Thursday 30 January 2014

Te shkruaj a mos shkruaj, kjo eshte ceshtja!

Dilema e Princit te Danimarkes nuk ka te beje me dilemen time per te "hapur gojen" apo jo. Eshte nje zmadhim dramatik, per te rene ne sy te atyre qe hapin here here kete blog dhe mund te nxiten te lexojne keto rrjeshta duke pritur dicka te madhe. Mos prisni kot! Medyshja lidhet me nje "kercenim" te bere sot me 4 te mengjesit nga autori i rrjeshtave. I pergjumur, pasi lexoi vetem nje te treten e nje shkrimi, kercenoi shkruesin se nese nuk e hiqte nga FB shkrimin e tij do fillonte raprezalja! Tjetri ju pergjigj me "relax, relax". Meqenese qetimi nuk eshte nga cilesite e mia, sidomos 24 oret e para pas kercenimit,vendosa te vazhdoj "blackmail" ne blog, ku autori i shkrimit nuk e lecit sepse nuk e di se eshte. Ama kercenimi vlene dhe per avokatin tim qe dikur ishte ne Berlin dhe qe i ka bere nje goxha lajke, shkrimit panegjirik. Po a duhet te shkruaj kunder dickaje, te ciles i kam lexuar vetem nje te treten e siperme? Me vete them,"e po engjelli apo monstra duken edhe vetem duke pare nje te treten e siperme!" Dhe ai shkrim ishte vertet monstruoz ne "pasvanizmin' e tij. (Pasvan mbase nuk eshte fjale, por une kam perdorur edhe here tjeter grupe shkronjash qe nuk perbejne fjale.) Pse e kishte bere? Nuk e mar dot me mend. Ndoshta nje lloj entusiazmi kur e kishte rilexuar librin? Mbase varianti i perpunuar, te cilin une nuk kam pasur mundesi ta shoh eshte "breathtaking"? Nuk besoj. Kam vene re keto kohe qe Is nuk eshte aq i zgjuar dhe i kulturuar sa e kam menduar me pare. Ndaj nuk ka si te kete ndrruar mendje per ta pare mbare Vitin e Mbrapshte, e qe shokut tim i duket se e ka pare me objektivitetin e te Plotfuqishmit!

Wednesday 29 January 2014

Demokratët (2)

(vijim) Shpresoja të formoheshin edhe grupe të tjera politike, ku të shfaqeshin emra intelektualësh më të njohur, njerëz të dëgjuar për integritet ose nga ata që vinin nga burgjet e Diktaturës. Cuditërish, në Janar u shfaqën vetëm Namik Hoti dhe Gambeta me Godon. Vangjushi kishte emër të mirë, ndërsa për Godon,dija që babai nuk e kishte pëlqyer kurrë, që në fillimet e tij si oficer i lartë pas lufte në Korçë. Unë ruaja përcaktimet e tij, se edhe dy romanet historike të tij nuk më kishin lënë ndonjë mbresë. Bile Ali Pashën gati e kishte kthyer në një pararendës të Rilindjes. Shpejt u pa që Republikania ishte një parti pa peshë dhe me qëndrime shumë të dyshimta të diktuara prej Godos. Flamuri mbeti në duart e Pashko-Berishës dhe me shpresën e mbështetjes të plotë të studentëve e të gjithë të rinjve shqiptarë. Vetë e kisha ndarë mendjen që do rrija larg Partisë dhe njerëzve të rinj, por do mbështetja çdo veprim të tyre radikal. Ende dukeshin shumë të kujdesshëm edhe pse duke qënë larg Tiranës nuk i bëja dot me faj. Kishim dëgjuar, që më i guximshëm ishte Ed Rama me refleksionet e tij kundër Hoxhës në Institutin e Arteve. RD-ja në janar mezi gjendej dhe ne përpinim çdo rrjesht të saj. Javët e para pati edhe një shkrim të Benit dhe dukej që Frrok Cupi, Mitro Cela, Filip Cakuli(të tërë ish ZP-ista) e kompani kishin "viston" e njerëzve "të saktë". Po shkruanin edhe Petraq Kolevica, si dhe disa të tjerë njerëz "me një flamur". Shkurti solli grevën e studentëve dhe shfaqjen më në pah të Neritan Cekës, për të cilin kisha dëgjuar fjalë të mira kur isha student. Në punë nuk bëhej asgjë dhe njerëzit ishin me mendje e veshë të ngritura nga Tirana. Në Korçë nuk ndodhi gjë veç një mini-grevë urie në bodrumet e Mitropolisë, për të dëshmuar solidaritetin me studentët. Thuajse i gjithë qyteti bëri një lloj shëtitje e organizuar nga Sindikatat e Pavarura dhe kujtoj Salvon (Ballamaçin) që gjithë pasion drejtonte me të tjerë kollonën duke ngritur duart lart e thirrur "Jo nga monumenti! Jo nga monumenti!". Ne qeshnim me përkushtimin e Salvos dhe me kujdesin e tepruar të Sindikatave, por në fund të fundit vetë ishim më të kujdesshëm se ta. “Monumenti”ishte shtatorja e Enver Hoxhës, heqja e emrit të të cilit ishte objektivi kryesor i studentëve. Një ditë ose dy më vonë, prisnim pranë telefonit të zyrës, të mësonim ç'ndodhte në Tiranë. Një shoqe bisedonte çdo gjysëm ore me një gazetare në Tiranë dhe mësuam që njerëzit kishin zbritur në sheshi. Tensioni në kryeqytet dukej i lartë, ndërsa ne përgatiteshim të shkonim në Teatri, në një takim me Genc Rulin, Shpëtim Ukën e të tjerë. Nga telefoni u njoftuam që e kishin rrëzuar dhe u nisëm gjithë gëzim në takimin me Demokratët. Teatri ishte plot dhe në fund u dha për të gjithë lajmi i rrëzimit. Më ra në sy logjika dhe qetësia e Rulit, sepse folësit e tjerë nuk theshin më shumë se përsërisnin ato që kishte ato ditë Gazeta RD. Pas daljes nga salla, mijra njerëz prisnin jashtë, gati të shkonin drejt Sheshit të Demonstratave për ta rrëzuar "Pedagogun zuzar të Liceut" në bronx. U ngjita në shtëpi dhe e pashë prej aty shfaqjen e çoroditur. Për herë të parë kuptova mirë që nuk më pëlqente dhuna. Rrëzimi dhe sidomos tërheqja e shtatores së bronxtë rrugëve më la një shije jo të mirë. Ndoshta mendova revolucionet në histori dhe kuptova që kështu kanë bërë turmat linçuese me të gjallët. Nuk e kisha quajtur veten njeri paqësor ose i përmbajtur, por pashë që dhuna ndaj gjërave të pambrojtura është e pështirë. Rreth orës 9 dola rrugëve dhe takova disa të njohur të gëzuar. Shtrënguam duart dhe u përqafuam, por në mendje më rrinte shtatorja e braktisur në sheshin para turizmit, me dikë sipër saj që e përmirte. Sidoqoftë, Demokratët e kishin bërë të tyren edhe pse ata që kishin qënë në mbledhje kishin ndenjur larg turmës. E nesërmja solli në lajmet anti-mitingjet dhe disa ditë më pas u bë shfaqja e shpëlarë e rivendosjes të Enver Hoxhës. Ishte shfaqja më e ndyrë dhe më gazndjellëse e gjithë viteve '90. Kisha dalë me një shok të punës pranë godinës të Zaharajt dhe prisnim të shihnim kollonat me fshatarë që vinin nga rruga e Bilishtit. U panë nga larg kamionat me flamurë dhe kooperativistë mbi karroceri, që thërrisnin "Kush s'e do Enverë, sytë le të nxjerrë!" dhe "Jetën e japim, Enverë s'e japëm!" Kishin planifikuar që tre kollona me kamionë nga tre drejtimet e hyrjes në qytetet, pasi të bënin një xhirro në bulevardet kryesore e të ndiqeshin nga qytetarët, të përfundonin në shesh e të vendosnin një bust prej allçie. Qytetarët e shihnin nga trotuaret me përçmim po pa reaguar, atë shfaqje për të ardhur keq. Ndonjë i ri ju hodhi edhe ndonjë rromuz, por heshtja i “dogëndisi” më shumë se çdo gjë, fshatarët e gënjyer. Në fund, një pjesë e mirë e tyre zbritën nga kamionat dhe shkuan dyqaneve ose në miqtë në qytet. Në shesh ishin vec kooperativisteve edhe disa veteranë të mjerë fanatikë dhe punonjësit e dy Komiteteve. Me solemnitet “zorrëpërzjerrës”, Vullnetarët e Enverit me Ndrea Jankon dhe Berti Bilbilin në krye, vunë bustin e marë në Muzeu Mesjetar, të bardhë, me një shami të kuqe lidhur qafe. Dukej më i vdekur se kurrë. Sigurisht skenën finale e pashë në television në darkë dhe edhe pse ishte një si frenim i ngjarjeve, nuk besonja se do kishte konflikt, edhe pse në tv kishin treguar ushtarakët e egërsuar të Shkollës së Bashkuar. Shumica e njerëzve nuk e donin sistemin e çimentuar nga Enveri dhe jashtë shtetit, askund nuk do gjenin dot mbështetje Nexhmija, Simon Stefani e Lenka Cuko. Për më tepër, edhe po të bëheshin trima e të vrisnin njerëz, nuk kishin në arkat e shtetit as para për t’i mbuluar! (vijon)

Tuesday 28 January 2014

Demokratët

Me poshte jane disa nga gjerat qe kujtoj nga koha e ndrrimit te sistemeve. Nuk kam mbajtur kurre shenime dhe kete zakon nuk e kam hequr edhe sot. Edhe pse ky shkrim i gjate nuk do jete thjesht per DEMOKRATET, e titullova te tille, si per te percaktuar nje periudhe, kur ata luajten nje rol me rendesi ne vendin tim. Në dimrin e1990-1991, një lloj i ri njerëzish, prej gjirit të shoqërisë sonë, u shfaqën krejt befas në krye të pëshpërimave kundër shtypjes. Atë kohë, Beni e Riku nuk ishin në Korçë dhe kundër lapangjozëve në fuqi, flisja me të tjerë të njohur. Prej disa vitesh nuk kishte më njeri frikë, por askush nuk dilte në shesh e të thërriste "Zhdukuni lapangjozë!" Njerëzit në vendin tim nuk kishin një "flamur" rreth kujt të mblidheshin. Institucionet fetare kishin qënë prej kohësh të mbyllura dhe të tjera organizime symbol nuk kishte. Të gjithë vuanin gati njëlloj, me ndrsyhimin që të “prekurit” kishin shumë më pak të drejta.Dy vjet më parë, edhe pse jo të shumtë dhe entusiaztë, njerëzit kishin dalë në shesh të brohorisnin për ngritjen e shtatores së Diktatorit. Duhej të ishte ditë jave, se na kishin nxjerrë të organizuar dhe më kujtohet, që bashkë me një mikun tim, ndenjëm poshtë, pranë Berberanës, duke parë turmën si do reagonte në një nga shfaqjet e fundit qesharako-brohoritëse. Nuk na dukej ende se ndryshimi do ishte shumë i afërt. Akoma nuk ishte shembur Muri në Berlin. Edhe tetorin e dy viteve më pas, njerëzit e rinj nuk ishin shfaqur, por shembja dukej e afërt. Përpëlitja e pasambasadave dhe mungesat e mëdha në treg, e bënin të qartë edhe pa ndihmën e Zërit të Amerikës, që këmbanat kishin kohë që po binin për ta. Në Tiranë, Sokol Hoxhës i thërrisnin nga pas "Niku, Niku", duke i kujtuar fatin e djalit të Causheskut. Nuk bëhej më falë nëse do ndodhte, veç se si do ndodhte falimentimi. Javën e parë të dhjetorit u dëgjuan edhe "rrëmujërat e qytetit të Studentit", të cilat çuditërisht kishin qënë aq të vonuara, dhe të gjithë ishin të eksituar e në padurim. Ato ditë pata dëgjuar një intervistë në Zëri i Amerikës të Azem Hajdarit, që më la një shije aspak të mirë. Megjithatë, rrokopuja e ngjarjeve ishte mbresëlënëse. Në pak ditë u formua edhe grupimi i njerëzve të rinj, që vinin nga gjiri i shoqërisë sonë. Atë ditë, një i njohur, më tha të bashkoheshim me ta. "Nuk i njoh cilët janë" i thashë, në prani edhe të dy tre të tjerëve. Të shohim cilët janë dhe ç'duan të bëjnë dhe nuk jam në kundërshtim edhe pse i urrej partitë. Më pas dëgjova për disa prej tyre dhe u gëzova që ishte edhe Leka. E kisha njohur shumë pak kur mbroja diplomën, por Pirro Thomoja fliste gjithnjë me superlativa për shokun e tij. Kisha qëlluar të këmbeja dy fjalë me Berishën, Pashkon dhe Selamin në kohë dhe rrethana të ndryshme, por asnjë syresh nuk ishte nga pedagogët e Inxhinierisë. Mes 5-6 të kryes, ishte shfaqur një njeri ziliqar dhe më se egoist si Trakoja, por gjithsesi nuk besoja se përreth do kishte shumë njerëz të ngjashëm. Kishte mbi 6 vjet që shkoja rrallë në Tiranë dhe kisha humbur lidhjet me Binin e Gencin, të cilët mund të dinin më tepër rreth "njerëzve të rinj". Dikush që kishte qënë në Qytetin e Studentit ditën e shpalljes sëformimit të Lëvizjes apo Partisë demokratike, tregonte për emocionet rrënqethëse që provonte turma. Kishin të drejtë. Shuë syresh kishin një jetë që prisnin, por edhe të tjerët kishin një padurim të paktën dhjetvjeçar. E kuptonin që nuk kishte për të qënë më njëlloj. Zhgënjimi im i parë ishte kur mësova formimin e degës së Korçës dhe njerëzit në krye të saj. Mbledhja e parë duhet të ishte bërë në mjediset e Institutit Bujqësor ose në një nga shtëpitë e ndonjerit prej pedagogëve. I njihja për të mefshtë një pjesë të mirë të agronomëve që jepnin mësim në Institut dhe çuditesha edhe se si ai institucion i përgjumur po kthehej në qendrën e Lëvizjes anti-pushtet. Për më tepër, dy të dalët në krye i njihja vetë. I pari, inxhinier, që në gjimnaz mbante nofkën Urriah Hipi vënë nga të tjerët, por të cilin në konvikt e kisha njohur edhe më mirë, që ishte vërtet i pështirë në hipokrizinë e tij. Tjetri, një fizikan, ishte në rrethin tim familjar dhe dija prej të motrës, që pasi kishte ndarë "levenxkat" me të vëllanë, nuk kishte fjetur tërë natën dhe kishte kërkuar një rishikim të ndarjes. E megjithatë, ata të dy dhe të tjerët, ishin në kampin kundër pushtetit ndaj do preferoja të bashkohesha me ta e jo t'i përflisja. Edhe pse nuk besoja se mund të ndryshonin. Mitingu i formimit të Degës do mbahej të dielën e fundit të Dhjetorit në sheshi prapa stadiumit dhe në qytet kishte tension. Atë ditë, për fat të keq(a ndoshta edhe të mirë) nuk mund të shkoja dot, sepse ishte njëvjetori i ikjes së babit, ose si themi ne "i ndanim një vit." Më vonë, ime shoqe me të qeshur më thoshte, se po mos kishte qënë ai rast, do më kishte lidhur pas krevatit të çupave se e dinte që "merrja kot". Gjatë drekës në shtëpi e gjithë biseda ishte rreth mitingut dhe "njerëzve të rinj". Pasi kishim mbaruar e pinim kafetë dhe në qytet kishte filluar të binte muzgu, u dëgjuan nga larg thirrjet "E duam Shqipërinë si gjithë Europa!" Ishte vërtet emocionuese dhe dolëm në ballkon e dritare të mos humbisnim ato çaste të vrasjejs së frikës në mëmënyrë kolektive. Ishte mallëngjenjëse e më tepër ngjitja e të rinjve në vitrina e Mapos, për të mos lënë provokatorët të thyenin xhame. Korça u bë i vetmi qytet ku mitingu i opozitës të sapoformuar kaloi plotësisht në paqe. Gjithshka dukej plot shpresë në prag të vitit që po hynte. (vijon)

Saturday 25 January 2014

Galat fluturojnë lart! (2)

(vijim) Po sado të të pëlqejë Korbi, nuk mund të rrish gjithë kohën me të. Edhe pse unë nuk kam frikë se m'i nxjerr sytë. Për të larguar pak zymtësinë e frikshme të Poes, u shfaqën drejt e nga vezët e tyre, Bela e Bardhoshi. Ishin dy zogj pëllumbash(ky përdorim i zog para emrit të shpendit, më ka mbetur nga ndikimet e shkodranishtes, që quan zog çdo kafshë të posalindur. Psh zog thiu, që nuk është gjë tjetër veç një derrkuc i posalerë.) Bela e Bardhoshi kishin lindur në ballkonin mbarështrues të një miku im dhe ishin krejt të bardhë. Unë i pagëzova dhe prita sa të rriteshin pak dhe t'i merja. Ishin të parët zogj, për të cilët do kujdesesha. Dy pëllumba të bardhë e të brishtë me një siluetë gati si ajo Pëllumbit të Pikasos. I mbajta ditën e parë në bodrum dhe të dy ishin të lirë të shkonin ku të donin. Njëri syresh, më duket Bardhoshi, kishte lëshuar edhe një glasë mbi një nga telajot e mija të pambaruara, por ishte një njollë që nuk ndryshonte shumë nga ato që kisha hedhur kuturu edhe vetë. Ishin aq të bardhë e të bukur, sa nuk më hynte në sy edhe një lloj naiviteti prej zogu që kishin. Krahët ende i kishin jo të fortë për një fluturim të gjatë dhe mbrëmjeve, edhe pse ishte ngrohtë, kishin frikë e më kërcenin në sup t'i merja brenda. edhe pse e dinin që do përfundonin në bodrum. Një mëngjes Bardhoshi fluturoi përtej rrugës dhe më pas, eci pak dhe u ringrit në fluturim përsëri e shkoi më tej, tej gardhit të fqinjit përballë, në një oborr të pasëm e më vonë nuk di se ku. Unë e prita dhe më shumë se unë Bela, duke mbajtur sytë drejt pemëve në atë oborr të pasëm, ku ishte dukur për të fundit herë njolla e tejbardhë e vëllait të saj. Nuk ndenji pa çukitur, ashtu si rijnë ndonjëherë kafshë të rëna shpirtërisht, në tregimet e romantizmit surrugato, por natën dëgjova që shpupuriste krahët në bodrum më shumë se herë tjetër. Të nesërmen iku dhe ajo. Mua më erdhi keq, por nuk mund të them se mora kokën mes duarve dhe dënesa. Ishte verë, kisha shumë gjëra që doja të bëja dhe mendova se edhe dy pëllumbat ishin më mirë diku të lirë, apo me të tjerë zogj në foletë e një pëllumbdashësi. Ishte i vonuar për mua ai pasion dhe për më tepër pasion i dikujt, që quhej " si flakëkashte" nga i jati. Një shok i im i mirë, që kishte nisur të njëjtën gjë në moshë të thyer, ndoshta akoma ka plot pëllumba në pullazet e tij. Mbase ju të dashur miqtë e mij besnikë, që më lexoni duke shpresuar një ditë të gjeni diçka të saktë prej meje, jini duke pritur një udhëtim timin në Australi dhe shfaqjen e një struci me kokën thellë në rërë. Por jo. Edhe pse do ju zhgënjej, duhet të them që nuk është as nga shpendët ekzotike të një "shtëpi zogjsh" pranë ujëvarës së Niagaras. Eshtë pikërisht më e përbuzura nga zogjtë e vendit tim. Laraska. Një mikut tim në atdhe, i hipi në kokë që vendin e shqipeve, për të cilin e pyesja në email, ta quante "vendi i laraskave". I shtyrë prej shpendomanisë, unë shkrojta një "mbrojtje" serioze ndaj laraskave dhe e vura në këtë blog, ku jo vetëm justifikoja dëshirën e tyre për të "vjedhur", por edhe i paraqisja të bukura nga shpirti. Kërkimet më kishin shpënë edhe në studime shkencore serioze, që i nxirrnin këto kushërira të afërta të galave, ndër kafshët më inteligjente të planetit. Më lart edhe se shumica dërmuese e gjitarëve. Pra laraskat nuk kanë nevojë as për cice që të jenë inteligjente dhe jo si shumë nga bukuroshet e këtij kontinenti, që mundohen të ndrojnë silikonë pas silikonësh për të arritur rezultate më të larta në provat për IQ. Nuk mund t'i mbroja në aftësitë e tyre kantore, por në fund të fundit këngëtarë të mirë nuk janë as palloi e fazani dhe përsëri nderohen mes gjindjes së tyre shpendore dhe më gjërë. Ndërkaq i gjithë soji e sorollopi i korvorëve të shkretë, veç atij të Baltimorës, shihen me përbuzje. (vijon)

Friday 24 January 2014

Galat fluturojnë lart!

E gjithë kjo puna e rendies pas shpendëve mua më ka nisur vonë. Me siguri kur bleva një libër të titulluar "Birds", në një nga uljet e shpeshta të çmimeve në "Chapters". E bleva thjesht se ishte i lirë dhe jo se më binte ndërmend për zogjtë. Isha rritur në një pallat në qendër të qytetit dhe zogjtë e vetëm që shihja në fëmijëri me shumicë, ishin galat mbi çatinë e Pallatit të Kulturës. Ishin mësuar prej kohësh të rrinin në plepat e Shën Gjergjit dhe edhe më vonë i ndenjën besnikë asaj pjese të qytetit, për një arsye që vetëm ato e dinë dhe ndonjë studiues i rrjedhur i familjes së korvorëve. Pastaj galat u zhdukën jo nga frika se i zinte Përparim Veliu dhe i lyente me vajguri e ju vinte flakën, por se në fushat përreth, kishin filluar të përdornin kimikate të forta, që zhdukën jo vetëm të zezat gala, por edhe plot shpendë shtegëtarë ose dhe nga ata "që rëndojnë në vendin e vet". Kishim vendosur të prodhonim bukën në vend për popullin dhe jo për shpendët! Prej tyre, mjaft e kishim një, të lindur nga ndonjë inçest shpendor, të lyer me bojë të zezë e të vënë në një sfond të kuqeje të fortë, që tremb edhe galat! Fillova të hidhem degë më degë, si një trumcak torolloz dhe harrova se çdoja të tregoja kur e nisa këtë shkrim. Ah po! Vrapimi im i vonë drejt shpendëve. Një mçngjes herët, kur shkoja në punë për të bërë ato që kisha lënë pas dore një ditë më parë dhe për ndonjë pagesë OT, pashë një skenë që më trishtoi edhe pse shoh për ditë ketra e rakunë të shtypur nga makinat. Një fuoristradë kishte goditur një trumcak të vogël dhe ai përpëlitej mes rrugës pa mundur të ringrihej në fluturim. ajo që e bënte çdo gjë më të dhimbshme ishte trumba e zogjve të tjerë që fluturonin poshtë në përpjekje për ta shpëtuar dhe lëshonin cicërima të çmendura ankthi. Mes tyre dallohej një që fluturonte gati njësh me tokën dhe arriti edhe ta kapte me sqep. Dola me të shpejtë nga zyra dhe u mundova të kaloja trotuarin për ta marë, por ishte tepër vonë. Një tjetër makinë i dha fund të voglit. Trumba vazhdonte të klithte edhe pak dhe iku. Unë mbeta i vetëm atë mëngjes vere, dhe shikoja i trishtuar pendët embetura të zogut. Shkruajta më pas disa vargje, që hynë në librin tim të vetëm. Ishin të parat e shkruara për diçka që fluturon, bile ndoshta të parat për qënie jo njerëzore. Pastaj erdhi Korbi. Korbi ishte trembur kohë më parë, kur nga përkthimi i Uratës, ishin shkëputur dy vargje dhe ishin shoqëruar me dy të tjera, nga kushedi se ç'mëndje debile dhe mbushnin kartolinat që dërgonin vajzat për Vitin e Ri.( Frynte era që përjashta/ Tundte perdet e mëndafshta/Mos kujto se të harrova/Kartolinën ta dërgova!) Këto vargje dhe zemra e goditur nga një thikë, kanë gjërat që thuajse më kanë pështirosur dashurinë në kohën që gatitesha të hyja në "pranverën e dashurive". Korbi u shfaq papritur, i zi dhe i bukur, në një kohë plot diell. Ishte aq i bukur sa harrova që ishte kushëri i afërt i galave të Pallatit të Kulturës. Dhe e shihja kudo. Më dukej e çuditshme që nuk e kisha dalluar më parë. Bile jo një, po disa, veç të vetmuar. Një mike më tha që atje kanë qënë e më parë, po nuk i ke vënë re. Tani që po përkthen Poen, i hedh më shumë sytë lart. Mbase ajo kishte të drejtë, se ka përvojë analisteje dhe vështrimi dekartian, por unë i besoj vetëm syve të mij. Ndaj dhe u nisa deri në Filadelfia të shihja ku kishte jetuar Poe dhe skulpturën e Korbit në bashtën e shtëpisë muze. e kishin bërë të bukur Korbin dhe duhej të prisje mbrëmjen të dukej krejt i zi. (vijon)

Thursday 23 January 2014

Sikur të isha djalë...(ose grua) - [2]

(vijim) Dhe menjëherë maçoja i vogël dhe i nxituar kërcen: "Sepse kështu e ka krijuar natyra!" -Po more hajvan- i përgjigjem- po kjo nuk është as aksiomë! Këtë lloj mendimi duhet ta ketë edhe demi, që sapo ka mbaruar së "pompuari" lopën e tij të preferuar! Bile nuk mund të quhet as mendim, por pikërisht mungesë mendimi. "Sepse kështu është! Kjo nuk më ndihmon aspak". Dhe maçoja i vogël kërcen sërish dhe ja këput:"Që të qiemi!" Sigurisht që nuk mund t'i fut një shqelm bythrave, se nuk kam se me kë të debatoj, ndaj i them shtruar: -S'prish punë se nuk e the me elegancë, por sepse nuk më zgjidh gjë? Sa pjesë të kohës kalojmë duke bërë seks, duke menduar për seks, duke ju ardhur rrotull dhe duke folur rreth të bërit seks? Këtu, maçoja i vogël mendohet për një çast dhe thotë: "3 orë në ditë. Pak a shumë kaq duhet të jetë." E ndjej që ka nisur ta humbasë sigurinë e fillimit, ndaj e pranoj konstatimin e tij edhe pse nuk më duket pranë të vërtetës, e sidomos për to. Pra le të pranoj konstatimin e tij ala-Zigmund, që e gjithë veprimtaria jonë ditore dhe mendimet e ndienjat e lidhura me të, janë pikërisht rrjedhojë e "eros" dhe "thanatos". Pra ato na duan ne thjesht për dy gjëra: T'i mbrojmë nga rreziqet e natyrës dhe të bëjnë seks!- Po mirë -i kthehem,- si e spjegon skarificat që ato bëjnë shpesh për hir të dashurisë? "Cilat sakrifica?"- më thotë pa u menduar, se i duket që është duke e fituar garën e dialogut. - Vuajtjet në heshtje, fyerjet mes "kallaballëkut", refuzimet kur ato duan të bëjnë dashuri e deri flijimin e jetës për të dashurin e tyre? Këtu sikur nuk hyn as dëshira për të mbijetuar dhe as frika nga vdekja? "...po...kjo më shumë ka të bëjë me prapambetjen shoqërore-ekonomike të shoqërisë"-thotë i gëzuar se s'kam nga ja mbaj. - C'më çan bythën me prapambetjen ekonomiko-shoqërore!- i them i inatosur, që ka nisur të përdorë shabllone të sociologjisë marksiste-leniniste.- Unë po të pyes përse kanë nevojë për ne! Ai duke përfituar nga që kam humbur qetësinë, shton duke më ngritur më tej nervat. "Gjërat janë të lidhura." E kuptoj që duke sharë nuk fitoj gjë, ndaj mar tre herë frymë thellë, përsërit me mendje edhe një ushtrim psikologjik të Zen dhe rinis: - Le të pranojmë, që ato kanë pasur nevojë për ne në të gjitha kohërat dhe gjatë gjithë formacioneve ekonomiko-shoqërore. Lidhja psikologjike me ne, është thuajse e pandryshuar nga vajzat e ishujve Papu e deri tek ato, që ngasin patinat në shtigjet mes gjelbërimit në Malibu. Ai mendohet se duket që do të llogarisë shpejt e shpejt me mendje, ndryshimet fizike dhe lëvizore, të femrave të Gogenit, me ato të atyre që ëndërrojnë të kenë një "break" në Hollivud. Më pas thotë:"Po e pranojmë. megjithëse edhe ato gjeografikisht nuk janë larg. Lahen të gjitha në Paqësor! "Ky po më fryn nga noçkat"them me vete, por nuk kam asnjë rrugëdalje, veç t'i them "Ik o idiot, se kot flas me ty" dhe t'i jap fund këtij shkrimi. Por këtë nuk e dua. (vijon)

Tuesday 21 January 2014

Sikur të isha djalë... (ose grua)

Ky titull, i vënë një romani të viteve '30 të shekullit të kaluar, prej autorit të tij, Haki Stërmillit, kur e kam dëgjura të parën herë, më është dukur patetik. Mendoja që në të qënit mashkull ose femër, nuk ka vend për "sikur". Atë kohë homoseksualët përbuzeshin, përqesheshin dhe dërgoheshin edhe në burg. Transeksualët nuk m'i kishte zënë veshi ndonjëherë. Ndaj titulli i romanit nuk më dukej i goditur. Jo të njëjtën gjë mendoja për librin me tregime humoristike të Azis Nesinit "Sikur të isha grua". Atje "sikuri" shkonte pikërisht për ironinë e gjërave, e cila është objektivi dhe njëkohësisht edhe thelbi i një historie humoristike. Më vonë, kur adoleshenti mendon disi gjatë për gjininë e tij, duke qënë pjesë e një shoqërie gati partriarkale, qënia mashkull më jepte siguri dhe një lloj ndienje të këndshme fati. Se fundi shanset për të patur njërin seks nuk janë as më shumë dhe as më pak se 50%. Ndaj në rini, thuajse kurrë nuk kam dashur të "futem në lëkurën" e një gruaje. Gjithnjë kam preferuar të prekja lëkurën e tyre(dëshirë që çuditërisht nuk venitet me vitet). Një ditë, më vonë, mbeta thuajse i rrethuar vetëm nga gra, jo vetëm në familje, por edhe në një rreth më të hapët. Detyrimisht do filloja të bëhesha më i vëmendshëm dhe edhe pse nuk doja të "mbathja këpucët e tyre", të paktën doja të kuptoja disa nga modelet e të menduarit. Të mësuarin e këtyre gjërave nga librat gjithnjë e kam urryer, se më kujtonte didaktikën e shpifur të teksteve shkollore. Vënia e mendjes në punë nuk më ndihi aspak! Ishte e pamundur t'i kuptoja, jo thjesht se sipas thënies të bërë bozë, ato "vijnë nga një tjetër planet", por pikërisht se janë nga i njëjti planet dhe megjithatë mendojnë e ndiejnë në një mënyrë të padeshfrishueshme për mua. Dikush mund të thotë, që unë nuk kam fuqi mendore zhbiruese apo abstragimi, më mungon imagjinata apo nuk i kushtoj rëndësi detajeve, mund të thotë edhe troç që jam "një gomar e gjysëm", por kjo nuk më ndih as mua, as atë që e thotë dhe as dhjetra "gomerë e gjysëm", të cilët i kam njohur gjatë viteve. Unë dua të kuptoj të paktën disa prej "skemave" të tyre të mendimit e ndienjës!! (Shiko si kërcen individi "macho", prej fëmijërisë në një shoqëri të prapambetur, ku zgjatimi në vund të barkut të jep një ndienjë epërsie. Si mendojnë "ato", grupi i qënieve jo të barabarta me ne?) Por sepse i dua, kam dëshirë të rri me to, t'i prek, t'ju mar erë dhe për të mos ikur me "shërbimin e gjatë" një kërcu tejet i pagdhendur, si dhe pse dimri është i gjatë dhe i ashpër pa to, do mundohem të bëj debat me veten rreth tyre. Duke nisur me pyetjen e parë: -Pse kanë ato nevojë për ne? (vijon)

Saturday 18 January 2014

Unë isha atje! (2)

vijim Fatmir Xhafaj E rruar dhe e krruar, fytyra prej shëmbullori e Fatmir Xhafajt, u shfaq për ne në Tiranë, krahas shokëve Enver e Ramiz, në vitet 1981-82. Deri në atë kohë, studenti i Juridikut, nuk na kishte rënë në sy ...edhe pse mësimet i bënim në të njëjtën godinë. Nuk e kishim njohur as si udhëheqës të rinisë Universitare, se kur hymë në Fakultet, atë post të paguar e mbante Maqo Lakrori dhe pas tij një mirditore, që duhet të kishte një nga tre emrat- Gjela, Prenda apo Marta . Kur Fatmiri punonte ethshëm për përgatitjet e Kongresit të Rinisë, në gusht të vitit 1982, në zyrat e KQ të Rinisë(e njëjta godinë me Komitetin Qëndror), unë "nuk isha atje". Bashkë me Benin, Klitin dhe Pinen "shëlleheshim" në "Iliria"(sektori jo hoteli) dhe talleshim me "sistemin" e gajaseshim me barcoletën me zarar të Tajarit "Unë nuk e q. Partinë!" Atë shtator ose tetor, Xhafaj u zgjodh Sekretar i Parë i Rinisë. Duket, që misioni me qitje të largët(afatgjatë jo thjesht me snaiper) i dështuar i CIA-s, i kryesuar nga Xhevdet Mustafa, ka qënë, që bashkë me Hoxhën të likuidonte edhe Xhafajn. Për fat të mirë, komploti u zbulua nga vigjilenca parti-popull-parti dhe ne patëm jo vetëm udhëheqësin për tre vjet të tjera, por edhe urtësinë e Fatmir Xhafajt për dekada e dekada të tëra. Pas zëvendësimit nga Bashkurti a nga Elezi, nuk kujtoj rreth karrierës së tij, veç kur papritur, Xhafaj shfaqet sërish në qarqet e larta të PS. Sikundër disa ish-aparatçikë të tjerë kishte nisur biznesin e leverdisshëm të ndërtimit duke përfituar nga lidhjet politike. I devotshëm ndaj kryetarit Nano të burgosur, Fatmiri zinte vendin e parë në vizitorët e Bënçës për numurin e vizitave, duke kaluar edhe njerëzit më të afërt të ish-kryeministrit. Humanizmi i tij i pakufishëm, ju shpërblye pas vitit 1997, në formën e disa posteve ministrore dhe të shumë tenderave dhe shesheve të ndërtimit në Tiranë e Vlorë. Tani i çimentuar politikisht dhe ekonomikisht Xhafaj shpresonte të kishte vetëm ngjitje në karrierën e tij, që zinte fill 16 vjet më parë. Si "shërbëtor" i sjellshëm i shumë zotërinjve, ai e braktisi shpejt edhe Nanon, kur pa që kryetari i ri Rama nuk do bashkohej kurrë me të. Vazhdoi t'i shërbente me zellin aparatçikor që e karakterizon dhe besoj se pret me durim ndonjë post ministror të lakmuar. Jeta i ka mësuar, që përulja, durimi dhe shërbimi shpërblehen. Dhe këtë nuk ja kanë dhënë në leksionet në Fakultetin Juridik të studentëve "shembullorë", mes të cilëve shquante Dashamir Myslym Peza. vijon

Tuesday 14 January 2014

Janaqët

Janaqët nuk m'i kujtoi dita e Gjon Pagëzorit, por disa foto në FB. Ishin të një dite më parë. Në Korçë festohej dita e Ujit të Bekuar ose dita e Pagëzimit të Krishtit. Nuk kam qënë kurrë i pranishëm në atë festë, veç mbase një herë të vetme, në janarin e vitit 1963 dhe nuk kujtoj asgjë veç urës dhe njerëzve të shumtë, të cilët nuk linin të shihja gjë. Ceremonia atëhere kryhej në ura në Mulliri, atje ku sot është ish-këndi i lojrave me dorë. Më vonë, nga rrëfenjat e të rriturve, kisha mësuar se në ujë hidhej një kryq i artë dhe ai që e gjente në ujë i pari, shpërblehej nga kisha dhe ndoshta dhe nga besimtarët. Më hynin të ngjethurat, kur të mëdhenjtë tregonin për ujin brisk, ndaj ata që hidheshin në ujë ta gjenin ishin si heroj të fantazisë sime prej fëmije. Disi më vonë mësova se "herojtë" ishin disa nga vëllezërit Janaqi, pikërisht më të vegjëlit vëllezër të përgjegjësit të llustros poshtë shtëpisë, Nesti Janaqit. Nuk di numurin e saktë të Janaqëve, por veç Nestit kujtoj Irakliun ose si njihej në Korçë- Rakua i Oxhaqeve, Stavrin, Alqin (ose si e thërrisnin në atë kohë Maksimka) dhe Nikon. Më të rinjtë ishin të përhershmit garista të zhytjes në ujrat e ftohta të Lumit të Korçës dhe shumë herë fitues. Nuk di se nga e kishin origjinën, por duhet të kishin qënë një kohë banorë të Katavaroshit, ose lagjes ku rrinin ata që quheshin kaurë-evgjitë. Korça kishte qënë qytet në zhvillim të shpejtë ekonomik dhe ndoshta edhe më tolerant, ndaj në të kishin ardhur shumë evgjitë nga Përmeti, Leskoviku dhe ndoshta edhe nga zona të tjera të Greqisë dhe Maqedonisë. Nesti kishte qënë partizan dhe mbase me të krenohej e gjithë familja, ndonëse në natyrën e kaurë-evgjitëve nuk është të krenohen. Ata punojnë e qeshin me jetën dhe me kusuret e tyre. Në mënyrë të veçantë Janaqët, që kam njohur. Alqi ka qënë mes tyre personazhi më simpatik dhe i veçantë. Deri sa kaloi të pesëdhjetat nuk mund të thoshe nëse ishte 18 apo 32. I shkurtër e me trup të lidhur, por edhe me bark nga të ngrënët e shumtë, Alqi Janaqi ka qënë evgjiti më punëtor, që kam njohur. Në kohën e fëmijërisë sonë, ai veç punës si tornitor alumini, të djelave punonte si llustraxhi "kontrabandë" dhe shpesh e shihnim të ikte me vrap me kutinë në sqetull, për mos u kapur nga u plotfuqishmi i lagjes. Flitej, që kishte qënë ushtar në marinë dhe nofka Maksimka, i ishte vënë nga ngjashmëria me një fëmijë zezak që bëhej muço, në një film të vjetër. Alqi ishte i vetmi i Janaqëve, që nuk pinte. I ndjeri Alqi, të "shuante" në të ngrënë. Këtë e mësuam vjeshtën e vitit 1978, kur filluam punën në Repartin e Bakrit të Ndërmarjes Artistike. Alqi ishte tornitori më i mirë dhe specialisti, nga i cili varej e gjithë puna e repartit. Punonte me orë të tëra i lidhur pas tornos dhe kthente fletët e bakrit në vazo, ibrikë, kacarola e plot lloje enësh të tjera , të cilat më tej punoheshin e stoliseshin nga dhjetra burra e gra të repartit. Punonte shumë dhe hante shumë. Ndoshta vetëm në atë mënyrë e mbante trupin e fortë si prej të riu. Punëtorët e tjerë tregonin për historitë e "tenxhereve me kërnace" dhe skafave me biftekë, që Maksimka blinte kur merrte rrogën. Dhe Alqi paguhej mirë, se punonte shumë dhe pagesa ishte e bazuar në normë. Jo rrallë, pagesa mujore e kalonte dhjetmijshin, po si theshte vetë"Nuk më arrijnë, se unë i dua mijshet si fletë kalendari, të heq nga një çdo mëngjez e ta prish për të ngrënë". Në tornon ngjitur, punonte i vëllai më i vogël, Nikua, që edhe nga pamja dhe nga tarbietet ndryshonte nga Alqi. Nikua ishte i gjatë e i pashëm, pinte shumë dhe punonte pak, si dhe i pëlqenin gratë. Ne gajaseshim së qeshuri me qetësinë e tij, kur e shante përgjegjsja për mosrealizim norme. "E mo më tha- dy lashë dy gjeta, indiferent, as skuqesh as zverdhesh! Po pse do skuqem unë? Aq dua të punoj!" Nikua qeshte, ndërsa Alqi ishte serioz për punën dhe paratë, si dhe kishte dëshirë ta bënin Hero të Punës Socialiste. "Po pse s'më bëjnë mua- theshte- apo se jam evgjit?" Dhe kështu vazhdoi të punonte e të jetonte si i pëlqente deri në fund. Kur u mbyll Artistikja dhe Alqi me siguri e kishte kaluar moshën e pensionit, mori sërish kutinë me "furça, bojra dhe xhela" dhe ju kthye punës së hershme të llustraxhiut. Kthehesha herë herë dhe rrija për të bërë muhabet ndërsa Alqi më bënte shpejt e shpejt këpucët me bojë dhe ngacmohej me Janaqët e tjerë më të rinj, që bënin të njëjtën gjë. Duhet të ishte mbi 70 vjet dhe nuk dukej më shumë se një 40 vjeçar. Një të ardhuri nga Tirana, që e pyeste një mëngjes plot diell nëse kishte liçencë llustraxhiu i tha"Po të lenë të bësh llustro këtu para Turizmit, po s'pate liçencë?!!". Ky ishte Alqi Janaqi, njeriu që dukej gjithnjë i ri dhe që nuk e kisha parë kurrë të grindej apo të ankohej. Kam mësuar që është larguar nga jeta e besoj se duke punuar dhe duke buzëqeshur deri në fund. Nuk di se ç'bëhet Nikua, pasi Janaqët e tjerë, më të moshuarit ka vite që kanë vdekur. Më kanç bërë të qesh në vitet që kam jetuar në Korçë dhe ka qënë një e qeshur dashamirëse, e pastër, nga thellësia e shpirtit, si ishin dashamirës e të pastër nga shpirti evgjitët Janaqi të qytetit tim.

Friday 10 January 2014

Unë isha atje!

Gjendja e mjerueshme e Udhëheqjes së PS-së, më e keqe se kurrë në 20 vitet e fundit, më detyron të përsëris kujtimet e para '90, në të cilat janë disa bashkëmoshatarë të mij, pjesë e Elitës politike në vend. Në të do përmend edhe disa nga femijët e Bllokut, që edhe sot janë aktivë në krahun e Majtë të politikës. Nuk kam ndonjë shqetësim me përfshirjen e tyre në politikë, se fundja s'ka përse fëmijët të paguajnë për mëkatet e prindërve, sa do të mëdha qofshin. Problemi im është, që në një vend të varfër, ku e Majta normalisht duhet të jetë në pushtet për një kohë të gjatë,(si ka ndodhur në shumë vende të Amerikës Latine), kjo jo vetëm nuk ndodh, por në krye të së Majtës janë pjesa më konservatore e saj, ajo e lidhur me shumë fije me Partinë e Punës. Për arsye, që lidhen me mohimin e etërve të tyre, me transformimin e pronësisë, me liberalizimin e ekonomisë etj., kjo e Majtë, që dashje pa dashje mbart frymën e Bllokut, nuk mund të jetë “lokomotiva” e shoqërisë shqiptare. Ajo ka prirje të ndjekë një rrugë të çoroditur të zhvillimit, larg reformave thelbësore, jo për ideologjinë që mbart(nuk ju bëhet aspak vonë për asnjë ideologji), por pikëërisht për lidhjet kokë e këmbë me shtresa dikur të inkriminuara, synimi I vetëm I të cilave ka qënë të rrinë me çdo kusht në pushtet. Do mundohem ta ilustroj këtë ide, duke përmendur disa nga përfaqësuesit kryesorë të PS, të paktën ata që i njoh më mirë se ç'rrënjë kanë. Po e filloj me një politikan biznesmen, që ka luajtur një rol me rëndësi në këtë 20 vjet dhe së fundi vendosi edhe të bëhet edhe zyrtarisht politikan: • Koço Kokëdhima. I njohur sot si një nga biznesmenët më të fuqishëm shqiptarë, (me dëshirën për të qënë Donald Trump-i shqiptar jep edhe këshilla në shtyp si "të bëhesh milioner"), Kokëdhima lidhet me Partinë e Punës, që në fundin e viteve '70. Kur filluam universitetin, në vitin 1979, të çuditur mësuam se mes studentëve konviktorë ishin edhe 2 anëtarë partie të pranuar në fund të shkollës së mesme. Njëri quhej Koço Kokëdhima dhe studionte Fizikë në Shkencat. I dyti, po nga Vlora, ishte një ronxhobonxho në inxhinierinë e Ndërtimit, të cilin e kam njohur atë kohë, por nuk kam dëgjuar më të flitet për të. Për ata që nuk i përkasin brezit tim, po spjegoj se të ishe komunist në moshën 19 vjeçare ndërsa mbaroje shkollën e mesme , ishte një gjë e padëgjuar dhe individi ose duhej të ishte shquar për devotshmëri, ose Komiteti i Partisë në Rreth(në këtë rast Vlora) duhet të kishte nisur një lloj eksperimentimi idiot. Ne na qeshej me dy komunistët universitarë, sepse fryma e përgjithshme në rrethet e studentëve(përfshi edhe fëmijët e Bllokut) ishte kundër devotshmërisë dhe e quante në rastin më të mirë qesharake. Duket që Kokëdhima kishte synime të hershme për karrierë dhe këtë e arriti shpejt, ndonëse nuk mundi të bëhej Sekretari i BRPSH-së, për të cilën në atë kohë u zgjodh një tjetër student nga Vlora. Koçoja, pas studimeve nuk arriti të qëndronte në Tiranë por filloi si funksionar, Sekretar i Rinisë i Fierit. Atje filloi karrierën e tij si biznesmen në fundin e viteve '80, kur u shfaq në skenë i zgjedhuri i PP-së, biznesmeni i falimentuar Ajdin Sejdia. I sugjeruar nga lart, Kokëdhima filloi veprimtaritë ekonomike të pavarura nga sistemi shtetëror, me objektet në kontrollin e Komitetit të Rinisë. Me to krijoi një bazë ekonomike për vete, që do ta përdorte më vonë kur të rikthehej në Tiranë, pas një emigrimi të shkurtër. Lulëzimi i i bizneseve të tij, të lidhura me tenderat, ndodhi vetëm pas vitit 1997, kur PS erdhi në fuqi dhe njerëzit më me pushtet ishin miqtë e pedagogët e Koços, profesorët Gjinushi, Fatos Klosi dhe Rexhep Mejdani. Lulëzoi edhe gazeta e tij "Shekulli", të cilën po e nxirrte në treg gati falas, duke konkurruar gjithë botuesit e tjerë dhe duke i shërbyer klanit të tij në PS. I njohur për mosmarëveshjet e tij me klanin Nano, Kokëdhima u bë një mbështetës kryesor i Ramës në përpjekjen e tij për të marë në dorë PS-në, duke braktisur edhe mikun e vjetër Mejdani. Rol kishin luajtur tenderat dhe bizneset e përbashkëta të ndërtimit me kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Gjatë këtyre viteve, ai në gazetën e tij kishte nisur një luftë të çuditshme ndaj Kryepeshkopit Janullatos, të cilën nuk kisha mundur ta kuptoja. Sidomos, kjo luftë ushqehej në një forum shqiptar në internet, të financuar prej tij dhe i drejtuar nga i nipi i tij Dori. Më habiste ashpërsia në forum dhe pasqyrimi i tij në web-in e Shekullit. E dija që Kokëdhima nuk ishte ndonjë patriot i thekur, por nuk dija se ç'interesa mund të kishte për të goditur kreun e Kishës, e të mbështeste një prift torolloz në Elbasan. Zakonisht kjo bëhej nga partitë e djathta gjoja nacionaliste. Me hapjen e çështjes së Thimio-ikona, m'u qartësuan interesat e këtij vagabondi të hershëm të politikës puniste. Rikthimi i Berishës në pushtet solli një rënie të veprimtarisë të tij ekonomike, por bizneset e ndërtimit në Tiranë ishin si gjithnjë të forta, deri sa filloi kriza e ndërtimeve. Tashmë Kokëdhima vendosi të mos mbetej më në prapaskenat politike, por të hynte në politikë, ndoshta me synimin, për tu bërë pas dy-tre legjislaturash kryeministër i vendit. Në vitet e fundit, arriti të mënjanojë edhe rivalin e tij të përhershëm, ish-Sekretarin e KQ të PPSH, vlonjatin politikano-biznesmen Fatmir Xhafa. (vijon)

Thursday 9 January 2014

Viti 2014 duhet të jetë për ne shqiptarët Viti i De Radës dhe i kulturës arbëreshe.

Nuk di nëse në Shqipëri, përcaktohet ndonjë përparësi në fushën e kulturës dhe festimeve kulturore-historike dhe nëse diçka e tillë është bërë tashmë, por në shtyp ende nuk më ka zënë syri emërtime të këtij karakteri. Për të mos patur shumë festime në vjeshtë për 70 vjetorin e çlirimit nga nazistët, si bëhej në kohën e Diktaturës, populli ka nevojë të festojë e të mësojë më tepër rreth historisë e kulturës së tij jashtë politizimeve. Sidomos kur është fjala për pjesë dhe personalitete me rëndësi të tyre. Këtë vit mbushen 200 vjet nga lindja e Jeronim De Radës. Edhe pse kemi mësuar në shkollë rreth poetit arbëresh dhe kontributit të tij në Rilindjen Kombëtare, njohuritë tona rreth jetës dhe veprës së tij janë të kufizuara. Aq më të pakta janë ato rreth një pjese të rëndësishme të kulturës së kombit, asaj arbëreshe që ka bërë aq shumë në formimin e identitetit tonë kombëtar. Madje jo vetëm të kufizuara, por në shumë raste ato janë sipas klisheve të ndërtuara në kohën e Zogut dhe më keq më tej, në kohën e Diktaturës. Kam përmendur diku me shaka rreth klishesë mbi arbëreshët që rrinë ndaj detit me lot në sy dhe këndojnë "O e bukura More!" Edhe pse e ekzagjeruar nga unë, kjo klishe është krijuar vërtet në kohën, kur Shqipëria ishte vënë në qendër të universit dhe detyrimisht, arbëreshet që kishin 5 shekuj në Itali dhe nuk mund të linin dot vatrat e reja, do "zhurriteshin nga malli" për atdheun e dalë tashmë në dritë! Po ashtu, figura e De Radës, ishte dhënë sipas një klisheje të ngjashme, si arbëreshi i përvuajtur, që ka mall për tokën dhe kohën e të parëve, sidomos atë të Kryetrimit Kastriot. De Rada shihej nën dritën e ideologjisë marksiste dhe zhvishej nga të gjithë elementët e tjerë si formimi i tij fetar që në familje dhe në shkollim, marëdhëniet me lëvizjen për Bashkimin e Italisë , niveli i veprës së tij krahasuar me ato të bashkëkohësëve italianë dhe europianë, etj. Aq e përvuajtur ishte krijuar klisheja De Rada, sa edhe në dy tre buste të tij të bëra pas '45, paraqitej me kokë të përkulur e një shikim gati prej lypësi. Jo pa shkak, në një prej tyre në Tiranë, përkrah Lanës, poetit arbëresh i kishin vënë "doçërit" edhe një krodhe të madhe buke! De Rada është pararendës i Rilindjes Kombëtare dhe edhe në saj të tij, ne jemi sot në gjendje të komunikojmë me njëri tjetrin në gjuhën e stërgjyshëve. E tillë është edhe e gjithë kultura arbëreshe, e ruajtur në vatrat dhe kishat shqiptare të Kalabrisë dhe Siçilisë. Pikërisht për këtë duhet t'i njohim e nderojmë më shumë! Dhe ky vit është një rast i mirë për ta bërë e për t'u marë sa më pak me politikën e ditës dhe se " e lagu apo s'e lagu këmbën ushtari i fundit gjerman, kur u largua nga Shkodra"!

Tuesday 7 January 2014

Rreth intervistes se Kadarese (2)

Intervista e Ismailit, ishte sjelle ne FB nga youtube dhe ishte transmetuar e perkthyer ne kanalin televiziv shqiptar ABC. Nuk di se ne c'kohe e ka dhene Ismaili. (vijim) Duke vazhduar me pikën e tretë, rreth raporteve të shqiptarëve me turqit, së dyti duhet thënë se Harta e Ballkanit e asaj kohe ka qënë shumë shumë e ndryshme nga harta e 150 viteve të fundit, që shpesh jo vetëm nga ne, njerëzit e zakonshëm, por edhe nga ata që meren me histori, ka mbetur në kokë si harta e shpërndarjes të popullsive në Ballkan. E vërteta është tjetër. Jo vetëm nuk kishte kufij në kuptimin e sotëm të kësaj fjale, por edhe vetë kufijtë imagjinarë të principatave dhe mbretërive ishin shumë të lëvizshëm. Nuk ishte çudi që i rrethuar nga principata rumune të ishte një princ shqiptar apo sërb, dhe mbretër bullgarë të kishin "ishuj zotërimi" edhe në territore larg Bullgarisë së sotme. E përhapur ishte dhe lëvizja e fiseve të tërë, që shpërnguleshin nga territoret e një prijësi dhe formonin fshatra në vende të tjera. Ende sot ka fshatra të tillë me banorë të një kobësie tjetër, të rrethuar nga të gjitha anët nga fshatra me popullsi vendase. Nuk kishte kombe. Ky nocion duhet të na udhëheqë, kur flasim për historinë europiane të para shekullit të XVIII. Ndaj të thuash se shqiptarët ranë më vonë se të tjerët është abuzim. Për më tepër kur këtë e paraqit, si cilësi të rezistencës, kokfortësisë dhe trimërisë të tyre. Ka edhe një arsye tjetër, që e bën më të qartë, përse prijësat shqiptarë ju nënshtruan otomanëve të fundit. Prej fillimit të dyndjeve sllave, fiset ilirë që flisnin gjuhën ku i ka rrënjët shqipja, u detyruan të shtyhen poshtë e më poshtë, në zonat jo më të lakmuara të Ballkanit. Duam apo nuk duam ne, Shqipëria jonë, pas rënies ekonomiko-kulturore të qyteteve greke të Durrësit, Apolonisë dhe Butrintit, nuk ishte me pozitën gjeografike më të favorshme, si mund të jetë sot. Rruga Egnatia kishte humbur rëndësinë dhe terreni i aksidentuar, apo kënetat në zonat fushore, nuk premtonin zhvillim apo pasuri. Ndryshe ishin punët në Ballkanin Verior. Danubi ishte arteria kryesore e lëvizjes së mallrave dhe parave në Europë dhe në afëri të tij ishin shumica e qyteteve të pasura të asaj kohe. Ndaj Turqit(dhe të tjerët) luftonin të vinin në zotërim këto zona edhe para se të kapnin Konstantinopojën. Territoret e prijësve shqiptare, ishin të fundit që ranë, sepse ishin nga të fundit që u sulmuan prej turqve që vinin më shumë nga veriu se sa nga lindja apo juglindja si kemi menduar më parë. Në planin tjetër, atë të bashkëpunimit apo bashkëqeverisjes, Ismaili bën një deklaratë tjetër që mbart një nacionalizëm krejt foshnjarak. Thotë që vërtet është paradoksale se si ata që rezistuan më shumë u ftuan të parët në bashkëqeverisje dhe për këtë, spjegimin e jep me dinakërinë e turqve "le të përfitojmë duke i përdorur në administratë, këta shqiptarët inteligjentë!". Që ne jemi po aq të zgjuar dhe po aq gomerë sa tërë ballkanasit e tjerë, këtë gjë, pas pesëdhjet e kusur vitesh që mar frymë, nuk ma heq dot njeri nga koka. Bile dyshoj se jemi një çikë më dembelë se të tjerët, pasi nuk çamë shumë kokë të shkruanim gjuhën tonë. Megjithatë, pjesëmarja jonë në qeverisje, kthimi më në masë në fenë myslimane janë tema shumë të gjëra dhe sigurisht nuk mund të mbulohen këtu. Për t'i rënë shkurt, mendoj se duke qënë në popujt më të vjetër dhe që kishim parë shumë pushtues të vinin e iknin, kemi zhvilluar një lloj pragmatizmi, i cili na ka ndihmuar të mos asimilohemi dhe njëkohësisht të përfitojmë nga bashkëqeverisjet. (vijon)

Saturday 4 January 2014

Rreth intervistës së Kadaresë dhënë një radioje franceze.

Ketu jane kundërshtimet e mia ndaj intervistës së Kadaresë dhene dy jave me pare ne nje radio franceze. Përtoja ta dëgjoj së dyti intervistën dhe do flas rreth atyre të pavërtetave, të cilat mund të kujtoj edhe pse ndonjë ithtar i Is mund të më akuzojë se i kam larguar nga konteksti. 1. Duke folur rreth Mesjetës shqiptare, Ismaili thotë se “shqiptarët në fillim kanë qënë të gjithë katolikë“. Edhe pse nuk përmend se në cilin fillim, le të shkojmë edhe tej kufijve të Mesjetës, për të bërë të mundur të provojmë tezën e Ismailit. Duke parë prej kohës së Këshillit të Nikeas, kur kristianizmi u bë fe zyrtare e Perandorisë Romake, nuk ka asgjë të provojë nëse në territoret ku jetojnë sot shqiptarët, ilirët e më vonë fiset që ruajtën gjuhën, ishin më shumë paganë, kristianë të drejtimit zyrtar (Katolikë), Ortodoksë, Nestorianë, Koptë apo të ndonjë drejtimi tjetër. Edhe në fillimin e Mesjetës Europiane (shek i Vtë) për ta vlen e njëjta gjë. Edhe kur shtyhemi në shekujt pas atij të XI-të, kur ndarja mes Kishave është e plotë dhe përfundimtare, përsëri nuk ka siguri të thuash nëse shumica ishin Ortodoksë, sepse ishim nën Bizantin apo Katolikë. E njëjta pasqyrë është edhe në periudhën e dyndjeve turke, ku edhe pse në një kohë jo të shkurtër nën sërbët, një pjesë jo e vogël e shqiptarëve ishin katolikë dhe mbetën të tillë. Deklarimet e Ismailit, të bëjnë të dyshosh se janë për atë pjesë të publikut europian, që jo vetëm trembet nga rreziku islamik, por edhe nga rreziku rus apo sllavo-grek. 2. Përsëri duke folur rreth katolicizmit shqiptar, Ismaili bën një pohim tjetër, që nuk përputhet aspak me kohën për tëcilën flet, por me dy shekujt e fundit. Duke folur rreth ndikimit pozitiv të priftërinjve katolikë në popullsinë shqiptare, thotë “Priftërinjtë katolikë ishin shumë të kulturuar se kishin mbaruar universitetet më të mira të Europës!” Meqë flet për periudhën e hershme të shqiptarëve, pa u kthyer në ortodoksë e më pas në myslimanë, nuk mund të bëhet fjala për shkollim universitar, sepse universitetet e parë në Europë i përkasin shek XXII. Edhe disa shekuj më vonë, kur universitet ishin të shumta, nuk ishte e thënë që “shugurimi” në prift të kishte si kusht diplomën universitare. Në kohën e Papëve plot pushtet, titujt fetarë jepeshin sipas pagesave dhe interesave. Nuk mundet që Borxhiat, fjala vjen, të bënin një të pashkolluar në Itali kardinal, “por në Shqipëri ama na duhen famulltarë me universitet”. A është kjo dëshmi e mosnjohjes së historisë nga Is apo një lloj servilizmi i tij ndaj Europës Katolike, këtë nuk mund ta ndaj dot. 3. Ismaili prek edhe këtë rradhë të ashtuquajturin paradoks, se “shqiptarët edhe pse ju rezistuan turqve më shumë se të tjerët e ranë një shekull më vonë, morën pjesë më tepër se të tjerët në pushtetin turk!” Kjo tezë është nga falsifikimet më bajate të historisë. E para, duhet thënë, se panorama e Europës Lindore, kur në skenë shfaqen turqit është tepër komplekse. Mbretërit, perandorët dhe princat e këtyre trevave, po griheshin me njëri tjetrin për të shtuar zotërimet(E njëjta ndodhte në gjithë Europën.) Turqit ishin një “lojtar” i ri, që hyri në këtë lufto-politikë I ftuar bile nga Bizanti, për tu mbrojtur nga rreziku i marjes së Konstandinopojës nga Stefan Dushani, Mbreti i sërbëve. Gjatë përplasjeve me njëra tjetrën, forcat e ndryshme në Ballkan, krijonin aleanca me njëra tjetrën dhe me të “jashtmit” si turqit, venetikasit apo me Mbretëritë e Hungarisë, Napolit, Aragonës etj. sipas konjiukturave. Edhe pse me pushtet më të vogël, në këtë lojë hynë edhe princët shqiptarë, për të cilët kalimi nga një forcë e madhe në një tjetër ishte thjesht ndrim vasaliteti. (vijon)