Monday 31 July 2023

Bardhësi vrasëse

Ata ishin tërësisht të bardhë,

Në një tempull mizor bardhësie.

Ai priste zemrën t'i shkulnin majë shkallarëve

Në të solsticit ag,

Castin kur e para rreze

Mbi turmat sylakmitare bije.

Pështjellë me garza mendimesh sterile,

Të dy dukeshin si të njëri tjetrit sozi

Vrasësi dhe viktima,

Prijësja dhe i huaji,

Sjellë nga të tjera kohë,

Mbartur nga të ndryshme Gjithësi.

Befas një tufë floku,

Nga të tjerët ndarë,

Stisur si një e mprehtë kosë,

Më shumë ajrin çau se grykën e tij.

Pikat nuk e përskuqën pangjyrshmërinë,

Ishin të pangjyra krejt

Asgjë nuk ndryshuan tek e bardha

As një nollë të vetme të zbërdhyltë gri.

Nuk ishte Tempulli i Mbishkrimeve,

Ku Majat blatonin gjak për një botë tjetër,

Dy të pagjaksit çmendurisht të bardhë,

Duket se vinin nga e frikshmja natë

Kaluar me "Vlad The Impaler".

Monday 17 July 2023

Fuqia e luleve

 




Xheri Sainfeld është një nga komedianët më të mirë të të gjitha kohëravedhe për mua, njeriu që jo vetëm më ka bërë të qesh, por edhe më ka mësuar shumë rreth jetës dhe shoqërisë amerikane. Seriali komik "Seinfeld" mbetetmë i shikuari i të gjitha kohëve televizive dhe me diferencë nga të tjerët. Më poshtë është një nga thërmijat e "gjenialitetit" të tij.



Fuqia e luleve


Ndoshta lulet janë e vetmja gjë që i mundëson burrit të mbajë një marëdhënie për një kohë të gjatë.

Burri i vetëm nuk mund të mbijetojë në një marëdhënie.

Por burri me një tufë lulesh e ka një mundësi.

Po të mos kishte lule në Tokë do kishte vetëm burra dhe lezbike, kaq.

Ndaj mendoj që dyqanet e luleve nuk janë organizuar në bazë të nevojave të burrave.

Duhet të jenë, që hyn, ju thua se ç'gabim ke bërë dhe ata të japin buqetën e duhur dhe ti del nga dera e pasme.

Me buqetën "Mirë de, yt vëlla nuk është idiot!

Ose me shportën : "Karriera tënde është gjithashtu e rëndësishme!

Një burrë që ec rrugës me një buqetë të madhe në duar është padyshim mbreti i rrugës.

Nuk ka burrë që është me gruan, që do të kalojë pranë tij.

Nuk shpëton dot pa një goditje me bërryl dhe "E shikon? Për këtë lloj burri e kam fjalën..."

Sepse ai mban lule në dorë.

Në dorën tjetër mund të ketë edhe një kokë të prerë.

Atë ajo nuk e shikon.



Saturday 15 July 2023

Ku nis hajni, ku vazhdon rrencaku dhe ku e bitis megallomani



Lëçita fjalën e fundit të Edi Ramës, jo sepse kam kureshtje se çdo thotë. Jo thjesht se e di që gënjen, por edhe se nuk ka as ndonjë frazë interesante të shqipes, dhe për më tepër ka një delir madhështie të bezdisshëm në rrjeshtat e çdo fjalimi. E bëra sepse u ndodha edhe për tre orë të tjera shtesë në një aeroport, duke pritur shtyrjen e rradhës të  kompanisë "rrencake" Whizzair, që operon kryesisht në Shqipëri. Eshtë e vështirë të flesh në stolat e çdo aeroporti ndaj "i dhashë karar" të lexoja gënjeshtrat e fundit tëEdit.

Nuk arrita të kuptoja se ku niste hajduti, si gërshetohej me demagogun dhe se si kjo gërshetë e përbindshme vishej edhe me disa gjethe stërmëdha megalomanie.

Në krye nuk merrja vesh se cilit publik po i drejtohej. Popullit shqiptar? Ambasadorëve dhe të huajve të tjerë që ndjekin ngjarjet shqiptare? Hajdutëve dhe papagajve të vegjël të Partisë Socialiste? Mediave që i shërbejnë prej kohës kur është në krye të qeverisë?

Nëse do përpiqesha t'i tregoja dikujt me një frazë të vetme se përse bëhej fjalë do shkruaja:"Unë ju solla Drejtësinë e shumëpritur edhe duke qënë i bindur se do sakrifikoja disa nga njerëzit më të afërt dhe më të dashur!" Pak a shumë një Abraham, që për Drejtësinë (Zotin e tij) është gati të therrë birin e vetë,?!

Gënjeshtra më e madhe në rrjeshtat e Ramës është që ai do Drejtësinë. Narcisistët dhe autokratët edhe kur nuk janë hajdutë, urrejnë vetë konceptin e së Drejtës. E Drejta për ta është ajo që ju shërben atyre. Por edhe qëndrimi që ka mbajtur PS-ja në këtë çështje, nuk ka qënë kurrë nismë e saj por e të huajve që njihnin mirë se sa i korruptuar ishte Sistemi Juridik në Shqipëri. Veç presionit të të huajve, socialistët kishin edhe interesin e madh që ta çlironin nga ndikimi i Berishës, i cili pat emëruar shumë e shumë prokurorë e gjykatës, të cilët deri diku i kontrollonte sepse ja u dinte edhe aferat e mëdha korruptive. Dhe në Reformën në Drejtësi ne jemi më të vonuarit nga e gjithë Europa Lindore dhe Ballkani. Ishte diçka që detyrimisht do ndodhte sepse nuk mund të vazhdohej rruga e nisur për tu bërë pjesë e BE-së. Nuk të linin të huajt!

Gënjeshtra tjetër e madhe është që në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë Sistem Juridik të pandikuar nga politika. Edhe pse me dobësi nëse krahasohej me Anglinë apo Amerikën, por Sistemi Juridik i kohës së Shtetit Shqiptar para Diktaturës ishte ku e ku më i mirë se Sistemi që kemi sot. Edhe pse mund të ketë pasur të dënuar politikë në atë kohë, ata përgjithësisht janë dënuar për shkak të pjesëmarrjeve në lëvizje apo kryengritje për të rrëzuar pushtetin. Ndërsa Sistemit të sotëm edhe pse mund të mos i mungojnë institicionet apo legjislacioni dhe procedurat, i mungon armata e gjykatësve, prokurorëve dhe avokatëve me koncepte perëndimore për drejtësinë, sepse të tillë shkatërrim i solli edukatës juridike sistemi totalitar. Dhe një edukatë e tillë nuk mund të ngjizet dot në 30 vjet. Edhe sikur djali i Kristaq Ramës të ishte Frederiku i Dytë.

Mes gënjeshtrave të vogla, nuk di se për ç'arsye përmendet edhe arrestimi i Nanos, si persekutim. Edhe pse arrestimi i tij mund të ishte gabim politik i Berishës, nuk mund të thuhet se Nano nuk kishte abuzuar me pushtetin. Ndikimi i Saliut tek prokurorët dhe gjykatësit e zellshëm është i njëjtë me presionin që po ushtron indirekt Rama për të arrestuar Ahmetajn, tradhëtarin e organizatës mafioze, që ai drejton.  

Eshtë e sigurt që në Shqipëri Drejtësia nuk ekziston. Nëse do kishte një të tillë vetë Rama duhet të kishte shkuar në bankën e të akuzuarit. Ndoshta tek ndikimi në subkoshiencën e kryeministrit i këtij fakti duhet parë edhe thelbi i fjalës së tij. Më shumë se çdo gjë është një autosugjestionim që nuk do ketë asnjëherë një Drejtësi më të mirë se kjo që ka sjellë Shpëtimtari, se në të kundërt do ishte ai vetë që duhet të zgjaste duart për të marrë "byzylykët" në kyçet e duarve.

Po të ishte para një Pasqyre Magjike ajo do ja thoshte!

Sunday 9 July 2023

Quhej Dejzi

 ....

Quhej Dejzi. Jetonte në një periferi të Los Anxheles. Nuk jetonte vetëm. Me të ishte dhe Teze Liu, e cila nuk ishte tamam një teze, se sa kujdestarja e saj. Mund ta quante edhe shërbëtore, por ajo pëlqente ta quante “dado”. Nëse dikush që ka mbushur të dyzetat mund të ketë ende një dado. Teze Liu kishte qënë dikur mëndeshë për gratë e fisnikëve, që nuk kishin qumësht të mjaftë, ose për ato që nuk donin që gjinjtë t’ju bëheshin të flashkët nga thithjet e pareshtura të fëmijës. E jëma e Dejzit e kishte mbajtur edhe pasi e bija nuk kishte më nevojë për qumësht gjiri. Teze Liu ishte kthyer në dado, më vonë në guvernante dhe pasi Dejzi kishte arritur moshën e pjekurisë ishte bërë kujdestare. Deri në adoleshencën e vonë kishin fjetur në një dhomë dhe Teze Liu dinte gjithshka për Dejzin.

Këto i tregonte Dejzi me origjinë nga Hong- Kongu, Patrikut me origjinë nga Skocia, me të cilin ishte njohur në një mga mediat sociale. I tregonte edhe se adhuronte ushtarët, mjekët dhe mësuesit. Ushtarët jepnin jetën për mbrojtjen e atdheut, mjekët shpëtonin njerëzit nga vdekja dhe mësuesët përcillnin njohuritë tek brezat e rinj. Patriku nuk ishte as mësues, as mjek dhe as ushtar. Ishte përgjegjës turni në një fabrikë prodhimi automjetesh në Detroit.  Do kishte dashur t’i thoshte se kishte qënë ushtar në të ritë e tij, por kjo do binte ndesh me atë që I kishte thënë në fillim Dejzit. Nuk i pëlqenin femrat që gënjenin, ato që mbanin tatuazhe në shpatulla, si dhe ato që kishin gjinj artificialë.

Dejzi e entusiazmuar i ishte përgjigjur që të njëjtën përbuzje kishte dhe ajo për gënjeshtrën tatuazhet dhe gjinjtë artificialë, ndonëse në çastet e një dashurie të çmendur edhe mund t’i lejonte vetes të bënte një tatuazh fare të vockël në një vend intim, ku do e shihte vetëm njeriu i saj i zemrës. Patriku i ishte përgjigjur, që kjo ishte një gjë krejt tjetër dhe nuk kishte të bënte aspak me tatuazhet stërmëdha të shpatullave, që i shohin të gjithë dhe bëjnë të humbasë këndellja femërore, që krijojnë shpatullat delikate të një vajze të fisme. Më pas kishin këmbyer shumë “imoxhi” nga fytyrat buzëqeshëse, fytyrat e përskuqura nga turpi, tek të qeshurat me lot dhe deri në zemrat me ngjyra gri, vjollcë dhe smerald, por asnjëherë të kuqe.

....

Friday 7 July 2023

Sonet mesdite

Indet e poezisë nga ngërçi mbërthyer,

Tingujt e fyellit nga të nxehtit tretur,

Linjat e portretit mbi telajon e palyer,

Supet e brishtë pas murit mbështetur.

 

Korbat kërkojnë kokërdhokë të kuq,

Prej kreut të bukur të drenushës shkulur,

Në plagën e pambyllur krimbat e poshtërimit

Dëshmojnë kotësinë e ndjenjës së përulur.

 

Thellë ajrit të rënduar të kotësisë

Përpëlitet së fundmi shpresa e bjerrur.

Drenusha nuk mundi të voglit t’i jepte sisë,

 

Në atë lirishte, ku pritej që jeta të rinisë,

Bukuria e humbi luftën ndaj vrazhdësisë,

Nën tinguj mortorë poezia ngeli e therrur.

Wednesday 5 July 2023

Vetëm Rama mund ta bëjë Ballkanin!

 

Vapa e këtij korriku dhe turi i lajmëruar i Ramës në Ballkan, më solli në mendje një drekë gjatë fushatës elektorale të vitit 2017 në hijen e disa çadrave në Pazarin e Korçës. Mes disa mësueseve në pension, që mbllaçisnin kërnacet e paguara nga ndonjë “subjekt elektoral”, njëra syresh i tha Ramës : “E kam thënë se vetëm Rama mund ta bëjë Shqipërinë!” Rama tundi kokën duke thënë me mendje: “Bjeri se i bie bukur!” ndërsa Niko Peleshi, zëvendës i tij, buzëqeshi i kënaqur se dreka elektorale po e kryente funksionin. I dëshmonte Udhëheqësit punën e mirë të bërë në Qark nga drejtuesi politik dhe njëkohësisht mund të ndikonte në ndonjë votues të lëkundur, që dëgjonte deklaratën profetike të mësueses në pension.

Nuk jam i sigurt në e “qullosi” apo jo Shqipërinë Rama, se një njeri i vetëm as mund ta shpjerë në brigjet e lumturisë anijen dhe as mund ta fundosë. Duhen shumë e shumë njerëz për ta bërë atë. Gjendja e shqipërisë pas 6 vitesh paraqitet komplekse dhe mund të thjeshtëzohet duke thënë “Para duket që ka në vend, por të përqëndruara jo në shumë duar!” Sa për korrupsionin duket që është i njëjtë dhe jeta politike dhe e organizatave joqeveritare më e vakët.

Por duket që Ramës pak i intereson Shqipëria, se vështrimi i tij është hedhur më gjërë. Të rregullojë Ballkanin, i cili në drejtimin e tij duhet të gjejë Paqe dhe njëkohësisht të hyjë sa më parë në Bashkimin Europian?! Ndaj dhe posa ka shpallur se do nisë një tur takimesh në Beograd, Sarajevo, Shkup, Prishtinë dhe Podgoricë. Njëlloj si presidenti amerikan, ai kinez, francez dhe kancelari gjerman. Zakonisht këta personalietete botërore nisin ‘ture” dhe zhvillojnë bisedime me homologët e tyre për t’i dhënë drejtim punëve të ngecura në vend të një rajoni.

Deliri i Madhështisë përgjithësisht karakterizon ata që dinë pak. Dhe sigurisht që Rama di pak nga politika, gjeopolitika, historia e politikës dhe e marëdhënieve ndërmjet vendeve europiane dhe të rajonit. E ka dëshmuar më së miri në marëdhëniet që ka pasur me shtetin tjetër të shqiptarëve, Republikën e Kosovës. Edhe pse ka 10 vjet si Kryeministër dhe disa vite të tjera më shumë si kryetar partie, ai ka dy handikape të mëdha, që nuk e klejojnë të përparojë si politikan. E para është se nuk ka pasur një shkollim të mjaftueshëm për ta bërë këtë dhe e dyta se i ka pëlqyer të mbledhë gjithnjë rreth vetes ata që dinë më pak se ai  dhe që i thurrin lavde ose i thonë ato që i pëlqejnë të dëgjojë. Askush nuk mund të mësojë artin e të bërit “politikë të madhe” në kushte të tilla.

Rama posa mbylli si i dështuar kapitullin e “Open Balkan”. Dështimin mundohet ta paraqesë si “kryerje të misionit” dhe të vazhdojë të trumbetojë se po mundohet t’i “vejë në rrjesht” drejtuesit e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Fakt është që ai u tregua më i paaftë se udhëheqësit kosovarë, të cilët e kundërshtuan që në krye “Open Balkan” dhe parajamëruan se nuk ishte në interesin e shqiptarëve. Në krizën më të fundit të Veriut të Kosovës, Rama në mënyrë dramatike e paraqiti si një humbje të plotë të Kosovës. Por Albin Kurti ka dëshmuar se është jo vetëm më parimor se Rama, por edhe ka edhe shumë mbështetje në popullin e tij. Për më tepër duket se i ka edhe më të mbështetura njohuritë e tij mbi marëdhëniet në rajon, rolin e fuqive të mëdha dhe interesat që përplasen Ballkan. Pavarësisht se Rama dhe mediat rreth tij mundohen ta paraqesin si Don Kishot, apo si një axhami që po na prish me Perëndimin. Në të kundërt, mbështetja e shqiptarëve ndaj Ramës është një mbështetje e detyruar, e manipuluar nga mediat ose e blerë.

Si mund të bëjë një tur të suksesshëm ky delirant, kur nuk është në gjendje të merret vesh me shtetin tjetër shqiptar?

Ballkani ka dhjetra e dhjetra problem, por më kryesori është korrupsioni, që prodhon autokratë, të cilët nuk e lëshojnë fronin. Rama dhe Vuçiç janë dy shëmbëlltyrat më tipike. Një Ballkan perëndimor, sipas vizionit të tyre nuk ka për të qënë kurrë demokratik.

Tuesday 4 July 2023

Problematika e problemeve

 

Mes humë e shumë fjalëve që përdoren rëndom dhe shtrembër në mediat audio-vizive shqiptare është edhe “problematika”. Gazetarëve, folësve, analistëve ju tingëllon bukur ky emër dhe e përdorin edhe në vend të problem në njëjës apo probleme në shumës. Ndoshta një pjesë e tyre kanë ende një lloj fobie ndaj problemeve të matematikës para shkollave të larta që kanë kryer, ndoshta ju duket se tërësia e problemeve merr një natyrë më misterioze kur thuhet “problematikë“, ndoshta se nuk ja dinë kuptimin e vërtetë fjalës. Se nuk mund të shpjegosh se përse për një rrugë të ndërtuar me cilësi të dobët gazetari shprehet “problematika e kësaj rruge”; nuk mund të shpjegosh përse një analist thotë “t’i shkojmë në thelbin e problematikës” apo një politikan që shprehet: ‘duhet të luftojmë problematikën”?!

Një mikja ime, që e ka hyq të më kundërshtojë më shumë me vend se pa vend do hidhej: Ke problem ti me problematikën?

Do i përgjigjesha se më shqetëson çdo lloj “përdredhje” e shqipes për hir të tingëllimit “bashkëkohor”, apo për të dëshmuar kulturën dhe të qënit “i realizuar” i atij (apo asaj) që bën “përdredhjen”. Përdorimi pa vend i “problematikës” thjesht shton problemet e moskuptimit mes shqiptarëve, e mjegullimit të informacionit, e konfuzionit tek lexuesi apo dëgjuesi që ka pasur më pak mundësi për t’u arsimuar. Artificialisht e bën edhe më të rëndë peshën e problemeve jashtëzakonisht të mëdha që ka shoqëria shqiptare. Një dëgjues që bëhet lehtësisht pesimist, shkurajohet më shumë kur dëgjon problematika para e mbrapa, majtas dhe djathtas. “Obobo si do bëjmë me gjithë këto problematika!” do thotë dhe gjithë ngutje do mbushë valixhet dhe të emigrojë. Nuk dua të them se janë gazetarët dhe analistët që po e trembin rininë dhe po e detyrojnë të largohet, por mungesa e qartësisë dhe konfuzioni në informacion, sigurisht që ka peshën e tij në jetën e njerëzve.

Ndoshta e teprova në këtë stinë plazhi që posa ka nisur me “problematikën”, se edhe vetë  pushimet kanë problematikën e tyre. As pranë detit nuk na ndahet e flamosura!

 

Monday 3 July 2023

Emrat e të vegjëlve të një vendi të vogël

 

Nuk është dukuri vetëm shqiptare. Ne ndoshta e kemi më të theksuar për shkak të kompleksit të inferioritetit dhe njëkohësisht të prapambetjes të një shoqërie patriarkale. Ju vemë emrat tanë fëmijëve të porsalindur pa menduar shumë se si do ndjehen ata vetë kur të rriten. Diku lexova para disa javësh se Enver Hoxha i kishte vënë emrin të bijës së Pandi Kristos, Asamble. Dhe Pandi si komunist i devotshëm i ishte bindur udhëheqësit të tij. Sot, Edi Rama kishte mbledhur disa fëmijë kosovarë që kishin emrat Bill Klinton, Klinton dhe Hillëri. Prindërit e tyre ju kishin vënë këto emra nga emocionet që kanë pasur nga ajo ç’ka bërë Klintoni me vendimin për të bombarduar Sërbinë.

Nuk di pse kemi dëshirë të tregohemi qesharakë faqe botës për ç’ka bëjmë me emrat e fëmijëve tanë. Dhe kjo nuk ka nisur pas Luftës së Dytë Botërore edhe pse në atë kohë u shtua me një lloj servilizmi të çuditshëm. Pat nisur me Napolonët. Më vonë, në Korçë pat qënë dikush që quhej Hitler dhe që pas luftës ja kishin ndryshuar emrin në Taqo, por gjithsesi njihej si Taqo Hitleri. Me vendosjen e Diktaturës vërshuan Vladimirët, Timoshenkot, Capajevët dhe deri edhe ndonjë Mao Ce Dun.

Tani ka ardhur koha e Klintonëve, Hillërive dhe ndoshta edhe Toniblerëve, Trumpëve dhe Berluskonëve. Vladimirët nuk janë më në modë për shkak të armiqësisë që kemi me Putin.

Eshtë kjo mahnitja që na shkaktohet nga personazhet e fuqishëm të politikës?

Sepse nuk di që ndonjë shqiptar të jetë pagëzuar Ainshtajn, Darvin, Fermi apo Laibnic. As Betoven, Balzak, Stravinski apo Pikaso.

C’ndodh në mendjet e baballarëve kur vendosin të quajnë birin e porsalindur Bill Klinton? Të bëhesh i fuqishëm si presidenti amerikan? Të na nderosh Kosovën dhe Shqipërinë?

Ndoshta nuk duhet vrarë mendja shumë, se në fund të fundit “emri kapistall është“. Por ka periudha të fëmijërisë dhe adoleshencës, që emërmbajtësit kanë turp nga emri që ju kanë vënë prindërit, sepse dashje pa dashje shoqërizohen me vepra jo dhe aq të mira të “origjinalit”. Dhe këta të shquarit e politikës kanë më shumë të turpshme se të mira. Eshtë në natyrën e asaj që kanë bërë në jetë.

Sunday 2 July 2023

I mbylla të gjitha

I mbylla të gjitha:

Afshet e nxehta në një motel të humbur,

Ecjet mes degëzave që gërvishtnin,

Puthjen drithëruese pranë pemës,

Notat e çmendura të pianos,

Ndërsa bënim dashuri;

Gjarpërimin e rrugës drejt çastit të lumtur,

Ngushtësinë e luginës që të merrte frymën,

Të qëllimtat stonatura,

Gjunjëzimet në të shtratit cep

Me lutjen për pafundësi;

Përgjigjet e ethshme që paraprinin pyetjet,

Zjarrin tek tëmthat,

Të pulpëve fërkime,

Keqkuptimet që nxisnin mëdyshjet

Hovin e erës që më sillte tek ti.

I mbylla në një arkmort letre,

Dhe i nisa me një melodi të përvajshme

Për t’i vendosur në një nga katet e qimitirit,

Tempullit të përjetshëm të dashurive të humbura.

Në kapak vura një pikturë të Klimt-it.

Saturday 1 July 2023

Mirsevjen zoti Zuzar!

 

Nëse ka një epitet që i shkon më mirë Bill Klinton, është “zuzar”. Në kuptimin më të mirë të kësaj fjale. I adhuruar jo vetëm nga femrat, por edhe nga meshkujt “macho”, Billi është një fenomen i politikës bashkëkohore. Me instiktin e lindur për të thënë gjënë e duhur, në çastin e duhur para një njeriu a një grupi të duhur. Ishte në gjendje t’i bënte njerëzit për vete. Kudo në  botë. Veçanërisht në Europë.

Personaliteti i Billit ishte ai i duhuri në kohën kur sa kishte rënë Muri i Berlinit dhe Amerika ishte tashmë shpresa e të gjithëve për një botë me paqe dhe begati. Shumicës së njerëzve nuk ju bëhej vonë se në rrethet konservatore, të lidhura me industrinë ushtarake, shkurtimet e bëra nga administrata e Klintonit nuk shiheshin me sy të mirë. Bota me kampin komunist të mposhtur dhe me një Kinë që kishte ndërmarë shumë reforma kapitaliste dukej se do ishte tashmë një tjetër botë nga ajo e Luftës së Ftohtë.

Vetë kisha bërë “tifo” për Billin që në fushatën e vitit ’92, edhe pse një i njohuri im në Amerikë ma kishte karakterizuar si një gënjeshtar të pacipë. Ndoshta kishte ndikuar mosha e Bushit, Lufta e Gjirit a mbase dhe fakti që kishte qënë drejtues i CIA-s, që të kisha antipati për të Xhorxhin dhe simpati për Billin. Edhe pse i panjohur në arenën ndërkombëtare, Klintoni ishte i një brezi tjetër, që ngjallte shpresën e ndryshimit të politikave të vjetra.

Kjo ide mu përforcua në shtator të vitit 1993, kur Klinton arriti kurorëzimin e marëveshjes mes Palestinës dhe Izraelit. Qëllova në Amerikë ato ditë dhe të dukej se kur u arrit një marëveshje e tillë, çdo gjë ishte e mundur në arenën ndërkombëtare. Brenda Shteteve të Bashkuara kishte filluar edhe një lloj ringjallje e ekonomisë, pas krizës ekonomike të fundit të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90.

Por nën presidencën e Klintonit vazhduan dhe u itensifikuan  luftërat brenda Jugosllavisë. Edhe pse nuk mund të akuzohet administrata amerikane për fillimin e luftës Sërbi- Kroaci, Sërbi-Bosnjë dhe më vonë për genocidin ndaj Kosovarëve, duhet thënë se amerikanët(po ashtu dhe europianët) për interesat e tyre gjeopolitike nuk bënë asgjë për të shmangur luftën. Ishte në interesin e tyre, që Jugosllavia ku dominonte një Sërbi pro-ruse të shpërbëhej dhe ata e lanë të shpërbëhej edhe ndërsa humbisnin jetën dhe çvendoseshin mijëra sllavë. Vetëm në luftën Sërbi-Kroaci u vranë mbi 20 mijë vetë. Administrata amerikane veproi gjithashtu me ngathësi për ndalimin e genocidit në Bosnjë. Madje në fillim edhe ndaj problemit tonë kombëtar, sepse interesat e shqiptarëve u goditën rëndë në Marëveshjen e Dejtonit.

Për fat të mirë të çështjes shqiptare, qëndrimi amerikan pas Marëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 filloi të ndryshonte. Dhe mes mbështetësve kryesorë në SHBA ishte senatori MeKejn, i cili në mënyrë të vazhdueshme propagandonte kundër Millosheviçit dhe në mbështetje të luftëtarëve shqiptarë. Administrata e Klintonit deri në vitin 1998, UCK-në e kishte në listën e organizatave terroriste. Por pas shkallëzimit të krimeve të Millosheviçit dhe përndjekjes së shqiptarëve, pasi kishte lejuar dy luftëra shkatërruese në Ballkan, Klintoni u detyrua të merrte vendimin për të aktivizuar NATO-n në mbrojtje të Kosovarëve. Këtu lind edhe mithi i “baballarëve” të Kosovës Klinton dhe Bler. Ishte në interesin e kombit shqiptar dhe ndaj ju jemi mirënjohës, por ka pasur një hezitim të madh në vënien e Millosheviçit me shpatulla pas muri për të njohur Pavarësinë e Kosovës.

Në gjithë politikën ndaj Ballkanit, veprimet e Klintonit, si pasqyrë e politikës amerikane, kanë qënë të lëkundura dhe jo parimore. Në njëfarë mënyre ato reflektojnë edhe karakterin e Billit, si njeri që do t’i kënaqë të gjithë. Edhe pse me një tërësi problemesh të ndërlikuara, kufijtë e rinj të Ballkanit, me ndihmën e Ushingtonit dhe Brukselit, mund të ishin konfiguruar pa arritur në shumë e shumë humbje njerëzore.

Natyrën prej “zuzari centrist”, Billi e ka dëshmuar edhe në miqësitë dhe skandalet e tij në marëdhëniet me femrat. Veçanërisht miqësia shumë e afërt me famëkeqin Xhefri Epshtin (Jeffrey Epstein) e përforcon idenë e mungesës së skrupujve moralë të Billit.

E megjithatë, “zuzari Bill” mbetet një politikan tepër simpatik për shumicën e amerikanëve dhe europianëve, si dhe shumicën dërmuese të shqiptarëve.
Mirësevjen i dashur Bill!