Thursday 31 August 2017

150 vjet i ikur

Kjo është fotoja e parë, me të cilën “jam njohur” me Bodlerin. Eshtë edhe më e përhapura.
Zinte një vend të dukshëm në “Petite Larouse”, fjalorin enciklpoedik francez, të cilin im atë nuk e ndante nga tavolina e punës (që ishte edhe tryeza jonë e ngrënies). E shfletoja gjithnjë dimrit Larusin, se ishte plot me figura nga më të larmishmet. Ishte mahnitës për një fëmijë kureshtar. Kur kisha mësuar të lexoja, nisa të shihja më tepër pjesën e tij historike dhe sidomos portretet e njerëzve të shquar. Më dukej se krijoja një lloj marëdhënieje me ta. Bodleri ishte në faqet e para të gërmës ‘B” (Baudelaire), por më trembte më shumë se çdo gjeni i përfshirë në atë libër enciklopedik. Kishte vështrimin më të thellë, që të bënte të ndjeheshe fajtor për diçka, të cilën nuk e kishe bërë. Nuk shkoja as të shikoja shënimin e shkurtër rreth tij, ku lehtësisht kuptoja se kur dhe ku kishte lindur, kur kishte vdekur dhe ç’kishte qënë. Më trembte edhe më shumë se Hitleri apo Musolini.
Në bibliotekë ishte “Fleur du Mal”, por e shtypur në përmasat e një libri xhepi dhe nuk e kisha pyetur ndonjëherë babanë, se ku e kishte blerë. Diçka pata lexuar në kohën e gjimnazit, kur kam lexuar më shumë poezi, se gjatë gjithë jetës sime dhe kaq. Nuk e njihja aspak poezinë e Bodlerit, deri sa lexova disa përkthime në anglisht, që mu dukën të dobëta, krahasuar me famën e poezive të tij, ndaj nisa të lexoja dhe më vonë edhe të perktheja pjesën më të madhe të kryeveprës së tij “Lulet e së Keqes”.
Shpesh çuditem se sa i avancuar ishte mendimi europian i shekullit të XIX. Të duket, se edhe pse ka shumë gjëra, që të mençurit e asaj kohe nuk kanë mundur t’i njohin, se kanë ndodhur pas vdekjes së tyre, ata dinë aq shumë dhe nga kohët tona moderne dhe kanë ditur  t’i shprehin me art.
Si sot, 150 vjet më parë, një njeri me mençuri të jashtëzakonshme, me një ndjeshmëri të stërthellë, me një kurajo për të përballur edhe të vërtetat më të frikshme, me një kulturë të gjerë, u largua nga jeta dhe la pak vepra, por solli mendime të shprehura me art, si rrallëkush e kishte bërë më parë.
Me gishta janë ata, që kanë sjellë në art, “bukurinë vrasëse të trishtimit të thellë“.

Më poshtë është një përkthim i imi, i një perle të tij.

Lexonjësit


Marria, dështimi, mëkati, kopracia,
Na gjallojnë trupin dhe pushtojnë shpirtin,
Të ëmblat keqardhje ne vetë i rritim,
Siç i ushqen morracaku, morrat e tij.

Të mëdha mëkatet, të zbehta pendesat
Kujtojmë se do na shpëtojë rrëfimi,
Me gaz rikthehemi tek llumi e dëfrimi,
Thua njollat lahen nga lotët e dënesat.

Mbi shtratin e së keqes ësht’ Djalli Trismegist*
Që shpirtin e magjepsur na e ledhaton,
Ndërsa metalin e fortë të vullnetit tonë,
Të gjithin ai tret, i egri alkimist.

Eshtë ai Satan, që për fijesh na heq!
Në të pista lojra ne gjejmë ngazëllim
Drejt Ferrit zbresim çdo ditë me nxitim,
Pa ju trembur territ, që kutërbon aq keq.

Si endacaku kripë, që kafshon duke puthur
Të dërmuarin gjoks, të një kurve të vjetër,
Kalimthi rrëmbejmë, një kënaqësi të fshehtë
Gjë si lëm’ pa thithur, limonit të shtrydhur.

Kapluar, ngërthyer, si milion’ shushunja
Një lukuni me djaj në tru na gëlojnë,
Dhe kur marrim frymë, brenda gjoksit tonë,
Vdekja zbret, e heshtur, me ankime të shurdh’ta.

Nëse dhuna dhe plumbi, pelini dhe thika,
Ende s’kanë humbur të bukurën ngjyrë,
Në tablonë gjith’ pluhur me tonën fytyrë,
Vjen se nga joni shpirt nuk u largua frika!

Ta dish mes hijenash, mes panterash, çakejsh,
Akrepash, nepërkash, krimbash, gjarpërinjsh,
Lemerish që klithin, ulërijnë‘ ngjethmërisht,
Mbretëris’ të errët, t’kafshërisë brenda nesh,

Eshtë një më tinzare, djallushe se të gjithë,
Që aspak nuk këlthet, nuk tund duart në erë,
Por ajo botës mund t’i prishë çdo vlerë
Dhe globin e tërë në çast ta gëlltisë,

Eshtë Mërzija! Sy ndër lotë pa pushim,
Llullën thith e trekëmbëshave ëndërronjëse
Këtë monstër të hajthme e njeh ti lexonjës
Hipokriti lexues- vëlla- shëmbëllimi im.

Wednesday 30 August 2017

!

Pikëçuditsja, (jo për faj të saj) ngjet me një shkop bejsbolli dhe të le një ndienjë jo të mirë kur e shikon shpesh nëpër shkrime. Duket se autori kërkon të të rrahë dhe të të shkundë, se ti si lexues, nuk je në gjendje të reagosh emocionalisht ndaj asaj ç’ka ai po të tregon në shkrimin e tij, ku dëshëron të përcjellë ide dhe emocione të fuqishme.
Ne jemi një popull shumë emocional, si janë gjithë Mesdhetarët dhe ndërsa “të fortët” e rrugëve, i shprehin emocionet për një vend parkimi, për një gërvishtje të makinës apo edhe për një vështrim të thjeshtë, me kanosje, disa dacka ose një grusht, “të fortët” e intelektit e bëjnë duke përdurur “shkopin” e pikçuditses. Dhe sa më shumë  i afrohemi Perëndimit, aq më shumë pikçuditse përdorim. Duket se po vjen një kohë, që pikçuditsja do ja kalojë edhe presjes në letrat shqip, se me pikën ka kohë që është “rrotë më rrotë“.
Jo më larg se pardje, një akademik botonte, një letër, të cilën ja dërgonte kryetarit të Akademisë, Myzafer Korkutit dhe vetëm në paragrafin e mëposhtëm kishte 4 pikçuditse, nga të cilat e nevojshme është vetëm e fundit:
“Madje edhe më keqkuptoni, për fatin tim të keq ! Ju bëj me dijeni se nuk i lejoj vetes në asnjë rast të vendos në dyshim rezultatet e punës Tuaj shkencore në vitet e fundit, qoftë edhe për etikë, ose sikurse them edhe sepse nuk jam njohës i fushës që lëvroni Ju!
Nuk do të gjeni asgjë të tillë në letrën time ! Lutem shënojeni mirë dhe përfundimisht këtë!”
Gjithshka mund të jetë e drejtë në letrën e akademikut, bile ai me të drejtë mund të jetë aq i revoltuar me prof. Korkutin (e moshuar dhe trupvogël), sa dëshëron edhe ta “rrahë me pikçuditse”, por lexuesit nuk i bën asnjë të mirë, se veç bezdisjes, e bën të dyshojë edhe në vlerën e akademizmit të tij.
Një ish kryeministër (bajagi i shkolluar), që nuk e fsheh dot urrejtjen për kundërshtarin e tij politik, shkruan:
”Rama, disa investitorëve të hoteleve me 5 yje ju thyen kockat, ndërsa miqve të tij dhe Olsit ju heq taksat!”
Lexuesi vërtet mund të çuditet me veprimet tepër “të diferencuara” të Ramës”, por nëse ishkryeministri do medoemos një pikçuditse, nuk duhet të zgjedhë një fjali dëftore.
Shembull frymëzues, sidomos për të rinjtë, të cilët shkruajnë në FB dhe Twitter është një deputet, që dikur ka qënë edhe kryeredaktor i një gazete. Ai parapëlqen të vejë nga një “shkop” pikçuditëse në fund të çdo fjalie me foljen “është“.
“Natyrisht, asfare për dy zonjat!
Njëheresh, më sjellin në mendje faktin se,vlerësimi institucional për punën, rezultatet,
vlerësimi po i tillë për bashkepunimin, është një kulturë që urrehet në këtë vend!
Por në fakt eshte edhe qytetari; Njerëzillëk më shqip!”
Ndaj nuk kanë faj të posadiplomuarat në universitetet tona, që shkruajnë nëpër rrjetet sociale- “Bleva një çantë Hermes!”, “Me pushime në Santorini!!”, “Gocës i doli dhëmbi i parë!!!”.

Harrojnë se emocionet mund të përcillen në shqip edhe pa përdorur “të uruarën” pikçuditse edhe atje ku nuk duhet. (Nuk jam i sigurt nëse duhet apo jo ! në fund të kësaj fjalie.)

Tuesday 29 August 2017

Sakrifica (H)Ekuranit nuk i shkoi dëm!

(H)Ekurani është një bujk ose blegtor (tani quhen fermerë, që gati i barazojnë me ata të Teksasit) nga Kamenica, që sipas tregimeve të Rilindasve, i dha edhe këmishën Partisë Socialiste në fushtën elektorale. Nuk është ende e qartë nëse ja dha këmishën si simbol të “mikpritjes pakufi”, se nuk i kishte mbetur gjë tjetër pa dhënë apo se shpresonte, që do i kthehej e dhjetëfishuar pas fushatës. Megjithatë e rëndësishme është, që ja dorëzoi një Drejtori të Rilindjes dhe ai pasi i lëshoi të firmosur një “kambial politik” apo një lloj “indulgjence” për ndonjë fjalë , që (H)Ekuranit i kishte shpëtuar kundër PS-së, Edi Ramës, Gramoz Rucit, Niko Peleshit apo edhe shokut Enver, çdo gjë hyri në rrjedhën normale të jetës.
H(Ekurani) vazhdoi të punojë nën diellin përvëlues të kësaj vere tokën e “fermës” së tij të mbjellë me qepë; vazhdoi të spërkatë pemët e mollëve, që në tetor do i japin një prodhim të bollshëm, që mund t’i mbetet edhe pa shitur; vazhdoi t’i thoshte gruas darkave, se ishte e sigurt “që vetëm Rama mund ta bënte Shqipërinë“.
Drejtori topolak i Rilindjes, pasi shënoi në bllok të gjitha emrat në moshën e votimit të familjes së (H)Ekuranit dhe shtoi shënimin “edhe këta i kemi në thes” vijoji me vizitat në fshatrat Pulahë, Floq, Bellovodë, Gjanç, Leshnjë, Vithkuq dhe u ndal pa u ngjitur në Rehovë, se më tej fillonin “gërxhet” e mbjella me kanabis, ku nuk shtrihej pushteti i drejtorisë së tij.
Fundgushti solli një lajm edhe më ngazëllonjës për (H)Ekuranin se sa ai i 25 qershorit. Në krye të ministrisë së tij do ishte as më shumë dhe as më pak, por eprori i Drejtorit bullafiq, të cilit fermeri i kishte dorëzuar këmishën e mirë dhe kishte shtyrë gjithë verën me kanatierën ngjyrë gri në bezhë të zbërdhylët – Niko Peleshi. Fluturoi nga gëzimi dhe atë të djelë i la edhe qepët pa prashitur, por u ngul bashkë me zonjën e tij para televizorit. Kështu dy ditë me rradhë. Të dëgjonte se çdo bënte Nikoja për fermerët dhe sidomos për fermerët e mbetur pa këmishë.
Nuk u zhgënjye.
Edhe pse në deklaratën e tij të parë, ish zëvendës kryeministri dhe ministri i ardhshëm i Bujqësisë, nuk përmendi (H)Ekuranin me emër, ajo u kuptua qartë nga thirrja për tu bashkuar të gjithë, që kanë “agroenergji”. Dhe o ka të tilla (H)Ekurani ose nuk ka kush në tërë rrëzën e Moravës.
Bile ajo çka pëlqeu më shumë ishte thirrja e fundit “O sot , o kurrë!”
“O sot o kurrë“ përsëriste këto ditë (H)Ekurani nëpër shtëpi, duke ndjerë mobilizim total si në kohën e revolucioneve të mëdha. “O sot o kurrë!”, i thërret të shoqes dhe ajo e shkreta e kupton, që nuk është fjala për ndonjë “ljubjoçkë të rëndë“, por për diçka më të madhe, që lidhet me Kamenicën, krahinën, Shqipërinë edhe më gjërë. O bëhet sot Bujqësia socialiste o s’ka për tu bërë në jetë të jetëve!
Ja ç’sjell një këmishë e dhuruar në kohën e duhur dhe në vendin e duhur!

“O sot, o kurrë!”

Saturday 26 August 2017

Një ministri për Nikshin

Nga disa biseda me miq kam kuptuar, se kam lënë përshtypjen me shkrimet e mija se jam një “anti-Pelesh i tërbuar”. Përderisa kjo përshtypje është krijuar dhe më është thënë, nga njerëzit, të cilëve ju besoj, më duket me vend të bëj një lloj rrëfimi, se pse kam shkruar kundër veprimeve të Nikos në Korçë dhe i jam kundërvënë edhe ndonjë shkrimi të tij për politikën.
Jam “thartuar” nga ideja, që edhe njerëz të zotë, që kanë shkëlqyer në studimet e tyre universitaret  mund të “veprojnë“ thellësisht gabim në gjëra, të cilat lidhen me një hapësirë dhe pronë, që ju takon të gjithëve. Në këtë rast është fjala për qytetin tim të lindjes, Korçën, që është edhe qyteti i lindjes së Nikos. Dhe këtu nuk është fjala për pikpamje të ndryshme të zhvillimit të qytetit, ose për kritere urbanistike të të caktuara.  Për mendimin tim, Nikos i mungon modestia dhe thjeshtësia, e cila të bën të druhesh, kur merr vendime të rëndësishme për një hapësirë ku jetojnë afërsisht 50 mijë njerëz. Diçka të tillë e konstatova me keqardhje gjatë fushatës elektorale të vitit 2011. Mu krijua bindja, se një arrogancë e tillë do kishte pasoja për Korçën.
Kanë kaluar mbi 6 vjet nga ajo kohë dhe në urbanistikën dhe arkitekturën e Korçës ka ndryshime jo të pakta. Jo të gjitha janë negative ashtu sikundër edhe të gjitha nuk janë “arritje të suksesshme”, si i paraqet Nikoja dhe pasuesit e tij. Restaurimi i Pazarit, Shëtitorja e qendrës dhe Rifreskimi i Parkut Rinia mbeten në arritjet më të mira, ndërsa në më negativet janë Kulla Vrojtuese, ngushtimi i disa rrugëve, objekti përballë bashtës së Themistokliut dhe Biblioteka në ndërtim.
Dukuria pozitive kryesore ka qënë, që në 4 vitet e fundit Peleshi solli në qytet shumë investime duke nisur me mbylljen e gangrenës të Muzeut Mesjetar(ku nuk ishte edhe vetë pa faj), rinovimin e Teatrit, ringritjen e shtëpisë të Sugarëve dhe plot investime në rrugë të reja apo sheshe sportive, të cilat duke qënë larg nuk mund t’I di në hollësi. Pra veç viteve të suksesshme, kur diti të tërhiqte investime si kryetar bashkije edhe me një qeveri jo të partisë së tij, në vitet e tij në qeveri ai i mbushi mendjen Ramës, “të hapte thesin për Korçën”. Kjo e ka bërë qytetin më tërheqës për turistët e huaj dhe vendas. Por Rama nuk bën asgjë pa një “taksë“ të tij, që ka qënë edhe futja e arkitektit Australian Pit Uillsën në të gjitha punët, që janë bërë në Korçë dhe , që si e kam shprehur në shkrime të tjera ka qënë në shumicën e rasteve e gabuar dhe e dëmshme.
Megjithatë jemi këtu ku jemi sot.
A është mirë për Korçën, që Peleshi të jetë pjesë e qeverisë së re?
Mendimi im është - Po.
E vetmja anë pozitive në rast mospërfshirjeje, do jetë që ai të marrë një mësim për karakterin e “çunit më të mirë në Shqipëri” dhe të mundohet t’i ngjasë sa më pak në karrierën e tij të gjatë politike, por kjo e mirë është fare e vogël po t krahasohet me një cungim të investimeve për Korçën.
Duket, që Rama do qeverisë edhe 4 vjet. Do qeverisë në mënyrën më negative të mundshme. Eshtë e turpshme ta pranosh, por për qytetin është më mirë të jesh jo në shënjestrën e tij, por nën sqetullën e tij.
Le të jemi pragmatistë.

Le të ketë në ditët që do vijnë të paktën një ministri edhe për Nikshin!

Friday 25 August 2017

Po sot, po nesër?

Dje një grua jetën dha
Nuk di përse u flijua;
Për të drejtën,
Urinë e fëmijëve,
Vajzat që përdhunohen
Apo se nuk duronte dot më
Burrin, që e bënte të vuajë.

Dje një vajzë
Duke u dridhur,
Me pronarin e saj fjeti.
Ndërsa ai gërrhiste i kënaqur,
Lakuriq mbi pllakat e banjës,
Duke qarë ajo priste venat;
Nuk mundi,
Qelqi në mes të rrugës mbeti.

Dje një nënë
Nga gjoksi i ligur
Nxorri të fundit kartmonedha;
Nipit që klithte ja dha.
Pasatj e mbledhur grusht
Veten pyeti;
“Mos është më mirë të vdesësh?”
Se dje ndodhën këto,

Po sot, po nesër?

Thursday 24 August 2017

Urime bardhekuqve!

Tani i quajnë “ujqërit e dëborës”, por nuk më bëhet t’i uroj si ujq. Tradicionalisht kemi luajtur mirë në mbrojtje dhe pak ju kemi ngjarë ujqërve apo demave, që janë kafshë “sulmueset”. Stili i lojës së “Skënderbeut” (ashtu si karakteri i korçarëve) ka qënë konservator, i kujdesshëm, i organizuar mirë dhe me një prapavijë të pakalueshme.
Gjatë 85 vjetëve të ekipit kombëtar shqiptar, i kemi dhënë 3 portierë të shkëlqyer (Klani Marjani, Koço Dinella dhe Jani Kaçi) disa mbrojtësa (Teodor Vaso, Kristi Vangjeli) dhe thuajse asnjë sulmues titullar.
“Skënderbeu” i sotëm, edhe pse “i ndërkombëtarizuar” luajti dhe u kualifikua duke qënë i organizuar dhe duke u mbrojtur mirë. Ju lumtë djemve!.
Futbolli është sot jo vetëm sporti më “global”, por edhe ndër bizneset më të “globalizuar. Në ekipe të qytezave të ballkanit, vijnë e luajnë lojtarë nga Buenos-Aires dhe San Paolo, por edhe lojtarët shqiptarë, “degdisen” deri në Azi. Për të mos përmendur “bastaxhinjtë“, që nga Makao dhe Ishujt Papu dhe deri në Tokën e Zjarrtë, që mundohen të parashikojnë, se a do kualifikohet “Skënderbeu” e Albenias apo “Dinamo” e Kroeshias. Eshtë thuajse e pabesueshme, se sa ndiqet kjo lojë “magjike” në të gjithë botën.
(Meqë preka “plagën” e basteve dhe dënimin e “Skënderbeut”, uroj që mos përsëritet ç’ka ndodhi para dy vjetësh dhe Takaj me stafin e tij të kenë vënë mend.)
Qyteti ka të drejtë të jetë sonte dhe në ditët e ardhme në festë!
Mbase ky kualifikim do ndihmojë edhe investimet për ta kthyer stadiumin “Skënderbeu” plotësisht në standartet europiane dhe ndeshjet e vitit të ardhshëm, të mos luhen më në Elbasan. Prania e ish-zëvendës kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë në tribunë në krah të presidentit të “Skënderbeut” të ngjall shpresën.
Jemi tani plotësisht në hartën europiane të futbollit. Nuk është më rastësi. Kemi konkuruar edhe një herë tjetër në fazën e grupeve. Për më tepër, këtë rradhë kemi luajtur në nivelin e klubeve mesatare europiane, në të cilat do fusja të gjitha ekipet kampione të Europës Lindore dhe ata, që rrjeshtohen pas vendit të katërt në kampionatet e Anglisë, Spanjës, Italisë dhe Gjermanisë.
Jemi një qytet i vogël me një ekip të madh, që mban një emër edhe më të madh!
Eshtpë kënaqësi e madhe, kur shikon në kanalet sportive të Kanadasë, të transmetohen drejtpërdrejt ndeshjet e ekipit të qytetit tënd. Ndoshta do e bëjnë edhe këtë rradhë. Do kemi diçka më shumë për tu krenuar!

Edhe njëherë ju lumtë djema!

Kur të ligem

Në të njëjtin pyll më shpjerë kur të ligem
Dhe po mos ketë zbritur e bukura vjeshtë
Pas rrënjëve të vidhit nga pak do ngrihem,
Të pres, që kënga e kardinalëve mos rreshtë.

Më lerë pas trupit veç fanellën e leshtë
Ashtu si pat qënë porosia e nënës,
Nga krimbat brejtës do mbrohem më lehtë,
Do të qullem më pak nga lotët e hënës.

Mos qaj kur të m’puthësh për të fundit herë,
Se magjinë e buzëve e prishin lotët,
Nëse të parën puthje kur erdha s’e kam ndjerë,
Me të fundit të mbetem, kur mpleksen botët.

Flokët e verdhë mbi një bluzë të zezë
Dua të shoh ndërsa mes drurësh tretesh,
Do më ngrohin kur të bjerë e fundit vesë,
Do ndrijnë kur të jem mes t’pafundme netësh

Wednesday 23 August 2017

Po deputetët “pa din dhe pa iman”?


Instituti i Studimeve Politike ( nuk di nëse është i njohur apo jo nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë) ka nxjerrë një studim të “përbërjes fetare” të Parlamentit të ri shqiptar. Ndoshta studimi në fjalë është një pjesë shumë mikroskopike e stidimeve të këtij “rezervuari të mendimit” (think tank), por meqë prek një temë disi delikate, që është ajo e raportit të fesë me politikën them, që ja vlen të ndalesh rreth tij.
Një cilësi, që i mungon, që në fillim studimit dhe ndoshta e bën “a priori” të pavlefshëm. është se nuk përmendet nëse përkatësia fetare u deklarua nga vetë deputetët. Nëse do kishte ndodhur kështu, mes deputetëve mund të kishte edhe ateistë, edhe evangjelistë, mbase edhe budistë, ose nga ata, që nuk dinë nëse i përkasin ndonjë feje.
E megjithatë, një studim I tillë “numëronjës”, ku punonjës të Institutit, duke parë emrat e baballarëve, mbiemrat dhe ndonjë përkatësi krahinore, i “venë vulën” se në cilën fe duhet grupuar filan deputet, janë jo vetëm të padobishëm, por edhe të lindur mbi ide të mangëta.
Kujt i intereson përkatësia fetare e deputetëve? Të huajve? Politologëve? Partive?
Në një vend si i joni, kur me Kushtetutë feja është e ndarë nga shteti, ky lloj studimi nuk duhet të ndërmeret. Aq më keq është nëse partitë do marrin shkas nga studime të tilla dhe të themi, që në Lezhë nuk do kandidojnë kurrë dikë, që nuk është katolik dhe në Dibër dikë, që nuk është musliman.
Për fatin e mirë të Shqipërisë dhe për fatin e keq të politologëve miopë apo të papunë, Shqipëria ka çuditur botën , që në fillimet e shtetit shqiptar, se edhe e njohur si vend me shumicë të popullsisë muslimane ka patur për kryeministër një prift ortodoks.
Gjatë periudhës së Diktaturës sundohej nga një grusht ateistësh, që nuk pyesnin as për fe dhe as për ndonjë ideologji tjetër.
Në periudhën e tranzicionit, përsëri ka pasur më tepër kryeministra  me origjinë familjare të krishtere se sa muslimane (edhe këta jo të vetëdeklaruar si praktikantë të një feje).
Dhe pavarësisht nga sa më sipër jemi këtu ku jemi. Keq edhe më keq.
Numërimi i deputetëve sipas fesë, si e kanë konstatuar me të drejtë kritikë të studimit, vetëm se sjell çoroditje në popullin e thjeshtë. Shumë njerëz të zakonshëm as e kanë të qartë, që tek ne shteti dhe feja janë të ndarë. Veç frikës dhe ndienjës së persekutimit asgjë të mirë s’mund të krijojë.
Për shkak të grupmoshave të deputetëve, pjesa më e madhe e përfaqësuesve tanë të popullit nuk besojnë në Zot. Ndalimi me ligj për 25 vjet, propaganda 50 vjeçare materialiste dhe tradita popullore jo shumë fetare, ka bërë, që shumica e përfaqësuesve të popullit i kryejnë ritet fetare, vetëm kur janë të pranishme kamerat e televizioneve. Shumica syresh nuk e kanë lexuar as Biblën dhe as Kuranin. Vërtet këto nuk i bëjnë politikanë më të këqinj, por nuk i bëjnë as më të mirë. Ndoshta po të besonin në Zot do kishin ca parime morale më të mira, dhe megjithatë, askush nuk duhet të përfaqësojë popullin se i përket këtij apo atij besimi fetar.
Dhe një pyetje të fundit kam për autorët e studimit:

Po deputetët “pa din dhe pa iman” sa përqind të Kuvendit përbëjnë?

Korça ende në periudhën “pre këngë“ (fund)

(vijim)
Vitet ’90, me lirinë dhe dëshirën për të konfirmuar disidencë ndaj “linjës zyrtare të artit dhe kulturës” sollën një “ngritje të kultit të serenatës”. U organizuan koncertet e para në skenë, bile edhe deri në “festivale të serenatës”, të nxitura dhe “kuruara” nga njerëz, që në më të shumtën ishën vetëm amatorë të muzikës. “Të talentuar”, të cilët vërtet për arsye biografie apo edhe të tjera, nuk ishin lënë të këndonin nën dritën e projektorëve si çifti Kondili, Dhori Polena, Gjergji Peleshi, Ilia Vinjau. Koço Lalazi dhe të tjerë më të rinj si Genci Kadilli dhe Vaskë Niço apo të tjerë, të cilët nuk i njoh, “pushtuan” jo vetëm skenat e Korçës por edhe transmetoheshin rregullisht në kanalet televizive, të cilët ishin tashmë të shumtë. “U zyrtarizua” si “kulmi i muzikës korçare” kënga e dikurshme e rrugëve e cila jo vetëm nuk I përket këtij shekulli, që jetojmë, por është e prapambetur, në një masë të madhe e kopjuar, në shumë raste me tekste bajate. Me një fjalë këngë “sempliste”, që ngjallin emocione ngashëruese pasi ke pirë disa gota, por kanë pak melodi dhe shumë më pak mendim.
E çuditshme është, që kompozitorët dhe muzikantët profesionistë të Korçës, si Thoma Gaqi, Josif Minga, Koço Vrame, Pandi Bello, Ardian Jorgji u shprehën pak ose ndoqën në heshtje këtë dukuri të “tregut të këngës”. Ka munguar nxitja ndaj më të rinjve për të sjellë në klube dhe në skena më të mëdha, muzikën më të mirë botërore të orkestrave të vogla. Aq më pak ka përpjekje për të krijuar këngë të reja me tekste shqip sipas rrymave më të njohura botërore të pas Luftës së Dytë.
Ndaj me sa kam vënë re , kur kam qënë në Korçë, ose kam dëgjuar nga të tjerë vizitorë, në qendër të qyetit, çdo darkë “buçet” repertori i Jorgjeta Lalazit (vetë Lalazka e vogël ka qënë një këngëtare e talentuar, që në fëmijëri, por repertori i saj mbetet i kufizuar), ndërsa në festat shoqërore , apo nëpër dasma, mbisundojnë këngët me vargje “na prêt të gjithëve një gur mbi varr”, “ të lutem nëm një dhjeçkë/ të pi një gotë raki”, “o po kur dal i pirë moj nga Republika”, “do të ta mësoj edhe ty konjakun” dhe të tjera vargje nga më banalet, që emocionojnë vetëm sarahoshët, që nuk janë në gjendje të mendojnë.
Po a ka ndonjë gjë të keqe për qytetarët e Korçës, nëse konstatimi për këtë gjendje të muzikës “të masave” është i vërtetë?
Për mua ka disa arsye, që mendoj se dëmtojnë qytetarinë korçare, nga dominimi i kësaj muzike:
E para është “ushqimi” shpirtëror i fëmijëve dhe të rinjve me një muzikë, që i përket fillimit të shekullit të XX-të, bile niveleve më të ulta të saj. Nëse Bashkia apoinstitucionet e tjera kulturore, kanë fonde për të ndihmuar të rinjtë, duhet veçanërisht t’i nxitin drejt argimit nga kjo lloj muzike.
E dyta është një hije jo e mirë, që hidhet edhe mbi traditën korçare të paraluftës. Këngët, që këndoheshin në atë kohë (mes tyre ka edhe shumë origjinale dhe interesante si ato të Petro Dulës) nuk ishin të ndryshme(nga niveli) nga ato, të cilat këndoheshin kafeneve të Ballkanit apo të Europës Qëndrore.
E treta është mbajtja e nivelit kulturor të qytetit në një gjendje “nënkulturë“, që shkon edhe më tej në gjithë nivelin kuturor dhe arsimor të tij. Drejtuesit e pushtetit dhe institucioneve kulturore, që “çirren” videove, që transmetohen televizioneve apo online, duke kënduar “ ta kisha çezmën me raki” dëshmojnë se sa poshtë është kultura në Korçë dhe se sa më poshtë mund të shkojë po të vazhdohet me këtë mentalitet.

Më e keqja është, që një kompozitor i njohur, nuk mundohet t’ju mësojë pushtetarëve këngën e tij me vargjet e Poradecit “…shtatpërkundura pallua/ ç’më ka përvëluar mua!”, por ju bën zërin e dytë teksa këndojnë “ Tasha moj, Tasha moj hape derën se jam unë!”

Tuesday 22 August 2017

Gjysëm ore kontinenteve

Kaloi një gjysëm ore e gjatë, e gjatë,
Me mendje jam endur kontinenteve
Në Australi tani është mesnatë
Arabisë zgjaten hijet e deveve.

Ti duhet të dorëzosh çka ke në dorë,
Dot, si gjithnjë, nuk më dërgon puthjen
Në Antarktidë do përfundoj për një orë
Të akullt prej aty do e nis lutjen.

Eja më përkëdhel të lustruarën vetmi
Që më është pështjellë keq rreth zverkut
Mos më lerë në kotësinë e trishtë të bregut

Në syrin e ciklonit më merr, atje je ti,
Ku të munduarit mundohen më tepër

Ku përveç gjallimit nuk ka gjë tjetër!

Korça ende në periudhën “pre këngë“ (2)

(vijim)
Në periudhën e viteve ’40 dhe ’50, kur kontrolli ishte më pak i specializuar dhe kishte nevojë për mbushjen e programeve muzikore të Radio-Korçës me grupe, që këndonin drejtpërdrejt(live), të ftuarit e përhershëm ishin “sazet e radios” duke nisur me grupin e Demir Hajros (Demkës) dhe të tjerë këngëtarë popullorë.
Diktatura mbajti në një kontroll thuajse të plotë shijet e rinisë korçare(dhe jo vetëm të saj) në periudhën e fundit të viteve ’50, dhe në vitet ’60 dhe ’70. Ishin të pakët ata që ndiqnin apo njihnin mirë Elvisin, Bitëllsat, Stonsat, Doors apo Bob Marlin e Xhenis Xhoplin. Si “përfaqësues” të pararojës së muzikës perëndimore mbeteshin italianët e San Remos dhe Hit Parade, si dhe ABBA apo ndonjë kompleks tjetër modest europian. Nën ndikimin e televizionit jugosllav u bënë të njohur edhe këngëtarët dhe grupet e atij vendi, që gjithashtu ndodheshin periferinë e muzikës perëndimore. Kishte një pjesë jo të pakët amatorësh të muzikës , që vazhdonin të ndiqnin këngët greke dhe t’i këndonin apo t’i përshtatnin si “këngë korçare të rrugës”. (Po i mëshoj këtij termi, se kjo lloj muzike, nuk duhet lejuar të ngjitet nëpër skena jo vetëm për shkak të nivelit të ulët artistik, por edhe se është kryesisht plagjiaturë.) Një pjesë e tyre, të këngëtarëve Mitropanos, Dionisiu, Dalara e ndonjë tjetër, kanë mbetur ende në “repertorin” e “serenatistëve”. Fraza të plota muzikore kopjoheshin nga këngë spanjolle, të Amerikës Latine. Të gjitha këto kryesisht me akorde “qaramane” minore, por që plotësonin një boshllëk të madh shpirtëror, të lënë nga muzika e lehtë zyrtare shqiptare e përqëndruar në Partia, njeriu i ri d he në dashurinë e lindur në frontin e punës.
Përjashtim bënin vetëm krijimet e Abaz Hajros, të cilat dalloheshin për melodi origjinale dhe të kultivuara edhe pse me një trishtim të pranishëm. Abazi dinte të zgjidhte edhe tekstet e këngëve. Ato binin në sy për një lirizëm shumë më fin se këngët e tj të bashkëkohësve të krijuara nga Ilia Vinjau dhe ndonjë tjetër. Cuditërisht, vetëm dy tre prej tyre janë shumë të njohura dhe në repertorin e këngëtarëve të sotëm. Nëse nuk gabohem, vetëm “Rrinim bashkë tek sofati”, “Buzëkorales” me vargje të Aleko Skalit këndohen ende në Shëtitoren para Ushtarit të Panjohur (Luftëtarit Kombëtar).
Duhet pasur kujdes edhe kur flitet me superlativa për muzikën e Abazit, se edhe ajo mbart kufizimin, që jepte koha e sunduar nga ideologjia revolucionare. Ai me talentin e tij muzikor, në një kohë të lirë do kishte “shpërthyer” me kompozime më të lira dhe më krahas muzikës bashkëkohore botërore.
I vetmi grup i fundit të viteve ’70, që kishte prirje të ndryshonte “gjendjen” e këngës së rrugës ishte grupi i Tomi Kondakçiut. Ishin një grup djemsh të apasionuar pas muzikës angleze dhe amerikane, që luanin mirë në kitarë dhe këndonin po aq mirë. Ata kishin dëshmuar një njohje të mirë të këngëve të huaja dhe në kompozimet e tyre (ndonëse të pakta) tregonin një shkëputje nga niveli mesatar i këngëve, që kompozoheshin “ashefev’ dhe qilareve të Korçës. Për fatin e keq të Tomit, ata kishin kuptuar, që këngë si bashkëmoshatarët e tyre në botë nuk mund të krijoheshin dhe interpretoheshin në vendin e izoluar dhe Kondakçiu, që ende ishte 18 vjeçar përfundoi në burg për tentativë arratisjeje.

Tomi këndoi me sukses edhe pas daljes nga burgu, por vitet e humbura në ferr, kishin dërmuar edhe muzikën e tij.
(vijon)

Monday 21 August 2017

Eklips i paarritur

Unë prita gjithë ditën eklipsin të ndodhte
I diellit a hënës do ishte nuk e di
Prej agut i mbyllur ndenja në shtëpi
Nuk prisja, që pritja aq shumë të më lodhte.

Hija mbi diell do binte ndërsa toka bridhte
Një më stërmadhe hije se ajo që m’bën ti,
Ndër vite s’kisha parë të tillë çudi,
As kur fati në të huaj dhe më hidhte;

Ndaj mbeta pas dritares tërë ditën ngujuar,
Deri sa ti u shfaqe me gjinjtë zbuluar
Dhe më s’kuptoja dielli ku kish mbrritur

Drejt meje ti zgjasje të bukurat duar
Me zbardhëllim gjithshka pate mbuluar
Pasditen e atij eklipsi të paarritur.

“Rilindja” dhe …(H)Ekurani

Një mik më dërgoi foton e mësipërme për të “zgjidhur” një lloj “rebusi”, të cilin nuk e kuptonte. Nuk ishte fjala nëse emri Hekuran shkruhet me ‘H’ apo pa ‘H’, por kishte të bënte me mikpritjen , që Ekurani i kishte rezervuar një përfaqësuesi të Partisë Socialiste. (Miku më pat sqaruar, që buçkoja në të djathtë të fotos është përfaqësuesi i PS-së dhe ai, që e ka vendosur foton në FB, bashkë me shënimin “Në shtëpinë e Ekuran Xhafer në Kamenicë me mikun tonë Valin! Mikpritja flet vetë!”)
Në fillim nuk kuptova asgjë dhe pyeta mikun se ç’farë donte të kuptonte. Ai mu përgjigj se deshte të merrte vesh se “ç’farë fliste vetë mikpritja”, por pasi e kundrova gjatë e gjatë fotografinë, mendova se informacioni mund të ishte i cunguar dhe në FB duhet të kishte edhe fotografi të tjera, të cilat ilustronin mikpritjen e Ekuranit në Kamenicë. Përgjigja ishte e menjëhershme “Ncuq”, ndaj unë mbeta përsëri para të njëjtës foto, që shihni edhe ju, me përgjegjësinë e zgjidhjes të “gjë a gjëzës”. (Më ka mbetur kjo dëshirë fëminore për zgjidhjen e gjë a gjëzave edhe atje ku nuk ka pikën e rëndësisë apo domethënies.)
U përqëndrova në çdo imtësi me ngjyrë e fotos dhe e ndjeja, që mikpritja kishte qënë vërtet mbresëlënëse, se kjo dallohej qartë në fytyrën e kënaqur të mikut Rilindas, por se ç’lloj mikpritje pat qënë ende nuk e kuptoja. U përqëndrova në Ekurani (që mendova se duhet të ishte burri në mes) dhe dallova në portretin e tij, një lehtësim që të jep dhënja e gjithshkaje tek miku. Eshtë ndjenja shekullore e shqiptarit, që edhe nëse është i varfër, “e djeg” për mysafirin e shquar. U përqëndrova edhe në copën e “damaskut” që vesh kolltukun ku janë ulur “nikoqiri dhe mysafiri” dhe përsëri…asgjë.. Miku tjetër Valin, ka një shprehje, që nuk të le të kuptosh shumë, ndaj përsëri u përqëndrova në Ekurani dhe mu duk se e gjeta zgjidhjen:
Pasi i ka dhënë Rilindjes gjithshka, mbështetjen me votë dhe me kontribut financiar, Ekurani ka dhuruar edhe xhaketën prej teritali dhe këmishën për “kauzën”. Ka ndenjur vetëm me kanatieren gri, pasi në vapën e verës dhe në punët në fshat ajo i mjafton.
Në shtator, Rilindja formon sërish qeverinë dhe do mendojë veçanërisht për Ekuranët bujarë.

Mikpritja flet vetë!

Sunday 20 August 2017

Girl! Girl!

Ka qënë kënga më e preferuar e Bitëllsave për mua. Vonë kam mësuar, që nuk është ndër më të dëgjuarat e tyre. E megjithatë mbetet e ve]antë. E kam më të preferuarën edhe sot.
Me një vijë melodioze të thjeshtë dhe harmoni gjithashtu jo të vështirë, ishte e lehtë për tu kënduar edhe pa e shoqëruar me kitarë. Nuk mësova donjëherë të luaja as edhe një akord në atë instrument aq popullor të rinisë sonë.
Ve] “Gëëërl…gëëërl” mund të këndoja vazhdimisht edhe nën zë, edhe pa i kushtuar rëndësi tekstit. Beni kishte disa shirita me këngë të “të famshmve” nga Liverpuli dhe i dëgjonim shpesh. Kur ishim hoteleve gjatë turneve, i rikthenim me dhjetra herë…Ah gëëërl…Nuk ishim më shumë se gjashtëmbëdhjetë dhe nuk ishte e pazakontë të ndjeheshim “të plagosur” nga vajzat…Nuk arrinim të kuptonim se cilat na donin dhe ato, që pëlqenim ose silleshin ftohtë me ne, ose vetëm nuk kishim kurajo t’ju theshim di]ka… Ah gëëërl…
Dija pak anglisht, sa për të kuptuar një pjesë të tekstit, por nuk di pse nuk i diskutoja fjalët edhe me Benin, që dinte më mirë.

Do kush të dëgjojë historinë time
Për një vajzë , e cila erdhi për mua?
Eshtë natyra e femrës që le lëndime
Por kurrë nuk do pendohem që e dua!

Ah vajzëëë…vajzëëë
Edhe pas shumë dëgjimesh, pak mundohesha të rrekja kuptimin e vërtetë të tekstit, pasi në imagjinatën time vlente vetëm analogjia e tekstit me vajzën, që njihja unë…Ah vajzëëë…
Ndoshta si një vetmbrojtje të  pavetdijshme, truri vetë kishte krijuar barriera pas vitit 1974, për të mos hyrë thellë në “idetë“ e të huajve?.. E megjithatë, më mirë që nuk e kisha kuptuar që atë kohë cinizmin trishtues të këngës, pasi nuk do kisha dashur të kisha qënë cinik në rininë e hershme…

Kur kujtoj gjithë herët që doja ta lija
Dhe vinte e qante me sytë përdhe
Më premtonte tokë e qiell dhe e besoja
Ka ndodhur kaq herë dhe s’di përse

Oh vajzëëë! Ah goceee!
Në tekstin e thjeshtë (për sot) kishte edhe ngjarje të thjeshta, të cilat nuk ishin shumë të pranishme në marëdhëniet e adoleshentëve të brezit tim. Shoqëria “macho”, i vinte vajzat e gjora në pozita më pak kapri]ioze se bashkëmoshataret e tyre në Perëndim..

Eshtë tipi i vajzës,
Që ta dhjet kur je mes shokësh
Dhe ti ndjehesh si hajvan.
Kur i thua “sa bukur dukesh”,
Sillet sikur afërmendsh
Kush nuk e di që jam!”

Oh vajzëëë! Ah goceee!
…sigurisht, që nuk kisha për ta duruar as unë dhe as shokët e mij…Sidomos , kur ende nuk e dinim mirë se sa bukur ishte të ishe në një shtrat me një vajzëëë…Oh vajzëëë!

I kishin thënë kur ishte e vogël
Që dhimbja kthehet në kënaqësi?
E ka kuptuar me mund?
I kanë treguar se burri në punë shuhet
Të ketë një ditë pushimi në shtëpi?
E beson ajo kur i del xhani në fund?

Oh vajzëëë! Ah goceee!  
Strofën e fundit, atë kohë duhet të ma kishte spjeguar më mirë një i rritur. Sigurisht po të kishte ndodhur do pyesja veten “A mund të dashurohem me një vajzë si kjo?”
Përgjigjen e kësaj pyetje nuk do mund ta gjej dot kurrë.


Ah girl! Girl!

Më risillni

Më ktheni dritën e mëngjeseve të shkollës,
Asaj Mësonjtoreje të tingujve,
Kur me durim i miri mësues,
Të intonuar notë,
Nxirrte edhe kur trokiste
Në kokat e kungujve.

Më jepni prehjen e blertë
Të absurditetit ushtarak;
Qaforen e qepur me nxitim,
Në marrëzinë e luftës ndaj të gjithëve,
Netët në përgjim
Të Hiçit,
Ku dhe më i mençuri plak,
Më shumë e më shumë
Niste t’i ngjasonte viçit.

Më risillni të ftohtën misërnike
Që në gojë mbetej si zall,
Do iki larg
Larg ndjenjave fisnike,
Se për rininë time
Kam kaq mall;
Të çmendurën,
Të qetën,
Të frikshmen,
Të zdërhallurën
Kohë

Tragji-komike.

Saturday 19 August 2017

Gushti i Trebeshinës


Kasëm Trebeshina ka lindur më 5 gusht. I vetmi shkrimtar i famshëm i lindur më 5 gusht është Gi dë Mopasan. Gi ishte edhe morfinoman ndërsa Trebeshina duket se është vetëm “addicted” për të vërtetën e jetës. Filozofinë, kuptimin e saj, rolin e njeriut në të.
Të gjithë njerëzit, që mendojnë thellë mundohen të zbërthejnë kuptimin e të pakuptueshmes. Lëçitin, gërmojnë, shikojnë yjet, meditojnë, dëgjojnë të tjerët, kundërshtojnë të tjerët, shkruajnë, grisin ato që shkruajnë, ju rikthehen prapë, i lexojnë me zë të lartë, i dërgojnë për botim, i lexojnë pas botimit dhe pendohen dhe përsëri mendojnë.
Kasëm Trebeshina është një prej tyre. I shquar. I shquar sepse mundohet të zbulojë ç’fshihet pas ngjarjeve, njerëzve, të gjithësishmes, të veçantës dhe pasi e zbulon, ashtu, plotësisht të vërtetë apo edhe të rreme, sikundër e ka gjetur dhe i ka pastruar pluhurin ja paraqit të tjerëve. Me art.
I shquar sepse nuk mendon se si do mendojnë të tjerët për atë çka ka zbuluar dhe e quan të vërtetë të trishtë apo të bukur, të dhimshme apo madhështore, vrasëse apo përkëdhelëse.
Në rast se do mundja të kapërceja në botën e të ikurve, do kërkoja tim atë dhe do strukesha pranë tij e të dëdjoja se ç’kishte mësuar nga të ikurit e tjerë. Nuk do tundohesha as nga Volteri, nga Dekarti, Erazmi apo Shën Agustini. Do i dëgjoja prej tij të vërtetat që i kishin treguar pa asnjë lloj ndryshimi. Të treguara bukur, qartë dhe me një vërtetësi të përkorë.
Në rast se do vizitoja shumë shpejt Tiranën, do kërkoja të dëgjoja për pak të vërtetat e kohës sonë në vendin tonë prej Trebeshinës. Nëse do kishte kohë dhe dëshirë të tregonte.
Kam lexuar ato , të cilat më kanë rënë në dorë prej tij. Nuk janë shumë. Janë shumë pak dhe jo të mjafta për të kuptuar se ku qëndron midis të mençurve, që zbulojnë të vërtetat e fshehura. Ndoshta është lart. Ndoshta është edhe në një lartësi që e bën të prekshëm.
Por dikush, që shkruan, është e rëndësishme të besohet nga lexuesi. Në të kundërt as mund të hyet brenda artit të tij. Dhe arti, sado i gënjeshtërt, që mund të duket, kur të vërtetat I ka të ndjera, të thella, të stërmenduara, të stërholluara me finesë, të lëna të palatuara, të baltosura bukur, i përket së Vërtetës.
Ndaj edhe kur nuk mrekullohem nga fraza të Kasëmit në librat e tij dhe me mendje them se mund të ishin shkruar ndryshe, përsëri i përulem përpjekjes së tij. Përpjekjes së vërtetë të tij. Dhe jo me të gjithë ata, që shkruajnë mirë më ndodh kjo.
Edhe pse pak i kam lexuar, shumë pak, kujtohem për të shpesh.
Edhe kur nuk është 5 gusht.

Edhe kur dy librat e tij nuk më shfaqen në raftin e librave të mij.

Bina

Asokohe ishtë e e gjatë, veçanërisht e gjatë dhe e bukur. Nuk kishte asgjë sensuale, që na bënte ta shihnim me admirim. Bile ajo dukej sikur kishte turp nga shikimet e djemve dhe mundohej të fshinte cilësitë, që bënin meshkujt të kthenin kokën.
Nuk më kujtohet të kemi folur pët të me shokët, ashtu si ishte zakon të flisnim për vajzat e bukura të shkollës. Bina sikur i përkiste më shumë qiellit. Më të shumtët prej nesh e kishin parë gjithnjë nga poshtë. Kishim dalluar më tepër dy sy të mëdhenj dhe veçanërisht të bukur, me një lloj ëmbëlsie të veshur nga një tis melankolik gati i pakapshëm. Por ishin si dy sy perëndeshe, që të shihnin nga lart dhe të jepnin forcë, por asgjë më shumë. Nuk di nëse shprehnin çka ishte në mendjen e saj. Mbase keqardhja për një botë me shumë njerëz të shkurtër dhe që flisnin pa pushuar.
Bina ishte e qetë, e mençur dhe e kursyer në fjalë. Ose të paktën kështu na dukej neve, që ishim një klasë poshtë saj dhe nuk e kishim dëgjuar në biseda apo kur ngrihej në mësim. Ndoshta ishte e sigurt në ato, që thoshte për shkak të shtatlartësisë së saj, ose ndoshta edhe kishte momente kur stepej, pikërisht nga pasiguria , që i jepte shtatlartësia e pazakontë.
Tiparet e bukura, kornizoheshin nga flokë të drejtë e të zinj, mrekullisht të zinj, që e bënin edhe më shumë të dukej si perëndeshë Mesdheu. Ndoshta po të kishte flokë të verdhë do na dukej edhe më e largët dhe e pakapshme. Me flokët e zinj ishte e jona. Perëndeshë sërish, por e jona. E jona Bina.
Nuk di sot t’i përshkruaj trupin. Nuk e kishim vënë re as kur bënte fiskulturë dhe vajzat e gjimnazit vishnin “kostumin” kilota të zeza dhe gimnastiorka të bardha. Na mjaftonte ta kundronim shkallëve të shkollës, me grykësen e zezë apo edhe veshjen e zakonshme, pantallona dhe bluzë. Kishte krijuar një të tillë autoritet me bukurinë e fytyrës dhe mendjes.
Edhe në korin e shkollës apo në kompleksin e vajzave e shihnim si “joshpërthyesen” Bina, që ndoshta edhe këndonte bukur dhe e intonuar, por nuk mundohej të binte në sy. Ndoshta kishte frikë nga ata, që dashuroheshin me të. I dhimbseshin mbase.
Erdhi një vit dhe ajo iku nga shkolla, si ndodh me të gjithë ata, që maturohen. Nuk mund të them se shkolla nuk ishte më njëlloj pa të. Ne mezi kishim pritur të bëheshim maturantë, që ishte një lloj statusi i “sundimtarëve” në gjimnaz dhe e kishim harruar edhe Binan. Vite më vonë, e patëm parë përgjatë Bulevardit të Madh të Tiranës, më të bukur se kurrë dhe më të largët. Tashmë ajo i përkiste kryeqytetit, sikundër i përkisnin të gjitha vajzat më të bukura.
E megjithatë ajo mbeti shoqja e fëmijërisë sime, Albina Totoni.

E bukura Bina.

Friday 18 August 2017

Ndodh edhe të na gënjejnë

Në botë gënjejnë një pjesë e mirë e njerëzve. E kam fjalën për njerëzit, që gënjejnë në mënyrë të vazhdueshme dhe jo për të zakonshmit, pasi të gjithë syresh gënjejnë jo rrallë gjatë jetës, duke përjashtuar këtu Leninin, që kishte gënjyer vetëm një herë.
Gënjeshtra jo vetëm, që është pjesë e pandarë e jetës sonë, por shpesh është e domosdoshme bile edhe e dobishme. Vetë Arti në thelb është “gënjeshtëtër”. Psh profesioni i aktorit është fund e krye “gënjeshtçr” sepse ai shtiret sikur është dikush tjetër. Dhe po ashtu një pjesë e mirë e letërsisë apo edhe pikturës.
Por kjo esse-shënim nuk ka qëllim të merret gjërësisht dhe thellësisht me gënjeshtrën, si kategori shoqërore, filozofike, etike apo ku di unë se çfarë, por me raportin, që kemi ne me ata, të cilët na gënjejnë.
Them, që ata që na gënjejnë ndahen në tre kategori.
Kategoria e parë dhe disi më e rrezikshme është ajo, që përfshin ata, të cilët na gënjejnë për të na mashtruar. Këta shfaqen ndonjëherë gjithë vrull, me një optimizëm që të pushton edhe ty si viktimë, por pasi e pëson një herë ose dy dhe ndjen thellë një dëmtim moral ose “në xhep”, largohesh dhe je i sigurt, që nuk mund ta pësosh më prej tyre, se i ke damkosur si “gënjeshtarë“.
Katëegoria e dytë është ajo e “gënjeshtarëve patologjikë“, të cilët në pjesën më të madhe janë gënjeshtarë të padëmshëm, sepse gënjejnë edhe veten. Një pjesë e tyre janë edhe zbavitës, sepse gënjejnë për çdo gjë dhe i tegojnë bukur edhe ngjarjet e rreme, ku zakonisht janë vetë personazhe kryesore. Eshtë e njohur për shembull një thënie e Dr. Polenkës në kafe “Republika” : “Si nuk erdhi ai N.C. të na gënjente ca”. Doktori shoqërohej jo rrallë me gënjeshtarin e parrezikshëm. Ka edhe shumë njerëz të shquar, që e kanë pasur këtë cilësi. Frederiko Felini ishte një prej tyre. Në marëdhëniet me ta, bezdija kalon pasi kupton, që në një mënyrë gati të pavullnetshme ata mund të sajojnë rrena nga më të pabesueshmet, që jo vetëm nuk dëmtojnë kënd, por i japin edhe një ngjyrë letraro-fiktive bisedës së lehtë. Dëmi më i madh ju ndodh atyre vetë, sepse janë të pabesueshëm edhe kur “kanë halle” apo tregojnë të vërteta të rëndësishme.
Kategoria e tretë, ajo më e vështira për tu dalluar dhe që të sjell më tepër zhgënjime, është ajo e atyre, që përzjejnë të vërtetat, me gjysëm të vërtetat dhe me gënjeshtrat. Duke pasur një besim gati të plotë në ta është shumë r vështirë të ndash “shapin nga sheqeri” në ato , që thonë. Përgjithësisht i beson, ose thua “nuk ka pse të më ketë gënjyer, se nuk i intereson” ose “ mund të mos ma tregonte fare dhe s’kishte përse të më rrente”. Kjo kategori njerëzish mendon shumë rreth atyre që do thotë apo do tregojë. Në përgjithësi i tremben opinionit për ato , që bëjnë, të cilat mund edhe të mos jenë të pamoralshme apo “hileqare”. Për shembull një çift me pozitë, jo vetëm që nuk i tregonte shoferit personal se ku do shkonte me pushime, por porosiste edhe fëmijët, që mos i tregonin as atij dhe askujt tjetër. Dhe këtë nuk e bënin për hir të asaj , që quhet “privacy”, por se nuk donin, që të tjerët të mësonin rreth shpenzimeve të tyre, që vinin nga të ardhura 100 përqind të pastra. Kjo kategori njerëzish mendon që e Vërteta të bën “vulnerabël”, ndaj mundohet ta mbajë gjithnjë jetën të mbuluar me mjegull, por të mos hezitojë të mësojë për jetën e të tjerëve, sepse e konsideron informacionin “pasuri të palujtshme”. Në shoqërinë e tyre, shpesh herë korrekte, rrezikohesh, që të “japësh thujase gjithshka”, në këmbim të “të fshehtave të ruajtura mirë“.
Kjo nuk të bën ty domosdoshmërisht “më të mirë“ dhe ata “më të këqinj”, por të le të pambrojtur përballë “gjysëm gënjeshtrave” dhe të sjell shumë zhgënjime duke të vrarë shpirtërisht.
Ndaj na ndodh të gjithëve, që dhe na gënjejnë. Dhe këtu nuk e kam fjalën për ato , që këtej i quajnë “white lies” dhe ne i quajmë “gënjeshtra pa zarar”, por për të tilla, që gjatë viteve të gjata të jetës mund të të venë përballë të të papriturave.
Po a duhet hedhur dritë mbi gënjeshtrat?
Përgjigjet mund të jenë të shumëllojshme dhe jo thjesht Po dhe Jo.
Ndoshta e mira është t’i lemë mbuluar.

Sidomos po të udhëhiqemi nga aksioma “Kjo jetë është e gënjeshtërt”.

Thursday 17 August 2017

Historianë delenxhinj

Po i quaj historianë, sepse nxjerrin në shtyp dokumenta historike dhe pretendojnë se janë studiues, por nuk ka se si të jenë të tillë, nga përzgjedhja e dokumentave , që botojnë dhe sidomos nga momentet e caktuara, kur i jepen publikut të gjerë këto dokumenta.
i tillë është njëfarë Kastriot Dervishi, i përfshirë këto ditë në një debat të lidhur me letrën, që Kadare i ka dërguar Enver Hoxhës, në lidhje me refuzimin e të dalit jashtë shtetit dhe hamendjen se kjo kishte të bënte me hetimet rreth motrës së Ismailit, Kadrije Kadare, e cila kishte folur kundër Udhëheqësit. Edhe pse Dervishi në debatin e mësipërm bën interpretime që nuk përputhen as me kohën dhe as me logjikën e thjeshtë, dua të mos merrem me atë debat, por me botimin e sotëm, të një listë-organike të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit të viteve 1944-45, Drejtori kjo , që do shërbeu si bërthamë e mëvonshme e Sigurimit të Shtetit.
Druaj, se kjo listë, e përmendur edhe herë të tjera, botohet për të njollosur sërish Kasëm Trebeshinën dhe si një kundërbalancë, për “goditjet”, që i bëhen këtë gusht Ismailit. (Duhet të përmend, që për përvjetorin e 91-të të Kasëmit dy javë më parë nuk u shkruajt asnjë rrjesht në mediat kryesore online.)
Por edhe sikur të mos ketë asnjë qëllim dashakeq ndaj shkrimtarit të vetëm disident shqiptar, listë-organika botohet me një spjegim tepër negativ, a thua se është lista e themeluesve të Gestapos.
Ka disa gjëra të cilat, ata që e quajnë veten studiues dhe historianë duhet t’ja përmendin lexuesit të painformuar dhe sidomos të rinjve:
  1. Nuk ishte anormale, që një Ushtri të krijonte Drejtorinë e saj të Zbulimit. Edhe nëse DMP ishte krijuar sipas sugjerimit të jugosllavëve, të njëjtën gjë do sugjeronin edhe britanikët, amerikanët apo aletë të tjerë kryesorë anti-nazistë.
  2. Partizanët e përfshirë në këto lista (po fus këtu edhe ata që patën një karrierë të gjatë kriminale më vonë) nuk ishin kontigjente bandash apo krimi. Thuajse të gjithë ishin pa asnjë përvojë agjenturore, bile shumë ishin studentë.
  3. Pjesa më e madhe e listës përfundoi burgjeve jo më larg se vitet ’50, ndaj edhe kjo i duhet sqaruar lexuesve.
Të bie në sy, që gati gjysma e listës janë nga Korça dhe Devolli. Kjo spjegohet me drejtimin e saj nga Koçi Xoxe dhe Nesti Kërënxhi. Gjithashtu, disa prej emrave që mund të dalloj, si Kasëm Trebeshina, Skënder Tupeja dhe Sotir Dakoja*, u larguan nga këto veprimtari për tu marrë me art dhe gazetari, që ishin karriera të kundërta me ato të nisura brenda Ushtrisë dhe nën urdhrat e komandave.
Kthimi i Sigurimit të Shtetit në një armë tërësisht kriminale, duhet lidhur më shumë me ardhjen në krye të MPB të Mehmet Shehut më 1948. Atë kohë nisën të aplikohen metodat e stërholluara të KGB-së sovjetike, e cila kishte një përvojë 40 vjeçare kriminale, që në kohën e Xherxhinskit.
Ushtria Nacional Clirimtare e Shqipërisë, ka bërë krime të shumta ndaj popullsisë civile dhe kundërshtarëve politikë prej fundit të vitit 1943 e deri më 1946-47, por paraqitja e listë-organikës së sipërpërmendur, si lista e krerëve kriminelë për bën jo vetëm keqinterpretim, por falsifikim të historisë.
Ata, të cilët kanë bërë krime, i ka njohur populli në atë kohë dhe figurojnë nëpër dokumenta në kohët, që i kanë kryer.
Por Kastriot Dervishit, sikundër edhe disa “palo studiuesve” të tjerë, nuk ju intereson e vërteta historike, por goditja e të gjallëve të ndershëm, apo e fëmijëve të tyre, për t’ju mbyllur gojën.
( Në një debat jo këndshëm me një mikun tim, kam dëgjuar shprehjen “Trebeshina i ka duart e lyera me gjak!” Kam thënë dhe them, që “gjaku” i derdhur nga pena e Kadaresë të pjekur ndaj të Vërtetës dhe atyre që e shpallin atë, është ku e ku më kriminal se gjaku i derdhur në kohën e luftës nga Kasëmi 18 vjeçar, në kushtet e vetmbrojtjes.)



*Sotir Dako mund të jetë edhe emri dhe mbiemri i njëjtë i dy pjesëmarrësve të Luftës nac-clirimtare.

Monumentet poshtë!

Në këtë verë, kur po dalldisin një pjesë e mirë e njerëzve në këtë anë të Atlantikut nga temperaturat e ulta dhe në anën tjetër për shkak të temperaturave të larta dua edhe unë të bëj diçka “me peshë“.
“Trendy” është rrëzimi i monumenteve. Në jug të Shteteve të Bashkuara, ju janë lëshuar atyre pro-Konfederatës dhe jo vetëm që i heqin me vendime këshillash bashkiake, por i heqin edhe pa vendime, bile rrëzuesit ju turren me shqelma! (Eshtë jo e vështirë, por edhe e parekomandueshme të shkelmosh një copë gur apo bronx, sepse i bën zarar këmbës!)
Unë do e bëja pa bujë (sikundër e hoqi sho Vangjush bustin e Stalinit një natë të vitit 1990 në Korçë) dhe mundësisht pa praninë e celularëve , që filmojnë dhe fotografojnë çdo gjë sot. Në fund të fundit, çdo shkatërrim është një akt barbar.
Do e nisja me monumentin, që i kanë ngritur Edi Ramës në Korçë dhe që quhet Kulla Vrojtuese e të Ardhmes. Punë bajagi e vështirë  për tu bërë brenda një nate pa dinamit, por ndoshta po të lëçit në revistat e ndërtimit mund të ketë edhe mënyra më pak “të dhunshme” me teknologji të viteve të fundit. Në Pentagon nuk ka se si mos kenë shpikje të tilla.
Do hiqja edhe Naimin nga Baç e Sanijes dhe ose do vija katër princeshat Zogolli, ose një shtatore të Iliaz Bej Mirahorit, themeluesit të Korçës. (Naimin e dua më shumë se sa mund të mendoni ju, por vepra është e dobët dhe askush nuk e di se Naim Frashëri është atje. Me fondet e bashkisë do ju shpërndaja gjithë qytetarëve të Korçës një kopje të “Bagëti dhe Bujqësi” dhe një kokë të Naimit nga Paskali).
Do hiqja Themistokliun nga “Bashta e Gegës” dhe do e vendosja në hyrje të Korçës, si dhe do rrëzoja shumëkatshin në Vasil Avrami për të rindërtuar shtëpinë e tij.
Tek Lëndina e Lotëve do shtoja vetëm një skulpturë të Petraq Kolevicës, të ulur, të menduar e të përlotur për Korçën e tij.
Nuk do të nisesha për në Tiranë, se atje duhet të hidhen poshtë shumica e Monumenteve!

(Hë po, mund të shtoja edhe një grup skulpturor pranë Pallatit të Sportit me Nikon dhe Raqkën duke përmjerë pas Festës së Birrës. Për këtë do duhej një referendum lokal, se mund të sjellë prishjen e imazhit të “qytetit ku duam të jetojmë“)

Tuesday 15 August 2017

Ajri i tepërt

Nuk më duhet ajri
Tek ti;
As fluturimi në një balonë
Mbi të bukura vende.
Në rrënjët e një lisi
Dua të rri,
Në prehër të marr
E të përkëdhel
Të mënçurën kokën tënde.
Një të bëhemi me të lisit rrënjë,
Dhe lëngjet e dheut të thithim,
Nga poret madhuar,
Si në të lashtën rrëfenjë,
Ku panja dashurohet me vidhin.
Ajri lart të mbetet
Mbi gjethet e të moçmit lis.
Prej dheu të fisëm jemi,
Përzjerë me të të mbetemi,
Rrënjësh gërshetuar,
Këtu,
Ku gjithshka e shenjtë dhe e madhërishme,
Shuhet për pak,

Dhe përsëri rinis.

Monday 14 August 2017

Korça ende në periudhën “pre këngë“

Të ashtuquajturat “serenada”, apo si janë zyrtarizuar tashmë “serenatat korçare” më kanë bërë të mendohem edhe në periudhën e “thatësirës” të këngës së kultivuar shqiptare. Ishin këngë, të cilat i këndonim me dëshirë, sepse nuk kishin nga frazat e “mëdha” dhe bajate të këngëve të festivaleve, edhe pse këto të fundit ishin nga ana muzikore ku e ku më lart se këngët tona të rrugëve. Ajo, që më bënte të “mendohesha” rreth tyre ishte teprimi i asaj , që quhej “dhemkë“, mungesa e origjinalitetit në shumë prej tyre dhe mungesa e elementëve të muzikës perëndimore, që prej asaj të viteve ’20 e më tej. Për shembull, në shumë “këngë të rrugëve” të krijuara në Tiranë, kishte elementë të muzikës amerikane të viteve ’40, por kjo nuk ndodhte në këngët e Korçës, që mbeteshin kryesisht nën ndikimin e këngëve të fillimit të shekullit të XX-të, të një periudhe, të cilën do e quaja “pre këngë“.
Në fillimin e shekullit të kaluar, në trevat e Ballkanit pati përhapje një muzikë e re, e quajtur qytetare, e cila ndryshonte nga “muzika popullore” e shqiptarëve, grekëve, maqedonasve dhe bullgarëve. Ishin këngë, të cilat krijoheshin nga muzikantë amatorë, apo të dorës së dytë dhe këndoheshin nga komplekse burrash. Një pjesë e mirë e këngëve, ishin të ndikuara nga këngët e operetave të nivelit të dytë, të Francës, Austrisë, Italisë apo edhe të Greqisë. Kishte edhe masa të tëra muzikore të këngëve spanjolle apo të Amerikës Latine.
Komplekset e burrave u bënë të njohur dhe shumë prej tyre (si në rastin e korit “Lira”) patën veprimtari deri në vitet ’70, kur kultura pop, kishte “shkatërruar” çdo lloj melodie të mëparshme, duke përfshirë këtu edhe perlat napolitane të De Curtis.
Kjo lloj muzike e qyteteve, që posa dilnin nga feudalizmi, dhe që u bë pjesë e koncerteve, por edhe e jetës së përditshme, si dhe i gjithë festave familjare, për arsye të pakuptueshme, sot quhet si “muzika e serenatave”. Nuk është se grupet e djemve nuk shkonin muzgjeve apo mbrëmjeve pranë shtëpive të vajzave të bukura, që të këndonin e të dëgjoheshin, por pjesa e “serenatimit” ishte pjesa më e vogël, që zinin këto këngë në jetën qytetare të Korçës. Korifeu i muzikës qytetare të Korçës, Tole Adhami, këndonte ditën në ura e Lumit, jo shumë larg mëhallës së tij. Vetë muzika klasike e serenadave të Spanjës dhe Italisë është pak prezente në këngët korçare.

Por nëse në krijimin e këngëve në fjalë para Luftës së Dytë ndikonte mungesa e kompozitorëve dhe instrumentistëve të shkolluar, pas Luftës së Dytë, arsyeja e mbetjes prapa të këngëve ishte kryesisht politike dhe idologjike. Keqësimi i marëdhënieve me Perëndimin nuk mund të lejonte përhapjen e xhaz-it, bljuzit, muzikës big band apo atyre të mëvonshme si pop dhe rock and roll, të cilat ndikuan në gjithë të ashtuquajturën “muzikë e lehtë“ europiane. Nuk kujtoj të ketë shembuj orkestrash adoleshentësh, që të imitonin ato çka bënin bashkëmoshatarët e tyre në botë, bile kjo edhe në periudhat më liberale. Për shembull në fillimin e viteve ’70, pati përpjekje nga disa “kantautorë“ amatorë, si Mihallaq Andrea, Niko Qirici apo Nonda Kajno, të krijonin këngë dashurie në frymën e këngëve bashkëkohore italiane, por deri aty mundi të arrihej dhe krijimet e tyre të asaj kohe nuk patën popullaritet. Ndikimi i muzikës së huaj në “këngët e rrugëve” mbeti vetëm ndonjë akord minor i këngëve lirike ruse. Bile edhe disa këngë origjinale ruse u përkthyen dhe këndoheshin nga grupet e të rinjve, kuptohet kjo rrugëve dhe jo në skenë.
(vijon)

Sunday 13 August 2017

Në Majestiku

Nuk e kam vrarë mendjen ndonjëherë, se si ishte sheshi i vogël para kinemasë, para se të ndërtohej “Majestiku”. Besoj se duhet të ketë pasur banesa të vogla një dhe dykatëshe. I gjithë kompleksi, duke përfshirë “Bar Republikën” ishte ndërtuar më mirë, se gjithë ndërtimet përreth. Kishte qënë meritë e projektuesve, e ndërtuesve apo një kombinim i mirë i të dy palëve, por e vërteta është, që ndërtimi edhe pse me një hapësirë të madhe brenda, i rezistoi tërmeteve të fuqishme të viteve 1930 dhe 1960. Në krah të tij, Kisha e Shën Sotirit (e vllehëve), u rrëzua në tërmetin e vitit 1930 dhe më vonë u “fshi” përfundimisht nga pjesa qëndrore e qytetit.
“Majestiku” nuk ishte e para kinema në Korçë. Para saj, si sallë shfajesh filmi kishte funksionuar salla në “kazinoja” në të hyrë të pazarit dhe më vonë ishte ndërtuar kinema “Lluksi”. Por “Majestiku” ishte kinemaja më e madhe dhe më luksoze në Shqipëri dhe një nga më të mirat e Ballkanit, kur u ndërtua. (Vlerësimin e fundit e kam marrë nga “Gazeta e Korçës” e vitit të përurimit, pasi do më duhej të gërmoja shumë në historinë e ndërtimit të kinemave në Greqi, Rumani, Jugosllavi dhe Turqi, për të pasur një ide më të saktë se në ç’vend nderi qëndron kinemaja e Korçës.)
“Majestiku” ishte “vendi i takimit” të rinisë korçare me Europën dhe Amerikën. Kishte më shumë vende se “Lluksi” dhe njëkohësisht ofronte mundësi edhe për shfaqje të thjeshta teatri, me skenën dhe aksesorët e saj. Për më tepër ishin llozhat, ku grupe të rinjsh mund të shijonin në grup shfaqjen e filmit, ose edhe “të lëshonin” batutat, si bëhej në çdo sallë në botën e zhvilluar. Sigurisht, që nuk kishte të njëjtën atmosferë, si ajo e filmit “Kinema Paradis”, pasi Korça ishte ku e ku më e përparuar se qyteza italiane, në të cilën zhvillohen ngjarjet e atij filmi.
Kinemaja ishte më pak se 100 metra larg nga Liceu Francez dhe studentët e tij(çuditërisht ata të Liceut nuk janë thirrur kurrë në Korçë nxënës), shkonin për të parë filma edhe në orarin e mësimeve. “Majestiku” ishte qëndra e jetës kulturore rinore. Endrrat me Greta Garbon, Carli Caplin, Al Xholson (një qytetar i njohur i Korçës mbajti nofkën “Allxhollson” gjithë jetën e tij) thurreshin pikërisht në këtë qendër kulturore.
Qyteti ishte në lulëzim të plotë pas Luftës së Parë Botërore dhe kishte marrë një “sharm” francez edhe si pasojë e ndenies së francezëve për gati 5 vjet, që prej vitit 1915 e deri në vitin 1919. Kjo kishte bërë, që edhe shumë të huaj të vinin e të punonin në Korçë. Qyteti sa vinte e popullohej me të ardhur nga fshatrat e qarkut, Përmetit, por edhe Gjirokastrës. Të ardhurit rishmë ishin të etur të mësonin ato, që ofronin qytetet europiane të kohës, duke filluar me veglat muzikore dhe duke përfunduar në “dansi”. Mësues të dansit dhe muzikës patën ardhur nga Greqia dhe Italia. Mes tyre, një i lidhur ngushtë me kinematë dhe sidomos me “Majestikun” ishte Grigoris Metaksa. Muzikanti grek, ishte për vite të tëra “shpirti” i filmave pa zë, të cilat në gjithë botën shoqëroheshin me muzikë “live” në piano gjatë shfaqjes. Një pjesë e mirë e pjesëve luheshin me partiturë, por nuk mungonte edhe improvizimi i pianistit. Deri vonë, ka erdhur jehona e korit të të rinjve korçarë, që nën tingujt e njohur të pianos të filmave, që i shihnin disa herë rradhazi, këndonin “Ku e ke lojtur Metaksa/ Në bulevard, në sinema”. Muzikanti grek, njohës i disa instrumentave, jepte edhe mësime private, por lidhja e tij me kinemanë mbeti legjendare edhe dhjetvjeçarë të tërë pas largimit nga jeta. E tillë ishte pesha e “Majestikut”.
Kinemaja është e lidhur me shumë emra të njohur të qytetit, duke nisur me pronarët e saj dhe familjet e tyre dhe duke përfunduar me “operatorët” e pasluftës apo ngjarjet brenda saj edhe në kohët më të reja. Por do veçoja edhe një emër tjetër, që ka mbetur disi në heshtje gjatë dy dhjetvjeçarëve të fundit. Ai i piktorit të madh korçar Guri Madhi, ose si njihej në rininë e tij, Guri Vëthka.
Guri ka qënë talenti më i madh në pikturë, që ka nxjerrë Korça, por për shkak të shtrirjes së veprimtarisë së tij artistike vetëm gjatë kohës së Diktaturës, nuk mundi të arrinte shkëlqimin e Vangjush Mios.
Guri, që kur ishte adoleshent, punonte reklamat e filmave, që shfaqeshin në “Majestiku”, bazuar mbi “kopertinat” e krijuara në Hollivud apo Francë. Fasada e “Majestikut” mbajti për vite të tëra, “vulën” e furçave të përdorura me mjeshtëri nga Guri, deri në kohën kur piktori shkoi me studime në Bashkimin Sovjetik.
Ishin breza të tëra korçarësh, që u lindën me “Majestikun” dhe u bënë artista nën ndikimin e tij. Ndohta një ditë do i rikthehet lavdia dhe ndikimi.

Edhe shkëlqimi i emrit të madh, që mban.

Saturday 12 August 2017

Një vjershë edhe për Raqkën

Para dy ditësh, nga “Lolita”, më nisën një vjershë për Niko Peleshin, e shkruar me një ndjenjë të sinqertë nga një poet devolli, të cilin duhet ta kem përmendur shkarrazi, në një shkrim në blog, të titulluar “Po Devoll, i tillë qënkam unë“.
Dukuria e shkrimeve, këngëve apo poezive kushtuar politikanëve është e vjetër sa qytetërimi. Rasti i vjershës “Ti dhe Korça” nuk përbën ndonjë “lajthitje” as për autorin dhe as për atë, të cilit i blatohet vjersha. Shkruhet në të njëjtën mënyrë për Saliun, Ramën, Metën, bile këngë shkruheshin në kohën e piramidave edhe për “gjeneral” Rrapush Xhaferi. Populli i ka kënduar dhe ju këndon udhëheqësve dhe në më të shumtën e rasteve, fjalët e ndjera dalin nga emocione të thella, ose pasi autorët bëhen “thumb” me raki.
Duhet thënë, që idetë e Nikos, të shprehura dhe nga poeti  si për shembull“ Korçën e do në formë kitare”, nuk janë realizuar pa përkushtimin, sakrificat, gërmimin në ligje dhe urdhëresa të Raqi Filos, që ka qënë jo vetëm krahu i djathtë, por edhe “truri” realizues i atyre çka bërë Nikoja për Korçën. Ndaj në të njëjtën frymë me poetin, do mundohem të hedh edhe unë disa vargje për Kryetarin e sotëm të Bashkisë.

Ti, Nikoja dhe Korça

Ti ajrin kap
Dhe në telajo Nikos ja ve.
Ai më pas turravrap,
Me shpejtësi rakete,
Jo si mbi një deve,
Mjeshtër profesionist
E ngre në art,
Penelatat e fundit për ty i le.

Korçën e doni në formë “qithare”
Që të rrahë për të gjithë me vërtik,
Cdo gjë me shpirt,
Sakrificë,
Pa pare,
Për qytetin e bukur të kthyer në çiflig.

Ai buzëqesh,
Ti vrenjtur mendohesh,
Për popullin,
Kalldrëmet,
Trotuarët me qoshe.
Cdo gjë e ndritur,
Si në Parisin e moçem,
Premtime të mbajtura
Dhe jo fjalë boshe.

Muzgjet po marrin nga fytyra jote,
Se ditët dhe netët
Nikua i ka zënë.
Rreth fytit një shallaqkë
Qytetit i ke hedhur,
Ngrohtë të rrijë dhe netëve pa hënë.

Në shekuj korçarët
Me mall do të kujtojnë,
Se fjalët e dhëna ti dite t’i mbash,
“Do marrin qitharën”
Këngë do ju këndojnë
Do tallen me kë të quajti
Ligavec Gollash.

Friday 11 August 2017

“Surprizat” e qeverisë Rama 3

Mungesa e lajmeve të rëndësishme politike për shkak të “vapës së gushtit” ka detyruar disa anlistë të hamendësojnë përbërjen e qeverisë së re të Kryeministrit Rama. Mes parashikimeve të pabuka, nuk ka munguar edhe një “kërcënim” në “Koha Jonë“ nëse Fatmir Xhafaj nuk do jetë në postin e premtuar të Ministrit të Brendshëm.
Pakkush merret me thelbin e mënyrës së qeverisjes së Ramës, i cili përbën problemin e vërtetë për shqiptarët.
Rama qeveris me ata, që në perëndim quhen “yesmen”, ose e përkthyer trashë në shqip, me “peqelepista”. Eshtë stili, që i përshtatet karakterit të tij; është mënyra me të cilën ka administruar Bashkinë e Tiranës; është “metoda e sukseshme” e katër viteve të kaluara, e cila u shpërblye edhe me një mandat të dytë.
Për të qënë të drejtë me kryeministrin, këtë metodë e kanë aplikuar më parë edhe Berisha e deri diku edhe Meta, por Rama e ka shpënë në një nivel , që paraqet rrezik për qeverisjen, si dhe për demokracinë shumë të brishtë shqiptare.
Stili i qeverisjes vetëm sipas urdhërit të Njëshit, vetëm me miratim të Njëshit, vetëm kur Njëshi nuk është në gjumë, po shtrihet tani në gjithë administratën shqiptare. Kështu veprojnë kryetarët e bashkive, drejtuesit e institucioneve shtetërore dhe deri në policët. I gjithë sistemi qeverisës lokal apo qëndror, po rrëshqet në qeverisjen jo sipas ligjit, por sipas mendjes dhe qejfit të atij “që e ka në dorë“. Sigurisht kjo e ka rrënjën edhe në korrupsioni, por njëkohësisht edhe e shton më tepër korrupsionin. “Ai që ka në dorë“ duhet të jetë kthjelltësisht i ndërgjegjshëm, që t’i shpëtojë tundimit të lekëve, që i ofrohen për të bërë “atë që ka në dorë“.
E ashtuquajtura “reformë në administratë“, e cila po propagandohet gjatë kësaj vere të nxehtë, në platformën e saj si rrjesht të parë duhet të ketë “Drejtuesit të mos punojnë sipas stilit Rama”. Eshtë e kuptueshme, që kjo nuk ka se si të ndodhë ndaj edhe nuk ka për të pasur asnjëherë një reformë të tillë, por rrëshqitje edhe më shumë drejt autoritizmit të plotë.
Por a mund të ndryshojë kryeministri Rama?
A mundet, që në formimin e qeverisë së re, ai të ketë edhe personalitete, që ja kthejnë fjalën duke argumentuar me profesionalizëm, që e mira e vendit dhe ekonomisë shqiptare kërkojnë “këtë apo atë“, që bie ndesh me idetë e tij?
Ka pak ose aspak të ngjarë.
Pas fitores në zgjedhje, Rama ndjehet më i pagabueshëm se kurrë. Mbledhja e ankesave të popullit në fejsbuk apo në takime “gju më gju” është një tjetër shenjë e qeverisjes jo sipas ligjit.
Ndaj jo vetëm që nuk do ketë asnjë befasim nga emrat e qeverisë së re, por në të do jenë “të zakonshmit e bindur”, që në kohën e Bashkisë dhe disa “katapultime” vajzash të reja, që adhurojnë Timonierin. Nuk ka për të munguar Ahmetaj, të cilin e gjithë Gjirokastra e njeh për cilësinë e mrekullueshme të “besnikut” të familjes.
Ndoshta në një çast nostalgjie, Rama mund të kujtohet edhe për një post ministror për Ben Blushin, por më tepër se Ministër pa portofol dhe që nuk lejohet të marrë pjesë në mbledhjet e qeverisë nuk ka për t’i dhënë.

Le të presim shtatorin e befasive, atëhere kur “i juaji Edi” të paraqesë programin e qeverisë së re.

Wednesday 9 August 2017

Opari - I Pari (fund)

(vijim)
Toleranca fetare e oparakëve duhet të jetë më e hershme se koha e emigrimit të tyre në kryeqytetin e Perandorisë Otomane. Një pjesë e mirë e fshatrave të Oparit kanë qënë me popullsi të përzjerë dhe nuk dihet me saktësi nëse kjo ka ardhur si rezultat i kthimit të një pjesë të banorëve të fshatrave në fenë e re të pushtuesve apo në sajë të lëvizjeve të popullsisë nga një zonë në tjetrën.
Ka një fakt të pakundërshtueshëm, që është bashkëjetesa në harmoni të plotë ndërmjet oparakëve. Dhe kjo më herët se dashuria e famshme e Vasilikas nga Osoja me kaçakun Shahin Matraku nga Popçishti. (Kënga popullore thotë, që kurorën ja u vuri prifti i Marjanit).
Për të hapur një parantezë, në çështjen e kthimit të popullsisë të Oparit në fenë islamike, unë nuk i besoj tezës se kjo ka ndodhur forcërisht. Vetë fakti “i të shkuarit mirë“ përjashton përdorimin e forcës apo masave shtrënguese. Shpesh përmenden krijimi i fshatrave të krishterë në zona malore, si pasojë e largimit nga qytetet apo zonat fushore, për t’i shpëtuar ndryshimit të fesë, që imponohej nga pushtuesit otomanë. Kjo mund të jetë një nga arsyet, por jo më kryesorja e formimit të vendbanimeve të vogla në zonat malore. Në të gjithë Ballkanin, por veçanërisht në zonat, që njohim më mirë të Ballkanit të Jugut, fshatrat nëpër male, lugina të mbrojtura, gryka, u krijuan në periudhën para pushtimit turk. Për shkak të pasigurisë, mungesës së shteteve të centralizuara, për shkak të hakmarrjeve etj. fise të tëra çvendoseshin dhe krijonin vendbanime të vogla, ku ndjeheshin më të sigurt. Si pasojë e thyerrjes së madhe të terrenit dhe të mungesës së lumenjve të mëdhenj, vendbanimet në Shqipëri ishin kryesisht në zona kodrinore dhe malore. Nuk duket e logjikshme, që një pjesë e një fshati të Oparit të kthehet në fenë e re thjesht për shkak të shtrëngimeve apo përfitimeve në familje. Marëdheniet e fshatarëve të zonave malore apo edhe atyre fushore me “pushtuesin” nuk kanë qënë aq të ashpra, sa përshkruhen për qëllime idologjike në shkrimet e Rilindjes Kombëtare, apo më vonë në ato filoruse të periudhës së Diktaturës. Në territoret ku jetonin shqipfolësit, prej periudhës së Stefan Dushanit, patën munguar shtete apo principata të konsoliduara, të cilat sjellin sigurinë në banorët e të gjitha llojeve të vendbanimeve. Ndaj për oparakët e Dusharit, Mazrekës, Lavdarit apo Gjonbabasit, “pushtimi turk” duhet të ketë qënë një lloj zëvendësimi i një pushteti, që vjel taksa dhe të mbron, me një pushtet tjetër, që të merr taksa dhe të mbron. Për më tepër, një shtet i mirëorganizuar si Perandoria Otomane, sillte një jetë më të sigurt dhe me mundësi edhe më të mëdha. Duhet edhe të shtoj, se  nuk ka botime serioze, që të krahasojnë nëse ishin më “mizorë“ të themi Muzakat apo turqit. Këto të gjitha i shtohen asaj, që vlen për gjithe Europën, që deri në fund të shekullit të XVIII nuk ekzistonte koncepti i kombit.
Ndaj kthimi në fenë e re mund të ketë ardhur kryesisht në mënyrë të natyrshme, nga kureshtja, nga lëvizjet në territoret e Perandorisë, nga të qënit nizam etj etj. Priviligjet e të dhënit të titujve apo posteve në administratë përjashtohen për banorët e zonave malore, që nuk kishte se si të merrnin tituj të rëndësishëm apo poste në vendbanime aq të vogla.
Kjo ka sjellë, që harmonia (apo edhe sherret) midis banorëve, fiseve të të njëjtit fshat të mos ndikohej nga ndryshimi i përkatësisë fetare. Jeta dhe marëdhëniet vazhdonin të ishin të njëjta dhe përjshtoheshin vetëm krushqitë, pasi ligjërisht(sipas kanoneve të fesë) njerzit nuk mund të martoheshin po të mos i përkisnin të njëjtës fe. Një i afërmi i im nga fisi i Topuzëve, më tregonte në fillimin e viteve ’80, që “sherret me muhamedanët na i futi Junani (greku)” dhe kjo përkon me kohën e luftrave ballkanike. I sipërpërmenduri, kishte jetuar deri në moshën 18 vjeçare në Shqipëri dhe më vonë kishte emigruar në Stamboll dhe nuk i përkiste asnjë lëvizjeje politike apo ideologjike. Nuk kishte gjithashtu as edhe një koncept për tezën “ e harmonisë mes feve në Shqipëri”. Të tjerë të afërm më kanë treguar, që Marat kishin një miqësi shumë të fortë me fisin muhamedan Pinderi, dhe ishte një miqësi, që ju lihej porosi brezave.
Marëdhëniet e “fqinjësisë të mirë“ janë ndër gjërat më të vlerësuara në shoqërinë e sotme moderne. Pas “gjakësive” të mëdha mes racave, popujve, grupimeve fetare, pjesa më e shëndoshë e Njerëzimit përpiqet të “imponojë“ domosdoshmërinë, por edhe mundësinë e të jetuarit në paqe bashkë. Kjo është një temë tjetër e stërgjatë, e cila nuk ka pse të shtjellohet në shënimin për Oparin. Veç doja ta mbyllja me nënvizimin, se në çështjen e “të njerëzishmes”, Opari vërtet ka qënë “I Pari”.

Dhe këtë e thotë një oparak, që nuk ka vënë këmbë në fshatin e lindjes të gjyshit të tij, emrin e të cilit mban.

Monday 7 August 2017

Rreth “dredhjes” së kujtesës


Në lëmin e të Drejtës Penale pranohet një fakt, që dëshmitarët e ndryshëm të një krimi, nuk arrijnë t’i kujtojnë gjërat saktësisht njëlloj dhe janë të bindur, që ka ndodhur pikërisht ashtu sikundër e kujtojnë ata. Kjo ka të bëjë edhe me shqisat, edhe me gjendjen emocionale të dëshmitarit, por mbi të gjitha me rregjistrimin e ngjarjes në tru dhe riprodhimin e saj.
Këtë fakt e njohin jo vetëm hetuesit, avokatët, gjyqtarët, psikologët por edhe njerëzit e letrave apo edhe poltikanët. Këta të fundit dinë gjithashtu , që kujtesa e përbashkët e një grupi njerëzish, mund të “manipulohet” më lehtë, sepse është edhe më amorfe, por edhe më afatshkurtër.
E bëra këtë hyrje, për të mundësuar spjegimin(apo më mirë t’i bëj mbrojtjen), një shkrimit tim rreth çështjes së “Kako Kadaresë“.
Kam dyshuar, që Is manipulon “trashë“ ngjarjet e kohës së Diktaturës, që lidhen me të, herë herë duke krijuar “legjenda” të raportit të Diktatorit me Gjeniun, duke ju referuar Greqisë së Lashtë dhe Romës dhe herë herë duke paraqitur një lloj Diktature “të përçudnuar”, e cila mund të shitet pa frikë në Perëndim, apo tek lexuesit e rinj. Raporti i tij me të vërtetën është shumë “elastik” (për të qënë dashamirës ndaj Is). Bile manipulime jo të holla, ai ju shet edhe atyre, që kanë jetuar në atë kohë, duke “abuzuar” me largësinë në kohë të ngjarjeve, apo me dashamirësinë e dëdgjuesit. Psh. Dikujt, që ka jetuar në Tiranë në vitin 1982, I thoshte, “që prej 1982 e më tej, ishte disi i lodhur prej persekutimit dhe nuk ishte si I mpirë, ndaj theshte le të bëhet ç’të jetë për të bërë!” Dëgjuesi e besonte dhe harronte, që pas 1982, Diktatura goditi ashpër Ministrinë e Brendshme dhe zbuti në maksimum përndjekjet për agjitacion dhe propagandë apo goditjen e artistëve.
Në intervistën e fundit, rreth një letre, që Is i kishte dërguar Enver Hoxhës për shkak të së folurës së saj kundër Diktatorit ka shumë “dredhje” të tilla, si përpjekje për të justifikuar në mënyrë “përfituese morale” për disa gjëra, të cilat nxjerrin më shumë karakterin e tij të njohur egoist, se sac illësi të tjera negative, që i veshin komentuesit anti- Kadare.
Sipas tij, në letrën drejtuar Enverit, ai theksoi, që Kadrije Kadare ishte e sëmurë psiqike ndaj shante këdo. Dhe këtë e vesh me një “dhimshuri” të vëllajt, si mënyra e vetme për të shpëtuarmotrën nga burgosja! Gjithashtu ai pranon edhe , që kishte frikë, ndaj dhe e bëri letrën pas këshillimit edhe me një mikun e tij në Ministrinë e Brendshme.
Po hap një parantezë, rreth cilësimit të Ismailit si “shkrimtar i oborrit”, cilësim të cilit nuk I kam besuar më parë. Duke lexuar më shumë rreth marëdhënieve të tij me njerzit e Bllokut, them , që ai ka qënë në një farë mënyre “pjesë e oborrit” me dëshirën e tij dhe të tjerëve pjestarë të rangjeve të ulta dhe të larta. Eshtë e njohur miqësia e tij me Gim Myftiun, të cilit I jepte shpesh dorëshkrimet, që lexoheshin nga Manush Myftiu dhe të tjerë funksionarë, nga ku maste pulsing nëse mund të botoheshin apo hapeshin probleme. Pas vitit 1973 dhe “goditjes së Nefo Myftiut”, u rrit lidhja e Ismailit me klanin Shehu nëpërmjet Bashkimit, gjë që I sillte një mbrojtje ndonëse jo të plotë. Zaten mbrojtjen e plotë në atë kohë nuk e kishte as vetë kryeministri dhe as ministri i brendshëm. E megjithatë, “oborri i Bllokut” me intrigat, tarafet, kulisat, kurvëritë funksiononte, si kanë funksionuar edhe oborret e monarkive absolutiste. Ismaili, për shkak të talentit dhe me dëshirën e tij për të përfituar nga gjithshka, nuk ishte gjithësisht jashtë këtij Blloku. Në shkrimet e tij ai thekson se nuk ja u zgjaste fëmijëve të Enverit, por duke ditur, që “3 qypat” e Hoxhës ishin totalisht të varur nga porosityë e të jatit dhe Nexhmijes, dyshoj se ishte Is, që nuk e donte atë miqësi.
Në vitin 1980, Ismaili vërtet nuk isht në positën e tij më të mirë shoqërore. Pas  “Pashallarëve të Kuq” (poezi-bejte kjo, që donte të ngrinte në apogje Enverin, por që e shkruar nxitimthi, përfundoi në një boomerang për Kadarenë), frika e tij nga ndonjë shpërthim i Hoxhës ishte e kuptueshme. Këtë gjë ai e dinte edhe nëpërmjet Bashkim Shehut dhe të tjerëve miq të Nomenklaturës, që e vizitonin dhe e këshillonin. Mbrojtja më e mirë e tij ishte njohja në Francë dhe në Europë. Por duke ditur se ç’zemërim kishte treguar Enveri ndaj gjirokastritëve të tjerë, të pasur, që e kishin përbuzur, edhe mund të justifikohet shkrimi i letrës për të qënë tërësisht i sigurt. E megjithatë, kur shikon të gjithë ngjarjen e grave të përfshira në atë gjyq, ku edhe e dënuara merr një dënim far të lehtë, letra dh endërprerja e marëdhënieve me Kakon ngjan mëse e tepruar.
Ajo, e cila më ka indinjuar gjithnjë në rastin e Ismailit, Dritëroit, Fatos Arapit dhe të tjerë shkrimtarësh apo artistësh të njohur të asaj kohe, është, që nuk flasin kurrë të vërtetat e mëdha, që ata dinë. Në të gjitha rastet gjen boshllëqe, “dredhje”, gënjeshtra, heshtje, gjysëm të vërteta, manipulime.
Një popull, intelektualët e të cilit kanë të tilla raporte me të vërtetën, është I destinuar të gënjejë të tjerët dhe më shumë se kudo vehten.
Përballja me historinë e errët të asaj kohe, nuk është vetëm hapja e dosjeve, për të cilën thërret shpesh Ismaili. Eshtë hapja e zemrës, e kujtimeve edhe pa pasur nevojë të kërkohet ndjesë.
Në të kundërt, jo më shumë se pas disa dhjetvjeçarëve, periudha e Hoxhës do glorifikohet dhe shenjat kanë nisur, që tani.

Ndaj duhet përdorur “dyshimi” në ato që shkruan Is. Sidomos në ai, që ka qënë një mjeshtër i realizmit mashtrues.