Wednesday 20 January 2016

Mendime të çartura

Ejani sërish mendime të çartura,
Të shuani këtë tingëllim bosh,
Brenda temporaleve.
Muza që fluturoni
Krerëve me kurora dafinash
Dhe me ide të arta i ndrisni
Pak çaste prisni,
Edhe mbi mua
Hidhni hirin e fjalëve.
Dua të tregoj për ato që kam humbur,
Dhe për ç’kam dëshëruar,
Se sa zor është të jesh i lumtur,
Dhe për të tjerët i përgjëruar.
Të tregoj ëndrrat,
Drithërimet,
Prekjet e të bukurës sime,
Qetësinë dhe frikën se një ditë do vdes,
Ejani sërish të çartura mendime,
Ejani,
Ju mirëpres!

Tuesday 19 January 2016

E rrahu kafsha kafshen?

Kafsha shkruan se një kafshë më e egër, e gjatë ose e rrumbullt, ka rrahur një kafshë më të butë, të hequr apo veshgjatë.
Që një kafshë e egër të rrahë një kafshë më të butë nuk është ndonjë çudi e madhe, por problem është se lajmi jepet nga një kafshë e tretë dhe nëse rrahja dhe ngrënia janë cilësi kafshërore, dhënia e një lajmi të vërtetë ka pak të ngjarë që të jetë cilësi kafshësh. Shumë shumë mund të quhet si cilësi shpendërore, po qe se marrim shembullin e këndezit, që jep lajmin e mirë të mbritjes së ditës së re. Por këtu nuk kemi të bëjmë me shpendë, por me kafshë dhe kafshë aspak të dobishme. (Nëse ka kafshë të dobishme dhe të padobishme, ky është një diskutim i gjatë dhe i thellë, që do njohuri të gjera, ose asnjë lloj njohurie, sepse të gjithë qëniet përderisa ekzistojnë janë të dobishme po aq sa të dëmshme.)
Po a përbën lajm nëse e rrahu apo jo kafsha kafshën?
Në dokumentarët rreth botës së kafshëve, ka shumë episode ku drerët zihen me drerët, gorrillat meshkuj me gorrillt meshkuj, arinjtë me arrinjtë e plot të tjera. Ka një lloj koreografie të rastësishme, që të pëlqen edhe pse shfaqja është violente. Po kjo ndodh se na shuan kureshtjen për diçka, që nuk e shohim përditë, se zënien e qenërve të rrugës nuk kemi dëshirë ta shohim. Pra rrahja mes kafshëve të ngjall kureshtjen nëse ndodh mes kafshësh që nuk rrojnë pranë nesh edhe pse nuk përbën lajm. Lajm është diçka që nuk e dimë ose nuk ka ndodhur kurrë më parë, ose ndodh aq rrallë sa kur përsëritet mund të quhet lajm.
Përse rrihen kafshët?
Për seks dhe ushqim. Të dyja përmblidhen në “luftën për territor”.
Po “kafshët politike”(political animals)?
Për të njëjtën gjë. Seks dhe ushqim. Ushqimi përmbledh të gjitha llojet e dëfrimeve që përmbushin të gjitha llojet e orekseve. Dhe kafshët politike kanë orekse “të papame”.
Ndaj rrihen stallave, shpellave të hapura e të fshehta, rrëpirave dhe grykave të lumenjve, brinjave , kodrave, fushave e gërxheve.

Ne paguajmë për të kënaqur kafshërinë e tyre.