Monday 29 October 2018

Në ç’pikë të zhvillimit shoqëror jemi? (fund)

(vijim)
Në kohën pas rënies së Murit të Berlinit pati një optimizëm të madh të pjesëve më përparimtare të shoqërive perëndimore. U krijua përshtypja se rënia e ideologjive “kontradiktore” që ishin në themel të dy kampeve të angazhuar në Luftën e Ftohtë do të sillte paqe të qëndrueshme dhe zhvillim në pjesën më të madhe të globit. Një e ardhme e ndriçuar dukej se e priste gjithë Europën dhe Amerikën e Veriut dhe pas tyre edhe kontinentet e tjera.
Për shkaqe të nivelit të ndryshëm të jetesës së shoqërive të veçanta, të formimit kulturor dhe filozofik të ndryshëm si dhe për qasjen tepër materialiste ndaj jetës të shtresave më të emancipuara të të gjithë shoqërive, kontradiktat brenda vendeve dhe midis tyre nuk u fashitën, por mbetën të njëjta. Përgjigje shteruese ndaj kësaj dukurie nuk kanë mundur të japin as Chomsky, as Huntington, as Zhizhek, as Bernard- Levy dhe as shumë filozofë dhe sociologë të tjerë. Shpesh herë, përfundimet e tyre janë aq të kundërta, sa cilido që mundohet të gjejë një përgjigje pranë të vërtetës, ngatërrohet më shumë në mendjen e tij.
Një fakt është i qartë. Njerëzit janë të pakënaqur me njëri tjetrin dhe këtë po e shprehin çdo ditë e më shumë në mënyra nga më violentet.
Por a jemi në një fazë të ngjashme me atë të dominimit të shtetve totalitare të fillimit të shekullit të XX-të?
Për mendimin tim nuk jemi në një gjendje të tillë, por nuk jemi edhe aq larg sa do dëshëronim të ishim.
Shembulli më i qartë është në gjendjen e shoqërisë amerikane, e cila jo vetëm është një nga shoqëritë më të mëdha në botë, më shumëetnikja por edhe më e pasura.
Fitorja e papritur e Trump-it në zgjedhjet e vitit 2016 dëshmoi jo vetëm pakënaqësinë e njerëzve ndaj “the establishment”, por edhe urretjen e popullsisë së bardhë ndaj njerëzve me ngjyrë, çifutëve, homoseksualëve dhe emigrantëve në përgjithësi. Pra një pjesë jo e vogël e popullsisë flet dhe vepron “politikisht korrekt” vetëm sepse kështu duhet dhe jo se mendon ashtu. Në çastin, që inkurajohet nga mediat dhe politikanët është gati të rikthehet në “flamujt” e racizmit të Ku Klus Klanit dhe të fashizmit të Musolinit dhe Hitlerit. Pra paqja sociale dhe më tej ajo midis vendeve është shumë shumë e brishtë. Këtë tregojnë gjithë ngjarjet violente të muajve të fundit. Trump nuk duhet akuzuar se po ‘keqedukon” shtresa te caktuara të popullsisë, por se ndihmon, që ato të dalin nga thellësitë në sipërfaqe.
Dhe kjo në të gjithë shoqëritë e tjera. Anglezët, gjermanët, italianët, rusët, shqiptarë, sërbët, e gjithë të tjerët, me mendjelehtësi kanë lejuar që shoqëritë e tyre të degradojnë në filozofinë e “jetës sot për sot”, “të fitimeve të lehta”, “të garës së pasurimit” due lënë pasdore edukimin pozitiv shoqëror. Në rrjetet sociale, ku njerëzit ndjehen më të “maskuar” gjithnjë e më tepër shihen komente plot urrejtje për të tjerët, që janë të ndryshëm nga ne. Mençuria e të vjetërve për të ndihmuar me të dobtit, për të menduar për të ardhmen e brezave të tjerë, për të jetuar edhe duke kursyer, duket si një filozofi e prambetur, e papërshtatshme për kohën që jetojmë.
A do nxjerrim mësime nga ngjarjet violente me pak viktima apo do presim për konflikte më të mëdha me humbje të mëdha jetësh, kjo do duket në dhjetvjeçarin e ardhshëm.
Deri më tash shenjat nuk janë të mira.

Wednesday 24 October 2018

Në kthinën time të gatimit

Hithra të mbledhura buzë lumit,
Përzjerë me vrerin,
Ditë të tëra marinuar,
Me vajin pikuar harrimit
Dhe lëngjet gojës rrjedhur në prag të gjumit
Më presin në kthinën time të gatimit.
Nuk ka më supë të ftohtë ditësh gëzimi
Ndaj zjarrin më duhet të ndez,
Për të patur avull,
Sa më shumë avull,
Që të humb perceptimin e ngjarjve,
Pyjeve varur.
Dua brumin e ditëve
Ta zgjat e ta stërzgjat
Trupin për të rrethuar
Gërvishtjet nga gjëmbat e marrëzive,
Prej kripës së tepërt të përçmimit
Dhe uthullës së heshtjes
Më tej janë hapur,
Pranë eshtrave thelluar.
Në vorbën prej balte
Bashkë hedhur
Petalet e trëndafilit
Dhe “Rrënjët e së Keqes”;
E ndërsa me një lugë të madhe titani i përzjej,
Shoh dhimbjen tërësisht të patretur,
Me frikën e shkulur prej vetes.
Do i shtoj dhe të helmëtat kërpudha,
(Asgjë nuk është më e hidhur se pelini),
Në pyllin e vjeshtës
Nuk më shpie më udha;
Ditët do ngrys këtu-
Në kthinën time të gatimit.

Tuesday 16 October 2018

Në ç’pikë të zhvillimit shoqëror jemi? (3)

(vijim
Përsëri kthehemi në një pikëvështrimi “klasor” të shoqërisë, i cili dominoi mendimin progresist të dy shekujve të kaluar, por që rezultoi jo vetëm shumë i thjeshtëzuar, por edhe i gabuar për të spjeguar shoqërinë dhe për ta transformuar atë.
Në shoqëritë perëndimore kufijtë “klasorë“ nuk janë të dhënë një herë e përgjithmonë, sepse ka shembuj milionerësh që gdhihen të pastrehë dhe njerëz , që vijnë nga hiçi dhe arrijnë në nivelet më të larta të shoqërisë. Ndaj edhe ndryshimet ideologjike sa vjen dhe janë më të pakta mes grupimeve shoqërore dhe politike. Qëllimi “final” i një pjese të mirë të “elitës* është të jenë në krye, të patrazuar dhe të kenë mundësi të qeverisin sa më gjatë me njerëzit e tyre.
Më e ndjeshme është kjo në demokracitë hibride. Në drejtimin e vendeve të lindjes, gjithnjë e më tepër konsolidohen qeveritarët autoritarë të lidhur me botën kriminale të cilën e kanë në kontroll ose kontrollohen prej saj. Vuçiç i Sërbisë, Rama i Shqipërisë, Vukanoviç i Malit të Zi, Orban i Hungarisë, Thaçi i Kosovës qëndrojnë në pushtet edhe në sajë të lidhjeve që kannë me krimin e organizuar dhe pasurive të vëna në rrugë jo të ndershme. Idhulli i tyre është Vladimir Putin. Nën këtë trysni të së gjithë Europës Lindore duke përfshirë këtu edhe atë të  Rusisë dhe Turqisë, elitat e Europës Perëndimore përpiqen të ruajnë statukuonë duke munduar të afrojnë shoqëritë e Lindjes në Bashkimin Europian, me shpresë se do i korrigjojnë gjatë rrugës. Rezultati është jo vetëm pakënaqësitë e ngjallura brenda shoqërive të tyre, por edhe afrimi i pragut të dështimit të projektit të madh Europian.
Shoqëritë e infektuara postkomuniste jo vetëm nuk korrigjohen duke i bërë pjesë të Europës, por rrezikojnë të infektojnë keq edhe shoqëritë më të shëndetshme të Perëndimit.
Rrjedhoja- gjallërimi i prirjeve ksenofobe dhe partive të ekstremit të djathtë.
Po a është e lehtë për një familje të zakonshme të një vendi të Europës Lindore të orientohet lehtë se ç’rrugë duhet të zgjedhë për të jetuar mirë të sotmen dhe për të mbrojtur njëkohësisht të ardhmen?
Për këtë gjë ka shumë mënyra të përgjigjesh:
Jemi shumë të vegjël për të mundur të bëjmë diçka.
C’është e shkruar do ndodhë.
Fajin e kanë politikanët.
Do ecim me rrymën dhe ku të na shpjerë.
Po, mund të bëjmë diçka, sado pak të jetë.
Përgjigja e fundit edhe nëse duket më e kota ka një vlerë të madhe. Eshtë të kuptosh thelbin e ekzistencës së shoqërisë njerëzore dhe mënyrës së korrigjimit të saj. Dhe jo për ta korrigjuar për hir të korrigjimit, por për hir të mbijetesës. Ka të bëjë me ciësinë e jetës  së fëmijëve dhe fëmijëve të tyre, për të mos shkuar më larg në të ardhmen. Kjo përgjigje ka të bëjë me të ndjerën e thellë se je pjesë e shoqërisë dhe në të njëjtën kohë edhe përgjegjës për shkuajen e saj teposhtë.
Historia e shoqërisë njerëzore mund të thjeshtëzohet duke e reduktuar në atë të grabitësve dhe të të grabiturve. Në rast se nuk do të sundohesh nga grabitësit atëhere duhet të bësh diçka për të përmirësuar rregullat, që përcaktojnë se cilët o jenë sunduesit.

(vijon)

Sunday 14 October 2018

Vjeshta

Vjeshta më kujton sa vlerë kanë ngjyrat
Dhe limfa që gëlon në to.
Thirrja e fundit për të gëzuar jetën,
Para se të zbehen fytyrat
Dhe me të bardhën e ftohtë të vdekjes,
Të pështillen në një çast të vetëm.

Vjeshta më fton për tu dehur,
Para se të më lidhin në një tryezë të akullt,
Ku gozhdët e mendimeve të mpita,
Të ngulen në cipën e e pafundme të mosdijes,
Për të më torturuar nën tigujt e hiçit,
Ngadalë,
Tmerrësisht ngadalë,
Deri sa të mos ndjej as hijen e shpirtit.

Vjeshta,
Kjo e pacipë femër,
Që me të kuqen e përgjakur më thërret të flak gjithshka,
Që nuk është e ndezur;
Nuk mund të ngrihet qiejve,
Veç tokës shtrihet për të dëfryer,
Për të më thithur edhe gulçet e fundit,
Grykës mbledhur.

Saturday 13 October 2018

Korçarët e pasur


Klasifikimet gjithnjë ngjalin kureshtje, por klasifikimi i pasunarëve është nga ata që tërheqin më shumë vëmendje. Do të thotë ai/ajo që ka më shumë se qëniet e tjera njerëzore. Mund të quhet edhe i pari ose e para që fiton një garë të gjatë në ndjekje të pasurisë, garë në të cilën futen shumica e anëtarëve të Njerëzimit.
Në renditjen e sivjetshme në më të pasurit në Shqipëri, në dhjetëshen e parë janë 4 korçarë në vendet 1. 3, 4 dhe 7. Zamir Mane, Grigor Joti, Agim Zeqo dhe Serafin Orgocka.
Në rradhë të parë duhen uruar, se janë njerëz që pasuritë i kanë krijuar vetë, pasi në vitin 1991, garën për tu bërë i pasur e nisën të gjithë thuase nga zeroja.
E dyta duhen përgëzuar, se asnjë prej tyre nuk ka mbajtur më parë ndonjë funksion të lartë në administratë apo ndonjë parti.
Mund të thuhet çdo gjë me “objektivitet” apo me edhe “dashakeqësi” ndaj katër korçarëve (Serafinin nuk e njoh por nisem nga mbiemri i tij), por fakti është që atë që anë arritur e kanë arritur me punë e përkushtim dhe ndoshta edhe me pak fat. Nëse janë detyruar të përdorin rrugët e tërthorta të korrupsionit nuk është për faj të tyre, por të politikanëve dhe institucioneve të tjera. Për më tepër, nuk duhet harruar, se shumë nga të pasurit më të dëgjuar sot në botë i kanë përdorur këto rrugë dhe mjaft të përmendim Kenedit, Berluskonin, Murdokun apo deri në Trump
Grigor Jotin e kam njohur në fëmijëri dhe a shkëlqyer jo vetëm në shkollë, por edhe në gjithë veprimtaritë ku përfshihej. Ishte i zoti dhe serioz në çdo gjë, që bënte.
Mane dhe Zeqo e kanë filluar biznesin në emigrim dhe dihet që në vendet perëndimore askush nuk të bën “dhuratë“ suksesin në biznes, por duhet të dalësh “fitues” në beteja të mëdha të konkurencës dhe për të duhet punë, talent dhe fat. Nëse në aktivitetet ekonomike në Shqipëri i kanë shtuar pasuritë edhe në sajë të lidhjeve me politikën, kjo vjn se janë politikanët që kanë pasur nevojën e tyre.
Por a ka rëndësi për Korçën në se katër korçarë hyjnë në mes të më të pasurve?
Unë nuk di se sa investojnë ata në qytet apo dhe në zonat rurale të tij. Di, që Zeqoja ndihmoj me investime në ngritjen e “Skënderbeut” në futboll dhe kjo nuk ëshë e pakët, po qe se do lëmë pa përmendur njollat e errëta të manipulimit të ndeshjeve.
Mbi të gjitha talenti në biznes i këtyre korçarëve tregon se tradita e tregëtarëve korçarë dhe voskopojarë të shekullit të kaluar nuk ka humbur.
Ju lumtë të katërve!

Tuesday 9 October 2018

Në ç’pikë të zhvillimit shoqëror jemi? (2)

(vijim)
Le të përpiqem të spjegoj se ç’kuptoj me termin “neoskllavëri”.
Eshtë pranimi nga të gjithë i krijimit të bazës së funksionimit të shoqërisë sipas “ekonomisë së tregut” të përcaktuar nga Adam Smithi dhe i huazuar më vonë nga Marksi. Mbi këtë bazë është krijuar një sistem i gjithë filozofik-politik-arsimor, ku të gjithë duhet të punojnë “për të merituar jetesën” sipas rregullave(ligjeve) të përcaktuar nga më të fuqishmit. Dhe meqënëse një pjesë e mirë e njerëzve (edhe të mirëshkolluarit) i tremben sistemeve të tjera të dështuara ose më konflikt-ndjellëse, pranojnë që kokëulur të fusin familjen e tyre në këtë sistem të ashpër të neoskllavërisë.
Po ku po shpie “paqja e shoqërisë së konsumit”?
Më e dëmshmja është  katastrofa e ardhshme ekologjike. Përsos saj, cilësia e jetës ka rënë dhe njerëzit kalojnë mëse 60-70 orë në javë në punë dhe “trafik”. Nëse në një javë do llogarisim edhe 55 orë gjumë, atëhere mbeten vetëm 40 orë në javë për të ngrënë, larë, shëtitur, lexuar, dëfryer, e të tjera e të tjera. Dhe këtu hyjnë vetëm njerëzit që punojnë pesë ditë në javë dhe në kohë normale. Nuk llogariten miliona që bëjnë nga dy punë për shkak të nevojave ose për të fituar “energji financiare”, që të largohen nga orbita e skllevërve dhe të kalojnë në një orbitë më të lartë. Kuptohet, që edhe nëse nuk do jenë të prekur nga neurozat ose nga sëmundje të tjera mendore, me stresin e orëve të zgjatura në punë, njerëzit do i shijojnë më pak edhe orët e lira.
Por si e përmenda më sipër, të gjithë thuaj se nuk bëjmë aspak për të përcjellë tek fëmijët prirjen për kritikë dhe ndryshimin e këtij sistemi. E bëjmë nga frika dhe nga padija.
Të pakët janë ata që njohin me thellësi sistemin arsimor tek i cili kemi dorëzuar fëmijët.
A është plotësisht një sistem që përgatit “ ushtarë“ apo po t’i referohemi këngës së Pink Floyd, “një tjetër tullë në mur”?
Edhe vetë nuk ju kërkojmë gjë tjetër por vetëm të arrijnë rezultate optimale për tu përgatitur për të ardhmen e tyre si “skëllevër modernë të kualifikuar”. Për t’u “bërë rehat”. Për të realizuar “ëndrrën amerikane”. Për të jetuar më mirë se ne.
Edhe pse thellë vetes e ndjejmë, që nuk duhen inkurajuar për të blerë makina dhe rroba të shtrenjta, se jo vetëm që humbasin cilësinë e të qënit modestë, por mbi të gjitha bëhen robër të konsumit, I cili do ju keqësojë jetën më vonë, nuk jemi në gjendje t’i frenojmë dhe t’ju themi haptas se “nuk është kjo thlbësore në jetë!”
Ku është fundi i kësaj rruge të blerjes së këpucëve 600-700 dollarë, i çantave 2000 dhe 3000 dollarë dhe i makinave mbi 50 mijë? A mund të ketë një fund të mirë një grykësi e tillë, qoftë dhe e arritur me të ardhura jo kriminale?
Ata që kanë në dorë sistemin(shumë herë më shumë se njerëzit e thjeshtë) janë të interesuar për të mbetur i tillë. Dhe këtu nuk hyjnë vetëm miliarderët, por edhe një lukuni me neo-liberalë, familjet mbretërore dhe deri në krerët e partive të ashtuquajtura të majta.

(vijon)

Thursday 4 October 2018

Në ç’pikë të zhvillimit shoqëror jemi?



Nëse flasim për vendet që njohim mirë, ose zenë më shumë vend në media, shoqëria njeëzore ndodhet në një stad shumë delikat të saj. Duket se është në një pikë, kur paqja dhe zhvillimi mund të përmbysen nga ngjarje të padëshërueshme, që mund të dalin në mënyrë të frikshme nga kontrolli i njerëzve dhe institucioneve të ngritura prej tyre.
“Dehja” e shoqërisë nga neoliberaizmi dhe globalizmi i pas Luftës së Ftohtë ka dhënë shenjat e para të “dhembjes së kokës”, “helmimit” dhe “ç’orientimit”. Ndjehen prirjet ndaj një nacionalizmi shkatërrues si ai i fillimit të shekullit të XX-të. Ndjehet domosdoshmëria për tu larguar nga ideologjitë klasike të së majtës dhe të së djathtës. Por mbi të gjitha ndjehet një lloj konfuzioni në qëllimet në jetë dhe dëshirat se si e duam botën tonë dhe shoqërinë njerëzore.
Nëse shkon të rinjtë, të cilët “by design” janë shtresa e shoqërisë, që kërkon ndryshime, të duken të mpirë dhe njëkohësisht të kënaqur.
A është kjo jeta që ëndërrojn?
Një të dashur, rroba të shtrenjta firmash, party në fundjavë me shumë alkol dhe seks dhe kaq?
Punojmë pesë ditë në javë për të gëzuar fundjavën dhe vazhdojmë në këtë mënyrë ciklin deri sa të martohemi. Pa vrarë shumë mendjen se kjo jetë mund të rrezikohet pikërisht nga mpirja dhe indiferenca jonë?
Pa menduar se burimet natyrore kanë një fund dhe ndoshta për fëmijë e fëmijëve do ketë “apokalipsis”?
Mbi të gjithë, në mendjen e një pjese të mirë prej tyre (e kam fjalën për të rinjtë në Amerikën e Veriut), qëndron pasha e kredive të studimeve ose e kredive që do marrin për të pasur një shtëpi dhe një makinë të mirë.
Idea (jo krejt pa bazë) e të jetuarit të çastit duket se mbizotëron jetën e tyre duke i kthyer në “skllevër të çastit”. Pa menduar se si ecën shoqëria, se nga vijnë të mirat material të një vendi dhe nëse mund të rrezikohet paqja e sotme në vendet e zhvilluara.
Pa e futur veten në ata, që mendojnë se fajin e ka politika dhe politikanët, edhe pse I përçmoj pjesën më të madhe të tyre, mendoj se rrënjët e pasigurisë, të një konflikti të madh të mundshëm, të shkatërrimit të ekosistemeve, janë pikërisht në “dorëzimin tonë ndaj neoskllavërisë“.

(vijon)