Thursday 29 October 2015

Gozhde ne vjeshte

Pyll i ndryshkur vjeshte
Dhe një gozhdë në rrotën e pasme ngulur.
Qielli i rëndë më arrin deri në grykë
Dhe më mbyt me të tepërt ajër
Nuk ka maja malesh ku të varet,
Zogjtë kanaleve janë ulur
Dy gra vrapojnë në varret.
Trishtimi ka përpirë rrugët
Dhe më ka arritur deri në kërcij,
Sa shumë dua
Dhe sa frikë kam të vij!
Si mund ta ngre qiellin
Të tremb e të kap zogjtë aq poshtë ulur,
Krahëve të tyre të kapem
E pas të le pyllin e ndryshkur
Dhe këtë makinë

Me gozhdë në rrotën e pasme ngulur?

Tuesday 27 October 2015

Mengjes i pafund

Nuk mund të flinim
Në atë hotel varrezë,
Me shtretër komodë guri.
Ndaj pritëm agun duke u puthur,
Dhe qefinë shtruam tryezave të zbrazura
Për të shërbyer mëngjezin e pafund.
Që do nginjte pangopësinë për të jetuar,
Rrëzë një muri
Të valëzuar,
E të përkulshëm pa shumë mund,
Në dimensionin tjetër për të kaluar.
Nuk mund të bënim dashuri
Në atë shtrat epshesh të huaja,
Me të linjta ngrirë në kollë.
Ndaj ndenjëm kacavjerrë ëndrrave të kaluara,
Me frymëmarrje të ndalura
Deri sa hëna e hollë
Me dritën u tret,
Dhe retë butë na pritën
E njomën etjen për të fluturuar
Krahët i qullën
Dhe endrrave të ardhme na zbritën.
Nuk mund të preheshim
Në ato shtroje gjithë pupla
Me qetësi vdekjeje mbushur.
Ndaj ju kënduam yjeve,
Këngë grimcash kozmike
Që si pluhur i artë bridhte hapësirave
Cipën që mbante lëndën tonë ndriste.
Ndërsa jehona prej yjeve kthehej,
Në lëng jete shndruar,
Me të ardhmen e pafund që na priste.

Bote e ngushte

“Në botën tënde”
Ti the:
“Nuk ka vend për asgjë tjetër,
Veç zemrave të përhime,
Diamantësh të thyer,
Lule të zbehura
Dhe një shpate të vjetër.”
Unë u gjegja:
“Janë shumë
E më shumë bëhen kur përralla thurr,
Me mbretër të çmendur,
Kalorës që zbresin qiellit,
Numura që përsëriten,
Princesha gjithë nur”.
Ti qeshe hidhur,
Si rrallëherë bën.
Ndjeva sa pak të kisha dhënë,
Duhej të ikja,
Gjithësi të tjera të zbuloja,
Për të madhen tënde dashuri
Të kishte vënd.

Tuesday 6 October 2015

Te gjithe ne Siri

Meqënëse gjërat e thjeshta më duken të komplikuara, detyrimisht që të komplikuarat do më duken të thjeshta. Ndaj po shkruaj disa rrjeshta për situateën e sotshme në Siri.
Siria është bërë një arenë e vërtetë lufte, si rrallë ndonjë vend në histori.
Të pranishëm dhe pjesëmarrës në luftë janë Ushtria Siriane e Asadit, ISIS, El Nusra, “opozita e moderuar”(term i huajtur nga amerikanët), ushtria izrailite, forcat e armatosura turke në kuadrin e NATO-s dhe për hesap të tyre, aviacioni francez, kanadez dhe britanik, Irani, Hezbullahu, Jordania, kurdët, Arabia Saudite, Iraku, padyshim amerikanët dhe tani së fundi edhe avionët e Putinit.
Bashkë me to janë shërbimet skrete edhe të disa dyzina vendesh të tjera. Vende që kanë interesa për naftën, që duan të njohin gjendjen ushtarake të miqve dhe armiqve, vende që gjurmojnë shtetasit e tyre, që vullnetarisht janë bashkuar me ISIS apo El-Nusra apo me “opozitën e moderuar”.
Siria është ëndrra e generalëve. Teatër lufte i pashembullt. Luftë polivalente. Shumëfrontëshe. Shumëngjyrshe. Aspak konvencionale. Nuk dihet kush ja fut kujt dhe se cili ja ka me hile tjetrit.
Amerikanët nuk duan Asadin, të cilin e do Irani, por duan Iranin për të luftuar ISIS. Turqia nuk do Asadin, por nuk godet ISIS se do të godasë kurdët dhe undërshton Putinin. Ky i fundit pretendon se do godasë ISIS por godet “opozitën e moderuar” që të forcojë Asadin, gjë që e tërbon Amerikën por nuk e shqetëson Izraelin. Arabia Saudite e ka inatin me Iranin dhe me ISIS, por jep para për El Nusra.
Sirianët ikin nga sytë këmbët. Harxhojnë të gjitha ato që kanë për të paguar skafistët dhe trafikantët e tjerë dhe vendin e tyre e zenë ushtarët e huaj, spiunët dhe fanatikët(trushpëlarë) myslimanë nga Europa, Azia dhe Afrika.
Korporatat?

Ato gjithnjë fitojnë.

Monday 5 October 2015

Cdo ditë shoh turbull e më turbull…

Diku kam shkruar se nuk dua të ik nga kjo botë, pa kuptuar të paktën vendin tim në kohën kur kam jetuar.
Dhe vendi im është i vogël. Qyteti im edhe më i vogël. Kur u linda ishin rreth 60 mijë vetë dhe kur u largova nuk i kalonte të 75 mijët. Tani popullsia sillet diku rreth 50 mijë vetë. Thonë që më të shumtët janë të ardhur nga fshatrat e largët.
Por kur i kthehem shpejt me mendje kohës kur kam jetuar, më duket e thjeshtë dhe thuajse pa ngjarje. Një shoqëri e pakomplikuar, që hante, punonte paraditeve, dilte xhirro pasditeve dhe shkonte për urime në fejesa e dasma dhe për ngushëllime në vdekje. Ngjarjet e rëndësishme që më kalojnë vetëtimthi janë vetëm vdekja e dr.Polenkës, skandali i sajuar që futi Koço Cevën në burg, “gurët e Napuçes”, parrullat kundër Partisë e shkruara një natë në muret e shkollave dhe rrëzimi i shtatores së Enverit. Shumë pa për një periudhë mbi 30 vjeçare. Po t’i shtoj edhe kohët e humbura në rradhët për ushqime dhe një lloj frike kur shihje GAZ-et e Degës mund të jap një tablo më se të turbullt të shoqërisë korçare. Ose më mirë të theksoj, që sa më shumë kohë kalon, aq më mirë e kuptoj se nuk kam kuptuar asgjë nga vendi ku jetoja.
Po nuk e kam vetëm unë këtë mungesë aftësie për të kuptuar. E ndesh edhe tek të tjerë të njohur të brezit e qytetit tim. (Duhet të përmend, që në përpjekjet për të kuptuar se ku kam jetuar, kam dëgjuar me vëmendje se ç’thonin të tjerët, sidomos ata që i quaja të mençur; kam lexuar sa kam mundur analizat rreth asaj kohe; kam bluar në mendje kundërshtitë e atyre ç’kam parë , dëgjuar dhe lexuar.) Njri prej tyre, edhe pse gjithë jetën antikomunist, tani thotë, që po qe se do jetë Partia e Punës pjesëmarrëse në zgjedhje do votojë për të. NJë tjetër, duke i mëshuar zërit në fjalët “atij” dhe “të qelbur”, më thotë “Po mirë ja bënte Enveri atij populli të qelbur, që e mbante të mbyllur, se ja ç’po bën tani që u hapën rrugët!”
Më duket se edhe këta, si unë kujtojnë një periudhë gri paqeje, që s’ka as formë as trajtë as ngjyrë dhe as erë dhe fare pak ngjarje.
Po pse më parë më gënjente mendja, që mund të kuptoja shoqërinë ku kisha jetuar?
Thua të ketë qënë një mbetje e ndikimit të teorisë materialiste të njohjes, që mësonim në shkollë? Që po të marrësh në konsideratë faktorët ekonomiko-shoqërorë, raportet bazë dhe superstrukturë, si dhe traditat etniko- kulturore, mund të kuptosh qartë se ç’është një shoqëri?
Hmmm….
E di që me këto rrjeshta do qeshë avokati im dhe më shumë këshilltari juridik i avokatit tim dhe me mendje do thonë:

“Më në fund e kuptove!”