Friday 9 September 2016

Të gjithë për një copë elektorati të majtë!

Stina elektorale shqiptare duket çdo ditë e më pranë. Pas “etheve të reformës”, që shkundën të gjithë politikën shqiptare dhe kryediplomatët e huaj, duket që të gjithë po lëvizin me synimin se ç’mund të “kapin” në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.
Në ndryshim nga zgjedhjet e dy-tre legjislaturave të mëparshme, kur votat vidheshin dhe pala humbëse kundërshtonte, duket që këtë rradhë votat kryesisht do blihen, do merren me premtime dhe në zona të veçanta edhe nëpërmjet kërcënimeve.
Ka një të veçantë elektorati i ynë, që duket se çdo ditë e më shumë shkon drejt të Majtës, por jo drejt një të Majte si ajo franceze, italiane, engleze apo gjermane, por drejt nje të majte tipike shqiptare.
Në të bëjnë pjesë nostalgjikët e Diktaturës, veteranët që ende nuk e kanë kuptuar se u tradhëtuan herët nga Komandanti dhe bashkëpuntorët e tij të afërt, soji e sorollopi i bllokmeneve, ish-punonjësit e sigurimit dhe ish-shefat e kuadrit dhe të tjerë që kanë kujtime të bukura nga ajo kohë e perënduar.
Sigurisht pjesa më e madhe e të majtës përbëhet nga njerëz në nevojë, pensionistë, fshatarë, mësues, mjekë, studentë, punëtorë, shitësa e njerëz të shumë profesioneve të tjera të varur drejtpëdrejt nga shteti apo nga politikat e tij ekonomiko-sociale.
Ka edhe një numur jo të vogël njerëzish, që e duan Qeverinë e madhe dhe me buxhet të madh. Këta janë punonjësit e drejtësisë sëbashku me gjithë llojet e sekserëve, të një pushtet qëndror sa më të fuqishëm, për të shkëputur llokma gjithnjë e më të mëdha nga proceset gjyqësore, ndjekjet penale etj.
Cuditërisht, për arsye të ngjashme, në këtë elektorat hyjnë edhe një pjesë e mirë e biznesit të madh e të mesëm, shtresë kjo që në vendet me demokraci normale, rreshtohet në krahun e djathtë të spektrit politik. Kjo pjesë e biznesit, në vend të luftojë për një qeveri më të vogël, për taksa më të ulta dhe më shumë liri në treg, preferon një qeveri me shumë kompetenca, që rrit borxhin publik, për të përfituar nga tenderat dhe koncesionet.
Por nëse kjo shtresë, nuk ka garanci afatgjata për të mbetur si pjesë e elektoratit të majtë, është një pjesë tjetër e popullsisë shqiptare, që për të njëjtat arsye do votojë në vazhdimësi për të Majtën Shqiptare. Kjo është pjesa më e errët e shoqërisë shqiptare. Ajo e krimit të organizuar. Me duart e future thellë në buxhetin e shtetit, nga pastrimet e qyteteve, entet e ujësjellësave dhe të energjisë elektrike, sektorët e ndërtimit të rrugëve e banesave, për përfitime nga fondet shtetërore dhe për pastrim të parave krimi i organizuar, i lidhur me politikën do bëjë ç’i vjen dore të vazhdojë e njëjta qeverisje. Politikat dhe praktikat qeverisëse të 20 viteve të fundit (edhe kur në pushtet ka qënë e ashtuquajtura e Djathtë), që favorizojnë të pasurit e të korruptuarit dhe ndëshkojnë të varfërit, i vijnë më së miri për shtati kriminelëve shqiptarë.
Për sa më sipër, për një copë sa më të madhe të elektoratit të majtë janë lëshuar të gjithë.
Rama me PS, që kanë pjesën e luanit, po mundohen të mbajnë të pacënuar pjesën e tyre.
Multimiliarderi Meta, synon të vazhdojë rritjen graduale të Partisë së tij, duke përdorur të njëjtat metoda të punësimeve në administratë dhe favorizimit të bizneseve pranë tij, për të arritur maksimumin e mundshëm.
Në skenë, i detyruar nga “thuajse përjashtimi”, ka hyrë edhe Koço Kokëdhima, për të fituar me një listë të tij, të paktën në rrethet e jugut, disa deputetë në parlamentin e ardhshëm.
Blushi dhe Hafizi( të përjashtuar “de-facto”) po përpiqen të matin forcat nëse mund të arrijnë një 10% të elektoratit të majtë, pa pasur mbështetje në para dhe pa lidhje me krimin e organizuar.
Në mënyrë të ngjashme me Metën, po vepron edhe Idrizi, që duke pretenduar se ka ngritur një parti nacionaliste të qendrës së djathtë, bën jo vetëm aleancë me të majtët po i drjetohet të njëjtit elektorat.
“I djathti” Duka, i kthyer tashmë në agraro-ambientalist, po mbledh rreth vetes socialistë “të padëshëruar” nga Rama, Meta e të tjerët, për të përfituar nga votat e të majtëve që nuk votojnë më as Ramën, as Metën dhe as të tjerët.
Zhgënjimi i të djathtëve nga politikat e ndjekura nga Berisha dhe Basha, e bëjnë këtë të fundit, që t’i mbajë sytë nga elektorati i majtë, duke premtuar po njëlloj, punësime në administratë, rrugë dhe koncesione, pa ofruar një model të ndryshëm ekonomiko-shoqëror të Shqipërisë.
Këto janë arsyet, që sjellin bjerrjen e shpresës tek shqiptarët. Edhe në media, hamëndjet rreth zgjedhjeve të ardhshme, rrotullohen kryesisht rreth pozicionimit të Metës, pro apo kundër Ramës.
Rreziku i stanjacionit ekonomik, i rritjes të borxhit publik, i rënies të shërbimeve jetike do vazhdojë të rrijë mbi kokën e shqiptarëve sepse alternativat e tjera mungojnë.

Gjithsesi deri sa kupa të fillojë të derdhet dhe pasojat të jenë tragjike për të gjithë.