Friday 29 September 2023

Edhe hënë, edhe lozonjare!


Më ndodh që kur udhëtoj gjatë të më vijnë ndërmend ç'turlish kujtime nga e kaluara. Qesh me vete dhe them se jo vetëm partia, qeveria dhe organizatat e masave na "ushqyen"trurin me gjithfarë "plehrash". por edhe të tjerë njerëz krijonin lloje të tjera kotësish të cilat partia, qeveria dhe organizatat e masave i luftonin, por gjithsesi hynin në mendjet tona prej kalamani apo adoloshenti. "Ushqime" toksike, të panevojshme, rropullipërzjerëse.

Një natë me hënë të plotë (e cila këtej nga jetoj duket çuditërisht e madhe) më erdhi në mendje një nga këto "krijime" të sernadistëve qaramanë korçarë. Nuk di nëse i përkiste repertorit të xhaxhallarëve Peleshi, Xhepes apo të tjerë krijuesve të panjohur. Gjithashtu nuk e kam dëgjuar të jetë në kasetat dhe CD-të e këngëtarëve të sotëm, që kanë jo pak nga këto këngët qaramane të rrugëve.

Eshtë befasuese se vetëm në tre strofa me një tetërrokësh të zakonshëm, autori jo vetëm tregon gjendjen e tij shpirtërore, por edhe tërë historinë e jetës dhe njëkohësisht i hedh edhe munxat vendit të tij.

Ti moj hëna lozonjare

Që ndriçon sonte mbi dhe,

Hyr në re dhe mos dil fare

Që ky vend drit' të mos ketë!

Të fut në mënyrë thuajse të magjishme në botën e një njeriu fotofobik, i cili nuk del ditën (se nuk thotë gjë për diellin), por del vetëm natën dhe dritën e hënës nuk do ta ketë as vendi i tij! C'të jetë ky njeri të cilit hëna edhe i duket lozonjare, por njëkohësisht e do edhe pas reve?!

Kuptohet në strofën e dytë, kur urrejtja e tij ndaj dritës së hënës duhet t'i ketë ndoshur për shkak të humbjes së dashurisë të tij të madhe.

Unë të mora qysh të vogël

Dhe të rrita si fëmij'

Shkaku yn' që ne u ndamë

Ishe ti që s'lind fëmij.

Unike , e papërsëritshme, ndoshta pa asnjë shembull tjetër t[ ngjash[m në ziliarda vargje, që ka krijuar Njerëzimi gjatë historisë së tij. E la gruan , që e kishte marrë me një barrë sevda që adoleshente (nuk duket se ka elemente të pedofilisë ) se nuk bënte fëmijë. Nuk kishin dalë edhe këto metodat me "vitro", që të ishte bërë dermanpër qa ramanin.

Dhe me nota të fuqishme tragjike, mbyllet kënga në strofën e tretë, kur kuptohet gjithshka që ka ndodhur. E gjora grua e lënë për shkakun "madhor" të mosprodhimit të një trashëgimtari, ka vdekur dhe autori i penduar, që nuk do hënën të shfaqet, kërkon dhe ai të vdesë një orë e më parë, por pa pranuar fajesine. Del edhe një përbërës, që shfaqet jo rrallënë serenatat krahas, rakisë, lotëve dhe leshkave, që është "varri".

 Hapu varr i errësuar

Dhe pranoje trupin tim!

Vdiq ajo që më desh mua

Le të vdes dhe unë tani!

Cuditërisht kjo strofë me nota "betoviane" dhe e gjithë kënga (nga ato me dhemkë)mua më bën të qesh ndërsa shkoj me makinë në një rrugë që ka në fundin e saj një hënë stërmadhe, që të kujton ato gonget e mëdha prej bakri të tempujve aziatikë. Aspak lozonjare!

Saturday 23 September 2023

Të ndjerët regjisorët e mij


Nuk mund të them me siguri se të gjithë fëmijët kanë dëshirë të aktrojnë. Mbase pjesa më e madhe syresh, sidomos në shekullin e kaluar, që padyshim ishte shekulli i kinemasë.

Në sistemet totalitare (veçanërisht në ato komuniste), dëshira e fëmijëve për të luajtur në skenë apo në filma ndihet së tepërmi nga shteti, që përdor artin skenik dhe kinematografik për propagandë. Shfaqjet teatrore amatore tek ne nxiteshin që në Shtëpinë e Pionierit dhe më tej në shkollën e mesme dhe më tej akoma në fabrika dhe uzina. Vazhdimisht kishte konkurime të grupeve amatore, të cilat thyenin monotoninë e një jete "të kontrolluar", veçanërisht për pjesëmarrësit në ato veprimtari.

Shpesh i sjell në mendje ata që kanë drejtuar shfaqjet ku kam marrë pjesë si i ri dhe adoleshent, dhe më vjen keq që thuajse të gjithë janë larguar të rinj nga kjo jetë.

Në Shtëpinë e Pionierit, regjisori im i parë ishte Raqi Cili. Ishte jo vetëm aktor i mirë dhe burrë i pashëm, por edhe njeri i mirë dhe me seriozitet në sjellje dhe punë. I mëshonte llogjikës në interpretim dhe në thënien e frazave, duke mënjanuar patetizmin, që jo rrallë "ushqehej" në aktrimin në një vend diktatorial.

Deri në vitet '80 të shekullit që lamë, në Institutin e Arteve nuk kishte degë regjisure, ndaj edhe të gjithë regjisorët e grupeve amatore (shpesh edhe ata të trupave profesioniste) ishin aktorë. Të tillë ishin regjisorët e grupit të shkollës sonë të mesme, Jani Riza dhe Perikë Gjezi, që fatkeqsisht humbën jetën në aksidente automobilistike. Jani ishte shumë i ri. Ende e kujtoj një mëngjes të vrejtur vjeshte kur mësova për vdekjen e tij.Ishte një njeri shumë i gjallë dhe bujar, si dhe me shumë humor. 

I hapur dhe dashamirës ishte dhe Peroja, që sa kishte mbaruar Institutin, kur punoi me trupën e teatrit të shkollës sonë. Ai frymëzoi disa nga gjimnazistët të ndiqnin rrugën e artit, por vetëm njëri prej tyre, Shkëlqim Jaupi, arriti të fitonte më vonë konkursin për pranimin në Institut.

Regjisorja nën  drejtimin e së cilës kam qënë për 5-6 vjet, ishte e nderuara Drita Kallamata. Edhe Drita nuk kishte studiuar për regjisurë, por kishte intepretuar në Teatrin Popullor dhe për një kohë të gjatë në Teatrin e Kukullave n[ Tiranë. Ndonëse natyra e aktrimit në një teatër kukullash është e veçantë dhe përqëndrohet tek vitaliteti që i jep buratinit, nga Drita mësoje shumë edhe për artikulimin e fjalëe dhe kontrollin e mirë të zërit në skenë. Regjisorja, që kishte qënë për ne si një nënë e dytë, u largua beftë një mëngjes nëntori, kur ishte vetëm 55 vjeçare.

Më gjatë pat jetuar i fundit mes regjisorëve të mij, aktori Niko Qirici. Nikoja ishte aktor komik, por mund të luante edhe role dramatike, falë paraqitjes së tij dhe zërit të ngrohtë prej baritoni.

Kur kisha mbushur 20 vjet dhe pata hyrë në Universitet, e kisha humbur dëshirën për të marrë pjesë në grupe amatore të skenës. ndoshta e kisha kuptuar që nuk kisha ndonjë talent të spikatur dhe gjithashtu isha më i ndërgjegjshëm se r-ja difektoze në të folur nuk tingëllonte mirë në skenë. Megjithatë kujtimet e provave dhe shfaqjeve, si dhe të drejtimit me dashuri dhe durim nga ana e regjisorëve mbeten të pashlyeshme.

Prehuni në paqe të dashurit regjisorët e mij! 


Tuesday 12 September 2023

Shteti “demokratik” – shëmbëlltyrë e Azem Hajdarit


25 vjet më parë, një grup cubash që mbështeteshin nga Partia Socialiste vranë Azem Hajdarin. Në gjyqet e bëra nuk dolën qartë motivet, por mundësia më e madhe ka qënë larje reciproke hesapesh për tregëti armësh dhe të tjera fëlliqësira që ndodhnin në Tropojë në ato vite. Palët kishin vrarë midis tyre dhe vazhduan të vrisnin.

Një vit më parë, Azemi ishte plagosur brenda Parlamentit nga një deputet tjetër, ku motivi kishte qënë një fyerje banale në publik. Gjithashtu I kishte shpëtuar disa atentateve të mëparshëm. (Asnj[ p[r arsye politike.)

Azem Hajdari, të cilin e paraqesin si hero të Demokracisë, ishte një “horr” i futur në politikë, që për 6-7 vjet bëri me dhjetra e qindra paudhësi dhe krime, duke nisur me organizime vrasjesh , përdhunime, mashtrime, përvetësime fondesh shtetërore, privatizime me ndërhyrje dhe forcë dhe plot të tjera më të lehta. Por pa e pasur ai vetë atë qëllim, shteti i sotëm “demokratik” shqiptar ka të njëjtin karakter si të Azemit.

Ortakëri me krimin e organizuar, korrupsion në nivelet më të larta, polici dhe prokurori arrogante, qeveri e mbushur dingë me hajdutë, mungesë tolerance dhe mirëkuptimi mes institucioneve dhe partive e të tjera si këto.

Me një fjalë një Shtet horr.

Mjft të dëgjosh si flet Kryeministri dhe Kryeopozitari, mjaft të shohësh lluksin e Meta-Kryemadhit dhe hajnave të tjerë, mjaft të vëresh servilizmin e Presidentit Begaj, mjaft të shohësh vagabondët e mediave, mjaft të këqyrësh videot perverse në zyrat e shtetit.

Mund të themi me plot gojën, se Azemin vërtet e vranë, po ai është i gjallë në institucionet e shtetit shqiptar.

Le ta quajmë edhe vendin Hajdaristan!

I përjetshëm kujtimi!

Saturday 9 September 2023

Heshtja

Heshtja nuk është e qelqtë.

E rëndë si dheu

Edhe pse papeshë.

E padepërtueshme

Si asnjë lëndë tjetër

Ndaj nuk mund të jetë e kuptueshme,

Sepse as rikthen gjurmën e shurrdhët

Të tingujve që dalin prej kordave që nuk dridhen.

Mundohem larg të nis vështrimet

Mbase mund të lenë shënjë

Tek sytë e tjerë,

Që fshehtazi më vidhen.

Heshtja është si deti,

Me pafundësinë dhe valët e saj.

Në mosbëzajnen e thellësive

Të bën të ndjesh se nuk janë fjalët,

Por drita që ndih për të kuptuar.

Dhe në të magjishmin mostingëllim të Universit

Pa bujë ndërthurremi,

Ndërvrepojmë,

Shihemi,

Përkundemi deri në të shuar.

Thursday 7 September 2023

7 shtator

Iku një prag agimi me re

Lodhur nga ankthet,

E pamundur për tu përkujdesur për bijtë.

Pa pezmin se do tretej në të huaj dhe,

Larg dashurive,

Larg të njohurave aroma.

Thosh:

“Toka është e njëjtë për të gjithë!”

Nga buzët pak të hapura

Fryma e fundit kishte hyrë

Dhe ndoshta prej aty shpirti kaluar në efir.

E qetë prehej,

Indiferenta ndaj kësaj bote,

Më s’kishte për të më thirrur: “O bir!”

Topitëse ishte gjithshka përreth,

E ndalur,

Atë prag agimi me re.

Të ndryshme do ishin më tej mëngjeset

Të zbrazëta.

Ajo ishte nisur për tek e Përtejmja

Duke marrë me vete një pjesë nga ne.

Friday 1 September 2023

"Zonat blu" të 100 vjeçarëve


Të gjithë duan të rrojnë një shekull. Në fëmijëri duket si një kohë e pafundme, por kur ke hyrë në të tatëpjetën e jetës  e sheh se nuk është edhe aq "pa fund".

Urojmë të bëhemi 100 vjet pa menduar gjatë se si do jenë ato dhjetë vitet e fundit, me pak dhëmbë, me shumë dhimbje në kyçet e gjymtyrëve, me veshë të mëdhenj, por që nuk shërbejnë më për të dëgjuar dhe me plot mangësi të tjera të natyrshme.

Po a duam vërtet të arrijmë të 100-tat, madje edhe t'i kalojmë?

Sipas një dokumentari vërtet serioz në Netflix, "zonat blu" (kështu janë emërtuar zonat me më shumë "shekulloristë" sipas një studimi të një mjeku italian) janë në 5 vende të botës. Katër prej tyre ishin në vende thuajse të izoluara dhe vetëm një qytet në Kaliforni, me një komunitet të Adventistëve të ditës së 7-të ishte pjesë e jetës "moderne" Të tjerat ishin Okinava në Japoni, disa fshatra të izoluara të  Sardenjës, ishulli grek Ikaria në Egje dhe një fshat i thellë në Kosta Rika.

E përbashkëta më e dallueshme e të 4-ve ishte jeta tradicionale si ka qënë ndër shekuj prej lëvizjeve të shumta këmbësore dhe të detyruara nga puna fizike në kopshtari dhe bujqësi, jeta familjare dhe e komunitetit, besimi fetar dhe largimi nga streset. Dukej që mënyra e të ushqyerit edhe pse kishte të përbashkët praninë e perimeve dhe prodhimeve organike, ndryshonte nga një vend tek tjetri.

Nëse do duam ta përmbledhim në një frazë të vetme:

Një jetë e thjeshtë pranë natyrës duke u përpjekur pa lakmi të madhe të marrësh nga natyra atë që të jep.

Në vendet ku jetonin "shekulloristët" e shumtë nuk kishte spitale dhe azile pleqsh, por nuk flitej shumë as për udhëtime të tyre nëpër botë, as për studiues apo shkencëtarë dhe as për artistë apo shkrimtarë të njohur. Edhe Adventistët që kishin programuar një jetë me ushqim të shëndetshëm, me shumë ushtrime fizike dhe punë vullnetare, që bënin një pushim të plotë të shtunave (ashtu si Perëndia) dhe që luteshin vazhdimisht duketse kishin një jetë të ndryshme nga jeta e shoqërive të përparuara.


Jetojmë më pak se jetojmë në mënyrë të gabuar?

Vetë nuk do zgjidhja të jetoja në asnjë nga zonat blu edhe sikur të ishte e garantuar se do i kapërceja të 100-tat. E megjithatë mendimi im është thjesht një opinion dhe një këndvështrim i caktuar për jetën, që mund të jetë edhe plotësisht i gabuar.

(Më duket se para se të mbushja 100 do isha bërë një derr jo i kënaqur!)