Saturday 31 March 2018

Eja të hamë si romakët e vjetër!


Eja të hamë si romakët e vjetër!
Në një shtrat të pamatë dëshirash,
Ku ushqimet e Mesdheut
Përzjehen me Fugën e Bahut,
Nektari që pimë
Nuk është gjë tjetër
Veç lëng rimash shtrydhur
Nga poezitë e Bodlerit
Kur hapat e lehta i ndjehen agut.
Mos u frigo për të bardhat shtroje
Nga fijet e ëndrrave të fëmijërisë thurrur,
Në brimëzat e tyre,
Si në të bletëve hoje,
Embëlsia e mbrëmjeve mpiksur
Nuk ka për të rrjedhur
E më pak akoma ka për të humbur.
Në të madhërishmit tinguj të organos
Këmbët magjishëm mund të luajmë në erë,
Vallzimi i jetës
Nuk ka gjithnjë nevojën e tokës,
Mbi të mund të luajmë
Kur hovi të bjerë,
Më prit në qoshen e shtratit të pamatë,
Ku qiejt bujarisht
S’kanë bërë gjë tjetër,
Veç bukuritë e jetës atje kanë shtruar
Që ne t’i shijojmë
Si romakët e vjetër.

Tuesday 27 March 2018

Luçiana (kreu 16 i "Klecka 22")

(vijim)

…….

Po ti ç’bën këtu?” e pyeti
“Tamam!” klithi me inat Xhoja i Uritur “Të spjegojë ç’bën këtu!
Me një psherëtimë të gjatë dramatike, Kid Sempsën bëri me gishta sikur i hodhi trutë në erë me pistoletë. Hapli, bëri një flluskë të madhe me çimçakizin që mbllaçiste dhe më pas e thithi brenda duke mbajtur në fytyrë një shprehje të zbrazët e të padjallëzuar prej pesëmbëdhjetvjeçari.  Arfi çapitej nëpër dhomë duke përplasur lehtë në pëllëmbën e dorës çibukun, plot vetëbesim dhe kënaqësi nga situate dramatike, që kishte shkaktuar.
“Nuk shkove në shtëpinë e asaj?- pyeti Josariani.
“Ta merr mendja që shkova”- u përgjigj Arfi”Si do e lija të shkonte vetë në shtëpi?’
“Nuk të la të hyje brenda?”
“Si nuk më la! Deshte edhe të rrija atje” u mbllaçit Arfi “ Mos u bëni merak për mua plako. Ama unë nuk mund të përfitoja nga rasti se ajo ishte pak e dehur. C’më kujtoni mua ju?”
Kush tha se do përfitoje nga rasti?” ju kthye Josariani “Ajo donte patjetër të shkonte me dikë në shtrat. Vetëm këtë përsëriste gjithë mbrëmjen.”
“E po se ishte pak e turbulluar” nisi të spjegonteArfi “Unë fillova t’ja qartësoja disa gjëra dhe ajo më kuptoi.”
“O bastard!” klithi Josariani dhe u fundos i tejlodhur në divan pranë Kid Sepmsën. “C’pate që nuk na i le neve, kur s’kishe ndërmend të shkoje me të?”
“E shikon? Ky s’është tamam nga fiqiri.”- tha Xhoja i Uritur.
Josariani pohoi me kokë dhe ju drejtua Arfit me dyshim:
“Arfi, më thuaj një gjë. Ke vajtur ndonjëherë me femra?”
Arfi nënqeshi:
Po si jo! Kam “shtypur” plot ndaj mos ma qani hallin. Por asnjëherë çupa të mira. Di se cilat duhen “shtypur” dhe cilat nuk duhen “shtypur”, prandaj s’kam “shtypur” kurrë të mirat. Ajo është një vogëlushe e ëmbël. Nuk e patë, që është nga një familje e zënë? I mbusha mendjen të hidhte edhe atë unazën me çiftin lakuriq.”
“I mbushe mendjen për ç’farë?- Xhoja i Uritur u hodh përpjetë duke lëshuar një piskamë dhimbjeje “për ç’farë? Dhe me lot ndër sy nisi t’i binte me grushte gjoksit dhe krahëve të Arfit. “Do të vras për këtë o doç i qelbur! Ky është një mëkatar i fëlliqur, ja ç’është ky. Ka edhe një mendje perverte? Nuk ka një mendje perverte më thoni?’
“Më perverte s’kam parë“- pohoi Josariani
“Mos ja fusni kot djema!” u mbrojt Arfi thellësisht i çuditur duke larguar fytyrën, që të mos merrte grushte. “Hajde Xho mjaft më godite!” u lut duke buzëqeshur me zor.

(vijon)

Stina


Më lini të çlodhem në ngathësinë e reve
Në një ditë pa erë;
Në plluskimin e mendjes sime
Që prêt mëngjezin,
Me sytë e mbyllur
Dhe befasisht të hapur
Një herë,
            Dy herë,
                        Tre herë.
Të largëta janë betejat
Dhe klithmat tashmë shurrdhuar,
Qetësinë dua të mjel prej qiellit
Me lëvizje të kursyera të syve
Dhe jo me duar.
Era e squfurit po fashitet;
Një sumbull e kristaltë, e kripur,
Diku shkëputur,
Mbase thellë mendjes,
Më rrëshqet faqes.
Duhet ta fshih apo të pres të ngurtësohet
Këtë simbol të madhërishëm
Të stinës së Paqes?

Monday 26 March 2018

Vëmendja e VIP-ave ndaj më të vegjëlve


Duket ndonjëherë si e stërzmadhuar, por bota e VIP-ave të politikës shpesh herë është shumë e lidhur me personazhe, në dukje të parëndësishëm.
Në fund të viteve ’70, në Tiranë qarkullonte një legjendë urbane, e cila nuk është verifikuar kurrë dhe nuk ka zënë as tani, në kohën e lirisë së shtypit, vend në mediat online.
Në vija të trasha ishte e tillë:
“Kur Brigade Rosse i komunikuan Aldo Moros, se do ta ekzekutonin dhe e pyetën se cila ishte dëshira e tij e fundit para vdekjes, shtetari demokristin me qetësi ju kishte thënë se donte të dëgjonte këngën “I duam këngët tona” të kënduar nga Pëllumb Tare”
Të rinjtë nuk e dinë se cili është këngëtari Pëllumb Tare dhe ndoshta nuk e kanë dëgjuar edhe këngën e tij në një nga festivalet e Radio-Televizionit Shqiptar.
Pëllumb Tare, një ish-mundës dhe ish-këngëtar, është xhaxhai i Igli Tares dhe studiuesit ushtarak të arkeologjisë, Auron Tares.
Në kohën , që qarkullonte kjo histori, ne ishim një vend i izoluar dhe dukej akoma më e pabesueshme, që kjo të kishte ndodhur.
Si mund ta njihte kaq mirë ish-kryeministri italian zhvillimin e këngës shqiptare?
Aq më shumë të kishte të preferuar një këngë, e cila nuk kishte fituar as çmim?
E megjithatë, pas hapjes së Shqipërisë, të tilla histori tingëllojnë më të besueshme, sepse spjegohen me shumë e shumë lidhje psikologjike, parapsikologjike , të organizatave të fshehta, të qeverive hije etj. etj.
Ja përshembull, suksesi i Igli Tares në Lacio, një ekip i lidhur tradicionalisht me Qendrën e Djathtë italiane mund të ketë rrënjë të lashta edhe në historia e Moros.
Një lajm i sotëm, ma solli të freskët këtë histori, sepse ka disa pika të ngjashme.
Ndërsa qyteti i Korçës po zbukurohej më së miri për festimin e vizitës së parë në Shqipëri të kryeministrit grek Aleksis Cipras, papritur, nga qarqet greke ka ardhur njoftimi se vizita do anullohet.
Grekët nuk kanë dhënë zyrtarisht arsyen, por burime të mirëinformuara pranë Bashkisë së Korçës, bëjnë të ditur se shkaku është dorëheqja e papritur nga grupi i këshilltarëve të LSI-së në Bashkinë e Korçës, e ish-ushtarakut Shkëlqim Larti.
Se pse dhe se si, as analisti Ilir Kulla, i afërt me Presidentin Meta, nuk ka mundur ta spjegojë.
A ka patur pazare mes Bashës dhe Putin për t’i dhënë Korçën Greqisë dhe këtë e ka denoncuar vetë ish-ushtaraku Shkëlqim Larti është një nga spjegimet fantastiko-shkencore të mundshëme.
Gjithsesi, kur mendon se nga vrasja e arqidukës Ferdinand në Sarajevo, u grinë miliona europianë, nuk është aspak e çuditshme, që fijet e komploteve të të shpien nga më të mëdhenjtë deri tek më të vegjëlit dhe anasjelltas.
Të paktën, kjo histori të jetë me “happy end”.

Për ideal të LSI-së!


Ishte një kohë, kur përbetimet humbën vlerën e mëparshme. Ose për të qënë më i saktë, përbetimet u ndanë në grupmosha dhe klasa shoqërore. “Për Krisht” ose “Për atë Zot të madh!” ju lejohej vetëm pleqve në mykët, “për kokën e mamasë“ vetëm fëmijëve dhe adoleshentëve, “për shpirt të babait” vetëm atyre, që ishin në prag pensioni dhe të përndjekurve politikë.
Anëtarët e PPSH-së ishin të vetmit që kishin të drejtë të përdornin formën më të lartë të përbetimit, që ishte “Për ideal të Partisë!” ose në formën e saj të shkurtuar “Për ideal!” Ishte beja më serioze, më solemne dhe më e besueshme. Por edhe kandidatët e partisë nuk kishin të drejtë ta përdornin vend e pa vend. Duhet të ishe anëtar.
Shumica dërmuese e komunistëve nuk dinin se ç’ishte ideali, por pikërisht forma e tij e mjegullt dhe misterioze e bënte më qiellor përbetimin.
Kishte raste edhe që gënjenin, por po qe se do zinin benë “për ideal!” atëhere nuk kishte as gjykim shoqëror dhe as gjykatë e ligjeve që t’ju theshte se gënjenin. Duhet të përjashtoheshin një herë nga partia, të të etiketoheshin me një “ist” në fund si “revizionist”, “oportunist”, “centrist”,  “puçist”, “sektarist”, “lokalist”, pastaj të quheshin edhe gënjeshtarë dhe shkelës të Idealit të Partisë.
Një pasdite të gjatë behari, që u pasua edhe nga një natë po aq e gjatë, Ilir Meta thirri në një vilë në Durrës, gjithë shokët e tij të Idealit nga krahina të ndryshme të vendit dhe ju njoftoi se do formonte LSI-në, ndaj dhe idealistët duhet të shkonin menjëherë në bazë dhe të krijonin degët e Lëvizjes në rrethe.
Kishte konstatuar se ish- Partia e Punës, kishte lëvizur nga ideali i saj si dhe nuk po bënte përpjekjet e duhura për tu integruar në Europë, ndaj dhe gjithë idealistët e majtë, pa dallim feje dhe krahine duhet të Lëviznin.
Shkurtimisht, kështu lindi Ideali i LSI-së.
Në kishte njerëz idealistë në Shqipëri(nga gurët e rëndë, që nuk kishin ikur në emigracion) të gjithë u mblodhën rreth Metës dhe Idealit të tij. Nuk mund të them me siguri, nëse në mbledhje dhe gëzime partiake, idealistët përbetoheshin “për ideal të LSI-së!”, sepse përgjithësisht veprimtaritë ishin shumë të gëzueshme dhe kulmonin me një marrje valleje nga Meta ose Monika, të ndjekur gjithë hare nga idealistët e tjerë.
Më pas erdhi Rilindja. Ideali i idealeve, që jo vetëm i ndroi faqen Shqipërisë, por i bëri shqiptarët të ëndërrojnë jo vetëm për Europën, por edhe përtej saj.
Duket se edhe përbetimet tek idealistët e LSI-së po ndryshojnë në “për shpirt të LSI-së!” dhe në “për ideal të Rilindjes!”
Zaten ideali dhe shpirti nuk janë nocione aq të largëta. Në fillim ikën njëri dhe më pas e ndjek tjetri.

Sunday 25 March 2018

Homoseksualizmi dhe reagimi jonë


Ka shumë zhurrmë në shtypin tonë, rreth veprimtarive të shoqatave LGBT nëpër shkolla dhe duket se fryma e përgjithshme është kundër “qëndrimit politikisht korrekt” për këtë çështje. Flitet se po bëhet propagandë për të “shtuar rradhët e homoseksualëve mes të rinjve”, gjë që mbase nuk mund të përjashtohet plotësisht, se edhe në atë bashkësi (LGBT) ka hajvanë sa të duash, sikundër ka në të gjitha bashkësitë shqiptare.
Shoqëria jonë, si e dalë më vonë nga izolimi se shoqëritë e tjera, do ketë detyrimisht prapambetje në këtë drejtim. Unë mendoj se prapambetja është e të dy palëve, dhe e “luftarakëve pro-gay” dhe më shumë akoma e “luftarakëve anti-gay”.
Ka dy fakte shumë të rëndësishme në çështjen e homoseksualitetit.
I pari është, që ka ekzistuar në të gjitha kohërat dhe të gjithë shoqëritë njerëzore.
I dyti, është, që ende shkenca nuk e ka dhënë përfundimisht përgjigjen se pse krijohet, sa përqind e popullsisë janë të tillë, sa ndikojnë feja, kultura dhe zakonet, cili është roli i shoqërisë dhe i çoroditjeve psikologjike etj. etj.
Ndaj është e mira, që të gjithë “të zjarrtët” të bëjnë një hap pas dhe të përqëndrohen në atë, që është më e rëndësishme, se ; C’raporte duhet të ketë shoqëria njerëzore me homoseksualët.
Duke e parë nga ana njerëzore, askujt nuk i lind e drejta, që hapur të fyejë, persekutojë, heqë nga puna, diskriminojë njerëzit për shkak të prirjeve seksuale. Dhe këtë nuk e them për të qënë politikisht korrekt, por se e mendoj, sikur të jesh vetë në pozitat e një homoseksuali apo të një njeriu, që ke në familje një të tillë.
Nuk ka gjë më të keqe në këtë botë se përbuzja dhe përçmimi, sidomos ndaj adoleshentëve dhe të rinjve.
Eshtë gati e njëjtë sikur t’i dënosh me vdekje ose burgim të përjetshëm.
Nga kjo pikpamje, veprimtaritë e shoqatave (në këtë rast jo vetëm të atyre LGBT), që sjellin solidarizim me adoleshentët e trembur, në prag të vetvrasjeve, duhet inkurajuar dhe jo të luftohet.
Por në rast se flitet thjesht për dobitë e homoseksualizmit, apo për sukseset e arritura gjatë historisë të njerëzimit nga homoseksualët, atëhere kemi të bëjmë me një propagandaë bajate. Aq më keq është trumbetimi që ju bën media njerëzve të botës së spektaklit për “ekseset” e jetës së tyre seksuale.
Njerëzit kanë një jetë të vetme. Për më tepër jeta e individit i përket vetëm individit.
Të sulmosh, fyesh, përçmosh të tjerët është anakronike, jonjerëzore, është mizore.
Të rinjtë, nuk ka nevojë as t’i qortosh, as t’i izolosh, bile as t’i këshillosh kur nuk ta kërkojnë.
Duhet t’i kuptosh dhe t’i mbështetësh.
Por kjo kërkon mendje më të hapura, durim dhe një përmbysje të psikologjisë patriarkale të shoqërisë sonë.
A gëzohemi kur mësojmë për një të njohur, apo për fëmijën e tij se janë homoseksualë?
Më duket se nuk ka vend për t’u gëzuar apo hidhëruar.
Duhet konsideruar si një fakt i një bote që nuk e njohim përfundimisht dhe kurrë nuk kemi për ta njohur.

Saturday 24 March 2018

Shkëlqim i “Lartër”!


LSI-në e braktisi edhe Shkëlqimi. Tani këshilli bashkiak i Korçës është thuajse plotësisht ngjyrë lila. Do e përshëndesja vendimin e Shkëlqimit me thënien tipike korçare të gjysmës së parë të shekullit të kaluar: “Bravo bre i lartër!”
Nuk di nëse në anët e tij, Shkëlqimin e thërresin Cimi apo Shkëlqo, se të dyja këto shkurtime janë të përdorshme në trevat tona, prandaj dhe po e quaj Shkëlqim duke i dhënë shkëlqimin e plotë, që ka ky emër i shkëlqyer.
Shkëlqimi(sipas deklaratës së tij) ka qënë dikur “i veshur” dhe ka nderuar fshatin e krahinën, por përgjegjësinë më të madhe e ka ndjerë si ish-ushtarak. Se këta ushtarakët e sotëm nuk janë dhe aq të përgjegjshëm. Një pjesë, u përzjenë në atë shpërthimin e Gërdecit, disa të tjerë në fundosjen e anijes me refugjatë që shkonte në Itali një janar të shkuar dhe disa të tjerë janë përzjerë në fikjen e radarëve , kur niseshin motostkafët me drogë.
Ndërsa Shkëlqim Larti është një ish-ushtarak, ndaj të cilit mund të besojmë verbërisht.
(Kur kisha para për të këmbyer në kambizmi, unë gjithnjë shkoja në ish-ushtarakët, se jo vetëm kishin të lartë ndjenjën e përgjegjësisë, po edhe mezi përdornin makinat llogaritëse. Ishte kënaqësi të këmbeje valutë me ta.)
Pjesa e deklaratë, që të emocionon më shumë, është pjesa ku Shkëlqimi, i prekur nga ndienjat e fuqishme patriotike, nuk duron dot zërat se prapa PD-së është Moska. Ai edhe mund t’i falte PD-së 21 janarin (4 të vrarë për hir të Likes), edhe shkatërrimin e drejtësisë, por kur vjen puna në Kombi, ëhë, këtu Shkëlqim Larti nuk të fal. Moska i kujton Krushovin dhe Krushovi i kujton djegien e Baba Stalinit dhe si ish-ushtarak i majtë deri në palcë, Shkëlqimi nuk ja fal këtë Moskës.
Këshilli Bashkiak i Korçës, ka kontribuar jo pak në lulëzimin e qytetit. Grupi i LSI-së, ku bënte pjesë zoti Larti, gjithashtu ka dhënë shumë ato 4 vite, kur ishin në unison me PS-në.
Ish-ushtaraku mund të mburret me Kullën, Bibliotekën e re, rritjen e çmimit të ujit, shpronësimet arbitrare dhe plot “zullume” të tjera të Bashkisë.
Le ta vemë edhe kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e ardhshme!
Me sloganin:
“Lart më lart o shokë, për Shkëlqimin e qytetit!”

Atë e thërrisnin me dashakeqësi “Nuku”


Ai “nuku” e dinte, që vitet ’70 kishin kaluar prej thuajse 40 vjetësh. “Nuku” i thoshin se e përdorte shpesh këtë dialektalizëm, por edhe se “nuku” theshte shpesh PO, po qe se ‘nuku” kishte ndonjë interes të drejtpërdrejtë.
Ndoshta kishte edhe të drejtë. Në rininë e tij, i gjithë qyteti kishte shumë kufizime dhe kudo të shkoje të kërkoje një kile më shumë djathë, një shishe me qumësht të paskremuar, apo një pako me akrilik, në më të shumtën e rasteve shitësit do të përgjigjeshim me një “ncuq”. Ndaj dhe ai kthehej në shtëpi dhe theshte :“nuku” më dhanë!
Kjo edhe i krijoi adhurimin për sendet. “Një gjë që “nuku “ e kam, më mundon shumë deri sa e shtie në dorë.” theshte me vendosmëri.
“Nuku” i adhuronte vitet ’70 ndaj mbante ende favorita të gjata, që atë kohë quheshin edhe baseta, por që në horizontet e modës mashkullore, nuk kishin dhënë asnjë shenjë se mund të ktheheshin përsëri. Por, kishte diçka të modës së asaj kohe, që e urrente. Pantallonat me shtrat të shkurtër. Diçka duhet t’i kishte ndodhur, kur kishte veshur ato lloj pantallonash (në botën e lirë quheshin “feçkë elefandi” kurse në qytetin e “nukut” quheshin “kauboj”) që ishin tmerrësisht ngjitur pas trupit deri në gjunjët dhe më poshtë hapeshin si hinka. Ishte diçka nga shqepja e tyre në mollaqet, a mungesa e mashkave, apo xhepat e pakët ku nuk mund të fuste çelësat e shumtë , portofolin topolak dhe pusullat e dashurisë, që e bënin të mos vishte kurrë të tilla. A për shkak të disa lëvizjeve jo shumë të balancuara të trupit, ai e ndjente se duhej të mbronte qendrën e tij të gravitetit. Në mënyrë, që pingulja e hequr nga kjo qendër mos i binte kurrë jashtë bazës së mbështetjes dhe ai të rrëzohej me turp. Donte vetëm të ecte përpara, i sigurt në rrugën e kamjes. Prej asaj kohe mbante gjithnjë pantallona, që i arrinin diku më lart se diafragma, me të cilat ndjehej i mbrojtur, i ekuilibruar dhe tepër solid. Gojët e këqia( ata që ishin ndeshur shpesh me shprehjen e tij “Kjo nuku bëhet!”) theshin se kishte vështirësi për të gjetur zinxhir, për një shtrat aq të gjatë, ndaj përdorte zinxhira xhakaventosh, por dashamirësit e tij “nuku” e besojnë këtë thashethem urban, pasi menjëherë përgjigjen, që aim und të përdorë dymbëdhjetë kopsa pa patur nevojë për zinxhir.
Paska edhe dashamirës?
Po si “nuku” ka!
Tërësisht i izoluar dhe i mbetur në kontradiktën e tij të viteve ’70, “nuku “ do e kishte të lehtë të ishte i suksesshëm dhe i kamur.

Friday 23 March 2018

Luçiana (pjese nga kreu 16 i "Klecka 22)


(vijim)

Come?”
“Subito, subito,”e ngacmoi ai pa të keq “Mami po prêt.”
“Si, si, Mamma.”
Josariani e la vajzën ta hiqte për dore mes asaj nate pranverore romane deri sa arritën në një qendër autobuzash që zhurrmonte nga buritë, vezullonte nga dritat e verdha dhe të kuqe, ushtonte nga sharrjet ungëruese të shoferëve të parrojtur, që i ndërseheshin njëri tjetrit, pasagjerëve, valixheve, këmbësorëve që ju zinin rrugën, të cilët nuk ja u varnin në fillim, por kur goditeshin nga parakolpot e autobusëve, ju ktheheshin me të njëjtat të shara, që të ngrinin përpjetë qimet e kokës. Luçiana hipi shpejt në një mikrobus të gjelbër dhe Josariani u kthye menjëherë në kabare të gjente bionden oksizhene me sy të perënduar dhe bluzë ngjyrë portokalli. Ajo dukej shumë e shtënë pas Arfit, ndaj Josariani i ishte përgjëruar për tezen e saj të lezetshme, a ndonjë shoqe, kushërirë, mama ose motër, po aq të lezetshme, të ndezur dhe me moral të dyshimtë. Ishte tamam një e tillë , që i duhej Josarianit. Një mëkatare gojështhurrur, ndezake, pa parime,  vulgare dhe epshndjellëse, për të cilën kishte thurrur shumë ëndrra për muaj të tërë. Biondeja oksizhene ishte për të përsosmëria.  Ajo kishte paguar vetë ato që kishte pirë, kishte makinën dhe apartamentin e saj dhe një unazë ngjyrë rozë, ku ishin gdhendur një çift lakuriq, unazë që e lojti nga mendtë Xhonë e Uritur. Xhoja shfrynte dhe ulërinte, binte në gjunjë dhe zvarritej, përgjërohej dhe lutej duke i ofruar gjithë paratë, që kishte, bile edhe aparatin e sofistikuar fotografik. Asaj nuk i bëhej vonë për para dhe aparate ftografike. Donte vetëm të ndërzehej.
Kur Josariani arriti në klub ajo kishte ikur. Kishin ikur të gjithë ndaj dhe ai doli menjëherë dhe i përhumbur u vërtit udhëve të zbrazura. Nuk ndjehej i vetmuar kur ishte vetëm, por ato çaste ishte i vetmuar në zilinë ndaj Arfit, që po dëfrehej në shtrat me femrën që ishte adapt për Josarianin, me të cilën mund të ngërtheheshin sa herë të donte, po qe se do donte, bile po t’i shkonte mendja mund të vinte edhe me njërën ose të dyja aristokratkat elegante, që jetonin në kat më lart se ai, dhe që ja lulëzonin fantazitë e tij seksuale, sa herë kishte të tilla. Ishin kontesha e pasur brune me buzët mishtore të kuqe dhe e reja e saj bukuroshe, brune dhe e pasur. Ndërsa i afrohej pallatit të oficerave ku banonte, Josariani e kuptoi se ishte i dashuruar me të gjitha. Me Luçianan, me qejflleshkën e dehur me bluzë të hapur në gjoks, me konteshën e pasur dhe të bukur, si dhe me të renë e saj të bukur dhe të pasur, por që të dyja këto të fundit nuk kishin për ta lënë kurrë t’i prekte apo të flirtonte me to.
Ato i përkëdheleshin si kotele Nejtllit dhe linin në pritje Arfin, por për Josarianin mendonin se ishte i lojtur dhe i largoheshin me përbuzje sa herë këmbeheshin në shkallët dhe ai ju bënte komplimenta ose ju propozonte gjëra të turpshme. Ishin dy krijesa të mrekullueshme me buzë të rrumbullta si kumbulla të bëra mirë, të ëmbla dhe me lëng ngjitës, nga ku dilnin herë herë dy gjuhë të tulta e majuce, që mund të zgjateshin thellë gojës së Josarianit. Ato kishin klas; ai e dinte që kishin, pavarësisht se nuk e saktësonte dot se ç’lloj, por ai nuk kishte klas dhe këtë gjë edhe ato e dinin.

(vijon)

Thursday 22 March 2018

Ne të duam Edo!


Një monedhë ari e ngjashme me ato antike, me emrin e perandorit ilir Edi Rama, qarkullon tani në Tiranë dhe mbase edhe në qytete të tjera të Ballkanit. Ka të gdhendur emrin dhe firmën e kryeministrit tonë . Për karatët duhet konsultuar me specialistë të paanshëm të fushës së argjendarisë.
Ideja e Përjetësisë, që e mundon Ramën(bazuar në intervistat e tij), ka gjetur mbështetje konkrete në rrethin e ngushtë të miqve të tij.
Ju ka lindur nga gërmimet në tumat ilire, ku janë gjetur monedhat e Gentit, Teutës dhe Bardhylit, apo nga vizitat e shpeshta në dyqanet antikuare të Europës(disa syresh janë koleksionistë të apasionuar), kjo mbetet për tu parë. Dihet vetëm , që monedhat ekzistojnë dhe janë tregues të përkatësisë së atij/asaj që e mban, në rrethin më të ngushtë të Ramës.
Interesante të mendosh, se pas dymijë vjetësh, robotëtë arkeologë, do zbulojnë në botë (sidomos në parajsat fiskale të sotme) monedha ku shkruhet RAMA EDI. Ekzaltimi ndërplanetar do jetë i papërmbajtshëm. Titujt kryesorë: “Pranë nofullës stërmadhe të një shqiptari antik, gjendet e vetmja kopje e monedhës Rama”.
Një mënyrë tjetër, më e thjeshtë, më aktuale dhe më fitimprurëse në rritjen e kultit  të Ed Ramës, ka lindur në Ministrinë e Bujqësisë, e cila ka krijuar rrjetin e shitoreve të ushqimit shqiptar të quajtur “EDUA” (theksi vihet në E-ja.)
Duhet të ketë qënë ideja e ndonjë kryeqytetasi në stafin e Ministrisë, se korçarët e atjeshëm nuk thonë “E ka thon Edua!” ose “Ta manaxhojm i çik situatën se mos vje Edua!”
Ne na mundon ky aksenti aspak revolucionar : “Po rri bre Edi se s’bëhet kjo që thua ti!”
Rrjeti i shitoreve ushqimore me emrin e kryeministrit, jo vetëm që do ndryshojnë komplet mënyrën se si hamë dhe sillemi, por do na i evidentojnë identitetin shqiptar në maksimum.
Do e ndihmojnë turizmin në shkallë të papame.
Dhe shitoret do kenë karakteristika të veçanta sipas zonës. Në “Eduat” e Tirons do haet vetëm me “t’njyme”, në ato të Vlorës do shqyhen cjepërit e pjekur, ndërsa në “Eduat” e Korçës do valojë lakrori dhe petullat e fshira.
Më e bukura është se të kesh një shitore me emrin e Kryeministrit (Edua), mjafton të vesh gjysmat e parave , se gjysmat t’i jep qeveria dhe pasi të marrin gjysmat e atyre gjysmave , që të japin, dhe më pas të gllabërojnë edhe gjysmat e atyre që ke vënë vetë, se projektin dhe ndërtimin do e bësh atje ku të dërgojnë ata (zakonisht në miqtë e Edos), të këputin edhe një TVSH të mirë, që mos i mbledhësh dot kryqet për 20 vjet.
Po ke shitore “Edua” ama! Me përpjekje dhe përkushtim , mund të arrish edhe të të venë në listë për të blerë një monedhë ari me gërmat RAMA EDI.
(Shërben ta mbash në gojë, kur të kalosh me varkën e Karonit në të përtejmen botë.)

Wednesday 21 March 2018

Një libër për luftën ruso-turke (si e ka përjetuar gjyshi në fëmijëri)

Unë dua të bëj një libër, që të mos jetë shkruar më parë.
Një libër, që të botohet në pak kopje dhe të kalojë dorë më dorë, deri sa nga padurimi, nga lëpirja e gishtave për të ndruar faqen, nga teshtirjet e të griposurve gjatë dimrit dhe nga nga shenjat me lyrë , që do lenë amvisat, që një sy do e mbajnë nga tigani dhe një në faqet e tij, të kthehet në një lloj tufe të lidhur pergamenësh, që të të kujtojë Aristotelin.
Materialin e kam gati.
Janë shënimet që kam mbajtur, kur gjyshi më tregonte se si e kishte pare luftën ruso-turke (Harbi 93)me sytë e një fëmije arnaut. Ose pis arnaut.
Për luftën ruso-turke, në shqip nuk kanë shkruar as vëllezërit Frashëri, as Foqion Postoli, as Kadareja, as Sabri Godoja, as Pëllumb Xhufi dhe as Valentina Duka. Por edhe po të kishin shkruar nuk do kishin kujtimet autentike të një fëmije shqiptar të pafajshëm, të paanshëm dhe krejt të painteresuar në konflikt.
Se nuk mund të ketë më objektiv se syri i një fëmije. Mendja nuk i është turbulluar ende nga komplotet, prapaskenat, dokumentat e firmuara dhe ediktet, nga fermanët dhe promemoriet, nga traktatet e paqes dhe himnet kombëtare.
Për më tepër, në trurin e fëmijës nuk janë future as metodat e ngurta të studimit të historisë, me analizat e kushteve ekonomike –shoqërore, gjeopolitikën, Rrugën e Mëndafshit, dinastinë e Romanovëve e të tjera si këto.
Syri i fëmijës nuk i sheh as bardhezi ngjarjet, se akoma nuk ja kanë futur në kokë filtrat me armiq dhe miq, të mirë e të ligj, tanët dhe të huajt. I shikon me të gjithë ngjyrat e feksura të ngjarjeve, bile edhe akoma më të theksuara.
Ndaj kam një besim të papërshkruar në suksesin, që do ketë libri.
Sidomos në këtë kohë, kur Perandoritë Otomane dhe Ruse janë ringjallur dhe pasi të gëlltisin ca vende të vogla do i vërsulen sërish njëra tjetrës.
Vërtet përplasjet do ngjasojnë, por nuk do kenë larushaninë magjike të bashibozukëve, uniformat e dragonëve, shpatat e tartarëve, dekoratat në gjoksin e gjeneralit Dragomirov, artilerinë gjermane të otomanëve, si m’i ka rrëfyer im gjysh.
Libri duhet shkruar sa më parë.
Ah sikur të kisha pak më shumë kohë të lirë!

Kur mund të zgjidhet ngrohja në Korçë?


A duhet të kishte nisur e ashtuquajtura Rilindje Urbane nga ngrohja e qytetit?
Eshtë sa e lehtë dhe e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetje. Pa menduar mund të përgjigjesh shpejt e shpejt PO, por kur fillon të mendosh në detaje për mënyrën e zgjidhjes/ve, atëhere përballesh me probleme të mëdha teknike dhe finanaciare.
Megjithatë, ka dy pika në të cilat besoj se pajtohen të gjithë.
Qyteti, në pjesën më të madhe të tij ngrohet me dru (gjë, që është shmangur prej 80 vjetësh në vendet e zhvilluara europiane), që sjell ndotjen e ajrit për 4-5 muaj të dimrit dhe nuk është as komode; e dyta, para se të mendonim se si t’i bënim “makijazh” qytetit për të sjellë më shumë turistë, që do dalin fotografi(thënie e Edi Ramës kjo), do kishte qënë më mirë, të investohej qoftë për të bër zgjidhjen e ngrohjes në godinat publike të qytetit dhe ndoshta në një pjesë të vogël të banesave.
Korça është një nga qytetet me më shumë ditë me diell në Shqipëri. Po deri tani, të pakta janë përpjekjet për të investuar në një park solar, që mund të siguronte energji elektrike për të ngrohur një pjesë të mirë të institucioneve në varësi të Bashkisë.
3 milion dollarët e Kullës dhe disa miliona të tjera për Bibliotekën e re dhe rikonstruksionin e Bashkisë do kishin qënë të mjafueshme për një park solar.
Duket që edhe gazsjellësi i TAP-it, nuk po krijon mundësitë për një degëzim për Korçën, për të patur mundësinë e një investimi shkallë shkallë për ngrohjen e gjithë qytetit me gaz. Nuk ka as plane investimesh qeveritare dhe as përpjekje nga Bashkia. Shkohet (me mendje) deri në Japoninë e largët për ta imituar në parqe, por jo në Danimarkën e ftohtë, për të marrë shembull se si i ngroh qytetet me energji të rinovueshme dhe përpjekje për arkitekturë të blertë.
Duket se ende kemi mbetur në periudhën e “fushës së druve”, kur njerëzit shkonin për të siguruar t’ju vinin drutë në kohë dhe mos ishin dru “koçimare”. Dhe kjo kur ishin vënë në përdorim sharrat në fushën e druve të administruar nga komunalja. Më parë, kur shpërndaheshin drutë e gjatë (si i marrin sot në Korçë), qyteti zhurrmonte nga thirrjet e gegëve “dru me pre”.
A është kjo Rilindja Urbane?
Apo do shkojë edhe më pas, në thirrjen “A doni piiiiish?”

Tuesday 20 March 2018

Midis gjinjve të Stormy Daniels dhe Ilda Bejlerit



Duhet të ikësh sa më larg lajmeve në tv apo online. Gjërat më të rëndësishme këto dy javë, në të dy anët e Atlantikut, janë gjinjtë e Daniels dhe Bejlerit.
O Perëndi e madhe, vërtet na fute në gjitarët, po pse të bëheshim kaq të përkushtuar ndaj pjesëve trupore me të cilat ushqehen njerëzit e vegjël (bebet dhe jobebet)?
Pse duhet që 24 orë në ditë, lajmet urgjente (breaking news) dhe ato jourgjente duhet të sillen rreth gjëndrave të qumshtit të një aktoreje filmash porno dhe të një komentatoreje sportive?
Do të mësosh se si janë bursat, por fap – të del Stormy me gjinjtë e saj fallco dhe duhet të dëgjosh historinë se si i janë shkelur e drejta e fjalës, e informimit, e sinqeritetit, e terapisë psikologjike duke i dhënë vetëm 130 mijë dollarë.
(Stormy duhet të ketë vëllezër katilë dhe jo si e motra e gjykatësit tonë Fatos Lulo, që i jep çdo vit nga një peshqesh prej 100 mijë dollarë.)
Trump po ngre tarifat e çelikut, po ul taksat, po fiton luftra, po hap luftra të tjera, po e ngre Amerikën, po e çorbavit dynjanë, por përflitet më shumë në shtyp se fjeti një, dy ose tri herë me kokën në gjinjtë fallco të Stormy-t (fake boobs).
E njëjta gjë në shtetin më proamerikan të Europës.
Sa i nxorri dhe pse i nxorri gjinjtë Bejleri në një emision sportiv.
Veç “namuzqarit” Mustafa, që hodhi një gur, janë lëshuar pro, kundër dhe në asnjëanësi, Zheji, Xhunga e deri në Ardian Vehbiu. Tani çështja do shkojë edhe në gjyq, kur dihet që nuk kemi as Gjykatë Kasacioni dhe as gjyqtarë të papërlyer, që të gjykojnë çështje gjinjsh.
Le të vjedhin politikanët!
Le të marrin rryshfete gjykatësit!
Le të përmbytet dynjaja!
Me këto lajme jemi mësuar dhe nuk ka pse t’i analizojmë. Ama një opinion se a janë sharmante, a ka ndopak ndërhyrje estetike, a është dekolteja për “të shuar” “ndezjen sportive të tifozëve”, kjo gjë duhet analizuar gjërë e gjatë e thellë.
Po kur janë kaq të rëndësishme, bënit a marrë dreqi një kanal, që jep vetëm lajme , që lidhen me “çshtjen e gjinjve” dhe bëjini telef të shkretat!
Po na lini të shikojmë se vërtet cilat janë hallet dhe gëzimet e kësaj bote!

P.S. Mirë e kishte një mik im i ndjerë, që i quante “mos-et”.

Një zhigoloje gazmor


Ti ngazëllehesh nga suksesi
Nga shikimet e lëneshave
Nga dekoltetë që nuk fshehin dot fishkjen
Nga padurimi për atë që do,
I veshur shik,
Qimet pastruar deri thellë poreve,
Ti i gëzuari zhigolo.
Dhuratat që të bën një vejushë
Në argjendari i kthen
Varëse ble për një tjetër të ve,
Në fluturimin euforik
Të kësaj jete të lehtë,
Kryqyteteve dëfren
Me kokën në re.
Gazmori zhigolo,
Gjithë buzëqeshje,
Me të kënda fjalë,
Me sjelljet e përkora dhe të ditës veshje,
Ecjen kundër kohës
Askush s’mund të ta ndalë.
Ndaj nuk i trembesh plakjes,
As rrudhave nën sy,
Në lumturinë mashtruese
Të dashurive të pandjera,
Gjithnjë do ketë vend për ty,
I pashmi zhigolo
I lëneshave të mjera.

Monday 19 March 2018

Një prostitute të trishtuar


Ti zgjodhe të flije me shumë burra
E trembur nga rrudhat e nënës në fytyrë.
Edhe ajo
Mbijetesën e kishte zgjidhur tek shtrati,
Dikur ishte braktisur,
Me ty në krah kishte mbetur,
Në një dhomë të errët,
Me dy çarçafë lëtyrë.
Ishe mësuar me burrat,
Që vinin dhe iknin
Pasi kishin blerë hiret për gjysëm ore.
“Të egër janë
Dhe të pabesë“ mendoje,
“Nga asgjë nuk preken
Veçse prej tekave epshore.”
Këto mendon edhe sot
Ndërsa shtrojet i gatit për të ardhurin tjetër,
Me duart që dridhen
Nga pasiguria e seksit
Dhe frika
Se si do jetë kur të jesh e vjetër.
Trembesh të hedhësh sytë mbi qelq
Të shoshësh sytë e tejlyer,
Të tjerëve gjithshka ju ke dhënë
Nuk i ke rrejtur,
As thënë “jo”,
Në vite,
Nuk të tunduar hakmarrja as pezmi
Veç veten ke gënjyer.

Aleanca Rama-Monika kundër Reformës në Drejtësi


Sinjalet e dhëna në shtypin pranë LSI-së dhe PS-së janë të qarta. Një aleancë e mundshme Rama- Monika po përgatitet.
Këtë rradhë , edhe pse në prag të 1 Prillit, nuk ka asnjë ngjashmëri me marëveshjen e pesë viteve më parë. Analistë, që e komentojnë si të tillë, gabojnë në mënyrë të vetëdijshme ose jo.
Partia e familjes Meta-Kryemadhi nuk është më në gjendje të diktojë kushte për një marëveshje. Gjithashtu, qëllimi nuk është më për ndarjen e pushtetit dhe përfitimet nga ai, por për të zgjatur sa më shumë, që të jetë e mundur, efektet e Reformës në Drejtësi.
Por pse këto dy Parti(ose më mirë udhëheqjet e tyre)janë më të predispozuara të pengojnë Reformën?
Mbi LSI-në, rëndojnë aferat korruptive të 8 viteve të fundit në pushtet (po të përjashtojmë 9 muajt e fundit). Pas largimit të turpshëm të kryeprokurorit Adriatik Llalla, pritet , që procese gjyqësore të hapen edhe për të tjerë funksionarë të lartë të LSI-së. Po qe se laku do ngushtohet shumë, koka, që do serviret në tabakanë e Drejtësisë do jetë ajo e Presidentit Meta. Kjo ishte arsyeja e tërbimit të Monikas ndaj heqjes së Llallës, që shpuri deri në flakjen e çizmes drejt Ramës. Mesazhi “Për të mbrojtur familjen time nuk do kursej as paratë dhe asgjë tjetër, që do më vijë dore!”
Një pjesë e zërave pranë PS-së, e quajnë të panevojshme për Ramën një aleancë me LSI-në.
Nuk është aq e panevojshme edhe për të.
Super skandali i Tahirit ka nevojë për aleatë politikë. Gjithashtu, kopjet e dosjeve që i tundte Llalla Ramës, për ministrat e tij, janë edhe në duart e LSI-së. Mbi PS-në rëndojnë mëkatatet e koncensioneve dhe tenderave të pesë viteve të fundit, dy vitet e kanabizimit total dhe përfshirja e funksionarëve të lartë të policisë në trafiqet e drogës dhe njerëzve.
Zgjatja pafund e Reformës i intereson klanit qeverisës, më shumë se çdo force tjetër politike.
Gjithashtu, një mandat i dytë i Veliajt për Tiranën nuk është i garantuar pa mbështetjen e LSI-së. Nuk është çudi, që farkëtuesit e aleancës së mundshme në këtë vit mos jenë vëllezërit Koka, por pikërisht Erion Veliaj, që njihet për marëdhëniet shumë të mira me Metën dhe Kryemadhin.
Duket se të dy palët po luajnë një “poker” me shumë bllofe, por hë për hë , karta më të dobëta janë në dorën e familjes presidenciale. Ndaj edhe nëse diçka e tillë do ndodhë, çiftit  do duhet të kënaqet ose me pak portofole në në qeveri të re të Ramës, ose përfshirja në qeveri do ndodhë pas aelancës për zgjedhjet vendore dhe fitores në qytetet e mëdha.
A është një aleancë e tillë në dobi të Shqipërisë?
Nëse do pranojmë, që qëllimi i saj është ngadalësimi i Reformës në drejtësi, përgjigja është e qartë.
Nuk është e çuditshme, që marëveshja të bëhet, kur Bashkimi Europian, në 6 mujorin e parë të këtij vit, të mos përcaktojë datë për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Kompromisi me një pjesë të opozitës, gjithnjë vlerësohet nga burokratët e Brukselit.
Pengesë mund të jetë ambasadori Lu, i cili e di mirë rolin negativ të Metëës gjatë vitit 2016 për miratimin e ligjit mbi Reformën. Të njohura për amerikanët janë marëdhëniet e tij me Llallën dhe shpërthimi i Kryemadhit, në ditën e betimit të Kryeprokurores së përkohëshme.
Por Lu largohet në gusht. Në gusht, gjithashtu vëmendja e publikut bie dhe edhe sikur të mos jetë stina e ngjalave, është stina e fiqve, që i bashkon miqtë e tenderave dhe koncesioneve.
Eshtë mirë mos ndodhë, por edhe në ndodhtë, nuk do jetë hera e parë, që hajnat, që akuzojnë njëri tjetrin për hajni, të merren vesh mes tyre.

Sunday 18 March 2018

“The establishment” nuk ka probleme me fituesit.


Donald Trump i fitoi zgjedhjet në Amerikë duke folur kundër “the establishment” në Uashington. “Thaj moçalin”(Drain the swamp) ishte një nga parrullat e tij kryesore gjatë fushatës. Miliarderi, njohës i mirë i mentalitetit të njerëzve në periudhën e “reality shows” e ndjente se kjo ishte mënyra më e mirë për të fituar.
Njerëzit urrejnë politikën mashtruese të “the establishment”. Jo rastësisht, popullariteti i Kongresit dhe Senatit amerikan nuk i kalon 12%.
Trump fitoi edhe pse gjatë fushatës kishte kundër një pjesë jo të vogël të senatorëve republikanë si dhe të grupeve të fuqishëm financiarë, që i dhurojnë vazhdimisht fonde Partisë Republikane. Pjesa më e madhe e “the establishment”ishte kundër tij, por njerëzit votuan për të, pikërisht për këtë arsye.
Gjatë periudhës së “mbretërimit” të tij si President, dy gjëra janë shumë më të ndryshme nga ato të fushatë. Trump nuk e “thau moçalin” dhe pjesa republikane e “the establishment” është tashmë e gjitha në mbështetje të tij.
Viti i parë i Presidentit, gjykuar nga rritja e ekonomisë dhe ngritja e paparë e bursave ka qënë mëse i suksesshëm. Gjithashtu administratës së re amerikane i takon suksesi në shpartallimin e ISIS. Trump mund të quhet pa hezituar “Fitimtar”. Kjo ka bërë, që republikanët të gëlltisin gjithë ato, që thanë kundër tij në fushatë, bile edhe ta mbështetin në çështje, që kanë qënë “tabu” për ta, si sulmet ndaj FBI-së.
E djathta, sidomos ajo më konservatore, ka qënë gjithnjë flamurtare e mbrojtjes së Pentagonit, FBI-së, CIA-s edhe kur ka patur shkelje të hapura të të drejtave të njeriut. Ndërsa së fundmi, FBI- a dhe agjensitë e tjera të inteligjencës dhe rendit, po sulmohen si pjesë të “shtetit hije”, që tenton të rrëzojë Trump-in. Dhe menjëherë, pjesa republikane e Kongresit amerikan, nxitoi ta përqafonte këtë ide. Memo-ja e komisionit të inteligjencës të Kongresit, e përgatitur dhe firmosur vetëm nga republikanët, i kundërviheshe metodave të FBI-së për të siguruar autorizim për përgjimet e shtetasve amerikane. Në mënyrë qesharake, demokratët, që kanë kritikuar gjithnjë shkeljen e lirive dhe “privacy” nga ana e FBI-së, këtë rradhë ishin në krah të saj. Një standart i dyfishtë, që sa vjen dhe bëhet më i pranishëm në Uashington.
Në mënyrë të ngjashme, dje, pas lajmit se u pusha nga puna dy ditë para daljes në pension, të ish-nëndrejtorit të FBI-së McCabe, entusiazmi i pajustifikuar i konservatorëve u përball me mbrojtjen marroke të liberalëve.
Andrew Mc Cabe, anëtar i Partisë Republikane (registered republican), ishte sulmuar vazhdimisht nga Trump, si “bashkëkomplotist” i ish-drejtorit Comey, për të “rrëzuar” Presidentin me anë të një hetimi për lidhjet e tij me Rusinë. Para dy muajsh u ul në detyrë dhe tani, me aktin e pushimit nga puna humb edhe të drejtën e një pensioni të mirë.
Edhe pse me një karrierë të panjollosur në FBI, McCabe kishte bërë vjet disa gabime, që nuk lidheshin drejtpërdrejt me çështjen e Rusisë dhe pas një kontrolli të brendshëm nga Ministria e Drejtësisë, ai u gjet në shkelje të kodit të FBI-së. Por zyra që ka kryer hetimet për Mc Cabe është Zyra e Inspektorit të Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, e njohur për integritet dhe paanësi. Të gjithë vrojtuesit e paanshëm kanë deklaruar, që Mc Cabe ka gabuar dhe masat e marra ndaj tij nuk janë anormale dhe nuk ka vend as për ta quajtur si “fitore të Demokracisë“, si e quan Trump dhe as për t’i quajtur si politikisht të motivuara, si bëjnë Demokratët.
Polarizimi në ekstrem i politikës amerikane dhe mbështetja e pakufizuar , që po i jep Trump-it, pjesa republikane e “the establishment” mund të sjellë rritjen e lëvizjeve populiste edhe në Shtetet e Bashkuara.
Duket, që institucionet nuk funksionojnë më si në vitin 1973, kur republikanët, që zotëronin Kongresin, e detyruan Niksonin të jepte dorëheqjen. Trump-it po i falen dita ditës të gjitha mëkatet, që nisen nga konflikti i interesit, mosdeklarimi i taksave, nepotizmi në Shrëpinë e Bardhë dhe deri në mbylljet e skandaleve seksuale duke paguar para.
Forcimi i ekonomisë bën që të mbyllen sytë ndaj dobësimit të institucioneve.
Deri kur?
Ndoshta ndërpritet para se të nisë kriza ekonomike e rradhës.

Saturday 17 March 2018

Shtojcë për shkrimin “Korçari (korçarja) më i/e shquar e shekullit të XX-të”


Menjëherë sa të mbyllësh një listë me emra korçarësh të shquar, të kujtohen dhe dhjetra të tjerë, që kanë kontribuar në mënyrë të shkëlqyer për Shqipërinë, apo për vendet e tjera ku kanë jetuar. Disa prej tyre nuk kanë bërë bujë, për shkak të natyrës, që kanë pasur, të tjerë sepse nuk ju kanë ardhur për shtat qeveritarëve, disa sepse i humbën lidhjet me Korçën pasi u vendosën në pika të tjera të globit. Dhe një listë e saktë, me siguri kërkon një numur më të madh njerëzish për ta përpiluar. Edhe pas kësaj shtojce prej 20 emrash, do mungojnë po aq të tjerë.









  1. Aleksandër Stavre Drenova – poet dhe patriot
  2. Xhafer Ypi – jurist, politikan dhe patriot. Kryeministër i Shqipërisë
  3. Dhimitër Berati – politikan dhe patriot, disa herë ministër
  4. Kristo Floqi – avokat, dramaturg, botues dhe patriot
  5. Shahin Kolonja – jurist, gazetar dhe patriot
  6. Gjerasim Qiriazi – gjuhëtar, patriot dhe misionar feje
  7. Kolë Tromara – farmacist, politikan dhe patriot
  8. Papa Llambro Ballamaçi – prift dhe patriot
  9. Qamil Panariti - patriot
  10. Ferdinand Qirici – basketbollist
  11. Naum Stralla – agronom
  12. Abaz Hajro – kompozitor dhe instrumentist
  13. Tamara Nikolla – volejbolliste
  14. Alfred Uçi – filozof dhe estet
  15. Lola Gjoka – pianiste
  16. Petraq Pilika – matematikan dhe pedagog
  17. Sokrat Mio – regjisor teatri
  18. Milto Sotir Gurra – shkrimtar, gazetar, përkthyes dhe patriot
  19. Kristo Luarasi – botues dhe patriot
  20. Foqion Postoli – shkrimtar, dramaturg dhe patriot

Friday 16 March 2018

Sa mirë, që nuk kemi det!


Unë hyj në korçarët, që kisha pezm, që nuk kishim det. Ose të paktën gjol. Kënaqeshim në behar duke u larë në pishinë, ku nuk ishte edhe aq e lehtë të gjeje billetë, ose do kuturisnim në ndonjë “hauzkë“ nga fshatrat e rrëzës. Kabinat e plazhit nuk ishte kollaj t’i gjeje dhe po të ishe me fat, ato qenë pushime vetëm për 15 ditë, ku shumica e fëmijëve nga Korça mbeteshin në ujë, që nga mëngjesi deri në perëndimet e bukura të diellit. Pasojat ishin të njohura- ftohje dhe të prera barku, po të paktën arrinim të mësonim pak not të stileve “krol” dhe “bretkocë“.
“Ah sikur të kishim edhe det!” ishte shprehja jonë e preferuar, kur mburreshim për klimën, bukurinë dhe pastërtinë e qytetit tonë. Po nuk është e thënë t’i kesh të gjitha!
Kishim atletë të vrapimeve të gjata, po nuk kishim notarë; kishim slita nëpër qilare, po nuk kishim varka; dinim si të gatuanim lepur të egër të mbyllur, po nuk ja kishim idenë e oktapodhit; dinim të gjuanim me topa dëbore, por nuk ja theshim për tu zhytyr pingulthi nga gurët e detit në ujë; dinim të bënim qilima, por jo si të thurrnim rrjeta e kështu me rradhë.
Sot, për herë të parë në jetën time, u gëzova, që nuk kemi det.
Lexova online, që kanë arrestuar kryebashkiakun e Lezhës dhe një tabor me nëpunës, se kanë falsifikuar pronësitë e tokave në breg të detit. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe në Bashkinë e Rrogozhonës, Kavajës dhe padyshim në atë të Laçit, Fierit, Vlorës, Sarandës dhe çdo bashkie tjetër me dalje në det. Se detin e duan të gjithë!
Një ditë, kur të kthjellohet deti dhe kartat e pronësive, do ketë të tjera arreestime në gjithë administratat, që kanë lidhje me vijën bregdetare.
C’farë tmerri do ishte për ne po të kishim një vijë të tillë!
Prangat do binin mbi Raqkën e Filove, ose mbi Nikon e Peleshëve, ose mbi Bertin nga Dardha, ose mbi Gjergjin nga Kolonja, se është shumë e vështirë t’i rezistosh tundimit të ranishteve, ku mund të “tezaresh” pa e vrarë mendjen, ndërsa dielli të pëkëdhel lëkurën dhe zhvillon disa procese kimike, që lidhen me vitaminën D dhe komponentë të tjerë, dhe që të bëjnë më brun, më të fortë dhe më të bukur.
Sa mirë, që nuk kemi det!
Magjija e tij nuk ka të bëjë as me lakminë për të fituar para, as me dëshirën për të pasur puse nafte, as me ëndrrën për jahte. Ka të bëjë vetëm me diellin, shëllërjen dhe të ngrohtët, që të hyn deri në palcën e koskave. Sidomos pas një dimri të gjatë  si i Korçës (apo më keq akoma si ky i Kanadasë).
Deti do kishte marrë më qafë politikanë të karrierës (si Balozi, që del nga deti), topografë, arkitektë, mjekë të KEMP-it, aspirante për Miss Bronxatura, kondradmiralë dhe këngëtarë serenatash. Të gjithë do kërkonin një “tapiçkë“ të vogël për “cazë det”.
Le t’i ngjitemi Moravës dhe të shohim kur ulet dielli mbi Voskop!
Vërtet nuk kemi perëndime magjike, por edhe të gjithë administratorët lokalë, të Djathtë dhe të Majtë, flenë të qetë në shtëpitë e tyre, në breg të rrugëve që dikur ishin me kalldrëm nga të gurëve të lumit!

“I shpon egjëri…”


“I shpon egjëri” ka qënë një shprehje e përdorur në mjediset familjare, që ju drejtohej kryesisht, orekseve seksuale të njerëzve me pushtet ose atyre shumë të pasur. Origjina duhet të jetë në thellësi të kohërave, në trevat tona, se nuk e kam hasur në ndonjë pjesë të letërsisë së kultivuar apo asaj gazetareske.
Nuk kam parë ndonjëherë egjër, edhe pse kisha një lloj ideje, që duhej të ishte di]ka , që rritej bashkë me grurin, pasi shprehja “të ndash grurin nga egjëri” ishte një shprehje që përdorej rëndom. Sipas Fjalorit të shqipes, egjëri (ose egjëra) është një bimë, që rritet anës arave me grurë dhe prodhon kokrra të zeza. Nuk e kishte emrin në latinisht.
Po pse egjëri shtonte vetëdijen seksuale në masa të tilla ,sa të pasurve dhe të pushtetëshmve, ju erreshin sytë dhe donin të flinin me kë ju hante syri?
Thua që të ketë qënë pjesë e drogave të lehta, shumë prej të cilave sjellin nxitje të hormoneve?
Po edhe nëse ka qënë bimë e tillë, psërse efektin e jep nëpërmjet “shpimit”?    
Eshtë i njohur në botë efekti afrozodiak i parasë dhe pushtetit, por tek ne, ndoshta për shkak të izolimit të gjatë dhe “mungesës së egjërit”, ky efekt ishte shumë më i kufizuar. Jo se nuk kishte anëtarë të Byrosë, të Komitetit Qëndror, sekretarë të rretheve, kryetarë kooperativash “që t’i shponte egjëri”, por ishin në pakicë. Pjesa më e madhe, të frikësuar në palcë nga ndonjë ndëshkim i mundshëm, për hir të traditës apo nga të qënit “namuzqarë“, nuk kishin historira të abuzimeve seksuale dhe më pak akoma të orgjive.
Më pas erdhi periudha e “bekuar” e tranzicionit, ku si duket, meqë arat mbetën djerrë, nuk kishte më grurë, por vetëm egjër.
Tani, të ngrënë të pirë dhe të ndejtur, me zarfet që ju shkojnë plot nga tenderat, emërimet në administratë, ofiqarët meshkuj (dhe jo vetëm ata), janë në një gjendje euforie të papërmbajtshme, të cilën mund t’ja u balancojë vetëm “shumë seks, me shumë partnere“.
Je President, kryeministër, ministër, kryetar bashkie, deputet, drejtor OASH-i, drejtor Ujësjellësi, i Arsimit, i Bujqësisë, i Spitalit, i Burgut, i shkollës, i Drejtorisë të Patentave, i Shoqatës të të Verbërve, të Jetimëve, të Veteranëve të Luftës, të ish-pronarëve, të Ushtarakëve në Pension, të Kambistëve do seks! Me një, me dy, me tre e deri sa të të dalin sytë si ka]ka, se të këtillë efekt ka bërë “shpimi i egjërit”.
E megjithatë, numuri i lindjeve në Shqipëri është drejt uljeve. Duket, që një pjesë e mirë flenë më pak me partneret e ligjshme. Popullsia po plaket. Egjëri po shtohet.
Ndoshta, një pjesë janë akoma me ëndrrën e komunizmit, ku do kishte liri të plotë seksuale dhe fëmijët do rriteshin jo nga prindërit, po nga shoqëria.
Kullosni mi derra!

Thursday 15 March 2018

Korçari (korçarja) më i/e shquar e shekullit të XX-të


Përcaktimi nga një korçar dashamirës i Rilndjes (socialiste, jo kombëtare), i Niko Peleshit, si korçari më i shquar i shekullit të XXI-të,  më vuri në mendime nëse ka pasur anketa për të përcaktuar korçarin më të shquar të shek. XX.
Janë qindra figura të shquara të artit, kulturës, shkencës, filantropisë, arsimit, sportit, politikës. Duhet thënë, se për shkak të 45 viteve të Diktaturës, propaganda pati lënë në hije, disa figura të mëdha, të cilat njihen pak, ose aspak nga një pjesë e mirë e korçarëve.
Mendoj se si kriter, duhet të jetë, që të kenë lindur në krahinën e Korçës, nga prindër korçarë. Dhe kur bëhet fjala për krahinën duhet përfshirë këtu edhe Kolonja, se në të kundërt do mbeten jashtë Themistokli Gërmenji, Petro Nini Luarasi, Skënder Luarasi e shumë të tjerë. Edhe pa u këshilluar më parë me historianë, mund të kujtojmë dhjetra emra që kanë nderuar Korçën në Shqipëri dhe në botë. Renditja e listës së mëposhtme nuk ka të bëjë me rëndësinë dhe vlerat e tyre.



  1. Anastas Pilika – Gjuhëtar dhe albanolog
  2. Zija Xholi – filozof dhe pedagog
  3. Andromaqi Gjergji – akademike dhe etnografe
  4. Themistokli Gërmenji – patriot dhe burrë shteti
  5. Qemal Butka – arkitekt i njohur në Shqipëri, Austri dhe Amerikë
  6. Spiro Konda – gjuhëtar, historian dhe albanolog
  7. Koço Kotta  - mjek, patriot dhe dy herë kryeministër i Shqipërisë
  8. Zai Fundo – filozof, publiçist dhe patriot
  9. Sotir Kuneshka – fizikan dhe pedagog
  10. Sotir Polena   - mjek
  11. Tefta Tashko  - soprano
  12. Marjeta Pronjari – atlete dhe volejbolliste
  13. Petraq Peppo  - historian dhe pedagog
  14. Viktor Eftimiu – shkrimtar dhe dramaturg
  15. Vangjush Mio – piktor dhe skenograf
  16. Pandeli Cale – patriot dhe burrë shteti
  17. Thoma Turtulli – filantrop
  18. Servet Gora   - futbollist
  19. Mishel Fundo – matematikan dhe pedagog
  20. Mihallaq Luarasi – regjisor
  21. Vera Grabocka – regjisore dhe producente televizive
  22. Guri Madhi – Piktor
  23. Petraq Kolevica – arkitekt, shkrimtar dhe përkthyes
  24. Sotir Peci – gazetar dhe burrë shteti
  25. Sejfi Protopapa – fizikan dhe patriot
  26. Gaqo Cako – tenor
  27. Vangjush Furrxhi – aktor
  28. Kristo Kono – kompozitor
  29. Sherif Merdani – këngëtar
  30. Sevasti Qiriazi – mësuese, patriote dhe misionare feje
  31. Pandi Stratobërdha – inxhinier hidroteknik dhe pedagog
  32. Mihal Grameno – gazetar, shkrimtar dhe patriot
  33. Koço Gliozheni – mjek
  34. Vangjush Gambeta – gazetar
  35. Sali Butka – patriot, luftëtar dhe poet
  36. Pandi Raidhi – aktor
  37. Viktor Gjika – kinoregjizor
  38. Eleni Qirici – këngëtare dhe aktore në Hollivud
  39. Dritëro Agolli – shkrimtar
  40. Pandeli Evangjeli – patriot dhe burrë shteti
  41. Boris Plumbi – pianist
  42. Pavlina Evro – atlete
  43. Teodor Vaso – futbollist
  44. Anida Take – këngëtare
  45. Petro Nini Luarasi - patriot dhe mësues
  46. Hafiz Ali Korça – patriot, gjuhëtar dhe teolog
  47. Aleko Minga – matematikan, pedagog, përkthyes dhe filozof.
  48. Petro Sturgji – mundës, kampion bote
  49. Nuçi Naçi – patriot, mësues dhe studiues
  50. Sotir Sulidhi – fotograf
Lista mund të vazhdojë edhe me shumë e shumë të shquar të tjerë, por ndoshta si fillim është një numur i mirë personalitetesh, të dalë nga treva jonë. Shumë prej tyre nuk kanë marë vlerësime nga administratat qëndrore dhe lokale, por janë vlerësuar maksimalisht nga njerëzit, që kanë punuar në fushat e tyre.

Wednesday 14 March 2018

“Vrasja” e hapësirave të përbashkëta nga Rama

Që e gjithë historia e studim-projektimit të Teatrit Kombëtar është një aferë e pastër korruptive, për këtë nuk duhen as shumë mend dhe as njohuri nga fusha e biznesit apo e urbanistikës. Rama kishte kohë, që i sillej rrotull kësaj prone publike, të cilën e konsideronte si pronën e tij kur ishte Kryetar Bashkije dhe më tepër tani, që është Kryeministër i vendit.
Në të gjithë këtë histori “të fëlliqur”, ka një anë të mirë - angazhimi i arkitektit Bjarke Ingels, një nga arkitektët në avangardë të mendimit hapësinor dhe arkitekturor në botë.
Po hap një parantezë, për akuzën për plagjiaturë, të ngritur në shtypin tonë rreth projektit të Teatrit Kombëtar. Nuk besoj se ka nevojë, një studio e fuqishme si “Bjarke Ingels Group” të kopjojë një vepër të një studioje tjetër. Arkitektët e këtij niveli janë shumë të kujdesshëm për reputacionin e tyre profesional, ndaj ngjashmëria duhet konsideruar ose e rastësishme, ose duhen dëgjuar të dy palët për historinë e projektimit të dy objekteve.
Projekti i paraqitur nga arkitekti danez, sipas sugjerimit nga kryeministri Rama, duke e “xhveshur” nga kullat përreth, është një hile e keqe, që dëshmon qëllimin e palës porositëse (në këtë rast qeveria jonë)
I gjithë kompleksi nuk është “tetaër me kullë“ si e kanë quajtur disa kundërshtarë të tij, por “kullat me papijon”.
Janë ato, jo vetëm qëllimi i hartimit të këtij projekti, por edhe vëllimet , që dominojnë këtë hapësirë publike.
Duke ardhur tek hapësira publike, duhet të themi se këtu nis dhe përfundon, i gjithë dëmi urbanistik, që i bëhet kësaj pjese të qendrës së Tiranës. Në rast se Teatri do konceptohej si vëllim më vete në gjithë truallin që ze, sot, do kishte një hapësirë multifunksionale që do përmblidhte jo vetëm veprimtari artistike , por edhe rekreative të kryeqytetasve. Atje mund të ishte një vend takimi për të gjithë llojet e artistëve, nga piktorët e rrugës dhe deri tek “trubadorët”. Diçka e ngjashme me hapësirën përreth Qendrës kulturore  “Zhorzh Pompidu” në Paris.
Eshtë kjo, që ju intereson qytetarëve, por jo Ramës dhe Veliajt, që nxitojnë se mos ju shpëton “ky zog” nga dora para se të humbin zgjedhjet lokale në Tiranë.
Si e kam përmendur në një artikull tjetër tek politico.al “Robert Ndrenika”, kujdes se këta të gënjejnë!”, unë kam mendimin, që teatri në gjendjen, që është, nuk ka asnjë kuptim të ruhet apo të restaurohet. Gjithashtu, 10-15 milion dollarë për të ndërtuar një Teatër të Ri nuk janë ndonjë shpenzim dërmues për buxhetin e një qeverie, që flak para në të katër anët.
Nëse sheshi “Skënderbej” është kthyer në një hapësirë stërmadhe “zdërhalliseje”, një hapësirë më e vogël publike, rreth Teatrit të Ri, do ishte një qoshe e këndshme, çlodhëse dhe krijuese për të gjithë ata, që aspirojnë të bëhen artistë në kryeqytetin shqiptar.
Për fat të keq, nuk kanë mbështetjen e kryeministrit-artist.
Ai mundohet të justifikojë zënien e hapësirave duke bërë krahasime me Manhattan dhe teatrot e Broadway.
Jo vetëm nga diferenca e madhe konceptuale, historike, financiare,e pronësisë, Tirana nuk mund të krahasohet me Manhattan, por duhet thënë se teatrot, që përmend Rama, as kanë qënë dhe as janë pronë publike. Ato janë zhvilluar si investime private, duke gërshetuar interesat e ndërtuesve me ato të biznesmenëve të kulturës dhe nuk ka pse të përmenden as si shembuj negativeë dhe as si pozitivë. Në rast se ka vend për krahasim me atë pjesë të New York-ut, mund të përmendet rasti i mbrojtjes , që i beri Jacqueline Kenedy në vitet ’70 “Grand Central Station” duke e shpëtuar nga shkatërrimi dhe zëvendësimi me grataçielë.
Hapësira publike e Teatrit Kombëtar duhet mbrojtur.

Për këtë duhet kërkuar një projekt i ri nga arkitekti i shkëlqyer danez Bjarke Ingels me të tjera modalitete dhe kërkesa, duke vënë në qendër njeriun dhe hapësirat e kultivuara publike, që e bëjnë më të mirë jetën e tij.

Tuesday 13 March 2018

Po kësaj ç’emër t’i vemë?

Arkitektura e shëmtuar (jo thjesht kontroverse) e arkitektit australian Wilson, vazhdon të trondisë, ata që e duan Korçën dhe njohin arkitekturën e saj. Nuk kanë munguar edhe etiketimet negative për Kullën duke e quajtur “çelës anglez”, “objekt fallik”, “mëngë në kurriz”, “shkop betoni” e të tjera të ngjashme. Objektin tjetër, që është duke u përfunduar përkrah Katedrales, vetë e kam quajtur “Derri i lerosur”, por kur të dalë përfundimisht në dritë, kushedi se ç’nofka do i venë korçarët.
Po këtij hoteli-qendër tregëtare, në zemër të qytetit ç’emër t’i vemë?
Tamam në fillimin e pjesës me kangjella të shëtitores të njohur, ku gjithshka është më e lehtë, më dantellore, më fluide, më e paqme, se në të gjithë pjesët e tjera të Korçës, shfaqet kjo monstër.
Atje ku hapësira hapej dhe hijeshohej nga gjelbërimi i lulishtes, në fundin e të cilës zbardhonte si n jë tempull dijesh Biblioteka e vjetër, tani ndeshesh me brutalitetin e këtij objekti në ndërtim.
Duket një karshillëk i hapur edhe ndaj shtatores së Themistokli Gërrmenjit, që kërkonte një Korçë europiane me ndikim francez.
Nuk di si t a quaj. Ndoshta një monument i Republikës Anadollake të Korçës.
Më dhimbsen investitorët, të cilët kanë qënë të detyruar nga Bashkia për ta bërë projektin tek studioja e arkitektit Australian në Tiranë.
Shoh mes emrave, veë Peter Willson edhe atë të arkitektes Burda, e vetmja nga arkitektët korçarë që ka shkruar në favor të Kullës Vrojtuese, duke e nënvizuar edhe me klithmën “O njerëz, po e shikoni sa i madh është sheshi?”
Eshtë e pamundur të kërkosh ndaljen e këtij projekti pasi pronarët kanë shpenzuar jo pak.
Po a mund të korrigjohet?
Nuk di, nëse deri këtu ku ka arritur, mund të ketë mundësi korrigjimi për ta sjellë sadopak “në biçim”.
Të vesh kujen, nuk bën dobi.
Po edhe të kthesh kokën mënjanë është e pamundur, se me këtë “patlixhan të deformuar” do përplasesh sa herë të dalësh shëtitje në qytet.
Ndjehem i pafjalë, i pafuqishëm dhe i tronditur.

Perëndia vëntë dorë!

Fryma e arkitektëve të rinj si Ingels.

Vite më parë, diku kam lexuar një pyetje rreth filmave, nëse i zgjedh për t’i parë nga emri i regjisorit, i aktorëve kryesorë apo nga subjekti. Si kujtdo, edhe mua më shkoi në mendje, se nga se i zgjedh filmat para se t’i shikoj. Nuk mund të jepja një përgjigje të menjëhershme, por nëse ndikimi i parë do ishte nga zhanri, i dyti dhe më me peshë do ishte emri i aktorit ose aktores kryesore. Nuk do hezitoja të shihja çdo film, ku luan Robert Redford,(përjashto këtu “science fiction”, por Bob nuk besoj se do ishte i interesuar për një film të tillë), ose të Tom Hanks apo të Meryl Streep. Përvoja (statistikore) ka dëshmuar se jo vetëm luajnë shkëlqyer, por dinë të zgjedhin për tu angazhuar në filma mbi mesatarë.
E përmënd këtë, për të treguar, që brenda nesh ka diçka “objektivo-subjektive” në raportin me veprat e artit, autorët e caktuar, rrymat e caktuara. Vlerësimi nuk ka se si të jetë tërësisht i paanshëm.
Kjo më ngjet shpesh edhe në vlerësimin e veprave të arkitektëve të mëdhenj. Mrekullohem më shumë nëse kur shoh një vepër , që më le mbresa, pranë saj shoh edhe emrin e Frank Lloyd Wright, Mies Van Der Rohe, Frank Gehry apo Renzo Piano. Mes veprave të tyre ka edhe mesatare, por në gjykimin tim (dhe të të tjerëve) ndodh ajo që mund të quhet “ndikim nga emri i personalitetit”, që jep menjëherë dy nota më lart për të njëjtën cilësi projekti.
Kështu më ndodhi edhe dje, pasi pashë disa nga veprat e arkitektit 43 vjeçar Bjorke Ingels, i cili ka projektuar Teatrin Kombëtar në Tiranë. Pashë një arkitekt jo vetëm të suksesshëm, por mbi të gjitha të formuar teorikisht, me ide të reja rreth arkitekturës, me një frymë origjinale dhe një modernizëm elegant që nuk e has dendur. E kam fjalën për projektet e realizuar të tij dhe jo për projektin e Teatrit tonë. Objektet janë jo vetëm në vazhdimësi të projekteve më të mira të shekullit të kaluar, por sjellin frymën e një kohe të re në të cilën jetojmë.
Kur kisha parë vëllimet e Teatrit, para se të dija se kush ishte Ingels, më ishte dukur një projekt interesant, por disi i nxituar në zgjidhjen vëllimore, që më kujtonte një kapëse të flokësh në kokën e një vajze.
Dje, pasi pashë më shumë renderime dhe kisha mësuar se ç’është në gjendje të projektojë arkitekti danez. Edhe pse duhet njëfarë rezerve në gjykimin pozitiv, sepse duhet parë i gjithë projekti i kompleksit, së bashku me ndërtimet përreth që do shtohen, unë I besoj më shumë tani autorit.
Tirana (dhe qytetet e tjera nëse është e mundshme) kanë nevojë për projekte nga studio, që janë në pararojë të mendimit arkitekturor. Edhe pse i ri, Bjorke Ingels është i tillë. Kur bëhet fjalë për  të tilla angazhime edhe mund të justifikohet shmangia e një konkursi, që përgjithësisht është mënyra më e mirë, për të arritur në vepra cilësore.
Duke mos ngatërruar motivet (që në rastin e dorës së Ramës janë gjithnjë lakmitare) me rezultatin, duhet të them, se projekti jo vetëm është modern, jo vetëm përputhet me funksionin, por mund të quhet pa frikë projekti më dinjitoz, që është paraqitur deri tani në Tiranë.
A do të kisha të njëjtin gjykim nëse ky projekt do kishte firmën e arkitektit Australian Peter Wilson?

Peter Wilson nuk mund të projektojë diçka të tillë!

Monday 12 March 2018

Optimizmi i VIP-ave nga Korça

Korça i ka dhënë Kombit (kuptohet edhe kryeqytetit) një numur të madh mendjesh të vlera, që po t’i zesh e t’i numurosh, ndoshta janë po aq sa i kanë dhënë gjithë qytetet e tjera sëbashku. Ndoshta, nga që një pjesë e mirë e tyre, kanë qënë të shkencave të sakta, të mençurit nga Korça, që kanë shkëlqyer në fushat e tyre, kanë qënë të përmbajtur, deri diku edhe skeptikë edhe për ato, që njihnin mirë. Mund të përmend këtu Fundot e hershëm të matematikës, Kuneshkat, vëllezërit Pilika, dhe të mëvonshmit Mishel Fundo, Petraq Kolevica, Aleko Minga, Fejzi Kolaneci dhe deri tek Grigor Joti.
Brezi i VIP-ave korçarë të tranzicionit, duket që ka një ndryshim cilësor nga brezat e mëparshëm. Më duket se pa frikë mund ta përgjithësoj si brezi i VIP-ave të sigurt dhe optimistë. Nuk di nëse kjo rrjedh nga formimi i tyre kryesisht në periudhën e tranzicionit, nga kontakti me një sasi shumë të madhe dijesh, apo me euforinë që sjell liria. Nëse ne do ishim një vend normal europian, tre shembujt ,që do paraqes më poshtë i përkasin gjeneratës X, sepse janë lindur në vitet e pas “baby boomers”, por “thyerja” e normalitetit për shkak të diktaturës, më bën të mos jem i sigurt në përkatësinë e tyre breznore.
Interesante është se të tre kanë studiuar në fakultete të inxhinierisë, janë marrë me politikë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Më pak i njohur është inxhinieri markshajdër Alfred Cako, që njihet gjithashtu si botues, përkthyes, astrolog dhe publiçist. Cako ka qënë edhe për një ose më shumë legjislatura, deputet i të Djathtes.
Cakon mund ta quajmë pa frikë, dijetar në fushën më të thellë të dijeve, që përfshin lëmet e parapsikologjisë, astrofizikës jotradicionale, astrologjisë, teorive komplotiste në histori dhe politikë, teorive komplotiste në marëdhëniet ndërhyjore etj.
Njohuritë e thella i kanë dhënë një siguri dhe optimizëm për të hyrë në debate edhe për nocione bazë të shkencave, historisë dhe politikës. Pa mëdyshje, Alfred Cako është në gjendje të debatojë me këdo dhe të argumentojë se : “toka është e sheshtë“; “hëna është një satelit artificial i tokës, i hedhur nga alienët në kohën e Përmbytjes së Madhe”; “jaudinjtë (çifutët) po komplotojnë me aziatikët e tjerë për t’i dhënë fund sundimit mijëvjeçar të racës së bardhë“; “dielli është shumë herë më i vogël se sa thuhet në libra”; “bankierët e Tokës ju dërgojnë arin e Tokës, alienëve në hënë“ dhe të tjera të këtij rangu.
Të njëjtin fakultet, atë të Gjeologji – Minierave, ka mbaruar gazetari, historiani, autori, analisti dhe specialisti i teorive komplotiste në histori dhe politikë, Kastriot Myftaraj.
I specializuar kryesisht në historinë e organizatave të fshehta, shërbimeve shtetërore sekrete, në gjenealogji dhe interpretim të qartë të ngjarjeve të turbullta, Myftaraj është sulmuar fizikisht nga shumë njerëz, të cilëve ju ka nxjerrë “të palarat”. Duhet thënë se Myftaraj i ka fituar edhe të gjitha gjyqet, në të cilat e kanë hedhur “të dëmtuarit për prishje imazhi, ose për shpifje”.
Në pohimet e sigurta të Myftarajt, një vend të madh zenë masonët, “Protokolli i Zionit”, Xhorxh Soros, KGB-ja dhe UDB-ja, si dhe gjithë shërbimet e fshehta dhe organizatat e fshehta, që kanë ekzistuar ose jo.
Ndër deklaratat më optimiste dhe dritëhedhëse kanë qënë : “Erion Veliaj është djali ilegal i ish-Presidentit Iranian Ahmanedinixhad”; “Vuçiç i ka dhënë Ramës një video ku tregohet Basha në një marëdhënie seksuale me një zyrtar hollandez, gjë që solli edhe marëveshjen e 18 majit”; “ Kristaq Rama është djali ilegal i Ahmet Zogut”; “Sorosi po gërmon gjithë rregjistrat e Mesjetës në Shqipëri, për të gjetur pasardhësit e familjeve çifutë, që t’i vendosë në udhëheqje të vendit”.
 Por siguria dhe optimizmi i dy të parëve, nuk ka të krahasuar me euforinë këmbëngulëse të politikanit, biznesmenit dhe autorit Niko Peleshi. I diplomuar për inxhinieri elektronike dhe njohës i thellë i teknologjive të avancuara, Peleshi ka dëshmuar vullnet të hekurt në studimet rreth bizneseve dhe rolit të tyre në gjeopolitikë, rilindjes urbane të qyteteteve dhe konceptimit të vendbanimeve në të ardhmen dhe më së fundi, në rolin e Ministrit të Bujqësisë, është edhe ideatori i teorisë nacionalisto-kulinare “Ne jemi ajo që hamë - të hamë prodhime shqiptare për të qënë shqiptarë të vërtetë“.
Në kontributet më të mëdha të tij në fushën e mendimit bashkëkohor mund të përmendim: “Elitat e reja që do sundojnë botën, do jenë ato që nuk do flasin politikisht korrekt”; “Nuk ka pse të bëjmë koalicion me krerët e partive, kur mund të bëjmë drejtpërsëdrejti me rritësit e dhive”;”Kur ju kalon shock of the news, njerëzit bëhen më të kulturuar”; Të dëmtojmë blegtorinë e vendeve fqinjë, duke ju blerë sa më shumë bagëti të therrura”; “Rilindja rurale është e njëjtë me Rilindjen urbane, veçse përdoret më pak beton”.
Ndaj edhe ne korçarët, jo vetëm që duhet të krenohemi me përfaqësuesit më të shquar të Gjeneratës X, por edhe duhet të na përfshijë sadopak optimizmi dhe siguria e tyre.

Vetëm në këtë mënyrë mund të luftojmë nihilizmin, pesimizmin, cinizmin, “kondrallëkun” dhe gjithë cilësitë e tjera, që nuk na lenë të ecim përpara me shpejtësinë e VIP-ave tanë.

Sunday 11 March 2018

Kenge ne 12 gishta

Nuk mund të vrapoj
Në këtë perandori të bardhë
Ndaj mbi të çapitem.
Dielli më shpon përtej
Por jo borën dhe akullin nën të,
Poshtë akullit lumi i ëndrrave
Ngadalë rrjedh
Dhe mërmërit pa zë.
Bjerë dëborë furishëm dhe shtruar,
Nga i murmurti qiell,
Mbi të bardhin dhe!
Mbulo më shumë
C’ka është mbuluar:
Fshehtësitë e fajshme,
Endrrat e dremitjes në drekë,
Ankthin,
Frikën e fluturimeve mbi re!
Dita do vijë,
Kur dielli do ndalet tek tejshkueshmëria ime
Dhe më me forcë do ngrohë.
Bora do shkrijë
Dhe nën të do duken eshtrat e ëndrrave të shkuara,
Të bardha,
Si perandoria e akullt,

Që i treti dikur nëpër kohë.

Saturday 10 March 2018

Vendim i heshtur, që duhet përshëndetur

Bashkia Korçë, ose zyra të caktuara të Qeverisë, kanë vendosur, që ndërtimi “kubik” në oborrin e shtpisë të stilit rumuno-bizantin në qendër të Korçës, të mos realizohet.
Edhe pse nuk e di historinë e vërtetë të këtij “hapi pas”, që mund të jetë “rikthim i vetëdijes qytetare”, mungesë fondesh të plota, përkulje ndaj kritikave në mediat sociale apo “moskënaqësi e padishahut Rama” për projektin, më e rëndësishme se motivet është fakti, që një pjesë e vogël e qytetit, por ku rrahin disa rrugë kryesore, do mbetet si ka qënë.
Le të duartrokasim për vendimmarrësit dhe të shpresojmë se korrigjime të tjera të mundshme, do bëjnë edhe për gabime të tjera të kësaj natyre në qytet.
Në rradhë të parë, Bashkia (dhe ata më sipër se ajo) duhet të ndërpresë bashkëpunimin me arkitektin australian Pitë Uillsën (Peter Wilson) autor i disa projekteve shumë të dëmshme për qytetin. Po përmend këtu vetëm Kullën Vrojtuese, Bibliotekën e Re, Rikonstruksionin e Bibliotekës së Kolevicës dhe dy hotele investitorësh privatë, të detyruar nga Bashkia për t’i projektuar tek ky arkitekt.
Në projektet e tij ai dëshmonte ngutje, mungesë ndjeshmërie ndaj arkitekturës elegante ekzistuese të Korçës, përdorim vëllimesh dhe materialesh dizonante me ato tradicionalë.
Projekti, që nuk do ndërtohet i muzeut të Gjon Millit, ishte dëshmi e qartë.
Në qytet ka arkitektë me përvojë dhe të rinj të talentuar, që mund të mbajnë barrën e projektimit. Gjithashtu hapur duhen mbajtur dyert edhe për arkitektët nga Tirana, Kosova dhe shtetet e tjera europianë, por mbi të gjitha, pasi të jetë siguruar një garë e ndershme e konkurimit të aftësive dhe projekteve. Vetëm kështu kemi për të patur një qytet sa tradicional aq edhe modern.
Restaurimi dhe rifreskimi i ndërtesave të paraluftës duhet të jetë synimi kryesor i Bashkisë. Suksesi i rikonstruksionit të Pazarit (edhe pse me disa probleme të funksionimit) duhet të shtrihet edhe në zonat e tjera historike, por pa monopol projektuesish dhe pa abuzuar.
Korçën duhet ta mbrojmë të gjithë dhe në rradhë të parë ata, të cilët e administrojnë.

Ndaj edhe një herë, përgëzimet le të shkojnë për ata, të cilët në mënyrë të heshtur, pa fanfarë, kanë marrë këtë vendim të rëndësishëm.