Monday 4 June 2018

Vëllimet gjeometrike në arkitekturën shqiptare - 2


(vijim)
Tirana ishte fatlume, që duke qënë një kryeqytet i zhvilluar mbi bazën e një qyteze, të konceptohej në pjesët kryesore të saj nga arkitektët Italianë prej fundit të viteve ‘20 dhe deri në fillimin e viteve ’40. Interesante është se kjo përkon me zhvillimin e arkitekturës fashiste në Itali, e cila bashkëjetonte dhe konkuronte me arkitekturën futuriste. Ndikimi i madh i Antonio Sant’Elias nuk shtrihej vetëm në arkitektët e futurizmit, por edhe në përfaqësuesit më të shquar të arkitekturës fashiste. Ndaj në ndryshim me arkitekturën e vendeve me ideologji totalitare si Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik, ndërtimet e asaj periudhe në Itali i largohen monumentalitetit butaforik. Në to ka shumë racionalizëm dhe pastërti vëllimesh dhe sipërfaqesh.
Tek kompleksi i sheshit përballë Universitetit (sot sheshi “Nënë Tereza”) vëllimet e pastra gjeometrike dominojnë të gjithë kompleksin edhe shkallaret e shumta bëjnë të humbasë disi efekti i tyre dhe të shtohet ai monumental. I konceptuar si një forum romak, por me theks kulturoro-administrativ, kompleksi në fjalë mbetet më i menduari dhe i formuluari mirë në 100 vitet e ekzistencës të shtetit shqiptar dhe të arkitekturës së “kultivuar”.
Në të njëjtën frymë racionale dhe moderne, si vëllime të thjeshta gjeometrike apo kombinim syresh, janë edhe Kryeministria dhe Hotel “Dajti”, si edhe të quajturat ‘pallatet e aviacionit”. Duke përjashtuar këto të fundit, të gjitha janë projekte të arkitektit italian Xherardo Bozio, i cili për fat të keq, vdiq në moshën 38 vjeçare.
Këto përbënin “piketa” solide për të patur një Tiranë mesdhetare dhe njëkohësisht moderne, por, që për arsye të shumta “devijoi” më vonë nga ky lloj orientimi arkitekturor.
Por, në atë kohë në Itali, ekzistonin edhe studio të tjera, që ndiqnin parime të tjera, si neoklasiçizmi dhe eklektizmi. Njëra prej tyre, ajo e arkitektit Florestano Di Fausto, duke patur edhe lidhje të forta me Musolinin, u angazhua nga mbreti Zog për të gjitha projektet e ministrve, të vilave mbretërore në Durrës dhe Shkodër dhe ndërtesës së Bashkisë së Korçës. Qoftë në konceptimin vëllimor, si dhe në trajtimin e planimetrive dhe fasadave, ato mbeten të ndikuara nga stilet e Neo-Renessaince dhe Eklektik dhe janë të ngjashme me shumë ndërtime të fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shek XX-të në gjithë qytetet e Europës.
Si e kam përmendur në shkrime të tjera, në rastin e Bashkisë së Korçës, fasadat u riprojektuan në përputhje me një frymë racionale, që mbizotëronte në qytet, duke u zhveshur nga të gjithë detajet e orderit neo-klasik, me të cilat janë të mbushura godinat e ministrive. Duhet theksuar, që Di Fausto ishte një arkitekt me emër dhe me prodhimtari të habitshme, me projekte të realizuara në ishujt Italianë të Egjeut, Libi, Tunizi dhe Etiopi, përveç projekteve të shumra në Itali.
Thuajse e njëjta dukuri u vu re në projektet e degëve të Bankës Kombëtare në katër qytetet e mëdha shqiptare të Durrësit, Shkodrës, Korçës dhe Vlorës. Ndërsa tre ndërtime janë thuajse identike, me elementë të Neo-Renesansës, projekti i Bankës së Korçës ka një trajtim , që bashkon Racionalizmin me elementët e arkitekturës tradicionale të Korçës. Objekti mbetet edhe sot, më moderni dhe më imponuesi në qytet. Të gjitha janë vepra të arkitektit italian Vitorio Morpurgo, i cili është autor edhe i ndërtesës qëndrore të Bankës Kombëtare në Tiranë, një nga ndërtimet më interesante në të gjithë territorin e Shqipërisë.
(vijon)

No comments:

Post a Comment