Në janar të vitit të kaluar, pata postuar një shënim me nota pesimiste për gjendjen e politikave ndërkombëtare, që kanë efekt në të gjithë Njerëzimin. Ato që kanë efekt të menjëhershëm dhe ato që kanë efekt mbi jetën e fëmijëve dhe fëmijëve të fëmijëve tanë.
Ishte një vit, kur nuk kishte asnjë shënjë se lufta e Ukrainës dhe ajo e Gazës do kishin një fund të shpejtë. Argumenti im ishte se për shkak të vitit elektoral në SHBA, administrata ekzistuese do ishte disi e paralizuar për të marrë vendime që kanë përkrahjen e shumicës së vendeve të mëdha e të vogla në botë. Pra vendime demokratike që pasqyrojnë interesat e shumicës së popullsisë të Globit. Do përmendja disa prej tyre: paqe të menjëhershme dhe afatgjatë në çdo rajon të globit; përpjekje për të zvogëluar ndryshimet socialekonomike midis vendeve të pasura dhe atyre të varfra; rritja e përpjekjeve për të penguar rritjen e vazhdueshme të ngrohjes globale dhe respektimit pa hezitim të të drejtave të çdo njeriu në botë.
Përmendja pikave të mësipërme mund të duket tepër naive, por unë nuk kam as më të voglin dyshim se këto janë ato ç’ka kërkojnë shumica dërmuese e njerëzve në botë.
Eshtë e pranuar nga të gjithë se Amerika është zëri më i fortë dhe udhëheqës në botë. Pesimizmi im varej nga fakti se Shtëpia e Bardhë gjatë vitit zgjedhor do ishte gati impotente dhe se në rast të fitores të Trump, të gjitha pikat e sipërpërmendura (veç asaj të paqes) nuk do ishin pjesë e programit të administratës Trump. Filozofia e Trump, e provuar edhe gjatë mandatit të parë, ka qënë që Amerika të bëhet më e pasur dhe më e begatë. Edhe pse kjo ide mund të duket racionale madje dhe e fisme duhet shtuar s Donald nuk shqetësohet për mëkëmbjen e vendeve të varfra, nuk i bëhet vonë për ngrohjen globale dhe nuk i bie ndërmend nëse të drejtat themelore të njerëzve shkelen në Amerikë apo aq më pak në botë.
Por edhe pse një kundërshtar i vendosur i politikave “Trump”, as nuk e prisja që politika e administratës së re do ishte kaq dërmuese për rendin ndërkombëtar në botë
Dhe nuk janë vetëm largimi nga Marëveshja e Parisit për Klimën, nga Organizata Botërore e Shëndetsisë, mbyllja e USAID, sulmi ndaj Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës etj. Këto deri diku ishin të pritshme. Qoftë edhe vendosja e tarifave.
E papritur ishte normalizimi i një gjuhe ekspasioniste. Pa mbushur dy muaj në pushtet, ai jo vetëm po e quan normale të marrë kanalin e Panamasë, Groelandën, Rripin e Gazës dhe të aneksojë Kanadanë, por ka urdhëruar Pentagoni edhe të hartojë plane ushtarake për t’i realizuar këto gjatë Presidencës së tij.
Në këtë kuadër janë edhe politikat e tij për të favorizuar Rusinë, për të dëmtuar unitetin e Europës së Bashkuar dhe të mosmbrojtjes të vendeve të NATO-s që nuk shpenzojnë 5% të PPB-së në industrinë e prodhimeve ushtarake në Amerikë.
Duket tashmë qartë, që koncepti i tij gjeopolitik është një ndarje e zonave të influencës mes tij, Putinit dhe Presidentit Xi. Sigurisht që Trump mendon se marëveshjet me ta do bëhen në favor të Amerikës, por logjikisht këto marëveshje të të treve do bëhen në kurriz të vendeve mesatare dhe të vogla. Sigurisht, që pas disa dhjetvjeçarësh të një funksionimi disi normal të marëveshjeve ndërkombëtare 1990-2024), një kompromis i tillë tresh, nuk mund të arrihet pa kundërshtimin e të tjerëve. Kjo shton rrezikun që përpjkejet për të marrë SBA pjesën e luanit, mund të sjellë jo vetëm kundërshtime retorike, apo kundërtarifa, por më e frikshmja është se mund të ketë përplasje të armatosura rajonale, mes vendeve të vogla dhe ndonjërit nga tre Fuqitë e mëdha.
Ndaj duket se do kemi jo vetëm një 2025 shumë të vështirë, por edhe tre vjet të tjera më pas , kur rritja e tensioneve të jetë e vazhdueshme dhe varfërimi i të varfërve të jetë edhe më i thellë.
No comments:
Post a Comment