Sunday 30 April 2023

T’ja mbathim se po vjen inteligjenca artificiale!


“Ke frikë se të rrezikohet karriera nga inteligjenca artificiale?”
– më pyeti para një jave një i njohur, i cili nuk ishte nga këta që flasin kot, sepse ka një PhD në matematikë, përpos që i jati kishte qënë fitues i çmimit Nobël në fizikë. Matematikani është 45 vjeç dhe padyshim që njeh mirë zhvillimet më të fundit në fushën e kompjuterave dhe të Inteligjencës Artificiale.

Ju përgjigja si çdo i paditur në moshën time, që jam drejt fundit të karrierës dhe nuk më bëhet vonë për inteligjencën artificiale. (I trembem më shumë një reumatizme të mundshme.)

Më vonë mendova të lëçit se deri ku është kjo puna e “artificiales” dhe nëse “intelektualët artificialë“ do jenë në gjendje të zëvendësojnë “intelektualët bio”, që janë aq të shumtë në botë dhe më të shumtë në Ballkan.

Mësova që unë e kam “inteligjentin artificial”, i cili quhet Siri në telefonin tim, por e përdor vetëm kur takohem me nipin, që ka qejf të flasë me telefonin dhe t’i bëjë Siri-t pyetje, të cilave ai nuk ju përgjigjet dot. Mësova edhe se Siri dhe të ngjashmit me të hyjnë në ANI, ose po ta shqipëroj, në “inteligjentët artificialë mendjengushtë“, që mund të zgjidhin vetëm problem të caktuara. Si të thuash Siri është një “axhami” në këtë fushën e artificialëve. Por “axhaminjtë“ mund të rriten dhe të arrihet në makina që janë në gjendje të mendojnë sa njerëzit mesatarë dhe të tilla, që mund të mendojnë më shumë edhe se gjenijtë (ASI).

Kjo më trembi dhe thashë me vete “ndalu beg se ka hendek”!

Mbi bazën e ndërtimit të tyre hyn “mendimi racional” dhe kushedi ç’përbindësha racionalë do krijohen, që nuk do kenë pikën e altruizmit, dhembshurisë dhe mëshirës. Se të gjitha ndjenjat e mësipërme janë e kundërta e të qënit racional. Racionalët mbijetojnë, grumbullojnë dhe fitojnë. Kjo është motoja e tyre.

Unë nuk dua të jetoj në një botë, kur “një mangë mafioz” është në gjendje të blejë makinën mëë të përparuar të inteligjencës artificiale dhe të marrë prej saj këshilla se si të sundojë një vend, një grup vendesh madje edhe tërë globin.

Mund të më thoni se trembem kot, se për këtë do ketë legjislacione të studiuara mirë, të cilat nuk do lejojnë abuzime me Inteligjencën Artificiale , por do përdoret vetëm në dobi të popujve.

Këto pordhë me rigon ka më se 60 vjet që i dëgjoj!

 

Saturday 29 April 2023

Linja editoriale

 

Gazetat dhe portalet në Atdhe paskan linja editoriale! Këtë e konfirmonte Hasanbelliu kur shpjegonte se përse e sulmonte Rama me tatimet dhe sekuestrimin e hotelit- Kërkonte që Irfani të ndryshonte “linjën editoriale”.

Po a mund të ndryshohet linja editoriale? Si përgjigje mund të përdorim një thënie të vjetër, sa është edhe shtypi shqiptar : “Burri lot, linja editoriale nuk lot!”

Ndonëse i vonuar edhe unë duhet të përcaktoj një linjë editoriale për blogun. Jo më kot redaktori dhe avokati im më kanë kritikuar duke thënë se -“shkrimet e tua luhaten nga oportunizmi në sektarizëm dhe vice versa”. Duhet jo vetëm ta përpiloj, por edhe ta bëj publike. Në mënyrë që të shmang luhatjet e mija të pajustifikuara dhe njëkohësisht t’ju jap mundësi lexuesve të më kritikojnë hapur për çdo shkarje nga vija editoriale.

Me këtë rast mund të përcaktoj edhe kritere më të mira për moshën e lexuesve, sepse disa herë lezuesit namuzqarë më kanë bërë vërejtje për gjuhën e përdorur dhe fotot , që ilustrojnë shkrimet e mija dhe veçanërisht shkrimet “Mes gjinjve të Stormy Daniels dhe Ida Bejlerit”, “Për Atdheun?!”, “Hermafroditja Niqi”, “Një putanë e kohës sonë“ dhe “Zuzarë dhe zuzarka”. Një blogu serioz dhe një autori serioz nuk i lejohet një gjuhë e tillë vulgare, në kundërshtim me normat e moralit fetar dhe atij komunist, e përdorur kryesisht për të tërhequr lexues të papjekur dhe për të denigruar personazhet politike dhe të suksesshëm të jetës shqiptare. Njëkohësisht sipas linjës së re editoriale, që është në përpunim e sipër, do ndalohet botimi i bejteve satirike, të cilat përdoren kryesisht për të shantazhuar njerëz të ndryshëm.

Një pikë ku janë shfaqur dobësi të theksuara ka qënë ajo e patriotizmit, e cila shpesh herë të bën të mendosh se autori është nën ndikimin e ideologjisë globaliste të trumbetuar nga çifti Klinton, Sorrosi dhe Bill Gates. Duke u maskuar me një dashuri atdhetare ala Konica, që ve në pah të metat e shqiptarëve për t’i nxitur të përmirësohen, autori ju ka bërë jehonë sulmeve gazetareske të shovinistëve fqinjë.

Kështu që ju premtoj lexuesve të rregullt një linjë të qëndrueshme, të pastër moralisht dhe objektive politikisht, që do ngjallë optimizëm dhe dashuri për atdheun dhe jetën si dhe do kontribuojë në mobilizimin e  masave për të ecur përpara në rrugën e ndritur të demokracisë dhe ekonomisë së tregut, e kundërt me atë të portaleve që mendojnë se si të korruptojnë mendërisht dhe shpirtërisht rininë tonë të dashur dhe thuajse revolucionare.

Friday 28 April 2023

I gjithë faji i “pandemisë“


“Pandeminë“ mund ta bëjmë me faj jo vetëm për rënien e turizmit, rritjen e çmimeve të ushqimeve, çrregullimet në bursat , por edhe për çdo gjë tjetër. Ka pasur të drejtë Fredi i Bajramit, kur thoshte vazhdimisht se do pakësohet ndjeshëm numuri i pensionistëve, fertiliteti i njerëzve dhe shumë e shumë të tjera si këto. E konfirmonte sot , po një korçare, avokatja Entela Dvorani, kur në një intervistë rreth një incidenti në zyrën e saj, deklaroi se pas pandemisë janë shtuar shumë rastet e sëmundjeve mendore dhe të vandalitetit tek njerëzit. Dhe kur e thotë një avokate me përvojë, diçka të vërtetë duhet të ketë.

Ngjarja tashmë e njohur nga të gjithë, ishte shkurtimisht e tillë: Një i moshuar që sorrollatej nëpër gjykata plot 7 vjet, klient i avokates Dvorani, kishte mbajtur peng me një pistoletë në zyrën e saj pikërisht mbrojtësen e çështjes së tij. Sipas Dvoranit ai kërkonte që avokatja të firmoste një dokument për në gjyq, të përpiluar prej tij, gjë që Dvorani nuk mund ta bënte se nuk përputhej me kriteret ligjore.

Në sjelljen e beftë të klientit të gjorë nuk ndikonte as ngadalësia e proceseve gjyqësore që shkojnë deri sa njerëzve ju afrohet vdekja ose ju mbarohen paratë, as ndonjë vonesë në proçedim i avokates në fjalë (një hamendësim i imi)…po pandemia. Fajtorja universale. Pa dashur të justifikoj hallexhiun që sorrollatet gjykatave për një pronë të tij, unë pata rezerva për të fajësuar pandeminë. Deri sa dëgjova edhe fundin e intervistës, ku avokatja kërkonte që “ajo dhe të gjithë ata që punojnë me njerëz të mbrohen nga policia!”

Me mendje thashë: “Vërtet është pasojë e pandemisë“.

Të gjithë ata që punojnë me njerëzit duhen mbrojtur me polic mundësisht për 8 orët e punës dhe këtu hyjnë avokatët, doktorët, mësuesit, hidraulikët, shitësit, kamarierët, banakierët, suvaxhinjtë, fallxhorët, shoferët e taksive dhe autobuzave, mekanikët e riparimit të makinave, infermieret, këngëtarët, gazetarët dhe sa e sa punonjës të tjerë. Mund të përjashtohen nga mbrojtja bujqit, veterinerët, varrmihësit dhe poetët “full-time”. Se nuk di ndonjë profesion tjetër, që nuk ka të bëjë me “të mallkuarit” njerëz dhe sidomos pas pandemisë.

Mund të realizohet nëse organizojmë çetat vullnetare të policëve dhe kthehemi nga një popull- ushtar i viteve ’80 në një popull-polic.

Të bëfsha pandeminë atje ku nuk thuhet!

“Përbindëshi” i totalitarizmit (fund)


(vijim)

Por edhe pse me terror, totalitarizmi nuk ishte i plotë deri në fundin e viteve ’50. Shteti-parti nuk kontrollonte çdo sektor të jetës së vendit, sepse ekonomia private nuk ishte likuiduar përfundimisht. Kishte ende shumë e shumë familje që nuk vareshin nga rroga e shtetit se kishin dyqane të artizanatit ose të tregëtisë të vogël me të ardhurat e të cilave përballonin jetën. Po kështu në fshat me parcelat që kishin në pronësinë e tyre, shumë fshatarë kishin mundësi të jetonin pa pasur nevojën për të futur shumë ditë pune në koooperativë.

Gjithshka ndodh pas një “largimi” të një fuqie tjetër të madhe, që ishte Bashkimi Sovjetik. Udhëheqësit e tij menduan se heqja e ambasadave do sillte fundin e udhëheqjes staliniste në Shqipëri, për shkak se e dinin gjendjen e dobët të ekonomisë shqiptare dhe varësinë e saj të plotë nga ndihmat që jepte Blloku Lindor. Përsëri ishte populli shqiptar që e pësoi sepse në vitete ’60 instalohet totalitarizmi i plotë. Eliminohet plotësisht inisiativa private në ekonomi, hiqen avokatët në sistemin e drejtësisë, krijohen kooperativat edhe në zonat më të thella malore dhe më në fund nxirren të jashtëligjshme institucionet fetare. Individi tashmë ishte plotësisht skllav i shtetit totalitar.

Mes faktorëve nuk duhet lënë pa u prekur edhe mungesa e solidaritetit dhe konformizmi i pjesës më të madhe të popullit shqiptar dhe sidomos të inteligjencës. Kishte shumë e shumë njerëz, të cilët e dinin se izolimi nga bota dhe lidhja me një vend të largët e të izoluar si Kina ishte çmenduri , por zgjodhën të heshtnin ose edhe t’i thurrnin lavde Partisë dhe shokut Enver.  Shumë e shumë nga këta njerëz kishin jetuar para Luftës dhe shumë të tjerë kishin studiuar pas Lufte në vendet e Lindjes dhe dinin ndryshimin mes jetës në ato vende dhe Shqipërisë, por zgjodhën të bënin në heshtje karrierat e tyre brenda sistemit dhe jo të viheshin kundër tij. Kapaku u vu nga Kadareja me “Dimrin e vetmisë së madhe”, që aktin më të rëndë në kurriz të popullit shqiptar, mbrojtjen e stalinizmit, e himnizoi si mbrojtje të pavarësisë së vendit nga “heroi shoku Enver”.

Dy dhjetvjeçarët e tjerë (vitet ’70 dhe ’80) ishin padyshim rrjedhojë e totalitarizmit absurd. Fillimi i reduktimit të ndihmave nga Kina shtoi terrorin dhe varfërinë. Cilido ishte në mëshirën e Partisë, organeve të Sigurimit dhe veprimtarëve të lagjeve dhe fshatrave. Cdo gjë pritej prej tyre deri në tallonat e ushqimeve për të mbajtur frymën gjallë. Izolimi ishte total dhe askujt në botë nuk i binte më ndërmend për Shqipërinë, por prisnin që një ditë të asfiksohej plotësisht nga çmenduria dhe malinjiteti i Hoxhës dhe i bandës së tij. Duke manovruar mes faktorëve politikë ndërkombëtarë, me terror të madh brenda vendit dhe me një heshtje të plotë të njerëzve të mençur, Enver Hoxha krijoi në mes të Europës një shtet të egër dhe absurd, që shkatërroi çdo vlerë të së kaluarës dhe krijoi “njerëz të rinj jo normalë“.

Pasojat e përbindëshit të totalitarizmit janë ende shumë të dukshme në të gjithë gjendjen e shoqërisë shqiptare të sotme.

Thursday 27 April 2023

“Përbindëshi” i totalitarizmit (2)

 


(vijim)

“Turbullirat politike” të Luftës së Dytë u ndjenë edhe në Shqipëri, veçanërisht pas vitit 1942, kur dhe ishte parë se Aleatët do e fitonin luftën edhe pse nuk shihej qartë sa do zgjaste. Gjermania hitleriane kishte krijuar idenë se mund të kishte edhe të papritura të tjera në zhvillimet ushtarake. Por krahët politike që mendoheshin të drejtonin Shqipërinë e pasluftës kishin problemet e tyre të lidhura me Fuqitë e Mëdha. Krahu pro-aleatëve (ai i Frontit) drejtohej nga komunistët dhe nuk dihej nëse do mbante apo jo premtimin për një Shqipëri Demokratike, nacionalistët ende anonin nga Boshti, sepse mendonin se i shërbente çështjes kombëtare dhe monarkistët nuk kishin as mbështetje të madhe në popull, por as të plotë të anglo-amerikanëve. Për shkak të dobësisë së lidhjeve të komunistëve shqiptarë me Kominternin askush nuk i njihte në Bashkimin Sovjetik dhe kjo mund të ketë qënë arsyeja kryesore, që Stalini në Jaltë nuk tregoi ndonjë interes për ndikimin në Shqipërinë e pasluftës.

Askush nuk ka shkruar ose paraqitur dokumenta se si kanë reaguar qeveritë e Britanisë së Madhe dhe të Amerikës ndaj Kongresit të Përmetit, vendimet e të cilit përjashtuan një prej forcave kryesore politike shqiptare nga pjesëmarrja në qverisjen e vendit paslufte. Eshtë fjala për vendimin për të mos lejuar kthimin e Zogut në Shqipëri. Vetë fitimtarët e kanë paraqitur si datë shumë të rëndësishme sepse e patën vendosur edhe në Stemën e Republikës, por nuk dihet nëse ndonjë nga tre aleatët e ka mbështetur atë Kongres. Gjithsesi kryesisht anglezët e mbështetën Frontin me flori dhe armë dhe hynë në Tiranë bashkë me Qeverinë e Përkohshme të drejtuar nga Hoxha, i cili nuk i kishte vetë punët shumë mirë brenda Partisë së tij Komuniste. Terrori i muajve të fundit të luftës dhe menjëherë pas saj ishte i madh dhe për këtë faji ishte jo vetëm i Enverit , por dhe shumë prej bashkëpunëtorëve të tij më të zellshëm, një pjesë e të cilëve pësoi të njëjtin fat si viktimat e tyre më vonë.

Duhet përmendur edhe një fakt, i cili përgjithësisht anashkalohet nga studiuesit e historisë. Niveli i ulët i atyre patriotëve, të cilët ishin brenda Frontit, pra në krahun e Aleatëve dhe fituesve të luftës. Myslym Peza dhe Haxhi Lleshi ishin të parët që kishin ngritur çeta të financuar nga anglezët për të luftuar Italianët, por si ata, ashtu edhe Spiro Moisiu apo Omer Nishani u kthyen në “kukulla” të komunistëve pa qënë vetë komunistë. Eshtë e çuditshme se si u pajtuan me terrorizmin e fundit të luftës dhe dy viteve të para menjëherë paslufte, kur u dënuan me gjyq dhe pa gjyq me dhjetra miq të tyre, shumë prej të cilëve as nuk ishin përzjerë me ndonjë krah gjatë luftës. Kjo ka një lidhje me prapambetjen dhe barbarizmin e shoqërisë shqiptare të asaj kohe.

Në një situatë kaotike si ajo e pasluftës së Dytë, duhet thënë se vëmendja e Anglisë dhe Amerikës nuk kishte se si të përqëndrohej në një shtet shumë të vogël si Shqipëria. Problemet gjeopolitike ishin të mëdha në të gjithë Europën dhe ve]anërisht në vendet fqinje si Italia, Greqia dhe Jugosllavia, roli i të cilave në gjeopolitikë ishte shumë më i rëndësishëm se ai i vendit tonë. Kjo mungesë vëmendjeje favorizoi bandën e Enver Hoxhës, e cila nuk kishte as përvojë qeverisjeje dhe as mundësitë financiare për ta bërë këtë, ndaj ushtroi dhe një formë tjetër terrori me Ligjin e tatimit të jashtëzakonshëm për fitimet e luftës. Kësaj situate dy aleatët ju përgjigjën me largimin e misioneve të tyre nga Tirana duke menduar se kjo do shërbente si presion , që regjimi i dobët i komunistëve të rrëzohej shpejt në vendin e vogëlfeudal. Kjo i kushtoi rëndë popullit shqiptar.

(vijon)

Tuesday 25 April 2023

Shpresa vdes e fundit!


Të gjithë po e presin 14 majin me padurim në Shqipëri. Një pjesë e madhe me shpresën se mund të kufizohet pushteti absolut i Ramës, një pjesë po aq e madhe me shpresën se nuk do humbasin vendet e punës në administratat socialiste dhe një pjesë gjithashtu e madhe, që të shpëtojnë nga kjo marrëzi kolektive dhe ky karagjozllëk histerik.

Në të gjithë botën e qytetëruar (drejt të cilës duam të shkojmë) sheh postera të kandidatëve për kryetarë bashkie, qofshin këta të partive kryesore apo dhe të pavarur. Kanë sloganet e tyre dhe pjesët e palezetshme të fushatave edhe ata, por jo këtë “bufonadë shqiptare”, ku duket se aktorët kryesorë politikë tallen me një popull të nënshtruar.

U duk sikur palaçollëku do e kishte kulmin me përurimin e Nastradinit në Maliq, nga një klloun i afërt me Socialistët , por nuk ndodhi kështu. Një kryeminstër që kërëcen një tallava, një kandidat që ngre dy gishtat e mesit, një i deleguar që i bën thirrje për beqarllëk kryetarit të bashkisë, një fytyrë hijenë që sulmon kundërshtarët duke i quajtur llum, një demagog që zbulon pronat e ambasadores amerikane në Shqipëri, një fytyrë qose që në këto 4 vjet nuk ka bërë gjë tjetër veç ka përgatitur projekte të mrekullueshme për Shkodrën për t’ja u marrë këtë rradhë antikomunistëve dhe një i korruptuar “par excellence”, që premton se do i japë fund korrupsionit më 15 maj. Në mes të kësaj skizofrenie del edhe Ministri i Mbrojtjes dhe thotë që do bjerë shumë shi dhe trembet se mos thithë shumë ujë meqë është Peleshi.

Të detyruara për të mbajtur vendet e punës “cirkut me kllouna që nuk bëjnë të qeshin as fëmijët”, i bashkohen edhe mjekët që i hoqën zorrën qorre Ramës, ndërsa ai premton se do i heqë “zorrën qorre” Shqipërisë duke aluduar për paraardhësit e tij Berisha dhe Meta.

Ndër më qesharakët duket një gjirokastrit, që ngjan me Ceken e Beratit dhe që në vend të kandidojë për Kryetar Bashkie në qytetin me “sokakun e të marrëve”, mundohet të shtojë marrëzinë e gjithë kësaj gjurulldie në kryeqytet.

A është një shfaqje e organizuar dhe me regji të disa regjisorëve amatorë, se është sa tragji-komike aq edhe e pështirë?

E megjithatë njerëzit shpresojnë. Nuk dinë as vetë se në se shpresojnë mes kësaj maskarade të mbushur me të vjella, pështyma, batuta fyese dhe premtimit të të Parit të Vendit se së shpejti do dalë edhe të kërcejë cullak.

E besoj se e bën pas një darke të bollshme, ku është dendur me birrë dhe të nxjerrë edhe bilbilin e të pshurrëçnë kokat e të gjithë shqiptarëve!

Po mbetemi pa biznesmenë

 

Unë nuk di shumë hollësi se ç’ndodh në botën e krimit në Shqipëri, por shpesh, kur lexoj titujt e gazetave online, më shqetëson rritja e sulmeve ndaj individit, që jo rrallë përfundojnë me vdekje. Dhe në shumicën e rasteve këto janë sulme ndaj biznesmenëve. Pyes veten nëse është kaq e madhe lufta tregëtare apo midis bizneseve, apo ka diçka tjetër që nuk shkon në këto lajme të shtypit tonë të saktë, objektiv dhe pa prapavijë politike apo lidhje me krimin.

Ne rrezikojmë të mbetemi pa biznesmenë!

Ky është një përfundim i shpejtë dhe uroj të mos jetë i ngutur. Ose njerëzit do fillojnë e t’i rrinë gjithnjë e më larg inisiativës private dhe të gjejnë strehë në zyrat shtetërore, ku mund të nxjerrin edhe ndonjë lekë duke bërë favore. Ose më keq akoma do mundohen të mbyllin hesapet me “ekonominë e tregut” dhe t’i rikthehen ekonomisë shtetërore, të centralizuar e të planifikuar, që nuk ka nevojë për biznesmenë.

Se nuk mund të vazhdohet pafundësisht me lajmet “i digjet makina biznesmenit”, ‘plagosen me thikë dy biznesmenë“, “i bëhet atentat ndërsa konsumonte kafenë biznesmenit” ose “tritol në shtëpinë e biznesmenit”.

Këtë ju them vazhdimisht edhe dy-tre shokëve biznesmenë në Shqipëri, por duket dhe ata nuk e kuptojnë rrezikun që po ju kanoset nga mbajtja e cilësorit “biznesmen”. Vazhdojnë të ndërtojnë ose të merren me tregëti. Dhe të dalin rrugëve më këmbë apo të qarkullojnë pa makina të blinduara.

Po vetë policia pse nuk I mbron biznesmenët? I ka zili apo inat?

Se e gjitha rezulton si një rreth vicioz, ku biznesmeni vritet, menjëherë dalin në tv Artan Hoxha dhe Klodiana Lala, që kanë informacione të hollësishme për pistat dhe se si mund të kapet vrasësi, por kjo nuk ndodh, por vritet një biznesmen tjetër që mund të ketë pasur gisht në vrasjen e biznesmenit të parë dhe përsëri dalin në tv Hoxha dhe Lala, me pistat e tyre dhe informacionet që kanë prej policisë dhe prej vetë botës së biznesmenëve dhe në fund nuk kapet askush.

“Bizneset” janë lokomotiva e shoqërisë sonë kapitaliste të centralizuar, që drejtohet nga kryebiznesmenii Rama, por që çuditërisht është një “lokomotivë“ të cilës po i vihen përditë shkopinj në rrota.

Shqiptarë mbroni biznesmenët! Pa ta nuk ka Shqipëri!

Monday 24 April 2023

Jeta pas vdekjes

Unë ende kam shpresë në jeta pas vdekjes

Edhe për të të takuar ty.

Nuk di se si shihen njerëzit në botën tjetër,

Si preken,

Si puthen,

Kur nuk kanë as duar,

As buzë,

As sy.

Nëse shpirti

Ka gjithshka që i duhet,

Për të të gjetur nuk do jetë e vështirë.

Unë do jem një njollë gri pa trajtë,

Që si amebë lëviz rrëmbimthi,

Në një mjedis që nuk është qielli i shtatë,

Dhe ku fshihet ç’ka është e mirë.

Do belbëzoj fjalët e këngës,

Që do i dëgjosh me të gjashtën shqisë

Mes dritës që ndjehet por nuk shihet

Dhe hijeve që nuk preken, por trokëllijnë

Kur dita kurrë nuk do nisë,

Sepse nuk ka kurrë natë.

A do presim të tjerët të vijnë,

Apo ve] do kridhemi në detin e harresës,

Që nuk ka valë,

Sepse era nuk fryn kund.

Unë do të të kërkoj në tjetrën botë

Edhe pse këtu nuk mund!

Sunday 23 April 2023

A e vranë Mehmet Shehun?


Shpesh nuk e kuptoj zellin e shumë gazetarëve, analistëve dhe kriminalistëve për t’u marrë me pyetjen “E vranë Mehmetin apo u vetëvra?”.  Vjen nga leximi i librave të verdhë, nga klikimet e njerëzve në internet apo nga një prirje e mendjeve të cekëta për të gjetur komplote ku janë dhe ku s’janë?

Ka një provë e cila është lehtësisht e verifikueshme, që është letra e tij e fundit para vetvrasjes, e cila mund të verifikohet lehtësisht nëse është e vërtetë apo e falsifikuar. I jep fund çdo hamendjeje, por duket që nuk ka vullnet për ta bërë, në mënyrë që t’I kthehen dhe rikthehen kësaj çështjeje në shtyp dhe mos merren me hallet që ka sot Shqipëria.

Nga ato që kam ditur kur ndodhi ngjarja e beftë dhe nga ato, që kam mësuar në vite jam i bindur se ka qënë vetvrasje. Po mundohem t’i rendis arsyet e kësaj bindjeje për të mos shkruar më kurrë për të.

Le të supozojmë atë, të cilën e thonë shumë mbështetës së vetvrasjes, që Mehmeti ishte figura e dytë e Diktaturës dhe Hoxhat (Enveri dhe Nexhmija) nuk donin që pas një vdekjeje të mundshme të Enverit ai të vinte në fuqi dhe të ndryshonte kursin duke ja hedhur gjithë fajet e Diktaturës paraardhësit të tij dhe duke persekutuar njëkohësisht familjen e Hoxhës. Nuk është pabazë dhe e palogjikshme, se vërtet diçka e tillë mund të ndodhte. Njëkohësisht duke qënë paranoiak, Udhëheqësi mund të dyshonte edhe në ndonjë përpjekje të kryeministrit për ta likuiduar pa i ardhur vdekja natyrale.

Ata, të cilët kanë jetuar në atë kohë, e dinë se figura e Shehut nuk ishte shumë e dashur për shumicën e popullsisë, duke përfshirë këtu edhe përkrahësit e regjimit. Në ndryshim nga Diktatori, ai në popull njihej si njeri I rreptë dhe I pamëshirshëm. Me përjashtim të zonës së Mallakastrës dhe ndoshta Vlorës, ku e donin dhe kishte influencë, Shehun nuk e donin në Shqipëri. E megjithatë kjo nuk ishte një pengesë, që Diktatori ta shihte me dyshim bashkëpunëtorin e tij që prej vitit 1948. Por gjithashtu Mehemeti ishte njeriu me dosjen më të madhe të mbushur me krime dhe veprime të dyshimta, të cilën Enver Hoxha mund t’ja përdorte kurdoherë për ta nxjerrë para gjyqit dhe për ta dënuar si “poliagjent”.

Në të gjitha sistemet autokratike ka luftë për pushtet dhe për t’i pëlqyer Diktatorit. E tillë ka qënë mungesa e simpatisë mesa tyre që punonin nën Shehun me ata që punonin në Komitetin Qëndror. Edhe pse nuk mund të ndjehej në popull, se ata hiqeshin shokë në sytë e njerëzve, ministrat nuk I pëlqenin sekretarët e Komitetit Qëndror, se mendonin se ata hiqnin gjithë punën për qeverisje dhe partiakët nuk bënin gjë tjetër veç propagandës dhe kritikave. Ndaj dhe Shehu ishte flamurtari i luftës kundër liberalizmit, ku prekeshin vetëm partiakët Paçrami dhe Lubonja dhe njëkohësisht Ramiz Alia. Por zelli I tij nuk pengoi Hoxhën të bënte atë që kishte menduar pasi I ndodhi infarkti i parë dhe pasi u kuptua se do fillonte ndërprerja e ndihmave nga Kina. Krastitjen e njerëzve të Shehut që ishin në kryeministri dhe shpalljen e tyre armiq. Me një gur vriste dy zogj, edhe likuidonte armiqëtë e tij potencialë dhe ju vinte fajin për dështimet në ekonomi dhe gjendjen jo të mirë ekonomike të popullsisë.

A mendonte që kët operacion të nisur më 1974 ta kurorëzonte me likuidimin e Mehmetit? Ka shumë të ngjarë.

Po përse Mehmetin duhet ta vrisnin dhe ta paraqisnini si vetvrasje?

Si përmenda më sipër, Shehu nuk ishte i pëlqyeshëm për shumicën e popullit shqiptar. Veprimet e tij në kohën e luftës kundër liberalizmit, kur zbriste nga makina në mes të Tiranës dhe diskreditonte djemtë me flokë të gjata e kishin bërë simbol të Diktaturës dhe të luftës së klasave. Në Tiranën e viteve ’70 dhe ’80 qarkullonin shumë histori që dëshmonin egërsinë e tij.

Në fundin e vitit 1981, Mehmeti ishte bërë si “pulë e lagur”, që kur “i madhi” e thirri me urgjencë nga Konferenca e Partisë në Korçë dhe më pas, kur ishte parë nga e gjithë Shqipëria gjatë Kongresit të 8-të, ku binte në sy shpërfillja e Hoxhës për të. Nga dokumetat e mbledhjeve të Byrosë të dhjetorit 1981 është parë qartë se Shehun e kishin bërë leckë të gjithë dhe edhe nëse nuk do përfundonte pas hekurave, Hoxha do e hiqte nga postiiI Kryeminitrit. Kritikat e hapura edhe të Lenkas dhe Palit në mbledhje, e bëjnë të qartë për ata që kanë jetuar në atë kohë se tashmë një “figurë e djegur”. Largimi tij nga detyra ose dhe arrestimi i tij i mëvonshëm ishte i pritshëm sepse me rradhë do niste hapja e të gjitha “krimeve të tij” përfshi këtu edhe  mungesën e vigjilencës që kishte shpënë para togës së pushkatimit ushtarakët dhe ish-zëvendëskryeminstrat e tij. Diktatorit madje i pëlqente të luante si macja me miun me viktimat e tij dhe t’i detyronte të pranonin me gojën e tyre fajet.

Vrasja e tij atë natë të dhjetorit 1981 nuk ka pikën e kuptimit dhe të logjikës së thjeshtë.

Mehmeti në moshën 68-vjeçare e pa qartazi se i gjithë shërbimi që i kishte bërë Enverit për 33 vite me rradhë ishte hedhur në “plehra” vetëm nga një fejesë e gabuar, që kishte shtuar mosbesimin Diktatorit tek krahu i tij i djathtë. A e vrasin të gjithë njerëzit veten në situate të tilla? Një pjesë jo e vogël zgjedhin vetvrasjen përballë shkatërrimit të plotë. Mehmet Shehu kishte falimentuar.

Saturday 22 April 2023

A ka lidhje prezantimi i projekteve të Stadiumit me fushatën?

 


Më 2 maj në Korçë, krejt rastësisht dhe “pa asnjë lidhje” me fushatën e zgjedhjeve vendore do bëhet prezantimi i disa projekteve finalistë për rinovimin e stadiumit të Korçës. E quaj rinovim edhe pse qeveria dhe vendorët po e shesin për stadium të ri, se në fund të fundit po ndërtohet ekzaktësisht në të njëjtin vend dhe me siguri që do i hiqen pistat e atletikës, ku janë stërvitur dikur me qindra atletë profesionistë, disa prej tyre të nivelit ndërkombëtar. Për fat të mirë është menduar të ndërhyet edhe në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla”, i cili ka mbetur në të njëjtën gjendje që ka qënë kur u përurua 50 vjet më parë.

Deri tani nuk është thënë gjë për koston e përafërt të projektit (gjithnjë ka një buxhet fillestar edhe pse nuk është shpallur projekti fitues), se nga vijnë fondet dhe se kur do hapë dyert stadium për sportdashësit korçarë.  Nënvizohen vetëm “ndërkombëtarët” që nga Juria e konkursit e deri tek “studio prestigjioze”, a thua se deri tani nuk jemi velur në Korçë me këta ndërkombëtarët e Internacionales së Pestë (kështu është e mira të quhet bashkësia e ndërkombëtarëve me të cilët punon për Shqipërinë socialisti Rama.)

Thellësisht besoj se stadium nuk ka për t’u ndërtuar kurrë dhe se e gjithë kjo lojë “stadiumesh të rinj” për Korçën, Vlorën dhe Durrësin është një përpjekje për të kapërcyer gjendjen jo të mirë të sondazheve të zgjedhjeve të ardhme veçanërisht në Durrës dhe Korçë.

E kam këtë bindje se e pashë vjet me sy gjendjen e Pallatit të Sportit, si dhe mungesën e një pishine publike të hapur ose të mbyllur në qytet. Ka pasur në fillimin e viteve ’60 dhe nuk ka 70 vjet më vonë. Grupi Peleshi ka 16 vjet që drejton qyetetin dhe ka bërë nga parqet japoneze, dy kullat e panevojshme dhe plot objekte të tjera të dyshimta dhe nuk e pat vënë ujin në zjarr për restaurimin e Pallatit të Sportit dhe ndërtimin e një pishine për qytetarët dhe nxënësit e shkollave.

Projektet që do paraqiten më 2 maj, do përdoren si një mjet propagandistik për fushatën dhe përgjithësisht janë të efektshme, se krijojnë përshtypjen se po bëhemi njëlloj si Boni apo Goteborgu edhe pse jemi larg tyre. Por nga “e thëna në të bërë na ndan një lumë i gjërë“ dhe po e përsëris që i gjithi ky është një bllof i një qeverie, që nuk e ka të vogël borxhin publik dhe do i hajë premtimet e dhëna si ka bërë për shumë të tjera. Po hiqt edhe mundësia e vjedhjes me metodën PPP, sepse kjo e fundit është kritikuar shumë nga Bashkimi Europian.

Ndaj edhe sportdashësit korçarë të jenë më të ftohtë në ëndërrat e tyre “tani do na heqin dënimin nga UEFA, do kemi dhe stadiumin e ri dhe nuk ka asnjë arsye mos arrimë nivelin e ekipeve të Dortmundit apo të Napolit.” Duhet të jenë edhe të bindur se këto para nuk bien nga qielli po dalin nga xhepat e tyre dhe para se të entusiazmohen nga maketet e stadiumeve dhe videot reklamuese të tyre të nisin të kërkojnë hesap për ato që janë ndërtuar më parë, për ato që nuk janë ndërtuar dhe se sa do kushtojnë këto që mund të ndërtohen.

Rama nuk është Babagjyshi i 2 majit që na sjell dhurata, por një mashtrues i klasit të parë, që po sundon dhe pasurohet vetë, si dhe banda e tij me paratë e taksa paguesve ose me ato që dhurohen nga të huajt për popullin shqiptar.

Friday 21 April 2023

Për Atdheun?!


Ishte një shkrim rreth një ngjarjeje me sopranon Ermonela Jahon, që më “çuditi” ne disa fraza dhe më bëri edhe njëherë të mendoj nëse raportet e mija me Atdheun janë atje ku duhen. Autori i shkrimit ishte dikush i quajtur Marin Gjollma, i cili paraqitej (ose gazeta e paraqiste) si një pianist karriere. Unë nuk e di se ç’kuptim ka të jesh “pianist karriere” dhe ku është ndryshimi me pianistin, por kjo nuk ngre apo ul as vlerat e shkrimit dhe as çështjen e Atdheut, që Gjollma prekte krahas çështjeve të tjera, që lidhen me artin, nivelin e artistëve, zënkat mes tyre dhe bojkotimin e sopranos të famshme nga pedagogët dhe studentët e kantos në Akademinë e Arteve.

Gjollma pasi përmendte, që në shtypin e huaj kur shkruajnë për Ermonelan e quajnë sopranoja shqiptare, e vazhdonte me pyetjen retorike : A ka më shërbim më të mirë ndaj atdheut?

Mua menjëherë më kërceu mendimi joatdhetar se ç’hyn atdheu këtu. Unë nuk e di se sa e ka menduar atdheun Ermonela Jaho gjatë duartroktijeve në skenat më të njohura botërore, por di që ka shprehur ndonjëherë pakënaqësi për pengesat që ka pasur në Shqipëri në fillim të karrierës. Gjithsesi, duhet që ata që nuk shkuan në seminaret e Ermonelas t’i akuzojmë edhe për tradhëti ndaj atdheut? Veprimi i tyre, veçanërisht i pedagogëve ishte tepër meskin, por ka të bëjë me vogëlsinë e njerzve dhe aspak me atdhedashurinë e pranishme apo jo.

C’hyn atdheu këtu? më shqetëson vazhdimisht kur dëgjoj të tilla lidhje të karrierave të sukseshme me vendin nga vijnë. Edhe pse krahasimi nuk është shumë i goditur, më vjen në mendje një ngjarje e viteve të pasluftës në Tiranë, që rrëfehej si “barcaletë me zarar”. Diku nga viti 1949 një instruktore partie që shkonte fshatrave për të propaganduar krijimin e kooperativave shoqërohej edhe nga një polic i armatosur se kohët nuk ishin të sigurta. Pas disa udhëtimesh, instruktorja i shprehu hapur policit të gjatë e bukurosh, dëshirën e saj për pak “ljubjoçkë“, dhe ai i befasuar reagoi i vendosur me shprehjen – “Nuk e q. Partinë unë!” Partia ç’hynte aty?

Për tu rikthyer tek atdheu dhe unë duhet të pranoj se as kur më thonë ndonjë fjalë të mirë këtej apo edhe kur bëj ndonjë gafë nuk e mendoj Shqipërinë. Edhe kur më pyesin se si është gjendja në vendin tim dhe ju them që “korrupsioni është i madh” nuk më shkon në mendje se “po e q. atdheun!”

Tundja e pavend e flamurit është një shprehje tjetër e mendësisë sonë të ngushtë totalitare. Kur afrohet tetori, simpatizantët e Kadaresë akuzojnë ata që nuk janë pro-Kadare se po i bëjnë dëm Shqipërisë që fillojnë propagandën kundër Is sepse nuk i jepet çmimi Nobel. Unë nuk e di nëse vërtet është një sezon i tillë anti-Kadare i mpleksur me mungesë të theksuar atdhedashurie, por prej shumë vitesh mendoj flamujt e kombeve nuk duhen ngatërruar me artistët, shkencëtarët apo filozofët. Dhe aq më pak me politikanët.

Mos e kam gabim dhe nuk e dua atdheun aq sa duhet?

 

 

Korça konservatore ndaj grave




Ne korçarëve na pëlqen të mburremi me kulturën, përparimin dhe zhvillimin e qytetit (dhe bashkësisë së tij) gjatë shekullit të XX-të, por vazhdimisht kemi pasur një handikap jo të vogël. 

Ka qënë roli i femrës në drejtimin e administratës së qytetit. 

Dhe jo vetëm kaq, por tradicionalisht femrat korçare nuk kanë pasur as poste të larta në Tiranë. Duke filluar që në ditët e para të formimit të shtetit shqiptar dhe deri në ditët e sotme. Ka pasur diçka thellësisht konservatore në mendësinë tonë, që nuk i ka lënë femrat të shprehin plotësisht kapacitetet e tyre. Jemi mburrur me nikoqirllëkun e tyre dhe me "virtytin" e pastrimit të sokakëve, por ndoshta që këtu ze fill edhe frenimi i tyre psikologjik dhe mospërparimi në sektorët e jetës që lidhen me udhëheqjen e shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe asaj të qytetit në veçanti.

E njëjta histori e kohës së Diktaturës, e ndrydhjes së grave dhe emërimit në poste drejtuese të femrave pa shumë reputacion, vazhdoi edhe pas rënies së sistemit. "Qyteti më i kulturuar" mbeti pas shumë qyteteve shqiptare në këtë drejtim. Disa gra dhe vajza të e mëruara në poste të rëndësishme te qytetit dhe qarkut nuk janë shquar as për inteligjencë dhe as për emër shumë të mirë.

Në garat për Kryetar Bashkie te 31 viteve kanë marrë pjesë vetëm burra nga të dy krahët e politikës dhe si rrjedhojë të gjithë kryetarët kanë qënë burra. Më afër femrës ka qënë kryetari aktual, të cilin për humor dhe për bashkëadministrimin me "Nikon e qeverisë", disa e quajnë Niqi.

Unë nuk e njoh Ledina Aliollin dhe nuk mund të them as se ç'farë është në gjendje të bëjë për Korçën. Nuk di as sa e vërtetë ka qënë gara e primareve brenda opozitës. Por të paktën është një tregues emancipues i një pjese të shoqërisë korçare, që paraqet për herë të parë një femër për drejtimin e qytetit. Sepse duhet të jemi të sinqertë, se ne "serenataxhinjtë"i kemi "mbytyr" dëshirat e vajzave dhe grave tona për të qënë në krye.

Ndoshta edhe për të thyer këtë tabu, dhe për t'i bërë vajzat e reja të mendojnë se mund të drejtojnë shoqërinë, ja vlen të largohet këtë herë me votë, e korruptuara Niqi.

Wednesday 19 April 2023

Vetëm PER-PARA!


Një miku im ka dobësi proverbat, kurse unë sloganet. Proverbat janë shumë filozofike dhe jo të lehta për t’u mbajtur mend, ndërsa sloganet godasin në shenjë, kujtohen pa vështirësi dhe edhe sikur të thuash ndonjë fjalë gabim, të gjithë e kuptojnë që është slogani i një partie të caktuar, ose i një politikani. Dhe nuk është e nevojshme ta kujtosh gjatë, se vijnë zgjedhjet e tjera dhe me to edhe sloganet e tjera.

Në vendet “e zakonshme” (për të mos thënë normale), në zgjedhjet lokale kandidatët për kryetarë bashkie apo guvernatorë kanë sloganet e tyre. Me sa kujtoj edhe në Korçë dikur kandidati kishte një slogan “Korça, ku dua të jetoj”, që shpejt u kthye në “Korça, ku dua të rrëmbej”, por duket se këto i përkasin të kaluarës. Tani Partia në pushtet ka zgjedhur një slogan të vetëm dhe një fytyrë të vetme. Kryeministrin Rama dhe “Vetëm përpara!”.

Si artist (pakëz i dështuar) Rama ka pasur gjithnjë ide interesante, ose më mirë ka kërkuar të ketë ide interesante. Një herë kishte lyer muret e dhomës me feçe dhe kishte shkruar dhe skicuar mbi të. Një herë tjetër kishte dashur të bënte një bunker me kufoma të rrjepura bagëtish. Duhet të ketë pasur edhe shumë ide të tjera interesante, që unë nuk i njoh. Ndaj dhe u mundova të thellohesha në këtë sloganin e fundit nëse kishte të bënte me fshirjen e të shkuarës, me një pohim të sinqertë të motiveve të tij apo me të dyja këto bashkë.

Se që ka hyrë në politikë për para këtë e di edhe më bufi mes socialistëve. Që ju ka dhënë edhe shembullin e tij të gjithë vartësve , këtë e di edhe Pandeli Majko. Që ka vjedhur edhe pa pikë marifeti këtë e di dhe Eduard Shalësi.

Por a është ky slogan, një marifet për t’I thënë popullit paks katër vitesh që ne e mbajtëm premtimin? Për para ju kërkuam votën dhe para bëmë?

Eshtë e vështirë të kuptosh një narcisist, sepse është në natyrën e tyre të përzjejnë mburrjen me gënjeshtrën, sinqeritetin me arrogancën, përçmimin me marrëzinë. Ndaj dhe mund të nxjerrin ç’ju vjen nga prapanica e t’ja u thonë të gjithëve.

Ndoshta është një sinjal për kandidatët që rikandidojnë, që të mos japin llogari para elektoratit kur ju thonë pse nuk i keni mbajtur premtimet. “Ne shikojmë vetëm përpara, për ato mbrapa nuk japim hesap!”

Kjo puna e “Përparas”, më kujton edhe një episode komik të viteve ’70, që përsëritej shpesh me një shpërndarës të gazetës së Korçës “Përpara”. “Riko sa e ke atë përpara?” e pyesnin, kur të gjithë e dinin se gazeta ishte vetëm 3 lekë të vjetra.

“Përpara” e Ramas vlen miliona euro në kurriz të taksapaguesve.

Tuesday 18 April 2023

“Përbindëshi” i totalitarizmit


Diktatura në Shqipëri ishte një monstër, që nuk lindi dhe u rrit, por kryesisht u krijua dhe u përsos gradualisht. Ne përgjithësisht e identifikojmë me Enver Hoxhën jo sepse ai ishte ideatori i saj, por se ishte ai që e komandoi deri sa vdiq. Natyrisht kishte rolin kryesor, sepse mund ta bënte edhe më të butë “përbindëshin”. Por në krijimin e atij mekanizmi shkatërrues kishin rol jo vetëm Hoxha dhe bashkëpunëtorët më të afërm, por edhe shumë njerëz të tjerë, idealistë apo oportunistë, madje dhe ata që kishin qënë që në krye të herës kundërshtarë të komunizmit. Kishim edhe ne njerëzit e thjeshtë, që për të shpëtuar lëkurën u pajtuam me të keqen dhe bënim sikur nuk kuptonim.

Ndoshta njerëz të mençur në të ardhmen, duke pasur shumë të dhëna dhe ndihmë kompjuterike, mund të analizojnë më mirë se sa ka ndikuar në krijimin e asaj monstre karakteri i shqiptarit mesatar, sa kanë luajtur rol faktorët gjeo-politikë, sa ka qënë roli i individëve dhe sa ka ndikuar rastësia. E shpreh këtë dëshirë sepse është një pjesë e mirë e jetës sime dhe të afërmve të mij në atë periudhë të errët dhe gjithashtu se zgjati gati pesë dhjetvjeçarë.

Mund të thuhet se Komunizmi triumfoi në Rusi që ishte një vend feudal ndaj s’ka pse të çuditemi se përse u vendos një Diktaturë e tillë në një vend të prapambetur dhe me 85% të popullsisë në fshat. Gjithashtu edhe me 60-70% analfabetë. Por Rusia kishte dy qytetet të mëdha si Moska dhe Petrogradi, një lëvizje të majtë mjaft aktive për dy-tre dhjetvjeçarë dhe një popull të pakënaqur nga një regjim autokratik. Gjithashtu edhe shumë intelektualë të dorës së parë dhe universitete të mira ku përgatiteshin studentë, që zakonisht janë gjithnjë ata që ju prijnë lëvizjeve radikale. Nuk mund të bëhet asnjë krahasim me ne.

Gjatë gjithë periudhës së formimit të shtetit shqiptar (1920-1939) kemi një përplasje kaotike mes grupeve të ndryshme për pushtet, asnjëri prej tyre me një ideologji të qartë dhe të konsoliduar, të krahasueshme me ideologjitë bazë të partive tradicionale në Europë. Nuk kishte as fashistë, as komunistë, as social-demokratë dhe as popullorë. Ndoshta është i drejtë përcaktimi në Materializmin Historik, se ideologjitë përcaktohen nga shkalla e zhvillimit ekonomik të një shoqërie të caktuar. Në pjesën dërmuese të saj, shoqëria shqiptare përbëhej nga blegtorë, bujq dhe zanatçinj. Nuk kishte aristokraci, nga e cila në shumë vende kanë dalë mendimtarët që kanë shpënë përpara mendimin politik të një shoqërie.

Nga një shoqëri e tillë, me një kryeqytet të rritur si popullsi vetëm në më pak se 20 vjet dhe pa asnjë traditë qytetarie, me një oborr mbretëror me njerëz të ardhur nga Burgajeti, pa asnjë universitet dhe veç 3-4 shkolla të mesme të nivelit europian, pa asnjë kilometër hekurudhë, me një qytet disi të zhvilluar nga emigracioni që ishte 6-7 orë larg me makinë nga kryeqyteti, nuk mund të kishte lëvizje shoqërore-politike të shekullit të XX.

(vijon)

 

Sunday 16 April 2023

Forca e zakonit


Shkoj të ndjek ceremoninë e Ringjalljes së Krishtit jo se jam fetar. Shkoj dhe e ndjek mundësisht në një kishë ortodokse, jo se ndjehem thellësisht ortodoks ose sepse njoh mirë ndryshimet midis ortodoksisë, katoliçizmit dheevangjelizmit dhe kam gjetur "të drejta" ato të ortodoksisë. Shkoj dhe e ndjek mundësisht në një kishë ortodokse shqiptare jo sepse jam patriot i thekur, por sepse është më mirë të ndjek një meshë në gjuhën time se sa në një gjuhë që nuk e njoh.

Pra thuajse gjithshka e bëj për forcë zakoni, sepse kështu e kanë bër të parët e mij ose këto me kanë treguar edhe në kohën kur ceremonitë ishin të ndaluara me ligj. Disa nga të afërmit e mij mbanin edhe ikona fshehtas dhe ndiznin pranë tyre qiri ose kandil me vaj. Dikush mund të thotë se kjo ka të bëjë me identitetin tim, por unë nuk e shoh prirjen fetare si pjesë të rëndësishme të identitetit tim.

Duke dashur të jem plotësisht i sinqertë me veten dhe më pas me ata që lexojnë ato që hedh në blog, rreth fesë së krishterë dhe feve të tjera nisa të mësoj pas vitit 1990. Deri në vitin 1989 edhe pse isha kundër Diktaturës dhe aplikimit të shëmtuar të komunizmit në Shqipëri, fenë e konsideroja si diçka që i takonte të kaluarës dhe mendoja se materializmi dialektik shpjegonte për bukuri "realitetin objektiv". Në një bisedë të '89 me një mikun tim, që më besonte dhe e besoja, idenë e tij se së shpejti do lejohej ndjekja e besimeve fetare e quajta të gabuar dhe të panevojshme. Me një fjalë isha një materialist i bindur dhe i indoktrinuar edhe pse mund të kisha lexuar më shumë se një njeri mesatar i brezit tim.

Hapja e ideve dhe filozofive të tjera pas ndryshimit të sistemit më mësoi diçka shumë të rëndësishme - Se sa pak dija! Kjo më ndihmoi të shihja me dyshim çdo gjë që kisha mësuar më parë dhe të isha i hapur dhe dyshues ndaj çdo të reje që lexoja. Dhe jo vetëm rreth feve apo filozofisë. Diçka e tillë kishte qënë në bazën e teorisë së njohjes, që mësohej në shkollat materialiste. por çuditërisht nuk ishte aspak pjesë e sistemit filozofik dhe ideologjik. Bindja e verbër ndaj ideologjisë dhe parimeve të komunizmit e kishte kthyer filozofinë që quhej antidogmë në dogmë.

Por Forca e Zakonit të shumë viteve pa ceremoni fetare, e identifikimit të priftërinjve me shprehjen "bëni si them unë , por mos bëni si bëj unë" më bëjnë që jo vetëm mos më "ngazëllejnë" ceremonitë fetare, por shpesh, veçanërisht priftërinjtë me veshjet e tyre plot shkëlqim të më duken qesharakë. Kështu edhe të kënduarat me nxitim, atmosfera teatrale e Meshës dhe besimtarët e zellshëm që nuk harrojnë të përsërisin shpesh shenjën e kryqit "shpatull më shpatull" apo që nguten të puthin ikonat.

Ndaj preferoj që në kishë të hyj kur nuk ka njeri dhe mundësisht të provoj efektin mistik të  mjedisit të errët, solemn dhe të mbushur me piktura gjithëngjyrëshe. Ky është edhe raporti që dua të kem me Universalen, Infinitin dhe të Panjohurën e gjithëpushtetëshme.

Sa për Krishtin kam bindjen e thellë se është figura më e madhe që ka nxjerrë Njerëzimi.

A jam heretik?

Nuk besoj se mund të kategorizohem si i tillë se nuk kam qënë asnjëherë fetari zellshëm.

  


Friday 14 April 2023

Këmbëngulja e rrezikshme e motivuar


Me poshtë janë disa mendime për këmbënguljen në politikën shqiptare. Vijnë kryesisht nga krahasimi i disa prej politikanëve që kanë mbetur gjatë në politikën shqiptare të asaj që quajmë periudha e ndryshimit të sistemit (tranzicioni). 

Duhet pranuar se këmbëngulja në çdo fushë të jetës është përgjithësisht e mirë. Veçanërisht kur nuk është si qëllim në vetvete, për të ngulur këmbë se vetëm ti ke të drejtë dhe gjithë ata që të kundërshtojnë e kanë gabim. Këtë mund ta quajmë këmbëngulje tëmotivuar që mund të ketë motive ideologjike, karriere, për interesa të një grupi që përfaqëson, apo edhe thjesht për ego. 

Por ka dhe një këmbëngulje të motivuar, që është e rrezikshme se ka si motiv pasurimin personal apo të grupit dhe ndenjies pafundësisht në pushtet për të arritur këto qëllime. Dhe ky pasurim arrihet duke vjedhur dhe abuzuar me pushtetin, se nëse "këmbëngulësi" do i kishte hyrë biznesit privat nuk mund ta quanin të rrezikshme.

Një politikan, që duke qënë dembel apo jo këmbëngulës ka qënë Fatos Nano. Motivet e tij në politikë nuk ishin aspak ideologjike, sepse rastësia e la në Partinë Socialiste (u emërua). Ai kryesoi për një kohë relativisht të gjatë Partinë Socialiste, por duke mos qënë këmbëngulës mbeti jashtë udhëheqjes së saj. Kjo solli një të mirë, sepse tek njerëzit e sotëm duhet mbjellë idea se nuk ka lidera të pazëvendësueshëm dhe se të rëndësishme janë institucionet.

Të kundërtit e Nanos janë Berisha dhe Rama, të cilët kanë shumë ngjashmëri me njëri tjetrin. Janë të motivuar për pushtet të pakufizuar dhe grumbullim pasurie personale apo familjare dhe mund të bëjnë çdo gjë për të arritur këtë qëllim. Provat i kanë dhënë nën dritën e diellit-Berisha prej vitit 1994 dhe Rama qysh prej ardhjes në krye të Bashkisë së Tiranës. Berisha arriti deri aty sa të shkatërronte shtetin e tërë më 1997, të nisej për të marrë pushtetin me dhunë më 1998 dhe të vriste njerëz të pafajshëm më 2011.

Provat ndaj "mospërmbajtjes" të Ramës janë lidhjet me krimin e organizuar, mbështetja dhe përzjerja në mbjelljen e kanabisit dhe nxitja për një protestë të dhunshme më 2011. Të tjera, si vjedhja e buxhetit të shtetit apo "shitja e miqve" janë mëkate më të lehta. Por dëmi kryesor është se ata kanë shkatërruar plotësisht idenë se një shoqëri mund të funksionojë mirë vetëm kur funksionojnë institucionet. Ata i tremben më shumë kësaj se çdo gjëje tjetër se në të kundërt bie idea "vetëm ky lider mund ta bëjë Shqipërinë".

Sigurisht që dhe Berisha bashkë me Ramën nuk do mundnin të realizonin këtë "adhurim të liderit" pa prapambetjen e një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare, e cila ka nevojë për "bari" që ta ndjekë pas dhe sa më këmbëngulës dhe intrasisgjent të jetë "bariu" aq më verbërisht e ndjek. Pa faj nuk janë as amerikanët dhe europianët, që përgjithësisht për vendet e vogla nuk duan ndryshime të shpeshta të udhëheqësve, sepse e kanë më të lehtë të merren me të njëjtit njerëz. (Në biseda mes miqsh kam përdorur krahasimin, se nëse do drejtoje Qarkun e Korçës, do e kishe më të kollajshme punën nëse kryeplaku i Gjonomadhit do ishte për një kohë të gjatë i zgjedhur, që mos rrije të merreshe me njerëz të tjerë që do të të thonin të tjera broçkulla.)

A është e thënë, që këta "këmbëngulës" të mbeten gjatë në krye dhe të zëvendësohen më pas nga "këmbëngulës" të tjerë?

Nuk është aspak e çuditshme se asnjë hap nuk është hedhur para gjatë 15 viteve të fundit për konsolidimin e institucioneve, që prej atyre partiake dhe deri në shtetëroret dhe shoqërorët. Të shohësh vetëm "luftën" për kreun e Akademisë së Shkencave, ku "këmbëngulësi" Gjinushi nuk do të shkulet nga drejtimi dhe atëhere kupton mirë se sa keq është gjendja e shoqërisë shqiptare. 

















 

Wednesday 12 April 2023

“Derrat” kujtohen për pyjet


Ka një shprehje të popullit tonë, që nuk besoj se e kanë popujt e tjerë, që thotë- “pyll pa derra nuk ka”. Sigurisht që ilirët apo arbërit e mençur nuk kishin menduar se do vinte një ditë, që “derrat” në drejtimin e qeverive shqiptare të fillonin të prisnin pyjet dhe pemët ku mendohej se ishte më mirë për të mbushur xhepat e tyre. Dilte jashtë logjikës së popujve që i kishin pyjet e shënjtë.

Një pjesë e korieve u shkatërruan në fundin e viteve ’60, kur nën shembullin e shokëve kinezë filloi terracimi i shumë zonave të Shqipërisë nën parrullën “Tu qepemi kodrave dhe maleve, t’i bëjmë ato pjellore si dhe fushat.” Ishte një absurditet ekologjik, por edhe ekonomik, sepse jo vetëm prishi ekuilibrin natyror, por nuk solli as ndonjë shtim të prodhimeve bujqësore.

“Derrat” e sotëm shpyllëzuan kryesisht zonat pranë qyteteve për të shtuar sipërfaqet e ndërtimit, të cilat shtojnë të ardhurat për ta dhe miqtë e tyre. Dëmi është kryesisht ekologjik dhe ndikon në cilësinë e ajrit dhe mikroklimën e qyteteve tona. Dëmi ekonomik do ndjehet më vonë, kur shumë nga këto zona të reja të ndërtuara të mbeten të zbrazëta për shkak të largimit të shqiptarëve.

Tani, në mes të fushatës, “Derrit maç” (kryeministrit shqiptar) ju ndërmend se duhen edhe pyjet dhe sipërfaqet e gjelbëruara dhe ju dha orientimin gjithë bashkiakëve të përcaktojnë vendet ku do mbillen fidanet e pemëve. “Rilindja urbane”, që ishte kryesisht ndërtime në qendrat e qyteteve dhe reduktim i sipërfaqeve të gjelbëruara, tani po kthehet në “Rilindje të pyjeve”.

Dhe për të krijuar pyjet që shkatërruan gjatë disa legjislaturave, “derrat e Rilndur” do sakrifikojnë edhe paratë që ju jep shteti për fushatë dhe do I përdorin për të mbjellë pemë. Deri tani kishin mbjellë gënjeshtra dhe premtime bosh, ndërsa tani do fillojnë të mbjellin pemë. Ndoshta Spiropali i ka kujtuar “Skënderbeut të saj” se Heroi Kombëtar kishte lënë dikur porosi të mbilleshin ullinj.

Edi Rama nuk është më i besueshëm në asnjë premtim dhe në asnjë veprim që ndërmerr. i madh e i vogël e ka kuptuar se çka del nga goja e tij është demagogji për të mbuluar vjedhjet. Nga shëndetsia falas, rilindja urbane, satelitët shqiptarë dhe deri tek rrogat 900 euro. Tani i duhen pyjet e shumtë për të fshehur çka nuk fshihet dot më: Regjimi i tij autokratik dhe i dështuar.

Tuesday 11 April 2023

Një histori, që më duket e largët, gati mesjetare (fund)


(vijim)

Në përëpjekje për të bërë diçka për të ndalur këtë abuzim me një projekt aq të rëndësishëm sa Muzeu i Artit Mesjetar, shkrojta një artikull, që u botua në gazeta “Tema”, tek i cili Bashkinë e Korçës e paraqisja si një lloj viktime, sikundër më ishin paraqitur Peleshi dhe Filoja. Shpresoja që gazetarë investigativë do e ndiqnin këtë çështje për të mos lejuar që Muzeu të ndërtohej keq. Vetëm Filoja paraqiti pakënaqësi në korrespondencën me mua, duke ironizuar se “isha kthyer në gazetar investigativ” ndërsa Peleshi nuk u ndje. Marëdhëniet e mia me drejtuesit e Bashkisë pësuan të krisur, por ende mbetën si marëdhënie miqsh që vlerësonin njëri tjetrin.

“Likuidimi” i fondeve me një pjesë të vogël të konstruksionit dhe kriza e madhe greke që zuri fill më 2008, bënë që objekti të mbetej si skelet i përfunduar vetëm në katin e parë. Edhe pse me mendje doja të largohesha nga historia e atij mashtrimi, përsëri më vinte keq për fatin e Muzeut të Artit Mesjetar dhe fondit të tij të mrekullueshëm. E dija që historia e projektit tonë tashmë ishte e mbyllur, por shpresoja se ndërtesa do ndërtohej dhe Muzeu do niste nga funksionimi.

Pas gati 7 vitesh i mbetur si një skelet që rrezikohej të dëmtohej nga koha, fati e solli që në Qeverinë shqiptare të ishte zëvendës kryeministër Niko Peleshi, i cili donte të bënte diçka të mirë për Korçën dhe njëkohësisht të mbyllte një plagë në qytet, shkaktar i së cilës kishte qënë ai vetë bashkë me të afërmin e tij Andrea Mico. Nuk di se cila ishte sasi e fondeve e caktuar për të ribërë projektin as dhe ajo për të realizuar objektin, por besoj se ka qënë jo e vogël, sepse në valle kishte hyrë këtë rradhë “i kudondodhuri” Peter Wilson. Nuk ka qënë e thjeshtë edhe puna e tij, sepse punonte mbi një projekt të dobët, sidomos si planimetri, ndaj edhe për shumë të meta të objektit përfundimtar përgjegjësia bie mbi mashtruesit fillestarë. Kjo e ka diktuar dhe rigjiditetin e tij dhe mungesën e elegancës dhe lehtësisë, që duhet të ketë një muze arti i ndërtuar në shekullin e 21-të.

Duke qënë në prag të zgjedhjeve të vitit 2017, përurimi i Muzeut u bë me bujë dhe rrahje gjoksi nga qeveritarët dhe pushtetarët lokalë, të cilët akuzonin paraardhësit se në ç’gjendje të mjeruar e kishin lënë Muzeun kundërshtarët e tyre politikë. Edhe pse kishin vetë 3 vjet në pushtet edhe pse historia kishte nisur nga socialistët e bashkisë 9 vjet më parë dhe ishte lënë më ditë të hallit, kryesisht për fajin e tyre. Në gjoksrrahje përfshiheshin edhe ambasada greke, e cila nuk kishte idenë se si ishin përdorur dhe ku kishin shkuar fondet që kishte akorduar qeveria greke. Vetë Peter Wilson dërgoi fotot e Muzeut në një nga web-site të shumta të arkitekturës për tu nominuar si vepër e rëndësishme e vitit. Përmbajtja e Muzeut ngjalli interesin edhe pse për shkak të sipërfaqeve të kufizuara veprat e mrekullueshme të artit janë ekspozuar me dhjetra në një faqe muri, ku nuk mund të shijohet vlera e tyre e veçantë.

Në fund, kjo histori e zgjatur me shumë kthesa dhe mashtrime përfundoi me “happy end”. Korçës i mbeti Muzeu edhe pse mund të ishte ndërtuar më parë dhe shumë më mirë. Ata që kishin të bënin me fondet përvetësuan sa mundën prej tyre dhe në fund të gjithë mbetën të kënaqur. Gjithsesi është shumë më mirë se të ishte zgjatur, mashtruar dhe të kishte mbetur i pandërtuar edhe sot e kësaj dite.

Monday 10 April 2023

Një histori, që më duket e largët, gati mesjetare (2)


 (vijim)

Me dëshirë dhe ngutje përgatitëm bashkë me kolegen Matilda Pando dhe mikun tim konstruktor Ferdinand Kosti në më pak se një muaj, projektin e Muzeut që u miratua në KRRT dhe mori lejen e ndërtimit. (Në foto paraqitet fasada e projektit grek që ishte i pamundur të miratohej.) Me dëshirën e mirë për të pasur diçka më të plotë në të ardhmen, meqënëse edhe Gen-Plani i Bashkisë parashihte edhe një fazë të dytë, punuam edhe projekt-idenë e zhvilluar të saj. Renderat e Fazës 2 Bashkia i paraqiti në botimin e saj të përmuajshëm.

Cuditërisht, pas disa muajsh, kur nisën gërmimet dhe themelet e objektit, mësova se Bashkia nuk kishte paguar konstruktorin Kosti dhe nuk kishte qënë as e interesuar për projektin e plotë konstruktiv. Kishte diçka që nuk shkonte në këto veprime, të cilat ishte edhe vështirë t’ju gjeje gjurmët sepse Bashkia edhe ishte edhe nuk ishte investitore e veprës. Paratë e fondacionit grek nuk i ishin dhënë Bashkisë së Korçës, por i administronte njëfarë Andrea Mico. Atëhere mësova dhe se minoritari Mico ishte burri i kushërirës së parë të Peleshit. Kuptohej që kishte diçka që qelbej erë, por duke qënë larg dhe pa pasur të gjitha të dhënat nuk I pyeta as Kryetarin dhe as nënkryetarin e atëhershëm të Bashkisë, Raqi Filon.

Në tetor të vitit 2008 u ndodha në Korçë dhe i takova dy drejtuesit e Bashkisë. Kryetari që donte të më tregonte vilën e tij gati në përfundim, propozoi të kalonim edhe nga Muzeu, konstruksioni i të cilit tashmë kishte dalë mbi bodrum. Ndonëse kalimthi me makinë, e dallova që nuk ishte projekti jonë që po zbatohej. Ja thashë këtë kryetarit Peleshi i cili i habitur mori në telefon Micon dhe i shpjegoi që duhej të takohej me mua se diçka nuk shkonte me zbatimin. Nuk di ç’theshte Micoo në anën tjetër të telefonit, por unë refuzova takimin se nuk kisha pasur asnjë lloj marëdhënie dhe marëveshje me të. E gjithë veprimtaria ime për projektin lidhej me Bashkinë dhe i takonte asaj të sqaronte problemin me parambajtësin Andrea Mico.

Po atë ditë shkova në kaniterin që dukej i braktisur dhe pashë se po zbatohej projekti grek, i cili nuk ishte miratuar nga KRRT-ja. U ndjeva keq dhe i përdorur, sepse po më dukej e qartë se e gjithë përfshirja ime kishte qënë një mashtrim për të marrë lejen e ndërtimit. Duke qënë larg Shqipërisë unë nuk do kisha mundësinë për të mësuar në kohë dhe për të luftuar ndaj kësaj afere të pistë. Me arkitektët vendas kjo do kishte qënë e pamundur të bëhej. Por meqënëse drejtuesit e Bashkisë po hiqeshin si të paditur dhe meqënëse ende i konsideroja miq, u mundova të mësoja më shumë rreth historisë së ndërtimit për të mos u përplasur pa patur njohuritë e plota.

Raqi Filoja më tregoi se Micoo kontrollonte gjithshka dhe se ndërtimi bëhej nga një firmë ndërtimi në Tiranë, pronar i së cilës ishte shefi i kabinetit të ministrit të mbrojtjes Gazmend Oketa. Edhe pse shuma prej 400 mijë eurosh nuk ishte ndonjë shumë “stërmadhe”, kishte diçka rreth një fitimi të madh duke përdorur projektin grek. Sepse llogjikisht nuk mund të shpjegoja se pse bëhej një kondravajtje e tillë ndaj ligjit, e cila ishte lehtësisht e zbulueshme. Për më tepër, për të mos paguar për lejen e ndërtimit, firma ndërtuese nuk kishte tërhequr as lejen e ndërtimit, por ndërtonte e patrazuar nga Policia e Ndërtimit duke pasur mbështetje edhe nga pushteti qëndror (asokohe i djathtë) dhe nga pushteti vendor.

(vijon)



Sunday 9 April 2023

Një histori, që më duket e largët, gati mesjetare


Ndoshta e kam prekur në shënimet e mëparshme, por anjëherë nuk kam shkruar me hollësi për historinë e një projekt-objekti, të cilin e kam quajtur shumë të rëndësishëm për Korçën.

Befasimi dhe lidhja shpirtërore e imja me Muzeun e Artit Mesjetar ze fill në vitet studentore. E vizitova pasi ishte hapur dhe vërtet eksponatet edhe pse nuk ishin të shumtë të linin një mbresë të pashlyeshme. E them që nuk ishin të shumtë, sepse e dija që në fondin e Muzeut kishte mijëra ikona dhe objekte të tjera të kulturës fetare të Mesjetës së hershme dhe deri asaj të vonë. Ishin grumbulluar në të gjithë qoshet e Shqipërisë dhe ishin vendosur në Kishën e Burimit Jetëdhënës në Korçë, e cila ishte planifikuar të kthehej në Muze Kombëtar.

Vitin e parë që nisa punë, nga drejtoria e Muzeut mu kërkua të punoja për ekspozimin në sallën e dytë, e cila deri atë kohë nuk ishte e hapur për publikun. Atë kohë pashë dhjetra e dhjetra ikona të tjera të përmasave nga më të ndryshmet, që të çudisnin me ndryshimet në stilet dhe teknikat e përdorura. Nuk isha specialist i pikturës dhe aq më pak i ikonografisë, ndaj nuk mund të ndalem gjatë në vlerat e veçanta të tyre. Por isha i bindur se në Muze ishin vlerat më të mëdha të kulturës shqiptare, që kalonin vlerat e Butrintit, Durrësit dhe të Apollonisë së marra sëbashku.

Pas rihapjes së kishave dhe ndryshimit të sistemit, pati një përplasje të vazhdueshme mes Kishës Ortodokse dhe autoriteteve lokale dhe qëndrore për Muzeun dhe veçanërisht për eksponatet e tij. Ata që kanë punuar atje e dinë mirë se sa vështirësi ka pasur, veçanërisht në kaosin e vitit 1997 për të shpëtuar Muzeun dhe Fondin e tij. Punonjësit e tij të ndihmuar dhe nga të tjerë janë treguar vërtet heronj në ato javë të vështira. Ndihmë ka qënë edhe kultura e qytetit dhe respekti që kanë korçarët për ligjin. Me siguri që në një qytet tjetër Muzeu do ishte plaçkitur.

Edhe pse larg Shqipërisë pata ndjekur me shqetësim fatin e Muzeut, se më dukej që shumë forca me pushtet ishin të gatshme ta zhbënin. Ndaj edhe nuk po akordohej asnjë fond as nga qeveritë e majta të pasvitit 1997 për të ndërtuar një Muze të rid he për t’i rikthyer plotësisht Kishën e Burimit Jetëdhënës kujt i takonte. Ndaj dhe u gëzova kur mësova se ishte miratuar një truall për ndërtimin e tij bazuar mbi një ofertë fondi nga qeveria greke, ose nga një organizatë greke. Vlerësova këmbënguljen e kryetarit të bashkisë së Korçës të asaj kohe, Niko Peleshit.

Këtu ze fill “meseleja” me shumë kthesa dhe manovrime e ndërtimit të Muzeut, në të cilën aksidentalisht u përfshiva dhe unë. Ndoshta shkarazi e kam prekur këtë histori edhe më parë, por tani, që kanë kaluar 15 vjet është më mirë ta tregoj të plotë dhe me hollësitë që unë di.

Në fillim të dhjetorit 1997 më telefoni Niko Peleshi dhe më kërkoi të bëja një projekt të ri të Muzeut Mesjetar për të cilin ishin akorduar 400 mijë euro nga një fondacion grek, i lidhur ose jo me qeverinë greke. Problemi që po më drejtohej mua ishte se projekti i paraqitur nga grekët ishte shumë i dobët dhe nuk ishte miratuar në KRRT-në e Bashkisë. Kusht ishte që mos kalohej sipërfaqja sepse dhe fondi ishte i përcaktuar dhe nuk mund të rritej. E pranova me gëzim edhe pse pata një lloj habie se pse nuk po e bënte me kolegët e mij në Korçë ose në Tiranë. 7-8 muaj më parë Peleshi më kishte treguar projektin e vilës së tij me autor të ndjerin Vladimir Bregu dhe e  dija që kishte për të një konsideratë të lartë. Megjithatë e gjeta të pavend pyetjen dhe i kërkova të më dërgonte projektin grek dhe detyrën e projektimit.

(vijon)

Saturday 8 April 2023

Letër nga burgu

U bë më shumë se një vit pa të parë.

Nuk di nëse rrudhat mbi buzë do jenë thelluar,

A ndoshta rrënjët e flokëve kanë mbetur të zbërdhyltë,

Në ka ndryshuar ecja e sigurt,

Nëse malli për mua të ka marrë.

Nga burgu ku kam hyrë

Ku veç agimeve zbret një dritë e lbyrtë

Dua një të vetme orë të shkëputem

Të vij në botën ku nuk më pëlqen liria,

Të të shoh.

Më pas në kafazin që kam zgjedhur të rifutem,

Mes lodrave dhe ëndërrave të mia,

Ku ka shufra hekuri,

Por jo gardianë.

Muret imagjinarë të mbush me inicialet tënde

Si një fjalëkryq pa zgjidhje.

Të kridhem i gjithi në natën e paanë,

Ku nuk ka fjalë

                As jehona,

                                As gjindje.

Vetëm kaq kërkoj.

Nuk di a do i dallosh dot gërmat,

Vështirë është të lexohen,

Sepse më dridhet e shkreta dorë.

Të jesh atje,

Ku vetëm ti e di,

Ditën që do shkëputem nga burgu,

Një ditë me shi,

Në të vetmen orë. 

Friday 7 April 2023

Nastradini, Gjergj Cula dhe Maliqi


Gjergj Cula (Luca) ka përuruar sot në mjediset e fabrikës së tij në Maliq, ekuestrin e Nastradinit (që ai e quan bust) si një shaka të madhe me Maliqin, punëtorët e tij që do gushitin peshkun dhe me të gjithë sistemin politiko-juridik-shoqëror shqiptar.

E ç’ka të keqe këtu? Njerëzit kanë nevojë të qeshin dhe nuk prish punë nëse qeshin me Gaztorin e Orientit  hipur sëprapthi gomarit të tij. Orientin Cula e di Ballkan dhe ndoshta Maliqin e ngatërron me Buharanë. Sepse sado që vras mendjen dhe mundohem të gjej përse pikërisht në Maliq duhej Nastradini dhe jo në pronat e tjera të Culës në Shqipërinë e mesme, ku tradicionalisht ka pasur më shumë gomerë, nuk i bije dot më të.

Po le të mundohemi të bëjmë shaka me këtë gaz që na ka hipur nga shakaja e Culës së Ri.

Ndoshta Nastradini është vetë Gjergj Luca dhe gomari i tij është sistemi politiko-shoqëror shqiptar. Ndoshta edhe mbërritja e Nastradinit në Maliq, ka të bëjë me rrugën e zakonshme të trafikut nga Azia Qëndrore në Pakistan, Siri, Turqi dhe më pas në Ballkan për të hyrë në Europën Perëndimore. Sepse është vetë gaztori Luca që i ka quajtur trafikantët e drogës heronj.

Por meqë gjithë shakatë janë gjysëm të vërteta, është e vërtetë se Cula edhe pse sëprapthi, e ka ngarë mirë sistemin politik shqiptar, sepse ka bërë para pa i hyrë asnjë gjëmb në këmbë. Dhe nuk kishte se si t’i hynte sepse këmbët i kishte të shaluara mbi gomar. Madje e ka bërë këtë ngarje sëprapthi edhe pa pasur aq mend sa Nastradini edhe pa pasur çallmë në kokë.

“Djall o Gjergj Lucë djall!”- do i thoshte duke qeshur një i njohuri im i ndjerë.

Nuk di se sa gajasen ata që janë papunë në Maliq dhe në të gjithë qarkun e Korçës. Ndoshta presin që Cula i Ri të zgjerojë perandorinë e tij të peshkut dhe të hapë edhe fabrika të tjera me të tjera skulptura të Nastradinit duke i rënë violisë, kur i jepte qyrkut të hante apo kur huante tenxheren në fqinji. Se po mos punësohen nga Cula atëhere duhet të shkojnë të punojnë për shokët e tij trafikantë.

  

Mendësia dhe veprimet totalitare të hajnave


Një thënie e djeshme e Veliajt drejtuar një gazetareje në një studio televizive :”Ke ardhur e larë shpëlarë këtu, por mos harro se ujin ta solli Bashkia!” dëshmon qartë se si mendojnë dhe veprojnë shokët socialistë. Më solli në mendje edhe bisedën me një mikun tim “të majtë“ 20 vjet më parë, kur ra muhabeti për sho Enver, që më tha : “Po pse e shan? Ai të bëri arkitekt!” Kishin kaluar 13 vite pluralizëm!

Ne u rritëm dhe jetuam në një kohë të gërshetimit të terrorit me propagandën, kur çdo gjë e mirë në jetë i atribuohej Partisë dhe sho Enver, ndërsa çdo mangësi ju lihej armiqve të jashtëm dhe të brendshëm. Ishte një gërshetim i tillë i efektshëm, që i la një pjesë të mirë të njerëzve me sindromin e Stokholmit, të dashuruar me rrëmbyesit dhe xhelatët e tyre. Ndaj dhe shumë shqiptarë qanë me kuje dhe pa u shtirur kur vdiq Dulla.

Për të sunduar me lehtësi dhe për të vjedhur në vazhdimësi të njëjtën propagandaë të shëmtuar bëjnë pre vitesh socialistët e Ramës. Janë përpjekur të kontrollojnë gjithshka, nga emërimet në punë tek universitetet, nga tenderat tek lejet e ndërtimit, nga policia tek segmentet e pushtetit juridik dhe nëpërmjet Mediave të kontrolluara të dëshmojnë plotfuqishmërinë e tyre. Pa Edin dhe këlyshët e tij edhe dielli ka rrezik mos dalë më në Shqipëri!

Pork jo propagandë paradoksale funksionon. Vdekëtarët e zakonshëm që i përkasin krahut socialist ndjehen  si “pjesë e të plotfuqishmes” edhe pse nuk kanë asgjë në dorë dhe mezi shtyjnë muajin, ata që nuk janë të interesuar për politikë ndjehen në mëshirën e Rilindasve dhe vetëm një pjesë e vogël e shoqërisë është në gjendje të ndjehet e pavarur ose të kundërshtojë me forcë se nuk është kjo shoqëria demokratike, që duam të kemi.

Shoqëria demokratike dhe liria ekzistojnë atje ku shteti dhe ata që e drejtojnë as janë dhe as hiqen si të plotfuqishëm. Në të kundërt ata janë nëpunës të lartë, që i shërbejnë shoqërisë në një ose disa mandate të caktuara. Nuk është meritë e tyre se me paratë e taksapaguesve ndërtojnë ujësjellës apo shkolla, apo nëse rritin rrogat e sektorit publik.

Sigurisht këtë gjë nuk mund ta bëjnë hajdutët me mendësi totalitare. (Jo të gjithë hajnat kanë të tillë mendësi.) Por për fatin tonë të keq, pjesa më e prapambetur dhe më negative drejton pushtetin qëndror dhe vendor, ndaj dhe gjatë kësaj fushate mund të dëgjosh broçkulla nga të Veliajt se na ka sjellë ujin apo të Gollashit se e ka bërë Korçën – perlën e turizmit shqiptar. Më tej, lavdet më të mëdha janë për Udhëheqësin, si ato të Maznikut në një studio tjetër televizive- “Se kemi qënë me fat si Bashki e Tiranës që kryeministër është Rama që na ka mbështetur me fonde!”

Si do ishte jeta e shqiptarëve pa Ramën, Veliajn dhe Peleshin?

Eshtë njëlloj si të thuash se ku do kisha përfunduar unë po të mos ishte sho Enver. Me siguri fshesar.

Thursday 6 April 2023

Ngutja e prokurorëve të zellshëm që ndihmon Trump


Drejtësia paraqitet si një zonjë symbyllur, që mban në njërën dorë një shpatë dhe në dorën tjetër një peshore. Kjo qysh në Greqinë e Lashtë. Dihet tashmë përse sytë janë të mbyllura dhe ç’simbolizojnë shpata dhe peshorja.

E megjithatë Drejtësia nuk është një robot. Në shqyrtimin e një krimi merren parasysh shumë dhe shumë faktorë, që shpesh bëjnë ndryshimin nga një çështje tek tjetra edhe pse mund të jenë shumë të ngjashme. Nuk ka persona identikë dhe rrethana identike edhe për krime, të cilat mund të jenë thuajse identike. Ndaj ka shpesh raste, tek të cilat nuk vlen thënia “kështu e ka ligji”, që përdoret jo rrallë nga prokurorët e zellshëm.

Rasti i prokurorëve të shtetit të Nju Jorkut me padinë e ngritur ndaj ish-presidentit Donald Trump është një rast i tillë, kur pala akuzuese ngutet të dënojë dikë pa u mbështetur mirë në ligji dhe në rrethanat, qoftë të kohës së krimit, qoftë edhe të kohës që jetojmë. Thelbi i padisë është se Trump ka paguar për heshtjen e një pornostari, që skandali i tij mos ndikonte në fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Juristët më seriozë amerikanë bashkohen në analizat e tyre se padia është shumë e sforcuar dhe fshehja e pagesës (jo pagesa në vetvete) si pagesë ndaj avokatit për shërbime legale përbën krim vetëm në rast se përdoret për të mbuluar një krim tjetër. Ata shtojnë edhe nëse do quhej krim ndikimi në zgjedhje, ky në maksimum do i takonte një gjykimi federal se bëhej fjalë për zgjedhjet federale. Fakti që prokurorët federalë prej vitesh kanë qëndruar larg një padie të tillë (edhe pse mund të mos e donin Trump) tregon se padia është shumë e vështirë të provohet para gjykate.

Pra prokurorët e zellshëm të Nju Jorkut, për arsye të paqarta, të cilat nisin me antipatinë ndaj Trump dhe përfundojnë tek dëshira për tu dukur dhe të qënit në qendër të vëmendjes, ngrenë një akuzë që i ka shanset minimale të provohet në gjyq dhe të kthehet në dënim për ish-presidentin. Eshtë e vështirë të thuhet se e bëjnë për motive politike, sepse çdo demokrat me dy para mend në kokë e kupton se procesi ndaj Trump vetëm se i shton atij popullaritetin. E gjithë çështja është tejet e konsumuar, që prej 7 viteve më parë dhe ndihmon “the Donald” të hiqet si viktimë e “gjuetisë së shtrigave”, të shtojë propagandën se “thellështeti” (deep state) komploton për të hequr qafe atë, shpëtimtarin e demokracisë amerikane. Ka shumë të ngjarë , që ky zell të kthejë pro-Trump edhe shumë nga elektorati gri, që nuk durojnë dot padrejtësitë.

Duke ju kthyer edhe njëherë shtatores së Drejtësisë, ajo jo pa arsye është paraqitur me sytë e lidhur dhe jo me sytë e nxjerrë. Eshtë tregues se sytë lidhen gjatë procesit gjyqësor për të qënë e paanshme dhe e pandikuar nga pozita apo pasuria e atij/asaj që gjykohet. Por edhe Drejtësia dhe ata, të cilët i shërbejnë asaj duhet t’i kenë sytë e hapur për të parë të gjitha rrethanat dhe nëse i bën mirë apo keq shoqërisë, një proces i ngutur dhe i pabazuar mirë në ligj.

Për fat të keq prokurorët i ka verbuar dëshira për ta parë Trump pas hekurave. 

Wednesday 5 April 2023

Cilido e di vetë ku i pikon çatia


Këtë shprehje nuk e kam kuptuar kurrë. Edhe pse domethënia e saj është shumë e qartë, a ndoshta pikërisht se është shumë e qartë unë nuk e kuptoj. Sigurisht që cilido e di vetë ku i pikon çatia. Nuk është ndonjë shpikje kjo. Ashtu sikundër di se ku i dhemb barku, si është i sigurt që nga ngutja ka veshur një çorape me birë në majë, si nuk harron asnjë çast se nuk ka legalizuar ende shtëpinë në plazh apo edhe qindra gjëra të tij personale, që janë difektoze, të papërfunduara ose me shumë probleme.

Dhe ç’rëndësi ka se ku i pikon çatia njërit dhe se ku i pikon tjetrit? Po të pikoi çatia një djall është kudo (ose ka qënë më parë kur dyshemetë ishin prej dërrase dhe po të pikonte gjithë dimrit edhe dyshemeja do kishte pasoja të rënda.) Tërë çatitë dhe tarracat që kishte projektuar Rajti (Fran Lloyd Wright) pikonin dhe kjo nuk ndikoi në famën e tij si njëri nga arkitektët më të mirë të të gjitha kohërave.

Mua më pikon çatia në kuzhinë, po nuk do kishte qënë as më mirë as më keq nëse pikonte në dhomën e gjumit. Do e hiqja krevatin që atje dhe do flija në korridor deri sa të mbaronte stina e shirave, të gjeja specialist për ndërrimin e shinglave dhe pasi të zihej pika, ta shpija krevatin në vend. Rasti më i veçantë dhe i favorshëm do ishte po qe se do pikonte në vaskën e dushit, por mundësitë për të janë 1 në 1350, sipas disa llogaritjeve të bëra mbi planimetrinë e shtëpisë.

Dikush mund të thotë, që shprehja ka kuptim alegorik dhe se nuk është thjesht për pikën, por për hallin dhe problemin që ka çdo individ ose familje. Edhe? C’lloj alegorie e zgjuar është kjo? Pse nuk thonë : Cilido e di vetë sa para ka në bankë? Apo se të kesh para në bankë nuk është hall. Eshtë hall dhe i madh madje. Se më të shumtit nuk kanë aq para sa ju duhen për të jetuar disi dhe ata që kanë para më se të mjafta nuk janë asnjëherë të kënaqur, por duan më shumë. Balanca e llogarisë bankare është ku e ku më shqetësuese se pika e çatisë. Se pikës i ve kova dhe legenë dhe ja ndërron edhe sikur stina e shirave të jetë si në Vietnam, por llogarisë bankare ç’ti bësh?

Eshtë kjo balancë që më shqetëson mua dhe jo pika. Paratë, që rrëfen balanca nuk janë të mjaftueshme për të ndërruar çatinë! Ky është hall. Dhe për pikën nuk bën dot as nga ato fushatat “gofundme” se të gjithë që do e mësojnë do të mbysin me pyetje. Pse nuk e bën pronari ndërrimin e çatisë? Po unë jam pronari. Po kur ti je pronari pse nuk ke lënë mënjanë para të mjaftueshme për emergjencat? Po se nga sa e kisha parë çatinë nuk më dukej se do pikonte. Ku e di ti se nuk do pikonte? Catitë pikojnë. Askush me sy të lirë nuk mund të dallojë nëse do pikojë vjeshtën e ardhme apo jo. Eshtë si tërmeti. Kush e di se kur mund të bjerë tërmet? Këto janë emergjencat dhe çdo pronar (ku hyn dhe ti) duhet të ketë fondin rezervë të emergjencave. Kupton?

Dhe kështu hallin e mësojnë edhe qindra të tjerë dhe nuk e di vetëm unë se ku më pikon çatia.

Që në fund të fundit nuk ndryshon asgjë. Catia vazhdon të pikojë.

Qeveritarët ndërhyjnë në arkitekturë vetëm në regjimet totalitare

 

Largimi nga jeta i arkitektit të mirënjohur Vladimir Bregu më rikujtoi edhe një herë raportet jo të mira që kanë arkitektët me regjimin në Shqipëri. Biseda e fundit me të u soll kryesisht rreth klimës jo të mirë, që është kryesisht në Tiranë për arkitektët shqiptarë. Gjithshka të rëndësishme e projektojnë të huajt sepse kështu do Edi Rama. Lad Bregut as ju ofrua mundësia për të bërë projektin e rinovimit të njërës nga veprat e tij, ajo që njihet si Piramida. As u konsultuan me të.

Gjatë bisedës unë këmbëngulja se një pjesë të madhe të përgjegjësisë e kemi dhe vetë, që nuk jemi në gjendje të solidarizohemi dhe t’i imponohemi pushtetit. Ladi, që e njihte mirë situatën në Tiranë më tha me pak fjalë se nuk mund të bëhet asgjë. Ndjehej i dorëzuar. Ndoshta arkitekti më i mirë shqiptar, (edhe pse në art është vështirë të thuhet më i miri) në moshën e pjekurisë të plotë të arkitektit. I lënë mënjanë.

I lënë mënjanë është edhe një arkitekt tjetër shumë i mirë, miku im, që merret me një lloj tjetër biznesi për të mos trokitur dyerve të politikanëve. Po ashtu dy arkitektë të një niveli ndërkombëtar, të cilët me vështirësi mbajnë biznesin e studios së tyre në Tiranë. Nuk janë vetëm disa nga arkitektët e brezit tim, pra arkitektë 50-60 vjeçarë, që duhet të ishin baza e arkitekturës shqiptare dhe që jo vetëm do krijonin me cilësi, por do përcillnin përvojën e tyre tek arkitektët më të rinj shqiptarë.

Klima jo e favorshme ndaj arkitektëve më sjell në mendje mesin e viteve ’30, kur nazistët detyruan që të largoheshin nga Gjermania e Valter Gropiusin dhe Mies Van Der Rohen. Të dy nuk kishin menduar të largoheshin nga Gjermania e tyre, por po shihnin që mund të mbeteshin pa punë ose edhe mund të përfundonin burgjeve për idetë e tyre moderne në artin e arkitekturës. Më pas, veprat e mëdha shtetërore i projektonte famëkeqi Albert Speer sipas shijeve të Hitlerit. U ndërtuan plot vepra batalle që nuk i sollën asnjë përmirësim Berlinit dhe qyteteve të tjera gjermane.

Edhe pse krahasimi çalon në prirjen që ka Rama ndaj arkitekturës me prirjen e Hitlerit, idea se vetëm në kokën e Liderit mund të ketë vizione për qytetet është identike. Vjen nga deliri i madhështisë, nga dëshira për të qënë të përjetshëm me vepra që nuk shkatërrohen dot nga agjentët atmosferikë apo nga arsye të tjera narcisiste, kjo vlen për studime komplekse dhe nuk na ndih për t’i ndalur. Të njjtin kompleks ka princi i kurorës i Arabisë Saudite, që po ndërton një qytet “idiot” të quajtur Linja në mes të shkretëtirës me idenë “se kjo do jetë Piramida ime”.

Me përjashtime të vogla, të gjitha mega-projektet në Tiranë të projektuara nga arkitektët e huaj vuajnë nga mospërputhja me ndërtimet e tjera, nga proporcionimet jo brenda natyrës njerëzore, nga ide të cekëta eksperimentuese në arkitekturë. Të njëjtat problem kanë projektet e të huajve në Korçë dhe Vlorë.

Po përse ky sulm ndaj arkitektëve vendas nga ky qeveritar që hiqet patriot i madh dhe mbrojtës i interesave të Shqipërisë? Si mund të mbrohet Shqipëria, kur nuk mbrohen interesat e pjesëve të shoqërisë së saj?

Në shkrime të mëparshme kam përmendur se korrupsioni duhet të jetë arsyeja, pasi me të huajt veprimet bëhen më “memece”. Tani vonë, një mik i mençur dhe shumë i besueshëm më siguroi se arsyeja kryesore është përçmimi, që ka ndaj arkitektëve vendas. Ndoshta një përçmim që ka zanafillën në dështimin e tij si piktor.

Të dashur kolegë ne jemi shumë dhe një pjesë e mirë shumë të talentuar. Mos lejoni Ramën dhe zarbat e tij të na nëpërkëmbin! Nuk jetojmë në Diktaturë!