijët, që nuk denim se ç’isht Krishti, Lenini ishte qënia më e mbinatyrshme që kishte ekzistuar në faqen e dheut. Se kishte gënjyer vetënm njëherë. Ndjeheshim me turp kur krahasonim veten me të, se që në çerdhe kishim gënjyer kushedi sa herë dhe jo më në kopësht apo në fillore, periudha këto që të shuanim në gënjeshtra.
Më vonë e kuptuam, që ishte pak si shumë e ekzagjeruar kjo puna e gënjeshtrës, por përsëri nuk dinim se Lenini kishte qënë zuzar dhe bile edhe më i egër se Stalini.
Figurën e tij e kishim shumë të lidhur me lokomotivat. As me Lazër Filipin, me “Orët e Kremlinit” apo me elektrifikimin. Me lokomotivat dhe kasketën. Ky ishte Iliçi për ne. Bile një herë, në vitin e largët 1979, kur kalonim ngadalë me tren në Shkozet, ku ndodheshin të depozituara plot lokomotiva nga ato me avull, Beni (Kallamata) më tha në vesh “shiko kur ta nxjerrë kokën Lenini që atje”. Nuk ishte humor shumë disident, por ne u gajasëm një copë herë dhe kur kujtoj Shkozetin, mua më shkon mendja në Uljanovi.
Pas viteve ’60, emri Vladimir nuk ishte më në modë dhe emrat kinezë nuk ishin të përshtatshëm për meshkujt e lindur në familjet e lidhura ngushtë me Partinë.  E megjithatë, përsëri nuk e kuptoj, që edhe pse kishim 4 klasikë të marksizëm leninizmit, nuk viheshin emra Karl, Frederik dhe Josif, por vetëm Vladimir. Këto janë si ato legjendat urbane që vetëm Kastriot Myftaraj mund t’i deshifrojë. Bile në Labëri vinin edhe emra Uljanov.
Historia 100 vjeçare, që lidhet ngushtë me emrin e Leninit nuk është aspak për të qeshur.
Miliona e miliona u vranë nën shembullin e keq të dhënë nga Lenini majë lokomotivës.
Miliona e miliona të tjerë vuajtën urie dhe vuajnë ende, se prijësit e tyre ecin sipas mësimeve të Leninit.

Nuk di nëse Nostradamusi e kishte parashikuar, që Djalli do vinte një ditë, me paraqitjen e një njeriu të thjeshtë, me kasketë.

Friday 21 April 2017

Flamuri jot

Unë prej kohësh  flamurët i  kam grisur;
Flamurtarët herët i kam urryer;
I përbuz ata që i djegin
Luftra për të nisur;
Qesh kë i puth si gjë të vyer.

Po për ty do i prisja nje copë qiellit të çelur
Te pastër si ajri, që vitesh kam thithur
Dhe një degë të mollës të savjelur
Si dorëz mbajtëse do ja vija ngjitur.
Një lule bliri mbi të do qëndisja
Erëkëndë të mbrëmjeve të qershorit,
Nje brez kalldrëmi ngjyrë gri përfundi
Dhe gjysmëhënzën e Mirahorit.

Një bisht kitare për të gjithë do vija
Dhe të kuqin e bukur të vezëve në Pashkë.
Porosi do ju lija të mijave bija
Me të t'më pështjellin,

Me të bukurin flamur e qefin bashkë.

Shtepia publike

Ata thanë që i liruan laviret.
S’kishte pse të flinin  me pagesë
Nuk duhej më të shisnin hiret
E errëta do lihej në harresë.

Në kthinat e vogla me gres shtruar,
Me shtrat, pasqyrë dhe bide,
Këngë e lavdisë kish’ për t’ushtuar
Vargjet plot pathos për jetën e re.

Një grup xhadish dhe eunukë,
Do mbidhnin t’vegjëlit përreth,
T’ju thoshin se më shumë se bukë,
Vlerë ka ideja që trupin ngjeth.

Dhe t’vocrrit e përdhunuar
Qafës rreth me të kuqe shenjë,
Cirreshin në qiell duke kënduar,
Se për atë çështje ishin të denjë.

Më dhimben sot fëmijët e bindur
Të ngjizur me të rremen shpresë;
Dhe unë i vogël duke klithur
“Xhipsi i Komitetit ndanë xhadesë…”

Thursday 20 April 2017

Mmmmm…ky nuk është solidaritet!

Lexova shkrimin e Mero Bazes për rastin Peza dhe më erdhi keq. Jo për Meron dhe për Pezën, por për gjithë gazetarinë shqiptare (nëse pas gjithë atyre që shkruan Bazeja në shkrimin e tij, mund të quhet ende e tillë).
Moralizmi vërtet është i bezdishëm dhe nuk të shpie kërkund, por solidarizimi me mungesën e moralit është më tepër se i bezdishëm. Eshtë faj. Për më tepër, kur ju bëhet ftesë gjithë gazetarëve të solidarizohen në mbrojtje të Pezës, sepse të gjithë ose thuajse të gjithë kanë punuar “në të zezë“ dhe nuk kanë paguar taksa.
Nga sa duket nga shkrimi i Bazes, që është i mirëinformuar për problemet financiare që lidhen me median, ka dy probleme kryesore:
I pari, është , që botuesit e ardhur nga fusha të tjera, ose edhe me para të papastra, i kanë përdorur mediat për të ushtruar presion ndaj politikës dhe për të përfituar para publike nga tenderat, ose edhe “gjoba” në rrugë të tjera të tërthorta. Për të arritur këto “qëllime djallëzore” botuesit përdorin gazetarët, të cilët i paguajnë “cash”. Duket sikur në rrënjët e të keqes janë botuesit dhe gazetarët janë viktima, që duhet të “mbajnë shtëpinë me bukë“. Ndaj për këtë jo vetëm shkruajnë ato që ju kërkojnë botuesit, që nënkupton në rastin më të mirë, shkrime selektive dhe të qëllimshme dhe në rastin me të keq gënjeshtra!
Por vetëm 5-6 ose edhe më shumë botues nuk mund të krijojnë një klimë të tërë gënjeshtre, falsifikimi dhe të evazionit fiskal. Nisur edhe nga vetë historia e krijimit të mediave në periudhën e parë të pluralizmit, nuk ishin botuesit ata që e krijuan të vetëm këtë kulturë. U krijua bashkërisht me gazetarët kryesorë, një pjesë e të cilëve mbetën përfundimisht në këtë “batak” të krijuar nga ata vetë.
I dyti është problemi i pranimit të pagesës “në të zezë“ nga gazetarët. Baze këtë e trajton si të detyruar. Eshtë e kuptueshme, që një i ri, që posa është diplomuar, të pranojë të paguhet “cash”, ndoshta edhe të punojë falas, deri sa të mësojë “zanatin” dhe të afirmohet. Por është jashtë logjikës, që dikujt që paguhet mbi 5 mijë euro në muaj, t’i propozohet pagesë në “cash” dhe për më tepër ai ta pranojë. Nuk e kuptoj se si një punëdhënës nuk ka interes të deklarojë në taksat e tij rroga kaq të mëdha për të punësuarit. E megjithatë, edhe nëse për disa arsye të fshehta, jashtë logjikës ekonomike , kjo gjë ndodh, një gazetar, vlera në treg e të cilit është 5 mijë euro dhe më shumë në muaj, nuk mund të bëhet ortak në këtë vjedhje ndaj publikut.
Nëse bëhet është hajdut dhe nuk ka as të drejtë morale dhe as besueshmëri të kritikojë në shkrime politikanët apo biznesmenët për korrupsion, dallavera apo evasion fiskal.
Ndaj me “ktët e dinë të gjithë“, ose “këtë e bëjnë të gjithë“ nuk mund të mbrohet as Peza dhe as të tjerë të ngjashëm me të. Për më tepër nuk mund t’ju kërkohet solidarizim, gazetarëve që paguhen 400 euro në muaj dhe që shpesh rrinë me muaj të tërë pa u paguar.
Evazioni fiskal i gazetarit nuk është i njëjtë me atë të një pronari restoranti apo të një servisi makinash. Në momentin, që është bërë pjesë e pushtetit të katërt, sa më i njohur të jetë për publikun, aq më i madh është “faji moral”, i cili i mbivendoset “fajita penal”, për të cilin duhet të ndëshkohet çdo evazor.
Interesant është në shkrimin e gazetarit Baze, transferimi i përgjegjësisë tek Politika. Vërtet, që politka ka shumicën e gjynaheve në vendin tonë, por në këtë rast, duket, që përdoret si një objektiv për të shpërndarë përgjegjësinë. Në një vend ku të paguarit e taksave është problemi më i madh, ku shpesh gjërat zgjidhen duke u paguar nën dorë inspektorët e tatimeve, nuk mund t’i kërkohet hesap qeverive se përse nuk i dërguan inspektorët të punonin ndershmërisht në kontrollin e “rregjistrave” të mediave. Duke gjykuar pushtetin e tyre, çdo inspektor i thjeshtë dhe “i lyer” do kishte frikë të ngatërrohej me njerëzit e fuqishëm të mediave. Kjo ndodh vetëm atëhere, kur botuesi është shpallur armik i Kryeministrit, si i ka ndodhur në kurriz vetë Mero Bazes, kur u shpall armik i Berishës.
Solidarizimi është diçka që ndryshon shumë nga “omerta”.
Për më tepër ky kodi i heshtjes së gazetarëve për paudhësitë e njëri tjetrit nuk është edhe plotësisht i tillë. Kur njerëzit mburren kafeneve se sa e kanë rrogën; kur kanë dëshirë të demostrojnë pasurinë e tyre me makina apo vila të shtrenjta, detyrimisht që një ditë do përballen edhe me ligjin. Kritika ndaj tyre nuk ka të bëjë aspak me “populizmin”(që nuk hyn kërkund si dukuri në rastin e “dosjes Peza”).
Kjo që ndodhi me gazetarin Peza është në të mirë të gazetarisë.

Eshtë një mësim për gazetarët e rinj, që të luftojnë për paga të larta, të deklaruara dhe për më tepër integritet. 

Wednesday 19 April 2017

Tramp, Tirana dhe “tirania”.


 Në dhjetë ditët e fundit, të qindshes së pare të drejtimit,  “The Donald” dha më në fund shenja se është “The President” i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sigurisht, që ai ishte President edhe gjatë 90 ditëve të para, por jo vetëm që nuk po sillej në mënyrë presidenciale, duke sulmuar brutalisht mediat, që e kundërshtonin dhe kundërshtarët e tij politikë, por duke befasuar botën edhe me qëndrime në politikën e jashtme të Amerikës, shumë më të ndryshme se të katër presidentëve paraardhës. Në to, dukej ndikimi shumë i madh i këshilltarit të tij Stiv Benën, i konsideruar si një ideolog ultra i djathtë. Në qarqet politike dhe të mediave të Uashingtonit, ky i fundit po konsiderohej si presidenti në hije.
Për shkak të dështimit të disa masave ultra të djathta, si Urdhëri Ekzekutiv për ndalimin e hyrjes në Amerikë të banorëve të 6 vendeve me shumicë islamike, ndryshimi i ligjit për kujdesin shëndetsor sipas planit Obama (Obamacare), fërkimeve brenda Shtëpisë së Bardhë si dhe rënies të vazhdueshme të popullartitetit të tij në sondazhe, Tramp u detyrua të bëjë një kthesë rrënjësore në politikat e tij.
Në fillim largoi Stiv Benën nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, vetëm pak javë, kur në një mënyrë aspak tradicionale e kishte futur dhe i dha fuqi të plotë për çështjet e Sigurisë Kombëtare këshilltarit MekMastër, një gjeneral me një emër shumë të mirë në të gjitha krahët e politikës amerikane.
Ndryshime rrënjësore pati edhe retorika ndaj Kinës dhe Rusisë, e cila tashmë është shumë larg asaj të fushatës elektorale dhe shumë pranë qëndrimit zyrtar amerikan të dhjetë viteve të fundit.
Të gjitha këto ndryshime, duke përfshirë edhe sulmin me raketa ndaj bazës ajrore të Asadit, janë mirëpritur nga e gjithë pjesa e moderuar e politikës dhe mediave amerikane.
Edhe pse m par nuk kishte shenja të ndryshimit të politikës amerikane ndaj Tiranës, ndryshimet e qëndrimeve në politkën e jashtme të Tramp, i japin fund edhe spekulimeve të mb[shtetjes së njërit apo tjetrit krah politik. Edhe pse “njolla” e deklarimeve absurde të Ramës gjatë verës së kaluar, nuk i është hequr kryeministrit dhe qeverisë aktuale, ka shumë mundësi, që me një “lëvizje prej pehlivani”, (nga ato që nuk e ka vështirë t’i bëjë) Ed Rama të sigurojë një vizitë në Shtëpinë e Bardhë, po e kapërcevi me sukses krizën politike brenda vendit.
Por edhe pse po paraqitet më i moderuar, Tramp ende nuk ka bërë ndonjë deklaratë, që të dëshmojë antipati ndaj udhëheqësve me prirje “tiranike”. Ai ende nuk ka përgënjeshtruar deklaratat e simpatisë për stilin drejtues të Putinit dhe Erdoganit, apo ato të mospërfilljes ndaj Merkelit, Kamerun dhe Holland. Për një udhëheqës të një vendi shumë të vogël (nëse Presidenti aktual ende kujton se sa peshë ka Shqipëria në Ballkan) është më se e llogjikshme, që Tramp të prefeojë një “tiran”, që do rrijë një kohë të gjatë në pushtet dhe i merr vendimet vetë, se sa një politikan që ndjek vlerat më të mira demokratike.
Problemi është se Rama ka dëshmuar, që ka një dëshirë të madhe për të qënë “tiran”, por jo guximin, që ta shprehë këtë dëshirë edhe në arenën ndërkombëtare. Atje ,atij i pëlqen të shfaqet me petkun e një politikani më se demokrat, tolerant dhe i hapur . Gjithashtu, ajo që i mungon Ramës për të qënë plotësisht “tiran” është mungesa e vendosmërisë. Mosqasja e mirë ndaj krizës së fundit, duke e lënë të thellohej, tërheqja nga marëveshja për asgjesimin e armëve kimike të Sirisë, tolerimi në ekstrem i kultivimit të kanabisit, dëshmojnë për “thyeshmëri” të tij.
Ndaj edhe pse i pëlqyeshëm për Gjermaninë dhe Francën, Rama është ende larg të qënit i pëlqyeshëm për administratën e Tramp apo për vetë Presdientin e SHBA.
A mundet , që për këtë t’i vlejë vetëm “dëshmia e tiranisë“ brenda Partisë Socialiste?
Zakonisht, kjo është një kusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm, për tu konsideruar mes “gjigandëve”, se bën pjesë  në rradhët e “tiranëve” të vegjël.
“Detyra e parë e shtëpisë“ është të zgjidhë krizën politike të Shqipërisë.
Pas saj mund të vazhdojë me një deklaratë, “se ç’fat i madh për Botën Perëndimore, ishte zgjedhja si President e Donëld Tramp!”

Me hapa të ngjashëm mund të arrijë gradualisht në ëndrrën e tij, për të qënë një “Putin”  Ballkanit.

Monday 17 April 2017

3016 km nen rrena (Kreu XVIII)

Kreu i tetëmbëdhjetë

Ku tregohet për largimin e papritur nga jeta të Veror Volorekës dhe ngjarjet gjatë ceremonisë mortore.



Avokati Rako Pilafi lëshoi çantën e madhe mbi tryezë dhe i shkeli syrin Naimit.
-          Kam lajme shumë të mira!
I burgosuri priste të dëgjonte lajmin e lirimit dhe i nguli sytë buzëqeshjes së avokatit, që duke ulur tha:
- Ka vdekur mbrëmë Veror Voloreka.
Mjeku i zhgënjyer u mundua të lidhte vdekjen e papritur të pronarit të hotelit me lejen e ndërtimit, arrestimin e tij, Gogo Gurgullimën, bashkinë dhe policinë bashkiake, por asgjë inkurajuese nuk i vinte në mendje, as nga lidhjet më të çmendura mes tyre.
Avokati qëndroi pa folur edhe disa sekonda duke shijuar habitjen e klientit të tij dhe me rrokje të ndara mirë, duke ulur zërin, shtjelloi:
-          Nipi i Verorit është kryetari i këshillit bashkiak dhe sot, në mbledhjen e jashtëzakonshme të këshillit pritet që Veror Voloreka të marrë titullin “Nderi i Bredhishtës”, në kllapa pas vdekjes dhe të shpallen tre ditë zije lokale.
-          Po unë ç’hyj në nderin e Bredhishtës, në kllapat pas vdekjes dhe në zinë lokale?-
foli më në fund i pezmatuar Naim Hana.
-          Ah Naim, Naim që s’ke durim!...Mbrëmë, në mesnatë, pasi i ndjeri Veror kishte mbaruar, trashçgimtarët shkuan menjëherë në zyrën e noterit Bekim Bakja dhe panë testamentin. Dëshira e fundit ka qënë të përcillet për në banesën e fundit në një ceremoni tërësisht laike dhe nga më shumë se 20 mijë qytetarë, por Bredhishta e tërë ka vetëm 18 mijë shpirtra, me pleq e plaka, të sëmurë e sakatë, kërthij dhe lyrekë. Për këtë Këshilli Bashkiak gjatë ditëve të zisë lokale do lëshojë tërë të burgosurit të marrin pjesë në varrim. Do vijnë edhe me autobuza nga qarqet e tjera. Një varrim madhështor për një njeri madhështor.
-          Po si të mbarojë zija çdo bëhet me mua?
Rako Pilafi u duk i papërgatitur për këtë pyetje, por nuk e humbi toruan dhe vijoi me ligjërimin:
-          Kemi disa opsione. Opsioni i parë, është një takim i drejtpërdrejtë me Fiko Fufulinën ku t’i shtjellojmë padrejtësitë e proçesit të arrestimit dhe pendesën tënde…opsioni i dytë…është si opsioni i parë, por ku i dërgojmë një letër Kryetarit dhe i shtjellojmë padrejtësitë e proçesit të arrestimit dhe pendesën tënde; si edhe kemi opsionin e tretë, e nisjes menjëherë me avion për në Shtetet e Bashkuara.

-          Po mua ma kanë marrë pashaportën.
..........................

(vijon)

Thursday 13 April 2017

Hutinët (Ch. B.)

Hutinët


Nën të bredhave gjelbërim,
Si perëndi hijerëndë
Hutinët në rradhë vënë
Të kuqtë sy ngul. Në meditim.

Ashtu rrinë pa pipëtirë
Deri në atë orë të trishtë,
Kur diellin poshtë në lirishtë
Terri e shtyn në errësirë.

Të urtit me këtë i thonë
Të ruhesh duhet n’jetën tonë
Nga rrëmuja dhe migrimi;

Njeriut që pas hija e ndjek
S’i është ndarë mallkimi,

Të dojë të shkojë shteg më shteg.

Wednesday 12 April 2017

Në vijim të një shkrimi për “makthin” e vdekjes.


Para disa ditësh mu duk, si një nga shkrimet më të mira për krizën, që po kalon vendi, shkrimi i Fitim Zekthit “Ankthi i vdekjes, si pengesë e zgjidhjes së krizës politike” dhe as më kishte shkuar në mendje të shtoja diçka me të njëjtin këndvështrim. Disa komente dashakeqëse të lexuesve ndaj atij shkrimi, më bënë të hidhja disa paragrafë plotësues duke e gjykuar, që argumenti nuk është shterues dhe nuk nis e mbyllet me Ed Ramën.
Nëse për nisjen e “krizës” që po kalojnë institucionet e shtetit shqiptar, mund të “akuzojmë“ PD-në dhe Bashën, problemi i vërtetë nuk nis më 18 shkurt, por një javë pas tij, kur kreu i qeverisë, edhe pse shpallte, që gjendja politike e vendit ishte e shëndetshme, nuk arrinte të dallonte krizën dhe të merrte masa për ta kapërxyer, por me arrogancë dhe veprime të tjera refraktare, u mundua ta përdorte si mjet për denigrimin e opozitës.
Kryeqeveritari jo vetëm u tregua me “nuhatje” të pamjaftueshme politike, por edhe në mungesë të përgjegjshmërisë, që ka për të qeverisur vendin sa më mirë.  “Këmbora” e pushtetit, që i është varur në qafë, nuk i është varur për të prerë shirita përurimesh dhe për të bërë debate të kota në Fejsbuk, por për të zgjidhur krizat e mundshme të vendit. Në përgjithësi, “kokëfortësia” dhe “mospërfillja e tij”, të kujtonte atë të Berishës në muajt e para të vitit 1997, kur për të mos u larguar nga pushteti, nuk pranoi as dorëheqjen e qeverisë dhe asnjë lloj tjetër kompromisi, por zgjodhi t’i vinte zjarrin vendit.
Po ti referohemi idesë të Zekthit, që veprimet e njerëzve, radikalizohen kur i mundon ankthi i vdekjes, kjo ishte çka ndodhi me Berishën në atë kohë, që largimin e tij nga nr 1 i pushtetit e njehsonte me “vdekjen” e Saliut –  Shpëtimtarit të Shqipërisë.
Në të njëjtën mënyrë, Rama dëshmon mungesën e formimit si një  politikani modern, që sot mund të jetë në pushtet dhe nesër jo, por mbetet në modelet e vjetra të mendësisë “të hyj në histori”,  që fillojnë me udhëheqësit e Romës dhe përfundojnë me diktatorët e shekullit të XX-të.
Për të qënë të drejtë me të, të njëjtat shenja të “ankthit” i shfaqin edhe Basha edhe Meta, i pari me frikën e “vdekjes” si kryetar dhe i dyti me atë të “vdekjes” si politikan.
Nga raportet e të treve me njëri tjetrin gjatë këtyre 50 ditëve, nga deklaratat shpesh kontradiktore, duken që të tre janë “paranojakë“ dhe zgjidhjen politke, që nuk do jetë si ajo që kanë në kokën e ndjejnë si “vdekje” të Shqipërisë. Ndaj edhe njerëzit kanë tëdrejtë të tremben, se nuk ndjejnë “aromën” e “jetës dhe kompromisit”, por atë të “luftës dhe vdekjes”.
Atëhere ç’mund të bëjmë me “ankthin vdekëtar” të politikanëve tanë kryesorë?
Ne si qytetarë të thjeshtë- Asgjë!
“Kultura e jetës” duhet zhvilluar brenda partive të tyre, ku liderëve t’ju jetë bërë I qartë nga trusnia e brendshme, që Partia nuk lind e vdes me ta. Brenda grupeve drejtuese duhet të ketë strategji alternative, për situata të ndryshme politike, ku mund të lëshohet pe, mund të bëhen zëvendësime, mund të hiqen edhe krerët për hir të kompromisit. Sepse “ larg qoftë“ edhe pse të rinj, të gjithë mund të largohemi papritur nga jeta një ditë dhe ky nuk është kiameti.

Ndaj “ankthi “ i vdekjes të individëve( që deri diku nuk është i jashtëzakonshëm) nuk ka pse të ndikojë në fatet e vendit.

Tuesday 11 April 2017

Les chats (Ch.B.)

Maçokët


Dashnorët e paepur dhe të rreptët dijetarë
Njëlloj përkushtohen në vitet e pjekurisë,
Të urtët maçokë, të lidhur pas shtëpisë,
Si ‘ta, ruhen të ftohtës dhe janë sedentarë.

Të dhënë pas të nxënit dhe kënaqësisë
Në errësirë kërkojnë heshtjen dhe llahtarën;
Përcjellës funebër, Erebus do i kish marë,
Përuljen po t’zgjidhnin në vend t’krenarisë.

Kur flenë, ëndërrojnë poza të fisme,
Si të jenë sfinkse në vetminë e hijshme,
Të shtriqur në një dremitje të përherë;

Mbushur herdhet kanë me xixa magjike.
Thërmijëza ari, si më e holla rërë,

Ju vezullojnë bebëzave mistike

Monday 10 April 2017

Kjo rini ka marë fund!


Eshtë e para gjë, që më shkoi në mendje, kur pashë foto të një mitingu të rinjsh, të entusiazmuar se po ju fliste Meta për ditlindjen e të shoqes. Ndjeva keqardhje të madhe!
Nuk ka gje, që të shkakton më shumë dëshpërim se një rini e tillë. Nuk di nëse duhet ta quaj trushpëlarë apo të tredhur. Mbase i shkon më tepër dinako- eunuke.
Ne kemi qënë një rini “trushpëlarë“, por mund të justifikohemi se na kishin gënjyer prindrit, mësuesit, komisarët, shitësit, aktorët, deputetët e zonës, udhëheqëset e pionierit, shkrimtarët, veprimtarët e Frontit, sportistët e dalluar, kryeagronomët, telekronistët dhe Heronjtë e Punës Socialiste. Kur filluam të kuptonim ishim bërë me fëmijë dhe gratë në vend të fëmijëve kishin në bark një tufë me lepuj, një pjesë të të cilëve na i dhanë neve, meshkujve ish-trushpëlarë, por që tani nuk mund të gënjehemi dot kollaj.
Po në mendjet e këtyre të rinjve, që normalisht duhet të venë në dyshim çdo gjë që ju thonë më të rriturit, çfarë shkon?
Si mund të entusiazmohen nga fjalët e dikujt, të cilin e gjithë Shqipëria e di, që është hajdut?
Në gjithë Njerëzimin(të paktën në atë pjesë që ka shkolla), adoleshentët dhe të rinjtë janë të prirur të rebelohen dhe të ëndërrojnë të ndryshojnë botën për mirë.
Po këta nga vijnë? C’kërkojnë të bëhen në jetë? Modeli i tyre është Ilir Meta dhe banda e tij?
(Sa t’maroj juridikun ene po shikoj se mos hyj në ministri në drejtorinë e tenderave ene t’bojm noji lek? T’mar diplomn e mardhonieve nderkomtare ene si dihet si e sajojm anej nga Ministria e Jashtme po e mori LSI-ja?)
Këto janë ëndrrat e tyre?
Thua të gjithë të jenë bij të bindur, të baballarëve të tyre të korruptuar?
Duket e pamundur. Të tillët më parë kanë qënë me gishta.
Kujtoj një djalë të bindur, që kur ishte 10-12 vjet, I jati e dërgonte t’i shpinte mesazhe të dashurës dhe kur u rrit edhe ca e ndihmonte të fallsifikonin pashaporta. Po nuk ka pasur shumë të tillë.
A thua tani, etërit së bashku me gjithë shoqërinë, ju kanë shkatërruar shpirtrat gjithë këtyre të rinjve?
Nuk ka mandatë më të madhe për një vend!
Në mesin e viteve ’90, kur Greqia ishte në “bumin” ekonomik, tërë paraditen, të rinjtë ishin në kafene duke luajtur tavëll dhe mbrëmjeve në buzuqe. Ja ku është tani Greqia!
Por kjo e jona duket një gjëmë edhe më e madhe, se ata, që duhet të jenë në ballë të kundërshtimit të korrupsionit dhe të së keqes, ekzaltohen kur flet Ilir Meta, apo Ed Rama, apo Lul Basha!
Këta vetëm në moshë janë të rinj.
Në shpirt kanë marrë fund!

Sunday 9 April 2017

Të mjerë, që prisni shpëtimin nga Rama, Meta dhe Basha!

Kriza e 7 javëve të fundit, më tepër se krizë e politikës shqiptare, është kriza e thellë e shoqërisë shqiptare.
Ose më mirë, kriza e atij 40-50 %, që nuk shkon të votojë dhe që nuk ka besim në asnjë parti.
I latë këta hajdutë, t’ju futnin duart nëpër xhepa, për më shumë se 15 vjet, duke shpresuar se diçka e mirë do ndodhte. Mbase të huajt do vinin dorë!
Dhe ndodhi, që ata nuk ndalen para asgjëje. Ashtu si lejuan më ’95-’96, lulëzimin e firmave piramidale, për të qëndruar në pushtet, më 2015-16 lejuan lulëzimin e kanabisit, që duket se sjell para në ekonomi, por që rrënimin ekonomik e ka me vete.
Dhe në këto muaj, kur duke “u therrur” ata dëshmojnë kundër njëri tjetrit, ju përsëri nuk jeni në gjendje të mblidheni me njëri tjetrin dhe të thoni:
-Cdo bëjmë për fëmijët tanë? Në duart e këtyre do i lemë?
Po humbisni përsëri një moment, kur ata janë lakuriq në dobësinë e poshtërsive të tyre. Nuk dinë ku e kanë kokën të tre dhe ju përsëri i lejoni t’ju gënjejnë ditë më drekë! Të tre!
Demokracinë nuk mund ta sjellë as Lu dhe as gjithë ambasadorët e tjerë.
Demokracia është pjesëmarrje, është votë, është solidarizim, është organizim.
Eshtë dëshirë për të ëndërruar një të ardhme më të mirë për veten dhe fëmijët.
Pas 26 viteve, nuk ka justifikim, që nuk e kini kuptuar.
Nuk doni ta kuptoni!
Eshtë më lehtë, që një nga një, tinzarisht, të përpiqeni se si të përfitoni nga koniukturat, me të njohurit, që militojnë në tre partitë hajdute dhe të mbeteni, sërish “dele të vetmuara”, që ju therrin lehtësisht në therrtoren e përbashkët të tre kasapët.
Po humbisni sërish një vit të tërë nga jeta dhe një dhjetvjeçar nga e ardhmja, duke mbajtur sehir se çdo bëjnë Rama, Meta dhe Basha!
Të mjerë!
Të paralizuar nga një ide e rreme e pafuqisë!
Jini shumë më të fuqishëm se sa mendoni.
Por duhet të flisni me njëri tjetrin jo vetëm në kafene.
Cfarë do bëjmë?
Kjo duhet të jetë pyetja juaj, e cila nuk mund të pranojë përgjigje:
Do presim.
Jeta e çdo brezi nuk është e pafundme!

Mos ja u lini në dorë 3 hajdutëve!

Saturday 8 April 2017

Shën Gjergji


Korça e shekullit të XX-të ishte Korça e Shën Gjergjit.
Edhe pa thënë kisha, kur përmendej Shën Gjergji, dihej, që bëhej fjalë për kishën madhështore në një gur gri të çelur, që kishte nisur të ndërtohej dhjetvjeçarin e fundit të shekullit të XIX-të dhe ishte përfunduar më 1905. Kishte zgjatur ndërtimi, se gjithshka ishte në blloqe të mëdha guri, të gdhenduara me mjeshtëri. Tregohej, që mjeshtri Naum Trasha nga Opari, që drejtonte punimet, i kishte vënë numur çdo blloku guri dhe drejtonte, që poshtë vendosjen e tij në vendin e caktuar. Të gurta ishin strehët, rozetat, harqet mbi dritare dhe çdo detaj tjetër. Duhet të kishin ndjekur në ndërtim, teknika të ngjashme me ato të ngritjes të Katedraleve madhështore gotike të Francës dhe Gjermanisë. Në anët tona ende ndërtimi kishte mbetur pas dhe Korça edhe pse më përpara se të tjerët, nuk kishte nisur ende të njihte betonin e armuar apo konstruksionet e mëdha prej metali. Ishin vetëm një qoshe e varfër dhe e prapambetur e Europës. Por që po modernizohej shpejt, më shpejt se të tjerët.
Shën Gjergji ishte madhështor dhe disi i mistershëm. I drejtoheshim në gjininë mashkullore edhe pse ishte kishë. Ishte autoritar. I patundur.
Flitej, që diku brenda tij ishte edhe trupi i Lakçes. Kjo e bënte më të mistershëm për ne të vegjlit, që e kishim të vështirë të kuptonim se ku niste jeta e  ku vazhdonte nëpërmjet kishës tek zoti dhe ku vazhdonte me trupat e pajetë, si ai i Lakçes. Të gjitha ishin brenda Shën Gjergjit.
Brenda tij kishte meshuar për herë të parë në shqip imzot Fan Noli, duke shënuar përfundimisht, mbështetjen e ortodoksëve të Korçës për një Shqipëri të ardhme. Disa vite më vonë, një numur jo i pakët korçaërësh ortodoksë, kishin firmosur Deklaratën e Pavarësisë në Vlorë dhe ishin bërë anëtarë të qeverisë së Ismail Qemalit. Kishte një pjesë të Shën Gjergjit tonë në atë Deklaratë. Jo vetëm emrin e Kastriotit, por lidhjen e fortë të korçarëve me Shqipërinë, me themelet e forta të saj. E korçarëve të Stambollit, Bukureshtit dhe Bostonit, por më shumë e korçarëve, që jetonin në qytet.
Emri Gjergji, ishte më i përdoruri në djemtë e lindur pasluftës. Kishte patur edhe shumë para saj, por në vitet ’50 dhe ’60, thuajse nuk kishte më Gaqo dhe Jorgo, por të gjithë ishin Gjergji. Emri i Skënderbeut, por edhe emri i shënjtorit, emrin e të cilit kishte madhështorja Kishë, me të cilën përballeshe sa hyje në Korçë. Në klasë kishim pesë djem me emrin Gjergji. Plot të tjerë në klasat e tjera.
Kështu deri më 1968.
Shën Gjergji kishte qënë i heshtur prej më tepër se një viti. Ndoshta në dyert e tij, në muzg ndizeshin qirinj, por për ne që kalonim shpesh atje, ishte një gjigand i heshtur dhe më i mistershëm. Vetëm galat krrakarisnin në plepat pranë tij. Gjithmonë, plepat ishin plot me gala. Kështu kishte qënë gjithmonë, apo ishin shtuar pas heshtjes të Shën Gjergjit, këtë e dinë më mirë ata, që jetonin pranë kishës.
Në qytet kishin nisur të flisnin se do prishej Shën Gjergji. Edhe ata, që nuk besonin çuditeshin. Ishte aq madhështor.
Por diku lart, për arsye të paspjegueshme, kishin vendosur të shpëtohej Kisha e Mitropolisë, por jo Shën Gjergji. Një vit më parë ishte prishur Shën Mëria dhe diçka ishte folur rreth të krisurve, që kishin vënë dorën të parët, por Shën Mëria ishte e vogël dhe në të dalë të qytetit. Shën Gjergji ishte ndryshe. Ishte i madh, gati i bardhë, i gurtë dhe në qendër të qytetit.
Dikush, tepër i fuqishëm, nuk donte që Shën Gjergji të ishte më atje.
Mbase donin të fshihnin diçka. Mbase edhe të ulnin vlerat e Fan Nolit, të cilin korçarët e donin shumë. Specialistëtë që kishin përpiluar listat e monumenteve të arkitekturës, që duhej të mbroheshin, nuk arrinin të kuptonin, përse Shën Gjergjin nuk e linin në atë listë.
Kështu, deri ditën, që nisi beteja e prishjes së Shën Gjergjit. Më pas gjithshka nisi të merrte fund.
Ishte vërtet një luftë me gjenialitetin e ndërtuesve oparakë, që kishin punuar në gjithë botën deri në Taxh Mahal-in e famshëm. Vendi i “luftës” nuk ishte rrethuar, ndaj ne fëmijët mund të shkonim pasditeve të vona të verës, pasi punëtorët ishin larguar, dhe të shikonim blloqet e gurit, të mbuluar nga pluhuri i betejës, rënë mbi to. Nuk kuptonim pse një gjë aq e fortë, duhej të prishej. Nuk na i rrokte mendja jonë, që dinte pak dhe askush nga të rriturit nuk na spjegonte. Të gjithë përmendin se sa mirë ishte ndërtuar. Edhe ne shikonim blloqe guri të punuara me saktësi, ndërsa ndiqnim shokët më të rritur që kërkonin plumbin lidhës të blloqeve për të mbushur ashikët.
Flitej, që mes dy blloqeve në mur nuk mund të futje as thikën. Ishte ndërtuar me saktësi dhe lidhur në gjithë muraturën me plumb. Nuk mund të prishej si gjithë ndërtesat e tjera. Pjesë të caktuara, nuk i shkulnin dot edhe pse përdornin bulldozerë, që tërhiqnin kollonat dhe pjesë të tjera vertikale me kavo. Një shfaqje e shëmtuar dhe drithëruese në mes të qytetit për muaj të tërë.
Kështu deri sa e prishën të gjithë.
Ndoshta pjesë të themeleve janë ende atje.
Në atë pjesë të bukur të Korçës së shekullit të XX-të.
Ku ngrihej ndërtimi i gurtë më i arritur në gjithë Shqipërinë. Në më të mirët e Ballkanit.

Shën Gjergji jonë.

Le Revenant (Ch. B.)

Fantazma


Si ëngjëll me të bishës sy,
Do kthehem dhomës nën çati
Dhe do të të futem në shtrat
Me hijet e të ftohtës nat’;

Do të të ngjeth pa mëdyshje,
Hënzës, me të ftohta puthje,
Dhe me një ledhatim acar,
Si gjarpri, që rrëshqet në varr.

Kur të lindë dielli në agim,
Të zbrazët do gjesh vendin tim
Akull dhe kur dita ikën.

Si bëjn’ të tjerët  me ngrohtësi,
Mbi jetën dhe tënden rini,

Unë e sundoj me frikën.

Thursday 6 April 2017

Soneti i vjeshtës (Ch. B.)

Soneti i vjeshtës



Më pyesin sytë e tu, me vështrim të kthjellët:
“Për ty dashnor i çartur, kam ndonjë meritë?”
- Ji joshëse, e qetë! Kjo zemër pa dritë,
Veç me një drithmë kafshërore të errët,

Nuk do të zbulojë për ty të ferrit sekret,
Për ty, që me gishta lehtë më nanurit,
As të zezën legjendë, të shkruar në shpirt;
Pasioni më sëmur, urrej gjegjen e shpejtë!

Embël le të duhemi. Kupidi rri në pritë,
Harkun e tendosur, shigjetën e mprehtë,
Ja njoh mirë atë arsenal të fshehtë:

- Krimi, tmerri, marria! E zbehta margaritë!
O ky diell vjeshte, të dyve  s’na jep jetë

E bardhëza ime, e ftohta Margaritë?

Marrëzia e ngjashme në çdo 21 vjet


21 vite më parë nuk e kisha shkuar në mendje të emigroja. Gjërat dukeshin se shkonin mirë në Shqipëri dhe mbi të gjitha njerëzit besonin se do bëhej me mirë. Sigurisht kishte edhe shumë të pakënaqur. Njerëz të hequr pa të drejtë nga puna dhe të lënë pa alternative të tjera, veç shitjes në pazar, apo shkëmbimit të valutës.
Disa muaj më parë se pranvera e 1996-ës, në një referendum (të fundit zgjedhje të pafalsifikuara në Shqipëri) edhe pse me një fushatë intensive, Sali Berisha kishte humbur mundësinë, të bëhej si Erdogani sot- një President i gjithëfuqishëm.
Nga sondazhet (por dhe informacionet në rrugë të tjera), dukej që PD-ja do humbiste pushtetin dhe Berishës do i duhej, që për një vit, të bashkëqeveriste me socialistët, deri në largimin edhe nga Presidenca dhe daljen në opozitë.
Nuk kam pasur asnjëherë besim, se Partia Socialiste i ishte larguar Partisë së Punës. Nuk mund t’i besoja Servet Pëllumbit, Gramoz Ruçit dhe Hajdaragës, por nuk më pëlqente as drejtimi autoritar i Berishës, që largonte me prapaskena njerzit nga paria e tij, njëlloj si kishte bërë Hoxha. Më tregonin, që militantë, nxirrnin nga salla e Bibliotekës së Korçës, përkrahësit e PD-së, që donin të dëgjonin Pashkon apo Selamin, dhe kjo më mjaftonte të bindesha, se askush nuk e pëlqente dialogun politik. Mbi të gjitha, shumë gjëra po bëheshin shtrembër dhe flitej hapur për korrupsion dhe bashkëpunim me bandat. Në një restorant jo të njohur, por në qendër të qytetit, kisha parë vetë duke drekuar deputetin Bahri Bregu, me kapon e një bande. Tete a tete!
E megjithatë, mendoja, se për Shqipërinë do ishte më mirë, që PD-ja të ishte edhe 4 vite të tjera në pushtet, por në kolaicion me të tjerë dhe me më pak vota, për të qeverisur në mënyrë më të balancuar.
Të djelën e 26 majit, shkova vonë pasdite për të votuar. Në qendrën e votimit kishte rradhë dhe u detyruam të prisnim pak. Papritur erdhën me vrull dy mjekë, militantë të PD-së, që gjithë entusiazëm serioz, njoftuan se PS-ja ishte larguar nga zgjedhjet dhe çdo gjë ishte gati e përfunduar, por votimet do vazhdonin. Mu dukën qesharakë në militantizmin e instruktorëve të komiteteve të partisë, me të cilët ishin tallur ata dhe unë, jo më larg se 7-8 vite më parë. Votova, kur më erdhi rradha dhe ika me pyetjen “Po tani çdo ndodhë?” Në daljen e shkollës, rrinin disa përfaqësues të partive të larguara, ku njoha Edmond Trakon, kandidatin për deputet të zonës, nga “Aleanca Demokratike”. Ju lexohej hutimi në fytyrë.
Në darkë, pasi dëgjova rezultatet u ndjeva i pambrojtur.
Nuk mund të mbrohem nga pushteti, kur nuk ka opozitë! Kjo ishte ndienja ime si qytetar edhe pse kisha votuar për Partinë fituese.
Më vonë ndodhën gjithë ato që ndodhën. Në një diskutim të ashpër me një shokun tim, dënova PS-në , që ishte larguar nga zgjedhjet. Ai këmbëngulte, që po mos iknin, do kishte pasur të vrarë, se bandat e PD-së do i vidhnin votat me çdo kusht, por ai argument për mua ishte i pavlerë. Nga votimet nuk mund të largohesh 7-8 orë pasi kanë nisur! Edhe sikur të jenë konstatuar manipulime të mëdha ose edhe të jenë bërë incidente. Ky është rregulli numur një i lojës politike në demokraci. Nëse ke kohë, që këtë e di, bojkoto zgjedhjet dhe ankohu në organizmat përkatëse.
Krerët e PS-së, e lanë vendin pa opozitë dhe lanë qytetarët e pambrojtur dhe viktima të një pushteti të pangopur, që inkurajoji në vazhdim, më tepër skemat piramidale.
Kjo ndodhi 21 vjet më parë dhe ishte preludi i vitit 1997.
Diçka e ngjashme, po ndodh edhe tani. Rrezikon të ndodhë i njëjti bllokim, që le jashtë loje opozitën dhe fut gjendjen e vendit në hulli të panjohura, që mund të shkallëzohen edhe deri në konfrontime.
Ata, që janë “djegur” më 1997, 1998 dhe në ngjarje të tjera të ngjashme, i kanë drejtuar sytë nga Perëndimi.
Ndërsa ata, të cilëve ju kemi ngarkuar përgjegjësinë e qeverisjes së vendit, tregohen thellësisht të papërgjegjshëm.
Më se 40 ditë me akuza, sharrje dhe tallje ndaj njëri-tjetrit.
Thuajse e njëjta Marrëzi e 21 viteve më parë!

Perëndia vëntë dorë!

Wednesday 5 April 2017

Une dame creole (Ch. Baudelaire)

Një zonje kreole

Në vendet erëmirë, që dielli ka për zemër,
Nën hijen e pemëve, gjithnjë lulëzuar,
Unë njoha mes palmash, një kreole femër,
Plot hire dhe sharm, një bukuri e harruar.

Me çehren e zeshkët; bruneja magjiplotë
Me lëvizje të fisme, tund flokët në ajri;
Si gjahtare hedh hapin, e gjatë, e fortë,
Nënqeshjen e qetë, sytë plot siguri.

Nëse shkon o zonjë në vendet me emër,
Në brigjet e Senës, a në Luara e gjelbër,
Bukurive klasike të tyre e denjë,

Do nxitësh, me magjinë  e tërheqjes së fshehtë,
Mijra sonete nga më të famshmit poetë,
Që sytë e zinj do i bëjnë besnikë ndjekës.

Tuesday 4 April 2017

I Pari dhe i Fundit!


Nuk mund të flas për të gjithë shokët e klasës sime, mbasi disa mund të kenë edhe të tjera mbresa të fëmijërisë shkollore, por për mua dhe shumë nga shokët e mij, Zhani është Mësuesi i Parë. 
I paharrueshmi!
E shikonim me admirim, që në vitet e fillores, se kishim dëgjuar aq shumë nga vëllezërit e motrat tona, që e kishin mësues. Një autoritet të jashtëzakonshëm edhe pse nuk e ngrinte zërin kurrë. Mësuesi i adhuruar, me një nam të mirë edhe më i respektuar se drejtori dhe çdo mësues tjetër i shkollës së Muzikës.
Zhani Pilika ishte trupa mësimore e shkollës së Muzikës!
Na mësonte të gjitha shkencat, me atë shkrimin e tij të qartë dhe me organizimin e shkëlqyer të dërrasës së zezë. E shikonim në gojë! Besonim në çdo gjë që na thoshte!
Kështu ju mbolli dashurinë për matematikën dhe fizikën, sa e sa nxënësve të shkollës sonë, që shkëlqyen edhe në shkencat po aq sa edhe në instrumentat muzikore.
Ne ishim një tufë çamarokësh, që patëm shkaktuar shumë probleme për mësuesit, ndaj për herë të parë, Zhanit nuk i dhanë në kujdestari klasën e tetë si gjithmonë, por klasën e gjashtë, tonën! Për të na “gdhendur”!
Dhe na “gdhendi” me dije dhe dashuri.
Na mësoi jo vetëm shifrat dhe figurat gjeometrike, jo vetëm marëdhëniet mes trupave qiellorë, por mbi të gjitha, të ishim të ndershëm e të përkushtuar ndaj të mirës.
Nuk lodhej duke na shëtitur vendeve të bukura të rrethit të Korçës, duke planifikuar dhe organizuar çdo gjë vetë.
I dashuri mësuesi jonë Zhani!
Ai që na qortonte me një vështrim të vetëm. Ku ndjehej pikëllimi i tij për çapkënllëqet tona të tepruara.
Në jetë patëm edhe shumë mësues të tjerë që na dhanë shumë.
Por ai mbeti më i shkëlqyeri mes të shkëlqyerve!
I dashuri mësuesi jonë. I pari dhe i Fundit!
Sa kemi dashur të të ngjasojmë, por nuk kemi mundur.
Ishe aq pranë Përsosmërisë!

E dimë ku ke shkuar tani!

Monday 3 April 2017

Sisina (Ch. Baudelaire)

Sisina*


Mendoni Dianën, me veshjen e vlerë,
Uturin pyjeve, vret çdo egërsirë,
Prazmoren vezulluese, flokët në erë,
Ngadhnjyese mbi kalorsit më të mirë!

Kush e pat parë dashnoren e gjakderdhjes,
Teronjën**, që nxiste turmat me zbatharakë
Shpatë në dorë, zjarr në sy prej urrejtjes,
Tek ngjitej mbretëroreve bazamakë?

Dhe shiko Sisinën! Po luftëtarja e dlirë,
Ka shpirtin ndëshkues, po aq dhe të mirë;
Kurajon ndezur nga plumbat dhe tamtamet,

Për të penduarit, që armët hedhin poshtë,
Edhe pse në zemër i flakërrojnë zjarret,
Kur e meritojnë, di të derdhë lotë!

Sunday 2 April 2017

Qershitë e përmjera


Nuk jam i sigurt nëse “meseleja” e Nastradinit ishte me rrush apo me qershi, por meqë një shoku im në Itali, ju referua frutave të qershorit, edhe unë po e le të tillë.
Diçka po diskutonim rreth Mehdi Bushatit, dhe pa e vrarë shumë mendjen, unë i përmenda, që Mehdia(kështu i shquajnë emrat e burrave në Shkodër), nuk kishte qënë i zararit, se si jurist kishte punuar dhe më vonë në drejtimin e Bashkimit të Fiskulturistëve.
“Ka myt njerëz, se ka qënë shumë kohë në hetuesi” më tha dhe shtoi, “por tani po i bëjmë të gjithë si qershitë e Nastradinit …edhe kjo e papërmjerë…edhe kjo e papërmjerë…”
Nuk e zgjata, por i dhashë të drejtë.
Dukuria e “qershive të papërmjera” tek ne nuk ka kidhje me faljen kristiane. Edhe pjesa e jonë katolike, që në doktrinë e ka faljen, si një shtyllë kryesore të besimit, nuk e aplikon shpesh dhe ashtu si duhet dhe jo më ortodoksët, myslimanët, evangjelistët apo ateistët e shumtë shqiptarë.
Pak ka të bëjë edhe me harresën. Njerzit nuk harrojnë nëse xhaxhai apo tezja, ka marrë një pëllëmbë më shumë në tokën e gjyshit dhe për këtë lloj “drejtësie” mund ta shpien gjakun deri në gju!
Nuk ka të bëjë as me “bonizmin” e shprehur në fjalinë bajate “Unë shoh anët pozitive në çdo njeri”.
Ka të bëjë me raportet tona me pushtetin.
Një kriminel i veshur me pushtet, tashmë nuk është më një “kriminel”, por një burrë i zoti, edhe me karakter, por që për shka të sistemit, ka bërë edhe gabime, ndoshta edhe të tepruara.
Një karrierist, që pas krahëve, për të zënë një post të lartë, ka spiunuar shokët, nuk është më një “ndyrësirë“, por njeri i zellshëm, me objektiva të qarta për jetën, pra me një fjalë, një “burrë i zoti”.
Unë nuk jam për ndëshkime shëmbëllore. Sidomos për njerzit, që kanë ndenjur në heshtje, duke mos u ndjerë, pavarësisht në i vret apo jo ndërgjegja, për “poshtërsitë“ , që kanë bërë gjatë Diktaturës apo edhe në 25 vitet pas saj.
Por nuk do të ulesha kurrë të haja e të pija me Sali Berishën, Gramoz Ruçin, Koço Kokëdhimën, Ilir Metën, Spartak Brahon, Fatmir Xhafajn dhe gjithë skotën e tyre. Nuk kam në dorë, t’i heq nga postet që kanë, por kam në dorë që edhe nëse nuk i përbuz hapur, t’ju le të kuptojnë, që janë “qershi të përmjera”.

Në të kundërt, të gjithë fillojmë e marrim erë, prej të pëgërave të tyre.

Beaute (Ch. Baudelaire)

Bukuria


O njerëz jam e bukur! Si e gdhendur ëndërr,
Gjinjtë ku të tërë, jeni ndeshur në rradhë,
Tek poeti ndezin një dashuri të madhe,
Të heshtur e po aq të përjetshme, si lëndë.

Si sfinks plot enigma, rri në fronin mes resh;
Bardhësinë e mjellmës me borën e shkrij,
Mos më shfaqen rrudha, as buzët nuk lëviz,
Dhe kurrë nuk lotoj, dhe kurrë unë nuk qesh.

Poetët para kësaj pamje madhështore,
Nga monumentet më me vlerë marrë hua,
Jetën do e tretin në studime prore;

Por unë, t’i gëzoj, këta të dashuruar,
Pasqyra, që zbukurojnë çdo shëmbëllim:

Kam sytë, të mëdhenj sy, me dritë pambarim!

Saturday 1 April 2017

1 prilli "fool's day".

Per 1 prillin me lejohet te shkruaj me shume budallalleqe se zakonisht, por genjeshter nuk eshte...


Pandi Këndeska ishte part-time në kinema?

 
Kujtimet e kinemasë nuk mund të ndahen nga kureshtja, frika dhe dëshira për të ngacmuar Pandi Këndeskën.
Papritur, ndërsa kujtoja lëvizjet e tij në qytet, nga kinemaja deri në agjensinë e autobuzave, më lindi pyetja budallaqe: “A ishte i punësuar tamam me rrogë Pandi, apo si i thonë sot, ishte part-time?”
Me karocën e tij, që nuk kishte shoqe të ngjashme në gjithë ndërmarjet socialiste të Korçës, Pandi shpinte dhe merrte kasetat e rrumbullakta të filmave, që vinin nga Tirana ose qytetet fqinjë, sipas një plani të përpiktë të koordinuar nga drejtoria e filmit në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Rrotat metalike rrakezhdraknin bulevardit me një zhurrmë, që të ngrinte nga gjumi i drekës. Zakonisht ajo ishte ora kur truplidhuri Pandi, me një pallto të gjatë, të ndonjë ushtrie pushtuese, dhe me këpucë me qafa, edhe pse ishte behar, shtynte karrocën e tij , e gjitha metal me një dysheme druri pa i rënë më qafë kujt, por në pritje të thirrjeve ngacmuese të çamarrokëve, por edhe të më të rriturve:
-Pandi Një!
-P… i satëme Dy!- përgjigjej duke kthyer kokën nga ata që i thërrisnin nga larg.
Atëhere fillonte shfaqja e zakonshme e çdo province në Mesdhe, e kohëve më të hershme, kur kalamajtë dhe të papunët, argëtohen duke ngacmuar fatkeqët, si për t’i dhënë zemër vetes, se nuk janë vetë në shkallët e fundit të shoqërisë.
-Kokoshi majë plehut- dëgjohej thirrja e një kalimtari nga trotuari tjetër.
Pandi i kthehej edhe atij duke i kujtuar të jëmën bashkë me organin e saj seksual, ndërsa eksitimi primitive, i fëmijëve, që donin të dëgjonin sharrje të ndyra nga të rriturit mes qytetit, arrinte kulmin. Ajo që e rriste eksitimin ishte frika se mund të bije në duart e Pandi Këndeskës. Ishin dy duar të mëdha, pak si babuce dhe të dukej se po të bije në ato panxha, nuk kishe për të shpëtuar lehtë pa u torturuar paq. Sigurisht, asnjërit nga ne nuk i bëhej vonë për nënat, që na shante mbarë e prapë punonjësi i kinemasë. Ashtu e kishim gjetur marëdhënien me Pandin, kur ishim 4-5 vjet dhe po ashtu e linim kur ktheheshim nga ushtria apo universiteti.
Nuk di nëse Pandi ishte vërtet i metë. Nuk kisha këmbyer kurrë ndonjë fjalë me të, si mund të kisha këmbyer me personazhe të tjerë tragji-komikë të qytetit. Kishte një fytyrë të egër, me tipare të theksuara dhe të vrazhda. Dukej se kishte një si hije afrikani në fytyrën e tij. Rrallë buzëqeshte. Punën e kryente me përpikmëri, nëse mund të quhet punë, që ka nevojë për përpikmëri, marrja e kasetave të filmave nga agjensia e autobuzave dhe shpënia në kinema. Gjithsej jo më shumë se 700-800 metra.
Duket, që personazhe të caktuara mund të ekzistojnë vetëm në kohë të caktuara. Për shembull Pedonalja nuk mund të pranonte Pandin me karrocën e tij, se rrakezhdraku do ishte i padurueshëm. Dhe Pedonalja do bëhej se s’kishte se si. Po t’ju kishte rënë ndërmend për të Myftar Grabockës ose Enver Halilit, atëhere do gjenin edhe një zgjidhje për karrocën e Pandit. Mbase do i vinin goma. Tani nuk ka nevojë se filmat janë dixhitalë. Mund t’i mbash edhe në xhep nëse je drejtor apo operator i emëruar nga Partia që ka rradhën në pushtet. Tani Pandi Këndeska nuk do punonte dot as part-time po të ishte gjallë. Mbase do e kishin nxjerrë në asistencë.

-Pandi Një! (Ose më mirë si thuhet tani “Pandi je Njësh…ose Bio!”