Thursday 5 April 2012

Fillimi i "Klecka-22"

Me poshte eshte fillimi i librit. Vetem nje faqe e kapitullit te pare te romanit "te papam" te Kelerit. Do mundohem pak nga pak ta ve te gjithin:


            1 TEKSANI





Ishte dashuri me shikimin e parë. Në çastin që e pa, Josariani u sevdallis me kapelanin.

            Josariani ishte shtruar në spital me një dhimbje në mëlçi që ishte thuajse verdhëz. Doktorët i ngatërronte fakti që nuk ishte tamam verdhëz, se po të ishte ja gjenin ilaçin. Po të mos ishte verdhëz dhe dhimbja t'i kalonte do e nxirrnin nga spitali, por duke qënë gjithë kohës thuajse verdhëz e pandryshuar, kjo ja u bënte mendjen çorbë.

            Cdo mëngjez, tre mjekë të gjallë e seriozë, me gjuhët brisk dhe shikim të mjegullt, e vizitonin Josarianin të shoqëruar nga infermierja e gjallë dhe serioze Daket, e cila nuk e honepste. Lexonin kartelën në këmbët e krevatit dhe menjëherë e pyesnin për dhimbjen. Kur ai ju thoshte që ishte po njëlloj, acaroheshin.

            - Asnjë ndryshim?- pyeti më i madhi syresh. Doktorët vështruan njëri tjetrin kur Josariani tundi kokën në shenjë mohuese.

            - Jepi një tabletë tjetër

Infermierja shënoi në kartelë që i duhej shtuar edhe një tabletë dhe të katër vazhduan me të sëmurin tjetër. Infermieret nuk e kishin qejf Josarianin. C'është e drejta atij i kishte shkuar dhimbja e mëlçisë, por nuk ju tha doktorëve dhe ata nuk dyshuan. Dyshuan vetëm se nuk ishte më kaps dhe nuk tregonte.

            Në spital Josariani i kishte të tëra. Ushqimi s'ishte keq dhe vaktet t'i sillnin në krevat. Racionet e mishit ishin të bollshme dhe pasditeve të nxehta ju shpinin edhe lëng frutash ose qumësht dhe kakao me akull. Veç doktorëve dhe infermiereve, njeri tjetër s'të binte më qafë. Për ca kohë, mëngjesave e vinin të çensuronte letrat e ushtarëve, por si mbaronte mund të zhgryhej tërë kohën në shtrat duke e patur ndërgjegjen plotësisht të pastër. Në spital ishte rehat dhe që aty s'e lëvizte njeri se temperatura i rrinte 38 e gjysëm. Ishte dhe më rehat se Danbari, i cili herë herë duhej të binte më hundë nga krevati vetëm e vetëm që t'ja sillnin të ngrënat në krevat.

            Si e ndau mendjen të rrinte në spital deri sa të mbaronte lufta, Josariani ju shkrojti tëre të njohurve që ishte në spital, po pa ju thënë përse. Disa ditë më vonë i erdhi një tjetër ide. Ju shkrojti që po shkonte në një mision luftarak shumë të vështirë. " Kërkuan vullnetarë. Eshtë shumë i rrezikshëm po dikush duhet ta bëjë. Do t'ju shkruaj me tu kthyer." Dhe nuk i shkroi më kurrë njeriu.

            Tërë oficerët e shtruar në spital duhet të censuronin letrat e ushtarëve pacientë, të cilët ishin në një pavion më vete. Ishte një punë monotone dhe Josariani u zhgënjye më shumë kur pa që jetët e ushtarëve ishin jo aq të mërzitshme sa jetët e oficerëve. Pas ditës së parë nuk pati më asnjë lloj kureshtje. Për mos u mërzitur filloi nga marifetet. "Poshtë cilësorët!"-tha një ditë dhe i mbuloi me bojë tërë mbiemrat dhe ndajfoljet e letrave. Ditën tjetër ju shpalli luftë nyjeve të përparme. Nivelin krijues e rriti kur i fshiu tërë fjalët dhe la vetëm lidhësat. Sipas mendjes së tij, kjo shtonte tensionin dinamik ndërmjet rrjeshtave dhe shtjellonte një mesazh më universal. Më vonë filloi të fshijë përshëndetjet e para të letrës dhe emrin e të adresuarit, pa prekur ç'shkruhej më poshtë.

(vijon)