Wednesday 31 January 2024

Kush e vrau Sorgen?


Në fundin e viteve '60, në kinematë shqiptare u shfaq filmi "Cili jeni ju zoti Sorge?". Ishte nga ata filma, të cilët i quanim me shaka "franko-italo-gjermanoperëndimor", sepse duke qënë fëmijë dhe pa njohuri rreth prodhimit të filmave në ekonominë e tregut, na dukej e çuditshme, që një film mos i përkiste një kombi të vetëm.

Dy seritë e "Sorges"u ndoqën me shumë interes në Shqipëri në një kohë, që filmat e huaj nuk ishin të shumtë dhe për më tepër kishte edhe një lloj ndalimi të filmave sovjetikë duke përjashtuar filmat e tipit "Capajev" apo "Aleksandër Matrazov".

Titulli i filmit ishte vërtet kuptimplotë për publikun shqiptar, i cili nuk kishte idenë se kush ishte në të vërtetë Riçard Sorge. Ne nuk dinim që edhe vetë sovjetikët vetëm para disa vitesh kishin pranuar që Sorge kishte qënë agjent sovjetik para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vetë filmi perëndimor ishte realizuar para se sovjetikët ta pranonin një gjë të tillë dhe përpara se të realizohej filmi, gjermanët e perëndimit e kishin cilësuar si një patriot, që kishte dhënë kontribut të madh në përmbysjen e ngjarjeve të Luftës së Dytë në dobi të Aleatëve.

Po a e vranë japonezët agjentin, që është cilësuar si Xhejms Bond i sovietikëve?

Teknikisht po. E megjithatë, ata që e vranë në të vërtetë ishin vetë sovjetikët e Stalinit. Japonezët disa herë patën kërkuar ta këmbenin me agjentë të tyre të kapur nga rusët dhe përgjigja e Stalinit pat qënë "Nuk e njohim!"

Rasti i Sorges është tipik i fatit të njerëzve me integritet dhe dinjitet tek regjimet totalitare. Në bazë të fakteve të gjetura në arkivat e kohës, sovjetikët kishin pasur në plan edhe ta likuidonin vetë, për shkak të "mosbindjes" së tij ndaj direktivave të qendrës. Sistemi që propagandonte sloganin "Njeriu- kapitali më i çmuar", nuk e kishte për gjë të ekzekutonte heronjtë që i kishin shërbyer vetëm e vetëm  se nuk ishin konformistë dhe nga paranoja se një ditë mund t'ju ktheheshin kundër. Ndoshta kur patën mësuar më shumë, edhe komunistët shqiptarë, pasi e shfaqën dy -tre herë në televizion e hoqën nga qarkullimi filmin. Dikush që pat qënë i papërshtatshëm për Stalinin, nuk mund të ishte i tillë për regjimin stalinist të Enverit.

Regjimeve autokratike dhe totalitare nuk ju duhen Sorget.

Ju duhen ushtarë të bindur, të cilët nuk e venë kurrë në dyshim autoritetin e Liderit.

Sepse Lideri të vret!

Tuesday 16 January 2024

Trump po vjen dhe pengesa e vetme është Xho Gafa


Fitorja e thellë në Iowa dëshmoi se nominimi i Trump si kandidat i Republikanëve është i sigurt dhe vetëm 82 vjeçari Bajden mund të ndalë4 vite të Trumpizmit në krye të vendit më të fuqishëm në botë.

 Edhe pse nuk ka një ideologji të caktuar, në thelb Trumpizmi është një lloj forme e hapur e mbrojtjes së "kapitalizmit të egër" me parimin që cilido të mundohet të përfitojë sa më shumë bazuar në rregullat e lojës madje edhe duke i shkelur ato. 

Trumpizmi mund të cilësohet pa frikë si "pandemi", që rrezikon të përhapet më tepër nëse Trump do zgjidhet president. Përhapja e ndikimit të tij po e kalon kufirin e Shteteve të Bashkuara dhe ky është një fakt. Sot, Trump ka më shumë mbështetje në Kanada se sa ka kryeministri kanadez Trudo. Dhe kjo po ndodh në shumë shoqëri të zhvilluara në botë. Ekstremi i djathtë dhe prirja për t'ju besuar autokratëve është në rritje në shumë vende europiane.

Problemi tashmë nuk është "pandemia Trump", po nëse Njerëzimi ka imunitetin e duhur për ta luftuar pandeminë. Duket se globalizmi liberal ka dështuar pasi ka krijuar një ndarje më të madhe të të pasurve dhe të varfërve dhe këta të fundit po shkojnë gjithnjë e më shumë pas politikanëve populistë me shpresë se këta diçka do ndryshojnë në fatin e tyre të keq. Pa ditur se gjithshka do përkeqësohet për ta. 

Fitorja e Trump ka mundësi të sjellë një dobësim të NATO-s, është e sigurt që do dobësojë rolin e OKB-së dhe do nxitë agresivitetin e Rusisë. Kinës dhe vendeve të tjera që kanë prirje agresive ndaj të tjerëve. Shumica e analistëvebashkohen në idenë se do jenë 4 vite të errëta për Njerëzimin.

Dhe shpresa e vetme për shpëtim është Xho Gafa.

Kaq keq kanë shkuar punët! 


Wednesday 3 January 2024

Viti i palaçove dhe bombave?


Sigurisht që copëzimi i kohës në vite nuk ka të bëjë me një karakteristikë të caktuar të segmentit kohor. Jeta vazhdon rrjedhën e saj pa marrë parasysh që ka një ndryshim të shifrave. E megjithatë ka ngjarje të caktuara që kanë një natyrë periodike, të cilat bëhen përcaktuese të një viti, dhjetvjeçari apo më tepër. 

Janë zgjedhjet presidenciale amerikane kete rradhe ato që kushtëzojnë një natyrë jo paqësore për globin dhe shoqërinë njerëzore.

Përgjithesisht gjatë vitit zgjedhor, amerikanët janë më të përmbajtur në rolin e tyre si udhëheqës botërorë dhe kjo bën që shumë udhëheqëa autoritarë të kenë më pak "fre" në ato ç'ka bëjnë kundër popujve të tyre dhe popujve të tjerë. Tre fushatat e fundit(përfshirë këtu edhe kjo e 2024) kanë qënë edhe më delikate në këtë pikpamje, sepse ndryshimi në Shtëpinë e Bardhë do ishte më radikal se në fushatat e tjera. Padyshim që një zgjedhje e Trump do e fusë Amerikën dhe Botën në ujra të panjohura më parë. Ndaj ndërsa për 11 muaj popujt dhe pjesët paqedashëse të shoqërisë do mbajnë frymën me frikë për rezultatin, të gjithë regjimet autoritare do jenë më të guximshëm në hapat e tyre agresive në dëm të demokracisë, paqes dhe mbrojtjes ekologjike të Globit.

Ndaj është për të pasur frikë se ky vit do jetë i "palaçove dhe bombave".

Dalja në ballkonin e një apartamenti në Tiranë të një "gërxhoje", i cili ka minuar demokracinë e vendit dhe ka ndihur të pasurohen fëmijët dhe rrethi i tij, është një nga aspektet më në miniaturë të këtij viti në Botë. Berisha do gërrthasë se po sulmohet politikisht për tu "eliminuar opozita politike e vendit". Gjatë gjithë vitit, ithtarët e tij do gënjejnë veten se "kur të fitojë Trump, Berisha nuk do jetë më non grata dhe se PD-ja do të favorizohet nga administratat amerikane. Asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur edhe nëse Trump fiton dhe po aq më mirë ndjehet palaçoja tjetër shqiptare, Edi Rama. Për të fitorja e Trump sjell më shumë' amulli në botë dhe në këtë mënyrë më shumë mundësi për të vjedhur dhe për të mbuluar vjedhjet e së kaluarës.

Por nëse për "palaçot autoritarë" të vendeve të vogla (Erdogan, Orban, Vuçiç), ky vit favorizon vjedhjet dhe ngushtimin e hapësirave demokratike, për regjime si ai i Putinit, Iranit apo Kinës, ky vit sjell mundësi më të mëdha për te qënë më agresivë ndaj kundërshtarëve të tyre. Putin do shkallëzojë sulmet ndaj Ukrainës dhe nuk është çudi që Kina të mundohet të aneksojë Taivanin. Më shumë bomba, më shumë të vrarë dhe më pak liri për popujt.

Një tjetër palaço, që ka probleme me drejtësinë e vendit të tij për korrupsion, Bibi Netanjahu, ka për të mbjellë më shumë zjarr në territoret e Palestinës me justifikimin se do shfarosë Hamasin.

A mund të ndodhë edhe më keq se kaq?

Pesimizmi nuk ndih, sepse shkurajon të gjithë forcat pozitive të Njerëzimit, të cilat mund dhe duhet t'i bëjnë ballë forcave të errëta dhe luftënxitëse. E megjithatë luftërat janë një biznes i madh në botë dhe palaçot nuk ndalen në përpjekjet e tyre për të nxjerrë fitime nga çdo lloj biznesi.

Le të shpresojmë se do jetë jo keqësisht një vit anormal!