Monday 30 January 2023

Gjurmë mbi rërën e lagur

Unë i njoh gjurmët e mija mbi rërën e lagur,

Gjatësinë e gishtërinjve,

Mbi thembrat peshë,

Të tabanit kurbë,

Ashtu si njoh ritmin e vargut,

Dhe melodinë e rimave që më rri në vesh.

Po ndërsa gjurmët,

Pas disa çastesh vala do i fshijë,

Dua vargjet shpirtra të trazojnë,

Të ngjethura të sjellin

Për ata që i shohin

Dhe me zemër i dëgjojnë;

A ndoshta dhe të tjerë që më pas do vijnë.

Për dikë që nuk do të shkojë dëfrimeve

Ndonëse është e shtunë

Dhe ndërsa kohën për të vrarë,

Rastësisht dora i kap librin tim,

Dhe deri në fund një poezi lexon

Të thotë:

“Kështu jam ndjerë edhe unë!”

A i korrupton dot Rama funksionarët e lartë amerikanë?

 

Qarkullojnë prej vitesh fjalë në Shqipëri, se Rama me Rilindasit i kanë korruptuar funksionarët amerikanë duke nisur nga ambasadorët, punonjësit e ambasadave dhe deri në anëtarë të Kongresit apo funksionarë të Departamentit të Shtetit. Janë zëra , që ushqehen nga opozita, e cila nuk e mund dot në zgjedhje dhe besohen nga një popull, që në vite është ushqyer me idenë se Amerika është e plotfuqishme dhe ka në dorë gjithshka. Rasti i fundit i një oficeri të lartë të FBI-së, i bën më të vendosur  përkrahësit “miopë“ të kësaj teorie konspirative dhe që janë në të dy krahët e elektoratit shqiptar. Edhe vetë “Rilindasve” ju pëlqen të qarkullojë kjo legjendë, për të dëshmuar forcën që nuk e kanë.

Eshtë e natyrshme, që Rama me bandën e tij të përpiqet të korruptojë zyrtarë amerikanë. Ndodh në çdo vend të botës. Në vendet me institucione të fuqishme, për të patur informacione dhe për të ndikuar vendime në dobi të vendit të tyre dhe në vendet “lëngër-dëngër” (si i joni) për të mbrojtur interesat e klikave drejtuese. Por edhe pse nuk është e pamundur të korruptosh një zyrtar amerikan, gjithashtu është shumë e vështirë. Jo se të gjithë zyrtarët amerikanë janë ëngjëj, por pjesa dërmuese e tyre nuk do të rrezikojë karrierën për një shumë parash, sado joshëse të jetë. Karriera në segmentet e shtetit amerikan për ta është konsolidim ekonomik dhe njëkohësisht i reputacionit. Thuajse të gjithë funksionarët e lartë, pas pensionit nga punët shtetërore shkojnë në biznese private me pagesa shumë herë më të mëdha. Kjo në sajë të emrit të mirë dhe të lidhjeve , që kanë.

Po si shpjegohet atëhere rasti McGonigal dhe zhurrma rreth tij?

Drejtuesi i drejtorisë së Kundërzbulimit të FBI-së për shtetin e Nju Jorkut është një funksionar i nivelit jo të lartë. SHBA ka 50 shtete dhe FBI-ja ka shumë drejtori në çdo shtet dhe më shumë në qendër. E megjithatë ai ka qënë dikush që ka pasur në dorë dhe ka marrë një “dorë me para” për të bërë diçka të thjeshtë. I tillë është “korrupsioni” i tij në raport me Agron Nezën dhe qverinë shqiptare. Bëj diçka që është e ligjshme, si hapja e një dosjeje për dikë që është ngatërruar me Bashën dhe për këtë mori shpërblim!

Të qënit plotësisht “i korruptuar” është në rastin kur Rama me Nezën e “futin në thes” dhe janë në gjendje të marrin vazhdimisht shërbime prej tij. Asnjëri prej tyre nuk ka pasur dot në kontroll McGonigal veç i kanë dhënë një shumë dollarësh, që me siguri vijnë nga xhepa “hajnash” të tjerë të Rilindjes.

McGonigal ka bërë diçka të ligjshme në hapjen e dosjes për “çështjen Basha”, përveç marrjes së ryshfetit që bie në kundërshtim me ligjin.

Sigurisht kjo që ndodhi i vjen për shtat Berishës dhe pasuesve të tij, që mund të bëjnë tashmë të sigurt se në të njëjtën mënyrë është arritur të shpallet “non grata” Saliu dhe familja e tij. Por kjo as e shpëton Saliun dhe as e rrëzon dot Ramën, veç i zgjat jetën politike edhe pak një “kufome politike” si Berisha.

 

 

 

Sunday 29 January 2023

“Përgatitja” jonë për luftë (fund)


(vijim)

Nuk e kam kuptuar ndonjëherë se përse të diplomuarit në universitet, pas një kursi 3 ose 6 mujor bëheshin oficerë rezervistë dhe të tillë nuk ishin ata , që kishin bërë nga dy ose tre vjet ushtri. Ne, “të shkolluarit” ishim sipas Partisë më të aftë për të drejtuar “trupat”, apo i përkisnim një klase të privigjeluarish? Gjithsesi, kjo na vinte për shtat, se e kishim një lloj ideje se ]’ishin dy vitet e ushtrisë. Disa muaj nuk ishin keq nëse krahasoheshin me një minimum prej 24 muajsh. “Artin ushtarak”, që kishte ndryshuar nga ai i “ushtrisë së kazermave” tek ai i “tezave të zeza të rrëshqitjes” dhe kishte përfunduar në “gjithë populli ushtar” duhet ta përvetësonim në tre muaj dhe të ishim në gjendje të drejtonim një togë apo një kompani.

Nuk di nëse kishte ndonjë gjatë kursit tonë 3-mujor, që donte të përvetësonte “artin ushtarak”, por mua dhe shokëve të mij nuk ju bëhej vonë as për stërvitjen, as për mësimet dhe as për provimin, që duhet të jepnim në fund të kursit. Ishte viti 1984 dhe edhe nëse nuk ishim kthyer në disidentë, ishim totalisht indiferentë ndaj çështjeve të mbrojtjes së Atdheut. Nuk di nëse kishim siguri, që nuk do na sulmonte njeri apo nuk na bëhej vonë edhe nëse na sulmonin. Kishte filluar racionimi i ushqimeve dhe gjendja ekonomike e vendit sa shkonte dhe keqësohej më shumë. Nuk kishim kureshtje as për përrallat me NATO dhe Traktat i Varshavës, që thurrnin plane se si të shuanin “fanarin ndriçues në brigjet e Adriatikut”. Donim vetëm të shtynim ato tre muaj të bezdishëm e të fillonim punë për të marrë një rrogë.

Si oficerë rezervë duhet të bënim 21 ditë në vit “shërbim ushtarak”, që përfshinte dy javë grumbullimi me trupat dhe një ose dy “alarme” dhe një javë studim dhe rifreskim të mësimeve. “Alarmet”, që ishin prova të gatishmërisë nëse sulmoheshim papritur nisnin me një trokitje pas mesnate, (që alarmonte tërë familjen) dhe duhet të nxitoje të arrije në kohë atje ku ishte “pika e hapjes” tek e cila kishe uniformën, paisjet dhe armën. Ato dy orë, që na merrte ecja deri në pikën e hapjes, si dhe veshja, rrjeshtimi dhe e hipura në makina për të shkuar në front, ishin të mjafta, që armiqtë të na ksihin bërë “bërlok”, por Partia kishte një shërbim të lavdishëm kundërspiunazhi, që mësonte disa orë para se kur do na sulmonin NATO-ja, Traktati i Varshavës apo ndonjë vend fqinj. Kjo na siguronte se avionët do rrëzoheshin në kohë nga shërbimi kundërajror dhe parashutistët, që do desantonin do ishin likuiduar nga ushtarët dhe forcat vullnetare, që do kishin zënë me kohë qendrat e zjarrit.

Unë bëja pjesë në një brigadë artilerie, që do merrte pjesë në luftime luftarake të zgjatura kundër “objektivave armike” në distancë dhe ndaj tankeve armiq. Armatimet ishin kryesisht kineze, por kishte ende edhe topa sovjetikë. Por si na kishin mësuar gjatë gjithë viteve që përgatiteshim ushtarakisht, njeriu ishte mbi armën dhe jo arma mbi njeriun. Kjo na bënte të kishim epërsi ndaj armiqve, që mund të kishin armë më të sofistikuara, por nuk kishin në shpirt “zjarrin” që ndizte zemrat tona, se luftonim për të mbrojtur Atdheun, socializmin dhe idealet komuniste. Në vitet ’80 nuk kishim më as ndihmën e 700 milion kinezëve, që si të tjerët, kishin tradhëtuar marksizëm-leninizmin.

Ajo që na bënte të ndjeheshim të sigurt, që nuk do kishte luftë, nuk ishte as përgatitja jonë, as besimi në pathyeshmërinë e “popullit ushtar”, por një ndjenjë se nuk do kishte luftë në Europë pas asaj ç’kishte parë Europa gjatë Luftës së Dytë. Dhe duke përjashtuar përplasjet midis grupimeve katolike dhe protestante në Irlandën e veriut, që përgjithësisht ishin veprime terroristësh, në Europë nuk pati luftë deri në vitet ’90, kur nisën luftërat në Jugosllavi.

Populli ynë, që nga një “popull ushtar” ishte populli më pak luftëdashës në gjithë Europën. Për fat të mirë nuk ishin krijuar qarqe të fuqishme ushtarakësh, të cilët mund të rrezikonin në çdo çast në një vend të paqëndrueshëm vendosjen e një Diktature të djathtë ose të majtë. Oficerët e liruar emigruan në masë dhe një pjesë hapën biznese të vogla ose u morrën me kambizëm. E theksoj për fat të mirë, jemi një vend ushtarakisht i dobët, dhe nuk kemi njerëz që t’ju marrë koka erë dhe të krijojnë konflikte ushtarake me fqinjët. Ndoshta në urrejtjen për armët dhe uniformat ndikoi për mirë edhe Partia jonë e lavdishme, që na mbajti në një tension imagjinar të përgatitjeve për luftë.

Friday 27 January 2023

“Përgatitja” jonë për luftë (2)

 


(vijim)

Me oficerët patëm pak të bënim edhe gjatë viteve të gjimnazit, kur filluam të “stërviteshim” ushtarakisht. Shkolla kishte një oficer, që ishte nëndrejtori ushtarak dhe një nënoficer, që ishte magazinieri i depos luftarake të shkollës, ku mbaheshin armët dhe të tjera paisje. Stërvitjen gjatë një dite të javës e bënin mësuesit tanë, që ishin edhe oficerë rezervistë. Kjo në dy vitet e para, se në dy vitet e fundit bënim një grumbullim tre javor, të veshur me uniforma ushtarake dhe me paisjet në kurriz.

Ne patëm “fatin” të na i bënte një mësues letërsie, që ishte lindur për oficer dhe që na i bënte të padurueshme ditën e ushtarakes, e cila për të tjerët ishte thuajse një ditë pushimi. Zelli “ushtarak” i Dh.K. ishte për t’u admiruar dhe nuk kujtoj gjatë gjithë viteve të së mesmes të kemi folur ndonjëherë me të për letërsinë. Vetëm për ushtrinë, Bashkimin Sovjetik dhe sportin. Ishte admirues i hapur i rusëve ( të kohës së Stalinit) edhe pse kjo nuk tingëllonte shumë mirë në kohët kur ne ishim në “luftë me revizionistët”. Nuk i përcolli dot asnjë nxënësi zellin e tij dhe besoj se bëri që ta urrenim më shumë përgatitjen luftarake.

Brezi para nesh dhe ata pas nesh kishin bezdi të madhe nga stërvitjet ushtarake. Flas për rininë e qyteteve, se ndoshta në fshat kishte shumë të rinj me dëshirën për t’u “veshur”, që t’i shpëtonin punëve të rënda të bujqësisë. 99% të kontigjentit të shkollave ushtarake ishin nga fshatrat dhe qytezat. Karriera ushtarake ishte gati e papranueshme për qytetarët. Kishte ikur edhe koha e kolonelëve dhe gjeneralëve, sepse prej vitit 1966, sipas modelit kinez, ishin hequr gradat në ushtri. Histori nga më qesharaket tregoheshin nga ata që kishin mbaruar shërbimin ushtarak dhe përgjithësisht njerëzit talleshin me ushtarakët. Pjesa dërmuese nuk i hiqnin uniformat as në stadium, kinema, vizita familjare, sa dukeshin të çuditshëm kur i shihje rrallë herë të veshur civilë.

Ishte kjo që ka ndikuar edhe në një lloj indifference që popullsia ndoqi spastrimet në ushtri të viteve 1974-75, ku ajo që u quajt “fshesa e hekurt” goditi jo vetëm oficerët madhorë, por edhe shumë e shumë të tjerë në pozita të mesme dhe të ulëta. Por pas këtij spastrimi përgatitja ushtarake e popullsisë civile u bë edhe më e shpeshtë dhe më e rëndë. Në çdo lloj ndërmarjeje dhe institucioni njerëzit u detyruan të bënin “dezhurne” 24 orëshe, me zarfe sekrete në sirtare dhe me një skemë të lajmërimit të “kontigjenteve” nëse do sulmoheshim. Tensioni i “mbrojtjes nga armiqtë“ ishte tërësisht artificial sepse nuk kishte asnjë lloj zhvillimi në Europë, që të justifikonte një gjendje të tillë, përfshi edhe instalimin e mijëra QZ në gjithë territorin shqiptar. (QZ ishin qendrat e zjarrit, që sot njihen si bunkerët.) Më shumë se paranoia e Diktatorit se do e rrëzonin nga jashtë, ishte frika e tij se njerëzit nën ndikimin e brendshëm mund të fillonin të shprehnin hapur pakënaqësitë nga shkurtimet e ushqimeve, që vinin si rrjedhojë e shkurtimit të ndihmave nga Kina.

Ne ishim pjesë e “gjithë popullit ushtar” dhe në universitet, ku bënim çdo vit 3 javë “zbor”, si dhe një herë në muaj roje tek depot e armëve në Qytetin e Studentit. Kishim nisur të kuptonim më shumë se ç’bëehej në vendit tonë “të çuditshëm” dhe të reagonim pasivisht ndaj urdhërave idiote të oficerëve. Për fat të mirë, shumica e pedagogëve, që përbënin shumicën e drejtuesve ushtarakë në zbore kishin të njëjtën ide ndaj marrëzisë të mbrojtjes nga NATO dhe Traktati i Varshavës. Kodrave të Mamurrasit dhe brigjeve të Droit shtynim ditët duke u shëllërur dhe duke u tallur me të gjithë ushtarakët e botës. Po përgatiteshim si një brez, që ishte tërësisht kundër çdo lufte dhe kundër çdo lloj arme. Nuk ndjenim asnjë kënaqësi as kur bënim qitje ndërsa oficerët vërdalloseshin mbi kokat tona duke bërë kujdes “të mos na ndodhte ndonjë ngjarje e jashtëzakonshme”.

(vijon)

Thursday 26 January 2023

Ata e "urrenin" Korçën


Ka pasur një dukuri jo të këndshme për ne korçarët, që dallonim njerëz të cilët kishin antipati për Korçën në vitet '60 dhe '70. Ndodhte tek një pjesë e të ardhurve nga Tirana, që ishin të detyruar të punonin në Korçë.

Transferimi në rrethe për të punuar kishte qënë edhe në vitet '50 për ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ata të Brendëshme, si dhe për funksionarët e lartë të Partisë dhe Komiteteve Ekzekutive, pornë vitin 1966, me luftën kundër burokracisë u shtri edhe në nivele të nëpunësve më të ulët. Nëpunës të Ministrive dhe të ndonjë institucioni qëndror, nisën t'i transferonin nëpër rrethe, gjë që prishte mjaft jetën e tyre familjare, sepse në kryeqytet e kishin ndërtuar një të tillë. Pa llogaritur këtu, që transferimi ishte një hap i madh pas në karrierën e tyre. Korça ishte më pak e preferuar nga të gjitha qytetet e tjera të mëdha, për shkak të distancës nga kryeqyteti dhe dimrit të ashpër. Duheshin të paktën 4 orë nëse mund të gjeje një makinë mallrash dhe 8 orë me linjë të rregullt tren-autobuz. Nuk kishte linjë të drejtpërdrejtë autobuzi Tiranë-Korçë.

Vetë jeta në Korçë kishte marrë të tatëpjetën prej ardhjes në fuqi të Diktaturës, për shkak të mbylljes së kufijve me Greqinë, me të cilën ishim në gjendje lufte. Një pjesë e mirë e intelektualëve, për arsye të ndryshme kishin ikur në Tiranë dhe në qytetet të tjera dhe nga qëndra e kulturës shqiptare në vitet e paraluftës, Korça kishte filluar të merrte natyrën e një qyteti provincial.

"Të transferuarit", të cilëve ju rrinte mbi kokë "mungesa e afatit", për arsyet e mësipërme dhe nga që nuk shprehnin dot pakënaqësinë ndaj Partisë, e kishin drejtuar pakënaqësinë e tyre ndaj Korçës. Ndoshta rol luante edhe një lloj homogjenizmi i popullsisë vendase dhe integrimi i ngadalshëm i "të ardhurve". Ata shpesh shoqëroheshin mes tyre dhe "qanin hallin" e largësisë nga Tirana e tyre dhe se ç'gurë po lëviznin për t'u kthyer në kryeqytet.

E kisha ndjerë disa herë vetë dhe edhe pse nuk e kisha diskutuar me njeri më dhembte, që njerëz që vlerësoja të mos kishin simpati për qytetin tim dhe njerëzit e tij. Për mua ishte gjithshka, sepse jo vetëm që isha fëmijë dhe në të gjeja gjithshka të bukur, por isha rritur edhe me ndjenjën "Korça është e para!", e ushqyer nga im atë, i cili madje nuk kishte lindur në Korçë. Ato që përmendin të rriturit, të cilët kishin edhe një lloj anësie për qytetin, ishin kultura, edukata e punës, respektimi i rregullave, klima dhe qytetërimi. Vite më vonë, kur u rrita dhe pata më shumë udhëtime në Shqipëri e kuptova që kishin patur përgjithësisht të drejtë.

Sigurisht të drejtë kishin edhe "të ardhurit", që nga një jetë më e mirë në Tiranë ishin të detyruar të jetonin në një qytet të largët dhe me pak mundësi karriere. Ajo që më pat lënduar më shumë, kur kam qënë 13-14 vjet, ishte kur lexova rastësisht në bllokun e një bashkënxënësi një shënim që pak a shumë ishte i tillë: "Korça -Parisi i vogël. sepse këtu janë mbledhur të gjitha vogëlsitë dhe të këqiat e Parisit ngathashethemet, intrigat, zilitë, kopracia..." U ndjeva shumë keq sepse nuk e prisja një përshtypje të tillë dhe ndonëse isha në praninë e bashkënxënësit tim nuk i thashë gjë. Ndjeva që ishte një deduksion "i mëkuar" në familje. Kishin vite që rronin me ëndërrën e kthimit në Tiranë. Në fundin e viteve '70 dhe fillimin e viteve '80 e hasa edhe tek të tjerë njerëz, disa prej të cilëve ishin edhe me origjinë nga Korça. I kuptoja arsyet e tyre dhe tani kuptoj edhe pse antipatia dhe urrejtja duhet të drejtohen diku dhe në ato raste drejtohej ndaj qytetit dhe njerëzve që nuk ju kishin ndonjë faj. Jose qyteti im dhe njerëzit e tij ishin të përsosur, por them pa frikë që ishin ndër më të mirët e shqiptarëve. Nëse nuk gjeje dot të mirat në një qytet si i imi, kjo vinte nga fakti se nuk doje t'i gjeje këto të mira. Ishe i predispozuar të kërkojetë keqen.

Rreth 20 vjet më parë, u takova me një bashkënxënësen time, që në mesin e viteve '70 ishte transferuar në Durrës. Kishte jetuar 4-5 vjet në Korçë, pasi kishin qënë familisht në Tiranë. U çudita kur më tha se pasi kishte jetuar fillimin e adoleshencës në Korçë, jeta në Durrës kishte qënë mbytëse për një vajzë të re. Kisha patur përshtypjen se Durrësi i kohës së Diktaturës ishte ndoshta qyteti më liberal dhe i përparuar, për shkak të Portit dhe kontakteve më të shumta me të huajt, por nuk paska qënë i tillë. Ndjeva një lloj "hakmarrjeje" të ëmbël ndaj atyre që më kishin lënduar në fëmijëri dhe adoleshencë me anti-korçarizmin e tyre.

Wednesday 25 January 2023

225 mijë dollarë


Më tërhoqi vëmendjen ky lajm për një arsye tepër qesharake. Nuk më dukete çuditshme, që një oficer FBI-e të korruptohet. Ka ndodhur edhe më parë.

Nuk më duket aspak e çuditshme, që një shqiptar të japë para tek një nëpunës jo i vogël amerikan. Paratë nuk kanë as komb, as ngjyrë dhe nuk bien erë.

Nuk më bëri përshtypje se zyrtarin amerikan Rama e ka quajtur dikur mik, sepse kur bëhet fjalë për zyrtarët amerikanë, politikanët tanë nuk e kanë për gjë t'iquajnë miq për kokë.

Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte shuma 225 mijë. Ka ndodhur edhe më parë nëraste korrupsioni në botë të has në shuma "jo rrumbullak". Nuk është as 250 dhe as 200, por pikërisht 225.

Si arrijnë të merren vesh për shuma të tilla?

Bëjnë pazar, se zyrtari kërkon në fillim 300 dhe këta i ofrojnë deri në 200 dhe pastaj pas shumë diskutimesh dhe ulje ngritjesh arrijnë në shumën 225?

Apo rryshfeti ka qënë në euro dhe në vitin 2018, kur i janë dhënë paratë amerikanit, 200 mijë euro bënin 225 mijë dollarë? Po kurset e monedhës i kanë numurat me disa shifra pas presjes dhjetore dhe kështu edhe numuri 225 duhet të ketë ca bishta pas dhe jo vetëm zero.

Si përcaktohen vlerat e shërbimeve në tregun e zi të korrupsionit?

Kjo punë e ka vlerën të paktën ]erek milioni! Ne i morëm Katarit për një punë më të vogël se kjo 400 mijë dollarë!

Apo: po na e mbarove këtë punën e shmangies të asaj kompanisë ruse edhe ne nuk do të ta lemë ashtu! Po sa është kjo "ashtu"? 5% e vlerës së  kontratës. Unë punoj gjithnjë me 8%. Nuk mund të ulem kaq poshtë!

Komunistët tanë kishin gjetur dikur një parrullë shumë të bukur kundër bakshishit, që mund ta lexoje në ]do berberhanë: "Bakshishi prish ndërgjegjen e atij që e jep dhe ul dinjitetin e atij që e merr!" (Ndoshta dhe e kishin kopjuar gjëkundi se nuk kishin shumë fantazi instruktorët e Komitetit Qëmdror.)

Me një fjalë e gjitha ishte një ]ështje ndërgjegjeje dhe dinjiteti. Ndërgjegjeprishuri nxirrte nga xhepi bakshsishin dhe dinjitetuluri e fuste në xhepin e tij.

Po a duhet të arrestohen njerëzit për gjëra kaq të vogla si "prishja e ndërgjegjes" apo "ulja e dinjitetit"? Dhe për më tepër kur numuri nuk ka qënë rrumbullak?!

Tuesday 24 January 2023

Lajmet vijne gjithnje nga Lindja (fragment)

 ...

Në vendin e tij ato kohë ishin turqit dhe Spanja ishte e largët, ndërsa Espanjola shumë herë më e largët, a ndoshta parardhësit e tij nuk kishin dëgjuar për të. Gjithshka për ta ishte në Lindje dhe Perëndimi e kishte fundin në Romë dhe në vendin nga kishin ardhur  Anzhutë. Allamanët ishin larg dhe më larg ishin rusët. Rusët ishin edhe armiq të Sulltanit.

Qyteza e të parëve të tij kishte qënë e vogël dhe nuk kishte lumë të madh. Deti ishte larg. Veç një nizami, që kishte përfunduar në një nga anijet e flotës turke, nga ai vend nuk kishte patur marinarë. Pa patur marinarë ishte zor të mësoje ç'bëhej në vendet përtej detit.Lajmet i sillnin vetëm qerraxhinjtë. Edhe ata nuk shkonin më larg se Vllahia. Më të kuturisurit ishin degdisur deri në vendin e mamlukëve, prej ku nuk ishin kthyer më. Nuk kishte patur lajmeas nga vendi i mamlukëve.

Rakip Marinari, nizami që kishte përfunduar që ishte kthyer nga Izmiri kur i kishte lënë të dyzetat, ishte çdo ditë i dehur në një nga "qylhanat" e Pazarit dhe tregonte të njëjtën histori, kur kishin ndjekur dhe djegur anijen e piratëve pranë Kretës. Ishte i gjatë dhe ezmer. Faqet i kishte të futura brenda kafkës, sa të dukej sikur i mbante përherë të thithura. Në cepat e syve kishte katër rrudha të thella, të cilat të krijonin përshtypjen se mbeteshin të tilla edhe kur flinte. Pasardhësve të tij, nga Rakipi ju kishte mbetur vetëm mbiemri Marinari, se të gjithë kishin qënë të shkurtër dhe me mollëza ngjyrë trëndafili. Nuk kishte mbetur më asnjë shënjë e detarit të vetëm të qytezës. Vetëm historitë rreth bëmave të tij dhe një pijetore e quajtur  "Spiranca", që Marinarët pasardhës e kishin prej më shumë se një shekulli në Pazarin e Ri. Në vendin më të dukshëm pas banakut, kishin vënë një portret në vaj të Rakipit, të bërë nga një piktor i qytezës, bazuar në foton e më të vjetrit të Marinarëve. Rakipi, me një shami të kuqe pështjellë rreth kokës në pikturë ishte topolak dhe me sy të mëdhenj zhbirues. Fotoja kishte qënë e njërit prej stërnipërve të tij të shumtë. 

Marinarët thoshin se idea e "Spirancës" kishte lindur nga që në atë vend kishte qënë qylhana e vjetër, ku thuhej se detari i famshëm kishte hedhur spirancën për herë të fundit pas shumë udhëtimesh. Por kjo ngjallte shumë zënka mes tyre dhe pazarxhinjve të tjerë, të cilët theshin se Pazari i kohës së Raipit kishte qënë në Kala, prandaj dhe këtij pranë Varoshit të Poshtëm ja kishin vënë Pazar i Ri. Por Marinarët ngulnin këmbë se Pazari nuk kishte qënë asnjëherë në Kala, por gjithnjë në Varoshon e Poshtëm dhe për këtë sillnin shembuj të gjitha qytezat e tjera me kala që nuk kishin pazare brenda mureve të tyre. Rakueli, më i shkolluari i Marinarëve, sillte si argument për emërtimin Pazar i Ri, se pasi ishte djegur tre here, dyqind vjet më parë, banorët kishin  hequr dorë nga ndërtimet e drunjta dhe të gjitha dyqanet i kishin ndërtuar dykatëshe prej guri dhe me qemere guri si mbulesa, mni të cilat ishin shtuar tjegullat e dorës vetëm si dekoracion.

Madje ai shkonte më tej në mbrojtjen, që i bënte vendit ku kishte kaluar pleqërinë parardhësii tyre i bujshëm. Gjatë ndërtimit të një nyjeje të re sanitare në bodrumin e pijetores, kishin gjetur një palë tespije të bëra me dorë prej koralesh, që sipas tij ishte provë e sigurt se Rakip Marinari jo vetëm që kalonte gjithë ditën ne ate vend, por pikërisht atje kishte humbur edhe tespijet. Dhe tespije korali nuk mund të mbante kush tjetër veç një detari.

...


Monday 23 January 2023

A duhet të festohet 11 janari si Festa e Republikës?


Një gazetar, që nuk është mes më "zorraxhinjve" të socialistëve të Ramës. diku kishte përmendur 11, 17 dhe 21 janarin, duke nënvizuar se buja rreth vrasjeve të 21 janarit të bëra me urdhërin e Berishës, kishte errësuar rëndësinë e Shpalljes së Republikës dhe 555 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut.

Në historinë e çdo Kombi ka data shumë të rëndësishme, ka data të rëndësishmemdhe data në të cilat mund të kujtohet një ngjarje. Më të rëndësishmet, bëhen ditë pushimi për tu festuar sa më mirë, disa festohen mirë edhe pa u shpallur festa dhe të tjerat përkujtohen në ndonjë mbledhje jubilare.

11 janari i vitit 1946 nuk duhet të bëjë pjesë në më të rëndësishmet dhe as në të rëndësishmet, po qe se e krahasojmë me ditët e lindjes dhe vdekjes së Gjergj Kastriotit apo edhe me Ditën e Shënjtërimit të Nënë Terezës.

Ka një arsye të fortë, që më bën të arrij në këtë përfundim edhe pse jam ithtar i Republikës si formë shteteërore dhe kundërshtar i flakët i Monarkisë. Në janar të vitit 1946, pasi ishin kryer zgjedhjet jo të rregullta për Asamblenë Kushtetuese, banda e Enver Hoxhës pasi kishte shkelur çdo premtim, që i kishte bërë popullit për tu ngritur në luftë, apo edhe nacionalistëve për t'u bashkuar në Frontin nacional Clirimtar, kishte edhe rreth 14-15 muaj që ushtronte terror ndaj kundërshtarëve të mundshëm politikë. Ishin vrarë pa gjyq dhjetra kundërshtarë, disa kolaboracionistë, por edhe shumë të tjerë që nuk kishin bashkëpunuar me pushtuesin.

Në një klimë të tillë terrori zgjedhjet nuk kishte se si të ishin të rregullta, megjithëse Fronti edhe në zgjedhje të lira duhet të kishte fituar shumicën. Por problemi i formës së shtetit ishte përcaktuar më parë dhe pikërisht në Kongresin e Përmetit, më 24 maj 1944, datën e të cilit mbante edhe Stema e Republikës së Re. Pra kemi një Kongres të thirrur në mesin e luftës nga një forcë ushtarako-politike, e cila përjashton nga proçesi politik i pasluftës Mbretin Zog. Veprim arbitrar, shumë i dyshimtë dhe që tregon frikën që kishin komunistët ngazgjedhjet e lira dhe nga ndikimi i Zogut nëse do lejohej të kthehej në Shqipëri.

Shteti shqiptar, që në fillimet e tij në vitet e pasluftës së Parë, kur u njoh zyrtarisht nga Fuqitë e Mëdha ishte përcaktuar si një Monarki. Por duke qënë një Monarki pa Mbret ishte drejtuar për shumë vite nga një Regjencë, që në vetvete ishte një lloj kompromisi politik deri sa të gjetej një zgjidhje më e saktë. Pas dështimit të grushtit të shtetit të vitit 1924, Zogu me mbështetësit e tij, por edhe me individë asnjëanës vendosën të zgjidhnin problemin e Regjencës të pafuqishme dhe në janar të vitit 1925 ndryshuan kushtetutën e Shqipëris dhe e kthyen në shtetin shqiptar në një Republikë Parlamentare, të quajtur Republika Shqiptare. Edhe pse kushtetuta i jepte presidentit fuqi të mëdha, shteti përsëri mbetej shumë herë më demokratik se sa Republika Popullore e vitit 1946. Ishin të njëjtët njerëz, të cilët pas gati katër vitesh e kthyen Republikën në Monarki Kushtetuese me Mbret Zogun, një veprim i uzurpimit tëpushtetit. E megjithatë, kalimi nga Monarkia në Republikë nuk duhej të bëhej si u bë në procesin Kongres i Përmetit-Asamble Kushtetuese.

Republika e vitit 1946 është Diktatura e Proletariatit, që në vetvete nuk ka asgjë të përbashkët me formën republikane të qeverisjes. 

Edhe ndonjë liri demokratike e përcaktuar në letër, u hoq përfundimisht në Kushtetutën e vitit 1976, që e ktheu Shqipërinë në Republikë Popullore Socialiste. 

Me rrëzimin e Diktaturës, Shqipëria u rishpall Republikë Parlamentare dhe u quajt Republika e Shqipërisë. Nëse na duhet të kemi një festë të Republikës duhet të përcaktojmë ose atë të vitit 1925 ose atë të vitit 1991. Ose të veprojmë si shumë shtete europiane dhe t'i quajmë Republika e Parë dhe Republika e Dytë.

11 janari nuk është data kur populli merr në dorë pushtetin për ta ushtruar, si nënkuptohet në fjalën "demokraci". Eshtë një datë. kur me gënjeshtra dhe terror, komunistët vendosën pushtetin e tyre. Një ripërcaktim i kësaj date duhet të ndiqet edhe nga ripërcaktimi i drejtuesve të shtetit shqiptar në ato vite, që quheshin Presidentë të Republikës ose të Presidiumit të Kuvendit Popullor. Emrat e Omer Nishanit, Haxhi Lleshit apo Ramiz Alisë (për vitet e Diktaturës) nuk duhet të përmenden si krerë të shtetit. 

Ai shtet kishte emrin e tij të pafshehur Diktaturë e Proletariatit (sipas komunistëve forma më e lartë e demokracisë) dhe një Diktator (emër që nuk thuhej), i cili ishte Enver Hoxha.

Sunday 22 January 2023

Shishe me kumt

 E zbraza shishen mbushur hidhërim

Dhe dy gisht letër futa në të.

Oqeani i zbutur këmbët lëpin,

Përreth asgjë nuk pipëtin,

Nuk luan asgjë.

A vallë munden të ujit rryma

Ta shpien mijëra kilometra larg;

Dhe ndërsa ti bregut shëtit,

Të qelqtën që plluskon mbi dallgë të dallosh,

E mos i trembesh ujit që kindat të lag?

Të shohësh ç'dërgonin të mbytyrit

Mes oqeanit kumte,

Në vitet e gjemive të drunjta

Dhe të të qelqtave shishe?

Nëse vërtet e gjen,

E hap,

E lexon,

Do gjesh të shkruar vitin kur ishe.

Ti ishe vetëm

Bashkë nuk ishim më ne,

Jo si në kohët e lashta,

Tashmë shekuj kishin kaluar,

Ishte shkruar 2023.

Friday 20 January 2023

"Te fortët" dhe "të urtët"




Ka një prirje në historiografi, që thekson rolin e " të urtëve" në Historinë e Njerëzimit. Ka shumë të ngjarë të jetë e stërmadhuar, sepse në historitë e popujve të ndryshëm, figurat më të rëndësishme historike kanë qënë "të dhunëshmit" (pra të fortët)dhe ndryshimet (apo edhe evoluimi i një shoqërie) ka ardhur si rrjedhim kryesisht i veprimtarisë së tyre.

Por le të mos e tejkalojmë "objektivin" e këtij shënimi të shkurtër, që ka të bëjë me një lloj analogjie të ngjarjeve të disa shekujv më parë me ato të sotmet. Dhe pikërisht me sjelljen e "të fortëve", të cilët në shoqëritë me institucione të dobëta bëjnë ligjin.

Unë dhe shumë moshatarë të mij u lindëm në pjesën "fushore" të Korçës, jo për shkak se " i urti" Iliaz bej Mirahori kërkoi nga Sulltan Bajaziti t'i jepej fshati Peshkëpi, porse i biri i tij, Safet beu, pas vdekjes së Iliazit. zhvendosi me dhunë tregun nga Mborja në vendin ku është sot Pazari i Korçës.

"Po mirë bëri," mund të hidhen e të thonë disa që nguten- "pse skërkave do rrinim?"

Këto rrjeshta nuk janë për të gjykuar Safet beun. Janë një lloj meditim-analize për rolin që kanë në shoqëri "njerëzit e dhunës".

Njerëzit e "fortë" përgjithësisht nisen nga motive tepër materialiste si paratë, pronat, gratë etj. Edhe nëse ka raste që motivet mund të jenë në dukje ideologjike ose ndjesore si feja apo hakmarrja, në bazë përsëri janë shkaqet materiale dhe territoriale. Në rastin e Safet Mirahorit, ai kërkonte çvendosjen e tregut në territorin e tij, për të marrë taksadhe për të pasur zhvillim krahasuar me vendbanimin "rival", që ishte Mborja. Edhe në Mborje shumica e popullsisë ishte kthyer në myslimane dhe kishte veç tregut edhe një xhami dhe një hamam. 

Mënyra e përdorur nga Safet beu është gati identike me ato që përdorin "zullumqarët" e sotëm, Në fillim trimat e tij nisën të krijonin sherre dhe turbullira në pazar, më pas rrëmbyen "kazanin" (boilerin) e hamamit dhe shpunë në territorin e tyre. Edhe pas ankesave në Stamboll të mborjarëve, tregu gradualisht u zhvendos atje ku është edhe sot dhe kështu filloi rënia e një vendbanimi dhe lulëzimi i një vendbanimi tjetër.

Në këtë histori të 500 viteve më parë nuk ka as rol të pushtuesve turq, nuk ka as dasi fetare por ka "të dhunshëm", që ushtrojnë forcën dhe terrorin për të përfituar ata vetë dhe klani i tyre.

Vendet perëndimore kanë nxjerrë mësime nga historia dhe për të kufizuar pushtetin e "të fortëve" janë përpjekur të krijojnë institucione të forta, të cilat edhe nëse nuk aplikojnë dot një drejtësi totalisht të kulluar ndalin terrorin dhe arbitraritetin. Eshtë pikërisht kjo arsyeja, që "të fortët" e Shqipërisë duke nisur me kapot e krimit të organizuar dhe duke vazhduar me politikanët kryesorë dhe jetëgjatë, janë kundër krijimit dhe forcimit të institucioneve. Me forcimin e këtyre të fundit, pushteti i tyre zbehet së tepërmi.

Mjaft të shohësh arrogancën e kryeministrit të sotëm, që më shumë se kurrë do të identifikohet si "i fortë" dhe autoritativ. Krijimi i pushteteve serioze juridikë dhe legjislativë i sjellfundin sundimit të tij, që bazohet mbi vjedhjen, krimin dhe terrorin. (Terror është ç'ka ushtrohet me lënien pa punë të njerëzve, që janë kundër drejtimit të tij; blerja e mediavedhe të tjera mënyra , të cilat shumë i quajnë të zgjuara dhe të ligjshme.)

 Shqipëria ka për të ndryshuar atëhere, kur "të urtët" të jenë në gjendje të zotërojnë fushën e mendimit dhe atë poltike.

Për fat të keq, kjo ditë edhe nëse nuk zgjat edhe 500 vite të tjera, do jetë e largët.

Wednesday 18 January 2023

“Përgatitja” jonë për luftë

 

Ne kemi qënë një brez me fat (relativisht), sepse nuk përjetuam luftë në territoret e vendit ku jetonim. I vetmi përjashtim ishte një periudhë disamujore më 1997, por ajo ishte më tepër një gjendje kaotike e popullsisë, me shumë armë në duar të njerëzve. Nuk mund ta quaj luftë, por ishte e mjaftë të të jepte një shijen se ç’mund të ishte një luftë e vërtetë.

E megjithatë ne ishim një brez, që po na përgatisnin për “luftëtarë“ , donim apo nuk donim. Në fundin e viteve ’50, kur u lindëm’ Partia po i jepte fund propagandaës proPaqes dhe po zhvillonte idenë “e luftërave të drejta”. Paqedashësit po cilësoheshin pacifistë dhe ky ishte një cilësor  aspak pozitiv. Njëlloj me centristët dhe oportunistët, që ishin të gjithë shërbëtorë të imperializmit amerikan.

Edukimi për t’u bërë luftëtarë niste që në kopështet e fëmijëve. Nuk di se ku krijoheshin programet e tyre edukative dhe se sa kishin në dorë vetë edukatoret të bënin di]ka, por kujtoj që na mësonin vetëm këngë partizane. Pothuajse asnjë këngë fëmijësh nuk kemi mësuar në ato vite. “Malet me blerim mbuluar”, “O i vogël o partizan”, “Kënga e Mine Pezës”, “Shqipja jonë mori malet”, “Brigad’ e dytë në sulmim” e plot të tjera të krijuara gjatë luftës dhe në vitet e para pas saj. Sot më duket qesharake kur mendoj se 30-40 camërdhokë të ulur në “karegllushka” ngjyrë blu këndonin duke u ]jerrë: “Ngrehu Qemal nga balta/ C’bën tek Varri i Bamit!”

Në vitet e fillores nuk I nënshtroheshim ndonjë përgatitjeje të madhe për luftën, por ato kohë ndodhi pushtimi sovjetik I Cekosllovakisë dhe filluan ndërtimet në masë të vendstrehimeve ajrore, si dhe provat me sirenë për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore të armiqve kapitalisë dhe revizionistë. Nuk po mbetej parcelë e lirë e qytetit, ku të mos ndërtohej një vendstrehim ajror, kryesisht me punë vullnetare. Ishin disa tynele të vegjël betoni të armuar me dy hyrje, që do shpëtonin popullsinë nga bombat e avionëve të huaj. Thuhej që ishin llogaritur t’i rezitonin edhe një sulmi atomik, por sot më duken si vrima, ku mund të mbeteshe i asfiksuar disa orë pas një sulmi të mundshëm ajror.

Po a kishte vërtet të dhëna për ndonjë sulm të mundshëm ajror apo ishte një strategji tensioni për popullin? Duke parë pas 50 vjetësh gjithë zhvillimet politike dhe luftarake në Europë në kohën e Luftës së Ftohtë, mund të thuhet me siguri se nuk kishte asnjë rrezik të na sulmonte kush. Hesapet me Shqipërinë, Perëndimi i kishte mbyllur që në mesin e viteve ’50, kur e kishte pranuar në OKB dhe kishte hequr dorë nga përpjekjet për ta rrëzuar pushtetin nga brenda. Nuk kishte asnjë rrezik që Bashkimi Sovjetik të sulmonte Jugosllavinë dhe Shqipërinë për shkak të Marëveshjes së Jaltës. Fqinjët gjithashtu nuk kishin asnjë lloj interesi dhe as mundësi të gjenin përkrahje nga aleatët e mëdhenj për luftë ndaj Shqipërisë.

Në të njëjtën kohë u fut përgatitja luftarake në sistemin arsimor me të ashtuquajturin “trekëndëshi revolucionar”. Niste që në vitin e parë të së mesmes dhe përkonte edhe me kohën që djemtë i thërrisnin në Degën Ushtarake për kontrollin e famshëm fizik dhe ju jepej libreza ushtarake së bashku me “numurin e vdekjes”. Ishte një ngjarje disi e ]uditshme, që bashkonte të luftuarit për Atdheun, me idenë e vdekjes dhe me daljen për herë të parë lakuriq para të tjerëve. Skena në Degën ishte e ngjashme me episodet absurde të Shvejkut. Oficerët dhe doktorët ushtarakë që na vizitonin në të njëjtën kohë në një sallë, një grup prej 30 adoleshentësh cullak, bënin disa shaka pa kripë për organet tona seksuale, që ishin zhvilluar në mënyrë të ndryshme. Rezultuam të aftë për të shkuar ushtarë.  Ne do ishim luftëtarët e të ardhmes, që do zbatonim symbyllas urdhërat e oficerëve idiotë.

(vijon)

Tuesday 17 January 2023

Herët në mëngjes

Ajo uli pak xhamin e makinës

Sa mund të zgjaste gishtat e saj;

Ulte dhe ngrinte sytë;

Thuajse më shihte tinëz

Nuk donte të shpërthente në vaj.

Unë prekja dy gishtat e zgjatur

Duke mos ditur ç’të thoja,

Pranë mund ta kisha mbajtur

Edhe për një tjetër mëngjes

Ndoshta dhe për një tjetër më shumë

Por s’dija nëse doja të rrinte

Apo të ikte më shumë doja.

Ishte i fundit takim

Apo njëri prej të fundmëve takime;

Celësi ende nuk vinte motorrin në lëvizje

Dora e saj më shumë ishte zgjatur

Dhe nuk lëshonte dorën time.

Ishte një e gjatë rrugë

Mes dhjetra malesh dhe luginash,

Që do e bënte vetë.

Buzën kafshoi,

Celësin ktheu,

Më tha:

“Ma bëj më të lehtë!”

“Heronjtë“ e FRESSH-it

 

Diku lexova që dje është festuar 31 vjetori i formimit të Forumit të Rinisë Eurocialiste të Shqipërisë. Pra duhet të ketë qënë janari i vitit 1992. Sa ishte rrëzuar Qeveria e Stabilitetit dhe urrejtja ndaj Partisë së Punës (që sa kishte ndërruar emrin në Socialiste) ishte në majat më të larta. Veçanërisht të rinjtë ishin të mbushur me mllef edhe ndaj prindërve të tyre, që kishin qënë pjesë e atij sistemi të egër dhe absurd. Ndaj më dukej e pallogjikshme në atë kohë, që të rinjtë të rrjeshtoheshin me gëzim në një organizim që lidhej me ish Partinë e Punës dhe me veteranët e saj fanatikë. I mendoja se më të mirët mes tyre duhet të ishin “idiotë“ ndërsa më të këqijtë ishin fëmijë sigurimsash dhe kriminelësh të tjerë, që donin të shpëtonin baballarët e tyre nga ndonjë dënim i mundshëm.

Veçanërisht i pashë me përbuzje Majkon dhe Metën, që kishin qënë mes studentëve të dhjetorit, që takuan Ramiz Alinë dhe tani, deputetë, kryesonin këtë detashment të kuq të rinjsh. Por në janar të vitit 1992 Sigurimi i Shtetit ende kishte në dorë të krijonte skema organizatash, partish politike dhe institucionesh të ndryshëme. Në këtë kuadër ishte angazhimi i emrave të sipërpërmendur si dhe të shumë anëtarëve të FRESSH-it të posakrijuar. Nuk është e thënë që “heronjtë“ e FRESSH (si i quajnë sot disa) të kenë qënë bashkëpunëtorë të Sigurimit. Mes të rinjve dhe adoleshentëve ka edhe shumë të tillë, që ndikohen nga fjala e prindërve, ose dhe nga ata që indinjohen se hidhet baltë mbi gjyshërit. Jo të gjithë rebelohen ndaj prindërve.

Sigurisht që gjatë viteve të qeverisjes së Berishës dhe gabimeve të tij të mëdha, rradhët e rinisë opozitare do shtoheshin, por ky organizimi asnjëherë nuk u kthye në një organizim i dobishëm për vendin apo për shtresat e dobëta, të cilat kanë nevojë për mbrojtje. FRESSH-i i Metës dhe Kryemadhit u kthye në një shkollë që nxirrte “politikanët më hajdutë“, që ka nxjerrë Shqipëria. Andis Harasani, Dritan Prifti dhe të tjerë ministra e zv.ministra pa mbushur mirë të 30-tat bënë kërdinë në kohën e Metës kryeministër dhe kur ai ishte në poste të tjera qeveritare.

Filozofia e FRESSH ishte pararendësja e filozofisë së Rilindasve të Ramës. “Rrëmbe sa të mundësh dhe pa t’u dridhur qerpiku!” Nuk di se sa në këtë filozofi ndikon mosha dhe sa ndikon DNA-ja reale e anëtarëve të FRESSH-it. Padyshim që pjesa më e madhe e tyre kanë qënë bij funksionarësh të mesëm dhe të lartë të Nomenklaturës. Këto dy faktorë shpjegojnë mungesën e frikës nga Ndëshkimi, që ka qënë më i pranishëm në politikanët më të mëdhenj në moshë dhe në ata që vinin nga shtresat e të persekutuarve. Kuptohet, jo se këta të fundit nuk ishin hajna, por ishin më të përmbajtur.

Më 1986 u mbajt Kongresi i 9-të i PPSH, që u quajt Kongresi i Vazhdimësisë. Edhe pse vazhda e Partisë së Punës dhe Republikës Popullore Socialiste u ndërpre më 1991-92, shtresa e Bllokut dhe e Nomenklaturës së lartë të Tiranës vazhdon të drejtojë vendin dhe të zotërojë një pjesë jo të vogël të ekonomisë shqiptare. Mbiemrat Nushi, Balluku, Klosi, Cuçi, PeçI janë ende të pranishëm në nivele të larta të qeverisjes ose biznesmenë të fuqishëm. Një pjesë e mirë e tyre kanë kaluar nëpërmjet FRESSH-it.

Dhe veç heronj nuk janë!


Monday 16 January 2023

“Pushtimi” aziatik


Më ndodh, që rrekem të “parashikoj llogjikisht” se si do jetë Shqipëria pas 50 vjetësh. E megjithëse njoh deri diku mirë historinë e 150 vjetëve të fundit të saj, më duket shumë e vështirë të parashikosh në një kohë kaq të largët dhe në një shekull, ku përparimet në shkencë dhe teknologji përcaktojnë të ardhmen e Njerëzimit dhe fatin e vendeve të vogla.

Megjithatë, ka disa modele të cilave mund t’ju referohesh dhe që janë historitë e 50 viteve të fundit të vendeve më të përpararuara të Europës.

Më e sigurta është ndryshimi i strukturës demografike të Shqipërisë. Ka përfshirë gjithë Veriun e Europës dhe është shtrirë edhe në jug të saj. Me largimin e vazhdueshëm të rinisë dhe uljen e lindjeve, shoqëria shqiptare do ketë nevojë për bangladeshas, indianë, pakistanezë, irakenë dhe sirianë. Dikush duhet t’i bëjë punët e rëndomta. Padyshim edhe mijëra kinezë, që do merren me tregëti dhe me lojërat e fatit.

Territoret tona nuk u pushtuan nga hordhitë e Xhingiskanit, jo se ne ishim trima dhe luftëtarë, por se nuk kishim qytete të mëdha dhe pasuri drejt të cilave synonin mongolët. Edhe turqit synonin kryesisht drejt Danubit dhe më vonë arritën edhe në jug të Ballkanit. Gjithashtu nuk pati kolonë turq që të vendoseshin në Shqipëri. Etnitë e tjera të “ngulura” kanë qënë popullsitë nomade, ata që i quajmë egjiptianë dhe romë e që janë të gjithë nga gadishulli indian. Po ashtu edhe arumunët, të cilët gradualisht janë përzjerë me popullsinë vendase.

Ndaj një lloj “pushtimi aziatik” është thuajse i sigurt. Ka pak të ngjarë, që në disa dhjetvjeçarë, vendet aziatike me popullsinë më të madhe të ngrenë standartin ekonomik. Ndaj shtresat e varfëra të tyre do vazhdojnë të vërshojnë drejt Europës, popullsia e të cilës po plaket. Do ketë edhe martesa të Olsëve me Rupinderat, apo të Suelave me Liut.

Ndryshimet demografike në shoqëritë më pak të zhvilluara sjellin gjithnjë rritje të tensioneve. Kjo do sjellë rritjen e foracve të ekstremit të djathtë në Shqipërinë e Madhe, të cilat për fat të mirë deri tani janë vetëm në fazë embrionale. Ka më shumë të ngjarë ato të jenë të forta në Kosovë, ku është edhe popullsia më vitale shqiptare. Padyshim që pas 50 vitesh do kemi një Shqipëri të bashkuar me Kosovën dhe në suazën e Europës së Bashkuar.

Durrësi dhe Tirana do kenë Chinatown dhe Indiantown e ndoshta të tillë do kenë edhe Fieri me Vlorën. Janë zhvillime të cilave nuk ju shpëton dot asnjë qytet I rëndësishëm në Europë.

A do jetë Zahoja kryeministër?

Këtë nuk mund ta parashikonte as Vangjelia Pandeva Gushterova.

 

 

 

 

Sunday 15 January 2023

“Nacionalizmi” kulturor në arkitekturë


Unë nuk jam një kozmopolit i kulluar edhe pse do doja të isha i tillë. Aq më pak jam një nacionalist. Disa herë kam shprehur bezdinë jo vetëm nga nacionalizmat absurde të Ballkanit, por edhe nga flamurët. Më duket “idiotllëk” puthja e flamurit apo betimi para një bezeje të ngjyruar. Do e kisha shumë më të lehtë të betohesha para varrit të një njeriu të famshëm, që admiroj, qoftë ky Naim Frashëri, Sharl Bodler apo Valter Gropius.

E megjithatë ka një “nacionalizëm”, që është i ndryshëm nga ai i flamujve dhe i kufijve. Eshtë kultura shqiptare për të cilën jam i interesuar të mbrohet dhe të zhvillohet, jo sepse është më e mira në botë, por se është kultura që njoh dhe më bën të ndjehem më mirë. E ndjeva që e kisha në nëndërgjegje edhe nga një fakt i thjeshtë. Kur isha në Korçë mendova ç’dhuratë t’ju blija nipit dhe mbesës dhe më e goditura mu duk dy qeleshe. Nuk kishte nga të zonës së Korçës, por bleva me kënaqësi një qeleshe Labërie me thumb dhe një të Veriut.

“Nacionalizmi kulturor” është shumë i paqtë. Ka vetëm një sens, atë pozitiv. Nuk ndjen urrejtje për asnjë tjetër, qoftë ish-pushtues, fqinj shovinist, vend kolonialist apo Superfuqi agresive. Diçka ngjan me mënyrën e të ushqyerit. Parapëlqej të ha ushqime të Ballkanit, Mesdheut, por mund të ha me dëshirë edhe sushi apo kasadija.  Dhe sa më shumë shtyhesh në vite, aq më tepër kërkon të hash lakror dhe tavë kosi, apo të dëgjosh edhe këngën “O po ç’ke moj zoçkë që po qan!”.

Kjo më ka bërë, që pas shumë viteve të një tërheqje të fortë nga “Style Internationale” në arkitekturë (si ju ndodhte të gjithë studentëve të brezit tim) krijova bindje të forta se arkitektura e një vendi duhet të ketë cilësitë dhe karakteristikat e arkitekturës tradicionale. Kjo vlen për qasjen ndaj dritës, materialet e përdorura, ritmin brenda objektit, ngjyrat, hollësitë arkitekturore dhe përbërës të tjerë të një rëndësie më të vogël. Dhe kjo nuk përjashton përdorimin e materialeve të reja dhe as prirjet që ka arkitektura ndërkombëtare bashkëkohëse. Por nuk ka kuptim të projektojmë ngjashmërisht me japonezët, afrikanët apo me amerikano-veriorët. Përfitimi nga logjika e ndërtimeve tradicionale është përfitimi nga një përvojë disa shekullore për të mos më thënë më shumë.

Më duhet të shtoj, që “nacionalizmi kulturor” në arkitekturë nuk ka aspak të bëjë me projektimin e një ndërtimi stërmadh, që ka hartën e Shqipërisë në fasadë, apo një tjetër ndërtim shumëkatësh, i cili i ngjan një koke në skulpturë të Gjergj Kastriotit. Në rastin më të mirë, ky është një nacionalizëm naiv dhe i cekët, që përdoret shpejt nga arkitektët e huaj për t’i dhënë një “shije shqiptare” veprës së tyre të zakonshme. Në rastin më të keq është një përpjekje e nxitur nga politikanët që miratojnë lejen e ndërtimit, për t’i hedhur hi syve publikut dhe specialistëve të fushës.

Për vetë faktin historik, që nga një qytezë e vogël në vitin 1920 Tirana u kthye në qytetin më të madh të vendit në disa dhjetvjeçarë, bumi i ndërtimeve në të zgjati për një shekull. Eshtë një dukuri jo e shpeshtë në arkitekturë ndaj edhe përmban rrezikun që të ndërtohet një qytet pa një identitet arkitekturor. Aq më pak mund të ketë një natyrë “kombëtare” arkitektura e qytetit. Nga një qytezë mesjetare me ndërtime prej qerpiçi, në fazën e parë ajo u kthye në një “miks” me ndërtime ekzistuese në krah të ndërtimeve “futuriste”, por edhe neoklasike të arkitekturës italiane. Ishte kjo arkitekturë, që i dha një lloj vule pjesëve qëndrore të qytetit deri në vitin 1944. Pati peshën e saj kjo lloj arkitekture deri në vitet ’70, por njëkohësisht u ndërtuan nga komplekset ala-sovjetike, tek veprat e veçanta të frymëzuara nga “Style Internationale” dhe deri tek blloqet e shëmtuara me parafabrikate, që i përkisnin një tjetër “stili ndërkombëtar”, atij të Bllokut Komunist. Ndërtime identike me ato të Alliasit gjen edhe në Kubë. Një shembull me të cilin qeshnim në fillimin e viteve ’80 ishte bulevardi “Stalin” (sot Zogu I) në të cilin mund të gjeje arkitekturën e Azerbaxhianit, arkitekturën modern të Kolevicës, neoklasiçizmin bajat sovjetik dhe deri në pallatet “me arkitekturën e kopracllëkut socialist”.

Ndaj në vendbanimin më të madh shqiptar, kur u hoqën kufizimet në projektim me ndryshimin e sistemit ekonomiko-shoqëror, nuk ekzistonte “arkitektura kombëtare” me përjashtim të ndonjë vepre të veçantë. Pra mungonte një bazë e mirë referimi për arkitektët me përvojë dhe veçanërisht ata të rinj. Bumi i natyrshëm në ndërtime, për shkak të çvendosjes së madhe të popullsisë fshatare në kryeqytet solli edhe një kakofoni më të madhe në ndërtime, dukuri që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Kapriçiot artistike të politikanëve dhe veçanërisht të Ramës sollën në zonat qëndrore të kryeqytetit ndërtime dhe komplekse nga më të çuditshmet. E gjithë sipërfaqja brenda unazës së vogël është kthyer në një lloj “bulevardi Stalin” ku gjen ndërtime, që i përkasin të gjithë rrymave të arkitekturës europiane dhe shumë ndërtime ordinere, që nuk i përkasin asnjë lloj rryme.

E megjithatë është shumë e lehtë të konstatosh dhe të thuash se sa të bësh. Gjendja e arkitekturës së kryeqytetit dhe qyteteve të tjera shqiptare nuk mund t’i “faturohet” vetëm Ramës dhe politikanëve të tjerë. Ndonëse një nga studiuesit e arkitekturës tradicionale, Leka Meksi, ka qënë një kohë jo të shkurtër kryeministër i vendit. As nuk mund të thjeshtëzohet duke thënë se duhet ta bënte Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore. Duhet të zërë fill në shkollat tona të arkitekturës, në të cilat duhet të përcaktohen qartë se ç’janë arkitektura ballkanike dhe mesdhetare dhe se cilat janë veçantitë e arkitekturës sonë. Vetëm me një edukim të tillë të thellë profesional, idea për të projektuar “sipas vendit dhe kuvendi” mund të përqafohet nga një masë e madhe arkitektësh.

A është njëlloj si të vesh një qeleshe në kokë dhe të ndjehesh një shqiptar i vërtetë?

Jo, por nuk është e pamundur dhe ka për të qënë autentike dhe më e bukur

 

Saturday 14 January 2023

Nata magjike

Pluhuri i artë vinte nga tingujt

Ndërsa mbi ujëvarën stërmadhe kaloja.

Nuk kujtoja të kishte pasur një natë tillë,

Viteve të lëna pas,

Jetëve të mëparshme,

Paraleleve Gjithësi.

Nuk kujtoja.

Tërheqja e Gjithësishme kishte fjetur,

A mpirë nga diçka më e fortë.

Gjithshka kryqëzohej ajrive,

Pa përplasje,

                Në nota të kristalta,

                                Nën vështrime tejkqyrëse

Asgjë pas mbetur.

Ishte një tjetër botë.

Pata kuptuar të jetës domethënie,

Kisha ndjerë se ajo më donte.

Nuk e kisha parë a prekur,

As për të nuk kisha ëndërruar,

Për tu nisur Gjithësisë flur

Një pyetje pat mjaftuar:

“A je i vetmuar sonte?”

Friday 13 January 2023

Të gjitha betejat e mija të humbura


Vendi ku jetoj, ose mosha, ose të dyja sëbashku, më kanë bërë të mos i trembem cilësorit “humbës”. Ne e përdorim më pak në shqip, nëse e krahasojmë me “loser” në anglisht. Madje Kadareja i ka dhënë një kuptim më të largët, tek esseja e tij “Eskili, ky humbës i madh”. Parapëlqejmë, që atë që humbet një garë apo një betejë, ta quajmë “i munduri”.

Ndonjëherë mendoj se dështimet më vijnë për shkak të mosçuarjes deri në fund të një beteje, herë të tjera, që kam nisur beteja pa llogaritur mirë forcat (që më bën një lloj Don Kishoti), por më të shumtën e rasteve mendoj që kam i ndërgjegjshëm, që do humbisja.

“Fushat e betejës” kanë qënë blogu im, mediat sociale dhe ato tradicionale në Shqipëri. Kam “sulmuar” kryesisht politikanët e korruptuar, jam përpjekur të ndal ndërtimin e Kullës Vrojtuese në Korçë, kam kritikuar Peleshin dhe Gollashin për fajet në ndërtimet në Korçë, kam dashur të demaskoj si një arkitekt-sharlatan Peter Wilson, kam shkruar shpesh për të rikthyer statusin e Mësonjtores së Parë Shqipe. Sigurisht që nuk prisja që korrupsioni në Shqipëri do zhdukej se shkruaja edhe unë, por kisha shpresë se ndoshta Kulla mund të mos ndërtohej dhe Mësonjtores t’i kthehej statusi si Muze Kombëtar. Asgjë nuk ndodhi. Peleshi dhe Gollashi vazhdojnë të abuzojnë me fuqinë e tyre për ndërtimet në Korçë, Peter Wilson vazhdon të projektojë edhe këtë vit në qytet dhe Mësonjtorja ka mbetur si një Muze i thjeshtë në provincë.

Mosbesuesit në “veprimin qytetar” mund të thonë me gojën plot -“Po kot o e kishte dhe ay, sa i binte legenit! Ce s’e dimë ne që nuk bëhet gjë!” Të tjerë “çizmelëpirës” mund të thonë me marifet -“ Shkruan me mllef dhe i mungon objektiviteti” dhe ka edhe shumë që parapëlqejnë të mos thonë asgjë ose mendojnë se unë dhe të tjerë si unë, nuk kanë me se të merren dhe kritikojnë vend e pa vend.

Duhet edhe të jem i sinqertë dhe të pranoj që kam avantazhin, që kritikat ndaj “të fuqishmëve” nuk më lenë pa rrogë, si mund të lenë kritikët , që jetojnë në Shqipëri. Më bëjnë vetëm një “humbës serial moral”. Nuk më cënojnë kushtet e jetesës.

Një kolegu im, vite më parë, më thoshte me dashamirësi : “Ciften e ke të mirë, por qëllon në bythë elefandi!” Ishte një lloj këshille, që të mos merresha me gjëra , të cilat nuk mund të ndryshojnë. Por unë vazhdoj “të shtie” me saçmat e mija të vogla, pikërisht se nuk e kam humbur besimin tek e mira. Kjo është në bazën e çdo lloj “donkishotizmi”. Eshtë të qëndruarit larg nga qëndrimi “racional”, apo më keq ai “cinik”, që e “keqja është stërmadhe dhe nuk mund të luftohet.”

Dielli lind çdo ditë dhe i gëzon edhe të korruptuarit, edhe cinikët, edhe racionalët, edhe kritikët edhe “humbësit” si unë. Eshtë kjo në bazën e çdo dëshire, sado naïve, që gjërat mund të ndryshojnë edhe me përpjekje sado të vogël. Eshtë kjo në bazë edhe të mendimit mijëvjeçar, se Goliadhi mund të rrëzohet edhe duke shtënë “me prazhgë“. Sigurisht që “e qëlluara “ e Davidit i ka shanset një në njëmijë, a mbase edhe një në një million, por duke hequr dorë nga përdorimi i prazhgës je më se i sigurt që do jesh jo vetëm “humbës”, por pjestar i një tufe të madhe me “të humbur”.

Ndaj le të humb vazhdimisht edhe këtë vit!

Thursday 12 January 2023

Edhe më shumë se ajo rrugë


Unë nuk i njoh mirë rrugët dhe njerëzit e Lagjes 11. Nuk kam ndenjur në atë “mëhallë“ dhe nuk kam pasur të afërm ose shokë të rrinin atje. Edhe pse nuk është e vështirë të orientohesh në ato “sokakë“, që përgjithësisht kryqëzohen dhe gjithshtu të nxjerrin në bulevardet kryesore të Korçës, them që e kam zor në bisedë të them se “po të kalosh qoshkën ku rri filani”, si mund të them për “mëhallat” e tjera.

E megjithatë di disa njerëz me emër, që kanë jetuar në atë lagje. Njerëz që me personalitetin dhe veprat e tyre i kalonin kufijtë e lagjes dhe qytetit, madje edhe të Shqipërisë. Kujtoj që atje ka jetuar një kohë të gjatë inxhinier Vasil Balli dhe shumë vite edhe regjisori i shquar Sokrat Mio.

Por sot dua të shkruaj dy fjalë për një djalosh flokëverdhë, me shumë temperament, i cili jetoi në një rrugë, e cila çuditërisht nuk mban ermin e tij, por është emërtuar “Myftar Grabocka”. Për ata, që mund të mos e dinë se kush ishte Myftari dhe mund të mendojnë se është dëshmor, po sqaroj se ka qënë disa vite Sekretar i Parë në Korçë dhe shumë vite të tjera Kryetar i Komitetit Ekzekutiv. Ndoshta ndonjëherë edhe mund të ketë kaluar në atë rrugë.

Djaloshi për të cilin kam shkruar edhe më parë, sepse ishte një fenomen për Korçën dhe Shqipërinë quhej Emil Bibolli. Jetonte në atë rrugë dhe që fëmijë ndiqte rrugët e mëdha të artit. Rrugë që deri diku i ishin mbyllur për arsye politike. Dajon ja kishin burgosur si kundërshtar të regjimit. E megjithatë, ai djalë simpatik, pak i imët dhe shumë i ndjeshëm befasoi Institutin e Arteve dhe botën teatrore në Tiranë me talentin e tij si regjisor. Mund të them pa ekzagjeruar, se pritshmëritë ishin për të patur një regjisor teatri ose filmi të nivelit europian.

Rrethanat, ose këmbëngulja e burokratëve të rrethit, bënë që të mos emërohej në Tiranë, ku kërkohej ve]an]risht nga Kinostudioja. Kor]a kishte shumë vjet, që nuk kishte regjisor të diplomuar në Institutin e Arteve dhe kjo rrethanë, fatlume për Kor]ën, por jo e tillë për Emilin, bëri që ai të kthehej si regjisor në qytetin e lindjes. Me ëndërrën për të sjellë në qytetin me aq traditë teatrore, një teatër bashkëkohor, të vërtetë, larg atij të deklamimeve dhe të të gërthiturave të një dhjetvje]ari.

Por edhe Kor]a kishte ndryshuar. Emil Bibolli po vinte 30 vjet më vonë në atë qytet, që dikur kishte qënë kryeqëndra e artit shqiptar dhe ishte kthyer në provincë. Ishte shumë fin për shijet tona të ashpërsuara. Ishte shumë europian për tu përballur me intrigat tona meskine. Dhe iku një ditë në Europë i zhgënjyer nga mundësitë për liri në art, për liri në shoqëri, për liri në marëdhëniet mes njerëzve. Punoi me një trupë teatrore në Greqi dhe brishtësia shpirtërore i hoqi mundësinë të bëhej ai që pritej. Një yll i artit shqiptar dhe europian.

U përcoll mes rrebeshit nga ajo rrugë, që sot nuk mban emrin e tij. Eshtë më e pakëta gjë, që duhet të bëjë Kor]a për një nga bijtë e saj më të talentuar, që u largua vetëm 27 vje]. Në një moshë, që ka qënë fatale për shumë yje të muzikës dhe artit botëror.

Emri i Emil Bibollit, ashtu si protreti i tij biond, e bën qytetin më të bukur.

Nderojeni atë emër sikundër i takon!


Dizajn

Unë vrapoj përgjatë një rruge

Që më shpie në vendin që dikur blemë.

Dua edhe një herë të shoh të tokës rrudha,

Nga fryjnë erërat

Dhe drenushat ku flenë.

Ende nuk mund të heq të duhurat vija,

Për kasollen drunjtë

Që do thurrim duke përkulur të majave bredha,

E largët sot më duket shumë,

Gati e pakapshme,

Në cakun e fundmë të rrugës plot dredha.

Dua qiellit

Si në një stërmadhe fletë

Pishat të ngjit si letraset.

Më pas të derdh mbi to ngjyrën e dëshpërimit,

Që bie ndesh me të blertën.

Shtratin të ve mes reve puplore,

Atje pranë pasqyrën e grimit,

(Kurrë nuk mund ta lesh pas dore)

Nën të librin mbi të vërtetën.

Gjithshka që na duhet atje do jetë,

(Qiejve mjaftohesh me nektar),

Majat e bredhave mpleksur,

Disa shtëllunga resh,

Përkufizimi se ç’ka është e vërtetë;

E fundit kasolle dhe i pari varr.

 

 

Wednesday 11 January 2023

11 janari i sivjetëm





I pari 11 janar, në të cilin kremtojmë ditlindjen e babait. Atij i pëlqente

të festoheshin ditlindjet e pjestarëve të familjes dhe të tijën e festonim më 22 janar.

Duket edhe vetë nuk e dinte , që ishte lindur më 11, sepse në dokumetat e tij figuronte

data e rregjistrimit në Gjendjen Civile turke.Sot është 101 vjetori i tij.

Vitin e kaluar patëm shkruar dhe diskutuar me njerëzit e njohur rreth tij. Kishte njerëz,

që i thoshin sime motre, "nuk e dinim se ka qënë me këto cilësi dhe njohuri, se ti nuk

tregoje ndonjëherë". Kjo është deri diku e vërtetë, sepse në fsmilje nuk ishim mësuar të

"mburreshim" rreth "bëmave" të njerëzve të shtëpisë. Ishim krenarë për prindërit tanë, por

se si na dukej të "reklamonim" cilësitë e tyre, si bëhet sot për "shitjen e mallrave në treg".

Ndoshta unë thosha , kur isha fëmijë, "kjo gjë është kështu se ma ka thënë babai" (ma kujtoi

një shok i fëmijërisë disa ditë pasi im atë ishte larguar nga jeta), por për këtë kam

pasur siguri gjatë gjithë jetës, sepse shumë rrallë im atë mund të thoshte ndonjë gjë të pasaktë.

Ai gërshetonte njohuritë, që kishte me të vërtetën, të cilës i qëndronte besnik dhe kjo e ndihte

të ishte i saktë në ato që thoshte.

Këtë përvjetor dua të prek diçka, që ndoshta nuk e kam prekur më parë në shkrimet e mija rreth tij

dhe në librin "Biseda të pakryera me babanë".

Si ishte një ditë e zakonshme e Andon Marës, në vitet '60, kur unë isha fëmijë.

Mëngjesi im fillonte me babanë,(mamaja kishte ikur në punë, kur unë zgjohesha), i cili kujdesej

që të lahesha dhe vishesha dhe më pas më jepte një të verdhë veze të rrahur, të cilën e përgatiste

çdo ditë për mua dhe time motër. Mua më mëkonte, ndërsa ime motër e hante vetë. Nuk di pse e bënte

me mua, ndoshta për të mos humbur shumë kohë, sepse edhe në kopësht unë haja vetë. Më pas më 

shpinte në kopësht dhe ikte në punë. Nga kopështi më merrte po ai rreth orës 4 e gjysëm ose pesë

të pasdites. Nuk di nëse gjithë atë kohë kishte qënë në punë, apo edhe në veprimtari të tjera

kulturore të qytetit, por di që isha nga fëmijët e fundit që rrinim me edukatoret në pritje të

prindërve. Më pas, e gjithë mbrëmja ishte në familje. Hanim të gjithë darkë rreth orës 7, më 7.30

ai ishte pranë radios (vendi i tij i preferuar) dhe dëgjonte Radio- Sera dhe më pas lexonte, ose

merrej me ne, ndërsa mamaja gatuante për të nesërmen. Të gjitha këto, dimër behar, në dhomën që

rrinim, e cila ishte edhe kuzhinë. Nuk shkruante dhe as nuk rrinte kurrë në dhomën e tij. Pasi

ne kishim shkuar për të fjetur në dhomat tona, ai shkruante ose daktilografonte në të njëjtën

tryezë, ku kishim ngrënë edhe darkën. Kështu deri sa kalonte mesnata. Ndonjë fqinj, edhe ishte

ankuar ndonjëherë nën zë, se natën dëgjihej makina e shkrimit, por përgjithësisht, në pallatin

ku jetonim, njerëzit i mirëkuptonin të tjerët për ndonjë zhurrmë të pazakontë, që vinte nga

studimi i klarinetës, violisë apo nga makina e babait. Madje ndodhte, që ndonjë edhe çante drutë

në dyshemenë e banjës.

Nuk di se kush më kishte thënë, që babai ishte shkrimtar, por unë nuk e kisha parë të shkruante,

se kjo ndodhte pasi unë kisha fjetur. Ai donte një qetësi të plotë për tu përqëndruar dhe

njëkohësisht nuk donte të neglizhonte as më të voglën gjë, nga ajo që e quante të rëndësishme -

mirerritja dhe edukimi i fëmijëve. Më kishte mësuar të lexoja ato vite dhe nuk hezitonte edhe

të më mësonte aritmetikë, sepse e shihte që tregoja interes edhe për numurat. Nuk di sa e pranishme

ka qënë figura e babait në moshatarët e mij (ato kohë mendoja se e njëjta gjë ndodhte në çdo familje),

por tek unë ka qënë e gjithpranishme, duke më lënë edhe njëkohësisht të lirë për të luajtur. Nuk 

kujtoj ndonjëherë të më ketë thënë "Eja tani se është ora për të mësuar këtë apo atë." Kjo ishte

liria ime në familje, e cila m'u "cënua" menjëherë, sa hyra në "regjimin e rreptë të shkollës."

Im atë sakrifikonte shumë nga koha e tij e krijimtarisë, për të na mëkuar me dashuri, njohuri

dhe dëshirën për të qënë të lirë.

Kjo ishte dita e zkonshme e Andon Marës në vitet '60.

Tuesday 10 January 2023

Njohuritë merren…kafeneve


Nuk pata mundësi të hyja në Bibliotekën Kombëtare vitin që kaloi. Më tepër isha kureshtar të shihja si kishte ndryshuar ajo që quhej Salla Shkencore, në të cilën në vitet ’80 mund të shihje plot figura të shquara të shkencës dhe letrave shqiptare. Por shkova shpesh në Bibliotekën e Korçës, për të punuar në kompjuterat e mirë të sallës  “Thimi Mitko”, që ishte edhe, nëse nuk gaboj, një nga sallat e fondit të hapur. Fondi i Hapur, kjo risi e Bibliotekës së Re, përbëhet nga rafte librash, të cilat mund t’i marrësh pa ndihmën e bibliotekares dhe “nën përgjimin” e kamerave, që garantojnë “mosvjedhjen” e librave.

Ishan dër të parët , që shkoja, i ndjekur nga një çift adoleshentësh, që vinin më shumë për të flirtuar në mënyrë të kulturuar dhe më pas arrinte një shkrimtar, i cili nuk përdorte kompjuterat, por shkruante ose lexonte nga dosja e tij. Kur dilja, firmosja në rregjistrin hyrës-dalës, që gjatë ditës nuk besoj se përmbante më shumë se 30 emra dhe firma.

Ku i merrnin gjithë ato njohuri, që zotëronin, qytetarët e vendlindjes time?

Në biseda me njerëz të suksesshëm, të cilët nuk kishin përfunduar shkollën e mesme, por mund të kishin diploma të shkollave të larta, konstatova me kënaqësi se dinin gjithshka. Mund të të tregonin rreth globalizmit, makroekonomisë, veprimtarisë së CIA-s, renditjes së universiteteve, llozhave masonike, funksionimit të bursave, arkitekturës së Dubait, piktorëve të Amerikës Latine dhe shumë e shumë gjërave të tjera, të cilat nuk i kujtoj.

Me një pjesë syresh kisha bërë biseda të gjata para se të emigroja dhe kujtoj, që përgjithësisht flisnin për femra dhe ndonjë kontrabandë, por rrinin si guakë, kur prekeshin tema të tjera. Tani jo vet[m dinin shumë, por me elokuencë përcillnin njohuritë e tyre tek bashkëbiseduesit, mes të cilëve isha edhe unë. Më vinte zor t’i pyesja se ku i kishin mësuar të gjitha këto gjëra ndaj hamendësoja se katër vende ishin më të mundëshmet. Shkollat, Biblioteka, televizori dhe kafenetë. Të parat përjashtoheshin, se bashkëbiseduesit nuk kishin as kohën dhe as durimin e nevojshëm për të ndjekur shkolla të mira qoftë edhe online. Të dytën e kisha të verifikuar gjatë orëve , që kaloja në Bibliotekë dhe mbeteshin televizori dhe kafenetë. Nuk jam aq naiv sa të besoj ndonjë njohuri komplotiste, që ekziston një “kurë me njohuri”, të cilën pasunarët në Shqipëri e marrin nëpërmjet tabletave çdo mëngjes.

Më erdhi në mendje shkolla peripatetike, që ishte përpjekur të hapte dikur profesor Konda, sipas modeleve të Greqisë së Lashtë. Tashmë ishte zëvendësuar nga “shkolla kafenetike”, ku mësohet lehtësisht dhe në mënyrë të efektshme. Kur je vetë, para ke televizorin me dhjetra kanale shqiptare (pasunarët e qytetit tim dinë kryesisht greqisht dhe çobançe), që të mësojnë ç’të të dojë zemra dhe kur je me të tjerë, sidomos me të ardhur nga Tirana, merr njohuritë më të fundit nga politika, ekonomia, jeta e VIP-ave në botë dhe intrigat ndërkombëtare.

A ndodh e njëjta dukuri në Tiranë?

(Ka ndodhur që në sistemin me pak kafene.)

Monday 9 January 2023

Jam i dashuruar me ty (Mi sono in

Rrashë në dashuri me ty

Se nuk kisha asgjë ç’të bëja

Ditëve nuk kisha me kë flisja

Natën doja diçka për të parë ëndërra.

 

Rrashë në dashuri me ty

Sepse nuk mund të rrija më vetë.

Ditës doja të tregoja ëndërrat,

Me dashuri doja të mbushja netët.

 

Tani që kam mijra gjëra për të bërë

Ndjej që endërrat më zbehen,

Por nuk mund të mendoj veç teje tjetër.

 

Jam i dashuruar me ty

Dhe tani nuk di as ç’të bëj.

Ditës më duket se të kam takuar

Dhe netëve rrekem të të gjej.

Sunday 8 January 2023

“Terrorizëm" artistiko-urbanistik

 


Duhet të përmend që në nisje, se këto rrjeshta janë një lloj stërmadhimi me nota humori, të ndjenjave që përjetoja, kur kaloja këtë tetor në parkun "Rinia".

Ka qënë që në fëmijërinë time një vend i paqtë ku mund të shëtisje, të shkoje me shokët duke fantazuar lojëra në natyrë apo edhe "gjueti rabeckash me llastikë". Atje na shpinin edhe edukatoret e kopështeve, të zënë njëri pas tjetrit pas grykëseve të bardha sa kalonim në rrugët ku kalonte një makinë çdo gjysëm ore dhe më pas shtriheshim lëndinave të parkut ose ju binim pas fluturave dhe buzëbardhave. Nga buzëzinjtë kishim frikë, ose na kishin mësuar të kishim frikë. Po të kishe edhe një “dhjeçkë“ xhepave, mund të dilje edhe foto në shatërvani, ku priste me durim Miti Kecka.

Nuk di tani se si mendojnë dhe ndjejnë fëmijët e Korçës, kur shkojnë në atë Park, ndonëse kohët kanë ndryshuar dhe fëmijët tani shkojnë nga një vend në tjetrin më shumë me makinat e prindërve dhe ndoshta nuk dinë as se si bëhet një llastikë për t'ju shtënë rabeckave, micakëve dhe verdhashëve. Po më mirë që nuk dinë.

Eshtë propaganduar shumë nga grupi i Rilindjes, se investimi i para disa viteve tek parku i ka shtuar atij "dimensionet" artistiko- rekreative, por unë mendoj se Parkut nuk i është shtuar ndonjë gjë e madhe. Ka mbetur i njëjti koncept disi klasik që ishte në projektimin e parë ala-sovjetik dhe janë shtuar ndenjëse të

gjata (tmerrësisht të gjata) përgjatë aksit kryesor shëtitës të tij. Të krijohet përshtypja se ka vend për thuajse njëzetmijë prapanica korçarësh, që të ulen dhe të shohin të tjerët kur shëtisin. Pit Uilson, autor i çdo projekti të Bashkisë së Korçës i pëlqen vijat shumë të drejta.

Por ndenjëset e gjata dhe të drejta (natyra nuk ka vija të drejta shkruante dikur Zaha Hadid) nuk janë elementët terrorizues të Parkut. Edhe pse ndonjëherë të sjellin në mendje “rrugën e drejtë marksiste-leniniste që ndiqte Partia e Punës. Në fund të fundit ne shiptarëve na pëlqen të rrimë ulur dhe sa të rrimë kafeneve, më mirë në ajrin e pastër të Parkut.

"I terrorizuar" unë ndjehem kur kaloj para një grumbulli të madh me gurë të skalitur, që administrata e Bashkisë i quan skulptura. Dhe padashur t'ju ul vlerat e tyre artistike (një edhe rrotullohet më duket), se vërtet mund të jenë skulptura, puna është që janë aq pranë njëri tjetrit dhe me aq shumë thepa, sa më duket sikur mua dhe kundërshtarëve të tjerë të "ideve bashkiake" na thonë: "Po mos e mbyllët

gojën pas këtyre gurëve do t'ja u përplasim kokën!" Ndaj edhe një kokëgdhë si unë trembet sepse e di që gdhëri nuk është më i fortë se guri.

Sikur të mos mjaftonin "skylptyrat e Ishullit të Pashkëve", mbi kurorën e gështenjave të buta dhe pemëve të tjera të kodrës së Belvederes, po ndërtohet një kompleks “luftarak” me Kulla zengjinësh, që do ketë si në pëllëmbë të dorës të gjithë Parkun.

Dhe ka rrezik, që zengjinët e rinj të mos hedhin “euro” nga frëngjitë e kullave të tyre apo edhe nga ballkonet neo-klasike. Pas ndonjë "party dëfrimtare" në ditët e gjata verore mund edhe të lëshojn ndonjë shishe të boshatisur uiski, që e tërhequr nga Forca e Gravitetit (që gjithnjë është në disfavor të fukarenjve), të bjerë mbi ndonjë kokë të pambrojtur pensionisti, që shëtit vend e pa vend në park. Ndaj shpejt kalimi në pjesën e gjelbëruar të Parkut do jetë si kalimi i Odisesë me shokë mes Shillës dhe

Karibdës. Nga njëra anë gurët ciklopikë me një prej tyre që rrotullohet dhe nga ana tjetër, të fuqishmit mbi kokat e korçarëve, që mund të lëshojnë veç rrufeve edhe çdo lloj sendi të ngurtë apo të lëngët.

E megjithatë duhet të pranoj, se Rilindasit e mbrojtën Parkun dhe e rigjeneruan. Se mund të ndërtonin edhe banesa kolektive, bujtina dhe ndonjë kazino nëse ju thoshte mendja se në fund të fundit qytetarët ju kanë dhënë votën dy herë dhe bashkë me votën ju kanë thënë: "Korça është qyteti ku mund të rrëmbeni"

 

Saturday 7 January 2023

Edhe njëherë mbi këngët e qytetit tim

 

Nuk di nëse togfjalëshi “Qyteti i Serenatave” na pëlqen më shumë ne korçarëve a vizitorëve shqiptarë, por duket që tani Korça konceptohet nga të gjithë si një qytet turistik i bujtinave dhe këngëve të rrugëve, që këndohen “live” në restorantet e bujtinave dhe dëfrejnë ata që i dëgjojnë dhe i këndojnë. Të gjithë i quajnë serenata edhe pse të tilla mund të jenë aq sa të numurohen me gishtat e dorës. Eshtë një lloj klisheje që do ngjisë gjatë, e përcaktuar dikur në vitet ’70 dhe ’80, kur në Tiranë, nëse ju thoshe se je nga Korça të thoshin menjëherë “Di me i dhon kitarës?”

Për fat të keq, për këtë dukuri të shtrembëruar muzikore nuk “prononcohen” as muzikologët, kritikët e muzikës apo specialistë të tjerë të fushës. Por le të mos zgjatemi me ç’janë serenatat dhe se ç’janë këngët e kopjuara apo të krijuara gjatë shekullit të kaluar në Korçë. Pjesa më e madhe janë këngë tavernash, të mbushura me fjalët “qaj”, “pi”, “dashuri”, “zemër”, “raki”, “syçkë“, “leshka”, “tapë“, të cilat kanë qënë të pranishme edhe në shumë qytete porte të Europës, por që nuk kanë arritur të ngjiten skenave. Akordet janë të thjeshta dhe tekstet akoma më të rëndomta. Dhe dita ditës po ndodh edhe një e keqe më e madhe, se po mbeten në qarkullim variantet më të shtrembëruara të këtyre këngëve të rëndomta. Më qëlloi rasti këtë vit, në disa lokale të Korçës, të dëgjoja nga dyshe këngëtarësh të rinj, transformimin edhe të këngëve tradicionale qaramane. Dhe transformime jo për mirë.

Flitet shumë për “tallavatë“ e lokaleve të Tiranës, por më vjen keq , që edhe këngët tradicionale të rrugëve të Korçës, po katandisin muzikalisht si tallavatë. Pavarësisht se luhen në kitara akustike, që janë instrumente që të nxisin për një muzikë të kultivuar dhe me harmoni. Dhe këto janë këngët, që pronarët e restoranteve i quajnë “hite”. “Netëve të Selanikut”, “O kur dal i pirë moj nga Republika”, “Të lashë ty moj Tanë“ dhe një dorë tjetër me këngë qaramane, “që i dinë të tërë“.

Duhet të kuptojmë, se mbizotërimi i këngëve të rrugëve në Korçën e shekullit të kaluar ndodhi nga dy frenime. I pari ishte mungesa e kompozitorëve të mirëfilltë deri në Luftën e Dytë Botërore dhe pas saj nga kufizimet që vendoste sistemi mbi kompozitorët dhe muzikantët e mirëfilltë. Ndaj në vitet ’30, kur klubeve europiane dëgjoheshin xhazi, bluzi dhe çarlestoni, ne ende kopjonim këngët franceze të fillimit të shekullit dhe këngët bashkëkohore greke dhe rumune. Nuk ishim në gjendje të kopjonim këngët napolitane, se do kishim këngë më të mira.

Pas Luftës së Dytë vazhdoi tradita e kopjimit të këngëve greke fshehtas dhe të kënduarit e tyre gjysën në fshehtësi, sepse këngët shqiptare ofronin pak këngë dashurie. Kishte edhe këngë të mira të kompozuara nga muzikantë të mirë, por çuditërisht këngët e Abaz Hajros dhe të ndonjë muzikanti tjetër i dëgjon pak restoranteve të Korçës sot.

Nuk di nëse do dilet ndonjë ditë nga kjo gjendje “impasi” muzikor, apo do vazhdojë vazhdimisht kështu dhe turistëve ju pëlqen të vizitojnë një qytet me tradita muzikore të mbetura në stadin e të paktën 100 viteve më parë.

Por edhe 100 vite më parë, korçarët e mençur ja u kishin vënë nofkën këngëve të tilla të rëndomta. I quanin “tralala zura një galë.” Ndërsa në këtë shekull, “tralalatë“ e mbetura ende në nivelin “ta kisha çezmën moj me raki/ të pija ditë e natë“, janë më të kërkuarat dhe më të kënduarat në qytetin e Spiridon Ilos, Thoma Nassit, Kristo Konos, Abaz Hajros dhe Sherif Merdanit.