Sunday 23 October 2011

3016 km nen rrena - Kreu i tete

Kreu i tetë ku tregohet që të gjithë janë kundër ngritjes së kishës

            Mëngjesin e kaloi i hutuar. Nuk dinte si ta spjegonte ëndrrën, ndonëse ajo kishte fare pak ndryshim me ç'kishte ndodhur gjatë lindjes së çuditshme të Barakut, e cila ju kishte paraprirë dy lindjeve të vështira. Mendoi që monstra i rishfaqur mund të ishte Gurgullima dhe do e kishte të vështirë me të edhe sikur t'i binte me stap. hëngri vetëm një bulion me vezë para se të niste vrapimin, nga frika se çdo gjë brenda supës do i kujtonte monstrën e frikshme të ëndrrës. edhe pas 12 kilometrave të vrapimit dhe dushit të ftohtë ishte po aq i hutuar sa në momentin e zgjimit. Nuk dinte nëse duhet ta mbante frymën në bashki apo ishte më mirë të kërkonte Gurgullimën e të bisedonin si dy burra të vërtetë fqinjë të qytezës së bukur të Bredhishtës. Mes asaj mëdyshjeje ishte kur e ndali një dorë që ju vendos në kraharor. Ishte mëhallaxhiu i vjetër Aferim Dollibashi, që në fëmijëri mbahej  kampion në gjithë lojrat me ashikë, ndërsa në të ri  e më vonë i ishte kushtuar gjuhës dhe folklorit shqip.
            - I dërguar nga Allahu a nga Natyra, vetëm ti mund ta dish o Maratonomak!
            -O Fime, sa mirë që u takuam! Më kishte marë malli për të gjithë shokët e mëhallës së vjetër.
            -Mes tyre do të të shpie tani. Si me porosi i kam mbledhur në një takim të Intelektualëve Muslimanë. Po të presin edhe ty Naim, ta mbrojmë Bredhishtën nga Kisha Katolike.
Doktor Hana u çudit me nismën e fundit të Vatikanit, që donte të sulmonte në zemrën e Shqipërisë Juglindore, e njour për tolerancën mes muslimanëve dhe të krishterëve ortodoksë, por nuk donte të zgjatej ndaj duke mbledhur supet kundërshtoi:
            -Jam nisur për një punën time Fime dhe më vjen keq...
            -Duhet të vish në takim Naim. Eshtë jetik për Bredhishtën. Këndvështrimi jot diasporian do jetë vendimtar-tha pa pritur një përgjigje mohuese, doktori i shkencave të letrave Aferim Dollibashi. Naimi donte t'i thoshte, që kishte qënë gjithnjë i paanshëm në këto çështjet e fesë dhe nuk ishte besimtar, nuk po gjente as njerëz t'i meremetonin apartamentin, por doktori i fushës së letrave, i kishte futur krahun dhe po e drejtonte në hyrjen e bibliotekës së qytetit. E patën kaluar pragun dhe brenda mundi të dallojë shumë nga ata që kishin mbaruar universitete dhe bënin pjesë në Shoqatën e Intelektualëve Myslimanë. Nga  shkollëmesistat pa Verorin, presidentin "Rambo", berberin Loni dhe medicinalistin Elian. U çudit, se berberin e dinte të krishterë, po mendoi se mbase ai emrin e kishte Aulon ose Leonard a diçka tjetër të këtij lloji dhe u ul në presidium, atje ku e tërhoqi Aferimi.
            -Të nderuar bashkëintelektualë, bashkëqytetarë dhe bashkëkombas- e mori fjalën doktori i letrave- sot, shoqata jonë mban këtë tubim shumë të rëndësishëm e të një rëndësie tejet të veçantë. Prania e një intelektuali të shquar të qytetit nga diaspora, e shumëfishon ngazëllimin dhe përkushtimin tonë qytetaro-islamik. Një duartrokitje për mjekun tonë Naim Hana-dhe e shpoi mjekun të ngrihej në këmbë. Shpërthyen duartrokitjet, ku binte në sy duartrokitjet e Veror Volorekës dhe skulptorit Sopi, që ishin ulur pranë njeri tjetrit. -Sçi jeni njoftuar, sot do diskutohet dhe do dilet me një deklaratë, rreth çështjes së ndërtimit të kishës katolike në qëndër të Bredhishtës, pikërisht në qendër dhe as më larg dhe as më pranë. Si kemi përmendur edhe në bisedat jopublike, ndërtimi i kishës jo vetëm është i papërshtatshëm, i nxituar dhe jo largpamës, por ve në rrezik identitetin e bredhishtarëve si dhe harmoninë ndërmjet besimeve fetare e më gjerë. Eshtë kjo kishë, që në vend të kthehet në një vend pelegrinazhi besimtarësh dhe altar për nxitjen e ndienjave kombëtare do bëhet një mollë sherri mes shumicës myslimane, pakicës ortodokse dhe stërpakicës katolike të qytetit. Do qorrsokakojë të rinjtë bredhishtarë, të cilët edhe tani nuk dinë nëse duhet të shkojnë në lutjet e traditave shqiptare, apo në shërbesat e evangjelistëve, tubimet e Baha-ijve, mbledhjet e fshehta të masonëve apo seancat e meditimeve të Budistëve. Për më tepër, nga të dhënat që posedojmë, kjo është një vepër e avokatit Rako Pilafi dhe të shoqes së tij Mrika, të cilët duan të përfitojnë nga fondet e akorduara nga Republika e San Marinos për ndërtimin e kishës. Le t'i themi NDAL ndërtimit të kishës! Në emër të intelektualëve myslimanë të pranishëm, në emër të intelektualëve ortodoksë të përfaqësuar nga Loni berberi dhe të gjithë popullit të Bredhishtës, pa dallim feje, mëhalle dhe ideje. Fjalën e ka në emër të bredhishtarëve të diasporës, mjeku ynë i njohur grastudiues Naim Hana.
            Naimi u ngrit me vështirësi mes duartrokitjeve dhe thirrjeve të Verorit "Bëja fora bektashiu i diasporës!". U skuq, u gëlltit disa herë dhe mendoi të drejtohej nga dera e ta linte në mes tubimin anti-kishë. Po sytë e të gjithëve dhe sidomos të disave nga ndërtuesit e gozhduan dhe ai filloi të belbëzojë:
            - Okej...ju nou...-pataj e mblodhi vehten dhe ja ktheu në dialektin e Bredhishtës-unë jam bektashi nga origjina e familjes si shumë nga të pranishmit këtu. Nuk jam fetar dhe gjatë gjashtë vjetëve në Amerikë, nuk kam hyrë ndonjëherë në teqe ose xhami... Vetëm në një kishë ortodokse serbe, njëherë për Pashkë, dhe më ka shpënë Artemisi, që e dini që është ortodokse.-në sallë pati një mërmëritje, bile u dëgjua diçka nëpër dhëmbë që vinte nga rrjeshti ku ishin Verori, me Uljanovin"...pfff...me armiqtë e kombit është edhe ky?". Mjeku priti të rreshtnin mërmëritjet dhe vazhdoi përsëri i lëkundur:.. Unë nuk jam fetar, po nuk më pëlqen kur prishen tempujt...për të ndërtuar nuk më duket se duhet të zihemi-dhe u ul i çliruar. Aferimi e pa vëngër, ndërsa në fund të sallës u ngrit një burrë i ri, me xhaketë lëkure sportive e mustaqe të zeza, të cilin nuk e kishte parë ndonjëherë në Bredhishtë.
            -Dëgjo ti Naim amerikani, se unë jam ndërtues dhe mund të jem i interesuar, po ne nuk e shesim atdheun për ca para të qelbura. Ashtu ! Nëse ju në diasporë e keni mendjen vetëm në fitimet, se ju është bërë syri bakër duke larë pjata, ne kemi parime kombëtare. Ashtu! Asnjë nga ndërtuesit e Bredhishtës nuk do pranojë të punojë për atë objekt dhe këtë e them me besim të plotë. Ashtu!-dhe u ul i ndjekur nga thirrjet "bravo Nderim", "të lumtë Ndero" dhe "mirë ja bëre diasporës".
            I goditur si me tokmak nga "ashtut" e ndërtuesit, Naimi nuk mundi të kapte fjalët e para të agronomit Saim, të cilin e thërrisnin me respekt "doktori i luleve". Sytë i ishin fiksuar në vija e flokëve, që ndante në mes tufat e famshme të zeza, të brilantosura të "doktorit", simbolit të lulishteve plotngjyrshe të Bredhishtës. Saimi filloi shtruar, me zërin e tij të hollë duke theksuar çdo fjalë perveç lidhësave:
            -Nuk më takon mua të ngrihem kundër tempujve...sidomos si mysliman i vendosur e tolerant që jam. Poooor...e zgjati çuditërisht lidhësën Saimi- poooor...- provoi edhe njëherë gjysëm toni më poshtë, këtu bëhet fjala për dhjetra krizantemaaaa, qindra lavandraaaaa, mijra ortansaaaaaa, mili...
            -Doktor!- thirrri menjëherë organizatori Aferim Dollibashi dhe Saimi ndërpreu numurimin në mijrat.
            -...edhe vetëm një luleeee të preket e unë, kur them unë e gjitha Partia e Blertë shqetësohet. Jo tani që bëhet fjalë për prishjen e njërës nga lulishtet të cilave ne, grupi gjelbërues i Bashkisë së Bredhishtës, i jemi përkushtuar këto gjashtë vjetët e fundit. Kjo isht edhe idea e fushatës sime elektorale, e cila u keqkuptua sikur unë do mbillja vetëm një bredh në Bredhishtë. Le ta dinë ata që thonë kafeneve, që duhet të thoja miliona bredha për të fituar, se unë jam për miliona bredhaaa, miliarda pishaaaa, bilio...
            -Doktor përfundimin!- thirri më shumë organizatori dhe Saimi ndërpreu numërimin në miliardat.
            -Si përfundim unë them që tempuj ne mund të ndërtojmë me qindra e mijra në Bredhishtë. po në rradhë të parë duhet të mbrojmë mjedisin, ku sot jetojnë 18 mijë Bredhishtarëëëë, nesër do bëhen 180 mijë bredhishtarëëëë e pas 50 vjetësh mbase...
            -Doktor faleminderit. Fjalën e ka zoti Loni Ballukja, përfaqësues i intelektualëve ortodoksë të Bredhishtës.
            Berneri Loni u ngrit ngadalë, i skuqur pak nga prezantimi si përfaqësues i intelektualëve ortodoksë, se vetëm një vit me korrespondencë kishte bërë në Universitetin "Kthjelltësia" të kryeqytetit dhe e kishte lënë në mes të dytin, se qethjet e rruajtjet shkonin për bukuri në Bredhishtë. U kollit lehtë dhe u mundu atë kujtonte ndonjë nga tezat e provimit të filozofisë, që nuk kishte marë dot gjatë studimeve.
            -Feja është ilaç. Ilaç edhe shërim.- përsërit dhe nuk po i kujtohej se ku e kishte lexuar këtë fjali.- Po ne e kemi kishën tonë të krishterë ortodokse. Ato pak familje katolike që janë në Bredhishtë, sic vinin le të vinë. I mirëpresim. Po përse duhet një kishë tjetër? Për pesë familje? Eshtë njëlloj sikur të hapet një berberhanë e re vetëm për ata që lyejnë mustaqet. Sa veta i lyejne mustaqet në Bredhishtë? Ja t'ja u them unë. Vetëm dy. E po nuk do hapet një berberhanë tjetër për dy veta de...He?- e mbylli Loni duke parë përreth mbi kokat që tundeshin për të miratuar shembullin kuptimplotë të mustaqelyerjes.
            -Në këtë mbledhje duhet të kishte ardhur kryetar Fikua e të jepte llogari pse do të lejojë ngritjen e Kishës Katolike në qendër- u hodh një i ri nga fundi i sallës. Një mërmërimë pohimi përfshiu të gjitha cepat deri sa u ngrit sërish Aferim Dollibashi, doktor i shkencave filologjike.
            -Zoti Refik Fufulina ishte i ftuar në këtë tubim dhe më siguroi, që plot dëshirë do merte pjesë. Por, për arsye shërbimi është nisur dje për në  ....të Turqisë, qytezë me të cilën jemi motërzuar para dy vjetësh dhe më ka dërguar këtë email përshëndetës..
            -Lexoje- u dëgjua nga salla një zë i ngjirur.
            -Po e lexoj: Të nderuar bashkëqytetarë pjesëmarës në takimin "A duhet lejuar ndërtimi i Kishës katolike në Bredhishtë?" më vjen shumë keq, që detyra më thërret në një qytet larg atdheut, por mendja dhe zemra ime janë me ju të dashur Bredhishtarë. E kam ndjekur me shumë interes debatin rreth ndërtimit të kishës Katolike dhe ju them e ju
siguroj, që çdo zë i juaj do meret parasysh në vendimin tim përfundimtar për ndërtimin, mosndërtimin apo pezullimin e aplikimit për ndërtimin e Kishës. Unë, si kryetar që ngrihem mbi interesat e komuniteteve, do ushtroj kompetencat e mia ligjore, si të jetë më mirë për interesin e të gjithë atyre që jetojnë brenda territorit të bashkisë, të cilën unë drejtoj. I juaji, Kryebashkiaku Refik Fufulina, Bredhishtë më 14 të prillit të vitit në vazhdim.
            Në sallë ra heshtja.
            -Lexoje edhe njëherë- u dëgjua i njëjti zë i ngjirur, po pati kundërshtime nga të tjerët.
            -Më lejoni mua t'ja u spjegoj qëndrimin e zotit Fiko në këtë çështje- u dëgjua një zë i ëmbël femre dhe Naim Hana pa një fytyrë jo krejtësisht të panjohur me syze të trasha, që po ngrihej ngadalë në një nga rrjeshtat e mesit. Ai u kthye të pyeste Aferimin, se kush ishte zonja, por doktori i shkencave të letrave ishte gjithë sy e veshë nga folësja.
            -Zoti Fiko, disa herë në takimet mes bektashinjve dhe Babait të Teqesë, ka shprehur dyshimet e tij për zanafillën e investimeve për Kishën. Përse ka thënë vijnë nga Republika e San Marinos e jo nga Vatikani? Cili është roli i avokatit Rako Pilafi, i cili dihet që nuk është konvertuar ende në katolik?...po po u degjuan zëra mes turmës, Rako Pilafi, Rako Pilafi...
            -Lereni të mbarojë- u dëgjua sërish ngjiraku....lereni lereni....Rako Pilafi...u dëgjuan duke u fashitur.
            -"Po sikur ta ndërtojmë e pastaj ta prishim?" ka qënë një tjetër pyetje që ka ngritur zoti Fiko, por u kundërshtua nga babi i Teqesë. Dhe pyetja e fundit dhe kuptimplotë ka qënë: A duhet të bëjmë një referendum të shprehen të gjithë Bredhishtarët?- tha me plot besim farmacistja Adelina Havani dhe u ul triumfatore duke i hedhur vështrimin e fundit pas xhamave të trasha mjekut Hana...referendum, referendum,  u dëgjua e gjithë salla.
            -Me leje- ngriti gishtin dhe më pas trupin Veror Voloreka- Mund të bëj një propozim?
            -Posi Veror-u përgjigj doktori i Letrave.
            -Unë mendoj që në vendin ku kërkojnë të ngrihet Kisha Katolike, të ngremë një kompleks skulpturor për Bredhishtarët demokratë, me figurën e zotit Fufulina në qendër.-dhe u kthye nga skulptori Ulianov Sopi, i cili miratonte me kokë....po po...kompleks skulpturor- u gjegj salla. Mes mërmëritjeve dhe diskutimeve vesh më vesh referendum apo kompleks skulpturor, u ngrit sërish Aferim Dollibashi dhe salla u tulat.
            -Deklaratë- filloi me një zë më të plotë këtë rradhë- Ne, përfaqësuesit e intelektualëve të tre bashkësive fetare të Bredhishtës, në tubimin e sotëm të një rëndësie të veçantë për të ardhmen e paqes e harmonisë fetare në Bredhishtë e në rajon, në njëzërje të plotë...
            - C'është njëzërja- u dëgjua zëri i ngjirur, po dikush i ra me brryl të pushonte.
            -...kundërshtojmë përpjekjet e dyshimta të një grushti njerëzish të caktuar, të mbeshtetura nga segmente të caktuara brenda e jashtë vendit, për të prishur drejtpeshimin burimor dhe bashkimin që bën fuqinë të tre feve kryesore në këtë zonë të rëndësishme të Shqipërisë.-Aferimi mori frymë, i hoqi edhe një lëpirje të shpejtë buzëve e vazhdoi- Janë këto grupime që kërkojnë të pushtojnë zemrën e qytetit tonë, në çastet solemne të vrapimit drejt Europës, shtëpisë tonë të përbashkët e të natyrshme. kërkojmë nga institucionet vendore qëndrore dhe ato ligjore, të ndalojnë menjëherë dhe rrufeshëm të veprojnë edhe me gjuhën e ashpër që të jep ligji ndaj atyre që punojnë për të huajt dhe jo mëmëdheun tonë . Në rast se veprimet në këtë drejtim do jenë të ngadalshme dhe shkurajuese, ju bëjmë të ditur se do fillojmë të kryejmë sakrificën më sublime - grevën e ngadaltë dhe të sigurt të urisë. Bredhishtë  më 15 prill të vitit në vazhdim. Vazhdojnë firmat e firmëtarëve.
            Salla shpërtheu në duartrokitje dhe Naim Hana u detyrua të ngrihej më këmbë e mos dinte ç'të bënte me duart. Aferimi e shihte me bisht të syrit, ndërsa zëri i ngjirur dëgjohej mbi zhurrmën e duartrokitjeve, që pas ritmit shuplakpërplasës thërriste:
            -C'na duhen ne kish' e xhamia
            Kur pim' raki nga Shën Dellia
Shumica nuk e kuptonin nëse ishte tamam tamam kundër ndërtimit të kishës, apo thjesht donte të ndërtohej mbi bregoren e Shën Dëllisë, ku ishte lokali më luksoz i Bredhishtës, që sipas zërave të pakonfirmuar ishte pronë e Fikos dhe Gogo Gurgullimës.

No comments:

Post a Comment