Friday, 21 March 2025

Syzet mija të errrëta


Dje, një miku im në SHBA, më dërgoi një mesazh rreth shënimit tim të fundit “Sa për mbarë...nga lumi”. Paraprakisht më duhet të them që nuk ishte Trampisti Selim.

Në thelb mesazhi ishte që shikimi i situatës ndërkombëtare në shënimin tim, ishte bërë me syze të errëta të huazuara nga periudha propagandistike e kohës së Enver Hoxhës. Për këtë veçoheshin edhe dy nga pikat e nënvizuara nga unë - zvogëlimi i diferencave mes shteteve të pasura dhe të varfra; si edhe respektimi pa hezitim i të drejtave të njeriut.

Kuptova që miku im ishte i shqetësuar për dy gjëra. E para që unë isha tepër pesimist për efektin e Presidencës Trump në gjendjen ndërkombëtare dhe e dyta për “lakrat komuniste”, që unë ende kisha në kokë.

U mundova ta qetësoja për të dytën dhe t’i sqaroja se në kohën e Dullës nuk ziheshin në gojë “të drejtat e njeriut”, madje dhe demaskoheshin institucionet që i mbronin, si edhe i përmenda që flitej rrallë për ndryshimet midis vendeve të pasura e të varfra. Ajo ç’ka thuhej rëndom ishin vendet kapitaliste dhe revizioniste dhe përballë tyre ishte e vetme “Fanari ndriçues në brigjet e Adriatikut” dhe që ishte gjithmonë në anën e popujve!

Nuk u duk se pata ndonjë sukses në mbushmendjen e tij se nuk kisha “lakra” dhe pasi u tërhoqa nga apologjia ime nisa të mendoja më thellë, se mos jam thellësisht alarmist në shënimet e mija rreth problemeve të mëdha të Globit.

Nuk është e pazakontë, që në moshën e tretë të jesh më pak optimist se sa ke qënë në rini ose në mesin e jetës. E megjithatë, eksperienca më e gjatë bën të jesh edhe më realist dhe mos besosh lehtë në zhvillime ndërkombëtare të jashtëzakonshme qoftë për mirë apo edhe për keq.

Por një “troshitje” të tillë të të gjitha kancelarive botërore dhe mediave të çdo lloji, unë nuk kam parë. Dhe në mënyrë të veçantë nuk kam parë një injorim të tillë të ligjeve ndërkombëtare dhe institucioneve ndërkombëtare (edhe pse shumë syresh me difekte) sa kanë ndodhur vetëtimthi në dy muajt e fundit.

Unë besoj se edhe pse nuk mund të ketë një shoqëri njerëzore perfekte brenda disa dekadave, ka qënë e mundur që përmirësimet që filluan pas përfundimit të Luftës së Ftohtë munf të vazhdonin me të njëjtën prirje. Por kthimi në të kundërt nuk mund të bëjë që unë ta shoh gjendjen me syze ngjyrë trëndafili.

Gjithashtu nuk e quaj të pallogjikshme, që njerëzit që jetojnë në Amerikë (si miku im apo edhe Trampisti Selim) të jenë të interesuar për një rritje të standartit të tyre të jetesës, uljen e taksave dhe ndalimin e emigrantëve. Gjithashtu ata mund të mos duan që paratë e taksave të tyre të shkojnë në ndihmë të të sëmurëve apo të pangrënëve në Afrikë, por kjo nuk do të thotë që pjesa tjetër e Njerëzimit, që bën diçka për ata që nuk kanë mbrojtje të duartrokasë Udhëheqësin e tyre fytyrë portokalli.

Ka një ndryshim mes meje dhe mikut tim.

Ai shqetësohet se unë e përshkruaj me ngjyra të errëta realitetin ndërkombëtar, ndërsa unë nuk shqetësohem që ai mendon se po fillon një periudhë e artë e Amerikës. Nga jeta kam mësuar se jo çdo gjë që shkëlqen është flori dhe se kur fillon të kutërbojë je pranë një gjirizi.


No comments:

Post a Comment