Saturday 26 March 2022

Meria e Laps me ambasadoren Kim


Bushati dhe Shkullaku, te dy antiRamiste te perbetuar, kane shperthyer sot ne nje editorial kunder ambasadores amerikane Kim duke e quajtur si ambasadoren me te dobet amerikane dhe qe ka prishur imazhin e SHBA-se mes shqiptareve. Dhe kjo per shkak te deshtimit te saj ne mbeshtetjen e Bashes.

Bushati e ka shprehur me kohe proeuropianizmin e tij te perzjere me antiamerikanizem, qe vjen nga mosnjohja e jetes politike amerikane dhe ndoshta edhe nga ndonje reminishence e formimit te tij ne Bllok. Shkullaku mbase ndryshon disi, por dhe ai cuditerisht ka mbeshtetur qorrazi Berishen gjate 7 muajve te fundit.

Kim jo vetem nuk eshte ambasadorja me e dobet amerikane ne Shqiperi, por as nuk mund te quhet e deshtuar edhe ne operacionin e fundit per te nxjerre jashte politikes shqiptare Berishen. Misioni i saj ka qene nje vazhdim i misionit te Donald Lu me pak protagonizem me shume, sepse ngjyrimet ne qendrimet e ambasadoreve jane te kuptueshme. Ata kane specifikat e tyre njerezore dhe nuk mund te kene sjellje dhe qasje identike ndaj problemeve.

Ka vite qe amerikanet kane investuar shume ne projektin e reformimit te sistemit juridik ne Shqiperi. Eshte nje projekt i madh, me nje afat shume te gjate realizimi, sepse gjendja e sisitemit ka qene e mjerueshme ne te gjitha drejtimet. Ne fillimet e ketij projekti ata kane pasur pengesen e madhe te dy politikaneve shqiptare, te cilit kontrollonin pjeserisht kete sistem dhe qe ishin Berisha dhe Meta. Kundervenia e tyre ndaj amerikaneve i kishte shenuar edhe si viktimat e para te mundeshme te luftes kunder korrupsionit ne nivele te larta. Ka ndodhur dhe po ndodh qe ish-kryeministra te vendeve te Europes Lindore arrestohen.

Shpallja “non grata” e Berishes vinte pikerisht prej faktit se u duk qarte qe sistemi i ri gjyqesor nuk  kishte “kellqe” te godiste Berishen dhe Meten. Kjo i detyroi amerikanet te benin levizjen e pa precedent deri atehere, te shpallnin “non grata” nje ish-kryeminister dhe mik te njohur te Amerikes.

Nese Berisha, ky atavizem i politikes shqiptare, nuk doli dot jashte loje (per mua ai eshte plotesisht jashte loje), kjo nuk ka te beje me dobesine ne gjykim apo veprime te ambasadores Kim. Ka te beje me faktin se opozita shqiptare nuk ka qene asnjehere demokratike dhe e mbushur me arriviste qe jane gati t’i hane koken njeri tjetrit haptazi. Kim nuk mund te ndryshonte e vetme stofin nga i cili eshte prere Partia Demokratike ne vecanti dhe politika shqiptare ne pergjithesi. Kim nuk mund te gjente personalitete politike per t’i mbeshtetur atje ku nuk ekzistonin. Lulezim Basha ishte kryetari i zgjedhur me vota i PD-se dhe jo beniamini i saj.

Te verbuar nga urrejtja per Ramen, Bushati, Shkullaku si dhe Lubonja nuk kane qene ne gjendje te kuptojne se goditja ndaj Berishes ishte nje goditje paraprake edhe ndaj Rames dhe ne kete menyre u hodhen ne llogoren proBerishe dhe antiKim duke i bere nje dem te madh opinionin publik ne Shqiperi. E megjithate Berisha mbetet nje kufome politike, qe do apo nuk do vete do sjelle therrmimin e PD-se dhe krijimin e forcave te reja politike ne Shqiperi.

Sa per ambasadoren Kim, te jemi te sigurt qe detyren e re do e kete ne nje nivel me te larte se ky qe ka sot ne Shqiperi. 

Thursday 24 March 2022

I bekuari Mesdhe!

 


Mesi i tokes eshte Mesdheu dhe edhe pse nuk eshte fizikisht qendra e rendeses se globit, eshte qendra e rendeses se cultures se Njerezimit.

Ne jemi me fat qe jemi lindur ne Mesdhe edhe pse mes mesdetareve nuk kemi qene me te privilegjuaret. Gjithsesi na ka ngrohur dielli aq i qarte tij, na kane perkedhelur valet e tij te buta, na kane ushqyer ullinjte qindravjecare dhe na kane bere hije pemet me te bukura qe ka rruzulli.

Te pasurit e Perendimit rreken per te perdorur dieten mesdhetare per te rrojtur me gjate, ndersa ne kemi patur bekimin qe te na shoqeronte qe foshnja. Qumesht deleje me drithera me krunde, brinje keci te pjekura ne prush dru dushku, fergese me gjize, tarator me vaj ulliri dhe boronica te fresketa anes pjates. Edhe plot mrekulli te tjera te kuzhines mesdhetare, qe perfshin peshk te pjekur ne tjegull, brushtull, oshmare e te tjera e te tjera qe te bejne te te shkoje goja leng dhe jeta te te zgjatet.

Me te drejte, dikush qe vuan ne Mesdhe mund te pyese, po perse duhet te me zgjatet jeta?

Jeta eshte e bukur sidomos ne Mesdhe!

Edhe kur vuan.

Friday 18 March 2022

Proçesioni i grave me qirinj

Majda Hazarian u pa edhe njëherë në pasqyrë dhe mendoi "një shami e verdhë e lidhur rreth qafës do shkonte shumë me xhinset dhe xhakaventon  e kuqe". Por udhëzimet në ftesën për procesionin e buzëmbrëmjes ishin shumë të përcaktuara për veshjen-vetëm të kuqe.  “Do kishte qënë mirë të isha pyetur edhe une për simbolikën e ngjyrave”- tha me vete dhe nxitoi të dilte. Ora po afronte 16.15.

Ne sheshin para Bashkisë ishin mbledhur mbi pesëdhjetë gra dhe vajza, të gjitha veshur në të kuqe. Dalloi Sara Kroin, veprimtaren e vjetër të lëvizjes feministe, që bisedonte me aktoren Vilma Hasi dhe shkoi drejt tyre.

“Dukesh shume piktore, shumë sportive, shumë seksi me këtë veshje!”- filloi ligjëratën bibliotekarja në pension. ”Si tu duk idea e të kuqes hë? Nuk është krejt e pakonsumuar, dhe luftarake njëkohësisht? Tamam si tek Rembo…A- është e kuqja etj.etj… Mendo ç‘efekt do japë në këtë muzg, kollona femërore që marshon ngadalë, po e vendosur, nën heshtjen plot revoltë të flakës së qirinjve… Si thua Majda, nuk është e denjë për një kompozim të tipit Delakrua?”

“Vërtet,” u hodh Vilma me zërin e saj plot ngjyrë, ”është një inskenim i  përkryer. Kori i heshtur i vajzave, që ndjehen të plagosura në shpirtin e tyre, më tepër se sa në trup nga violentimi konstant, që i bën pjesa e egër e shoqërisë.”

“Unë do të thoja më tepër se protesta ndaj përdhunimit, procesioni duhet të përcjellë mesazhin e fuqishëm të angazhimit të çdo individi në luftën kundër shkeljes të të drejtave bazë, ku mund të futim edhe të drejtën për të dashuruar dhe për të bërë seks me atë që do pavarësisht nga...”

Ndërkohë sheshi ishte mbushur me vajza dhe gra. Tre të reja, te veshura me kostume te njëjta ju shpjegonin të porsardhurave ç’duhej të bënin. Ato merrnin me rradhë qirinjte nga një shportë e madhe dhe pasi i ndiznin, niseshin dy e nga dy përmes shëtitores drejt ndërtesës së kryeministrisë. Kalimtarët e shumte që nxitonin për në shtepi pas mbylljes së ditës së fundit të javes, ju hapnin rrugë dhe i ndiqnin disi të habitur me sy, pa ditur nëse duhej t’i shoqeronin apo t’i linin të vetme në atë lloj marshimi solemn. E njëjta gjë ndodhte edhe me ata që drejtonin makinat. Dukej se e kuqja e procesionit i kishte paralizuar dhe ishin në mëdyshje nëse duhet të prisnin apo të kërkonin rrugë të tjera për të kaluar. Ndërkaq, policët e trafikut kërkonin orientime nga eprorët nëse duhet të ndalonin çdo lloj automjeti, apo duhet të drejtonin vargun e grave tek trotuaret.

Nga dritarja e zyrës , Kryetari i Bashkise dhe Dan Xhezi po ndiqnin vargun e gjatë që kishte nisur te largohej prej sheshit.

“Kryetar, kanë leje këto zuskat për të protestuar?”

“Nuk e di Dan, vetëm që s’më duket ogur i mirë.”

“Hajde se nesër në darkë ka për tu harruar. Nuk pyet më njeri për brekët e kuqe të Sara Kroit. Putana vechia!

“Nuk është vetëm Sara!”

“Me qirinj le të dalin natë e ditë. Nuk është rrëzuar ndonjë qeveri nga qirinjtë deri më sot.”

Tjetri heshti. E dinte që s’ja dilte dot me fjalë Nënkryetarit. Kishte filluar ta urrente po aq sa ja kishte nevojën. Por më shume  trembej  se mund ta kishte armik ndonjë ditë. Ishte i sigurt që tjetri s’do linte gjë pa përdorur për ta shkatërruar.

“Ç’ke marrë vesh ndonje gjë për hetimet?”

Dan Xhezi i hodhi një vështrim hetues fytyrës të dhjamur të Kryetarit. Nuk arriti të kuptonte nëse pyetja ishte krejt e paqëllimte apo eprori dinte diçka.

“Hetimet për Gurazin?Vazhdojnë.”

Tjetri psherëtiu dhe treti sytë larg, në fund të shëtitores, atje ku po arrinte kolona dyshe e grave me qirinj. Pas tyre, po në varg, ishin vënë edhe shumë të rinj që mbanin në duar cigarendezësit. Mbrëmja po behej më e plotë dhe hijet valëvitëse të figurave të kuqe ndereshin në fasadat e ndërtesave të shëtitores,te cilat tashmë nuk dukeshin më të bardha, por si të hirnosura. Te krijohej përshtypja se njolla në të kuqe të errët, që mbarte qindra flakëza të vogla, po përhapej në të gjithë qendrën e Qytetit të Përbaltur, si për të damkosur e më pas për të purifikuar gjithshka të papastër, që kishte mbetur e mbuluar nen cipen e bojes te bardhe.

                “Nuk është ogur i mirë...”- tha më shumë me vete Kryetari i Bashkisë.

                Tjetri hoqi ngadalë syzet dhe nisi te pastronte qelqet e tyre. I hukati disa herë dhe pasi i kontrolloi mirë i vuri perseri.

                “Ne do rrimë në keto zyra të pakten edhe gjashtë vjet të tjerë!”

                Kryetari donte t’i thoshte se e dinte, që ishte miop, por jo dhe në politike, veç heshti sërish dhe tha shkurt.

                “ Do Zoti rrimë!”

                Errësira nuk lejonte të dukej e gjithë kollona, që tani kishte filluar te mblidhej si në një qerthull rreth grupit të parë, që ishte ndalur para Kryeministrisë. Sara Kroi bashke me Hasin dhe Majda Hazarian ishin ulur në gjunjë dhe kishin vendosur përdhe qirinjtë. Të njëjtën gjë po benin me rradhë vajzat dhe djemtë përreth. Më pas  njerezit e gjunjëzuar u lidhën duarsh duke formuar dhjetra rrathë te çrregullt dhe ngritën sytë nga qielli.

                “Lutemi në këtë mbrëmje, jo për vete, jo për shpirtërat e plagosur të motrave tona, as për dhimbjen e nënave, që ju kanë rrembyer dhunshëm vajzat, as për lotët që derdhin shoqet tona trotuareve të Europës. Lutemi për shpirtërat mëkatarë të përdhunuesve, lutemi për ndërgjegjet e njollosura të atyre që shesin vajzat tona matanë detit, lutemi për zemrat barbare të vrasësve të së nesërmes, lutemi për mendjet violente të masakruesve të Leon Gurazit. O qiej, kthejini në gjendjet e tyre normale! Mos i lini të enden perjetësisht në llumin kafshëror ku kanë rënë!… Lutemi!” Ishte zëri paksa i ngjirur i Sara i Kroit, që u pasua nga një kor zërash të hollë dhe të dridhur. Më tej, pëshpëritjet u shuan nën peshen e rrokjeve të para të shqiptuara ngadalë dhe qartë nga Vilma Hasi:

               

“…Po nëse dhuna dhe plumbi, helmi dhe thika,

                      S’kanë humbur ende tërheqësen ngjyrë

                      Mbi pëlhurën  e hirnosur me tonën fytyrë,

                      Kjo se nga shpirti s’është larguar frika!

 

                      Veç dije, mes hijenash, mes panterash, çakejsh.

                      Akrepash, nepërkash, krimbash, gjarpërinjsh,

                      Përbindshash që klithin, ulërijn’ ngjethmërisht,

                      Mbretëris’ famëkeqe të kafshëris’ brenda nesh

 

      Eshtë një më tinzar me djallëzor nga të gjithë,

                      Që s’buçet as këlthet, as tund kthetrat në erë,

                      Por plot dëshirë tokës mund t’i heqë çdo vlere

                      Dhe globin në çast, menjëher’ ta gëlltisë.

 

  Eshtë MERZITJA! Sy që lotojnë ngadal’, pa nxitim,

                      Heshtur llullën thith i trekëmbshave ëndërrues.

                      Këtë monstër të hajthme e njeh ti lexues,

                      Hipokriti lexues - Vëlla- shëmbëllyesi im.

 

Vargun e fundit e kishte recituar çuditërisht ngadalë, me syte gjysëmbyllur duke bërë që mbyllja të dëgjohej si një ofshamë. Kishte ditë që provonte para pasqyrës përkthimin e poezisë së Bodlerit, që i kishte dhënë Sara. I kishte pëlqyer fundi me ofshamë. Duket po aq mbresa i kishte lënë edhe Majdas, dora e majtë e të cilës shtrëngonte fort e me fort të djathtën e saj.

Përreth, vajzat e gjunjëzuara prisnin çdo ndodhte. Dikujt, që i ishte shuar flakëza, mundohej e turpëruar ta ndiste menjëherë tek shoqja , a thua se vetëm ashtu mund të përzhiste bishat që gëlonin poezisë dhe shpirtrave.

Thursday 17 March 2022

Elsa Lila - viktimë e lakmisë shqiptare?


Nuk është një lajm i këndshëm të dëgjosh se u arrestua jashtë vendit për drogë Elsa Lila, ashtu si nuk na ka pëlqyer arrestimi i Zhustit, Kondakçiut dhe Devoles. Të katër publiku i ka dashur për talentin artistik pa i njohur nëse kanë apo jo vese të rënda, të tilla sa t’i shpien pas hekurave. Dhe për publikun vërtet nuk kanë rëndësi veset e artistëve të preferuar edhe pse do deshin të ishin të përkorë. Por të tillë është e vështirë të gjesh në çdo fushë të jetës.

Mendoj se Lila, ashtu si dhe artistët e tjerë, janë viktimë e mendësisë lakmitare shqiptare. Në një shoqëri ku vlerat njesohen me pasurinë, fillon të humbasë edhe vlera e talentit dhe aftësive profesionale, për të lënë mënjanë vlerat e tjera morale që janë zbehur me kohë.

Duhet të kesh, madje të kesh shumë për të qënë VIP.

Dhe këto shumë nuk mund të sigurohen shpejt nga një artist që interpreton për një shoqëri tremilionshe, apo më keq akoma kur ka emigruar në një vend të huaj. Nëse nuk mund të “kapin” ndonjë vend në qeveri apo lidhje me ndonjë politikan të rëndësishëm, atëhere do i kthehen tregëtisë së drogës. “Fundja edhe Kenedit bënë kontrabandë alkoli në kohën e prohibicionit!”

E keqja më e madhe është se shoqëria shqiptare i “toleron” më shumë se sa duhet artistët dhe VIP-at e tjerë të arrestuar dhe të dënuar për faje penale. Zhusti u kthye të interpretonte në një shfaqje në Tiranë, Kondakçiu vazhdoi të shfaqej në ekran dhe po njëlloj do ndodhë edhe me Lilan si të mbarojë dënimin në Itali. Në shoqëritë e zhvilluara demokratike edhe pse janë më tolerante se shoqëria jonë, dënimi për trafik droge ose krime të tjera të rënda sjell përfundimin e karrierës edhe nëse je Marlon Brando apo Xhulia Roberts. Edhe pse dihej që Rudina Magjistari bashkëjetonte për hir të lakmisë me një trafikant droge, edhe pas vrasjes së tij, ajo jo vetëm kaloi në shtratin e një politikani të fuqishëm të korruptuar, por mbeti edhe një fytyrë që shfaqej ditë e natë në televizion.

Ndaj kur denigrojmë Olsin, Lavdërimin, Shqipen, Karmenin, Andin, Boran për pjesëmarrje në trafiqe të paligjshme duhet të mos harrojmë se në implikimin e këtyre të rinjve në veprimtari kriminale kemi faj edhe ne.

Ne shqiptarët, që mbi çdo gjë tjetër vlerësojmë PAREN!

Wednesday 16 March 2022

Demonstrata e Bukës 1936- ajo e Naftës 2022


86 vjet më parë u organizua në Korçë demonstrata e parë kundër regjimit të Zogut, që ka hyrë në histori si Demonstrata e Bukës. U shpërnda me forcë dhe pati përleshje të demonstruesve me xhandërmarinë. E organizuar nga sindikatat e asaj kohe (më vonë historiografia komuniste ja atribuoi Grupit Komunist), ajo ishte dëshmi e vetëdijes së përbashkët të njerëzve në kushtet e varfërisë dhe gati të një urie në shtresa të caktuara të popullsisë.

Ajo e ditëve të sotme, që po e quajmë Demonstrata e Naftës, ka të njëjtat motive. Protestën e shtresave të varfëruara kundër regjimit kleptokratik të Edi Ramës. Ka mes tyre edhe një përkim kohor, se e para është zhvilluar më 21 shkurt, kurse kjo filloi në javën e parë të marsit. Eshtë koha kur del dimri dhe tradicionalisht në Ballkan, të varfërit ndjejnë më shumë se kurrë peshën e rëndë të çmimeve. Dimri ju ka tretur edhe kursimet e fundit.

Por nëse në motive janë të ngjashme, dy demonstratat kanë një ndryshim thelbësor. Tek e para, pjesëmarja ishte masive dhe e organizuar mirë nga shoqëritë e punëtorëve të ndërtimit, të këpucarëve, të rrobaqepësve dhe të “Lidhjes së Nëpunësve privatë“, tek kjo e ditëve tona, për fat të keq nuk ndjehen sindikatat. Ato, sikundër mburret Edi Rama, nuk i ka lejuar të forcohen regjimi. Ndaj edhe pse Tirana ka 800 mijë banorë, në demonstrim nuk ka më shumë se 4-5 mijë njerëz.

Administrata e Zogut e shtypi demonstratën dhe disa ditë më vonë arrestoi një pjesë të organizatorve. Administrata e Ramës arrestoi që në fillim disa nga pjesëmarrësit për të shuar protestën e ligjshme të shqiptarëve. Më pas, Rama mobilizoi gjithë mediat pro tij, për t’i akuzuar demonstruesit si pro-rusë, po njëlloj si kishte bërë Zogu me gazetat proqeveritare për t’i quajtur demonstruesit  e uritur në Korçë pro-bolshevikë.

Historia përsëritet, por për fat të keq, solidariteti I shtresave të ndryshme të popullsisë shqiptare është më i ulët se në vitet ’30 edhe për shkak të shkatërrimit të lëvizjeve sindikaliste në kohën e Diktaturës.

Përbuzja dhe poshtërimi i protestuesve nga ana e kryeministrit gjithashtu nuk ka paralele në historinë e demonstrimeve në Europë. Qytetërimi fillon kur njerëzit bashkohen dhe protestojnë paqësisht ndaj qeverisë së tyre, por nëse qeveritarët duan të vjedhin atëhere qytetërimi është gjëja e fundit që ju intereson.

Tuesday 15 March 2022

Koha jonë e Despotëve


Ne u lindëm në një vend me një Despot në krye. Jetuam nën të deri sa ai mbylli sytë dhe nuk na dukej e çuditshme. Përreth kishte shumë despotë të tjerë nga Frankoja dhe Salazari, nga Brezhnjevi dhe Mao Ce Duni dhe deri tek Titoja dhe Papadhopuli i Greqisë. Mallkimet ndaj Hitlerit dhe Musolinit mbushnin ende të gjitha mediat që mund të shihnim dhe dëgjonim, si dhe lavdërimet për Stalinin ishin në çdo cep të vendit tonë.

Edhe pse propagandohej shumë për popujt kundër tiranëve, tiranët ishin kudo të pranishëm. Qeveritë e shumta që binin thuajse çdo vit në Itali na dukeshin qesharake, ndërsa për Presidentët amerikanë mendonim se ishin vetëm despotë që ndërroheshin. Për demokracitë e veriut të Europës as mund të mendonim ndonjë gjë pozitive se ato ishin monarki dhe detyrimisht anakronike dhe me despot!

Por ky nuk ishte vetëm problem i brezit tonë, një grusht të rinjsh të një vendi të izoluar dhe të varfër. E gjithë bota vuante nën despotët, nuk merrej me ta si duhej, shpesh herë i shihte me admirim edhe pse disa prej tyre patën sjellë tragjedinë e madhe të Luftës së Dytë Botërore. E gjithë bota e quajtur demokratike, e trembur nga Revolucioni i Tetorit, pat toleruar ngritjen e Musolinit dhe Hitlerit. Më pas kishte mbyllur sytë ndaj puçit të ushtarakëve në Spanjë kundër qeverisë të ligjshme spanjolle dhe kishte larë duart me ujin e ndyrë të “neutralitetit”.

Brezi jonë ishte i tradhëtuar nga të gjithë anët. Nga “bashibozukët komunistë“ vendas dhe vendet e Demokracisë së Lirë. Të frikësuar nga rreziku komunist, veçanërisht amerikanët, por dhe aleatët e tyre përkrahën diktatorët Suharto, Pinoshe, Markos, Mobutu dhe sa e sa të tjerë, që shtypnin popujt e tyre dhe bënin normale vazhdën e despotizmit.

Erërat e ngrohta të Rënies së Murit të Berlinit nuk vazhduan gjatë, pikërisht sepse ne, njerëzit, nuk jemi ende gati të heqim qafe despotët kudo që janë. Dhe kështu nuk është aspak e çuditshme që dhe në vendet e etur për demokraci dhe me shoqëri të zhvilluara si Rusia, Turqia apo Filipinet të vinë në fuqi despotë si Putin, Erdogan dhe Duterte. Shumë despotë në potencë sundojnë vendet e Europës Lindore nga Orban, Vuçiç dhe deri tek Rama.

Ndaj Amerika, Europa, Japonia dhe të gjithë të tjerët, nuk kanë pse të çuditen nga lufta e nisur nga Putin dhe rreziku për zmadhim të konfliktit deri në një përplasje bërthamore. Janë të gjithë bashkëfajtorë për gjallërimin e monstrave të tilla. Fillon me korrupsionin e Fuqive të Mëdha, me impotencën e OKB-së dhe organizmvae të tjerë dhe deri dëshirën e fshehtë për të bërë biznes me udhëheqës të fuqishëm për të fituar më shumë.

Paska qënë e thënë të vdesim në një botë ku ende sundojnë Despotët!

Raportet e regjimeve me protestat


40 vjet më parë, në fushën e futbollit të Qytetit Studenti, Xhemal Dini, në atë kohë funksionar i lartë në Komitetin Qëndror të Partisë, që mbulonte rininë, duke na folur me zjarr për paraqitjen e jashtme dhe domosdoshmërinë e qethjes “kare”, bëri krahasimin me hipinjtë e Amerikës duke thënë “Mirë ata se i lenë flokët e gjata në shënjë proteste ndaj regjimit kapitalist, por ju kundër kujt do protestoni?!” Dini nuk ishte budalla, por si përfaqësues i regjimit mund të përdorte çdo kartë për të shtypur përpjekjet “rebele” të të rinjve. Për hir të së vërtetës ne nuk mund mundoheshim të zgjatnim flokët për të kundërshtuar Diktaturën, por se në të gjithë botën të rinjtë i mbanin flokët deri në supe. Tek ne edhe me një zgjatje në qafa merrje cilësimin negativ “qafëlesh”, që mund të të kushtonte edhe deri në përjashtim nga universiteti po qe se nuk bindeshe.

Regjimeve nuk ju pëlqen kur protestojnë ndaj tyre. Do mundohen të gjejnë çdo mënyrë për të denigruar protestuesit duke i quajtur nga “turma të çartura”, “kokëpalarë“, “agjentë të huaj” etj. etj. Ndodh në shumë vende të botës dhe më shumë në vendet ku drejtojnë autokratët.

Në këtë mënyrë demagogjike-poshtëruese, kryeministri Rama po sulmon protestuesit e ditëve të fundit në Tiranë dhe në qytetet e tjera. Bashkë me korin e “qenërve që lehin për karvanin e tij”, po i cilëson protestuesit si “turp i Europës”, “njerëz që bëjnë politikën e Rusisë“, “të pasur që pa të drejtë protestojnë në emër të pensionistëve” e të tjera broçkulla të tilla.

Eshtë një “nonsens” i stërpërsëritur, kur shqiptarët në mënyrë paqësore dhe me plot të drejtë po kërkojnë politika të favorshme të qeverisë për uljen e çmimeve. Eshtë minimumi që një taksapagues ka të drejtë të kërkojë nga qeveria e tij. Nuk ka lidhje as me NATO-n, as me pasojat e luftës në Ukrainë dhe as me Putin apo Zelenskyn. Shqiptarët duan të mos jenë më të varfërit në Europë, që paguajnë çmimet më të larta për të njëjtat produkte!

Por kur autokratët preken në xhepin e buxhetit të shtetit, të cilin e quajnë xhepin e tyre, mund të arrijnë e të thonë çdo lloj absurditeti. Nga detyrat më elementare të një shteti është të jetë i përgatitur për raste luftërash, tërmetesh, thatësirash dhe fatkeqësish të tjera natyrore. Edhe nëse nuk ka likuiditete të mjaftueshme ndryshon përkohësisht politikat fiskale për të mos lënë gjithë barrën e krizave në konsumatorët e varfër. Këtë regjimi i Ramës nuk e bën edhe pse e ka thelluar shumë borxhin publik me “akrobacitë“ e PPP-ve dhe abuzime të tjera.

Në sheshe do dalin edhe ata që kanë I-phone dhe ata që kanë makina të shtrenjta. Jo vetëm që të gjithë preken nga qeverisja e keqe dhe çmimet e larta, por askush nuk mund të akuzohet se bën keq që solidarizohet me shtresat në nevojë, të cilat i ashtuquajturi socialist Edi Rama i ka braktisur kah moti.

 

Sunday 13 March 2022

Nuk më vjen keq se jam i varfër, por se jam i përbuzur


Qëllon që pyes për ndonjë të afërm të ndonjë miku tim dhe jo rrallë dëgjoj: “Eshtë mirë shumë; ka restorantin e tij, dy apartamente në Tiranë, shtëpi në plazh dhe një apartament në Greqi. I biri është në Bashki.” ose “ I ka ecur dhe ka një fabrikë të tij me 40 gra që qepin, dhe një hotel në Dhërmi”.

Duket se refreni i brezit tonë, të rritur nën Diktaturë dhe të dalë prej saj të gjithë të varfër është : “Eh ai ja hodhi fukarallëkut!” Folja më e rëndësishme është ka dhe jo është apo bën. Nuk rreken të të spjegojnë nëse ka qënë mirë me shëndet, se ka mbetur me të njëjtin humor dhe karakter, se ka martuar edhe djalin e djalit apo se ka emër të mirë si specialist në fushën e tij.

Kjo të ve në një pozitë të vështirë, se edhe pse e di që vetë je i varfër, nuk e ke ndjerë edhe që nuk vlen. Ose më keq se je dhe i përbuzur. Nuk dua të idealizoj Skamjen, por jeta më ka mësuar se edhe Kamja ndonëse mund të të ndihmojë pak, nuk të bën as të lumtur dhe as të zgjidh problemet e mëdha që të dalin gjatë jetës.

Skamja e përgjithshme e viteve të Diktaturës dhe edukimi materialist solli këtë përqëndrim të të gjithë shqisave të shqiptarëve drejt Kamjes dhe vetëm Kamjes. Si qëllimi i vetëm në jetë, me realizimin e të cilit jo vetëm mund të hash më shumë, mund të vishesh më luks, mund të hedhësh më shumë para në dasmën e djalit, mund të udhëtosh më shumë në botë, por mbi të gjitha mund të gufohesh me krenari ndaj anëtarëve të bashkësisë tënde se ke dalë i fituar në garën imagjinare që ke në kokë. Dhe duke u gufuar vetë detyrimisht do përbuzësh “humbësit”.

Ues Staford është një pastor dhe avokat amerikan, që i është përkushtuar çështjeve humanitare në luftën kundër varfërisë. Ka një shprehje të tij shumë të goditur: “E kundërta e varfërisë nuk është pasuria; e kundërta e varfërisë është mjaft!” Kjo filozofi bije ndesh me filozofinë e përmendur më sipër, që mbizotëron në shoqërinë shqiptare dhe që sjell jo vetëm shtimin e numurit të të varfërve, por edhe përbuzjen e tyre.

Të gjithë e dinë se Edi Rama, Ilir Meta dhe shumë politikanë të tjerë janë ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri. Dhe kjo i bën që kur njerëzit e varfër të protestojnë ndaj tyre të mos e fshehin dot përbuzjen por të klithin “kokëpalarët” apo “më vjen turp nga këta njerëz që protestojnë për çmimet si në asnjë vend të NATO-s”.

Për fat të keq nuk janë të vetmit në shoqërinë shqiptare që përbuzin ata që nuk kanë.

Zgjedhjet e parakohshme, e vetmja zgjidhje në dobi të Shqipërisë


Situata politike në Shqipëri i bën të domosdoshme zgjedhjet parlamentare brenda këtij viti. Arsyet janë disa dhe le t’i rendisim më poshtë:

·         Çështja e inceneratorëve pavarësisht nëse në është diku mes 100 milion dhe 150 milion euro të keqpërdorura nga xhepat e taksapaguesve, dëshmoi se grykësia dhe siguria e qeveritarëve socialistë solli një korrupsion marrok, që nuk ka të ngjashëm në historinë e 30 vjetëve të fundit. Veç ministrit Koka, disa të tjerë, përfshi këtu edhe zv.kryeministrin Ahmetaj priten të shkojnë para bangës të të akuzuarve.

·         Reagimi i qeverisë ndaj krizës ekonomike të përkeqësuar edhe nga lufta në Ukrainë ka qënë më i keqi i krahasuar me të gjitha vendet e rajonit. Mosreduktimi i taksës për naftën është shfaqja më e qartë, se kjo qeveri nuk është përfaqësuese e interesave të shumicës së popullsisë shqiptare, por është e përfshirë në ndarjen e fitimeve me grupe të caktuara interesi. Në një kohë kur çmimet e ushqimeve janë rritur për shkak të inflacionit dhe të ndryshimit të raporteve në tregjet botërore të kërkesë-ofertës, nuk ka asnjë reagim të qeverisë për rritjen e të ardhurave ditore të shtresave në nevojë.

·         Arroganca e qeverisë Rama 3 arriti në nivele shumë të larta në shpronësimet e banorëve të lagjes së 5 majit dhe të zonave të tjera në Tiranë. Ndërkohë kur kryeministri pretendon se qeveria nuk mund të bëjë rregullatorin për çmimet e prodhimeve bazë, ndërhyn në mënyrën më brutale në prekjen e të drejtave bazë të pronësisë personale të mjeteve të paluajtshme duke mos lënë as kohë që njerëzit t’ju drejtohen gjykatave.

·         Zhvillimet e fundit në partinë më të madhe opozitare dhe rezultatet për zgjedhjet e pjesëshme vendore, dëshmojnë se opozita në Parlament nuk është e përfaqësuar sipas mbështetjes që ka në elektoratin e djathtë. Në një shtet normal edhe kjo do ishte arsye e mjaftë për t’u shpallur zgjedhje të parakohëshme, sepse që sistemi demokratik të funksionojë normalisht kërkon krahas pozitës qeveritare edhe një opozitë të ligjëshme.

Edhe pse një kërkesë e tillë nga grupimet politike dhe organizatat qeveritare do refuzohet menjëherë nga kryeministri Rama, është detyrë e dy të parave të kërkojnë menjëherë ndihmën e ambasadorëve të huaj për të arritur këtë zgjidhje të domosdoshme politike për Shqipërinë.

Shqipëria e qeverisur në mënyrën e sotme nuk është një vend i stabilizuar dhe në zhvillimet e fundit në Europë dhe në Ballkan, një përkeqësim i situatës në vend mund të sjellë edhe destabilizim të rajonit. Në të gjithë sjelljen e tij politike të muajve të fundit, përfshi qëndrimin në Komisionin Hetimor për Inceneratorët dhe në reagimin ndaj rritjes së çmimeve kryeministri ka dëshmuar kokëfortësi të një qeveritari mendjelehtë, që nuk sheh asnjë të metë në mënyrën e tij të qeverisjes.

E drejta për qeverisje duhet të zbresë sa më parë për t’u rikërkuar nga sovrani popull.

Saturday 12 March 2022

“Derri i lerosur” i Uilson dhe nevoja për libra e korçarëve


Pandemia e Covid-19 solli shumë të këqija për botën, Shqipërinë dhe Korçën, por për këtë të fundit ndoshta bëri një të mirë të vogël- Largoi nga projektimi i objekteve të reja arkitektin australian Pitër Uilson.

Kam shkruar disa herë për projektet e tij të prapambetura, të paharmonizuara me arkitekturën e qytetit, por dua të shtoj disa rrjeshta për Bibliotekën e Re, ose si e kam quajtur me përbuzje në shkrime të mëparshme, nisur nga eksterieri i saj, “Derrin e lerosur”.

Duket që projekti nuk vuan vetëm nga konceptimi vëllimor dhe nga trajtimi arkitekturor, tepër banal, që të kujton shtëpitë e kulturës të projektuara në vitet ’70 për Laçin dhe Memaliajn, por ai ka edhe një problem të madh të mjediseve të domosdoshme të një Biblioteke. Nuk ka mjedise të mjaftueshme dhe adekuate për fondin ekzistues dhe atë të ardhshëm të bibliotekës së qytetit. Edhe pse ka disa vjet, që Biblioteka e projektuar më së miri nga Petraq Kolevica në fundin e viteve ’60, u kthye në ndërtesë administrative e Bashkisë së Korçës, ende nuk është në funksion fondi kryesor i institucionit. I projektuar sipas standarteve europiane tek godina në Shën Gjergji, fondi ishte në të vërtetë biblioteka. Për shkak të kufizimeve financiare në vitet e Diktaturës, linin për të dëshëruar raftet e fondit, por kjo nuk kishte të bënte me projektimin e tij. I gjithë bodrumi i godinës ishte projektuar me lartësinë e duhur dhe me hapësirën për të patur një vendosje dhe ruajtje të mirë të librave.

Tek “Derri i lerosur” këto mjedise mungojnë dhe po punohet për të kthyer në fond të koleksioneve, bodrumet-zyra të ndërtesës administrative të ish-prefekturës. Këto të fundit, për fat të keq mund të përdoren për çdo lloj magazinimi nga vezët tek preshtë, por nuk janë të përshtatshme për mbajtje sipas standarteve librat. Vazhdojnë punimet që kanë nisur të shpenzojnë paratë e taksapaguesve nga prishja e bibliotekës tek rikonstruksioni për bashki, nga ndërtimi i “Derrit” dhe deri tek rikonstruksioni i ish-prefekturës. Një “rrodhan” për përvetësim fondesh publike që vinë nga Tirana, futen në xhep për ca djem nga Tirana dhe ca nga Korça.

Më e keqja është se mund të kërkosh libra të caktuar, por nuk mund t’i gjesh se përkohësisht ndodhen diku të pakataloguar, të pasistemuar dhe jo në shërbim të qytetarëve.

Po ç’na duhen librat në periudhën dixhitale, e cila trumbetohet vend e pa vend, deri tek rasti i Muzeut të rikonstruktuar keq të Mësonjtores?

Librat ju duhen dhe do ju duhen qytetarëve të botës edhe për më shumë se 100 vite të tjera.  Sa më shumë të lexojnë aq më mirë do kuptojnë se pushtetarët e pakënduar i vjedhin.

 

 

Ç’aromë Shqipërie shpuri Rama me ministrat e tij në Dubai?

 

“Në Dubai, ku mes shtetesh nga e gjithë bota, çuam pak aromë 🇦🇱Shqipërie.”- shkruan në faqen e saj në Facebook ministrja e arsimit Margariti për të dhënë thelbin e vizitës së Kryeministrit Rama dhe shpurës së tij në Dubai, në kuadër të Expo 2020 Dubai.

Në një kohë që në Europë kundërmon era e barutit dhe e lëndëve të tjera shpërthyese, kur çmimet e naftës dhe të produkteve të tjera bazë të jetesës së njerëzve kanë shkuar në qiell, ekipi jonë qeveritar zgjedh të bëjë një eskursion turistik në një vend të ngrohtë. Në 9 ditët e deritanishme të ngjarjes së madhe të Dubait nuk ka pasur asnjë politikan të rëndësishëm nga bota, ndonëse para ditës së Shqipërisë janë kremtuar ditët e Paraguajit, Tanzanisë dhe Libisë. Të pranishëm kanë qënë vetëm ambasadorët që jetojnë në Emiratet e Bashkuara. Nuk ka pasur asnjë personalitet të shquar të shkencës, teknologjisë artit apo kulturës, me të cilin apo cilën mund të krenohen organizatorët e Expo 2020 Dubai në faqen e tyre ne Facebook.

Eshtë kohë lufte dhe e një krize të vërtetë botërore. Njerëzit e fuqishëm në botë edhe nëse shkojnë për të dëfryer diku e bëjnë në mënyrë diskrete sepse nuk tingëllon mirë të dëfresh kur të tjerët vriten.

Eshtë kryeministri jonë i cekët apo arrogant? Apo i ka të dyja?

Të gjithë avionet shtetërore apo çarter që lëvizin në hapësirat ajrore në Europë lidhen me ngjarjet në Ukrainë. Bëhen përpjekje për ndërmjetësime, shikohet gjendja e refugjatëve, shprehet me vizita mbështetja për Ukrainën apo vende të tjera që rrezikohen nga Rusia etj. etj. Në një kohë kur shumë analistë të gjeopolitikës shprehin edhe shqetësime se nga konflikti dhe nga aleancat e Rusisë me Sërbinë mund të rrezikohen ekuilibrat në Ballkanin Perëndimor, Edi Rama shkon t’ju tregojë sheikëve vallet tona popullore dhe disa piktura të realizmit socialist.

Në një kohë kur shqiptarët e thjeshtë ndjehen të dërmuar nga pesha e rëndë e çmimeve dhe kanë zgjedhur të protestojnë mbrëmjeve të ftohta të kryeqytetit, një shpurë e madhe qeveritarësh zgjedh të shpenzojë nga xhepat e taksapaguesve, shuma jo të pakta për të arritur thuajse Asgjë.

Para se t’ju vijë fundi, politikanët autokratë humbasin ndjenjën e realitetit. Këtë dëshmoi këtë vit qartësisht Vladimir Putin.

Eshtë kjo “aromë“ që shpie edhe Rama me ministrat e tij në Dubai?

Wednesday 9 March 2022

“Kur thesha unë!”


Ne shqiptarët vuajmë të gjithë nga “kompleksi i Nostradamusit” (nëse vërtet ekziston një kompleks i tillë.) Nuk na intereson aq shumë fama, lavdia, pasuria se sa të na vërtetohet aftësia e madhe parashikuese dhe t’ja u pëlcasim në sy me krenari bashkëbiseduesve thënien “Kur thesha unë!” Nuk jemi si anglezët, që shquhen për vënie bastesh jo vetëm në veprimtari sportive, por edhe në shumë e shumë fusha të tjera të veprimtarisë qytetare. Ne nuk vemë baste, por presim të drithëruar atë çast, kur pas një jave a një muaji apo edhe pas disa vjetësh të na “dalë llafi”, që kemi thënë dikur në kafene, në dasma apo edhe në ndonjë ngushëllim.

Më të shquarit mes nesh, sigurisht që janë analistët politikë të cilët mbushin studio e shumta të kanaleve jo të pakta televizive, që mbulojnë hapësirën e pafundme të eterit shqiptar. Dhe nuk e kam fjalën për Fredin e Bajramit që ka parashikuar zhdukjen e brezave të tërë nga vaksinat, Luftën e Tretë Botërore, asgjesimin e Kamala Harrisit dhe pushtimin e shpejtë të Tokës nga alienët. As për Nikollë Lesin që parashikon se Edi Rama do jetë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Për gjithë të tjerët të majtë, të djathtë, të qëndrës, të pavarur, me dy të majta, me shumë flamurë, madje edhe për ata me dy para mend në kokë.

“Ju thashë unë!!”, “Këtë e kam thënë unë para dy vjetësh!”, “Këtu, në këtë studio e kam thënë disa herë!”, “Hëhë, por kur e thesha unë, juve të tërë…!” janë gjoksrrahjet më të zakonshme të analistëve, që harrojnë se i kanë thirrur për të dhënë mendime dhe për të analizuar situatat dhe jo për të rrëfyer se kanë qënë si tip Nostradamusësh, apo fallxhorësh politikë, që kanë parë qartas në filxhanet e kafesë se çdo ndodhte. Diskutimet e zjarrta ku gjithsejcili do të tregojë se ai i dinte kah moti se si do zhvilloheshin ngjarjet, se si do dilnin votimet dhe se kush do arrestohej, katandisin në fyerje për moralet përkatëse, në se i lëpijnë apo jo prapanicat pushtetarëve dhe deri në aluzione vulgare për higjenën personale të bashkëfolësit. Sepse kundërshtari i ka prekur në pikën më të dobët, në atë të mungesës së forcës parashikuese, gjë që nuk mund ta durojnë dot më. Mund të pranojnë edhe të sharat me “libër shtëpie”, por jo që nuk kanë qënë në gjendje të shohin thellë në të ardhmen.

Parashikimi i të ardhmes është një biznes i madh në botë. Përgjithësisht është një biznes mashtrues, që e kërkon prenë e vet tek shtresat më të varfra dhe më të pashkolluara. Nis me leximin e pëllëmbës së dorës, me hartat vetiake të horoskopëve, me gjetjen e librave antikë të të fshehtave, me posedimin e sferaës të kristaltë, me shtirakë që thonë se kanë udhëtuar në kohë dhe ndër kategoritë e fundit janë analistëtë që përmenda më lart.

Ju që lexoni këto rrjeshta mos ju besoni! Do zhgënjeheni dhe do humbisni kohë , para dhe besimin në natyra njerëzore. Për më tepër do më dëgjoni edhe mua t’ju hakërrohem:

“Kur ju thesha unë!” 

Tuesday 8 March 2022

Ku gabon Çomski për Ukrainën?


Çomski (Noam Chomsky)është gjeni i filozofisë, politikës dhe linguistikës, thuajse i pakrahasueshëm me të tjerë në këto fusha. Parimor, i pakompromentueshëm, i saktë, studiuesi 93 vjeçar ka ende një gjykim të kristaltë në fushat e mendimit ku studion dhe angazhohet. E megjithatë edhe gjenijtë mund të gabojnë.

Në një intervistë të dhënë  forumit “Truthout”, ndonëse me forcë dënon sulmin e Putin mbi Ukrainën, ai gabon, kur nënvizon se lufta mund të ishte parandaluar nëse me kohë do ishin bërë lëshime ndaj Vladimir Vladimiroviçit, kryesisht duke u zotuar se Ukraina dhe Gjeorgjia nuk do përfshiheshin në NATO. Eshtë një argument që e përdorin jo vetëm kritikët e politikave amerikane, por edhe ish-funksionarë të lartë amerikanë, të cilët i citon edhe Çomski gjatë intervistës.

Moslejimi i ambicieve të Ukrainës dhe Gjeorgjisë për tu përfshirë në NATO nuk do e ndalte revanshizmin e Putin për të rikthyer lavdinë e Bashkimit Sovjetik. Shpejt a vonë një vatër lufte do hapej në Republikat e Baltikut ose në Moldavi.

Zakonisht diktatorët identifikojnë veten me shtetin dhe vendin. Putin dëshëron të kthejë Rusinë në superfuqi, si një vlerësim të vetvetes. Ndaj edhe pse tërësisht i korruptuar dhe me miliarda në posedimin e tij, që logjikisht të bëjnë të mendosh se nuk i intereson lufta, ai hyn në aventura të tilla. Çdo lloj lëshimi që ju bëhet diktatorëve ata kërkojnë edhe më shumë.

Sigurisht që të vënë para një lufte, ku humbin jetën mijëra njerëz të pafajshëm, Ukraina dhe Perëndimi mund të hyjnë në një lloj kompromisi me Rusinë për të shtyrë në një afat mbi dhjetvjeçar hyrjen e Ukrainës në NATO. Eshtë një marëveshje që të gjithë do e përshëndesin se e rëndësishme është të ndalet lufta. Le të përkëdhelin edhe sedrën e Diktatorit se arriti një fitore të madhe. Në fund të fundit edhe atij po i shkurtohen vitet në tokë. Por kjo nuk do të thotë që Çomski dhe të tjerët kanë të drejtë, se kur mund ta bësh kompromisin tani pse të mos e bëje më parë.

Kjo “shfryrje e armatosur” do ndodhte. Për të gjithë arsyet gjeopolitike, psikologjike, shoqërore, ekonomike që lidhen me shoqërinë ruse që drejtohet nga dora e hekurt e Vladimir Vladimiroviçit. Rusët po shohin që diktatori i tyre jo vetëm ka humbur ndjenjën e realitetit, por ka edhe një ushtri jo aq të fuqishme sa është menduar.

Putin është i humbur ç’farëdo rrjedhe të marrin ngjarjet.

Monday 7 March 2022

Korça në përpjekje për të rigjetur kulturën e saj


Duken të largëta ditët kur këndonin Tefta Tashko dhe Kristaq Antoniu këngët popullore të përpunuara nga Kristo Konoja. Ishin shkëndijat e para të kulturës së vërtetë europiane në shtetin e posaformuar shqiptar. Ndodhnin në Korçë, sepse ishte qyteti më i zhvilluar ekonomokisht dhe si rrjedhim edhe më arsim dhe kulturëdashësi. Korçarët ishin më të shumtët në numur nga të gjithë shqiptarët, që kishin studiuar nga Robert Kollixh në Stamboll, në Monpelie dhe Sorbonë, në Grac dhe Vienë dhe deri në Harvardin e famshëm.

Më pas erdhi koha e kulturës dhe arsimit masiv, kur Korça mundohej ende të mbante vendin e parë në Shqipëri edhe pse Tirana kishte tashmë avantazhe të pakrahasueshme. Ajka e kulturës dhe arsimit korçar shkoi në Tiranë dhe hodhi themelet e institucioneve më të rëndësishme të dijes së Kombit.

Më vonë erdhi mpakja e popullsisë, emigrimi në masë dhe dobësimi i kulturës së qytetit. Të gjithë kënaqeshim dhe brengoseshim me lavdinë e së shkuarës. Gjethet e dafinave nga krerët e gjyshërve kishin kaluar tek etërit, por deri sa zbritën në krerët e bijve ishin gati të tharra.  Ndodh në çdo vend të botës dhe janë procese që askush nuk i kontrollon dot. Thjesht ndodhin.

Një reagim i fortë i bijave dhe bijve të Korçës së lavdishme ishte vjet në përurimin e Rikonstruksionit të Muzeut të Arsimit. U tregua se Korça ishte shumë e ndjeshme ndaj tempujve të saj të kulturës. U përfshiva edhe unë në ato diskutime të nxehta, meqënëse kisha qënë dikur i angazhuar me Muzeun e Arsimit. E konsideroja dhe e konsideroj të domosdoshme rikthimin e statusit kombëtar të atij muzeu. Për vulosjen që i bëri fatit të Mëvetësisë.

Sivjet kuptova, se më shumë se me debate dhe hakërrime, kultura e Korçës mund të ringrihet me punë të vazhdueshme dhe me qetësi dhe vendosmëri. E hasa në tre-katër intervista që kam parë të drejtoreshës së Bibliotekës së Korçës Jorida Tollkuçi. E artikuluar, e qetë, por dhe e vendosur, duket se e reja Jorida i përket një brezi intelektualësh seriozë, që përpiqen të “rizgjojnë“ Korçën e kulturës. Nuk është e lehtë. Ka shumë faktorë që shpien në gjallërimin e jetës kulturore të një qyteti, por kryesorët janë njerëzit. Janë ata që drejtojnë institucionet kulturore dhe mund të kënaqen me pak dhe të ankohen se nuk na mbështet njeri, ose të përveshin “mëngët dhe mendjen” dhe të bëjnë diçka.

Dje pati disa veprimtari rreth Ditës së Mësuesit dhe Biblioteka e Korçës ishte promotori i tyre. Të pëlqen që ndodh dhe me plot gojë thua:

-Faleminderit Jorida dhe ju të rinjtë e tjerë për ato që bëni! 

Tartabiqët


Mua më pëlqen më shumë fjala e anëve tona “tartabiq” se sa “çimkë“ e Shqipërisë së mesme dhe të veriut. Çimkë më duket shumë e dobët, gati e parrezikshme kurse “tartabiq” më jep tamam përshtypjen e një insekti parazitar të plotë, të gufuar me gjakun e pafajshëm të fjetësit.

Në lajmet e sotme, më zuri syri se qyteti që ka më shumë tartabiqë në Kanada është Torontoja. Torontoja ze edhe vendin e dytë për çmimet e larta të banesave dhe një pesë pesë vendet e para në të gjithë Amerikën e Veriut. Eshtë pak e çuditshme se si faktori “tartabiq” nuk ndikon negativisht në çmimet e banesave. Dhe ka të ngjarë që ato më të shtrenjtat, banesat individuale, të kenë edhe numurin më të madh të tartabiqëve, se kondot janë të ndërtuara kryesisht me beton dhe xham, gjë që e bën të vështirë jetesën e tufave lakmitare të insekteve në fjalë.

Tartabiqët janë gjakpirës dhe shfaqen vetëm natën. Nuk mund t’i përfshijmë në kategorinë “vampirë“ se vetë vampirët janë qënie të sajuara dhe nuk ekzistojnë. Tartabiqët (dikush i thërriste me përkëdheli-tartabakët) janë një lloj “dendi” i insekteve, që bëjnë një jetë hedonistike të natës dhe flenë gjatë ditës. Nëse e ke gjumin e lehtë vërtet që janë të bezdisshëm, por nëse bën “gjumë artilerie”, gostitë e tufave të tartabiqëve në trupin tënd nuk i ndjen. Ti fle dhe ata dëfrejnë. Një bashkëjetesë paqësore, ku më të përfituarit janë parazitët, por këta të fundit janë të privilegjuarit në ]do lloj kolonie me gjallesa.

Nëse të del gjumi pas orës 12 të natës dhe shkon e hyn në bare, lokale striptize, kazino, diskoteka do gjesh mijra njerëz të të gjitha moshave, të cilët nuk i has gjatë ditës. Ata shkojnë e flenë kur zbardh drita, të kënaqur nga orgjitë, nga përrenjtë e pijeve alkolike, nga hundët e mbushura me “miell” dhe plot qejfe të tjera që ndalohen kur del drita. Nuk janë tartabiqë.

Janë njerëzit që kanë pasur mundësi të fitojnë më shumë se të tjerët duke përdorur të gjitha llojet e marifeteve që i përmbajnë apo nuk i përmbajnë librat me rregullat e lojës. Nuk mbajnë erë si tartabiqët e vërtetë se lahen rregullisht dhe përdorin aroma nga më të lehtat dhe më të këndshmet, që nuk të detyrojnë t’ju largohesh.

Dhe nuk ke se si t’ju rrish as pranë, se ti dhe unë dhe shumica e ata-ve dhe ato-ve, në ato orë flenë.

Pffff…libra!


25 vjet më parë, kur ishte bërë e qartë se do largohesha nga vendi im, një nga pengjet që më bënin të vuanja ishte ndarja nga biblioteka e shtëpisë. Kishte qënë një lloj krenarie e familjes, që kur me shumë kujdes dhe durim, im atë e pat krijuar pa patur ndonjë trashëgimi. Librat ishin në dhomën e ndënies, ndërsa ‘fondi” i koleksioneve të periodikëve bashkë me shumë libra politikë ishin në raftet që kisha bërë në bodrum. E dija që ishte e pamundur t’i merrja me vete në emigrim dhe mundohesha t’i ndaja në më të domosdoshmit që do i merrja, në librat me vlerë që do porosisja të më dërgoheshin me vapor në një kohë më të vonë dhe në librat dhe koleksionet që do dhuroja. E nisja seleksionimin herët në mëngjes, mes ngashërimeve që vinin nga kujtimet për babanë dhe brenga e largimit pa kthim nga vendi im.

Nuk ishin të shumtë librat që kisha shtuar gjatë shtatë viteve, që kur kishte ikur im atë, ndonëse më pëlqente të lexonja dhe në qarkullim kishte nisur të kishte libra, që më parë ndaloheshin. Më në fund i pata sistemuar në kuti të mëdha kartoni, gati për t’u nisur dhe një pjesë i lashë në shtëpi. Mendova që koleksionet e plota të “Nëntori” dhe “Drita” t’ja jepja bibliotekës së Korçës. Dikujt do i vlenin se duke i lënë në shtëpi nuk dihej nëse do përfundonin për të ndezur poret me dru gjatë dimërave të ashpër të tranzicionit. Bisedova me një të njohurën time në Bibliotekën e Korçës dhe kuptova se në “verën e kallashnikovëve” të vitit 1997, librat dhe revistat nuk kishin asnjë vlerë. Gati sa nuk më tha: “Pfff…libra!” Nuk kishte kuptim të këmbëngulja.

Shumë vite më vonë, gjatë një vizite në Korçë, ndjeva se interesimi për librat ishte rritur. Jo për t’i lexuar, por për t’i blerë. Dy-tre tregëtarë antikuarësh shprehën interesim nëse kisha libra të vjetër të çdo kohe dhe nëse kisha ndonjë dëshirë për t’i shitur “toptan”. Nuk kam dashur të shes ndonjëherë libra, sepse mendoj se është e mira, librat kudo në botë të jenë gati falas për këdo që do të lexojë.

Por librat sjellin bezdi për këdo që nuk parapëlqen të lëçitë. Si dikur për bibliotekaren e vitit 1997. Një gjë e tillë më kujtohet tani, kur disa të njohur kanë bezdi të mbajnë përkohësisht 5-6 kopje të librit tim “Biseda të pakryera me babanë“. “S’kam ku i mbaj”- thonë përgjithësisht dhe mua më duket krejtësisht absurde, sepse në fëmijëri isha mësuar, që librat i mbanim në çdo dhomë, në rafte të sajuara, madje edhe në banjë. Ndoshta mbanin pluhur dhe ishte e vështirë t’i pastroje, por nuk të lenë pluhur në kokë që të thuash:

“Pffff…libra!” 

Sunday 6 March 2022

11 vjet më parë


Kanë rrjedhur thuajse një dyzinë me vite, që kur më lindi idea për të hapur një blog dhe të hidhja ato ç’ka shkruaja herë herë. E hapa se ishte “cool”? Për tu ndjerë se isha edhe unë? Për të mos dërguar më me e-mail pjesët e shkrimeve që më dukeshin me vlerë miqve më të ngushtë? Për të mbetur edhe pas vdekjes në këtë gjithësi të rreme (univers virtual) të krijuar prej njeriut? Për të folur me vete trotuareve të një qyteti ku nuk njihja njeri?

Ndoshta nga të gjitha sëbashku.

Mendoja se një ditë do e lija në mes, si shumë gjëra të tjera që më kishin dalë nga qejfi pas një pasioni të vrullshëm. (“Ti je si flaka e kashtës”- më theshte im atë, që më njihte mirë.) Çuditërisht nuk ndodhi kështu, edhe pse ka pasur periudha jo të shkurtra, kur nuk kam hedhur asnjë rrjesht në blog. “E pëlqej ditarin tënd”- më thoshte dikur një mik, që nuk më njihte aq  sa të dinte se unë i urrej ditaret.

“Kuendemi” është një “mishmash” me shënime, opinione, krijime, polemika, kujtime, si është edhe interesi im për botën dhe shoqërinë. Kam kureshtje, por nuk kam durim të hulumtoj gjatë dhe “kërcej” në përfundime, të cilat kur i hedh në tastierë i gjykoj si të “vërteta të pakundërshtueshme”. Në të njëjtën kohë e di që nuk ka të vërteta të tilla, por janë të vërtetat sipas mendjes sime. Ka njerëz që tek to gjejnë të vërtetat e tyre, ka lexues me mendime të kundërta, ka edhe nga ata që thonë “na çukulliti shumë edhe ky, se do të tregojë se i di të tëra!” Kam arritur tani në një moshë, kur nuk më entusiazmojnë të parët, nuk më shqetësojnë të dytët dhe të tretëve mund t’ju them me të qeshur “Edhe ju kini të drejtë!”

Unë shkruaj sepse ekzistoj.

Në të njëjtën kohë nuk kam pranë miqtë me të cilët diskutoja shpesh, bashkëbiseduesit me të cilët polemizoja dhe as shokët e tavolinave me të cilët këmbenim meselera të vjetra e të reja. Hedhja në tastierën e kompjuterit e atyre që mendoj është edhe një “saktësim” dhe “ballafaqim” vetiak i mendimeve. Zhvillohet shpesh në një trysni pyetjesh “Pse?”, “Si?”, “Qëndron kjo?”, “Vërtet?” e të tjera të ngjashme. Ky lloj vetëkontrolli (jo vetëçensurë) është më i mirë se vetëkontrolli gjatë shprehjes së mendimeve në biseda sepse “verba volant scripta manent”, pas një kohe të gjatë kalon nga vetëdija në nënvetdije. Në një farë mënyre arrij të kem pa dashje një subjektivizëm më të kontrolluar.

Dhe kështu, pa kuptuar se “ku endem”, vazhdoj të ftoj edhe të tjerë në këtë udhëtim pa krye mes pyetjeve që më mundojnë dhe duke u përpjekur përkohësisht t’ju jap një përgjigje, që ndoshta cilindo, përfshirë edhe mua e bën edhe më të turbullt.

Saturday 5 March 2022

A do e lëshojë Rama satelitin “Albania 1”?


Ndoshta për shkak të luftës në Ukrainë apo edhe për shpenzimet e mëdha të humbur për incineratorët tashmë pa efektivitet, keyeministri Rama nuk ka përmendur më lëshimin e satelitit “Albania 1”, i planifikuar për tu lëshuar në hapësirë në mars të këtij viti. Po ashtu nuk ka pasur deklarata për këtë ngjarje të jashtëzakonshme nga ndonjë anëtar i qeverisë, ndonëse qysh në fillim nuk ka qënë e qartë nëse programi i lëshimit të satelitit mbulohej nga Ministria e Infrastrukturës, e Mbrojtjes apo ajo e Inovacionit.

Sihariqi i 6 muajve më parë tingëllonte pak si “sihariqet e kongreseve të PPSH” për “çelikun e partisë“ dhe “sigurimin e bukës në vend”, ndaj dhe një pjesë e shoqërisë shqiptare e priti me dyshim, por Rama ishte i vendosur se do lëshohej jo vetëm një satelit, por dy, që ndoshta përputhet edhe me idetë e tij gjeopolitike- një për hemisferën lindore dhe një për atë perëndimore.

Ka një mospërputhje të madhe për një vend, ku në kryeqytet uji lëshohet me orar dhe përdoren pompa elektrike nga qytetarët për ta ngjitur në katet e epërme, me ambiciet për të lëshuar satelitë, por kryeministri di më shumë se të tjerët dhe ka edhe vizione më të qarta. Ndaj është zgjedhur tre herë me vota të lira, dhe pa ndërhyrje nga lart, të drejtojë vendin.

Po përse i duhen dy satelitët Ramës?

Kostoja për lëshimin e një sateliti shkon mesatarisht në 200 milion dollarë dhe mirëmbajtja e tij kërkon rreth 1.5 milion dollarë në vit. Pra nëse i llogarisim “trashë trashë“ deri në vitin 2047 (si përllogaritjet e incineratorëve) e gjithë vlera në buxhetin e shtetit për Albania 1 dhe 2 shkon tek 460 milion dollarë. 400 milion investime për lançim (këtë vit) dhe rreth 60 milion mirëmbajtje. Kuptohet që në këtë projekt janë angazhuar firma kompetente dhe jo të tilla si ato të Kokës dhe Gugalles, që po i kërkojmë tani dhe nuk i gjejmë dot. Por ndoshta për kapjen e tyre do ndihmojë edhe “Albania 1”, e cila nuk po përmendet as gjatë fushatës së fundit zgjedhore.

60 vjet më parë, Xhon Kenedi mbajti fjalën e famshme që niste “Ne vendosëm të shkojmë në hënë!” Ishte në kuadrin e rivalitetit me Bashkimin Sovjetik, por ishte ndërmarja e vendit më të fuqishëm në botë dhe sigurisht që do ishte një premtim i mbajtur.

A është 60 vjet më vonë deliri i Ramës për t’ju ngjarë “lojtarëve të mëdhenj” që e ka shpënë në premtimin e satelitëve, apo llogaritjet e tij prej përfituesi nga PPP-të, që të nxjerrë edhe ca shuma të tjera të majme nga xhepat e taksapaguesve, këtë do e vërtetojë koha.

Ajo që i duhet opozitës shqiptare është t’I shtrëngojë pak vidhat kryemistrit për të mos e lënë në fluturimet e tij deliro-grabitëse, që lenë pa zgjidhur problemet e mëdha që ka shëndetsia, arsimi dhe mbrojtja e Shqipërisë.

 .


Friday 4 March 2022

Ku gaboi Perëndimi ndaj Putin? (fund)

 


(vijim)

Acarimi i Putin me Perëndimin pas fitores së Demokratëve në SHBA ishte i pritshëm. Sanksionet ndaj tij do shtoheshin dhe do mungonte tolerimi që ju bë në katër vite nga administrate e mëparshme. Për Putin ishte e domosdoshme të dëshmonte se sa I fuqishëm ishte dhe se mund të diktonte rregulla të reja në politikën ndërkombëtare. Gjatë vitit 2021 dhe janarit 2022 pati protesta të fuqishme ndaj dy diktatorëve vasalë të tij, Lukashenkos së Bjellorusisë dhe familjes të  Nazarbajev të Kazakistanit. Në të dy rastet Putin futi ushtrinë e tij për të nënshtruar protestat popullore. Këto ishin sinjali se shumë shpejt do fuqizoheshin edhe protestat e rusëve kundër tij. Putinit po i afrohen zgjedhjet e reja presidenciale që do mbahen më 2024, si dhe vdekja natyrale. Në raste të tilla është tipike për diktatorët të veprojnë në mënyrë agresive dhe pika që I duhej të godiste ishte Ukraina. Ai nuk mund ta bënte këtë kundër republikave të Balltikut, të cilat janë anëtare të NATO-s.

Duke u rikthyer tek gabimet e Perëndimit shtrohet pyetja, se pse ndaj Ariut rus nuk u bënë veprime më të ashpra gjatë vitit 2021?

Viti i kaluar ishte vit i pandemisë dhe të mos harrojmë se Rusia është një fuqi potente bërthamore. Duke i parë tani se si u zhvilluan ngjarjet, menjëherë arrihet në përfundimet: Po këta(Perëndimi) ç’bënin?

Ndërtimi i strategjive dhe taktivave në marëdhëniet ndërkombëtare nuk është një proces i thjeshtë në vendet me demokraci të zhvilluar. Ka gjithnjë grupe studimore me ide të ndryshme dhe për më tepër ka edhe grupime ekonomike-politike që kanë interesa të ndryshme edhe në raport me Rusinë. Ndaj procesi i vendimmarrjves është edhe i ngadalshëm, edhe me idetë “ të shikojmë dhe të veprojmë“ dhe në të njëjtën kohë i varur edhe nga opozita brenda vendeve të fuqishme.

Jo gjithnjë mund të jenë në të njëjtën linjë republikanët e Amerikës me social-demokratët e Gjermanisë, apo konservatorët britanikë me Makronin e Francës. Këtë gjë e ka shfrytëzuar gjithnjë me efikasitet Putin duke bërë sa  ç’ka qënë e mundur për të përçarë forcat politike në vendet e zhvilluara si dhe shoqëritë e tyre. Brenda Rusisë ai nuk ka asnjë pengesë të marrë vendime që i gjykon në interesin e tij dhe të bandës që drejton.

Ndaj më tepër se gabime të caktuara të Perëndimit ndaj Putinit, ne kemi sot një situateë të tillë si rrjedhojë e të gjitha ngjarjeve politike të 20 viteve të fundit, të cilat për fat të keq kanë sjellë në këtë gjendje që shumë vite më parë nuk do e kishte pasur ambicie as vetë Putin. Madje edhe vetë personaliteti dhe psikologjia e tij ka ndryshuar si pasojë e këtyre rrethanave dhe ngjarjeve.

Eshtë kjo strukturë politike-shoqërore në botë, e cila e ndërthurur edhe me ngjarje të paparashikuara sikundër ishte forcimi i Al Kaedas dhe sulmet e saj terroriste, sollën një kaskadë të tërë ndryshimesh në peisazhin politik botëror, që favorizuan militarizimin e Rusisë dhe drejtimin e saj nga një dorë e vetme. Sigurisht që ka pasur njerëz që i kanë parashikuar këto sjellje, ose që kanë rekomanduar të tjera qëndrime në kohë të ndryshme, por nuk mund të thuash se atyre nuk ju kanë vënë veshin nga mendjelehtësia e udhëheqësve perëndimorë.

Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe! Kjo është natyra e gjërave.

Thursday 3 March 2022

Ku gaboi Perëndimi ndaj Putin? (2)

 


(vijim)

Kjo deri në vitin 2008, kur e gjithë Europa dhe një pjesë e mirë e Amerikës pritën të ngazëllyer ardhjen në pushtet të Obamës si ardhjen e Mesisë të demokracisë. Por ardhja e tij ishte jo vetëm në kohën kur luftërat në Afganistan dhe Irak nuk ishin mbyllur, por ishin edhe më të ashpra, por gjithashtu i gjithë Perëndimi kishte hyrë në një krizë të thellë ekonomike. Europa merrej me problemet e mëdha të Greqisë, Portugalisë dhe Irlandës ndaj dhe një konfrontim me Putin duke shtrënguar “vidhat” e sanksioneve nuk ishte aspak në rend të ditës. Putin sa kishte treguar “dhëmbët” në konfliktin në Gjeorgji, por veç paralajmërimeve nga Amerika nuk kishte pasur trysni të madhe nga Bashkimi Europian.

Ishte periudha e “artë“ e Vladimir Vladimiroviçit deri sa u kurorëzua në lojrat dimërore të Soçit dhe 3 javë më vonë aneksoi Krimenë. Ishte viti 2014. E gjithë bota Perëndimore kishte katër vjet që merrej me Pranverën Arabe, pa ditur mirë si të vepronte në luftën civile në Libi si dhe në atë në Siri. Putin kishte komoditetin të jepte këshilla, të kritikonte Perëndimin dhe të mbështeste regjimin e Asadit, si alternativën më të mirë përballë rritjes së ISIS. Ndërkohë vazhdonte të shtypte opozitën brenda Rusisë.

Reagimi i NATO-s ishte larg atij që po shihet sot, por edhe rrethanat ishin shumë më të ndryshme. Ndaj është e lehtë sot të kritikosh Obamën dhe administratën e tij, si dhe Angela Merkelin, si shefe “de facto” e bashkimit Europian, por një Amerikë e shtrirë në disa konflikte dhe një Europë paqedashëse nuk mund të reagonte më me forcë në atë kohë. Sot duket e çuditshme, por në fushatën për president më 2012, në debatin me Obamën, kandidati republikan Romni konsideronte Putin si armikun kryesor të SHBA. Jo vetëm Obama e quajti qesharak qëndrimin e tij, por e gjithë bota politike dhe mediatike amerikane e quajti gafë të madhe të kandidatit amerikan. Pas Krimesë sanksionet u shtuan, por megjithatë ishin të pamjaftueshme për të tronditur thellë pushtetin e Putin në Rusi. Ndërkohë ekstremet e djathta dhe të majta në Europë kishin dalë hapur kundër sanksioneve dhe mbështesnin diktatorin rus.

Me Amerikën me “brekë nëpër këmbë“ në dy konflikte të armatosura shumëvjeçare dhe Europën me konflikte të brendëshme, ku ishte shtuara edhe prirja E britanisë për tu larguar, Putin ishte në gjendje të forconte marëdhëniet me Kinën dhe të frymëzonte shumë politikanë autokratë kudo në botë. Veç Erdoganit dhe Orban u shtuan edhe Duterte i Filipineve dhe Modi i indisë. Ndërkohë gjithë “hajdutët” e Europës Lindore edhe pse mbanin anën e Amerikës, sytë i kishin nga modeli Putin për tu pasuruar vetë dhe për të shtypur kundërshtarët e tyre. Kundërshtari kryesor mbetej poltika tradicionale amerikane, ndaj dhe Putin investoi shumë në garën elektorale në Amerikë të vitit 20116 për të mbështetur Trump. Ky i fundit kishte shprehur hapur se i pëlqente të merrej me udhëheqës të fuqishëm dhe veçanërisht mes tyre vlerësonte Vladimir Vladimiroviçin. Gjithashtu rusët, të ndikuar nga propaganda shtetërore ishin në shumicë në favor të fitores së “the Donald”.

4 vitet e Trump ishin vitet kur Perëndimi u përça më shumë se kurrë. Hapur Trump injoronte NATO-n dhe OKB-në dhe parapëlqente të demonstronte “gjenialitetin e tij diplomatik” duke biseduar me Putin madje edhe me diktatorin e Koresë së Veriut Kim Xhong Un. Po dukej qartë se Ukraina po braktisej nga Amerika nëse krerët e saj nuk do mbështesnin hapur administratën Trump në përpjekjet për të persekutuar djalin e “gjumashit Xho”, i cili vërtet kishte përfituar nga përzjerja në bizneset në Ukrainë. Trump diskretitoi ambasadoren amerikane në Ukrainë dhe shprehu qartë se i interesonte vetëm një klikë, edhe proruse, mjaft të fliste hapur kundër rivalit të tij në zgjedhjet e vitit 2020. Trump ishte i pari president amerikan që nuk tha asnjë fjalë kundër Vladimir Vladimiroviçit prej vitit 1916 dhe deri më 2020. Në të kundërt, sulmoi nga gjermanen Merkel dhe britaniken Mej e deri tek kryeministri Australian duke i quajtur të dobët.

Përçarja e Perëndimit dhe vënia në dyshim e Aleancës Atlantike ishte shërbimi më i madh që Trump i bëri diktatorit Putin.

(vijon)

Wednesday 2 March 2022

Ku gaboi Perëndimi ndaj Putin?


Në këtë kohë, kur Putin po rrezikon vërtet stabilitetin botëror, shumë analistë në botë, përfshi edhe “kompetentët” tanë, po theksojnë gabimet e mëdha që ka bërë Perëndimi në qëndrimet ndaj Rusisë dh e veçanërisht ndaj Vladimir Vladimiroviçit. Idetë janë nga më ekstremet. Duhet të kishin futur më parë Ukrainën në NATO. Sanksionet duhet të kishin qënë të rënda prej kohësh. Gjermania nuk duhej të lejonte të varej nga gazi rus. Nuk duhet të kishin lënë  të aneksonte Krimenë. Edhe shumë të tjera si këto.

Gabimi i parë në këto lloj analizash është se konsiderojnë Perëndimin si një trup të vetëm, që mund të ndjekë një politikë të caktuar ndaj një vendi të veçantë kur ai sillet si agresor apo kur tregon se ka prirje të bëhet i tillë.

Perëndimi nuk është një njësi politike e vetme ndërsa Rusia e Putinit ka qënë dhe është e tillë.

Pa përjashtuar gabimet e Perëndimit në përgjithësi dhe të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë dhe Francës në veçanti, sepse janë shtete që drejtohen nga njerëzit dhe njerëzit gabojnë, duhet thënë se Putin u favorizua shumë nga rrethanat dhe ngjarjet politike të këtij shekulli.

Ngjarja përcaktuese gjeopolitike në fillim të këtij mijëvjeçari ishte Sulmi terrorist mbi Kullat Binjake me 11 shtator. Ishte kjo që solli një sërë ngjarjesh logjike dhe jologjike, të cilat i dhanë kohë Putinit për të konsoliduar pushtetin e tij brenda Rusisë dhe për ta fuqizuar atë ushtarakisht.

Koha dhe autoriteti që fitoi Putin në Rusi dhe në arenën ndërkombëtare rrodhi nga lufta absurde mbi Irakun nga administrata e Xhorxh Bushit. Amerika e pambështetur nga shumica e aleatëve, humbi energji politike, mjete financiare dhe prestigj në atë luftë absurde e cila solli qindramijra irakenë të vrarë dhe shkatërrimin e plotë të një vendi të tërë. Putin mund të paraqiste fare mirë për opinionin rus, që Amerika është një shtet arbitrar, që për interesa gjeopolitike dhe sidomos për burimet e naftës mund të sajojë çdo lloj gënjeshtre (e armëve të shfarosjes në masë) dhe të bëjë krime nga më të paimagjinueshmet. Me këtë do justifikonte më vonë, që SHBA nuk mund të na shesë ne moral nëse bëjmë gjëra të ngjashme në një shkallë më të vogël dhe më pranë oborrit tonë. Pak a shumë kjo ishte një përligjje se “të gjitha fuqitë e mëdha kështu bëjnë“.

Lufta në Irak i dha edhe një avantazh të madh Rusisë për përfitimet nga rritja e çmimeve të naftës në botë, duke qënë se shitja e naftës dhe gazit ze pjesën më të madhe të të gjitha eksporteve ruse. Dhe kompanitë shtetërore ose gjysëm shtetërore të naftës kontrollohen nga Putin dhe të ardhurat e tyre mund të përdoreshin për rritjen e arsenalit ushtarak. Në një botë në luftë fuqizimi i ushtrisë ishte plotësisht i llogjikshëm.

Në të gjithë Europën, shumica e opinionit publik shihte Bushin si njeriun më të rrezikshëm për paqen në botë dhe jo Vladimir Vladimiroviçin. Ndaj dhe ky i fundit ishte në gjendje të ndryshonte kushtetutën sa herë i duhej për të mbetur në krye të vendit, pa ndjerë asnjë lloj trysnie nga lojtarët kryesorë ndërkombëtarë.

(vijon)

Brezi jonë “anti-sovjetik”

Nuk di pse ne ishim anti-sovjetikë. Nga që kur u lindëm Partia e Punës i prishi marëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, nga që në shkollë filluam të mësonim anglisht dhe jo rusisht si brezat para nesh, nën ndikimin e Kadaresë apo nga që shihnim televizionet jugosllave. Nuk është se i kishim bezdi si revizionistë, por nuk gjenim asgjë tek ç’ka shpaloste Bashkimi Sovjetik në sport, art dhe kulturë në vitet 1970,
që të na bënte të kishim mendjen tek ajo perandori e madhe.

Në shkollë, në letërsinë e huaj studionim vetëm Gorkin dhe Majakovskin dhe ndonëse në biblioteka kishte shumë autorë rusë, nuk kishim ndonjë tërheqje të veçantë ndaj Tolstoit, Turgenievit apo Çehovit. Nuk di pse na dukej si një botë letrare e largët në kohë dhe në hapësirë. Ndoshta dhe pse në botën kulturore të viteve ’70 sovjetikët e kishin humbur peshën e tyre. Nuk kishte më as filma të nivelit të lartë botëror si në vitet ’30 të shekullit të XX.

Në futboll, në qytetin tim kishte tifozë të Gjermanisë, Anglisë, Hollandës, Brazilit, Italisë, Jugosllavisë, por nuk kujtoj ndonjë të ishte me Bashkimin Sovjetik apo me CCCP, si shkruanin atë kohë  me gërma cirilike fanelat sportive të sovjetikëve. I vetmi që njihnim dhe na ndërhynte në diskutimet tona rreth futbolit ishte mësuesi i ushtarakes Dhori K. Në diskutimet më të nxehta të pas kampionatit botëror të vitit 1974, kur vazhdonte tema e finales Gjermani- Hollandë dhe ndryshimit të madh që solli në futboll brezi i Krojfit, mësuesi jonë ndërhynte : “Shiko, po ta marrim nga viti 1960, sovjetikët kanë pasur më shumë arritje në futbollin europian!” E shihnim me bezdi, po detyroheshim të vazhdonim diskutimin e devijuar prej tij për të mos na futur në klasë dhe të riniste me spjegimet e tij të zgjatura për Artin ushtarak.

Dhori kishte edhe një lloj të folure, me pak mbetje në disa bashkëtingëllore, gjë që tregonte se duhet të kishte qënë belbcak në fëmijëri. Fredi Karanxha e imitonte në mënyrë të përsosur. Vazhdonim me orë të diskutonim për Pelen, Krojfin, Bekenbauerin dhe Mylerin dhe përsëri ndërhynte mësuesi jonë prosovjet “Po Bbblohin!” dhe ne e kundërshtonim me kujdes që mos na vinte të vraponim për t’u përgatitur më mirë ushtarakisht nëse na sulmonin forcat e Traktatit të Varshavës.

Sovjetikët atë kohë për ne përfaqësonin atë ç’ka nuk deshim të ishim, nga mënyra e veshjes dhe qethjes dhe deri në mënyra e ashpër me të cilën luanin futboll dhe basketboll, që ishin sportet që ndiqnim më shumë gjatë adoleshencës. Ne nuk dinim se ç’ndodhte pas perdes së hekurt të Bashkimit Sovjetik, pasi jo vetë televizioni jonë që nuk jepte gjë, por as kanalet italiane dhe jugosllave që shihnim nuk tregonin më shumë se paradat ushtarake në Sheshin e Kuq, në tribunën e të cilit ishin një dorë me pleq dhe në qëndër udhëhëheqësi i tyre me vetulla jashtëzakonisht të trasha.

Dhe kështu ishte në të gjithë qytetet shqiptare, se dhe kur shkuam të studionim në Tiranë, bota sovjetike nuk përmendej kurrë në bisedat tona. Ishte diku larg, në një të ftohtë të llahtarshme dhe aspak tërheqëse si mund të ishin “mollët e ndalueme” italiane, franceze, britanike dhe amerikane.

Anti-sovjetikë nga injoranca ose nga njohja e cekët, por e vërteta është se për fat të mirë mbetëm të tillë gjithë kohën. Nuk ju thamë ndonjëherë vajzave “ja ljubju teblja!”