Thursday 29 February 2024

Hipokrizia e "ortodoksit" Putin


Në një intervistë të gjatë dhënë gazetarit amerikan Karlson Takër, autokrati rus Vollodja Putin dëshmoi se jo vetëm është proluftës deri në plotësimin e kushteve të tij, porse këtë e bën i sigurt,  nën justifikimin se i janë prekur interesat kombëtare ruse dhe si fuqi e madhe botërore do i mbrojë këto interesa me çdo lloj çmimi. Gjatë gjithë intervistës, me një të qeshur dinake të një gangsteri që do të tregohet i fortë, Putin jo vetëm gënjeu për shumicën dërmuese të fakteve historike, por nuk dëshmoi asnjë lloj shqetësimi që mijra rusë dhe vëllezër të tyre ukrainas po vriten në një konflikt të armatosur të nisur prej tij.

Këtu me të drejtë në fund të intervistës. gazetari amerikan e pyeti se si përputhet qëndrimi i tij proluftës me ideologjinë e tij të të krishterit ortodoks. Më parë, Putin kishte deklaruar se ai vetë dhe populli rus jo vetëm që janë të interesuar të mbrojnë botën e popujve ortodoksë, por edhe se kjo botë ka një thellësi të madhe shpirtërore nëse krahasohet me cinizmin dhe pragmatizmin e botës perëndimore. Për ta ilustruar përmendi edhe Dostojevskin dhe kredon e filozofisë së tij, por asnjëherë nuk ju përgjigj pyetjes së gazetarit lidhur me parimin e Krishtit "për të kthyer faqen tjetër".

Ka një ngjashmëri të madhe të hipokrizisë të mafiozëve italianë në Itali dhe Amerikë me Vollodjan rus. Të parët ndjekin me përpikmëri ritet katolike, ndihmojnë kishën dhe organizatat e lidhura me të edhe pse ditën dhe natën vjedhin, korruptojnë dhe gjithashtu vrasin. Por nëse të parët i përkasin "botës së nëndheshme" dhe kanë një ndikim minor në ngjarjet botërore dhe jetën e njerëzve në shoqëritë e tyre, gangsteri "ortodoks" rus jo vetëm që drejton një nga vendet me pasuritë më të mëdha në botë, por ka nën kontrollin e tij edhe një arsenal jo të vogël të armëve botërore. Një njeri i brymosur me materializmin dialektik se ekonomia është vendimtare në çdo lloj zhvillimi historik, e përdor "petkun ideologjik fetar" vetëm për të pasur një mbështetje më të gjërë në popull. Veprimet e tij gjatë 25 viteve që drejton Rusinë janë në kundërshtim të plotë me parimet bazë të fesë së krishterë në përgjithësi dhe të ortodoksisë në veçanti. Putin vjedh, vret dhe jep vazhdimisht dëshmi të rreme.

Edhe pse duhet thënë që nuk është politikani apo udhëheqësi i parë gjatë dymijë viteve të krishtërimit, që e bën këtë gjë, Putin bëhet më i rrezikshëm se të tjerët jo vetëm se është bashkëkohës, por edhe për rrezikun e provokimit të një lufte bërthamore.

Në fillimet e kësaj lufte kam shkruar se më vjen keq për të dy palët e të rinjve që vriten , si ata ukrainas, por edhe ata rusë. Më duhet gjithashtu të theksoj se popullit rus po i vihet një njollë e madhe me mbajtjen në fuqi të këtij gangsteri, që nuk ndalet para asgjëje.


Sunday 18 February 2024

Eshtë i joni "bir bushtre"


Kjo javë ka qënë ndër më të mirat për Edi Ramën, pasi zyrtarisht ka patur dy deklarata që e cilësojnë "udhëheqës të shkëlqyer". Njëra nga Sekretari amerikan i Shtetit Blinken dhe tjetra nga ish-kryeministri anglez Toni Bler.

Pa dashur të minimizojmë rëndësinë e deklaratave (ve]anërisht të asaj të Blinken), duhet të përmendim relativitetin e tyre. Përcaktime të tilla janë të përhershme vetëm në funeralet e udhëheqësve, ndërsa kur ata janë gjallë janë thjesht të përkohshme dhe koniukturale. Nuk mund të jesh një udhëheqës i shkëlqyer kur nuk perceptohesh si i tillë nga shumica dërmuese e shoqërisë. Nëse më shumë se gjysma e shqiptarëve e konsiderojnë Ramën të korruptuar dhe autokrat, atëhere e vërteta e deklaratave politikanëve të huaj është "he is our son of the bitch!"

A është për shoqërinë shqiptare më mirë të ketë një autokrat me mbështetje të plotë nga amerikanët se sa një politikan liberal të pakorruptuar, por që nuk ndjek symbyllaz kërkesat e amerikanëve?

Eshtë një pyetje krejt hipotetike, se një lloj politikan i tillë me mbështetje në popull ende nuk ekziston në Shqipëri. Njëkohësisht nuk duhet të presim që amerikanët të krijojnë një "klimë" të tillë në shoqërinë shqiptare, që të nxjerrë një ose më shumë politikanë të këtij lloji. Për një vend me popullsi të barabartë sa të një metropoli, për interesat amerikane zgjedhja më oportune është të jetë në krye të vendit një drejtues që nuk ju kundërvihet interesave të tyre gjeopolitike dhe ju shërben menjëherë sa ju dalin probleme si të opozitës së Iranit, strehimit të afganëve apo asgjesimit të armëve kimike. Rama e ka pasur intuitën, që jetëgjatësia e tij në politikë është katërcipërisht e varur nga  marëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë. Ai ka për të mbajtur të njëjtin qëndrim edhe në rast të ndërrimit tëadministratës amerikane në vitin e ardhshëm. 

A i ka sjellë kjo një dobi të madhe Shqipërisë?

Nuk duket e tillë sepse investimet amerikane në Shqipëri janë ende shumë të pakta dhe shqiptarët vazhdojnë të kenë sytë e tyre drejt emigrimit në Angli, Gjermani apo vende të tjera të zhvilluara. Ky është treguesi i vërtetë nëse një "udhëheqës është i shkëlqyer" apo një "kryeministër shumë i mirë".

Por duhet pranuar që Rama ka "lundruar" më së mirë në qarqet e politikës ndërkombëtare, sepse ka krijuar shumë miq personalë në nivelet e larta politike prej Amerikës deri tek Italia. Ka treguar "kopilllikun" e nje "biri të vërtetë bushtre", gjë që e konsolidon edhe për 8 vite të tjera në krye të vendit. Eshtë një arritjejo e vogël për një njeri që 25 vite më parë nuk i përkiste asnjë partie politike shqiptare.


Monday 12 February 2024

Trump tremb Mbrojtjen Peleshi


Dje Trump ka deklaruar se do nxisë armiqtë e vendeve anëtare të NATO-s, që të sulmojnë ushtarakisht ato vende, që nuk shpenzojnë 2% të Prodhimit të Përgjitshëm Bruto përqëllime ushtarake! 

Eshtë një lloj kërcënimi si ai i bankave që po nuk pagove rregullisht kredinë të marrin shtëpinë, ose si ai i mafiozëve, që po nuk pagove "picon" do lenë të tjerët të të djegin dyqanin.

Trump vazhdon të mbetet sa qesharak aq edhe i rrezikshëm dhe sigurisht që ka trmbur (intimiduar-thuhet në kryeqytet) klanin e Rilindjes. Me të drejtë, se jemi nëvendet e rajonit që paguajmë më pak për mbrojtjen. Ndjekim atë që quhet "doktrina Peleshi", që në vija të trasha është "pronat e ushtrisë duhen privatizuar se ne na mbron NATO-ja". Sigurisht këtë Peleshi nuk e ka nxjerrë nga mendja e tij, se për çdo gjë vendos kryeministri Rama, i cili çuditërisht (ose jo) nuk e rrit buxhetin ushtarak. Dhe jo se e pengon kush, por se rritja nënkupton të blesh më shumë aeroplanë dhe tanke. Dhe këto mjete të shtrenjta duhen blerë në Amerikë, Gjermani dhe Francë ku nuk bën dot nga ato pazaret "ky helikopter vlen 50 milion, po shënojeni në karta për 70 dhe 20 m'i transferoni në llogarinë e kompanisë guackë në ishujt Kaiman!"

Pra Ramës ose do i duhet të heqë dorë nga "doktrina Peleshi" dhe të rrisë shpenzimet nga buxheti i shtetit (atë që e quan xhepin e tij), ose të bëjë të mundur që Trump të mos zgjidhet President i SHBA. Ndoshta mes të dyjave do zgjedhë atë të dërgimit të emisarëve në shtetet amerikane të banuara nga shqiptarët, për t'i bindur që të votojnë për Xho Gafën. I vetmi problem është se 90% e shqiptarëve të Amerikës votojnë për Trump se pëlqejnë politikën e tij rreth emigracionit, sepse sipas tyre-"Obama dhe Xhoja e patën bërë fare baltë në këtë drejtim".

E megjithatë nuk duhet të demoralizohemi se ka edhe një shpresë, që Rama të emërohet si Sekretar i Përgjithshëmi NATO-s (bazuar në informacionet e brendëshme, që ka pasur Nikollë Lesi) dhe mbrojtja e Shqipërisë të jetë e garantuar. Ndoshta edhe vizita e Blinken në Tiranë e ka këtë një nga qëllimet e saj.