Saturday 30 July 2022

“Quid pro quo”-të Peleshi-Inva Mula


Bashkia e Korçës posa i dha titullin “Qytetare Nderi” sopranos sonë të mirënjohur Inva Mula. Duhet thënë se Inva ka vërtet vlera të rralla artistike, si dhe një kontribut të ndjerë në organizimin e Festivalit MIK në Korçë, tashmë e disa vjet. Emri i saj i bën nder qytetit të Tefta Tashkos dhe Kristo Konos, si dhe dhjetra muzikantëve të tjerë të shquar. Edhe Bashkia duhet përgëzuar, që nuk gjen më emra si Behgjet Pacolli e të tjerë, që nuk kanë asnjë lidhje me Korçën, për t’i “kurorëzuar” si “Qytetar Nderi”.

Duke përgëzuar soprano tonë të njohur edhe në skenat më të famshme në botë, për këtë titull të ri, duhet t’i kujtojmë diçka, që artistë të kalibrit të saj nuk duhet t’ja lejojnë vetes.

Një javë para zgjedhjeve të 25 prillit, Inva shpërndau një video në mbështetje të hapur për Niko Peleshin, atë kohë i ngarkuari nga PS-ja për fushatën elektorale të vitit 2021. Nuk është krejt pa preçedent edhe në botë, që personalitete të artit, kulturës dhe sportit të mbështesin parti të caktuara ose individë të caktuar në fushata elektorale. Por për të ruajtur emrin e tyre të mirë dhe për të mos shkelur ligjet e vendeve të tyre, gjithnjë mundohen të shmangin ato që quhen “konflikte interesi”.

Inva Mula merr fonde nga Bashkia e Korçës për të organizuar festivalin MIK dhe duke njohur prapaskenat historike të Bashkisë, nuk është e pamundur që sasia e fondeve të kushtëzohet edhe nga “quid pro quo”- “ndihmë pak gjatë fushatës se këtë rradhë do e hapim thesin më shumë!”

Nëse politikanët shqiptarë ku hyjnë Niko Peleshi dhe Sotiraq Filo nuk e kanë për gjë të bëjnë veprime të tilla joetike dhe ndoshta edhe të kundërligjshme, sopranoja jonë e madhe duhet të ketë më shumë kujdes të dalë e panjollë nga sjelljet “njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja fytyrën”.

Dhënia e titullit të rëndësishëm duhet ta bëjë Inva Mulën të rrijë larg përzjerjes në fushatën e ardhshme për kryetar bashkie nëse do me të vërtetë të jetë “Qytetare Nderi” e qytetarëve të Korçës. Të gjithë e admirojmë për vlerat e saj të shkëlqyera muzikore dhe e duartrokasim në çdo shfaqje.

Le të marrë edhe duartrokitjet tona për sjelljen e nderuar shoqërore-politike!

Unë, Bob Dylan dhe Nicolo DiLana


Me shumë turp po e pranoj që Bob Dylan nuk më ka pëlqyer kurrë. Shumë vite më parë më vinte zor ta pranoja në publik, se trembesha që do më quanin “injorant”, “pa veshë muzike”, “gdhë në poezi” dhe shumë epitete të tjera edhe më të rënda. Të gjitha do ishin të drejta dhe jo dashakeqe, se të mos pëlqesh një nga kantautorët më të famshëm të shekullit të XX-të është si të thuash që nuk më pëlqejnë pikturat e Pikasos.

Po mendova që “turpi është për të gjallët” dhe në këtë periudhë reflektimi ndaj veprës të Bobit të famshëm e bëra publike një nga turpet e shumta që kam bërë gjatë jetës. Mosha më ndihmon për të bërë pohime të tilla.

Dhe nuk nisa të reflektoj ndaj veprës të Dylan, kur papritur ju dha çmimi Nobël në letërsi më 2016. Atëhere pata një ndjenjë të dyfishtë befasimi dhe kënaqësije, se mendova që dhe lëvruesit e poezisë kantore si Dylan, Jim Morrison apo Leo Cohen mund të barazohen me më të mëdhenjtë.

Reflektimi dhe thellimi në vargjet dhe meloditë e Dylan më nisi, kur mësova se tekstet e këngëve të tij po i përkthen dikush që nuk është një personalitet sidokudo, por vetë Nicolo DiLana.

Që vetë DiLana të marrë çaste nga koha e tij e çmuar dhe të përkthejë Dylan është një dukuri shqiptare që përsëritet vetëm një herë në 100 vjet. Deputeti i Korçës dhe kryeministri i Shqipërisë për 6 muaj, Imzot Fan Noli e bëri këtë me Shekspirin dhe Poen 100 vjet më parë. Një periudhë e mëtejshme mbeti e gjitha e zbrazët, sepse edhe Sejfulla Malëshova nuk përktheu ndonjë poet të madh.

Dhe ja tani deputeti i Korçës, ish zv-kryeministër dhe aktualisht Ministër i Mbrojtjes po përkthen nobelistin e shquar. Këtë e konfirmoi në një intervistë një nga drejtoreshat rilindase që tha pak a shumë: “Unë e kam pëlqyer gjithnjë Bob Dylan, por nisa ta pëlqej marrëzisht, kur Niko Peleshi filloi të përkthejë poezitë e tij.”

Tamam tamam Spiropalseja jonë duhet të theshte që tashmë e kemi Nolin e rilindur – Nicolo DiLana.

Nisa të lexoj çdo ditë vargjet e Bobit, por mendjen e kam se kur do më dalin para përkthimet e Ministrit të Mbrojtjes. Prej Ibrahim Pashë Dërrallës, Beqir Ballukut, Zabit Brokajt e me rradhë, nuk kemi patur fatin të kemi një ministër që shuan jo vetëm zjarret në Karaburun, por edhe zjarret romantike në zemrat e simpatizueseve të tij.

Bob Dylan s’mund të shtoj gjë tjetër, veç që ke rënë në duar të mira në Shqipëri! 

Te katërtit në botë!


Ka diçka ku jo vetëm kemi tejkaluar pritshmëritë tona por kemi çuditur edhe botën. Në klasifikimin botëror të krimit të organizuar, Mafia shqiptare ze vendin e 4-ërt. Kjo bazuar në të ardhurat vjetore. Kemi lënë çuditërisht pas Italianët, ata që shpikën Mafian, të cilët renditen në vendin e 5-të. Kuptohet duke i ndarë nga mafia amerikane, e cila ze vendin e tretë dhe është thuajse tërësisht italo-amerikane.

Por ne nuk jemi më shumë se 10-12 milion në të gjithë botën, kurse gjithë Mafiat e tjera , që hyjnë në dhjetë më të fuqishmet ju përkasin vendeve me mbi 30 milion banorë. I lemë pas rusët, japonezët, turqit dhe brazilianët.

Nuk di se kujt duhet t’ja dedikojmë këtë potencë- shokëve Enver dhe Tito apo Skënderbeut; shpirtit tonë të guximshëm dhe liridashës; otomanëve  dhe bizantinëve apo më tej në thellësi të shekujve, ilirëve dembelë dhe bythmosçarës.

Por faktet janë të tilla. Edhe pse të vonuar në gostinë mafioze që ndihmohet nga liria e sistemeve demokratike, ne arritëm shumë shumë pranë podiumit të medaljeve. Lojtarë kryesorë në Amerikën Latine, kontrollues të porteve të Londrës, Hamburgut dhe Roterdamit, “djemtë“ tanë po tregojnë orientim ekonomik, organizim, disiplinë dhe mbi të gjitha mizori.

Ka të drejtë kryeministri Rama, që do të realizojë “amnistinë fiskale”. Mafia shqiptare llogaritet që ka mbi 15 miliard euro të ardhura në vit dhe nuk ka pse mos investohen në Shqipëri dhe kryesorja pse mos taksohen. Janë para të nxjerra me gjak, djersë dhe sakrifica. Buxheti i shtetit do rritet gjë që do të thotë më shumë shkolla, spitale dhe mbi të gjitha më shumë para në xhepin e Ramës dhe të “tigrushave” të tij.

Kam disa ditë që i shoh me përbuzje kanadezët, grekët, sërbët, rumunët, spanjollët, portugezët dhe shumë përfaqësues të etnive të tjera.

Unë jam nga populli që ka Mafien e katërt më të fuqishme në botë!

Friday 29 July 2022

Dhimbja

Unë vij nga thellësitë e territ,

E territ të plotë ku nuk duken as pemët.

Dhimbjen kam shaluar,

Njësh bërë me të;

E kamzhikoj me një fshikull të helmët.

Diku është fshehur drita

E lëbyrta që kthehet e kristaltë,

Ajo që vitesh e prita

Kur isha i ngujuar,

Në errësirën e pamatë.

E ndërsa oqeani është tërhequr

Edhe ai në pritje të dritës,

Kalorës i një dhimbjeje që rritet bëhem,

Mbi zverkun e saj mbledhur,

Mpakur,

Shpirtin cergosur,

                Prej ankthit cfilitës.

Ndër grila të bardha drita pështjellë

E zbehtë,

                E pafuqishme,

                                E brishtë,

Nuk mund të më ringjallë shpresën,

As të zvogëlojë dhimbjen që rreket të më qorollisë,

Terri i përjetshëm më përpin,

Më tërheq sërish në të zezën e tij pisë. 

Mitingjet, festimet dhe gjurullditë e tjera


Kjo puna e mitingjeve, ku të detyrojnë të shkosh është një histori e vjetër. Lidhet me regjimet totalitare dhe nuk ka të bëjë aspak me pjesëmarrjen në proceset politiko-demokratike, për të cilat kam shkruar shumë herë. Mitingjet, festimet apo koncertet ku të venë në dispozicion autobuz, apo të verifikojnë nëse ishe apo jo nuk janë pjesëmarrje në jetën shoqërore të vendit. Shumë pjesëmarrës detyrohen të venë në Facebook apo Instagram fotot e tyre për të dëshmuar para udhëheqësve dhe spiunëve se ishin në miting apo në festim. “Ja ku është dëshmia!” duket sikur thonë me buzëqeshjet e tyre të shtirura në një buzëmbrëmje korriku në Tiranën përvëluese.

Në fëmijërinë dhe rininë tonë kishte masovikë që ishin të specializuar në organizimin e mitingjeve, sigurimin e pjesëmarrjes, përgatitjen e banderolave dhe shpërndarjen e tyre, si dhe vendosjen e grupit që kishin në ngarkim në kuadratin e përcaktuar. Mbi 90% e fëmijëve dhe të rinjve nuk kishin asnjë dëshirë të shkonin në ngjarje të tilla pas shkollës. Kur mitingjet ishin në mëngjes, bëheshin një sebep i mirë për të mos bërë mësim. Kishte raste që na nxirrnin në trotuare për të përshëndetur udhëheqësit e Tiranës që do kalonin për të hyrë në një konferencë partie a në ndonjë Kongres. Edhe pse nuk ishim disidentë na vinte për të qeshur dhe ndonjëherë edhe na përzihej nga shfaqje të tilla gjysëm idiote. I shmangeshim mbajtjes së flamurëve dhe banderolave.

Në vitet e universitetit shmangiet ishin më të mundëshme. Kishim më pak kontroll gjatë jetës studentore. Edhe në ato vite detyroheshe të merrje pjesë në parakalimet e 1 majit ose në ndonjë paradë ushtarake, por ishte më e lehtë të gjeje një arsye për të mos marrë pjesë. Nuk di se ]’kisha gjetur për t’ju shmangur parakalimit të 1 majit tim të fundit në Tiranë, por kujtoj që para se të shkonte ora 5 e mëngjesit, sekretari i partisë, i ndjeri Niko Verdha trokiste me grusht në dhomat e konviktit për të na nxjerrë në kohë jashtë. Isha vetë në dhomë dhe kur hapi derën dhe pa që nuk po ngrihesha më thirri me atë të folurën e tij karakteristike me hundë “Po ti ]’pret që s’ngrihesh?!” dhe kur I thashë arsyen m’u përgjigj gjithë mllef: “E s’ke surrat ti të parakalosh para udhëheqjes!” Ishte viti 1983 dhe nuk më bëhej vonë për udhëheqjen edhe pse nuk isha ndonjë kundërshtar i flakët i regjimit. Isha një i ri që kisha nisur të kuptoja pak më shumë nga kjo jetë.

40 vjet më vonë, shumë pak ka ndryshuar nga mitingjet, organizatorët dhe frika për të mos marrë pjesë. Sigurisht që ka më shumë liri për ata që nuk merren me politikë dhe punojnë në sektorin privat, që dëshmon se “liria funksionon”, por përsëri janë mijëra njerëz që detyrohen të shkojnë atje ku nuk duan.

Të vjen të klithësh: “Të dhjefsha partitë, të dhjefsha udhëheqësit…se mos harroj edhe të dhjefsha flamujt dhe banderolat!”

Kur do vijë ajo ditë të jemi plotësisht të lirë?

Thursday 28 July 2022

Kompleksi i Belmenderes


Ndoshta duhet shkruar dhe analizuar më me qetësi një kompleks arkitekturor, për të respektuar punën e kolegëve, por ja që pamjet e fundit të kompleksit të vilave të Belmenderes nuk ta japin këtë mundësi.

E theksoj punën projektuese të kolegëve, sepse edhe nëse punojnë nën “hyqmën” e Zamirit, arkitektët duhet të përdorin formimin e tyre për të shpëtuar diçka që mund të shpëtohet. Për fat të keq të qytetit nuk e kanë bërë dhe po dëshmohet edhe një herë se ne arkitektët jemi “kolaboracionistë të pushtetit të errët të atyre që kanë në dorë“. Nuk mund të shkohet me “Po ç’të bëjmë ne? Të lenë pa rrogë!” apo me “Ju e kini të lehtë të flisni se nuk jetoni këtu!” Pikërisht se jetoni në Shqipëri të dashur kolegë dhe përballeni përditë me shëmtirat, që ju detyrojnë të projektoni, duhet të bëni atë që është e mundëshme për të ndalur më të keqen.

Korça, Berati dhe Gjirokastra kanë shembuj të shkëlqyer të arkitekturës në kodra ndaj nuk ka nevojë të shkohet shumë larg për të gjetur frymëzim.

Zamir Mane ka dëshmuar hapur në intervista që mendja e tij punon vetëm për para! Eshtë mendja e ngushtë e një njeriu të pangopur, që kujton se paraja është gjithshka. Le të rrijë në lakminë e tij se nuk mund të ndryshojmë dot mendjen e njeriut më të pasur në Shqipëri.

Nuk mund të ndryshojmë dot as përuljen e Niko Peleshit dhe Raqi Filos ndaj Ramës dhe indirekt ndaj Zamirit. Idea e kompleksit të Belmenderes është punuar prej vitesh nga mendjet diabolike të pushtetarëve lokalë, që në proceset e rikthimit të pronave dhe me tej në projektet e Parkut të bëra nga një arkitekt i mallkuar Australian që ka përdhosur në shumë vende Korçën tonë.

Por a mund të projektohej më mirë?

Por a mund të këmbëngulej për të pasur një dendësi më të vogël?

Por a mund të zgjidhej një arkitekturë më elegante dhe më e pranueshme për syrin e korçarëve?

Të gjitha ishin të mundshme. Edhe pasunarët më lakmitarë mund të zbuten në babëzinë e tyre nëse ju vihet në dukje se ç’mund të bëhet më mirë.

C’ka mbetur tjetër për tu përdhosur në qytetin më modern të Shqipërisë së paraluftës?

Kujt t’ja kërkojmë këtë përgjigje? Korçarëve Zamir, Niko, Raqi apo eunukëve të Urbanistikës së Bashkisë?

 

Wednesday 27 July 2022

Rama mbijeton si sundimtar falë dembelizmit tonë


Ne jemi një popull dembel. Në këtë dembelizëm i ka rrënjët fatkeqësia jonë e vazhdueshme që të kemi në krye sundimtarë të këqinj.

Nuk dua të hyj se si e kush e ka patur fajin në histori për dembelizmin tonë, që disa ja veshin Turqisë dhe të tjerë Turqisë dhe komunizmit, sepse mendoj që i ka rrënjët më të thella. Dua vetëm të theksoj pasojat më të fundit të këtij dembelizmi, që shfaqen në gjendjen politike në Shqipëri.

Ka shumë grupe shoqërore që e kuptojnë se Rama duhet të rrëzohet një orë dhe më parë nga drejtimi i këtij vendi.

Po cila është rruga që kanë menduar një pjesë e tyre?

Rruga më e shkurtër, që gjithnjë është më e gabuara. Dhe rruga më e shkurtër është ajo që zgjedhin gjithnjë individët dembelë dhe popujt dembelë. Të mbështesim Saliun dhe Metën se këta kanë aftësi të mbushin sheshet si dhe energji të demaskojnë Ramën?!

Pjesa më e madhe e tyre i njohin mirë se cilët janë Berisha dhe Meta dhe ç’përgjegjësi personale kanë për gjendjen e mjeruar të vendit dhe përsëri duan t’ju mbushin mendjen të tjerëve se kjo është rruga e vetme dhe më efikase për të hequr qafe Ramën me Rilindasit e tij.

Ka vetëm një rrugë për të rrëzuar Ramën dhe politikanët e tjerë si ai. Kjo është ajo që quhet pjesëmarrje në jetën politike të vendit. Eshtë një rrugë e mundimshme sepse kërkon një impenjim të vazhdueshëm, kërkon të bësh sakrifica personale që fillojnë me përballimin e presioneve dhe deri në prishje të miqësive me të korruptuarit. Kërkon të trokasësh dyerve dhe të kërkosh mbështetje duke i bindur të tjerët se grupi që përfaqëson nuk po hyn në politikë për të vjedhur. Kërkon të solidarizohesh me shtresat në nevojë, të ndihmosh të persekutuarit e komunizmit dhe të luftosh për çka që i bën mirë Shqipërisë dhe Globit.

Por nëse je dembel dhe njëkohësisht të duket vetja dinak, atëhere vazhdon të mbështesësh ata që i njeh si kryehajdutë me shpresën se mund të rrëzojnë bandën tjetër dhe kështu të kesh mundësi të bëhesh drejtor diku dhe “të kesh në dorë“. Dhe kjo vlen për akademikët, për pedagogët e universiteteve, për për studiuesit, për publicistët, për artistët, për gazetarët dhe të gjithë ata që e mendojnë veten se bëjnë pjesë në atë që quhet “elitë“.

Rama ka kohë që e ka “tepruar zullumin”, por ka mbijetuar jo në sajë të manipulimit apo të blerjes së votave, por në sajë të dembelizmit tonë.

Dy opozita vërtet të majta dhe të djathta, që mund të ishin formuar edhe pas zgjedhjeve të kaluara do kishin qënë në gjendje t’ja shkurtonin legjislaturën. “Elektorati gri” do i ndiqte. Për fat të keq, elita dembele shqiptare po gënjen veten se s’ka rrugë tjetër veç të mbështesë dy kampionë të korrupsionit, të cilët kanë hallin e vetëm të shpëtojnë veten dhe fëmijët nga burgu.

Eshtë tragjike por e vërtetë!

”Tigri” le lëkurën, po mos lerë dhe herdhet…


Mes dhjetra shkrimesh te gabuara për politikën shqiptare, ku parashikoja arrestimin e Metës, rënien e qeverisë Rama, “vdekjen politike” të Saliut, emërimin kryemistër të Peleshit etj. paskam qullosur më në fund një shkrim parashikues-“Po i vjen rradha edhe “Tigrit”” E kam postuar në blog me 14 dhjetor të vitit të kaluar, kur Covid-19 dukej që po zbythej.

http://kuendemi.blogspot.com/2021/12/po-i-vjen-rradha-edhe-tigrit.html

Pardje kryeministri Rama e shkarkoi, që është një sinjal i qartë se në shtator Arben Ahmetaj mund të arrestohet.

Po përse kryeministri jonë bukëshkalë shkarkoi zëvendësin e tij edhe më bukëshkalë?

Sepse Ahmetaj nuk veproi sipas “omertas” së Mafias, por jo vetëm që llapi kundër Lefter Kokës, por dorëzoi në disa vende jashtë PS-së edhe dokumentat e nevojshme që Teri të përfundonte në burg. Sipas Terit, Ahmetaj është tradhëtar, sipas Tigrit , Teri është i pandershëm se nuk i ka dhënë gjysëm milioni euro, që duhej t’i jepte nga afera e inceneratorëve dhe sipas Ramës, “Tigri” është “hijenë“ se ka shitur “mishngrënësit” e tjerë për një llokmë, që nuk i është dhënë e plotë.

Kështu ndodh në të gjithë organizatat kriminale në botë dhe kupola e PS-së nuk është gjë tjetër veçse një organizatë kriminale. Nuk dua të fajësoj socialistët e thjeshtë, të cilët kanë vetëm përgjegjësinë e “qorrllëkut”, sepse brohorasin për udhëheqësit e tyre kriminelë. As ministreshat e pakorruptuara, që nuk fusin gjë në xhep vetë, por vetëm hapin rrugën për të përfituar shokët e Partisë.

Tigri shumë shpejt do lerë një pjesë të lëkurës në SPAK, sepse ka jo vetëm përballjen me drejtësinë, por dhe mërinë e “Zeusit”. Nëse do jetë në gjendje të shpëtojë pa lënë dhe herdhet, si shpëtoi Samir Tahiri, atëhere mund të shijojë diku në Shqipëri a në botë, paratë e depozituara në Zvicër a në ndonjë bankë në Hong Kong. Kanë vjedhur aq shumë qeveritarët tanë sa shumë banka në botë që do i pranonin me gaz si klientë.

A do ju hyjë frika qeveritarëve të tjerë?

Kjo mbetet një çështje me shumë pro dhe kundër, sepse ata që janë përlyer e dinë se të mbrohesh në Shqipëri të duhen shumë e shumë para. Shembujt e mbijetesës politike të Ilir Metës dhe Sali Berishës janë të qarta dhe kuptimplotë. Me shumë para edhe nëse nuk bëhesh “i paprekshëm”, mund të zvarritesh më gjatë në karrierën politike dhe në fund të shpëtosh me një dënim të lehtë. Për më tepër, kupola e PS=së vërtet mund të krahasohet me Mafia-n, por e tillë nuk është plotësisht. Nëse do ishte, “Tigri” do kishte përfunduar me dy plumba pas koke, duart e lidhura pas dhe një shami shuk në gojë, për t’ju treguar të gjithëve se po “tregove shokët” përfundon i ekzekutuar.

 

 


Tuesday 26 July 2022

Kompleksi shëmtaq i Belvederes


Në fillimin e viteve ’60, dikush pati idenë të ndërtonte një pikëvështrimi mbi kodrën, që nuk kishte pasur deri atëhere ndonjë ndërtim. Kodrat e tjera të Korçës kishin kisha, ose ndërtime të bamirësve nga të cilat kishin marrë emrat e tyre në vite. Ndoshta me prirjet e ngjashme me të sotmet për të vënë emra të huaj si “Lungomare”, “City Gate” e të tjera si këto, ndonjë pushtetar i kohës e quajti ndërtimin me funksion të vetëm shikimin e Korçës, Belvedere. Dhe emri ngjiti. Deri në një kohë qytetarët shkonin për të parë qytetin dhe pamjen e Fushës së Korçës, por më vonë, pika të tjera ofronin shikime më të mira dhe të rrallë ishin ata që hipnin në Belvedere.

Socialistët që vetquhen Rilindas dhe që për më të shumtit e njerëzve njihen si Rivjedhës, ose hajdutë përsëritës, ndërtuan të ashtuquajturën Kullë Panoramike me nje Red në majë dhe Belvederja u mendua si një zonë ndërtimi për qytetarë të kamur, që duan gjithnjë të kenë para një pamje të bukur që t’i këndellë dhe njëkohësisht t’i shohin nga lart skëllevërit e tyre që punojnë poshtë.

Kjo ide duket i ka lindur shqiptarit më të pasur, që rastësisht është dhe korçar, Përpaq Manes. Përpaqi (më vjen më mirë t’ja përkthej emrin nga sërbishtja në shqip) me ekipin e tij projektuan një kompleks, i cili dita ditës po duket nga larg edhe më i shëmtuar. Me qindra janë shembujt në botë që mund të të nxisin të projektosh bukur. Jo me dashamirësi, mendoj se duhet të kenë qënë mbresat e fëmijërisë të hershme të Manes, që kanë pëlqyer një kombinim të tillë vëllimesh. Të gjithë e njohin Bitijen si shitëse bulmeti, por ajo ka qënë një kohë të gjatë shitëse në ushqimore dhe ky kompleks më kujton më shumë sapunët e vënë në rradhë në një raft dyqani të kohës së komunizmit.

Më mirë të ishe frymëzuar nga periudha e djathë-kaçkavallit Përpaq!

Le të qeshim se nuk qajmë dot, theshin dikur të lashtët.

Nuk do të shkruaja nëse gjelbërimi I Kodrës do ishte zëvendësuar me një kompleks vilash të bukura në mes të gjelbërimit, me sipërfaqe të madhe kopshtesh, që mund të të sillnin ndërmend peisazhet e Toskanës, por ky kompleks të trishton. Duket sikur mbart devizën:

-Ejani të jetoni në këtë kompleks shëmtaq që të shijoni pamjen që do ju shpaloset.

Tuesday 19 July 2022

I ligu, i çmenduri dhe i shëmtuari


Në ditën kur Bashkimi Europian po fillon negociatat për të pranuar vendin tonë në një të ardhme si anëtar të barabartë, Shqipëria paraqitet me një fytyrë, që mund të përcaktohet nga portretet e politikanëve kryesorë të saj. Edhe pse jo të tre janë në Bruksel, prania e tyre është e pashmangshme, Si tek filmi i Serxhio Leones, por pa përmasën pozitive, do i quaja pa frikë : I ligu, i çmenduri dhe i shëmtuari.

Edhe tek filmi i njohur, i shëmtuari nuk ishte i tillë nga pamja, por nga ato që bënte, ndaj dhe Presidentit në lagim Ilir Meta i shkon për bukuri ky epitet. I aftë për të bërë pazare kokë më kokë edhe me kriminelët, i paturp dhe jo elegant në ato që deklaron në media, i paaftë për të fshehur pasuritë personale, Meta është “gangsteri i shëmtuar” i pranishëm në nivelet më të larta të shtetit shqiptar prej 31 vitesh.

I veshur me sqimë, me retorikë demagogu, energjik deri në absurditet, i papërmbajtur edhe për të urdhëruar vrasjen e njerëzve, është i çmenduri i politikës shqiptare, Sali Berisha. I rikthyer në drejtimin “de facto” të opozitës për të mbrojtur fëmijët e tij nga ndonjë burgosje e mundëshme, me një zell patologjik, i çmenduri Berisha edhe pse në përpëlitjet e fundit të tij në politikë, po dëshmon se mundet ende të shkatërrojë nëse nuk do jenë në gjendje ta fusin brenda “këmishës së forcës”. I çmenduri është i paparashikueshëm ndaj është e vështirë të vesh bast se edhe sa kohë do jetë pjesë e fytyrës së Shqipërisë.

I ligu, Edi Rama, ka mendjen më perfide mes politikanëve shqiptarë. Për fat të mirë është më frikacak se dy të mësipërmit, se në të kundërt do kishte duart edhe në shumë krime të tjera veç vjedhjes së hapur të Buxhetit të Shtetit. Mjeshtër i intrigave, i pabesë, makiavelist, sa arrogant aq edhe bythëlëpirës, Rama ka bërë që korrupsioni të jetë normë e çdo qelize të administratës shqiptare. Në këtë “moçal” vjedhjesh të hapura ai përpiqet jo vetëm të marrë pjesën e luanit, por edhe të mbajë pa u rrezikuar nga asnjë rival pushtetin e kalbur të partisë së tij dhe të qeverisë. Fati e ka ndihur që në opozitë ka pasur tash e 10 vjet, dy figurat e mësipërme, që janë po aq të padëshëruara nga shqiptarët sa edhe ai vetë.

Po a janë këta të tre në skenën finale të filmit të famshëm, në sheshin e një varreze të braktisur ushtarësh të Luftës civile, për të treluftuar se kush do marrë thesarin e fshehur në një varr pa emër?

Do ishte mirë, por gjendja nuk është e tillë. Nëse do ishte, një nga të tre do mbetej I gjallë në politikë dhe shpresat për Shqipërinë do ishin më të mëdha. I ligu , i çmenduri dhe i shëmtuari janë të lidhur me mijra fije interesash dhe dëshirash të fshehta për të mbijetuar në politikë. As mund të presësh se mund të likuidojnë njeri tjetrin, sepse ekzistojnë në sajë të ekzistencës së çdonjërit. “Krismat e armëve” të tyre ndaj njëri tjetrit janë me fishekë manovër për të na gënjyer ne se janë kundërshtarë.

Amerikanët, mjeshtrat e këtyre lloj filmash, ka kohë që e kanë kuptuar.

Monday 18 July 2022

Gabimet foshnjore, por dhe fatale të turizmit shqiptar


I krahasuar me vendet e tjera të Mesdheut, apo me zonat turistike të Karaibeve, turizmi shqiptar është në hapat e para të tij. Ka jo më shumë se 20-25 vjet që zhvillohet dhe pas një trashëgimie të shërbimeve të turizmit të komunizmit, që fillonin me përgjimin e klientëve dhe deri në mospërfilljen e plotë nga grupi shërbyes.

Nga gjërat e para që të bien në sy në këtë sektor të jetës së Shqipërisë, që është i domosdoshëm jo vetëm për ata që merren me të, por edhe për të gjithë vendin është skarciteti i shërbimit.

Pronarët e njësive turistike, duke nisur nga hotelet, bujtinat, restorantet baret dhe gjithë të tjerat ndjehen “bosa” dhe jo vetëm kaq. “Bosa” ndjehen kamarierët, banakierët, sportelistët, duke përjashtuar vetëm pastrueset e dhomave që e kanë të shkruar në sy përvujtësinë e tyre.

Investitorët më të mëdhenj të sektorit të Turizmit nuk kanë kuptuar ende se konkurenca në këtë fushë është më globale se në çdo fushë tjetër. Nuk konkuron vetëm me turizmin e vendeve të tjera mesdhetare, por edhe me Karaibet, Maldivet e deri tek Indonezia dhe Tailanda. Do bëhet gjithnjë edhe më e vështirë edhe për të tërhequr shqiptarët e Diasporës të kalojnë pushimet në Shqipëri, sidomos ata që jetojnë në kontinentin amerikan. Ndryshimet midis nivelit të shërbimit në plazht e Amerikës, Meksikës, Kubës, Republikës Domenikane janë tmerrësisht të mëdha. Dhe jo vetëm ndryshimet në infrastrukturë, por edhe në çmime. Dhe bëhet fjalë për një grup që ka një arsye më shumë të bëjë pushimet në Shqipëri. Po të tjerët? Pas një përvoje pa cilësi në shërbim, me çmime të larta dhe deri në përleshje të pronarëve vendas për shezlonget, çdo i huaj do fillojë ta verë Shqipërinë në vendet ku nuk dëshëron të kthehet më për të pushuar.

Eshtë për të ardhur keq që Ministria e Turizmit dhe operatorët kryesorë të Turizmit nuk bëjnë diçka më shumë për të trajnuar punonjësit e këtij sektori në vendet ku ka përvojë gjithëvjetore të turizmit. Për turistin e huaj janë të papranueshme sjelljet harbute të kamarierëve, ndryshimi i papritur i çmimeve të ushqimeve dhe pijeve dhe të tjera manovrime të tjera “dinakësh ballkanas”, që kujtojnë se ja u hedhin të huajve, por në fakt dëmtojnë veten.

Kjo verë është provë për turizmin shqiptar, që duket se vitet e pandemisë nuk i kanë mësuar se është më mirë të shërbesh me kokë ulur dhe ndershmëri për të sjellë më shumë turistë vitin tjetër, në të kundërt mund të hysh në listën e vendeve të papëlqyeshme për pushime.

 

 

 

Sunday 17 July 2022

Vargje per Lirikun

Ti dukesh rinor edhe pse 70-të,

Si një vjershëtor mëse i vërtetë.

I lexojnë fëmijët lirikat e tua,

Sepse vargun, rimën ti i ke në thua.

 

Që të gjithë presin të dalë libri i ri,

Ditë e natë gdhihen në çdo librari.

Ata më fatlumët ndjekin familjarët

Që kopjet e librit t’i blenë të parët.

 

Vjersha bën për Korçën, por edhe për sheshin,

Rima për heronjtë dhe Niko Peleshin,

Për kë dashurohet, për kë pi rakinë,

Të fuqishme shumë e ke ndjeshmërinë.

 

Në çdo trotuar dhe në çdo rrugicë

Lirikat këndojnë si në Vishocicë.

Lum për Korçën tonë që të ka poet

Ti dukesh rinor edhe pse 70-et.

Porta

C’ka ishte ajo ngrehinë

Me dritare të mbërthyera nga brenda

Dhe të mbyllura grila?

Nuk mund të ishte murgeshash kuvend

Në atë rrugë të qetë,

Mbushur me vila.

Ai e dinte se ajo atje fshihej,

Vetes më shumë se të tjerëve.

Pas muresh të lartë

Në një oborr gjithë lule,

Spërkatur mbrëmjeve

Nga drita e butë e fenerëve.

Do priste gjatë,

Netë të tëra

Që porta të hapej nën të menteshave kuitje.

Më e bukur se kurrë ishte buzëqeshja

Ai brofi i gëzuar

Pas gjithë asaj kohe në pritje.

Buzët bashkuan atë buzëmbrëmje,

Në ajrin e mbushur aromë jargavani;

Mesjetar peisazhi ishte

Edhe petku i mëndafshtë,

Dridhja e lehtë e gishtave të tyre

Para asaj stërmadhe porte,

Nën vështrimet përmes grilave

Që larg prej jetësh i mbanin.

Saturday 16 July 2022

“Sovranistët”


Ne shqiptarët mund të bëjmë shumë lëshime që lidhen me moralin, ligjshmërinë, etikën e të tjera, por për një gjë “na ka vrarë pika”. Nuk bëjmë lëshimin më të vogël kur vjen fjala për sovranitetin tonë. E kemi të hershme, apo na u ngulit më shumë gjatë viteve të Diktaturës, veçanërisht kur sho Enver e sintetizoi në thënien lapidare “edhe bar hamë, por…” që tërboi Hrushovin, kjo duhet të jetë objekt i historianëve, por që jemi kjo nuk ka as më të voglin diskutim.

Për të mos u hallakatur shumë me figurat”sovraniste” të historisë të shtetit shqiptar, nga ata që i shpunë kurorën e Skënderbeut Viktor Emanuelit dhe të tjerët që bënë miqësi për hir të sovranitetit deri në Kinën e Largët, le të përqëndrohemi në tre “sovranistët” më të fundit.

Ilir Meta është padyshim njëri prej më të lavdishëmve. Jo më larg se viti i kaluar, i përballur me ndërhyrjen e paturp të ambasadores amerikane në punët e brendëshme të Shqipërisë, Presidenti i vendit tonë sovran, ofroi të shkonte në Malin me Gropa dhe të asgjesohej nga një dron amerikan me raketë, vetëm e vetëm që sovraniteti i Shqipërisë dhe i shtetit shqiptar mos cënohej. Gjest heroik i njëjtë me ata të Mic Sokolit dhe Selam Musa Salarisë. Madje ofrimi i tij për vetëflijim kishte edhe një përmasë ekologjike, se donte të ndodhte në një vend ku raketa mos prekte as bimësinë e zonës.

Sali Berisha është “sovranisti par excellence”. Nuk ka moment të karrierës së tij politike ku nuk është shpalosur kjo. Jo vetëm pasi u shpall “non grata” nga Departamenti I Shtetit (duhet thënë se pikërisht nga që ishte sovranist, Sorosi e futi në atë listë), por që në fillimet e tij. Ai nuk mund të cënonte sovranitetin e shtetit, kur SHBA dhe BE kishin vendosur bllokadën e naftës kundër Sërbisë, ndaj dërgonte vazhdimisht çisterna me naftë në Mal të Zi për të forcuar sovranitetin e PD-së dhe Shqipërisë. U detyrua edhe të shkatërronte përkohësisht shtetin shqiptar më 1997 për të mos dëgjuar të huajt që kërkonin mbylljen e firmave piramidale. Së fundmi shkatërroi planet amerikane, që kërkonin të cënonin sovranitetin e PD-së dhe rimori në dorë opozitën, që na bën të ndjehemi më sovranë.

Për habinë e vëzhguesve, më se sovranist është shfaqur së fundmi, skandinavi Edi Rama. I paraqitur në vite si kozmopolit dhe mendimtar liberal globalist, tashmë kryeministri Rama është kthyer në sovranist të thekur, po aq sa Meta dhe Berisha. E theksoi veçanërisht dje, pasi europianët dhe amerikanët kanë kërkuar me forcë, që Parlamenti mos miratojë projekt-ligjin për amnistinë fiskale. Jo të dashur kapitalistë amerikanë dhe europianë! Me sovranitetin e Shqipërisë, shtetit dhe qeverisë shqiptare nuk mund të luajë njeri, veçanërisht kur bëhet fjala për të pranuar në gjirin tonë fëmijët plangprishës që merren me cazë drogë dhe trafiqe të tjera. Ne do i rehabilitojmë djemtë tanë trima dhe liridashës sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i kthejmë në rrugën e drejtë të biznesit të ligjshëm. E në fund të fundit nuk ishit ju që ja u mësuat trafiqet? Ne nuk kishim të tilla në kohën e kryesovranistit Enver Hoxha.

Shqipëria është e fortë, e begatë dhe mbi të gjitha sovrane falë këtyre tre “sovranistëve” që ndjekim symbyllur nga pas.

 

Friday 15 July 2022

Pragu

Sa shumë doja të më flisje,

Ndërsa ulur tek pragu jot isha!

Mëngjes i të dielës,

Me kumbim këmbanash

Dhe gra që ktheheshin nga kisha.

Krifën e verdhë kishe zbuluar

Dhe një vështrim të akullt,

Thua nuk më kishe parë ndonjëherë,

Thua aq shumë isha plakur.

Me pas shpatullat ktheve gjithë kujdes

Dhe u largove me ecjen tënde të sigurt.

Diçka nuk kishim lënë në mes?

Deri këtu kishim mbërritur?

Këmbanat vazhdonin të binin,

Të përzishme,

Si për një ecje mortore;

Me shpinën nga e jotja derë,

Para meje dhjetra rrugë dhe deti,

Nuk kishte më  rëndësi cilën do zgjidhja,

Larg do isha,

Shumë larg,

Ndërsa gjithshka e mirë e imja

Atje mbeti.

Thursday 14 July 2022

“Hala ke Ura!”


Lajmi i Urës së Varur për këmbësorët Deabolis 1 ka qënë lajmi më i mirë pas dy vjet e gjysëm pandemie dhe 4 muajve luftë në Ukrainë. Nga të gjitha pikpamjet. Turistike, psikologjike, shoqërore, politike, të sigurisë kombëtare, të zhvillimit të sporteve etj., etj.

Me një Urë do targetojmë shumë fusha! – është slogani i grupit të Urës. “Ndërsa të tjerët luftojnë, ne ngremë Ura!”, “Kundërshtarët na quajnë armiq, ne lidhim me Ura”, “Urra, Urra, të gjithë tek Ura!”

Ura Deabolis 1 do sjellë lumë turistësh (që do kalojnë mbi urë) dhe jo vetëm do gjallërojë qytetin dhe bujtinat e mbetura bosh nga ngritja e çmimit të karburanteve, por do bëjë të mundur edh endërrën e hershme të korçarëve për aeroport. Se si do vijnë ata mijëra turistë, që synimin e vetëm të vizitës në Shqipëri kanë Urën këmbësore më të madhe në botë? Duhet aeroporti. E po të ketë Kukësi , Vlora dhe Saranda e të mos ketë aeroport Korça ku është parë?! Kishte që në vitet ’20.

Aq thellë e kanë menduar ideatorët e Urës, sa ku kalojnë këmbësorët ura do jetë 120 cm e gjërë, sa për një njeri të kalojë në një drejtim dhe një tjetër në të kundërt, ndërsa më lart do jetë 160 cm, se turistët kur të bjerë shi do kenë dhe umbrella dhe këto umbrella e sotme ngadonjëherë janë bajagi të mëdha. Nga ana e Majës së Kryqit do ketë edhe pistë urbane për ski me snowflex, kurse në anën tjetër janë gurët e mëdhenj të Kalasë dhe kushedi se çdo dalë edhe më vonë. Hiç hiç, një turisti mund t’i marrësh 80 euro përtë kaluar në Urë, se është 800 metra e gjatë dhe një euro për 20 metra është thuajse xhaba. Problem mund të jetë për ata turistë, që do mrekullohen nga Kalaja e Mborjes dhe nuk do duan të kthehen, por këto hollësi mund të kordinohen më vonë ndërmjet Ministrisë së Kumbaros dhe asaj të Cuçit.

Do krijohet mundësia edhe për të punësuar qindra të rinj që kanë mbaruar psikologji në Universiteti “Fan Noli” dhe nuk kanë mundur të punësohen në profilin e tyre deri tani. Në të dy anët e Urës do ketë dhoma këshillmore se si turistëve mos ju merren mendtë nga lartësia e madhe. Prioritet do ju jepet psikologëve nga rrethi i Devollit.

Pritet të ketë edhe nihilistë dhe të tjerë kundërshtarë të Urës për arsye të qarta politike, por për këtë është punuar që tani për ngritjen e grupit “Aleanca për Mbrojtjen e Urës”, i cili do bëjë punë propagandistike për të ndërgjegjësuar korçarët e lëkundur se ç’të mira sjell Ura Lëkundëse.

Me largpamësi po punohet edhe për detajet e Ditës së Përurimit, ku për shkak të emigrimit të shumtë të këngëtarëve popullorë të zonës sonë, kënga e krijuar posaçërisht për rastin, i është caktuar Grupit Polifonik të Pilurit të Vlorës. Ka thashetheme se kënga fillon:

                Kush bëri Korçën me Urëëëëë

                Edi Rama deli burrëëëëëëë

Gjysma m... e gjysma shurrëëëë!

Wednesday 13 July 2022

Korça nuk ka lumë, po do ketë shumë Ura


Gjenialiteti i socialistëve korçarë (ndoshta me frymëzim nga Udhëheqësi i Gjatë) po arrin majat. Për shtimin e turizmit në dhjetë vjetët  e ardhme parashikohen të ndërtohen një sërë urash të varura për këmbësorët. Flitet që Edit këtë ja kishte shtënë në vesh Behgjet Pacolli, Qytetar Nderi i Korçës, që kishte thënë dikur “O e bukur Korça, po i duhet nji Ur!”

Dhe meqënëse nuk kemi lumë apo ndonjë ngushticë ujore për të kapërcyer është krijuar një projekt fantastiko-shkencor që lidh Kohën me Hapësirën. Si Fazë e parë mendohet të lidhet Maja e Kryqit me kalanë e Mborjes, që pritet të sjellë rreth gjysëm milioni turistë të huaj në vit. Janë turistë që duan të kalojnë më këmbë në Ura të Varura. Janë shumë e shumë nga vendet e zhvilluara Perëndimore, që i kanë fiksim urat e varura. Kjo do jetë edhe më e gjata dhe më e larta në botë dhe sipas promovuesve eurosocialistë do jetë “magnet” për turistët urëkalues.

 Qysh tani ka kontraktuar Paramount dhe Tom Cruise të xhirojnë në të një pjesë të filmit më të ri të “Mission Impossible”, që titullohet “Look at Mborja and don’t die!” (“Shiko Mborjen dhe mos vdis!”) Në bazë të fabulës së filmit është zbulimi i një misioni sekret ushtarak rus për të gjetur DNA-në e ministrit të mbrojtjes të një vendi ballkanik dhe për të shkatërruar urën.

Deabolis jetë një projekt “ i papam”, që do  shoqërohet edhe me projeksione teknologjike bashkëkohore, që do ju krijojë mundësinë turistëve të ndjehen si në kohët e Kalasë së Mborjes dhe të komunikojnë me mborjarët e vjetër. Për këtë po punon një grup i veçantë historianësh i drejtuar nga Niko Kotherja, për tu bazuar në dokumenta autentike se si ishte kultura e Mborjes në kohën e Kalasë.

Projekti do jetë vetëm pjesa e parë e një zinxhiri Urash pasarela, që do lidhin pikat e larta të Korçës me vende historike. Pas projektit Deabolis 1, një urë më e gjatë do projektohet nga Belvederja në Kalanë e Zvezdës, ku mendohet se ka qënë vërtet fortesa Deabolis. Do jetë një urë me dy kalime të veçanta, njëra për turistët dhe tjetra për “zengjinët e rinj”, që do jetojnë në vilat e Belvederes. Ky do jetë projekti Deabolis 2 që do ndiqet nga Deabolis 3, që do lidhë Grykën e Ujkut me Tumat e Kamenicës.

Fondet janë siguruar, projekti është i përfunduar ndaj nuk mbetet gjë tjetër veç të ndërtohet krahas Satelitëve Albania 1 dhe Albania 2. Pas ndërtimit do i jepet me koncension për ta administruar një grupi privat që nuk do ketë asnjë lidhje me Partinë Socialiste në qëndër ose në qytet. Kuptohet pas një tenderi të hapur, transparent dhe rezistent nga erërat e kritikave. Pak a shumë si vetë Ura.

Një zgjidhje tjetër ndihmëse e këtij projekti do jetë ajo me karakter social, që do ju ofrojë shtresave në nevojë të Korçës, të cilat pas ndërtimit të Urës mund të flenë nën të me krenarinë, që flenë në urën më të gjatë e më të lartë në botë!

Të gjallët me të gjallët, të vdekurit…me inceneratorët


Lakmia e “të gjallëve me pushtet” në Shqipëri ka arritur maja të papara. Të vdekurit nuk përdoren më vetëm për disa vota më shumë, sikundër janë përdorur gjatë votimeve për pushtetin qëndror dhe atë vendor, por po përdoren edhe që këta “supergjallesa” të futin sa më shumë në xhepat e tyre nga skemat e inceneratorëve dhe rimbursimit të TVSH-së.

Babëzi, ngutje, siguri, mendjeshkurtësi, paturpësi, janë disa nga cilësorët që mund të përdoren për qeveritarët shqiptarë dhe veglat e tyre “private”duke nisur me Ramën e duke vazhduar me Veliajn, Ahmetajn, Gjiknurin e të tjerët. Pa llogaritur këtu edhe shkeljen e një traditë mijëvjeçare të shqiptare për të mos prekur botën e të vdekurve. Eshtë njëlloj moralisht si krimi i shëmtuar i vjedhjes së varreve. Deri këtu kanë arritur ta përdhosin shtetin.

E them me bindje shtetin se tashmë nuk është vetëm ekzekutivi i përdhosur. Duke patur votat në Kuvend edhe i gjithë legjislativi punon në kontrollin e Ramës, sikundër është dëshmuar në dëgjesat për incerenatorët dhe në punimet e tjera për ngritje komisionesh hetimore. Sistemi juridik gjithashtu ka qënë i mpirë, sepse edhe pse duket qartë implikimi i krerëve të qeverisë, është ndalur vetëm tek Koka dhe Dako.

Shteti shqiptar është gjithashtu “i vdekur”, si të ndjerët që vazhdojnë firmosin dhe Ministria e Financave I paguan. Incerenatorët e dëshmuan këtë. Edhe në vendet me demokraci të pazhvilluar, një skandal i tillë do sillte të paktën rënien e qeverisë dhe zgjedhje të parakohëshme.

Po përse arrihet deri në këto mënyra vjedhjesh sa idiote aq edhe të përbindëshme?

“Vampirët” e pushtetit janë të bindur se vetëm paratë janë “gjaku” që mund t’i mbajë pambarimisht në pushtet. “Gjaku” që mund të përdorin për të lobuar, për të blerë vota, për të mbyllur gojët e kritikëve, për të bërë për vete edhe ndonjë funksionar të huaj. Ndaj nuk hezitojnë as të përzjejnë botën e të gjallëve me atë të të vdekurve në netët e tyre të shëtitjeve mes intrigave. Mendojnë se ky lloj “gjaku” ju jep sigurinë dhe paturpësinë që as mos skuqen dhe as mos zverdhen ndërsa dalin para mediave, një pjesë e mirë e të cilave është pjesë e botës së tyre “vampire”.

Deri kur?

Ndoshta deri në ditë, kur opozita mos jetë plot me zombie.

Tuesday 12 July 2022

Makth qytetar


“..Nuk e dija as vetë se si kisha arritur në një rrugë të njohur, që i afrohej gjithnjë e më shumë një vargmali të njohur në ngjyrë gri të errët, kur pashë një tabelë të madhe blu me një shkrim : Welcome to Nikorça City. U trondita se gjithshka ishte si një déjà vu e deformuar. Shkoja drejt një vendbanimi të njohur por me një emër pak të ndryshuar. “Në Korçë po hymë?”- pyeta shoferin e mikrobuzit, që për çudi nuk kishte asnjë njeri tjetër veç meje dhe një qeni me një etiketë plastike në vesh. “Po” më tha shoferi pa kthyer kokën nga unë, ndërsa qeni më pa trishtuar. “Po pse ja kanë ndryshuar emrin?” “Kështu e ka patur”- më tha shoferi me vështrimin drejt dhe hapi derën e automjetit që të zbrisnja. Zbrita  duke parë përreth i hutuar, se asgjë nuk më ngjante me qytetin ku kisha lindur. Qeni nuk duhet të kishte qënë i shoferit se më ndoqi pas.

Ishte me siguri pasmesnate se nuk lëvizte asgjë. Në krahun e djathtë të sheshit ku më kishte lënë mikrobuzi, që nuk u pa se në ç’parkim nëntokësor hyri, një ndërtesë metali dhe xhami me shumë drita por e pajetë, me tre gërma të mëdha në tarracë- NPG. “Dikur këtu pranë ka qënë një NPV”- mendova”por kjo është shumë e ndryshme…NPG ç’mund të jetë?” Nuk arrija dot të mendoja asgjë të saktë, që mund të lidhte sheshin, ku dikur kisha shkelur, me ndërtesën e re dhe me emrin e ri të vendlindjes.

“Mos e kanë marrë grekët?” mendova i tmerruar- dhe u kujtova që nuk kisha pranuar të paisesha me karta greke dikur. Nikorça të kujton disi Nikosia, por po ta kishin marrë ata mund të vazhdonin ta quanin Koritsa ose Nea Koritsa dhe s’kishte pse të gjenin këtë zgjidhje të çuditshme. “Të shkoj drejt malit se atje ka qënë gjithnjë qëndra e qytetit” i thashë vetes dhe hodha në sup çantën e lëkurtë që ishte më e rëndë se zakonisht. Qeni paemër më ndiqte një hap pas.

“Inxhinier në Tiranë do vesh?”- dëgjova të më thërriste një hije e ulur në shkallët e një ndërtese të lartë. Ishte Veshoja, që duket se vazhdonte me devotshmëri të gjente pasagjerë për furgonat. “Ej Vesho mirë je? Sa erdha”- i thashë dhe e përqafova pa mundur të mos i prekja veshët e mëdhenj, nga të cilët kishte marrë nofkën që i kishte fshirë emrin. “Me furgonat akoma?” “Jo nuk ka më furgona se duhet të vesh në Terminali, po më del gjumi dhe dal. Ti ku do vesh?” “Andje nga Ushtari i Panjohur.” “Hajde se të shpie unë. Ka ndryshuar Nikorça”- tha punëtori im i dikurshëm dhe u nis të më tregonte rrugën.

Cuditërisht Veshoja kishte marrë rrugën drejt Sahatit sa mendova që duhet të isha në Tiranë. “Vesho po ç’ne Ushtari i Panjohur nga Sahati?” “E kanë shpënë në kryqëzimi i Unazës me rrugën e Kolonjës. Thonë që nga Qafa e Qarrit ka zbritur kur bëhej luftë qëmoti. “ “Unë dua të shkoj në Qëndër. Atje ku është Kisha e Madhe.” “O në Katedralja të shpie unë, po ja se kanë ndryshuar rrugët” dhe pasi më udhëhoqi mes siluetave të errëta të disa ndërtesave të larta, u gjendëm para një Muri stërmadh, që të kujtonte Murin e madh kinez. “Po ky mur nuk ka qënë Vesho?!” “E bënë të ri ku ka qënë Kalaja e Nikorçës. Projektin e bëri ai arqitekti austriak që bëri Kullën.” “Australian.” “E australian, austriak njësoj është inxhinier. Muri i vogël kinez i thonë dhe e bënë për turizmin. Brenda kanë vënë tërë armët e 97-ës.” “Po shkolla që ishte këtu ku është?” “O shkolla u prish se do bëhet e tërë Nikorça turistike”- vazhdoi të më shpjegonte gjithë zell Veshoja dhe pasi e ndoqa në disa rrugë të ngiushta dolëm në sheshin para Katedrales.

Një skulpturë stërmadhe prej inoksi dominonte sheshin. Ishin kujdesur ta ndriçonin nga poshtë dhe ajo dukej edhe më e llahtarshme në gjigantizmin e saj. Tuba të mëdha që të kujtonin këmbët e Guliverit në vendin e Liliputëve dhe mbi to trupi ndërpritej nga një kitarë. “Po kjo…”-pyeta me gjysëm zëri. “Eshtë Serenatisti i Panjohur” – më shpjegoi me zell Veshoja- “simboli i qytetit. Kur të gdhihet mund të shikosh edhe kokën me një nofull të gjatë, sa të gjithë thonë që është Nikoja dhe jo i Panjohuri. Niko Peinoksi i thonë tani…”

Më ishin prerë gjunjët ndaj u ula mbi çantën, që nuk ishte aspak e rehatshme si ndënjëse. U ngrita dhe hapa zinxhirin të shihja ç’kisha vënë dhe i tmerruar pashë që ishte plot me kallëpë dinamiti. I trembur se mund të ishte dikush rrotull veç Veshos dhe qenit besnik, që mund të thërriste policinë për të më ndaluar të hidhja në erë “Serenatistin e Panjohur” u rreka ta mbyllja zinxhirin, që nuk mbyllej më ndërsa kallëpët derdheshin në tokë…”

Carçafi më ishte mbështjellë keq mes këmbëve dhe fytit dhe isha i mbuluar në djersë.

-          O Zot sa mirë që ishte ëndërr!

 

 

Monday 11 July 2022

Studentja eskortë

Nuk i mësova dot emrin,

Emrin e vërtetë jo atë “artistik”.

Ndërsa në përvëlimin e ujit

Mëkatin hiqja

Ajo kishte ikur me vërtik.

Më mbetën në mendje sytë e drojtur të saj,

Kur u shfaq në portë,

U përpoqa mos i shihja lakuriqësinë,

Ato çaste të para të trembura

Studentes që kishte zgjedhur të punonte eskortë.

Nuk di ç’do blinte me lekët

Që me kujdes pat futur në kuletë;

Libra,

                Këpucë,

                                A një lap-top të vjetër.

Mallkova epshet e kësaj bote

Varfërinë e të rinjve në të parat hapa;

Akademikët që ngrehin të shkollës pagesë,

Të gjithë shfrytëzuesit e tjerë,

Me veten keq u kapa.

Më mbetej vetëm të harroja,

Pafuqinë time

Dhe të tëjerëve në botë;

Të vrisja të tilla pasdite,

Kur emrin nuk i mësova studentes latine

Që kishte zgjedhur të ishte eskortë.

Sunday 10 July 2022

Niagara Falls dhe “hija” e Mustafa Krujës


Për vite të tëra jetova shumë pranë Niagara Falls. Përveç ujëvarës së famshme, edhe dy qytete mbajnë këtë emër. Njëri në Kanada dhe tjetri në Shtetet e Bashkuara. Të dy ndanë lumit Niagara dhe me pamje të mirë të mrekullisë natyrore.

Të dy qytetet kishin si veprimtari kryesore turizmin, por ndryshonin shumë nga njëri tjetri. Qyteti kanadez kishte shkëlqimin e një qyteti turistik me lëvizje njerëzish, restorante të shumta, vështirësi për të parkuar dhe aziatikë që drekonin ulur në barin e lulishteve. Qyteti amerikan kishte më pak ngjyra, më shumë ndërtime të braktisura dhe një tis gri buzëmbrëmjeve. Më qëllonte të shkoja shpesh edhe se në çdo udhëtim për në Amerikë duhet të kaloja mes tij.

Një ditë, në gazetat tona lexova se Mustafa Kruja kishte vdekur në Niagara Falls të SHBA dhe prehej atje. Ishin shumë të pakët bashkëatdhetarët që kisha takuar në atë qytet dhe u ndjeva i afërt me kryeministrin kuisling shqiptar. Pyesja veten se ç’kishte kërkuar në këtë qytet të humbur të Nju Jorkut të epërm. Mbrëmjeve më dukej se ishte e vetmja hije e njohur që sillej nëpër atë qytet.

Nuk dija shumë rreth Mustafa Merlikës, veç kisha dëgjuar fjalë të mira për të vëllanë e tij, doktor Asllan Merlikën, që punoi dhe jetoi një kohë të gjatë në Korçë. Më të njohur për brezin tim se doktori, ishin djemtë e tij, Gjergji dhe Hektori. I patën internuar të gjithë në fundin e vitit 1975 edhe pse ishin njerëz të nderuar dhe me profesione të mira. Dikush kishte patur më shumë zili për ta se sa prirje për të zbatuar luftën e klasave.

Ndonjëherë kur më sillej ndërmend kryeministri fashist i kisha thënë vetes që duhet të gjeja se ku e kishte varrin dhe të ndizja një qiri në të, sepse nuk besoj se kujtohej kush ta vizitonte. Por kishte shumë varreza në Niagara Falls dhe asnjëherë nuk pata vendosmërinë për të gjetur ku prehej. Nuk kisha asnjë simpati për figurën e tij edhe pse dija që kishte qënë gjuhëtar i mirë dhe atdhetar. Kishte marrë një vendim shumë të gabuar në jetë, që kishte patur pasoja për shumë shqiptarë. Kishte prishur gjithshka të mirë që mund të kishte bërë gjatë jetës. Tek unë ndodhte ajo dukuri që përshkruhet në një tregim të O’Henry-t, kun jë malësor amerikan, që kërkon të gjejë armikun e tij që fshihej në një qytet të madh për ta vrarë, pasi vërtitet ditë të tëra mes të panjohurish, kur e sheh armikun kërkon ta përqafojë se është i vetmi bashkëfshatar mes miliona të panjohurish.

Merlika për mua ishte një bashkëatdhetar që prehej diku pranë. Nuk më bëhej vonë as se kishte qënë kryeminstër dhe nëse kishte bërë më shumë keq se mirë, ose më shumë mirë se keq. Ishte dikush me të cilin më lidhte gjuha, historia e vendit dhe disa kujtime të fëmijërisë. Meritonte të ndizja një qiri në varrin e tij, ndoshta të lënë pasdore. Me historinë le të merreshin të tjerët!


Saturday 9 July 2022

Kryehetuesi që “shpëtoi” Kadarenë (fund)

 


(vijim)

Ismaili ka pasur edhe momente të tjera të vështira, veçanërisht në vitet ’70, kur lufta e klasave ishte në kulmin e saj dhe dihej gjithandej që Kadareja kishte qënë në pararojë të liberalizmit dhe të“luftës së brezave”. Megjithatë në Pleniumin e IV ai nuk u përmend për keq, si ndodhi me shumë autorë të tjerë, për të mos prekur veprën e tij, veçanërisht poemat “Shqiponjat fluturojnë lart” dhe “Përse mendohen këto male” dhe romanet “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”, “Kështjella” dhe “Kronikë në gur”. Të gjitha këto vepra i kishin shërbyer sistemit për lartësimin e tij dhe veçanërisht “Kronikë në gur” ishte përmendur si vepër e shkëlqyer për Gjirokastrën nga vetë Diktatori.

Por veç heqjes nga qarkullimi për ripunim të “Dimrit të vetmisë së Madhe”, Kadareja kishte pasur problem me romanin “Nëntori i një kryeqyteti” dhe ndonjë vepër tjetër, e cila nuk i ishte botuar menjëherë. I ndjerë nën trysni, në vitin 1975 ai shkroi poezinë-pamflet “Në mesditë u mblodh Byroja Politike”, ose e njohur edhe si “Pashallarët e Kuq” me qëllimin e vënies në dukje të cilësive të shquara të Enver Hoxhës, si zbulues i grupit të “puçistëve” në ushtri. Ishte një nga momentet më të vështira të jetës së tij, se në të kundërt të asaj që priste, Enver Hoxha u tërbua. Mund të ketë qënë çasti, kur burgu ka qënë më pranë shkrimtarit të shquar. Por edhe këtë rradhë, Diktatori ju shfryu bashkëpunëtorëve më të afërt me fjalët më të rënda për Kadarenë, të cilat i shkuan në vesh Kadaresë, por nuk dha urdhër ta arrestonin.

Ishin vite në të cilat Ismaili shoqërohej me të rinj, bij të Byrosë Politike, për të tatuar pulsin e asaj çka ndodhte në sferat e larta. Dihej miqësia e tij e afërt me të ndjerin ark. Agim Myftiu, djali i Manush Myftiut. Më vonë një miqësi shumë të afërt kishte me Bashkim Shehun, djalin e Mehmet Shehut. Kryeministri i asaj kohe e kishte mbrojtur hapur Ismailin në bisedat me Enver Hoxhën. Për këtë miqësinë e fundit abuzohet nga Qemal Lame dhe ndonjë tjetër, që Kadareja ishte pranë arrestimit pas vetvrasjes së Mehmet Shehut dhe arrestimit të Bashkim Shehut.

E vërteta është krejt ndryshe. Në vitin 1982, Ismaili pati një problem familjar, i cili është bërë i njohur gjërësisht në shtyp nga dëshmitë e nënës së djalit që dashuronte vajzën e Ismailit. Për shkak të kundërshtimit të lidhjes nga Ismaili, e jëma e djalit filloi një reagim shumë agresiv ndaj familjes Kadare. E përkrahur nga miq të saj fanatikë si e bija e Jaho Gjolikut, gjykatëse e Gjykatës së Lartë, ajo nisi sulme me fyerje publike ndaj Ismailit duke vënë të rinj që i thërrisnin “këlysh i Mehmet Shehut”. Më vonë Kadareja i ka paraqitur këto si përpjekje të Sigurimit duke mbuluar të vërtetën, që miq të tij, njerëz të Ministrisë së Brendëshme i kishin bërë presion të dashurit të vajzës deri sa ai arriti të tentonte vetvrasje.

Në gjithë këtë atmosferë shumë të pakëndëshme për familjen Kadare nuk kishte asnjë orientim nga lart për ta arrestuar. Eshtë jashtë çdo logjike, që në periudhën kur Hoxha orienton të zbutet në maksimum lufta e klasave, të kërkonte arrestimin e shkrimtarit më të mirë shqiptar, njëkohësisht edhe të njohur në Europë. Prej asaj zbutje dhe tutje, Kadareja si shumë të tjerë në Tiranë, ishin të sigurt se nuk rrezikoheshin më. Por në kundërshtim të hapur me llogjikën e kohës, Qemal Lame sajon edhe një urdhër tjetër të vitit 1983 të Enver Hoxhës për arrestimin e Kadaresë. Eshtë përsëri Lame trimi, që me të njëjtat argumenta të përdorura më 1982, i mbush mendjen Diktatorit që Ismaili mos arrestohej?!

Në vitin 1982 dhe 1983, jo Qemal Lames 33-34 vjeçar, por gjithë Byrosë Politike dhe vetë Nexhmijes ju shpëtonte shurra kur ishin para Hoxhës.

Tashmë të gjithë këta që përmireshin nga frika para Hoxhës kanë vdekur dhe Qemal mashtruesi mund të thotë çdo lloj marrëzie që i shkon për shtat dhe që mund t’i zgjerojë auditorin se flitet rreth Enver Hoxhës dhe Ismail Kadaresë, dy shqiptarëve më të njohur në Europë të kohës së Diktaturës. Nuk dalin as ata që e kanë njohur nga afër të thonë :”Mos e dëgjoni këtë kokërr mashtruesi!” Gënjeshtrat e përsëritura, për fat të keq zenë rrënjë dhe pas disa viteve mund të paraqiten edhe si fakte.

Kështu paska qënë shkruar Historia e Shqipërisë së shkretë!

Kryehetuesi që “shpëtoi” Kadarenë?!


Qemal Lame, kryetari i Hetuesisë së Shqipërisë prej vitit 1982 dhe deri më 1992 tregoi dy ditë më parë për Blendi Fevziun se si e shpëtoi shkrimtarin Ismail Kadare nga arrestimi. Mashtrues, mitoman, i fëlliqur dhe shumë epitete të tjera i shkojnë këtij njeriu, që nuk ka turp për ato ç’ka shkruan. Por si e thotë me të drejtë publicisti Enver Robelli, turpi qëndron mbi Fevziun që interviston Lamen dhe i jep hapësirë për gënjeshtrat e tij në një emison që ndiqet nga shqiptarët.

Ka dhjetra gënjeshtra të Lames, që nuk i qëndrojnë logjikës më të thjeshtë, të atyre që kanë jetuar dhe njohin qoftë përciptas kohën e Diktaturës. Viti 1982 ishte një vit i një lloj “çlirimi” nga terrori i madh i luftës së klasave të nisur 10 vjet më parë dhe pikërisht në fillimin e vitit 1973. Pas vetvrasjes së Mehmet Shehut, Enver Hoxha mendoi të “lante duart” me të dhe ata që e kishin mbështetur dhe të adoptonte një politikë më liberale duke I hehur të gjithë fajin e krimeve politike mbi Shehun dhe Ministrinë e Brendëshme. U përgatit e ashtuquajtura “tablo sinoptike” dhe më pas me rradhë u arrestuan Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Ali Kubati, Llambi Peçini dhe më në fund ministri më jetëgjatë i punëve të brendëshme, Kadri Hazbiu. Spastrimi në nivelet e dyta ishte shumë i madh dhe u burgosën ose u internuan me dhjetra punonjës të Sigurimit.

Të gjitha arrestimet dhe spastrimet u pritën mirë nga shumica e popullsisë, që dinte se ç’krime kishin kryer në vite punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendëshme. Mes masave për të vënë një lloj kriteri ligjor mbi arrestimet dhe përndjekjet, ishte ndarja e Hetuesisë nga Ministria e Brendëshme. Në krye të organit të posakrijuar u vu një prokuror-hetues 33 vjeçar i quajtur Qemal Lame, sepse më të vjetrit ishin pak a shumë “të përlyer” keq me proceset e mëparshme politike, ose ishin miq dhe të afërm të posaarrestuarve.

Sipas shkrimeve dhe intervistave të viteve të fundit, pikërisht ky prokuror-hetues i posaemëruar, që kishte shpënë para togës së pushkatimit edhe të rinj 20 vjeçarë, i mbushi mendjen Enver Hoxhës në shtator të vitit 1982 të mos arrestonte Ismail Kadarenë! Enver Hoxha e mori në telefon 33 vjeçarin kryehetues dhe i tha të arrestonte Ismail Kadarenë dhe ky me durim i shpjegoi se situata politike nuk ishte e favorshme për një arrestim të tillë!

Kushdo që ka jetuar në atë kohë di përafërsisht se sa i largët ishte Enver Hoxha jo për hetues si Qemal Lame, por edhe për ministrat dhe të tjerë funksionarë shumë të lartë. Mjaftonte një porosi e tre-katër vetëve të afërt me të, ku hynin Nexhmija, Ramiz Alia dhe Haxhi Kroi, që Ai ka dhënë këtë porosi dhe e gjithë makina partiako-shtetërore vepronte me shpejtësi të rrufeshme duke e tejkaluar edhe porosinë e Udhëheqësit.

Duke lënë mënjanë mitomanin mashtrues Qemal Lame, po i rikthehem edhe një herë çështjes se sa pranë arrestimit ishte Ismaili gjatë jetës së tij. Ka patur raste, kur të zellshmit e Sigurimit kanë përgatitur dosje për të dhe mund të kenë sugjeruar përjashtimin nga Partia dhe arrestimin e tij. Këto zëra kanë qarkulluar që në vitin 1972, menjëherë pas botimit të “Dimrit të vetmisë së madhe”. Sipas të thënave të kohës ishte vetë Enver Hoxha që e kishte ndalur një gjë të tillë, kryesisht për faktin se kishte pëlqyer se si Kadareja kishte trajtuar figureën e vetë Enverit në atë libër. Romani u hoq pas disa muajsh nga qarkullimi dhe Ismaili pranoi ta ripunonte duke e sjellë në formën që njihet më shumë sot si “Dimri i madh”.

(vijon)

 

Friday 8 July 2022

Më jepni një demagog dhe të lëviz globin!


Në Shqipëri njerëzit kanë shumë arsye të protestojnë. Korrupsioni, çmimet e larta (të shkaktuara edhe nga korrupsioni), mungesa e investimeve të huaja, problemet e mëdha në arsim dhe shëndetsi, janë vetëm disa nga problemet e mëdha, që bëjnë të vështirë jetën e shqiptarëve. Maje duhet thënë se shqiptarët janë të vonuar në protesta dhe nuk janë të shumtë në numur, pikërisht se ju mungon kultura demokratike e solidaritetit.

Që prej lirimit të masave të pandemisë, të cilat kufizonin grumbullimin e njerëzve, ka pasur disa protesta nga grupe të ndryshme, duke nisur me banorët që ju janë prishur shtëpitë, duke vazhduar me fermerët dhe duke përfunduar me studentët. Por kanë qënë pa përkrahje të madhe dhe nuk kanë pasur jetëgjatësi edhe pse mund të kenë qënë më të besueshme se ato që organizohen nga partitë politike.

Dhe ja dje, një politikan i dështuar, i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përgjegjës për gjendjen që është demokracia shqiptare në këto 31 vjet, ishte në gjendje të grumbullonte një numur rekord njerëzish në një buzëmbrëmje teje të nxehtë korriku.

Si shpjegohet që masat grumbullohen pas këtij demagogu të dështuar?

Ndodh ajo që ka më se 100 vjet që ndodh në botë. Masat parapëlqejnë të ndjekin demagogët. Janë ata që ju ngjallin shpresën edhe pse e dinë që i gënjejnë. Ka ndodhur me Trockin dhe Leninin, me Hitlerin dhe Musolinin, me Kastron dhe Cavez, me Trump dhe Bolsanaro. Ndodh edhe tek ne me Sali Berishën dhe Edi Ramën. Dy politikanët më gënjeshtarë, më të pacipë dhe më perfidë.Problemi qëndron në atë që quhet “psikologji e masave” dhe që është një dukuri që njihet, por për fat të keq nuk është në gjendje të luftohet.

Ato çka tha dje Berisha për Ramën ishin të gjitha të vërteta, por vlenin po aq edhe për atë vetë. Shumica dërmuese e shqiptarëve e dinë këtë, por përsëri gënjejnë mendjen se Berisha mund t’I shpëtojë nga Rama.

Shqiptarët ikin nga Shqipëria se nuk gjejnë alternativë tjetër. E dinë që PD-ja në qeveri është po njëlloj si PS-ja se e kanë provuar. Ndaj dhe opozita është po aq përgjegjëse për zbrazjen e Shqipërisë sa ç’është dhe opozita.

Grumbullimi i djeshëm ishte një hap pas në Demokracinë shqiptare. I dha frymëmarrje një politikani tashmë të vdekur politikisht. I dha shpresë edhe çiftit Meta-Kokëmadhi, që mund të mbijetojnë në politikë dhe mos shkojnë në burg. I dha shpresë edhe Ramës, që nuk do ketë kurrë përballë një opozitë të vërtetë, që mund të gjejë mbështetjen e plotë të shqiptarëve dhe të të huajve dhe që do ja shkurtojë ditët e këtij mandati.

Dje fituan edhe një herë demagogët dhe hajdutët! Më shumë shqiptarë do largohen prej sot e tutje nga Shqipëria.

Thursday 7 July 2022

Të mos besosh kohën, kur ke jetuar


Në jetën e çdo njeriu ka ngjarje për të cilat ka qënë i pranishëm, ose si quhet nga “të sofistikuarit” - dëshmitar okular, ka ngjarje të tjera të cilat i ka dëgjuar nga shumë burime të besueshme dhe ka një përshtypje shumë pranë të vërtetës, ka edhe të tilla, që kanë qënë të mjegullta në kohën kur kanë ndodhur dhe do të mësojë më shumë rreth tyre. Problemi është me mungesën e përgjegjësisë të mediave, të cilat nxjerrin shpesh “dëshmitarë“ dhe analistë jo të besueshëm, të cilët ngatërrojnë qëllimisht faktet për hir të përfitimeve politike.

Mess humë syresh, është dhe famëkeqja ngjarje e 2 prillit, kur shteti vrau me gjakftohtësi 4 protestues në Shkodër, ata që quhen “dëshmorët e 2 prilllit” dhe që solli më vonë rënien e qeverisë Nano dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme. Mes mitomanëve dhe falsifikatorëve, që kanë folur për atë ngjarje, po përmënd vetëm tre: Shinasi Ramën, Frrok Cupin dhe Qemal Lamen. I pari në atë kohë mes organizatorëve kryesorë të Lëvizjes Studentore, i dyti kryeredaktor i gazetës “Rilindja Demokratike” dhe i treti Kryetar i Hetuesisë të Shqipërisë.

Në pak fjalë, Partia e Punës, që kontrollonte gjithshka, i vodhi votat në qytetet kryesore të vendit dhe u shpall fituese me një shumicë të madhe në zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit 1991. Të turpëruar në thuajse më pak se 4 muaj, kur kishin humbur figurën e nderuar të Komandantit dhe ishin të detyruar të lejonin pluralizmin, fituesit për 4 vjet sipas rregullave të reja të lojës ishin të gatshëm të shtypnin me hekur çdo protestë. E vetmja protestë e madhe ishte në Shkodër, ku u grumbullua e gjithë rinia e qytetit dhe snaiperat e Sigurimit , të urdhëruar që nga Tirana, vranë 4 demonstrues, por nuk arritën të mposhtnin dot popullin e Shkodrës që sulmoi dhe dogji Komitetin e Partisë në qytet.

Shinasi Rama, tani pedagog në një universitet amerikan, ka vite që me shumë siguri ka deklaruar që Arben Broci është vrarë me porosi të Berishës dhe të Sigurimit të Shtetit gabimisht se kishte veshur pardesynë e bardhë të Shinasi Ramës. Pra plani pat qënë që Shinasiu, si kundërshtar i vendosur i Berishës mos likuidohej, që të mos hapte problem për kontrollin e PD-së nga Berisha?!

Frrok Cupi, tashmë një analist shërbëtor i pushtetit të Ramës, deklaron i bindur se dëshmorët e 2 Prillit u vranë nga Berisha dhe PD-ja edhe pse këta nuk kishin asnjë lloj pushteti në atë kohë. Cupi me paturpësi thotë sot të kundërtat e atyre që ka shkruar para 31 vjetësh.

Qemal Lame, prej 30 vjetësh i strehuar politik në Gjermani, i njohur për deklarime të dyshimta, ve veten e tij në qëndër të ngjarjeve në një intervistë të fundit dhënë Blendi Fevziut në “Opinion”. Pasi deklaron se në kundërshtim me sugjerimin e kryeministrit të kohës, Fatos Nanos, ai hyn në Shkodrën që ishte nën kontrollin e popullit dhe shkon në Degën e Brendëshme ku qëndronin të rrethuar punonjësit e saj dhe sigurimsat e tjerë. Atje çuditërisht, Kryetari i Degës Capajev Taçi e sulmon dhe i thotë se i ka kërkuar Ramiz Alisë ta arrestojë Kreun e Hetuesisë së Shqipërisë!

Tre njerëz, që kanë qënë ose dëshmitarë okularë, ose kanë pasur informacion të dorës së parë për çka ka ndodhur interpretojnë paturpësisht në kundërshtim të asaj ç’ka ndodhur në të vërtetë dhe që u bë në mes të ditës në sytë e një populli të tërë në një kohë që e kemi jetuar.

E si mund të besosh ato që thonë për vende të tjera dhe kohë të tjera!

 

 

Wednesday 6 July 2022

Lulet e malit

Lulet e malit natën mbyllen,

Si vajzat e turpshme në dhomat e tyre.

Thellë në gji mbajnë mesazhet e ditës,

Të dërguara nëpërmjet bletëve,

Si dikur,

Virgjëreshat

Letrat e dashurisë mbanin mes fletëve,

Të librit të preferuar.

Dhe më pas i rilexonin

Mallëngjyer

Duke i fshehur vetes dëshirat e trupit.

Njëlloj si mbyllin petalet

Këto lule mali pas muzgut.

Tuesday 5 July 2022

Të mirat e mëdha të një “hair haberi”


U ngazëlleva nga lajmi i mirë i dhënë nga kryeministri jonë sot. Kompania “Shell” (më mirë dega e saj shqiptare “Albania Shell” ose “Shell Albania”) ka zbuluar sasira të pallogaritshme nafte dhe gazi në Shpirag, që do bëjë jo vetëm ne shqiptarët “ta vemë festen mënjanë“, por do shpëtojnë edhe Europën. Më pas dëgjova edhe një intervistë të ministreshës Balluke, që je konfirmoi këtë dhe saktësoi që është zbuluar një arterie shumë e rëndësishme hidrokarburësh mu në rrëzë të Shpiragut.

Unë nuk di nga gjeologjia dhe kërkimet për zona naftë dhe gazmbajtëse, por kjo puna e arteries më krijoi një përshtypje që nafta lëviz midis zonave dhe tani që kemi zbuluar këtë arterien kryesore mund t’i “lemë më të thatë“ jo vetëm fqinjët, por edhe ata të Lindjes së Mesme.

Gjithsesi “hair haber” më të mirë se ky nuk kemi patur që në kohën e “Celikut shqiptar” dhe të “prodhimit të bukës në vend”. Dhe të mendosh që këto ishin 46 vjet më parë. (Nuk dihet ende nëse sho Enver kishte vënë gishtin më parë në këto vendburime dhe tradhëtarët nuk e kishin dëgjuar.)

Por le ta lemë nihilizmin dhe të besojmë kryeministrin, i cili e bëri këtë deklaratë nga Holanda ku e ka edhe qëndrën kompania e famshme e hidrokarbureve.

C’do të thotë kjo për Shqipërinë? A do të bëhemi të gjithë sheikë?

Kjo e fundit është pak si tepër optimiste, se edhe në Arabinë Saudite nuk janë të gjithë sheikë, por të ardhurat për frymë me siguri që do të dhjetfishohen. Do ulet kriminaliteti se askush nuk do merret më me trafik droge. Nuk kemi dëgjuar për ndonjë Mafia Saudite apo të Emirateve të Bashkuara që kontrollon tregjet e drogës. Do ulet korrupsioni se të gjithë do jenë të lumtur me pjesën e tyre në pasurinë kombëtare.

Me siguri që e gjithë Myzeqeja do kthehet në komplekse rafinerish, se nuk ka arsye ta shesim naftën bruto, kur mund të fitojmë më shumë duke e përpunuar, si dhe punësojmë të gjithë bujqit që nuk shesin dot shalqinët në kohë vere. Do kthehen pjesa dërmuese e emigrantëve në poste manaxheriale dhe do punësojmë kurdë, afganë, bangladeshas dhe afrikanë për punët e rënda.

Po për Europën ç’do të thotë kjo?

Europa shpëton përfundimisht nga varësia nga nafta dhe gazi rus dhe do na lutet që të na bëjë anëtarë të Bashkimit Europian. Këtu ne, si ballkanas kryeneçë mund të fillojmë të hedhim vickëla dhe të kërkojmë jo vetëm Camërinë dhe tërë trojet shqiptare të Ballkanit, por edhe fshatrat arbëreshe dhe arvanitase. Nafta dhe gazi ta japin këtë pozitë në marëdhëniet ndërkombëtare.

Po sikur mos jenë kaq stërmëdha këto vendburimet e Shpiragut?- do hidhen pasardhësit e Tersit të Pojanit.

… Punë m…! Do ja hedhim prapë fajin Europës, kësaj kurve të motit!

C’kërkojnë gratë shqiptare?


Barazi me meshkujt - mund të hidhet shpejt e shpejt dikush që nuk është grua.

Më duket një përgjigje e nxituar nga një që nuk njeh botën shqiptare në përgjithësi dh e veçanërisht botën e grave shqiptare, që është aq e ndryshme nga një rrip toke në një tjetër, atje ku mbaron një luginë e ngrihet një shpat mali, atje ku është rrëmbyer toka e tjetrit dhe ku kalon autostrada, atje ku plazhistet mund të bëjnë banjo dielli me gjokse jashtë dhe ku nuk i ndalin.

Shoqëria shqiptare ka qënë gjithnjë shumë e fragmentuar dhe me diferenca të mëdha kulturore, mendësie, filozofie dhe zakonesh. E megjithatë ka një pjesë të Shqipërisë, që për shkak të zhvillimeve të pazakonta demografike, tani përmbledh gjysmën e popullsisë të Shqipërisë dhe natyrshëm edhe gjysmën e grave. Eshtë zona Tiranë-Durrës, së bashku me qytetet e Ultësirës Perëndimore.

Po në këtë zonë më të unifikuar për shkak kushteve të ngjashme të jetesës, mund të dallosh tëpaktën 7-8 grupe tepër të veçanta grash, që detyrimisht kanë kërkesa të ndryshme për jetën, pikërisht sepse janë të formuara në kushte tepër të veçanta.

·         Femrat e fasoneve dhe të gjitha ato që punojnë në sektorin e shërbimeve ëndërrojnë për një pagë më të lartë, të kenë mundësi të plotësojnë kërkesat e fëmijëve dhe mundësisht të kursejnë diçka për të shkuar një javë me pushime në plazh.

·         Femrat që nuk punojnë, të të gjitha familjeve të “biznesmenëve” që merren me trafiqe ilegale kanë kërkesa për veshje të shtrenjta, bizhuteri dhe “arredim” sa më luksoz të shtëpive “për t’ja u kaluar të gjithave të sojit”.

·         Femrat e gjykatava dhe prokurorive, spitaleve dhe universiteteve, të përfshira në korrupsionet me shuma jo të vogla, që ëndërrojnë për një jetë si në telenovelat e familjeve të pasura, me shumë dashuri, botoks dhe operacione të tjera plastike që përmirësojnë paraqitjen për sa më shumë aventura dashurore.

·         Femrat e botës së spektaklit, që ndjehen se meritojnë të kenë të dashur të pasur, që të shpenzojnë milionat për to, si çka ndodhur gjithnjë në botë që në kohët para Al Kapones dhe teatrit Balshoi.

·         Femrat e OJQ-ve, që nuk dikur janë marrë me politikë, por më pas e gjetën shumë të korruptuar botën politike dhe ëndërruan të kenë një jetë dinjitoze dhe jo shumë të lodhëshme me paratë që vijnë nga Bashkimi Europian dhe fondacionet e shumta botërore.

·         Femrat shumë të angazhuara në politikë, që ëndërrojnë të bëhen një ditë ministresha “për të patur në dorë“ dhe që janë të gatëshme të bëjnë çdo lloj sacrifice për një karrierë sa më të suksesshme politike dhe shumë çanta Louis Vuitton.

·         Dhe ato , të shkretat mbi 50 vjet, që nuk kanë patur mundësi të punësohen në 10 vitet e fundit dhe qëkanë mbetur jashtë tregut të punës, dhe presin ose t’ju dërgojë dikush ndonjë ndihmë nga emigracioni, ose diçka e jashtëzakonshme të ndodhë, që të mund të shpëtojnë nga ankthi që i mban për gryke çdo ditë.

Mund të ketë edhe ndonjë kategori tjetër ëndërrimtaresh, se nuk mundet të ndalësh së ëndërruari në këtë botë që dominohet nga meshkujt.